• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Të shpëtojmë jetën e Amrës

December 22, 2023 by s p

Thirrje për solidarizim për të shpëtuar jetën e Amra Mjekiqi. Familja ka apeluar për ndihmë në përballimin e kostos ekonomike të trajtimit mjekësor. Amra është njëmbëdhjetë vjeçare dhe është diagnostifikuar me leuçemi. Kostoja e trajtimit spitalor të saj është 200,000€; dhe familja e saj ka nevojë urgjente për ndihmë. Lusim të gjithë ata që munden ta ndihmojnë Amran!

Dhuro: https://www.paypal.com/pools/c/90lSG0BvEO

Filed Under: Sociale

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej “Inc., Organizon edicionin e tretë: “Dëgjoni zërat tanë”

December 22, 2023 by s p

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej “Inc., Organizon edicionin e tretë: “Dëgjoni zërat tanë”

Filed Under: Sofra Poetike

Sheuqet Muka, intelektual i shquar islam

December 22, 2023 by s p

Sheuqet Muka (1887-1967)  

 “Mësuesi i Popullit”

sheuqet muka

“Zani i Naltë”

Abstrakt

Sheuqet Muka ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.

Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i Fesë islame.

Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.

Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas. 

Sheuqet Muka edukimin fillestar e mori në mejtep e më vonë tek intelektuali i shquar islam Haxhi Ibrahim Kaduku, te myderrizët e hoxhallarët me zë, si: H. Hafiz Sali Myftia, Muhamed Bekteshi etj, si dhe nga një studim intensiv individual i pandërprerë. Mësimi i gjuhës arabe dhe i shumë gjuhëve të tjera lindore e perëndimore, si poliglot, studimi i vëmendshëm dhe i kujdesshëm i Kur’anit, i haditheve profetike dhe i historisë islame, krijimi i një biblioteke të pasur e të rrallë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me personalitetet fetare të të gjithë vendit, njohja e gjendjes dhe e nevojave të objekteve të kultit, të institucioneve fetare, kontaktet me besimtarët myslimanë, në përgjithësi dhe veçanërisht të rinisë, dëshira për emancipimin e besimtarëve e kanë angazhuar atë për t’u marrë paralelisht me detyrat zyrtare dhe me problemet fetare. Kontributi fetar i Sheuqet Mukës ka pasur një grafik në rritje, ka qenë gjithnjë më i dukshëm, më frytdhënës në përputhje me rritjen e tij intelektuale, me afirmimin e tij në mjedisin e opinionin qytetar shkodran.

Përkushtimi i tij për fenë në përgjithësi e për disa probleme të saj në veçanti ranë në sy të organeve drejtuese arsimore fetare, që krijuan idenë e formimit të perspektivës së këtij të riu aktiv e të papërtuar. Prania e tij si përfaqësues i Inspektorisë së Arsimit në provimet vjetore të Medresesë së Epërme në pazar të Shkodrës në vitin shkollor 1926-1927, konkluzionet e nxjerra dhe propozimet e bëra në raportin përkatës ndikuan që të emërohet mësues i jashtëm i Medresesë së Re në vitin 1927-1928.

Nxënësit e kësaj shkolle nuk gjenin fjalë për të lavdëruar mësuesin e tyre të ri. Ata thonin se krahas drejtuesve e profesorëve të përmendur fetarë, kishin pasur edhe mësues të kulturës së përgjithshme, po aq kompetentë e të paharruar si Sheuqet Mukën, Hasan Tahsinin e të tjerë. Ata tregonin për aftësitë e tyre shkencore, pedagogjike, didaktike e komunikuese, si edhe për interpretimin e drejtë të lëndës në përputhje me parimet e fesë islame. Me përgatitjen e përvojën që fitoi, Sheuqet Muka mori nismën dhe ia arriti qëllimit, duke bërë një punë të lavdërueshme për hartimin e teksteve mësimore për mësimin e besimit dhe përkthimin e “Jasinës”.

Në vitin 1923 ndodhën ngjarje të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë: u zhvilluan Kongresi Mysliman, në të cilin ai qe pjesëmarrës aktiv si përfaqësues i prefekturës së Shkodrës. Në këtë kohë lindi nevoja e hartimit të teksteve të mësimit të besimit për nxënësit e shkollave fillore. Kësaj detyre të vështirë, por me vlera të mëdha edukative, iu përgjigj i pari Sheuqet Muka. Ai hartoi njërin pas tjetrit 3 libra të tillë (ilmihal) që në vitin 1923, të cilët u miratuan nga Këshilli i Naltë i Xhema’ati Islamijes dhe Ministria e Arsimit.

Duke u ndalur vetëm te libri i parë rezulton se autori e ka përgatitur atë me një aftësi të rrallë, me një kujdes të madh, me saktësi fetare, me kompetencë pedagogjike e metodike. Libri përbëhet nga 27 mësime të veçanta, të cilat përmbajnë paraqitjen e temës me hollësi në bazë çështjesh.

Në këtë kuadër, duke përgjithësuar përvojën e grumbulluar më vonë, në vitin 1927 botoi librin “Dijeni praktike besimtare” për shkollat fillore e mbarëshkollore, që është fillimi i botimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit me nr. 1. Ai është punuar në një formë të mirë paraqitëse, ka zhvillimin e temës hollësisht, e cila vazhdohet me përmbledhje, me tregues historik e praktik dhe në fund ka shpjegim fjalori. Meritat e Sheuqet Mukës për botimin e kësaj literature qenë të pakrahasueshme. Ai qe i pari që dha shembullin e mirë, që siguroi një seri librash fetarë të kësaj natyre, aq të domosdoshme për plotësimin e nevojave të fëmijëve, të rinisë e të besimtarëve. Vlera e këtyre shtohet edhe për faktin se ata ishin në gjuhë amtare, të kuptueshëm, të qartë e konkretë, me një stil të bukur e me një fjalor të zgjedhur.

Në krijimtarinë origjinale të autorit bëjnë pjesë edhe disa krijime në poezi, ilahi e kaside, që shprehin ndjesi të holla fetare, përkushtim e vlerësim të ngjarjeve historike nga Feja islame.

Është për të ardhur keq që ky kontribut me vlerë, ndër të parët përkthyes, shoqëruar me shpjegime, nuk është njohur nga studiues të ndryshëm nga Shqipëria dhe trevat shqiptare.

Lidhur ngushtë me krijimtarinë origjinale e përkthimet janë shkrimet e tij të shumta me karakter fetar. Sheuqet Muka zakonisht ka shkruar me pseudonime, për shkak të pozitës së tij zyrtare laike. Artikuj të shumtë publicistikë të firmosur me pseudonimet “Shkodrani”, “Arsyeja”, “Erzeni” etj, në revistat “Zani i Naltë” e “Kultura Islame” janë një tjetër kontribut i vlefshëm i Sheuqet Mukës për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të Fesë islame për vendin e të gjitha trojet shqiptare.

Tematika e këtyre shkrimeve është e larmishme në përmbajtje e në formë, ajo përmbledh përkujtime personalitetesh, rrahje problemesh fetare, arsimore, kulturore, emancipuese, tolerancë ndërfetare, edukim atdhetar, diskutime, replika, propozime e kritika.

Këto botime origjinale e shkrime patën një efekt të madh pozitiv te lexuesit. Ata u vunë në dijeni me realizëm e objektivitet për gjendjen e mjaft problemeve shqetësuese për kohën, u edukuan me ndjenjat fetare e atdhetare, u bënë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe për rolin e tyre në zgjidhjen e detyrave të mprehta në qarqet e në kryesinë e Komunitetit Mysliman, qenë pjesëmarrje aktive e autorit të tyre për zgjidhje të shpejta, të drejta, përparimtare e bashkëkohore, qenë ide për përmirësime, për reformime, për kthesa që diktonte zhvillimi fetar e kombëtar.

Në shumë shkrime ai ka trajtuar tema të rëndësishme e të mprehta të ditës e të perspektivës. Ato janë interesante, të hartuara me kulturë, të zhvilluara me synime të caktuara, të përshkuara nga dëshira për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara. Të tilla janë shkrimet: “E vërteta s’vdes kurrë!”, “Reforma dhe shpirti i myslimanizmit”, “Të gjith kemi nji dert”, “Nji përgjigje që s’përgjegj”, “Ndrejt pështimit”.

Disa shkrime kanë pasur karakter historik islam, si: “Të dalunit e të përhapunit e Islamijetit”, “Detyra e ynë ndaj Sahabeve” etj. Këto kanë pasur elemente përkthimi, përshtatjeje e gjurmimi të literaturës botërore.

Në vargun e krijimtarisë së Sheuqet Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues në tubime me besimtarët dhe në ndihmë të hoxhallarëve për predikime, në të cilat ka mbajtur tema interesante fetare, që shquheshin për thellësinë e përmbajtjes, qartësinë e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori. Ligjërata të tilla kanë qenë “Shfaqja e Muhamedit (a.s.) në skenën njerëzore”, “Feja islame, fe e natyrshme” etj. Në arkivin familjar gjenden të dhëna të tjera interesante në dorëshkrime për krijimtarinë fetare. Ndër to një abetare arabisht me një metodikë moderne të mësuari, me qëllim që besimtarët e çdo moshe të aftësoheshin për të lexuar Kur’anin dhe studime të shumta, si “Shkronjat e Kur’anit”, “Rëndësia e mevludit”, etj.

Për problemin e arsimimit të fëmijëve myslimanë ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë edhe në drejtime të tjera. Ai ka ngulmuar që në hapjen e shkollave të para laike më 1913 e më tej, si edhe në vitet shkollore 1921-1922 e 1922-1923 e në vazhdim të hapeshin shkolla fillore atje ku mungonin, që fëmijët myslimanë të mos mbeteshin analfabetë, që në to të vendoseshin mësues myslimanë, që krahas mësimeve zyrtare ata mund të zhvillonin edhe mësimet e besimit për mungesë të kuadrit fetar.

Për arsimimin e të rinjve myslimanë ai ngriti probleme për përmirësimin e punës në Medresenë e Përgjithshme, për gjallërimin e konsolidimin e medreseve të qarqeve e për ngritjen e një medreseje të re, pas suprimimit të tyre në qytetin e Shkodrës, duke e argumentuar këtë me fakte bindëse e me përvojën e këtij qyteti fetar.

Sheuqet Muka nuk u kursye për të dhënë ndihmesën e vet edhe në drejtime të tjera: si aktivist i Myftinisë, si bashkëpunëtor i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si këshilltar i Komunitetit Mysliman, si anëtar i kryesisë së Degës Kulturale të Komunitetit Mysliman, me kryetar personalitetin e shquar Mehdi Frashërin etj.

Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas.

Veprimtarinë fetare Sheuqet Muka nuk e ndërpreu edhe kur qe i burgosur, edhe në kampet e punës i dënuar nga diktatura komuniste. Me gjithë vështirësitë, pengesat e pasojat e rrezikshme, ai mbeti veprimtar i palodhur i edukimit të të burgosurve me mësimet fetare, u mësonte atyre pjesë kur’anore, u fliste për ngjarje të historisë islame, i nxiste t’i shtonin përpjekjet për edukimin shpirtëror, u forconte durimin e u ngjallte shpresën për jetën, për të ardhmen, për lirinë e demokracinë. E bashkëvuajtësit përfitonin nga formimi, përvoja, karakteri, besimi e shembulli i tij personal.

Për figurën, personalitetin e karakterin e Sheuqet Mukës janë dhënë vlerësime të shumta gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm. Përveç dekorimit me titullin e lartë “Mësues i Popullit” nga ana e presidentit të Republikës për kontributin e tij të shquar në lëmin e arsimit, janë vënë në dukje meritat e tij edhe në aspektin fetar.

Besimtarë të moshuar përcjellin se në Shkodër në vitet 1920 kishte “Dy bilbila, që mbanin predikime e biseda, që shkruanin libra e botonin në revista, ata ishin Hafiz Ali Korça e Sheuqet Muka”.

Vlerësime për rolin atdhetaro-fetar të Sheuqet Mukës ka dhënë edhe rapsodi Dede Shyti në veprën e tij “Rapsodi të përgjakuna” e “Kronikë rapsodike”. Ky autor shprehet kështu:

“Hallall’ kjoftë e Shqipnisë buka,

Xhemal Naipi e Sheuqet Muka,

Patriotë fetarë e atdhetarë,

Egër i shtypi diktatura”.

“Me Xhemal Naip, Sheuqet Mukë shkodran

E sa e sa tjer’nga Jugu e Tiranë,

Projekte andrrojshin, për Shqipnin’ nanë,

Se në çfarë kthetrash e kishin lanë”.

Ai ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.

Ai shoqërohej me të burgosur me bindje të ndryshme politike, diskutonte me ta me zemër të hapur dhe vlerësonte kontributin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer atdheut me alternativat e tij.

Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i fesë islame.

Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.

Me këtë veprimtari e krijimtari të pakrahasueshme Sheuqet Muka e ka vendosur veten në radhën e parë të intelektualëve të shquar myslimanë, si shembull i bukur dhe model frymëzimi, që do të kujtohet gjithmonë nga brezat me nderim e vlerësim, me dashamirësi e mirënjohje të përhershme.[1]

[1]. Për më tepër shih artikullin e botuar nga Dok. Honoris Causa Faik Luli, gazeta “Drita Islame”, nr. 127, 1997: 3-4;


Filed Under: Komente

Revista “Leka” si pjesë e rëndësishme e historisë së shtypit katolik shqiptar

December 22, 2023 by s p

Sokol Paja/

Shtypi katolik shqiptar zë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar. Shtypi katolik shqiptar gjatë gjithë veprimtarisë së tij ia kushtoi çështjes kombëtare, edukative, fetare dhe morale. Shtypi katolik shqiptar i bëri jehonë kombit e shtetit shqiptar dhe luftoi për bashkimin e trojeve në shtetin amë dhe njohjen e çështjes shqiptare në kancelaritë diplomatike të Europës.

Revista “Leka” që lindi si organ i shoqatës me të njëjtin emër Leka, kishte si qëllim kryesor kujtimin e kremtimeve për nder të kolegjit, dhe për të pasur ish-nxënësit katolik të kolegjit saverian në Shkodër një lidhje vëllazërore, jo vetëm morale por edhe materiale dhe më kryesorja vijimin e edukatës kulturore të fituar në kolegj dhe duke u munduar me shpirt dhe me zemër që ta përhapin në mbarë popullin sidomos në atë kohë që Shqipëria kishte nevojë me të vërtetë. Argëtimi, edukata, kultura, bamirësia, dhe lidhja e vërtetë mes anëtarëve bëri që edhe kjo revistë katolike të shërbejë për qëllime të larta të kombit shqiptar. Revista “LEKA” ishte një revistë e përmuajshme në botim me ndikim të madh kulturor dhe atdhetar në Veriun e Shqipërisë sidomos. Revista “LEKA” ishte organ i Shoqatës L.E.K.A. (Lidhja-Edukimi-Kultura-Argtimi) u themelua më 9 dhjetor 1928 nga ish-nxënësit e Shkollës së Jezuitëve në Shkodër (Kolegja Saveriane) e cila ka qenë gjithmonë një vatër kulturore-patriotike, fetare dhe atdhetare. Kontributi i jezuitëve në historinë e shtetit shqiptar, në botimet, në arsim dhe edukim mbetet i një rëndësie shumë të veçantë. Revista “LEKA” u ideua prej Jezuitëve si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike ku trajtoheshin tema nga me të ndryshmet kryesisht edukative, patriotike dhe fetare. Në këtë revistë asokohe shkruante elita fetare e kombit shqiptar. Shtypi katolik i Shkodrës ka pasur një ndikim shumë të madh në rritjen e ndërgjegjes patriotike, morale, edukative e fetare te lexuesit shqiptar. Numri i parë i revistës “LEKA” doli në qarkullim në Prill të vitit 1929 deri në vitin 1941. Pati një ndërprerje të përkohshme nga vitet 1941-1942 për të vazhduar botimin deri në vitin 1944 kur komunistët erdhën në pushtet dhe rrafshuan çdo gjë fetare në Shqipërinë ateiste. Shtypi katolik me ardhjen në pushtet të partisë komuniste filloi të përndiqet dhe u mbyll shpejt, pasi për këtë parti dhe shoqëri të kohës nuk pranohej mendimi ndryshe dhe veprimtaria e shtypit katolik biente ndesh me ideologjinë e partisë. Shtypi Katolk shqiptar megjithëse u mbyll dhe u persekutua në mënyrën më të tmerrshme që njohu historia me turturat që u bënë ndaj katolikëve, përsëri ky shtyp me vlerat dhe meritat që pati në zhvillimin dhe kultivimin e ideve atdhetare, zhvillimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e shoqrisë shqiptare, njohjen e çështjes shqiptare në evropë e shumë merita të tjera në jetën shqiptare, ky shtyp do të jetë përherë tribunë atdhedashurie dhe përbën një faqe të ndritur në historinë e shtypit dhe të popullit shqiptar.

Filed Under: ESSE

Intervistë ekskluzive me Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih

December 22, 2023 by s p

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Naser Ulaj: Dora e shteteve tona, është shumë e nevojshme për LAPSH-in

“Gjendja aktuale në kantonin tonë, është, se kemi reth 400 nxënës, me një kolektiv prej 14 personave ndër ta nëntë mësues, katër janë nga ana e prindërve një administrator dhe një kryesi të LAPSH-së prej nëntë antarësh. LAPSH në gjirin e tij ka përfshirë nxënës dhe mësues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim religjioni, partie apo krahine të cilit i përkasin, ajo qëndron në rregulloren e punës edhe në statutin tonë”, na tha ndër të tjera i pari i shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri”, Prof.Naser Ulaj.

Cyrih, 22 dhjetor

Na kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i vitit 2023. Edhe shkolla plotësuese shqipe në Zvicër, LAPSH e konkretisht kësaj here në Cyrih e bënë llogarinë e saj, se deri ku ka mbërritur me suksese. Kemi zgjedhur për të realizuar një intervistë të gjatë, me Prof.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, mësues njëkohësisht dhe një veprimtar me plot kuptimin e fjalës. Modest, me sinqeritet të plotë dhe me shumë dashni e profesionalizëm e bënë punën e tij. Shumica e mërgatës sonë e njohin z.Ulaj. Suksesi i tij shihet edhe në manifestimet, që mbahen në Cyrih, ku me qindra e mijëra bashkatdhetarë marrin pjesë. Në atdhe nuk është e lehtë të bashkohen qindra persona për të përcjellur një program. Z.Ulaj është nga Vuthaj (Plavë – Guci). Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, studimet e larta ne Fakultetin Filologjik nëUniversitetin e Prishtinës, në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. I diplomuar në shtator të vitit 1991. Me vendbanim në Prishtinë deri para emigrimit në Zvicër. Prej 30 vitesh jeton dhe punon në Cyrih të Zvicrës. Nga viti 1993 punon në profesionin e mësuesit në shkollat shqipe në mësimin plotësues në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) ,,Naim Frashëri“ në Kantonin Cyrih. Ka disa vite, që është edhe kryetar i Këshillit Kantonal të LAPSH ,,N. Frashëri“për Kantonin Cyrih. Me shpërthimin e demostratave të vitit 1981, me burgosjen e vëllait të tij, filluan ndjekjet dhe montimet nga më të ndryshmet, duke filluar nga shkollimi i mësëm dhe universitar dhe në vitin 1988, burgoset së bashku me dy vëllezërit, si të padëshirueshëm për sistemin jugosllav të asaj kohe. Koha kur erdhi në Zvicër ishte fillimi i krijimit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë dhe organizimi për hapjen e paraleleve të para në gjuhën shqipe. Pra, edhe ndarja e shkollës shqipe nga Ambasada Jugosllave e asaj kohe. Kësaj here, nuk do të ndalem për biografinë e gjatë e të pasur të z.Naser Ulaj, por për të bashkëbiseduar për LAPSH-in. Kam pas nderin, që herë pas here e kam përcjellur LAPSH-in edhe në Cyrih dhe kam realizuar edhe intervista më herët me Prof.Ulaj. Gjithandej Zvicrës shihej një paqartësi rreth shkollës shqipe në Zvicër. Dilema është te shumë bashkatdhetarë, se dikur egzistonte vetëm LAPSH dhe tash është edhe Shkolla Shqipe (Kursi shqip). Po flitet gjithandej dhe nuk po dihet, se çka është në realitet. Duke e ditur edhe se z.Ulaj, ku është edhe drejtues i LAPSH-it për Cyrih, ka një numër më të madh të nxënësve shqiptarë që vijojnë në shkollën shqipe në kuadër të LAPSH-i e realizuam këtë intervistë për të mësuar për shumë gjëra, që kanë të bëjnë me LAPSH-in. Sa nxënës janë në kantonin e Cyrihut, si është gjendja e LAPSH-it për Cyrih e shumë tema të tjera. 

Përshëndetje Prof. Ulaj, fillimisht ju falënderoj për kohën, që po ndani për këtë intervistë. Jeni mësues mbi 30 vite në mësimin plotësues dhe disa vjet drejtues i LAPSH-it për kantonin Cyrih, ku vërtet keni dhe respekt, sepse shihet edhe numri i bashkatdhetarëve pjesmarrës kur organizoni manifestimet tuaja. Cila është situata aktuale e LAPSH-it në kantonin Cyrih?

Ju falënderoj shumë për mbështetjen tuaj. LAPSH “Naim Frashëri”, vitin që shkoi kemi festuar 30 vjetorin e themelimit dhe punës sonë dhe organizimin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk ishin të lehta, por vullneti dhe angazhimi i mësuesve dhe prindërve si dhe i njerëzve qëllim mirë, për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare, ne jemi edhe sot këtu ku jemi. Gjendja aktuale sot në kantonin tonë, është, se kemi reth 400 nxënës, me një kolektiv prej 14 personave ndër ta nëntë mësues, katër janë nga ana e prindërve, një administrator dhe një kryesi të LAPSH-së prej nëntë antarësh.

LAPSH-i nuk ka zgjidhje edhe për çështjen e pagesave për mësuesit. Pagesa bëhet nga prindërit. Dihet, se bëhet një punë e madhe dhe e çmueshme padyshim. Bashkëpunimi me institucionet zvicerane është shembullor, kur dihet se ju kanë dhënë hapësirë që të punoni. Në anën tjetër, mendoni, se një ditë, gjuha shqipe, të jetë e obliguar për fëmijët shqiptarë në plan programin e mësimit zviceran?

Po financimi i mësuesve që nga fillimi bëhet akoma nga prindërit, me një çmim simbolik i cili është i njëjti që kur ishte formuar LAPSH-i, deri sa çmimet tjera kanë lëvizur me të madhe ne kemi mbetur aty nga fillimi. Por, puna jonë nuk është matur e as që matet me të holla. E dijmë, se për çka kemi punuar, po punojmë e do të punojmë. Sa i përket institucioneve zvicerane, kemi një bashkëpunim shumë të mirë, ata na kanë ofruar objektet shkollore me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për nxënësit dhe mësuesit. LAPSH bënë një rol integrues në shoqërinë zvicerane, duke respektuar ligjet dhe rregullat vendit. 

LAPSH është i pranuar zyrtarisht në Drejtorinë e Arsimit të kantonit Cyrih

Nxënësit në mësimin plotësues të gjuhës shqipe vlersohen dy herë gjatë vitit shkollor pra në semestrin e parë dhe në të dytin në fund të vitit shkollorë me notë 1-6 dhe nota e gjuhës shqipe u bartet në dëftesën shkollës së rregullt zvicerane.

Pajtoheni edhe Ju, se shkolla plotësuese shqipe në përgjithësi, nuk i ka punët mirë, duke e ditur numrin e vogël të fëmijëve, që po ndjekin shkollën plotësuese shqipe?

Nuk do të kisha thënë ashtu, që (shkolla shqipe nuk i ka punët mirë), por do të thoja, se nuk jemi të kënaqur me numrin e nxënësve duke parë se në kantonin Cyrih, ka një numër të madh të komunitetit tonë shqiptar, sipas statistikave në kantonin Cyrih, janë një numër mjaft i madh i moshës shkollore i fëmijëve shqiptarë, sikurse gjysma e tyre, do të përfshiheshin në mësimin shqip, ne do të duhej të kërkonim kuadro edhe nga atdheu.

Presni një zgjidhje nga shtetet tona edhe në aspektin financiar dhe për përgaditje të stafit?

Shumë vite jemi duke pritur në këtë drejtim, por nuk kemi akoma asgjë konkrete, përpos fjalëve të mira dhe mirënjohje për punën tonë, e kamë thënë shumë here dhe do e them edhe tash, ka ardhur koha, që shtetet tona të merren me këtë çështje, dora e shtetit është shumë e nevojshme. Duhet të investojmë më shumë në shkollën plotësuese shqipe! Të gjithë e dijmë rëndësinë e gjuhës. Të mos na gjykojnë brezat që do të vijnë. Tani jemi me një situatë tjetër, shumë më të mirë, duk e ditur, se kemi dy shtete shqiptare. 

LAPSH ka bërë misionin e vetë me sukses dhe ka luajtur rolin e ambasadorit sa i përkët mësimit plotësues.

Shteti mundet shumë gjëra t`na ndihmon sa i përket çështjes organizative si përshembull, ne nuk kemi një zyrë tonën, që i nevojitet administratës së LAPSH-it dhe për të mbajtur mbledhjet tona, pastaj manifestimet, që i organizojmë me nxënës kushtojnë financiarisht ne i bëjmë ato duke i falëndëruar sponsorët të cilët na përkrahin në këtë drejtim pa ata nuk do mund të organizohemi, por edhe për ne është vështirë të shkojmë nga zyrja në zyrë të kërkojmë lëmoshë për çdo manifestim. 

Po fillojmë me pyetje direkte, sepse ne e dijmë, me vite e vite, hiq më pak se mbi 30 vjet, që egziston LAPSH-i “Naim Frashëri” në Zvicër, viteve të fundit kanë dal zëra të ndryshëm, se ekziston edhe një kurs apo shkollë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. A është kjo ndarje nëse po, pse?

Unë nuk do të dua ti them ndarje, sepse LAPSH qëndron aty ku ishte sot e 30 vite, por them se është krijuar edhe një subjekt tjetër. Këtu kanë të drejtë të hapin kurse të gjuhëve amtare të gjitha nacionalitetet. Mendoj, se tek ne nuk ka qenë e nevojshme, sepse LAPSH në gjirin e tij ka përfshirë nxënës dhe mësues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim religjioni, partie apo krahine të cilit i përkasin, ajo qëndron në rregulloren e punës edhe në statutin tonë. Ne kemi punuar në fillim edhe në kohë më të vështira, kur Kosova përballej me situatën që e kishte, pra nën okupim, atëherë na është dashur vërtet një përkrahje shtetërore nga shteti shqiptarë. Bëj pyetje, pse ata, që po e përkrahin nuk na dolën në ndihmë dhe të marrin përsipër organizimin e mësimit plotësues në fillimet e krijimit të LAPSH-it? Themelet e LAPSH-it nuk do të mundet askush ti lëviz, sepse është një punë e madhe që është bërë nga ditët më të vështira dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Ato themele janë mbjellur me dashni e atdhetarizëm. Sa e sa gjenerata kanë kaluar me emblemën e LAPSH-it me emrin e ndritur të Naim Frashërit. Ta mbaje përgjegjësinë secili që gabon në këtë drejtim. Një është e sigurt, se LAPSH-i prej ditës së parë e deri më sot, ka punuar shumë dhe kjo dihet nga secili.

A janë fëmijët shqiptarë, që do të humbin nga kjo gjendje?

Të flasim realitetin, se është krijuar një huti tek prindërit dhe normal kjo shkon në në të keqe të fëmijëve, por ne si LAPSH e bëjmë punën tonë sikurse e kemi bërë deri tash, nuk e kemi ndërmend të ndalemi deri sa nxënësi i fundit do të mbetet, këtë ja kemi caktuar vetit obligim moral dhe kombëtarë. Nuk kemi punuar për rrahje gjoksi e pozita, por me punë e shumë përkushtim për të mirën e gjuhës dhe kombit në përgjithësi edhe ate me shumë përkushtim e mund.

Cila do të ishte zgjidhja për një bashkëpunim me grupin tjetër?

Zgjidhja e mirë dhe e drejtë është, se emri LAPSH nuk guxon të lëkundet, as që do të mundet nga askushi, sepse i ka mbijetuar lloj lloj situate. Presim edhe shtetet tona, që të marrin përsipër me organizimin institucional. Ne nuk kemi shkuar askund, as nuk jemi ndarë nga askush, ne qëndrojmë këtu me këto forcat tona deri sa shtetet tona të shohin, se nëse e humbin gjuhën dhe rininë tonë, që po rritet e zhvillohet pa fajin e vet jasht atdheut, kemi shkelur mbi gjakun e Naimit, Fishtës edhe shumë heronjëve tanë. Gabime mundet të ketë, sepse jemi njerëz, por puna është bërë me përgjegjësi. Ne jemi me emblemën e LAPSH-it dhe nuk do të ndryshojmë për asnjë çmim. 

LAPSH-i në Cyrih ishte dhe do të mbetet i paluhatshëm, për këtë ju garantoj, sepse njoh vullnetin e madh të prindërve, mësuesve e dashamirësve.

Kemi plane, se si do të punojmë në të ardhmen dhe besoj shumë, se do të kemi edhe dyert e hapura te dy shtetet tona për t`na ndihmuar që të jemi edhe më të mirë dhe të kemi një numër më të madh të nxënësve shqiptarë. Inatet personale, që mundet ti kenë X-at ne nuk do ti shikojmë, as favoret nëse bëhen pa merita apo vetëm për zhurmë. 

Sa po e kuptojmë, fajin nuk duhet ta marrin ata prindër që nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe?

Jo, prindërit asesi nuk janë fajtorë, ata duhet vetëm të punojnë edhe në të ardhmen, në këtë drejtim, që ti motivojnë fëmijët e tyre dhe të bashpunojnë me LAPSH-in. Ti kordinojmë gjërat, se si të organizohemi më mirë, që fëmijët e tyre ti dërgojnë në mësimin plotësues. Presim bashkëpunim edhe nga eksperta të tjerë dhe dashamirës dhe do t`ia dalim me suksese. 

Nuk besoj, se duhet fshehur, se e ardhmja e shkollës plotësuese shqipe, do të dëmtohet edhe më shumë me këtë situatë?

Nuk dua ta pranoj! Nuk na duhen ndarjet! Gjuha na bashkon! Rinia pret nga ne! Sugjerimet, kritikat duhet pranuar, por asesi ndarjet. Mjaft na ka ndarë armiku! Diaspora duhet të jetë e bashkuar! Nëse qëndrojmë të bashkuar edhe te punët tona, do të shikohen ndryshe dhe do të kemi edhe më shumë suksese. Fati i madh i joni është, se po jetojmë në Zvicër, ku të gjitha të mirat i gëzojmë dhe u jemi falënderues pafundësisht. 

Keni kontakte me kryetarin e LAPSH-it në nivel 

Zvicre, sepse, sipas burimet tona të sigurta, ju LAPSH i Cyrihut në Kuvendin zgjedhorë i keni pas lëshuar punimet e atij Kuvendi?

Po, ashtu është. Në kuvendin zgjedhorë, ishin disa paknaqësi që i kishim të cilat ishin jasht rregullores dhe statutit të LAPSH-it, të cilat u panë se kërkesat tona ishin të drejta dhe pas disa muajve u bë përsëritja e Kuvendit, duke dhënë dorëheqje kryetari dhe u organizuan zgjedhjet përsëri. Ku po shihet, se kemi pasur të drejtë me ato sugjerime, të mos i quaj kritika. Kur është në interes LAPSH-i ne duhet të themi vetëm të vërtetën. Sa i përket kontakteve me kryetarin në nivel të Zvicrës, sipas nevojës normal kemi kontakte, por duhet thënë, se organizimi i LAPSH-it thuaj se është në nivele kantonale.    

Është bërë ndoj përpjekje për unitet nga ana e LAPSH-it qëndror?

Ju thash e po ju them përsëri, LAPSH-i nuk është i thyer. Ne jemi ata që ishim e do te jemi. Më duhet ta them të drejtën, sepse edhe nga natyra dhe jam i rritur e edukuar, që ta them të drejtën, pavarësisht, se është e dhimbshme, asgjë konkrete nuk kemi, vetëm ate çka kemi dëgjuar apo parë nga mediat.

Nga ana e shteteve tona, Shqipëria dhe Kosova, ka ndoj përpjekje për unitet?

Edhe nga shtetet tona, asgjë konkrete. Ne vazhdojmë me punën tonë. LAPSH-i në Cyrih ka punuar e do të punoj pa u ndalur. Në manifestimet tona përplot me bashkatdhetarë, ashtu edhe siç e theksuat edhe ju dhe e keni parë, dëshmon, se jemi duke punuar dhe do të punojmë edhe ma shumë. Ne duam që të kemi bashkëpunim me shtetet tona edhe ma shumë dhe po besoj, se do të takohemi e do ti tregojmë hallet tona dhe idetë, që LAPSH-i meriton të përkrahet.

LAPSH-it nuk është i ndarë në shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo nga Lugina e Preshevës?

LAPSH nuk ka qenë edhe nuk do jetë kurrën e kurrës i ndarë në krahina, parti apo besimi. Ne kemi një, gjuhë, kombi e flamuri na bashkon. E thash edhe më herët, në mesin tonë si te prindërit si te kuadri arsimorë, kemi pasur mësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Pra nga të gjitha trojet shqiptare, kjo është edhe rregullore në statutin tonë. Nuk do të ndalemi kësaj vije të shëndosh.

Po me ambasadat tona, qoftë me ate të Shqipërisë dhe Kosovës, keni bashkëpunim?

Ne me të gjithë ambasadorët kemi pasur bashkëpunim, si me ate të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. I kemi ftuar në manifestimet tona çdo herë, kanë marr pjesë shumë herë, në këto vitet e fundit, ambasada e Shqipërisë në Bern, nuk na ka ardhur. Ka një kohë të gjatë, prej kur është lajmëruar shkolla tjetër edhe pse ne i kemi ftuar çdo herë. Arsyen nuk po e dijmë. Do t`ia lëjmë kohës për të gjetur arsyen. Ne i kemi respektuar më shumë se të tjerët, duke iu dhënë fjalën të parëve, si shtet amë. Ne respektojmë shtetin dhe detyrën që e kanë. Asgjë personale nuk e marrim. Për ne, çdo ambasadorë që vjen e nderojmë, sepse është shteti jonë. Kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë, sepse është shteti ynë. E puna e atyreve është, se a janë afër nesh apo jo. Ne i mirëpresim në çdo kohë. Ndoshta, më duhet ta them, se si duket, ata nuk duan bashkëpunim me LAPSH-in, sepse kështu e kanë cekur edhe në letrën e dërguar drejtorisë së arsimit në Cyrih. 

Sa i përket neve, ne jemi për bashkëpunim me të gjitha ambasadat e trojeve shqiptare dhe do ti ftojmë çdo herë në manifestimet tona të LAPSH-it. 

Ju thash edhe më lartë, ne nderojmë shtetin dhe pozitën e secilit, sepse LAPSH-i nuk është firmë, është institucion kombëtarë, që ka mbajtur gjallë gjuhën shqipe më shumë se 30 vite e do të mbijetoj. Tekefundit, zëri i fëmijëve, që po rriten dhe edukohen në diasporë, do ti kërkojë institucionet e vendeve të të parëve të tyre edhe në të ardhmen, sepse ata janë shqiptarë dhe mburren e krenohen me flamurin tonë kombëtar kuq e zi. 

Cila do të ishte zgjidhja më e mirë e kësaj tymnaje nëse mundemi ta quajmë?

Po. E thash edhe më lartë dhe nuk deshta të zgjerohem më shumë, duke ia lënë kohës. Janë të njoftuar të gjitha institucionet e dy shteteve tona nga kryetari i LAPSH-it në nivel Zvicre dhe nga ana jonë, kuptohet nga Cyrihu. Mendoj, që zgjidhja duhet të jetë nga nivelet institucionale të dy shteteve. Ne e dijmë, se si erdhi deri te kjo situatë, por për hirë të shumë gjërave, nuk dua ti përmendi publikisht për momentin, por po vjen koha që duhet ti themi të gjitha me fakte, sepse për ne primare është gjuha, kombi e flamuri e jo individi apo gradimet. 

Ne e kemi dëshmuar edhe në periudha të ndryshme, se deri në frymën e fundit të kësaj bote, do të punoj për gjuhën amtare, pa shikuar të mirat materiale apo pozitave. 

Kurrë nuk do të rrahi gjoksin për angazhimin tim, që e kam bërë, sepse e kam pasur e do ta kem obligim kombëtar. Do ia lëjmë në ndërgjegjën e secilit se çka bënë. Por, një është e sigurt, bërthama e familjes së LAPSH-it nuk duhet të anashkalohet, sepse rreth saj, kishte e ka veprimtarë që kanë shkrirë jetën për gjuhën shqipe. Vijnë e shkojnë figura të ndryshme, por LAPSH-i do të mbetet emblem uniteti i shqiptarëve.

Sa herë jeni takuar apo thirrur nga LAPSH-i në nivel Zvicre që të realizoni ndoj takim me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës?

Po, unë jam ftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern për një takim me Ministren e Arsimit znj. Nagavci dhe kemi biseduar për të gjitha, është në dorën e tyre çka më tutje, ne si LAPSH, po bëjmë dhe do bëjmë tutje punën tonë. Ata janë të njoftuar me gjithçka, me detaje e fakte.

Vitet që po vijnë, shkolla plotësuese shqipe, do të jetë në rrezik së egzistuari?

Kurrë nuk do të jetë në rrezik. Jo nuk mendoj ashtu, por them, se ne jemi një institucion i pranuar nga shteti zvicran si partner i besueshëm për shumë vite dhe punojmë sipas ligjeve të tyre dhe vetëm ata, që na kanë pranuar zyrtarisht munden edhe t`na shuajnë, përndryshe ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Përkrahjen e kemi nga bashkatdhetarët tanë dhe do ta kemi edhe në të ardhmen, sepse e dijnë punën tonë të sinqertë dhe me shumë sakrifica që bëjmë e që është bërë. 

Bëhet punë e madhe nga ju mësuesit dhe me shumë stres, por sa po çmohet nga institucionet tona?

Ta thash edhe më herët, çmohet me fjalë, por jo me vepra konkrete. Ne nuk kemi bërë e as që do të bëjmë punë për t`na dhënë lavdërata dikush. 

Gëzimi dhe rezulati jonë është, që të punojmë, që gjuha jonë shqipe të ruhet e të jehoj brez pas brezi dhe do të jehoj pa asnjë dyshim.

Vetëm se duhet një riorganizim më i mirë dhe mbështetje nga dy shtetet tona.

Keni bërë ndoj program, se si të shtohet numri i nxënësve?

Po, ne çdo herë mundohemi me metoda të reja që të sensibilizojmë prindërit dhe ti motivojmë që sa më shumë të dërgojnë fëmijët e tyre në gjuhën amtare, në vitin që po hymë, kemi në program që të mbajmë një takim të gjerë me prindër shqiptar që të diskutojmë për të gjitha vështirësit dhe problemet ti dëgjojmë edhe mendimet dhe idetë e tyre për një sukses të përbashkët, puna jonë është e lidhur më faktorin prind për këtë shkak edhe quhemi Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar. Kemi plane e projekte dhe besoj, se do ia dalim, duke e ditur qëllimin e mirë që e kemi. 

Në manifestimet, që organizoni, shihet një pjesmarrje e madhe e bashkatdhetarëve, kjo dëshmon, se keni përkrahje?

Manifestimet e LAPSH-it tek prindërit janë bërë një rutinë dhe i presin me kënaqësi, më beso, se duhet shumë punë për një organizim të mirëfilltë, por e bëjmë me vullnet kur e dijmë, se fëmijët dhe prindërit presin me padurim këto manifestime. Prindërit na përkrahin shumë dhe bashkëpunimi është i shkëlqyer. Këto manifestime janë shumë të rëndësishme për nxënësit sepse duke recituar në gjuhën amtare, heronjëve dhe datave të historisë sonë, ata pasurohen edhe më shumë me kulturën dhe historinë, këto nuk do ti harrojnë kurrë, pastaj do të përvetësojnë gjuhën dhe përvojat më shumë kur këto i thonë para publikut. Ndihmën më të madhe na e bëjnë sponsorët të cilët e çmojnë punën tonë dhe financiarisht na përkrahin të cilët i falënderoj përzëmërsisht.

Sa jeni i kënaqur me vitin 2023 që po e mbyllim?

I kënaqur pjesërisht, sepse sipas përqindjes së popullatës sonë në kantonin Cyrih, do të duhej që të kemi më shumë nxënës. 

Po shpresojmë, se vitet që po vijnë, do të kemi vertetë ndonjë ndihmë institucionale, pastaj edhe punët do t`na shkojnë më mirë dhe nuk do të mungojë edhe suksesi.

Na duhet punë e punë e jo foto e video nëpër media se po bëjmë diçka. Ne nuk favorizojmë veten personale, por institucionin që e ka një emër të shenjtë, LAPSH « Naim Frashëri ».

Fjala jote përshëndetëse për të gjithë bashkatdhetarët dhe çka pret në vitin e ri 2024?

Unitetet te diaspora jonë e shkëlqyer, sepse vetëm të bashkuar mund t`ia dalim. Falënderoj të gjithë, kryesinë e LAPSH-it për Cyrih, mësuesit, prindërit, nxënësit, sponsorët dhe të gjithë ato media, që ishin e mbesin besnike për të mirën e gjuhës shqipe. E dijmë, se sa ka kontribuar disapora jonë për atdheun. Shfrytëzoj rastin, që të gjithë nxënësve, prindërve, mësuesve dhe vetaranëve të arsimit, t`ia uroj vitin e ri 2024, mbarsi dhe shëndet në familjet tuaja. Do ta përfundoj me një thënje të Sami Frashërit: « NJË POLULL QË HUMBË GJUHËN E VET ËSHTË I HUMBUR DHE I HARRUAR ».

Ju falënderoj shumë edhe njëherë dhe po besojmë, se do të gjindet bashkëpunimi dhe do ti kalojmë pengesat për të mësuar gjuhën shqipe, brezi i ri?

Të faleminderit dhe njëherë për përkrahjen që e ke bërë me vite e vite drejt LAPSH-it « Naim Frashëri », si gazetarë, editorë e redaktorë, ku pastaj ishe mësues dhe anëtarë nderi. Besoj, se edhe mediat tjera në përgjithësi kudo që janë, do ta përkrahin LAPSH-in, sepse ishte dhe do të mbetet i vetmi institucion që i bashkon të gjithë shqiptarët. Dera e LAPSH-it është e hapur për të gjithë ata, që ia duan të mirën ardhmërisë. Ne nuk do të ndalemi për të mirë. LAPSH-i në Cyrih nuk e shikon, se cilës parti i përket, besim apo krahine. Të punojmë për shkollën plotësuese shqipe « Naim Frashëri » dhe të mos ndalemi për jetë./ Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT