• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

DIGJITAL apo DIXHITAL? 

December 21, 2023 by s p

Prof. dr. Emil Lafe dhe Sevi Agolli/

Si duhet shkruar e shqiptuar saktë kjo fjalë?

Për të gjithë ata që e përdhosin gjuhën shqipe sipas qejfeve vetjake!

Gjuha shqipe është pasuri e kombit tonë. Mbrojeni atë sa të mundeni, duke e shkruar saktë dhe duke e folur bukur, duke u lënë kështu pasardhësve një pasuri të vyer!

PA GJUHË NUK KA KOMB! 

Fjala “digjital” (ose siç shqiptohet e shkruhet dendur sot gabim: “dixhital”) është një fjalë e re në gjuhën shqipe. Ajo ka hyrë si term i informatikës, duke qenë se kjo fushë ka marrë shumë zhvillim sidomos pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e, bashkë me të, edhe terminologjia e saj. Fjala digjital (si mbiemër) është regjistruar për herë të parë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të botuar në vitin 2006 dhe shënohet si term teknik me kuptimet: “numerik; shifror”, me shembujt: aparat digjital, orë digjitale – kështu quhen aparatet dhe orët që nuk kanë akrep të lëvizshëm që të tregojnë vlerat ose kohën, por kanë një ekran ku shfaqen shifra a numra. 

Në fjalorin e vitit 2006 nuk gjenden fjalët digjitalizoj, digjitalizim, i digjitalizuar, që i përdorim gjerësisht sot. 

Kjo, sepse kur u hartua fjalori, këto fjalë nuk kishin ende këtë përdorim të dendur që kanë sot.

Po pse te ky fjalor është shkruar DIGJITAL dhe jo DIXHITAL, siç shkruhet dhe shqiptohet dendur sot? Pse me “gj” dhe jo me “xh”?   

Edhe për këtë rast përgjigjen e jep “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Kjo është një fjalë e huaj dhe në drejtshkrimin e fjalëve të huaja luan rol etimologjia ose prejardhja e tyre. Kjo fjalë vjen nga latinishtja “digitalis”, që është një mbiemër i formuar nga emri “digitus”, i cili ka kuptimin “gishtor, gisht”. Si fillim mbiemri “digital” është përdorur si term i anatomisë: arteria/vena digitalis. Në anglisht e në italisht kjo fjalë shqiptohet me “xh” (dixhital), në frëngjisht me “zh” (dizhital), në gjermanisht e në rusisht me “g” (digital), kurse në gjuhën shqipe shkruhen e shqiptohen me “gj” (digjital). Pra, çdo gjuhë ka rregullat e veta të shqiptimit dhe të shkrimit të fjalëve, ndaj sipas rregullave të gjuhës sonë, trajta e saktë e kësaj fjale është: DIGJITAL (jo dixhital). Edhe fjalët e formuara prej saj shkruhen e shqiptohen me “gj”: digjitalizim, i digjitalizuar etj.

Sipas pikën g të kreut III të “Drejtshkrimit” (ku shpjegohet shkrimi i fjalëve të huaja), kemi:

Sipas kësaj rregulle, shkruhen dhe shqiptohen me “gj” edhe fjalët “agjendë”  (jo axhendë), “gjen”  (jo gen, sepse shkenca që studion gjenet quhet “gjenetikë” e jo gjenetikë etj). Pra, nuk duhet ndarë drejtshkrimi i këtyre fjalëve.

Filed Under: Sociale Tagged With: sevi lami

Festat e fundvitit në shkollën shqipe “Gjuha jonë”, në Filadelfia

December 21, 2023 by s p

Nuk ka festë si Festat e Fundvitit, magji, mirësi, urime dhe dëshira. Atmosfera e festave ndihet kudo dhe nga cdokush, por më shumë fëmijët. Ditën e dielë, data 17 Dhjetor shkolla shqipe “ Gjuha jonë” organizoi kremtimin e këtyre festave. Kryesia e shoqatës i mori masat dhe çdo gjë ishte gati për festën e fëmijëve. Të gjithë nxënësit e shkollës si ata që e ndjekin shkollën të dielave dhe shumë nxënës online së bashku me prindërit, gjyshërit, vëlllezërit, motrat,mësuesit të veshur me ngjyrat e bukura të kësaj feste u mblodhën në sallën e zbukuruar me pemën e Krishtlindjes zbukuruar aq bukur nga Bujar Cela me djalin e tij, Blerim Cela-ish nxenes i shkolles sone qe eshte me ne në cdo aktivitet dhe dekorimet e kesaj feste te ofruara nga znj. Julida Cepele, sekretare e shoqatës. Znj. Rajmonda Bardhi, drejtore e shkollës dhe mësuese e klasës së pestë, përshendeti në emër të gjithë mësuesve, duke uruar gjithë prindërit dhe nxënësit festa të gëzuara dhe mbarësi në cdo familje shqiptare. Kryetari i shoqatës “ Bijtë e Shqipes” z. Dritan Matraku uroi gjithë komunitetin shqiptar një Vit të Ri të gëzuar dhe të mbarë. Ai gjithashtu uroi gjithë shqiptarët e krishtere Gëzuar Krishtlindjet. Z. Dritan Matraku falenderoi gjithë prindërit e shkollës sonë dhe në mënyrë të vecantë pesë mësueset e shkollës shqipe; Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi, Mimoza Sotiri, Raimonda Bardhi për punën e bërë dhe realizimin e programit të fëmijëve.

Më të vegjlit e klasës së parë uruan nëpërmjet këngës së tyre, poezive të bukura vetëm gëzim dhe mbarësi. Ndërsa nxënësit e klasëve të tjera të gjithë së bashku do të kushtonin urimet e tyre Babagjyshit, Krishtlindjeve, pemës, dhuratave dhe gëzimit që mbartin këto festa. Kënga e Vitit të ri, Hapa- dollapa u shoqëruan me duartrokitje.

Një surprizë e bukur ishte prania dhe urimi i tre oficerëve të policisë që do të u kujtonin fëmijëve që ata janë pranë nesh për të siguruar qetësinë tonë. Shefi i Policisë se Lower Moreland, z. David Scirrotto me origjinë arbëreshe dhe vëllezerit Eduard and Denis Delli me origjinë nga Vlora, dy oficer policie në Filadelfia. Përshëndetja dhe urimi i tyre i sinqertë drejtuar gjithë komunitetit shqiptar u shoqërua nga premtimi se do jenë kurdoherë prane nesh. Mirënjohja dhe respekti, krenaria për sakrificën e tyre u shfaq në sytë e gjithë nxënësve dhe të pranishmeve.

Kur po prisnim dhe po shihnim se nga do të vinte Babagjyshi,( Z. Bujar Cela) ai shfaqet shumë pranë fëmijeve i fshehur dhe mbushur plot me dhurata për secilin prej tyre dhe për motrat dhe vëllezërit e vegjël. Gëzim, habi, lumturi në sy të fëmijëve të cilët prisnin me pa durim dhuratën e Babagjyshit. Sa shumë fotografi me të! Një moment që nuk duhej të humbiste.

Po nuk ka festë të fundvitit për ne shqiptarët pa bakllavanë tradicionale. Znj Anila Tahiraj, Anila’s Kitchen si gjithmonë e pranishme në festat e Bijve të Shqipes , solli tek ne aromën dhe shijen e shtëpive, pak mall Shqipërie. Pica, fëmijë që vraponin, kërcenin, bisedonin të qeshur me njëri-tjetrin, dhe ne të rriturit që falë “Bijtë e shqipes” bashkohemi së bashku dhe bisedojmë me njëri- tjetrin për sukseset, gëzimet, përballjet e vitit 2023.

Faleminderit Eldion Pajollari- State Farm Insurance Agent, që mendon në cdo festë për nxënësit tanë duke siguruar dhuratat për festat e fundvitit! Faleminderit Anila Tahiraj që ëmbëlsove Festën tonë!

Gëzuar miq, vëllezër e motra,

Ju të gjithë , ngado që jeni,

Gjithandej ku shqip flet zemra.

Gëzim e shpresë ju të keni!

Rudina Bani, n/kryetare e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuese e klasës së dytë, shkolla shqipe “Gjuha Jonë”.

Filed Under: Komunitet

Gjeopolitikë/Kush janë Houthit e Jemenit dhe pse po sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

December 21, 2023 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani po shtojnë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq, të cilat ata thonë se janë hakmarrje ndaj Izraelit për fushatën e tij ushtarake në Gaza. Sulmet kanë detyruar disa nga kompanitë më të mëdha të transportit dhe naftës në botë të pezullojnë tranzitin përmes një prej rrugëve më të rëndësishme të tregtisë detare në botë, gjë që mund të shkaktojë një tronditje në ekonominë globale. Houthi-t besohet se janë armatosur dhe trajnuar nga Irani dhe ka frikë se sulmet e tyre mund ta përshkallëzojnë luftën e Izraelit kundër Hamasit në një konflikt më të gjerë rajonal. Ja çfarë dimë për Houthi-t dhe pse ata po përfshihen në luftë.

Kush janë Houthis?

Lëvizja Houthi, e njohur gjithashtu si Ansarallah (Përkrahësit e Zotit), është njëra anë e luftës civile në Jemen që ka shpërthyer për gati një dekadë. Ajo u shfaq në vitet 1990, kur udhëheqësi i saj, Hussein al-Houthi, nisi “Rininë Besimtare”, një lëvizje ringjalljeje fetare për një nënsekt shekullor të Islamit Shiit të quajtur Zaidizëm.

Zaidët sunduan Jemenin për shekuj, por u margjinalizuan nën regjimin sunit që erdhi në pushtet pas luftës civile të vitit 1962. Lëvizja e Al-Houthi u themelua për të përfaqësuar Zaidët dhe për t’i rezistuar sunizmit radikal, veçanërisht ideve vehabiste nga Arabia Saudite. Ndjekësit e tij më të afërt u bënë të njohur si Houthis.

Si e fituan pushtetin?

Ali Abdullah Saleh, presidenti i parë i Jemenit pas bashkimit të Jemenit të Veriut dhe Jugut në vitin 1990, fillimisht mbështeti Rininë Besimtare. Por ndërsa popullariteti i lëvizjes u rrit dhe retorika anti-qeveritare u mpreh, ajo u bë një kërcënim për Saleh. Gjërat arritën në krye në vitin 2003, kur Saleh mbështeti pushtimin e Shteteve të Bashkuara të Irakut, të cilin shumë jemenas e kundërshtuan.

Për al-Houthi, përçarja ishte një mundësi. Duke kapur zemërimin publik, ai organizoi demonstrata masive. Pas muajsh trazirash, Saleh lëshoi një urdhër për arrestimin e tij. Al-Houthi u vra në shtator 2004 nga forcat jemenase, por lëvizja e tij vazhdoi. Krahu ushtarak Houthi u rrit ndërsa më shumë luftëtarë iu bashkuan kauzës. Të inkurajuar nga protestat e hershme të Pranverës Arabe në vitin 2011, ata morën kontrollin e provincës veriore të Saada dhe bënë thirrje për fundin e regjimit të Saleh.

Luftëtarët e saporekrutuar që iu bashkuan një force Houthi synuan të dërgoheshin për të luftuar në mbështetje të palestinezëve në Gaza, marshojnë në Sanaa, Jemen, 2 dhjetor 2023.

A e kontrollojnë Huthi Jemenin?

Saleh ra dakord në vitin 2011 t’ia dorëzonte pushtetin zëvendëspresidentit të tij Abd-Rabbu Mansour Hadi, por kjo qeveri nuk ishte më popullore. Huthi goditën përsëri në vitin 2014, duke marrë nën kontroll disa pjesë të Sanaa, kryeqyteti i Jemenit, përpara se përfundimisht të sulmonin pallatin presidencial në fillim të vitit të ardhshëm.

Hadi u arratis në Arabinë Saudite, e cila filloi një luftë kundër Houthis me kërkesën e tij në mars 2015. Ajo që pritej të ishte një fushatë e shpejtë zgjati vite: Një armëpushim u nënshkrua më në fund në 2022. Ai skadoi pas gjashtë muajsh, por palët ndërluftuese nuk kanë t u kthye në konflikt të shkallës së plotë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se lufta në Jemen është kthyer në krizën më të keqe humanitare në botë. Gati një çerek milion njerëz janë vrarë gjatë konfliktit, sipas statistikave të OKB-së. Që nga armëpushimi, Houthi-t kanë konsoliduar kontrollin e tyre mbi pjesën më të madhe të Jemenit verior. Ata gjithashtu kanë kërkuar një marrëveshje me sauditët që do ta çonte luftën në një fund të përhershëm dhe do të çimentonte rolin e tyre si sundimtarë të vendit.

Kush janë aleatët e tyre?

Houthi-t mbështeten nga Irani, i cili filloi të rrisë ndihmën e tij për grupin në vitin 2014 ndërsa lufta civile u përshkallëzua dhe ndërsa rivaliteti i tij me Arabinë Saudite u intensifikua. Sipas një raporti të vitit 2021 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Irani i ka ofruar grupit armë dhe teknologji, ndër të tjera, për mina detare, raketa balistike dhe lundruese, si dhe mjete ajrore pa pilot (UAV, ose drone).

Huthi janë pjesë e të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” i Iranit – një aleancë e milicive rajonale anti-izraelite dhe anti-perëndimore të udhëhequra nga Irani, të mbështetur nga Republika Islamike. Së bashku me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, Houthis janë një nga tre milicitë e shquara të mbështetura nga Irani që kanë nisur sulme ndaj Izraelit në javët e fundit.

Sa të fuqishëm janë Houthis?

Zyrtarët amerikanë kanë ndjekur përmirësime të përsëritura në rrezen, saktësinë dhe shkatërrimin e raketave të prodhuara në vend të Houthis. Fillimisht, armët Houthi të prodhuara në vend u grumbulluan kryesisht me komponentë iranianë të kontrabanduar në Jemen në copa, tha më parë për CNN një zyrtar i njohur me inteligjencën amerikane. Por ata kanë bërë modifikime progresive që kanë shtuar përmirësime të mëdha të përgjithshme, tha zyrtari. Në një zhvillim të ri, Houthi-t kanë përdorur raketa balistike me rreze të mesme veprimi kundër Izraelit, duke gjuajtur një breshëri predhash në rajonin jugor të Izraelit të Eilat në fillim të dhjetorit, të cilin Izraeli tha se i kishte interceptuar ato.

Ndërsa Houthi mund duke mos qenë në gjendje të paraqesin një kërcënim serioz për Izraelin, teknologjia e tyre mund të bëjë kërdi në Detin e Kuq. Ata kanë përdorur drone dhe raketa kundër anijeve për të shënjestruar anijet tregtare – disa prej të cilave nuk besohet se janë të lidhura me Izraelin – duke bërë që USS Carney, një anije luftarake në Detin e Kuq, t’i përgjigjet thirrjeve për fatkeqësi. Luftëtarët Houthi morën kontrollin e anijes së ngarkesave Galaxy Leader në Detin e Kuq, 20 nëntor 2023.

Pse Houthi-t sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

Ndërsa, përmes një kombinimi të gjeografisë dhe teknologjisë, Houthi-ve mund t’u mungojnë aftësitë e Hamasit dhe Hezbollahut, sulmet e tyre në anijet tregtare në Detin e Kuq mund t’i shkaktojnë një lloj dhimbjeje të ndryshme Izraelit dhe aleatëve të tij. Ekonomisë globale i janë shërbyer një seri kujtimesh të dhimbshme për rëndësinë e kësaj pjese të ngushtë deti, e cila shkon nga ngushtica e Bab-el-Mandeb në brigjet e Jemenit deri në Kanalin e Suezit në Egjiptin verior – dhe përmes së cilës 12% e flukset e tregtisë globale, duke përfshirë 30% të trafikut global të kontejnerëve.

Në vitin 2021, një anije e quajtur Ever Given u rrëzua në kanalin e Suezit, duke bllokuar arterien jetike tregtare për gati një javë – duke mbajtur deri në 10 miliardë dollarë ngarkesë çdo ditë – dhe duke shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global që zgjatën shumë më gjatë.

Ekziston frika se sulmet me dron dhe raketa Houthi kundër anijeve tregtare, të cilat kanë ndodhur pothuajse çdo ditë që nga 9 dhjetori, mund të shkaktojnë një tronditje edhe më të madhe në ekonominë botërore.

Katër nga pesë firmat kryesore të transportit në botë – Maersk, Hapag-Lloyd, CMA CGM Group dhe Evergreen – kanë njoftuar se do të ndalojnë transportin përmes Detit të Kuq mes frikës nga sulmet Houthi. Gjigandi i naftës BP tha të hënën se do të bënte të njëjtën gjë – një veprim që shkaktoi rritje të çmimeve të naftës dhe gazit.

Sulmet mund t’i detyrojnë anijet të marrin një rrugë shumë më të gjatë rreth Afrikës dhe të shkaktojnë rritje të kostove të sigurimit. Kompanitë mund të kalojnë koston e rritur të lëvizjes së mallrave të tyre tek konsumatorët, duke rritur sërish çmimet në një kohë kur qeveritë në mbarë botën kanë luftuar për të zbutur inflacionin pas pandemisë. Houthi-t thonë se ata do të tërhiqen vetëm kur Izraeli të lejojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza; sulmet e tij mund të synojnë të shkaktojnë dhimbje ekonomike mbi aleatët e Izraelit me shpresën se ata do t’i bëjnë presion atij që të ndërpresë bombardimet e tij ndaj enklavës.

Kampionimi i kauzës palestineze mund të jetë gjithashtu një përpjekje për të fituar legjitimitet në vend dhe në rajon, ndërsa ata kërkojnë të kontrollojnë Jemenin verior. Kjo gjithashtu mund t’u japë atyre një dorë të epërme kundër kundërshtarëve të tyre arabë, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët ata i akuzojnë si lakej të SHBA-së dhe Izraelit.

Si ka reaguar bota?

Sulmet mund të synojnë të tërheqin më shumë vende në konflikt. Izraeli ka paralajmëruar se është i gatshëm të veprojë kundër Houthis nëse komuniteti ndërkombëtar nuk e bën këtë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Tzachi Hanegbi tha këtë muaj se duhet të ketë një “marrëveshje globale” për të adresuar kërcënimin “sepse është një çështje globale”, duke iu referuar sulmeve Houthi si një “rrethim detar”.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se të paktën 12 anije tregtare dhe tregtare në Detin e Kuq ishin shënjestruar gjatë muajit të fundit, duke shtuar se sulmet ishin në një shkallë të paparë në “dy breza”. Zyrtari tha se sulmet kishin prekur të paktën 44 vende me lidhje me ato anije, por ndikimi ndërkombëtar ka të ngjarë të jetë më i madh për shkak të pasojave të gjera të tregtisë globale.

SHBA njoftoi të hënën një task forcë të re shumëkombëshe detare që përbëhet nga Mbretëria e Bashkuar, Bahreini, Kanadaja, Franca, Norvegjia dhe të tjerë, për të “përballuar sfidën e paraqitur nga ky aktor joshtetëror” që “kërcënon rrjedhën e lirë të tregtisë, rrezikon të pafajshmit” marinarët dhe shkel ligjin ndërkombëtar.”

Mohammed al-Bukhaiti, një zëdhënës i Houthi, i tha Al Jazeera të hënën se grupi do të përballet me çdo koalicion të udhëhequr nga SHBA në Detin e Kuq. Ashtu si administrata e Bidenit po fillon t’i nënshtrohet presionit që ajo të shtyjë Izraelin të mbyllë fushatën e tij në Gaza, SHBA-të mund ta gjejnë veten duke u tërhequr më thellë në Lindjen e Mesme nga rebelët Houthi, por efektivë, të cilët e kanë bërë veten e tyre. e pamundur të injorohen.

Filed Under: Komente

Intervista e Prof. Dr. Rifat Latifit për revistën e Odës së Mjekëve të Steiermark / Austrisë “Magazin der Ärztekammer Steiermark/ AERZTE” e cila është publikuar në numrin e veçantë në fund të vitit!

December 21, 2023 by s p

Ju jeni themelues dhe president i Fondacionit International Virtual e-Hospital. Cilat janë saktësisht detyrat e Fondacionit?

Fondacioni Ndërkombëtar Virtual E-Hospital (IVeH) është një organizatë jofitimprurëse (501c3), me selinë e saj në Arlington, VA, SHBA (http://www.iveh.org/). IVeH u krijua për të ndihmuar rindërtimin e sistemit të kujdesit shëndetësor publik në vendet pas konfliktit dhe ato në zhvillim. Ne punojmë drejt këtij qëllimi duke prezantuar dhe zbatuar programe të telemjekësisë, teleshëndetësisë dhe edukimit virtual përmes konceptit të rrjetit IVeH. IVeH menaxhohet vetëm nga vullnetarët e tij dhe drejtohet nga një Bord Drejtues ndërkombëtar. Që nga themelimi i saj në 2001, IVeH ka punuar me zell për krijimin e një rrjeti plotësisht funksional dhe të integruar rajonal të telemjekësisë dhe rrjetit virtual të edukimit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë, Shqipëri, si dhe ka punuar gjithashtu me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ne punojmë drejt përmbushjes së këtij qëllimi përmes një strategjie që e kemi quajtur “Initiate- Build-Operate and Transfer (IBOT)”.

Kjo strategji efektive kombinon krijimin e rrjetit dhe infrastrukturës së fuqishme të telemjekësisë, programeve arsimore virtuale përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimit të kapaciteteve njerëzore që menaxhojnë në mënyrë të pavarur programet e telemjekësisë dhe teleshëndetit. Fillimi, ndërtimi, zbatimi dhe së fundi të qenit në gjendje për të parë rezultatin e 20 viteve të punës intensive të telemjekësisë në mbarë botën, ka qenë një udhëtim i madh personal i mbushur me gëzim, emocione, dramë, zhgënjim të herëpashershëm dhe shumë e shumë orë duke përshkuar botën nga një cep në tjetrin; larg familjes sime, duke ndërtuar ura dhe miqësi, duke vendosur një tullë për kujdesin virtual, ndërtimin e një sistemi më të mirë të kujdesit shëndetësor, një të ardhme më të mirë në çdo kontinent, përpos jo në Antarktidë. Dhe ia vlente. Çdo pjesë e saj! Ajo që filloi si një përpjekje e dëshpëruar për të rindërtuar sistemin e shkatërruar të kujdesit shëndetësor të Kosovës para dhe gjatë luftës së viteve 1998/1999, Programi i Telemjekësisë së Kosovës është shndërruar në një themel dhe përhapje të telemjekësisë në Shqipëri, Kabo Verde, Vietnam dhe vende të tjera dhe e ka rritur aksesin në kujdes shëndetësor jashtëzakonisht shumë. Transformimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor në vendet në zhvillim dhe ato pas konfliktit më është bërë pasion, jeta ime e dytë profesionale, përpos punës si kirurg. Për më tepër, ka qenë përvoja më pasuruese, një përvojë që nuk do ta ndërroja me asgjë në botë. Disa do të thonë se ka qenë një fat. Tani kemi shumë arsye për të festuar dhe falënderojmë shumë njerëz nga shumë vende që kanë kontribuar për këtë në një mënyrë apo tjetër, por ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë.

2. Deri në çfarë mase mund të kontribuojë Austria këtu?

– Epo, Austria ka qenë një mike e madhe e Kosovës dhe ka ndihmuar shumë. Megjithatë, Austria mund të kontribuojë shumë edhe më tej. Donacionet specifikisht të dedikuara ose ato përmes bashkëpunimit do të sigurojnë që misioni ynë të vazhdojë dhe IBOT të bëhet popullor në të gjitha vendet ku ne punojmë. Për më tepër, ai do të na ndihmojë të transformojmë kujdesin shëndetësor në një sistem të kujdesit shëndetësor më kosto-efektiv në vendet pas konfliktit. Aktualisht ka 34 vende me më shumë se 2 miliardë njerëz të përfshirë në luftëra ose konflikte të mëdha. Strategjia IBOT është dëshmuar efektive, përsëri dhe përsëri. Së fundmi kemi krijuar një model tjetër të qëndrueshëm të transformimit të shëndetësisë në Kosovë, duke themeluar Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KCS), si një organizatë ombrellë të shoqatave kirurgjike dhe si një organ shkencor dhe avokues për të udhëhequr avancimin e disiplinës së kirurgjisë në Kosovë që përfshin më shumë se 1000 kirurgë nga 13 disiplina. Kolegji, si një organizatë jofitimprurëse shkencore dhe edukative e kirurgëve, u themelua në vitin 2018 për të përmirësuar cilësinë e kujdesit për pacientin kirurgjik duke vendosur standardet më të larta për edukimin dhe praktikën kirurgjikale. Kolegji është i përkushtuar për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientit kirurgjik dhe për të avancuar praktikën etike të kirurgjisë. Kolegji po punon së bashku me autoritetet shëndetësore të Kosovës për standardizimin e kujdesit, praktikës dhe protokolleve të kujdesit kirurgjik dhe do të punojë për avancimin e agjendave klinike, shkencore dhe kërkimore të kirurgjisë në Kosovë me qëllim të arritjes së standardeve botërore. Për më tepër, ne kemi plane serioze për të ndërtuar institucione kërkimore, simulimesh dhe trajnimi dhe arsimore që do të ndryshojnë vërtet fytyrën e sistemit të kujdesit shëndetësor. Do të doja të kisha mundësinë të punoja me komunitetin austriak, qeverinë apo OJQ-të e Austrisë në këtë projekt madhor. Në të njëjtën mënyrë, ne mund të ndihmojmë Austrinë të zbatojë programe të telemjekësisë, veçanërisht në sëmundjet kronike si ato të popullatës geriatrike, por edhe për ato më akute.

3. Me çfarë sfidash përballet në mënyrë specifike një sistem shëndetësor në vendet pas konfliktit – krahasuar me vendet pa zhvillime penguese të kohëve të fundit?

Ka disa probleme të mëdha në vendet që sapo kanë dalë nga lufta: Objektet dhe infrastruktura shëndetësore shpesh shkatërrohen, ka një ndërprerje të madhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor; numri i madh i operacioneve elektive dhe kështu që tani pacientët shkojnë te mjeku shumë vonë. Në krye të kësaj gjendje dëshpërimi, ka një ikje të konsiderueshme ose masive të trurit të profesionistëve të kujdesit shëndetësor, të cilët ndoshta u larguan si refugjatë, ose thjesht u punësuan nga shumë vende që ndoshta ndihmuan gjatë luftës, të cilat i paguajnë më shumë dhe janë më të sigurta për ta dhe familjet e tyre, pra nuk ka ekspertë në spitalet publike, ndaj pacientët duhet të largohen tërësisht nga vendi dhe të shkojnë jashtë vendit për shërbime shëndetësore, duke bërë shpenzime katastrofike. Pra, vendet, si Kosova e pasluftës, për vite (apo edhe më keq, për dekada) janë marrë vetëm me shërbimet e urgjencës. Menduam se COVID-19 ishte i keq, kur nuk kishim raste elektive. Por, provoni atë gjatë luftës ose pas luftës. Të gjitha këto ndryshime bëhen edhe më keq, kur (zakonisht) vjen qeveria e re dhe duhet të ketë prioritet buxhetin e pakët që kanë. Për më tepër, për fat të keq, sistemi i kujdesit shëndetësor publik mbeti i pafinancuar vit pas viti, qeveri pas qeverie, dhe ka GDP-në më të ulët për kujdesin shëndetësor në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të ulëtat në botë. Kur ke GDP-në më të ulët dhe shkallën e lartë të korrupsionit, rezultatet janë katastrofike.

4. A është kjo gjithashtu një mundësi për të qenë në gjendje të ridizajnoni strukturat nga e para?

Në një farë mënyre po. Por transformimi duhet të planifikohet në shtigje afatgjata, ndërkohë që ju merreni njëkohësisht me emergjencat. Ekziston nevoja për zgjerimin e shërbimeve klinike për të rritur aksesin për pacientët dhe personelin në kujdes dhe edukim, duke zhvilluar një plan strategjik me kontributin e ekspertëve më të vërtetë, bazuar në nevojat e vendeve individuale që do të kufizojë nevojën e pacientëve për të shkuar jashtë vendit. Kjo do të thotë, të krijojnë ekspertizën e tyre dhe të sigurojnë diversifikimin e kuadrove dhe barazisë, që do të thotë të zgjerojnë udhëheqjen e sistemit të kujdesit shëndetësor pa prioritete politike, dhe edukim në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. Përveç kësaj, ekziston nevoja për optimizimin e efikasitetit klinik dhe të ardhurave, për të garantuar qeverisje të mirë spitalore dhe për të mbështetur përmirësimin e cilësisë dhe iniciativat e sigurisë së pacientit për të përmirësuar rezultatet shëndetësore. Kjo përkthehet në sigurimin e cilësisë së lartë të shërbimeve dhe ndalimin e ikjes massive të pacientëve jashtë vendit. Për më tepër, rindërtimi i sistemit të kujdesit shëndetësor duhet të bazohet në të dhëna, me infrastrukturë të dedikuar për kërkime cilësore të avancuara, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe dukshmëria, dhe zhvillimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, domethënë zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të personelit mjekësor.

5. Me çfarë problemesh u përball Republika e Kosovës në rindërtimin e sistemit të saj shëndetësor dhe çfarë zgjidhjesh ishin dhe po ndiqen?

– Ashtu si në shumë vende të tjera të dala nga lufta apo konfliktet e mëdha, Kosova u përball me shumë çështje, që u shtresuan për vite të tëra pushtimi dhe shkatërrimi sistematik të sistemit shëndetësor. Pra, ka nevojë për një transformim të madh të sistemit të kujdesit shëndetësor, eliminimin e korrupsionit të ngulitur pothuajse në të gjitha shtresat e sistemit shëndetësor, krimin e organizuar në shëndetësi, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, rritjen e llogaridhënies, ndërtimin e kapaciteteve moderne njerëzore, modernizimin, infrastrukturën spitalore, përmirrësimin e transparencës dhe zbatimit të diplomacisë mjekësore dhe ndalimit të trajtimit jashtë vendit.

6. Çfarë roli luan telemjekësia në këtë dhe cilat janë disa nga sfidat?

– Përparësia më e madhe e telemjekësisë dhe teleshëndetësisë në çdo vend dhe çdo gjendje, e veçanërisht në krizë, të tillë që kishim gjatë COVID-19, është aftësia për të vazhduar ofrimin e shërbimeve shëndetësore në distancë fizike. Në SHBA, shumica e institucioneve të kujdesit shëndetësor përdorin një formë të telemjekësisë ose teleshëndetësisë falë përparimeve të rëndësishme në telekomunikacion, duke përfshirë dhe pa u kufizuar në përmirësimin e imazheve me rezolucion të lartë dhe akses më të madh në brez të gjerë. Megjithëse teknologjitë, infrastruktura dhe legjislacioni i sapolindur diskutohen dhe përmirësohen gjithnjë e më shumë, ato mbeten sot në një fazë të hershme integrimi dhe përhapjeje në sistemin aktual të kujdesit shëndetësor. Ndërsa, besoj se telemjekësia dhe teleshëndetësia janë më në fund në qendër, ka sfida për të vazhduar me këtë vrull. Sfidat më të rëndësishme për përhapjen e gjerë të telemjekësisë janë mungesa e qasjes dhe udhëzimeve të standardizuara që përshkruajnë kriteret uniforme se kur duhet të jetë pjesë e kujdesit telemjekësia; mungesa e qartësisë për mënyrat dhe mekanizmat e rimbursimit; Çështjet e licencës kur kujdesi telemjekësor duhet të kalojë linjat shtetërore ose të vendit; pajtueshmërinë me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së Aktit të Transportueshmërisë dhe Përgjegjshmërisë së Sigurimeve Shëndetësore (HIPAA); dhe çështjet e sigurimit të përgjegjësisë dhe keqpërdorimit. Përveç kësaj, duhet të merren parasysh edhe dështimet teknologjike dhe faktorët njerëzorë, por me përparimet e fundit, integrimi i teknologjisë me faktorët njerëzorë është bërë pothuajse i pandërprerë. Për më tepër, me një integrim të përsosur të telemjekësisë dhe teleshëndetit në kujdesin e sëmundjeve kronike, mund të lindin pyetje për vazhdimësinë e kujdesit. Faktorët e lartpërmendur janë ndoshta arsyeja pse telemjekësia duhet të integrohet në sistemin aktual të kujdesit shëndetësor. Që nga fillimi i teknologjisë së telemjekësisë nuk ka qenë problem. Faktori njerëzor ka qenë. Tani që kemi internet kudo, komunikimi nuk është problem. Vendimi për të bërë telemjekësi nga institucioni është.

7. Çfarë mund të mësojë një vend si Austria nga përvojat në Kosovë për transformimin e vazhdueshëm të sistemit të saj shëndetësor – apo kushtet janë shumë të ndryshme?

– Kur bëhet fjalë për telemjekësinë, shumica e vendeve në botë, me disa përjashtime, janë në të njëjtën anije. Austria do të ishte një vend i përsosur për të pasur një sistem të përhapur të telemjekësisë. Integrimi i telemjekësisë dhe teleshëndetësisë në sistemin e kujdesit shëndetësor lejon: sigurinë e pacientit dhe eliminimin e të gjitha shqetësimeve që përjeton pacienti, duke përfshirë ndërprerjen e ditës së tij, udhëtimin me makinë ose modalitete të tjera në zyrën e mjekut, kalimin e kohës në parkim (shpesh ata duhet të paguajnë për parkim), duke pritur në dhomën e pritjes me pacientë të tjerë të sëmurë dhe përfundimisht të shihen nga ofruesi i shërbimit. Ky proces është i gjatë, i mundimshëm dhe në shumë raste jo i nevojshëm. Shumica e takimeve klinike mund të bëhen virtualisht duke përdorur telemjekësinë dhe teleshëndetin.

8. Ju keni përvojë të thellë me sistemin e kujdesit shëndetësor në SHBA. Sa ju ka ndihmuar kjo njohuri në rolin tuaj si Ministër i Shëndetësisë së Kosovës? Çfarë keni dashur të bëni ngjashëm dhe çfarë me vetëdije keni dashur të bëni më ndryshe?

– Trajnimi në Universitetin Yale dhe puna në disa nga qendrat më të mira të kujdesit shëndetësor në SHBA, më ndihmoi shumë. Më pëlqen të punoj me të dhëna. Pasi bëra një analizë SËOT të gjithë sistemit klinik të kujdesit shëndetësor, e konstatova gjendjen e shëndetësisë në Kosovë si katastrofike. Sistemi shëndetësor i pasluftës u zhvillua në bazë të asaj që donin donatorët, dhe jo bazuar në analiza të vërteta dhe plane afatgjata. Shumë studime fizibiliteti (shumë të shtrenjta), të bëra shpesh nga i njëjti vend apo agjenci e njëjtë apo edhe i njëjti person nga i njëjti vend, dolën me të njëjtat përfundime, por asgjë nuk u bë dhe udhëheqja e sistemit shëndetësor kosovar as që i lexoi ato studime. Të gjithë ata që kanë ardhur për të punuar në Kosovë kanë dashur të bëjnë studimin e tyre të fizibilitetit. Ishte maskim. U shpenzuan kaq shumë para për këto studime.

Në Kosovë është dashur të investojmë në cilësinë e shërbimeve, që përfshin infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore. Kjo do të rrisë volumin dhe do të reduktojë ikjen e trurit, si dhe pacientët që shkojnë diku tjetër për kujdes, dhe më pas do të jetë fitimprurës. Këto fitime më pas duhet të investohen në cilësinë e kujdesit. Për të mbyllur të gjithë këtë cikël, duhet të krijojmë 12 qendra ekselence dhe 22 programe të subspecializimeve të avancuara, me ekspertë të rinj, që do ta çojnë sistemin e kujdesit shëndetësor në një drejtim krejtësisht të ri. Këto kërkojnë kohë. Transformimi i sistemit shëndetësor nuk duhet të përdoret për mundësi zgjedhjesh politike.

Në Kosovë si Ministër i Shëndetësisë doja të krijoja ekspertizën dhe cilësinë e kujdesit si ai që e ofroj këtu në Shtetet e Bashkuara, por doja ta mbaja atë më lirë dhe jo me shpenzime të kujdesit shëndetësor jashtë kontrollit.

Filed Under: Interviste

Romani “Korridoret të gjelbra” të Agim Gjakovës, rrëfimi që presim nga reflektimi mbi llagëmet e së kaluarës së afërt

December 21, 2023 by s p

Prof.as.dr. Arben Prendi/

Letërsi me temën e jetës nën diktaturë – Në qendër të romanit “Korridoret e gjelbra” është një histori tronditëse dashurie, në vitet e regjimit komunist. Është njëra nga historitë e shumta të dashurive të survejuara dhe të penguara në këtë regjim, që kontrollonte gjithçka përmes armës së Sigurimit të Brendshëm, deri edhe jetën intime të njerëzve, lidhjet sentimentale e shoqërore. Ky roman na ka vënë përpara njërës prej qindra dramave që kanë pësuar njerëzit në këtë periudhë. Sigurisht, ky rrëfim, lexuesve të rinj në moshë, mund t’u duket i pabesueshëm.

Ngjarjet, jo rastësisht janë vendosur ndërmjet Shkodrës dhe Tiranës duke pasur parasysh kontekstin që ofron qyteti i Shkodrës me historitë e pushkatimeve, vrasjeve të çifteve të reja në përpjekje për të kaluar kufirin për t’u arratisur jashtë vendit, historitë e përgjimeve, arrestimeve, burgosjeve etj. Vendosja e një subjekti letrar në Shkodër e mbush atë që në fillim me të gjithë simbolikën e këtij qyteti. Ylli është një arkitekt nga Shkodra, ndërsa Arsa nga Tirana.

Nga ana tjetër, ka përshkrime plot frymëzim për qytetin e Shkodrës, rrugët, lumin, liqenin dhe sidomos për kalanë, vend në të cilin merr udhë dashuria e dy të rinjve. Madje në kalanë Rozafa, të shpallur të ndaluar nga regjimi ata vendosin t’i japin fund jetës së tyre, duke ndërmarrë aktin e vetëflijimit si sfidë ndaj tij. Idili i dashurisë së tyre realizohet në brigjet e lumit dhe të liqenit, kalasë etj.

Ylli dhe Asra, dy të rinj arkitektë, me ëndrra dhe ndjenja të pastra për njëri-tjetrin, por edhe për vendin e tyre, paçka se socialist, bien viktimë e dhunës së regjimit. Jeta e tyre, si e qindra të tjerëve përgjohet në çdo moment të saj, madje edhe në momentet intime. Ata dashurohen me njëri-tjetrin dhe mendojnë për martesën, por kjo nuk i pëlqen dajës së Arsës, Mersinit, i cili drejton njërën nga drejtoritë e Sigurimit të Brendshëm dhe ka ndikim në sferat e larta të regjimit. Ai kërkon nga mbesa e tij të sillet sipas rregullave të partisë dhe të Sigurimit të Brendshëm, të mos martohet me një tip fantazisti e modernisti si Ylli , i cili harton projekte urbanistike të parealizueshme që bien ndesh me kriteret e arkitekturës së realizmit socialist. Drejtori i Sigurimit të Brendshëm mendon se mbesa e tij duhet të martohet me një kuadër partie me rëndësi, të cilin, ai ta ketë edhe aleat për karrierën e tij drejt pushtetit. Sjellje e zakonshme kjo funksionarëve komunistë për të siguruar aleancat e tyre me klanet e pushtetit. Paraqitja e survejimit të mbesës, si akt mbrojtjeje, në fakt tregon këtu për tjetërsimin e marrëdhënieve familjare, aq sa të përdoret i afërmi për qëllime përfitimi dhe për të dëshmuar besnikërinë ndaj regjimit. Kjo shihet qartë se daja Mersini nuk është i interesuar për lumturinë e mbesës, por për të mos pasur probleme ai vetë nga sjellja e saj. Të gjitha veprimet e Mersinit e bëjnë Asrën jo vetëm të palumtur por edhe fatkeqe, madje e çojnë në vetmohim.

Të dy të rinjtë, Arsa dhe Ylli, përfaqësojnë pjesën më të ndjeshme në shoqërinë e kohës, që me vrullin e moshës tentojnë të kapërcejnë kufijtë e vendosur nga regjimi, por e kanë të pamundur një gjë të tillë. Dhe hakmarrja nga regjimi nuk vonon. Pasi nuk arrin t’i mbushë mendjen mbesës të mos martohet me Yllin, atëherë Mersini, kurdis mekanizmat e ministrisë, ndërmarrjes ku punon Ylli që projekti i tij për “korridoret e gjelbra” në urbanistikën e qytetit të hidhet poshtë pasi ishte miratuar si projekt i dobishëm. Pas hedhjes poshtë të projektit Ylli transferohet për pikëpamjet e tij të ndikuara nga idetë perëndimore, dhe dërgohet në prodhim si punëtor i thjeshtë. Fati i keq i sa e sa intelektualëve të fushave të ndryshme që e pësuan nga regjimi, për shkak të pikëpamjeve të tyre. Arsa emërohet pedagoge në Tiranë me qëllim që largësia mes të rinjve të shuajë çdo ndjenjë, gjë e cila nuk ndodh.

Të gjendur pa rrugëdalje, të dashuruarit, vendosin të vetëflijohen në kështjellën e qytetit të Shkodrës, si Rozafa e baladës. Ata zhduken nga syri i Sigurimit të Brendshëm për disa ditë dhe në fund zbulohen në njërën prej kthinave të kështjellës Rozafa, në gjendje të rëndë shëndetësore, por duke sfiduar me jetën e tyre regjimin dhe mekanizmat e tij. Madje përballë kësaj gjendjeje sfide, oficeri që kishte për detyrë të hartonte raportet për përgjimin e tyre, në fund të romanit kërkon dorëheqje nga detyra: “Në vend që të shkonin përpara, dashuria e tyre na kishte kthyer mbrapa në atë errësirën e kalasë. Pasi u mendova gjatë, kuptova se ne nuk do të jemi në gjendje të shkatërrojmë e të shuajmë kurrë atë “pikën e ekzistencës” së tyre. Ju lutem të më shkarkoni nga kjo detyrë”. Pra në kohën e re po përsëritej një akt barbar, mitik, ai i flijimit të të dashuruarve me qëllim që të qëndronte në këmbë regjimi, sepse regjimi nuk mund ta pranojë dhe lejojë dashurinë e tyre, ajo me bukurinë dhe pafajsinë e saj kërcënon vetë regjimin. Të rinjtë nuk i binden regjimit për të ndërprerë lidhjen e tyre, por janë të pafuqishëm ndaj tij, ndaj vendosin të tregojnë se të paktën për fundin e tyre mund të vendosin vetë.

Struktura e romanit

Autori ka afinitet me gjuhën artistike të romanit realist, por e veçanta e romanit lidhet edhe me strukturimin e tij në trajtën e një rrëfimi ku përfshihen disa tipa tekstesh:

Teksti që përmban raportin informues që harton oficeri i sigurimit të brendshëm për eprorin e tij;

teksti i regjistruar nga pajisja përgjuese, që kthehet në tekst të shkruar;

teksti që përmban dëshminë e drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes;

teksti në formën e tekstit ditar që mban Arsa;

si dhe teksti që përmban vetë shënimet e drejtorit të drejtorisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pozita e narratorit këtu është e padukshme, sepse rrëfimi u është lënë në dorë personazheve, kryesisht Arsës, oficerit të Sigurimit.

Kjo mënyrë e strukturimit të narracionit i ka dhënë romanit bukuri artistike, por edhe ka ndërtuar mozaikun e jetës sociale dhe politike të kohës kur zhvillohen ngjarjet. Teksti mbizotërues është teksti i deshifrimit të përgjimeve dhe më pak teksti nga ditari i Arsës. Fragmentimi i tekstit dhe rrëfimit krijon imazhin e fragmentimit të fatit dhe të jetës individuale e sociale nga mekanizmat e kontrollit të regjimit. Ndërsa nga ana psikologjike, lexuesi futet menjëherë në botën e personazheve përmes rrëfimeve nga veta e parë, ku personazhet shprehen lirisht për marrëdhëniet me veten e tyre dhe me të tjerët. Sidomos teksti nga ditari i Arsës përshkohet nga lirizmi i theksuar, kuptohet për shkak të shpalosjes së ndjenjave të kësaj vajze e cila gjen dashurinë e jetës së saj, por më pas e ka të vështirë ta pranojë se, të tjerët mund të vendosin për fatin e saj madje, vetë shteti apo mekanizmat e tij. Në tekst gjejmë leksikun e përdorur në letërsinë e realizmit socialist dhe burokracinë e kohës, i cili bëhet element i rëndësishëm i ligjërimit artistik dhe na sjell pranë mentalitetin dhe indoktrinimin e shoqërisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.

Letërsia që rrëfen për traumat që ka pësuar shoqëria shqiptare gjatë regjimit komunist ka një rol të rëndësishëm për të ndriçuar atë periudhë të errët tek publiku i sotëm, e sidomos tek lexuesi në moshë të re. Përveç vlerës artistike kjo letërsi është edhe formë kujtese për të mos harruar të kaluarën. Kemi pritur për këtë lloj letërsie dhe është e pritshme, sepse periudha e diktaturës është një minierë, një katakomb i vërtetë i mbushur me drama dhe tragjedi njerëzore të shkaktuara nga një regjim antinjerëzor. Letërsia shqiptare bashkëkohore ka se çfarë të nxjerrë nga llagëmet e errëta të diktaturës. Pra, ky roman e ka edhe këtë funksion: të na risjellë detaje nga e kaluara e afërt dhe të jetë një formë artistike e kujtesës sonë të përbashkët.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT