Prof.as.dr. Arben Prendi/
Letërsi me temën e jetës nën diktaturë – Në qendër të romanit “Korridoret e gjelbra” është një histori tronditëse dashurie, në vitet e regjimit komunist. Është njëra nga historitë e shumta të dashurive të survejuara dhe të penguara në këtë regjim, që kontrollonte gjithçka përmes armës së Sigurimit të Brendshëm, deri edhe jetën intime të njerëzve, lidhjet sentimentale e shoqërore. Ky roman na ka vënë përpara njërës prej qindra dramave që kanë pësuar njerëzit në këtë periudhë. Sigurisht, ky rrëfim, lexuesve të rinj në moshë, mund t’u duket i pabesueshëm.
Ngjarjet, jo rastësisht janë vendosur ndërmjet Shkodrës dhe Tiranës duke pasur parasysh kontekstin që ofron qyteti i Shkodrës me historitë e pushkatimeve, vrasjeve të çifteve të reja në përpjekje për të kaluar kufirin për t’u arratisur jashtë vendit, historitë e përgjimeve, arrestimeve, burgosjeve etj. Vendosja e një subjekti letrar në Shkodër e mbush atë që në fillim me të gjithë simbolikën e këtij qyteti. Ylli është një arkitekt nga Shkodra, ndërsa Arsa nga Tirana.
Nga ana tjetër, ka përshkrime plot frymëzim për qytetin e Shkodrës, rrugët, lumin, liqenin dhe sidomos për kalanë, vend në të cilin merr udhë dashuria e dy të rinjve. Madje në kalanë Rozafa, të shpallur të ndaluar nga regjimi ata vendosin t’i japin fund jetës së tyre, duke ndërmarrë aktin e vetëflijimit si sfidë ndaj tij. Idili i dashurisë së tyre realizohet në brigjet e lumit dhe të liqenit, kalasë etj.
Ylli dhe Asra, dy të rinj arkitektë, me ëndrra dhe ndjenja të pastra për njëri-tjetrin, por edhe për vendin e tyre, paçka se socialist, bien viktimë e dhunës së regjimit. Jeta e tyre, si e qindra të tjerëve përgjohet në çdo moment të saj, madje edhe në momentet intime. Ata dashurohen me njëri-tjetrin dhe mendojnë për martesën, por kjo nuk i pëlqen dajës së Arsës, Mersinit, i cili drejton njërën nga drejtoritë e Sigurimit të Brendshëm dhe ka ndikim në sferat e larta të regjimit. Ai kërkon nga mbesa e tij të sillet sipas rregullave të partisë dhe të Sigurimit të Brendshëm, të mos martohet me një tip fantazisti e modernisti si Ylli , i cili harton projekte urbanistike të parealizueshme që bien ndesh me kriteret e arkitekturës së realizmit socialist. Drejtori i Sigurimit të Brendshëm mendon se mbesa e tij duhet të martohet me një kuadër partie me rëndësi, të cilin, ai ta ketë edhe aleat për karrierën e tij drejt pushtetit. Sjellje e zakonshme kjo funksionarëve komunistë për të siguruar aleancat e tyre me klanet e pushtetit. Paraqitja e survejimit të mbesës, si akt mbrojtjeje, në fakt tregon këtu për tjetërsimin e marrëdhënieve familjare, aq sa të përdoret i afërmi për qëllime përfitimi dhe për të dëshmuar besnikërinë ndaj regjimit. Kjo shihet qartë se daja Mersini nuk është i interesuar për lumturinë e mbesës, por për të mos pasur probleme ai vetë nga sjellja e saj. Të gjitha veprimet e Mersinit e bëjnë Asrën jo vetëm të palumtur por edhe fatkeqe, madje e çojnë në vetmohim.
Të dy të rinjtë, Arsa dhe Ylli, përfaqësojnë pjesën më të ndjeshme në shoqërinë e kohës, që me vrullin e moshës tentojnë të kapërcejnë kufijtë e vendosur nga regjimi, por e kanë të pamundur një gjë të tillë. Dhe hakmarrja nga regjimi nuk vonon. Pasi nuk arrin t’i mbushë mendjen mbesës të mos martohet me Yllin, atëherë Mersini, kurdis mekanizmat e ministrisë, ndërmarrjes ku punon Ylli që projekti i tij për “korridoret e gjelbra” në urbanistikën e qytetit të hidhet poshtë pasi ishte miratuar si projekt i dobishëm. Pas hedhjes poshtë të projektit Ylli transferohet për pikëpamjet e tij të ndikuara nga idetë perëndimore, dhe dërgohet në prodhim si punëtor i thjeshtë. Fati i keq i sa e sa intelektualëve të fushave të ndryshme që e pësuan nga regjimi, për shkak të pikëpamjeve të tyre. Arsa emërohet pedagoge në Tiranë me qëllim që largësia mes të rinjve të shuajë çdo ndjenjë, gjë e cila nuk ndodh.
Të gjendur pa rrugëdalje, të dashuruarit, vendosin të vetëflijohen në kështjellën e qytetit të Shkodrës, si Rozafa e baladës. Ata zhduken nga syri i Sigurimit të Brendshëm për disa ditë dhe në fund zbulohen në njërën prej kthinave të kështjellës Rozafa, në gjendje të rëndë shëndetësore, por duke sfiduar me jetën e tyre regjimin dhe mekanizmat e tij. Madje përballë kësaj gjendjeje sfide, oficeri që kishte për detyrë të hartonte raportet për përgjimin e tyre, në fund të romanit kërkon dorëheqje nga detyra: “Në vend që të shkonin përpara, dashuria e tyre na kishte kthyer mbrapa në atë errësirën e kalasë. Pasi u mendova gjatë, kuptova se ne nuk do të jemi në gjendje të shkatërrojmë e të shuajmë kurrë atë “pikën e ekzistencës” së tyre. Ju lutem të më shkarkoni nga kjo detyrë”. Pra në kohën e re po përsëritej një akt barbar, mitik, ai i flijimit të të dashuruarve me qëllim që të qëndronte në këmbë regjimi, sepse regjimi nuk mund ta pranojë dhe lejojë dashurinë e tyre, ajo me bukurinë dhe pafajsinë e saj kërcënon vetë regjimin. Të rinjtë nuk i binden regjimit për të ndërprerë lidhjen e tyre, por janë të pafuqishëm ndaj tij, ndaj vendosin të tregojnë se të paktën për fundin e tyre mund të vendosin vetë.
Struktura e romanit
Autori ka afinitet me gjuhën artistike të romanit realist, por e veçanta e romanit lidhet edhe me strukturimin e tij në trajtën e një rrëfimi ku përfshihen disa tipa tekstesh:
Teksti që përmban raportin informues që harton oficeri i sigurimit të brendshëm për eprorin e tij;
teksti i regjistruar nga pajisja përgjuese, që kthehet në tekst të shkruar;
teksti që përmban dëshminë e drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes;
teksti në formën e tekstit ditar që mban Arsa;
si dhe teksti që përmban vetë shënimet e drejtorit të drejtorisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pozita e narratorit këtu është e padukshme, sepse rrëfimi u është lënë në dorë personazheve, kryesisht Arsës, oficerit të Sigurimit.
Kjo mënyrë e strukturimit të narracionit i ka dhënë romanit bukuri artistike, por edhe ka ndërtuar mozaikun e jetës sociale dhe politike të kohës kur zhvillohen ngjarjet. Teksti mbizotërues është teksti i deshifrimit të përgjimeve dhe më pak teksti nga ditari i Arsës. Fragmentimi i tekstit dhe rrëfimit krijon imazhin e fragmentimit të fatit dhe të jetës individuale e sociale nga mekanizmat e kontrollit të regjimit. Ndërsa nga ana psikologjike, lexuesi futet menjëherë në botën e personazheve përmes rrëfimeve nga veta e parë, ku personazhet shprehen lirisht për marrëdhëniet me veten e tyre dhe me të tjerët. Sidomos teksti nga ditari i Arsës përshkohet nga lirizmi i theksuar, kuptohet për shkak të shpalosjes së ndjenjave të kësaj vajze e cila gjen dashurinë e jetës së saj, por më pas e ka të vështirë ta pranojë se, të tjerët mund të vendosin për fatin e saj madje, vetë shteti apo mekanizmat e tij. Në tekst gjejmë leksikun e përdorur në letërsinë e realizmit socialist dhe burokracinë e kohës, i cili bëhet element i rëndësishëm i ligjërimit artistik dhe na sjell pranë mentalitetin dhe indoktrinimin e shoqërisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.
Letërsia që rrëfen për traumat që ka pësuar shoqëria shqiptare gjatë regjimit komunist ka një rol të rëndësishëm për të ndriçuar atë periudhë të errët tek publiku i sotëm, e sidomos tek lexuesi në moshë të re. Përveç vlerës artistike kjo letërsi është edhe formë kujtese për të mos harruar të kaluarën. Kemi pritur për këtë lloj letërsie dhe është e pritshme, sepse periudha e diktaturës është një minierë, një katakomb i vërtetë i mbushur me drama dhe tragjedi njerëzore të shkaktuara nga një regjim antinjerëzor. Letërsia shqiptare bashkëkohore ka se çfarë të nxjerrë nga llagëmet e errëta të diktaturës. Pra, ky roman e ka edhe këtë funksion: të na risjellë detaje nga e kaluara e afërt dhe të jetë një formë artistike e kujtesës sonë të përbashkët.