• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë

December 30, 2023 by s p

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë – KKAD, mbajti takimin virtual me rastin e fundvitit 2023. Që në fillim të hapjes së takimit, znj. Mira Shehu, i përshëndeti të pranishmit dhe aty u paraqitën sukseset dhe sfidat, të cilat i kishim gjatë ketij viti.

Ajo foli në raport me punën dhe angazhimin e anëtarëve të KKAD-së, sidomos përshëndeti vullnetin dhe profesionalizmin e z. Vaxhid Sejdiut – kryetar i KKAD-së 2020/23, i cili me përgjegjësi të matur dhe shumë të saktë arriti ta sjellë KKAD-në që të jetë e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për shkollën shqipe dhe unifikimin rreth saj. KKAD me të vetmin qëllim, mision dhe vizion që ka është unifikimi i Diasporës shqiptare për shkollën shqipe, në bashkëpunim me institucionet tona të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ku në saje të angazhimit dhe profesionalizimit arritëm që ta fitojmë edhe VKM-në e Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa, z. Mustafë Krasniqi foli mbi rëndësinë dhe angazhimin e KKAD-së edhe sensibilizimin e Diasporës shqiptare, i cili përmes seminareve, shkrimeve dhe takimeve të anëtarëve të KKAD-së arritëm t’i realizojmë të gjitha kërkesat e shtruara, të cilat ishin të arsyeshme dhe të realizueshme, botimi i tekstit unifikues për ciklin e parë, këto ditë dalja e revistës elektronike “Flasim Shqip”, me Bordin e anëtarëve të KKAD-së: z. Vaxhid Sejdiu, znj. Teuta Tabaku, znj. Aurela Konduri, znj. Melita Oreshkovic dhe z. Mustafë Krasniqi, që së shpejti pritet të jetë në duar të nxënësve edhe teksti për nivelin e dytë.

Për platformën unifikuese të mbarë Diasporës shqiptare dhe për sensibilizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, rol të rëndësishëm përpos anëtarëve, gjithsesi, kishte edhe kryetari z. Vaxhid Sejdiu. Me përvojën profesional të tij dhe të anëtarëve të KKAD-së arritëm, që shqetësimet e mësimdhënësve t’i adresojmë te institucionet tona, duke i dhënë prioritet kërkesave të ngutshme e të domosdoshme, që ishin dhe janë për mësimin plotësues në diasporë.

Z. Krasniqi tha se një rol të rëndësishëm e ka pasur edhe sektori i informimit, i cili ka publikuar shkrime të shumta, për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë-mërgatë, por duke shtuar edhe faqen në fb. të KKAD-së, që e drejton znj. Mira Shehu, ka qenë 100% e realizueshme.

Kurse z. Vaxhid Sejdiu, ndër të tjera theksoi se puna ekipore vërtet ka qenë e frytshme dhe uroi të vazhdojë bashkëpunimi, që në saje të këtij bashkëpunimi kemi arritur shumë suksese të realizojmë deri këtu. Po ashtu duhet të jemi falënderues QBD-së dhe drejtoreshës znj. Mimoza Hysa, që me përkushtimin e saj të madh arritëm t’i realizojmë disa nga kërkesat tona. Ai i përshëndeti të gjithë, duke theksuar se të gjithë kemi bërë punën tonë, por duhet veçuar sidomos punën e sektorit të informimit, që e drejton z. Mustafë Krasniqi, i cili i e ka mbushur me shkrime faqen tonë në FB, që e ka realizuar suksesshëm qëllimin, të drejtuar nga znj. Mira Shehu.

Z. Sejdiu i falënderoi anëtarët për mirënjohjen e tyre, që i bënë punës dhe angazhimit të tij si kryetar i KKAD-së dhe për punën e tyre të palodhur!

Kurse z. Dritan Mashi, znj. Teuta Tabaku, znj. Miradije Berisha, znj. Aurela Konduri, znj. Anila Kadija, znj. Melita Oroshkoviq dhe z. Isuf Bytyçi, përpos që përshëndetën dhe vlerësuan lart punën e kryetarit z. Vaxhid Sejdiu dhe anëtarëve tjerë të KKAD-së u ndalën edhe te sukseset dhe sfidat e KKAD-së. Kështu që për nder të fundvitit, që sipas tyre ishin të suksesshme dhe me disa kërkesa të realizueshme i ngritën gotat për shëndetin dhe uruan që viti 2024 të jetë më gjithëpërfshirës, duke u realizuar edhe ato kërkesa që janë në sirtarin e pritjes.

Sektori për informim:

Mustafë Krasniqi dhe Isuf Bytyçi

Filed Under: Interviste

SI SOT TRE VJET MË PARË U SHUA GJUHËTARI I SHQUAR PROF.MEHMET ÇELIKU

December 30, 2023 by s p

Në kujtim të profesorit tim dhe mijëra të tjerëve.

Bledi Filipi

Si sot tre vjet më parë u shua prof. dr. Mehmet Çeliku një ndër figurat më të spikatura të gjuhësisë shqiptare. Veprimtaria e tij shkencore-pedagogjike, shtrihet rreth një harku kohor 60-vjeçare. Tek ai gërshetohet shkencëtari i shquar dhe pedagogu i talentuar.

Bashkohësi i tij prof. Xhevat Llashi thekson:

“Mehmet Çeliku ishte dialektolog, leksikograf , morfolog dhe sintaksolog. E nisi punën si të gjithë punonjësit e e tjerë të breztit të tij për dialektologjinë, interes që e pati deri në fund të jetës.

Një njohës i mirë i shqipes dhe për këtë arsye qe mbrojtës i standardit të shqipes. Interesoj dhe për metodën e punës shkencore dhe ka një botim të posaçëm për të. ( Xh. Lloshi , 2023)

Rezultatet e punës së tij shkencore prof. dr. Mehmet Çeliku i vuri në shërbim të mësimdhënies, të cilën e ngriti në mënyrë cilësore, ndërsa kjo e fundit si një laborator i gjallë e pasuroi më tej atë me të dhëna të reja shkencore. (Karapinjalli, 2016:231)

Prof. dr. Mehmet Çeliku i takon brezit të dytë gjuhëtarëve shqiptarë, të cilët traditën gjuhësore të Kristoforidhit, Xhuvanit, Çabejt, Cipos, Domit, Rizës, Ajetit etj., e çuan më tej e duke e ngritur në nivele bashkëkohore.

Kontributi shkencor i prof. dr. Mehmet Çelikut shpaloset në disa fusha të gjuhësisë, si në: dialektologji, morfologji, sintaksë, kulturë gjuhe, sociolinguistikë, leksikologji etj. Ndërsa vitet e fundit profesori ia kushtoi fushës së sintaksës, e në mënyrë të veçantë, qasjes ndaj drejtimeve të reja e bashkëkohore në këtë fushë.

Në parathënien e vëllimit të parë të veprës së profesorit, prof. dr. Valter Memisha thekson: “ai nuk e shkëputi asnjë çast mësimdhënien nga veprimtaria shkencore, dy veprimtaritë kryesore të jetës së tij. Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, identifikohej si punonjës shkencor dhe pedagog i jashtëm, kurse në Universitetin e Elbasanit si pedagog me kohë të plotë dhe punonjës shkencor.” (Çeliku, 2020:5)

Prof. dr. Mehmet Çeliku do të mbetet një personalitet dhe intelektual i shquar që i kushtoi tërë jetën e tij shkencës së gjuhësisë. Me prurjet e tij të shumta gjuhësore ai do të mbetet shembull i gjallë frymëzimi për të gjithë brezat e studentëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe.

Filed Under: Histori

Kosova pret Vitin e Ri të çerek shekulli Liri e 16 vjet Pavarësi

December 29, 2023 by s p

-Kosova Shtet me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, 15 vjet pas – në 2023-tën me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo është ngjarje e vitit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 29 Dhjetor 2023/ Kosova pret Vitin e Ri të çerek shekulli Liri e 16 vjet Pavarësi. Në 2024-tën festohet 25 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar…

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Kosova Shtet me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, 15 vjet pas – në 2023-tën me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo është ngjarje e vitit.

Në 13 Dhjetor 2023, Kryeministri Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, theksoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.

“Ndër vendimet tjera, sot kemi edhe vendimin për ndarjen e buxhetit shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro, dhe me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.

Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha Kryeministri Kurti, cituar në komunikatën e dërguar nga Kryeministria.

Kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se, “sot është mbledhja e 178-të me radhë, e parafundit për këtë vit. Kjo do të jetë mbledhja me më së shumti vendime deri më tani dhe më e gjata në këta 33 muaj qeverisje”.

Filed Under: Analiza

ANDEJ NGA VRAU VETEN POETI SERGEJ ESENIN…

December 29, 2023 by s p

– Hija e tij në Shqipëri… jo, në Lushnje dhe elegjia ime në Shën Petërsburg –

Nga Visar Zhiti

1.

Edhe kur s’dinim gjē, tē vegjēl, nē provincē, çuditērisht e dinim se para njē Viti të Ri, pikërisht më 28 dhjetor, atje larg në Rusi, tutje, poeti Sergej Esenin, aq shumë i dashur, magjepsës fare, kishte vrarë veten dhe ishte 30 vjeç, madje kishte prerë venat dhe me gjakun e tij kishte shkruar poezinë e lamtumirës, dy strofa.

– E si do të ishte ajo poezi?

– Po ku e gjejmë dot ne!

– Poezia e vërtetë në fund të fundit me gjak shkruhet.

– …tek ne e shkruajnë me gjakun e të tjerëve…

– Kujdes! Është me rrezik kjo!

– Po pse e vrau veten Esenini?

– Dëshpërimi, zhgënjimet nga revolucioni.

– Po kjo qenka më me rrezik!

– S’ka ndodhur tek ne, jo, por në Bashkimin Sovjetik. Në dimër, në Leningrad, në Hotelin “Ingliterra”, kështu quhej…

Dhe as kisha guximin ta imagjinoja atëhere se do të vinte një ditë, pas burgut tim, që do të shkoja atje, në atdheun e Eseninit, te ai qytet dhe do ta kërkoja atë hotel të pikëlluar…

2.

Esenini, besoj, se më i dashur se kudo, ishte në Shqipëri, pas Rusisë së tij natyrisht dhe prapë besoj se në Shqipëri më i dashur se në çdo qytet ishte në Lushnjë. Duke qenë lirik i mrekullueshëm i fushëtirave pafund, ku derdhej dritë hëne si qumësht, i dashurisë që vezullonte befas si një beriozë, i varfërisë si një qen rruge dhe i zhgënjimeve të rënda të revolucionit bolshevik, që sipas Eseninit, erdhi si një tren i rëndë dhe trembi këngët e zogjve dhe do të rendëte për në gulagët pas mjegullave, etj, etj, – kështu bisedonim, – edhe Lushnja lirike e njihte atë dhimbje me fshatrat e internineve përreth, gjithmonë me baltë dhe zhgënjime…

Prapë besoj se Esenini më bukur se në çdo gjuhë tjetër është përkthyer në shqip. Kumbon, me rimat si zile dhe me ato metaforat që hovin si tymtarë mbi borë apo si kryqe muzgu.

E shqipëruan poetë të rinj, që do të bënin emër e u ndikuan prej tij, Kadare e Agolli, por që i mbetën besnikë deri në fund më duket se ishin Vangjush Ziko e Jorgo Bllaci e Agim Shehu , etj. E shkërbyen poetët, ndoshta më shumë treshja Musa Vyshka, Shefki Karadaku e Viktor Qyrku, po edhe Sulejman Mato ndonjëherë, kështu më dukej, kurse në Lushnjën tonë si eseninian shkëlqeu poeti nga fshati, gjithmonë me çizme, miku ynë, Sherif Bali. Por ai s’mund të botonte libër, ishte me “biografi të keqe”, gjyshi i tij ishte shpallur “kulak”, fjalë ruse dhe kjo nofkë, e ardhur prej andej. Por ajo që do të ndalohej, do të ishte poezia e Eseninit, sepse marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik do t’i prishte keqas Shqipëria e Enverit.

Dhe Esenini na u bë më i shtrenjtë. Isha nxënës dhe “Lirikat” e tij m’i dha regjisori Tahsin Demiri, madje m’i fali. Mësova përmendësh plot, mbi 50 poezi, që do të më ndihmonin shumë kur do t’i thosha me vete në birucë, kur më arrestuan. Edhe kur shtynim vagonat në minierë në burg, bashkë me Çim Kurtin dhe bisedonim nën zë për përkthimet me Maks Rakipajn. Poezia na bashkoi më shumë se prangat…

Atëhere nxënës më dukej se çdo poet, për të qenë i mirë duhen të ishte si Esenini. Ja, mësuesi ynë, poeti Faslli Haliti, nuk shkruante si ai, përkundrazi, por ama ka imazh, ka dhe një baladë për Eseninin, por u detyrua ta botonte sikur i kushtohej një poeti tjetër rus, Pushkinit, por ne donim Eseninin. Edhe Baki Nexha sikur mundohej të shkruante si Esenini. Edhe Halili, megjithëse është tregimtar, ka poezi të eseninta. Unë nuk ia dilja dot. Doja edhe s’doja. Eh, ku shkruhet si ai, por më të rinjtë se ne, Bujari psh, por edhe Shpendi kanë diçka eseniniane, me kuaj… Po atë e kemi të gjithë, e ka e gjithë poezia shqipe. Ashtu? Pse?…

Dhe vazhdonim të recitonim poezi të tij. Ia thosha Flamurit, ai mua…

Natyrisht, gjëra të tilla i bënim jo me këdo, mund të na krijonin shqetësime, së pari i bisedoja me tim vëlla, Ilirjanit, por dhe me mësuesen e mrekullueshme Lirinë, nuk na ndahej mirësia e saj, jetonte te barakat, sa e donte Eseninin ajo! Dhe Eva e saj na jepte libra të ndaluar, që s’i gjenim dot…

3.

Në Lushnje shpërngulet kritiku i njohur atëhere, Razi Brahimi, e sollën drejtor të shtëpisë së kulturës, ku punonte dhe im atë, aktor estrade, u miqësuan bashkë, shkak do të ketë qenë dhe rakia, e pinin ca si shumë. Raziun e kishin hequr nga Tirana, nga shtëpia botuese se kishte botuar romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, që u ndalua. Por ai kishte në bibliotekën e tij të gjithë veprën e Eseninit në origjinal, 4 apo 5 vëllime, nuk jam i sigurtë tani, finë, të kaltër, me kapakë të fortë me firmën e Eseninit të praruar me ar. Brenda kishin fotografi bardh e zi, Esenini djalosh, i hijshëm, prindërit, izba, etj. Aq shumë poezi në gjuhën e tij me cirilike dhe ne pothuajse s’kuptonim asgjë, ndonjë fjalë tek-tuk. Aty sigurisht shtriheshin stepat e poezisë së tij, shtigjet hënore, klithma korillajsh, letrat e dhëmbshura nënës, dashuritë, sajat, troke kuajsh… ah, të mbuluara si me borë të bardhë me gjuhën e huaj. Çfarë vuajtje! Sa e ftohtë ishte padituria, mëkat.

– Shih, një poezi e vogël, një strofë, merre fjalorin ta përkthejmë, – më tha im vëlla, Ilirjani, ai ishte më i madh se unë, gjimnazist.

– Pse, lejohet? – u ngazëlleva.

– Ça ka? – tundi kokën e madhe plot me flokë të zinj ai.

– Nuk janë të caktuar ata që përkthejnë?

– Nga Komiteti? – u tall ai.

Poezinë jo vetëm që e kuptuam, por Ilirjani iu përvesh punës që ta rimonte.

E mbaj mend përmendësh edhe sot e kësaj dite:

Atje tek lehëza me lakra

uji i kuq lindjen skuq tepër.

Panjës vogël bletë krahë-arta

ia thithi sisën e gjelbër.

– Po aty s’ka fare “krahë-arta” – kundërshtova unë, – as “tepër”!

– Po mirë, – ma ktheu Ilirjani, – e kam bërë për rimë.

– Pse, ça je ti? – dukej sikur doja sherr unë. – Po fjala “sisë” nuk është turp?

– Jo…

Në gjimnaz jepte lëndën e rusishtes një mësuese ruse, Luiza, po sikur të pyetej ajo si ishte përkthimi?

Tē nesērmen po bisedonim me Ilirjanin:

– As e preku librin me dorë…

– Si duroi?

– Lexoni Majakovskin, tha. Por dhe ai ka vrarẽ veten…

– S’ka faj ajo, është e huaj, ruse, ruhet, është si në internim këtu…

4.

Vërtet, po andej nga fshatrat e internineve, baltrave, kishte poetë, do t’i njihja, Lazri, Leka, Jozefi, Bajamja, Ferdinandi… po si u dukej Esenini?

Po në Kosovë? E ku lejohej të na vinin libra prej andej… Vonë do të zbuloja se sikur s’kishin eseninianë, jo s’e nuk e kishin përkthyer, jo aq mirë sa këtej, por poezia e tyre ishte më shumë Perëndimore dhe hermetike, jo imazhiniste.

Ndërsa larg në Rusi, e dinim eseninizmin e tyre, ishte klasik. Adhuruesit e Eseninit do t’i imitonin dhe vetvrasjen…

Unë, kur isha student në Shkodër, kur më shqyheshin këpucët nga bredhjet dhe i çoja te këpucari t’m’i ndreqte, atëhere të kërkohej emri, e shkruanin në faturën që e fusnin në këpucë, që të mund t’i gjenin në pirgun e madh, që mund t’i krahësoj, – tani që dhe kam parë, – me këpucët në grumbuj në muzeumet e holokaustit, atëhere pra, thosha se më quanin Sergej Esenin. Si, si? – buzëqeshte këpucari. Por kjo më ndodhte vetëm në Shkodër.

Dhe me ato këpucë shkoja në Lezhë, te miqtë, Rudolfi dhe Ndoci, poetë të njohur që atëhere, për të “shkëmbyer” poezitë dhe fshehurazi dhe përkthimet. Në konvikt, në dhomën e ftohtë, kisha përkthyer dhe diçka nga Esenini, 4-5 poezi të vogla, bashkë me shokun e dhomës, Moisiun.

Pengu për të gjetur poezinë e fundit të Eseninit, atë të shkruarën me gjak, nuk do të më ndahej.

5.

Pas rënies së perandorisë komuniste, kur dhe në vendin tonë do të shpërbëhej diktatura, poezia e lamtumirës së Eseninit u përshi në botimet e reja që do t’i bëheshin atij. Unë gjithmonë i kërkoj në 28 dhjetor ato vargje, që në atë datë u shkruan me gjak. I shoh përkthimet në italisht, anglisht… po si janë rimat në rusisht?

***

До свиданья, друг мой, до свиданья.

Милый мой, ты у меня в груди. Предназначенное расставанье

Обещает встречу впереди.

До свиданья, друг мой, без руки,

без слова,

Не грусти и не печаль бровей,

В этой жизни умирать не ново,

Но и жить, конечно, не новей.

Dhe rrekem ta risjell në shqip, po dua dhe rimat, se jam ca dhe eseninian:

***

Lamtumirë, lamtumirë, miku im,

Në zemër të kam përjetë.

Ikja që kishte parashikim,

Takimin e premtuar do të ketë.

Fjalë dhe gjeste janë kot,

Miku im i dhembshur t’më kuptosh.

Të vdesësh s’është e re në këtë botë

Dhe prapë s’është e re dhe të jetosh.

Me gjakun e damarëve të prerë janë shkruar këto vargje? Dhe pastaj Esenini vari veten në Hotel “Ingliterra”. Pse? Në kulmin e poezisë së tij dhe të bukurisë. Dhe le të ishte dhe kulmi i dëshpërimit, ai mirë u bënte të dyjave. Nuk ka vetëvrasje, por vrasje, thotë një poet tjetër, bashkatdhetar i tij, Evgeni Jevtusheko, që, kur isha në Rusi, pyeta për të dhe më thanë që është Esenini i sotshëm.

Pse e vetëvranë atëhere Eseninin? Ai ishte bërë i famshëm si poet, jo vetëm për skandalet e shumta e dehjet e martesat e shpeshta, por dhe si i zhgënjyeri i madh nga revolucioni, ku “Lenini i ngjante i tmerrshëm si sfings”. Policia sekrete, Çeka a KGB-ja, s’e kishte të vështirë ta zhdukte Eseninin, edhe pse ai ishte bërë aq popullor dhe adhuruesit e shumtë e kishin ikonë të tyre, por kështu ai mund të shndërrohej në mit. Por ç’t’i bënin eseninizmit që ishte krijuar si rrymë e metodë, madje dhe modë, më keq akoma, si qendrim. Ky ishte rreziku i vërtetë dhe i madh. Që eseninizmi të shihej si një rrugë pa krye, themeluesi i saj duhet të vriste veten. Kushtet ia krijonte pushteti sovjetik. Mund ta ndihmonin deri në fund ta vetëvarnin. Në kufomën e Eseninit, pasi e zbritën nga litari në dhomën e tij në Hotel “Ingliterra” në Leningrad, në mëngjesin e vranët të 28 dhjetorit të vitin 1925, i janë gjetur gjurmë dhe shenja nxirjesh në krahë e brinjë nga torturat. Po poezia e shkruar me gjak? Ajo i drejtohej mikut të tij Antaoli Marienof dhe u tha se i ishte dhënë atij një ditë më parë për ta lexuar.

Esenini u çua i vdekur në Moskë dhe prehet në varrezat në Vagankovo. Po eseninizmi a u varros?

6.

Ditët e mia në “Venecian e Veriut” siç e quajnë Saint Petersburg-un ishin të pakta, dëshirat për të parë ishin të shumta, programi i ngjeshur, mahnitja e madhe, ankthi i netëve të bardha, 300 urat mbi lumin Neva… i shkruaja Edës time që bashkë me Atjonin ishin në Lugano, në Zvicër, madje me poetët Jevtushenko e Sebastiano Grasso, më pyesnin se si po ja kaloja… bie shi petersburgas… burg… Njevski Prospekt, shtëpia e Pushkinit… Çajkovski, Gogoli, pensioni i Raskolnikovit të romanit “Krim dhe ndëshkim”, Dostojevski, Teatri “Marinskij”, qindrat e busteve dhe shtatoreve të Leninit e Stalinit ishin hequr, kanë mbetur nja 4 gjithsej të Leninit, pse?… po bashkëvuajtësit e mi, poetët Mandelshtam, Brodski kanë statuja?… Pallati i Dimrit, Hermitazhi marramendës, ku, ku e goditën me top nga kryqëzori i anijes “Aurora” dhe ndryshoi historia, u bë kampi socialist në gjysmën e botës, kampet e përqëndrimit, burgjet… a janë në mure gjurmët e goditjes si në brinjët e Eseninit? Dhe iu shmanga të gjithave, doja Eseninin, gjurmët e tij të gjalla, ma kërkonte… vetja ime e dikurshme… eseninianët e Lushnjës… antologjia e poezisë… e kisha premtuar.

ELEGJIA IME, KU U VRA ESENINI,

NË HOTEL “INGLITERRA”,

NË PETERSBURG…

…një rrëké e kuqe gjaku

zbret nëpër shkallë,

unë ngjitem në të kundërt të gjakut,

dua të arrij në zemrën e Eseninit.

Trokas në derën tragjike,

mbështes kryet aty.

Qan, dera, qan

me lotët e mi.

I kam ruajtur që kur isha gjimnazist,

nga Shqipëria i solla, gjë tjetër s’kisha.

Miku ynë kaçurrel, biond

si thekërishtja e vendlindjes sate,

vagabond si kënga e natës.

Edhe hënat deheshin

nga fishkëllima jote,

qershia e qiellit shkundej,

tej ndalnin dallgët

dhe kuajt e qentë dhe kuptoheshin

me njerëzit,

se po këndoje ti.

Njëra nga hënat

bëhej krehër për flokët e stinës,

por ti mështeknave shikoje si skuqnin plagët e Krishtit,

shiu rënkonte…

Të donte dhe nëna ime ty,

më kërkonte t’i lexoja atë poezinë tënde,

e ndiente si të sajën,

kur pyesje: gjallë je?… A je takuar

me nënën time, Serjozhka?

Se nënat dhe poetët

janë bashkë në parajsë.

Përplasa kokën te dera jote. Vdekja

mori lotët e mi

dhe më dha mpirjen e drunjtë.

Gjithë atë gjak

ia dhe poezisë,

dhe hotel “Ingliterra” është

i kuqërremtë tani

dhe gratë e shërbimit flokët

i kanë të kuq,

dhe netët e bardha kanë

një diell tjetër të trembur,

prej gjaku,

dënes lumi Neva si venat e tua. Ti,

dhëndër tragjik ëndrrash.

Me gjak e ngjeve penën dhe shkrove

poezinë e lamtumirës,

vetëm dy strofa. E do gjakun tim

për strofat e tjera,

Esenin i dashur?

Po ty të varën të vrarë… ah,

t’ia jap natës

hënëtronditur, që rreh si një zemër… Mërmëris

vargjet e tua, prapë, si dikur,

si i burgosur

në qeli qiellore.

Falemnderit, më ke dhënë zemër,

Vëlla i madh,

dhe tani jam unë më i madh se ti,

më vjen turp,

që ike aq herët.

E pamundur të të përzinin.

Ti ishe kudo, te grunoret

dhe kuajt e erës, te brigjet e trishtimit dhe zhgënjimet

si muret e dimrit,

te takimet e dashurisë

me yjet që digjen në buzë, dhe çdo tetor

e shmang

rrugën e vet që nga ajo ditë…

Këtu, këtu ti preve venat

e poezisë sate,

me gjak poezie e mbushe atdheun,

që të donte të vrarë,

ishe bërë më i bukur nga ç’lejohej,

i rrezikshëm dhe i famshëm,

engjëll që të mbështollën

me pelerinë demoni, ikonë

para topave të revolucionit, mbylle sytë prej biri,

Moti ulërinte për ty, gjithë ajo borë

për të fshirë si pambuk spitalesh

gjakun e poezisë,

e pamundur, ai kishte marrë

udhët e botës. E mpiksi

i ftohti këtu, e mavijosi ngrica

si të ishte bronzi i statujave të tua të ardhshme,

jo, jo bronz heronjsh, por kristale

qiellore, të pastra,

kur sapo ka zbardhur…

Do të kërkoj, dua të takohem me ty gjithandej,

të të falënderoj dua, por befas dera,

dera jote e fundit mbi tokë

përballë meje plasi si një kraharor

dhe u ça gjithandej.

– Bir, thirra! Nga të çarat e derës buisën bisqe. U rritën

në çast dhe u bënë degë. Aleluja!

U bë Pylli yt dhe Shtegu yt,

aleluja,

Lumi dhe Flatra,

dhe Vetëtima që shkrep

në Qiell Emrin Tënd…

Aleluja!

Shën-Petersburg, 02. 06. 2014

Elegjinë time e nxora nga libri im, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, është fjala për poetin Evgeni Jevtushenko, botim i “Omsca-1”, i para nja gjashtë vjetëve… dhe bota ka ndryshime tẽ mẽdha e tē rēnda…

7.

Tani Rusia ẽshtẽ nē njẽ luftē tē padrejtē dhe agresive me Ukrainēn ngjitur. Vriten jetē njerēzore dhe shkatērrohen qytete. Qielli çahet nga bombat… Dhe poezia ēshtē damarprerē dhe po shkruhet me gjak…

Unē desha të thosha se ditët tona tẽ dikurshme, ato të paktat që ishin vërtet tonat, kishin diçka eseniniane, atë bukuri të trishtë dhe hov të hutuar dhe atë përndjekje, që fillon që nga bankat e shkollës dhe sikur vazhdon… prandaj janë dhe ato njollat mavi si në krahët e Eseninit pas torturave më të fundit. Dhe ai vret veten gjithkund…

Fantazma poetēsh dalin nga gērmadhat, duhet ndalur lufta…

Filed Under: Kulture

NJË MONUMENT BUSTI PËR SHKRIMTARIN PËR FËMIJË YMER ELSHANI PRANË SHTËPISË SË TIJ NË KARRATICË TË POSHTME TË DRENICËS

December 29, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

Shkrimtari dhe studiuesi për letërsinë për fëmijë, Ymer Elshani, është masakruar deri në shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë në Paklek të Vjetër të Drenicës me familjen e tij. Në këtë katrahurë të përgjakur e të djegur,ka shpëtuar vetëm vajza e tij Teuta Ymer Elshani, e cila jeton dhe punon në Amerikë.

Para do kohe, ka nisur nisma që shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani të bëhet muze e orëve të historisë së Kosovës për Liri dhe Pavarësi dhe për brezat e rinj shqiptarë. Po në këtë nismë, do të propozojmë që të ngritet një monument i bustit të shkrimtarit Ymer Elshani pranë shtëpisë së tij në Karraticë të Poshtme të Drenicës, në shenjë nderimi e përkujtimi për jetën dhe veprën e krijimtarisë latrare për fëmijë.

Për këtë nismë,i bëjmë thirrje Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Ministrisë së Kulturës si dhe botës së bizneseve e të diasporës shqiptare nëpër botë,që të ndihmojmë ngritjen e një munumnenti të bustit në bronz për shkrimtarin për fëmijë Ymer Elshani i masakruar me familjen e tij deri shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë në Paklek të Drenicës.

Shkrimtari për fëmijë Ymer Elshani në një monument të bustit në bronz e meriton pranë shtëpisë së tij në Karraticë të Poshtme të Drenicës!

Çikago,më 29 dhjetor 2023

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT