-Kosova Shtet me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, 15 vjet pas – në 2023-tën me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo është ngjarje e vitit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 29 Dhjetor 2023/ Kosova pret Vitin e Ri të çerek shekulli Liri e 16 vjet Pavarësi. Në 2024-tën festohet 25 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Kosova Shtet me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, 15 vjet pas – në 2023-tën me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo është ngjarje e vitit.
Në 13 Dhjetor 2023, Kryeministri Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, theksoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.
“Ndër vendimet tjera, sot kemi edhe vendimin për ndarjen e buxhetit shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro, dhe me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.
Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha Kryeministri Kurti, cituar në komunikatën e dërguar nga Kryeministria.
Kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se, “sot është mbledhja e 178-të me radhë, e parafundit për këtë vit. Kjo do të jetë mbledhja me më së shumti vendime deri më tani dhe më e gjata në këta 33 muaj qeverisje”.