• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

“Shqetësimet e fëmijëve tanë”

December 7, 2023 by s p

Fran Gjoka/

Është thënë vazhdimisht dhe gjithnjë do thuhet se “Fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit”. Kjo nuk është formale, por një e vërtetë e padiskutueshme, të cilën e pranojmë të gjithë. Ndaj për fëmijët shoqëria njerëzore është përherë më e ndjeshme, sikurse dhe institucionet e saj, veçanërisht ato të arsimit, kulturës, shkencës apo dhe fushave të tjera që kanë prioritet të vazhdueshëm ndaj fëmijëve dhe edukimit, pajisjes së tyre me njohur të gjëra dhe të sakta sociale, shkencore, kulturore, artistike, humane dhe të traditës, drejtime këto që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë rrugëtimit të jetës.

Jo thjesht për të shuar kureshtjen, por si një obligim për fëmijët, për të ardhmen e afërt dhe të largët të tyre, në këtë artikull do të veçnim idenë se, trinomi shkollë – familje – komunitet mbetet gjithnjë faktor primar dhe që kërkon vlerësim të vazhdueshëm për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më tej drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar po merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatit atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cene e dëmtime fizike e biologjike. Kjo është një garanci e madhe që fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë sesa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Kjo nuk do të thotë që të gjithë prindërit duhet doemos të jenë në kulmin e shkollimit, që të jen në krye të shkencave dhe zhvillimeve, sepse këto janë raste që nuk i gjen me bollëk, por në radhë të parë kërkohet që të jesh njeri dhe qytetar i denjë, që të transmetosh në jetë dhe në punë vlera njerëzore. Kjo varet nga gjithkush, nuk ka të bëj as me përgatitjen shkencore dhe sociale, por me qëndrimin njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe humane, por edhe me përpjekje për të celur përpara fëmijëve horizonte tëreja, të zgjojnë kureshtjen e tyre si dhe dëshira dhe vendosmëri për të ecur në jetë dhe për të dhënë secili ndihmesën e tij në këtë shoqëri ku ne jetojmë sot.

Koha kërkon që anëtarët e familjes të jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që, është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve që kanë përvojën e punës frytdhënëse e që garanton të ardhmen e sigurt të fëmijëve. Merr kjo përparësi kjo tani në kohën e pandemisë së COVID-19 kur, jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota është mbërthyer në një krizë të gjithanshme social-kulturore dhe ekonomike dhe përpiqet të gjejë rrugët më efektive dhe më jetësore që fëmijët, si edhe të rriturit, ta përballojnë suksesshëm këtë të keqe që i kanoset jetës së njerëzve. Natyrisht që në këtë periudhë janë krijuar edhe përvoja, madje edhe efektive në edukimin e fëmijëve, por, gjithësesi, ata janë dhe duhet të mbeten kurdoherë të veçantë dhe të trajtohen me përparësi nga familja, shoqëria, shteti dhe institucionet e tij të specializuara.

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur me shpejt ose më ngadalë fjala vjen nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Nëse nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar, u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike dhe sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre etj. Një prind i tillë harron se, më shumë sesa biznesi i madh që drejton, më shumë sesa ato para që ai depoziton dhe shtonë përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjek rrugën e drejtë të dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë në përvetësimin e dijeve.

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët t`i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të problemeve mësimore.

Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu , nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar , por nuk mësojnë “.Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë provuar se po të orientohen mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve , që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur.

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë edhe Ajnshtajnin që deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të ç rrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet ” Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre!”. Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen me edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara. Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta” Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.

Filed Under: Sociale

Një “makondo” për vendlindjen

December 7, 2023 by s p

Behar Gjoka/

Romani Një emër në katër rrugë, pavarësisht sfondit historik të jetës së shqiptarëve, në pjesën e parë të shekullit të kaluar, nën monarki, në vështrim parësor, gjithnjë varësisht tekstit, e sidomos pikës së referencës, ku ngjarjet nisin dhe mbyllen në Dhërmi, ka vendlindjen e tij, bregun shkëmbor ku përplasen dallgët e detit. Pra, para së gjithash, teksti i romanit Një emër në katër rrugë, ka vënë në qendër vendlindjen, duke endur një përmendore letrare, për Dhërmiun. Dashuria dhe krenaria, për historinë dhe bukurinë e bregut, të detit dhe malit, nuk e pengon për ta lartësuar dhe madhështuar, gjer në elementët më të imtë, me shumë gjasa, duke e projektuar si një tokë e bekuar. Megjithatë, plazmimi i adhurimit, madje gjer te sendërgjimi i një vepre monumentale për vendlindjen, me gjasë të një “makondo” unike, në plazmimin e dashurisë për vendlindjen, nuk e ka penguar për të sjellë pranë lexuesit, të dyja anët e medaljes:

a- Krenaria për ta lartësuar si bukuri natyrore, si vend me bëma historike, gati një vend i shenjtë si detar.

b- Hedhja e dritës mbi të gjitha skutat e shpirtit njerëzor, theksimi i mençurisë dhe marrëzisë, qëndresës dhe tjetërsimit.

Dhërmiu, djepi që e përkundi në gjallje autorin, e në amshim e mban në gjirin e vetë, është shkasi për ta fokusuar në gjithë dimensionet e veta, e po kaq është mënyra e gjetur letrare për ta bërë pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, tashmë të historisë së shpirtit të shqiptarëve, nëpër mugullimat e kohës. Nga Dhërmiu, marrin udhët e jetës, jo krejt rastësisht katër Gjikë, që përfaqësojnë katër udhët e shtegtimit të njeriut të këtij fshati, si një përgjithësim i shtegtimit të qenies shqiptare në kohët moderne.

Në ligjëratën narrative autoriale, qysh në fillim shfaqet dhe rimerret në disa raste, një formë portretizimi e fshatit, e adhurimit që ka autori për të, duke u shtrirë përshkrimi i këtillë në gjithë tekstin e romanit. Situata zë fill me: Fshati po aty ishte. Dhe njerëzit vazhdonin luftën e zakonshme për të jetuar.[1], si një pohim që thekson tiparin më qenësor, luftën për të jetuar të këtyre banorëve. Kjo mënyrë shprehje, përsëritet: Fshati aty ishte. Agonte dhe perëndonte dhe njerëzit luftonin me hallet, borxhet, sëmundjet.[2], ku sërish përmendet veprimi, ata luftonin, një tregues i karakterit të fortë, të banorëve të atij fshati, të përmenduar në histori, e mbi të gjitha të gdhendur në zemrën e shkrimtarit. Rimerret po në këtë formë: Fshati aty ishte. Portokallet ishin zverdhur dhe ullinjtë e krimbur që i rrëzonte era, mblidheshin që pa gdhirë nga duart e shpejta të vashave dhe të grave..[3], ku tashmë plotësohet kuadri, me elementë të tjerë, të një peizazhi magjik, që hapin fletët e pamjeve të larmishme të Dhërmiut. Përsëri kemi situatën e rimarrë: Fshati aty ishte. Ra qeveria, ra ministri i Brendshëm, po fshati aty ishte.[4], ku qartësisht lihet të kuptohet se Dhërmiu, ka jetën e vetë, gati – gati të shkëputur nga bota, në kuptimin që nga përvoja ka endur gjithçka që i duhet. Në një moment ndërrohen termat: Gurët aty ishin! Deti ndërronte fizionominë e tij sipas erërave dhe sipas etapave të ditës.[5], ku prezantohet peizazhi natyror, plot larmi dhe përthyerje, i Dhërmiut. Pastaj ngjet kthimi në shprehjen e parë: Fshati aty ishte. Siç ndodh në fshat, madje dhe kudo dhe kurdoherë në jetë njerëzit nuk duan të marrin pjesë si aktorë në shfaqjet politike, por qëndrojnë si spektatorë, duartrokasin…[6], që dukshëm bart vlera të gjithkohshme për karakterin e shqiptarit, pra jo vetëm të banorëve të Dhërmiut, në marrëdhënien me politikën dhe me shtetin. Përsëri kemi: Fshati aty ishte. Binte shi. Dhe njerëzit grindeshin, se detyroheshin të rrinin brenda. Bubullimat në Dhrimadhe janë aq të fuqishme dhe aq të dendura.[7], ku pothuajse plotësohet pamja për motin e thyerë, duke shfrytëzuar momentin për të zbuluar tiparet karakteriale të banorëve të fshatit. Në gjashtë raste përkujtesa e vendlindjes vjen në këtë formë: Fshati aty ishte dhe vetëm njëherë kemi frazën Gurët aty ishin! , si tregues se gurët janë element i rëndësishëm, përfaqësimi për Dhërmiun, por edhe si një pikë reference e atdheut.

Në vijim kemi një ndryshim të vogël, që mbetet brenda thelbit të konturimit të pamjes së Dhërmiut dhe të adhurimit të autorit për vendlindjen, si një portretizim me penelime të holla dhe po kaq të ashpra. Diçka ndryshon: Dhe fshati aty ishte. Po ja që dhe gurët lëvizin.[8], një domethënie nëntekstuale, për ndryshimet që po ndodhin, në ato kohëra të vështira, dhe më gjerë, për të vijuar: Dhe fshati aty ishte. Kujtoheshin ditët e tërmetit.[9], e cila vazhdon me situatën: Dhe fshati aty ishte. Fshatarët e kishin zakon që ndonjëherë t’ia zinin derën ndonjërit për të kaluar darkën me shaka…[10], si nevojë e prishjes së rregullave, ndonjë herë, për ta thyer monotoninë. Përsëri rimerret situata: Dhe fshati aty ishte. Kaloi atë çast nga Ulliri i Muços Amalia, e vetmja grua që shkonte si qiraxhi me mushkën.[11], si përplotësimi i shenjave të përveçme të Dhërmiut, për të zbuluar dhe theksuar të gjithë cilësitë e tij, të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe me mjedisin, që në sytë e shkrimtarit, është parajsë. Për të vijuar me plotësimin e kontureve të banorëve hokatarë dhe dashnor të jetës: Dhe fshati aty ishte. Atë mbrëmje në kafenenë e Domo Dabos. Xha Foti nuk kishte nevojë të tregonte.[12], e cila në kapitullin tjetër, rimerret në këtë formësim: Dhe fshati aty ishte. Si zakonisht në fshat për politikë flasin ata që s’punojnë, ata që kalojnë kohën te Ulliri i Muços, te kafeneja e Domo Dabos.[13], një pohim befasues, që përgjithëson natyrën e shqiptarit, jetë e mot, me një rezonim edhe për aktualitetin ku jemi kredhur prej kaq vitesh. Forma e tillë, shfaqet në përshkrimin e stinës së dimrit: Dhe fshati aty ishte. Dimri nuk qe i fortë, po qe e fortë kriza për bukë.[14], që përplotëson kohën, krizën e bukës, të atyre viteve, duke fituar një status më të gjerë kumtesh. Përsëri thekson: Dhe fshati aty ishte. Furtunat e mëdha tregoheshin si ngjarje shumë të lashta.[15], si një rrethanë e theksimit të karakteristikave të Dhërmiut, për të ardhur gjer te situata e befasishme: Dhe fshati aty ishte. Dielli kishte rënë në ishuj, deti i gjerë çelte një horizont kujtimesh dhe mbresash të çuditshme.[16], për ta ulur siparin me një penelim përgjithësues të bukurive përrallore të tij: Dhe fshati aty ishte. Malet. Deti. Përrenjtë dhe bregoret me ullinjtë e shqyer prej tramundanës së luftës dhe me portokallet e rralluara.[17]. Pra situata e dytë, e formës Dhe fshati aty ishte, përsëritet dhjetë herë. Shtrirja në të gjithë hapësirën e romanit, si dhe theksimi i cilësive më të rëndësishme të Dhërmiut, vendlindjes së autorit, tregon se më së pari kemi të bëjmë me një roman për vendlindjen, madje në hapësirën e tekstit të romanit Një emër në katër rrugë, endet një përmendore e pazakontë, një përmendore letrare për Dhërmiun, djepin që e përkundi dhe e mban në gjirin e vetë.

Historia e kohës së projektuar

Një “Histori”, gjithnjë dhe vetëm letrare, si një fond që është i pranishëm në materien takstologjike, e shtrirë në të gjithë hapësirën, e kohës letrare të projektuar në këtë roman, si shtysë parake për ta projektuar në gjithë dimensioned, jetën e kohës, ndonëse është derdhur në përthyerejet imagjinare autoriale. Shoqëria e shqiptare e asaj kohe, ishte futur në sistemin e monarkisë, megjithëse kishin ndodhur disa përparime në fushën e ligjeve, e cila në fakt pati adhuruesit dhe mohuesit e vetë. Pikërisht në motet e monarkisë, që pati për mbret Ahmet Zogun, sado me nivel latent të shfaqur, kishte nisur edhe përhapja e ideve komuniste, sikur në një pjesë të madhe të lindjes, e cila atëbotë përhapej me shpejtësi, si një flamë e pandalshme. Në një kuptim real dhe metaforik, bota e re, pra bota e ideve të komunizmit, që atëherë shiheshin si përparimtare, ishin ngritur me forcë kundër botës së vjetër, të asaj kohe, botës së mbytur në prapambetje dhe shthurje morale, por e shtjelluar në faqet e romanit Një emër në katër rrugë, pra gjithnjë siç përçohet në hapësirën tekstologjike, në një dyluftim ekzistencial të jashtëzakonshëm. Për të hyrë në marrëdhënie me tekstin e romanit, vlen ideja e Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide.”[18] Megjithatë, kontributi më i vyer i tekstit të këtij romani, është sinoptika e realizuar, analiza e detajuar, që i bën shoqërisë së kohës, e cila plazmohet në dinamikën dhe tipizimin e karaktereve të pranishëm, të cilët realisht janë pasqyra më e mirë dhe më e plotë e asaj shoqërie, pikërisht të asaj kohe, e sendërtuar me dritëhijet e pashmangshme. Gjikë Nina, varësisht hapësirës tekstologjike, paraqitet në nivel të gjerë, në një moshë të madhe, mbetet përjetësisht i lidhur me fshatin, gjithnjë brenda rrethakut të vetë, përbën një shenjë të pranishme, por me rol specifik që të ruaj lidhjet me tokën dhe me rrënjët e kombit. Nga ana tjetër, të tre Gjikët e tjerë, ndonëse ecin në rrugë të ndryshme, ia kanë mbathur nga fshati, kush të iki sa më parë, sikur kanë marrë arratinë. Gjikë Argjiri, ka zgjedhur me shumë dëshirë që të përqafoj monarkinë, të jetë puthadorë dhe pushtetar i saj, ku madje bie në sy vizatimi tipik anadollak i këtij personazhi, ashtu siç autori sheh dhe trajton vetë monarkinë. Një figurë interesante, e ngjizur si e tillë në leksik, që arrin deri aty sa të flas simbas të folmes së Matit, për t’u bërë sa më i pëlqyeshëm të Lala dhe te mbreti, ku veprimeve qesharake të tij, që buron nga vetëdeklarimi i personazhit, i cili ecën pa u ndalur në rrugën e marrëzisë, e bëjnë një figurë reale dhe tipike të kohës. Gjikë Mërtiri, nga ana tjetër, është një figurë e ndërlikuar, nga më komplekset e letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe mjaft interesant në konturimin e tij karakterial, që është shkolluar për drejtësi në Francë, si një mundësi jo e zakonshme. Niveli i ngritur kulturor, e bën që të urrejë politikën dhe të jetë i distancuar nga monarkia, po aq është indiferent ndaj ideve të reja të komunizmit, gjë që e shpie atë deri në fatalitet, në ditët e para të pushtimit fashist të atdheut. Sjellja në vëmendje e një parashtresë për këtë zhanër: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“[19], ka vlerë të pazakontë për të hetuar shenjat e pranishme në materien e romanit. Në anën tjetër, Gjikë Bua, një personazh ide, si një zëdhënës dhe alterego e autorit, përfaqëson intelektualin e ri, që ka lënë fshatin dhe është vendosur në Tiranë, i cili me vetëdije ka përqafuar idetë e komunizmit, paraqitet si njeri i fjalës, njeri i veprimit. Figurimi i këtyre personazheve, në portretizimin fizik dhe moral, nëpërmjet narrativës, përshkrimit dhe replikave dialoguese të personazheve, ku më tepër i bëhet autopsia politike dhe shoqërore kohës, në prag të luftës botërore, si dhe të pushtimit fashist të Shqipërisë, është pasqyra e qenies shqiptare të asaj periudhe.

Pse u ndalua romani?

Fati i mbrapshtë i ndalimit të romanit Një emër në katër rrugë, duke e kthyer në karton në vitin 1973, me gjasë ishte paralajmërimi i fundit për autorin, e cila vijon me ndalimin e dramës Niku i Martin Gjinit, po në vitin 1973, që pasohet mandej me ndalimin kolanës, Poezi shqipe, P. Marko, si dhe me heqjen e të drejtës së botimit, në vitin 1974. Me interes mbi fatin e romanit, është një intervistë e autorit, dhënë në gazetën Drita në vitin 1973: Kam dhënë për shtyp një roman me titull “Një emër në katër rrugë”. Ngjarjet zhvillohen në kohën e regjimit të Zogut. Aksionin e kam vendosur në fshat dhe në Tiranë. Përmes fatit të katër personazheve që kanë një emër dhe që janë nga një fshat (një fshatar me traditat e vendit, një me kulturë-idealist, tjetri revolucionar dhe tjetri arivist, karrierist), jam munduar të jap armosferën e regjimit feudo-borgjez të Zogut. Romani ka shumë personazhe si mbreti Zog, Lalë Krosi, Musa Juka, Xheraldina, personazhe të tjerë si Xhiro, agjent i Italisë. Romani paraqet lëvizjen revolucionare në vendin tonë ashtu siç ishte në atë kohë. Skenat e fundit janë në dyqanin “Flora” ku lexuesi njihet me heronjtë e parë të Partisë.[20], që në një kuptim zbërthen, lidhur ngushtësisht me atmosferën e kohës, vetëm aspektin përmbajtësor të romanit Një emër në katër rrugë. Nisur nga akti i rileximit të tekstit, romani Një emër në katër rrugë, është njëra ndër veprat cilësore të autorit, për të gjithë elementët thadrues të zhanrit. Para së gjithash, ky libër, është nga të paktat tekste letrare, që e ka portretizuar Shqipërinë e para luftës, me nivel të ngritur estetik. Sa për për të prekur rrethanat e shkrimit, të romanit për vendlindjen, po sjellim në vëmendje klimën e kohës së botimit, që realisht përkon me konsolidimin e realizmit socialist, me të gjithë parimet që e kthyen letërsinë shqipe, në parullë të sistemit monist dhe të modelit të realizmit socialist. Petro Marko, me disa romane të botuara, si Hasta la vista, 1958, Qyteti i fundit, 1960, nuk e kishte marrë shumë në konsideratë, e vetëm pjesërisht në faqet e romanit Ara në mal 1967, modelin zyrtar të realizmit socialist, që në vitet ’70, të shekullit të kaluar, ishte tepër i fuqizuar, dhe madje kishte filluar gjuetinë e shtrigave mbi shkrimtarët bashkëkohanik. Në sugjerimin: “Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre…”[21], që davarit jo pak nga mjegulla e endur, kinse letrare në motet e monizmit, në Shqipëri. Megjithatë, shkaqet e ndalimit të romanit Një emër në katër rrugë, dramës Niku i Martin Gjinit, në vitin 1973 dhe i kolanës Poezia shqipe, Petro Marko, në vitin 1974, së pari duhen parë në dy rrafshe:

A – Jashtëletrare, sepse jeta e njeriut të lirë, prej rebeli të përjetshëm, duke qenë dëshmi e gjallë e Luftës së Spanjës, internacionalist idealist, kurrësesi një komunist dogmatik, që nuk e pati fatin dhe mundësinë që të bëhej anëtar i PKSH apo i PPSH, asnjë ditë, ishin rrethana për ta “lehtësuar” rrugën për ta goditur autorin dhe veprën e gjerë letrare. Petro Marko, në varësi të rrethanave të konsolidimit të realizmit socialist, kryesisht prej leximit biografik të teksteve letrare, gjithnjë në sytë e fitimtarëve të kuq, i kishte “disa kleçka”, pra disa njolla të errëta, që herë pas herë, ia zinin shtegun shkrimit letrar. Pohimi i M. Kunderës: Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës…[22], si një mesazh gjithkohor i ekzistencës së letërsisë si art me vlera estetike. Dalja e romanit të autorit, me titullin Një emër në katër rrugë, u prit me kundërvënie totale, të gjithë institucioneve, u prit sikur në skenën letrare të kishte rënë një bombë shkatërrimtare, në jetën shpirëtërore dhe letrare, të Shqipërisë së kredhur në betejën me liberalizmin, në fakt e vështruar në distancë kohore, me mullijntë e erës. Vitet 1973-1974, janë vitet ku PPSH, i kishte shpallur luftë liberalizmit, për dallim me vitet ’60 kur luftonte konservatorizimin, pra duke “shpikur” armiqër, në secilën dekadë. Atmosfera në art, muzikë, pikturë dhe në letërsi, në këto mote ishte tepër e nderë, ishte e rrezikshme të bëhesh pjesë e kësaj beteje asgjesuese për lirinë e artit, për lirinë e fjalës, me gjasë për ekzistencën e artit dhe të artistëve. Klima e ndezur ideologjike, e furtunës së ngritur, në kulturë, art dhe letërsi, do të kishte “kurbanët” e vetë, që do të aviteshin në tryezën e partisë-shtet si “koka turku”, për të goditur liberalizmin, prirjet ndikues nga letërsia “dekadente”. Arkivat dhe dokumentat e kohës, ofrojnë atmosferën e zymtë, betejën asgjesuese, ku shumë artistë dhe shkrimtarë u burgosën, u internuan, por më tepër u linçuan publikisht, si bartës të shfaqjeve të huaja, si përhapës të liberalizmit, duke nënkuptuar dekadentizmin e perëndimit.

Vështruar në distancë kohore, beteja asgjesuese kundër liberalizmit, e ku rrinte diktatura pa shpalluar armiq të përvitshëm, është një betejë kundër artit dhe letërsisë, kundër lirisë së fjalës, sidomos kundër lirisë së artit dhe letërsisë. Arkitektët, e luftës së pambarimtë, nga njëra betejë në tjetrën, për Petro Markon, njeriun e lirë, shkrimtarin e spikatur, rezervuan “një zgjidhje përvëluese”, me shpejtësi rrufe i ndaluan disa nga librat e tij në vitin 1973 dhe në vitin 1974, i hoqën të drejtën e botimit. Për një shkrimtar, aq më tepër për Petro Markon, që njihej botërisht si vullnetar i Luftës së Spanjës, për një poet dhe prozator të afirmuar, me gjurmë të rrokshme në lëvrimin e romanit, nuk kishte dënim më të hidhur. Kemi të bëjmë me varrosje për së gjalli, ashtu si vargjet e tij, të murosura në varrin e dëshmorit Ramiz Varvarica. Sapo doli romani Një emër në katër rrugë, nga maja e olimpit të partisë – shtet, nisi furtuna shkatërrimtare e Petro Markos, si dhe emrit të tij në marrëdhënie me letërsinë bashkëkohore. E gjithë partia ishte ngritur në këmbë për të fshirë nga faqja e dheut, përhapësin e liberalizmit, moszabtuesin e metodës së realizmit socialist, në këtë roman dhe në disa libra të tjerë. Mjafton të lexosh letrat e Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, dy njerëzve më afër diktatorit Hoxha, për të kuptuar stuhinë që ra mbi romanin Një emër në katër rrugë, e sidomos mbi shkrimtarin, për t’i dhënë një mësim rebelit të përjetshëm, njeriut të lirë, por më shumë për ta bërë model të shkatërrimit të njeriut, të intelektualit, të shkrimtarit, që lirinë e kishte mbi gjithçka. Letërkëmbimi në të njëjtën datë, në dhjetorin e vitit 1973, i dy sekretarëve të KQPPSH, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, syve dhe veshëve të Enver Hoxhës, tregon për lartësinë nga po binin rrufetë mbi romanin dhe shkrimtarin Petro Marko. Po i sjellim të plota letrat e dy njerëzve më të besuar të Enverit:

Letra e Hysni Kapos për Ramiz Alinë lidhur me romanin e Petro Markos

Shoku Ramiz

Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recensentë të librit që i ka ngarkuar Ndërmarrja e Botimeve. Recensionin e kanë bërë në nëndor 1972. Pra, kjo dëshmon se sa koncepte të gabuara kanë recensentët dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhën, Xoxen etj., që kur kanë parë recencën ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhesh ndrequr, kurse këta e shtypin. Unë mendoj se përveç masave shtetërore dhe materiale që duhet marrë ndaj tyre, të japin llogari edhe para organizatave bazë të partisë ku bëjnë pjesë. Gjithë këto materiale unë mendoj që t’i shohë edhe shoku Manush, mbasi të gjithë këto kuadro janë nën varësinë dhe si efektiv i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe Partia në rreth duhet të ketë dijeni të plotë dhe të ndjekë çështjet.

11. XII. 1973 Hysni Kapo[23],

Kjo letër nisi suferinën e përgaditur për të përzënë nga letërsia shqipe bashkëkohore Petro Markon, duke marrë shkas nga fushata e luftës kundër liberalizmit.

Shënimet e Ramiz Alisë për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e romanit të Petro Markos

Shoku Pipi

1. Lidhur me romanin e Petro Markos, siç del nga propozimet tuaja e të Ministrisë, të veprohet menjëherë: Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë edhe shoku Dritëro Agolli dhe Thanas Leci e Ali Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumente ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave. Por Manthua të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi të kritikojë librin.

2. Të shtrohet në organizatën bazë të Ndërmarrjes dhe të diskutohet përgjegjësia e Ali Abdihoxhës, që lejoi botimin e librit. Përgjegjësia e tyre është akuza më e madhe, sepse recensentët, siç që shprehen pozitivisht, kanë bërë vërejtje që romani duhesh ndrequr. Dalani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u mor parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.

3. Po kështu, në organizatën bazë duhet të kritikohet Llazar Siliqi e Dalan Shapllo. Llazari si redaktor kish edhe vërejtjet e recensentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën t’i ndreqte, pa lëre që edhe ky pranoi romanin. Dalani megjithëqë bëri vërejtje, disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra, të botohet? Askush nuk tërheq vëmendjen që ky libër është autobiografik. Pse kështu?

4. Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse. Edhe pushimi i Ali Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: Që nga Petrua te Llazari, recensentët e redaktorët. Sipas rregullave duhet të caktohet si do veprohet.

5. Libri të kalojë në karton, të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.

6. E kam thënë edhe një herë tjetër, në mbledhjen që kishim me gjithë përgjegjësit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet që të dërgojmë dorëshkrime, por mund të dërgojmë kopje të librave, pasi dalin tek ne në qarkullim. Të merren masa për të tërhequr librin e Petro Markos nga Kosova. Sidoqoftë në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje.

7. Këto materiale që keni në këtë dosje, t’i lexojë edhe shoku Manush, sepse Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të jetë në dijeni dhe të ndjekë ç’bëhet në institucionet e Tiranës.” [24].

Këtu jepen detajet e asgjesimit të romanit Një emër në katër rrugë, dhe duke e bërë shembull, të goditej dhe shkatërrohej përfundimisht shkrimtari, me contribute të vyera në letërsinë e viteve ’30 dhe në letërsinë bashkëkohore. Pas këtyre letrave, nisi fushata e Lidhjes së Shkrimtarëve, të autorëve dhe studiuesve, që lëshuan rrufetë e tmerrshme, mbi përhapësin e liberalizmit në letërsinë shqipe, të udhëhequr nga mendimi i partisë, i ideologëve të saj, i përçuesve të porosive të diktatorit Hoxha, është e mjaftueshme për të kuptuar se letërsia e realizmit socialist udhëhiqej nga partia dhe ishte shërbestar i ideologjisë së saj. Petro Marko, jo vetëm me këtë libër, po me personalitetin e formuar si njeri i lirë, si poet, prozator, romancier, publicist, qysh në vitet ’30, me “dokoratën” e Vullnetari të lirisë në Luftën e Spanjës, e mbi të gjitha me lëvrimin e romaneve, në shtjellat moderne, Hasta La vista, 1958 dhe Qyteti i fundit, 1960, i bënte hije sistemit monist, por edhe shkrimtarëve të tipit të ri, që pasi “shkatërruan” konservatorizmin në vitet ’60, ia kanë mësy “përqafimit” të liberalizmit ideologjik, të mësimeve të partisë, në vitet 70, që më në fund i pati konsoliduar tiparet e realizmit socialist.

B – Letrare, sepse nuk kemi ndarje klasike, bardhë e zi, të personazheve, por më shumë jemi në shumëngjyrësi alternativash, të përshkrimit dhe portretizimit të tyre, me gjurmë individuale karakterizimi. Katër rrugët, krejt të dallueshme të katër Gjikëve, tregojnë për rrokjen e larmisë letrare, që pothuajse nuk ka të bëjë në asnjë pikë, me modelin zyrtar të realizmit socialist. Katër rrugët e tyre, që shpesh duken si katër udhëkryqe, nuk kanë lidhje me ngushticën ideologjike, të një rruge të vetme, të socrealizmit. Figura më e plotë e romanit Një emër në katër rrugë, Gjikë Mërtiri, është figurë realiste, madje tepër komplekse, me jo pak prani të gjurmëve deheroizuese. Pra, nuk ka asnjë lidhje me tiparet e heroit pozitiv, por edhe të atij negativ, të realizmit socialist. Gjithnjë në logjikën e rileximit, sidomos fundi tragjik i Gjikë Mërtirit, Xha Fotit, Gjikë Ninës, Norës, e largon përfundimisht nga poetika optimiste e socrealizmit. Në praninë e linjave, në shumëngjyrësinë e mjediseve, në gdhendjen e personazheve, Një emër në katër rrugë, është një roman realist, ndonëse i shtjelluar me ngjyrat e satirës dhe groteskut, që gati – gati afrohet me tonet e realizmit magjik, si narrativë, strukturë dhe shprehësi.

Pra, jemi në një qerthullim, brenda dhe jashtëletrar, në kuptimin që materia e tekstit, figurimi i personazheve, diçka prej rrethanave të shkrimit, të sendërgjimit të realitetit letrar, e bartur në hapësirën tekstologjike, njëherit, diçka fsheh dhe zbulon nga misteri i kalimit në karton të këtij romani. Në mesin e figurave historike dhe letrare, të portretizuara nga shkrimtari, është edhe Demiri, që përkon me personazhin historik, Demir Godelli, një pjesëtar i rëndësishëm i grupeve komuniste, që në historinë zyrtare, i ka mbetur vetëm emri, sepse pothujase e kanë shmangur, ia kanë fshirë emrin. Për këtë figurë, sjellë disa të dhëna Kastriot Dervishi: “Në vitin 1931 Demir Godelli, (ka një fusnotë me numër 167, të cilën po e japim të plotë, shënim imi) dhe Ali Kelmendi vijnë nga Moska në Berlin… Demir Godelli (1896-1969). Nga Peqini. Arsimtar., përkthyes dhe aktivist politik. Një ndër pionierët e lëvizjes së majtë. Në vitet 1924-1932 emigron kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Pas kthimit në atdhe është ndër personat kryesorë për formimin e PKSH-së. Ushtron funksione shtetërore në komuna si dhe punon në arsim. Anëtarësohet më PKSH-në e Andrea Zisit gjatë luftës. Në vitet 1944-1947 është kryetar i këshillit të qytetit të Peqinit. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet për arsye politike me 7 vjet burg. i japin punë të rëndomta. Vdes në Peqin.”[25]. Këto të dhëna mbi figurën e Demir Godellit, janë të maftueshme për të kuptuar shkakun e vërtetë të ndalimit të këtij romani, si dhe goditjen përfundimtare mbi shkrimtarin, madje duke i hequr të drejtën e botimit në vitin 1974. Akti i figurimit si protagonist i lëvizjes së grupeve komuniste, me siguri nga censura e kohës është marrë si kundërvënie, sepse e nënkuptuan si rehablitim të kësaj figure. Në morinë e personazheve të shumtë, të pranishëm në hapësirën e tekstit të romanit, Demiri nuk është figurë qëndrore, por as episodike, pra është një personazh me peshë sa i përket përfaqësimit të grupeve komuniste. Po ashtu, mbase kjo është arsyeja kryesore, në faqet e romanit del edhe punishtja “Flora”, historikisht kur lidhej me figurën e Enverit, njihej si kafe “Flora”. Kuptohet shkërbimi i emrit, i natyrës së punëve që realizohen aty, është e drejta e autorit. Figura e profesorit, është periferike dhe jo pak e zbehtë, varësisht pikësynimit të autorit, porse kjo “mungesë” simbas hetimit të kupolës së monizmit, ishte arsyeja kreysore e ndalimit të romanit Një emër në katër rrugë. Figura e tij, në marrëdhënie me protagonistët, aq më tepër me përfaqësuesit e grupeve komuniste, është e zbehtë, madje krejt episodike.

[1] Petro Marko, Një emër në katër rrugë, Tiranë, OMSCA-1, 2001, f. 39.

[2] Po aty, f. 67.

[3] Po aty, f. 88.

[4] Po aty, f. 114.

[5] Po aty, f. 119.

[6] Po aty, f. 136.

[7] Petro Marko, Një emër në katër rrugë, Tiranë, OMSCA-1, 2001, f. 161.

[8] Po aty, f. 198.

[9] Po, aty, f. 220.

[10] Po aty, f. 244.

[11] Po aty, f. 266.

[12] Po aty, f. 280.

[13] Po aty, f. 300.

[14] Po aty, f. 325.

[15] Po aty, f. 366.

[16] Po aty, f. 392.

[17] Po aty, f. 421.

[18] Zhan Pol Sartri, Ç’është letërsia?, Tiranë, sh. b. elite 1998, f. 238.

[19] Gjergj Llukash, Teoria e romanit, Prishtinë, shb Rilindja, 1983, f. 127.

[20] Petro Marko, “Intervistë”, Tiranë, në gazetën Drita, 20 maj 1973.

[21] Harold Bloom, Si dhe përse shkruajmë, Tiranë, Botime Dudaj, 2000, f. 170.

[22] Milan Kundera, Arti i romanit, Tiranë, Toena, 2001, f. 158.

[23] Copyright@”Memorie.al”, Dashnor Kaloçi

[24] Copyright@”Memorie.al”, Dashnor Kaloçi

[25] Kastriot Dervishi, Lëvizja Komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë, Shb 55, 2016, f. 65.

Filed Under: LETERSI

Ekspozita retrospektive e piktorit Xhevdet Spahija

December 7, 2023 by s p

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/

Të shkëlqyera janë përshtypjet që la Ekspozita retrospektive e piktorit kosovar Xhevdet Spahija në galerinë e Bibliotekës së Korçës “Thimi Mitko” ku përtej figurave historike të Kombit Shqiptar si Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ismail Qemali dhe nënë Tereza, një paraqitje e veçantë u bë në kostumet tradicionale femërore shqiptare, pikërisht këtë ditë të veçante dhe pasi Xhubleta shqiptare u mbrojt nga “Unesco”

Kostumet e Spahisë, dallohen për veçantinë e tyre dhe gjallëruan në sytë tanë kujtime nga gjith folklori shqiptar me ndarjet e tyre gjeografike dhe historike. Çdo pikturë e tij përbën pjesë të çmuar të traditës dhe historisë sonë.

Për mua kjo Ekspozitë i jep një notë tjetër ngjarjeve historike dhe folklorit. Këto kostume të “qëndisura me detaje” tradicionale mbi telajo, kishin një “teatralitet” do thoja. Fityra grash që të jepnin ndjesine e një rishikimi historik, një rikthim në rrënjët tona, përmes kostumit tradicional dhe xhubletës. Ngjyra të veçanta të kombinuara bukur që na pushtuan imagjinatën dhe që na folën thellë në vetëdijen tonë kombëtare.

Megjithatë, në ekspozitë do gjejë dikush edhe figura kaçakësh dhe malësorësh duke kërçyer vallen karakteristike bashkë me kostumin përkatës, përshkrimin e mitit të Rozafës dhe të mitit të Minotaurit, ashtu siç e ka perceptuar krijuesi, por edhe natyrën femërore në shumë demisione të përditshme.

Veshjet tradicionale, të cilat ruajnë rreptësisht si trashëgimi kulturore format e jetesës të brezave të mëparshëm, konfirmojnë vazhdimësinë e jetës së një Kombi. Ato janë të lidhura ngushtë me shprehje të ndryshme të kulturës popullore dhe pasqyrojnë përvojat e psikikës popullore që përcaktojnë filozofitë, moralin, zakonet, gjuhën, besimet fetare, vallet, këngët tradicionale dhe artin popullor.

Tradita është një thesar i çmuar. Me ekspozita të tilla artdashësit e mbajnë dhe ua kalojnë brezave të ardhshëm. Vetëm kështu mund të dëgjohetën pulset e një vendi.

Duhet theksuar se Kostumet vezulluese, grash e burrash, të endura e të qëndisura, me ngjyrat e tyre të gjalla, me fijet e kuqe dhe të arta, me gjerdanet e tyre, me shallet dhe me stolitë e zbukuruara, kanë udhëtuar para se të vinin në Korçë, edhe në Gotëborg të Suedisë, në Zagreb të Kroacisë dhe në qytete të tjera evropiane.

Filed Under: Kulture

Albanian Brain drain! Human Capital Flight!

December 7, 2023 by s p

“Largimi i Trurit” nga Shqipëria, arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Dje, në emër të Diaspora për Shqipërinë e Lirë, kam pasur privilegjin të marr pjesë në Konferencën e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin, e mbajtur në Kombet e Bashkuara, N.Y. Diskutimi im në panel u fokusua në çështjen e rëndësishme të “Largimit të trurit nga Shqipëria” duke eksploruar arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Ç’ka më bëri pështypje gjatë konferencës ishte fakti se vendet e Amerikës Latine, quajtur ndryshe “Republikat e bananeve”, përballen me sfida të ngjashme në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Ky diskutim synon të hedhë dritë mbi rëndësinë e marrjes së masave për ikjen e trurit nga Shqipëria dhe zgjidhjet e propozuara nga Diaspora për Shqiperinë e Lirë.

Rëndësia e Arsimit dhe Kërkimit:

Diaspora për Shqipërinë e Lirë vlerëson se, një sistem arsimor i fortë është themeli për edukimin e brezave që vijnë dhe e udhëheqësve të ardhshëm, shumë të nevojshëm në zhvillimet e vendit. Është alarmante të analizojmë statistikat në të cilat individë të talentuar po largohen nga Shqipëria në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit.

Në statistikat mbi këtë fenomen, Shqipëria renditet në krye të listës, jo vetëm në Europë, por në nivel botëror. Gjatë vitit 2022 në burimin e mëposhtëm, kryeson Samoa, Jamaica, Palestina, Micronesia, Somalia, Eritrea, El Salvadori dhe në vend të tetë është Shqipëria.

Source: Fund for Peace, World Bank Official Boundaries

*Borders based on official boundaries shown by World Bank

Europa ka një % të moderuar të largimit të profesionistëve.

Mesatarja e 41 shteteve Europiane është 3.66. Sido në aspektin ndërkombëtar nuk është shifër e ulët, por sërisht ka raport të zhdrejtë në vende të ndryshme të Europës.

Sipas statistikave, Shqipëria kryeson listën në Europë me këtë index në vlerën 8.3 pikë, ndërkohë vendet që e vuajnë shumë pak janë: Suedia me 0.6 dhe Norvegjia 0.7 pikë.

Ky largim i profesionistëve, apo “ikja e trurit”, jo vetëm që e privon vendin tonë nga kapitali njerëzor i çmuar, por gjithashtu pengon zhvillimin e sektorëve të arsimit dhe kërkimit shkencor.

Arsyet dhe Pasojat:

Arsyet e largimit të trurit nga Shqipëria janë të ndryshme.

Faktorë si perspektivat e kufizuara në karrierë, pagat e ulëta, infrastruktura e pamjaftueshme dhe mungesa e investimeve në kërkim dhe zhvillim, korrupsioni, shërbimi shëndetësor i dobët, mungesa e shërbimeve sociale, sistemi i drejtësisë me probleme etj., kontribuojnë në eksodin e individëve të talentuar.

Pasojat janë të shumta, duke prekur ekonominë, inovacionin dhe zhvillimin e vendit.

Në sistemin e edukimit, ky element nuk mund të nënvlerësohet, pasi humbja e profesionistëve të aftë çon në mungesë të ekspertizës dhe një rënie të standardeve arsimore.

Gjatë konferencës, bëhej e qartë se vendet e Amerikës Latine përballen me sfida të ngjashme në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Konferenca ishte një mundësi e mirë për diskutime, bashkëpunim dhe ndarje të njohurive.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë propozon disa zgjidhje të mundshme për të zvogëluar largimin e profesionistëve nga Shqipëria:

1. Përmirësimi i Infrastrukturës Arsimore: Investimi në infrastrukturën arsimore do të tërheqë dhe do të mbajë individë të talentuar, duke u siguruar burimet e nevojshme për të shkëlqyer në fushat e tyre.

2. Stabilizimi i Kërkimit dhe Zhvillimit: Zgjerimi i mundësive dhe burimeve për iniciativat e kërkimit dhe zhvillimit do të nxisë inovacionin dhe do të krijojë një mjedis që inkurajon studiuesit të qëndrojnë në Shqipëri.

3. Promovimi i Bashkëpunimit: Ngritja e partneriteteve me universitetet dhe institucionet e kërkimit në vendet e huaja ku studentët shqiptarë preferojnë të studiojnë, do të lehtësonte shkëmbimin e njohurive, inkurajonte projekte të përbashkëta të kërkimit dhe do të krijonte mundësi për studiuesit shqiptarë të kontribuonin në përparimin botëror.

4. Krijimi i Stimujve: Ofrimi i pagave konkurruese, bursave, granteve dhe stimujve të tjerë do të inkurajonte individët e talentuar të qëndronin në Shqipëri dhe të kontribuonin në zhvillimin e saj.

Përfundim:

Konferenca e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin ofroi një platformë për të adresuar çështjen kritike të edukimit dhe kërkimit shkencor.

Në këtë kohë kur teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta, nevojitet të studiohet modeli arsimor, duke mos i futur të gjithë nxënës/studentë në një “palë këpucë” dhe duke përzgjedhur spektrin e metodologjisë, si dhe gjithëpërfshirjen.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri, duke e njohur atë si një përbërës të rëndësishëm në edukimin e brezave dhe udhëheqësve të ardhshëm. Duke zbatuar zgjidhjet e propozuara dhe duke krijuar një mjedis mbështetës, mund të zvogëlojmë largimin e profesionisteve dhe të hapim rrugën për një të ardhme më të ndritshme për Shqipërinë.

Bashkë, le të punojmë për të krijuar një sistem arsimor dhe kërkimor që jo vetëm të mbajë individët e talentuar Shqiptarë, por gjithashtu të tërheqë më të mirët dhe praktikat me eficente nga e gjithë bota.

Përgatitur dhe referuar;

Marjola Bejkollari

Anëtare kryesie e Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Filed Under: Komunitet

“DIELLI” ME SHQIPTARËT NË AUSTRI, TË MËSOSH SHQIP NËPËRMJET RADIOS

December 7, 2023 by s p

Desara Beqari Gjonej mësuese dhe producente e emisionit në radio “kikiriki-shqip me fëmijë” në Vjenë të Austrisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare dhe zhvillimin e mësimit shqip nëpërmjet radios si media me pjesëmarrjen e fëmijëve shqiptare në Vjenë dhe krijimin e një platformë komunikimi radiofonike më fëmijë shqiptarë kudo në botë. Me mësuesen Desara Beqari Gjonej bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË MËSOSH GJUHËN SHQIPE NË MËNYRË ARGËTUESE

Metodikat që premtojnë për nxënësit sukses në të mësuar janë ata që fokusohen në projekte, në lëvizje gjatë mësimit, në bashkëpunim në grupe, në lojëra, në muzikë etj. Ne këtë e vërejmë më së miri te fëmijët tanë. Shpesh çuditemi sa shpejt dhe sa mirë e mësojnë ata psh. gjuhën angleze. Mirëpo po ta shohim me vemendje aty nuk ka asgjë për t’u çuditur. Ora e mësimit në gjuhën angleze është e tëra një argëtim i vërtetë dhe njëkohësisht çdo gjë është e mirëmenduar nga ana didaktikore. Muzika dhe bota kompjuterike, lojërat e ndryshme që fëmijët i bëjnë në gjuhën angleze në shkollë dhe në kohën e lirë i bën ata ta përceptojnë shpejt dhe ta duan këtë gjuhë. Ky është një koncept didaktikor që rekomandoj të ndiqet edhe nga mësuesit e gjuhës shqipe në mësimdhënien e shqipes me fëmijët shqiptarë që kanë lindur dhe po rriten në Diasporë. Metodika e mësimdhënies është diçka mjaft komplekse, të cilën mësuesit duhet ta zhvillojnë rregullisht dhe pa komplekse. Unë jam e bindur që vetëreflektimi dhe trajnimet e vazhdueshme të mësuesve na afrojnë kurdoherë ndaj suksesit që duam të arrijmë me nxënësit tanë.

NJË EMISIONI NË RADIO PËR FËMIJËT E DIASPORËS

Emisioni “kikiriki-shqip me fëmijë” u transmetua për herë të parë në qershor 2022 pas disa muajsh parapërgatije nga ana ime. Ai krijohet nën drejtimin tim nga disa fëmijë shqiptarë në Vjenë për fëmijët shqiptarë kudo në botë. Ky emision transmetohet në radion e lirë austriake Radio Orange. “kikiriki-shqip me fëmijë” është një emision gjithëpërfshirës, që do të thotë, ne flasim shqip në emision, jemi online dhe mund të dëgjohemi në tërë botën. Fëmijët shqiptarë anë e mbanë botës jo vetëm mund të na dëgjojnë, por ata mund të bëhen lehtësisht redaktorë të emisionit tonë, duke na dërguar inçizime të zërit me poezi, këngë ose kuriozitete dhe humor, të cilat ne i vendosim në emisionin tonë live. Emisionet tona prej qershorit 2022 gjenden edhe në arkivë, në faqen tonë të internetit www.ejamene.com.

Me fëmijët e radios unë takohem rregullisht një herë në javë dhe ne përgatitemi për emisionin që do të mbajmë live një herë në muaj, në të dielën e dytë të çdo muaji: ne ushtrojmë fjalorin, të shprehurin, bëjmë ushtrime zëri si dhe përcaktojmë temat për çfarë do të flasim. Pra emisioni në radio është në fakt produkti i punës dhe mësimit tonë.

Për fëmijët primare është që ata po argëtohen me projektin e radios dhe as që e vërejnë se realisht ata nga takimi në takim po përmirësojnë dukshën njohuritë e gjuhës shqipe. Gjithashtu edhe në shkollë këta fëmijë janë më të vetësigurtë në prezantime dhe gjatë referateve që mbajnë vazhdimisht në gjuhën e vendit. Ata dinë si t’i zgjedhin fjalët, si të rrinë, si ta nxjerrin zërin, si të flasin qartë dhe kuptueshëm dhe dinë si të thonë gjërat më të rëndësishme në një kohë të shkurtër.

EMISIONI PËR TË GJITHË FËMIJËT SHQIPTARË, KUDO NË BOTË

Ky emision dëgjohet në të gjithë botën dhe natyrisht falë internetit ne mund të arrijmë shumë dëgjues. Në faqen e internetit madje ka edhe materiale shtesë, fletë pune dhe lojëra online në gjuhën shqipe që janë krijuar nga unë enkas për secilin emision. Kështu pra, fëmijët nuk janë vetëm dëgjues pasivë, por ata mund të punojnë dhe mësojnë me materialet shtesë si dhe mund të bëhen redaktorët tanë aktivë. Kjo është një nismë që po pëlqehet dhe ndiqet gjithandej. Fëmijë shqiptarë nga disa vende na janë bashkuar si reporterë nga bota – ata jetojnë në Gjermani, Suedi, Itali dhe Shqipëri. Gjithashtu neve na dëgjojnë edhe në orën e mësimit të gjuhës shqipe në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjërë. Emisioni është i njohur në shumë vende edhe falë mësuesëve të gjuhës shqipe dhe nëpërmes familjarëve që u rekomandojnë familjeve me fëmijë të moshave 5 – 15 vjeçare ta ndjekin këtë emision. Ky program ndiqet falas.

ARGËTIMI KËRKON SHUMËLLOJSHMËRI. PROJEKTI MË I RI…

Fokusi im është mësimi i nxënësve përmes argëtimit. Mirëpo siç e dimë argëtimi do shumëllojshmëri dhe nuk mbaron me kaq, prandaj as projektet nuk duhet të mbarojnë këtu. Projektit të emisionit në radio i bashkohet tani gazeta e parë në gjuhën shqipe për fëmijët e Diasporës. Ajo quhet “kikiriki-gaz(j)eta për fëmijë”, krijohet në Vjenë nën drejtimin tim nga disa fëmijë shqiptarë dhe lexohet në gjithë botën. Fjala “gaz(j)eta” mban në vete një lojë fjalësh – ne urojmë lexuesit tanë t’u shkojë jeta gaz e hare. Numri i parë i kësaj gazete u publikua më datë 28 nëntor 2023. Gazeta gjendet online dhe ofrohet falas – ajo mund të lexohet, shfletohet dhe madje mund të dëgjohet online në këtë link: www.ejamene.com/gazeta

RRËNJË DHE KRAHË

Me fëmijët e grupit “kikiriki-shqip me fëmijë” ne bëjmë edhe shfaqje për prindërit dhe publikun tonë të ftuar në sallë. Prindërit janë mbështetësit tanë më të mëdhenj dhe të rëndësishëm në këtë nismë. Shfaqja e ekipit tonë mbajtur në Vjenë, më datë 26.11.2023 me rastin e festave të nëntorit, ishte njëkohësisht edhe një festë donacioni, ku u mblodhën 430 Euro. Kjo shumë e dhuruar nga prindërit e fëmijëve “kikiriki-shqip me fëmijë” shkon e tëra në Fshatin SOS në Shqipëri në ndihmë të fëmijëve në nevojë – kjo ndodh përmes SOS Kinderdorf, Austri. Qëllimi ynë si prindër dhe si mësues është që fëmijët t’i njohin dhe t’i ruajnë rrënjët e tyre, mirëpo edhe të jenë më së miri të integruar në vendin ku kanë lindur dhe po rriten. Ndaj me grupin e fëmijëve “kikiriki-shqip me fëmijë” dhe me prindërit e tyre bëjmë edhe aktivitete të ndryshme që kanë lidhje me kulturën e vendit mikpritës, ku jetojmë. Tani në prag të vigjiljes së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ne pjekim biskota me fëmijët dhe i zbukurojmë ato siç është zakon në Austri. Gjithashtu ne takohemi edhe jashtë në qytet në tregun e madh të Krishtlindjeve dhe kalojmë një pasdite të bukur familjare shqiptare dhe vjeneze. Fëmijët e përjetojnë kështu gjuhën shqipe si një pjesë të bukur të idetitetit të tyre dhe e integruar natyrshëm në qytetin ku ato jetojnë. Fëmijët kuptojnë që këto dy kultura nuk e shtyjnë, por e mbështesin njëra-tjetrën për të nxjerrë në pah më të mirën tek secili prej nesh.

KUSH ËSHTË DESARA BEQARI GJONEJ?

Desara lindi dhe u rrit në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës. Studimet e larta për Filologji Gjermane dhe Histori Arti i përfundoi në qytetin e Gracit në Austri, ndërsa studimet e larta për mësuese në shkollën fillore i përfundoi në Vjenë. Jeton me familjen e saj në Vjenë dhe punon në një shkollë shtetërore vjeneze. Në kohën e lirë Desara zhvillon projektet e saja që kanë lidhje me mësimin e gjuhës shqipe për fëmijë në mënyrë argëtuese.

Filed Under: Opinion Tagged With: desara gjonej, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT