“Largimi i Trurit” nga Shqipëria, arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Dje, në emër të Diaspora për Shqipërinë e Lirë, kam pasur privilegjin të marr pjesë në Konferencën e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin, e mbajtur në Kombet e Bashkuara, N.Y. Diskutimi im në panel u fokusua në çështjen e rëndësishme të “Largimit të trurit nga Shqipëria” duke eksploruar arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Ç’ka më bëri pështypje gjatë konferencës ishte fakti se vendet e Amerikës Latine, quajtur ndryshe “Republikat e bananeve”, përballen me sfida të ngjashme në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Ky diskutim synon të hedhë dritë mbi rëndësinë e marrjes së masave për ikjen e trurit nga Shqipëria dhe zgjidhjet e propozuara nga Diaspora për Shqiperinë e Lirë.
Rëndësia e Arsimit dhe Kërkimit:
Diaspora për Shqipërinë e Lirë vlerëson se, një sistem arsimor i fortë është themeli për edukimin e brezave që vijnë dhe e udhëheqësve të ardhshëm, shumë të nevojshëm në zhvillimet e vendit. Është alarmante të analizojmë statistikat në të cilat individë të talentuar po largohen nga Shqipëria në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit.
Në statistikat mbi këtë fenomen, Shqipëria renditet në krye të listës, jo vetëm në Europë, por në nivel botëror. Gjatë vitit 2022 në burimin e mëposhtëm, kryeson Samoa, Jamaica, Palestina, Micronesia, Somalia, Eritrea, El Salvadori dhe në vend të tetë është Shqipëria.
Source: Fund for Peace, World Bank Official Boundaries
*Borders based on official boundaries shown by World Bank
Europa ka një % të moderuar të largimit të profesionistëve.
Mesatarja e 41 shteteve Europiane është 3.66. Sido në aspektin ndërkombëtar nuk është shifër e ulët, por sërisht ka raport të zhdrejtë në vende të ndryshme të Europës.
Sipas statistikave, Shqipëria kryeson listën në Europë me këtë index në vlerën 8.3 pikë, ndërkohë vendet që e vuajnë shumë pak janë: Suedia me 0.6 dhe Norvegjia 0.7 pikë.
Ky largim i profesionistëve, apo “ikja e trurit”, jo vetëm që e privon vendin tonë nga kapitali njerëzor i çmuar, por gjithashtu pengon zhvillimin e sektorëve të arsimit dhe kërkimit shkencor.
Arsyet dhe Pasojat:
Arsyet e largimit të trurit nga Shqipëria janë të ndryshme.
Faktorë si perspektivat e kufizuara në karrierë, pagat e ulëta, infrastruktura e pamjaftueshme dhe mungesa e investimeve në kërkim dhe zhvillim, korrupsioni, shërbimi shëndetësor i dobët, mungesa e shërbimeve sociale, sistemi i drejtësisë me probleme etj., kontribuojnë në eksodin e individëve të talentuar.
Pasojat janë të shumta, duke prekur ekonominë, inovacionin dhe zhvillimin e vendit.
Në sistemin e edukimit, ky element nuk mund të nënvlerësohet, pasi humbja e profesionistëve të aftë çon në mungesë të ekspertizës dhe një rënie të standardeve arsimore.
Gjatë konferencës, bëhej e qartë se vendet e Amerikës Latine përballen me sfida të ngjashme në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Konferenca ishte një mundësi e mirë për diskutime, bashkëpunim dhe ndarje të njohurive.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë propozon disa zgjidhje të mundshme për të zvogëluar largimin e profesionistëve nga Shqipëria:
1. Përmirësimi i Infrastrukturës Arsimore: Investimi në infrastrukturën arsimore do të tërheqë dhe do të mbajë individë të talentuar, duke u siguruar burimet e nevojshme për të shkëlqyer në fushat e tyre.
2. Stabilizimi i Kërkimit dhe Zhvillimit: Zgjerimi i mundësive dhe burimeve për iniciativat e kërkimit dhe zhvillimit do të nxisë inovacionin dhe do të krijojë një mjedis që inkurajon studiuesit të qëndrojnë në Shqipëri.
3. Promovimi i Bashkëpunimit: Ngritja e partneriteteve me universitetet dhe institucionet e kërkimit në vendet e huaja ku studentët shqiptarë preferojnë të studiojnë, do të lehtësonte shkëmbimin e njohurive, inkurajonte projekte të përbashkëta të kërkimit dhe do të krijonte mundësi për studiuesit shqiptarë të kontribuonin në përparimin botëror.
4. Krijimi i Stimujve: Ofrimi i pagave konkurruese, bursave, granteve dhe stimujve të tjerë do të inkurajonte individët e talentuar të qëndronin në Shqipëri dhe të kontribuonin në zhvillimin e saj.
Përfundim:
Konferenca e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin ofroi një platformë për të adresuar çështjen kritike të edukimit dhe kërkimit shkencor.
Në këtë kohë kur teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta, nevojitet të studiohet modeli arsimor, duke mos i futur të gjithë nxënës/studentë në një “palë këpucë” dhe duke përzgjedhur spektrin e metodologjisë, si dhe gjithëpërfshirjen.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri, duke e njohur atë si një përbërës të rëndësishëm në edukimin e brezave dhe udhëheqësve të ardhshëm. Duke zbatuar zgjidhjet e propozuara dhe duke krijuar një mjedis mbështetës, mund të zvogëlojmë largimin e profesionisteve dhe të hapim rrugën për një të ardhme më të ndritshme për Shqipërinë.
Bashkë, le të punojmë për të krijuar një sistem arsimor dhe kërkimor që jo vetëm të mbajë individët e talentuar Shqiptarë, por gjithashtu të tërheqë më të mirët dhe praktikat me eficente nga e gjithë bota.
Përgatitur dhe referuar;
Marjola Bejkollari
Anëtare kryesie e Diaspora për Shqipërinë e Lirë