Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/
Të shkëlqyera janë përshtypjet që la Ekspozita retrospektive e piktorit kosovar Xhevdet Spahija në galerinë e Bibliotekës së Korçës “Thimi Mitko” ku përtej figurave historike të Kombit Shqiptar si Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ismail Qemali dhe nënë Tereza, një paraqitje e veçantë u bë në kostumet tradicionale femërore shqiptare, pikërisht këtë ditë të veçante dhe pasi Xhubleta shqiptare u mbrojt nga “Unesco”
Kostumet e Spahisë, dallohen për veçantinë e tyre dhe gjallëruan në sytë tanë kujtime nga gjith folklori shqiptar me ndarjet e tyre gjeografike dhe historike. Çdo pikturë e tij përbën pjesë të çmuar të traditës dhe historisë sonë.
Për mua kjo Ekspozitë i jep një notë tjetër ngjarjeve historike dhe folklorit. Këto kostume të “qëndisura me detaje” tradicionale mbi telajo, kishin një “teatralitet” do thoja. Fityra grash që të jepnin ndjesine e një rishikimi historik, një rikthim në rrënjët tona, përmes kostumit tradicional dhe xhubletës. Ngjyra të veçanta të kombinuara bukur që na pushtuan imagjinatën dhe që na folën thellë në vetëdijen tonë kombëtare.
Megjithatë, në ekspozitë do gjejë dikush edhe figura kaçakësh dhe malësorësh duke kërçyer vallen karakteristike bashkë me kostumin përkatës, përshkrimin e mitit të Rozafës dhe të mitit të Minotaurit, ashtu siç e ka perceptuar krijuesi, por edhe natyrën femërore në shumë demisione të përditshme.
Veshjet tradicionale, të cilat ruajnë rreptësisht si trashëgimi kulturore format e jetesës të brezave të mëparshëm, konfirmojnë vazhdimësinë e jetës së një Kombi. Ato janë të lidhura ngushtë me shprehje të ndryshme të kulturës popullore dhe pasqyrojnë përvojat e psikikës popullore që përcaktojnë filozofitë, moralin, zakonet, gjuhën, besimet fetare, vallet, këngët tradicionale dhe artin popullor.
Tradita është një thesar i çmuar. Me ekspozita të tilla artdashësit e mbajnë dhe ua kalojnë brezave të ardhshëm. Vetëm kështu mund të dëgjohetën pulset e një vendi.
Duhet theksuar se Kostumet vezulluese, grash e burrash, të endura e të qëndisura, me ngjyrat e tyre të gjalla, me fijet e kuqe dhe të arta, me gjerdanet e tyre, me shallet dhe me stolitë e zbukuruara, kanë udhëtuar para se të vinin në Korçë, edhe në Gotëborg të Suedisë, në Zagreb të Kroacisë dhe në qytete të tjera evropiane.