• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË

December 2, 2023 by s p

(Në përvjetorin e lindjes)- “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e Kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, Presidenti Bill Clinton.

Frank Shkreli

Shpesh ndodh në historinë e kombeve – të mëdha e të vogla – që në rrethana e situata të caktuara, nga gjiri i një kombi dalin individë të cilët, me idetë e tyre, ringjallin dhe ndryshojnë jetën dhe historinë e kombit të vet. Unë besoj se i tillë ishte Dr Ibrahim Rugova, për shqiptarët. A thua është e rastit a po një mister hyjnor që çerek fundin e shekullit të kaluar, Dr. Rugova u bë zëdhënsi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe i mbarë Kombit shqiptar në periudhën post-komuniste. Individë të një kombi si Ibrahim Rugova, shpeshëherë dënohen prej fatit për të pësuar nga vet bashkatdhetarët e tyre, keqkuptim, kritika, vuajtje dhe në përgjithësi, mos-mirënjohje për kontributin e dhënë për të mirën e përbashkët. Në histsorinë e shqiptarëve, për fat të keq, mos njohja e meritave për njerëz të caktuar të historisë, nuk është gjë e re. Thuhet se as Gjergj Kastriotin -Skenderbe nuk e kuptuan aq mirë bashkohasit e tij.

Kam drojë se ky fat po ndjekë edhe Presidentin historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovën edhe pas kalimit të tij në amshim, megjithë kontributet e tija të shumta në historinë e re të Republikës së Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, sidomos, në ndërkombëtarizimin e “çeshtjes së Kosovës” dhe mundësive që ai krijoi për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Republika e Kosovës, duke bërë miqë për shqiptarët anë e mbanë botës, por veçanërisht Shtetet e bashskuara dhe demokracitë perëndimore..

Po e kujtoj sot Dr Ibrahim Rugovën, në ditëlindjen e tij, jo për të thënë ndonjë gjë të re për Presidentin historik të Dardanisë, pasi gjatë viteve kam shkruar dyzina artikujsh për veprimtarinë e Dr. Rugovës dhe për lidhjet e tija të veçanta me Shtetet e Bashkuara, por thjesht, po e kujtoj, shkurtimisht, për të mos e harruar!

Po kujtoj vizitën e parë të Dr. Rugovës në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë të vitit 1989, një vizitë që sipas disave, ndryshoi jetën e tij personale dhe historinë e Kosovës. Ishte një vizitë, që sipas vërejtësve të ngjarjeve të asaj kohe, hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri më vonë në Washington, me qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga vëmendja politike dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara, siç ishte deri në atë kohë, vaj medet për popullin shqiptar të Kosovës. Nga këndvështrimi i sotëm, mund të thuhet se Dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara Tetorin e vitit 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal dhe patriotik për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në cilindo nivel që ta hidhte fati. Pak pas kthimit të tij në Kosovë nga vizita në Washington ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë dhe nga pikëpamja historike shqiptare. Do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse, me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, Dr. Rugova shikohej si një zëdhënës i denjë dhe mbrojtës i besueshëm i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej. Me këdo takohej, bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Ndërsa, Presidenti George W. Bush e ka kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

Për më tepër, Dr. Ibrahim Rugova, si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e pa kushte të komunitetit shqiptaro-amerikan. Pothuaj pa dallim feje krahinash dhe pa marrë parasysh bindjet politike. Si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shëndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë e historike – e pa parë deri atëherë – në përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Një lëvizje kjo e papërsëritëshme deri më sot dhe nuk besoj se do përsëritet më, në historinë e këtij komuniteti – të pakën siç duken punët sot.

Kjo lëvizje e fuqishme lobuese është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar në Amerikë nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë nga trojet shqiptare, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

Dr. Rugova ishte i bindur se për Kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, me të drejta dhe me përgjegjësi të plota, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe përfundimisht, si pjesë e pandarë e organizmave Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të Kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke thekësuar shpeshëherë “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Ndryshe nga klasa politike post-komuniste shqiptare, Presidenti Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që regjimi komunist i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të Kombit shqipta, si Shtetet e Bashkuara. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të Kombit shqiptar si Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, Kombi shqiptar duhej të ndërtonte baza të reja dhe të forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe në themelet e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe patriotike të rilindësve të vërtetë shqiptarëve.

Ishin këto karakteristike, cilësi, parime por edhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të Kombit shqiptar, ato vlera që më në fund, e ndihmuan Dr Rugovën që të bënte miq për Kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në trojet autoktone në Ballkanin Perëndimor, ku kanë jetuar me shekuj.

Në këtë përvjetor të lindjes, Dr Ibrahim Rugova duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve, anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës shqiptar i kohërave moderne, i cili mbi të gjitha, besonte se dashuria për Kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e nderit personal dhe emrit të mirë shqiptar, në botë.

Frank Shkreli

Filed Under: Emigracion

Përkujtojmë 114-vjetorin e çeljes të së parës shkolle kombëtare pedagogjike në Shqipëri

December 2, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan. Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Drejtori i parë i saj u caktua z. Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE “ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL”, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË ANGLISË

December 2, 2023 by s p

Juliana Shalla, drejtuese e shkollës shqipe në Walthamstow, Angli, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Walthamstow, Angli, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Juliana Shalla bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

NJË SHKOLLË SHQIPE QË PREMTON SHUMË

Shkolla shqipe Abc Albanian Community school ka filluar vitin e kaluar më 5 nëntor 2022. Gjithcka nisi falë aktiviteteve kulturore, Community Talent show, Albanian Artists of Diaspora, Multicultural events, që kemi organizuar që nga viti 2018 deri tani dhe si rrjedhojë e kësaj hapëm dhe shkollën shqipe për të përgatitur fëmijët për festat e ardhshme ku marrin pjesë për të përfaqësuar Shqipërinë. Mësimi gjuhës shqipe është çdo ditë të shtunë ora 11-1 pm të drekës dhe ka grup mosha të ndryshme, mësojmë gjuhën shqipe dhe vallet autentike shqiptare. Ajo që na motivon më shumë janë femijet që kanë prindër të huaj dhe sa shumë dëshirë kanë që të mësojnë gjuhën dhe traditat shqiptare dhe jemi shumë të lumtur për interesimin e tyre dhe gjithashtu dhe fëmijët me prindërit shqiptare që jua ushqejnë fëmijëve gjuhën dhe traditat shqiptare.

ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL OFRON PËR FËMIJËT SHQIPTARË

Edukim të plotë të gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët.

Klasa shqipe në shkollen tone për të gjithë femijët shqiptare, ku përfshihet mesimdhënia e gjuhës shqipe dhe aktivitete kulturore.

Ofrojmë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore për fëmijët me qëllim që të krijojnë dashuri për vendin dhe kulturën e tyre si vallet tradicionale shqiptare.

Organizojmë aktivitete kulturore për të festuar festat kombëtare dhe te behemi pjese e aktiviteteve në komunitete ndryshme.

Një ndër arritjet tona është që jemi pjesë e eventeve kulturore në Komunën Walthamstow dhe përfaqësojmë Shqipërinë!

KURRIKULA MËSIMORE

Ne përdorim si kurrikulë mësimore programet që na ka ofruar Ambasada Shqiptare në Londër dhe punojmë me librat e tyre. Bashkëpunimi me prindërit është çelësi i suksesit pasi ato i shtyjnë fëmijët të vijnë dhe të mësojnë gjuhën shqipe pra ato e marrin këtë interesim që nga prinderit për ruajtjen e gjuhës e kulturës identitare shqiptare.

GJUHA SHQIPE RUAN IDENTITETIN SHQIPTAR

Mësimi i gjuhës shqipe është padyshim një formë e ruajtes së identitetit kombëtar. Është synimi ynë kryesorë dhe ne po e trashëgojmë tek fëmijët në çdo mënyrë, në trashëgiminë e kulturës, traditave, veshjeve kombëtare dhe gjëja më e bukur është kur e shoh edhe tek im bir Enea, i cili ndihet shumë krenar kur e pyes nga je dhe përgjigja e tij është jam nga Shqipëria, bën shqiponjën me duar dhe shoh një krenari në sytë e tij.

ANGLEZËT PËRKRAHIN MËSIMIN SHQIP

Shoqëria angleze është shumë motivuese dhe na përkrahin shumë kur shohin iniciativa të tilla dhe tani që jemi pjesë në listën e komuniteteve sapo ka ndonjë festë na bëjnë ftesë për të marrë pjesë komuniteti Shqiptare pasi në shume festa kemi marre shume vlersime dhe tashme per vitin e dyte rradhas jemi vlersuar si krenaria e komunitetit e qytetit Walthamstow. Mesimdhenia ka veshtiresite e saj por mesimi behet në dy gjuhet per arsye qe dhe femijet ta kene sa me te lehte dhe te marrin mbeshtetjen e duhur nga mesuesja.

GJUHA SHQIPE DHE RRITJA E NDJENJËS PATRIOTIKE

Efekti i gjuhës shqipe qe ka pasur tek femijet në rritjen e ndjenjes patriotike duket qartë tashmë. Çdo te shtune qe vijne femijet në shkolle i shohim qe zene shoqeri me bashkekombasit e tyre, disa prej femijeve kane krijuar shume lidhje te ngushta me shoket dhe shoqet saqe kur mungon ndonjeri pyesin ku eshte shoku im apo shoqa ime? Dhe kjo eshte shum gje pozitive pasi eshte ushqyer ai afrimitet mes femijeve Shqiptare.

AKTIVITETET DHE ZBULIMI I TALENTEVE

Kemi zhvilluar shumë evente ndër vite, një ndër të parët ka qenë në vitin 2018 me zbulimin e talenteve shqiptare:

✅”Albanian Talent show Uk”, 2018

Pastaj u pasua me:

✅”Albanian Future Stars”, 2019

✅International Golden Stars2020

✅Community Talent show, 2019

✅ Albanian Folk Fest 2019

✅Fashion Show Gala 2022

✅Multicultural event 2022

✅Albanian Professional & Students event 2023

KUSH ËSHTË MËSUESE JULIANA SHALLA?

Juliana Shalla, konsulente edukimi, me origjinë nga Librazhdi dhe me banim rreth 8 vite në Angli. Nënë e nje djali 7 vjeç e cila prej tij edhe gjen motivimin per te marre hapa te medha por edhe te veshtira. Ka mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe shkollën e mesme “Polis” në Mirakë-Librazhd. Ka mbaruar unversitetin për gjuhë angleze në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme ndërkombëtare për zhvillimin personal. Që prej vitit 2010 deri në 2015 ka punuar si mësuese anglishtje ne Shqipëri. Prej vitit 2015 deri në 2020 ka punuar si mësuese anglishte dhe me përkthime në Londër. Prej 2020 deri tani punon në një agjensi për rregjistrimin e studentave në unversitete dhe kolegje në Angli. Angazhimet e saj janë të shumta duke qenë e përfshirë në sektore të ndryshme në dobi të komunitetit Shqiptarë, duke i ndihmuar me udhëzimin për edukimin dhe punësimin. Është përfaqësuese e komunitetit shqiptar në zonën e Walthamstow në Waltham Forest Connecting Communities. Rreth 2 vite është drejtuese e një shkolle shqipe në zonën Walthamstow ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL. Që prej muajit prill 2022 e deri tani është pjesë e platformës Waltham Forest Women Networking dhe përfaqson gratë shqiptare! Është përfaqësuese e studentëve Shqiptarë në disa universitete të ndryshme. Se fundmi është drejtuese e JEI Education & Work services e cila është një kompani rekrutimi për studime dhe punësim në Angli në profilet: si infermjer, punonjës social, mësues, kamarier, në ndërtim dhe për kujdesin për të moshuarit.

Filed Under: Opinion Tagged With: juliana shalla, Sokol Paja

KËPUCËT E KOHËS…

December 2, 2023 by s p

Nga Kosta Nake/

– Rreth romanit “Këpuca e aktorit” i Visar Zhitit, Onufri 2022 –

Ky roman duket si një oqean ku qarkullojnë tri rryma të fuqishme teksa sipërfaqen e tij e trazojnë herë-herë me kërcime të befta krijesa nga bota shqiptare dhe jo vetëm.

Rryma e parë dhe kryesorja përfton sagën shekullore të një familjeje aktorësh e cila fokusohet te Hektor Tomorri në rolin e rrëfimtarit. Rryma e dytë përshkohet nga trysnia e shtetit diktatorial mbi individin duke krijuar vazhdimisht një shtresë njerëzish të persekutuar të cilëve nuk u buzëqesh asnjëherë dielli i fatit. Rryma e tretë është historia e Shqipërisë me ngjarje dhe karaktere që shërbejnë si guri kilometrazhi në rrugën e mundimshme drejt lirisë dhe shtetit të së drejtës.

1.

Sipari i ndodhive ngrihet me shembjen e Teatrit Kombëtar që zë nën rrënoja një aktor të shquar të vendit. Mbetur i izoluar, mes jetës dhe vdekjes, me një këpucë të zhdukur, parakalojnë vitet e përballjes së vështirë me skenën duke filluar nga gjyshi, të cilit ia patën vjedhur njërën nga këpucët që kur ishte në Normalen e Elbasanit. Përvijohet një rrugë e nëndheshme pacifiste që ka ekzistuar gjatë gjithë kohës në shpirtin e artistëve, por nuk arriti të ngrihet mbi sipërfaqe për të parë dritën e diellit, për të marrë ngrohtësinë e tij.

Këpuca shfaqet si detaj dhe kthehet në një simbol të shumëfishtë, në një refren që tejkalon arien familjare. Paraprihet nga thënia filozofike “Më thuaj çfarë vë në këmbë, të të them se ku do të shkosh” (f.51) dhe përforcohet duke u personalizuar me këpucën “Më thuaj ç’këpucë ke, të të them se ku do të shkosh.” (f.419) Këpucët janë diçka që na përcjellin ritmin e ekzistenës si qenie e vetëdijshme tokësore, shkarkojnë butësisht peshën e trupit tonë në rrugën mbi të cilën lëvizim duke marrë atributet e ambasadoreve, bëhen shprehëse të shpirtit që qëndron mbi to dhe identitetit të papërsëritshëm; ato janë metafora e udhëtimit të jetës.

Qenia me një këpucë, sjell analogen e vet, sandalen e Jasonit që ia mori lumi. Ka një paralelizëm biblik kur thuhet “e para është këpuca”, në vend të formulës “e para ishte fjala” me hamendjen se mund të ketë një histori 30 mijë vjeçare. Duke përcaktuar kush mund t’i vishte dhe sa rripa mund t’u viheshin sipas pozitës shoqërore, këpucët morën status të veçantë që te grekët e lashtë. Autori hedh në tregun etimologjik një shpjegim onomatopeik të fjalës angleze “shoe” gjatë fërkimit me rrugën.

Kontrasti i veshjes së këpucëve me ecjen zbathur mund të bëhet objekt analize: ecja zbathur është akt lirie, lehtësimi, kënaqësie, vetëdije, antikonformizmi, materializim i shprehjes tjetër filozofike “të qëndrosh me këmbë në tokë.” Stilisti francez Christian Louboutin thotë: “Një palë këpucë nuk janë vetëm një skicim, por edhe pjesë e gjuhës së trupit; mënyra se si lëviz përcaktohet krejtësisht prej tyre.” Këpucët në këmbët e një aktori marrin një kuptim krejt të kundërt si kufizime që lidhen me tekstin e gjinisë dramatike dhe kontekstin politik të ngjitjes në skenë.

Te romani i Zhitit këpucët shfaqen mbi oxhak te shtëpia e gjyshit “si një shenjë qytetërimi.” (f.71) Befas kthehen në mjet për shprehjen e revoltës, kur dasma zhvillohet në një mjedis të rënduar nga pesha e parrullave luftarake “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet.” (f.145) Më pas përmendet këpuca e Hrushovit në OKB, këpucët e Çarli Çaplinit dhe këpucët dëshpërimisht komike pikturuar prej Van Gogh, roli përcaktues i këpucëve dimërore në fitoren e ushtrisë ruse mbi nazistët, këpucët e të vdekurve në muzeun e holokaustit në Uashington.

Detaji rimerret kur aktori shtrihet në shtrat duke hequr vetëm njërën këpucë, jo nga lodhja, po “nga një brerje ankthëruese” sepse kishte punuar për skenën dhe nuk kishte qenë pranë familjes pikërisht kur kishte ardhur në jetë fëmija e tij, e para dhe e fundit; kur bija Iris vesh këpucët e atit dhe ai nuk e gjen njërën prej tyre; kur një qen ia merr me dhëmbë aktorit njërën nga këpucët, kur po lante këmbët me ujin që rridhte në amfiteatrin e Durrësit “me kujtesën e dramës”; kur shikon një buzëqeshje të begatë te “këpucët e çara” të një fëmije; kur poshtë ulëseve të avionit ngatërrohet një këpucë burrash me një këpucë grash, etj.

Këpuca merr një kuptim të ri kur kështu ngjan edhe ngrehina e teatrit që nxin në muzg, këpuca e ngushtë është vetë realiteti dhe Shqipëria është e gjitha një teatër. Një shtjellim i këtij simboli vjen sërish kur hidhet ideja e një skene në formë këpuce, simbol i ecjes, i ikjeve, ardhjeve. Kaq peshë merr këpuca në vepër sa në një dialog ngrihet në stadin e sindromës dhe më pas përligj edhe titullin e veprës: “Vetë skena është këpuca e madhe e aktorit.” (f.375)

Në skenën e teatrit bashkëshoqëruese të këpucëve në këmbë janë maskat mbi fytyrë, madje këto të dytat kanë mundësinë për t’u shtuar, ato janë këpucë të fytyrës. Përtej skenës, simbolika e këpucëve merr përmasa më të mëdha dhe ngarkesë filozofike “Vish këpucët e tjetrit, të gjesh se ç’hall ka.” (f.381) Miqësia është si këpuca, ose të rri mirë, ta mban këmbën ngrohtë, ose të shtrëngon dhe të vret. (f.415) Artistikisht kjo gjen shprehjen e vet te bukur në thënien e stilistit francez Roger Vivier: “Të veshësh ëndrrat në këmbët e dikujt do të thotë të fillosh të bësh realitet ëndrrat e dikujt.”

2

Fati i aktorit është i lidhur me problematikat që sjell në skenë. Në roman hidhet në diskutim shprehja “të hipësh në qerren e Thespit” si sinonim i mjeshtërisë së aktrimit dhe futjen në rrugën e përkryerjes. Qëndrimi për pak kohë në antikitet dhe aktorët tragjikë shfrytëzohet për të bërë edhe lidhjen: këpuca e tyre e vërtetë ishte talenti. Interpretimi i Hektorit në prani të Enver Hoxhës shënon një pikë kulmore të veprës që, pavarësisht vërtetësisë së ngjitjes së diktatorit në skenë për të ngritur aktorin e rrëzuar me një këpucë, tregon nivelin e lartë profesional të artistit, por mbetet i pakonsiderueshëm në një sistem ku prevalon partishmëria dhe “t’i futin këmbët në një këpucë,” (f.159) kur je i detyruar të ecësh pupthi me një këmbë. Prandaj duket përtej të përfytyrueshmes që njëra këpucë që kishte në dorë, kur iu afrua Enveri, të ushqente mendimin për ta përdorur si armë.

Teatri modern u zhvillua në oborret mbretërorë dhe u shërbeu atyre. Atributet e një oborri mbretëror i mori edhe pushteti komunist, por ideologjia që e ushqeu atë nuk kishte të bënte me lirinë e vërtetë dhe këtë e tregoi qëndrimi kategorikisht mohues që mbajti ndaj teatrit kur ofroi paqen klasore në vend të luftës së klasave e cila në thelbin e vet kishte marrjen dhe mbrojtjen e pushtetit. Një nga pretekstet që u përdor për largimin e të padëshiruarve nga pushteti, mbyllja e rrugës për arsimim të kualifikuar, ishte loja me biografinë. Enver Hoxha që i kishte thënë Hektorit “ti luan mirë”, në një bisedë imagjinare me atin e vdekur, kthehet në hije. “Më ndjekin nga pas këpucët e Enverit, ecin vetë, pa këmbët e tij, janë bosh.” (f.243) Lavdërimi plotësohet nga realiteti “por nuk mund të luash me ne, harrove i kujt je?” (f.253) Një duel banal midis babait aktor të Hektorit dhe një partizani në fund të luftës, përfundon me vrasjen e babait dhe njollosjen e familjes që vazhdon gjatë gjithë viteve të diktaturës së proletariatit. Sa e sa intelektualë kanë pëshpëritur me vete “Hesht dhe harro” (f.174) sepse ishte njëlloj sikur t’i bije murit me kokë. Sa e sa kanë pëshpëritur “hesht dhe kujdes” sepse mjedisi ishte i infektuar nga spiunë të shumtë. (f.228) Ka një listë të gjatë aktorësh e regjisorësh që mund të identifikohen lehtësisht me të vërtetët, si Jero Minushi, Misha Luari, Adil Paçraku, Gjin Miho, Kujtim Vogli, Gjokë Viktori, Robert Budi, opinionistët Frrok Nano, Albert Çupi, Mustafa Rakipi, parodisti Artur Llaku, etj. Ideja e luftës së klasave që nuk pushon, jepet me paralajmërimin e pritjes së një “dallge” tjetër.

Autori zbardh fatin e aktorëve: “ishim qenie midis maskave të gjalla dhe këpucëve, na lëvizën siç deshën të tjerë dhe na hidhnin si të donin,” (f.350) rikthehet herë pas here në bashkëkohësi me konstatimin e hidhur “e kanë braktisur teatrin, se dramat janë nëpër rrugë,” (f.340) konkludon me hidhërim “s’kemi patur ndonjëherë teatër të vërtetë, ashtu siç ka mbetur sot një vjetërsirë së jashtmi, ka qenë një vjetërsirë e keqe dhe nga brenda, gërmadhë.” (f.412)

Rryma e dytë fillon me fjalinë e tretë të librit: “…kishte kaluar mesnata… Në atë orë bëheshin dhe pushkatimet…” (f.9) Që në vitet e luftës pushteti i ardhshëm kishte treguar disa tipare jakobine, gjyqi partizan pushkatoi një partizan, as tradhëtar, as dezertor, vetëm i dashuruar me një vajzë partizane.” (f.99) Është një tendencë e dukshme e autorit për të thënë se edhe pas tri dekadash tranzicion ka ende për të dëshmuar për raprezaljet dhe krimet e komunizmit. Siç e përcakton edhe vetë romancieri, ripërsëritja e rrethanave dhe ndodhive kultivon tek artisti maninë e persekutimit dhe konkludon “të burgosurit politikë i përdorin vetëm për protesta e greva dhe i mashtrojnë të parët…” (f.381) “Ish të burgosurit politikë djegin veten për Shqipërinë, politikanët djegin Shqipërinë për veten e tyre.” (f.383) Duke qenë edhe vetë përfaqësues i kësaj shtrese, autori duket sa i përfshirë, aq edhe i barazlarguar nga krahët e politikës.

3.

Rryma e tretë e romanit është një paralele mes fatit të aktorit dhe fatit të kombit që fillon me një vështrim mbi Marrëveshjen e Mukjes; ka një skaner të jetës së fshatit socialist, ku do zbulohet edhe këpuca e vjedhur e gjyshit; vjen një Lej Fen shqiptar që quhet Jorgji Gërshëra; spiunët të veshur me pelerinën e artistit mediokër përfaqësohen nga Çaçoja; nuk lihen jashtë vëmendjes firmat piramidale dhe trazirat e ‘97-s; hidhet një vështrim mbi qendrën e përçudnuar të Tiranës së sotme; ndalon për pak çaste te politika e ditës duke hedhur në telajo portretet e krerëve të dy partive kryesore, shikon edhe një çizme farfuritëse që fluturon si shpend në parlament; mbështet protestën për të mbrojtur teatrin nga shembja e paralajmëruar, “Vetëm teatri është i vërtetë… prandaj duan ta prishin” (f.402); sjell plot adhurim Shën Terezën shqiptare e cila e bën aktorin të ngrihet në këmbë i ringjallur dhe të ndiejë demonin në këpucë; zbulon te pandemia një rikthim të detyruar, por të bukur te jeta familjare.

Kërcejnë mbi sipërfaqen e oqeanit krijesat e para të quajtura “sabote” dhe sjellin historinë e këpucëve të drunjta të cilat u përdorën nga punëtorët si dëmtuese të maqinerive; krijesa e dytë është poeti nobelist grek Odisea Elitis si dëshmi e një fqinjësie me dy faqe të ndryshme; pas tij vjen Kasëm Trebeshina.; shfaqet Plauti me komedinë “Menehmët” që i vendos ngjarjet në Epidamnusin tonë dhe Shekspiri me komedinë “Nata e dymbëdhjetë” me skenë ilirike; për herë të parë thuhet se në Rumani nuk u pushkatua Çaushesku me të shoqen, por sozitë e tyre; përmenden me nderim vëllezërit Belushi; kalohet deri në Etiopi me maskat e fisit suris; preken marrëdhëniet me Greqinë dhe reagimin pas filmit që bazohej mbi ngritjen e varrezave të ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke; debatohet për filmin e parë shqiptar; përfshihet lufta në Ukrainë dhe Zelenski president dhe aktor.

Duke e krahasuar këtë roman me oqeanin, mund të bëjmë një ekuivalentim me investimin më të madh letrar të autorit, sepse brenda kësaj hapësire të paanë ka dhe dy monumente të artë, për atin dhe birin, madje Atjoni vjen me emrin e vërtetë, një meteor që shfaqet dhe digjet në qiellin shqiptar.

Filed Under: LETERSI

“Ikona madhështore e popullit shqiptar, Isa Boletini”

December 2, 2023 by s p

Nga Mimoza Dajçi

Fotot nga Armend Murati/

Nënshkruesi i Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali i tha: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”.

Sapo festuam 111 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku pranë figurës së Plakut të Urtë të Vlorës Heroike Ismail Qemli kemi edhe portretin Heroit të Kombit Isa Boletini, i cili ishte një ndër besnikët e Ismail Qemalit. Isa Boletini në ditën e Pavarësisë hyri triumfator në qyetin e Vlorës bashkë me 400 trimat e tij të armatosur kosovarë.

Më shumë se forca e tyre vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur se Ismail Qemalin e mbronte Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër Pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin Plakun e Vlorës. Isa Boletini nuk dorëzohej e nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54 vjeçare fitoi të drejtën të quhej “Bacë” titull që nuk fitohej lehtë ato kohë.

Më 15 Janar të vitit 1864 erdhi në jetë Heroi i Kombit tonë Isa Boletini, po në këtë muaj më 23 Janar 1916 plumbat e armikut i morrën edhe jetën. Lindi në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës. Isa është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë e çdo momenti historik për shqiptarët. Prindërit e tij ishin patriotët e njohur të Kosovës martire Ajshe dhe Adem Boletini.

Historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit është historia e një patrioti legjendar që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i tij dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar. Isa Boletini ky bir i thjeshtë e i dashur i popullit të Mitrovicës heroike, i pasur, por i varfër deri në vdekje, pasi gjithë pasurinë e vuri në shërbim të vatanit e luftës për paqe e liri. Pa dashur të përfitoj tituj e ofiqe nga veziri i Turqisë kthehet pranë Kullës, familjes e njerëzve të tij për të vazhduar amanetin e të parëve të tij, të atit Ademit e vëllait të madh Ahmetit, të cilët u vranë që tokat shqiptare të jenë të lira e të pauzurpuara`nga turqit, shkjau dhe pushtuesit e tjerë.

Vrasja e vëllait të madh Ahmetit në vitin 1894 e tronditi shumë Isën. Atë kohë ishte tepër i ri, vëllanë e madh Ahmetin e donte dhe e dëgjonte shumë. Pas vdekjes së të atit, Ademit në vitin 1875, Ahmetin e kishte në këmbë të Tij, e fjala e tij përbënte ligj për të. Por sigurisht edhe Ahmeti e donte dhe e çmonte shumë vëllanë e tij më të vogël Isën, e mbante afër në Odën e burrave e nëpër beteja kundër armikut. Edhe Ahmeti njihej si patriot i madh, i zgjuar, strateg në luftë kundër turqve e serbo malazezëve që përpiqeshin me çdo kusht të zaptonin tokat shqiptare, prandaj edhe armiku e kishte vënë në shënjestër për t’a vrarë. Hajrie dhe Tafil Boletini që jetuan në Tiranë ishin fëmijët e Ahmetit.

Isa i doli ballë familjes së vëllait të vrarë, megjithëse tepër i ri në moshë, fëmijët e vegjël të Ahmetit pa dallim i njohu si bijtë e tij, i edukoi nën frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë në Kullën e Boletinëve, në Mitrovicë. Tafili pasi kreu studimet e larta në Turqi u thye në atdhe. Isa nuk e ndante për asnjë çast Tafilin nga vetja, e kishte krahun e djathtë të tij. Edhe në rrugëtimin e madh historik për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 e kishte pranë. Por edhe në fundin tragjik të vrasjes së tij, djemve Halilit dhe Zaidit, që ishte student në Vjenë, nipave (djemtë e Ahmetit – Haliti dhe Jonuzi) Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi, në urën e Ribnicës në Podgoricë, më 24 janar 1916, Tafili ishte pranë Tij. Rasti solli të ishte gjallë e dëshmimtar okular i asaj tradhëtie fronko – malazeze – serbe që tronditi botën.

Tafil Boletini ishte daja i babait tim, deri në ditën kur humbi jetën aksidentalisht në Tiranë, vinte shpesh në familjen tonë. Jetonte tek e bija Shemsija e familja e saj, na la pas dhimbje të madhe. I pëlqente dhe e tërhiqte biseda me tim atë, si dy intelektualë të mirëfilltë e si prindi me të birin flisnin qetë, shtruar për hallet e jetës, familjes duke përmendur edhe ngjarje, data, kujtonin gjysh Ademin, guximin e Nënë Ajshes, Ahmetin, Isën e plot trima të asaj familje e luftëtarëve të tjerë që shkrinë çdo gjë për Kosovën e popullin shqiptar. Isha fëmijë, por shpesh qëndroja pranë tyre e dëgjoja me vëmendje, se si ishte ndërtuar historia e familjes tonë. E kisha xhan Dajë Tafilin, vëreja që edhe ai më donte shumë. E dija ditën kur vinte tek ne e me padurim prisja të dëgjoja prej tij ngjarje dhe histori të rralla.

Prof. Rabije Rrahmani që jeton në Angli, mbesë e Isa Boletinit, vajza e Shehides, bijës së Isa Boletinit thotë mes të tjerave se, Isa qëndronte me vite larg familjes, larg kullës nëpër luftime e fëmijët e tij ndjenin shumë mall për të. Në një rast kur ai u kthye në kullë, vajza e tij Ajetja, thërriti motrat e saj: “Motra, shikoni kush ka ardhë, shikoni kush ka ardhë”. Por armiku nuk la që Isa Boletini të gëzonte me praninë e tij familjen, vatanin dhe lirinë e tokave shqiptare. I morrën jetën në moshën më të mirë, kur familja e kombi kishin shumë mall e nevojë për Atë.

Në lidhje me vrasjen e Isa Boletinit flet edhe mbesa e Isa Boletinit Ariana Hoxha, e bija e Bahries, vajzës së Shehides që jeton në Gjakovë. Më pat tregu nëna Shehide – Ana siç e quanim ne (vajza e Isës, gjyshja Arianës) se nëna Ajshe ka qenë gjallë dhe ka hap derën për ngushëllime se ju pat ardhë lajmi, se u vra Isa me djemtë e trimat e tij. Isa ka pas me ardhë në Mitrovicë se ka pas me martu njërin prej djemve të tij.

Dhe të nesërmen në mëngjes në qendër të Mitrovicës, aty ku ka pas Isa kullën, ishin grumbulluar disa gra serbe të veshura me të zeza duke kënduar e vallëzuar që është vra Isa me djem. Nëna Ajshe në atë kohë ngrihet dhe gjuan në ajër me koburen që e mbante gjithmonë në brez dhe ato nga frika largohen të shpartalluara. Nevrikoset nana Ajshe tregon Ariana dhe u thotë nuseve dhe bijave: “Qysh dje dhe sot dera për të pame ka me qëndru e hapun. Keni me u çu e më bë gati për darsëm dhe tre ditë darsma ka me zgjat. Me i tregu serbisë që kemi ende djem me u martu e kur mos mu faru Boletint”. Urdhëri i Ajshes ishte i prerë. Dhe të nesermen është bërë darsëm e madhe saqë militiku është dridh në kalldrëm prej tupanave e i kish hap dyert që krejt Mitrovica e krushqit me ardhë e me hangër në darsëm.

Ariana flet edhe për anën humane të Isa Boletinit në ndihmë të popullit të tij të varfër.

Isa, bashkë me djem dhe me bashkëluftëtarët mbërrijnë në Gjakovë dhe vendosen në një Han – Bujtinë dhe i thotë Zotit hanit. Na i lidh kuajt dhe qitju të ushqehen e të pushojnë se duhet të nisemi herët në mëngjes për Shqipëri. Edhe të gjithëve q’ka ke na shtro të hamë darkë se jemi të lodhur.

I zoti i Hanit i thotë, Isa Beg e kemi Gjakovën me rrethin duke vdek nga uria, nuk kemi qe disa muaj as grurë e as misër.

Nuk di qysh po mbijeton ky popull !?

Kam veq pak kaqamak se diqka tjeter nuk kemi .

Isa nervozohet më të zotin e hanit. Pse nuk jeni ardh në Mitrovicë me tregu gjendjen që gjindeni!? Për kon po luftoj, për kon po kontriboj për popullin tim e për vendin tim. Mirë qiti qato q’ka ka so problem.

Thërret dy djem e disa bashkëluftëtarë dhe ju jep detyrë që net pushojnë edhe herët mëngjes keni me shku në Mitrovicë me marrë qeset me napolona edhe ku ka hangare e depo ushqimi nëpër Kosovë me ble. Mos boni pazare, po bleni gjdo gjë që nevojitet, grun misër vaj, kripë, sheqer, pasul dhe ngarkoni kerret me kuaj edhe vini në Gjakovë e ja shpërndani popullit. E mos të ndëgjoj më që populli im i Gjakovës të mbetet pa bylmet.

Kështu që misionin djemtë e kryn me sukses edhe amaneti Isës o shku në vend, thotë Ariana.

Ndërsa Prof. Fetah Bahriti i cili në studimin e fundit të tij “Rrëfimi i padëgjuar për Isa Boletinin në Vlorë” flet për rolin e Isa Boletinit në ditën shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Bashkë më Ismail Qemalin, shkruan ai, e me patriotë të tjerë shqiptarë, dallohet edhe figura e shquar dhe legjendare e Isa Boletinit. Pjesë nga libri i Prof. Fetah Bahritit. – Në ditën kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë unë i kam pasur 18 vjet. Atë ditë dhe atë ngjarje e mbaj mend si sot. Po më duket se po e shoh me sy edhe tani… Ismail Qemali me shokë e shpallën pavarësinë, e shpallën Shqipërinë shtet. E shihni këtë bulevard këndej?… Këtu ka qenë përrua, andej përtej kanë qenë arat. Ja aty!… Aty kishte gardhiqe me hunj të thjeshtë me të cilat ishin të ndara arat e parcelat…Këtu ishin tubuar shumë njerëz me nga gjysmë opinge, me nga një gjysmë kësule, me këmisha të gjata e të shqyera, lloj-lloj njerëzish, lloj-lloj veshjesh! Këndej u shpall shteti i shqiptarëve, e këta këndej, kundërshtonin! Çfarë Shqipërie more! Kjo është Turqi! Kjo është Greqi!… Nuk duam shtet çfarë e doni ju! Nuk dihej se çka po ndodhte dhe nuk kuptohej se ku e si do të dukej fundi i gjithë kësaj.

Po më duket se po e shoh Isain! Mbërrijti, i lumi, nja dy-tri orë pasi që u shpall shteti! Zbriti nga kali. Ja këtu, mu këtu… S`e kam pasur as pesë metra larg. Me të ishte edhe një kolonë kalorësish kosovarë. Secili më i pashëm se tjetri! Secili më kreshnik se tjetri! Se cili më i zoti se tjetri! Isai vetë – dy metra mashkull! Ismail Qemali me shokë e pritën si është më së miri. Të gjithë e përqafuan Isain, edhe kosovarët e tjerë që ishin me të.

Ata që ishin grumbulluar këndej e që kundërshtonin nuk i ndalnin brohoritjet dhe kundërshtimet. E kam dëgjuar me veshtë mi Isa Boletinin kur e pyeti Ismail Qemalin: ‘Po çka janë këta? Çka po donë këta, more?…’. Ismail Qemali dhe tre-katër delegatë të tjerë që ndodheshin më afër tij i folën Isait me zë të ulët, gjë që unë nuk munda të dëgjoja se çka i thanë. Por e kam dëgjuar Isain kur me pak fjalë u është drejtuar kosovarëve që e shoqëronin: ‘Burra! Rahatoni këta këndej, veç mos i dëmtoni’. Kjo ‘mos i dëmtoni’ më vonë u pa se kishte domethënien ‘mos i vritni’. Kosovarët filluan zbatimin e urdhrit.

Sa çel e mbyll sytë kosovarët i shkulën të gjithë hunjtë dhe me ta filluan t`i rrahin të gjithë ata që ndodheshin afër e që kundërshtonin themelimin e shtetit të shqiptarëve. E tërë turma kundërshtare u shpërnda rrufeshëm dhe shteti ynë vazhdoi të jetojë e të funksionojë.

Dijeni se Isa Boletini me kosovarët e tij atë ditë e shpëtoi Shqipërinë dhe shtetin tonë.

E ju, paçi faqen e bardhë dhe paçi fat! Edhe sot ne këtu ymydin e kemi te Kosova dhe te kosovarët – përfundoi rrëfimin e tij plaku i Vlorës”.

Mbi figurën historike të Isa Boletinit edhe Klan Kosova ka rikthyer pjesë nga libri i Prof. Fetah Bahritit. Në një rrëfim të nipit të Isa Boletinit – Armend Murati, i biri i Remzi Muratit, nana e të cilit ishte Shehidja e bija e Isa Boletinit, e që Remziu ishte i vetmi nip nga familja Boletini që solli eshtrat e Isës, në kohë tepër të vështira para luftës në Kosovë, sëbashku me Muhamet Shukriun. Sot djali i tij Armendi, i cili ka në duar origjinalin e gazetës “Përparimi” botuar në vitin 1916 në New York, është shkruar rreth mbritjes së Isa Boletinit në Vlorë më 28 nëntor 1912. Bazuar edhe tek ky dokument, është fakt thotë ai që, Isa Boletini siguroi mosdështimin e krijimit të shtetit shqiptar më 28 nëntor. Po kush tjetër përveç Isa Boletinit me ushtarët e tij do të siguronte shtetësinë e Shqipërisë edhe pse ishte i sëmurë rëndë me malarje. Xhonturqit e kundërshtuan ngritjen e Flamurit, pra sipas fakteve të njohura ishte Isa Boletini, i cili mposhti kundërshtarët dhe siguroi Vlorën në kohën pas shpalljes së pavarësisë. Ngase u krijua një vakuum politik vijon Armendi, por Isa bëri që ngritja e Flamurit të mos dështoj. Ky thotë Armendi është ndoshta një nga kontributet kryesore të Isa Boletinit. Në fakt, policia e parë shtetërore e Shqipërisë ishte pikërisht e përbërë nga ushtarët e Isa Boletinit.

Një guxim madhor e historik e shtyu trimin e Kosovës martire që të ndërrmerte udhëtimin kalorsiak drejt firmosjes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Pavarësisht rreziqeve të rrugës, dimrit të egër e armikut të pabesë, shoqëruar nga djemtë e nipat e tij dhe me mbi 400 luftëtarët e lirisë, që nuk e lanë vetëm, por sëbashku u nisën drejt Vlorës heroike të Isamil Qemalit. Dhe ashtu me nderim të thellë e dashamirësi u prit Isa Boletini nga Plaku i urtë i popullit të Vlorës, ku u ul në gjunj me respekt para Flamurit të Kuq me Shkabën Dy Krenare.

Bacë Isa si një figurë embelemë historike me kapacitete botërore është bërë i njohur përveç të tjerave edhe për ngjarjen në Londër. 1913, kohën kur Delegacioni Shqiptar do të takonte Ministrin e Jashtëm të Mbretërisë Eduard Grejin. Në hyrje roja i kërkoi me xhentilesë të dorëzonte revolverin. Isa u bind e i’a dha pa fjalë. Pasi përfunduan bisedimet Ministri Anglez Greji i tha me shaka: “Nesër gazetat do të shkruajnë se, atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër”. Por përgjigja e Isa Boletinit ishte e menjëhershme: “Jo besa Lord, as në Londër jo”. Dhe nxorri një tjetër revolver që e mbante fshehur në brezin e mesit.

Shumë ngjarje, sakrifica e mundime do të kapërcente Isa me trimat e tij në kohë e periudha të ndryshme. Stoik e Vital del portreti i tij fisnik para çdo kujt qofshin edhe njerëz të pushtetshëm botëror të kohës. Kam parë disa video të hedhura dhe artikuj sporadikë kundrejt Heroit Isa Boletini, por këta individë më shumë e lartësojnē Figurën e Tij, që si uragan i fuqishëm buron çdo ditë nga shpirti i shqiptarëve, e nuk e ndal dot më askush. Mos të harrojmë Ballistin që ngriti Flamurin “Autochthonous” në mes të stadiumit të Beogradit, me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Këngëtaren e njohur Fifi, e cila gjatë performancës së saj në “Dancing with the stars” nxori nga xhamadani i saj i bukur Flamurin “Autochthonous”. Edhe Federata Botërore e Tenisit uroi Ditën e Pavarësisë po me këtë Flamur.

Shkrimtarja angleze Edith Durham në vitin 1912 ka thënë: “Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar, dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare”. Ndërsa në prill të vitin 1913 shkrimtari dhe dipllomati Aubrey Herbert e quajti Isa Boletinin Robin Hudi shqiptar, ku në atë Konferencë Isa Boletini deklaroi…”Nëse Europa nuk do të zgjidhë drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju, e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”.

Me interesimin e patrotit dhe veprimtarit të njohur në New York Esad Rizai u dekorua me Proklamatë Nderi nga ish Presidenti i Bashkisë në Bornx Heroi i Popullit Isa Boletini. Për figurën e Tij kanë shkruar shkrimtarë të huaj si dhe gazetarja amerikane Bertha Spencer. Shtypi amerikan i kohës ka shkruar artikullin me titull: “Isa Boletini, heroi që duhet të njihni”. Për Legjendën Isa Boletini kujtime dhe shënime nga më të famshmet ka lenë edhe diplomati anglez Aubrey Herbert.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT