• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

“Liturgjia” e Arbënit

January 8, 2024 by s p

Përshkrim i shkurtën rreth librit “Historija e Popullit Shqiptar” – vepër e At Paulin Margjokaj.

Nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Ajo Shqipni, së cilës njerëzit e penës, kulturës dhe artit ja morën komunistēt e me pranga ndēr duar e ja burgosën, internuan për të mos u dëgjue as zani e as zanafilla Arbënore, dikur me plot kumbim quhej Arbēni! Sikur nē Venedik e Vienë, Paris e në Romë, fëmija që linde, pagëzohej e një emër i vyer i shkruhej në distinë të emrave, edhe At’ Paulin Margjokës, së vogli i dhanë emrin “Bibë” si Bib Doda por së rrituni në udhë të Zotit, e udheve që vet Ati në Qiell ia ka falë Kçirës së Pukës, Bib Margjokaj sipas rregullit të fretënve, më datën 4 gusht 1925 u regjistrua në Urdhin e Fretënve të Vogjël të Shqipnisë me emrin Paulin si Pali i “Formulës së Pagëzimit” për tu rritun si klerik dhe studies  për’larg dheut të Kçirës por pranë durimit e vullnetit të pasosur për ti shërbyer mot e jetë dheut të tij të origjinës. Nuk është rastësore që në listën e autorëve kërkimtar dhe studiues të gjesh emrin e një kleriku si At Paulin Margjokaj, por prap nuk është rastësore që letrat e një frati besnik ndaj Fesë, Atdheut dhe historisë se Kombit të tij ti fshihen auditorit shqiptar për dekada deri në orën kur do të shembej doktrina staliniste e bolshevike shqiptare. Falë përkthimit të veprës së tij nga përkthyesi i talentuar Prof.Dr.Edmond Malaj dhe falë përshtatjes në gjuhën shqipe dhe redaktuar nga zonja Shqiponja Marku, por edhe falë kontributit e bujarisë se të ndershmit patriot, studiues e veprimar i Mērgatës Shqiptare në Amerikë, z.Tomë Mrijaj, kjo vepër vjen në gjuhën shqipe.

Si lexues, më kanë emocionuar dy fakte dukshëm të rēndësishëm e jo rastësore. I pari fakt është shtrirja e autorit me korrektesë të plotë prej akademiku ndër etapa historike dhe ndër kryqëzime historish dhe e dyta: Guximi i redaktores për ta veshur veprën me një gjuhë rrokëse dhe rrëfimtare sikur merr udhë historia etapë pas etape. E çmoj tej mase kaq guxim ndërmarrë si nga përkthyesi ashtu edhe nga redaktori sepse sot, ndër ditët e vështira të gjuhës shqipe,  ndër ditët ku edhe Institutit të Albanologjisë i është beditur dryni i çuditshëm i shtetit, gjendet guxim prej intelektuali për tu përballur me një vepër jo aq të lehtë në lëndën e përshtatjes …Në vepër këndon historia dhe ndiell zogjt e çdo epoke, thënë në mënyre figurative nga ana ime sepse nuk gjendet kënd ku përsëritet rutina. Autori ka lënë në mënyrë perfekte shteg për cilindo studiues që ta pasurojë veprën nëse dëshiron përmes kërkimeve të tij por esenca e themelimit të historisë së një vendi deri tek modernizmi i sotëm gjenden mrekullisht tek ky libër. Libri fillon me një përshkrim të saktë të paktën përaq sa êshtë studiuar deri sot mbi qytetet e lashta shqiptare, lumenjt, liqenet, rrugët po në lashtësi e zbret e merret me etnoninë  e fjalës “Alban” deri tek studimi i prejardhjes dhe origjinës shqiptare. Shtegtimi ilir dhe  Shqipnia në kohë të perardorisë romake vijnë të studiuara qysh para kristianizimit për ti lënë vend të dukshëm edhe ksaj etape, kulturimit fetar para epokës së Mesjetës.

Kjo epokë, pikērisht epoka e dyndjes së popujve deri në Sundimin Bizantin të Arbënisë thuhet shkurt përmes argumentave historikë për ti lëne vend studimit të ndarjes territoriale si e quajtuna Arbënia e Jugut nën sundimin bullgar, e Arbënit e Serbët – e pērdorur kjo terme pasi Serbēt kishin marre në posedim qysh në shekullin e Vll krahinën bregdetare të Dalmacisë. Despotati i Epirit dhe  Normanët në Arbëni marrin vend studimi në vepër pa asnjë shmangie deri në stadin e fillesave të Venedikut me Arbëninë.

Studime rreth origjinës së Gjergj Kastriotit, gjografise dhe fiseve shqiptare dhe periudhës se shkëlqimit të Katolicizmit në Arbēni mbyllin kapitullin e dytë.

Kapitulli i tretë mban gjithsejt titullin “Shqipnija nën sundimin turk” dhe sjell studime e përshkrime rreth emigrimit të shqiptarëve, përpjekjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve kundër tyrqve, studime rreth islamizimit të Shqipërisë, sjell studime rreth ekonomisë shqiptare ndër epoka, rreth katolicizmit nën kulturoprotektoratin e Austrisë, rreth luftētarēve për çlirimin e Greqisë si dhe shkruan pēr Ali Pashēn dhe Bushatllinjtē. Letērsinë Shqiptare si nënkapitull në libër, dëshirova ta cek tek së fundi sipas modēs time sepse mē duket meritë e veçantë e autorit si dhe përkthyesit  për arsye të dukshme. Qysh në fillim të herës, ndër të parat gërmime, At Margjokaj ka zbuluar versionet e qēndrueshme të hipotezave duke zgjedhur literaturë bindëse dhe të promovuar ndēr breza larg klaneve tē epokave dhe kaq kuptohet më së miri sepse At” Margjokaj nuk komenton mbi tendencat e autorëve por në mënyrë krejt moderne pērzgjedh pjesēt me të qēndrueshme të studimeve duke lënë për të kuptuar se kapitulli i Autoktonisë Arbënore është mbyllur pērkush ka vëmëndje tek historia reale dhe kjo çështje tashmë mbetet vetëm çështje e vetë Arbënve.

At’ Margjokaj bind duke lidhur ngjarjet me gjeografinë shqiptare përmes fakteve dhe statistikave dhe kaq e bën mrekullisht si një civil e jo si një meshtar, pra nuk shihet ndokund tendenca e At ‘Margjokaj pēr ta klerizuar veprën ose për ta malsorizuar veprën duke qënë se ai i përket me origjinë një territori mjaft të lavdēruar ndër treva si Puka e sotme.

Merita ndër të tjerat ēshtë jovetëm literatura që ka zgjedhur ku të referohet por edhe zërat letrar të cilët ka përmbledhur në veprën e tij në një udhtim të meritshëm përshkrues.

Autori është largpamës!

At’ Paulin Margjokaj ka pranuar të merret me kohët parahistorike , me mesjetën e ashtu edhe me të tashmen e tij por nuk ka rënë si autor në hendekun e kohës së diktaturës edhepse ka qënë i mbrojtur nga jetesa sepse ka jetuar jashtë kufinjve shqiptar të pushtuar nga komunizmi për efekt të domosdoshmërisë së përçimit të historisë në një tjetër brez pa humbur kohë me një epokë e cila për nga episodet , njihej botërisht si epoka tendencës së shkatërrimit të elitës dhe historisë.

Aq sa një lexues ësht i unshëm për historinë e vendit të tij , do të gjendet i shërbyer me stil të mrekullueshëm në këtë vepër prej më shumë motesh se fletësh përshkruar vetëm në 400 fletë. Përgëzime së dyti përkthyesit, redaktorit dhe botuesit për punën e vyer e me vlerë bashkë me të falat e mia prej lexuesi të gjendur i befasuar para kësaj vepre të çmuar.

Filed Under: Mergata

Lufta e Koplikut 1920: pse ushtria shqiptare mori peng 5 vrakaçorë për çdo lagje?

January 8, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Më 5 qershor 1920 skadoi afati i ultimatumit që Komiteti Mbrojtja Kombëtare i kishte dërguar komandantit të forcave italiane në Vlorë. Kjo shënoi fillimin e luftimeve për çlirimin dhe dëbimin e ushtrisë italiane.

Forcat vullnetare shqiptare dhe banorët e fshatrave të Vlorës ku zhvilloheshin luftimet u mbështetën në mënyrë të organizuar me furnizime dhe ushtarë edhe nga qeveria shqiptare. Por kjo nuk bëhej haptazi. Ky fakt është fshehur qëllimisht nga historianët për dy arsye, e para, për shkak të kontributit të Ahmet Zogut dhe personaliteteve të tjera politike të kohës, të cilët, u anatemuan gjatë regjimit komunist dhe, e dyta, për ta paraqitur Luftën e Vlorës vetëm si kontribut lokal.

Politika italiane e gjendur në një pozitë të vështirë për të ruajtur influencën e saj përtej Adriatikut, vendosi të vepronte në dy drejtime: më 20 qershor 1920, vetëm apo me ndihmën e Francës eleminoi Esat Toptanin në Paris për t`i hapur rrugën zbatimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, i cili i njihte asaj Vlorën dhe protektoratin mbi shtetin e cunguar shqiptar; për të tërhequr vëmendjen e forcave të qeverisë shqiptare, që mbështeste Luftën e Vlorës, me anën e agjentit të saj Z.S, i cili më pas do të mbajë funksione të larta shtetërore, provokoi një incident në kufirin shqiptaro-jugosllav. Kjo shkaktoi atë që në histori ndryshe quhet Lufta e Koplikut.

Zyrtarisht luftimet nisën më 27 korrik 1920. Fillimisht qeveria shqiptare u përpoq që ta zgjidhte këtë konflikt në rrugë diplomatike. Ajo nuk kishte as kapacitetin, por as luksin që në këtë moment, kur po zhvillohej Lufta e Vlorës të hapte një front të dytë. Aq më tepër që delegacioni jugosllav në Konferencën e Paqes në Paris po mbante një qëndrim antiitalian e në interes të shtetit shqiptar.

Kur këto përpjekje dështuan, qeveria shqiptare dha urdhër për mobilizimin e përgjithshëm. Në Shkodër shkoi personalisht ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili në mbledhjen e shtabit, për t`i dhënë zemër të pranishmëve deklaroi: “Sot, vllazën të dashtun, asht koha me i lanë m’njanë të gjitha kujdeset e çka do të keni ma të përzemërt. Mendjet e fuqitë tuaja tash do të përpiqen për lirinë e Kombit tonë: qe se koha po avitet në logun e luftës, edhe pak çaste kemi për të dalë e vetë ma i pari kam m’u turr n’anmik”. Për mobilizimin e vullnetarëve shkodranë sipas parimit “një pushkë për shpi” u ngarkua një nga figurat më me influencë, Sylçe beg Bushati.

Në Luftën e Koplikut 1920, për herë të parë ushtria shqiptare aplikoi pengmarrjen e civilëve. Kjo ndodhi në Vrakë ku banonte një komunitetit i vogël malazez. Sipas një broshure të botuar nga Gjon Zeka në vitin 1932, i cili ka qenë dhe dëshmitar i këtyre luftimeve “Rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazez pak përtej Vrakës, të cilët u vunë me qindrue, por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë, tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë, që ushqejshin ndjesi sllave, e këto ndjesi u mundojshin me i zblue nepërmjet sa “kryengritjesh” e gjaqesh që banë. Vraka, që ishin me shpirt kah ana e anmikut, me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë rob për lagje, si nji peng deri mbas luftës, e se vrakaçorët nuk kishin për t’iu ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.

Pas bisedimeve dy palëshe, Lufta e Koplikut përfundoi më 14 shkurt 1921.

Filed Under: Rajon

Raca, gjuha dhe matematika

January 8, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Kategoritë racore me të cilat jemi njohur janë pseudoshkencë. Askush nuk ka ADN Kaukaziane. Nuk ekziston. Gjithsesi, shkencat kanë qenë në tërheqje nga koncepti i racës për dekada të tëra, por zhvillimi i shkencës gjenetike ka vendosur gozhdën e fundit në koncept. Rezulton se shumica e popullatave njerëzore, pavarësisht se cilës racë i referohemi, ndajnë pjesën më të madhe të diversitetit gjenetik të specieve tona (gjenet për gjëra të tilla si gjatësia, seksi, funksioni metabolik, vetitë e sistemit imunitar, etj.), dhe gjenet për tiparet ne shpesh përdorim për t’i atribuar racat (ngjyra e lëkurës, struktura e flokëve, tiparet e fytyrës) janë në vetvete të ndryshme, kështu që dy njerëz të racave të ndryshme mund të jenë gjenetikisht mjaft të ngjashëm dhe dy njerëz të së njëjtës racë mund të kenë të njëjtat tipare të racës, por jo të kenë gjene të ndryshme në themel të tyre.

*

Cilat janë provat për ekzistencën e njerëzve gjigantë? A ka mbetje apo eshtra të fosilizuara të këtyre qenieve? Nëse po, ku ndodhen dhe çfarë na thonë për të kaluarën tonë?

Lartësia maksimale për njerëzit mund të ketë arritur rreth 2.4 metra, dhe nuk ka asnjë provë që njerëzit e lashtë të kenë qenë ndonjëherë më të gjatë.

Kur lexojmë histori për gjigantët e lashtë njerëzor, duhet pasur të kemi parasysh se deri rreth 500 vjet më parë, ishte krejtësisht normale të konsideroheshin majmunët e tjerë të mëdhenj si lloje ekzotike të njerëzve. Kishte një specie të orangutan-it të hershëm, i cili mendohet se ishte deri në 4.3 metra i gjatë kur qëndronte në këmbë, dhe disa mund të kenë mbijetuar për aq kohë sa njerëzit e hershëm t’i kenë takuar dhe kujtuar.

*

Cili ishte emri i faraonit në historinë biblike të Eksodit të Egjiptit?

Historianët e dinë përafërsisht kur çdo faraon mbretëroi gjatë epokës së bronzit të vonë, por autorët e Librit të Eksodit shkruanin shumë shekuj pasi Eksodi biblik do të kishte ndodhur, nëse do të kishte ndodhur. Si rezultat, autorët nuk e kishin këtë informacion dhe për këtë arsye nuk ishin në gjendje t’i vendosnin një emër faraonit të historisë, thjesht duke iu referuar “Faraonit”.

Gjithçka që duhet të bërë është të përcaktohet se kur dhe nëse Moisiu ka jetuar në Egjipt, dhe ne do të dimë emrin e faraonit përkatës. Megjithatë, shumica e historianëve thonë se Eksodi nga Egjipti nuk ka ndodhur kurrë në të vërtetë, kështu që nuk ka asnjë kuptim të vërtetë për të zgjedhur një faraon dhe për ta shpallur atë si sundimtar në kohën e Moisiut.

*

Kohë më parë Egjipti quhej ‘Misr’.

Grekët e quajtën Aigyptos dhe maqedonasit sunduan mbi të për 300 vjet, dhe pastaj erdhën romakët. Aegyptus vjen nga një prej emrave të Egjiptit – HWT KA PTAH, i cili lidhet me qytetin e Memphis dhe perëndinë Ptah. Do të thotë shtëpia e shpirtit të Ptah. Dhe grekët më pas përfunduan duke shqiptuar atë emër si Aigyptos. Egjiptianët e lashtë ishin ndjekës shumë fetarë të perëndive, tani ata janë myslimanë ose të krishterë shumë fetarë. Misr lidhet me atë që njerëzit e ndryshëm semitë nga Lindja e Mesme si asirianët, hebrenjtë dhe arabët e quanin Egjiptin e lashtë. Para se të ekzistonte arabishtja klasike siç e njohim ne, semitët e tjerë përdornin emra të ngjashëm.

*

Pasi Greqia aneksoi një pjesë të Maqedonisë në 1913, shteti grek e trajtoi identitetin maqedonas ose si diçka që mund të “asimilohej” ose, nëse nuk ndodhte, “eliminohej”.

“Maqedonasit” e sotëm janë bullgarë etnikë që i janë nënshtruar propagandës nga Tito, ndërsa maqedonasit aktualë jetojnë në Selanik dhe në rajonin historik Antiko të Maqedonisë së sotme, me përjashtim të pjesës veriore të Paeonias për të cillën thuhet se është e pushtuar nga sllavë.

*

A ka evoluar gjuha njerëzore nga gjuha e Neandertalit?

Në fakt nuk dihet nëse Neandertalët kishin gjuhë, mënyra se si ne e kuptojmë atë. Ata mund të komunikonin verbalisht – ata duket se kishin anatominë e një gjuhe, dhe ndoshta gjenetikën, që ndryshonte nga i yni, por mund t’u kishte dhënë atyre të njëjtën bazë gjenetike për komunikim dhe madje mund të kishin të njëjtat funksione në gjene të ndryshme. Por saktësisht se sa i ndërlikuar duhet të jetë komunikimi përpara se ta quajmë gjuhë, është e vlefshme; ne nuk kemi as ndonjë formë ekzistuese të ndërmjetme që mund të shqyrtojmë, vlerësojmë dhe argumentojmë.

Por nëse ata kishin gjuhë, ajo ose u shfaq në paraardhësin tonë të përbashkët Homo Heidelbergensis ose veçmas te Sapiens dhe Neandertalët. Pra, nuk ka prejardhje nga gjuha e Neandertalit në gjuhën Sapiens, ashtu siç nuk ka një linjë të vërtetë gjenetike.

Natyrisht, ashtu si ne kemi një shpërndarje të gjeneve të Neandertalit në ADN-në tonë, është e mundur që të kemi disa fjalë të Neandertalit. Ata kishin jetuar në Evropë për mijëvjeçarë para se t’i takojmë, duhet të ketë pasur kontakt që nuk ishte i dhunshëm dhe është shumë e mundur që ne kemi marrë fjalë neandertal për kafshë, bimë dhe vende që nuk i kishim parë më parë. Ata do të kishin ndryshuar përtej çdo njohjeje, sigurisht, por është e mundur që ne kemi ende disa pasardhës gjuhësorë të mbetur në disa gjuhë.

*

Cili person në histori ka pasur një jetë të çuditëshme dhe ka arritur aq shumë sa është pothuajse e pabesueshme kur i përmbledh të gjitha?

Leonhard Euler (1707–1783) kishte një jetë të tillë, sa është e pabesueshme. Kur përshkruan Euler-in, fjalia e parë është thjesht një përzierje e arritjeve të tij të shumta.

Ai ishte matematikan, fizikan, astronom, logjik, inxhinier dhe teoricien i shkëlqyer i muzikës.

Pa ekzagjerim.

Euler ishte i klasit botëror në të gjitha këto fusha. Ai ishte ndoshta matematikani më i madh që ka jetuar ndonjëherë, dhe më produktiv.

Leonhard Euler botoi mbi 800 studime të jashtëzakonshme vetëm në matematikë.

Ai u rrit në Bazel të Zvicrës.

Babai i tij ishte pastor dhe ai bënte një jetë të rregullt.

Gjenia e tij u shpreh herët dhe ai hyri në Universitetin e Bazelit në moshën 13 vjeçare.

Në moshën 19-vjeçare, Euler tashmë kishte mbaruar doktoraturën mbi përhapjen e zërit.

Ai e filloi karrierën në një epokë trazirash politike dhe financimesh të çrregullta. Euler e konsideroi veten me fat që gjeti një punë në universitet në Shën Petersburg, Rusi.

Pavarësisht prodhimit të tij masiv, ai nuk fitoi para të vërteta deri 40 vjet më vonë, kur Katerina e Madhe erdhi në pushtet.

Ai ishte gjithmonë kundër intrigave, paqëndrueshmërisë dhe dyshimit të të huajve.

Euler mbajti punësimin për shkak të zellit të tij të pabesueshëm dhe aftësisë së tij të jashtëzakonshme për t’u marrë vesh me njerëzit.

Ai dhe gruaja e tij, Katharina, kishin 13 fëmijë.

Nuk është e sigurt nëse Euler ka pasur ndonjëherë një zyrë private.

Nëse po, ai nuk e përdori atë.

Kur nuk jepte mësime apo këshilla, ai ishte në shtëpi me fëmijët. Euler bëri zbulime themelore në teorinë e numrave, analizën komplekse dhe llogaritjen ndërsa ndiqte të vegjlit përreth. Për shkak të durimit dhe dashamirësisë së tij të jashtëzakonshme, Euler mendoi se matematika duhet të ishte për të gjithë, dhe e bëri atë të tillë.

Ai është ende personi më i mirë për të lexuar nëse doni të kuptoni matematikën.

Në kohën e lirë shkroi Elementet e Algjebrës.

Ky libër i mahnitshëm është një ekspozitë themelore e asaj që është matematika dhe se si funksionon ajo.

Euler shpjegon se si të mblidhen dy numra së bashku, më pas e çon lexuesin deri në algjebër.

Shumë shpesh, mësimi i matematikës është si të kërkosh udhëzime. Nëse ju mungon një detaj, ju jeni të humbur.

Elementet na tregojnë saktësisht se si funksionon matematika, kështu që e dimë saktësisht se ku jemi në çdo moment.

Ja disa pasazhe, sepse me sa duket nuk mund ta mbaj veten.

Dy paragrafët e parë nga Elementet e Algjebrës nga Leonhard Euler:

“Çfarëdo që mund të rritet ose zvogëlohet quhet madhësi ose sasi. Një shumë parash është një sasi, sepse ne mund ta rrisim ose ta zvogëlojmë. Është e njëjta gjë me peshën dhe gjëra të tjera si kjo.

Nga ky përkufizim, është e qartë se ka kaq shumë lloje të ndryshme të madhësisë, do të ishte e vështirë të renditeshin të gjitha. Kjo është origjina e degëve të ndryshme të matematikës. Secila prej tyre merret me një lloj madhësie të ndryshme. Matematika është shkenca e sasisë – ajo heton se si matet sasia”.

Kur ai ka mbaruar shpjegimin se çfarë është matematika, shpjegon veprimet:

“Kur duhet t’i shtojmë një numër një tjetri, kjo tregohet me shenjën +, e cila vendoset para numrit të dytë dhe lexohet plus”.

Kështu ai vazhdon, hap pas hapi, nga matematika absolutisht elementare deri në algjebër.

Euler besonte se çdo njeri mund të ketë numërim të përsosur.

“Ne të gjithë mund të kemi një kuptim të përsosur se si funksionon matematika dhe një aftësi të përsosur për të zgjidhur problemet matematikisht.

Dhe të gjithë mund të japim kontribute në matematikë, siç mund të shkruajmë të gjithë poezi ose muzikë, pasi të njohim bazat.

Nuk ka të tillë si dikush që është i keq në matematikë. Ka vetëm mësimdhënie me të meta, e cila kapërcen hapat, pa e ditur”.

Filed Under: Analiza

PROF. DR. PETRO JANURA – ALFA DHE OMEGA I KULTURËS DHE ARSIMIT SHQIP NË MAQEDONI

January 8, 2024 by s p

AVZI MUSTAFA

Shqiptarët në R. Maqedonisë në sistemin e kaluar monist u përballën me shumë sfida gati në çdo sferë të jetës. Me ardhjen e demokracisë, pritëm aq kohë që edhe ne shqiptarët t’i realizojmë synimet shekullore. Mirëpo, praktika e viteve të kaluara, ndërkohë, dëshmoi për një “specifikë” tjetër – gati të gjitha vendet e sistemit të sistemit socialist, në emër të “pasurimit shumë të shpejtë”, nëpërmjet firmave piramidale, tregtisë gri, korrupsionit etj., mbetën një ëndërr për individin, si edhe për shoqërinë, që jo vetëm u vetëshkatërrua, por u shkatërrua edhe edhe ai zhvillim që ekzistonte. 

Por, çka ndodh me njerëzit të cilët janë sakrifikuar për ta arsimuar popullin, duke punuar në kushte të një sistemi totalitar, për të arritur deri te një zhvillim, sado i madh apo i vogël, që për atë kohë kishte vlerë? Një nga emrat që u sakrifikua për ta zhvilluar arsimin dhe kulturën te shqiptarët e Maqedonisë është edhe Prof. Petro Janura. Është ky një intelektual i kalibrit të lartë, i cili sa herë që përmendet kultura dhe arsimi i shqiptarëve të Maqedonisë, emri i tij bëhet i patejkalueshëm. Për fat të keq, për këtë profesor shumë të nderuar dhe të respektuar nuk është shkruar gati asgjë. Emrin e tij vetëm e përmendin aty këtu gjatë ndonjë përvjetori, por nuk kemi thënë gati asgjë për punën që ka bërë. 

Në kohën kur politikanët, analfabetët funksionalë ose ata me diploma të kontrabanduara mundohen që çdo gjë ta lidhin me punën e tyre, se asgjë nuk është bërë në kaluarën, andaj çdo ditë mbahen promovime librash e përvjetorë të ndryshëm, ata që meritojnë respektin dhe nderimin e vërtetë janë anatemuar e janë harruar, edhe pse emri i tyre lidhet me një datë të rëndësishme ose me një kontribut të veçantë 

Megjithatë, kur përmendet emri i Prof. Petro Janurës, kontributi i tij nuk mund të anashkalohet as nga Normalja e Shkupit, as nga Fakultetit Pedagogjik në Shkup, as nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, as nga Teatri Kombëtar në Shkup, as nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore në Shkup, e as nga institucionet e mas-mediumeve. 

Në mungesë të këtij vlerësimi institucional, mora guximin që ta bëj detyrimijn tim, si një ndër bashkëpunëtorët e parë qëkur u hap Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup. Kontributi i tij është shumë i madh dhe polivalent. Duam apo s’duam, ai mbetet alfa dhe omega e kulturës së shqiptarëve të Maqedonisë dhe më gjerë. 

* * *

Prof. dr. Petro Janura u lind në Fier të Shqipërisë më 10.02.1913 nga prindërit Jorgji dhe Vasilija. Shkollimin fillor dhe një pjesë të gjimnazit i kreu në vendlindje, në Fier. Meqenëse familja e tij do të shpërngulet në Rumani, në qytetin Jash, atje do ta mbarojë gjimnazin. Po në këtë qytet do t’i fillojë edhe studimet universitare për Drejtësi. Për specializim do të kalojë në Piza të Italisë, ku në viti 1940 do të doktorojë në temën “Prezenca e zakoneve popullore në kodin civil shqiptar”.

Në vitin 1941 do të kthehet në Shqipëri, por nuk do t’i japin punë shtetërore, për shkak se ishte antifashist dhe i përfaqësonte idetë përparimtare. Në vitin 1943 do të paraqitet si mbrojtës vullnetar i partizanëve maqedonas të zënë rob në Tiranë, në mesin e të cilëve ishte edhe Kërste Crvenkovski. Një pjesë e atyre, derisa gjendeshin në burg, e kishin hapur një tunel dhe një natë shumica e tyre kishin ikur. Meqenëse i mbronte partizanët, organet e sigurisë e kërkonin pikërisht Petro Janurën. Pasi e kupton rrezikun e arrestimit, ai do të arratiset nga Shqipëria dhe do të ikë në Maqedoni, në Gostivar. Megjithatë, në maj të 1944-tës, do ta burgosin në Tetovë dhe më vonë do ta dërgojnë në logorin fashist gjerman në Prishtinë. Në këtë logor do të qëndrojë deri në vitin 1945. 

Më 8 mars të vitit 1945, nga ana Këshllit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM ose në maqedonisht ASNOM) do të zgjidhet drejtor i parë i gazetës javore “Flaka e Vëllaznimit” në Shkup. Në këtë post do të qëndrojë deri më 1946. Meqenëse ishte paraqitur nevoja e madhe për mësues pranë shkollës se mesme të mësuesisë “Nikolla Karev” në Shkup, që në vitin shkollor 1947/48 aty do të hapet paralelja e parë në gjuhën shqipe me 17 nxënës. Organet arsimore të pushtetit të atëhershëm kishin vendosur që Dr. Petro Janura të angazhohet aty si mësimdhënës. Përveç lëndës së Gjuhës dhe të letërsisë shqipe, aty do t’i ligjërojë edhe disa lëndë nga shkencat e natyrës. Në mungesë së teksteve, profesori ka bërë përshtatjen e mësimeve nga përkthimet e ndryshme, sidomos nga italishtja e rumanishtja.

Në vitin 1949 do të kalojë në Akademinë Jugosllave të Shkencave dhe Arteve në Zagreb, ku do të jetë bashkëpunëtor i ballkanologut të njohur, Henrik Bariq, për përgatitjen e “Fjalorit kroatisht-serbisht” ose “Fjalorit serbokroatisht-shqip”.

Në vitin 1951, me ftesë të fakultetit Filolozofik në Shkup dhe me rekomandim të prof. Harallampie Polenakoviqit, do të zgjidhet lektor i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, që funksionte pranë Katedrës së Gjuhës Maqedonase. Perveç kësaj, në vitet shkollore 1952-1954 do të angazhohet si profesor honorar pranë Shkollës Normale “Liria” (më vonë “Zef Lush Marku”) në Shkup, ku do ta mbajë lëndën e Gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë kësaj kohe do të jetë njeri nga ata që do ta hartojë edhe plan-programin e parë mësimor të lëndës së Gjuhës shqipe për shkollat tetëvjeçare në Maqedoni.

Në vitin 1953 do të zgjidhet profesor honorar në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup – në grupin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku do ta ligjërojë lëndën e Letërsisë shqipe dhe Letërsisë botërore. 

Në vitin 1965, me vendimin nr. 01-734 të datës 15-VI 1965 të Këshillit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, do të zgjidhet profesor në SHLP për lëndën e Letërsisë shqipe. Ndërkohë, Lektorati i Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit Filozofik në Shkup do kalojë në Seminar të Gjuhës Shqipe, ku studentët e grupeve të tjera do të mund ta zgjedhin gjuhën shqipe si lëndë të dytë. 

Në SHLP do të qëndrojë deri në vitin 1971, kur edhe do ta hapë Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik në Shkup, ku do të punojë deri në pension. Ndërroi jetë më 1983, pa u çmallë me vendlindjen që aq shumë e donte. Ngushëllimi i vetëm për të ishte një gur nga lumi i Fierit, që qëndronte gjithnjë në vitrinën e librave të dhomës së tij të punës.

Gjatë kësaj periudhe, derisa e hapi Katedrën e Gjuhës Shqipe, katedrën e dytë më të vjetër në ish Jugosllavi, prof. dr. Petro Janura do të jetë njeriu më i angazhuar nga të gjithë intelektualët e kohës. Ai do të do të jetë profesori i cili do të bashkëpunojë me të gjitha gazetat dhe revistat që dilnin në Jugosllavi. Në shtëpinë e profesor Janurës, në vitin 1963, do të formohet redaksia e revistës “Jehona”, që është revista e parë për shkencë dhe art në Maqedoni. 

Ai ka qenë anëtar i udhëheqjes së redaksisë së “Flakës së Vëllazërimit” në Shkup, anëtar i udhëheqjes në Teatrin e Pakicave në Shkup, anëtar i buletinit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, anëtar i Shoqërisë së Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” në Shkup, anëtar i parë dhe nënkryetar të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Jugosllavisë, për katër vite radhazi ka qenë anëtar i Komisionit për Tekstet Shkollore pranë Sekretariatit të Arsimit, ka qenë anëtar pranë Shtëpisë Botuese të Teksteve Shkollore “Prosvetno dello” në Shkup, ka qenë kryetar për dhënienën e provimeve shtetërore për mësuesit e gjuhës shqipe, kryetar i të gjitha plan-programeve të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat shqipe në Maqedoni, anëtar i Komisionit për Përgatitjen e Ortografisë së Gjuhës Shqipe në Jugosllavi, anëtar i komisionit redaktues të Drejtshkrimit në Prishtinë, anëtar i shumë komisioneve për marrjen e shpërblimeve në Maqedoni, si dhe pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972.

* * *

Veprimtaria e prof. dr. Petro Janurës shtrihet në tre fusha: informative-publistike, shkencore-kërkimore dhe monografike. Një pjesë e punimeve të tij janë botuar, por një shumicë madhe e tyre janë ende dorëshkrim. Ato arrijnë diku mbi 3000 faqe. Një pjesë e shkrimeve të tij janë botuar me pseudonim Janicaj, që e mbante në asocim me emrin e lumit të Fierit.

Synimi i këtij vështrimi nuk është thjesht për të thënë se çka bëri profesori Janura, por më shumë për ta vlerësuar atë njeri, që kurrën e kurrës nuk diti ta përdorë fjalën “JO” kur bëhej fjalë për punë, edhe pse gjithçka në atë kohë fillonte nga e para. Gjatë bisedave me Profesorin, më tregonte se “shpeshherë edhe në rrugë më ndalnin që të më pyesin për ndonjë fjalë se si duhej të jetë në shqip, bile shpesh paraqiteshin edhe natën; nxënësit dhe studentët nuk kishin libra, andaj detyrohesha që t’ua jap shënimet e mia”. Meqenëse kishte bashkëpunuar në Fjalorin kroato-serb ose Fjalorin serbokroatisht-shqip me Henrik Bariqin, shpeshherë ma përsëriste thënien e tij “se për një popull arka e gjuhës është fjalori, andaj nëse një komb nuk ka fjalor, është vështirë që të përparojë gjuha e, bashkë me të, edhe populli.”. Për këtë arsye ai kishte filluar që vetë ta përgatiste një fjalor shpjegues, që do t’u vinte në ndihmë intelektualeve të ndryshëm, por puna i kishte ecur rëndë, sidomos për ta daktilografuar. Ishte vështirë që të gjesh daktilograf. Ata që dinin ta përdornin makinën e shkrimit, shumica punonin për institucionet shtetërore. Kështu ky fjalor mbeti në dorëshkrim, duke pritur ditë të bardha, dhe kurrë nuk u botua. Profesor Janura, në një bisedë më tha edhe një batutë, duke qeshur: “Sikur të më jepej rasti, do të martohesha me daktilografe”. Më vonë, gjatë tërmetit të Shkupit, dikush i kishte hedhur ato dorëshkrime, kështu që prej kësaj vepre kanë ngelur vetëm disa faqe të shpërndara, ndërsa një pjesë gjendet në bibliotekën time. 

Puna e prof. Janurës ishte e orientuar në përgatitjen e librave për nxënësit dhe studentët. Këtu po i përmendim disa nga ato tekste: “Shembuj nga Letërsia Popullore me parathënie”, 1957; “Tregime popullore”, 1962; “Këngë fëmijësh”, që më vonë do ta botojë me titull “O lejlek haxhibeg”; “Historia e letërsisë shqipe për shkollat pedagogjike”; “Libër leximi për klasat V, VI, VII”, me të cilin nxënësit do të shërbehen gjatë viteve 1957-1963; “Ortografia e gjuhës shqipe”, Prishtinë 1964; “Teoria e letërsisë për shkollat shqipe”, Shkup, 1959 etj. 

Përveç kësaj, për nevojat e studentëve të letërsisë botërore, në gazetën “Flaka” ka botuar edhe një numër të shkrimtarëve botërorë, si: Aligeri, Servantesi, Shekspiri, Molieri, Rable, Volteri, La Fonteni, Bokaçio, Lesingu, Rasini, Jonthan, Krilloin, Defe, Leopardi, Shilrin, Gëte etj.

Prof. Janura mund të llogaritet edhe si kritik i parë në Maqedoni, por edhe më gjerë. Që në vitin 1957 do ta shkruajë një vështrim kritik mbi veprën poetike “Tufa” të Latif Berishës, si dhe mbi poezinë e poetit të ri, Enver Gjergjeku, artikujt të botuar në revistën “Jeta e Re” në Prishtinë. 

Për shtëpinë botuese “Detska Radost” dhe “Koço Racin” në Shkup i ka përgatitur lektyrat për fëmijë për shkollat shqipe. Disa i ka lektoruar e redaktuar e disa edhe i ka përkthyer dhe redaktuar, si: “Puhija e parë” nga Nuhi Vinca, “Luli i vocër në Republikë” nga Sefer Selimi, “Vjersha” nga Rifat Kukaj, “Mëngjesi në fshat” nga Abdylzaziz Islami, “Vjersha” nga Vasil Kunovski, “Zani i Zemrave” nga Ali Huruglica, “Vrrag dhe kunorë” nga Maksut Shehu, “Panair Prilli” etj.

Prof. Janura nuk u ndal vetëm në një gjini letrare, por i vështronte me sy kritik edhe romansierët që shkruani në Jugosllavi. Ai shkroi mbi romanin e parë shqip në Jugosllavi, botuar në vitin 1957 në “Flaka” në Shkup, “Poeta non lauroatus” (kritikë), që e botoi “Flaka” më 1954, pastaj “Mbi idetë psikologjike te romani “Besniku” te Rexhaj Surroj”, botuar në revistën “Përparimi” në Prishtinë (s.d.), “Mbi numrin e parë të revistës “Jehona” në Shkup”, botuar në vitin 1963 etj.

Prof. Janura ka shkruar dhe botuar për një numër të madh të shkrimtarëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, si: “Naim Frashëri ky poet lirik”, “Flaka”, 1956; “Zef Serembe”, “Flaka”, 1957; “Ndre Mjeda, poet dhe linguist”, “Flaka”, 1957; “Jani Vreto”, “Asdreni”, 1956; “Sami Frashëri”, 1954, “Birlik”; “Migjeni”, “Flaka” 1956; “Josif Bageri”, “Bigorski nauçni sredbi”, Gostivar (.s.d.) etj. 

Profesor Janura na ka lënë edhe një numër të madh të punimeve nga lëmi i gjuhësisë. Meqë kjo listë është shumë e gjatë, këtu do të japim vetën disa nga ai numër: “Fjalor serbokroatisht-shqip” në koautorësi me H. Bariqin, botuar më 1951; “Fjalor rumanisht-shqip” (në dorëshkrim); “Vështrim historik dhe kritik të leksikologjisë shqiptare”, ”Flaka” 1951; “Disa vëzhgime gjuhësore te Arbëreshet e Zarës”, “Jeta e Re”, Prishtinë (s.d.); “Murga-mërga edhe në gjuhën shqipe”, “Përparimi”, Prishtinë, 1950; “Elaborat për gjuhën shqipe letrare në Jugosllavi” (punuar për Komitetin KQ LKM) 1950. (Ky dorëshkrim u gjet në Arkivin e Maqedonisë nga historiani Qerim Lita.); “Elementet e përbashkëta fonetike dhe morfologjike ndërmjet gjuhës shqipe dhe rumune” (dorëshkrim) 1959; “Edhe dy fjalë mbi gjuhën e përbashkët shqipe në Jugosllavi”, “Flaka”(s.d.); “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe në rrugë të mbarë”, “Flaka (s.d)”; “Ortografia e gjuhës letrare shqipe” (me koautor), Prishtinë, 1964; “Disa mendime margjinale rreth ortografisë së shqipes” (referat lexuar në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972); “Kontributi i kolonive shqiptare në Rumani para dhe pas Rilindjes Kombëtare”, Seminari mbi Kulturën Shqipe për të Huaj, Prishtinë, 1978. 

Kur flitet për veprimtarinë kritike historike-letrare dhe atë historiko-krahasimtare, është një punë tjetër e prof. Petro Janurës, të cilën ai e kishte nisur që në periudhën para Luftës, duke botuar në shtypin shqiptar të kolonive, kryesisht në gazetën “Shqipëria e Re” të Kozencës së Rumanisë, ku doli me pseudonimin Mefistofeles, me vonë me pseudonim Janicaj. Aty e botoi punimin “Mbi frymën mediterane në Ballkan”

Prof. Janura kontribut të madh ka dhënë edhe në Teatrin e Pakicave në Maqedoni, që sot vepron si Teatri Shqiptar. Kontributi i tij ka qenë jo vetëm si anëtar i Këshillit Udhëheqës pranë këtij teatri, por edhe me shkrime. Ai ka shkruar mbi të parën komedi origjinale në Teatrin e Pakicave, “Flaka” 1954, ndërsa ka shkruar për dramën “Parajsa e humbur”, që gjendet në arkivin e Teatrit Shqiptar, e shkruar në vitin 1955. 

Gjithashtu i ka ndjekur edhe zhvillimet kulturore te shqiptarët e Maqedonisë në mas-mediumet. Një artikull i tij është “’Flaka e Vëllaznimit’ në shërbim të zhvillimit të kulturës të Shqiptarëve në Maqedoni” botuar në vitin 1954, ndërsa i ka botuar edhe këta artikuj: “10 vjet të Teatrit të Pakicave”, “Flaka, 1960; “Dramat origjinale në skenën e Teatrit të Pakicave”, “Flaka”, 1960 etj. Për këtë qëllim ka folur në shumë emisione në Radio Shkup, në vitet 1946-1954, si dhe në emisione në Radio Beograd mbi “Zhvillimin kulturor dhe letrar të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Jugosllavi”, të realizuar gjatë vitit 1958. Prej tij është edhe “Kontributi i Shqiptareve në Jugosllavi”, “Rilindja e Shqiptarëve në Jugosllavi”, mbajtur gjatë vitit, 1960. 

Në bibliotekën e familjare të Profesorit, ai ka lënë edhe disa drama që janë në dorëshkrim. Sa ishte gjallë i biri, më kërkonte t’ia botojmë, por nuk ia dolëm.

Profesor Petro Janura ka shkruar edhe disa monografi, si: “Shembuj nga letërsia, popullore”, Shkup, 1957; “Naim Frashëri, vepra me parathënie”, botuar më 1962; “Për historinë e alfabetit shqip”, Shkup, 1969, si dhe veprën voluminoze “Migjeni”, Shkup, 1982. Për historinë e alfabetit përgjithësisht është ndër të parat studime monografike për diakroninë e alfabetit të shqipes. 

Në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, më 1972, Prof. Petro Janura e lexoi referatin “Disa mendime margjinale rreth ortografisë së shqipes”. 

Në paraqitjen e zërave të tij bibliografikë nuk janë paraqitur të gjitha njësitë. Unë kam bërë një përzgjedhje duke veçuar sipas meje më të rëndësishmet. Aty mungojnë punimet në gjuhën maqedonase, si dhe disa punime të botuara nëpër revista të ndryshme ku numri kalon mbi 200.

Gjatë viteve 1945-1946 Prof. Janura ka botuar, me emër, pa emër e me pseudonim, mbi 40 artikuj politikë, socialë e ekonomikë, që janë botuar në gazetën “Flaka”. Ai ka mbledhur mbi 400 këngë popullore dhe tregime (përralla) të shqiptarëve të Maqedonisë, që po ashtu janë në dorëshkrim. 

* * *

Ky pynim ka për synim që të hidhet sadopak dritë mbi jetën dhe punën e këtij intelektuali të madh, që për shqiptarët e Maqedonisë është ikonë e arsimit dhe kulturës dhe që akoma mbetet i pakalueshëm. Prandaj jemi munduar qa ta studiojmë nëpërmjet episodeve njëra pas tjetrës në të gjitha fushat ku ai punoi dhe triumfoi. 

Qëllimi ynë është që të ndërgjegjësohemi dhe të kërkojmë ndjesë që nuk arritëm të bëjmë as edhe një konferencë kushtuar këtij intelekti të çuditshëm, që ishte si një anije që lundronte nga të gjithë drejtimet. Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të kënaqen vetëm duke e pagëzuar me emrin e tij një rrugë qorre në Komunën e Çairit në Shkup. 

Filed Under: Sociale

1927 / “ARSYET E NDRYSHIMIT TË QEVERISË, PRESIDENTI AHMET ZOGU, TRAKTATI ITALO-SHQIPTAR…” — DEKLARATAT E ALI ASLLANIT, I NGARKUARI ME PUNË I SHQIPËRISË NË SOFJE

January 8, 2024 by s p


Ali Asllani (1884 – 1966)
Ali Asllani (1884 – 1966)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Janar 2024

“Stamboul ” ka botuar, të martën e 5 prillit 1927, në ballinë, deklaratat e poetit, atdhetarit dhe diplomatit shqiptar Ali Asllani, bërë asokohe korrespondenti të veçantë të “Messager Polonais” në Ballkan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Disa fjalë për Shqipërinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Korrespondenti i veçantë i “Messager Polonais” në Ballkan publikon deklaratat që i ka bërë i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Sofje :

“Ndryshimi i qeverisë që ndodhi në Tiranë rreth një muaj më parë u shkaktua nga mosmarrëveshjet që lindën brenda kabinetit për çështjet buxhetore. Kursimet ishin rekomanduar nga anëtarë të caktuar të këshillit të ministrave dhe, pasi marrëveshja nuk u arrit, qeveria dha dorëheqjen. U formua një ministri e re nën presidencën (drejtimin) e Ahmet Zogut, i cili është edhe President i Republikës. Portofoli i Ministrisë së Brendshme iu besua Abdurrahman Dibrës (mysliman), i ndihmuar nga disa këshilltarë anglezë dhe Iliaz Vrioni (mysliman), që mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Ai shërbeu tre herë si president i këshillit dhe aktualisht shërben si Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Paris.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ministria e financave iu besua z. Alizoti (mysliman) dhe ajo e drejtësisë z. Sifkéri (ortodoks). Nga ministria e vjetër mbetet në detyrë vetëm z. Musa Juka, i cili njëkohësisht drejton ministritë e tregtisë, bujqësisë dhe punëve publike, i ndihmuar nga një këshilltar me kombësi hungareze. Ministria e Luftës është nën urdhrat e kolonel Xhemal Aranitasit (mysliman), i lidhur drejtpërdrejt me zyrën presidenciale të republikës. Ushtria shqiptare ka rreth 9000 burra dhe disa instruktorë italianë janë përgjegjës për stërvitjen ushtarake të tyre (burrave). Oficerët anglezë kujdesen për organizimin e xhandarmërisë. Inspektori i përgjithshëm i trupave shqiptare është Koloneli i Shtabit Mirdashi (Gustav von Myrdacz – Gustav Mirdashi), një ish-kolonel i ushtrisë austriake që pranoi nënshtrimin shqiptar. Për sa i përket shërbimeve postare, telegrafike dhe arsimit publik, ato janë të organizuara në dy drejtori të pavarura dhe nuk formojnë ministri të veçanta. Arsimi publik po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, ka 600 shkolla, dy shkolla të mesme franceze në Korçë dhe Gjirokastër, një shkollë italiane në Vlorë, një shkollë normale në Elbasan dhe një shkollë biznesi (tregtie) në Vlorë. Studimet e larta kryhen gjithashtu në Romë, Vjenë dhe Paris.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në lidhje me marrëdhëniet me Italinë, i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Sofje, zoti Ali Asllani, deklaroi në mënyrën më kategorike se të flitej për një protektorat italian mbi Shqipërinë do të ishte një ofendim vdekjeprurës për nderin kombëtar shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëria e kupton shumë mirë formulën Ballkani i Ballkanasve, dëshiron sinqerisht një Lokarno ballkanike, por gjithashtu e kupton shumë mirë se, pa mbështetjen e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike, dhe veçanërisht Shqipëria, do ta gjenin veten tërësisht të paralizuar në zhvillimin e tyre ekonomik. Shqipëria ka një besim të verbër në Lidhjen e Kombeve dhe nuk dëshiron ta zëvendësojë ndikimin e institucionit të Gjenevës me asnjë faktor tjetër. Nuk mund të bëhet fjalë për një pushtim italian në Shqipëri dhe Ahmet Zogu deklaroi personalisht në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nëpërmjet shtypit se qeveria shqiptare ishte e gatshme të lidhë konventa të ngjashme me atë të Tiranës me çdo shtet tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë janë perfekte.”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT