• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

KISHA KATOLIKE SHQIPTARE ME UDHËHEQJE TË RE

March 8, 2024 by s p

Imzot Gjergj Meta – Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë: Takime me krerët e feve — Të gjithë për të mirën e përbashkët të Shqipërisë! Një mësim dhe shembëll i mirë edhe për politikën shqiptare

Nga Frank Shkreli

Me 20 të muajit shkurt, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore ka zhvulluar punimet Asambleja e përgjithshme e ipeshkvijve të Kishës Katolike të Shqipërisë, për të shqyrtuar veprimtarinë e zakonshme të Kishës vendore dhe asaj universale dhe për të zgjedhur udhëheqjen e re të Kishës Katolike Shqiptare për tre vitet e ardhëshëm, sipas portaleve kishtare.

Njoftohet se zgjedhjet e reja përfunduan përzgjedhjen e Ipeshkvit të Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, detyrë të cilën deri me atë datë e kryente Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodër-Pultit. Përveç kryetarit të konferencës Ipeshkvnore, në udhëheqjen e re të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, është zgjedhur Zëvendës-Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Imzot Giovanni Peragine, Administratori Apostolik i Jugut, është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, gjithashtu me një mandat prej tre vitesh. Në atë takim, të 20 shkurtit që kaloi, ishte tepër domethënse pjesëmarrja në atë asamble e ipeshkvijve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe në Tivar nën Malin e Zi: Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkëv i Prishtinë-Prizrenit dhe Imzot Rrok Gjonlleshajt, Arqipeshkëv i Tivarit. I pranishëm ishte edhe Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik në Shqipëri.

Udhëheqja e re e Kishës Katolike Shqiptare – Në mes Imzot Gjergj Meta – Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore. Imzot Simon Kulli – Ipeshkëv i Sapës, Zv/President i Konferencës Ipeshkvnore dhe Imzot Giovanni Peragine –Administrator Apostolik i Jugut, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore.

Në ditët që pasuan zgjedhjen e tij në krye të Kishës Katolike Shqiptare, si President i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Gjergj Meta, hapi i parë që ndërmori në detyrën e re, ishin takimet me udhëheqsit e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri – një gjest ky shembullor i traditës më të mirë të bashkjetesës, tolerancës dhe vëllazërimit fetar ndër shqiptarët. Sipas të dhënave në portalet përkatëse, Imzot Gjergj Meta zhvilloi takime kortezie me bashkvëllëzrit e tij fetar — me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, me Kryegjyshin e Kryegjyshatës Botërore, Baba Edmond Brahimaj, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos dhe me Kryetarin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ergest Biti. Në rolin e tij si President i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Gjergj Meta është takuar edhe me Sekretarin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Z. Genti Kruja dhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z. Klodian Bulku. Njoftohet se në qëndër të këtyre takimeve të Imzot Gjergj metës me udhëheqsit e tjerë të komuniteteve fetare në Shqipëri, ishin “Marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët të popullit dhe mbarëvajtjen e shoqërisë” ndërsa citohet Imzot Gjergj Meta, të ketë thenë se, “Veprimi i përbashkët mes të gjitha komuniteteve është për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar, është e mira e përbashkët”, ka thënë ai, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.

Është kjo frymë bashkëpunimi — për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit dhe Kombit shqiptar në përgjithësi— që Imzot Gjergj Meta ka kembëngulë edhe më përpara gjatë viteve me mesazhin e fortë të vëllazërimit se, “Nëse është e vërtetë që Evropa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Evropë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendu e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Evropë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!” Imzot Gjergj Meta – I sapo zgjedhur President i ri i Konferencës Ipeshkvnore i Kishës Katolike Shqiptare — Frank Shkreli: O zot, ky është vendi ynë, na ndihmo! | Gazeta Telegraf

Sa për kujtesë të lexuesit, ishte Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvnore e Shqipërisë, që me 15 Nëntor të vitit të kaluar, ka miratuar një deklaratë me shkrim, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit që të shqyrtojnë seriozisht dënimin me ligj të dukurive të “krimit të apologjisë” të komunizmit në Shqipëri, siç e quajnë udhëheqësit e Kishës Katolike në Shqipëri fenomenin e shfaqjeve nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe liderin e saj Enver Hoxhën, në Shqipëri. Besoj se është përgjegjësi fetare, morale dhe shoqërore që edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri të shfaqin gjithashtu shteqësimet e tyre më të thella mbi këto dukuri të krimit të apologjisë, si të papranueshme dhe të dënueshme, në nivelet më të larta qeveritare e shtetërore. Kjo do të ishte një provë e bashkëpunimit të vërtetë midis komuniteteve fetare për të mirën e përbashkët të popullit dhe për mbarëvajtjen e shoqërisë me mbështetjen e të gjitha komuniteteve për një thirrje të tillë — për të kontribuar për pajtim, në të mirë shoqërore të vendit dhe të Kombit, duke kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit dhe ballafaqimin me të kaluarën komuniste në Shqipëri. Në fund të fundit ishin komunitetet fetare në Shqipëri ato që e pësua më keq nga komunizmi. Heshtja ndaj këtij fenomeni nuk u ka hije! Apologjetët e komunizmit nuk duhet të tolerohen më në nivelet më të larta të qeverisë, shtetit dhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me bazë ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Mjaft është Mjaft! Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

“Në një klimë mjaft miqësore, Ipeshkvi Gjergj Meta u prit në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Gjatë takimit dy palësh, Imzot Meta theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët mes të gjitha komuniteteve për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët dhe aplikimi në shoqëri i vlerave fetare duke ruajtur laicitetin, është rruga e duhur për një vend më të mirë,” nënvizoi Imzot Meta.

“Takimi me kreun e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Edmond Brahimaj u zhvillua në një klimë mjaft të këndshme dhe miqësore. Në bisedat e rastit, udhëheqësit përkatës, kujtuan kontributin e shquar që këto dy komunitete kanë dhënë në etapat e ndryshme historike të shtetformimit për vendin tonë. Baba Edmond Brahimaj duke uruar përzemërsisht Imzot Meten për detyrën e re, kujtoi bashkëpunimin e çmueshëm që ka karakterizuar në vite këto dy besime”.

”Imzot Gjergj Meta dhe Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos shprehën vullnetin dhe dëshirën e përbashkët për të çuar më tej dialogun dhe mirëkuptimin midis komuniteteve fetare”.

“Një vizitë kortezie zhvilloi edhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z. Klodian Bulku. Gjatë bisedës me të, Imzot Meta rinovoi gatishmërinë e bashkëpunimit mes Kishës dhe shtetit. Ai gjithashtu duke shprehur vlerësimin maksimal për rolin e shtetit, shprehu domosdoshmërinë e koordinimit të sfidave dhe problematikave mes palëve, të cilat qëndrojnë nën mbikëqyrjen e këtij institucioni”.

*Burimet dhe fotot për këtë reportazh nga portalet: Konferenca Ipeshkvnore e Kishës Katolike Shqiptare, Radio Vatikani dhe Ipeshkvia Rreshën

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike

Biblioteka e Preng Bib Dodës

March 8, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Preng Bib Doda (1860-22 mars 1919) është një nga figurat më interesante të Shqipërisë. Ai është pinjoll i familjes së njohur të Mirditës, derës së Gjonmarkajve, e cila për shekuj me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Sipas të dhënave, Preng Pasha fëmijërinë e kaloi në Stamboll ku u shkollua në një nga institucionet arsimore më të mira të perandorisë. Në vitin 1876, ai u kthye në Mirditë. Angazhimi i tij në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si zëvendës i Hodo Pashë Sokolit, bëri që Porta e Lartë ta internonte në qytetin e Kastamonusë, në Azinë e Vogël. Sipas librit të studiuesit Hamdi Bushati, atje ai thirrej si Ahmet Pasha dhe për disa vite shërbeu edhe si myteveli (kujdestar) i një xhamie. Me ndihmën e Syrja bej Vlorës dhe të konsullatës franceze e cila tregonte një interes të posaçëm, Preng Pasha u lirua nga internimi. Ai shkoi në Liban ku vendosi kontakte me nënpunës dhe diplomatë të njohur. Një nga këto kontakte ishte dhe ai me familjen e pasur të Malhalmëve, e cila kërkoi nga qeveria osmane që ta emëronte në postin e guvernatorit (valiut), ashtu si dikur kishte emëruar Pashko Vasën.

Për disa kohë Preg Pasha shërbeu edhe në Stamboll. Në vitin 1911, ai u zgjodh deputet në Parlamentin Osman. Ndërsa Turhan Pashë Përmeti i caktoi dy herë detyrën e ministrit. Preng Pasha u vra në mars të 1919 nga Çokajt e Bregmatës gjatë një udhëtimi që po bënte me konsullin anglez Eden. Pavarësisht alibisë, arsyeja dhe organizatorët e vërtetë të këtij atentati ishin italianët.

***

Pas tërmetit të vitit 1905, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës, Preng Pasha bleu një shtëpi të vjetër për rikonstruktimin e së cilës ngarkoi arkitektin dhe piktorin e njohur me origjinë nga Preveza, Kol Idromeno. Pjesë e kësaj banese, të fotografuar nga Kel Marubi në vitin 1913, ishte edhe biblioteka. Preng Pasha ishte njohës i disa gjuhëve të huaja (italisht, turqisht, anglisht, frëngjisht) dhe njeri i shkolluar, për të cilin librat ishin pasion i hershëm. Prandaj, biblioteka e tij ishte një nga më të pasurat e qytetit.

***

Sipas një dokumenti arkivor, më 1 gusht 1920 ministri i Arsimit, Sotir Peci i shkruante Ministrisë së Brendshme që të interesohej për fatin e bibliotekës së Preng Pashës nëpërmjet prefekturës së Shkodrës. Ai kishte frikë se kjo bibliotekë me libra të çmueshëm kishte rrezik të binte në duart e personave të papërgjegjshëm. Për ta marrë në mbrojtje, ai sugjeronte gjithashtu që ajo të bëhej pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, e cila sapo ishte themeluar nën varësi të Ministrisë së Arsimit.

Për fatin e mëtejshëm të kësaj biblioteke nuk disponojmë asnjë informacion.

(Në foto kulla e Preng Bib Dodës ku ndodhej edhe biblioteka personale, fotografuar nga Marubi në vitin 1913)

Filed Under: Histori

Pse Pjetër Budi na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist thellësisht kombëtar

March 8, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

“Nëse themi që Budi e parapriu iluminizmin europian, flasim për një element mendimi, nuk nënkuptojmë filozofinë e formalizuar në traktate të shkruara. Pjetër Budi i ngjan më tepër atij njeriu të urtë si Sokrati. Ai tregoi plagët e kombit të tij pa i përzjerë ato me fenë edhe pse ishte një fetar i bindur. Mjerimi dhe padituria, mungesa e shkollave dhe problemi i gjuhës. Kjo ashtë diagnoza që Budi jep për vendin e tij.”

Ai vendos në themel të botëkuptimit të vet rolin e gjuhës në jetën dhe emancipimin e kombit. E çfaqi këtë bindje edhe kur u kërkonte klerikëve të ndihmonin më shumë për të mësuar fëmijët, sidomos në shkrimin e gjuhës amtare. Pohimi i tij mbi Zotin që lyp gjuhën amtare si mjet të komunikimit me besimtarin, përbën një hap të madh në jetën fetare të popullit. Ai do të lutej në gjuhën e vet e jo në latinishten që edhe besimtarët italianë nuk e njihnin. Duke u kërkuar klerikëve që të bënin meshat në shqip, ai i jep liturgjisë së zbatuar një karakter më njerëzor, pikërisht sepse bëhet më e kuptueshme, pra minimizon natyrën dogmatike të saj. Do të jetë ky një parim i madh iluminist që zë fill në Angli kah gjysmës së dytë të shekullit XVII. Budi, pra, duke pёrdorur gjuhёn amtare nё tё gjitha shёrbimet liturgjike, krijon mundёsinё qё ajo tё mos vyshket, por tё pasurohet edhe me pikëpamjen fetare tё jetёs sё njeriut. Gjuha, mjeti universal i marrëveshjes njerëzore, ndriçon edhe tё kuptuarit dhe pёrvetёsimin e dijes. Pёr kёtё arsye, edhe nё kёtё këndvёshtrim ai na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist shumё i hershёm e thellësisht kombëtar.

Photo: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

March 8, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

KU DHEMB DHËMBI VETE GJUHA
(Vepra 10, Onufri 2010, novela “Jesminë”)

E vërteta mund të jetë jo vetëm e hidhur, por edhe e papranueshme. Ca më tepër kur vjen nga jashtë. Mund të shoqërohet edhe me reagim agresiv. Mund të jetë një përvojë vetjake e autorit. “Pesëdheta veta që ushtrojshin tregtinë, hoxha, prifti, njizet a tridhjet nëpunës të vendosun në kazermën e vjetër të ushtrisë, malsorët që zbritshin tue ngrehë lope, dele, dhi e mushq të ngarkuem te një grumbull banesash që e qujshin pazar” a përbëjnë një qytet?
Mësuesi i ri që po hante bukë në kafe, i pyetur në praninë e “njerzve mâ të dalluem t’atij vendi”, për herë të parë tha se nuk meritonte të quhej qytet. Reagimi i vendasve – izolim i plotë. Herën e dytë, si njeri me personalitet përsëriti se nuk mund të quhet qytet kurrën e kurrës sepse kishte “mâ shumë gjela se sahata.” (f.24)
Përballë banesës ku është strehuar mësuesi ndodhet një shtëpi dykatëshe, me ballkon, rrethuar me lule dhe një oborr plot me zgjoje bletësh. Soditja e mësuesit tërheq vëmendjen e bletërritësit, por është Jesmina 12-vjeçare ajo që bën prezantimin e mësuesit. Në çdo rast tjetër kaq do të mjaftonte që prindi ta ftonte mësuesin në shtëpi, por kjo s’ndodhi. Dhe nuk është vetëm reaksioni i banorëve ndaj deklaratës së mësuesit, por edhe fakti që përtej perdeve të ballkonin fshihet një grua e bukur që bletërritësi e ka robëruar me xhelozi, Mësuesi nuk e ka parë atë, por kjo nuk i ndalon banorët të thonë se mësuesi nuk sodit bletët, po gruan e bletarit.
Goditja e madhe për mësuesin vjen nga gruaja ku ishte strehuar: “Të gjithëve na ka gëzue lajmi se ti ke shti lutje me u transferue.” (f.33)
Jo vetëm që mësuesi nuk kishte kërkuar transferim, por kishte punuar me korrektesë për shkak të reagimit negative të vendasve. Të tjerë kishin kërkuar largimin e tij duke e vënë para faktit. Nuk arrin as të sigurojë vajtjen e Jesminës në darkën e fundit para largimit.
Këto janë plintat mbi të cilat ngrihet tregimi, po raporti i nëpunësit me vendbanimin ku shërben është universal. Në Shqipërinë socialiste ky raport ishte ngurtësuar në slloganin “të punojmë atje ku ka nevojë atdheu”, madje edhe kërkesat për vazhdimin e shkollës së lartë orientoheshin drejt përfshirjen së saj në pjesën përmbyllëse. Për mua atdheu pati nevojë të punoja 13 vjet larg vendlindjes duke shkuar nga një faqe mali te tjetra. Të tjerë e shikonin fshatin nga dritaret e autobuzit ose trenit. Kushtet e fjetjes dhe cilësia e ushqimit ishin në skajet e së keqes, por, po të guxoje e të flisje hapur si mësuesi i Camajt, jo vetëm mund të humbisje të drejtën e ushtrimit të profesionit, por mund të përfundoje edhe në Spaç.
Nuk dimë se ç’ndodhi me mësuesin “e dëbuar”, por vetëm fakti i një transferimi të pakonsultuar, shkakton një lëndim aq të madh sa autori i rikthehet edhe një herë kësaj ndodhie duke e zgjeruar si novelë dhe duke vendosur në titull vogëlushen e pafajshme. Novela nuk sjell të reja në subjektin që lidhet me mësuesin dhe shkollën, përveç kujtimeve të fëmijërisë. Nuk ka as vazhdimësi përtej transferimit përveç një kërshërie ndaj gruas së bukur që mbetet vetëm si hije përtej perdeve.
Në këto vite të tranzicionit ka një ndryshim rrënjësor në raportin nëpunës – vendi i punës, me një rrjedhje të frikshme të krahut të punës dhe forcave intelektuale jashtë Shqipërisë. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është fanatizmi me të cilin vendasit mbrojnë identitetin e kërcënuar nga ardhacakët, mbrojnë provincializmin e tyre me një reaksion shpërfillës ndaj përparimit.

URIMET DHE MALLKIMET NË GJININË DRAMATIKE
(Vepra 10, Onufri 2010,
dramat “Loja e mbasdrekës” dhe “Kandili argjandit”)

Pas pesë muajsh erdhi dita të ndahem me Veprën e Martin Camajt me keqardhjen e dyfishtë: Privimi i autorit nga kontakti me lexuesin shqiptar në kohë reale; pamundësia për ta parë në skenë ndonjërën nga dramat që përmbyllin kolanën. Drama “Loja e mbasdrekës” (f.135), sjell një ballafaqim të ligjit me kanunin duke skalitur figurën e Zekës dhe të mjekut, dy dëshmitarët e vetëm të një ngjarjeje të ndodhur gjysmë shekulli më parë dhe me një zgjidhje befasuese. Drama “Kandili argjandit” (f.243), vënë në skenë nga teatri “Migjeni” 8 vjet më parë trajton goditjen rrënuese të klasës së tregëtarëve duke ua mbledhur floririn.
Për vetë natyrën e gjinisë dramatike, shkalla emocionale e ballafaqimit mes karaktereve është e lartë, prandaj kam veçuar dy grupe për ta ilustruar.
Në grupin e parë janë shtatë raste urimesh që realizohet me folje të mënyrës dëshirore, shoqëruar me trajta të shkurtra të përemrave vetorë. Në pikësim bie në sy përdorimi i rregullt i pikëçuditjes.
Pastë dritë e diell! (f.149)
Të lumtë! T’u baftë shëndet e jetë! (f.178)
E paçim me jetë! (f.189)
Ashtu, ta lumsha! Kasap, ta bafsha e ta kthefsha! (f.236)
I dhafsha ujë me lugë! (f.283)
Kush e pat e pat dhe tumirë shkosh e udha e mbarë! (f.316)
Lavdi Perëndisë që qenke gjallë e shëndoshë e mirë! (f.335)
Interesant është fakti që ka një balancim mes urimeve dhe mallkimeve. Këtu formave të dëshirores u bashkëngjiten edhe forma të urdhërores. Në të rastet e shprehjes së vullnetit pozitiv apo negative peshën kryesore e mban folja kallëzues, objekti mbi të cilin shkarkohet nuk është domosdoshëm fizikisht, por në çdo rast është i identifikuar për shkak të kontekstit.
E gjoftë rrëfeja,…lëgimi mos t’i ketë lanë as për shej mish, as lëkurë në asht, ardhët njeri i ligjit të huej, e ngrehtë rrëshanë për me e qitë në burgun e zi! (f.143)
Këput qafën andej kah ke ardhë! (f.147)
Iu baftë nyeje në fyt atij e të shoqes! (f.164)
Çdo e ligë e fytyrës sate raftë mbi mue! (f.172)
Paç veten në qafë! (f.215)
Në gjykofsha me të padrejtë, e paça këtë peshë në krah në këtë jetë e në atë jetë! (f.217)
Futa ime e zezë qoftë strehë mbi krena tueja…, le të bjerë mbi krena tueja pështyma e nemës, breshni e mallkimeve ju raftë mbi krena! (f.235)

Filed Under: LETERSI

Nikki Haley pezullon fushatën e saj dhe e lë Donald Trump si kandidatin e fundit kryesor republikan

March 7, 2024 by s p

Rafael Floqi/

NJU JORK (AP) – Nikki Haley pezulloi fushatën e saj presidenciale të mërkurën pasi u mposht plotësisht në të gjithë vendin të martën Super, duke e lënë Donald Trumpin si kandidatin e fundit kryesor të mbetur për nominimin republikan në 2024.

Haley nuk e mbështeti ish-presidentin në një fjalim në Charleston, Karolina e Jugut. Në vend të kësaj, ajo e inkurajoi atë të fitonte mbështetjen e koalicionit të republikanëve të moderuar dhe votuesve të pavarur që e mbështetën atë.

“Tani i takon Donald Trump-it të fitojë votat e atyre në partinë tonë dhe përtej saj që nuk e mbështetën atë. Dhe shpresoj që ai ta bëjë këtë”, tha ajo. “Në rastin më të mirë, politika ka të bëjë me sjelljen e njerëzve në kauzën tuaj, jo t’i largoni ata. Dhe kauza jonë konservatore ka shumë nevojë për më shumë njerëz.”

Haley, një ish-guvernatore i Karolinës së Jugut dhe ish-ambasadore e OKB-së, ishte rivalja e parë e rëndësishme e Trump kur u hodh në garë në shkurt 2023. Ajo e kaloi fazën e fundit të fushatës së saj duke paralajmëruar në mënyrë agresive republikanët kundër përqafimit të Trumpit, për të cilin ajo argumentoi se ishte shumë i konsumuar nga kaos dhe ankesa personale për të mposhtur presidentin Joe Biden në zgjedhjet e përgjithshme.

Largimi i saj e lë Trump të përqendrohet vetëm në revanshin e tij të mundshëm në nëntor me Biden. Ish-presidenti është në rrugën e duhur për të arritur 1215 delegatët e nevojshëm për të siguruar nominimin republikan më vonë këtë muaj.

Humbja e Haley-t shënon një goditje të dhimbshme, nëse është e parashikueshme, për ata votues, donatorë dhe zyrtarë të Partisë Republikane që kundërshtuan Trumpin dhe politikën e tij të zjarrtë të politikës “Make America Great Again”. Ajo ishte veçanërisht e popullarizuar në mesin e votuesve të moderuar dhe të arsimuar në kolegj, zona që ka të ngjarë të luajnë një rol kryesor në zgjedhjet e përgjithshme. Është e paqartë nëse Trump, i cili kohët e fundit deklaroi se donatorët e Haley-t do të ndaloheshin përgjithmonë nga lëvizja e tij, mund të bashkojë përfundimisht një parti thellësisht të ndarë.

Trump të martën mbrëma deklaroi se GOP ishte i bashkuar pas tij, por në një deklaratë pak më pas, zëdhënësja e Haley Olivia Perez-Cubas tha: “Uniteti nuk arrihet thjesht duke pretenduar, “Ne jemi të bashkuar”.

“Sot, shtet pas shteti, mbetet një bllok i madh votuesish primar republikanë që po shprehin shqetësime të thella për Donald Trump”, tha Perez-Cubas. “Ky nuk është uniteti që i duhet partisë sonë për sukses. Adresimi i shqetësimeve të atyre votuesve do ta bëjë më të mirë Partinë Republikane dhe Amerikën.”

Haley e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të shërbejë si zëvendëspresidente e Trump ose të kandidojë me një biletë të palës së tretë të rregulluar nga grupi No Labels. Ajo largohet nga gara me një profil të lartë kombëtar që mund ta ndihmojë atë në një kandidim presidencial të ardhshëm.

Duke qëndruar në fushatë, Haley tërhoqi mjaftueshëm mbështetje nga periferitë dhe votuesit e arsimuar në kolegj për të nxjerrë në pah dobësitë e dukshme të Trump me ato grupe.

Në sondazhet e AP VoteCast të kryera midis votuesve republikanë në Iowa, New Hampshire dhe Karolinën e Jugut, midis 61% dhe 76% e mbështetësve të Haley thanë se do të ishin aq të pakënaqur nëse Trump do të bëhej kandidati i GOP, saqë nuk do ta votonin për të në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Votuesit në garat e hershme republikane kokë më kokë, të cilët thanë se nuk do të votonin për Trumpin në vjeshtë, përfaqësonin një segment të vogël, por domethënës të elektoratit: 2 në 10 votues të Iowa-s, një e treta e votuesve të New Hampshire dhe një- e katërta e votuesve të Karolinës së Jugut.

Haley largohet nga gara presidenciale e 2024-ës duke bërë histori si gruaja e parë që fitoi një garë paraprake republikane. Ajo mundi Trump në Distriktin e Kolumbisë të dielën dhe në Vermont të martën.

Ajo kishte këmbëngulur se do të qëndronte në garë deri të Super Martën dhe kaloi vendin duke bërë fushatë në shtetet që mbanin gara republikane. Në fund të fundit, ajo nuk ishte në gjendje ta rrëzonte Trumpin nga rruga e tij rrëshqitëse drejt një nominimi të tretë radhazi.

Aleatët e Haley-t vënë në dukje se ajo tejkaloi shumicën e pritshmërive të botës politike duke e arritur atë aq sa ajo mundi.

Ajo fillimisht kishte përjashtuar mundësinë e konkurrimit kundër Trump në vitin 2024. Por ajo ndryshoi mendje dhe përfundoi duke nisur ofertën e saj tre muaj pasi ai e bëri këtë, duke përmendur ndër të tjera problemet ekonomike të vendit dhe nevojën për “ndryshim brezash”. Haley, 52 vjeç, më vonë bëri thirrje për teste kompetencash për politikanët mbi moshën 75-vjeçare – një goditje si për Trump, i cili është 77 vjeç, ashtu edhe për Biden, i cili është 81 vjeç.

Kandidatura e saj ishte e ngadaltë për të tërhequr donatorë dhe mbështetje, por në fund ajo ia kaloi të gjithë rivalëve të tjerë të GOP, duke përfshirë guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, ish-zëvendëspresidentin Mike Pence dhe senatorin Tim Scott, shokun e saj nga Karolina e Jugut të cilin e emëroi në Senat në 2012. Dhe paratë rrodhën deri në fund. Fushata e saj tha se mblodhi më shumë se 12 milionë dollarë vetëm në shkurt.

Ajo fitoi popullaritet me shumë donatorë republikanë, votues të pavarur dhe të ashtuquajturën turmë “Kurrë Trump”, edhe pse ajo kritikon i cilësoi çështjet penale kundër tij si të motivuara politikisht dhe u zotua se, nëse presidente, ajo do ta falte atë nëse ai do të dënohej në gjykatën federale.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT