• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

PUBLIKOHET PËR HERË TË PARË DOSJA SEKRETE E PERANDORISË BRITANIKE PËR ISMAIL QEMALIN

March 6, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*/

Në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit dhe në prag të 124-vjetorit të arratisjes së tij të bujshme të nga Kostandinopoja, po sjellim për herë të parë për publikun dosjen e klasifikuar të arkivit të Perandorisë Britanike për këtë ngjarje. Pas shpalljes së pavarësisë së Indisë ky fashikull ruhet në Arkivën Kombëtare të Indisë, në fondin arkivor që i përket ministrisë së Jashtme të Perandorisë Britanike. Për ndihmesën në zbulimin e këtij fashikulli me shumë vlera, falënderojmë posaçërisht stërnipin e Ismail Qemalit, z. Darling Vlora. Dosja mban titullin: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”.

Ngjarjet e përshkruara në këtë fashikull diplomatik zhvillohen para 124 vitesh, konkretisht në fundin e prillit dhe fillimin e majit të vitit 1900. Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente dhe shënime të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury, tre herë kryministër i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 1885-1902). Pjesë e dosjes janë edhe dy memorandume, që mbajnë datat 25 janar 1898 dhe 1 maj 1900, të diplomatit britanik Adam Block, i cili shërbente në ambasadën britanike në Kostandinopojë.

Në memorandumin e detajuar të hartuar nga dragomani i parë z. Adam Block, më 1 maj 1900, ndër të tjera zbërdhehet edhe komploti i përgatitur nga sulltani për vrasjen e Ismail Qemalit, me të mbërritur në Tripoli. Memorandumi nënvizon faktin që Ismail Qemalit iu mohua kërkesa për të marr me vete djalin dhe bashkëpatriotët e tij shqiptarë. Aty përshkruhen me saktësi të gjitha zhvillimet që i paraprin vendimit të Ismail Qemalit për t’u arratisur, pas vendimit të sulltanit për t’a syrgjynosur. Ndër të tjera, diplomati britanik i vë në dukje Ismail Qemalit pasojat e këtij vendimi dhe rrezikun që ai do të mbetej pa asnjë pozitë dhe pa asnjë mjet jetese. Por Ismail Qemali ishte i vendosur në qëndrimin e tij për t’u larguar nga Kostandinopoja…

Ndërkohë ambasadori Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar kryeministrit britanik, thekson faktin që “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.

Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.

Deri më tani ne kemi pasur në dorë dëshmi të disa protagonistëve të kësaj ngjarje, duke filluar me kujtimet e vetë Ismail Qemalit ose ato të ish-ambasadorit britanik Sir Maurice de Bunsen apo artikuj të shumtë të shtypit ndërkombëtar të kohës, që e kanë pasqyruar këtë ngjarje të rëndësishme për skenën politike otomane, evropiane dhe botërore të kohës. Ndërkohë tashmë për herë të parë, ne kemi në duar dokumentet zyrtare të ministrisë së Jashtme britanike, që e përshkruajnë ngjarjen në mënyrë më të plotë. Përveç shumë detajeve të panjohura më parë, këto dokumente konfirmojnë sërish vërtetësinë e pasqyrimit që i ka bërë kësaj ngjarje qofë vetë Ismail Qemali, qoftë Sir Maurice de Bunsen, por qoftë edhe shtypi ndërkombëtar.

Ambasada britanike në Kostandinopojë luajti një rol kyç në suksesin e arratisjes së Ismail Qemalit. Pavarësisht se siç theksohet qartazi në këto dokumente diplomatike iniciativën dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi e pati plotësisht Ismail Qemali, i cili shmangu me mjeshtëri policinë dhe spiunët e ngarkuar me mbikëqyrjen e tij, duke kërkuar mbrojtje në bordin e luftanijes së Madhërisë së Saj. Një nga ligjet e pashkruara të pushtetit është mbajtja e nismës dhe Ismail Qemali diti që t’a zbatonte me sukses këtë aksiomë.

Më 1 maj 1900, në moshën 56-vjeçare dhe pas një karriere 40 vjeçare, e cila preku majat më të larta të shërbimit publik, Ismail Qemali, së bashku me tre djemtë, u arratis nga Perandoria Osmane. Arratisja e tij e shqetësoi shumë Portën e Lartë jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ai kishte si udhëheqës i kauzës kombëtare shqiptare, por edhe për shkak të staturës së tij si modeli më i mirë i shërbyesit publik në perandori. Këtu e ka zanafillën një faqe tjetër e jetës dhe e veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e cila do ta shndërronte atë në simbolin e ndritur të patriotizmit shqiptar. Kjo fazë është e mbushur me shumë dallgë të mëdha dhe sakrifica personale për hir të së mirës së kombit. Në fund ajo do të rezultonte vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për trashëgiminë e lidershipit të Ismail Qemalit.

Pas mbërritjes në Pire, Ismail Qemali këmbeu vizita me kryetarin e Këshillit të Ministrave, z. Georgios Theotokis, kurse ditën e tretë u prit në audiencë me përzemërsi dhe dashamirësi të madhe nga Mbreti Gjergji I. Disa ditë pas mbërritjes së tij në Greqi, sulltani vijoi përpjekjet për t’i mbushur mendjen Ismail Qemalit, që të kthehej duke i ofruar postin e ambasadorit dhe ministrit.

Pas gjithë këtyre lutjeve, ai krijoi bindjen se sulltani e donte me gjithë mend që ta kishte në shërbimin e tij shtetëror. Por nuk ishte as dyshimi, as mosbesimi që e bënte Ismail Qemalin të mos tundej nga vendimi i tij. Përvoja vetjake e viteve të fundit, si dhe ato çka i kishte thënë vetë sulltani me gojën e tij, i kishin krijuar atij bindjen se njeriu mund të siguronte gjithçka prej këtij sovrani për karrierë personale e përfitime të tjera, por absolutisht asgjë për të mirën e vendit. Ismail Qemali ishte i vetëdijshëm që mund të arrinte majat e pushtetit në Perandori, mirëpo, meqë sulltani nuk i pranonte bashkë konceptin e besnikërisë dhe ndershmërisë, sa më shumë që ai të ngrihej në karrierë, aq më pak fuqi do të kishte për të përmbushur detyrën e tij dhe për të punuar për të mirën e përgjithshme.

Duke filluar që nga vitet ‘890, me mbështetjen e ambasadorit britanik të kohës në Kostandinopojë Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën politike me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar). Gazeta promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese. Por, pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll.

Në vitin 1895 dhe 1897, Ismail Qemali i shkroi sulltanit dy memorandume për reformat në perandori. Memorandumi i vitit 1897, ishte në formën e një letre të hapur. Ai do të shënonte thirrjen e tij të fundit ndaj sulltanit për të ndërmarr reforma dhe për të rikthyer regjimin konstitucional.

Ndër të tjera Ismail Qemali i shkruan sulltanit një këshillë universale udhëheqje: “Paardhësit e mëdhenj të madhërisë suaj gjithmonë vinin në poste drejtuese burrat më të zotë të kohës, që ishin pajisur me kulturë të gjerë e me aftësi të mëdha natyrore. Për të zbuluar një të vërtetë të çfarëdoshme, për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e secilit dhe madje për të zhdukur tendencat individualiste që lindnin nga pozita e lartë drejtuese, ata përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve e të opinioneve të njerëzve. Çdo veprim e çdo masë me karakter shtetëror që ndërmerrnin e përputhnin me kërkesat e kohës…Sot si tregues i meritave të njerëzve është injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësitë mendore dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh.”. Por duket se kjo është një sëmundje e përbashkët e mendjeve të vogla e tinzare, të cilat preferojnë afër vetes më tepër se gjithçka tjetër mediokritetin…

Reagimi i sulltanit ndaj Ismail Qemalit ishte i pritshëm. Siç dokumentohet edhe nga memorandumi i diplomatit Adam Block, pjesë e kësaj dosje, që mban datën 25 janar 1898, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia Otomane, sulltan Abyl Hamidi II, i dha urdhër kryetarit të Gjykatës Ushtarake të Jashtëzakonshme për t’a gjykuar dhe dënuar Ismail Qemalin. Por sulltani u përmbajt më pas nga ky vendim, vetëm për shkak se Ismail Qemali gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe. Më 25 janar 1898, dy vjet para arratisjes së tij, në ambasadën britanike në Kostandinopojë u hartua një proces-verbal, nën udhëzimin e ambasadorit të kohës Lordit Currie. Sipas tij britanikët zotoheshin që t’i jepnin mbrojtje Ismail Qemalit nëse atij do t’i kërcënohej jeta.

Megjithatë, në vitin 1900, sulltani vendosi përfundimisht dëbimin e Ismail Qemalit, duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit, në Afrikë. Ky vendim i sulltan Abdyl Hamitit II, po komentohej në Kostandinopojë, si edhe nga shtypi evropian si një syrgjynosje e tij. Ismail Qemali pasi u emëru guvernator (vali) i Tripolit, e pranoi parimisht pozicionin ndërkohë që filloi përgatitjen për arratisjen e tij. Një shprehje e vjetër thotë se: “Në diktaturë njerëzit votojnë me këmbë”.

Me largimin e tij nga Perandoria Otomane, Ismail Qemali dëshironte t’i jepte një mesazh të qartë sulltanit, i cili po e keqqevriste vendin me politikat e tij të jashtme dhe të brendshme. Pas arratisjes së Ismail Qemalit dhe si pasojë e veprimtarisë politike të tij, në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale në Kostandinopojë e dënoi atë me vdekje në mungesë, si edhe me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për: “Orvatje për të nxitur popullin kundër qeverisë dhe sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”.

Ismail Qemalit do t’i duhej të priste edhe 8 vite derisa sulltani të vetëndërgjegjësohej që pushtetit të tij absolut po i vinte fundi. Ai ndodhej në Paris, kur në orën një të natës, më 22 korrik 1908, i ngarkuari me punë i Turqisë, e zgjoi për t’i lexuar një telegram të ardhur nga sulltani, ku ai kërkonte këshillën e tij se ç’ishte më e mira që mund të bënte në atë çast kritik. Momenti kritik kishte ardhur si pasojë e masakrave që kishin ndodhur dhe e vendimit të Europës për organizimin e Maqedonisë, çka shqiptarëve u dukej se vinte në rrezik unitetin e tyre kombëtar. Mijëra shqiptarë të armatosur ishin mbledhur në Kuvendin e Ferizajt më 15 korrik 1908. Ata i dërguan sulltanit telegramin e famshëm, i cili e shkundi sulltanin. Në telegram thuhej se nëse nuk shpallet Kushtetuta e vitit 1876, 50 mijë shqiptarë do të marshonin drejt Kostandinopojës.

Ndërkohë, Ismail Qemali i dorëzoi të dërguarit të sulltanit përgjigjen e tij, ku e këshillonte të mos vonohej asnjë çast por të shpallte zbatimin e Kushtetutës të vitit 1876, si të vetmen masë të dobishme dhe si e vetmja garanci për popujt e Perandorisë. Sulltani e shpalli Kushtetutën. Ismail Qemali i dërgoi sulltanit po nëpërmjet të njëjtave kanale komunikimi një raport ku i parashtronte planin e tij. Njëkohësisht ai e paralajmëronte për mendësinë dhe moralshmërinë e xhonturqve dhe vijën e tyre politike…

Për liderin është domosdoshme aftësia për të menduar në mënyrë analitike dhe kreative. Dhe në përgjithësi liderët që lënë gjurmë kanë një shpirt rebel, sepse konformizmi ia merr frymën lirisë. Në dinastinë shqiptare Vlora dhe në Labëri, kjo mendësi ishte trashëguar ndër breza. Ata ndër shekuj kishin treguar se nuk ju mungonte kuraja dhe forca që të përballeshin me pushtetin absolut sulltanor, kur gjërat nuk ishin duke ecur në rrugë të mbarë.

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit

Filed Under: Histori

The International Women’s and Teacher’s Day

March 6, 2024 by s p

AAWO “Motrat Qiriazi”/

The International Women’s and Teacher’s Day is a perfect opportunity to support and recognize the achievements of two amazing advocates of our community. Together with AAWO let’s celebrate Hon. Edit Shkreli, as Woman of the Year and Leda Cimo Andersen, as Teacher of the Year.

Filed Under: Kronike

“VATRA” e Bostonit dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizon prezantimin e Librit “Fan Noli – Apostulli”

March 6, 2024 by s p

“VATRA” e Bostonit, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizon prezantimin e Librit “Fan Noli – Apostulli” të gazetarit Ilir Ikonomi, me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit!

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar, të bashkohet rreth VATRES në Harvard, për të kujtuar njeriun e madh të kombit shqiptar!

Më 16 Mars 2024 (e shtunë) nga ora 12:00 deri në 2:00pm, në një nga sallat e Universitetit të Harvardit në Boston!

Adresa: Boylston Hall 103 Harvard Yard Cambridge MA 02138 Për detajet shikojeni ftesën, ku do të ketë edhe libra në gjendje!

Filed Under: Vatra

Pjetër Bogdani, prijësi politik, ushtarak, religjioz e kulturor

March 6, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Nga altari ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu desh të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman që dvarte gjuhë e kulturë. Nga relacionet e Bogdanit me vlera historiografike e letrare, kuptojmë se bredhja ishte fati i tij. Ai vazhdimisht bridhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte pa dija. Në parathënien “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin, dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve. Ai ishte në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi.Ndaj, Bogdani i bindur në nevojën që të kultivonte bukurinë e giuhës u rrek të shkruante një vepër për Arbërinë e tij dhe kulturën tonë, një vepër që do të mbetet përmendore e lartësuar deri në piedestalin më të lartë të kulturën shqipe. Luigj Marlekajt, njohës i shkëlqyer i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”, tregon se Bogdani me guximin e pashoq, u bë ai qe nuk len këtë vend të bahet turk, siç thoshin sundimtarët osmanë Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh; e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum” mbetet Çeta e kulturës shqiptare, që marshon vetëdijshëm gjer në kohën tonë.

Bogdani ishte një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.

“Çeta e profeteve” është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Edhe legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide,mendim, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj, që s’kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal. Në këtë kuptim, ajo çka shkroi Bogdani nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare, as për mësimin e fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit. Ajo është një trajtesë teologjiko-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike që përshkrohet fund e krye nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e kulturës shqiptare dhe nga urrejtja për pushtuesin.

Vepra përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen probleme teologjike e filozofike të doktrinës së krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi i Krishtit. Po autori del jashtë ketyre caqeve. Në pjesën e parë trajtohen edhe shumë probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës etj, por edhe të shkencave shoqërore si të teorisë së letërsisë etj. Duke goditur besimet e kota, ai në veprën e tij shpjegon, psh., si formohet shiu, vesa, breshri, bora, vetëtima etj., ç’janë tërmeti, eklipset e diellit e të hënës, baticat e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet shqisave etj. Meritë e tij është se gjithçka e trajton në nivelin e mendimit më të përparuar të kohës kur jetoi. Në pjesën e dytë, duke përshkruar jetën e Krishtit, ai solli në letërsinë tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike, duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin artistik në njerëz të ndryshëm. Ndihmesa e tij është e rëndësishme sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare. Me interes të veçantë janë idetë e tij patriotike që parashtrohen jo vetëm në parathënien e veprës, por edhe gjatë shtjellimit të saj. Sa herë i bëhet e mundshme, ai gjen rast të përmendë qëndresën burrërore të shqiptarëve. Me admirim flet p.sh. për qëndresën e kelmendasve, kur në “Parathënien” e “Çetës…” rrëfen: Kush mundet me i ra mboh se ma i vobekje Vuca Pasha, i silli për të mbledhë një ushtri 12.000 vetësh, nuk i mjaftuan shumë milion ar, se kelmendasit tanë, të sijtë, me nji zan. “Eja kush ashtë trim„ mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuca Pashën, vjetit të Krishtit 1639. Bogdani e njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe shkrimet për të, prandaj kur i vjen rasti, ai përmend me krenari vlerësimet pozitive që kanë bërë historianë të huaj për vendin dhe popullin tonë. Për këtë arsye përmend thënien e Herodotit: “Çezar Augusti dëshironte fort me pasun ndë ushtritë tinë t’arbëreshëtë. Përse thonj pësonjënë shumë e nuk druhen për hu e për het, se janë më zemërorë se të tjerëtë”.

Karakteristikë tjetër e personalitetit të Bogdanit është mendimi i tij iluminist. Nëpërmjet përhapjes në popull të dijes dhe kulturës në gjuhën shqipe, ai shikonte një nga rrugët për të shpëtuar nga zgjedha e huaj. Paditurinë (në parathënien e veprës së vet) ai e quan një nga shkaqet kryesore të mjerimit dhe të skllavërisë së popullit.

“Prashtu dergjet e dheu ndë robi t’errëtë e verbuem me dy palë niegulla të zeza mbi faqe, që janë mkati i të paditunitë, perse u dvua dieja e urteja. E tue kjanë dheu i Arbënit ndë mjedistë t’pafevet”.

Lënda që trajton Bogdani në veprën e tij, është e vështirë, sepse përmban koncepte e nocione abstrakte të fushave të ndryshme të dijes. Mendimit shqiptar në atë kohë i mungonte tradita për të shprehur këto nocione. Por Bogdani asnjëherë nuk u përkul e nuk u ligështua para vështirësive, sepse kishte besim tek thesari i pasur i gjuhës shqipe. Me përpjekje këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes fjalë të lashta e të rralla nga visari i gjuhës popullore e duke i përdorur ato me kuptim të drejtpërdrejtë ose të figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, tregoi aftësitë e saj për të fituar mundësi të larta shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm se në këtë punë mund të ketë edhe të meta e mangësi, prandaj ne fjalët e fundit të parathënies së veprës ai i drejtohet lexuesit: “Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë…”

Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga mendimtarët më të përndritur të stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII.Janë mijëra e mijëra faqe që përbëjnë eposin bogdanian. Aty ka të dhëna për historinë, kozmologjinë, teologjinë, poezinë, stilistikën, teorinë e metaforave dhe të interpretimeve tekstologjike, gjeografinë dhe antropologjinë.

“Ai është krijuesi i ciklit unikal të quajtur “Cikli i Sibilave”, që përmban profecitë e vajzave pagane të njohura si parathënëse të ardhjes dhe triumfit të Mesisë, d.m.th. Krishtit. Ky cikël është një unitet më vete dhe në llojin e vet për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e mendimit mund të hyjë te ciklet më të mëdha të krejt traditës evropiane baroke të shekullit XVII”. (184) Le të marrim një shëmbull, për ilustrim, nga “Sibila e Persisë”:

“Kumbon zani malsh e keletth ndë shkretëti,

Xihariq me dhan’e u e të dërejtë,

Shekullit me çelë, e fajevet për mengji,

Pagëzimnë predikon mbë ketë jetë,

Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,

Ndë parrijsit vendtë gjanjë si do vetë,

Tue trusun’ kryetë asaj bishe,

Mirë tu bam, e shpesh tu votë n’kishe.”

Siç shkruan edhe Robert Elsie, mes shkrimtarëve të hershëm, Bogdanin e dallon shqipja e veçantë. Ai shfaq një interesim të vetëdijshëm për fjalët e vjetrra të harruara si dhe një leksik shumë të pasur, të cilin e përdori me mjeshtërri për të shprehur nocione të reja abstrakte. Edhe evoluimi i kësaj shprehije gjuhe, arriti një lloj sigurie dhe zhdërvjelltësie të atillë që nuk mundën të shfaqeshin, deri diku dhe 50 vjet më parë, kur Frang Bardhi pat hasur shumë vështirësi të dukshme për të shprehur nocione abstrakte të këtij lloji. Si përfundim i këtij evoluimi, mund të themi se në veprën e Bogdanit, si një vepër e humanizmit në një epokë të stilit barok, shqipja arriti për herë të partë nivelin e shpies letrare.

Nga ana tjetër, është proverbial edhe koloriti kombëtar që Bogdani i jep gjuhës, mendimit dhe artit të tij, por nuk mund të themi se është i rastësishëm. Duket sikur në të gurgullon i gjithë shpirti i kombit, i shqiptarisë, pasi duke i studiuar veprën, pastaj relacionet dhe letrat, kuptojmë se frymëzimi i jetës dhe shumë simbole të përdorur janë nga trevat kosovare. Pashtriku, “Mal Prisrend mai nalti”, i tij në aspektin letrar, me të drejtë është krahasuar me Olimpin e amshuar, ku i kanë njomë buzët Homeri dhe Virgjili, Ndre Mjedja dhe Asdreni me shokë, kurse Sibila Delfica, kryesorja dhe më e madhja prej të gjithave në gravurën e librit, një sibilë që në një mënyrë unikale bashkon horizontin e lindjes me të perëndimit, në veprën e Bogdanit, quhet edhe Hasjana. Afër saj gjindet Prizrensja, (Cumea), Shkupjanja, (Frigia), Shkodranja (Libica), etj. Mirëpo, vetëm Hasjana e mban librin në dorë, në të cilin shkruan: Këndoj Birr’e madh mbi Qiellt të Lumit Atë.

Në një letër, të dërguar nga Padova, më 16 nëntor 1685, që është edhe viti i botimit të veprës së tij, P. Bogdani, ndërmjet të tjerash shkruan: “Le sibile ho volute farle far vestite alla albanese e serviane per dare in humore povera gente e consolare al maglio che ho potuto”. (Sibilat, kam dashur t’i punoj të veshura, sipas veshjes shqiptare dhe serbe, për t’iu dhënë një ngjyrë të atij populli të varfër dhe për ta ngushëlluar aq sa kam pasur mundësi). Kjo gravurë e librit të tij “Çeta e Profetëve”, bashkë me tri gravurat e tjera, që është një cilësi e pamohueshme e veprës, tregon për gërshetimin artistik të idealeve të mëdha, që gjërat e panjohura të vendit të tij t’i paraqesë para botës, pothuajse në të gjitha artet e lira, duke i kaluar kufijtë e botës shqiptare, me shtrirje të hapët tematike e me tehun e vet përparimtar.

Pse ka ndodhur ky ekuacion i çuditshëm? Asnjë dijetar nuk mund ta thotë saktësisht. Pse Pjetër Bogdani i shqiptarizon Sibilat? Të vërtetën e di vetëm ai. Vetëm se ky trill dijetor, është i mrekullueshëm dhe unikal. Askush nuk e ka bërë më parë dhe askush nuk do ta bëjë më pas. Shekuj më vonë vetëm Fan Noli krijoi një cikël gjithashtu unik me motive engjëllore të Testamentit të Ri. Gjithashtu, edhe në letrat e relacionet e Bogdanit ka të dhëna të paçmuara për prirjen ndaj mendimtarëve të mëdhenj të Antikitetit, pa harruar këtu ndikimin e plleshëm të vetë Dantes në strukturat e tij konceptuale të shkrimit.Një rrafsh tjetër shumë i rëndësishëm i Pjetër Bogdanit ka të bëjë me përkthimet e tij nga latinishtja dhe italishtja apo nga greqishtja e vjetër. Kështu, ai përkthen vargje nga Homeri, nga Virgjili, Juvenali, madje edhe nga dijetarë të mëdhenj të kishës në Mesjetën e hershme..

Ekziston edhe një element i vënë re shumë pak nga studiuesit, që ka të bëjë me citimet e tij në gjuhët hebraike, siriake si dhe arabe. “Pjetër Bogdani ka njohur një numër të madh gjuhësh të gjalla dhe të vdekura. Ajo që të çudit është se ai citon në gjuhën arabe, një pjesë nga libri i Danielit, nga Testamenti i Vjetër, kapitulli IX. Përse e ka bërë këtë gjë Bogdani? Përse në librin e Bogdanit, janë gjuhët kryesore të Perëndimit, por nuk janë harruar edhe gjuhët kryesore të Lindjes? Ndoshta pse ai i përket racës titane të poligrafëve të Rilindjes Evropiane. Ai ka dashur që libri i tij të bjerë në duart e lexuesve të planetit dhe secili diturak, të gjejë diçka për të lexuar. A nuk është kjo një ambicie e hatashme dhe një largpamësi gati e pamundur?!” (185) “Ende nuk është shkruar historia e artit dhe stilit barok në Shqipëri, por mund të thuhet se stili barok, shkëlqen me Pjetër Budin, por arrin kulmin e tij zenitor me Pjetër Bogdanin”. (186)

Filed Under: Kulture

Politika e vjetër dhe pritshmëritë e brezit të ri

March 6, 2024 by s p

Prof.Afrim Krasniqi/

Një javë intensive – nga tryeza me politikanë moderatorë e diplomatë që duan të nxisin pjesëmarrjen / progresin me mesazhin e nevojës jetike dhe emergjente për rikthimin në normalitet të jetës parlamentare, dialog politik, zgjidhje institucionale të konfliktit permanent të luksit midis politikanëve të “piramidave partiake”, si dhe fokusim 100% tek reformat / integrimi, – te reagimi qytetar në emër të shoqërisë civile për reformë reale zgjedhore, dhe te biseda reflektuese me studentët në Korçë, ku kupton më mirë hendekun e thellë midis asaj që politika e vjetër ofron dhe pritshmërive të brezit të ri.

Si studiues i historisë politike, Shqipëria është sa një mjedis frymëzues për testimin e tezave mbi rolin e individit, rolin e turmave, rolin e ndërkombëtare, rolin e elitave të korruptuara dhe natyrën eksperimentale të reformave, ashtu edhe një mjedis plot kontraste që të lejon të kuptosh se krahas alibisë “Shqipëria ka ndryshuar” meriton më tepër vëmendje thënia realiste “jo mjaftueshëm për mua” siç shprehën thuajse unanimisht të rinjtë në takime. Vetëm se brezi i ri duhet ta thonë këtë me zë edhe më të lartë, të bëhen më shumë pjesë aktive e ushtrimit demokratik dhe t’i japin vlerën edhe që meriton votës, integritetit në përfaqësim dhe konceptit të pajetësuar ende “si gjithë Europa” në të gjitha dimensionet e tij.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT