• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Inteligjenti Artificial…

April 22, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi 

Karikatura kortezi AI

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht “yll” i mediave sociale dhe pionier i podcast-ëve politikë, shpalosi një plan të ri për të luftuar korrupsionin: të përfshirë Inteligjencën Artificiale në procesin e prokurimeve publike. Në një mbledhje të quajtur “Tender Talk me Rama”, ai deklaroi se AI do të shndërronte prokurimet në një parajsë të korrupsionit me zero përqind.

“Dhe në këtë proces, po neutralizojmë – s’po them zero, por në një masë të madhe korrupsionin”, tha Rama, duke iu drejtuar dy personazheve të ftuar, Siri dhe Alexa.

Një vështrim sarkastik në inteligjencën artificiale në tendera? Pse jo! Të shohim si mund ta përdorim këtë teknologji për të shndërruar korrupsionin në një rrëfim të bukur fantastik:

Kryeministri Edi Rama shpalli së fundi se do të bënte prokurimet publike të ndjekin urdhërat e një makinës që e di gjithçka: Inteligjencën Artificiale. “Kështu që ju merrni ato kopertina të zezë, korrupsion!”, tha ai me një buzëqeshje të pafund.

Por ndërsa Ramën e akuzojnë se përdor AI si një mbulim për korrupsionin, disa janë skeptikë për këtë idenë. Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se AI mund të jetë si një bojë e freskët, por korrupsioni është një sëmundje kronike e qeverisë. “Këtu problemi nuk është procesi, por përpjekja për të shmangur vjedhjen e fondeve publike”, shton ai.

Në fakt, disa analistë shqiptarë vëzhgojnë se thirrjet për AI mund të jenë vetëm një taktikë e re për të zhdukur fajin. “Edhe pse mund të kemi një makinë të zgjuar, ende duhet një tru njerëzor për ta drejtuar atë”, thotë Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare. “Të paktën derisa të kemi një AI që mund të zbulojë politikanët që korruptojnë, nuk do të ketë ndryshim të madh.”

Ndërkohë, disa prej opozitës shqiptare besojnë se kjo është vetëm një shpikje propagandistike e qeverisë për të fshehur korrupsionin. “Qeveria e ka mjetet dhe informacionin për të zbuluar problemet në tendera publike”, thotë Jorida Tabaku, një deputete opozitare, duke iu referuar raporteve të shumta të shenjave të korrupsionit. “Por ata duan ta marrin një rrugë më të lehtë: të vënë fajin tek robotët.”

Vetë fakti që AI nuk po përdorët për shërbime të tjera por për tendera atu ku luhen paratë. Kur korrupsioni ka mbuluar qeverinë dhe bashkinë dhe kur kryeministri justifikohet se përgjegjësia, është individuale në këtë rast faji do t’i mbete botit dhe përfitimi hajdutit.  

Duke u shfaqur si një zgjidhje e mrekullueshme për një problem të vjetër, AI mund të jetë vetëm një eksperiment i ri i dështuar. Kështu që, ndërsa qeveria shqiptare e rri duke bërë përpjekje për të vënë fajin tek teknologjia, korrupsioni vazhdon të jetë një “aplikacion” i vjetër, i cili nuk do të zgjidhet me një çek elektronik.

Nuk mund të harrojmë dëshirën e Rama-s për të pasur një shoqëri të drejtë, ku çdo tender do të ishte një storie për fëmijë për të ndjekur. Dhe pse jo? Pse të mos jemi optimistë? Siç e ka thënë në një rast Rama: “Çdo projekt që fillon me AI është si një libër i mirë. Kjo është përveç nëse shkruani libra për fëmijë, atëherë ju duhet AI për të siguruar që personazhet e tyre nuk janë pjesë e ndonjë skeme korrupsioni.”

Por ashtu si në çdo këndin tjetër të botës, ka skeptikë. “Kjo është thjesht një shpikje e re për të dëmshme qeverinë”, tha një opozitar. “Korrupsioni nuk do të zhduket duke u lënë në dorë një roboti. Për të rregulluar korrupsionin, kemi nevojë për diçka më të fortë: një aplikacion të ri në celular që mund të bllokojë çdo herë qeveritarët tentojnë të “ndihmojnë” veten me paratë tona.”

Përdorimi i AI në oferta dhe tenderë qeveritarë mund të sjellë disa rreziqe, shkuan vetë Chat GPT. A e di Rama Inteligjenti Artificial këtë:

    Paragjykime dhe drejtësia:  Algoritmet e AI mund të përjetësojnë paragjykimet e pranishme në të dhënat mbi të cilat janë trajnuar, duke çuar në trajtim të padrejtë ose diskriminim ndaj grupeve të caktuara. Kjo mund të rezultojë në vendime të njëanshme në dhënien e tenderëve ose ofertave. Aha?

     Transparenca dhe Përgjegjshmëria: Modelet e AI shpesh funksionojnë si kuti të zeza, duke e bërë të vështirë të kuptosh se si ata arrijnë në vendimet e tyre. Mungesa e transparencës mund të dëmtojë besimin në procesin e tenderimit dhe të ngrejë shqetësime për llogaridhënien. Aha?

     Privatësia dhe siguria e të dhënave: Proceset e tenderimit përfshijnë informacione të ndjeshme dhe përdorimi i AI mund të rrisë rrezikun e shkeljeve të të dhënave ose aksesit të paautorizuar nëse nuk sigurohet siç duhet.Aha?

     Cilësia e vendimeve: Ndërsa AI mund të ndihmojë në analizimin e grupeve të mëdha të të dhënave dhe në bërjen e parashikimeve, vendimet e tij mund të mos jenë gjithmonë në përputhje me gjykimin njerëzor ose të marrin parasysh faktorët kontekstualë. Kjo mund të çojë në vendime jo optimale në përzgjedhjen e ofertave ose ofertave. Aha?

     Varësia nga teknologjia: Mbështetja shumë në AI në procesin e tenderimit mund të çojë në mbështetje të tepërt në teknologji dhe të zvogëlojë mbikëqyrjen njerëzore, duke anashkaluar potencialisht aspektet kritike që kërkojnë gjykim njerëzor. Aha?

     Bllokimi i konkurrencës: Nëse një sistem i caktuar i AI bëhet gjerësisht i miratuar në proceset e tenderimit, ai mund të krijojë një pengesë për shitësit më të vegjël ose hyrjet e reja që mund të mos kenë akses në të njëjtën teknologji, duke reduktuar kështu konkurrencën. Hmmm!?

Për të zbutur këto rreziqe, është thelbësore të zbatohen masa mbrojtëse si testimi rigoroz për paragjykimet, sigurimi i transparencës në proceset e vendimmarrjes së AI, zbatimi i masave të fuqishme të privatësisë së të dhënave, ofrimi i mbikëqyrjes njerëzore dhe promovimi i diversitetit dhe konkurrencës në tregun e shitësve të AI. Paralajmëron një mendje brilante si Elon Musk.

Në vitin 2023, kur ai parashikoi një pistë pesë deri në gjashtë vjet për superinteligjencën, Musk ishte i shqetësuar me zë për pasojat. Duke folur së bashku me lançimin e startup-it të tij të AI, xAI, atë vit, ai tha: “Nëse do të mund të bëja pauzë në AI ose superinteligjencë dixhitale të përparuar me AI, do ta bëja. Nuk duket se kjo është realiste, kështu që xAI në thelb do të ndërtojë një AI. Në një mënyrë të mirë, me shpresë.

“Është e rëndësishme për ne që të shqetësohemi për një të ardhme të Terminator në mënyrë që të shmangim një të ardhme të Terminatorit”, shtoi Musk, duke iu referuar filmit ku një sistem kompjuterik i vetëdijshëm i bën luftë njerëzimit.

Për më tepër, rregullore dhe udhëzime të qarta për përdorimin e AI në tenderim mund të ndihmojnë në adresimin e këtyre shqetësimeve dhe për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie në proces.  Por në cilin siguri kibernetike si e-Albania  që iranianët e thyen mbrojtjen e rrjetit si lojëra kalamajsh. Apo në sistemin Tims që një punonjës e mori në xhep me një USB. 

Gary Kasparov, ish-kampioni botëror i shahut dhe një figurë e shquar në diskutimet e AI ka deklaruar, se “AI nuk do të zëvendësojë avokatët, por avokatët që përdorin AI do të zëvendësojnë ata që nuk e bëjnë atë.”

Ky nënvizon idenë se AI mund të përdoret për të përmirësuar proceset ligjore, duke siguruar pajtueshmëri më të mirë dhe duke minimizuar potencialisht detyrimet ligjore, por AI mund të heqë përgjegjësinë penale individuale, apo jo z. Rama?

Dhe ndërsa diskutimi vazhdon, një gjë është e qartë: 

pavarësisht se si e përshkruani, korrupsioni ( dhe jo lufta kundër tij ) është një histori që ka mbetur gjithmonë në krye të listës së suksesit për qeverinë shqiptare.

Filed Under: Analiza

NJË KONSPEKT I VEPRAVE DRAMATIKE TË FISHTËS

April 22, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Krijues i madh është ai që lë pas vepra të cilat me përmbajtjen, karakteret dhe mesazhet e tyre i qëndrojnë erozionit të kohës. Një prej tyre është At Gjergj Fishta që i ka dhënë kombit veprën monumentale “Lahuta e Malcis”, por që me kulturën dhe talentin e vet mbetet i madh edhe në gjini e zhanre të tjera. Përmbledhja në këto dy vëllime e veprave dramatike e dëshmon këtë. Vështrimi ynë mbi to ka ndjekur kriterin kronologjik.

Boceti dramatik “Të kthyemit e Uliksit në Itakë” që i përket vitit 1909, shënon një vëmendje të shtuar ndaj thesarit të madh të antikitetit greko-romak duke shkëputur një ditë nga njëzet vitet që ngërthen brenda vetes lufta e Trojës dhe kthimi i Uliksit. Ka dy detaje që meritojnë vëmendje: përmendja e shpatës dardane dhe porosia e Uliksit për të birin, Telemakun “kurrë t’huejve krye nuk u do lëshue” (v.5 f.188), sepse jo vetëm që dalngadalë bëhen zotër në shtëpinë e tjetrit, por edhe “erzin ta përlyejnë.” Nëse lidhja e kësaj vepre dramatike me realitetin shqiptar të asaj kohe mund të kërkohet te pushtuesi i huaj si mëtues i një toke që i përket tjetërkujt, atëherë ideali i lirisë është qartësisht i kapshëm.

Melodrama “Françesku i Azizit” është e të njëjtit vit me atë të Uliksit, por vendoset në një mjedis shoqëror krejt të ndryshëm, është një prekje e realitetit botëror mbi plagën e varfërisë. “Skami asht sot n’këtë dhe./Pleq, t’ligj e t’mbetun;/Punëtorë t’papunë e njerëz pa plang e shtëpi.” (v.6 f.82) Melodrama hapet me një mëngjes pune tek dyqani i stofrave të Pjetër Bernardinit, prototip i tregëtarit tamahqar, që iritohet nga kërkesa e dikujt për t’i dhënë borxh, sepse moto e jetës së tij është “sa ma randë të jetë në gji kuleta,/Ma shpejt, atëherë, me të zen njeriu lepër.” (v.6 f.30) Kurse në mjedisin politik, sipas tij, duhet “m’e përkulë shta’n andej kah t’fryjë era,/Me ‘i fjalë, me u ba kallam.” (v.6 f.41) Edhe pse e parë në rrafsh vetjak, babëzia vjen aktuale në shoqërinë e sotme me aktet korruptive që s’kanë të numëruar. “Tamahqarit…sa ma fort që t’plaket, aq ma zi/ e lodhë lakmia e arit.” (v.6 f.69)

Një qasje antagoniste ndaj varfërisë vjen brenda familjes, një qasje humane e birit të tij, Françeskut, që shikon se si “t’tjerëve u shkon tu derdhë lotë moti,/Pse bukë u lypin fmija,/ E s’kanë me se me i ushqye!” (v.6 f.27) Françesku është jo vetëm poeti i ri që deklamon, por edhe njeriu me shpirt të ndieshëm që sakrifikon; ai ndihmon pa hezitim dy varfanjakët e parë që paraqiten te dyqani dhe kthen nga rruga të tretin që u largua zemërthyer, sepse “Zoti gjanë s’na e fali për m’e shgërrye/ Ndër gosta e argëtime e n’petka n’ar ngri;/ Por me rrnue njerëzisht e me ndihmue/ Atij që gjendet n’skam.” (v.6 f.49) Lëmosha e bamirësia e lartojnë njeriun drejt predikimit hyjnor dhe në skenën VIII të aktit II Françesku numëron: “Para t’Lumit vëllazën t’gjithë na jemi”, “na shoqin porsi veten t’dona”, “mbi dhe t’sundojë Dashtnia”, “lakmia, Resa e Mënia/N’zemër tonë mos t’ketë sundim” (v.6 f.53-54) Akti më fisnik i Françeskut është ndihma për vazhdimin e punimeve të kishës së Shën Damjanit dhe vetofrimi për të punuar si punëtor me ndërtuesit e tjerë.

Qasja antagoniste at – bir, shkon deri në zgrip: Bernardini e dëbon Françeskun nga shtëpia: “këta vjershtarët gjithmonë po mihin n’ujë/ pse trutë s’i kanë n’kandar.” (v.6 f.84), kurse djali deklaron: “Unë vëlla mbas sodit jam,/me ata që rrinë tue fsha,/ në kob të zi e skam.” (v.6 f.86) Është një deklarim i idesë së vëllazërimit nëpërmjet Hyut, deklarim që e bën ipeshkvin ta shpallë “yll të ri për kishë t’Tenzot”. (v.6 f.88)

Melodrama “Shqiptari i qytetnuem” u shkrua një vit para shpalljes së Pavarësisë dhe bëhet shprehëse e frymës atdhetare që kishte arritur pikun e vet dhe do të sillte aktin madhor kombëtar. Kjo frymë është ngritur mbi një traditë të krijuar nga të parët me “fenë të hyjnueshme”, “besën shqiptare”, “arën të trashëgueshme ku parmenda e huej kurrë nuk e lavroi, as të dhjetë nuk i lau kujt” (v.5 f.111-112) Kjo traditë pasurohet me armët që janë në duart e shqiptarit dhe me qëndresën që gjuha shqipe u bëri përpjekjeve të armiqve për ta shuar, sepse “Me Arte e Dije zemra e njeriut zbutet, por syni s’i tutet,” (v.5 f.117) sepse “ku Feja bashkë me Dije kthjellet,/Atje paqa mbretnon, sundon Dashnia./Puna ka grat, nderohet Perëndia.” (v.5 f.123)

Melodrama “Jerina” ose Mbretnesha e Luleve i përket vitit 1914 dhe, siç e shpjegon vetë Fishta, kërkon të tregojë se shqiptari në këngët dhe vallet e veta di t’i këndojë me finesë hijeshive të gruas dhe dashurisë për të, dashuri dhe hijeshi që mund të kundrohen e shijohen vetëm në një Shqipëri të lirë. Në finalen “Apotheosis” Fishta bën ballafaqimin e luleve duke zbritur në antikitet dhe duke vënë në gojën e Homerit vlerësimin për Jerinën: “Nuk asht Zanë, as asht Hyjneshë;/ Veçse asht Vashë le në Shqipni,/ T’cilën Lulet për mbretneshë/ E kanë zgjedhë e vu n’seli.” (v.5 f.105)

Tragjedia “Juda Makabe” e vitit 1916 duke i vendosur ngjarjet në Palestinë çuditërisht pati fatin t’i flasë të ardhmes dhe jo pak, por me një kërcim që e kapërcen shekullin. Jerusalemi, një nga qytetet më të vjetër të botës, konsiderohet si tokë e shenjtë për judaizmin, krishtërimin dhe islamin, prandaj dhe në shekuj ka sjellë përplasje midis tyre. Atëherë tragjedia u paraqitej shikuesve dhe lexuesve me një kontekst të qartë shqiptar me binomin e vet të patjetërsueshëm fe dhe atdhe dhe me përgjithësimin filozofik të fjalëve të Alkimit: “Parja shpon fundin e detit,/Edhe luftat ajo i ban.” (v.5 f.27)

Melodrama “Luigji Gonzaga” e vitit 1926 është një deklaratë adhurimi për jezuitët, për mbrojtjen e besimit të tyre përballë joshjes dhe tundimit të pushtetit. Në një shoqëri që karakterizohet nga dhuna, rrena, krenia, zilia, në një shoqëri ku mbretëron flligshtia që ligështon virtyt e fe, që shemb fise e mbretëri, Luigji Gonzaga vjen nga Spanja në Lombardi të Italisë si një shenjt i gjallë mbi dhe për t’i shërbyer Kristianizmit duke shpërfillur kurorën mbretërore që i ofron i ati. Janë dy qasje të ndryshme që çojnë në acarimin e marrëdhënieve at e bir, por që përfundojnë me mirëkuptim, sepse “Froni i vërtetë e froni ma i qëndrueshëm/i çdo sundimtarit/s’asht jo, karriga arit,/ por zemra e popullit të vet. (v.6 f.114); sepse “pa katekizëm virtyt mbi shekull s’ka;/shkatërrohen shtetet, jeta shkon tue qa.” (v.6 f.115)

Si shpjegohet kjo vendosmëri për të lënë pas skeptër e kurorë, stoli, kuaj e shërbëtorë dhe për të veshur petkat e rregulltarit? Luigji e jep vetë shpjegimin: “me këta veshët e mi kam ndie një zë nga qielli që më urdhëronte të shkruesha rregulltar” (v.6 f.158) Ai ka bindjen se “Jeta nuk ecën për s’mbari/ po qe se njeriu s’pari,/ s’ka Hyjin n’sy t’mendjes gjatë t’gjithë rrymës s’motit”. (v.6 f.162)

Kur e lexon këtë melodramë 100 vjet më vonë, gjëja e parë që mund të mendosh është që kjo thirrja e Zotit të përsëritet dhe politikanëve tanë të zellshëm për t’u ngjitur në karriget e pushtetit dhe për të hapur dyert e privilegjeve korruptive, t’u zvordhet pasuria dhe t’u mbushet shpirti me frymën e Zotit dhe shërbesës ndaj njerëzve që jetojnë në mjerim.

Agjiografia “Shna Ndoi i Padovës” është e vitit 1927 dhe është një biografi në vargje e shenjtit të shumënjohur edhe në vendin tonë, një rrugëtim i vullnetshëm për të përhapur krishtërimin “Se, për t’kryem të punëve t’ mëdha,/njerëz t’përvujtë zgjedhë Mendja e epër” (v.6 f.167) 800 vjet më parë në Lisbonë çifti Martin dhe Marjeta Bulioni lindën djalin e shumëdëshiruar Ferdinand dhe e mëkuan me shpresë, fe e dashuri “T’Bukrit t’qiejve me i shërbye.” (v.6 f.170), u regjistrua në Urdhrin e Shën Agustinit, pati ndihmën e Shën Françeskut të Azisit që pati qenë për ngritjen e kishës edhe në Tale të Lezhës. Ferdinantit ia vunë emrin e ri Shna Ndue dhe frati i ri lundroi drejt Afrikës, shëndeti i lig e detyroi të shkojë drejt Marokut, por deti i tërbuar e nxori në brigjet e Sicilisë. Prej atje shkoi në Bolonjë ku gjeti mbështetjen dhe promovimin e at Gracjanit. Kur ligjëronte, fjalët i rridhnin nga goja “herë si she e herë si lum,/ herë si mjalta prej fashoje.” (v.6 f.198) Shkoi për të dhënë mësime në Montpelje, u kthye sërish në Bolonjë e Padova, shkoi në Romë e Palestinë, e bëri të gjunjëzohet Ezelinin mizor të Gjermanisë, bëri mrekullinë e parë në Rimini duke u folur peshqve në vend të banorëve që s’donin ta dëgjonin lajmin e Perëndisë, bëri mrekullinë e dytë duke e detyruar mushkën të gjunjëzohet para Sakramentit dhe vdiq si shenjt në Padova.

Melodrama “Shqiptarja e qytetnueme” e vitit 1929 është një himnizim i Shqipërisë dhe kontraston thellë me mallkimet që lëshohen si breshër mbi armiqtë dhe përpjekjet e tyre djallëzore për të na fshirë nga harta si komb. Shqipëria është një vend plot bukuri që nuk e ka gjithë bota ku “ndrit hana e dielli, ku lulëzon kandshëm prilli”, ku ka “besë e burrni, kuvend e bujari, erz e nder e fisniki” (v.5 f.147), është vendi në të cilin “vetë natyra nanë me një mijë t’mira e ka stolisë, thue me dorë e ka qendisë” (v.5 f.145), është vendi ku “Toskë e Gegë janë si dy rreze n’flak t’një dielli, si dy rrufe që shkojnë tue djegë, kur shkrep reja nalt prej qielli.” (v.5 f.152) Ky këndvështrim i At Gjergj Fishtës ka tingëllim aktual në këtë çast të vështirë të zbrazjes së qendrave të banimit me një rrjedhë të pakontrolluar nga fshati në qytet dhe nga Shqipëria drejt Europës Perëndimore e Amerikës. Në trajtën e një shkallëzimi zbritës, nga Shqipëria zbresim te Shkodra ku ndrit hylli i lirisë; nga Shkodra te shkolla femërore e Motrave Stigmatine ku vajzat ushtrohen në dije e fe dhe mëkohen me dashurinë për atdhe; nga shkolla te gruaja shqiptare që ka filluar të përtërihet dhe vjen e përfaqësohet nga Silja si mbesë e Skënderbeut, ndera e Fesë dhe Atdheut.

Tragjedia “Ifigjenia” e vitit 1929 është një tjetër rikthim tek antikiteti, por në skajin e kundërt të bocetit dramatik “Të kthyemit e Uliksit në Itakë”, para nisjes së akejve drejt Trojës. Akti i flijimit njerëzor për të kapërcyer një pengesë të hyjnive është i njohur tek legjendat e murimit në ura ose kështjella, pastaj kemi dhe shprehjen e çuditshme “shqiptari kur jep fjalën, therr djalën.” Fishta e lidh flijimin me motivim atdhetar. Fillimisht ka një qëndrim ndaj luftës si shuplakë e Perëndisë dhe si zgjedhë që i vihet në qafë njerëzimit. Pastaj perënditë kërkojnë flijim brenda familjes dhe përfundon te mëdyshja e madhe e Ifigjenisë: fli për Menelaun dhe Helenën apo fli për Greqinë? Fishta nuk ka dashur të hyjë në rrënjët e konfliktit greko-trojan, prandaj kufizohet vetëm te interesat e mëdha të atdheut dhe me këtë qasje tragjedia fluturon nga thellësitë e shekujve për të ardhur si mesazh te shqiptarët dhe sakrificat sublime që kërkon nderi dhe dinjiteti i një kombi.

Tragjedia e papërfunduar “Hajrija” me dy aktet e saj të krijon idenë se do të ishte e plotë së paku edhe me dy akte të tjera, por edhe kaq ka mjaftuar për të demaskuar ata shqiptarë që “për ndo’i grosh, për ndo’i pllambë dhe” (v.5 f.232) jo vetëm janë me njëqind flamurë, por edhe janë gati “me pështy n’Fe, me pështy n’Atdhe.” (v.5 f.233) Këtë karakter e mishëron Bejta Silo, tregëtari i paskrupull që është gati t’ua marrë dy herë detyrimet borxhlinjve dhe mund ta nxjerrë në ankand edhe kunatin e vet. Në antitezë me ta lartohet figura e Halilit që hyn në konflikt me pushtetin e sunduesit të huaj për të mbrojtur nderin e një vajze të krishterë, sepse “n’punë erzi Din as Fe nuk kqyr shqiptari.” (v.5 f.251) Halili vret nipin e vezirit dhe bëhet firar, dështimi i përpjekjeve për ta kapur me forcat ushtarake zëvendësohet me marrjen e kalasë nga brenda, duke joshur burrin e motrës Hajrije.

Atë që la në mes Fishta, do ta realizonte në vitin 1950 Kolë Jakova me dramën me pesë akte “Halili dhe Hajrija.”

(At Gjergj Fishta, Veprat, vëll. 5 dhe 6, 2012)

Filed Under: LETERSI

PREMTIMET PARAZGJEDHORE PËR KRYETAR TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT – SA PREJ TYRE JANË TË REALIZUESHME!?

April 22, 2024 by s p

Emir Kurtishi, jurist

TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË DREJT VILËS “VODNO”

Viti 2024 zyrtarisht është shpallur vit i zgjedhjeve, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, ku priten të mbahen edhe një sërë zgjedhjesh presidenciale, parlamentare dhe ato lokale, pa i anashkaluar edhe zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Lista e konfirmuar e kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shihet që interesimi është i lartë, por ajo që bie në sy është se nga të gjithë kandidatët janë propozuar nga së paku 10.000 votues, për dallim nga Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja kandidate e cila është propozuar nga së paku 30 deputetë të Kuvendit të RMV-së.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara për Kryetar të Republikës, ku kishim vetëm një kandidat shqiptar që synonte karrigen e Kryetarit në Vilën Vodno, në këto zgjedhje kemi dy kandidatë të cilët pretendojnë dhe shpresojnë se do të futen në rrethin e dytë që do të mbahet më 8 Maj të këtij viti, së bashku me Zgjedhjet Parlamentare.

Dy kandidatët kryesorë që vijnë nga provinienca e partive politike maqedonase, janë të njëjtit që patën garuar në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës në vitin 2019, ku fitues u shpall kandidati aktual, Stevo Pendarovski me gjithsej 435.656 vota apo 51.65% nga numri i përgjithshëm i votuesve, përkundër kandidates aktuale, Gordana Siljanovska-Davkova e cila arriti të merr 377.446 vota apo 44.75% nga numri i përgjithshëm i votave. A do të ketë befasi të reja në këto zgjedhje siç ka pasur dhe pritet të ketë në botë apo edhe këtë vit, zgjedhjet janë të parashikuara si ajo e zgjedhjes së Putinit në Rusi!?

Ndikimi i politikës globale dhe zhvillimi i luftës Ukrainë-Rusi, përkatësisht ndarja në fronte Evropë, SHBA dhe Rusi, dukshëm ka ndikuar dhe ka reflektuar edhe në skenën politike maqedonase. Një garë e ngjajshme interesante për Kryetar të Shtetit këtë vit ka pasur edhe Sllovakia, ku kandidati prorus Pellegrini arriti që t’i fitojë zgjedhjet për Kryetar të Shtetit në Sllovaki me 53% të votave në rrethin e dytë, përkundër kundërkandidatit të tij, ish-ministrin e punëve të jashtme, i njohur në skenën politike sllovake me orientim properëndimor, Ivan Korcok, i cili mori vetëm 47% të votave. Edhe Pellegrini, pas triumfit në zgjedhje, deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve sllovakë dhe se zotohet se do të jetë gjithmonë në anën e Sllovakisë. Befasia në këto zgjedhje për kryetar të shtetit në Sllovaki, ishte mosgarimi i kryetares Caputova, e cila ishte mbështetësja më e madhe e shtetit fqinj, Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus. Jo më pak interesante ishin edhe zgjedhjet në Finlandë, ku në mesin e pesë kandidatëve kryesorë kishte edhe një ish-kryeministër, ministra të jashtëm dhe të financave dhe kryeparlamentarë. Gara për shtetin nordik është zhvilluar mes ish-kryeministrit finlandez, Aleksander Stub, i cili në rrethin e dytë politik bëri një rikthim politik, duke e mundur kundërkandidatin, ish-ministrin e punëve të jashtme, Pekka Haavisto me 51.6% të votave, kundrejt 48.4%. Sipas mediave të huaja, vëmendja më e madhe i është kushtuar këtij vendi duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike përgjatë kufirit lindor të BE-së dhe NATO-s me një Rusi gjithnjë e më agresive.

PREMTIME QË I TEJKALOJNË KOMPETENCAT E KRYETARIT TË REPUBLIKËS

Sipas Kushtetutës së RMV-së, Kryetari i Republikës është ai që e përfaqëson Republikën dhe është komandant suprem i forcave të armatosura. Kompetencat e tij të përcaktuara me Kushtetutë, më tepër janë të karakterit ceremonial, sepse, kompetencat ekzekutive, përkatësisht bartës i pushtetit ekzekutiv në vendin tonë është Qeveria (Neni 88).

Edhe kësaj radhe, çështja që diskutohet nëpër fushata zgjedhore, sidomos nga VMRO-DPMNE-ja është çështja e censusit zgjedhor, përkatësisht heqja e saj, që u integrua me Amendamentin XXXI të Kushtetutës së RMV-së në vitin 2009 që të zvogëlohej mundësia e dështimit të Zgjedhjeve për Kryetar të Republikës, sepse nga të gjitha kryetarët e deritanishëm, vetëm Kiro Gligorov është zgjedhur që në rrethin e parë, të gjithë të tjerët pas tij, janë zgjedhur në rrethin e dytë, edhe atë Boris Trajkovski me 52,40% të votave; Branko Crvenkovski me 60,64% të votave, kur censusi ishte 50% nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, ndërkaq, Gjorge Ivanov u zgjodh në rrethin e dytë me 42% të votave, kur censusi u ul në 40%. Nëse merret parasysh legjitimiteti i Gjorge Ivanovit dhe të tjerëve pas tij, sigurisht që është më i ulët se i paraardhësve të tyre. Kjo është një indikator se gjithnjë e më shumë, jehona e votuesve bie në çdo cikël zgjedhor, si pasojë e dëshpërimit të votuesve, përkatësisht votuesit ndihen të lodhur me zhvillimin e deritanishëm të politikave, ku më tepër premtohet, se sa diç realizohet. Kjo në përgjithësi krijon klimë apatie, e cila reflektohet në anketat e përgjithshme të realizuara nga institucionet e ndryshme qofshin edhe ato organizata joqeveritare me një mosbesim të thellë ndaj institucioneve relevante në shtetin tonë dhe në daljen e përgjithshme të votuesve në zgjedhje.

Në këtë kontekst janë edhe sloganet e partive politike të cilët mundohen t’i zgjojnë votuesit e tyre nga apatia shoqërore, duke përçuar mesazhe rreziku dhe gjendje kritike, megjithëse, komunikologët i vlerësojnë si shterp dhe mungesë vizioni, duke përdorur slogane me fjalë të njohura e të përdorura përgjatë gjithë kohës. “Guximshëm për Maqedoninë” është për shembull, slogani i Stevço Jakimovskit, i cili edhe është i vetmi prej kandidatëve deri më tani, i cili është futur në listën e zezë të SHBA-së, për të tjerët deri në këtë moment që po shkruaj, nuk ka, por që me gjasë mund të del këto ditë, në përputhje me premtimet e Ambasadores së SHBA-së, e cila pati deklaruar se përgjatë tërë kampanjës listës së zezë do t’i shtohen emra të rinj.

Gordana Siljanovska-Davkova, kësaj here për dallim nga zgjedhjet e kaluara që kërkonte “Drejtësi për Maqedoninë – atdheu thërret”, ka dalur me sloganin “Maqedonia sërish krenare”. Për cfarë krenarije flet, mund të shquhet në përdorimin e retorikës dhe herë-herë sulmeve personale që ia adreson kundërkandidatit të saj, Stevo Pendarovskit dhe Qeverisë mbi zhvillimin e politikave vis a vis zgjidhjes së kontestit të emrit dhe çështja me Bullgarinë. Analogjia mund të jetë e gabuar, poqëse mendohet në “Maqedoninë krenare” të kohës së VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit, i cili për dallim nga Stevo Pendarovski, më shumë ka qëndruar në heshtje, dhe ka vepruar atëherë kur s’duhej vepruar, duke krijuar precedente të reja juridike përgjatë kohës së tij. Nëse merret parasysh edhe vetoja presidenciale si mjet i fuqishëm në dorën e Kryetarit të Republikës, për të mos i dekretuar ligjet që janë të dëmshme për rendin juridik, Stevo Pendarovski, megjithëse ka mundur të jetë më aktiv, por qëndron më lart se kryetari paraprak, i cili nuk pati guxim asnjëherë që ligjeve të miratuara nga partia e tij politike, t’i abstenojë.

Kandidati, Stevo Pendarovski, duke vlerësuar veten e tij si të suksesshëm, kësaj here ka dalur me sloganin “Kryetari ynë Stevo”, ku dhe nga reklamat një gjë e tillë kërkohet nga qytetarët. Si slogan është më i thjeshtë dhe vetëpërcaktuar dhe vetëofrues për qytetarët. Deri më tash, mund të thuhet se ka qenë prej kandidatëve më modest dhe njëkohësisht më i moderuar në paraqitjet në fushatë, theks të veçantë duke i vendosur integrimit të vendit në BE dhe shqetësimin e migrimit të qytetarëve.

Maksim Dimitrievski nga Kumanova, e kërkon maksimumin për Maqedoninë e Veriut, kështu titullohet edhe slogani i tij: “Maksimum për Maqedoninë”, duke e vendosur theksin tek dy shkronjat e fundit, që në gjuhën maqedonase domethënë mençuri. Nuk është ndonjë kandidat që duhet nënvlerësuar, sepse largimi i tij, dukshëm e ka dobësuar ish partinë e tij në Kumanovë, megjithatë analizuar në mënyrë objektive, gjasat janë minimale për t’u futur në garën e rrethit të dytë.

“E majta” si gjithmonë e pakënaqur me zhvillimin e politikave të këtij vendi, e natyrshme ishte se do të paraqitet kandidatja e tyre femër, Biljana Vankovska me sloganin: “E rikthejmë dinjitetin e qytetarëve”. Ky slogan, mbase është më i duhuri dhe më i qëlluari për çdo qytetar, për cilin ka nevojë dhe vlerësohet si një ndër arsyet e shumta përse vendosin të largohen nga ky vend. Edhe kjo parti, nuk është për t’u nënvlerësuar, në çdo cikël zgjedhor shënon rritje gjithnjë e më shumë, duke kanalizuar pakënaqësinë e dy partive më të mëdha maqedonase. Kandidati i saj, vështirë që do të arrijë të futet në rrethin e dytë, për shkak të personalitetit të kandidatit dhe retorikës nacionaliste dhe thirrjeve kundër Marrëveshjes së Prespës, e cila me gjasë shumë shpejt mund të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së, në përputhje me urdhërin ekzekutiv të miratuar nga Presidenti i SHBA-së.

Për dallim nga maqedonasit, kandidatët shqiptarë, garojnë me slogane të thjeshta si ajo “Kryetari evropian” i kandidatit Bujar Osmanit dhe “Taravari për President”. Edhe këta dy kandidatë, garojnë me retorikën e njohur e të dëgjuar deri më tani të subjekteve politike që garojnë për idenë e integrimit në BE dhe rrezikut prej Rusisë, më i zëshëm në këtë drejtim është kandidati i BDI-së, Bujar Osmani me sloganin e njohur “Po Evropës, Jo Rusisë”, kjo edhe për shkak të përvojës së deritanishme me zhvillimin e politikës së jashtme që është edhe njëra ndër kompetencat e Kryetarit të Republikës. Subjektet e këtyre dy kandidatëve, me vetëdijen se nuk do të arrijnë të futen as në rrethin e dytë zgjedhor në garën për Kryetar të Republikës, që në fillim të fushatës, i pari i cili e lansoi idenë që Kryetari i Republikës të zgjidhet në Kuvend, ishte kandidati Arben Taravari, me çka BDI e zënë ngushtë, idenë e tillë e përpunoi me kandidatin aktual, Bujar Osmani, duke propozuar që i njëjti të zgjidhet në Kuvend me shumicë të Badinterit, me çka Kryetari të ketë edhe zëvendësin e tij.

EPILOGU I ZGJEDHJEVE

Zgjedhjet konsiderohen të suksesshme dhe demokratike, kur përfundojnë pa ndonjë kontest dhe problem të caktuar. Pra, më e rëndësishme se krejt, është epilogu demokratik dhe fer i këtyre zgjedhjeve. Megjithëse rrethi i parë gjithçka e bën më të qartë fotografinë për kandidatin favorit që do të bëhet Kryetar i ardhshëm i Republikës.

Kësisoj, Kryetari i ardhshëm duhet të jetë parasëgjithash përfaqësues i krejt qytetarëve. Këtë detyrë të rëndësishme nuk duhet ta harrojë në asnjë moment. Model i një kryetari të tillë ishte Ivo Josipoviq, Kryetari i Kroacisë. Përpara se të zgjidhje kryetar ishte kryetari i PSD-së dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, i zgjedhur nga PSD-ja. Shefi i tij partiak, Zoran Milanoviq, pas zgjedhjes së Josipoviqit për kryetar, tha si në vijim: “I pari fitoi njeriu, më pas PSD-ja”.

Pse të mos kemi edhe kryetar të tillë, i cili pas përfundimit të mandatit ta ndjekë shembullin e Monteskjes, i cili edhe pse ka qenë aristokrat, vullnetarisht ka dhënë dorëheqje prej privilegjeve të cilët i ka pasur si Kryetar i Parlamentit në Bordo!

Filed Under: Sociale

Ditëlindja e Vatrës, festë në Boston

April 22, 2024 by s p

Vatranët ftojnë komunitetin shqiptar, shoqatat e ndryshme shqiptare dhe median të bashkohen për të kujtuar së bashku ditën e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare VATRA këtu në Boston!

Për nder të 112-vjetorit të themelimit të VATRËS, dega në Boston ka organizuar një konferencë përkujtimore më 28 Prill 2024 (diel) duke filluar nga ora 12:00 pm deri 2 pm në Peabody!

Programin e detajuar të këtij eventi të rëndësishëm, e gjeni në foton bashkangjitur këtij postimi!

Konferenca mbahet në adresën:

25 Howley St. Floor 2, Peabody, MA

Parkimi është falas!

Mirësevini

Filed Under: Vatra

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani flet sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

April 22, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani do flasë sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në selinë qendrore në Nju Jork. Në mbledhjen e sotme do paraqitet raporti gjashtëmujor i Përfaqësueses së Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore António Guterres, Drejtuesja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Zyra e Presidencës së Kosovës ka njoftuar se në fjalën e saj kreu i shtetit do të flasë për arritjet dhe reformat, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit në Kosovë, duke pasur si pikë kyçe “nevojën për drejtësi ndaj krimeve të kryera nga serbët në Kosovë”.

Fjala e Presidentes Osmani në Këshillin e Sigurimit do të shoqërohet nga rrëfimet e katër të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pak ditë më parë në OKB u paraqit projekt-rezoluta për ta shpallur 11 korrikun “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtesës së Gjenocidit në Srebenicë 1995.” Teksti, i formuluar ngjashëm me rezolutën e miratuar dhjetë vjet më parë kundër gjenocidit në Ruanda, është propozuar nga Misioni i Republikës së Ruandës dhe i Gjermanisë. Vendet anëtare që e kanë mbështetur janë Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Holanda, Finlanda, Franca, Italia, Irlanda dhe Sllovenia.

Për të arritur deri tek njohja e gjenocidit nga ana e OKB-së duhet të ngjizen tri komponentë: ligjet ndërkombëtare, aleancat politike dhe procesi hetimor. Rezoluta pritet të votohet nga 193 vendet anëtare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në datën 2 maj, një numër më i zëshëm se procedura votuese me 15 anëtarët permanentë të Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesit serb kanë protestuar si për projekt-rezolutën ashtu edhe për anën procedurale sepse në të kaluarën njohja e gjenocidit në Bosnje është penguar ngaqë Rusia ka vendosur veton.

Ekspertët ndërkombëtarë thonë se miratimi i kësaj projekt-rezolute i jep fund mohimit të gjenocidit në Bosnjë si edhe mundëson ecjen përpara.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT