• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Lëvizja arsimore shqiptare kundër përpjekjeve të Portës së Lartë dhe Patriarkanës së Stambollit për të penguar arsimin shqip

April 22, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në Perandorinë Osmane, si në të gjitha vendet në modernizimin e shekullit të 19-të, zhvillimet politike shfaqen si një proces i ndërthurur me zhvillimet në fushën e arsimit. Për shkak të natyrës fetare të arsimit fillor në shkollat ​​e Perandorisë Osmane, fëmijët shkolloheshin në gjuhët e pranuara nga feja që i përkisnin, por kjo çonte në zhvillim kulturor të veçantë për secilin komunitet fetar, duke penguar krijimin e një vetëdije kombëtare të përbashkët.

Zhvillimi i nacionalizmit shqiptar u mbështet kryesisht mbi gjuhën dhe jo mbi fenë si nacionalizmat e tjera të rajonit.

Përpjekjet e Portës së Lartë dhe Patriarkanës së Stambollit për të penguar arsimin në gjuhën shqipe

Në përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe, shqiptarët u përballën me autoritetet osmane dhe klerikët ortodoksë grekë të Stambollit, që e shihnin shkollimin në gjuhën shqipe si rrezik që do të çonte në bashkimin e shqiptarëve, në afirmimin e identitetit të tyre kombëtar dhe që në fund do të sillte shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe të ortodoksëve shqiptarë nga Patriarkana e Stambollit.

Lëvizja kombëtare shqiptare lindi si një përgjigje vetëmbrojtëse ndaj një shoqërie tradicionale ballkanike dhe nacionalizmit shtet-komb të fqinjëve(Hupchick, 2002: 3020. Sadler thekson se “një sistem kombëtar arsimor është një gjë e gjallë, rezultat i betejave dhe vështirësive të harruara dhe betejave të shumë kohëve më parë. Ai ka në vetvete disa nga funksionet e fshehta të jetës kombëtare”(Gjoci, 2022: 2).

Si qeveria osmane, ashtu edhe patriarkana greke ishin të vetëdijshme për rrezikun që etnonacionalizmi, i bazuar në gjuhë, i bënte autoritetit të tyre të vazhdueshëm, kështu që ato lëvizën për të penguar shqiptarët të mësonin gjuhën e tyre. Osmanët caktuan turqishten si gjuhë mësimi në shkollat ​​e tyre shtetërore në trevat shqiptare dhe e ndaluan botimin e veprave në gjuhën shqipe, ndërsa Patriarkana përdori shkollat ​​e saj kishtare, për të nxitur simpatitë pro-greke në mesin e nxënësve të tyre shqiptarë(Hupchick, 2002: 303-304).

Fuqia ushtarake e përparuar e kombeve evropiane e vuri Perandorinë Osmane në tërheqje deri në shekullin e tetëmbëdhjetë. Për të arritur hapin e shteteve europiane, Porta e Lartë pa nevojën për të modernizuar sistemin e saj arsimor, veçanërisht shkollat e saj ushtarake, deri në fund të atij shekulli (Khuluq:30). Nën presionin e fuqive perëndimore, sulltani u detyrua t’u jepte më shumë liri jomuslimanëve në themelimin e shkollave të tyre. Dobësia e ushtrive osmane u lejoi gjithashtu vendeve evropiane të ndërhynin në punët e brendshme të Perandorisë, veçanërisht në çështjet që preknin popullatën e pakicës jomuslimane. Kjo përfundimisht çoi në zgjerimin e shkollave për jomyslimanët dhe këto, nga ana e tyre, ushtruan presion mbi qeverinë qendrore për të përshpejtuar politikën e zgjerimit të arsimit shtetëror(Khuluq :32-33).Shqetësimi për potencialin e shkollave të tilla, për të fermentuar aktivitetin separatist vendas e bëri qeverinë qendrore të hapte shkollat e veta në zona të ndjeshme. Për shembull, për të parandaluar përhapjen e ndjenjave nacionaliste greke te shqiptarët, qeveria osmane u përpoq në vitin 1865 të themelonte shkolla moderne osmane në zona si: Gjirokastër, Vlorë, Delvinë dhe Çamëri, por arriti të hapte vetëm tridhjetë shkolla të Kur’anit, për t’i udhëzuar muslimanët vendas në “rrugën e qytetërimit” dhe për t’i shpëtuar ata nga “errësira e injorancës”. Zhvillimi i këtyre shkollave fetare, në vend të shkollave laike ishte në përputhje me ndryshimin ideologjik të qeverisë osmane nga Tanzimati deri te regjimi hamidian, i cili e vendosi theksin në moralin islam(Khuluq: 34).

Me reformat e Tanzimatit, osmanët kërkonin të arrinin disa synime: Së pari, kërkuan të krijonin një aparat shtetëror modern për një administrim të drejtpërdrejtë dhe të centralizuar të territoreve dhe popullsive të tyre ballkanike. Së dyti, ata aspironin të rekrutonin qytetarë nga komunitetet myslimane shqiptare për të funksionuar si mbrojtës besnikë të shtetit, duke parandaluar njëkohësisht çdo zhvillim të separatizmit etnonacionalist shqiptar. Së treti, udhëheqësit osmanë u përpoqën të minimizonin ose frenonin plotësisht çdo cënim të mëtejshëm të huaj në rajon(Evered, 2012: 38).

Shkollat ​​që qeveria osmane mbështeti për popullsinë myslimane nuk ishin vetëm në drejtim fetar, por edhe në gjuhën turke. Qëllimi themelor ishte bashkimi i popullit mysliman kundër fqinjëve të tij të krishterë dhe për t’i bërë ata nënshtetas besnikë të shtetit osman(Jelavich, 1977: 226). Në vitet në vijim, shteti osman u përqëndrua në zhvillimin e besnikërisë dhe identitetit kulturor islam të këtyre muslimanëve, duke krijuar shkolla dhe xhami. Perandoria ndoqi gjithashtu një politikë që synonte të krijonte masa të kontrolluara uniteti midis shqiptarëve myslimanë, me shpresën se ata do të bëheshin “të përkushtuar ideologjikisht, politikisht dhe socialisht ndaj interesave bazë të Perandorisë dhe ku mund të sigurohej rekrutim për të siguruar paqen në vendet gjithnjë e më të cënueshme në kufijtë e Perandorisë”. Kjo politikë e promovimit të identitetit fetar të shqiptarëve myslimanë vazhdoi deri në fund të mbretërimit të Abdülhamidit II në vitin 1909.

Porta e Lartë dhe Patriarkana e Stambollit kishin synime të përbashkëta, pengimin e formimit të vetëdijes kombëtare te shqiptarët e besimit mysliman dhe ortodoks, për interesa të ndryshme; Porta për të penguar unitetin kombëtar të shqiptarëve, ndërsa Patriarkana për të penguar formimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, siç kishin bërë popujt e tjerë ballkanikë. Në vitin 1886, Patriarku ekumenik i Stambollit kërcënoi se do të shkishëronte këdo që gjendej duke lexuar ose shkruar shqip, dhe priftërinjtë mësonin se “Zoti nuk do t’i kuptonte lutjet e shqiptuara në shqip”(Zickel &Iwaskiw,1992: 19)

Përpjekjet agresive të Kishës ortodokse të Stambollit për të ndërtuar shkolla në Perandori, pas viteve 1870, pasqyrojnë më së miri motivet si të Patriarkut, ashtu edhe të shtetit osman. Në atë kohë, Kisha e greke e Stambollit po përpiqej të eleminonte përpjekjet e komuniteteve ortodokse shqipfolëse jugore në rajon për të krijuar kishën kombëtare, siç kishte ndodhur me serbët, bullgarët dhe vllehët. Paradoksalisht, për shkak të frikës së separatizmit shqiptar, Porta e Lartë e mbështeti luftën e Kishës greke kundër kërkesave të të krishterëve ortodoksë shqiptarë për krijimin e një kishe shqiptare(Zickel & Iwaskiw, 1992:15).

Për të penguar zhvillimet nacionaliste te shqiptarët, Sulltani dërgoi në territoret shqiptare me mision faktmbledhës Ahmet Xhevdet pashën, i cili duke shqyrtuar mënyrat e inkurajimit të identitetit islam te shqiptarët myslimanë, për t’i mbajtur ata besnikë ndaj shtetit osman, rekomandoi më shumë shkolla shtetërore, xhami dhe shërbime të lidhura pa pagesë, si synetia. Duke komentuar mësimin dhe arsimimin në Shkodër, Xhevdet Pasha vuri në dukje se “falë përpjekjeve të shtetit për të krijuar sıbyan (d.m.th. shkolla fillore) dhe xhami, 20 000 njerëz ishin shpëtuar nga “të këqijat e injorancës”. “Këta qytetarë,- vazhdoi ai, ishin në gjendje të shpëtonin nga besimet e tyre të rreme dhe kështu u ndriçuan përmes mësimit dhe fesë”. Sipas tij, “frekuentimi i afërsisht 850 djemve dhe 350 vajzave në këto shkolla fillore dhe rrethprerja e afërsisht 5170 burrave myslimanë shqiptarë konfirmoi një angazhim vendas për shkollim dhe iluminizëm”(Evered, 2012: 43-44).

Është me interes të theksohet se vëzhgimet e tij dhe dëshira për të promovuar unitetin e shqiptarëve përtej dallimeve të tyre fetare u bënë problematike për shtetin osman pas viteve 1870, pasi shqiptarët u bashkuan, kërkuan autonomi dhe shprehën aspirata të forta për shkollat ​​e tyre me klasa në gjuhën shqipe. Kërkesa të tilla e detyruan shtetin osman të ndryshonte politikat e tij dhe të rifokusonte përpjekjet për të promovuar identitetein fetar islam(Evered, 2012,.44).

Vëzhgimet dhe raportet e Xhevdet Pashës në lidhje me provincat veriore shqiptare, nga fillimi i viteve 1860, formësuan politikat arsimore të shtetit osman në dekadat e ardhshme, ndërsa marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe shtetit osman kaluan një fazë të stuhishme, pas ndryshimeve territoriale dhe rivaliteteve ndëretnike në Ballkan. Në fund të fundit, siç u vërejt më lart, reformat osmane në Shqipëri shkuan përtej vendosjes së një sistemi efikas të taksave, siç ishte rasti me treva të tjera të Perandorisë. Përkundrazi, udhëheqësit osmanë përdorën dhe zbatuan politikisht axhendën e reformave, për të penguar bashkimin etnokombëtar të shqiptarëve(Evered, 2012: 44).

Kundërshtimet e rilindësve shqiptarë ndaj qëndrimit të Portës së Lartë dhe të Patriarkanës së Stambollit rreth arsimit shqip

Fillimi i shekullit të XIX, në historinë e pararilindjes, është epokë e një lëvizjeje të fuqishme kulturo-fetare, njëkohësisht edhe e fuqizimit politik të elementit shqiptar në Perandorinë Osmane në një anë, dhe e ringritjes së ballkanasve të tjerë, për fat të keq me pasoja për hapësirën etnike shqiptare në anën tjetër(Jevalich, 1983: 174-175). Trajtimi i shqiptarëve si tri bashkësi, “milete” të veçuara fetare dhe bashkëngjitja e tyre me milete etnikisht të huaja (turke, greke, sllave dhe latine) përmbante rrezikun e një zhvillimi kulturor dhe shoqëror të veçuar. Kjo gjendje i hapte rrugën humbjes së identitetit kulturor dhe kombëtar(Shpuza, 2001: 151).

Shkëputjet e para nga Perandoria çuan në lindjen e shteteve të reja, si ai grek apo serb, të themeluar mbi “kombin”. Të nxitur nga përvoja të tilla, apo duke reaguar ndaj tentativave për asimilim, shqiptarët zhvilluan vetëdijen se i përkisnin një grupi tjetër dhe se përbënin një popull me gjuhën dhe zakonet e tyre(Halimi, 2010: 11). Megjithatë, ndryshe nga fqinjët e tyre, nacionalistët e Rilindjes Shqiptare, në krijimin e identitetit të përbashkët kombëtar te shqiptarët ishin të përfshirë nga një problem themelor: diversiteti fetar( Shaqiri, 2018: 62). Lëvizja kombëtare shqiptare ndryshonte nga ajo e shteteve të tjera ballkanike, jo vetëm sepse në fillim nuk synonte t’i jepte fund sundimit të Portës së Lartë, por mbi të gjitha se në rastin shqiptar feja, ndryshe nga shtetet e tjera Ballkani, nuk luajti rolin kryesor unifikues për formimin e kombi(Baliqi, 2021:13). Pothuajse të gjithë studiuesit vënë në dukje rolin vendimtar të gjuhës në formimin e identitetit kombëtar modern të shqiptarëve, si elementi kyç unifikues. Përveç kësaj, gjuha përdorej gjerësisht për të nënvizuar veçantinë e shqiptarëve si komb(Vezenkov, 2003: 490).

Ndër shqiptarët e parë që ranë në kontakt me idetë nacionaliste ishin intelektualët e diasporës që filluan të mblidheshin në grupe dhe shoqata që promovonin ide nacionaliste për gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Që të funksiononte ky element i bashkësisë, gjuha shqipe duhej të fitonte supremaci sakraliteti në raport me sakralitetin fetar(Shaqiri, 2018: 69). Nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shumë intelektualët shqiptarë, që kishin zënë vend në kryeqytetin osman, energjitë e tyre ia kushtuan në radhë të parë synimeve të zgjimit kombëtar shqiptar. Kjo lëvizje përfundimisht çoi në një luftë të hapur për liri dhe vetëvendosje kundër një Perandorie Osmane në kalbje(Elsie, 2006: 291).

Levizja kombëtare shqiptare filloi si lëvizje kulturore(Talon: 628). Mund të përpiqemi të dallojmë zhvillimin e një shqiptarizmi kulturor nga ai, i mëvonshëm, politik, por kufiri midis politikes dhe kulturores nuk eshte gjithmonë i lehtë për t’u hequr(Clayer, 2012:137).

Në Perandorinë Osmane, si në të gjitha vendet në modernizimin e shekullit të 19-të, zhvillimet politike shfaqen si një proces i ndërthurur me zhvillimet në fushën e arsimit. Historia e arsimit u përjetua pothuajse si një nëntitull i historisë politike. Ndryshimet që ndodhën në fushën politike nuk vonuan të reflektojnë mbi arsimin dhe institucionet arsimore u shndërruan në vende ku transferohen dhe adoptohen ideologjitë, përtej të qenit thjeshtë vende për socializim, marrje njohurish dhe përvetësim aftësish(Alkan, 2008: 9; Olgun, 2015: 55).

Me rritjen e vetëdijes së tyre për veten, shqiptarët kërkuan të diferencohen nga bashkëfetarët dhe të lidheshin me bashkëkombasit e tyre. Ky proces u bë nën ndikimin e ideve rilindëse, që hodhën bazat e kombit tonë shumëfetar(Clayer, 2012:253-254) dhe çoi në rritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, që u manifestua me lëvizjen mbarëkombëtare për pavarësi.

Bibliografi

Alkan, Mehmet Ö.“Osmanlı İmparatorluğu’nda Modernleşme ve Eğitim”, Türkiye Araştırmaları Literatür Dergisi, C. 6, S. 12, 2008Baliqi, Bekim Kombformimi dhe shtetformimi, Fondacioni-Konrad-Adenauer, Prishtinë 2021.

Clayer, Nathalie. Në origjinë të nacionalizmit shqiptar, lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë, botimi shqip “Përpjekja”, Tiranë 2012.

Elsie, Robert. The Hybrid Soil of the Balkans: ATopography of Albanian literature, History of the Literary Cultures of East-Central Europe: Junctures and disjunctures in the 19th and 20th centuries Edited by Marcel Cornis-Pope and John Neubauer (Comparative History of Literatures in European Languages XX)2006.

Evered, Emine Ö. Empire and Education under the Ottomans, Politics, Reform, and Resistance from the Tanzimat to the Young Turks, I.B.Tauris & Co Ltd 2012.

Gjoci, Bukurie, History of the Albanian system of education: Echoing the secret ëorkings of national life, Paedagogica Historica, 2022.

Hupchick, Dennis P. The Balkans from Constantinople to Communism, y Palgrave Macmillan, 2002.

Jelavich, Charles and Barbara The Establishment of the Balkan National States, 1804-1920, University of Washington Press, 1977.

Khuluq,Lathifu.Modernization of Education in the Late Ottoman Empire, Al-Jami ah Journal of Islamic Studies 43(1).

Olgun, Said. XIX. Yüzyilin ikinci yarisinda arnavut milliyetçiliğinin gelişiminde mektepeler, Firat Üniversitesi, 2015.

Skendi, Stavro Language as a Factor of National Identity in the Balkans of the Nineteenth Century, American Philosophical Society, Vol. 119, No. 2 (Apr. 16, 1975).

Shaqiri, Mexhit. Albanian Nationalism and the State of Kosovo, European Journal of Social Sciences, September-December 2018, Volume 1, Issue 3.

Shpuza, Gazmend. “Emancipimi shqiptar, hapi i parë drejt afirmimit të kombit,” Studime Historike, Nr.1-2 (2001).

Talon, James N. “Balkan in the Turkish History”, Cilt 1, Sakarya Universitesi, Balkan Arastirmalari, Uygulama, ve Arastirma, Merkezi Yainlari.

Vezenkov, Alexander, “The Albanian Language Question: Contexts and Priorities”, in Entangled Histories of the Balkans, Volume One, Publisher: Brill, 2003.

Zickel, Raymond &Iwaskiw, Walter R. Albaniaa country study, Federal Research Division Library of Congress, Edited by Headquarters, Department of the Army DA Pam 550-98, April 1992.

Filed Under: ESSE

“Breaking News”: Zbuloni Shqipërinë për një përvojë unike

April 20, 2024 by s p

atila.kota

TIRANË, 20 prill /ATSH/- E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria, me 70% të territorit të mbuluar nga një reliev kryesisht malor, ende nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e saj, shkruan Mathilde Rouy në revistën franceze breakingnews.fr .

A e dini se ky vend ka më shumë se 3000 lloje bimësh, 273 lumenj dhe mbi 15 parqe kombëtare?

Male me lartësi 2500 metra mbi nivelin e detit, lugina të paprekura nga asnjë qytetërim, rrugë ujore të pazbuluara… të gjitha këto mrekulli janë grumbulluar në një vend. Jeni gati të zhyteni në këtë arratisje të egër?

Panorama madhështore: Shqipëria është një vend i vendosur mes detit dhe maleve që ofrojnë peizazhe mahnitëse, si vargmalet e Alpeve Shqiptare.

Përvoja e egër: Midis luginave të thella dhe lumenjve të egër, natyra është e egër, duke ofruar një arratisje të vërtetë për udhëtarët që janë të etur për aventura.

Trashëgimia kulturore: Vendet historike dhe trashëgimia kulturore shqiptare, si qyteti i Gjirokastrës i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, sjellin një dimension të pasur kulturor në udhëtimin tuaj.

Një vend pak i njohur me pasuri të jashtëzakonshme natyrore

Shqipëria është një perlë ende e panjohur për publikun e gjerë në aspektin turistik.

Kjo tokë autentike dhe e egër, e vendosur në zemër të Ballkanit, fsheh thesare natyrore mahnitëse që tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë çdo vit në kërkim të aventurës dhe diversitetit të peizazhit.

Historia e saj e trazuar është shënuar nga gati gjysmë shekulli izolim politik.

Sot, vendi po hapet dalëngadalë duke ofruar një eksperiencë unike për dashamirët e natyrës.

Vjosa, lumi emblematik dhe parku kombëtar shqiptar

Vjosa, krenaria e Shqipërisë, është një lumë i jashtëzakonshëm që gjarpëron përgjatë territorit shqiptar.

Sot ai përbën një simbol dhe një element të trashëgimisë natyrore të vendit, veçanërisht falë statusit të tij si Park Kombëtar.

Lumi Vjosa ofron një mjedis idilik për aktivitete të ndryshme si rafting, peshkim apo not në ujërat e saj të kristalta.

Biodiversiteti i ruajtur dhe hapësira të virgjëra për t’u zbuluar

Shqipëria ka male spektakolare, që strehojnë hapësira të mëdha të paeksploruara.

Luginat e egra dhe rrugët ujore të pazbutura ofrojnë një strehë për specie të shumta kafshësh dhe bimësh, duke dhënë përshtypjen e një peizazhi të paprekur nga njeriu.

Parku Kombëtar i Thethit: i vendosur në veri të vendit, është i përsosur për alpinistët që kërkojnë një eksperiencë unike.

Gjithashtu ky park ofron një panoramë të mrekullueshme të majave përreth.

Parku Natyror i Korab-Koritnikut: kjo zonë malore, e vendosur afër kufirit me Kosovën, është një parajsë e vërtetë për të apasionuarit pas ecjes dhe alpinizmit.

Aty pranë ndodhet mali i Korabit, pika më e lartë në vend, si dhe maja të tjera legjendare si Tropojani dhe Sharri.

Parku Kombëtar i Llogarasë: I famshëm për pyllin e tij shekullor me pisha dhe shkëmbinjtë mbresëlënës që zhyten në detin Adriatik, u ofron vizitorëve një ndërthurje të florës dhe faunës së larmishme, me peizazhe bregdetare që të lënë pa frymë.

Një trashëgimi kulturore e pasur dhe e larmishme

Përveç bukurive natyrore, Shqipëria ka edhe një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme.

Kështjellat, manastiret dhe vendet e tjera arkeologjike të panumërta dëshmojnë për një trashëgimi të bollshme mijëravjeçare.

Adhuruesit e gurëve të vjetër nuk do të zhgënjehen nga një vizitë në qytetin e Beratit, të mbiquajtur “qyteti i një mijë dritareve”, i mbushur me ndërtesa osmane dhe bizantine, apo nga zbulimi i mbetjeve antike të qytetit të famshëm të Apolonisë.

Mirëpritja e paharrueshme në një vend në rilindje të plotë

Mirëpritja e ngrohtë dhe bujare e shqiptarëve është gjithashtu një pasuri e pamohueshme për një qëndrim të suksesshëm në vendin mesdhetar.

Vendasit shpesh janë të lumtur të ndajnë me udhëtarët zakonet që përbëjnë thelbin e identitetit të tyre.

Zhvillimi i turizmit në Shqipëri: i qëndrueshëm dhe etik

E përballur me fluksin në rritje të vizitorëve, sfida për Shqipërinë konfirmon dëshirën e saj për të zhvilluar turizmin e përgjegjshëm, në dobi të trashëgimisë natyrore dhe kulturore që zotëron, si dhe të banorëve të saj.

Duke u fokusuar në zhvillimin që respekton ekosistemet, traditat lokale dhe komunitetet e fshatit, vendi shpreson të koordinojë ekoturizmin dhe ruajtjen e karakterit të tij autentik.

Cilat janë malet spektakolare për t’u vizituar në Shqipëri?

Në Shqipëri, ndodhen Alpet Shqiptare, të quajtura ndryshe “Bjeshkët e Nemuna”.

Ato ofrojnë pamje spektakolare dhe shtigje të pafundme ecjeje.

Cilat janë luginat e egra në Shqipëri?

Shqipëria është e famshme për luginat e saj të egra, kryesisht Luginën e Thethit dhe Luginën e Valbonës.

Këto rajone të largëta ofrojnë panorama mahnitëse dhe natyrë të pacënuar.

Cilët janë lumenjtë e egër në Shqipëri?

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, i njohur për ekosistemin e tij të pasur dhe të larmishëm.

Cilat janë vendet më të mira për një arratisje të egër në Shqipëri?

Parku Kombëtar i Thethit, rajoni i Gjirokastrës, mali i Dajtit dhe lumi Osum janë ideale për një arratisje të egër.

Çdo rajon ofron një përvojë unike të zhytjes në natyrë. //a.i/

https://www.breakingnews.fr/…/157318-echappee-sauvage…

Filed Under: Ekonomi

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

April 20, 2024 by s p

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës me seli në Tiranë, Dr. h. c. Lazim Destani dhe Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, juristi i mirënjohur nga Zvicra, z. Nazmi Jakurti, ndodhen për një vizitë triditëshe në Kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.

Dje dhe sot ata kanë zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.

Fillimisht ata vizituan Qendrën e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë dhe selinë e Lidhjes Shqiptare në Botë, ku u pritën nga Nënkryetari i Unionit z. Agim Gjidoda dhe nga Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci dhe Nënkryetari z. Rrok Lekaj. Në takim ishin të pranishëm edhe dy Ambasadorët shqiptarë, Shkëlqesia e Tij z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë në Zagreb dhe Shkëlqesia e Tij z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zagreb si dhe disa afaristë të suksesshëm shqiptarë të Kroacisë.

Z. Destani dhe z. Jakurti i bënë një vizitë në shtëpinë e tij, patriotit të madh, z. Simon Kuzhnini, themelues dhe tani Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë.

Në mbrëmje, Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci shtroi darkë për të pranishmit.

Në ditën e dytë, z. Lazim Destani dhe z. Nazmi Jakurti u pritën në takime të ndara në tri Ambasadat tona në Zagreb, në Ambasadën e Shqipërisë nga Sh.T. Ambasadori Riza Poda, në Ambasadën e Kosovës, nga Sh.T. Ambasadori Martin Berishaj dhe në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut, nga Sh.T. Ambasadori Milaim Fetai.

Pastaj ata vizituan Qendrën Informative dhe Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Zagreb, për ta parë ekspozitën e piktorit tonë të mirënjohur nga Gostivari Prof. Reshat Ameti.

Në vazhdim mysafirët takuan shumë personalitete të shquara shqiptare të Kroacisë nga fusha e biznesit, kulturës dhe shkencës.

Sot, në ditën e tretë janë paraparë edhe shumë takime me individë dhe përfaqësues shoqatash të ndryshme shqiptare në Kroaci.

Filed Under: Mergata

Karambole gjuhësore, situata komike

April 20, 2024 by s p

Naum Prifti/

Karambolet gjuhësore janë një dukuri e zakonshme në linguistikë dhe në të folurën e përditshme që vjen si rezultat i kontakteve mes dy a më shumë gjuhëve të përdorura në hapësira ku gjenden folësit e tyre. Kjo mund të ndodhë gjatë pushtimeve, në emigracion, në vende pune a trajnime ndërkombëtare midis palëve që flasin gjuhë të ndryshme etj. Është interesante sesi ato lindin rastësisht apo nga dëshira për komunikim të shpejtë dhe shpesh kane efekt komik të krijuar nga konkordanca zanore ose fonologjike.

Një të tillë po e kujtoj nga periudha e pushtimit ushtarak grek në anët tona gjatë viteve 1940-1944. Për të gjithë ishte shumë e lehtë të mbahej mend shprehja: ” Ti the lis, posa që e pe ra.” Ishte popullarizuar ngaqë të gjitha fjalët si njësi leksikore qëllonin të ishin të njohura në gjuhën shqipe pavarësisht se kur bashkohen njëra me tjetrën duket sikur dikush po flet greqisht. Ti thelis, në greqisht ka kuptimin: Ç’do? Çfarë do? Pra nuk ka të bëjë fare me kuptimin e shqipes se ti fole apo shqiptove fjalën lis. Fjalët e tjera “posa qe e pe ra” janë konkordanca fonetike me fjalë greke si “posa”, që ka kuptimin shqip “sa” ose sapo e pe ra, domethënë sapo e shikove lisin ai ra. “Qe pera” në fjalorin grek ka kuptimin dhe andej ose me përkthim të lirë “dhe andej këtej.”

Disa herë homofonet ndërgjuhësore krijojnë situata të paparashikuara dhe për të qeshur. Lokucioni greqisht “Pu tha pas” (Ku po shkon?/ Nga po vete?) u transformua me humor nga shqiptarët në “puthma pas” që e përmbyste kuptimin nga një pyetje në një lloj lutje a kërkese paksa vulgare të puthjes së prapanicës.

Në çdo takim ndërgjuhësor është e natyrshme të krijohen konkordanca fonetike dhe diskordanca leksikore pra fjalë që tingëllojnë njësoj dhe kuptimisht janë diçka tjetër. Mjaft syresh janë të njohura midis shqiptarëve dhe sllavëve në zonat e veriut, sikurse dokumentohen nga disa burime dhe ca më shumë në forma bisedore ku në vend të urimit “Jetë të gjatë” i uron vdekjen duke thënë shprehjen “Edhe në kokën tënde,” me qëllim ose gabimisht, nga mosnjohja apo mosdija.

Në këtë kategori rasti i një karamboli fonematiko-leksikor mes rusishtes dhe shqipes mund të jetë nga më komikët. Në periudhën e miqësisë së madhe sovjetike-shqiptare një ekip rus me specialistë dhe teknikë kryesisht gjeologë udhëtonte me një makinë xhip bashkë me disa homologë shqiptarë. Gjatë rrugëtimit drejt një qyteti verior makina ngeci dhe tekniku rus deshi të mësonte shkakun pse ndaloi. Ai pyeti rusisht “Nu kak makina? Duke kapur dy fjalë të njohura për të në shqip, pa e vrarë mendjen për përkthimin, shqiptari i inatosur me situatën ia dha aty për aty përgjigjen: “Kakë makina, mut shoferi!” duke ia hedhur fajin e ndalesës si automjetit ashtu edhe shoferit që sipas tij ishte aq i pazoti, sa të meritonte një sharje adekuate me atë që u tha për xhipin.

Shënim: Këto faqe janë pjesë e dorëshkrimeve të Naum Priftit të cilat familja po i mbledh për t’ia dorëzuar Arkivit të Shtetit. Koleksioni ka plot përshkrime nga përvoja jetësore dhe gazmore të mbajtura nga vetë autori në vite.

Filed Under: LETERSI

Dalja në pension në të 60-tat po bëhet e pamundur. A është mosha 75 vjeç- 65-vjetshi i ri?

April 20, 2024 by s p

Përktheu nga BBC Rafael Floqi/

Njerëzit jetojnë më gjatë dhe jeta e përditshme po bëhet më e shtrenjtë. Mund të jetë koha për të rimenduar afatin kohor për largimin nga fuqia punëtore. Rënia e simbolit tuaj proverbial si gjashtëdhjetë vjeçar ka qenë qëllimi për shumë punëtorë në mbarë botën: mbushja e moshës 65-vjeç do të hapte një portal të artë për daljen në pension. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, ideja për t’u larguar nga fuqia punëtore në të 60-at nuk duket realiste – apo edhe e arsyeshme – për shumë njerëz, veçanërisht tani. Disa figura të mëdha financiare pajtohen me këtë.

Në mars, firma e menaxhimit të investimeve BlackRock publikoi letrën e saj vjetore drejtuar investitorëve të kompanisë. Drejtori i Përgjithshëm i saj Larry Fink dha një paralajmërim për punëtorët që shpresojnë të dalin në pension – të qetë dhe të sigurt financiarisht – në të 60-at e tyre. Ndërsa jetëgjatësia globale rritet, rrjetet e sigurimeve shoqërore po përkeqësohen dhe kostot e jetesës rriten, Fink paralajmëroi se pensioni në moshën 65-vjeçare nuk do të jetë i mundur për shumë kohë, madje edhe për shumicën e njerëzve.

“[Dalja në pension] është një propozim shumë më i vështirë sot se sa ishte 30 vjet më parë,” shkroi Fink. “Dhe do të jetë një propozim shumë më i vështirë 30 vjet më vonë nga tani.”

Nga viti 2000 deri në vitin 2019, jetëgjatësia globale u rrit nga 67 vjet në 73. Deri në vitin 2050, OKB-ja pret që një në gjashtë njerëz në mbarë botën të jetë 65 vjeç e lart. Dhe ndërsa popullsia plaket, shumë vende së shpejti do të arrijnë një pikë ku më shumë njerëz po largohen nga fuqia punëtore sesa po hyjnë në të: në Mbretërinë e Bashkuar , kjo pikë mund të arrihet deri në vitin 2029; në Brazil, deri në vitin 2035; në Indi, deri në vitin 2048; dhe në SHBA deri në vitin 2053.

“Jetgjatësia ka vazhduar të rritet që nga mesi i viteve 1850 në MB,” thotë Rebecca Sear, profesore e popullsisë dhe shëndetit në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. “Por mosha e pensionit nuk ka ndryshuar aq shumë.”

Ndërsa peizazhi shëndetësor dhe ekonomik ka ndryshuar në mënyrë dramatike, a është pensioni në moshën 65 vjeçare një qëllim krejtësisht jorealist në një botë moderne?

Një standard arbitrar?

Jo vetëm që mosha e synuar e daljes në pension nuk ka ndryshuar në hap me rrethanat moderne, por është gjithashtu “e paqartë pse mesi i viteve ’60 u bë një moshë kaq thelbësore për daljen në pension”, thotë Gal Wettstein, ekonomist i lartë kërkimor në Qendrën për Kërkimin e Pensionit në Kolegjin e Bostonit. Në disa mënyra, ishte një “gjykim i përafërt” i synuar për t’i nxjerrë njerëzit nga fuqia punëtore drejt fundit të jetës së tyre.

Megjithatë, shumë programe qeveritare vazhdojnë ta përdorin atë si standard. Në SHBA, Medicare, programi federal i sigurimit të kujdesit shëndetësor, është aktualisht i disponueshëm vetëm për të rriturit e moshës 65 vjeç e lart (ka përjashtime për të rinjtë me aftësi të kufizuara). Amerikanët kanë të drejtë të marrin përfitimet e tyre të plota të Sigurimeve Shoqërore në moshën 67 vjeç, afërsisht në të njëjtën moshë që qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar mund të kërkojnë pensionet e tyre universale shtetërore.

Në mesin e shekullit të 20-të, kur u miratuan shumë nga këto programe, jetëgjatësia ishte dukshëm më e shkurtër: në MB, për shembull, ishte afërsisht 66 vjet për burrat dhe 71 vjet për gratë. “Nëse jeni të thjeshtë për këtë, [qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar] do të shpenzonin vetëm 8% ose 10% të jetës së tyre për një pension,” thotë Chris Parry, lektor kryesor i financave në Universitetin Metropolitan Cardiff.

Tani, megjithatë, “jeta jonë po bëhet më e gjatë, ne jemi më të shëndetshëm në moshën e mesme të vonë dhe në moshën e hershme të moshuar”, thotë ai. “Ka shumë njerëz që enden në fillim dhe në mes të viteve ’80, të cilët janë të shëndetshëm dhe gëzojnë një jetë shumë aktive – si fizikisht ashtu edhe mendërisht.”

Ndryshimi i modeleve të pasurisë

Shkurtimisht, rrogat e qeverisë nuk janë krijuar për të mbështetur njerëzit e tyre në vitet ’80 dhe ’90 dhe nuk janë përditësuar për ta bërë këtë. Politikat që dikur u krijuan për të mbështetur punëtorët në pension për pjesën e mbetur të jetës së tyre nuk janë më të kalibruara sipas rrethanave moderne.

Dhe ndërsa disa njerëz i plotësojnë përfitimet e tyre qeveritare me mjete investimi të destinuara për kursime pensioni, shumë ish-punëtorë nuk kanë mjaftueshëm – ose ndonjë – kursime personale për t’u rikthyer. Plus, ndërsa kostoja e jetesës rritet në një ekonomi me inflacion, çdo kursim i grumbulluar thjesht nuk po shtrihet aq larg.

Për më tepër, pasuria e gjeneratave që dikur siguronte që të rinjtë të kishin një jastëk financiar më vonë në jetë, po bëhet një gjë e së kaluarës. “Burimet në thelb kanë rrjedhur brez pas brezi, nga gjyshërit te prindërit te fëmijët”, thotë Sear. “Tani, ne i devijojmë burimet tek brezat. Për herë të parë në historinë njerëzore, ne kemi flukse pasurie që tani shkojnë nga brezi mëmë tek brezi i gjyshërve.”

Kjo mungesë e një kasaforte tradicionale kërkon që shumë punëtorë në mbarë globin të qëndrojnë në punët e tyre përtej 65 vjetëshit për të gjeneruar kursime të mjaftueshme për të dalë në pension. Të dhënat e qershorit 2023 nga kompania amerikane e sigurimeve Northwestern Mutual treguan se punëtorët amerikanë besojnë se “numri magjik” për kursimet e daljes në pension është gati 1.3 milion dollarë (1.03 milion £) – pasuri që shumica e njerëzve nuk mund ta grumbullojnë deri në të 60-tat e tyre dhe nuk e gërvishtin sipërfaqen e asaj që mund të sigurojë një pension shtetëror.

Për Black Rock’s Fink, përgjigja për një pension të rehatshëm modern përfshin investimin më agresiv duke filluar në një moshë më të re – dhe duke punuar pas moshës 65 vjeç. Disa qeveri tashmë po e njohin 65-tëshin si një objektiv të vjetruar; mosha e pensionit në Mbretërinë e Bashkuar tashmë është vendosur të rritet nga 66 në 67 nga maji 2026 deri në mars 2028; pas vitit 2044, mund të rritet në 68.

Disa ekspertë, duke përfshirë Parry, pranojnë se pensioni në të 60-at tani është më shumë një ëndërr sesa një realitet. Kur bëhet fjalë për pensionin, “Unë mendoj se 75 është 65-shi i ri”, thotë ai.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT