• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

“Plaku dhe deti”, Santiago dhe sfida për të kuptuar kohën

April 30, 2024 by s p

Agim Baçi/

Shumëkush mund ta ketë lexuar, dëgjuar apo parë film përpjekjen e Santiagos, personazhit të një prej romaneve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, “Plaku dhe deti”, të Ernest Heminguejit. Gjithçka nis pas 84 ditësh ku heroi ynë vijon të mos fusë dot asnjë peshk në rrjetën e tij. Por i ka dhënë fjalën Manolinit, nxënësit të tij të ri, se do t’i japë fund sezonit të pafat dhe do të udhëtojë sërish drejt peshkimit.

Ai arrin me varkën e tij të vogël të kapë peshkun në mes të Golfstrimit. Është peshku që ai gjithnjë e ka ditur se ku është- peshku Marlin. Është peshku që ai e ka kapur lehtësisht në rini. Por gjërat nuk janë më si më parë për Santiagon, pasi as mosha e as mjetet që ka në dorë nuk janë në favorin e tij. Në tri ditë beteje ai flet me triumfin e tij, e vlerëson që ka qenë një peshk i fortë, por që tashmë atij do t’i duhet ta çojë në breg, pasi nuk vlen vetëm fakti që e ka në rrjetën e tij. Por nuk është e thjeshtë. Më së pari duhet të luftojë me peshkaqenin e madh Mako, të cilën Santiago, pas një beteje rraskapitëse e vret me fuzhnjën e tij.

Por kjo fitore me peshkaqenin Mako është edhe nisja e humbjes së gjithçkaje që ka kapur, pasi gjurmët e gjakut që ka lënë në betejën me Marlinin bëjnë që peshkaqenë të tjerë t’i afrohen dhe të gllabërojnë pothuajse tërë trupin e pajetë të Marlinit. Në fund Marlini përfundon thjesht në një skelet i përbërë kryesisht nga shtylla kurrizore, bishti dhe koka e tij. Kur Santiago e nxjerr në breg ai peshk i përket historisë, kuriozitetit, betejës, por jo vetë atij, e aq më pak Manolinit, për të cilin Santiago u nis t’i tregonte se ishte i zoti, se nuk ishte dorëzuar.

I trishtuar nga ky fund me peshkun që e kish kërkuar me aq ngulm, Santiago kthehet në shtëpi, shtrihet mbi shtratin e tij dhe bie në një gjumë të thellë.

Janë të shumtë ata që e lexojnë trishtimin e Santiagos si pasojë e një beteje të gabuar me krenarinë, e një beteje të nisur në kohën e gabuar, pa mjetet e duhura dhe i vetëm. Dhe beteja e tij për të shkuar në thellësi, i vetëm, i braktisur nga të gjithë, duke besuar se dikur kishte qenë i zoti në këtë betejë, është lexuar si një rrëfim për hapat që ne shpesh nisim atëherë kur nuk mundemi, kur koha mund të na nxjerrë në breg me një skelet, që i ka shërbyer vetëm peshkaqenëve, por jo atij që nisi betejën.

Edhe pse gjithçka nis si një betejë për dinjitetin e Santiagos, duket se humbja vjen nga ajo që ai nuk ka llogaritur- nuk është më i fuqishëm për një peshk të tillë, nuk fiton dot me varkën që ka, dhe për më tepër, është i braktisur në këtë betejë.

Çmimi “Nobel” për këtë vepër është ndoshta pikërisht për t’i kujtuar kujtdo prej nesh se disa beteja kanë kohën e vet. Askujt prej nesh nuk i duhet skeleti i një peshku që ka ushqyer vetëm peshkaqenët. Dhe i gjithë rrëfimi, që bart kujtime e dilema shpirtërore, duke sikur na fton të mendojmë dhe besojmë se për udhëtimet që duhet të bëjmë në jetët tona, për betejat tona, do na duhet të kuptojmë kohën tonë.

Në betejat tona, pa dyshim që Krenaria është e rëndësishme, por ajo nuk vlen kur përdoret për të na çuar me këmbëngulje drejt humbjes. Aq më pak na duhet që krenaria dhe dinjiteti ynë të kthehet në pengesë edhe për jetët e të tjerëve.

Kjo betejë kthehet në një trishtim më të madh sidomos kur përdoret në politikë, pasi ata që i hyjnë këtij “peshkimi” rrezikojmë që dëshirën e madhe për fitore ta kthejmë në një skelet që nuk i duhet askujt, përveç peshkaqenëve…!

Filed Under: LETERSI

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë diskuton projektligjin mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

April 30, 2024 by s p

Më 29 prill 2024 në një mbledhje të veçantë Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë diskutoi mbi “projektligj për shëndetin seksual dhe riprodhues”.

Në mbledhjen e djeshme të Bordit të Presidencës së KNFSH-së, merrnin pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, në emër të Kryepeshkopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Hirësi Asti Bakallbashi, Ndihmës i Kryepeshkopit Anastas (kryetar i KNFSH-së për vitin 2024), Mon. Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Prof. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, si dhe anëtarë të Grupit të Punës së KNFSH-së lidhur me projektligjin në fjalë, të cilët janë specialistë të fushave të ndryshme.

Komunitetet fetare të Shqipërisë prej disa ditësh të njohur nëpërmjet medias me një projektligj lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe mungesa e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Kështu nëpërmjet Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Bordi i Presidencës së KNFSH-së, i cili përbëhet nga pesë liderët e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri ka ngritur grupin e punës me përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare me specialistë të tillë si juristë, sociologë, teologë dhe mjekë.

Gjatë takimit të sotëm grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet e tyre profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë, duke shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me efektet negative, që mund të ketë projektligji për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë përsa i përket disa ndryshimeve që parashikon në ligj në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues.

Nisur nga kjo, grupi i punës po punon fort për të nxjerrë një relacion me argumente shkencore, teologjike dhe profesionale në lidhje me këtë projektligj, dokument i cili do t’u dërgohet Komisionit të Ligjeve, Kuvendit të Shqipërisë dhe për dijeni institucioneve të tjera vendase dhe të huaja.

Në lidhje me projektligjin mund të klikoni:

https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/727

Filed Under: Analiza

Strategu i lirisë së Kosovës, heroi Ilaz Kodra

April 30, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot në përvjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra takova bashkëshorten dhe dy vajzat e tij dhe familjarët e tjerë.

Me respekt dhe nderim bëmë homazhe dhe u përulum para veprës së lavdishme dhe krenare të heroit Ilaz Kodra..

Ai shquhej për guximin, moralin dhe besimin në lirinë e Kosovës.

Ishte i veçantë për bashkëpunimin dhe respektin që gëzonte në mesin e ushtarëve.

30 prilli i vitit 1999 ishte ndër ditët më të përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Sot nderojmë kujtimin e atyre që dhanë jetën për liri.

“Nuk ka më të çmueshëm se jeta, por vetëm liria është më e çmueshmja. Prandaj, për liri do ta japim edhe jetën”. Ishin fjalët e Ilaz Kodrës.

Ky ishte Gjeneral Ilaz Kodra!

Kujtojmë heroin Ilaz Kodra, heroinën Antigona Fazliu, edhe 58 deshmorët dhe 235 martirët që ranë në fund të prillit të vitit 1999, për të mos vdekur kurrë.

Sot, mbushen njëzetepesë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili së bashku me Komandantin historik Adem Jashari, ideologun Fehmi Lladrovci dhe me grupin e Drenicës ishin embrioni i UÇK-së, i cili ka qenë grupi i parë më i madh i organizuar që vepronte në teren, me aksione konkrete, duke organizuar sulme kundër aparatit shtetëror serb të instaluar në Kosovë.

Të gjitha faktet dhe të dhënat historike të shkruara dhe të dëgjuara nga dëshmitarët e kohës, na bindën për të arritur në një konkludim se Grupi i udhëhequr nga Adem Jashari, ku në te ishte edhe heroi i Kosovës Ilaz Kodra, ishte grupi i parë më i organizuar, dhe për nga numri më i madhi që filloi nën tytën e pushkës dhe sakrificës titanike që kërkonte liria e atdheut tonë të dashur, Kosovës!

Heroi Ilaz Kodra shquhej me besim të jashtëzakonshëm për ardhmërinë dhe lirinë e Kosovës, ishte i pathyshëm dhe përkundër rrethanave të rënda që përjetonte me humbjen e shumë shokëve, që së bashku kishin filluar projektin e lirisë së Kosovës.

Në këtë ofensivë gjakatare, ai ra për të mos vdekur kurrë, ra komandanti dhe heroi Ilaz Kodra, bashkë me shumë luftëtarë të tjerë, ranë në altarin e lirisë së Kosovës.

Rroftë liria e Kosovës, sakrifica e madhe e shumë e shumë brezave dhe luftëtarëve të rënë për të!

Lavdi Komandantit Ilaz Kodra!

Lavdi të rënëve për liri!

Filed Under: Analiza

Kryeministri Kurti, zhvilloi bisedë telefonike me Kancelarin e Gjermanise, Olaf Scholz

April 29, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Pas votimit të suksesshëm këtë muaj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) e cila me 131 vota PËR kërkoi nga Komiteti i Ministrave që të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm, Kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës.

Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.

Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës.

Rikujtojmë që Këshilli i Evropës, mbi bazën e raportit të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili brenda kishte edhe rekomandimet e Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, u votua me 82% të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Opinioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës kërkon nga Komiteti i Ministrave që pa parakushte e kushte shtesë të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të saj e që njëherësh është shteti i vetëm demokratik evropian që ende nuk është pjesë e kësaj organizate të rëndësishme.

Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë pasi ju garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Filed Under: Ekonomi

“Manual për marrëdhëniet ndërkombëtare”, libri i panjohur i Ismail Qemalit

April 29, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Libri me “Kujtimet” e Ismail Qemal Bej Vlorës, u botua në formën e një autobiografie me redaktimin e gazetarit Sommerville Story, dhe me parathënien e gazetarit dhe autorit amerikan William Morton Fullerton me titullin “The memoirs of Ismail Kemal Bey”. Domethënës është fakti që Ismail Qemali është i vetmi personazh i shquar i Perandorisë Osmane, kujtimet e të cilit janë botuar pikësëpari në anglisht. 

Ato u botuan nga shtëpia botuese “Constable and Company Ltd.”, në Londër në vitin 1920, vetëm një vit pas vdekjes së tij. Në parathënie Fullerton thekson se, gjatë periudhës së shkrimit në vitet 1917-1918, Ismail Qemalit i ranë mbi shpatulla halle personale shpesh herë të rënda dhe halle të  tjera më të  rënda të lidhura me problemet patriotike për të ardhmen e Atdheut Shqiptar.  Dhe pikërisht si pasojë e vdekjes së Ismail Qemalit, pjesa e fundit e këtyre kujtimeve që lidhej pikërisht me Shqipërinë, mbeti e papërfunduar. Në shqip kujtimet e tij do të publikoheshin fillimisht në vitin 1968, në Toronto, Kanada, të përkthyera nga patrioti vlonjat Reshat Agaj. Më vonë libri do të ribotohej në shqip dhe do të përkthehej në italisht e turqisht. 

Në kujtimet e tij Ismail Qemal bej Vlora flet me një vërtetësi të admirueshme për shumë ngjarje të rëndësishme të politikës botërore të kohës. Aty pasqyrohet me një kthjelltësi të posaçme bota otomane dhe roli i shqiptarëve brenda saj. Një gjetje e jashtëzakonshme nga pikëpamja artistike është ilustrimi i marrëdhënieve të komplikuara midis krerëve shqiptarë dhe otomanëve, me metaforën e bukur të njerëzve që jetojnë afër një mali vullkanik; dhe të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me shpërthimet e tij të herëpashershme. 

Kjo alegori kaq e goditur artistikisht duket se ka prekur fort edhe një mendje artistike gjeniale si ajo e Kadaresë. Prandaj, jo më kot alegoria do të risillej sërish nga gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, në vitet e diktaturës në veprën e tij “Pallati i Ëndrrave”, për të goditur sërish sistemet diktatoriale që synojnë kontrollin absolut të mendjeve njerëzore. Me të vetmin ndryshim që emri i Vlorajve do të zëvendësohej me atë të Qyprillinjve, si më largët në kohë…  

Por ky nuk është i vetmi libër i shkruar nga Ismail Qemali. Libri tjetër i shkruar prej tij shpërfaq aftësitë e tij të spikatura si një publicist dhe intelektual i kalibrit të lartë. Ai është një manual për marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. Në hyrjen e librit Ismail Qemali thekson se ai nuk ishte duke shkruar autobiografinë e tij, por thjesht po shpjegonte arsyet e azilit të tij politik vullnetar. Ky libër është tërësisht i panjohur për shqiptarët. Ai është botuar në vitin 1900, në osmanisht dhe u përkthye në gjuhën franceze, angleze dhe arabe në vitin 1901. 

Përkthimi në këto gjuhë flet për rëndësinë që pati ky publikim në atë kohë. Rëndësia e këtij publikimi theksohet edhe në letrën e datës 2 maj 1900, që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury). Letra është pjesë e fashikullit të arkivave britanike për Ismail Qemalin, të cilin e kemi zbuluar së fundmi për publikun shqiptarë.

Një versioni i shkurtuar në anglisht i këtij libri, u botua në një prej periodikëve britanike më me influencë të kohës “The Fortnightly Review”. Libri është një tjetër dëshmi e lidershipit vizionar dhe e kapaciteteve intelektuale, politike, diplomatike të Ismail Qemalit. Ai është një traktat i mirëfilltë politik dhe një udhërrëfyes për marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga motivet e botimit të librit me titull “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”, është nxjerrja në pah rolit të Britanisë së Madhe si demokracia liberale më e madhe e kohës dhe roli i saj civilizues në botë. 

Ndërkohë qëllimi tjetër i Ismail Qemalit në shkrimin e librit lidhet me fitimin e përkrahjes britanike ndaj çështjes shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi komb në Ballkan, pa përkrahje nga asnjë nga Fuqitë e Mëdha në përpjekjet e tyre për liri. Vetëm pas një dekade nga shkrimi i këtij libri do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemal Vlora…

Kohët nuk janë aq të largëta sa të mos na flasin me këshilla të vyera për të tashmen dhe të ardhmen tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga figurat më të ndritura jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë arenën ndërkombëtare. Sepse siç shkruante dikur një njeri i mençur: “Zoti nuk i krijon njerëzit e mëdhenj për nevojën e vetëm të një kohe dhe të vetëm një populli, por për nevojën e të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave.”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT