• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Dekonstruktimi i anatomisë së Serbisë së madhe

April 10, 2024 by s p

Nevenka Tromp: Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit. Shtëpia botuese “Pema”, Prishtinë, 2021.

“Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” i Nevenka Tromp – shtëpia botuese “Pema”, Prishtinë, 2021 –me elemente biografike për liderin famëkeq serb, hedh dritë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë dekonstrukton në themel doktrinën mbi Serbinë e Madhe, si dhe shpjegon në detaje rrugën e ngritjes dhe rënies nga pushteti i Sllobodan Milosheviqit, i cili u rrëzua në vitin 2000, u ekstradua në 2001 dhe vdiq në burg në mars 2006.

Sylë Ukshini

Fakti që për herë të parë që nga procesi i famshëm i Nurembergut një kryetar shteti ndodhej në gjykim para Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, kishte tërhequr vëmendjen e publiku ndërkombëtar dhe veçanërisht të popujve që kishin qenë viktima të agresionit ushtarak të regjimit të Millosheviqit, i cili u bë katalizatori vendimtar i shpërbërjes së dhunshme të shtetit federal shumëkombësh, i krijuar në mënyrë artificiale në rendin e krijuar me paqen e Versajës. Qasja ligjore në procesin ndaj Millosheviqit u përqendrua në rolin e tij si udhëheqës politik dhe nëse ai kishte artikuluar e zbatuar një plan kriminal me pasojë kryerjen e krimeve çnjerëzore në masë.

Brutaliteti i shtypjes së regjimit milosheviqian nuk ishte një fakt i panjohur për vendet e goditura prej ushtrisë, policisë dhe strukturave paramilitare serbe, i ri ishte fakti që Millosheviqit iu lejua të mbrohej vetë, duke e luajtur rolin e avokatit, dhe kështu ai të merrte në pyetje njerëzit e traumatizuar, njerëzit që ishin viktima të brutalitetit të regjimit të tij. Ky fakt e bëri të qartë se gjykata do të përballej me sfidën e saj më të madhe. Si rrjedhojë, procesi gjyqësor po zgjaste jashtëzakonisht shumë. Por, më 11 mars të vitit 2006 u konfirmua vdekja e Millosheviqit, e cila la pa përfunduar një proces gjyqësor ndërkombëtar dhe aq edhe historik për ballafaqimin me të kaluarën dhe të ardhmen e Ballkanit.

Fundi i mundësisë për zbulimin e planeve të Millosheviqit

Ky ishte fundi i mundësisë për të zbuluar më shumë rreth Millosheviqit dhe planeve të tij dhe për ta detyruar të përballet me të vërtetat me të cilat ai nuk kishte pritur kurrë të ballafaqohej. Në lëndën e Millosheviqit nuk u arritën objektivat tradicionale të së drejtës penale, si ndëshkimi dhe drejtësia për viktimat. Megjithatë, procesi gjyqësor prodhoi një arkiv të pallogaritshme me dëshmi, ekspertiza, procesverbale të seancave gjyqësore dhe prova të tjera. Ky dokumentacion i procesit gjyqësor ndaj liderit serb, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, është një burim i rëndësishëm historik për studiuesit e fushave të ndryshme. Ky arkiv i procesit gjyqësor ndaj krimeve në masë të luftës, edhe pse i papërfunduar, ndërton një kronikë të ngjarjeve të kaluara dhe ndihmon në interpretimet rreth një periudhe historike, si dhe formimin e kujtesës kolektive.

Andaj, natyrshëm procesi gjyqësor ndaj diktatorit serb tërhoqi vëmendjen e historianëve dhe studiuesit të ndryshëm për vlerësimin e këtyre dokumenteve dhe të dhënave të prodhuara nga TPNJ, rreth një çerek milion faqe: mijëra raporte të dëshmitarëve, mbrojtjen nga të akuzuarit, prova dokumentare dhe raporte voluminoze nga ekspertët. dëshmitarët.

Në mesin e autorëve që ka bërë një punë të vlefshme me akribi të lartë shkencore në përpunimin e këtyre dokumenteve tepër voluminoze për Millosheviqin është studiuesja Nevenka Tromp, ligjëruese në Studimet për Evropën në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, e cila përmes mendimit kritik dhe analizës së thukët të burimeve arkivore ka realizuar dhe ka rritur të bëjë një autopsi dhe dokunstruktim të plotë të ideologjisë dhe doktrinës serbomadhe, e cila u etablua që nga mesi i shekullit 19, duke filluar me Naçertaninë (1844) e deri te plani i koduar “Patkoi”.

Veç kësaj, autorja ka analizuar edhe burime nga jashtë procedurës gjyqësore, të njohura si materiale jashtëgjyqësore. Ky studim analizon tri tema të ndërlidhura –udhëheqësinë, ideologjinë dhe planin, që janë thelbësore për të kuptuar faktet e paraqitura nga akuza dhe mbrojtja, duke krijuar dy versione e narrative të kundërta dhe konkurruese të ngjarjeve të treguara në sallën e gjyqit.

Struktura e librit të Nevenka Trompit, “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” e konceptuar në shtatë kapituj formësohet nga hapat e njëpasnjëshëm në zbatimin e planit të supozuar ideologjik të Millosheviqit për Jugosllavinë

Synimi për një Kosovë pa shqiptarë

Libri i Nevenka Tromp për gjykimin e papërfunduar të Sllobodan Milosheviqit është i veçantë për katër gjëra: autorja e librit është me origjinë nga Kroacia, ku regjimi i kasapit të Ballkanit zhvilloi njërën nga luftërat e tij agresive për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për faktin se Tromp ka qenë anëtare e Ekipit Kërkimor për çështje të Udhëheqjes (LRT) në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ); nga viti 2000 deri në vitin 2006 ajo ka qenë hulumtuesja kryesore e ekipit që ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviqin. Dhe e treta, ky studim bazohet në tezën e saj të doktoratës të vitit 2015 me titullin më emblematik “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit”. E katërta, autorja edhe pse njihte mirë procedurën penale kundër Sllobodan Millosheviqit, në përpjekjet e saj për t’u dhënë kuptim shkresave jashtëzakonisht të shumta, përdori udhëzime dhe këshilla të studiuesve të cilët kishin studiuar strategjinë e luftës naziste duke hulumtuar dokumentet dhe procesverbalet e proceseve gjyqësore kundër krimeve të luftës në Nuremberg, Tribunali i Nurembergut prodhoi një interpretim historik shumë specifik të planit nazist, duke ia ngarkuar përgjegjësinë për luftën kryesisht një personi dhe elitës sunduese.

Sipas këtij interpretimi, Holokausti qe rezultat i një plani të qartë madhor të krijuar nga vetë Adolf Hitleri dhe që u zbatua nga lart poshtë. Kjo ishte një ndërmarrje e politikës së “zgjidhjes përfundimtare”, të cilën Millosheviqi e përdori në Kroaci, Bosnjë dhe sidomos në Kosovë, ku në emër të një miti mesjetar të sajuar në kohën e nacionalizmit serb, synonte një Kosovë pa shqiptarët si popullatë shumicë.

Ky libër me elemente biografike për liderin famëkeq serb, hedh dritë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë dekonstrukton në themel doktrinën mbi Serbinë e Madhe, si dhe shpjegon në detaje rrugën e ngritjes dhe rënies nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit, i cili u rrëzua në vitin 2000, u ekstradua në 2001 dhe vdiq në burg në mars 2006. Për këtë arsye, procesi gjyqësor kundër ish-presidentit serb, i cili u akuzua për krime lufte dhe kundër njerëzimit në Ballkanin Perëndimor, ishte një nga proceset më të rëndësishme në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, ngase për herë të parë po gjykohej një ish-president shteti. Por, përkundër kësaj, me vdekjeje e parakohshme të Milosheviqit në mars 2006, procesi ndaj tij mbeti i papërfunduar. Megjithëse objektivat tradicionale të të drejtës penale, si ndëshkimi, drejtësia për viktimat dhe parandalimin, nuk u arritën, arkivi rreth procesit gjyqësor ndaj Millosheviqiot është një burim i rëndësishëm historik për hulumtuesit e fushave të ndryshme. Në librin e saj Nevenka Tromp nxjerr në dritë të dhëna nga koleksioni i provave dhe në procesverbalet, që përbëjnë dokumentacionin e procesit gjyqësor. Ajo pasqyron hulumtimin nëpër arkivin e procesit gjyqësor për të gjurmuar e shpalosur ekzistencën e një plani për krijimin e një shteti të madh serb.

Përveç kësaj, ky studim dëshmon se dokumentacioni i këtij procesi gjyqësor dhe dokumentacioni i proceseve gjyqësore në përgjithësi përbëjnë vërtet një burim historik të rëndësishëm. Në themel të studimit qëndron ideja se çdo dokument i një procesi gjyqësor të krimeve çnjerëzore në masë, qoftë ky proces i përfunduar apo i papërfunduar, përbën dëshmim të ngjarjeve të kaluara, jep ndihmesë në interpretimet e një periudhe historike dhe ndikon në formimin e kujtesës kolektive. Siç e thekson edhe autorja, libri nxjerr në dritë të dhëna nga koleksioni i provave shkresore dhe në procesverbale, që përbëjnë dokumentacionin e procesit gjyqësor, për t’i mundësuar lexuesve të gjurmojnë fijet e morisë së përshkrimeve historike.

Politika serbe dhe fshehja e dokumenteve

Struktura e librit të Nevenka Tromp, “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” e konceptuar në shtatë kapituj formësohet nga hapat e njëpasnjëshëm në zbatimin e planit të supozuar ideologjik të Millosheviqit për Jugosllavinë; nga Memorandumi i Akademisë së Shkencave të Serbisë i vitit 1986 deri në rënien e Jugosllavisë së mbizotëruar nga serbët dhe udhëheqësit të saj të papenduar pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Kapitujt e parë të bazuar në prova analizojnë udhëheqësin dhe ideologjinë e tij. Katër kapitujt vijues mbulojnë përkatësisht katër hapat në strategjinë e tij të madhe, siç është rindërtuar nga autori: Jugosllavia e kohëve të fundit; lufta në Kroaci; lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë; dhe lufta në Kosovë.

Në kapitullin e parë, Tromp rishikon debatin klasik nëse Millosheviqi kishte qenë thjesht një gur shahu i nacionalizmit serb apo nëse ai e kishte instrumentalizuar me një dorë këtë ideologji dhe fuqinë e saj mobilizuese. Shtysa kryesore e tregimit është e njohur nga literatura akademike dhe burime të tjera, siç është libri i Ivan Stamboliqit. Tromp peshon dhe analizon deklaratat e ndryshme të bëra nga bashkëkohësit dhe dëshmitarët okularë në TPNJ.

Në këtë kapitull autorja e drejton interesin e saj kërkimor drejt provave që tregojnë planin e qëllimshëm të elitave serbe, domethënë se krimet e kryera nga formacionet ushtarake serbe janë rezultat i një plani që u realizua nga “lart poshtë”. Vetë akti i krijimit të TPNJ-së në vitin 1993 nuk kontribuoi në stabilizimin e situatës dhe vendosjen e paqes. Themelimi i TPNJ duhet të shihet nga perspektiva e indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjenocidi ndaj boshnjakëve i kryer në vitin 1995 në Srebrenicë dhe fillimi i mëvonshëm i luftës në Kosovë tregojnë qartë se TPNJ nuk kontribuoi në qetësimin e frymës nacionaliste serbe.

Në fakt, shteti serb, edhe pse e kishte dorëzuar Milosheviqin, në të njëjtën kohë nuk hoqi dorë nga përpjekja për të fshehur dokumentet e rëndësishme të regjimit të tij, për shkak se donte të pamundësonte në çdo rast dënimin e Serbisë nga GJND-ja si fajtore për gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Në këtë linjë, elita politike, intelektuale dhe kulturore serbe e kuptoi rëndësinë e TPNJ-së-së dhe që nga fillimi punoi për të mbrojtur interesat e tyre shtet-kombëtare, duke e paraqitur qëllimisht këtë tribunal ndërkombëtar si një institucion anti-serb, i formuar me qëllim vetëm gjykimin e serbëve, si dhe duke mohuar në mënyrë permanente krimet e bëra nga shteti serb në luftën e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kosovës.

Shkathtësia dhe kuptimi i rrethanave politike të elitave intelektuale, politike dhe kulturore serbe rezultoi me marrëveshjes në vitin 2003 në mes prokurores në gjyqin e Millosheviqit në Hagë me marrëveshjen e njëanshme në vitin 2003 mes Carla Del Ponte dhe ministrit të atëhershëm të Jashtëm serb Goran Svilanoviq, sipas së cilës, dokumentet shtetërore të regjimit të Millosheviqit nuk mund të përdoresh nga palët tjera për padi kundër Serbisë në GJND. Kjo marrëveshje me motive politike nga Del Ponte përbënte një goditje për gjyqësinë ndërkombëtare dhe njëkohësisht një fitore të madhe të Serbisë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shfajësoi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Koha ditore, 17 mars 2023

“…të gjithë serbët në një shtet të vetëm”

Në kapitullin e dytë të librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, të Nevenka Trompit, analizohen udhëheqësi dhe ideologjia. Qysh para se të niste procesi gjyqësor ndaj Millosheviqit në vitin 2002, në radhët e studiuesve, gazetarëve dhe diplomatëve vazhdonte debati lidhur me shkallën e përgjegjësisë historike dhe politike të tij për shpërbërjes e dhunshme të Jugosllavisë. Shumica e autorëve ende besonin se udhëheqësi serb personalisht kishte pjesën më të madhe të fajit për këtë gjë. Edhe prokurori argumentoi se të gjitha planet politike të akuzuarit të Tribunalit të Hagës buronin nga përpjekja e tij për të krijuar një shtet që do të përfshinte të gjithë serbët, të cilët jetonin në territorin e Jugosllavisë së atëhershme, dhe më tej, se historia e përpjekjeve të tilla për të arritur këtë zgjerim kishte sjellë dhunë dhe krime masive kundër popullsive joserbe. Sipas autores, po ashtu, Prokuroria e TPNJ-së argumentoi se Millosheviqi frymëzoi dhe nxiti ideologjinë serbomadhe. Platforma e partisë së tij të sapoformuar në vitin 1990 i kishin dhënë përparësi mbrojtjes së serbëve që jetonin jashtë Serbisë dhe i kishin dhënë theksin në të drejtën e serbëve për vetëvendosje. Kjo ishte strategjia “të gjithë serbët në një shtet të vetëm”. Autorja pohon se prokuroria e përdori termin “Serbia e Madhe de facto” që përshkruan variantin e Millosheviqit të ideologjisë shtetërore serbe.

Zanafilla e ideologjisë së Serbisë ë Madhe në vitet 1800

Ideologjia e Serbisë së Madhe e ka zanafillën që prej mesit të viteve 1800 dhe që atëherë ka qenë e lidhur ngushtë me formimin e një shteti serb, duke qenë shtysë e fuqishme politike për realizimin e një shteti të madh dhe homogjen serb. Në këtë kapitull Tromp gjithashtu analizon objektivat dhe mjetet me të cilat Millosheviqi tentoi të krijonte një shtet që do të përfshinte të gjithë serbët. Sipas autores, në periudhën 1987-1999, Millosheviqi u përpoq të realizonte pesë objektiva të njëpasnjëshme: Objektivi i parë u arrit me centralizimin e Serbisë, duke hequr autonominë Kosovës dhe Vojvodinës; objektivi i dytë ishte centralizimi i Federatës Jugosllave, por që rezultoi pa sukses për shkak të përmbysjes së regjimit komunist dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Objektivi tretë ishte krijimi i një Jugosllavie më të zvogëluar, përfshirë “territoret e quajtura serbe”, në Kroaci dhe Bosnjë, Në këtë proces, serbët shpallën kauzi-shtetin e tyre, Republikën Serbe. Objektivi i katërt përkon me formimin e Federatës Jugosllave, një shtet i përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi dhe objektivi i pestë vazhdon me përpjekjet e regjimit të Millosheviqit ishte të siguronte sundimin mbi Kosovën dhe ndryshimin e përbërjes etnike në dobi të serbëve.

Por, përshkallëzimi i konfliktit në Kosovë në vitin 1998 nxori në pah dështimin e diktatorit serb për ta sunduar Kosovën. Në fakt, lufta e shtetit serb kundër UÇK-së u përdor nga Serbia për të justifikuar fushatën e dhunës kundër popullatës shqiptare.

“Megjithatë, dështimi në arritjen e objektivave të tjerë u shoqërua me egërsi dhe krime çnjerëzore në masë, që nuk ishin parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu, emri i Millosheviqit u bë sinonim i masakrave dhe krimeve çnjerëzore.” (shih f. 103)

Strategjia e viktimizimit të serbëve dhe malazezëve

Në kapitullin e tretë autorja u bën një analizë gjithëpërfshirëse synimeve dhe qëllimeve të Millosheviqit, duke filluar nga qëllimi i parë i politikës hegjemoniste serbe për centralizimi i Serbisë duke përdorur si platformë politike Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i cili shërbeu si instrument dhe metodë e veprimit politik nga poshtë-lart përmes “ligjit të turmës” viktimizimit të serbëve e malazezëve të Kosovës. Kjo strategji kishte për qëllimin që pas ndryshimit të Kushtetutës ës Serbisë të vitit 1974 të ndryshohej udhëheqja e Kosovës dhe e Vojvodinës si parakusht për miratimin e amendamenteve kushtetuese nga kuvendet në Prishtinë dhe Novi Sad, me çka do të hapej rruga që krahinat “të bëheshin mirëfilli pjesë përbërëse të Republikës së Serbisë.”( (f. 161). Në kontekst të përpjekjeve të Millosheviqit për centralizimin e federatës jugosllave dhe vendosjes së qeverive proserbe në republikat e tjera, “ndodhitë e popullit” u eksportuan jashtë kufijve të Republikës së Serbisë, çka shqetësoi autoritetet federale dhe ato të republikave veriore, para së gjithash të Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat në kontekstin e ndryshimeve demokratike në Evropën Lindore kërkuan legalizimin e pluralizmit politik dhe riorganizimin e shtetit jugosllav në sistem konfederativ. Në kohën kur “ligji i turmës” po vendoste caqet dhe objektivat e politikës së “kasapit të Ballkanit”, suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe fjalimi i tij në Gazimestan shënojnë një fitore të madhe politike për Millosheviqin, i cili haptas e bëri të qartë se në agjendën e tij politike nuk përjashtohej as lufta e armatosur në Jugosllavi në përpjekje për krijimin e një Jugosllavie të centralizuar apo Serbie të Madhe. Sipas Trompit, rol kyç në këto përpjekje të Millosheviqit për centralizimin e federatë, përkatësisht për të ushtruar vullnetin e tij politik në nivel krahinor, republikan e federal luajtën çështja e Kosovës dhe veprimtaria aktive dhe viktimizuese e serbëve të Kosovës. Ishte e qartë se aksioni politik i Millosheviqit dhe i eksponentëve të tij politik në Partinë Socialiste të Serbisë mbështetej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i cili si lajtmotiv kishte rrënjosjen e thellë të mendësisë dhe miteve viktimizuese të serbëve, mbi nacionalizmin që po ngitej me eufori e që do të kulmonte me dhunë dhe luftëra e krime të papara që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. . “Prandaj, nuk ishte çudi që platforma e programit të SPS-it në vitin 1990 kishte shumë gjëra të përbashkëta me Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (ASHAS)”, konstaton autorja.

Por, dështimi i centralizimit të Jugosllavisë në vitet 1990-ta përmes Lidhjes së Komunistëve erdhi për shkak të mospranimit të opsionit të konfederatës nga Serbia dhe dështimit të Millosheviqit në Kongresin e 14-të të jashtëzakonshëm të LKJ-së, i cili në fakt shënoi fundin e kësaj partie dhe dështimin e përpjekjeve të Millosheviqit që ta shtinte në dorë këtë parti, ashtu siç kishte bërë tashmë me Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cilat, siç nënvizon autorja e librit, ishte bërë palë duke ndihmuar rebelimin e serbëve të Kroacisë dhe më vonë dhe më vonë të serbëve të Bosnjës dhe të Kosovës. Por, ky kongres u zhvillua përtej skenarit të përgatitur nga Millosheviqi dhe të eksponentëve të tij, të cilët po ndiqnin një agjendë hegjemoniste, që Jugosllavinë e çoi drejt shpërbërjes së pashmangshme, ndërsa Sllovenia dhe Kroacia, më vonë edhe njësitë tjera federative, ndoqën rrugën e pavarësisë dhe të legalizimit të sistemit shumëpartiak.

“Duke penguar amendamentet sllovene në Kongres, Millosheviqi hodhi poshtë ekzistencën e një federate të reformuar dhe i siguroi përligjje futjes së sistemeve shumëpartike në republika. Madje, edhe aleati i tij i besuar gjatë Kongresit, Borisav Joviq, dëshmoi se sjellja e Millosheviqit në Kongres ndihmoi në shembjen e Federatës, “ rezymon Tromp ( fq. 178).

Dëshmitë e paralajmërimeve për ndryshim kufijsh

Duke u ndalur në çështjen e debatit rreth përgjegjësisë për shpërbërjen e RSFJ-së, autorja sjell një mori dëshmish arkivore përmes të cilave argumenton se Millosheviqi kishte paralajmëruar me kohë që kufijtë mund të rivendoseshin me forcë. Në këtë kontekst, në këtë kapitull bëhen publike detajet e bisedës së presidentit slloven Milan Kuçan me Millosheviqin në margjinat e takimit të Bërdos afër Kranjës në Slloveni, ku pretendohet se presidenti serb i kishte thënë se nuk do ta kundërshtonte largimin e Sllovenisë nga RSFJ-ja, por se në rastin e Kroacisë nuk mund ta linte të largohej pa ngritur pretendime rreth kufijve të saj, ngaqë atje jetonin një numri i madh serbësh. Për më tepër, qysh në fjalimin e tij të mbajtur në Kuvendin e Serbisë më 25 qershor 1990, Milloshevqi po që kishte shprehur qëndrimin se Serbia nuk do të pranonte kurrë propozimin për konfederatë brenda kufijve ekzistues të përcaktuar administrativisht brenda republikave, pasi konfederata konsiderohej se nuk është shtet, por aleancë shtetesh të pavarura. Millosheviqi, në një rast të tillë, në rast se nuk do të kishte Jugosllavi Federale, kishte paralajmëruar se çështja e kufijve të Serbisë mbetej çështje e hapur politike. Bisedat telefonike tregonin se ndërkohë që autoritetet serbe shtireshin se po punonin për të ruajtur RSFJ-në, ato planifikonin bashkërisht rrënimin e themeleve të saj. Duke publikuar të dhëna nga bisedat ndërmjet Millosheviqit dhe Karaxhiqit, autorja pasqyronte zhvillimin e retorikës hegjemoniste serbe lidhur me pavarësinë e Kroacisë, ku dy udhëheqësit përdornin justifikimin se “territoret e quajtura serbe” në Kroaci duhej të mbeteshin në Jugosllavi, në rast se shkëputej Kroacia. “Argumenti i tyre”, konstaton Tromp, “ishte se këto territore nuk po ndaheshin nga Kroacia, por Kroacia po ndahej nga Jugosllavia e zvogëluar në të cilën mbeteshin të gjitha territoret serbe.”(186-187)

Në kapitullin e katërt të librit “Gjykimi i papërfunduar i Slobodan Milosheviqit” të Nevenka Trompit trajtohen përpjekjet e udhëheqjes serbe për të mbajtur një Jugosllavi të cunguar, prapa së cilës fshiheshin dy qëllime të qarqeve politike dhe ushtarake serbe: krijimi i Serbisë së Madhe para emrit të Jugosllavisë dhe që përmes këtij emri të ruheshin vazhdimësia dhe privilegjet e një shteti që nuk ekzistonte më në sistemin ndërkombëtar.

Nisur nga këto premisa, si dhe me instruksionet e Milosheviqit, kreu politik dhe ushtarak nisi realizimin e planit për ngritjen e një Jugosllavie të tillë të cunguar përmes krijimit të “Rajoneve Autonome Serbe” përgjatë kufijve të projektuar perëndimorë të shtetit të ardhshëm serb.

Përpjekjet për të vendosur kontroll mbi territoret serbe në Kroaci filluan përmes mbështetjes politike dhe ushtarake të Beogradit, që pikënisjen e kishin te demonstratat viktimizuese, që u bënë të njohura me emrin “revolucioni i trungjeve”, për shkak se si barrikada u përdorën trungjet si barriera për depërtimin e policisë kroate. Sipas autores, kjo formë e rebelimit të serbëve të Kroacisë shënoi fillimin e një konflikti të armatosur me tipare kriminale, prapa së cilës qëndronte jo vetëm JNA-ja si institucion federal, por edhe Ministria Federale e Punëve të Brendshme, si dhe Ministria Serbe e Punëve të Brendshme. Vlen të tërhiqet vëmendja se forma e sjelljes agresive të Beogradit ndaj Kroacisë dhe mënyra e përdorimit të serbëve si instrument për arritjen e qëllimeve politike të serbëve të Kroacisë ndiqnin të njëjtën strategji të cilën e kishte aplikuar Beogradi në rastin e instrumentalizimit dhe viktimizimit të serbëve të Kosovës gjatë viteve 1980. Ngjashëm si në rastin e Kosovës, në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës elita intelektuale serbe e kishte dramatizuar pozitën e serbëve në Kroaci, duke pohuar se mbijetesa e tyre po përballej me kërcënimin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Intenca serbe ishte krijimi i një territori ekskluziv serb në territorin kroat, i cili do të bëhej pjesë përbërëse e Serbisë dhe kjo ishte arsyeja përse Ushtria Popullore Jugosllave e ndihmoi rebelimin e tyre. Në këtë kontekst, autorja e librit, artikullin e revistës “Epoha”, botuar nga SPS-i i Milosheviqit, në të cilën përfshiheshin disa harta që ilustronin shtetet e mundshme jugosllave pa Slloveni, i konsideron si prova të rëndësishme që vërtetojnë se dhuna e luftës në Kroaci nuk ndodhi rastësisht, por ishte planifikuar paraprakisht nga udhëheqja politike serbe, gjë e cila mundi të vihej në jetë gjatë viteve 1991-1992, kur forcat serbe kryen krime në masë kundër kroatëve. Sipas Tromp, strategjia e Milosheviqit në përgjigje ndaj pavarësisë së Kroacisë ishte ripërcaktimi i kufijve të brendshëm të federatës dhe afishimi i udhëheqjes sllovene dhe kroate si përgjegjëse për rrënimin e shtetit shumëkombësh jugosllav. Ishte e qartë se kreu shtetëror politik serb kishte një plan të qartë për zhbërjen e Jugosllavisë dhe krijimin e një Serbie të Madhe. “Biseda tregonte se Milosheviqit dhe Karaxhiqi parapëlqenin shpërbërjen, por nuk donin të shiheshin si palë përgjegjëse për këtë, në vend të kësaj, ata ishin të vendosur që fajin për shpërbërjen e Jugosllavisë t’ua faturonin udhëheqësve të Sllovenisë e Kroacisë”, thotë autorja. Sipas dokumenteve të Tribunalit të Hagës, të cilat prezantohen në këtë libër, në përpjekje për arritjen e objektivave politike dhe ushtarake të Milosheviqit, mbledhja e 143-të e Kryesisë së RSFJ-së më, më 1 tetor 1991, shërbeu si moment kulmor për shpërbërjen e RSFJ-së dhe përdorimin e APJ-së së serbizuar. Paralelisht me këto zhvillime jepen detaje të shumta dhe dëshmi nga Tribunali i Hagës, të cilat hedhin dritë mbi rrethanat dhe objektivat e formimit të strukturave paraushtarake serbe, përkatësisht të kampit stërvitor nën drejtimin e Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si “Arkani”, komandant i njësisë paraushtarake serbe të njohur me emrin “Tigrat”.

Plani për ndarjen e Bosnjës midis Serbisë dhe Malit të Zi

Kapitulli i radhës, i pesti me radhë, shqyrton luftën në Bosnjë-Hercegovinë, krimet e kryera atje kundër joserbëve në kuadrin e strategjisë serbe të ndarjes etnike dhe krijimin e territorit të kontrolluar nga serbët, që u bë i njohur si Republika Srpska (RS), e cila në fakt shënoi jetësimin e objektivit të katërt të planit të Milosheviqit. Në këtë kuadër, autorja u referohet qëllimeve, takimin e Karagjorgjëve (mars 1991) midis Milosheviqit dhe Tugjmanit, i cili shpërfaq tendencën për të zgjidhur çështje të rëndësishme midis serbëve dhe kroatëve dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe për ta trajtuar Bosnjë-Hercegovinën si objekt të një zgjidhjeje serbo-kroate. Lidhur me këto zhvillime, si referencë përmendet ish-kryeministri i RSFJ-së, Ante Markoviq, i cili pohoi se Milosheviqi dhe Tugjmani kishin bërë plane për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës midis Serbisë dhe Malit të Zi. Inspirues dhe ideologë të planeve të Serbisë së Madhe në Bosnjë-Hercegovinë ishin Radovan Karaxhiq, më pas i dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës dhe Partia Demokratike Serbe. Autorja u kushton vëmendje të veçantë ngjarjeve që i paraprinë agresionit kundër Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, duke analizuar njëkohësisht marrëdhëniet e ngarkuara dhe konfliktuale serbo-kroate për çështje historike dhe të kufijve, të cilat shpeshherë tejkaloheshin ose liheshin mënjanë kur bëhet fjalë për Bosnjën-Hercegovinën.

Arsyetimi me “ortodoksizmin” e myslimanëve boshnjakë

Në këtë kontekst vihet në dukje se midis dy vendeve e kontestonin në shumë pikëpamje ekzistencën e Bosnjë-Hercegovinës si shtet edhe boshnjakët si komb shtetformues. Derisa për Milosheviqin, Bosnjë-Hercegovina ishte entitet artificial dhe i paqëndrueshëm dhe se shumica e myslimanëve boshnjakë kishin qenë ortodoksë përpara se t’i detyronin të ndërronin fenë, pothuaj në të njëjtin këndvështrim edhe Tugjmani e shihte Bosnjë-Hercegovinën si një anomali historike si pasojë e pushtimeve osmane në shekullin e 15-të. Ishte e qartë se as Kroacia dhe as Serbia nuk e dëshironin një shtet të përbashkët boshnjak, sepse ekzistenca e tij konsiderohej pengesë për planet e tyre për të formuar shtetet e tyre të përbashkëta brenda kufijve, ku secili shtet do të përfshinte territore të caktuara në Bosnjë–Hercegovinë. Megjithëkëtë, autorja tërheq vëmendjen se nuk mund të vihet shenja e barazimit ndërmjet politikës kroate dhe asaj serbe ndaj Bosnjë-Hercegovinës për faktin se Kroacia kishte pranuar bashkëpunimin e saj me autoritetet e ligjshme të Bosnjë-Hercegovinës që nga marsi i 1993-s, përderisa Serbia nuk e njohu pavarësinë e Bosnjë-Hercegovinës derisa kufijtë e Republikës Serbe, të vendosur me luftë, u çimentuan me Marrëveshjen e Daytonit (1995). Politika serbe pa dyshim shfaqi brutalitetin më të madh në Bosnjë-Hercegovinë, ngase qëllimet e politikës së Serbisë së Madhe ishin spastrimi etnik i territorit nga elementet joserbe.

Çimentimi i pushtimeve ushtarake territoriale serbe

Në këtë kuadër Tromp i kushton vëmendje të veçantë qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj agresionit dhe gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë, e cila nëpërmjet nismave të saj në fakt e legjitimoi dhe e favorizoi ndarjen etnike të Bosnjë-Hercegovinës. Një praktikë e tillë është e dukshme që nga fillimi, domethënë nga Planet Cutileiro, Vence-Owen, Owen-Stoltenberg e deri te Marrëveshja e Daytonit, e cila ndodhi vetëm pas muaj pas gjenocidit serb në Srebrenicë. Gjithashtu, autorja analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse ndikimin dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Milosheviqit në vendimmarrjen e udhëheqjes serbe të Bosnjë-Hercegovinës, duke e identifikuar atë si politikanin që luajti rol vendimtar në formësimin e politikës serbe të Bosnjës. Prandaj, nuk ishte rastësi që Milosheviqi doli në qendër të skenës si negociator kryesor i të gjithë serbëve në Konferencën e Daytonit, e cila po ashtu legjitimoi krijimin e Republikës Serbe të krijuar mbi politikat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit, respektivisht 49 për qind të territorit. “Marrëveshja e Paqes së Daytonit e pranoi situatën në terren si fakt të kryer, duke çimentuar pushtimet ushtarake territoriale serbe si bazë për ndarjen e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës dhe duke përligjur objektivat serbe të luftës dhe mënyrën se si u arritën”, vë në dukje autorja.

Në fakt në Dayton, politika serbe, pos anashkalimit të çështjes së Kosovës, në përgjithësi arriti të realizonte qëllimet politike të miratuara nga Kuvendi i RS-së në maj të vitit 1992 dhe i njohu si Gjashtë Objektivat Strategjike, sipas të cilave serbët i bënë të qarta synimet për spastrime etnie, për kufij të rinj dhe korridore mes serbëve të Kroacisë dhe Bosnjës, si dhe synimet për sigurimin e një daljeje në det për Republikën Serbe. Kur analizohen këto objektiva serbe të duket qartë një koincidencë jo e rastësishme me kërkesat serbe ndaj territoreve shqiptare në Konferencën e Londrës 1912/13, kur Serbia pasi kishte pushtuar Kosovën kërkonte Durrësin dhe daljen në detin shqiptar. Andaj, mund të thuhet se këto kërkesa ishte vazhdimësi e kërkesave serbe të parealizuara në konferencat e Londrës dhe Versajës.

“Korridoret e përmendura në Gjashtë Objektivat Strategjike ishin vendet ku do të kryheshin krimet më të rënda gjatë luftës. Cilësimi i tyre si ‘territore serbe’ në bazë të rëndësisë strategjike dhe jo të përbërjes etnike, do të thoshte që këto zona shpesh kishin popullata të mëdha joserbe”, thekson Tromp.

Fshehja e dokumenteve pas rënies së Milosheviqit

Në këtë kapitull të librit, autorja na sjell fakte dhe dëshmi interesante se Serbia edhe pas rënies së Milosheviqit mori masa për fshehjen e dokumenteve, që ajo i konsideronte rrezik për “interesin jetik të shtetit”. Sipas autores një gjë e tillë u realizua në bisedimet ndërmjet Prokurorisë së Hagës dhe Beogradit lidhur me kushtet për dorëzimin e dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Sipas autores, arsyeja për një ndërmarrje të tillë të Beogradit dhe Hagës ishte që të parandalohej dalja në publik e dokumenteve, të cilat Bosnjë- Hercegovina do të mund t’i kishte përdorur në padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 1993. Dhe përderisa po Gjykata kishte caktuar mbajtjen e seancës gjyqësore më 3 qershor 2003, me mbështetjen e kryeprokurores së TPNJ-së, Carla del Ponte, e cila ndoqi qasjen politike me udhëheqjen e Serbisë, arriti një kompromis i cili në procesin e marrjes së Këshillit Suprem të Mbrojtjes pranonte të mbronte pjesë të dokumentacionit të tij. “Më 24 maj, në kundërshtim me rekomandimin me shkrim të prokurorit Geoffrez Nice, i cili ishte përgjegjës për shqyrtimin gjyqësor-kryeprokurorja e TPNJ-së, Carla del Ponte i dërgoi një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviq, ku pranonte mbrojtjen e pjesëve të përzgjedhura të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Del Ponte, e cila më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 2008, në librin e saj me kujtime ngriti pretendime se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë mbi të gjitha, trafikimin e organeve njerëzore, sipas prokurorit të atëhershëm Nice, nuk kishte asnjë bazë ligjore për letrën dërguar Svilanoviqit. Këtë rrethanë autorja librit e sheh si favor të madh për Serbinë, e cila në GJND, ku u konfirmua se në Bosnjë-Hercegovinë ishte kryer gjenocid, ia doli të shmangte përgjegjësinë për gjenocid, porse ishte përgjegjëse vetëm “për mosndalimin e tij në bazë të Konventës së Gjenevës.”(f.316).

Megjithëkëtë, Tromp vë në dukej se dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes nxirrnin në shesh përpjekjet e bëra nga Beogradi për të kontrolluar zhvillimet ushtarake në “Republikën Serbe të Krajinës” dhe në Republikën Serbe të BH-së. Bëhet e qartë se ndihma financiare, ushtarake dhe politike e Beogradit për RS dhe “RSK” pati rëndësi jetike për ngritjen dhe ruajtjen e kapaciteteve të formacioneve ushtarake serbe në pushtimin e territoreve joserbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Madje kjo ndihmë, ngjashëm siç po ndodh edhe tani në Kosovë, vazhdoi për një kohë të gjatë edhe pas përfundimit të luftës në Bosnjë dhe në Kroaci në vitin 1995.

Kosova – sprova e pakalueshme për Milosheviqin

Në kapitullin e gjashtë të librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit”, Nevenka Tromp trajton objektiven e pestë të Milosheviqit, sundimin e Kosovës, një projekt që e filloi ngritjen dhe rënien e tij nga pushteti. Megjithëse kishte mbetur në hije para konflikteve në shtetet fqinje, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, problemi i Kosovës vazhdoi të mbetej shpërthyes gjatë viteve të ‘90-ta dhe ky problem u bë një sprovë e pakalueshme për Milosheviqin. Sado që Kosova kontribuoi në ngritjen politike të këtij udhëheqësi serb, ajo kontribuoi edhe në rënien e tij politike, ngase çdo kompromis i tij lidhur me statusin e Kosovës bartte rrezikun e dënimit nga nacionalistët serbë dhe vinte në rrezik pushtetin e tij.

Në anën tjetër, siç vë në dukje edhe autorja, përpjekjet për të realizuar objektiven e sundimit në Kosovë u kundërshtuan nga popullata shumicë shqiptare, që në vitet 1998/99 kulmoi me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe me fushatën serbe të pastrimit etnik dhe vrasjet masive të civilëve shqiptarë. Dhe pikërisht këto krime të rënda kundër njerëzimit, u bënë pjesa qendrore e aktakuzës së Tribunalit të Hagës lidhur me Kosovën në maj të vitit 1999, e cila e bënte përgjegjës Milosheviqin si pjesëmarrës “në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, me qëllim për të dëbuar nga Kosova një numër të madh shqiptarësh të Kosovës, me synimin për të konsoliduar kontrollin serb”.

Për të provuar rolin që luajti Milosheviqi në luftën e Kosovës, sipas autores, prokurori i Hagës e ndoqi pistën e gjurmëve të lëna nga një organ i posaçëm i njohur si Komanda e Përbashkët për Kosovën. Por, ajo çfarë vlen të theksohet këtu është se këto dokumente të Komandës së Përbashkët, të cilat ekipi i mbrojtjes dhe autoritetet e Beogradit po tentonin t’i fshihnin, prokuroria ia doli t’i përdorte në mënyrë të tërthortë, vetëm pasi ishin paraqitur si prova nga pala mbrojtëse në shqyrtimin gjyqësor, kur Milosheviqi kishte thirrur si dëshmitarë një numër oficerësh të ushtrisë serbe dhe të MUP-it, të cilët kishin qenë të angazhuar në luftimet në Kosovë në vitet 1998/1999 dhe të cilët do t’i referoheshin në dëshmitë e tyre dokumenteve të Komandës së Përbashkët.

Dështimi i strategjisë për ndryshimin e përbërjes etnike

Për t’i ofruar lexuesit një fotografi më të plotë të problemit të Kosovës dhe synimeve të “regjimit milosheviqian” për mbajtjen e Kosovës nën Serbi duke ndryshuar përbërjen etnike të saj, autorja flet për politikat serbe të aparteidit në Kosovë që nga momenti i zhbërjes së autonomisë së Kosovës, vendosjes së një modeli të administrimit policor e deri te dështimi i strategjisë për të ndryshuar përbërjen etnike në Kosovë, që rezultoi me një luftë të armatosur. Për ta provuar synimin serb për të dominuar dhe vendosur kontroll të plotë mbi Kosovën, autorja e ilustron me faktin se në korrik 1990 Kuvendi serb e miratoi “Ligjin për marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta”, që lejonte largimin nga puna bazuar në kritere arbitrare, dhe njëkohësisht legalizonte punësimin vetëm të serbëve dhe të jo shqiptarëve etnikë në Kosovë. Si rrjedhojë, gjatë viteve 1990-1999 Kosova ishte i vetmi vend i Evropës ku nuk kishte shkolla, media dhe universitet në gjuhën shqipe, në gjuhën e shumicës.

Masakra ndaj familjes Jashari, riaktivizimi i Grupit të Kontaktit

Në këtë mes, bëhet e qartë se pasiviteti i politikës paqësore dhe po ashtu dështimi i Marrëveshje së San Egidios për Arsimin, e cila parashikonte normalizimin e mësimit për nxënësit dhe studentët shqiptarë dhe kthimin e tyre në objektet publike, ishte moment kthese në zhvillimet në Kosovë, të cilat i hapën rrugën luftës së armatosur dhe organizimin e të rinjve shqiptarë rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pika e kthesës së masivizimit të luftës çlirimtare dhe e ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës ishte masakra serbe mbi familjen Jashari dhe riaktivizimi i Grupit të Kontaktit (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali dhe Rusi), i cili përgjatë viteve 1997-1999 bëri përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën, të cilat në fond kulmuan me Konferencën e Rambouillet (shkurt-mars 1999). Duke iu referuar dokumenteve të Prokurorisë së TPNJ-së, Tromp argumenton se bisedimet e Rambouillet në fakt treguan synimin real të Serbisë, që këto bisedime të përdoreshin vetëm si instrument për të fituar kohë, përderisa ajo përgatitej për luftë dhe “zgjidhje përfundimtare” për problemin e Kosovës. Si argument për këtë tezë, autorja po ashtu përmend faktin e bërjes publike nga burimet e ndryshme të inteligjencës të planit të koduar “Patkoi”, i cili ishte i hartuar nga krerët politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, që parashihte spastrimin etnik të Kosovës përmes dëbimit të tyre në Maqedoni dhe Shqipëri.

Pavarësisht se Milosheviqi e kishte mohuar një plan të tillë në gjykatë, autorja nënvizon se dëshmitari i Prokurorisë Ratomir Taniq, ish-agjent i inteligjencës serbe, e kishte pohuar ekzistencën e një plani të tillë. Një fakt tjetër se Beogradi po përgatitej për një fushatë masive ushtarake në Kosovë sigurisht ishin provat lidhur me formimin e një urdhri gojor të Komandës së Përbashkët në verën e vitit 1998, domethënë shumë muaj para ndërhyrjes së NATO-s në mars të vitit 1999. Duke u ndalur te vlera e këtyre dokumenteve të periudhës së aktakuzës lidhur me Kosovën, autorja tregon se pala serbe me këmbëngulje kishte fshehur dokumentet e Komandës së Përbashkët dhe vetëm pas një beteje me Prokurorinë e TPNJ-së, në vitin 2005, i ishin dorëzuar Hagës vetëm 15 dokumente dhe ato nuk kishin të bënin me hierarkinë komanduese dhe as udhëheqjen politike të Serbisë dhe Jugosllavisë së mbetur. Lidhur me këtë betejë për dokumentet e arkivit shtetëror të Beogradit, Tromp konstaton se autoritete serbe në bashkëpunim me TPNJ-në kultivuan dy qëndrime të ndryshme. Në njërën anë, ato dorëzuan të akuzuarit e nivelit të lartë, si Milosheviqi, gjeneral Pavkoviq, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, dhe në anën tjetër, ato provonin të kontrollonin dhe selektonin dërgimin në TPNJ të dokumenteve përmes të cilave mund të konfirmohej aktakuza e Prokurorisë. Përkundër se Serbia kishte hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë se qeveria e Beogradit po shihte provat, autorja argumenton se e vërteta doli në dritë në sallën e gjyqit, “kur Milosheviqi filloi të thërriste dëshmitarë të mbrojtjes për akuzën lidhur me Kosovën” dhe kur ata paraqitën në “gjykatë materiale që Prokuroria” nuk kishte qenë në gjendje t’i siguronte në bashkëpunim me autoritetet shtetërore serbe. Një efekt tjetër bumerang për palën serbe ishin provat e mbrojtjes: ditarët e luftës dhe raportet e përditshme të luftimeve të ushtrisë serbe, siç ishin ditarët e Brigadës 549 të Motorizuar të gjeneral Deliqit, si dhe ato të brigadave dhe njësive të tjera të komanduar nga Milosh Doshan, kolonel Vllatko Vukoviq, major Janosh Shel. “Këta ditarë…”, thotë autorja, “zbuluan se njësitet luftarake të ushtrisë jugosllave, në bashkëpunim me forcat e MUPÇ-it, kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime luftarake në Kosovë menjëherë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s më 24 mars 1999”.

Një politikë e tillë represive hegjemoniste që rezultoi në një katastrofë humanitare, krime kundër shqiptarëve etnikë, vrasje masive, me qëllim që të mos mbetej “as edhe një këmbë shqiptari” në Kosovë, ishte ndër objektivat kryesore të politikës serbe në Kosovë dhe, rrjedhimisht, një veprimtari i tillë kriminale rezultoi pashmangshëm me ndërhyrjen ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe. Autorja gjithashtu konstaton se sulmet ajrore të NATO-s u përdorën si mbulesë për të dëbuar shqiptarët etnikë nga Kosova, me qëllim që të ndryshohej përbërja etnike në Kosovë. Veç tjerash, e ndodhur me humbjen e pashmangshme të luftës me NATO-n dhe kur tashmë u bë e qartë mundësia e vendosjes së prezencës civile dhe ushtarake të NATO-s në Kosovë, udhëheqja e lartë serbe me dijeni të Milosheviqit filloi fshehja e krimeve përmes zhvendosjes së trupave të shqiptarë të vrarë në Kosovë, për t’i varrosur në Serbi. Një konstatim tjetër që përmbys pretendimet serbe se largimi i shqiptarëve ndodhi në mënyrë spontane dhe nga frika e bombardimeve, është konstatimi i Prokurorisë në Hagës, e cila në aktgjykimin e saj kishte theksuar se bombardimet e NATO-s në Serbi, veçanërisht në Beograd, nuk shkaktuan ndonjë eksod të qytetarëve ashtu siç kishte ndodhur në Kosovë. Gjithashtu në këtë kapitull deri në detaje dhe dokumente dhe procesverbale të TPNJ-së konstatohet se gjyqtarët rrezuan pretendimin tjetër të autoriteteve serbe se zhvendosja e civilëve ndodhi për shkak të luftimeve midis forcave të UÇK-së dhe ushtrisë dhe policisë serbe.

”Sllobodan Miloshevqi nuk vdiq si njeri i fajshëm”

Në kapitullin e fundit, analizohet rënia e Milosheviqit, e cila në fakt u vulos me humbjen e luftës së Kosovës në qershor të vitit 1999. Në këtë kuadër, bëhet edhe bilanci i sundimit dhjetëvjeçar i Milosheviqit, i cili ishte shkaktar i katër luftërave, në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, për vdekjen e njëqind mijë vetave, miliona refugjatëve të zhvendosur. Për më tepër, lufta e Kosovës dhe krimeve kundër njerëzimit ishin dëshmi se Milosheviqi Marrëveshjen e Paqes në Dayton e përdori për forcimin e pushtetit të tij në Serbi dhe jo si mundësi për të transformuar imazhin e tij nga “Kasapi i Ballkanit” në “paqebërës”. Madje, edhe pasi u vendos në Hagë, Milosheviqi me këmbëngulje mbrojti dhe glorifikoi politikën e tij hegjemoniste, duke e quajtur veten dhe familjen e tij viktimë të një komploti ndërkombëtar. Fundi i tij ishte i palavdishëm, pasi u largua nga pushteti në vitin 2000 dhe u ekstradua në Hagë, erdhi pikërisht në momentin kur procesi kundër tij po dukej se po arrinte në finale dhe kur Prokuroria po shpresonte të nxirrte dëshmi të reja përmes dëshmitarit të mbrojtjes Momir Bulatoviq, i cili për shkak të njohurive për shumë ngjarje të rëndësishme nga Prokuroria konsiderohej si dëshmitar ideal për marrjen në pyetje. Por, me 11 mars 2006, Milosheviqi u gjet i vdekur (vetëvrarë) në qelinë e tij. Për këtë arsye ai i shpëtoi vendimit final të fajësisë nga TPNJ. Por, siç vë në dukje autorja e librit, ”Sllobodan Miloshevqi nuk vdiq si njeri i fajshëm”. Për më tepër edhe kaq vjet pas vdekjes së tij, Serbia është e ndarë ose thënë më saktë, ajo nuk ka hequr dorë nga ideologjia shtetërore e Serbisë së Madhe. Në fakt, këtë projekt, Tromp nuk e lidhi as me ngritjen dhe as me rënien e Milosheviqit, por ajo konstaton se treni i projektit për një shtet homogjen serb filloi të lëvizë në vitet 1970 dhe përgjatë këtyre pesë dekadave të fundit janë ndërruar vetëm drejtuesit lokomotivës. Në këtë kontekst, Milosheviqi ishte vetëm njëri nga drejtuesit e këtij treni, i cili tani drejtohet nga Vuçiq dhe vazhdon të lëvizë akoma në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe të jashtme. Pos kësaj, Tromp tërheq vëmendjen se Beogradi nuk ka hequr dorë nga ndarja territoriale e brendshme e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës me qëllim të pengimit të funksionalitetit të tyre si shtete. Paralelisht me këtë, thotë autorja vë në dukje se historia e luftërave në ish-Jugosllavi por rishkruhet me manipulime nga Serbia, pasi elita politike dhe kulturore serbe dëshiron të shmangë çdo predispozitë për pranimin e krimit dhe gjenocidit, pasi kjo fajësi do ta ngarkonte shtetin serb me shuma të jashtëzakonshme financiare të dëmshpërblimeve, me njollosjen historike dhe ky mospranim i krimeve të kryera nga regjimi i Miloshevqit e lë të lirë regjimin pasardhës të ndjekë objektivat gjeopolitike të parealizuara nga pararendësi.

Përfundim

Studimi voluminoz “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” mund të thuhet se parqet një vepër shumë me interes për të gjithë studiuesit që dëshirojnë të njohin gjenezën e shpërbërjes së Jugosllavisë, të luftërave dhe krimeve kundër njerëzimit dhe të zhvendosjes së miliona njerëzve si pasojë e përpjekjes së Milosheviqit për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe. Për më tepër, vlera e këtij studimi qëndron në faktin se libri sjell shumë detaje, dëshmi dhe prova nga arkivi i procesit gjyqësor të Milosheviqt dhe udhëheqësve të tjerë të akuzuar për krime lufte dhe gjenocid. Përpos kësaj, ky libër i kontribuon të kuptuarit të saktë dhe të drejtë se në Serbi nuk kanë pushuar përpjekjet për të përmbysur me manipulime narracionin për historinë e luftërave në Jugosllavi. Po ashtu, del qartë se vrasje në masë dhe spastrimet etnike nuk ishin thjesht pasojë e konflikteve dhe luftërave, por një platformë dhe një doktrinë shtetëror për krijimin e një Serbie të Madhe, ndërsa vdekja e Milosheviqit shënon vetëm fundin e një njeriu, por jo edhe të këtij projekti hegjemonist, i cili për serbët konsiderohet akoma i papërfunduar, por që lëviz në varësi të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Dhe krejt në fund, studimi i Nevenka Tromp shërben si një studim për dekontsruktiumin e projektit të Serbisë së Madhe dhe njëkohësisht si një manual i domosdoshëm për të kuptuar se edhe sot elita politike serbe nuk ka hequr dorë nga projekti i Milosheviqit për Serbisnë e Madhe, por që tani është transformuar si projekt për „botën serbe“, përmes të cilit synohet „rregullimi i kufijve“ dhe „bashkimi i të gjithë serbe në një shtet..“

Koha Ditore, 7 prill 2024

Filed Under: Ekonomi

GËZUAR FITËR BAJRAMIN

April 10, 2024 by s p

Imam Shuajb Gerguri

Qendra Islame Shqiptare, Detroit

Të nderuar besimtarë!

Ne jemi mirënjohës që arritëm edhe një herë muajin e Bekuar të Ramazanit, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje dhe fundi është shpëtimi nga zjarri i xhehenemit / ferrit.

Edhe pse jemi të mërzitur që ky muaj i bekuar përfundoi, në të njejtën kohë jemi të lumtur që në këtë mëngjes të Fiter Bajramit, jemi mbledhur këtu me ndjenjat e besnikërisë dhe vëllazërisë të përhapura në mesin tonë.

Falënderimi dhe lavdërimi i pafund qofshin për All-llahun e Plotfuqishëm (sët) që na bëri të mundur të arrijmë Fiter Bajramin.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin (a.s.) i cili i përshkruan ditët e Bajramit si ditët e gëzimit, lumturisë dhe përkujtimit të Allahut (sët). Gëzuar Bajramin! Ju uroj të gjithëve një Bajram të lumtur!

Të dashur vëllezër dhe motra!

Fiter Bajrami është dhuratë e Allahut të Lartësuar (sët) për shërbëtorët e Tij që agjëruan në muajin e Ramazanit.

Sot është koha për t’iu afruar njëri-tjetrit, për të hapur dyert e zemrave dhe shtëpive tona dhe për të ndarë lumturinë tonë me njëri tjetrin.

Sot është koha për të sjellë shpresën, mirënjohjen dhe gëzimin e të qenit një besimtar që ndien kënaqësi gjatë Bajramit kudo që të jetë.

Prandaj, le ta përjetojmë këtë gëzim me prindërit tanë, të cilët meritojnë më së shumti respekt dhe mirësi, me gratë tona që janë shoqërueset tona besnike dëshmitarët e ditëve tona të vështira dhe të mira dhe me fëmijët tanë që janë burimi i gëzimit dhe shpresës në shtëpitë tona.

Le të vizitojmë pleqtë e familjes, të afërmit, fqinjët dhe miqtë. Le të interesohemi për çdo të sëmurë nga mesi ynë dhe të pyesim për gjendjen e tyre dhe ta bëjmë të lumtur çdo të moshuar nga mesi ynë. Le t’i japim kuptim Fiter Bajramit tonë me buzëqeshjen e jetimëve, dhe njerëzve në nevojë dhe atyre që janë të vetmuar.

Në mëngjesin e këtij Fiter Bajrami, le t’u japim fund mërive dhe mosmarrveshjeve në mes nesh si vëllezër e motra me të cilët i drejtohemi të njejtës Kible/ Qabe krah për krah.

Në një hadith autentik: Anas ibn Mālik (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka raportuar: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Kush do që furnizimi/ rizku i tij të zgjerohet dhe jeta e tij të zgjatet, duhet të mbajë lidhjet farefisnore.”

Le t’i forcojmë lidhjet e përzemërsisë dhe të besimit mes nesh duke iu bindur urdhrit hyjnor:

“Besimtarët nuk janë veçse vëllezër.”

Le të kujtojmë të afërmit tanë që vdiqën dhe martirët tanë të lavdishëm që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun tonë të bekuar.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Profeti a.s ka thënë, ne si muslimanë, duhet të jemi si një trup i vetëm, nëse cilado pjesë e trupit tonë dhemb, ju si musliman, kudo, duhet të ndjeni dhimbjen.

Të mos harrojmë vëllezërit dhe motrat tona të shtypura anembanë botës.

Le t’i ngremë duart dhe t’i lutemi Allahut (sët) për vëllezërit dhe motrat tona muslimane në vështirësi në të gjithë botën, veçanërisht vëllezërit dhe motrat tona në Gaza Palestinë që vazhdojnë të vuajnë për më shumë se shtatëdhjetë vjet, le të lutemi që Allahu SËT t’i çlirojë nga shtypja që po përjetojnë për kaq gjatë.

Të dashur besimtarë!

Me këto mendime dhe ndjenja, dua t’i uroj një Fiter Bajram të lumtur gjithë botës myslimane, kryesisht kombit tonë. Lusin Allahun e Plotfuqishëm (sët) që të sjellë mirësi për njerëzimin në këtë Fiter Bajram.

Ligjeratën time dua ta përfundoj me këtë hadith të Profetit Muhamed (saws):

“O njerëz! Përhapni paqe/salaam në mes jush, ndani ushqime me njëri-tjetrin, mbani marrëdhëniet tuaja të farefisnisë dhe faluni ndërsa njerëzit flenë dhe do të hyni në Xhennet në Paqe.» Tirmidhi, Sifat el-Qiyamah.

Filed Under: Fejton

VATRA URON BESIMTARËT MYSLIMANË: GËZUAR FITËR BAJRAMIN

April 10, 2024 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Islam

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Fitër Bajramin.

Në këtë festë të shenjtë e ditë falenderimi ndaj Zotit të gjithësisë le të lutemi për paqe në botë, bekim e prosperitet për kombit tonë e familjet tona. Kjo festë e begatë çmon veprat e mira dhe sakrificën që çdo besimtar i dedikon Zotit të madhërishëm në shenjë mirënjohje e falenderimi për kalimin me lutje e sakrificë të një muaji të shenjtë e përshpirtshmërie ndaj Zotit tonë.

Uroj nga zemra që ta kaloni gëzuar dhe me lumturi e harmoni me familjen dhe njerëzit tuaj të zemrës.

Mësimet dhe bekimet e Zotit ju shoqërofshin përgjatë gjithë jetës suaj të dashur miq e bashkëpunëtorë prej dekadash.

Kjo festë e shenjtë na fton për vepra të mira, reflektim, bamirësi, përkujdesje ndaj të varfërve, jetimëve e çdo njeriu në nevojë.

Kjo festë e madhe le të na zgjojë dëshirën për të falur, për të dashur dhe për të dhënë më të mirën nga vetja jonë si besimtarë e shqiptarë të mirë.

Gëzuar nga zemra.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion

Shaqir Totaj, kryetari i Komunës së Prizrenit vizitoi Vatrën

April 10, 2024 by s p

New York, 9 Prill 2024 – Shaqir Totaj, kryetari i Komunës së Prizrenit i shoqëruar nga z.Islam Ukaj vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën në Selinë Qëndrore nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, arkëtari z.Besim Malota, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Paulin Mrnaçaj, anëtari i Këshillit z.Dritan Haxhia, gazetari z.Halil Mula dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës z.Halil Ahmeti. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari Berisha shpalosi vizionin dhe punën e Vatrës në dobi të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punën lobuese në Senat dhe Kongres, promovimin e interesit kombëtar në mjedisin politik amerikan dhe përpjekjet për transformimin e realiteteve e mundësive në favor të angazhimeve të Federatës Vatra. Nga e tij kryetari i Prizrenit z.Totaj shprehu mirënjohjen për punën dhe rolin historik të Vatrës për kombin e veçanërisht për shtetin e Kosovës. Z.Berisha e garantoi kryekomunarin Totaj se Vatra do të vazhdojë të luajë fuqishëm rolin e saj historik ku Kosova ka peshën specifike të veprimtarisë atdhetare, diplomatike e komunitare të Federatës Vatra.

Filed Under: Featured

Konflikti gjashtë mujor Izrael – Hamas hyn në fazën tjetër

April 10, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Ekipet e negociatorëve nga Izraeli dhe Hamasi kanë arritur të pranojnë pikat kryesore të një armëpushimi në bisedimet që po mbahen në Kajro të Egjiptit, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë sot, por detajet e paktit nuk janë bërë ende të njohura. Sulmi i Hamasit në jug të Izraelit gjashtë muaj më parë ndezi luftën më të përgjakshme mes Izraelitëve dhe Palestinezëve. Nga raportimet e gazetarëve në terren, njoftimet zyrtare dhe komentet e disa analistëve politik mund të krijohet një tablo ku dalin pasojat e konfliktit në mbarë Lindjen e Mesme si edhe gjasat për vatrat e tjera të luftimeve.

Si ka ndryshuar Izraeli në këto gjashtë muaj?

Nga sulmi i datës 7 tetor gjetën vdekjen 1,200 individë sipas të dhënave nga qeveria izraelite. Brutaliteti i sulmit të beftë ringjalli traumën e Holokaustit per nga shkalla e akteve krimale nga rrjedh edhe reagimi i fortë i popullsisë. Brenda natës u mobilizuan qindra skuadra civile brenda në Izrael. Izraelitët besojnë se në Gaza nuk ka “civilë të papërfshirë në sulm”. Mbi 250 pengje u cuan nga Izraeli ne Gaza përfshire edhe disa të vrarë. Trupave të pajetë ju ishin prerë kokat dhe disa ishin dhunuar, në akte të dokumentuara nga OKB-ja. Izraelitët shikojnë pa pushim lajmet e mediave të tyre ku nuk jepet asgjë nga tmerret që po vuajnë palestinezët nga lufta në Gaza.

Rrafshimi i Gazës

Bombardimet e pareshtura si kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit e kanë rrafshuar Gazën. Numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar të gjitha shifrat e mëparshme të vdekjeve nga të gjitha luftat e historisë së tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, janë mbi 33,000 të vrarë, nga këta dy të tretat besohet se janë civilë dhe 75,000 të plagosur. Të vrarët janë varrosur nën gërmadhat e ndërtesave të bombarduara nga Izraeli. Nuk ka rrugë shpëtimi për ata që jetojnë aty dhe as ndihma ushqimore. Kombet e Bashkuara parashikojnë se uria veçanërisht tek fëmijët është çështje imediate. Në një territor ku banojnë 2 milion palestinezë, shtëpitë, rrugët, vendet historike, kanalizimet, spitalet janë shkatërruar në masën më të madhe ose nuk ekzistojnë më.

Muajin e kaluar nga anketimi i opinionit publik del se 71 për qind e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza e shikojnë sulmin e Hamasit si fitore të rezistencës ndaj pushtimit izraelit. Secila palë e shikon veten si viktimë dhe palën tjetër si pushtues.

Efekti i luftës në Shtetet e Bashkura

Në ditët e para të sulmit të Hamas-it, Amerika ishte në krah të Izralit. Presidenti Biden vizitoi Izraelin dhe u takua me Kryeministrin Benjamin Netanyahu në aeroport ndërsa në Tel Aviv kishte luftime dhe bombardime ajrore. Por kësaj radhe kundërveprimi agresiv izraelit nuk pati përkrahjen e të dyja partive siç ndodh zakonisht në Amerikë. Duke filluar nga disa anëtarë të Partisë Demokratike te protestat në qytetet studentore dhe në përgjithësi në reagimet publike nuk pati miratim masiv për mësymjen agresive të Izraelit. Veç armatimeve të dërguara deri tani, Presidenti Biden propozoi edhe një paketë tjetër prej 14 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Izraelin që tani është bllokuar në Kongres. Presidenti, nga momentet e para të solidarizimit nisi të shprehte disa qëndrime kritike dhe në thirrjen e fundit telefonike me Kryeministrin Netanyahu i drejtoi kërkesë urgjente për mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe lejimin e ndihmave humanitare në Gaza: Nëse Izraeli nuk e ndryshon kursin e luftës, Amerika do ndryshojë qasjen e saj ndaj Izraelit. Brenda disa orëve, karvanët e ndihmave u lejuan të hyjnë në Gaza. Qëndrimet në fillim të luftës në muajin tetor nuk koordinojnë me ato të tanishmet në prill dhe kjo është risi e rëndësishme.

Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme

Për herë të parë në dhjetra dekada konflikti ka vendosur çështjen palestineze në plan të parë në arenën ndërkombëtare. Qysh pas krijimni të shtetit të Izraelit pas luftës arabe-izraelite të vitit 1948, palestinezët nuk kanë atdhe. Në këto 76 vjet, 6 milionë refugjatë palestinezë, familje të tëra që brez pas brezi janë përzënë ose iu është bërë e pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin angazhuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin vitin e kaluar ndërsa Jordania që ka traktat paqeje me Izraelin thotë se nuk mund të ketë siguri pa u adresuar çështja kyçe palestineze. Numri i civilëve të vrarë në Gaza sjell protestues të përditshëm përpara ambasadës izraelite në Aman dhe zemërim ndaj Shteteve të Bashkura si furnizuesi kryesor i armatimeve për Izraelin. Në Liban, situata në kufirin jugor është e paqëndrueshme nga sulmet e forcave izraelite kundër grupeve militante të Hezbollahut të mbështetura nga Irani. Goditja e një aneksi të Ambasadës së Iranit muajin e kaluar në Damask të Sirisë nga ana e Izraelit, siç u deklarua, ndjell frikën e përhapjes së luftës dhe krijimin e fronteve të reja në rajon.

Qasja e Amerikës për të mos lejuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme

Shtimi i forcës detare amerikane në Mesdheun lindor konsiderohet si masë parandaluese kundër përhapjes së konfliktit. Megjithate disa baza të vogla në Siri dhe Irak u goditën nga grupet militare. Si kundërpërgjigje, Amerika ndërmori operacione ajrore në të dyja vendet. Flota detare amerikane patrullon bregdetin e Jemenit për të mos lejuar sulmet me raketa të Hutëve ndaj anijeve tregtare por ato kanë vazhduar pa u ndalur. Zyrtarët amerikanë thonë se Irani fshihet pas këtyre grupeve që i financon për të shtuar trazirat në Lindjen e Mesme, gjë e cila nuk është materializuar deri tani në konflit më të gjerë por gjendja është shumë e tensionuar.

Vrasja e shtatë vullnetarëve, midis tyre një amerikan, të shoqatës humanitare World Central Kitchen në Gaza

Ky mund të jetë momenti kthyes për të ushtruar më shumë presion ndaj Izraelit. Tashmë qeveria ka pranuar hapjen e një pike kalimi dhe lejimin e karvanëve të ndihmave në dy kalimet e tjera. Meqë Izraeli nuk lejonte transportimin e ushqimeve me kamionë, shoqata humanitare WCK organizoi shpërndarjen me anije, ndërsa Amerika dhe shtete të tjera dërgonin paketa nga ajri. Sot, vetëm gjysma e ndihmave arrin në Gaza në krahasim me sasinë e dërguar në periudhën para luftës, ndërkohë që gjendja është shumë më e rënduar për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës, të linjave ushqimore dhe kanalizimeve.

Çfarë e bën këtë konflikt të jetë ndryshe nga të tjerët?

Vendet fqinje të Izraelit janë mësuar të mos presin siguri afatgjate në rajonin ku Izraeli dominon ushtarakisht. Tani, për herë të parë ka një fije shprese për një zgjidhje për Palestinën, thonë analistët. Ndërsa gazetarët njoftojnë se ky konflikt nuk ka krahasim me asnjë mbulim tjetër mediatik ngaqë Izraeli nuk lejon asnjë reporter të hyjë në Gaza me përjashtim të vizitave të shkurtëra nën shoqërimin e trupave izraelite. Numri i gazetarëve vendorë dhe punonjësve të mediave të vrarë në këtë konflit ka arritur shifra të papara në luftat e deritanishme. Sipas të dhënave nga Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, 90 gazetarë kanë humbur jetën në gjashtë muaj. Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se 170 punojës të saj janë vrarë si pasojë e luftimeve.

Gazetarët përshkruajnë sesi nga një aksion i një njësiti special izraelit për lirimin e dy pengjeve të tyre gjetën vdekjen disa dhjetra palestinezë. Rasti është tregues i qartë sesi tragjedia e një populli është triumf për palën tjetër ngaqë Izraelitët dhe palestinezët jetojnë në dy realitete të papajtueshme. Konfliti ka hyrë në një fazë tjetër nga koha e vetëvrasjeve me bombë të militantëve dhe kundërveprimeve ushtarake individuale të Izraelit. Në 7 prill, 2024 saktësisht gjashtë muaj nga dita e sulmit të Hamasit, trupat izraelite u tërhoqën nga Khan Younis në Rripin e Gazës, gjë që sinjalizon hyrjen në një fazë të re. Zyrtarët e mbrojtjes kanë njoftuar se po përgatisin një ofensivë në Rafah. Analistët thonë se për arritjen e sigurisë së qëndrueshme duhen gjetur zgjidhje që nuk përmbajnë farën e një konflikti të ardhshëm që presupozon neutralizimin e kërcënimit për shtetin izraelit dhe mundësinë për një shtet palestinez.

Burime: BBC, Washington Post, OKB

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT