• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

NË ILIRIDËN QË KEMI HUMBUR

April 8, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Mbi varrin e Shekspirit midis të tjerash janë edhe këto dy vargje:
“Bekuar qoftë njeriu që këta gurë i kursen,
Mallkuar qoftë ai që kockat m’i rrëmben.”
Me të njëjtin thelb, por në një kontekst të ndryshëm historik, edhe romani “Shpërngulja e të vdekurve” merret me kockat, jo për të marrë një copëz nga lavdia e dikujt, por për të ruajtur identitetin kombëtar. Përdorimi i toponimeve, viteve dhe inkuadrimi i të vërtetave historike të fut në një grackë nga ku del kur vë re se vendlindja e rrëfimtarit është Suka kurse ajo e shkrimtarit Gërçeci. Kjo gjë përmbys edhe raportin mes reales dhe trillit dhe i bën magjitë dhe legjendat lehtësisht të përtypshme. Duke pasqyruar zhvendosjen e një fshati nga Shkreta e Rekës së Epërme në Sukë shkrimtari jo vetëm ka sjellë fatin e pikëllimtë të një pjese të kombit shqiptar dhe trojeve të tij, por e ka kthyer atë në një thirrje të fuqishme për të rikuperuar gabimet e së shkuarës. Shqiptarët nuk janë endacakë, ata shquhen për lidhjet e forta me rrënjët nga fillon e ushqehet vitaliteti i tyre, ata kanë ruajtur të gjallë një nga gjuhët më të vjetra të Europës, ata janë autoktonët që i mbijetuan përpjekjeve për asimilim ose dëbim. Duke u ndalur edhe pak në këtë kuadër të përgjithshëm historik dhe atdhetar të veprës nuk mund të mos bashkohesh me dhembjen e autorit për Iliridën e humbur prej Mollës së Kuqe te Dibra e Madhe dhe për kryeqytetin e mohuar shqiptar të Shkupit, i cili vetëm pak më shumë se një shekull ishte vendi ku gëlonte shqipja dhe zotëronin shqiptarët. Ndalesa e parë hipotetike: Po sikur të ishte bërë? Do të ishim fatlumë se mund të ishim bashkuar të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm. Por mund të ishim edhe fatkeqë se, duke u pushtuar nga serbët apo bullgarët, mund të ishte fshirë përfundimisht gjuha dhe kombësia shqiptare.
Rrëfimtari sjell historinë e një familjeje në tre breza që ka dhënë ndihmesën e vet në qëndresën ndaj synimeve asimiluese të fqinjve dhe për mbajtjen gjallë të flakës atdhetare. Nuk duket shumë bindës gjyshi që kthehet nga Damasku dhe ndjehet bosh që nuk arriti në kohë për të qenë pjesë e dërgatës shqiptare të Shkupit, por tingëllon natyrshëm qasja atdhetare e babait kur guxon të ngrihet mbi çallmën e hoxhës në vitin 1960, në Duqanxhikun e Shkupit, ku ishin mbledhur hoxhallarët e njohur të Shkupit e Kumanovës për të diskutuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Hoxhë Dema, duke qenë më shumë atdhetar se klerik, ka guximin të deklarohet kundër shpërnguljes: “Ne merremi me murimin e urës që bashkon bregun e lindjes me atë të vdekjes, por ç’vlen ajo urë nëse brigjet ku do vdesim, nuk do kenë shenjën e bregut ku kemi lindur.” (f.88.) “Ajo urë duhet gozhduar me mbrojtjen e qumështit të nënës dhe të dheut ku ke lindur… Unë jam i gatshëm të mëkatoj, nëse kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar popullin tim.” (f.89) Fill pas kësaj vjen ndërhyrja mbështetëse e hafëz Idrizit: “Feja pa komb dhe kombi pa besimtarë, është si lumi pa ujë.” (po aty). Edhe pse përmendet thjesht si fakt, qëndrimi i Demës një muaj në Kosovë gjatë kohës së luftës që zhvillohej atje, i shërben pasurimit të jetëshkrimit të tij atdhetar.
Atdheu fillon nga familja, ushqehet dhe mbështetet prej saj, rritet në përmasa të reja kur del nga familja e bashkohet me fshatin, del nga fshati e bashkohet me vendlindjen e madhe. Ja pse amaneti i gjyshes për rrëfimtarin është edhe mesazhi i madh që u përcillet me po aq patos edhe gjeneratave të reja sot, pasi lëvizjet demografike kanë marrë përmasa të tilla që, siç shkruan autori: “…shtohet numri i kullave të mbetura shkretë.” (f.149)
Historia shqiptare personifikohet me figurën e gjyshes së rrëfimtarit dhe ka arritur të krijojë modelet shqiptare aq të ngjashëm me Hoze Arkadion, Ursulën dhe fshatin Makondo të Markezit. Duket paradoksale, por është e vërtetë, se gruaja shqiptare ka luajtur një rol përcaktues në fatet e kombit tonë, edhe pse mjedisi shoqëror ishte tepër patriarkal. Sikur të mos mjaftonte gjyshja, autori ka shkuar edhe më tej me një tjetër figurë të spikatur si Fatushja që zbret në Jug deri në Çamëri për të zbuluar thesarin e mbetur atje pas dëbimit të çamëve për të riparuar shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit dhe kullën e Faik Konicës. Reciprokisht nënës së rrëfimtarit i vijnë nga Parga dy breshka që do ndërprisnin magjinë e vdekjeve, plotësuar me breshkat e sjella nga Sanxhaku, pas të cilit përvijohet harta e trojeve ilirike.
Ka një simbol mbi të cilin endet rrjeta e origjinës së lashtë të një fshati: varret e sjella nga Reka e Epërme, qoftë edhe me një pjesë të kockave. Ka dhe një kufi kohor të përafërt kur fillon e lëviz gjithçka: atëherë kur katragjyshja Lefkë të premten pastronte xhaminë, të shtunën kishën, pra atëherë kur pati filluar konvertimi vullnetar ose i sponsorizuar.
Magjia, bestytnia dhe legjenda vërtiten rreth breshkave dhe zhguajve të tyre. Meqë Ilirida nuk kishte dalje në det, bestytnitë trazuar me shkencë i atribuohen breshkave të tokës: gjaku i breshkës, i përzier me çaj prej gjethe ftoi, shuan mallin dhe qetëson shpirtin; zhgualli i breshkës mbron kullën nga magjitë dhe xhindet; për një javë, shtatë herë në ditë, po thithe ajër nga zhgualli i breshkës me rreth jeshil, shërohesh nga astma.
Mjedisi magjik i Sukës vjen si refren me numrin shtatë si pasqyrë e besimit islam. “A nuk e keni parë se si Allahu krijoi shtatë palë qiej (në kate).” (Nuh, 15) Mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta… dhe shtatë kallinj të gjelbër e (shtatë) të tjerë të tharë…” (Jusuf, 43) “Ai (xhehenemi) i ka shtatë dyer…” (el Hixhr, 43-44) “Kush i ha shtatë hurme, nuk e godet atë ditë e keqja e as sihri…”
Në inventarin e skenave ku realja shkon në kufijtë e legjendës, vlen të veçohet skena e dasmës së Demës ku kali i nuses kërkon të futet te oborri i kullës së Fatushes, fillimi i këndim-dënesjes së Fatushes dhe hedhja nga çardaku e shamisë së bardhë qëndisur me lule të kuqe dhe e lagur me lotët e saj që mbetet e varur te degët e ftoit, nëna e Demës që shkon e merr dhe futet në valle. Skena tjetër është ajo e varrit të Zenit me shtatë zhguaj të gozhduar me nga një potkua, me nga një pikë të zezë që tregonte në cilën govatë ndodhej gjaku i tyre. Skena e radhës është varrimi i Fatushes në Shkretë të Rekës së Epërme nëpër një shi të rrëpishëm dhe mbledhja e breshkave të gjalla rreth varrit. Skena e fundit lidhet sërish me breshkat, mënyrën e sigurimit të numrit të nevojshëm nga Parga e Çamërisë dhe Pazari i Ri i Sanxhakut ku fiset shqiptare kishin harruar gjuhën e qumështit të nënës.
Ka edhe një veçori markeziane rrëfimi në këtë vepër me rrethanat dhe karakteret që rimerren disa herë duke hedhur dritë mbi hijet e së kaluarës. Është gjyshja me rrëfimin e saj që ngre siparin e veprës, madje i jep edhe emrin e vet kapitullit të parë. Në kapitullin e tretë ajo nuk jeton më, por rrëfimet e saj marrin përmasat e kumtit. Do të rishfaqet në kapitullit e shtatë dhe të fundit, këtë herë në ëndrrat e rrëfimtarit me kërkesën domethënëse për t’u rivarrosur në Rekën e Epërme, si pjesë e “një dukurie thuajse çmendurake që përfshiu të gjithë fshatarët” (f.147), “si pre e magjisë kolektive.” (f.148) Ajo do të bëhet pjesë e kujtimeve të rrëfimtarit i cili kishte fjetur me të edhe natën e fundit duke frymëmarrë grahmën e fundit të saj si simbol të një lidhjeje që nuk mund të ndërpritet kurrë.
Në se gjyshja vjen në vepër si zëdhënëse e historisë, Fatushja plotëson botën magjike të dashurisë së thellë e të pamposhtur. Vrasja e vëllait Zeni, mbështjellë me enigmë nga aparati shtetëror, e çon atë në një vendimmarrje të vështirë: prishjen e fejesës me Demën shumë pak kohë para dasmës. Që pikëllimi i saj të mos mbartet në kullat e tjera ajo kërkon që Samimija, e fejuara e Zenit, të bëhet gruaja e Demës dhe ia del. : “Unë do ta jetoj dhembjen e të gjithëve, Dema e bija jote le të mbjellin lulishte në mes të asaj dhembjeje!” (f.102) Dita e dasmës ishte një dramë për Fatushen që shkon te varri i të vëllait ku gjen shtatë zhguaj breshkash dhe i godet ato me një purtekë thane nën dhomën e gjerdekut. Fillon që këtu një dashuri sysh prej çardakëve të dy kullave që janë pranë dhe do ta ndërpresë vetëm vdekja e Demës, e pasuar shpejt edhe nga vdekja e Fatushes. Këtë lidhje të jashtëzakonshme autori e sjell në trajtë e një ding-dongu dymbëdhjetëorësh: “betimet që ia kishin dhënë njëri-tjetrit, çastet që mbetën në të kaluarën, ankthi i pritjes, shpresat që sjell e nesërmja, pakuptimësia e kohës së jetuar larg vetëm duke shikuar njëri-tjetrin nga çardakët e kullave, takimndarjet e shikimit të tyre, kurora e stolisur me lotderdhje, shpresat se një ditë do të jenë përjetësisht së bashku, malli përvëlues që vazhdonte t’i linte të terura buzët e saj, lutjet e saj për lumturinë e tij, ecja drejt fundit, përjetësia së cilës i besonin të dy.” (f.111)
Brenda këtyre viteve gruarimi dhe burrërimi të mundimshëm të Fatushes ka dy pika kulmore: kryeplaku Lati, i mbetur vejan, i qepet Fatushes, madje e kërcënon “Ti e di se mund t’ia bëj sherrin edhe ndryshe.” (f.115) Këtë e zgjidh Dema duke u veshur si vajzë dhe duke i lënë takim në Pyllin e Vakëfit ku e vret me sëpatë. Të njëjtën gjë bën vetë Fatushja kur mëtues të shtatit të saj bëhen dy aktivistë komunistë, të cilët i fton të shkojnë jashtë fshatit dhe i vret me revole. Ilustrohet kështu ajo që thotë poeti skocez Aleksander Smith: “Rruga e çdo njeriu në jetë shënohet me varret e dëshirave të veta.”
Ngjyrat e rrëfimit të Kim Mehmetit pasurohen me rrafshin politik. Gjyshi merr vendimin e dhimshëm ta largojë nga kulla njërin nga djemtë, Sylën, një ndarje që rimerret disa herë duke sjellë shkaqe të ndryshme: dashuria e tij me një vajzë nga një fshat tjetër që është serbe, por që në origjinë dilte se kishte rrjedhur nga katërgjyshja Lefkë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjyshi bëri një lojë të zgjuar me dy porta: Demën e dërgoi në veri të bashkohej me gjermanët, kurse Sylën drejt Gjakovës të bashkohej me partizanët, të dy larg vendlindjes që ta kishin më të lehtë për të fshehur bëmat luftarake. Pastaj konkluzioni i hidhur që del edhe jashtë kufijve të një fshati e krahine: “Sukjanët thuajse gjithmonë kishin luftuar në anën e gabuar dhe ishin vrarë nëpër luftrat e të tjerëve, pa bërë asnjë luftë për vetveten.” (f.53) Në Jugosllavinë titiste, duke qenë në anën e fitimtarëve, Syla u vendos në Beograd, u bë komunist dhe pozita e tij politike e shpëtoi Demën nga burgu kur i tejkaloi kufijtë angazhimit fetar. Duke qenë bashkëpunëtor i pushtuesve gjermanë, edhe pse i ndihmoi hebrejtë në kampet e punës, ai e mbajti të fshehtë këtë copëz të jetës.
Në një rrafsh më të gjerë lufta politike zhvillohet te Varret pa Kufoma: forcat serbe duan t’i fshijnë gjurmët e së kaluarës shqiptare duke i lëruar varret. Një popull pa varre është një bashkësi pa kujtesën e domosdoshme. Siç shkruan shkrimtarja amerikane Harriet Beecher Stowe: “Lotët më të hidhur që derdhen mbi varre janë për fjalët që mbetën pa thënë dhe punët që mbetën pa bërë.” Në përmasa të mëdha dhe asgjësuese, duke luajtur me besimin, në vitin 1960 politika serbe filloi dëbimin fetar të shqiptarëve në Turqi.
Në rrafshin e ngushtë vetjak, ka dy deklarata të forta politike të rrëfimtarit që mund të jetë dhe autori: e para, më e guximshmja, që rrallë e dëgjon: “Kam qenë një komunist i devotshëm dhe aq besnik sa nuk rreshta së binduri tim atë që të ketë kujdes e të mos e përdorë fenë për të penguar revolucionin socialist.” (f.73) “Më rrëmbeu vala e vrullshme e ideologjisë komuniste.” (f.76) Deklarata e dytë: Ruaj të gjithë librat fetarë të babait, njësoj si kompletet e veprave të Titos, Enverit dhe Leninit.
Ngjyra e katërt e veprës është ajo religjioze e sendërtuar mbi Kuranin dhe mbrojtjen e tij. Ishte një kopje e shkruar me dorë dhe që ishte sjellë nga Reka e Epërme si dëshmi e rrënjëve të vendlindjes. Për ta mbrojtur nga sekustrimi dhe asgjësimi serb në vitin 1958 hoxhë Dema vjen ilegalisht në Shqipëri dhe ia beson at Nikollës në Elbasan, por edhe këtu ishte një variant i pushtetit komunist, i ftohtë ndaj fesë dhe nuk kishte më asnjë siguri. Lufta kundër fesë depërtoi edhe brenda në familje: “Dy brigje të largëta ku qëndronim unë dhe im atë: bregu im ideologjik, ku valëvitej flamuri i burimit të lumturisë njerëzore; i babait ku kishin bujtinë shpresat për shpërblimin që do të merrnin në botën e pasvdekjes.”
Edhe pse romani ka mjaft nota pikëllimi, ai përshkohet nga mesazhe që të bëjnë të ndalosh, të meditosh dhe të reflektosh: “Jemi bërë të pandjeshëm ndaj mjerimit të fqinjit… Kur më flasin për bëmat e të tjerëve në anët tona, i ndjej të largët e të huaj.” (f.54) Dhembja dhe pikëllimi janë njësitë më të sakta matëse për të përcaktuar dimensionin e saktë të aftësisë sonë për të dalë përtej mjegullës së vuajtjeve. “Ia vlen të mbash gjallë iluzionin se kjo botë një ditë do të ketë shenjë njohëse vetëm mirësinë… duhet mbajtur gjallë besimi se në këtë botë ka një sy që i sheh të gjitha bëmat njerëzore, një vesh që i dëgjon edhe të heshturat e njerëzve,… se është diku një bibliotekë e madhe e padukshme ku ruhen të shënuara të gjitha bëmat e atyre që ishin e nuk janë më.” (f.61)
Mbërrijmë te përmbyllja gogoliane: “Çdo njeri është një guacë e mbyllur, me margaritarin e vockël e të ndritshëm brenda vetes, margaritar i përbërë nga mbeturinat e qindra ëndrrave e dëshirave që i ka shtrydhur dora e pamëshirshme e fatit jetësor, margaritar të ngjeshur nga realja, ajo që kemi përjetuar, por të pjekur në furrën e areales – të asaj që kemi ëndërruar.” (f.161).
(Romani “Shpërngulja e të vdekurve” i Kim Mehmetit, Saras 2015).

Filed Under: LETERSI

Aksident kozmik apo projekt i qëllimshëm inteligjent e hyjnor?

April 8, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot, në hemisferën perëndimore, ndodh eklipsi i plotë i diellit. Femomene të tilla janë vëzhguar gjithmonë gjatë historisë së njerëzimit, duke rezultuar në një përfundim të përbashkët, edhe pse në epoka të ndryshme, si arkaike ashtu edhe të zhvilluara, se eklipsi dëshmon përsosmëri. Kjo përsosmëri dallohet me sy të lirë për shkak se perimetri i hënës mbulon përsosmërisht perimetrin e diellit.

Ajo që e bën edhe më mahnitëse këtë fakt është se Hëna është rreth 400 herë më e vogël se Dielli, por Dielli është rreth 400 herë më larg nga Toka sesa Hëna. Pra, gjeometria e thjeshtë na tregon se disku i dukshëm i Hënës është pothuajse saktësisht sa madhësia e diskut të dukshëm të Diellit.

Vetë largësia e hënës nga Toka është një tjetër element përsosmërie. Nëse Hëna do të ishte më afër Tokës, graviteti i saj do të fillonte të tërhiqte bërthamën e Tokës. Jo vetëm që baticat do të ishin shumë herë më të larta dhe do të ngadalësonin rrotullimin e Tokës, por gjithashtu do të kishte më shumë aktivitet sizmik dhe shpërthime vullkanike.

Nëse Hëna do ishte pak metra më pranë apo më larg Tokës, jeta këtu do ishte e pamundur. E njëjta gjë me Diellin. Pak më afër Tokës do na digjte e pak më larg do na ngrinte. Ndaj, mjafton të shohësh lindjen e diellit gjatë ditës dhe ndriçimin e hënës gjatë natës, për t’u kujtuar se jeta është thjesht një mrekulli e privilegj i rrallë në univers.

Të gjitha kulturat e hershme të botës e kuptuan këtë përsosmëri dhe nuk tentuan asnjëherë ta quanin rastësi apo aksident kozmik, pasi të dhënë pas kuptimit, qysh në krye të herës, besonin në kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së plotësisë (atë që ne e quajmë univers) kësisoj të gjitha kulturat pa përjashtim besonin në dorën hyjnore si shkakun e krijimit. Pasi pa shkak nuk ka pasojë. Pa qëllim nuk ka ekzistencë.

Në fillim të shekullit të 20-të, shekulli më modern i epokave, lindi idea e Big Bengut. Kjo ide befasuese u shfaq për herë të parë në formë shkencore në vitin 1931, në një punim nga Georges Lemaître, një kozmolog belg dhe prift katolik. Edhe Lemaître e shtroi këtë teori për të mbështetur Dorën Hyjnore në krijimin e universit. Por, gjatë dekadave të mëvonshme, qarqet laike liberale e fshinë elementin hyjnor dhe e zëvendësuan atë me fjalën “rastësi” apo “aksident” kozmik.

Ndaj sipas përkufizimit të 50 viteve të fundit, teoria e Big Bengut sugjeron që universi filloi nga një pikë jashtëzakonisht e nxehtë dhe e dendur, më e vogël se një grimcë nënatomike. Një forcë e paimagjinueshme shkaktoi shpërthimin intensiv të energjisë nga pika e vogël në një fraksion të sekondës duke shpërndarë të gjithë lëndën dhe energjinë në të gjitha drejtimet. E kështu u krijua Universi, bazuar mbi teorinë se po zgjerohet, e kësisoj duhet të jetë origjinuar nga një pikë e caktuar pas në kohë.

Megjithëse kjo teori ishte hipotetike, me plot hije dyshimi, e me elementë të pashpjegueshëm, e duke rrëzuar etalonin njerëzor, që është qëllimi, gjeti rrënjë në tekstet shkollore të cilat për shkak se u duhet kohë të përditësohen me gjetjet e reja, kanë mbetur prapa me teoritë e vjetra, e kështu Big Bengu u shndërrua në teori standarde që mësohet nga shkolla fillore e deri në universitete.

Por, kjo deri në vitin 2021 kur Teleskopi Hapsinor James Webb solli në tokë imazhet e fotografuara. Reagimi i parë i kozmologëve ishte se: E paskemi kuptuar gabim universin gjer më tani.

Teleskopi Webb dalloi galaktika që nuk duhet të ekzistonin, të cilat e rrëzonin automatikisht teorinë e Big Bengut dhe fenomenin e zgjerimit të universit. Ato galaktika rrëzuan konceptin e miliarda viteve të krijimit, pasi sipas matësve të deritanishëm të shkencës, janë krijuar brenda një kohe shumë të shkurtër.

Këto janë galaktika të mëdha, të ndritshme dhe shumē afër fillimit të kohës. Pikërisht, problemi është koha. “Atyre iu desh shumë, shumë, shumë pak kohë për t’u krijuar,” u habitën kozmologët.

Çfarë do të thotë kjo? Është njësoj sikur të shfletosh një album fotografik familjar dhe kupton se gjyshja jote u bë nga foshnje në plakë në vetëm dy muaj. Këto galaksi nuk duhet të ekzistonin sipas teorisë së Big Bengut dhe matësve kohor të teorive moderne.

Qeniet njerëzore janë “homo sapiens” që do të thotë “qenie inteligjente.” Edhe me inteligjencën tonë të kushtëzuar mbi kozmologjinë mund të arrijmë të kuptojmë përsosmërinë e universit, mrekullinë e jetës në tokë, rëndësinë e numrave, formulave të matematikës dhe ligjeve të fizikës, mbi të cilat funksionon jeta dhe universi. Por për të kuptuar përsosmërinë, përveç makrokozmosit, mjafton të shohim mikrokozmosin, vetë njeriun, krijesën biologjike, frymore e shpirtërore të përsosur, me aftësi krijuese e racionale. Krijesë e cila qysh prej fillimit ka shtruar pyetjen: Nga vimë? Kush jemi? Ku po shkojmë? Pyetje e cila bazohet mbi qëllimin dhe jo rastësinë, mbi misionin dhe jo aksidentin.

Njeriu ka jetuar gjithmonë si qenie e dëshiruar në këtë jetë, e jo si një fëmijë aksidental, i lindur rastësisht e padëshirueshëm. Nuk u hodhëm në tokë thjesht si pleh por na u ofrua privilegji më i madh në univers: privilegji i jetës, në të cilin përfshihet dashuria, lumturia, miqësia, puna, prindërimi, muzika, arti, sporti, letërsia, ushqimi, udhëtimi, ëndrrat e imagjinata, por edhe humbja, zemërthyerja, trishtimi, lodhja e zhgënjimi, të gjitha këto emocione të forta për të na kujtuar se jemi qenie që ndiejmë në një univers të krijuar me dashuri e jo një univers që nuk ndjen, pasi po të ishte kështu do na kish shfarosur ne të parët.

Ne nuk jemi skllevër të rrethanave rastësore por qenie të lira për shkak të kuptimit. Kuptim do të thotë “domethënie.” Pra, çfarë deshte të thoshte Krijuesi përmes kuptimit të ekzistencës sonë.

Ndaj, vazhdo me punët e hallet e tua, debato për politikë, ndiqe skuadrën e zemrës, shko në teatër apo në bilardo, kryej çdo aktivitet të përditshëm njerëzor sepse ndodhin vetëm këtu në Tokë e askund tjetër në univers. Por teksa i bën të gjitha këto, kujtohu vetëm për një sekond çdo mëngjes kur lind dielli, apo nē muzg kur del hëna, se mbi ty, rreth teje, e brenda teje, ka përsosmëri, jo aksidentale por të qëllimshme e hyjnore.

Ti je qëllimi i krijimit. Ndaj të takon të pyesësh veten në të gjitha ditët e jetës tënde se cili është qëllimi yt? E pasi ta zbulosh, jetoje atë qëllim e ndaje edhe me të tjerët. Kjo quhet dashuri, parimi hyjnor mbi të cilin u krijua universi dhe ti.

Filed Under: Komente

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

April 8, 2024 by s p

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”)

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Teksa shkruante për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, shkrimtari ynë Ismail Kadare e kishte kapur këtë moment nga një këndvështrim krejt të veçantë:
“Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do ta mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukura, me rrudhat e pleqve, me armatën e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës…Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që iu ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”, shkruante Kadare.

Edhe ne sot, kur po kujtojmë golgotën e Bllacës, e cila ndodhi para një çerek shekulli, në fakt po i shpallim luftë harresës, duke risjellë në kujtesë ato ngjarje që i dhan dinamikë më të përshpejtuar procesit të çlirimit të Kosovës, por edhe e globalizuan solidaritetin njerëzor të botës demokratike, që erdhi si rezultat i një fushate ajrore kundër makinerisë vrastare të regjimit serb të Millosheviqit.

Pra ne nuk po e harrojmë të kaluarën e dhimbshme, por po e çmojmë më tepër të ardhmen, që duhet të jetë më e sigurt, më dinjitoze dhe, fundja, më e njerëzishme.

Sa herë që puna bie të organizojmë ndonjë homazh, si ky i sotmi, vazhdimisht më ka përcjellur një dilemë në formë të pyetjes: A mjafton ta freskojmë kujtesën vetëm me ngjarje e evente, nëse ato nuk legjitimohen sipas një kulture institucionale-shtetërore?

Në kujtim të kalvarit të gjatë të të dëbuarve  të ‘99-ës, që përfundoi në luginën e Bllacës,  para pesë viteve këtu ku jemi sot u vu gurthemelit i Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’. Kjo ngjarje pati bekimin e dy qeverive tona, të Kosovës dhe Maqedonisë, ku Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ishte ideator dhe kreator i kësaj nisme.

Pra ky ishte hapi i parë drejt legjitimimit të kujtesës në formë të kulturës institucionale, për çka Instituti ynë për çdo vit iu ka bërë oferta zyrtare institucioneve të Kosovës, përfshi edhe Kryeministrinë, Presidencën, që ky vend i quajtur Bllacë të ketë një trajtim më substancial, duke u nisur nga fakti se pikërisht këtu u ngjiz shtendërtimi i Kosovës , si rrjedhojë e vuajtjeve të njerëzve pas gjithë atyre ballafaqimeve jo të barabarta në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe soldateskes kriminale serbe të Millosheviaqit, por edhe si rrjedhojë e hakmarrjes ndaj shqiptarëve pas fillimit të bombardimeve mbi caqet militariste serbe. Ideja jonë ishte dhe mbetet, që Bllaca të shndërrohet në një vendpelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide i dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, por shprehim edhe një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, ashtu siç po mundohet të bëjë aktualisht edhe politika zyrtare e Beogradit, e cila është tepër e shqetësuar pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë, në korrik të vitit 1995, me ç’rast forcat serbe  vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh. Pritet që gjenocidi serb të merr përgjigje të merituar edhe në Kombet e Bashkuara më 24 prill të këtij viti, andaj ky është edhe një moment reflektimi dhe mobilizimi institucional, me ndihmën edhe të diplomacisë së Shqipërisë, që edhe Kosova dhe shqiptarët të zëjnë vendin e merituar në  nivelet ndërkombëtare të ndëshkimit dhe penalizimit të Serbisë, ku ajo përfundimisht do të shpallej përgjegjëse dhe autore e shumë krimeve makabre që mbajnë vulën e gjenocidit në Kosovë. Do të doja që në 24 prillin  e vitit të ardhshëm në axhenëdn e OKB-së të përfshihet edhe një rezolutë e cila do të bënte përgjegjëse Serbinë për gjenocidin e kyrer në Kosovë.  

Prandaj, më vjen mirë që këtu në mesin tone sot ndodhet edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili pëfaqëson zërin e qindra mijëra shqiptarëve fatkeq, të cilët në ato ditë të ftohta marsi e prilli- 1999 ishin të detyruar të braktisnin me dhunë shtëpitë e tyre. Ky ka qenë zatën edhe qëllimi final i regjimit të Millosheviqit, që në kuadër të projektit “Patkoi”, të realizojë ëndrrën shekullore serbomadhe për një Kosovë pa shqiptarë.

Shumë reporterë të huaj, por edhe vendorë, atëbotë Bllacën e kishin përshkruar si një vend ferri, ku vdekja ishte më afërt se këmisha e qullosur me djersë dhe gjak. Në skenën e quajtur Bllacë u luajt një tragjedi njerëzore,ndërkohë që regjisorët nga Beogradi komandonin fatin e qindra mijëra njerëzve, të cilët nga halli dhe zori ishin grumbulluar në kërkim të shpëtimti të jetëve.

Dhe ndodhi mrekullia. Gjithë ata lumej të rrëmbyeshëm të dëbuarish në Bllacë, për pak ditë u fashitën, sepse rrezet e ngrohta të solidaritetit triumfuan mbi retë e zeza të shfarosjes. U aktivizuan motrat dhe vëllezërit nga Maqedonia, të cilët ndihmën e tyre e dhanë përmes organizatave humanitare por edhe mbi baza individuale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dështonte ideja e Gligorovit mbi korridorin që parashihte transferimin e shqiptarëve në vendet e treta pa i lënë ata të shkelin në tokën e Maqedonisë. “Korridori” i Gligorovit ishte menduar si zgjatim i planit “Patkoi” të Millosheviqit, në mënyrë që ideja ogurzeze për spastrimin etnik të trojeve shqiptare të zhvillohej papengueshëm. Por, ja që vetë shqiptarët e Maqedonisë, me bujarinë dhe mikpritjene tyre vëllazërore u bënë pengues të këtyre ideve fashizoide dhe për rrjedhojë Kosova pas 12 qershorit të vitit 1999 u rimbush sërish me shqiptarë, duke iu dhënë goditjen përfundimtare projekteve gjenicidale serbe.

Në përmbyllje të fjalës  sime sot,  do të doja të rikujtoj edhe një herë që Kosova duhet të përgatitet në mënyrë të gjithanshme që një ditë, kur t’i plotësojë të gjitha kushtet, ta parashtrojë padinë e saj pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë. Bllaca, si vend ku gjenocidi serb la gjurmët e veta të pashlyera, mund të shërbejë si pikënisje dhe pikë orientimi i kësaj padie, por edhe gurthemel i një tradite shtetërore për të mos harruar tullat e vuajteve që u bënë kala e shtetit të Kosovës.

Bllacë, 08. 04. 2024

Filed Under: Histori

Çfarë duhet të dini për eklipsin e plotë diellor në SHBA

April 8, 2024 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

Është diçka paradoksale që sot në Gazetën Dielli të flasim për zënien e Diellit. Eklipsi i plotë diellor i së hënës do të zbresë në tokë përgjatë bregut të Paqësorit të Meksikës dhe do të kalojë në Teksas dhe 14 shtete të tjera të SHBA-së, përpara se të dalë mbi Kanada. Ai do të zgjasë pothuajse dy herë më shumë, me një audiencë edhe më të gjerë, sesa eklipsi total diellor që u shtri nga bregu në breg në SHBA në vitin 2017.

Hëna do të mbulojë diellin deri në 4 minuta e 28 sekonda, një spektakël që zakonisht shpaloset në qoshet e largëta të globit, por këtë herë duke kaluar mbi qytete të mëdha si Dallas, Indianapolis dhe Cleveland. Rreth 44 milionë njerëz jetojnë brenda shtegut të tërësisë së plotë, me disa qindra milionë të tjerë brenda 200 miljeve (320 kilometra), duke garantuar turmën më të madhe të eklipsit të kontinentit ndonjëherë.

Praktikisht të gjithë në kontinent do të shohin një eklips të pjesshëm. Mund ta shikoni të gjithë të shpaloset edhe në internet. NASA po ofron disa orë transmetim në internet nga disa qytete përgjatë rrugës së hijes së tërësisë.Dhe mos harroni syzet tuaja speciale për të parë me siguri eklipsin.

Turma të mëdha presin një eklips të plotë diellor në Amerikën e Veriut. Retë mund të prishin pamjen. Moti është tema e nxehtë pasi spektatorët e eklipsit tregojnë pikat e tyre në SHBA, Meksikë dhe Kanada

Bizneset e vogla të qyteteve përqafojnë turmën totale të eklipsit diellor, bien shi ose shkëlqejnë të hënën.

Çfarë është një eklips diellor total?

Hëna do të vijë në mënyrë të përsosur midis Tokës dhe diellit në mesditë, duke fshirë dritën e diellit. Eklipsi i plotë do të zgjasë më shumë se zakonisht, sepse hëna do të jetë vetëm 223,000 milje (360,000 kilometra) nga Toka, një nga afrimet më të afërta të vitit. Sa më afër të jetë hëna me Tokën, aq më e madhe është në qiell nga këndvështrimi ynë, duke rezultuar në një periudhë veçanërisht të gjatë dhe intensive të errësirës së bllokuar nga dielli. Errësira Totalei do të zgjasë më gjatë mbi Meksikë në 4 minuta, 28 sekonda. Diku tjetër përgjatë pistës, si në Syracuse, New York, totali do të zgjasë vetëm 1 1/2 minuta.

Cila është rruga e eklipsit?

Hija e hënës do të presë një vijë diagonale nga jugperëndimi në verilindje përgjatë Amerikës së Veriut, duke i zhytur shkurtimisht komunitetet përgjatë gjurmës në errësirë. Totaliteti do të hyjë në kontinent në Mazatlan, Meksikë dhe do të dalë në Newfoundland në Kanada. Në mes, 15 shtete të SHBA-së nga Teksasi në Maine do të përjetojnë tërësinë, duke përfshirë fragmente të Tenesit dhe Miçiganit. Do të jetë një përsëritje për Cape Girardeau, Misuri dhe Carbondale, Illinois, të cilat ishin gjithashtu në pozicionin kryesor për eklipsin total diellor të 2017-ës.

Një kometë gjatë eklipsit?

Në total, ju mund të jeni në gjendje të dalloni një kometë së bashku me katër planetë, nëse jeni me fat. Jupiteri do të jetë në të majtë të diellit dhe Venusi në të djathtë. Saturni dhe Marsi do të jenë në të djathtë të Venusit, por më të zbehtë. Tre planetët e tjerë të sistemit diellor do të jenë në afërsi, por praktikisht të pamundur për t’u parë me sy të lirë. Kometa 12P/Pons-Brooks po lëviz pranë Tokës, ashtu siç bën çdo 71 vjet. Ende e zbehtë, ajo do të pozicionohet pranë Jupiterit gjatë eklipsit. Por do të duhet një shpërthim i papritur pluhuri dhe gazi për të parë këtë të ashtuquajtur kometë djalli pa teleskop, sipas Anita Cochran nga Universiteti i Teksasit në Austin. Por mos humbisni kohë duke e kërkuar atë. “Ka shumë për të parë dhe jo shumë kohë,” tha ajo përmes emailit.

Eklipsi i fundit total diellor në SHBA?

SHBA nuk ka përjetuar një eklips diellor total që nga 21 gushti 2017, megjithëse një eklips diellor “unaza e zjarrit” përshkoi një pjesë të vendit tetorin e kaluar. Hëna ishte shumë larg atëherë për të fshirë plotësisht diellin, duke lënë një unazë të shkëlqyeshme dhe djegëse rreth yllit tonë. “Unaza e zjarrit” dramatike shtrihej nga Oregon në Teksas dhe kaloi mbi Amerikën Qendrore dhe Kolumbi, përpara se të dilte mbi Brazil. Kerrville, Teksas, në perëndim të San Antonios, është kthyer në syrin e demit dhe pret një shtëpi tjetër të mbushur plot.

Kur do të jetë eklipsi tjetër?

Pas të hënës, eklipsi tjetër i plotë diellor nuk do të ndodhë deri në vitin 2026. Por ai do të kullosë majën e botës, duke u zhytur në Groenlandë, Islandë dhe Spanjë. E ardhmja në vitin 2027 do të marshojë në të gjithë Spanjën dhe Afrikën veriore, me një total që zgjat 6 minuta e gjysmë të pabesueshme. Amerikanët e Veriut do të duhet të presin deri në vitin 2033 për një tjetër eklips diellor total, por ai do të kufizohet në Alaskë. Në vitin 2044, Kanadaja Perëndimore, Montana dhe Dakota e Veriut do të jenë në rreshtin e parë. Dhe në vitin 2045, SHBA do të përjetojë edhe një herë një eklips total diellor nga bregdeti lindor.

Filed Under: Ekonomi

Një Akademi linguistike me bazë gjuhën shqipe. A është e mundur dhe mbi të gjitha a ështe e vlefshme? 

April 8, 2024 by s p

Eva Brinja/

Në shkencat bashkohore, prej shekullit të XIX, kemi atë që quhet Lingustika klasike e cila realizoi “pemën e gjuhëve” prej ku shqipja u vendos ose në trungun e pemës  ose në rrënjën e saj. Prej këtij momenti lidhja e shqipes me gjuhën sanskrite është vënë në dukje nga  linguist anglez dhe gjerman shekullit të XIX-të. Në fillim të shekullit të XX-të kemi avancimin e mendimit shkencor në lidhje me  gjuhën apo “fjalën”, nëse ajo ishte diçka e rastësishme si një “etiket” e vendosur  mbi sendin/fenomenin, apo është diçka shumë më tepër se kaq dhe ka lidhje me  psikën e përdoruesit të fjalës. 

Për hir të së vërtetës sot ky mendim ka avancuar duke realizuar eksperimente mbi  përdorimin e “fjalës” së lashtë, dhe në këtë rast marrin kryesisht atë “hebre” ose  “aramane” (tashmë gjuhë e vdekur), për të evidentuar reagimin në trurin e  përdoruesit të fjalës. 

Gjithashtu tashmë është e njohur se përdorimi i fjalës pozitive si “lutje” kryen  mrekulli në trupin e njeriut. 

Pra lidhja e fjalës me psikën është vërtetuar se ekziston. 

Por, 

nëse tek kjo kërkesë e mendimit shkencor sot në botë do të ishte bërë prezent  zbulimi i Petro Zhejit se, 

“Fjala është krijuar në bazë të një botkuptimi hyjnor”, 

përdorimi i këtij mjeti do të kishte marrë përmasa dhe vlefshmëri për atë çka dhe  është dhënë FJALA. 

Le të japim në mënyrë të përmbledhur esencën e këtij zbulimi, pse jo të tregojmë  edhe përse konsiderohet në shumicën e rasteve si e vështirë për tu kuptuar si teori. 

• Çdo artikulim që del nga goja e njeriut, në njësinë më të vogël si zanorja,  rrokja dhe më tej fjala, nuk janë aspak një rastësi por një përmbajtje informative që gjithmon ka të bëje me: 

Krijuesin dhe historinë e lidhjes së Njeriut me të në këtë Jetë. 

• Por, shkencat e sotme, Fizika Kuantike, Theologjia, Filozofia apo Psikologjia (ajo analitike), në të gjitha përsiatjet e tyre të krijimit apo dhënies të ligjeve  apo postulateve që veprojnë në fushat e tyre të hulumtimit flasin pikërisht  për të njëjtën gjë: 

Krijuesin dhe historinë e lidhjes së Njeriut me të në këtë Jetë. 

• Fjala referon tek një symbol dhe jo tek një Koncept (siç mendonte linguistika  klasike), dhe duke qenë se vet Simboli lidhet direkt me Krijuesin apo Qëndrën siç e emërton Zheji kjo na çon tek Monogjeneza e gjuhëve. 

Krijuesi është Nji dhe gjuha që Ai dha është Nji.

Në këto kollona zbulimesh, këtë eurdit të frikshëm, Petro Zhejin, e çoi Shqipja si një  ndërmjetës i palodhur midis fushave të shkencave apo gjuhëve të ndryshme që nuk  janë gjë tjetër veç se Kulla e Babelit ku të gjithë të thonë te njëjtën gjë me gjuhë  apo me forma të ndryshme (shkenca) dhe nuk merren vesh. 

Prandaj le të japim një paragraph nga Libri I parë Sanskritishtja fq.123: 

“me qëllim që çdo lexues dhe jo vetëm specialistët, të kenë mundësi të  krijojë një ide sa më të qartë se përse është fjala dhe të mund të rrokë tërë  rëndësinë e madhe të kësaj vetie krejt të veçantë e unikale të gjuhës sonë,  si një dëshmi të lashtësisë së saj thuajse të pallogaritshme, por bashkë me  këtë edhe të “primaute-së” absolute të kulturës sonë, të rrezatuar, të  centrifuguar, fare-darë e shkapërdarë e të “përhumbur”mijëra e mijëra  vjetë nëpër tërë Botën, aq sa do të mund të flitej për një “Shqipe endacake”  ashtu siç flitej dikur për një “çifut endacak”, do të sjellim këtu disa  shëmbulla të tjera të kësaj “ndërmjetësie” të pafund të shqipes, të  zgjedhura mes gjuhësh relativisht modern dhe prat ë njohura për shumicën  e lexuesve tanë, 

Ndërsa për të realizuar ndërmjetësinë mes shkencave të ndryshme ai krijoi atë që  njihet si Algoritmi Simbolik. 

Këtu fillon ajo që quhet shkallë vështirësie apo i pakutueshëm. 

Në fakt ajo del kaq e thjeshtë në se shikojmë së elementët përbërës të këtij Sistemi  Llogjik (Algoritmi Simbolik) përbëhet jo më shumë se 10 simbole dhe njësitë  matematikore, (plus, minus, më i madh apo i vogël) dhe disa simbole shtesë që  tregojnë marrëdhënie midis tyre. 

– ∞ – infiniti 

– Ο – rrethi -qëndra 

– Ө – rrethi i ndarë 

– ↓- poshtë apo → 

– ≤≥- më madh ose më i vogël 

– ● – rrethi I zi

– F – kodi F  

– E – kodi E 

As më shumë e as më pak ashtu siç veprojnë të gjitha shkencat me të cilat ne  merremi që në bangat e shkollës. 

Vështirësia për shqipfolësit qëndron në faktin se nuk e kanë parasysh se çdo fjalë  që ne përdorim është një peshë dije e pafund. 

Ndërsa për joshqipfolësit, i pengon gjuha e tyre e cila vjen tek gjuha e parë lehtësisht duke aplikuar metodikën e Agron Dalipit. 

Dalipi heq njëra pas tjetrës të gjitha tullat që kanë ngritur Kullën e Babelit për të  mos u marrë vesh, mosmarrëveshje që vazhdon edhe në shkencat e lartë përmendura. 

Algoritmi Simbolik ju takon të gjithëve, 

thjeshtë një mënyrë e re e të menduarit. 

Në plotësim të këtyre njohurive vjen edhe Niko Stillo pasi me metodikën e tij  mendoj që ka ofruar mundësinë e zbërthimit dhe leximit të shkrimeve parahelene  dhe pararomake në tegjithë trevën e Mesdheut. 

Aparati i tij shkencor jepet saktësisht në skemën e mëposhtëme.

Me këto tre emra, 

Shqipja jonë jep një mënyrë më të re të njohjes së historis së Njerëzimit sipas  skemës së mëposhtëme. 

Eva Brinja, 

20 Janar 2024.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT