• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Gjunjëzimi i Brandt si gjest pajtimi dhe Traktati i Varshavës

April 27, 2024 by s p

Prof.dr. Sylë Ukshini/

Më 7 dhjetor 1970, kancelari federal Willy Brandt u gjunjëzua përpara memorialit në ish geton hebraike në Varshavë, i cili u kushtohet heronjve të kryengritjes së getos në prill 1943.

Bisedimet midis qeverive gjermane dhe polake kishin filluar tashmë në shkurt 1970. Negociatat ishin jashtëzakonisht të vështira për Brandt. Popullsia polake vuajti nga politikat mizore pushtuese gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në asnjë vend tjetër, me përjashtim të Bashkimit Sovjetik, nuk ranë kaq shumë njerëz viktima të njësive të Wehrmacht dhe SS. Nga 35 milionë qytetarët e Polonisë, pothuajse gjashtë milionë vdiqën gjatë pushtimit gjerman. Nga ana tjetër, nuk ishin vetëm shumë polakë që ishin kundër, por – për shkak të dëbimit të dhunshëm të disa milionë gjermanëve nga Polonia pas Luftës së Dytë Botërore – edhe shumë qytetarë në Gjermani.

Një gjest i Brandt synonte gjithashtu të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-polake: menjëherë para nënshkrimit të traktatit, kancelari vendosi një kurorë në memorialin për kryengritjen në geton e Varshavës dhe papritur u gjunjëzua. Ky gjest, i cili emocionoi shumë njerëz, u bë simbol i politikës së tij lindore.

Më 7 dhjetor 1970, kancelari Willy Brandt dhe kryeministri polak Józef Cyrankiewicz si dhe ministrat e jashtëm të të dy vendeve nënshkruan Traktatin e Varshavës.

Ky traktat i hapi rrugën nënshkrimit të Traktatit Bazë ndërmjet dy gjermanive. Prandaj, krahasimi i Ohrit me këtë ngjarje është një simetri e paqëndrueshme në kontekstin gjeopolitik dhe historik e kombëtar.

Filed Under: Interviste

LIBRI SI ARMIK I INJORANCËS

April 27, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Thënia se libri është miku më i mirë i njeriut, nuk flet domosdoshmërisht për përmbajtjen e librit po për një ndërgjegjësim të njeriut për paditurinë e vet. Karl Poperi thotë se “ne të gjithë jemi të barabartë përsa i përket paditurisë sonë të pafundme”. Libri na ndihmon që të ndërgjegjësohemi për këtë fakt, prandaj është miku ynë i mirë. Këtu nuk e kam fjalën për librin si produkt tipografik, sepse historia e transformimeve tipografike, që nga rrasat e argjilës në të cilën u shkruan librat sumere, babilonase, hitite e fenikase, nga papiruset ku u shkruan libra egjiptase, hebreje, greke e romake, nga pergamena ku u shkruan libra bizantine, europiane e arabe, nga letra ku u shkruan libra kineze, arabe, europiane e gjithëfare, është jashtë vlerës që ka mbetur konstante në natyrën ndërgjegjësuese të librit. Libri këtu vështrohet si vlerë e vetë natyrës dhe e misionit të njeriut, si pasqyrë ku sublimohet njohja e tij për veten e për botën, në të cilën ai ka mandatin e veçantë të kuptimdhënies. Libri është ndërgjegjësim për ta sistemuar përvojën, për ta freskuar kujtesën, për ta sfiduar të panjohurën, për ta korrigjuar veten. Librat sumere e babilonase, të zbuluara pas shtatë mijë vitesh, vërtetojnë natyrën unike të njeriut që nga fillesa, të njeriut të paditurisë së pafundme, por i cili kur ndjehet i pafuqishëm, i drejtohet instancës hyjnore, përmes shkrimit, përmes librit. Paçka se këta lloj librash, janë klithma e njeriut në përpjekjet e kota të tij për të gjetur ngushëllimin dhe shpëtimin. Pse ata popuj të lashtë dhe gjuhët e tyre që i dhanë një kuptim botës me anën e shkrimit, librit, nuk mbijetuan? Ndërsa, mbijetuan e u zhvilluan me dinamikë marramendëse popuj të pailuminuar e gjuhë të pashkruara. Po të shohim në rrethimin tonë, fjala vjen, duket si e pabesueshme që mbijetoi shqipja, ndërsa vdiq latinishtja. Në fakt, kjo përvojë dëshmon se ekziston një mekanizëm suprem që i lëvizë fatet e popujve, të shoqërive, të gjuhëve, të kulturave e të qytetërimeve. Këtë të vërtetë na e kujtojnë librat e shenjtë. Ata janë udhëzime si arrihet përkryerja e njeriut, si gjendet ngushëllimi dhe si arrihet shpëtimi. E bukura e gjithë kësaj është se edhe mësimet më të larta e më të dobishme, Zoti i ka emërtuar si libra. Kështu, libri rezulton të jetë forma ideale e komunikimit të njeriut me natyrën e vet por edhe me Krijuesin e vet. Por, jo të gjithë librat janë mbrujnë në vete atë formë ideale të komunikimit. Në ditët tona të lirisë ekstreme të shprehjes dhe të hiperproduksionit që e karakterizon industrinë e librit, kur nuk është e mundshme që të lexohen të gjithë librat që botohen, është e nevojshme të aftësohemi të përzgjedhim libra të mirë e të dobishëm, që do të na ndihmonin të orientohemi më mirë në jetën tonë. Pra, kërkohet aftësim i njeriut që të dijë të zgjedhë ndërmjet librit që është armik i barbarisë dhe librit që mund të jetë mik i barbarëve.

Pikërisht këtu shfaqet roli i rëndësishëm i shtëpive botuese, të cilat seleksionojnë, sistemojnë dhe prodhojnë librin. Pluraliteti i zgjedhjes së tyre është legjitim në kontekstin e tregut të lirë dhe lirisë së shprehjes, por ai prodhon konfuzion. Fjala që thotë se gjithçka që fluturon nuk hahet, vlen edhe për këtë fushë, pra gjithçka që ofrohet për botim, nuk do të thotë që ka edhe vlerë. Por, varet se kush e definon vlerën. Nëse e definojnë ata që vetë janë të mbrujtur me vlera morale, intelektuale e njerëzore, gjasat janë më të mëdha që oferta të jetë më e dobishme. Përzgjedhja e tyre e librave që ofrohen në treg ndjek rregullin që t’i shërbehet të vërtetës, duke e ndihmuar njeriun të aftësohet e të merr vendime të drejta në jetën e tij, ose së paku duke e kufizuar paditurinë e tij. Meqë librat janë vlerë e vetë natyrës dhe e misionit të njeriut, sikundër u tha më herët, përzgjedhja e duhur e tyre e rritë shansin për atë natyrë njerëzore që të jetë më e lartë, më fisnike.

Filed Under: Komente

Fjala është e para!

April 27, 2024 by s p

Mevlan Shanaj/

Fjala është e para! Kështu na thuhet nga Bibla ! Unë dua jo ta polemizoj, por të shtroj obsione se para fjalës mos ishin tingujt apo xhestet ?! Pasi natyrshëm njeriu primitiv përdorte xhestin apo klithmën! Teori që do ketë diskutime pasi shënjat vizatimet apo xhesti i trupit ishin si domosdoshmëri për komukim, por shkrimet e mëvonshme dhe leximet përforcuan thënien se ” E para është fjala” dhe këto ndarje në fillesat e evoluimit të njeriut u bënë baza në krijimet artistike! Kështu lindi muzika, piktura, baleti, cirku dhe sigurish teatri, pronë e të cilit u bë fjala! Në shumëllojshmërinë e arteve fjala ” E para” i përket aktorëve që nisën me deklamimet poetike.Në gjinitë e ndryshme të artit ka forma të ndryshme të mënyrës së komunikimit! Nuk di të them se : Piktura apo baleti janë më të lashtët?! Nuk jam i bindur se cila nga artet është në krye të herës?! Ndoshta cirku, ndoshta muzika, ndoshta poezia!!!! Të gjitha llojit e artit vijnë nga historia me përsosmërinë e secilës! Nuk jam në gjendje të bëj një radhitje të rëndësisë apo të fillesës! Në fund të fundit çdo formë e komunikimit ka përparësitë dhe mangësitë, të cilat njeriu i krijonte spontanisht si një domosdoshmëri jetësore! Përmes artit , jo vetëm si argëtim, njeriu po fillonte të përsoste komunikimin me mjetet më të zgjuara! Disa syresh kanë arritur në perfeksion, si psh kinemaja që i përzjeu gjithë llojet e artit! Fjalën të thënë tashmë më të sofistikuar nga shkrimet si për filosofinë, përrallën prozën në mënyrë të pandalshme poezinë, muzikën, baletin, lëvizjen animacionin deri te pafundësitë e shprehjeve artistike, të cilat nuk kanë limite apo receta, shprehjet artistike janë liritë më të mëdha njerëzore. Arti vazhdon të prodhojë ëndrra lirie! Në se shikojmë cirkun, jam i çuditur se si gjithë jetës perfeksionojnë një numur të kufizuar të specialiteteve! Piktorët pa zhurmë luajnë me ngjyrat! Muzikantët me 7 nota krijonë pafundësi tingujsh melodi të transferuara për njeriun artdashës përmes instrumentave të ndryshme , ndoshta rreth 50 instrumenta, apo vokaleve deri në shprehje të mendimit në një kohë disa karaktere si në opera!!! Në jetë apo teatër, kjo gjë nuk ndodh! Shprehjet me përdorimin e lëvizjeve trupore si baleti apo vallzimi vijnë në forma të ndryshme deri në marrëdhënie dramaturgjie! I vetmi që është më tradicionali që nga krijimi dhe në vazhdim është arti i aktorit i cili ka përligjur fjalën si të parën dhe më të rëndësishmen në jetë! Dashuria, urrejta dy dukuritë bazike të jetës në përjetësi kanë ardhur dhe vijnë së pari me fjalën , si çelsin e hapjes së shpirtrave, të mendjes njerëzore!Fjala tashmë e kthyer si një mundësi jete apo lufte dhe këtë mundësi të shprehur në filosofi apo në artet e interpretimit na e sjellin aktorët! Ndaj arti i aktorit është më komunikuesi krahasuar me artet e tjera! Në një far kuptimi, arti i aktorit është më i thjeshti në dukje ! Aktori me ndjesi të veçantë vrojton jetën, karakteret, ose imiton ose transformohet duke vënë në shërbim të krijimit transformimin e brendshëm të instrumentit më të padukshëm! Aktori operon me shpirtin e tij! Çdo artist tjetër e ka mjetin e tij të prekshëm! Ka një objekt të dukshëm në dorë të krijuesit! Kështu piktori, instrumentisti apo balerini! Aktori instrumentin e tij të padukshëm, ka shpirtin apo psichikën të cilat në bazë të përvojës jetësore , i vë në shërbim të krijimit artistik, rikrijon botën duke vënë vrojtimin ushtrimin kërkimin, selektimin në një sprovë te përjetshme ndryshimi! Dhuntia e aktorëve të mëdhenj është një dëshmi e forcës së fjalës , që me zemrën, trurin, trupin , fjalën, gjakun, bëjnë adhurimin e përjetshëm! Aktorët e ndjejnë këtë ” dhuratë” nga kontaktet me njeriun në çdo mjedis! Profesioni u ka dhënë mundësi të bëjnë jetë të vëzhguar! Krijimet e karaktereve të aktorit, të cilat ai i tregon në skenë dhe ekran në vazhdimësi duke bërë ndryshim nga roli në rol përmes fjalës bëhet si destiluesi i bëmave njerëzore, që nga mushti i shpirtit na jep rakinë apo verën që shikuesi i mirë di ti shijojë përmes fjalës së transformuar artistikisht! Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri në mbajtjen gjallë të jetës!

Filed Under: Fejton

Raporti i DASH si diagnozë !

April 27, 2024 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Raporti i DASH mbi Shqiperinë meriton të përgëzohet për të vertetat që ai parashtron! Por konstatimi i tij është tejet i hidhur. Korrupsion në çdo nivel qeverisjeje është fraza kyçe. E thënë ndryshe kemi një qeveri dhe pushtet lokal të korruptuar. Ju mbyten hajdutet na thonë miqtë.

Të gjitha sa po ndodhin në sytë e shqiptarve janë, inceneratoret, sterilizimi, 5D-ja, TIMS, e plot bëma.

Një dekadencë politike dhe korruptive ka perfshire qeverinë dhe administraten e Edi Rames. Ky zinxhir duhet keputur. Neper të perçohet veç korrupsion.

Të vjedhesh është çeshtje gare, kush më shumë, kush më shpejt. Të gjitha problemet e ngritura nga Opozita per shit-blerjen e votes, presionin, perdorimin e administrates,gjejnë aty pasqyrim. Kapja dhe ndikimi qeveritar mbi to shqetesojnë DASH-in pa mendoni sa shqetësojnë shoqerinë shqiptare të mbytur nga propoganda dhe transformimi i të vertetes drejt genjeshtres.

Çeshtjet e pavarësisë se gjykatave ndikimi i mazhorances mbi to janë një tjeter këmbanë. Prej tre vitesh gjykata luan me fatin e Opozites duke demtuar thelbin e demokracisë në vënd. Vula dhe simbolet e PD mbahen pëng. Lidershipi i Opozites në vitin elektoral është i gjithi nën goditje a thua se drejtesia nuk mund ti bënte verifikimet e veta kohë më parë por veç pak muaj nga zgjedhjet politike.

Themeluesi i pluralizmit është izoluar ne kundershtim me kushtetuten per ti denatyruar natyren pluralizmit per ta shndërruar atë në fasadë, për të ç’aktivizuar opoziten në perballje.

Drejtesia që të meritojë besim nuk mund të vazhdojë të na flasë me parulla, prova e saj e madhe është raporti me Qeverinë. Ajo zë cironkat e qeverisë pasi dorëhiqen me urdher dhe Opozites nuk i lë kusur gati ta asgjesojë.

Edi Rama e bëri të qartë e synon mandatin e katert me “Spak dhe turizmin”. Një qeveri e cila ka fuqi magnetike per të mbledhur, joshur e promovuar të gjithë të korruptuarit e ketij vëndi i dorezon me qejf disa toga drejtoresh që të krijojë iluzionin e drejtësisë dhe të ushqejë populizmin. Imazhi i vëndit po erresohet nga skandalet, emisioni i RAI 3 është një tjeter provë. Djalli ka dalë nga shishja atë se kontrollon më as Edi Rama. Populli mund ti bëjë terbiet të dy.Raporti i DASH dhe programi i RAI-it janë thjeshtë vetem dy ngjarjet e fundit të deshmisë sesi degradon një pushtet absolut në gji të Europes dhe në preherin e ambasadorve.

Opozita është sot i vetmi institucion që funksionon si zë dhe shpresë e shoqerisë. Aleanca me të për të gjitha shtresat është shpetimi. DASH na vuri diagnozen, ilaçet dhe sherimin ti bëjmë vetë!

Filed Under: Ekonomi

I PANGJASHËM MES TË NGJASHMËVE

April 27, 2024 by s p

– Fjala në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Zija Çela

Kur më erdhi ftesa për këtë tryezë, megjithëse dimër, dita kishte plot dritë dhe vetiu m’u kujtua çfarë i kisha thënë njëherë Ali Aliut. I kisha thënë se gjatë vitit Prishtin vërtet ka tërheqje, por edhe Tirana ka shumë ditë me diell. Nuk e di pse, përveçse si albanolog i shquar, edhe si personalitet njerëzor Ali Aliu më vjen në mend sidomos në ditë me diell. E kështu ndodhi që ky vegim m’u bë nxitje për t’i hedhur lirishëm ca shënime edhe në letër.

1. Akademiku 90-vjeçar, që na nderon mes nesh, ka një zakon të pashqitshëm. Kur është duke shkruar, ai sikur e këndon nën zë tekstin që po kompozon. Dhe kjo ndodh prej fjollave të frymëzimit. Nga Katër Stinët e Vivaldit, ndoshta për harenë e saj, do ta vija gishtin te Pranvera.

Ali Aliu i përket kritikës dhe filozofisë pozitiviste. Kur bën objekt studimi krijimtarinë e një shkrimtari, ai hedh dritë në anët më të forta të autorit, i analizon një për një, por me lupë në dorë nxjerr në pah edhe sythe që ose janë në zhvillim, ose premtojnë të zhvillohen. Në shkrimet e tij nuk ka asgjë toksike. Ai nuk helmon as me dashje, as pa dashje, përkundrazi, vihet në krah të shkrimtarit të cilit i dhuron vlerësim dhe ndjesi gëzimi. Nuk ka autor që mund të ankohet se Ali Aliu ia ka ngrënë hakun, siç nuk kam dëgjuar ta ketë pohuar dikush mbipeshën, kur mund t’i jetë dhënë më tepër.

2. Ali Aliu e ka të lindur Dashninë për leximin dhe Pasionin e fjalës për letërsinë. Pa e patur fare qëllim, madje pa i shkuar asfare në mend, çfarë e ka patur të brendshme e ka shpallur si kryemotiv qysh në fillimet e veta. Ja si mund të lexohen të bashkuar tre titujt e tre librave të tij të parë: “Kërkime e Shtjellime në Rrjedha të Letërsisë”. Tre tituj në një, kredo e plotë.

Ali Aliu është studiuesi në simbiozë me zekthat që ka përditshmëria e kritikut. Ky është tharmi që, ashtu siç nuk e ka lënë në rini, nuk e lë rehat as në moshën e patriarkut. Kur i ka ardhur për të folur, atij nuk i ka ngrirë lapsi në dorë, madje me raste nuk është stepur për ta trajtuar një vepër edhe si kryevepër, pa manipuluar me heshtjen si element i estetikës së reagimit apo si koncept i dilemës etike. Romancierët ndoshta s’janë aq bujarë sa poetët, të cilët jo rrallë ngopen me aromën e lavdërimeve, ndërkohë që prozatori ndalet ndër paragrafë e detaje, duke kërkuar argumentin në shumësinë e tyre. Nuk po i shtyj më tej reagimet e palës së shkrimtarëve, por po them se ndodh diçka e çuditshme me palën tjetër. Në vend të presë mirënjohje nga autorët e librave që ka pëlqyer, Ali Aliu sillet vetë i pari falënderues ndaj tyre.

3. Sigurisht, me sy të lirë askujt nuk i duken shenjat e botës së brendshme. Por askush që merr guximin të shkruajë, sado të përpiqet, për një sy të stërvitur nuk mund ta fshehë transplantin e zemrës në tekstin e tij, në terma të kardiologjisë ritmin, aritminë, suficencën, insuficencën, etj. Ashtu si për çdo krijimtari, në rreshta e midis rreshtave shpirti i kritikut pulson në tekst, duke dëshmuar si ndihet fjala aty, vjen si harmoni, vjen si llogaritje matematike, rënkon nga mungesa apo kërcet nga teprimi.

Modalitetet e shqyrtimit kritik janë nga më tëndryshmet, rekomandohet objektiviteti. Mirëpo kur e kanë patur prirje, edhe kritikë e studiues të shquar në botë ia kanë dalë ta arrijnë objektivitetin jo vetëm përmes dijes, kulturës e kapacitetit mental, por edhe ndihmës së urtësisë shpirtërore. Më duket se kjo urtësi e karakterizon tekstin e Aliut. Në pjesën e shkrimeve kritike ai nuk është i shkarkuar plotësisht nga barra emocionale, porse emocioni i ngarkohet vetë zbulimit të një thelbi, bie fjala, thelbit të përgjigjes se çfarë është e re në librin e këtij apo atij autori. Dhe nuk mund të mohohet, për vetë natyrën e tij zbulimi është ngritje e velit, njëfarë dasme e përjetshme, ai e ka në aksionin e vet emocionin.

4. Në veprën e Ali Aliut gjenden referenca, por zakonisht të natyrës pohuese, mbështetëse dhe informuese. Duke mënjanuar frymën e debatit dhe të polemikës, ai përqendrohet sidomos në faktorët e tij të analizës, në thellimin e argumenteve dhe depërtimin shpesh kapilar. Si fryt i punës së Ali Aliut, ndër të tjera, në librin voluminoz “Don Kishoti shqiptar”, që sapo është ribotuar i plotësuar, sot kemi një tablo plot ngjyra mbi krijimtarinë e disa prej poetëve e prozatorëve më të spikatur bashkëkohorë. Herë në rolin e historianit e herë të propozuesit për historianët e letërsisë, në këtë antologji vetjake të mendimit kritik gjejmë problematika të rëndësishme të estetikës dhe përgjithësisht të teorive letrare. Aty shtrohen pyetje e jepen përgjigje për çështje bazike të prozodisë, individualitetit dhe narracionit, raportit të reales me irealen, gjuhës së tekstit e të nëntekstit, etj.

5. Njëherë, teksa bisedonim për një shkrim të botuar në gazetë, vërejta se Aliut i kishte mbetur peng përse redaktori kishte ndajshtuar pranë emrit të tij ofiqin e akademikut. Dhe këtë nuk mund ta merrje as si shtirje, as si trill, aq më pak si rastësi. Ai gjithnjë nuk ka kërkuar ndonjë potencim me statuset zyrtare, për ta lënë lexuesin të lirë në gjykimin e tekstit, duke ia respektuar mendimin e pavarur dhe mënyrën e leximit. Tekefundit, tërë jetën edhe vetë është treguar një lexues i hatashëm, nga ata të thekurit, të cilët lënë sytë mbi shkronjat e tjetërkujt.

6. Por si lexon Ali Aliu? Kam krijuar një përshtypje nga biblioteka e tij private. Me gjasë, me t’iu ndezur ndonjë shkëndijë përgjatë lëçitjes, ai hedh shënime në margjinat e librit, në ato hapësirat e bardha sa një pentagram. Si ta përfundojë leximin, do të këqyrë pikërisht këto nota të shpejta. Nëse ka mundur të nxjerrë esenca, ndihet thuajse gati për shkrimin; nëse ende jo sa duhet, i rikthehet librit pjesërisht. Përndryshe, me kalimin e kohës ato shkëndijat ftohen dhe shënimet nuk dalin nga raftet.

Mes mënyrave të larmishme, pse jo, mua më pëlqen gjithashtu ky qëndrim që afron me krijimtarinë e mirëfilltë: të punosh jo vetëm për të kënaqur të tjerët, por së pari për të ndier kënaqësi vetë gjatë procesit të shkrimit.

Ali Aliu ka lexuar shumë libra të rëndësishëm. Por ma do mendja nuk ka profesionist që të ketë lexuar sa ai edhe libra të parëndësishëm. Nëpër vite, për t’i dhënë skenës emrin që ka, kam parë si i “vërsulen” në panaire duke i dhuruar libra prej kahmos. Siç është e pritshme, nuk mungojnë autorë të afirmuar, por nuk mungon sidomos bylyku i fillestarëve, amatorëve të vonuar e maniakëve të shkrimit. Si dreqin e ndiejnë këta se kanë gjetur “babaxhanin” e duhur?! Sepse Aliu, me torbat plot, shkon pastaj përtej mirësjelljes: i lexon thuajse të gjithë ato libra, madje cili është me fat edhe recensionohet.

Kam menduar ndonjëherë se Ali Aliu nuk është fort i rreptë si kontrollor. Por më mirë genuin, sesa ta lidhte veten duke u bërë autocensor. Natyrisht, ne do të kishim edhe ashtu një profil letrar, por jo kaq të personalizuar prej shenjave të tij, domethënë një personalitet të pangjashëm midis të ngjashmëve, ose të ngjashëm me të pangjashmit. Shkurt fjala, një kritik kaq empatik.

7. Në përvojën time, kur shkruaj një roman, synoj të kaloj në katër nivele, që nuk është rasti të përmenden. Por ekziston edhe një i pestë. Ky është niveli, kur kritika letrare zbulon në veprën e shkrimtarit çfarë s’e ka ditur më parë vetë autori i saj. Kështu ndodh edhe me kritikët e studiuesit, jo rrallë dinë për veten më pak se të tjerët dinë për ata. Dhe sa mirë kur kolegët janë të gatshëm t’ia thonë.

8. Dhashtë Zoti që, një ditë, të jemi çliruar përfundimisht nga bizantinizmi i trashëguar, ai i llojit që, siç thotë Brodskij, sa më afër qëllimit të ndritur të jetë dikush, aq më të mjegullta ia bëjmë mundësitë e arritjes. Afërmendsh, auditori më i drejtpërdrejtë për çfarë shkruhet sot janë bashkëkohësit. Por unë besoj se do të mbizotërojnë interesat e pastra, të cilat punën e çmuar të studiuesve tanë do t’ia përcjellin edhe së ardhmes.

9. Ah, edhe diçka në fund, meqë pajtohem se çka është e mjaftueshme mbetet gjithnjë e pamjaftueshme. Po, gjatë vitit Prishtina ka vërtet tërheqje, por edhe Tirana ka shumë ditë me diell…

(Vijon në 100-vjetorin e lindjes.)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT