• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Dorëshkrimi  në dialektin shqip në rrethinat e Porecit të Sllovenisë, transkriptuar nga At Bellusci në variantin e arbëreshëve të vitit 1963 

May 25, 2024 by s p

Më datë 6 Maji 2024 vijnë në Qëndrën albanologjike  A. Bellusci  Lidhja e Krijuesve në Mërgatë, të cilët kishin vendosur që orën e tyre letrare vjetore ta zhvillonin  tek Biblioteka A. Bellusci në Frasnitë zbritën në Kalabri me një grup poet, krijues atelier, piktor etje, midis tyre edhe një studiues  arbëresh slloven Peter Shtoka, i cili na dhuroi edhe një prej studimeve të tij publikuar në Slloveni në 2020 dhe  e quajtur “ Atlante Istriano”, është në gjuhën italiane dhe së shpejti me sa kuptuam do të sillet edhe në gjuhën shqipe. 

Në këtë përmbledhje studimesh gjendet edhe  kapitull  titulluar ” Dialekti shqiptar në rrethinat e Porecit\ Parenzo”, të cilët ne vezuam  artikullin“Parabola\shëmbëlltyrë e birit plangprishës”(B.Kopitar, Win 1829)

Dorëshkrimi i Stancovich, Ms.1835.

Ky dorëshktrim i zbuluar në 1835, nga  kanoniku Pietro Stancovich, përmban  rreth 25 faqe si dhe traskriptimi të cilën Pietro Stancovich ia dërgoi gjuhëtarit italian Giovenele Vegezzi . 

Teksti është përkthyer në gjuhën italiane, sllavo e morlak, si edhe në shqip, gjuha e folur prej shqiptarëve në rrethinat e Porecit\ Parenzo.

Në vitin 1963, Një zotni i quajtur Ndue Lazri, i nis At A. Belluscit në atë kohë prif në Shën Sofia të Epirti, që të shikonte këtë dorëshkrim dhe ta traskriptonte. 

At Bellusci nis  dhe e studion dhe vë re se branet e tij  ishin të shkëputur. 

Puna e parë që bëra- thotë At Bellusci- ishte të kuptoja se, kujt pjese e kapitullit të Biblës i përkisnin këto brane. Kuptova që flitej për Ungjillin Luka, kështu fillova e bëra ç’ishte e mundur të përshataja traskrimptimin. Trakriptimin e bëra në të folmen e arbërshëve të Shën Sofia të cilën nga ana fonetike përdorin “forma Mangyar”: gami dhe jo “hami\ e ngrëna”, Gu dhe jo hu\ druri.

Dorëshkrimi “Shëmbëlltyrë e Birit Plangprishës” është shkruar me një alafabet personal dhe fragmentet janë të modifikuara, por branet janë të kuptueshme, dhe janë regjistruar në mënyrë më të mirë të mundëshme. (Në vijim disa pja trankriptimi). 

C:\Users\iljas\Downloads\20240520_120135.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\20240520_120151.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\20240520_120220.jpg

Në vijim Luka, 15, 11-32

12. Një njeri ka pasur di birëra

13. Oj mairu Kosta Tatas. Tata om jon tona ze pavena mua. Tha ka jon jotja juj për sosh.

14. E kaviu ja bask, kav oit i biri i majmi larg ne ntetav ju tat, e a tej kukavoj kam ngre za kapru me vite.

15. Kavoit te kgnani za panon po non jan,e kue Kadevga me gne katund makalot seiet.

16. Kepaj me mekatej mangia bavlon të landit, zë kanja gvosit, e kunkuj ku ne kaj sej mado kunjo.

17. Kars me vete, e po kaso; Sa të dit tato em, ka na ipi za kan buk me jojen, un po vdis urit

18. Do gomi, e vete me karko taten tem,e thom atij tata un ka voit mekat me qiell, e kontra tates tem.

19. Nuk pojsariten un pa goit me ke berut, bom si kurvgnenin toit nupi tande.

20. e sho gaim, zë ekovoit taten e kur kaq larg

Prej tates tem, me kupa e jist vin per mua e kan gu tek mue, im kamaren grika, e om kapuj.

21. I biri Kasomen: Tata un ka boka tek me qiell, e kontra tie

Në vitin 1989-90, zoti Emanuele Giordano përktheu në arbërisht katër Ungjillët  e midis tyre edhe Ungjillin Luka15, 11-32. Kisha Arbëreshe në Kalabri, kanë përkthyer liturgjinë në gjjuhë e tyre duke bashkuar të 30 të folmet e besimtarëve bizantinë dhe krijuar një gijuhë të unifikuar. 

Në Kishën bizantine  kanë “Fletën e së djelës” ku besimtarët e gjenë në kishë dhe është në tre gjuhë,  greqisht, italisht dhe midis në shqipe. 

 Me qënëse se jemi tek Ungjëlli Luka, parabola birit plangprishës, tek arbëreshëz bizantinë në Kalabri lexohet në periudhën e Kreshmës.

Në vijim  po sjellim në arbërisht Luka, 15, 11-32 duke plotësuar kështu komplet branet e dorëshkrimit të arbëreshëve të Porecit me arbëreshët e sotëm.    

“Tha Zoti këtë prrallëz: Një njeri kish dy bil dhe më i vogli ndër ata i tha të Atit: Tatë, jipmë pjesën e petkut çë më nget, e ai ja ndajti petkat. Pas pak ditësh, i biri më i vogël mblodhi çdo patë e vatë te një vend llargu, dhe atje grisi të pasurat e tija, tue e rruar si i parregullt. Ku rgrisi gjithsej, nd’atë dhè, erdhi një uri e madhe, e ai s’kish më gjë. Ahiera vate e i bëri shërbëtorin njëi njeriu të atij vendi çë e dërgoi, ndër dherat e tij të kullotnij dirqit. Ai kish dëshiruar të mblonij barkun e tij me garrubat cë hajin dirqit, pa mosnjeri ja jip. Ahiera hyri mbë vetëhe e tha:” Sa rrogëtar të tatës time  mburojnë me buk e u këtu vdes uri. Do të ngrëheme do të vete tek tata ime  e do t’i thom: “Tatë, bëra mëkat kundër qiellit e kundër teje, s’jam më i denjë të thërritem zt bir, trajtomë po si një ndër shërbëtorët e tu. U nis e vate tek i jati. Kur ishe adhe llargu, i jati e pà, e patë lipsi, i duall përpara, ju shtu ndër krahët e tij dhe e puthi. I biri i tha: Tatë bëra mëkat kundër qiellit, kundër teje. S’jam më i denjë të jem i thirrur yt bir, mbamë si një ndër shërbëtorët e tu”. 

I jati i tha shërbëtorëve :”Shpejt sillnikëtu stolinë më të bukur dhe veshnja, vni atij unazën te gjishti e këpucët ndër këmbët.Sillni viçin e majmë, vritnie, hami e bëmi festë, sepse ky im bir ish i vdekur e u ngjall, ish i bjerrë e u gjend”. E zunë e bën festë.  I biri më i madh ish ndër dherat. Kur u pruar, si u qas afër shtëpisë, gjegji muzikën dhe vallet: Thërriti një shërbëtore e pyeti ç’ishin këto shërbise. Shërbëtori ju përgjigj: U pruar zt vëlla e i jati bën e vra viçin e majmë, sepse e muar prapë të shëndosht e të shpëtuar. Ai u zemërua e s’doj të hynij mbrënda. I jati ahiera duall t’eparakalesnij. Po ai ju përgjegj të jatit: “ Njo u të shërbenjë kaq aq vjet e ti mosnjëherë më dhe mua një kaciq për të bëja festë me miqtë e mi. Po nani çë ky yt bir, çë hëngri të pasurat e tua bashkë me gratë e liga , u pruar për të vrarë viçin e majmë”. 

Ju përgjegj i jati: Bir, ti je ngaherë me mua e gjithë të miat janë të tuat, po duhej të gëzojim e të harepsjim, sepse ky yt vëlla ish i vdekur dhe u ngjall, ish i bjerr e gjind”. 

Përfitojmë nga rasti të falenderojmë  edhe  studiuesin arbëreshin  Slloven Petro Shtoka për punën e tij gjigante për rrënjët historike, kulturore  ilire dhe në mënyrë të veçantë për këtë pjesë artikulli të veçantë e pa publikuar asnjëherë, sjellë nga libri i tij Atlante Istriano, pa harruar të gjithë ata që e mbështeten këtë projekt si Shoqata “Iliria” në Koper\ Slloveni. 

Përgatiti materialin 

Ornela Radovicka. 

Qëndra Albanologjike kërkime gjuhën dhe kulturën arbëreshe,

themeluar nga A. Bellusci 1980 

Filed Under: Rajon

Pesha e diktaturës

May 25, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Pohimi i asaj që i paraprin të keqes është në veten tonë. Këtë njeriu e di se në çfarë paraprijnë të këqijat që duhet të zhduken, por së pari të mposhten para se të arrijnë njohjen. Kjo do të ishte njësoj si të këmbëngulësh që dikush që është injorant duhet së pari të braktisë injorancën përpara se të arrijë njohjen. E vërteta është, se vetëm dija mund të shkaktojë zhdukjen e injorancës. Pa Virtytin , gjithçka priret të shkatërrohet.
Edhe mirëqënia është e përkohshme; detyra jonë, ta kërkojmë, pasi edhe kjo është e tillë që nëse sapo ta shijonim, nuk do ta ndërronim me asgjë tjetër. Disa mund ta konsiderojnë këtë si absurditet, por shumë të tjerë pohojnë, se do të kërkonin atë që është më e mira, nëse nuk do të zbulonin diçka më të mirë. Kjo është sikur një peshk të thoshte: “nëse këtë jetë nuk do ta ndjekë në ujë, atëherë do ta lë ujin për tokën”. Për të arritur lumturinë dhe prehjen, kam parasysh interesin tonë, gjë që është shumë e natyrshme në te gjitha gjerat. Atëherë zbulojmë se lumturia nuk përkthehet në kënaqësi, që sjell rrënim, kur bëhet qëllim në vetvete.
Shohim gjithashtu se arsyetimi nuk është gjëja kryesore, por vetëm një shkallë me të cilën mund të ngjitemi në vendin e dëshiruar, ose si një gjeni, i cili, pa asnjë falsitet apo mashtrim, na sjell lajmin për më të mirën, në mënyrë që ta kuptojmë dhe të na stimulojë ta ndjekim atë; kjo është lumturia.
Sa më shumë thelb të ketë një gjë, aq më pak pasivitet. Sepse është e sigurt se ajo që është aktive vepron nëpërmjet asaj që ka.
Në shoqëri, gjithë pasiviteti kalon nga mosqenia në qenie, ose nga qenia në mosqenie. Çdo gjë që është prodhuar a fituar nga shkaqe të jashtme, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët dhe për rrjedhojë, nuk mund të ndryshohet dhe as të transformohet. “Lirinë nuk u soll unē. Atë e gjeta mes jush”, thotë Barleti, por ky parim historik dhe të tjera, nuk u ndoqën nga arbërit e sotëm, shqiptarët, që ishin të trullosur nga pesha e rëndë disa dekadëshe e diktaturës.

Filed Under: Sociale

ÇËSHTJE GRAMATIKORE…

May 25, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

FJALA DHE PJESËT E SAJ  – Fjalët mal, det, di përbëhen vetëm prej një pjese që quhen rrënjë. Rrënjës mund t’i shtohen parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa, që ndryshe quhen morfema ndajshtesore. Pjesët përbërëse të fjalës ndryshe quhen morfema. Morfemat ndahen në morfema rrënjore dhe në morfema ndajshtesore. Te fjala përhap, fshatar mbartëse e kuptimit të fjalës janë morfemat rrënjore hap, fshat, ndërsa pjesët për-, ar janë morfema ndajshtesore. Me morfemat ndajshtesore krijojmë fjalë të reja. 

RRËNJA E FJALËS – Fjala pa parashtesë, pa prapashtesë dhe pa mbaresë është rrënjë e fjalës. Kur rrënjës i shtojmë morfema ndajshtesore (parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa) atëherë krijojmë fjalë të reja. P.sh. prej fjalës dorë krijojmë: dorezë, dorëz, dorëzim, dorëzoj, dorëzues, përdor, përdorim, i përdorshëm, përdorues, i përdorur, i papërdorur, i papërdorshëm etj. 

TEMA E FJALËS – Temë e fjalës është pjesa që mbetet pasi të hiqen mbaresat dhe prapashtesat trajtëformuese që shërbejnë për formimin e shumësit të emrave. Mbaresë është morfema që i ngjitet fjalës në fund për të ndërtuar format e lakimit: lis-i (i-ja është mbaresë). P.sh: nën+shtet+as+i: shtet (rrënja), nënshtetas (tema), i (mbaresa).

Te fjalët pa parashtesa dhe prapashtesa tema përputhet me rrënjën e fjalës dhe quhet temë e parme. Tema të këtilla: dash-i, shok-u, lis-i, nip-i. Te fjalët fshatar, nëpunës tema nuk përputhet me rrënjën dhe ajo quhet temë jo e parme. Kemi edhe temë fjalëformuese: fshat+ar. Nga kjo fjalë krijojmë fjalën fshatarësi.

PARASHTESAT DHE PRAPASHTESAT – Parashtesa është pjesë e temës që i shtohet para temës së parme. Prapashtesa është pjesë e temës që i shtohet pas temës së fjalës. Parashtesa, rrënja dhe prapashtesa përbëjnë temën e fjalës. 

MËNYRA E FORMIMIT TË FJALËVE – Për nga përbërja, fjalët ndahen në dy grupe: në fjalë të parme dhe në fjalë jo të parme. Fjalë të parme quhen fjalët që nuk janë formuar nga një fjalë tjetër: dorë, buzë, sy, nip etj. Tema e këtyre fjalëve përbëhet vetëm nga rrënja. Fjalë jo të parme quhen fjalët që janë formuar prej temës së një fjale tjetër me anë të parashtesave dhe prapashtesave. P.sh fjalët fisnik, bukuri, lindje janë fjalë jo të parme ngase janë formuar në bazë të temave fis, bukur, lind. 

Fjalët jo të parme formohen me anë: të prejardhjes, të paranyjëzimit, kompozimit, përngjitjes, konversionit. Fjalët formohen edhe me mënyra të përziera. Varësisht nga mënyrat e fjalëformimit, fjalët mund të jenë: të prejardhura, të përbëra, të përngjitura. 

FJALËT E PREJARDHURA 

1. Formimi i fjalëve me parashtesa – Formohen me parashtesa, me prapashtesa dhe me parashtesa e prapashtesa njëkohësisht. Parashtesa janë: për-, pa-, mos-,, nën-, mbi-, jo-, ndër-, stër- etj. P.sh. pa+aftësi, mos+pajtim, për+buz, jo+shkencor, nën+shtrim etj. Parashtesa janë edhe fjalët: bashkë-, para-, kundër-, sipër- etj. P.sh. bashkë+punoj etj. Si parashtesa për formimin e fjalëve të reja shërbejnë edhe tingujt: ç-, sh-, zh-, s-, z-. P.sh. ç+lodhje, sh+paloj, zh+duk, s+kuqje, z+bardh. 

2. Formimi i fjalëve me prapashtesa – Numri i prapashtesave është rreth tri herë më i madh se numri i parashtesave. Janë mbi 160 prapashtesa: -ar, -as, -atar, -e, -es, -shë, -ë, -im, -isht, -shëm etj. P.sh. det+ar, dimër+or, bes+nik, i ar+të, lir+isht, kalim+thi, punë+tor, anë+tar, i fam+shëm etj. 

3. Formimi i fjalëve me parashtesa e prapashtesa – P.sh. më+sy+sh, për+fund+o+j, s+kuq+je, z+but+je, nën+det+ëse, i për+bashkë+t etj.

PARANYJËZIMI – Fjalë të reja formohen edhe me anë të nyjës së përparme. P.sh. laj, larë, i larë; hap, hapur, i hapur. Flas, folur, të folurit, ha, ngrënë, të ngrënët, jam, qenë, të qenët.

FJALËT E PËRBËRA (KOMPOZITAT) – Përbëhen prej dy a më shumë temave. P.sh. at+dhe, botë+kuptim, mirë+sjellje, krye+qytet. Kompozitat formohen me bashkimin: e dy emrave: bukë+pjekës; e një emri me një mbiemër: belhollë; e një ndajfoljeje me një emër: keq+bërës; e një numërori me një emër: dy+anshmëri; e një përemri me një emër: vet+dije; e një ndajfoljeje me një folje: keq+kuptoj; e një emri me një folje: buzë+qesh. Disa kompozita shkruhen me vizë në mes: hyrje-dalje, vajtje-ardhje, tekniko-shkencor, ideo-estetik; qytet-hero. Por, kompozitat si: verilindje, marrëdhënie, shitblerje etj. shkruhen bashkë. 

FJALËT E PËRNGJITURA – Janë fjalë që janë formuar me anë të përngjitjes së dy a më shumë fjalëve që dikur janë përdorur si togfjalësh. P.sh. togfjalëshi atë herë është ngjitur dhe është bërë një fjalë e vetme atëherë; se pse=sepse, mire dita=mirëdita, farë e fis=farefis, gjë e gjëzë=gjëegjëzë, dy mbi dhjetë=dymbëdhjetë, në se=nëse, nga që=ngaqë, se cili=secili, ndo kush=ndokush etj.

FORMIMI I FJALËVE ME KONVERSION – Konversion është kalimi i një fjale prej një pjese të ligjëratës në pjesë tjetër të ligjëratës, pa ndryshime fonetike e morfologjike. Në këtë mënyrë formohen emra prej mbiemrave (emërzim) si dhe mbiemra prej emrave (mbiemërzim). Në këtë mënyrë formohen edhe disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. 

Emërzimi – P.sh. i ligu – emër i formuar nga mbiemri i ligë; e mira – emër nga mbiemri e mirë; e bukura (nga e bukur), e vërteta (nga  e vërtetë). 

Mbiemërzimi ose shndërrimi i emrave në mbiemra: besnik, bujar, fisnik, dinak. Këto fjalë përdoren edhe si emra edhe si mbiemra. Kur përdoren pa ndonjë emër tjetër, janë emra. Kur gjenden pas ndonjë emri, atëherë janë mbiemra. P.sh. luftëtar (emër), popull luftëtar (mbiemër), plak (emër), burrë plak (mbiemër).

Shndërrimi i fjalëve në ndajfolje – P.sh. Ditën punojmë, natën pushojmë (emrat ditën dhe natën në rasën kallëzore janë ndajfolje kohe). Në ndajfolje shndërrohen edhe mbiemrat duke ua hequr nyjën e përparme, foljet në pjesore dhe në përcjellore. 

SINONIMET – Fjalë me forma e përbërje tingëllore të ndryshme , por të njëjta për nga kuptimi leksikor. P.sh. rrugë-udhë; krye-kokë; hap-çel; tavolinë-tryezë; shikoj-vështroj; gjel-këndes; litar-konop-tërkuzë; vajzë-çupë-çikë-cucë-gocë-vashë. 

vatan, ndikim-influencë, përvojë-eksperiencë, fqinj-komshi, përfundim-konkludim. Në këto raste duhet të përdoren fjalët shqipe. 

ANTONIMET – Janë fjalë me përbërje fonetike të ndryshme dhe me kuptim të kundërt: gëzim-hidhërim, dritë-errësirë, verë-dimër, dritë-natë, rini-pleqëri, blej-shes, marr-jap, këndoj-vajtoj, i ri-plak, i mirë-i keq, afër-larg etj.

HOMONIMET – Janë fjalë me përbërje tingullore të njëjtë, por ndryshojnë nga kuptimi:  zë, vesh, verë, bredh, pres etj. P.sh. Zë një vend të mirë. S’më zë gjumi (zë – folje); Ai ka zë të bukur  (zë – emër). Rina vesh rroba të mira (vesh – folje); Rona ka vesh për muzikë (vesh – emër). Gjyshi pi verë (verë – folje); Gresa në verë shkon në Sarandë (verë – emër). 

Ka fjalë që ndryshojnë për nga theksi, p.sh. Rita ka shumë para (para – emër); Dalina doli para teatrit (para – parafjalë). Bari duhet kositur. Në bjeshkë pamë një bari.

NDËRKOMBËTARIZMA. Shumë fjalë të huaja janë zëvendësuar me fjalë shqipe si: subjekt me kryefjalë, predikat me kallëzues, nominativ me emërore, evitoj me shmang, abonim me parapagim, aprovoj me miratoj, angazhim me zotim etj. 

ARKAIZMAT – Janë fjalë të vjetruara që janë përdorur në të kaluarën, e që sot kanë dalë nga përdorimi. Në vend të tyre janë krijuar fjalë të tjera. Arkaizma: kut (metër), okë (kilogram), mokër (gur mulliri) etj. HISTORIZMAT – Fjalë që janë përdorur në një periudhë historike, e që sot nuk janë në përdorim. P.sh. aga, be, pasha, kryeplak, alltie, nagant, martinë, patllake, bandere, gjyle, fishek, topuz, kobure, shishane, bajrak etj. DIALEKTIZMAT dhe KRAHINORIZMAT – Fjalë që përdoren vetëm në një dialekt e që nuk janë bërë normë letrare quhen dialektizma. P.sh. gegërisht: korit-turpëroj, varrë-plagë, dollap-dritare, çikë-vajzë, qeramide-tjegull; toskërisht: nakatos-përziej. Po qe se këto përdoren në rajone më të ngushta gjuhësore, atëherë quhen krahinorizma. Me krahinorizma zëvendësohen fjalët e huaja dhe ndërkombëtarizmat, si p.sh. emnak (adash), brezore (tarracë), gjedhe (model), përkushtoj (dedikoj), ballor (frontal), hulli (brazdë) etj. NEOLOGJIZMAT – Janë fjalë dhe shprehje të reja që sapo kanë filluar të përdoren në gjuhën letrare. P.sh. bashkëjetesë, bashkëbisedim, drejtshkrim, drejtshqiptim, përligj etj. Me fjalët e reja zëvendësohen arkaizmat, huazimet dhe ndërkombëtarizmat. P.sh. i vetëdijshëm për koshient, sasi për kuantitet, cilësi për kualitet, sasior për kuantitativ, cilësor për kualitativ, novitet për risi etj. Fjalët e reja formohen me parashtesa dhe prapashtesa apo me përngjitjen e dy a më shumë fjalëve. P.sh. mbifitim, mbikalim, ujësjellës, përçues, gazsjellës, naftësjellës, mbikalim etj. PROFESIONALIZMAT – Fjalë që janë karakteristike për një profesion apo lëmë të caktuar. Bujku ka përdorur fjalët: lesë, lesoj, umb etj.; bariu: laro, kuqal, syskë, kërluk etj. në shtypshkronjë: linotip etj. Në leksikun (fjalorin) profesional përdoren fjalët profesionale. Në gramatikë: emër, kryefjalë. prapashtesë etj.; në matematikë: zbritje, shumëzim, pjesëtim, thyesë etj. në gjeografi: gji, baticë, etj. 

NJËSITË FRAZEOLOGJIKE (frazeologjizmat) – Funksionin e një fjale mund ta kryejnë dy a më shumë fjalë që përdoren si shprehje gjuhësore. P. sh. besoj – zë besë, harroj – më del nga mendja etj. Frazeologjizmat kanë fuqi shprehëse shumë më të madhe se fjalët e rëndomta. P.sh. thika në gjalpë, dhëmb për dhëmb, gacë e mbuluar, shkel e shko, thur e shthur, çan dërrasa, ua mbathi këmbëve, më bëhet zemra mal. E bëri hi e pluhur. I vari buzët. I hedh hi në sy. Flet në tym. Iku nga shiu ra në breshër. Është bërë koc e lëkurë. Hoq të zitë e ullirit. etj.

FJALORËT – Janë dy lloje: fjalorë enciklopedikë dhe fjalorë gjuhësorë (linguistikë). Në fjalorët enciklopedikë shpjegohen në formë të shkurtër gjëra nga lëmi i shkencës, i artit, i letërsisë, i filozofisë etj. Fjalorët gjuhësorë ndërkaq, janë disa llojesh: shpjegues, dygjuhësh, shumëgjuhësh, drejtshkrimor, frazeologjik, etimologjik, terminologjik, dialektor, fjalor i fjalëve të huaja etj. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe përmban 41000 fjalë dhe një numër të madh njësish frazeologjike. Fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe është ai i albanologut gjerman Gustav Majer, i botuar më 1891.

NDRYSHIMET FONETIKE TË TINGUJVE – Në gjuhë, sipas ligjeve gjuhësore, me kalimin e kohës, ndryshojnë tingujt. Ndryshime fonetike janë: asimilimi (përngjashmimi), qiellzorizimi (palatalizimi), metafonia, apofonia, rotacizmi etj. 

ASIMILIMI (përngjashmimi) – Është ndryshimi fonetik kur dy tinguj të ndryshëm pranë njëri-tjetrit bëhen të njëjtë ose të ngjashëm. P.sh. dëgjoj-dëgjoj=dëgjoj, mbasi- bbasi-basi-pasi; s+kuq=skuq, por s+but=zbut (dhe jo sbut), s+bardh=zbardh dhe jo sbardh, sh+vendos= zhvendos dhe jo shvendos.

ELIZIONI – Rënia e zanores fundore të pjesëzës të apo të nyjave të, së kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u si dhe rënia e zanores ë trajtave të shkurtra më, të kur bashkohen me trajtën e shkurtër i dhe me pjesëzën u. P.sh. Dua t’i (të i) them…Nuk bën t’u (të u) tregosh…Rina m’i (më i) dha biletat. Nuk kemi elizion në rastet: në arë, të egra, në ujë, të anës tjetër etj. Pra nuk thuhet: n’arë, t’egra, n’ujë, t’anës tjetër. 

APOSTROFI – Është shenjë që shënon rënien e ë-së fundore: 

a) Të trajtës së shkurtër të përemrave vetorë më dhe të kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u dhe pjesëzës u të foljeve joveprore. P.sh. M’i jep librat, e pasi t’i lexoj, t’i kthej. M’u plotësuan dëshirat. T’u dha rasti…t’ia kthesh të mirën.

b) Të pjesëzës të të mënyrës lidhore…: P.sh. t’i ndihmosh, t’ia shpjegosh, t’i kuptojë, t’ju them, Dua t’u drejtohem, t’ua  numëroj …Për t’u edukuar…

c) Porosinë e t’et, kujtimet e s’ëmës

ç) S’e merr me mend, ç’ndodhi, Ai s’mund t’ia falë vetes, s’më tregove, s’iu përgjigje, s’mungon, s’është, ç’bën, ç’të bësh. Përemri i pacaktuar çka dhe përemri pyetës çfarë shkruhen pa apostrof.  

METAFONIA – Është ndryshimi i zanores a në e dhe të e-së në i. P.sh. dash-desh, kunat-kunetër, mëzat-mëzetër, natë-net, plak-pleq etj. Unë dal- ti del, unë marr-ti merr. Në vetën e dytë shumës e-ja kthehet në i: dilni, flitni, ngitni, vritni, dilja, flitja, ngitja.

Ndërrimi i e-së në i: breg-brigje, shteg-shtigje. Ndërrimi i o-së në e: njoh-njeh, shoh-sheh.

APOFONIA – Shndërrimi i a-së dhe e (je-së) te koha e tashme e foljes në o kur folja ndodhet në të kryerën e thjeshtë. Koha e kryer e thjeshtë: dola, mora, hodha, brodha, nxora, vola, solla. Foljet te të cilat a-ja apo e-ja e rrënjës ndryshon në o quhen folje apofonike. Foljet apofonike që mbarojnë me l, ll dhe rr në trajtën e pashtjelluar nuk marrin ur por ë. për të dalë, për të marrë, për nxjerrë, për të mbjellë dhe jo për të dalur, për të marrur, për të nxjerrur, për të mbjellur. 

Foljet apofonike që mbarojnë me rr, në të kryerën e thjeshtë shkruhen me r dhe jo me rr.

QIELLZORIZIMI (palatalizimi) – Kur tingujt k dhe g ndodhen para i-së dhe e-së kalojnë në q, gj: ka-qe, mik-miq, peshk-peshq, zog-zogj, burg-burgje, breg-brigje, murg-murgj, lëng-lëngje. Qiellzorizim kemi edhe në rastet: ndjek-ndiqni, ndiqja, pjek-piqni, djeg-digjni, dogja. qiellzorizohet edhe ll-ja fundore: buall-buaj, kërcell-kërcej, yll-yje, portokall-portokaj etj. 

ROTACIZMI – Kalimi i n-së në të folmet toske në pozicionin midis dy zanoreve, në r. Është dukuri e vjetër fonetike. P.sh. te fjalët huni druni, vena, kunora, peni, freni n-ja ka kaluar në r dhe kemi: huri, druri vera, kurora, peri, freri etj. Edhe fjalët drapër, dhelpër, emër, femër, lakër përdoren në formë të rotacizuar. Nuk kemi rotacizëm te fjalët hëna, puna, nëna etj. 

METATEZA – Këmbimi i vendit të tingujve në disa të folme popullore: leblebi-elbebi, lëshoj-shloj, bajrak-barjak, mullar-murall, llagap-gallap, kthej-thkej etj. Format e dyta nuk përdoren në gjuhën letrare. 

RËNIA DHE SHTIMI TINGUJVE – Në të folmen popullore ka raste të rënies së tingujve: Agim-Gim, Fatoni-Toni, Afërdita-Dita, Mehmet-Met, shtëllungë-shllungë,shtëpi-shpi, erdhi-erdh, pati-pat, fjeti-fjet. Për ta lehtësuar shqiptimin, shtohen tinguj h, j, v: bela-belaja, kala-kalaja, ide-ideja, afrohem-afrohem. Këtë dukuri nuk e kemi te fjalët: liri-liria, rini-rinia, shtëpi-shtëpia.

NDARJA E FJALËVE NË RROKJE NË FUND TË RRESHTIT – Fjalët njërrokëshe nuk ndahen: bujk, dash, ah, mal, kopsht, lëng, shkëmb etj. Fjalët dyrrokëshe: bo-ta, do-ra, li-si. Fjalët trerrokëshe: po-pu-lli, zha-pi-ni. Fjalë katërrokëshe: xi-xë-llo-nja. Fjalët me dy ose më shumë bashkëtingëllore ndahen: ko-dra ose kod-ra, hu-dhra ose hudh-ra, ka-fsha-ta ose kaf-sha-ta, i vo-gli ose i vog-li etj. Togjet prej tri bashkëtingëlloresh ndahen: lu-ndra,lun-dra, lund-ra. Fjalët me dy zanore njëra pas tjetrës: mi-ell, blu-aj, ku-adër; më-sue-si, i shkël-qye-shëm. Fjalët e përbëra ndahen: nën-shkrim, për-cak-tim. Një shkronjë e vetme nuk mund të qëndrojë as në fund të rreshtit, as në fillim të rreshtit: udha dhe jo u-dha; ba-bai dhe jo ba-ba-i; bu-rri dhe jo bur-ri, do-gja dhe jo dog-ja. Fjalët në thonjëza nuk ndahen: “Gjimnazisti” dhe jo “Gjimna-zisti”. Nuk ndahen fjalët – shkurtesa: ShBA, OKB, NATO, BE.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Interviste

LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT, MODELI I MUNGUAR I LIDERSHIPIT TË SOTËM

May 25, 2024 by s p

Dr. Edlira Çerkezi
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë/

“Pothuajse të gjithë njerëzit mund ta përballojnë fatkeqësinë, por nëse do ta testosh karakterin e një njeriu, jepi atij pushtet.”. Abraham Linkoln (Citim i shkëputur nga libri “Themeluesi”)
Biografia e munguar e Ismail Qemalit, parë nga një vështrim tridimensional i Evarist Beqirit na ndihmon ta shohim ndryshe themeluesin e shtetit shqiptar. Autori i nxjerr tiparet e tij si lidership në dritën e kohës. Sipas autorit në historinë tonë figura e Ismail Qemalit është trajtuar shpesh e cunguar, madje me ftohtësi. Libri i përket zhanrit biznes lidership dhe ofron një qasje që nuk është sjellë më parë në Shqipëri.
“Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Karakteri është thelbi i lidershipit. Edhe zgjuarsia, edhe strategjia luajnë rolin e tyre, por pa karakterin e fortë ato nuk shërbejnë shumë” – shkruan autori. Në librin “Lidershipi i Ismail Qemalit” autori jo thjesht e lartëson figurën e Ismail Qemalit, por e analizon gjatë përmes një strukture që nxit mendimin kritik. Përmes një analize të thellë autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider që “udhëheq me shembullin e vet”, lider vizionar, i përulur, i vendosur dhe me integritet të fortë. Modeli i lidershipit të Ismail Qemalit është modeli i liderit që udhëheq me shembullin e vetë. Siç shprehet edhe vetë autori që në kreun e parë ku flitet për karakterin e Ismail Qemalit: “Disa nga cilësitë e lidershipit të tij i shohim natyrale, disa ai i zhvillon me vetëdije përgjatë jetës së tij. Studimet mbi lidershipin evidentojnë si element thelbësor të këtij procesi liderin dhe kontekstin ku ai bashkëvepron me ndjekësit. Rrethanat shoqërore, historike, politike dhe mjedisi ku lideri vepron kanë rëndësi dhe nxjerrin në pah cilësitë e veçanta të tij.”.
Evarist Beqiri na sjell modelin më të mirë të lidershipit, atë të Ismail Qemalit. Në studimet tona jemi mësuar ta shohim ndryshe të trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Bie në sy marrja në konsideratë e të dhënave të shumta, të rralla e shumë të vyera që studiuesi ka vendosur në fokus të punimit të tij. Një punë tejet e mundimshme , kur bëhet fjalë për analizimin e një figure të jashtëzakonshme si Ismail Qemali, e cila këndvështrohet në disa drejtime.
Sipas autorit, lidershipi, më tepër se një disiplinë shkencore është arti i udhëheqjes së njerëzve nga vetë njerëzit. Kthimi pas në kohë për të ravijëzuar dhe karakterin e personazheve që kanë bërë historinë tonë, si Ismail Qemali, është një mënyrë jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të ndërtuar veti dhe elemente që posedon një lider i vërtetë. Ky libër na sjell modelin më të lartë të një lidershipi. Duket sikur historia grupoi te figura e Ismail Qemalit cilësitë më të mira të liderit, si domosdoshmëri për ta shpënë përpara shtetin shqiptar të pavarur.
Po përse historia nuk na rezervoi liderë të tjerë të ngjashëm me Ismail Qemal Vlorën? Edhe në faqet e këtij punimi duket se kjo pyetje e bren së brendshmi autorin, që jo vetëm kërkon ta ligjësojë modelin e lidershipit të Ismail Qemalit, por edhe të marrë përsipër një analizë tridimensionale e cila e ndihmon autorin ta shohë figurën e tij në një hapësirë më të gjerë, jo vetëm brenda kohës që ai jetoi e punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm.
“Ismail Qemali është lideri transformues, i cili afron diçka për t’u përvetësuar nga brezat e rinj të liderëve dhe te biznesit. Stili i lidershipit dhe filozofia e udhëheqjes së Ismail Qemalit paraqet interes për liderët e tanishëm. Historia e tregon se nuk ekziston asnjëfarë lloj krahasimi midis tij dhe liderëve shqiptarë që pasuan. Ismail Qemal Vlora ishte në radhë të parë një mbrojtës i flaktë i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ishte njeriu që me maturi e mençuri arriti të kryejë aktin sublim të themelimit të shtetit shqiptar”, – thotë Evarist Beqiri.
Duke u fokusuar më shumë tek akti i themelimit, sesa tek qëndresa permanente dhe veprimet koherente të një lideri të vërtetë siç Ismail Qemali ishte. Duke kërkuar nëpër anale të historisë studiuesi hedh dritëhije mbi momente kyçe që kanë shënjuar historinë e Shqipërisë e që lidhen padiskutim edhe me figurën e lidershipit të Ismail Qemalit.
Sipas autorit modeli i lidershipit të Ismail Qemalit nuk është kuptuar sa dhe si duhet. Arti i lidershipit është i vështirë për t’u përvetësuar dhe për t’u mësuar, prandaj studimi i modeleve të udhëheqësve të mëparshëm shërbejnë veçanërisht sot, kur ky model mungon. Ky studim sjell në vëmendje të studiuesve të tjerë modelin e lidershipit historik shqiptar. Ofron mundësi të tjera studimi dhe diskutimi për ta këndvështruar historinë parë nga modeli i lidershipit progresiv siç Ismail Qemali ishte.
Historia e kombeve është shkruar krahasimisht me historinë e liderëve të saj. “Historia e botës nuk është gjë tjetër veçse biografia e njerëzve të mëdhenj”, prandaj për ta ilustruar historinë tonë, rruga më e mirë është për të studiuar njerëzit e mëdhenj që kanë shkruar faqet më të ndritura të histories” – thotë autori.
Studiuesi Evarist Beqiraj besoj se e ka përmbushur qëllimin e studimit të tij. Përmes modelit të lidershipit të Ismail Qemalitna ofron modelin që duhet ndjekur, një model që nuk formohet kurrsesi menjëherë, por që kalon në një rrugë të gjatë të shkollimit, formimit të karakterit të tij, trashëgimisë, vizionit, komunikimit.
Për autorin, lidershipi është një rrugëtim e jo një destinacion. Duke besuar fort se modeli i lidershipit të Ismail Qemalit është modeli i madh që frymëzon sot në më të voglin model të lidershipit të sotëm, mendoj se ky model do të rrugëtojë gjatë në kohë për aq kohë sa të kuptohet. Ismail Qemali është lideri që udhëhoqi me shembullin e vetë në një rrugëtim të gjatë e të vështire duke u lënë brezave modelin e lartë të një lideri që frymëzon drejt lirisë e progresit.
foto: wikipedia.org

Filed Under: Komente

ARMIQËSIA QË PLAGOS PERËNDIMIN

May 25, 2024 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA – “Corriere della Sera”, 17 maj 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Ka një pa-arsyeshmëri të tërbuar në manifestimet me të cilët nga San Françisko në Paris mijra të rinj perëndimorë po pushtojnë universitetet e sheshet për të vërtetuar mbështetjen e tyre për çështjen palestineze. Është e njëjta që, pjesërisht, po shohim në “Intifadën studentore” edhe n’Itali. Është një pa-arsyeshmëri e vendosur të mos i japë as më të voglin kujdes arsyeve të Izraelit. Për ta bota fillon sot: ndodhitë historike – që nga protektorati britanik deri në vendimin e OKB të vitit 1947 mbi lindjen e dy Shteteve, nga refuzimi i menjëhershëm i këtij vendimi nga ana e arabëve deri në serinë e gjatë të luftërave të njëpasnjëshme – gjithshka është injoruar,  gjykuar e parëndësishme  mjaft që të shprehej vetëm e sidoqoftë ajo që është e ngutëshme në shpirtërat e atyre të rinjve: nevoja për të përbindëshuar Izraelin e për t’u vërsulur kundër tij duke e shënuar me gisht si një përqëndresë  shpirtligësish.

Por nëse synimi i vërtetë mos të jetë në të vërtetë ai që çirret në kupë të qiellit, nëse nuk do t’ishte Izraeli, por një tjetër? 

Lëvizjet e të rinjve  gjithmonë, në fund janë të drejtuar kundër babait. Kundër komandës së tij që detyron bindjen ndaj normave e roleve të shoqërisë, që paraqitet detyrimisht si një lloj tredhjeje të dëshirës seksuale ose të plotfuqisë së bijve. 68-ta mëson. Por me përjashtim të pak grupeve, bijtë kryengritës të atëhershëm  frymëzoheshin sigurisht nga ide, libra, miklime. Megjithëse vendoseshin në kundërshti të rendit qenësor, ishin pjesë integrale e pasurisë kulturore ideologjike të botës së etërve. Marksi, Frojdi, Marcuse, Foucault, Laing, Niçe, Lévi-Strauss mund të viheshin më së miri n’atë që mbas njëzetë vitesh Allan Bloom do t’a quante “Kanuni perëndimor”. E njëjta gjë, në një farë mënyre mund të thuhej edhe për Leninin, madje edhe për Stalinin.

Ndërsa ai që është e ri dhe i jashtzakonshëm është fakti – në mënyrë shëmbullore i dukshëm në universitetet amerikane – që kryengritja rinore kundërizraeliane e sotme jo vetëm nuk shkërben asnjë lloj norme kulturore, aq më pak perëndimore, asnjë tekst, asnjë libër, por prapatoka e saj qëndron e gjitha në një fushë programatikisht e rrënjësisht armiqësore ndaj Perëndimit si i tillë. Në thelb protagonistët e saj e përdorin Izraelin thjesht si një simbol, si një dash për kurban. Sulmojnë Izraelin për të shprehur mospranimin e tyre kundrejt Perëndimit, historisë së tij, vlerave të tij, themeleve të antropologjisë së tij – që nga rendi i dyshgjinisë tek prindëria e themeluar mbi praninë e një burri e të një gruaje.Për secilën nga këto gjëra vihet nën padi karakteri i pandehur gënjeshtar, shtypës.

Në të vërtetë, pra, ajo që lajmërojnë manifestimet e gjithë këtyre muajve, “Inttifada studentore” e afërt, mijra thirrjet “ Palestine will be free from the river to the sea”, është një ndarje e mundëshme e Perëndimit nga bijtë e tij. 

Por nëse ata nuk arrij t’i njoh më, faji nuk është vetëm i tyre. Ndoshta është  edhe i faktit se prej kohësh  në një lloj dëshire vetëshkatërrimi, Perëndimi ka shkuar duke humbur kuptimin e historisë së tij, pra  edhe identitetit të tij. Sepse Perëndimi ka arritur në një pikë në të cilën nuk qëndron më në asgjë. Të gjithë nyjet e lidhura në dhjetëvjeçarë të gjatë po ngecin në krëhër: arsimi dalëngadalë copë copë është tashmë pothuajse i paqënë, zhdukja pasuese e traditës kulturore, ngërdheshja që shoqëron çdo propozim konservator, i barazuar në dy këmbë si një propozim reaksionar; mënjanimi i bashkuar me dënimin e çdo trajte antropologjike të së shkuarës si “e kaluar” e anasjelltas përkrahjen e çdo gjëje të re sepse është e re, edhe se të papërdorur, të çuditëshme, ”eksperimentale”: pastaj fundi i çfarëdo edukimi sentimental të njerëzve, pakuptimësia thelbësore shoqërore e marrëdhënies burrë grua, brejtja e kuptimit të atësisë e të mëmësisë, shthurja e lidhjeve familjare e të bashkësisë, rënia e çfarëdo institucioni, ideje ose politike që synon të projektojë personin  në një përmasë përmbi individuale. A nuk duket në këtë dritë sot Perëndimi? Sigurisht ; edhe shumë të drejta e një mirëqënie e mjaftueshme. Por çfarë tjetër përtej kësaj? E megjithatë përse Izraeli  atëherë? Përse hebrejtë? Përse të kemi inatin me ta? Sepse në skutat më të fshehura të psikës njihet se si janë gjërat. Sepse hebraizmi rikujton menjëherë një zanafillë: zanafillën. Është prej aty që në një farë mënyre vijmë edhe ne, është aty në një farë mënyre edhe zanafilla e jonë, ajo e Perëndimit. “Shpirtërisht ne jemi semitë”: mund t’a përsërisim edhe neve atë që tha një papë, kur bëhej fjalë për t’i u kundërvënë zotërijve të kryqit të thyer, urrejtës të qytetërimit perëndimor të cilët, jo rastësisht, shihnin tek hebrejtë, pikërisht për këtë, armikun kryesor për të asgjësuar. Bijtë e Perëndimit që për fajet tona nuk duan të njihen më në të që nga çasti që shohin në të vetëm të keqen, e që rebelohen duke dshur t’a shkatërrojnë, edhe ata , megjithë mangësinë që i karakterizon  e nuhasin si janë gjërat. Nuhasin se nëse duhet vërtetë të shpërbëhet Perëndimi, siç duan të bëjnë ata të rinj, duke larguar peshën e një atësie të gjykuar të padurueshme, atëherë ajo atësi duhet goditur në zemër, në burimin e saj. Pikërisht duke u çjerrur vdekje Izraelit, vdekje sionistëve…..

“Corriere della Sera”, 17 maj 2024 – Përktheu Eugjen Merlika.    

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT