• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Test, Kuark dhe Torah

May 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Thomas Edison administroi një test inteligjence me 146 pyetje për punonjësit e ardhshëm.
Thomas Edison kërkonte shumë nga punonjësit e tij dhe donte të siguronte që të punësonte vetëm individët më të ditur. Për ta bërë këtë, kompania e tij administroi një test të gjatë për të gjithë të punësuarit e mundshëm, që përmbante 146 pjesë të vogla në dukje të rastësishme. Kuizi përfshinte pyetje të tilla si: “Cili është kryeqyteti i Pensilvanisë?” dhe “Çfarë drithi përdoret në të gjithë botën?” Shumë njerëz që u intervistuan për një punë në kompaninë e Edison-it e quajtën testin si të pamundur për t’u kaluar. Edhe vetë djali i Edisonit, student në MIT, dështoi në provim, ashtu si Albert Einstein, i cili iu nënshtrua testit pasi u botua në gazetë. Pavarësisht kritikave, Edison e mbrojti pyetësorin si një domosdoshmëri, duke thënë se çdo mungesë memorie nga punonjësit e tij i kushtonte kompanisë 5,000 dollarë (afërsisht 86,000 dollarë sot).
***
Blloku ndërtues i fizikës teorike është kuarku, i cili është një lloj grimce dhe një komponent themelor i materies. Në vitin 1964, fizikani Murray Gell-Mann e dinte se ai donte t’i shqiptonte grimcat e tij të zbuluara rishtazi si “kwark”, por vendosi drejtshkrimin “kuark” pasi lexoi “Tre kuarkë për Muster Mark!” në romanin “Finnegans Wake” nga James Joyce. Ekzistojnë lloje të ndryshme kuarkesh (të njohur edhe si “shije”). Nëse jeni në Evropë, mund të hani edhe një pjatë me kuark, një produkt qumështi që njihet si “gjizë”.
Në fizikë, çdo nga një numër grimcash nënatomike që mbartin një ngarkesë elektrike të pjesshme, quhet ‘kuark’. Kuarkët nuk janë vëzhguar drejtpërdrejt, por parashikimet teorike të bazuara në ekzistencën e tyre janë konfirmuar eksperimentalisht.
Gjatë shekullit të 20-të, shkencëtarët zbuluan protonin, elektronin, neutronin dhe kuarkun.
Një mikroskop i zakonshëm nuk është aq i fuqishëm sa për t’ju treguar një kuark.
***
Qeniet njerëzore duket se kanë një prirje të natyrshme për të kërkuar rendin dhe simetrinë edhe në kaos. Ata gjejnë kafshë të fotografuara në retë që kalojnë, fytyra në rrezet e diellit që godasin xhamat e dritareve dhe figura njerëzore në formacione shkëmbore natyrore. Duke qenë kështu, është e natyrshme që ata të kërkojnë kode të varrosura në tekstet e lashta.
Zanafilla 1:1–4. Biblia Hebraike.   Katër shkronja, 50 shkronja larg njëra-tjetrës, duke filluar nga në vargun e parë, formojnë fjalën
Torah (shqip ‘të ra, të reja’, si një libër sjell informacion mbi krijimin e botës dhe historinë e hebraikëve.
Michael Drosnin, autor i The Bible Code dhe The Countdown, pretendon se ka zbuluar një kod sekret të fshehur brenda shkronjave dhe frazave të librit më të njohur në botë. Nëse është e vërtetë, implikimet janë tronditëse. Kjo do të thotë se një vetëdije e mbinatyrshme, ose, së paku, një entitet shumë i zhvilluar nga një qytetërim i lashtë qoftë në tokë apo gjetkë në galaktikë, kishte aftësinë për të parashikuar të ardhmen dhe u përpoq të paralajmëronte njerëzimin në një mënyrë krejtësisht përtej të kuptuarit aktual.

Filed Under: ESSE

30 VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË  

May 1, 2024 by s p

Për herë të parë bëhet përurimi i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në Panairin III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Tiranë

MSc. Albert HABAZAJ 

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe koordinator institucional i Panairit 

1. Shkurtesë

Viti 2024 është viti i festimeve të 30 vjetorit të çeljes së Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që do të kulmojnë me festën jubilare më 3-4 Tetor 2024. Përgatitjet kanë filluar me kohë me ngritjen e Komisionit të Festës në rektorat, ku marrin pjesë pedagogë të njohur nga të katër fakultetet, si dhe staf nga administrate: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.as.dr. Frosina Londo, prof.as. dr. Kristofor Lapa, Msc. Albert Habazaj, Rezarta Sinanaliaj Harikla Beduli, Roksana Novak, Gentjana Belulaj, Marieta Mërkuri dhe Eloina Tozaj, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, që ka hartuar programin e punës, ka ndarë detyrat për secilin anëtar dhe të gjithë si grup dhe ka nisur punën me takime me titullarët dhe pedagogët e vjetër për t’u marrë kujtimet e tyre, si dhe për grumbullimin e materialeve, fotove, videove e dokumenteve origjinale, (dorëshkrime, vendime, urdhëra etj.) që kanë të bëjnë me fillimin e Udhëtimit Universitar të Vlorës ismailqemaliste, krijimin e një minimuzeu, arkivit historik, botimit të një almanaku, broshure të vogël, librit të Universitetit, filmit dokumentar, Akademi nderimi etj. Ka filluar e ndihet atmosfera e festës, e cila shfaqet në entusiazmin dhe përgjegjësinë e pedagogëve dhe stafit  në departamente, laboratore, biblioteka e deri në auditoret e studentëve. 

2. Fjalëza si historik 

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik i Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete: Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.

Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në 8 Nëntor 1924 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970-1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë vështrime shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.

Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, deri në përfundimin e mandatit të dytë.

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të  Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Gjatë periudhës 30-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Aktualisht në Universitetin e Vlorës janë 4154 studentë. Deri tani janë diplomuar rreth 12 mijë studentë në të tre nivelet e studimit. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Hmane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

Në këtë 30 vjetor, studentët tanë janë të pajisur me Kartën e Studentit, e cila do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës, ndërkohë që ata marrin një shërbim arsimor universitar cilësor dhe bashkëkohor.

Sikurse të gjithë IAL publike shqiptare, edhe ne synojmë modernizimin e universitetit tonë, përmes politikave me impakt të drejtpërdrejtë në institucion, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Festa dhe e nesërmja e studentëve tanë kërkon nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Lecce, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për studentët, sepse ai është i akrediturar dy herë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisësë Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe Bordi i Akreditimit, Gjithashtu, të gjithë programet e ciklit të parë Bachelor janë të akredituara dhe në proces akreditimi (drejt finalizimit) ndodhen programet e ciklit të dytë Master Profesional e Shkencor. Kjo ju jep mundësinë fëmijëve tanë që të vijojnë serizishtë studimet në një Institucion si UV, ku diploma ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Përmes marrëveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, studentët mund të zhvillojnë pjesë të studimeve (semestrale) në një prej këtyre institucioneve dhe kostoja e studimeve nuk do rëndojë mbi buxhetet familjare, por do të mbulohet nga programi Erasmus+. UV ka disa vlerësime ndërkombëtare në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës, Universiteti i Pireut etj.

UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar dhe me përvoja pune ndërkombëtare

3. Përurimi i Universitetit

Përurimi i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u realizua me sukses, duke respektuar ekonominë e fjalës dhe kohës sipas programit. Kjo ngjarje e rëndësishme akademike – shkencore u zhvillua në mjediset kryesore që ka Akademia e Shkencave në sallën “Aleks Buda” më 24 prill 2024, nga ora 15:00 – 16:00. Prania e Kryetarit të Akademisë Akad. Prof. Skënder Gjinushi, e Nënkryetarit të Akademisë, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Panairit III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore Akad. Prof. Vasil Sofokli Tole, e Rektorit të Universitetit Ismail Qemali Vlorë prof. dr. Roland Zisi, prof. dr. Bardhosh Gaçe, e prof. Teuta Toska, prof. Rovena Vata Mikeli, i kolegëve Petro Luarasi , Pandeli Kosta Elton Brakaj etj. qe lartësi për ravijëzimin nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë në Akademinë e Shkencave. Mirënjohje Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë – UV! Faleminderit prof.as.dr. Monika Hasani (shefe e Departamentit), pedagogëve të nderuar dr. Ermir Xhindi, dr. Artan Xhaferaj, prof.as.dr. Gladiola Elezi, prof. as. dr. Edlira Duro Cerkezi, dr. Edlira Dhima, dr. Deniz Cupi Xhoga, si dhe dr. Asllan Vrapi, Msc. Ana Çano etj.! Patjetër prania e pedagoges së Departamentit, dr. Bello Vilma, sot Zëvendës Ministre e Turizmit e hijeshon Panairin e Vlorës në Tiranë. Ndërkohë, kujtojmë, se është hera e parë që në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëhet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Njihet dhe dihet roli i individit në shoqëri. Në rastin konkret, roli i pedagogut, studiuesit dhe Rektorit të Universitetit tonë prof. Landit nuk ka nevojë për koment, por për falënderim institucional dhe motivim. Gjithmonë qofsh me faqe të bardhë UNIVLORA!

Festimet e 30 vjetorit të lindjes, i dashur universiteti im i nise me një veprimtari të rëndësishme të nivelit akademik dhe shkencor, duke u përfaqësuar denjësisht në botën akademike mbarëkombëtare. 

Është nder dhe përgjegjësi për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë që merr pjesë në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që zhvillohet në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Është vlerësim dhe fatmbarësi që Universiteti ynë përurohet ditën e dytë sipas programit të Panairit të 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor këtu në sallën “Aleks Buda” në këtë ngjarje të rëndësishme për botën akademike dhe universitare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e kudo nëpër botë, ku ata ndezin dritë kombëtare.

Është krenari dhe motivim që në përurimin e Vlorës në Tiranë tregojnë interesim dhe  marrin pjesë akademikë, profesorë, pegagogë, autorë, studiues, bibliografë, katalogues, specialistë dhe kolegë përgjegjës të bibliotekave!

Si koordinator institucional i Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë shpreh mirënjohjen për Akademinë e Shkencave e Shqipërisë, për kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushi, nënkryetarin Vaso Tole, i cili është drejtues i kësaj ngjarje të madhe akademike dhe shkencore, për sekretaren teknike Albana Bogdani, dhe veçanërisht për dr. Bruna Prifti, me të cilën kemi pasur një komunikim shumë korrekt dhe dashamirës gjatë gjithë ditëve parapërgatitore për mbarëvajtjen e panairit. 

Ne, si universitet, kemi marrë pjesë dhe në Panairin I, Tiranë, 22-24 prill 2022, me një paraqitje modeste; ndërsa sivjet, krahas 36 institucioneve kërkimore dhe IAL, ku përfshihen institucione të arsimit të lartë publikë, jo publikë dhe privato-publikë, institute dhe qendra shkencore publike, Shqipëri,  në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ente botuese jopublike etj., vijmë me botime të ndryshme, si monografi shkencore të pedagogëve dhe stafit, në funksion të edukimit universitar të studentëve dhe në dobi të punës akademike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional. Gjithashtu në këtë panair vijmë me buletine shkencore, përmbledhje konferencash, seminare apo edhe botime monografike të studentëve tanë në përfundim të programit të studimit të masterit, që, për ata të cilët kanë synime për të nesërmen e tyre, janë sprova serioze e inkurajuese në fushën e kërkimit shkencor, aq më tepër që është hera e parë që Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës përurohet në Tiranë, në Akademinë e Shkencave. Njihet nga dialektika roli i individit në shoqëri në hapësirë dhe në kohë, kështu ndodh sot me universitetin tonë dhe rektorin e tij

Ne, si universitet, me Akademinë jemi fatlumë për dy arsye: së pari, sekretarin e Akademisë ne e kemi pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe gëzon statusin “Personel Akademik i ftuar” dhe, siç do ta vëreni, Akad. prof. Shaban Sinani ka të regjistruar 23 njësi bibliografike në “Bibliografinë e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II; së dyti vërtet monografia shkencore “Studime ndërdisiplinare në albanologji” është juaja, se është botim i ASHSH, por autori është yni, sepse e kemi pedagogun tonë dhe Rektor të Universitetit.

Sipas kalendarit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorës ka dy përurime:

• Studime ndërdisiplinore në albanologji – Prof. dr. Roland Zisi;

• Bibliografia e Universitetit Ismail Qemali, Vlorë. Pjesa II, (2006-2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj. 

Në panel: Prof.dr.Roland Zisi, Akad. Vaso Tole, Msc. Albert Habazaj;

Drejton: Albert Habazaj

Paraqesin botimet: Prof. Teuta Toska, akad. Vasil S. Tole, Dr. Ermir Xhindi, prof. dr. Bardhosh Gaçe (akad. Shaban Sinani i planifikuar, për arsye detyre nuk mundi të mirrte pjesë me kumtesën e tij),  Msc. Albert Habazaj, Petro S. Luarasi;

– Falënderon autori i librit “Studime ndërdisiplinore në albanologji” prof. dr. Roland Zisi

4. “Studime ndërdisiplinare në albanologji” i autorit Roland Zisi, një botim i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë  

– Autori i librit “Studime ndërdisiplinare në albanologji”, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2024 është prof. Roland Zisi, pedagog dhe studiues i njohur i letërsisë shqipe, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, i cili edhe pse është në epilog të detyrës, ka po atë përgjegjësi, vizion e ndershmëri profesionale, sikurse në epilogun e datës 27 maj 2016, 8 vjet më parë, kur fitoi postin e lartë të drejtuesit të universitetit të Vlorës.  

– Libri përmban 17 studime, kryesisht në fushën e studimeve letrare, me karakter historiografik – interpretues, disa prej tyre me karakter krahasues. Përparësi kanë studimet për autorë shqiptarë, por zënë vend edhe shkrimtarë të njohur joshqiptarë, përveç Albert Camu-s, një grupim i shkrimtarëve frëngjishtshkrues, autorë magrebin, si Tahar Ben Jelloun, Yasmina Khadra, Kamel Daoud, Boaulem Sansal, Salim Bachi,  etj, të shqipëruar nga Prof. Nonda Varfi

– Paraqesin interes disa çështje specifike të hermeneutikës, që lidhen me letërsinë shqipe, sidomos me tre shekujt e parë të saj, si bilinguizmi (prania e një gjuhe të dytë “sigurie kanonike”, autopërkthimet etj.). Në këtë kontekst profili i kolegut të tij Nonda Varfi në pjesën e veprimtarisë si përkthyes është “i privilegjuar” me dy artikuj.

– Autori synon ta lexojë letërsinë shqipe “nga majat”, dhe këtu çmohen studimet për Naim Frashërin dhe “utopinë e tij atdhetare – romantike”; Dritëro Agolli me “utopinë tjetër”, ideologjike; Ismail Kadare me simbolikën e shenjave perandorake në veprën letrare të “ciklit oriental”.

– Lidhjet mbiadriatike të letërsisë shqipe, kontaktet pararilindëse të arbëreshëve me tokën e të parëve, misionarët basilianë si zhvillim ekumenik kulturor dhe fetar, janë disa prej interesimeve parësore të autorit.

Bashkëpërkimet ndërballkanike në letërsi e kulturë trajtohen jo si afërì rastësore, por si rregullsi të krijuara nga fqinjësia e gjatë dhe empatia.

– Duket në këtë libër përvoja e gjatë e autorit si studiues i letërsisë romantike të shekullit XIX dhe i dy periudhave të mëvonshme. Risi në këto studime është qasja antropologjike ndaj letërsisë, leximi i saj me kodet e metodës së antropologjisë kulturore, sidomos në trajtesat e letrësisë frankofone magrebine dhe shqipëruesit të saj Nonda Varfi. Autori Zisi, përveç punës shkencore të mirëfilltë dhe të vëmendshme, ka një virtyt të lartë human: Mirënjohjen, saqë ai guxon e bën edhe një sprovë bibliografike me listimin e v epërës së shqipëruesit, pedagogut dhe studiuesit të njohur Nonda Varfi.

– Libri u shërben programeve të mësimdhënies universitare dhe bashkësisë së studiuesve të letërsisë.

5. Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II në Panairin III Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, 23-25 prill 2024) 

Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II

Paraqitje/ Shkurtore

BIBLIOGRAFIA e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Pjesa II (për periudhën 2006-2023) ka këtë staf realizues: përgatiti: MSc. Albert Habazaj; redaktorë: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.dr. Roland Zisi; autor i parathënies (tekstit shtesë) prof. asoc. Enkelejd Mëhilli; konsulentë: prof. dr. Albert Qarri, prof. as. dr. Armela Panajoti, prof. as. dr. Aurela Dai Saliaj, prof. as. dr. Hajdar Kiçaj, prof. as. dr. Frosina Londo; koordinator shkencor: MA. Mirlona Buzo; përpunimi kompjuterik/ d-COBISS: MSc. Altin Mahilaj; © Universiteti “Ismail Qemali”: Vlorë, Triptik, Botim i parë, 2023, ISBN 978-9928-379-8-25 

Ky dokument është një përmbledhje e klasifikimit dhe përshkrimit shkencor e sistematik të informacionit nga botimet e ndryshme (libra të pedagogëve dhe studiuesve tanë) ku përfshihen të gjitha fushat e dijes (përveç fesë, teologjisë), është fryt i një pune të gjatë, sistematike, të vëmendshme dhe serioze, një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë; ndërkohë dhe ndihmesa ime e thjeshtë në fushën e Bibliotekonomisë, falë vullnetit, përgjegjësisë dhe dashurisë profesionale, që vjen si vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006).

Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri.

Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike), nga të cilët 62 monografi shkencore dhe 117 tekste mësimore.

Ndihem mirë për këtë realizim të mundimshëm, por, ndërkohë, me synime, dëshirë e mundësi për të bërë edhe Bibliografinë e artikujve shkencorë, botuar në Buletinet shkencore: Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nga nr. 1 (2002- ) e në vijim ( – 2024), si dhe disertacionet për gradën shkencore “Doktor i Shkencave” të pedagogëve të Universitetit tonë.

***

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023) botohet në bazë Vendimit Nr. 31, datë 13.12.2022 të Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 31, datë 13.12.2022, me Nr. 1974/4 prot. dhe në mbështetje të Vendimit Nr. 3, datë 24.01.2023 me Nr. 140/3 prot. “Bibliotekat sigurojnë akces në informacion dhe në ide pavarësisht nga mjedisi dhe pa njohur kufij. Ato shërbejnë si porta drejt dijes, mendimit dhe kulturës, duke ofruar mbështetje për vendimarrje të pavarur, zhvillim kulturor, studim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës për individë dhe grupe” (shih: Rezoluta e IFLA-s për bibliotekat, shërbimet informuese dhe lirinë intelektuale, Glasgoë, 2002). Bibliografia e teksteve mësimore universitare, monografive shkencore, monografive të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II (2006- 2023) është vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006). Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Dritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro, Agron Xhagolli etj. që, në në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë kanë pasur apo gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem. Formati i përzgjedhur i njësisë bibliografike: ISO 690. Klasifikimi i njësive bibliografike: tipologjia, viti, titulli Burimi i regjistrimeve bibliografike: Baza lokale e të dhënave me akronimin UVL dhe baza e përbashkët e të dhënave COBISS.AL/ COBIB.AL Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë – Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: tekste mësimore universitare, monografi shkencore, monografi të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve: pjesa II (2006-2023)

6. Bibliografia – një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë 

(parathënia e bibliografisë)

Prof. Asoc. Enkelejd MËHILLI 

Zv. Rektor për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë është një tekst i veçantë, unikal për intitucionin tonë të lartë arsimor. Ky tekst është një shërbestari modeste në fushën e dijes së bibliotekonomisë, ku hartuesi, duke respektuar parimet, kriteret dhe metodat e përshkrimit dhe klasifikimit bibliografik ka bërë me korrektesë profesionale klasifikimin dhe përshkrimin shkencor e sistematik të botimeve libra për t’ua bërë të njohura të tjerëve. Kjo Bibliografi është një punë e vlefshme, së pari për ndërkombëtarizimin e punimeve shkencore të koleksionit libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Ky dokument përmban të gjitha tekstet mësimore dhe monografitë e publikuar nga pedagogët e UV për periudhën 2006-2021 [2023]. Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike) nga të cilët 62 monografi dhe 117 tekste mësimore. Paralelisht ato prezantohen sipas metodës sistematike në rendin alfabetik (autor, titull), duke hartuar një bibliografi të plotë të formatuar sipas të gjitha rregullave dhe teknikave profesionale të kërkuara, përshkruar me saktësi dhe plotësisht, bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkta Bibliografike Online (COBISS). Bibliografia Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2021[2023]) është një punë e gjatë, sistematike dhe serioze e MSc. Albert Habazaj, specialist i fushës, realizuar me metodologjinë e zgjedhur prej tij: shfrytëzimi i informacionit bibliografik ekzistues të skedarëve të Bibliotekës shkencore të universitetit dhe të fakulteteve, shqyrtimi një për një i të gjithë titujve të grumbulluar për të regjistruar njësitë bibliografike dhe lidhjen e tyre profesionale, logjike e shkencore për realizimin e Bibliografisë ose librit të librave, duke iu përgjigjur kërkesave bashkëkohore të përshkrimit bibliografik me standardin e lartë të informacionit ndërkombëtarisht të përputhshëm. Kjo bibliografi me tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit është vijim i tekstit “Bibliografia: Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë (1994-2006)” dhe vjen si një ndihmesë e domosdoshme e kohës për Strategjinë e Kërkimit Shkencor të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

ASHSH;Tiranë, e mërkurë, 24.04.2024; 15:00

Filed Under: Analiza

Piana degli Albanesi, Palermo\Itali – Reportazh mbi Masakrën e Portellës 1 Maji 1947

May 1, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe themeluar  në 1980 nga A. Bellushi  /

Masakra e Portellës, Piana degli albanesi, Palermo\Itali, më 1 Maji 1947. Sot mbushen 77 vjet, nga ajo  ditë e zymtë e 1  Majit, që nisi si një  manifestim paqësor, por që ngelën 11  veta pa jetë, prej të cilëve shumica arberesh, fëmije, gra burra, si  edhe  50 të plagosur. Me miqtë e shoqatës Hora e Skënderbeut nisemi nga aeroporti i Palermos për Hora e Arbëreshëvet në Sicili. Misoni ynë është i dyfish; promovimi e librit “Arbëreshët  Fotosintezë e shpirtit tim” të mikut tonë Rexhep Rifati si edhe promovimi i shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbe, dhuratë e diasporës  Kosovare  të vëllezërve arbëreshë në Piana degli albanesi. 

Rruga për në Portella 

Distanca nga Palermo në Piana degli albanesi është rreth 24 km. 

Rruga  është gjithë kthesa, për shak të relievit të saj kodrinor. 

Jo shumë largë në kryqëzimi për në Sciacca, gjendet një urë e lartë, impresionuese,  si  për lartësinë e saj, dhe rrezikshmërinë që paraqet ajo. Thuhet që kushtet e saj janë fryt i mafjes në Palermo. 

Përshkojmë këtë rrugë, rreth 10 km larg shfaqet Portella. Vendi është një kodrinore e shveshur shkëmbore dhe e rrahur nga erërat.Thuhet se banorët e parë arbëresh si fillim ndaluan atje, por ku panë kushtet atmosferike zbritën më poshtë, atje ku gjenden edhe sot. 

 Historia e Portellës 

Ishte 1 maji i vitit 1947 ishte planifikuar një manifesitim paqeje me pjesëmarrjen e qytezave; Piana degli Albanesi, punëtorët e San Giuseppe Jato si dhe San Cipirello.

Manifestimi kishte si qëllim  kundër pronësisë së tokave në favor të pushtimit të atyre trojeve të papunuara, por edhe për të festuar fitoren e rëndësishme zgjedhore të arritur më 20 prill të po atij viti, rezultatet e së cilës i bënte fshatarët të etur për një reformë agrare nga Asambleja Rajonale e Siçilisë.

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240428-WA0014.jpg

Atë mëngjes të 1 Maji rreth orës 8 e 30, grupi i burrave me kuaj mbrrijnë në malin “Maja”, ndërsa grupi i udhëhequr nga  Salvatore Giuliano po ngjitej në malin “Pizzuta”. Nga  fraksionet; San Giuseppe Jato, San Cipirello dhe Piana degli Albanesi, njerëzit  kishin dalë  nga  shtëpitë e tyre për të manifestuar,  dhe qëndronin në radhë për të arritur në Cippo di Barbato,një monument i vogël që kujton Nicola Barbato, arbëresh, përfaqësues i “Fashit sicilian” në 1893,  zgjodhi Portella e  Ginestra (vendodja e saj rreth 10 km larga nga  Hora e Arbëreshvet) për të festuar 1 majin. 

Rreth dy mijë punëtorë, u mblodhën në Portella të Gjineshtrës. Ishin kryesisht fermerë, të lugina se Grykës së Spartavet për të demostruar kundër landlordismit. 

Familje të tëra  kishin marrë pjesë në tubim, dhe më pas do ta kalonin ditën së bashku jashtë si në një pic-nik.  Giacomo Schirò, arbëresh, me profesion  këpucar dhe sekretar i seksionit socialist të San Giuseppe Iato sapo kishte filluar të fliste kur, befas,  u dëgjuan breshëri mitralozi  të cilata filluan nga kodrat aty pranë. Të pranishmit i shkëmbyen fillimisht ato të shtëna me shpërthime si fishekzjarrë, por shumë shpejt, kur ranë viktimat e para, kuptuan se festa po kthehej në një masakër.Të frikësuar, të tmerruar, njerëzit filluan të iknin dhe vraponin në kërkim të ndonjë strehe kundër tërbimit të vazhdueshëm dhe të dhunshëm të të shtënave. Britmat e tmerrit, thirrjet për ndihmë, vajtimet, lotët, përgjërimet, mallkimet oshëtinin në luginën. 

Masakra e Portellës dhe viktimat e saj 

Salvatore Giuliano, dhe banda e tij mafioze, atë ditë  lanë të vdekur 11 viktima, shumica e tyre arbëresh, femijë, gra, burra, si edhe  50 të plagosur. Një nga krimet më të turpshme kundra njërëzve të pafajshëm. Një krim me karakter politik dhe ideollogjik, i cili ka mbetur i pandëshkuar.  Midis tyre, është edhe emri nje vogelueshe, Vincenza La Fata (8 vjece).  

Margherita Clesceri – 37 vjeç

Giorgio Cusenza – 42 vjeç  

Giovanni Megna – 18 vjeç 

Francesco Vicari – 22 vjeç

Vito Allotta – 19 vjeç

Serafino Lascari – 15 vjeç

Filippo Di Salvo – 48 vjeç

Giuseppe Di Maggio – 13 vjeç

Castrense Intravaia – 18 vjeç

Giovanni Grifò – 12 vjeç

Vincenza La Fata – 8 vjeç

Foto. Momente nga funerali i martirëve arbëresh rënë në masakrën e Portellës. Në foto janë mëmat arbëreshe, gjatë funeralit të bijëve të tyre. 

Dritë- hijet mbi këtë masakër 

Kjo histori kaq e hidhur, futet në ato proçeset gjyqësore më të komplikuara që ende sot nuk ka qartësi të plot për këtë masakër.  Procesti  gjyqësor i  masakrës së Portellës   filloi në qershor 1950 e përfundoi në 1952. Gjyqi u bë në Viterbo\Itali  dhe zgjati me 217 seanca; ku dolën 31 të pandehur, të cilët ishin të ndarë në “dy kafaze” të dallueshme: 

njëri grup të ashtuquajturit “picciotti” dhe  grupi tjetri për anëtarët e vërtetë të bandës. 

Grupi i parë u shpallën të pafajshëm se ishin pjesë e bandës, të konsideruar “në gjendje të nënshtruar”,ndërsa grupi  tjetër u dënuan me burgim të përjetshëm. 

Risitë mbi të vërtetën e kësaj ngjarje, dhe shtypi i kohës 

Të rejat mbi këtë ngjarje të hidhur përfaqësohen nga tezat e dy historianëve;Giuseppe Casarrubea dhe Nicola Tranfaglia. 

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga dy historianët, Salvatore Giuliano nuk do të kishte qëlluar mbi Portellën, por ishte i rrethuar nga  katër grupe zjarri.  Shtypi i kohës  botuan artikuj që vërtetonin këtë teori. La stampa  e 3 majit 1947 thotë: 

“Shkarkimet e mitralozit nga kreshtat e varura të Pizzuta-s dhe Kometës( janë dy malet që rrethojnë Piana degli Albanesi” goditën vendin e tubimit [II] Një zjarr i fortë i kryqëzuar zgjati për njëzet minuta, ndërsa turma u shpërnda në garë në të gjitha drejtimet”. 

[III] La Stampa e 3 majit 1947 raportohet; ” Nga Monte Cometa\ Mali Kometës, kriminelët e tjerë ishin me armë në këmbë, të gatshëm për t’u dhënë mbështetje shokëve të krimit nëse turma do të tentonte një reagim “. 

[IV] Gjykimi. Nga sa është gjetur në dosjet voluminoze, masakra konsiderohet si “element i frenimit të komunizmit” dhe shfaqje lidhjesh mes mafias, shërbimeve sekrete amerikane dhe qarqeve neofashiste.

Kush ishte Salvatore Giuliano? 

Salvatore Giuliano rridhte nga  një familje fshatare relativisht e pasur. Babai, i tij detyruar të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arriti të blinte disa toka dhe ishte kthyer, pikërisht në vitin e lindjes për kultivimin e tyre. Në krye të një bande të armatosur, për disa muaj ai shfrytëzoi koperturën  EVIS,(Ushtria Vullnetare për Pavarësinë e Sicilisë) krahu  armatosur i Lëvizjes Pavarësia Siçiliane. 

Gaspare Pisciota,  mendohet të ketë tradhëtuar, Giulianon, i cili  edhe dhe Ai vdes i helmuar në burg. Të dy mafiozët nuk janë origjinë arbëreshe. 

Popullsia e këtyre zonave thonë: Kështu kanë funksionuar gjërat në këto anë. Një herë të premtojnë Amerikën, herën tjetër të premtojnë ujë, rrugë, shtëpi, herën tjetër nuk të premtojnë asgjë dhe ti hesht. Kudo që Sicilia donte të shkonte, mafia  qëndronte paralele. Kur bëhet fjalë për diçka si mafia, nuk mund të jesh i sigurt për asgjë. Gjëja më e sigurt në këtë histori është se shumë të pafajshëm vdiqen, por edhe vetë Giuljano. 

Kush e vrau Salvatore  Giulianon? Dhe kush duhej ta vriste? 

Ai është bandit, dhe e  vrau policia e shtetit! Të paktën kështu shkruhej në raport: Ai dhe ata të bandës së tij e panë veten të rrethuar dhe u përpoqën të arratiseshin, por ndërsa të tjerët u dorëzuan, pak më vonë, Giulianon iu desh ta ndiqnin, derisa u kthye për të qëlluar duke humbur policët. Më fund një kapiten e qëlloi me një breshëri automatikësh pas shpine. E fotografuan kështu, në bark, me gjithë gjakun në këmishë të poshtme. Sa keq që vrimat e plumbave nuk ishin në shpin,  por ishin në bark”- kështu shkruante një gazetar i cili u ndodh aty, pas vrasjes së Giulianos.

C:\Users\iljas\Downloads\Salvatore-Giuliano-933x400.jpg

Shumë opinione të shtypit të asaj kohe shkruajtën: Salvatore Giuliano nuk ishte thjesht një bandit i cili u ndihmua nga mafia por një mafioz, i cili ishte pjesë e organizatës kriminale Cosa Nostra dhe se banda e tij nuk ishte asgjë më shumë se “një organizatë terroriste e Mafies”.

Giuliano qëlloi personalisht mbi turmën e pambrojtur të grave, fëmijëve, pleqve dhe fshatarëve me urdhër të mafias dhe agrarëve për të ndaluar lëvizjen e parë masive antimafia në historinë e Italisë që luftoi për të drejtat e punëtorëve, reformën agrare dhe për eliminimin të mafies nga fshati Sicilisë. 

Më 5 korrik 1950, në Castelvetrano, vdiq Salvatore Giuliano. Një vdekje e mbuluar me mijëra mistere. Një gjë është e sigurt: Turiddu\(pseudonimi i tij),ishte një bandit sicilian, dhe se atë ditë 1 Maji 1947, populli arbëresh së bashku me popullsinë vendase ishin ngritur paqësisht për të drejtat e tyre. 

Në lëndinën ku ndodhi masakra gjejmë edhe këtë gurë, shkruar në dialektin siçiljan.

Artistët arbëresh nuk qëndruan indiferent ndaj kësaj masakre.

Edhe sot bota arbëreshe nuk ka harruar  Portellën. Sa herë që shkel në atë truall ata nuk harrojnë të rrëfejnë edhe për këtë pjesë të historisë që akoma ka ngelur me drit hijet e saj  për të shkuar në vend drejtësia që meritojnë shpirti i këtyre njërëzve të pa fajshmën që u kthyen në viktima. 

Janë  poetet arbërebersh si Zef Skiro Di Maxho, me veprën teatrale “Lule të shumta ka Gjinestra” (1997), Vorea Ujko dhe Zef Skiro Di Modika, Artista Giuseppe Consoli e shumë e shumë të tjerë , të cilën  shkruan për këtë tragjedi sa të dhimshme aq edhe të turpshme për këtë masakër.

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240122-WA0062 (2).jpg

Para se të largohemi nga Hora nën shoqërimin e mikut tonë arbëresh Lino Parrina  vizitojmë këtë copës toke, ku emrat e atyre që ngelën dhe nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre na bëjnë te reflektojmë se sa e rëndësishme është Paqja, të drejtat, detyrat, në një shoqëri civile si edhe sa  përgjegjës jemi për jetën tonë, si dhe të të tjerëve.  

Shënim: Fotot bardh e zi, janë marrë nga muzeu historik-etnografik në Piana degli Albanesi 

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe themeluar  në 1980 nga A. Bellushi  

Filed Under: Reportazh

KALENDAR-34 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

May 1, 2024 by s p

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”/

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 25 viteve, në pranverën 1999/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2024/ Para  34 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 25 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.

Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Rajon

PUTINI, FILOZOFI NAZIST DHE PROTESTAT E “LEJUARA”

May 1, 2024 by s p

Nga PAOLO VALENTINO – “Corriere della Sera”, 23 prill 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika 

Ivan Ilin është njëri ndër filozofët e parapëlqyer të Vladimir Putinit, të cilin e citon shpesh e me dëshirë. Por Ilini, i vdekur më 1954, ka qënë edhe një adhurues i bindur i Hitlerit, përpkrahës i nazizmit dhe i quajtur si teoricieni i “fashizmit rus”.

Prandaj studentët e Universitetit Shtetëror për studimet humaniste ngritën krye përballë vendimit të Rektoratit për të titulluar me të Shkollën e re eprore të Politikës,  duke emëruar si drejtor një tjetër figurë të diskutueshme, mendimtarin tejet kombëtarist Alexandër Dugin. Në një thirrje zyrtare, të nënëshkruar nga 5 mijë veta, studentët i kërkojnë ministrisë së Shkencës e Prokurorisë federale të ndryshojnë emrin e Shkollës, mbasi”qëndra e kërkimeve të njërit ndër universitetet  kryesorë të Vendit që ka thyer nazifashizmin, nuk mund të mbajë emrin e një mbështetësi t’atyre ideve”. Një deputet i Dumës, Vladimir Isakov, ka kërkuar një hulumtim mbi vendimin, sepse po të kishte qenë gjallë Ilini, do të ishte në dhunimin e ligjit rus që ndalon riabilitimin e nazizmit.

Gjëja më kureshtare është se, në përgjigje të një pyetjeje, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peshkov, paska thënë se Kremlini “nuk parapëlqen të jetë i ngatërruar në këtë diskutim”. Nga të dyja njëra: o Putini lejon që sistemi të ketë ndonjëherë ndonjë valvul shpërthimi, ose nuk i bën përshtypje të vetëkundërshtohet, duke paditur ukrainasit se janë të gjithë fashistë e ndërkaq merr frymëzim nga një filozof nazist. Janë sjelljet tipike të Carëve, fundi i të cilëve filloi pikërisht nga Universitetet.

“Corriere della Sera”, 23 prill 2024        Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT