• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

“NJËQIND VJET VETMI” – GABRIEL GARSIA MARKEZ

June 19, 2024 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Nuk gjetëm shtigje që e lidh Makondon me botën. Jemi të izoluar . Do të vazhdojmë t’i përlajmë gjelat!

“Njëqind vjet vetmi” (spanjisht – Cien años de soledad) është roman i shkrimtarit kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014), të botuar në Spanjë në vitin 1967. Vepra korri sukses të jashtëzakonshëm dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kjo vepër paraqet zbulim më të madh të stilit postmodern të të shkruarit. Kur u bë libër i dytë më i shitur në tërë historinë e letërsisë spanjolle, vepra korri edhe sukses komercial, menjëherë pas “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantesit (Miguel de Cervantes, 1547-1616).

“Njëqind vjet vetmi” është vlerësuar si më i miri roman i Evropës, i botuar nga një joevropian. Është vlerësuar si roman i vështirë për t’u kuptuar.

Lufta midis guerilëve të Makondos, në një anë dhe kompanisë së bananeve, në anën tjetër, zgjati njëzet vjet. Pas dy dekadave, midis palëve ndërluftuese u arrit një marrëveshje paqeje. Guerilët luftën s’e humbën, por edhe nuk e fituan. Historinë do ta shkruanin, jo guerilët, por kundërshtarët e tyre.

Varrimi i njërit prej komandantëve të gueriles u bë me gjashtë vetë. Ishte një ditë me shi. Arkivoli me trupin e komandantit ishte vendosur në karrocë që tërhiqej prej katër kuajve. Rruga nëpër të cilën kalonte karroca ishte mbuluar nga balta. Rrotat e karrocës ishin zhytur deri në gjysmë në baltë. Me të mësuar për varrimin, Ursula i kërkoi mbesës së vet, Amarantës, ta nxirrte te dera, për t’ia dhënë përshëndetjen e fundit prijësit të guerilëve. Plaka ishte njëqindvjeçare. Kishte mbetur sa një kumbull. As shihte, as dëgjonte. Komandanti ishte rritur në oborrin e saj. I kishte dhënë gji, njësoj si djalit të vet. U ndal nën strehën e derës së oborrit. Shiu binte rrëke. Në shenjë nderimi për nënën e guerilëve, Ursulën, gjashtë guerilët e ndalën karrocën me kufomën e kryekomandantit. Ursula salutoi, duke ngritur grushtin përpjetë.

Makonadasit nuk e dinin se atë ditë shkonte në amshim njeriu i cili njëzet vjet kishte udhëhequr 200 mijë guerilë, në luftë kundër kompanisë së bananeve. Histori për luftën e tyre s’kishte. Atë e shkruanin të tjerët.

* * *

Në këtë vepër Markezi punoi plot 15 muaj pandërprerë, duke u tjetërsuar nga pjesa tjetër e botës, në dhomën e vet, bashkë me faqet e letrës që gjithmonë i mungoni dhe cigareve.

Në pikëpamje kronologjike, romani përcjell familjen Buendia dhe historinë e fshatit mitik Makondo. Titulli i veprës tregon se veprimi i romanit zgjat njëqind vjet. Megjithëkëtë, veprimi nuk është i kufizuar në mënyrë rigoroze në atë periudhë kohore. Shumë kritikë janë dakord se “një vjet” është përdorur si metaforë. Kjo papërcaktueshmëri e kohës ndikon në interpretimin e kohës sipas mënyrës që është karakteristike për romanin, në të cilin ndërthuren mendimet dhe përshtypjet se koha përsëritet, e ndërron shpejtësinë apo plotësisht ndalet të rrjedhë në pjesë të ndryshme të rrëfimit. Duket sikur të gjitha ngjarjet ndodhin disi në të njëjtën kohë.

Sikundër edhe shumë romane të tjera të Markezit, “Njëqind vjet vetmi” i takon një zhanri karakteristik në të cilin janë kombinuar elemente të romantikës, të historisë dhe të fantastikes. Vepra është e pasur me metafora dhe ironi dhe është ndërtuar në mënyrë të përsosur mbi baza të realizmit magjik.

* * *

Veprimi i romanit “Njëqind vjet vetmi” nuk është i caktuar me kufijtë që i vendos realiteti. Ai i kapërcen ato, duke i fshirë kufijtë e tij me një guxim të tillë, saqë vetë realiteti i shtrin rrënjët e veta në fantazi. Raporti midis realitetit dhe fantastikes është harmonizuar në mënyrë të përsosur, në rrafshin e një objektiviteti të jashtëzakonshëm. Kësisoj është krijuar efekti i një realiteti fiktiv që i shemb të gjitha muret pengues që i vendos realiteti i ashpër, duke e privuar lexuesin që ta përjetojë veprën plotësisht. Duke i përsëritur shkallë-shkallë temat e njëjta nëpër roman, Markezi dëshmon në të vërtetë për natyrën ciklike të historisë, të cilën gjithsesi nuk duhet harruar, ngase një harresë e tillë sjell me vete të këqija të shumta.

Romani e përcjell fatin e familjes Buendia në fshatin Makondo. Edhe Makondo është një prej fryteve të imagjinatës së Merkezit. Makondo edhe pse krijohet në fillim të romanit dhe shkatërrohet në fund të tij, krijon përshtypjen se është i përhershëm. Kjo ndodh mbase për shkak të faktit se ky fshat mitik nuk shfaqet vetëm në këtë roman të Markezit.

Personazhet

Trungu familjar Buendia

Brezi i parë

Hose Arkadio Buendia (José Arcadio Buendía)

Patriarku i familjes Buendi, Hose Arkadio Buendia është njeri me vullnet të fuqishëm i cili, edhe fizikisht, edhe psiqikisht “tjetërsohet” prej familjes së vet, në momentin kur udhëhiqet nga interesi për mister filozofik. Buendia e udhëhiqte Makondon në vitet e hershme të fshatit.

Hose Arkadio Buendia tri herë ndërmori ekspedita për të gjetur rrugë që e lidhin Makondon me botën. Rrugë nuk gjeti. I dëshpëruar, bashkë me ekspeditën, u kthye në fshat. Bashkëfshatarëve që e pritnin me ankth, u tha:

“Rrugë që na lidhin me botën, nuk gjetëm. Jemi të izoluar. Do të vazhdojmë t’i përlajmë gjelat!”

Në luftën e gjelave, merrte pjesë me gjelin e vet edhe Hose Arkadio Buendia. Gjatë një përleshjeje, gjeli i tij e mundi atë të një tjetri. Ai, gjeli i të cilit kishte humbur, iu drejtua me zemërim:

“Dëgjo ti Hose Arkadio Buendia, merre këtë gjelin tënd dhe çoja gruas tënde që t’ia bëjë atë punë që s’je në gjendje t’ia bësh ti!”

“Kujt ia thua ato fjalë, or ti horr i ligë?” – ia ktheu me të keq Hose Arkadio Buendija.

E nxori revolen dhe e qëlloi makondasin me tre plumba në gjoks. U kthye në shtëpi, e pa gruan e vet në oborr te zarzavatet, e zuri dhe e shtriu për toke, ia grisi rrobat dhe ia bëri punën.

E shoqja mbeti pa mend. “Ç’je duke më bërë kështu Hose?! Të paskan lënë mendtë!” – i tha ajo e habitur.

Prej çastit të vrasjes së bashkëfshatarit, Hose Arkadio Buendia nuk do të jetë ai që kishte qenë dikur. Nisi të çmendet, prandaj u detyruan ta nxjerrin në oborr dhe ta lidhin për gështenje.

* * *

Prania e tij në roman humbet kur ai fillon të çmendet, duke kërkuar gurin e magjistarit. Me kalimin e kohës e humb arsyen dhe fillon të flasë në gjuhën latine. Që atëherë, e lanë të lidhur për trungun e gështenjës. Para se të vdiste, gruaja e tij, Ursula (Úrsula) e liron dhe çon në dhomën e tij. Në prag të vdekjes, ai kthehet nën trungun e gështenjës ku edhe vdes.

Ursula Iguaran (Úrsula Iguarán)

Gruaja e Hose Arkadia Buendias, Ursula, është një prej personazheve kryesore të romanit. Jeta e saj shtrihet pothuajse nëpër të gjithë brezat e familjes. Ajo mbikëqyr familjen, i kryen punët e shtëpisë dhe kujdeset për Hose Arkadia Buendian. Ajo vdes në moshën midis 114 dhe 122 vjeçe. Kishte mbetur sa një kumbull dhe nuk ishte më e madhe se një fetus.

Brezi i dytë

Hose Arkadio (José Arcadio)

Hose Arkadio ishte djali i parë i Hose Arkadio Buendias, nga i cili trashëgoi vetinë e të qenit këmbëngulës si dhe sjelljen impulsive. Kishte për dashnore Pilar Ternerën, nga e cila u nda në fillim të shtatzënisë së saj. U bashkëngjitet romëve dhe largohet nga familja. Në Makondo kthehet pas disa vitesh si një i rritur. Thoshte se kishte lundruar nëpër detet e botës. Me të ardhur, martohet me të motrën e adoptuar, Rebekën. Që të dy u dëbuan nga shtëpia familjare. Vdes nga plaga e shkaktuar nga një plumb i panjohur, vetëm disa ditë pasi i kishte shpëtuar i vëllai nga dënimi me vdekje.

Koloneli Aureliano Buendia

Aureliano Buendia ishte djali i dytë i Hose Arkadio Buendias dhe personi i parë i lindur në Makondo. E pagëzuan me emrin e gjyshit. Aureliano kishte qarë në barkun e së ëmës dhe kishte lindur me sy të hapur.

Shoku i tij i fëmijërisë kishte bërë nja gabim. Si pasojë, kishin pësuar katër guerilë. Në përputhje me ligjet e luftës guerile, koloneli Aureliano shokun e vet e kishte dënuar me vdekje. Për rastin e rëndë kishte mësuar edhe e ëma, Ursula. Kërkoi ta çonin tek i biri. Ende pa gdhirë, u nis për te koloneli, për të arritur para muzgut. Rojet e shtabit të guerilëve mësuan se është nëna e kolonelit. E njoftuan komandantin për ardhjen e saj. “Le të hyjë”, u tha koloneli.

E paralajmëruan nënën:

“Do të hysh brenda dhe do të qëndrosh tre metra larg kolonelit. Mund të qëndrosh brenda, jo më shumë se tri minuta.”

Nëna hyri në shtabin e guerilëve. Me ta parë të ëmën, koloneli u ngrit në këmbë. Nëna bëri t’i afrohet, por rojet e shtabit e rrokën për krahu dhe ndalën.

“Ju paralajmëruam zonjë. Mund t’i drejtoheni kolonelit vetëm nga një distancë prej tre metrave. Qëndrimi Juaj këtu nuk mund të zgjatë më shumë se tri minuta.”

Nëna nuk ia tha të birit atë për të cilën kishte ardhur – ta tërheqë dënimin me vdekje ndaj shokut të tij të fëmijërisë. Që të dy ishin rritur në oborrin e saj. Që të dyve u kishte dhënë gji.

Në ato dy-tri minuta Ursula ia tha të birit fjalët më të rënda. Koloneli heshti. Ende pa kaluar tri minuta, rojet e shtabit të guerilëve iu afruan nënës, e rrokën për krahu dhe morën ta nxjerrin jashtë. Ajo e ktheu kokën kah i biri dhe i tha: “Dënimin që e ia ke dhënë shokut tënd të fëmijërisë, ta tërheqësh sa më parë. Ndryshe, për se jeta do ta kesh mallkimin tim.”

Koloneli Aureliano vetëm tani e kuptoi përse e ëma e kishte marrë gjithë atë rrugë, nëpër shtigjet e egra të fushëbetejave.

* * *

Koloneli Aureliano nuk tregoi ndonjë aftësi të veçantë në dashuri. Besonte se zotëronte fuqi të mbinatyrshme për të parashikuar atë që do të ndodhte. Ato që i kishte thënë deri atëherë, kishin dalë të sakta. Lufton në anën e liberalëve, merr pjesë në 32 luftëra dhe disa herë ia ka dalë t’i shpëtojë vdekjes. Me të humbur interesin për luftë, nënshkruan me kompaninë e bananeve marrëveshjen e paqes dhe kthehet në shtëpi.

Aureliano s’ishte vetëm luftëtar. Ishte edhe poet. Në moshë të shtyrë, nisi ta humbë kujtesën dhe të bëhet i pandjeshëm për ndodhitë rreth vetes. Kohën e kalon në punëtori duke punuar peshq të artë. I shkëmbente për monedha të cilat i shkrinte dhe bënte prej tyre peshq të tjerë. Vdiq nën trungun e gështenjës nën të cilin babai i tij ishte i lidhur me vite.

Remedios Moskote (Remedios Moscote)

Remedia ishte vajza më e vogël e konservatorit dhe drejtuesit, Don Apolinar Moskote. Ngjyra e bukur e lëkurës dhe sytë e gjelbër smeraldi e bënin të jetë tërheqëse. Në moshën 12-vjeçare u martua me kolonelin Aureliano. Ishte shumë e re kur koloneli u dashurua në të. U desh të pritnin kurorëzimin derisa ajo të hynte në pubertet. Për befasinë e të gjithëve, ajo u bë një bashkëshorte e mrekullueshme dhe simpatike. Si rrjedhojë, e fitoi simpatinë e të gjithëve. Ishte i vetmi person që kujdesej për Hose Arkadio Buendian, gjatë kohës kur ai ishte i sëmurë. Për fat të keq, ajo vdes e re gjatë lindjes së fëmijës.

Amaranta

Amaranta ishte fëmija i tretë i Hose Arkadio Buendias. U rrit bashkë me simotrën e saj, Rebekën. Dashuria dhe delikatesa që shfaqte ndaj saj u shndërruan në xhelozi dhe smirë kur në jetën e tyre paraqitet Pietro Krespi (Pietro Crespi). Që të dyja e dashuronin me zjarr. Madje Amaranta kishte deklaruar se do ta vriste Rebekën po qe se martohet për Pietro Krespin. Por, pas vdekjes së Remedias, Amaranta u pendua për atë që kishte thënë. Pas kësaj, përjeton krizë emocionale.

Kur Rebeka martohet me Hose Arkadian (Jose Arcadio) dhe jo me Pietron, Amaranta e refuzon secilin që i vardiset, madje edhe Pietro Krespin. I dëshpëruar, ky e vret veten. Një prej atyre që i vardiseshin ishte edhe shoku më i ngushtë i vëllait të saj Aurelianos, koloneli Gerineldo Markez (Gerineldo Marquez), por ajo, pa ndonjë arsye, e refuzon edhe dorën e tij. Ka pasur marrëdhënie joseksuale me nipat e saj, me Aureliano Hosen dhe me Hose Arkadian.

Një ditë do të vdesim, i tha Amaranta vetes. Nisi të thurë mbulesën e saj të varrimit. Kur mbaroi së thururi, vdiq si një e virgjër dhe si një vajzë e vetmuar e pamartuar. Ishte disi e kënaqur ngase ishte pajtuar me fatin.

Rebeka

Rebeka është një bonjake që e adopton familja Buendia. Supozojnë se ajo është vajzë e farefisit të largët të Ursulës. Në fillim ajo ka qenë shumë e tërhequr, refuzonte të fliste dhe kishte një shprehi të çuditshme: hante truall dhe gëlqere nga muret e shtëpisë si dhe e thithte gishtin. Sjell me vete thesin me eshtrat e prindërve të vet dhe bisedon vetëm me shërbëtorët Visitacin dhe Kataurin (Cetaure). Paraqitet pasi që Hose Arkadio shkon me romët. Edhe pse ishte rritur në shtëpinë e familjes Buendia, e dëbojnë prej aty pasi u martua me Hose Arkadian. Vdekja e mistershme e Hose Arakdit është e ndërlidhur në mënyrë të pashpjegueshme me Rebekën. Pas kësaj, ajo jeton e izoluar nga bota.

Po ky personazh paraqitet edhe në novelat e Markezit veprimi i të cilave po ashtu zhvillohet në Makondo.

* * *

Në vepër ka një skenë ku fjalosen vjehrra me dhëndrin. Vjehrra i thotë dhëndrit:

“O i mjerë! Ti nuk je i vetëdijshëm se ke marrë për grua një vajzë e cila kur ishte dy vjeçe e bënte nevojën në oturak prej floriri.”

Me t’i dëgjuar këto fjalë të rënda, pa çelur gojë, dhëndri doli jashtë, ndërsa nusja e tij i theu duart dhe mallëngjyeshëm reagoi ndaj fjalëve të së ëmës: “Si munde t’ia thuash ato fjalë nënë…A e ke parasysh se do m’i prishësh raportet me burrin.”

* * *

Artisti kolumbian Garsia Markez është një ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX.

Filed Under: Komente

TË MBASH NË DUAR NJË MARGARITAR

June 19, 2024 by s p

Kosta Nake/

Si ato retë që shfaqen mbi mal muzg pas muzgu duke paralajmëruar shiun e shumëpritur, edhе Kadare më se një herë kishte premtuar se do ta sillte Doruntinën para lexuesve të vet, fillimisht te përmbledhja eseistike “Autobiografia e popullit tonë në vargje” ku tregoi se sa i ndjeshëm është ndaj këtij thesari të madh popullor, pastaj e paralajmëroi te romani “Ura me tri harqe” dhe sërish te romani “Murgu i perëndive të stepës”.

Balada për Doruntinën është një sintezë e një kohe të largët, e një fati të hidhur, por edhe e një institucioni të veçantë shpirtëror që nuk e gjen te popujt e tjerë – institucioni i besës, ose i mbajtjes së fjalës së dhënë. Kadare guxon t’i hyjë një ndërmarrje jo fort të lehtë – ta rikthejë në magje brumin që ka gatuar legjendën dhe këtë e bën me një nga gjetjet e tij prej gjeniu: e fillon nga vargjet e fundit:

“Hap, moj nënë, derënë,

Jam Doruntin‘ e vetëmë!”

“Me cin’erdhe, moj Doruntinë?”

“Un’ arçë, me Kostandinë.”

“Ç’Kostandin, moj t’arthtë gjëma?

Kostandini i vdekurë,

Ç’bën tre vjet pa treturë?”

Stresi, kapiten për ruajtjen e rendit në krahinë, zgjohet që pa gdhirë nga ndihmësi i tij për ta njoftuar se plaka e Vranajve dhe bija e saj Doruntina janë në gjendje agonie. Autori sjell elementin e parë informues: ngjarja i përket familjes së Vranajve. Siç merret me mend, nëna ka mbetur vetëm, pasi nuset e djemve me fëmijët janë larguar duke shumëfishuar përmasat e gjëmës. Saktësohet se “Lark e lark mërguar/Tre male kaptuar!” është Bohemia. Kufizohet koha kur ka ndodhur tragjedia që mori jetën e nëntë vëllezërve Vranaj – “ditën e Pashkës në drekë”, saktësisht pesë javë pas dasmës madhështore të vajzës së vetme të familjes, por stihisë që “më helmoi djemt e mi”, autori i shton një shkak madhor: ardhjen e një ushtrie normande që bashkë me luftën solli edhe murtajën. Ka një largim nga balada për ardhjen e Doruntinës, jo ditën e Pashkës së madhe, por më 11 tetor, pasi, sipas autorit, ngjarjet më të rëndësishme ndodhin në vjeshtë. Kthimi i pazakontë i Doruntinës duket sikur e fut veprën në hullinë e një romani policor dhe Stresin e kthen në një detektiv, por ky është vetëm imazhi fillestar, sepse ngjarja kthehet në kufijtë e legjendës kur rojtari i varrezave i tregon se ka dëgjuar nënën ta mallkojë të birin mbi varr: “Kostandin, të arthët gjëma”, ku e ke besën që më dhe?

Po pas ardhjes së Doruntinës, u gëzua nëna që i biri ia dëgjoi fjalën që nga nëntoka, apo u pendua që e shqetësoi të vdekurin?

Në baladë “Një në prak e një në derë/Plasnë si qelqe me verë”, kurse autori në vepër ua shtyn vdekjen e menjëhershme për disa orë të tjera, por kjo nuk ndihmon në zbërthimin e enigmës. Pyetja se kush e solli Doruntinën kërkon një përgjigje. Vihet re një plasë te rrasa e varrit të Kostandinit, por kjo nuk mund të jetë një provë. Pa i dhënë mundësi ftohjeje dhe harrese, vajtojcat u fryjnë përmasave të ndodhisë kur e shpjegojnë me ngritjen nga varri. E vërteta duhej të ishte që e ka sjellë dikush tjetër që ka patur dijeni për premtimin e dhënë dhe, pa pritur të zbulohet sjellësi. Befas Kadare fut një element të ri: përfshirjen e kishës në interpretim. Ngritja nga varri ka brenda një herezi sepse na proklamon një Krisht të dytë, prandaj kërkesa që vjen prej saj është gjetja e një sjellësi të gjallë, qoftë edhe duke sajuar një të tillë.

Kush mund të ishte i besueshëm? Një dashnor. Balada shkon edhe përtej kufirit të saj fundor, kur nga Bohemia vijnë të afërmit e burrit të Doruntinës, madje sjellin një datë, 29 shtator, dhe një pusullë që ajo pati lënë për të shoqin në çastin e kthimit, duke përmendur se po ikte me vëllain. Paralelisht me Stresin punon edhe ndihmësi i tij duke studiuar arkivën e familjes dhe zbulon nga letërkëmbimi i zonjës Vranaj me kontin Topia se paska patur shenja të një incesti vëlla-motër.

Duket sikur u gjend zgjidhja – një tregtar ikonash nga Malta merr përsipër autorësinë duke e kthyer ardhjen e Doruntinës në një romancë bujtinash. Po pikërisht në dy kapitujt e fundit të romanit, në trajtën e një traktati filozofik Kadare ia rikthen shkëlqimin baladës: në mbledhjen e madhe në Manastirin e Madh Stresi deklaron se Doruntinën e solli besa, një institucion shpirtëror që ishte ngritur për të mbrojtur ekzistencën e Arbërit. Në këtë përfundim nuk e çoi jo aq vënia e dëshmitarit të rremë në torturë, se sa bisedat me shokët më të afërt të Kostandinit.

Kadare guxon të ngrejë një rrjetë intrigash duke mbajtur në dorë një margaritar dhe nuk i fryn si magjistar për ta tjetërsuar, por si admirues për t’i dhënë atij një përdndritje të re.

(Romani “Kush e solli Doruntinën” i Ismail Kadaresë, Tiranë 1980)

Filed Under: LETERSI

FESTOHET ME MADHËSHTI DITA E ÇLIRIMIT NË KOSOVË

June 19, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Mes pritjes vëllazërore në Komunën Hani i Elezit përurohet libri dokumentar “Shekulli i parë” i “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli.

Me rastin e 11 Qershorit, 25-Vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në shtetin më të ri të Evropës, në ato troje ku historia u tregua e padrejtë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme, më të bukur e më përkujtimor, ishte ai që u zhvillua në qytezën e Hanit të Elezit.

Aktivitetet ishin të larmishme, veçanërisht ato festive, ku ansamblet dhe artistët kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të marrë pjesë në këtë Jubilar me erë lirie, në këtë Jubilar që përkujton një ngjarje që mishërohet në vitalitetin e një kombi. Ndoshta nuk ka kund në Botë kaq shumë festues që kanë lindur në Ditën e çlirimit.

Këta djem e vajza sot janë jo vetëm në Kosovë, por dhe anë e mbanë Botës, dhe nuk janë ata të vetmit që trashëgojnë vlerat tona kombëtare, sepse ka edhe personalitete të urtë që i kanë kushtuar jetën këtyre vlerave.

Unë nuk gaboj aspak po të them që një nga këto mendje dhe penda të shquara është “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli. Ky personalitet, i dashuruar me çdo thesar, me çdo vlerë që populli ynë vital trashëgon pambarimisht nga brezat paraardhës, ulet me këmbët në tokë dhe na tregon në librin e tij “Shekulli i Parë”, se në historinë e njerëzimit ka një shekull të lashtë, ku ne kemi një tokë të lashtë, kemi një det të lashtë, kemi një veshje të lashtë, kemi një këngë e valle të lashtë, por dhe një emër të lashtë.

Në vazhdën e aktiviteteve dhe atmosferës së festës, ky manifestim madhështor kulmoi në ambjentet moderne të Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit, ku për herë të parë në Kosovë u bë promovimi i librit: “Shekulli i Parë”, vepër e një personaliteti të shquar në Labëri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, Specialist i Trashëgëmisë Kulturore, Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë. Ky promovim u organizua nga Komuna Hani i Elezit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit Mehmet Ballazhi.

Në libër janë pasqyruar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore që u zhvilluan në festimin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar në Vlorë.

Përmes fjalëve e fotografive vijnë shumë prej ngjarjeve më kulmore kulturore e spektakolare të gjithëçkaje ndodhi në Ditët e festimit të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në Vlorën e vitit 2012.

Para nisjes së aktivitetit, z. Sejmen Gjokoli iu rezervua një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt nga të pranishmit, me një madhështi e dashuri vllazërore, si një sofër e madhe ku mblidhen burrat e mençur, mes tyre Kryetari i Komunës Mehmet Ballaxhi, si dhe të katër burrat që bënë histori në këtë 100 vjetor: Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi.

Ky aktivitet kaq i mirëpritur startoj me një insert ku pasqyroheshin disa nga imazhet e ngjarjeve të përshkruara në libër dhe që u ndoq me shumë vëmendje e interes nga të pranishmit.

KATËR BURRA NË DUART E LAVDISË!

Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi, si kreshnikët e lashtë u nisën nga trojet e Dardanisë drejt Brigjeve të Jonit në një rrugë të gjatë me vlera jo vetëm gjeografike, por edhe historike, sepse kudo ku shkelën ata në këtë rrugëtim, përçuan mesazhet e lashta të “Shekullit të parë” Kështu e përshkruan autori rrugëtimin e katër bashkëqytetarëve nga Hani i Elezit drejt Vlorës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Celebrimi i 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës jo rastësisht nisi në Han të Elezit, mbasi dymbëdhjetë vite më parë, që këtu u nisën katër burra më këmbë, me Flamurin Kombëtar në duar dhe me një telegram urimi në gji, drejt Vlorës së Isamil Qemalit.

Këta katër burra që udhëtuan katërqind kilometra nga Hani i Elezit, për të mbërritur në Vlorë më 26 Nëntor 2012 dhe për të dorëzuar në Bashkinë e Vlorës Flamurin Kombëtar dhe Telegramin dërguar Kryetarit të Bashkisë Shpëtim Gjika, nga Kryetari i Komunës z. Rufki Suma, bënë një histori.

Ka qenë një sfidë, që ashtu si kasnecët e lashtë, këta lajmëtarë të lirisë bënë 400 kilometra për 11 ditë radhazi, për të mbetur në histori jo vetëm ata, po gjithë Komuna e Hanit të Elezit.

Autori në këtë takim përurimi solli edhe përshëndetjen e Vlorës, që mbas 12 vietsh përndriten jo vetëm Hanin e Elezit; Rexhepin, Zemrin, Qahilin, Ibrahimin dhe gjithë Kosovën, që, ashtu si kalorësit e Mitrovicës, të cilët u nisën nga Boletini i Isës dhe mbërritën në Vlorën e Ismailit, si dhe struganët, të ardhur me karrocë dhe me figurat kombëtare përpara. Dikush u bë Ismail Qemali, dikush Isa Boletini, dikush Adem Jashari, e kështu me radhë.

NDERA KA NDEREN.

100-vjetorin e bëri Shqiptaria, por mbi të gjitha e bëri Kosova, për të cilën autori kishte fakte konkrete.

Pavarësia është e Vlorës, e Vlora është e Flamurit, sepse pa Vlorën nuk do të kishte Shqipëri, rrjedhimisht nuk do të kishte as Kosovë e Shqiptari.

Në këtë festë të madhe performuan mbi 12 Ansamble Artistike nga më të shquarat e trevave shqiptare, por për fat ishte edhe një Ansambël i Grykës së Kaçanikut.

Autori i librit, Sejmen Gjokoli, është një veprimtar i madh i kulturës shqiptare, një studiues i folklorit dhe i trashëgimisë kulturore, një udhëheqës dhe organizator i shkëlqyer, që e ka jo vetëm Vlora, por gjithë Labëria e Shqipëria. Puna e tij është evidente gjithandej trojeve shqiptare.

Sejmen Gjokoli ishte ndër kontribuesit kryesorë të aktivitetit jubilar, të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 2012 . Ai bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe me stafin e tij, si koordinator i aktiviteteve kulturore për këtë rast, ishte në maje të organizimit të kësaj ngjarjeje monumentale.

Autoritetet e Komunës së Hanit të Elezit u shprehën se e ndienin për nder t’ia kthenin nderin Mjeshtrit Sejmen Gjokoli, duke e konsideruar si një veprimtari madhështore këtë promovim libri, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, pasi ky libër pasqyron kronologjinë e aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë në Qytetin Historik të Vlorës.

Takimi u moderua nga profesori e veprimtari i shquar Mazllëm Qajani, njeriu që atë kohë kur burrat e vendlindjes së tij udhëtonin për në Vlorë mbajti non stop kontaktet mes “marathonomakëve” hanelezas, me organizatorët e manifestimit të madh në Vlorë.

Përshëndetën e folën Kryetari Mehmet Ballaxhi, ish-kryetari Rufki Suma, si dhe ish deputeti e veprimtari i madh i çështjes Kombëtare, miku i Vlorës e Labërisë, kaçanikasi Berat Luzha.

Në promovim në emër të katër kreshnikëve misionarë të lirisë, personazhe të këtij botimi, foli mes emocionesh Rexhep Shkreta.

Si autor i librit, z. Sejmen Gjokoli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, uroi Ditën e Çlirimit, folësit, të pranishmit dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij promovimi sa të veçantë, po aq dhe emocionues.

Më pas, për nderin dhe respektin e tyre, Gjokoli ftoi grupin e tij Folklorik “Bilbili” për t’i përshëndetur me dy këngë të zgjedhura polifonike.

Pas përfundimit me shumë mirënjohje të promovimit të librit “Shekulli i Parë”, Kryetari i Komunës, Z. Mehmet Ballazhi, priti në zyrën e tij z. Sejmen Gjokoli dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë.

Përsëri një pritje madhështore dhe me emocione të papërshkruara, ku i përfshirë nga respekti dhe mirënjohja, z. Sejmen Gjokoli i dhuroi Kryetarit të komunës, Z. Mehmet Ballazhi, emblemën e Grupit Folklorik “Bilbili” që kishte ardhur në këtë qytet për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Hanit të Elezit

Filed Under: Reportazh

ARIF LUSHI, PIKTORI I KOLORITIT MAGJIK

June 19, 2024 by s p

AVNI ALCANI/

Ishte viti 1974 kur mësuesja e vizatimit Marieta Pandori-Alcani më ftoi për ta ndihmuar në orën e saj të vizatimit të klasës së 8-të, në shkollën 8-vjeçare të qytetit të Librazhdit. Nuk më kujtohet tema e vizatimit e asaj dite, por mbaj mënd se unë vizatova një figurë me shkumës të bardhë mbi dërrasën e zezë. Gjatë vizatimit vija re se njëri nga nxënësit lëvizte aq shumë në bankën e tij sa më tërhoqi vëmëndjen. Pas çdo linje në tabelë dëgjoja nga mbrapa lëvizjet e tij. Ktheva kokën pas dhe pashë një djalosh shumë simpatik, bjond, me sy të kaltër, i cili po qëndronte në këmbë dhe ndiqte i ngazëllyer vizatimin tim. Ishte vëllai i vogël i ish shokut tim të klasës, por unë ende nuk ia dija emrin. Pas mësimit zysh Marieta më tha se ai djalë ishte shumë i talentuar në lëndën e saj të vizatimit, “por dhe në lëndët e tjera mësimore”, shtoi ajo.

Arif Lushi ka lindur në qytetin e Librazhdit më 15 qershor të vitit 1959. Shkollën e cilkit të ulët (8-vjeçar) e ka kryer në qytetin e tij të lindjes. Pas përfundimit të saj në vitin 1974, konkuroi për pikturë në Liceun Artistik të Tiranës dhe fitoi. Në vitin 1978 dipllomohet në degën “Pikturë-Skenografi”, pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”. Gjatë atij vitit (1978) kisha filluar punë në Muzeun Historik të rrethit të Librazhdit. Godinën e tij e frekuentonin disa nga miqtë e mi piktorë. Mes tyre ishte piktori i ri Arif Lushi, me të cilin unë u lidha më nga afër me të dhe me krijimtarinë e tij.

Pas kryerjes së stazhit 1-vjeçar, që ishte kusht për maturantët e shkollave të mesme për të vazhduar shkollën e lartë, Arifi hapi një ekspozitë vetjake, e cila na befasoi të gjithëve, pasi ne pamë lindjen e një talenti të ri, një piktor me të ardhme në profesionin e tij. Në vitin 1979 Arif Lushi konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve dhe e fitoi. U profilizua si “Piktor grafist”.

Pas diplomimit Arif Lushi ka punuar fillimisht si mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare në Librazhd. Përgjatë viteve 1988, 1995 dhe 2005, kryeu një sërë kualifikimesh dhe trajnimesh profesionale, si në pikturë dhe pedagogji. Në vitin 1990 ishte përgjegjës i Galerisë së Arteve Figurative të Librazhdt deri në vitin 1992, kur u mbyll galeria. Në vitet 1992-1994 ka punuar si skenograf pranë Qendrës Kulturore, në vitet 1994-1997 emërohet shef i Seksionit të Kulturës të Këshillit të Rrethit, për të vijuar më pas (në vitet 1997-2006), si instruktor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve .

Në vitet 2006-2009 emërohet pedagog dhe shef i Departamentit të Artit Figurativ pranë Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan. Në vitin 2009 transferohet në Tiranë dhe emërohet ‘Piktor’ pranë Qendrës Kulturore të “Qytetit Studenti” (Tiranë, 2009-2013). Në vitin 2013 emrohet “Këshilltar” dhe “Studiues” pranë Sektorit të Ekspozitave dhe Sektorit të Edukimit në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2013-2018). Prej vitit 2018 është në krijimtari të lirë, i angazhuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare.

Piktori Arif Lushi ka mbi 30 vjet përvojë në fushën e artit pamor (pikturë). Për punën e tij është vlerësuar për kontributin në fushën e kulturës dhe artit në vend dhe jashtë tij. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1984, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve figurative, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, mori “Çmimin e Parë” në pikturë me portretin “Punëtori”; Në vitin 2005 mori Çmimin “Të shohësh dhe të të shohin”, për interpretim të jashtëzakonshëm artistik mbi tematikën e ekspozitës (vlerësim ndërkombëtar në artin shqiptar) nga Bordi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë; Në vitin 2010 mori: “Çmimi Mio”, në Konkursin Ndërkombëtar nga Galeria “Guri Madhi”, Korçë. Në vitin 2020 Bashkia Librazhd e nderoi me titullin: “Mirënjohje” nga vendlindja etj.

Arif Lushi ka qenë dhe është vazhdimisht i angazhuar në veprimtaritë kulturore dhe artistike, si pjesëmarrja në: “Ditët e Mios”, Koloni Kombëtare Arti (2010); “Ditët e Pikturës”, Vlorë dhe “Ditët e Detit”, Durrës (2011); “Koloni Arti”, Mitrovicë (2012); “Ditët e Mios”, Korçë (2012); Kolonia Mbarëkombëtare “Tirana Art”, nga Universiteti Evropian i Tiranës (2012); “Kolonia e Artit”, Elbasan (2012); “Ditët e Pikturës”, Vlorë (2012); Kolonia Mbarëkombëtare e Artit “GostiArt”, Gostivar (2012); “Kolonia e Artit”, Kukës (2013); “Euro-Kosova Art”, Prishtinë (2013); Kolonia Mbarëkombëtare e Artit “Ditët e Mios”, Korçë (2013) etj.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme që ka zhvilluar piktori Arif Lushi kanë qenë pjesmarrjet e tij më Veprimtaritë Akademike të tilla, si: Simpozium Ndërkombëtar “Art of the Ëorld” Sahl Hasheesh, Pallati i Vjetër, Huagharda, Egjipt (2014); Simpoziumi Ndërkombëtar “Art Project 2012”, Bashkërendimi art-kultur i vendeve të Mesdheut dhe Evropës, Stamboll, Turqi (2012); “Ditë Pranvere”, Kurator në Edicionin dhe Workshop me studentët e Akademisë së Arteve (2008); Orgazinator i Workshop “Dita e Rinisë” me studentët e Akademisë së Arteve, Tiranë (2007); Moderator i Simpoziumit Kombëtar “Memoriali i Poetëve Martirë”, Bashkia Librazhd (2007); Takim kombëtar i Shkollave të Mesme Artistike të Republikës së Shqipërisë, Pallati i Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (2004); Takim/Konkurs Kombëtar midis Shkollave Artistike të Republikës së Shqipërisë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) (2003); Bashkëpunim me programet radiofonike të RTV dhe i ftuar në cikle emisionesh mbi artet pamore; Konferenca Kombëtare e talenteve të reja, Korçë dhe Durrës; Ekspedita kërkimore në fushën e trashëgimisë kulturore (1985-1995) etj.

Veprimtaritë më të rëndësishme të piktorit Lushi kanë qenë pjesmarrja në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, si:

Viti 1977: Ekspozitë në Pallatin e Kulturës Tiranë (përvjetori i 30-të i Liceut Artistik), cikli pikturat e buta, me 17 punime, e cila ishte dhe paraqitja e parë publike e tij;

Viti 1984: Konkursi Kombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë (Vlerësuar me Çmimin e Parë, Portret);

Viti 1986: Konkursi Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (dy vepra në fond);

Viti 1988: Konkursi Kombëtar i Pavarësisë, Ekspozita jashtë vendit, Itali, Gjermani, Skoci (Referencë Z. K. Dilo, Galeria e Arteve, Tiranë);

Në vitin 1990: Ekspozita “Pranvera”, Galeria e Artit, Tiranë;

Viti 1990: Ekspozita “Talenetet e Reja”, Galeria e Artit, Korçë;

Viti 1991: Ekspozita Kombëtare në Qendrën Kombëtare të Kulturës;

Viti 2005: Konkursi Kombëtar “Të Shohësh dhe të të Shohin”, nga Bordi i Galerisë Kombëtare;

Viti 2005: Diner Dance Action, “To See and Bee Seen”, Pallati Brigadave, Tiranë, Kontribues në projektin e restaurimit të kryeveprës shqiptare ‘’Motra Tone’’;

Viti 2005: “Ngjyrat e vendlindjes”, Ekspozitë personale;

Viti 2006: Ekspozitë Blu, Qendra Kulturore Studenti;

Viti 2006: Ekspo Art Tirana, Odeoni i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Galeria e Arteve, Tiranë;

Viti 2006: Ekspozitë “Grup Autorësh”, bashkëpunim i artistëve italianë dhe shqiptarë, Londër;

Viti 2007: Ekspozitë personale “Vjeshtë-Dimër’’, Bashkia Fier, Galeria e Arteve, Fier;

Viti 2007: Konkursi i Artit Pamor “Studenti 2007”, Qyteti Studenti, Tiranë, Kurator, Pjesëmarrës: 22 Studentë të Akademisë së Arteve, etj.

Piktori Arif Lushi ka mbi 35 vjet krijimtari, e cila i përket dy periudhave, periudhës së realizmit socialist të para viteve ’90 dhe periudhës së lirisë krijuese të pas 90-s. Ai ka treguar një maturi dhe vetëpërmbajtje të lavdërueshme në krijinë e tij artistike, duke kaluar gradulisht nga periudha e ndrydhjes dhe e dogmave në kohën e lirisë krijuese. Piktori Lushi i është kushtua tërërisht gjinisë së peizazhit, të cilën e eksploron me shumë sukses. Ai është konsideruar si “Piktor i natyrës shqiptare”. Shumica e peisazhve kanë si motiv kryesor vendlindjen e tij. Në një artikull të Revistës “Monitor”, të datës 27 mars 2012, shkruhet: “Në ciklet e peizazheve të Lushit ndjehet prirja e tij drejt një tabloje ku motivi kryesor është imazhi i fshatit shqiptar të zonës, motiv ky mjaft i dashur për piktorin. Malet, lumi Shkumbin, mullarë, shtëpi të thjeshta, janë imazhet që Lushi i pikturon dhe ripikturon përsëri duke dashur të sjellë dhe risjellë gjithmonë emocione e qëndrime artistike të reja. Në disa tablo (Buzë lumit, Mbasdite fshati, Dritë dimri), peneli i artistit është “i shtrirë” apo shpërndarë me sens dekorativ; ndërsa në vepra të tjera (Mullarët blu, Romantikë vjeshte, Vjeshtë e Lugina e Shkumbinit) ngjyra merr përparësi”.

Piktura e Arif Lushit vlerësohet për emocione të forta estetike që ajo përcjell. Nga viti në vit krijimtaria e A. Lushit vjen në rritje dhe zhvillim, veçanërisht në koloritin e saj, duke u konsideruar si “Piktori i natyrës shqiptare”. Piktorët e “plain air”-it në Shqipëri, shkruan rezista Monitor, “aktualisht janë të pakët dhe piktori Lushi është pjesë e tyre dhe veprat e tij mbajnë “Aromën” e natyrës shqiptare dhe dritën e papërsëritshme të saj” (po aty).

Filed Under: Kulture

Kosovo, Sovereignty versus Integrity: Një analizë e sofistikuar e dialogut Kosovë-Serbi

June 19, 2024 by s p

Altin Gjeta/

Libri i diplomatit Arben Çejku “Sovraniteti versus Integriteti: Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë (2005-2020)” ka gjetur dritën e botimit këtë muaj në gjuhën angleze nga UET Press.

Përkthimi në anglisht vjen në një moment kur progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Ringjallja e revalitetit gjeopolitik mes Perëndimit dhe Rusisë apo Kinës pas konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme e ka bërë më të pasigurt procesin e paqes në Kosovë dhe rajon.

Në këtë kontekst, botimi në anglisht i librit përbën një kontribut të vyer për çështjen e forcimit të shtetit të Kosovës si një garant i paqes dhe sigurisë në Ballkan. Kancelaritë perëndimore, mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, bota akademike dhe media ndërkombëtare, diplomatët dhe analistët që merren me problemet e sigurisë në Ballkan, do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë kompleksitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Versioni i librit në anglisht ka kaluar në darën e një redaktimi profesional nga studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, botimi shoqërohet edhe me një parathënie të shkurter nga autori i cili reflekton mbi sfidat e dialogut prej vitit 2020 kur libri u botua për herë të parë, duke nënvizuar mungesën e progresit dhe rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme si garante e shtetësisë së Kosovës dhe interesit kombëtar shqiptar në Ballkan.

Arben Çejku nuk ka shkurar në libër vere, por një studim skrupuloz, të mbështetur në burime të pasura të dorës së parë, reflektime personale nga vëzhgimet e tij në procesin e shtetndërtimit të Kosovës duke filluar me negociatat e Vjenës, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuptim, libri është një studim etnografik i sofistikuar i të gjitha proceseve dhe aktorëve që vulosën e fatin e Kosovës mes viteve 2005-2009.

Megjithatë, ambasadori Çejku nuk ndalet vetëm në ngjarjet e para-pavarësisë, por shkon më tej dhe e vendos në një kontekst historik të gjithë procesin e shtetndërtimit në Kosovë duke ofruar një qasje analitike të mprehtë të vështirësive me të cilat është përballuar Kosova në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në arenën ndërkombëtare dhe në dimensionin e brendshëm në periudhën e pas pavarësisë.

Pikërisht aspekti i brendshëm i shtetësisë së Kosovës, pamundësia për të shtrirë autoritetin e në komunat me shumicë serbe në veri të vendit është edhe prokupimi kryesor i librit.

Ambasadori Çejku nuk heziton të hedh dritë mbi progresin e limituar apo dështimet e faktorëve politik shqiptar dhe ndërkombëtar për ta përmbylluar shtetësinë e Kosovës me një marrëveshje finale paqeje me Serbinë. Ai nxjerr në pah disa nga arsyet dhe mekanizmat operues në Serbi dhe politikën ndërkombëtare që kanë vonuar arritjen e një epilogu të suksesshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbi të gjitha, libri në versionin anglisht iluminon dilemat me të cilat përballet Kosova dhe Perëndimi përballë zgjedhjes mes sovranitetit dhe integritetit. Arben Çejku nuk ofron formula të gatshme, por analiza e tij komplekse gjeneron zgjidhje të mundshme për forcimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës duke vendosur theksin tek largpamësia dhe lidershipi përtej interesave politike të ditës.

Së fundi, botimi në anglisht i librit “Sovraniteti versus Integriteti”, plotëson një boshllëk në praktikën diplomatike në zgjidhjen e konflikteve. Studiuesit e huaj që shkruajnë për Kosovën dhe Ballkanit përgjithësisht neglizhojnë dijen lokale dhe kompleksitetin e konflikteve në rajon.

Ndërsa studimeve shqiptare shpesh herë iu mungon qartësia, thellësia e analizës dhe qasja kritike për shkak të etheve politike të ditës – Arben Çejku ka shkrirë në këtë libër praktikën diplomatike, publicistikën dhe thellësinë analitike.

Botimi në anglisht do të vetëdijësojë vendimarrësit politik dhe rrethet akademike në botë rreth nevojës për një qasje më të vendosur ndaj projekteve destabilizuese të Serbisë në Ballkan dhe mbështetjes për një Kosovë sovrane dhe me integritet të plotë territorial.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT