Ramazan Çeka/
Mes pritjes vëllazërore në Komunën Hani i Elezit përurohet libri dokumentar “Shekulli i parë” i “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli.
Me rastin e 11 Qershorit, 25-Vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në shtetin më të ri të Evropës, në ato troje ku historia u tregua e padrejtë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme, më të bukur e më përkujtimor, ishte ai që u zhvillua në qytezën e Hanit të Elezit.
Aktivitetet ishin të larmishme, veçanërisht ato festive, ku ansamblet dhe artistët kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të marrë pjesë në këtë Jubilar me erë lirie, në këtë Jubilar që përkujton një ngjarje që mishërohet në vitalitetin e një kombi. Ndoshta nuk ka kund në Botë kaq shumë festues që kanë lindur në Ditën e çlirimit.
Këta djem e vajza sot janë jo vetëm në Kosovë, por dhe anë e mbanë Botës, dhe nuk janë ata të vetmit që trashëgojnë vlerat tona kombëtare, sepse ka edhe personalitete të urtë që i kanë kushtuar jetën këtyre vlerave.
Unë nuk gaboj aspak po të them që një nga këto mendje dhe penda të shquara është “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli. Ky personalitet, i dashuruar me çdo thesar, me çdo vlerë që populli ynë vital trashëgon pambarimisht nga brezat paraardhës, ulet me këmbët në tokë dhe na tregon në librin e tij “Shekulli i Parë”, se në historinë e njerëzimit ka një shekull të lashtë, ku ne kemi një tokë të lashtë, kemi një det të lashtë, kemi një veshje të lashtë, kemi një këngë e valle të lashtë, por dhe një emër të lashtë.
Në vazhdën e aktiviteteve dhe atmosferës së festës, ky manifestim madhështor kulmoi në ambjentet moderne të Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit, ku për herë të parë në Kosovë u bë promovimi i librit: “Shekulli i Parë”, vepër e një personaliteti të shquar në Labëri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, Specialist i Trashëgëmisë Kulturore, Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë. Ky promovim u organizua nga Komuna Hani i Elezit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit Mehmet Ballazhi.
Në libër janë pasqyruar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore që u zhvilluan në festimin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar në Vlorë.
Përmes fjalëve e fotografive vijnë shumë prej ngjarjeve më kulmore kulturore e spektakolare të gjithëçkaje ndodhi në Ditët e festimit të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në Vlorën e vitit 2012.
Para nisjes së aktivitetit, z. Sejmen Gjokoli iu rezervua një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt nga të pranishmit, me një madhështi e dashuri vllazërore, si një sofër e madhe ku mblidhen burrat e mençur, mes tyre Kryetari i Komunës Mehmet Ballaxhi, si dhe të katër burrat që bënë histori në këtë 100 vjetor: Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi.
Ky aktivitet kaq i mirëpritur startoj me një insert ku pasqyroheshin disa nga imazhet e ngjarjeve të përshkruara në libër dhe që u ndoq me shumë vëmendje e interes nga të pranishmit.
KATËR BURRA NË DUART E LAVDISË!
Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi, si kreshnikët e lashtë u nisën nga trojet e Dardanisë drejt Brigjeve të Jonit në një rrugë të gjatë me vlera jo vetëm gjeografike, por edhe historike, sepse kudo ku shkelën ata në këtë rrugëtim, përçuan mesazhet e lashta të “Shekullit të parë” Kështu e përshkruan autori rrugëtimin e katër bashkëqytetarëve nga Hani i Elezit drejt Vlorës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Celebrimi i 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës jo rastësisht nisi në Han të Elezit, mbasi dymbëdhjetë vite më parë, që këtu u nisën katër burra më këmbë, me Flamurin Kombëtar në duar dhe me një telegram urimi në gji, drejt Vlorës së Isamil Qemalit.
Këta katër burra që udhëtuan katërqind kilometra nga Hani i Elezit, për të mbërritur në Vlorë më 26 Nëntor 2012 dhe për të dorëzuar në Bashkinë e Vlorës Flamurin Kombëtar dhe Telegramin dërguar Kryetarit të Bashkisë Shpëtim Gjika, nga Kryetari i Komunës z. Rufki Suma, bënë një histori.
Ka qenë një sfidë, që ashtu si kasnecët e lashtë, këta lajmëtarë të lirisë bënë 400 kilometra për 11 ditë radhazi, për të mbetur në histori jo vetëm ata, po gjithë Komuna e Hanit të Elezit.
Autori në këtë takim përurimi solli edhe përshëndetjen e Vlorës, që mbas 12 vietsh përndriten jo vetëm Hanin e Elezit; Rexhepin, Zemrin, Qahilin, Ibrahimin dhe gjithë Kosovën, që, ashtu si kalorësit e Mitrovicës, të cilët u nisën nga Boletini i Isës dhe mbërritën në Vlorën e Ismailit, si dhe struganët, të ardhur me karrocë dhe me figurat kombëtare përpara. Dikush u bë Ismail Qemali, dikush Isa Boletini, dikush Adem Jashari, e kështu me radhë.
NDERA KA NDEREN.
100-vjetorin e bëri Shqiptaria, por mbi të gjitha e bëri Kosova, për të cilën autori kishte fakte konkrete.
Pavarësia është e Vlorës, e Vlora është e Flamurit, sepse pa Vlorën nuk do të kishte Shqipëri, rrjedhimisht nuk do të kishte as Kosovë e Shqiptari.
Në këtë festë të madhe performuan mbi 12 Ansamble Artistike nga më të shquarat e trevave shqiptare, por për fat ishte edhe një Ansambël i Grykës së Kaçanikut.
Autori i librit, Sejmen Gjokoli, është një veprimtar i madh i kulturës shqiptare, një studiues i folklorit dhe i trashëgimisë kulturore, një udhëheqës dhe organizator i shkëlqyer, që e ka jo vetëm Vlora, por gjithë Labëria e Shqipëria. Puna e tij është evidente gjithandej trojeve shqiptare.
Sejmen Gjokoli ishte ndër kontribuesit kryesorë të aktivitetit jubilar, të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 2012 . Ai bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe me stafin e tij, si koordinator i aktiviteteve kulturore për këtë rast, ishte në maje të organizimit të kësaj ngjarjeje monumentale.
Autoritetet e Komunës së Hanit të Elezit u shprehën se e ndienin për nder t’ia kthenin nderin Mjeshtrit Sejmen Gjokoli, duke e konsideruar si një veprimtari madhështore këtë promovim libri, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, pasi ky libër pasqyron kronologjinë e aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë në Qytetin Historik të Vlorës.
Takimi u moderua nga profesori e veprimtari i shquar Mazllëm Qajani, njeriu që atë kohë kur burrat e vendlindjes së tij udhëtonin për në Vlorë mbajti non stop kontaktet mes “marathonomakëve” hanelezas, me organizatorët e manifestimit të madh në Vlorë.
Përshëndetën e folën Kryetari Mehmet Ballaxhi, ish-kryetari Rufki Suma, si dhe ish deputeti e veprimtari i madh i çështjes Kombëtare, miku i Vlorës e Labërisë, kaçanikasi Berat Luzha.
Në promovim në emër të katër kreshnikëve misionarë të lirisë, personazhe të këtij botimi, foli mes emocionesh Rexhep Shkreta.
Si autor i librit, z. Sejmen Gjokoli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, uroi Ditën e Çlirimit, folësit, të pranishmit dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij promovimi sa të veçantë, po aq dhe emocionues.
Më pas, për nderin dhe respektin e tyre, Gjokoli ftoi grupin e tij Folklorik “Bilbili” për t’i përshëndetur me dy këngë të zgjedhura polifonike.
Pas përfundimit me shumë mirënjohje të promovimit të librit “Shekulli i Parë”, Kryetari i Komunës, Z. Mehmet Ballazhi, priti në zyrën e tij z. Sejmen Gjokoli dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë.
Përsëri një pritje madhështore dhe me emocione të papërshkruara, ku i përfshirë nga respekti dhe mirënjohja, z. Sejmen Gjokoli i dhuroi Kryetarit të komunës, Z. Mehmet Ballazhi, emblemën e Grupit Folklorik “Bilbili” që kishte ardhur në këtë qytet për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Hanit të Elezit