Kosta Nake/
Si ato retë që shfaqen mbi mal muzg pas muzgu duke paralajmëruar shiun e shumëpritur, edhе Kadare më se një herë kishte premtuar se do ta sillte Doruntinën para lexuesve të vet, fillimisht te përmbledhja eseistike “Autobiografia e popullit tonë në vargje” ku tregoi se sa i ndjeshëm është ndaj këtij thesari të madh popullor, pastaj e paralajmëroi te romani “Ura me tri harqe” dhe sërish te romani “Murgu i perëndive të stepës”.
Balada për Doruntinën është një sintezë e një kohe të largët, e një fati të hidhur, por edhe e një institucioni të veçantë shpirtëror që nuk e gjen te popujt e tjerë – institucioni i besës, ose i mbajtjes së fjalës së dhënë. Kadare guxon t’i hyjë një ndërmarrje jo fort të lehtë – ta rikthejë në magje brumin që ka gatuar legjendën dhe këtë e bën me një nga gjetjet e tij prej gjeniu: e fillon nga vargjet e fundit:
“Hap, moj nënë, derënë,
Jam Doruntin‘ e vetëmë!”
“Me cin’erdhe, moj Doruntinë?”
“Un’ arçë, me Kostandinë.”
“Ç’Kostandin, moj t’arthtë gjëma?
Kostandini i vdekurë,
Ç’bën tre vjet pa treturë?”
Stresi, kapiten për ruajtjen e rendit në krahinë, zgjohet që pa gdhirë nga ndihmësi i tij për ta njoftuar se plaka e Vranajve dhe bija e saj Doruntina janë në gjendje agonie. Autori sjell elementin e parë informues: ngjarja i përket familjes së Vranajve. Siç merret me mend, nëna ka mbetur vetëm, pasi nuset e djemve me fëmijët janë larguar duke shumëfishuar përmasat e gjëmës. Saktësohet se “Lark e lark mërguar/Tre male kaptuar!” është Bohemia. Kufizohet koha kur ka ndodhur tragjedia që mori jetën e nëntë vëllezërve Vranaj – “ditën e Pashkës në drekë”, saktësisht pesë javë pas dasmës madhështore të vajzës së vetme të familjes, por stihisë që “më helmoi djemt e mi”, autori i shton një shkak madhor: ardhjen e një ushtrie normande që bashkë me luftën solli edhe murtajën. Ka një largim nga balada për ardhjen e Doruntinës, jo ditën e Pashkës së madhe, por më 11 tetor, pasi, sipas autorit, ngjarjet më të rëndësishme ndodhin në vjeshtë. Kthimi i pazakontë i Doruntinës duket sikur e fut veprën në hullinë e një romani policor dhe Stresin e kthen në një detektiv, por ky është vetëm imazhi fillestar, sepse ngjarja kthehet në kufijtë e legjendës kur rojtari i varrezave i tregon se ka dëgjuar nënën ta mallkojë të birin mbi varr: “Kostandin, të arthët gjëma”, ku e ke besën që më dhe?
Po pas ardhjes së Doruntinës, u gëzua nëna që i biri ia dëgjoi fjalën që nga nëntoka, apo u pendua që e shqetësoi të vdekurin?
Në baladë “Një në prak e një në derë/Plasnë si qelqe me verë”, kurse autori në vepër ua shtyn vdekjen e menjëhershme për disa orë të tjera, por kjo nuk ndihmon në zbërthimin e enigmës. Pyetja se kush e solli Doruntinën kërkon një përgjigje. Vihet re një plasë te rrasa e varrit të Kostandinit, por kjo nuk mund të jetë një provë. Pa i dhënë mundësi ftohjeje dhe harrese, vajtojcat u fryjnë përmasave të ndodhisë kur e shpjegojnë me ngritjen nga varri. E vërteta duhej të ishte që e ka sjellë dikush tjetër që ka patur dijeni për premtimin e dhënë dhe, pa pritur të zbulohet sjellësi. Befas Kadare fut një element të ri: përfshirjen e kishës në interpretim. Ngritja nga varri ka brenda një herezi sepse na proklamon një Krisht të dytë, prandaj kërkesa që vjen prej saj është gjetja e një sjellësi të gjallë, qoftë edhe duke sajuar një të tillë.
Kush mund të ishte i besueshëm? Një dashnor. Balada shkon edhe përtej kufirit të saj fundor, kur nga Bohemia vijnë të afërmit e burrit të Doruntinës, madje sjellin një datë, 29 shtator, dhe një pusullë që ajo pati lënë për të shoqin në çastin e kthimit, duke përmendur se po ikte me vëllain. Paralelisht me Stresin punon edhe ndihmësi i tij duke studiuar arkivën e familjes dhe zbulon nga letërkëmbimi i zonjës Vranaj me kontin Topia se paska patur shenja të një incesti vëlla-motër.
Duket sikur u gjend zgjidhja – një tregtar ikonash nga Malta merr përsipër autorësinë duke e kthyer ardhjen e Doruntinës në një romancë bujtinash. Po pikërisht në dy kapitujt e fundit të romanit, në trajtën e një traktati filozofik Kadare ia rikthen shkëlqimin baladës: në mbledhjen e madhe në Manastirin e Madh Stresi deklaron se Doruntinën e solli besa, një institucion shpirtëror që ishte ngritur për të mbrojtur ekzistencën e Arbërit. Në këtë përfundim nuk e çoi jo aq vënia e dëshmitarit të rremë në torturë, se sa bisedat me shokët më të afërt të Kostandinit.
Kadare guxon të ngrejë një rrjetë intrigash duke mbajtur në dorë një margaritar dhe nuk i fryn si magjistar për ta tjetërsuar, por si admirues për t’i dhënë atij një përdndritje të re.
(Romani “Kush e solli Doruntinën” i Ismail Kadaresë, Tiranë 1980)