• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Libri në gjuhën shqipe jeton në Bibliotekën e Garfield-it

June 7, 2024 by s p

Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ishte e ftuar për të kontribuar në Koleksionin e Librave në Gjuhën Shqipe i cili iu dhurua Bibliotekës Publike të Garfield-it.

… Si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe(…) është e aftë të shprehë me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.

(Faik Konica, Albania 1, 1897)

Një gjuhë kaq e vjetër si gjuha shqipe e shkruar me gërma latine e cila përfshihet në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe flitet nga rreth 10- milionë njerëz në të gjithë botën, e njohur historikisht si gjuha arbëreshe, zuri vend simbolik paraditen e së shtunës, në këtë ditë të gëzuar festive të 1- Qershorit të mezipritur të fëmijëve, në raftet e Bibliotekës Publike të Garfield, New Jersey, përmes veprave të shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve shqiptarë në të gjithë Amerikën e më gjerë. Ky hap dëshmon se kemi ndërmarrë guximin piramidal drejt formës më të lartë të dinjitetit kolektiv që kombi ynë përtej Atlantikut të afirmojë vetveten nëpërmjet filozofisë së mendimit, konceptit e idesë brenda individit, për të mos e lënë të bjerë në letargji reflektimin shpirtëror të njeriut të kohës moderne, ku varfëria e imagjinatës si rezultat i presionit shtypës të epokës teknologjike është kthyer në kërcënim për shëndetin intelektual të kombeve dhe jo vetëm. Morëm guximin të nisim një fushatë të fuqishme kundër filozofisë së formës e cila krijon një botë të disbalancuar dhe vret natyrshëm reflektimin shpirtëror të njeriut e kombit. Kjo humbje e balancës, rrezikon ta kthejë qenien humane, në një masë instrumentale pa shpirt që luan simfoninë e zbehjes së thellësisë së imagjinatës e për rrjedhojë nuk ofron asnjë garanci për mbijetesë, por sjell asimilim.

Shtysën për një nismë të tillë e sollën botimet e shumta të krijuesve shqiptarë dhe intensifikimi i domosdoshmërisë së nevojës së komunitetit tonë për të mos i humbur kontaktet me gjuhën dhe për të qenë më pranë me letërsinë shqipe. Aleanca Shqiptare e Shtetit të New Jersey-t, bëri të mundur që kjo inisiativë të realizohej në një nga sallat e leximit, në Librarinë Publike të qytetit të Garfield-it. Me një organizim profesional të menduar deri në detaje Presidenti i Aleancës Shqiptare z. Alban Gaba në bashkëpunim me anëtaren e Sh.Sh.Sh.A, poeten Arjana Gaba vunë në dukje rëndësinë e veçantë të këtij aktiviteti kulturor për të përçuar më tej gjuhën, letërsinë, artin dhe traditën tonë kombëtare, ngjarje kjo e cila për komunitetin shqiptar në Amerikë, në historikun e bibliotekës së këtij qyteti, zhvillohej për herë të parë.

Përse ky kënd librash në gjuhën shqipe? Sa e rëndësishme është kjo gjuhë përballë botës së madhe multikulturore në Amerikë? Si u prit kjo nismë e fuqishme nga Kryebashkiaku dhe Drejtoresha e Bibiotekës së këtij qyteti? Që t’i qasemi tematikës së sotme duhet t’i referohemi më parë të dhënave dhe fakteve historiko-gjuhësore të cilat hedhin dritë dhe zbehin çdo dyshim mbi çështjen e vjetërsisë dhe rëndësisë së gjuhës shqipe.

Territori gjeografik ku flitet gjuha shqipe deri më sot mbulon Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, zonat e Evropës Juglindore me popullsi shqiptare si edhe Malin e Zi e Luginën e Preshevës. Zgjerohet më tej në Komunitetet e shpërndara shqiptare në Kroaci, Greqi, Çamëri, rajonet e Maqedonisë Perëndimore, Trakës Perëndimore, Itali (arbëreshët në Italinë e Jugore, Sicili, Kalabri), si edhe në Rumani e Ukrainë. Gjithashtu, nëse do t’i referoheshim pasurisë së Fjalorit të gjuhës shqipe dhe Huazimeve nga greqishtja e lashtë e latinishtja, do të përforconim konkluzionin mbi vjetërsisnë e gjuhës sonë. Përsa i përket shkrimeve më të hershme në gjuhën shqipe na vjen në ndihmë Meshari i Gjon Buzukut në shek. XVI (1555), L.Matrënga (1592) e pak më vonë P.Budi, F. Bardhi, e P.Bogdani vepra këto që dëshmojnë edhe strukturën e qartë dialekto-territoriale në proçes evolucioni. Rrebeshet e kohërave nuk mundën dot ta zbehin funksionin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në Periudhën Parakombëtare (XV-XVI-1860), si edhe në Periudhën Kombëtare, nëpër të gjitha fazat ku ajo kaloi:1860-1912; 1912-1944; 1944 e deri më sot. Si rezultat i konvergjencës së të dy dialekteve tona, u bënë domosdoshmëri konferencat dhe konsultat e gjuhëtarëve për Gjuhën e Njësuar si edhe për drejtshkrimin e saj. Për rrjedhojë në Kongresin e Drejtshkrimit, Tr. 1972, u vendos gjuha standarte, trajtë të cilën vazhdon ta ketë edhe sot. Tashmë, në epokën dixhitale ku fuqia dhe shpejtësia e internetit në shpërndarjen e informacionit janë marramandëse, Katedra të Gjuhës Shqipe vazhdojnë të jetë të hapura dhe një mori Universitetesh dhe Qendrash Albanalogjike nëpër botë: Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Leningrad, Pekin, Mynih, Bukuresht, Selanik, Sofie, e më tej ofrojnë thellimin drejt dijes.

Epiqendra ideore e këtij takimi ishte nevoja e përçimit të gjuhës shqipe tek brezi i ri, si një nyjë solide për të siguruar vazhdimësinë e trashëgimisë sonë kulturore e cila zgjon edhe krenarinë kombëtare mbi prejardhjen dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe për ta transformuar në një fuqi të pashtershme frymëzimi dhe imagjinate për bashkësinë e studentëve shqiptarë. Një koleksion i pasur botimesh letrare në prozë, poezi dhe studime, ju dhuruan bibliotekës së qytetit nga autorët e pranishëm në sallë për të qenë pasuria e komunitetit tonë në shuarjen e etjes për të lexuar shqip nga brezi i ri i fëmijëve shqiptarë të lindur në Amerikë, si edhe nga dashamirës të gjuhës shqipe prej komuniteteve multikulturore këtu duke e forcuar relacionin zinxhir të procesit letrar autor-vepër- lexues, synuar rikthim të brezit të ri në rigjetjen e balancave drejt librit fizik, prekjes, thellimit të njerëzores, e drejt mendimit, si akti më humanist e dëshpërimisht më i nevojshëm në ditët tona. Forma e plotë e gjuhës si shkencë humane arrihet vetëm nëse nëpërmjet variantit të folur (komuniteti), depërtojmë në variantin e shkruar (libri) e në këtë proces simbiotik arrihet ftesa për reflektimin polidimensional shpirtëror të kombit.

Të gjithë të pranishmit të ngritur në këmbë, me dorën në zemër nderuan ekzekutimin e Himnit të Flamurit shqiptar dhe Flamurit amerikan, Himne të cilët shënuan edhe hapjen e kësaj ngjarjeje të shënuar. Le të kthehemi pas në retrospektivë për të hedhur dritë se sa shumë luftuan të parët tanë që të ruajnë të paprekur gjuhën shqipe. Për këtë mund t’i referohemi historisë së gjuhësisë e studimeve të specializuara letrare mbi çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe, të cilën e ka mbrojtur me zjarr edhe poeti Jeronim De Rada. Për rrjedhojë u bë tez’/kryefjala e rilindasve të cilët duke e vënë theksin tek lashtësia e popullit shqiptar kërkuan dhe luftuan me forcën e penës për të drejtat e tij në mes të popujve të tjerë të lirë e të pavarur të Evropës.

Vlen të përmendet se kur studiuesit J. Hahn, në veprën “Studime Shqiptare” 1854, ju desh të vërtetonte prejardhjen ilire të shqiptarëve, thirri në ndihmë dëshmitë dhe faktet e hershme gjuhësore. Por, sa e vjetër është përafërsisht gjuha jonë shqipe? Po të përllogarisim 3700- vjet para erës sonë, mbijetesa dhe vjetërsia e gjuhëve indoevropiane, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe, aludohet të jetë rreth 6- mijë vjet. Kjo gjuhë kaq e shtrenjtë dhe kaq e hershme, 6-mijë vjeçare, ishtë bërthama e këtij takimi kaq të rëndësishëm letrar ku të ftuar nderi ishin Kryebashkiaku i qytetit z. Rich Rigoglioso, Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara zj. Suela Janina, Drejtoresha e Bibliotekës së Garfield-it zj. Mary Jo Jennings, Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Përfaqësues nga Federata Pan-Shqiptare Vatra, si edhe nga Shoqata e Gruas Marigona, anëtarë të bordit të Bergen County, poetë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, dashamirës të artit të fjalës së shkruar, interpretues, aktorë, muzikantë e më gjerë.

Presidenti i Aleancës Shqiptare në New Jersey z. Alban Gaba, në fjalën e hapjes u shpreh ndër të tjera: Koleksioni i librave që ju dhurua bibliotekës sot, është një burim i çmuar dijesh dhe kulture, jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për lexuesit e apasionuar të komuniteteve të tjera. Janë rreth 3500 shqiptarë që jetojnë në komunitetin e Garfield-it, ndër të cilët 1150 frekuentojnë shkollat publike të qytetit.

Më pas Majori i Qytetit të Garfield z. Rich Rigoglioso në fjalën e tij përshëndetëse shprehu vlerësimin më të lartë për komunitetin shqiptaro-amerikan i cili fatmirësisht është i madh në numër dhe shpalos vlera në fusha të ndryshme të shkencës, letrësisë, artit e më gjerë. Ky komunitet flet një gjuhë të vjetër dhe përçon një kulturë të thellë duke dëshmuar trashëgiminë e pasur të një populli me histori të lashtë. Është nderi dhe privilegji im t’ju uroj mirëseardhjen në Librarinë Publike të Garfield-it. Kjo bibliotekë gjithmonë ka qenë një institucion studimi, eksplorimi dhe shkëmbimi multikulturor. Jam i sigurt se kontributi juaj i vyer do të lerë gjurmë tek brezi i ri i cili që sot e tutje do të ketë fatin e mirë të lexojë edhe libra në gjuhën shqipe. Ju siguroj se ky komunitet shpalos dinjitet e do të ketë gjithmonë vëmendjen, mbështetjen dhe përkrahjen time të veçantë. Ky fjalim u shoqërua me duartrokitje të përzemërta dhe ngjalli entuziazëm në sallë.

Nderoi të pranishmit me fjalën e saj në vijim Ambasadorja Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara zj. Suela Janina, duke shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e këtij eventi kulturor. Të dashur vëllezër dhe motra… kjo vjen si muzikë për veshët e mi. I ftoj të gjithë fëmijët të vijnë e t’i lexojnë këto libra shqip, radhitur në raftet e kësaj bibioteke kaq të bukur. E ndoshta ne nuk i kemi pasur këto mundësi…ndaj mirënjohja ime shkon tek të gjithë ata shqiptarë që me të gjithë vështirësitë që hasin, bëjnë ç’është e mundur për të mos e harruar gjuhën e atdheun mëmë. Dhe ky do të jetë investimi më i madh që ne do të bëjmë tek brezi i ardhshëm, sepse e ardhmja e kombit tonë është kënaqësia më e madhe që na e mbush zemrën si shqiptarë. Komuniteti shqiptaro-amerikan kudo në Amerikë ka krijuar një urë të fortë marrëdhënieje historike dhe shoqërore midis të dy shteteve tona.- përfundoi fjalën e saj Ambasadorja Janina, duke shprehur dëshirën për të qenë pranë komunitetit tonë edhe në aktivitetet e ardhshme.

Drejtoresha e Bibliotekës së qytetit të Farfield-it zj. Mari Jo Jennings u shpreh: Jam thellësisht e prekur sot, kur një ngjarje e një rëndësie kaq të vecçntë po ndodh pikërisht në një nga ambjentet e Institucionit që unë drejtoj. Dua të përgëzoj të gjithë autorët të cilët e pasuruan Bibiotekën Publike te Garfield-it me këtë koleksion librash, shkruar në një gjuhë kaq të lashtë, duke i shtuar një xhevahir më shumë thesarit multikulturor të qytetit tonë. Jam e bindur se komuniteti shqiptar i cili radhitet i dyti, pas komunitetit polak, do të vazhdojë të na surprizojë me prurje të vazhdueshme veprash letrare dhe ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të jetë i frytshëm dhe i sukseshmën edhe në të ardhmen.

Poetja dhe studiuesja e letërsisë Ph.d Yllka Filipi, përshëndeti në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, duke evidentuar rëndësinë historike të këtij aktiviteti si edhe privilegjin që kjo bibliotekë rezervoi për autorët shqiptarë dhe veprat e tyre përkundrejt një spektri më të gjerë lexuesish pasionantë, studimesh të thelluara në fushën e letërsisë së krahasuar (anglisht- shqip), apo edhe ekipesh studimore nga gjuhë të tjera, si edhe një game më të gjerë dijetarësh, mendimtarësh e përkthyesish që kanë shfaqur interes për gjuhën shqipe, me përparësi brezin e ri shqipfolës të komunitetit tonë, në mënyrë që e gjithë kjo energji njerëzore e brezit të ri të kanalizohet në rrugën e duhur si dije e mirëartikuluar e formave të përpunuara të imagjinatës së shëndoshë në bazë të sistemit të vlerave shpirtërore, drejt mendimit e reflektimit si një tjetër formë edhe më e lartë, formë ndjeshmërie e afrimi hyjnor drejt atdhedashurisë. Nuk ka asnjë kod universal që të mund të zbërthejë arsyen pse nuk mund të venitet nevoja shpirtërore e një kombi për të përçuar ndër breza gjuhën e tij të hershme, të cilën ndër mijëra vjet si në mijëra operacione kozmike për mbijetese e ka shpëtuar nga asimilimi, shfarosja dhe vdekja e sigurtë. Ligjet e arsyes të tërhequra brenda një sfere tjetër shumëdimensionale atdhedashurie, zotërojnë gjithë forcën e universit për t’i treguar epokës së globalizimit, se edhe gjuha më enigmatike, në çdo territor gjeografikisht të kudondodhur, në qoftë se i ka zbardhur të gjitha misteret e i ka ndriçuar epokat e errëta të historisë, meriton vëmendje jashtëzakonisht të veçantë dhe duhet të mbrohet me jetë, siç shpesh e ka treguar koha e duket të nderohet me dorën në zemër dhe ballin lart nga bashkëkombësit e saj! Vetëm ajo gjuhë nuk mund të vdesë dhe ky privilegj i takon sot një gjuhe shumë të lashtë, gjuhës shqipe. Le t’i themi fëmijëve tanë: Ja ku janë librat që janë shkruar në gjuhën e nënës, në gjuhën e shpirtit, në shqip! Sa herë t’iu marrë malli, ejani e shfletoni! Më fuqinë magjike të shkronjave tona do të fluturoni gjer në mëmëdhe! Mos u habisni nëse trupi do të jetë këtu e shpirti do të shëtisë atje.- përfundoi fjalën e saj Ph.D Yllka Filipi.

Krijuesja Arjana Gaba prezantoi për të pranishmit Biografinë dhe Veprimtarinë Letraro-Artistike mbërritur nga Britania e Madhe të Prof. Dr. Fatmir Terziu me një koleksion të përzgjedhur prej 15- veprash letrare, një pasuri kaq e çmuar kjo e cila iu dhurua bibiotekës së qytetit. Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë z. Adnan Mehmeti u shpreh: Dua t’iu tregoj se kam në dorë suplementin e revistës letrare Pena e cila sapo ka dalë nga botimi dhe pasqyron punën e palodhur të Sh.Sh.Sh.A, si edhe prezanton edicionin e 3-të të Panairit të Librit Shqip në Amerikë. Kjo fundjavë e mrekullueshme filloi me magjinë e 1-Qershorit të fëmijëve tanë dhe shënoi hapjen e Këndit të Ri të Librit Shqip në Bibliotekën Publike të Garfield-it, New Jersey. Me elegancë dhe profesionalizëm nga Aleanca Shqiptare si edhe me mbështetjen e padiskutueshme të Bashkisë së qytetit Garfield, ky moment solli bukurinë e fjalës së shkruar dhe shpirtin e kulturës sonë, ndaj dhe ju meritoni çdo lëvdatë për këtë organizim të jashtëzakonshëm.

Shkrimtari dhe poeti z. Mhill Velaj i cili dy muaj më parë e delegoi me sukses detyrën e Kryetarit të Sh.Sh.Sh. A – falenderoi të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë për sakrificën e shqiptarëve kudo që ndodhen nëpër botë për t’iu përcjellë brezave që do të vijnë trashëgiminë tonë tejet të pasur kulturore. Më pas e mori fjalën nënkryetarja e shoqatës së Sh.Sh.Sh.A zj. Arjeta Ferlushkaj e cila vuri në dukje: Se sa rëndësi ka ky kënd i hapur sot, këtë do ta tregojë koha dhe fëmijët tanë. Libri është mjeti më i bukur dhe më i duhuri për t’i bërë ata të udhëtojnë në kohë dhe vende të ndryshme. Le të jetë kjo nismë e vogël me dashuri të madhe një shtysë për ne që të krijojmë një rrjet bashkëpunimi zinxhir për t’i ardhur më afër lexuesit tek biblioteka e tyre lokale edhe pse jo, ndonjëherë të bëjmë edhe një orë leximi në gjuhën shqipe nga veprat e autorëve të ndryshëm shqiptarë. Drejtuesja e Shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane Marigona zj. Sabije Veseli falenderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh optimiste për zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve kulturore të këtij lloji në të ardhmen. Recitime poezish të zgjedhura nga interpretues të talentuar dhe tinguj muzikorë, mbyllën me sukses një takim kaq të rëndësishëm për gjuhën tonë të vjetër, kulturën dhe librin shqip.

Për autorët që kontribuan në koleksionin e librave shqip që u dhuruan sot në Këndin e Bibliotekës Publike të Garfield-it u shpërndanë Certefikata Mirënjohjeje nga Aleanca Shqiptare e Shtetit të New Jersey-t, në shenjë falenderimi të përzemërt për pasurimin e vlerave të librarisë së këtij qyteti me veprat të cilat do të shërbejnë si një formë e vyer kontributi për ruajtjen e përhapjen e kulturës dhe traditës së krijimtarisë shqiptare. Aktiviteti u transmetua drejtpërdrejt në TVSH nga gazetari i mirënjohur z. Denion Ndrenika.

Intensifikimi i këtij akti është hallka më e fortë e dijes së provuar nga eksperimentimi i vizionit shkencor me në qendër reflektimin filozofik mbi librin shqip në diasporë, si një thirrje për të rinjtë që t’iu rikthehen ndjeshmërive dhe ideve në format pafundësisht të larmishme që ofron zhytja në thellësinë e mendimit të gjallë njerëzor, si një dimension i ri që do të sigurojë risinë e kombit shqiptar për të mos ia dobësuar kujtesën historike e për të mbajtur gjallë vazhdimësinë ekzistenciale të tij kudo nëpër botë.

Ph.D Yllka FILIPI

Garfield, N.J

6.01.’24

Filed Under: LETERSI

Arkitekti i Kryeqytetit dhe një vizion i ri për Prishtinën

June 7, 2024 by s p

Perparim Rama/

Si kryetar i Prishtinës, mbaj barrën dhe privilegjin e një detyre të rëndësishme, për të cilën qytetarët më kanë besuar me votën e tyre. Përveç obligimeve të përditshme dhe përmbushjes së premtimeve, kjo detyrë më jep mundësinë për të treguar arritjet dhe planet tona për të ardhmen. Por, më e rëndësishmja, ajo që bën diferencën është koncepti i Arkitektit të Kryeqytetit – një institucion kyç që ndihmon në krijimin e një narrative të re për qytetin tonë. Duke harmonizuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit luan një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë.

Të qenit i zgjedhur me votë, përveç barrës dhe privilegjit, ka një tjetër dimension të ndryshëm nga gjithçka tjetër: rikujtimin. Nuk mund të harrosh asnjëherë që të kanë zgjedhur dhe që, mu për këtë arsye, ke disa obligime të cilat i ke marrë që atë ditë.

“Kryetar, po kjo… është një prej togfjalëshave që të bie t’i mësosh përmendësh, i cili në të shumtën e rasteve shoqërohet me pyetje për ndonjë punë që po kryhet a ndonjë projekt të premtuar. Ta thonë të gjithë, përditë dhe kudo. Dhe, ndryshe nga ç’mund të duket në pamje të parë, kjo nuk është një diçka që dua ta shmang. Përkundrazi, është një mundësi. Një rast për të treguar atë që kemi bërë, po bëjmë dhe do të bëjmë, më shpejt dhe më mirë se kushdo tjetër, për Prishtinën. Asnjë qyteti dhe veçanërisht një kryeqyteti, sado i madh apo i vogël të jetë, s’i mungojnë asnjëherë rrëfimet dykohëshe: për të tashmen dhe të shkuarën.
Si jemi? Dhe, si ishim?

Të dy këto janë pyetje të thjeshta, të cilave, shpeshherë, mjafton kujtesa për t’u kthyer përgjigje. Sepse njerëzit i prekin përditë dhe janë në memorien e çdonjërit, të të gjithëve së bashku. Atë që plot qytete s’e kanë dhe sa më i vogël të jetë qyteti aq më i vështirë, madje i pamundur, ngjan të menduarit dhe ndërtimi i tij, është rrëfimi për të ardhmen. Krijimi i tij kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së trashëgimive historike, sfidave të së sotmes dhe mundësive për të ardhmen. Dhe, më tepër se gjithçka tjetër, njohjen e qytetit, të njerëzve të tij. Prishtinasve dhe vetë Prishtinës i duhet një kapërcim i tillë, që del nga përshkrimi I çfarë jemi e çfarë ishim, për të ravijëzuar çfarë do dhe duhet të jemi, përtej dimensioneve e kufizimeve fizike, duke krijuar kështu një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qytetit si rrëfim trekohësh. Prandaj, Prishtina e së ardhmes, më tepër se togfjalësh, që merr trajtën e një slogani politik, është nevojë dhe domosdoshmëri për qytetarët e saj. Për vetë ekzistencën dhe vijimësinë e të qenit qyteti më i rëndësishëm i vendit (duke synuar që të mos mbetet thjesht i tillë), në kontekste të reja dhe në transformim të vazhdueshëm, madje.

Ne duam dhe punojmë përditë që prishtinasit të ndjehen krenarë për qytetin, që është i tyre jo thjesht ngaqë jetojnë në të, por sepse ata janë bashkëkrijues të një rrëfimi të ri për Prishtinën. Është një rrugë e vështirë dhe me plot sfida, kjo që kemi nisur para gati njëmijë ditësh. Mirëpo, jemi të pamëdyshje në këtë ecje tonën përpara, së bashku me ju, ngaqë jemi të bindur se, vetëm kështu, qyteti të cilin e duam, do të bëhet qytetitë cilin do ta duan dhe qyteti i duhur për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë. Do Ecim bashkë, drejt qytetit në të cilën 200 mijë prishtinas do të mund të arrijnë në sheshet e qytetit, pa asnjë pengesë. Bulevardi qendror i qytetit, që prej sheshit të Flamurit deri tek qyteti i vjetër, që do t’ua kthejë qytetin qyetarëve, do t’i lidhë të gjithalagjet e qytetit. Për ta bërë të mundur këtë po punohet për mbikalimet në lagjen Arbëria dhe rrugën “Agim Ramadani”; nënkalimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe në udhëkryqin e sheshit “Xhorxh Bush”; pasarelën e Hotelit Grand dhe riorganizimin e tërësishëm të trafikut në qytet. Këmbësorët do të jenë të parët, por as shoferët nuk do të presin më me orë në trafik.

Në epokën digjitale nuk ka arsye të humben orë të tëra duke pritur në radhë. Ecja jonë digjitale nënkupton që, për të gjitha shërbimet të cilat tani merren në komunë, do të krijohen mundësi të realizimit online. Edhe kur ato janë shumë më teknike, siç kemi bërë me platformën “e-Leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale dhe të cilës ia kemi bashkëngjitur edhe nënshkrimin digjital përmes “e-Nënshkrimi”, si dhe mundësinë e përcjelljes së krejt procesit duke përdorur “e-Përcjellja”. Po presim të na e japin lejen, që t’ua japim juve “e-Lejen”. Kemi digjitalizuar ndërtesa të rëndësisë së veçantë historike dhe po e digjitalizojmë krejt qytetin. Që ta keni dhe ta përdorni ju – të gjithë.

Bashkë me ju kemi arritur të bëhemi qyteti mikpritës i Lojërave Olimpike Mesdhetare. Është duke u punuar fort që, për këtë dhe të ardhmen e sportit prishtinas, të kryhet Masterplani i Fshatit Olimpik dhe kështu Prishtina të kthehet në referencë ballkanike të sportit. Por, jo vetëm kaq. Të kulturës dhe artit, përmes projektit të Tulltores. Dhe, në një destinacion turistik, përmes ndërhyrjeve restauruese në pjesën e vjetër të qytetit. Asnjëra nga këto nuk janë ndërmarrje të lehta. Njëmijë e një sfida e pengesa duhen kaluar. Por, politika është shërbim ndaj qytetarit. Dhe që të mund t’u shërbejmë në të
sotmen, duke menduar për të ardhmen, ne nuk mund të jemi të vetëm. Për këtë kemi marrë dhe marrim ndihmë profesionale nga ata që janë shumë dhe që ju i njihni për një – si arkitekti i kryeqytetit, dhe që mblidhen të gjithë nën emërtimin Shërbimi i
Arkitektit të Kryeqytetit. Qindra njerëz punojnë në të gjitha e për të gjitha projektet që i përmenda më lart. Për një rrëfim të ri për qytetin. Për Prishtinën e së ardhmes.
Për ju!

Përfundim

Një qytet nuk është thjesht një vendndodhje gjeografike, por një rrëfim i gjallë që përfshin historinë, të tashmen dhe ëndrrat për të ardhmen. Përmes bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, ne po ndërtojmë një Prishtinë që reflekton krenarinë dhe shpresat e qytetarëve të saj. Në këtë rrugëtim, roli i Arkitektit të Kryeqytetit është thelbësor, duke siguruar që transformimi urban të jetë i mirëplanifikuar dhe i qëndrueshëm. Me përkushtim dhe përpjekje të përbashkëta, ne po e kthejmë Prishtinën në një qytet që jo vetëm që plotëson nevojat e sotme, por qëndron si një model për brezat e ardhshëm. Kjo është Prishtina e së ardhmes, një qytet i ndërtuar nga dhe për qytetarët e tij. Ju mirëpres të gjithëve ditën e premte në Konferencën për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit ku do të prezantojmë projektet dhe punët e deritashme.

Filed Under: Ekonomi

LABËRIA NË LUFTËN E VLORËS

June 6, 2024 by s p

Albert HABAZAJ

EPOPEJA E NJËZETËS: 5 qershor-3 shtator 1920; 104 vjet më parë … 

Hyrje

Lufta Kombëtare e Vlorës është trajtuar gjerësisht nga historiografia shqiptare, ndërkohë ka ngjallur shumë interes edhe nga studiues të huaj gjatë një shekulli. Vlora për Shqipërinë është si New Yorku (Nju Jorku) për Amerikën, sikurse thonë se Nju Jorku është Vlora e Shqiptarëve të Amerikës, ku shqiptarët e atjeshëm ngrenë ngrenë flamurin kombëtar kuqezi. Vlora është parë nga të huajt si pozicioni më i rëndësishëm strategjik në Adriatik. Vetëm 49 milje nga Italia, ajo shikohej si një port i shkëlqyer dhe në se fortifikohej mund të kontrollonte hyrjen në Detin Adriatik. Sikurse gjithë Shqipëria, ende e brishtë në pavarësinë e saj, edhe “Gjibraltari i Adriatikut” po kërcënohej seriozisht. Dritëro Agolli në poemën “Nënë Shqipëri” shkruan: “Një copë, një copë!/ Një çikë, një çikë!”/ Ulërinin ujqit mes zhegut, kallkanit;/ Dilnin nga shpella si në legjendat e vjetra/ Veshur me mburoja kalorësie/ Fshehur kokë e turi në helmeta,/ Zbutur me frak diplomacie,/ Zgjatnin këmbën si në përrallën e Dhisë e kecave:/ “Tuk-tuk!/ Hape!/ Jam unë”!”  

              Nga historia dimë se Lufta e Parë Botërore (qershor 1914 – nëntor 1918), që përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor, ishte kryesisht e përqëndruar me dy blloqet: Blloku i Antantës ku bënin pjesë Britania, Franca dhe Rusia dhe Blloku Tripalësh (Forcat Qendrore), ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Në këtë kuadër, Traktati i fshehtë i Londrës (26 prill 1915) ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Ndër 16 nenet e këtij traktati famëkeq, 3 prej tyre (neni, 5, 6 dhe 7) kishin të bënin me fshirjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës. Sipas nenit 6, “Italia do të marrë sovranitet të plotë mbi Vlorën, Ishullin e Sazanit dhe territoret përreth, në një largësi të tillë që të sigurojë mbrojtjen e këtyre pikave”. Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua prej ushtrisë italiane, e cila dalëngadalë zaptoi tërë rrethinat e Vlorës dhe krahinat e Labërisë e më gjerë. Kujtojmë që, megjithëse ndërhyrja e Willsonit e kishte penguar përkohësisht ndarjen e Shqipërinë nga Fuqitë e Mëdha, presidenti amerikan nuk i kishte zgjidhur problemet se çfarë duhej bërë me Shqipërinë. Të mëdhenjtë kontinentit plak e shikonin Shqipërinë si mjet shkëmbimi, por, si duket, nuk ishte më e dobishme si e tillë. Studiuesi Robert Larry Woodall shkruan “Përballë indiferentizmit të Fuqive të Mëdha, shqiptarët u detyruan të mbroheshin vetë kundër ushtrive të huaja”. Viti 1920 u shfaq si tallaz drejt lirisë, në mbrojte të pavarësisë së rrezikuar dhe sovranitetit të nëpërkëmbur të shtetit shqiptar. “Në qershor, shqiptarët filluan t’i sulmonin trupat italiane të përqëndruara në Vlorë. Politika italiane po fundosej”

  1. Labëria dhe  Vlora si simbolikë e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920

             Historia na tregon, sipas kriterit kronologjik, kur fillon lufta dhe kur mbaron si kohë; se Lufta Kombëtare e Vlorës nisi dhe u zhvillua me tre faza, konkretisht: 

Faza e parë (5-10 qershor) nisi në bazë të vendimit të Kuvendit të Barçallasë dhe urdhërit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, me sulmet e forcave vullnetare, në orën 20:00 kundër garnizoneve italiane, të përqëndruara jashtë qytetit të Vlorës në rrugën Drashovicë – Tepelenë dhe Llogora – Himarë, ku trupat kombëtare çliruan Kotën, Drashovicën, Llogoranë dhe Matohasanaj, me përjashtim të Tepelenës që ra pak ditë më vonë. 

Faza  e dytë (11-20 qershor) nisi me sulmin mbi forcat italiane brenda qytetit të Vlorës, ku luftimet u zhvilluan shumë të ashpra e tepër të përgjakshme në hapësirat e Qafës së Koçiut, të Vreshtave të Mëdha e të Kalasë së Kaninës. 

Faza e tretë – 23 korrik, nis me çlirimin e Tepelenës më 21 qershor dhe sulmin e përgjithshëm natën në qytetin e Vlorës më 22 korrik. 

Mendojmë se edhe ky skelet informativ na e jep qartas hapësirën dhe kohën e zhvillimit të ngajrjeve kryesore luftarake për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave të pushtuara të Labërisë në tre muajt e sfidave të mëdha.

Në Kuvendin e Barçallasë në mal të Dukatit, më 29 maj, krahina e Vlorës, e bashkuar, me përjashtim të disa çifligarëve, dha kushtrimin për luftë, duke përfaqësuar më së miri këtë lidhje e bashkim të domosdoshëm. “Kuvendi i Barçallasë dhe Mbledhja e Beunit, më 2 qershor, me organizmat e ndryshme, që u krijuan atje, që nga komisioni i të 12-ve e deri te komandantët e çetave, përfaqsojnë organizmin ushtarak dhe piolitik të luftës së armatosur.”

             Siç kuptohet, për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, Labëria dhe Vlora, me ngjarjet, bëmat e personazhet, në këndvështrimin e hapësirës dhe kohës, zë rolin kryesor në këtë epope të përmasave termopiliane, duke u bërë kështu simbolika e kësaj lufte çlirimtare. Krahinës së Vlorës i ra pesha e fazës së parë të luftimeve, ajo që shtrihet deri më 11 qershor, kurse peshën tjetër, atë deri më 2 gusht 1920, e ndanë,  si mund të thuhet, bashkë me krahinat e tjera. Faqja e Barçallasë, Rrapi i Gurrave në mal të Beunit, (që shpirti i kësaj lufte, mësuesi atdhetar Halim Xhelo e quajti Rrapi i Burrave), Kota, Gjormi, Llogoraja, Tepelena, Jonufra, Drashovica, Qafa e Koçiut e Kanina janë simbolet toponimike me vlera historike kombëtare. Sa herë përmendim këtëo emërvende, kujtojmë ngjarjet dhe personat relalë që heroizmi i shpirtit të tyre liridashës i shndërroi në personazhe historikë të përmasave legjendare.

Pas Kongresit të Lushnjës, për të drejtuar lëvizjen kombëtare, më 10 mars 1920 u krijua brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, bir i shquar i Armenit dhe Labërisë, figurë e rëndësishme e historisë së  re shqiptare. Qazim Koculi dhe deputeti tjetër Spiro Jorgo Koleka nga Vunoi u ngarkuan të kryenin funksionet e përfaqësuesit të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri Sulejman Delvina e aprovoi programin e komitetit. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, sidomos Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Luftës së Vlorës, apo “12 Komisionë”, siç flitej në popull, së bashku me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se, në këtë 104 vjetor nderimi të Epopesë së Madhe, i bëjnë më shumë dritë Historisë së re popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. 

           Emrat e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjesë Kombëtare dolën nga paria fisnike dhe atdhetare e qytetit dhe fshatrave të Labërisë së Vlorës. Ata janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës (1920), me anëtarë: Osman Haxhiun, Duro Shaskën, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Qazim Kokoshin, Beqir Sulo Agalliun, Hamit Selmanin, Hysni Shehun, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Sali Bedinin, Hazbi Canon e kanë merituar denjësisht Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar në organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe mbrojtjen e lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për brezat pasues të Shqipërisë.” Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin.

  1. Halim Xhelo për rolin e Labërisë në Luftën e Vlorës

            Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë”, siç thotë kënga, e cila, ndër kriteret specifike ka dhe parimin e zbukurimit. 

           Për këtë realitet të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës, me një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut” . Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve dhe Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë. Sikurse Vlora me qytetin dhe fshatrat e Labërisë: Sevasterin, Vajzën, Bratin, Vranishtin, Shkozën, Tërbaçin, Smokthinën, Kallaratin, Lepenicën, Gumenicën, Dukatin, Çeprratin, Tragjasin, Vezhdanishtin, Gërnecin, Trevllazërin, Peshkëpinë, Armenin, Gorishtin, Mavrovën, Mallkeqin, Lapardhanë, Amonicën, Treblovën, Velçën, Rexhepajn, Bolenën, Dushkarakun, Kropishtin, Gjormin e Oshtimën, si dhe Tepelena me Salarinë, Gusmarin, Dhëmblanin, Bënçën, Progonatin e Nivicën, edhe, krahas krahinave të tjera shqiptare, u shqua Mallakastra, Skrapari e Berati u ndodh në krah të fqinjvë labë të pushtuar nga ushtria imperialiste italiane dhe e lanë me gjakun e bijve të tyre fitoren e e bujshme të 3 Shtatorit, që sipas Gani Iljaz Habazajt, korrespondentit nga frronti i luftës i gazetës “Drita” të Veli Harshovës, Gjirokastër, në Luftën e Vlorës u vranë mbi 130 luftëtarë, që përkujtohen si shehitë/ dëshmorë të lirisë. Kur në brigjet e Vlorës dhe të Kaninës binin dëshmorë për liri, dhe në fushat e Koplikut, në Shkodër, në Malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut kundra sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonin atdheun nga sulmet e tij. Halim Xhelo shkruan: “Viti 1920 është viti më i shënuar në Përlindjen tonë, se pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrashin [do të thotë flamuri kombëtar kuqezi, shën im: A.H.], luftuan krah për krah kundër të huajve”.

             Gjithë ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën jetën a kapitalin dhe bënë histori, por pa guxim s’ka lavdi. 

Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që të mos lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi.

  1. Traditat dhe parimet e humanizmit në luftë

             Meqënëse kontributi i Labërisë në Luftën e Vlorës është i shqueshëm dhe nga studiuesit është një temë e rrahur, dëshirojmë të ndalojmë pak tek kultura shpirtërore, virtytet fisnike, e drejta dokesore, traditat dhe parimet e humanizmit të banorëve labë në këtë epope. Sikurse në çdo luftë të mëparshme, edhe në Luftën e Vlorës, labët dhe tërë shqiptarët shkuan vullnetarisht, e prisnin me dëshirë betejën dhe përpiqeshin kush të dilte i pari në breg. Vullnetarizmi ushtarak vinte nga tradiuta e të parëve, për t’u dalë zot trojeve të pushtuara në rrjedhat e historisë. “Labëria është dovlet/ çdo shtëpi nxjerr dyfek” Në Luftën e Vlorës, vullnetarët e Labërisë, të organizuar në çeta, përbënin dhe një bashkim vëllazëror. Ata rreshtoheshin në çetë të veshur me rroba shajaku, vinin shami të zezë lidhur mbi feste si simbol i kryengritësit të Labërisë, xhamadan të qëndisur, tirq dhe sherqe e dyfek në sup.

             Sulmi, beteja për labin ishte akti më shpërthyes, vendimtar, ku nuk peshohej jeta, aty përmes flakës e tymit përleshej trup me trup, nuk frikësohej kur rreth tij luftëtarët binin, rrëzoheshin të vrarë e të plagosur nga breshëritë e plumbave dhe përmes kufomave, në fushën e zjarrtë, ai hidhej në sulm për fitor, për jetë a vdekje. Tipologjia epike e këtij akti trimëror është Selam Musa Salaria. Jo vetëm për Labërinë, yje në gjerdanin e lavdisë janë Dule Dalani, Sali Vranishti, Zigur Lelo, Kanan Maze, Selman Hyseni, Hodo Zeqiri, Muhamet Maze Merko, Rrapo Çelo Beqiraj, Azem Sulo, Sino Micoli, Metush Gjika etj. 

              Labi nëpër beteja ruante dhe parimet e humanizmit në luftë. Ruante një traditë me vlera, që ishte normë e së drejtës dokesore.  Labi nuk luftonte kundër grave, fëmijve dhe të mundurve, robërve të luftës, që ishin të përqëndruar në thellësi të fshatrave të Labërsisë së Vlorës. Sado të ashpër të tregoheshin gjatë luftimit, fitimtarët e Gjormit, Kotës, Llogorasë, të Drashovicës e Tepelenës nuk hakmerreshin mbi të mundurit. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Çmohej trimëria e fisnikëria, qoftë edhe e kundërstarit. Morali i krahinës së Labërisë, sikurse i gjithë popullit shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhëtinë. “Tradhëtar” ishte sharja më e rëndë, ndërsa burrëria labe nuk e pranonte thyerjen edhe për të mundurit.

Në marrëdhënie me të huajt, labi ka manifestuar trimëri e kulturë dhe në paqe ka qenë miqësor. Në konfilkte është shquar për dituri dhe iniciativë.

Në luftën e Vlorës u zunë rreth 1500 robër ushtarë e oficerë italianë, që ruheshin në fshatin Shkozë. Disa oficerë shanin e ofendonin çdo ditë rojet shqiptare, duke  quajtur “brekëgrisur”, “Këmbëzbathur”, e ca më keq i shanin dhe nga nëna!

Kishte roje që ishin gati t’i vrisnin, sepse të huajt shanin dhe flamurin, po urdhëri ishte “Asnjë incident me robërit, sepse labi nuk e ka zakon të luftojë me të mundurit” Italainët i provokonin rojet shqiptarë duke hedhur rroba e këpucë, orë dore dhe lekë, po asnjëri nuk i merrte a vullnetarët roje, për të mos ulur prestigjin e luftëtarit. 

Dhe kështu, më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye, hynë në Vlorën e çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur. Ndërsa poeti nacional i Italisë G. D’Anuncio (G. D’Annunzio) shkruante: “Është turp për Italinë që një tufë barinjsh të Labërisë hodhi ushtrinë italiane në det”, duke e cilësuar tërheqjen nga Vlora si “plagë e ligë”, ndërkohë për çlirimtarët shqiptarë dhe për mbarë kombin tonë ishte kurorë lavdie, nderi e dinjiteti.

Autori i këtij shkrimi është edhe autor i monografisë shkencore: Lufta Kombëtare e Vlorës: Historia në Epikën Historike.

Filed Under: Kronike

Rama – ERTV  vs. RAI 3

June 6, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Në një skenë të nxehtë dhe të pikëlluar, kryeministri Edi Rama është përballur me kërkesën e tij me një gazetar italian të RAI 3 duke besuar më shumë në të vërtetat e tija sesa në faktet. Në një monolog të ndërlikuar, të ngjashëm me një skërmitje si midis dy kafshëve të egra Rama u përpoq të lajë imazhin e tij të rrënuar të zbukuruar me shprehje “ Unë e dua Giorgion e jo Giorgian” kur u përpoq të bëjë humor nga zori me të cilin qeshin vetëm servilët e tij . Por, intervista që nisi si një debat për racizmin italian dhe cektësinë profesionale të shtypit, u shndërrua në një komedi të vërtetë në sytë e gjithë shqiptarëve që panë kryeministrin e tyre të sikletosur dhe aspak të relaksuar, siç kur bën ndonjë një podkast të ERTV.

Kryeministri, i veshur me një kostum të ngushtë dhe një veshje tërheqëse, u përpoq të mbrojë Shqipërinë nga sulmet e RAI 3. Ai akuzoi emisionin italian për racizëm, duke thënë se “italianët janë shqiptarë të veshur me Versaçe.”  Ndoshta ai mendonte se kjo do të mahniste Italinë, por duket se Italia nuk është aq lehtë të mahnitet. 

Si akuzojnë shqiptarët e veshur me Versaçe

Ndërkohë, gazetari italian, i veshur me një këmishë të hapur dhe një nënqeshje e pyeti Ramën për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Kryeministri u përgjigj me një monolog të gjatë, duke përdorur fjalë të forta të diskursit të tij të sallatosur me një “nacionalizëm naiv” ku mbizotëronte sarkazma e “ujërave të zeza të politikës Non Grata.” 

Por, gazetari nuk u ndal së paraqituri faktet. Atij si bënin jehonë shprehjet e stërkonsumuara të propagandës të Rilindjes në Shqipëri pasi nuk ishte rrëgjuar nga propaganda e mediave shqiptare. Giorgio vazhdoi të pyeste për ministrat e Brendshëm të Ramës, dhe për ata të cilët, sipas tij, janë bërë deputetë e kryetarë bashkish në Shqipëri me miratimin e Edit. Kjo duket sikur të gjithë janë të lidhur gazetari Giorgio Motola, e nxori papritur asin si një personazhi kontravers i qarkut meksikan të Sinaloas. Një mafioz i grupit më të rrezikshëm meksikan Luftar Hysa.  Por kur gazetari italian përmendi biznesmenin e lojërave të fatit, Luftar Hysa dhe takimin që patën bashkë në zyrën e tij në kryeministri, Edi Rama fillimisht bëri një përpjekje për ta shmangur këtë temë në intervistën që e pat kërkuar vetë si ballafaqim në Report, duke thënë se po i përmendnin “emra, që nuk di as çfarë duan të thonë, apo kush janë”.

Por kur Motola vazhdoi, duke cituar mediat kanadeze që kanë shkruar se Hysa dyshohet se pastronte paratë e kartelit meksikan të Sinaloas përmes kazinove dhe se ai ka hapur një të tillë në Vlorë, Rama u shtrëngua të japë versionin e tij për takimin me të. Kryeministri zbuloi se në zyrën e tij ishte folur për kazinonë që do të hapej në Vlorë dhe se për këtë kishin ndërmjetësuar pronarët e Marina Bay. 

Kullat e Imazhit të Kriminelëve

 Në fund, kryeministri u përpoq të shpëlahej nga llumi që kishte mbledhur mbi veten. Ai tha se akuzat ndaj qeverisë së tij janë të pavërteta dhe se ata që i bëjnë këto akuzat janë “një grusht shqiptarësh që ju i njihni shumë mirë, s’kanë atdhe, s’kanë fe, s’kanë din e as iman.” Gazetari italian e shikoi me habi dhe tha: “Duke folur kështu, kryeministri po e cënonte  veten dhe po i bënte si mos më keq se shqiptarët.”

Ndërsa debati vazhdonte, të gjithë pyetën veten: A është kjo betejë e vërtetë apo thjesht një telenovelë politike? Ndoshta kryeministri duhet të kërkojë një rol në një serial televiziv. Ndoshta atje do të ketë më shumë shanse për të fituar. Por, kryeministri nuk ndalej…” Dhe për të kuptuar se sa “trim e krenar” është Rama para të huajve, mjafton një orë në RAI 3. Ai pasi i ofroi kafe, me një servilizëm tamam prej “të menderosuri para të huajve,” akuzat e tij i quajti mjaltë, para llumit të mediave të vendit ku është kryeministër.

Patriotizëm idiot

Dhe kështu, kryeministri vazhdon të mbrojë Shqipërinë me patriotizmin idiot. Ai veten e barazon me flamurin dhe nderin e hajdutëve e banditëve ndërtuesve të kullave. E paradoksalisht siç” shkruante Uilliam Folkner: “Artisti nuk ka kohë t’i dëgjojë kritikët. Ai që dëshiron të shkruajë nuk ka kohë të lexojë kritikat.” për të ndaj dhe shpërthen: “Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara, tha Rama .Një shfaqje televizive si një version demokratik i hetimeve famëkëqija të Sigurimit të Shtetit, “ky tha, ai tha, ata thonë”, “ai takoi atë”, “ky u takua me atë”, “ti takove ata”, “thuhet se këtu bëhet kjo”, “thonë se në Shqipëri ndodhin këto”, “janë arrestuar, jo s’janë arrestuar”, “janë të lidhur, jo s’janë të lidhur”, “thanë dy kriminelë që njohin atë”, “ka akuza për vëllain e atij”, “ata atje pastrojnë paratë e atyre andej”, bla-bla-bla…,” tha Rama. Shfaqja e Llumit Politik: Kur Kriminelët Bëhen Superheronj”.  Por për habi këta heronj kanë qenë anëtarë të qeverisë së tij dhe madje zëvendës të tij.

Kur kriminelët bëhen superheronj  

Ky sjellje e tij prej narcizmi që realitetin e kupton vetëm brenda flluskës së tij, në fakt nuk kufizohet në një ideologji të caktuar. Pavarësisht se janë të majtë ose të djathtë, politikanët ndonjëherë shfaqin hipokrizi personale të një shkalle të tillë. Problemi qëndron në besimin e tyre se rregullat aplikohen ndryshe për ta—shpesh duke injoruar rregulloret që vetë kanë vendosur për të tjerët. Ndërsa pasojat ndryshojnë, problemi themelor vazhdon tek ndarja e elitave politike me qytetarët që ata shërbejnë. 

Por siç duket arroganca politike në demokracinë liberale është në thelb shprehje e politikanit kompleksiv, që me anë të saj përpiqet të mbulojë paaftësitë, dobësitë dhe dështimet e veta. Siç duket Ramës nuk i ka pëlqyer rezultati i debatit dhe si ai që ka humbur qetësinë pas “ndeshjes “ që nxjerr një mijë justifikime, në rrjedhën e tij të ligjërimit të tij të çartur që duket si letërsi e përroit psikik.  “Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtë nxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri, që i shërbejnë asaj llum politike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, nuk kishte aty e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nga ky pseudo investigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi”, duke u justifikuar në fund se prova s’ka , po ka akuza”! 

Deliri i sociopathit

I pari, që nuk duhet përjashtuar, është se Rama ka kaluar në delir. Ai tani e identifikon veten me Shqipërinë. Ky nuk do të ishte hera e parë që një autokrat hyn në këtë fazë (a)logjike. Rama po bën 24 vjet që mban një post shtetëror. Rrethi i servilëve dikur e krahasonte me Ismail Qemalin, ndërsa në mandatin e tretë, e krahasojnë me Skënderbeun.

Por Rama harron qëllimisht se ky është një emision televiziv, që nuk e ka për detyrë të hetojë të gjitha themelet e kullave të Tiranës. Nëse ishte kështu pse do të nevojitej një monolog të ndërlikuar, ku ai u përpoq të shpëlahej nga llumi që kishte mbledhur mbi vete më kundërmues se ujërat e Lanës. 

Post reagimi i Edi Ramës kundër RAI 3 ka një problem edhe më të madh, pasi ai duket si betejë ERTV vs. RAI 3, ku Rama kërkonte të merrte përfaqësimin e të gjithë shqiptarëve, por aty nuk po sulmohej Shqipëria, por po paraqiteshin fakte që Rama bën sikur s’i dinte për e tij qeverisjen e korruptuar. 

Francis Bacon, një filozof anglez, e krahasonte  qenien e një politikani të vërtetë me atë të një personi me moral të vërtetë: “Është një gjë aq e vështirë dhe e rëndë që të jesh një politikan i vërtetë sa të jesh një njeri i vërtetë moral. Të dyja rrugët kërkojnë përkushtim të pandryshuar.  Rama nuk e ka problemin me gjuhën e huaj, por me të vërtetat që thuhen në gjuhë të huaj. Sepse ato as i kontrollon dhe as i manipulon dot, dhe kjo ja ka shtuar përkushtimin. Cënimi i Shqipërisë…, sidomos nga vendet fqinje… është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar”, thotë Rama. Por njehsimi i nderit të shqiptarit me nderin e Ramës, vështirë ta lidhi edhe nacionalizmi naiv i kryeministrit.

Mbreti lakuriq 

Rama është një sociopath ndaj e ftoi vetë në pyetje gazetarin italian. Sociopatët janë shumë të ndryshëm. Ata nuk kanë nevojë të ushqehen me admirimin e të tjerëve. Ata nuk kanë ego të brishtë që kërkojnë mbrojtje maniake. Ata janë individë të sigurt me një ndjenjë të lartë superioriteti. Ata i shohin të tjerët si pre inferiore dhe të lehtë për t’u manipuluar. Ata japin pak ‘mallkim’ për shqetësimet ose ndjenjat e dikujt tjetër. Ata jetojnë në flluskën e tyre të vogël pa dhimbje. Sociopatët e plotë janë zombie pa emocione që jetojnë vetëm për veten e tyre me pak kontakte intime (pa folur për seksin) me dikë tjetër. Për ironi, ata kanë evoluar në këtë mënyrë për shkak të frikës së tyre nga dhimbja emocionale. 

Ndërkohë, që bota merret me Ramën si e keqja që ka kapur vendin. Kjo nuk e ndal atë. Si narcisizmi ashtu edhe sociopatia janë varësi të personalitetit. Ato zhvillohen si një zgjidhje e dëshpëruar për të qetësuar ose mbushur një zbrazëti iluzionare të plagosur thellë.  Këtë shkaktoi edhe dokumentari i RAI 3 që e tregoi mbretin gafil lakuriq.

 Në një mesazh të përçarës se kurrë, Kryeministri Edi Rama vendosi të hakmerrej me të vërtetën që e mundi në zyrën e tij. Me argumente qesharake, si ai që reportazhin e ka përgatitur dhe sponsorizuar opozita, kjo që ka vetëm një dritare në vend, por edhe me argumente të rrezikshme si ai i një sulmi nga grupime të huaja politike. Sado butaforik dhe qesharak të duket, Kryeministri u kap gafil përpara qytetarëve shqiptarë dhe italianë, dhe pa asnjë përgjegjësi, tentoi pa rezultat të rindërtojë alibinë e rrëzuar të Shqipërisë evropiane.

Ai u mundua të bindte se fajin nuk e ka ai që e bëri Shqipërinë narkoshtet, por ata që po e ekspozojnë kështu. Për Kryeministrin, fajtor nuk është hajduti, por ata që e kapin. Kështu ai vazhdon ta shpëlajë veten me monologje të çartura që plotësojnë këtë boshllëk,  ndërsa vendi vazhdon të presë për ndryshime të vërteta kur qeverisjes së Rilindjes po i vjen era.

Filed Under: Fejton

LIBRI “PËR VATRËN E VATRANËT” NË PANAIRIN E 24-t NË PRISHTINË

June 6, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

U hap në Prishtinë Panairi i 24-t i librit me pjesëmarrjen e nja 100 botuesëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të zi, ku op ekspozohen nja 2000 tituj të rinj. Panairi, me plot risi e promovime, tani më është traditë që tërheq vëmenjen e madhe. Sipas fjalëve të Kryetarit të Shoqatës së Botuesëve të Kosoves Edon Zeneli, Panairin pritet ta vizitojnë 40 mijë vizitor. Sivjet është një risi që vlen të përmendet: prania e shkrimtarëve të Mergatës. Vërtetë në 100 vjet të fundit u botuan vepra me vlerë në Mërgatë, e sidomos në SHBA-të, por për shkak të rrehanave të njohur ato nuk arritën me kohë atje dhe nuk u ribotuan sa duhet. Shtëpia botuese kosovare “Dija” me seli në Prishtinë mori incjativën për ribotimin e disa veprave të shkrimtarëve të Mërgatës. Ajo filloi më 2022 me botimin e librit të aktivistit dhe shkrimtarit të njohur Idriz Limajit “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjeratë mërgatës”, kurse sivjet e nxori tani për panir librin “Për Vatrën e vatranët”. Dihet se autori ka arkiv të pasur dhe vet ishte i pranishim në shumë ngjarje e mbledhje dhe kishte lidhje të ngushta me vatranët, kështu që ribotimi i këtij libri do ta terheqë vëmendjen e lexuesëve shqiptarë në viset e tyre pasi që tani e kanë atje në librari.

Vëretetë, siç tregon autori në Parathëenje, libri përmbledh tekstet e disa kumtesave të mbajtura në përvjetorët e gazetës “Dielli” dhe federatës “Vatra”, me çka paraqitet një historik i “Vatrës” gjatë 1925-1955. Në këtë kontekst paraqiten arsyet e bashkëpuimit të Faik Konicës me regjimin e Ahmet Zogut si dhe e bashkëpuminit të Fan Nolit me regjimin komunist. Si burim për këto tema u shërbyen shkrimet e botuara në gazetën “Dielli” si dhe korospodenca private e figurave të përmendura. Kuptohet, midis dy botimeve të librit, kemi tani një gjeneratë të re në “Vatrën” e më gjerë në SHBA-të që do të përfitonte shumë prej këtij libri për të njohur më ndryshe shumë figura të përfshira në këtë libër me vlerë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT