• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

CILAT JANË GJASHTË OBJEKTIVAT E FSHEHTA TË SERBISË?

July 15, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Objektivi i parë serb është proklamuar të jetë forcimi i ndikimit të Serbisë me anën e instrumenteve destabilizuese në Kosovë. Destabilizimi synon të përfshijë, krahas veriut që është në jostabilitet permanent, edhe destabilizmin e institucioneve të vendit dhe nxitjen e konflikteve shumëplanëshe brenda shoqërisë së Kosovës. Pra, mbajtja e Kosovës në destabilizim permanent, duke i bërë presion me veriun e rebeluar dhe duke i destabilizuar edhe institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqërinë në tërësi, është objektivi kryesor strategjik i Serbisë. Pse insiston Serbia kaq fort në mbajtjen e jostabilitetit permanent në Kosovë? Sepse, sipas teorive të reja e të aplikueshme të ndërtimit të shtetit, shtetet e pastabilizuara, veçmas shtetet e dështuara, janë objekt legjitim i ndërhyrjes nga jashtë. Shtetet e dështuara paraqesin rrezik për stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, sepse në atë rast mund të shndërrohen në strehë të agjentëve joqeveritarë siç janë organizatat terroriste. Rrjedhimisht shansi i vetëm i Serbisë 1) për ndërhyrje më të madhe në punët e Kosovës, 2) për aneksimin e veriut (me versionet e Abhazisë, Osetisë, apo edhe të Krimesë) ose 3) për ripushtimin e plotë të saj, mund të rriten vetëm në rast të dështimit të plotë të këtij shteti, e kurrsesi në rast se Kosova bëhet shtet stabil dhe i suksesshëm. Mbetja e veriut të Kosovës jashtë pushtetit faktik të UNMIK-ut që nga viti 1999 e deri në pavarësimin e vendit (2008) i ka mundësuar Serbisë të krijojë instrumente të forta destabilizues në territorin e Kosovës. Kur e ka rrumbullakuar procesin e krijimit të entitetit serb në veri, (me djegien e pikave doganore pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës), e ka pranuar procesin e Brukselit, për ta implementuar atë që ka fituar në terren. Prandaj, procesin e Brukselit Serbia e ka shfrytëzuar për legalizimin e ndikimit të vet brenda Kosovës dhe, më tutje, për ta shfrytëzuar atë kartë për destabilizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës Në bazë të këtyre kombinimeve Serbia, (e ndihmuar nga Bashkimi Evropian, për faktin që BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet), tashmë e ka kartën e provokimit të jostabilitetit në dorë, si me bashkësinë e komunave me shumicë serbe, si pa të. Pra, destabilizimi permanent i Kosovës është konstruktuar dhe kalkuluar për një afat më të gjatë deri në momentin kur Serbia konsideron se ai destabilizim paraqet momentumin për ndonjë formë të re të kthimit të saj në Kosovën e dështuar, kinse për ta ndihmuar “stabilizimin” e saj.

Pika e dytë e objektivave serbe ka të bëjë me krijimin e instrumenteve të përshtatshme psikologjike, sociale e ekonomike për rritjen e natalitetit të serbëve në Kosovë. Natyrisht, kjo është një politikë e vjetër serbe, por fakti që nuk hiqet dorë prej saj, zbulon qëndrueshmërinë e politikës serbe në synimet e saj në drejtim të Kosovës. E lidhur me pikën e katërt të këtyre objektivave, që insiston në nxitjen e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga Kosova drejt Evropës, kjo masë bëhet edhe më serioze, siç plotësohet edhe nga objektivi tjetër, i treti në radhitje, që ka për synim serbizimin e goranëve dhe, mundësisht, kthimin e boshnjakëve të Kosovës në orbitën serbe të ndikimit politik e kulturor. Pika e pestë e këtyre objektivave bashkohet me të parën, duke pasur në plan forcimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan e, edhe në Kosovë, por këtu duke e kombinuar me rritjen e ndjenjave antiamerikane në mesin e shqiptarëve. Ndërsa pika e gjashtë e këtyre objektive synon ta rikthejë në jetë idenë e mëparshme të Millosheviqit, për një aleancë serbo-greke, të cilën ai e pati quajtur “oksigjen për ortodoksinë”. Synimi i një aleance të tillë, e cila do të ndihmohej nga Rusia e rifuqizuar, do të ishte mbajtja e shqiptarëve nën presion, në një lloj sandviçi të hekurt, nga Greqia prej jugut e nga Serbia prej veriut. E me Rusinë mbi kokë.

Analiza krejtësisht sipërfaqësore e këtyre objektivave serbe zbulon se ato janë projeksione reale, të cilat edhe mund të realizohen nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq. Destabilizimi i institucioneve tashmë ka prodhuar pasoja konkrete në shoqërinë tonë, po edhe dëm të konsiderueshëm për imazhin e Kosovës si shtet i qëndrueshëm. Me këtë dëshpërim që ka pllakosur shoqërinë nga jostabiliteti, i cili po e pengon edhe zhvillimin ekonomik, edhe integrimin e vendit në BE, shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova është reale. Ajo mund të shkojë deri në përgjysmimin e popullsisë shqiptare në Kosovë, me çfarë do të krijohej raport tjetër demografik, natyrisht në favor të serbëve. Ndërsa rritja e ndikimit të Rusisë me frymën e saj destabilizuese, po ashtu është evidente. Kjo frymë destabilizuese është shoqëruar edhe me shpërthimin e një vale antiamerikanizmi. Pikat e tjera të këtij plani duken qartësisht të integruara dhe me funksione konkrete për rritjen e ndikimit, të pranisë, po dhe të rikthimit si tutorë të Serbisë në Kosovë, në rast se Kosova rrëshqet drejt dështimit si shtet. Në rast të dështimit të Kosovës si shtet, veçmas nëse rrezikon të bëhet edhe truall i ekstremizmit dhe terrorizmit, kujdestarinë mbi të pashmangshëm do ta merrte Serbia. Prandaj të gjithë ata që për çfarëdo arsyesh të proklamuara shkaktojnë destabilizimin e institucioneve të shtetit dhe e deprimojnë shoqërinë shqiptare në Kosovë, çojnë ujë në mullirin e këtyre objektivave serbe, të cilat, ndonëse nuk janë bërë publike, janë duke u zbatuar konkretisht.

Filed Under: Rajon

Përvjetori i At Shtjefën Gjeçovit, personalitetit të përpjekjeve enciklopedike

July 15, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Pardje ishte 150 vjetori i lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, personalitetit të shquar të lëvizjes patriotike shqiptare, i njohur për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Për fat të keq nuk pati asnjë konferencë, asnjë simpozium, asnjë përkujtimore, ndonëse kontributi kulturor i personalitetit të At Shtjefën Gjeçovit është gur themelor i kulturës sonë.

Një nga kontributet më të mëdha të Gjeçovit ishte mbledhja dhe botimi i Kanunit të Lek Dukagjinit, një dokument i jashtëzakonshëm ligjor dhe kulturor që përmbledh rregullat dhe normat e zakonshme të shoqërisë shqiptare të kohës, provës sociologjike se Kodi i Justinianit kishte mbijetuar në malet shqiptare, sëbashku me popullsinë autoktone të saj. Përmes përpjekjeve të tij të palodhur, Gjeçovi ndihmoi në ruajtjen e këtij kodifikimi të rëndësishëm të traditave dhe zakoneve shqiptare, duke kontribuar kështu në identitetin dhe vetëdijen kombëtare. Puna e tij jo vetëm që thekson rëndësinë e kulturës tradicionale shqiptare, por gjithashtu ofron një pasqyrë të çmuar për të kuptuar strukturën dhe funksionimin e shoqërisë shqiptare të periudhës së mesjetës.

Përveç kësaj, Shtjefën Gjeçovi kishte një ndikim të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë dhe etnologjisë, duke bërë studime dhe mbledhje të rëndësishme për pasuritë kulturore të Shqipërisë. Ai kontribuoi në dokumentimin e artefakteve dhe strukturave që pasqyronin historinë dhe zhvillimin e krahinave shqiptare, duke ndihmuar kështu në ndriçimin e rrënjëve historike dhe kulturore të shqiptarëve. Përmes këtyre përpjekjeve, Gjeçovi nuk vetëm që ndihmoi në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, por gjithashtu i ofroi botës akademike së mëvonshme një burim të pasur informacioni për studime të mëtejshme. Angazhimi i tij i paepur dhe vizioni i thellë për ruajtjen e kulturës shqiptare e shndrruan atë në një figurë kryesore në historinë e lëvizjes patriotike dhe shkencore shqiptare.

Filed Under: Mergata

100 vjetori i vrasjes se Azem Galicës – homazhe tek varri i Shote Galicës në Krujë

July 15, 2024 by s p

Fondacioni “Hasan Prishtina” i përfaqësuar nga Drejtori z. Mehmet Prishtina se bashku me përfaqësuesin e familjes se Heroit Kombëtar Azem Galica, stërnipin z. Qamil Sahit, z. Gazmend Boletini – stërnip i Heroit Isa Boletini dhe stërnipin e Shaban Polluzhes z. Xhavit Kastrati, e këtu kishte ardhur enkas nga Kanadaja z. Rexhep Musli Dervina me vajzën e tij Vjollca Dervina. Vlen të theksohet se Musli Dervina ishte djali i birësuar i Hasan Prishtinës dhe familja e Ajet Dervines dhe Dervinajt ishin te lidhur ngushtë me Hasan Prishtinën. Të gjithë bashkë bënë homazhe tek varri i Shote Galicës në Krujë – Shqipëri, ku dhe vendosen lule të freskëta me rastin e shënimit të 100 vjetorit jubilar të vrasjes së Heroit kombëtar Azem Galica. Për homazhe kishte ardhur edhe Kryetari i Vushtrrisë z. Ferit Idrizi, i shoqëruar nga një delegacion prej 10 zyrtaresh të kësaj komune. Përfaqësues të familjeve të heronjve kombëtar, vizituan edhe varrezat e dëshmorëve në Krujën e Skënderbeut, ku morën disa gurë për ti vendosur ditën e nesërme në varrin e Azem Galicës, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të vrasjes se tij. Ky delegacion beri homazhe edhe të varri i Elma Omer Prishtinës, mbesës së Heroit Kombëtare Hasan Prishtina si dhe vizitoj shtatoren e Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë, Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Tiranë ku vendosen buqeta me lule. Delegacioni nga Kosova për homazh në varrezat e Tufinës u shoqërua edhe nga veprimtari i çështjes kombëtare, historiani dhe filatelisti me renome ndërkombëtare i cili kohëve te fundit u bë i zëshëm me reagimet e tij në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke protestuar kundër heqjes së emrit Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” qe u votua me 11.07.2024 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

E veçanta e veprimtarisë kombëtare të Azem Galices në kontributin e tij në çështjen kombëtare ishte edhe fakti se ai u emërua Komandat i Krahut Ushtarak nga Hasan Prishtina në kuadër te Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër. Azem Bejt Galica gjithmonë pas marrjes së urdhërave me shkrim nga Hasan Prishtina, thoshe “Urdhri i Hasan Prishtinës nuk diskutohet- zbatohet!

Lavdi jetës dhe veprës se Heroit Kombëtar Azem Galica dhe të gjithë heronjve të kombit shqiptar!

Filed Under: Fejton

Skllavja që refuzoi të bëhej gruaja e sulltan Abdylhamidit II (1876-1909)

July 15, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Skllavet ose xharijet ishin vajza ose gra të cilat gëzonin një status social në të gjithë Lindjen. Në Perandorinë Osmane pozita e tyre trajtohej në përputhje me të drejtën islame. Kështu që krahasur me periudhën e antikitetit, nuk është e njëjta gjë. Islami nxiste lirimin ose, në rast të kundërt një trajtim dinjitoz për të gjithë skllevërit. Aq sa diferenca e statusit të tyre social me njerëzit e lirë, ishte shumë e ngushtë.

Në oborrin perandorak osman xharijet ishin pjesë e jetës së përditshme. Përzgjedhja e tyre bëhej me kujdes, sepse pas një shkollimi special, një pjesë e tyre martohej me burokratë dhe drejtues të lartë të shtetit osman. Një rast konkret është sulltanesha Kosem (1589-1651), e bija e një prifti grek nga Qefalonia, e cila është nëna e tre sulltanëve. Madje, ajo njihet si femra e parë që kishte të drejtë të merte vendime në emër të padishahut.

Por xharijet përdoreshin edhe për profesione të ndryshme në oborrin perandorak. Kjo në varësi të prirjeve që ato kishin, si: muzikante, poete, guzhiniere, etj etj. Jo çdo xharie mund të bëhej gruaja e sulltanit. Për këtë nevojitej dëshira e të dyja palëve dhe kishte një procedurë.

Kështu, teksa shfletoja këtë libër të botuar nga një historiane turke, lexova rastin e një xharije të bukur të cilës Abdylhami II i kishte propozuar për tu martuar disa herë. Pas disa vitesh, kur ky e pyet se ende mbante inatë dhe vijonte ta refuzonte, ajo i përgjigjet se kishte shumë konsiderata për të dhe ishte e gatshme të sakrifikonte edhe jetën. Por bashkëshorti i saj duhet të kishte vetëm një grua. Vetëm atë! Pas kësaj bisede, Abdylhamidi II bëhet shkes që xharija në fjalë të martohet me një funksionar të ndershëm. Përveçse i dhuroi një konak (vilë) në një lagje të Stambollit, organizoi gjithashtu një dasëm që zgjati pesë ditë, ndërsa bashkëshorti u prit në një takim zyrtar.

Më mirë një skllav me dinjitet dhe me parime sesa një njeri i lirë, por me mentalitet dhe karakter skllavi..

Filed Under: Histori

Fotografi i mirënjohur Osman Demiri e bën momentin të pakohë dhe përjetësisht të freskët

July 15, 2024 by s p

Bisedoi Rafaela Prifti/

Karriera profesioniste e Osman Demirit është natyrshëm një shkollë e vërtetë e artit fotografik dhe e evolucionit të fotografisë. Pronari i Galerisë Kult në Gostivar, e hapur qysh në vitin 2011, ka “shpirt rebeli”, siç thotë ai, por njëherit do që “çdo gjë ta lërë ashtu si e gjen në natyrë.” Osman Demiri punon me detaje në dukje të vogla sepse beson se aty gjenden tiparet individuale që janë në rrezik të humben në vorbullën e sotme të prirur nga sensacioni dhe uniformiteti. Mënyra sesi komunikon fotografia e tij me shikuesin është shumë interesante sepse Osman Demiri do t’i përcjell audiencës ndjenjën e përjetuar në momentin e shkrepjes së aparatit dhe përmes saj të përftohet ideja dhe qëllimi për të cilin është bërë fotografia. Si qenie njerëzore, ne “fotografojmë” përpara se të flasim, thotë Demiri. “Kliku” i tij e lejon subjektin të vazhdojë të jetojë i lirë duke dhënë moment të pakohë, dhe gjithmonë të freskët dhe tërheqës. Shumë artistë do ta dëshironin këtë për artin e tyre. Galeria Kult është organizatore e Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë PUNCTUM.

Nëpërmjet ekzemplarëve të cikleve me fotografi të Osman Demirit, që jemi të lejuar t’i botojmë, mund të hyni në botën e artit të fotografisë së tij bashkëkohore. Ai beson se nëse shqiptarët kanë me çka të krenohen, kjo është fotografia, “duke qenë në hap me botën qysh nga fillimet e saj.”

Kritika ju ka vlerësuar si “fotograf konceptual bashkëkohor”. Cili është këndvështrimi juaj kur vjen fjala te komunikimi i fotografisë me audiencën?

Është një thënie paksa filozofike: Fotografia nuk tregon çdo gjë, por nuk fsheh asgjë! Është fotografi ai që vendos, çka duhet të fsheh dhe çka duhet të tregojë. Ai vendos se ku të vejë theksin, ku duhet ta çojë shikuesin. Njëkohësisht është shumë me rëndësi, çka fotografi merr nga jashtë dhe çfarë nxjerr nga brenda, e mbi të gjitha si do t’i kombinojë ato. Problemi, apo mjeshtëria tjetër është, si mos e lësh audiencen indiferente, apo si vrojtues pasiv, por t’a lejosh në vorbullin e idesë që e prezanton. Këto

janë elemente kyçe të një arstisti, ose fotografi, pastaj tjerat janë pjesë përcjellëse. A do ta bësh këtë përmes dritës, ngjyrave, përmes motivit, apo dicka tjetër, krejt varet nga autori. Pra, mënyrën e komunikimit me audiencën e zgjedh vet autori. Shikuesi vjen në ekspozitë për të parë punën tënde, andaj je ti ai që e ke fjalën. Po arrite që shikuesit t’ia përcjellish ndjenjën tënde të cilën e ke pasur në momentin e shkrepjes dhe përmes saj t’ia shtjellosh idenë dhe qëllimin për të cilin ke shkrepur, atëherë misioni yt është kryer dhe ky është suksesi. Sa i përket mendimit dhe vlerësimit të kritikës, ajo gjithmonë është e mirëseardhur. Me vet faktin që unë çdoherë punët e mia i kam të lidhura me një ide dhe mesazh të caktuar, dmth bëhet fjalë për koncept. Zakonisht punoj me detaje të vogla dhe të padefinuara, sepse detajet përbëjnë dhe përmbushin jetën ndonëse na ikin pa i vërejtur fare. Duke vrapuar pas gjërave të mëdha, nuk i shijojmë ato të voglat, ato që karakterizojnë secilin nga ne, të veçantat tona që na bëjnë

ndryshe. Industrializimi dhe globalizimi janë duke na e humbur identitetin personal dhe atë shoqëror, duke na bërë uniformë. Nuk jam nga ata që vrapojnë pas atraksionit, por mundohem që çdo gjë që fotografoj ta bëj atraktive. Nuk jam as nga ata që “ngrijnë” momente nga jeta e përditshme, përkundrazi, mundohem që kliku im “të shkrijë” momentin dhe t’i japë jetë, që të vazhdojë të jetojë i lirë, ta bëj momentin të pakohë, që gjithmonë të jetë i freskët dhe tërheqës.

A është më e vështirë të jesh sot fotograf profesionist?

Nëse flasim për fotografinë si art dhe jo si zanat, mendoj se është dukshëm më keq se profesionet e tjera. Këtu tek ne, s’ka të bëjë profesioni, por sistemi i vlerave, ai është për të ardhur keq. Në asnjë profesion nuk çmohen ata që e zotërojnë atë, por vetëm ata që i përshtaten tregut dhe pushtetit, ata që punojnë me porosi. Kur jemi te arti, ku hyn edhe fotografia, vija që përcakton profesionalizmin është shumë e hollë dhe subjektive. Mendësia, se “klienti çdo herë ka të drejtë”, e vret artistin, nuk i lejon hapësirë individuale. Shto këtu edhe varshmërinë ekonomike, e cila gjithashtu është e lidhur ngushtë me identitetin artistik dhe profesional, nga kjo del që artisti është si peshku në rërë! Artisti është i pavarur atëherë kur mund ta ketë luksin të mos lejojë t’i përzihen në punën e tij.

Si ka ndikuar shpërthimi teknologjik në profesionin tuaj?

Sa i përket shpërthimit teknologjik, ana teknike e krijimit, manipulimit dhe shpërndarjes së saj, ka ecur me hapa marramendës, kurse filozofia, koncepti, perceptimi dhe interpretimi i fotografisë nuk kanë lëvizur shumë. Falë këtij zhvillimi, sot secili mund

të merret me fotografi. Fotografia është gjuhë universale, me të cilën komunikohet përmes imazhit. Përveç përdorimit praktik, fotografia mund të përdoret edhe si shprehje artistike. Mirëpo, në kohën e sotme të internetit, numri i atyre që bëjnë fotografi rritet çdo moment, njëkohësisht edhe numri i fotografive të këqija dhe të padëshirueshme. Shoqëria duhet që në ndonjë farë mënyre vizualisht të vetëdijësohet dhe arsimohet, që vetvetiu të dallojë fotografitë kualitative prej atyre jokualitative.

Fillimet tuaja në profesionin e fotografit ose fotografia përpara dhe pas modernizimit në teknologji

Unë e kam filluar të merrem me fotografi në moshë shumë të re. Kam punuar shumë edhe me fotografi analoge, kam përjetuar edhe magjinë e pritjes gjatë procesit të zhvillimit të filmit. Jam ndër fotografët e parë që kam “prekur” fotografinë digjitale dhe besoj ndër fotografët e fundit që janë përshëndetur me fotografinë analoge. Tani me fotografinë analoge punoj vetëm me studentë, ose në ndonjë workshop të specializuar. Kapërcimi im nga njëra tek tjetra ka qenë i ngadalshëm dhe shumë i kujdesshëm, sepse secila nga këto ka karakteristikat e veta.

Teknologjia digjitale dhe arti i fotografisë

Teknologjia digjitale në fillim shkaktoi një rrëmujë të madhe, sepse secili filloi ta ndiej veten si fotograf profesionist. Duhej të kaloj një periudhë e konsiderueshme deri sa filluan gjërat të vijnë në vendin e vet. Sidoqoftë, ky shpërthim është i mirëseardhur, sepse dinamika e jetës është aq e shpejtë, sa që komunikimin përmes imazhit e bënë të domosdoshëm. Shpërthimi teknologjik ndihmoi metodën dhe shpejtësinë e krijimit të fotografisë, kurse procesin e perceptimit dhe filozofinë e fotografisë nuk e ndihmon dot teknologjia. Perceptimi është një proces në të cilin truri organizon të dhënat e marra nga shqisat përkatëse duke i prezantuar ato si një tërësi kuptimore dhe duke krijuar një botë të veçantë në mesin e një bote të përbashkët. Njerëzit shohin në mënyrë të ngjashme, por perceptimi është shumë subjektiv, andaj në këtë mes teknologjia nuk na ndihmon dot.

Sa i përket profesionalizmit në art, mendoj se nuk është sikur në profesionet e tjera. Për mua nuk është profesionist, apo artist i madh ai që ka bërë shumë lekë dhe të mira materiale për vete, por ai që me veprën e tij ngrenë një dilemë, një pikëpyetje, ose hap një debat për një dukuri në shoqëri. Prandaj, termi profesionist në art është rëndë për t’u definuar. Arti është punë e bërë me shumë dashuri dhe nëse emërton dikë si artist profesionist, ngaqë punon bukur dhe fiton shumë, është njëlloj si të kërkosh dashnor profesionist, që kam frikë se kalon në prostitucion artistik!

Këshilla juaj për Osmanin e ri kur e nisi rrugëtimin e jetës

Një fotograf i vjetër ka thënë: “Nëse don që dikë ta lësh pa shtëpi mbi kokë, vari një fotoaparat në qafë!” Sigurisht e them si shaka, por ka shumë të vërtetë brenda saj. Unë me fotografi kam filluar në moshën 14 vjeçare. Kam ndjekur të gjithë kurset dhe madje edhe shkollat verore të asaj kohe dhe pastaj kam kryer studime të mirëfillta për fotografi dhe film. Rruga nuk ka qenë e lehtë fare, por ja që ky është profesioni i vetëm ku e ndjej veten të kënaqur dhe të sigurt. Fotografia më përmbush, aty kam hapësirë veprimi të pakufizuar, dhe vetëm me fotografinë ndjehem vetvetja.

Ju keni hapur galeri dhe jeni paraqitur me punime në shumë ekspozita të vendit dhe ndërkombëtare. Galeria Kult në Gostivar është hapësirë për krijuesit shqiptarë e ndërkombëtarë. Si mund të bashkëpunohet më mirë mes artistëve shqiptarë dhe me diasporën shqiptare?

Duke parë dhe duke ndjerë mbi kurriz rrugën e mundimshme të artistëve për të treguar punët e tyre, në vitin 2011 hapa Galerinë Kult në Gostivar. Aty kanë ekspozuar artistë të shumtë nga vendi dhe jashtë, artistë të njohur të të gjitha lëmive të artit, nga piktura, skulptura, grafika, dizajni grafik deri te fotografia. Gostivari ka pas nderin dhe kënaqësinë që nga afër të njohë artistë të mëdhenj dhe të shijojë artin e tyre. Galeria Kult është një pikë takimi i qytetarëve të saj me artin dhe artistët dhe në përgjithësi me kulturën. Kemi pasur artistë nga diaspora, si piktorin Omer Kaleshi nga Franca, Artan Balaj nga Belgjika, fotografen Maripoza Fa nga Zvicra, Mustafa Arapi, Saimir Strati, Fate Velaj, Saimir Ahmeti, Rozafa Shpuza nga Shqipëria, Rexhai Iseni-Xhai, Safet Spahiu, Bashkim Mexhiti, Meli Zenki, Danco Ordev, Sergej Andreevski, Simonida Filposka, Luan Zenku, Kasipeja Naumoska, Teuta Hoxha Imeri etj nga Maqedonia, Burim Myftiu, Fahredin Spahija, Fehmi Hoxha, Refki Gollopeni, Agron Kastrati, Bardha Buza, Dije Bllaca, Saranda Kika – Bahtiri, Anton Krasniqi, Imri Musliu Arlinda Hajrullahu nga Kosova dhe shumë të tjerë, si dhe njërin nga fotoreporterët më të njohur italian Francisko Cito. Galeria Kult është edhe organizatore e Festivalit Ndërkombëtarë të Fotografisë

PUNCTUM, me fotografë nga e gjithë bota. Në fund të fundit, ky është misioni i artit, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe krijimi i urave lidhëse mes njerëzish dhe popujsh.

Nga rezymeja juaj shkëputëm vetëm disa fragmente: Drejtor i Fotografisë i shumë filmave, regjizor i disa filmave, kryetar i Shoqatës së Arteve Figurative në Maqedoni , koordinator dhe lektor i shkolles se Fotografisë në Universitetin e Tetovës, dhe Drejtor i

Galerisë private së Arteve “Kult” në Gostivar. Si janë shkrirë këto përvoja në karrierën tuaj?

Gjitha këto që përmendët kanë lidhje të ngushtë me fotografinë. Ato kanë përmbushur karrierën time si fotograf, duke filluar prej ligjëruesit të lëndës së Fotografisë, pastaj puna si regjisor dhe si drejtor fotografie dhe deri te Kryetar i Shoqatës së Artistëve

të Maqedonisë. Ato janë të lidhura si mishi për thoi dhe nuk i ndanë dot. Nga të gjitha këto mëson diçka të veçantë, që pastaj t’a aplikosh në një punë të përbashkët. Puna si Kryetar i Shoqatës më ka mundësuar që të zgjeroj marrëdhëniet me shoqata dhe asociacione të ndryshme kulturore dhe bashkëpunimi me to ka qenë shumë frytdhënës.

A mund të zgjedhim një foto tuajën si ilustrim të procesit krijues, dmth si tërhiqesh tek ajo që vendos ta përjetësosh me anë të fotografië?

Nuk do të veçoja asnjë foto, sepse punoj me cikle dhe të gjithave u përkushtohem njësoj. Ato nuk janë të përpunuara, sepse mundohem që cdo gjë ta lë ashtu si e gjej në natyrë. Dua që të jenë sa më autentike. Në shpirt gjithmonë kam qenë opozitar dhe besoj se ashtu do të jem edhe në të ardhmen. E thashë se nuk vrapoj pas atraksionit. Më intrigojnë gjërat e thjeshta dhe të margjinalizuara, njeriu i rëndomtë. Mundohem që secila foto e imja të pasqyrojë një fenomen, ose një dukuri shoqërore. Në ciklin

“Dritë & Hije” kam prezentuar njerëzit e rëndomtë. Shoqërinë dhe jetën nuk e kontrollojmë dot, njëlloj sikur dritën, mirëpo tek hija mund të ndikojmë. Ajo paraqet punën tonë, gjegjësisht veprimet tona, kështu që sadopak të ndikojmë në shoqëri. Ka njerëz

“të vegjël”, të cilët askush nuk i sheh dhe nuk i llogaritë, sepse kemi dalldisur pas gjërave të mëdha, pas VIP-ave. Cikli “Dialog dhe kompromis” fokuset në fenomenin e mosmarrveshjes dhe mosrespektit shoqëror. Vetë jeta është process natyror, ku asgjë nuk është e barabartë, andaj çdoherë duhet gjetur një kompromis. Dialogu është mënyra e të komunikuarit me të cilin dallojmë prej gjallesave tjera, kurse kompromisi është dëshmi e civilizimt. Në fotografitë e mia janë ngjyrat ato të cilat komunikojnë mes veti

dhe tolerojnë njëra tjetrën për të ardhur deri te kompromisi, pa dëmtuar njëra tjetrën. Pastaj vjen cikli

“Përtej kaosit” dhe “Nirvana”, të cilat janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Çdonjëri nga ne përjeton këtë kaos vlerash, andaj me mish e me shpirt, kërkon një kënd të vetin ku gjen rehatinë shpirtërore, një vend, ku sado që të jetë i vogël të ndjehet vetvetja. Cikli i fundit “Çka mundet detaji, nuk mund tërësia” shkon pak më tepër në psikologjinë e çdonjërit prej nesh. Truri jonë është arkivi më i madh i fotografive dhe ngjarjeve. Njeriu para se të nis të flasë “fotografon” dhe arkivon fotografi. Pastaj janë detajet e vogla me të cilat ai fillon çdo rrëfim, dhe e shtjellon atë.

Autor i mbi 30 ekspozitave personale në Maqedoni, Shqipëri, Sërbi, SHBA, Itali, Gjermani, Slloveni, Turqi, Austri, Belgjikë, mbi 60 ekspozita në grup në Maqedoni dhe jashtë. A jeni duke punuar ciklin e ardhshëm?

Si çdo artist i ri, kam filluar me ekspozita kolektive dhe pastaj edhe me ekspozita personale. Kam më shumë se tridhjetë ekspozita personale në vend dhe jashtë nëpër botë. Zakonisht kam ekspozuar cikle fotografish, të cilat i kam përgatitur me vite. Jam munduar të jem sa më dinjitoz në prezentime dhe kurrë nuk kam improvizuar. Fotografia është jeta ime dhe nuk luaj dot me te! Ekspozita ime e fundit ishte mars të këtij viti, në Itali, në qytetin e Orvietos, në një festival shumë prestigjioz. Atje u prezantova me ciklin “Nirvana”. U prit shumë mirë dhe mora fjalë shumë të mira. Tani jam duke punuar në një cikël të ri, të cilin nuk dua ta zbuloj para kohe. Kam disa oferta për të ekspozuar në Europë.

Idhujt tuaj dhe fotografia e Gjon Milit për ju

Pa modesti, mund të them se e njoh mirë Historinë e Fotografisë dhe fotografët që kanë bërë historinë, por gjithëmonë jam munduar t’i “mbaj” sa më larg punëve të mia. Artisti mëson dhe “vjedh” nga gjitha ato që e rrethon, dmth nga jeta e përditshme. Për mua aspak nuk ka rëndësi se çka fotografon, por mënyra si e fotografon, si i qasesh “problemit”, si e paketon dhe e fundit si e prezanton atë. Secili ka mënyrën e vet dhe qasjen personale, vetëm atëherë kur je vetvetja mund të thuash se ke bërë punë të mirë. Po, Gjon Mili është njëri ndër të preferuarit e mi, fotograf që ka hyrë në histori, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e fotografisë, dhe jo vetëm ai, por kemi edhe shumë të tjerë. Nëse shqiptarët kanë me çka të krenohen, kjo është fotografia, sepse kemi qenë në hap me botën qysh nga fillimet e saj.

A mund të ketë fotografia shqiptare Dua Lipën apo Rita Orën e vet?

Sapo përmenda Gjon Milin, ai qysh në shekullin e kaluar ishte shumë i famshëm. Ai punoi për revista prestigjioze të kohës, ekspozoi nëpër galeri prestigjioze, fotografoi figura historike dhe të artit e të kulturës botërore etj. Po, mund të kemi edhe Duan edhe Ritën e fotografisë, është çështje kohe kur do të shkëlqejnë. Ne kemi probleme të shumta si shoqëri. Sistemi i vlerave është përtokë. Nuk depërtojnë dot njerëzit meritorë, nuk çmohen njerëzit-artistët që meritojnë, nuk stimulohen dhe mbi të gjitha nuk ka kush t’a menaxhojë punën e tyre. Edhe Dua edhe Rita, sikur të kishin jetuar në Kosovë, nuk besoj se do kishin arritur aty ku jane sot. Që të dyja janë të shkëlqyera dhe janë aty ku janë me meritë të plotë, mirëpo po të jetonin këtu, të gjithë energjinë do

ua kishin harxhuar duke u marrur me punë të kota. E njëjta gjë ndodh edhe me sportistët, nuk depërtojnë dot deri sa jetojnë këtu. Kemi çuna dhe goca fotografë të shkëlqyer, por s’ka kush t’i menaxhojë dhe shtyjë përpara punën e tyre në skenën botërore. Sidoqoftë, besoj se shumë shpejt do shpërthejnë dhe do t’ua “dëgjojmë zërin”.

Përshendetja juaj pë gazetën Dielli

Nuk është thënë kot se për ne shqiptarët dielli çdo herë ka lindur në perëndim. Uroj që ky Diell të mos perëndojë kurrë. Ju falemnderit për bisedën!

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT