Bisedoi Rafaela Prifti/
Karriera profesioniste e Osman Demirit është natyrshëm një shkollë e vërtetë e artit fotografik dhe e evolucionit të fotografisë. Pronari i Galerisë Kult në Gostivar, e hapur qysh në vitin 2011, ka “shpirt rebeli”, siç thotë ai, por njëherit do që “çdo gjë ta lërë ashtu si e gjen në natyrë.” Osman Demiri punon me detaje në dukje të vogla sepse beson se aty gjenden tiparet individuale që janë në rrezik të humben në vorbullën e sotme të prirur nga sensacioni dhe uniformiteti. Mënyra sesi komunikon fotografia e tij me shikuesin është shumë interesante sepse Osman Demiri do t’i përcjell audiencës ndjenjën e përjetuar në momentin e shkrepjes së aparatit dhe përmes saj të përftohet ideja dhe qëllimi për të cilin është bërë fotografia. Si qenie njerëzore, ne “fotografojmë” përpara se të flasim, thotë Demiri. “Kliku” i tij e lejon subjektin të vazhdojë të jetojë i lirë duke dhënë moment të pakohë, dhe gjithmonë të freskët dhe tërheqës. Shumë artistë do ta dëshironin këtë për artin e tyre. Galeria Kult është organizatore e Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë PUNCTUM.
Nëpërmjet ekzemplarëve të cikleve me fotografi të Osman Demirit, që jemi të lejuar t’i botojmë, mund të hyni në botën e artit të fotografisë së tij bashkëkohore. Ai beson se nëse shqiptarët kanë me çka të krenohen, kjo është fotografia, “duke qenë në hap me botën qysh nga fillimet e saj.”
Kritika ju ka vlerësuar si “fotograf konceptual bashkëkohor”. Cili është këndvështrimi juaj kur vjen fjala te komunikimi i fotografisë me audiencën?
Është një thënie paksa filozofike: Fotografia nuk tregon çdo gjë, por nuk fsheh asgjë! Është fotografi ai që vendos, çka duhet të fsheh dhe çka duhet të tregojë. Ai vendos se ku të vejë theksin, ku duhet ta çojë shikuesin. Njëkohësisht është shumë me rëndësi, çka fotografi merr nga jashtë dhe çfarë nxjerr nga brenda, e mbi të gjitha si do t’i kombinojë ato. Problemi, apo mjeshtëria tjetër është, si mos e lësh audiencen indiferente, apo si vrojtues pasiv, por t’a lejosh në vorbullin e idesë që e prezanton. Këto
janë elemente kyçe të një arstisti, ose fotografi, pastaj tjerat janë pjesë përcjellëse. A do ta bësh këtë përmes dritës, ngjyrave, përmes motivit, apo dicka tjetër, krejt varet nga autori. Pra, mënyrën e komunikimit me audiencën e zgjedh vet autori. Shikuesi vjen në ekspozitë për të parë punën tënde, andaj je ti ai që e ke fjalën. Po arrite që shikuesit t’ia përcjellish ndjenjën tënde të cilën e ke pasur në momentin e shkrepjes dhe përmes saj t’ia shtjellosh idenë dhe qëllimin për të cilin ke shkrepur, atëherë misioni yt është kryer dhe ky është suksesi. Sa i përket mendimit dhe vlerësimit të kritikës, ajo gjithmonë është e mirëseardhur. Me vet faktin që unë çdoherë punët e mia i kam të lidhura me një ide dhe mesazh të caktuar, dmth bëhet fjalë për koncept. Zakonisht punoj me detaje të vogla dhe të padefinuara, sepse detajet përbëjnë dhe përmbushin jetën ndonëse na ikin pa i vërejtur fare. Duke vrapuar pas gjërave të mëdha, nuk i shijojmë ato të voglat, ato që karakterizojnë secilin nga ne, të veçantat tona që na bëjnë
ndryshe. Industrializimi dhe globalizimi janë duke na e humbur identitetin personal dhe atë shoqëror, duke na bërë uniformë. Nuk jam nga ata që vrapojnë pas atraksionit, por mundohem që çdo gjë që fotografoj ta bëj atraktive. Nuk jam as nga ata që “ngrijnë” momente nga jeta e përditshme, përkundrazi, mundohem që kliku im “të shkrijë” momentin dhe t’i japë jetë, që të vazhdojë të jetojë i lirë, ta bëj momentin të pakohë, që gjithmonë të jetë i freskët dhe tërheqës.
A është më e vështirë të jesh sot fotograf profesionist?
Nëse flasim për fotografinë si art dhe jo si zanat, mendoj se është dukshëm më keq se profesionet e tjera. Këtu tek ne, s’ka të bëjë profesioni, por sistemi i vlerave, ai është për të ardhur keq. Në asnjë profesion nuk çmohen ata që e zotërojnë atë, por vetëm ata që i përshtaten tregut dhe pushtetit, ata që punojnë me porosi. Kur jemi te arti, ku hyn edhe fotografia, vija që përcakton profesionalizmin është shumë e hollë dhe subjektive. Mendësia, se “klienti çdo herë ka të drejtë”, e vret artistin, nuk i lejon hapësirë individuale. Shto këtu edhe varshmërinë ekonomike, e cila gjithashtu është e lidhur ngushtë me identitetin artistik dhe profesional, nga kjo del që artisti është si peshku në rërë! Artisti është i pavarur atëherë kur mund ta ketë luksin të mos lejojë t’i përzihen në punën e tij.
Si ka ndikuar shpërthimi teknologjik në profesionin tuaj?
Sa i përket shpërthimit teknologjik, ana teknike e krijimit, manipulimit dhe shpërndarjes së saj, ka ecur me hapa marramendës, kurse filozofia, koncepti, perceptimi dhe interpretimi i fotografisë nuk kanë lëvizur shumë. Falë këtij zhvillimi, sot secili mund
të merret me fotografi. Fotografia është gjuhë universale, me të cilën komunikohet përmes imazhit. Përveç përdorimit praktik, fotografia mund të përdoret edhe si shprehje artistike. Mirëpo, në kohën e sotme të internetit, numri i atyre që bëjnë fotografi rritet çdo moment, njëkohësisht edhe numri i fotografive të këqija dhe të padëshirueshme. Shoqëria duhet që në ndonjë farë mënyre vizualisht të vetëdijësohet dhe arsimohet, që vetvetiu të dallojë fotografitë kualitative prej atyre jokualitative.
Fillimet tuaja në profesionin e fotografit ose fotografia përpara dhe pas modernizimit në teknologji
Unë e kam filluar të merrem me fotografi në moshë shumë të re. Kam punuar shumë edhe me fotografi analoge, kam përjetuar edhe magjinë e pritjes gjatë procesit të zhvillimit të filmit. Jam ndër fotografët e parë që kam “prekur” fotografinë digjitale dhe besoj ndër fotografët e fundit që janë përshëndetur me fotografinë analoge. Tani me fotografinë analoge punoj vetëm me studentë, ose në ndonjë workshop të specializuar. Kapërcimi im nga njëra tek tjetra ka qenë i ngadalshëm dhe shumë i kujdesshëm, sepse secila nga këto ka karakteristikat e veta.
Teknologjia digjitale dhe arti i fotografisë
Teknologjia digjitale në fillim shkaktoi një rrëmujë të madhe, sepse secili filloi ta ndiej veten si fotograf profesionist. Duhej të kaloj një periudhë e konsiderueshme deri sa filluan gjërat të vijnë në vendin e vet. Sidoqoftë, ky shpërthim është i mirëseardhur, sepse dinamika e jetës është aq e shpejtë, sa që komunikimin përmes imazhit e bënë të domosdoshëm. Shpërthimi teknologjik ndihmoi metodën dhe shpejtësinë e krijimit të fotografisë, kurse procesin e perceptimit dhe filozofinë e fotografisë nuk e ndihmon dot teknologjia. Perceptimi është një proces në të cilin truri organizon të dhënat e marra nga shqisat përkatëse duke i prezantuar ato si një tërësi kuptimore dhe duke krijuar një botë të veçantë në mesin e një bote të përbashkët. Njerëzit shohin në mënyrë të ngjashme, por perceptimi është shumë subjektiv, andaj në këtë mes teknologjia nuk na ndihmon dot.
Sa i përket profesionalizmit në art, mendoj se nuk është sikur në profesionet e tjera. Për mua nuk është profesionist, apo artist i madh ai që ka bërë shumë lekë dhe të mira materiale për vete, por ai që me veprën e tij ngrenë një dilemë, një pikëpyetje, ose hap një debat për një dukuri në shoqëri. Prandaj, termi profesionist në art është rëndë për t’u definuar. Arti është punë e bërë me shumë dashuri dhe nëse emërton dikë si artist profesionist, ngaqë punon bukur dhe fiton shumë, është njëlloj si të kërkosh dashnor profesionist, që kam frikë se kalon në prostitucion artistik!
Këshilla juaj për Osmanin e ri kur e nisi rrugëtimin e jetës
Një fotograf i vjetër ka thënë: “Nëse don që dikë ta lësh pa shtëpi mbi kokë, vari një fotoaparat në qafë!” Sigurisht e them si shaka, por ka shumë të vërtetë brenda saj. Unë me fotografi kam filluar në moshën 14 vjeçare. Kam ndjekur të gjithë kurset dhe madje edhe shkollat verore të asaj kohe dhe pastaj kam kryer studime të mirëfillta për fotografi dhe film. Rruga nuk ka qenë e lehtë fare, por ja që ky është profesioni i vetëm ku e ndjej veten të kënaqur dhe të sigurt. Fotografia më përmbush, aty kam hapësirë veprimi të pakufizuar, dhe vetëm me fotografinë ndjehem vetvetja.
Ju keni hapur galeri dhe jeni paraqitur me punime në shumë ekspozita të vendit dhe ndërkombëtare. Galeria Kult në Gostivar është hapësirë për krijuesit shqiptarë e ndërkombëtarë. Si mund të bashkëpunohet më mirë mes artistëve shqiptarë dhe me diasporën shqiptare?
Duke parë dhe duke ndjerë mbi kurriz rrugën e mundimshme të artistëve për të treguar punët e tyre, në vitin 2011 hapa Galerinë Kult në Gostivar. Aty kanë ekspozuar artistë të shumtë nga vendi dhe jashtë, artistë të njohur të të gjitha lëmive të artit, nga piktura, skulptura, grafika, dizajni grafik deri te fotografia. Gostivari ka pas nderin dhe kënaqësinë që nga afër të njohë artistë të mëdhenj dhe të shijojë artin e tyre. Galeria Kult është një pikë takimi i qytetarëve të saj me artin dhe artistët dhe në përgjithësi me kulturën. Kemi pasur artistë nga diaspora, si piktorin Omer Kaleshi nga Franca, Artan Balaj nga Belgjika, fotografen Maripoza Fa nga Zvicra, Mustafa Arapi, Saimir Strati, Fate Velaj, Saimir Ahmeti, Rozafa Shpuza nga Shqipëria, Rexhai Iseni-Xhai, Safet Spahiu, Bashkim Mexhiti, Meli Zenki, Danco Ordev, Sergej Andreevski, Simonida Filposka, Luan Zenku, Kasipeja Naumoska, Teuta Hoxha Imeri etj nga Maqedonia, Burim Myftiu, Fahredin Spahija, Fehmi Hoxha, Refki Gollopeni, Agron Kastrati, Bardha Buza, Dije Bllaca, Saranda Kika – Bahtiri, Anton Krasniqi, Imri Musliu Arlinda Hajrullahu nga Kosova dhe shumë të tjerë, si dhe njërin nga fotoreporterët më të njohur italian Francisko Cito. Galeria Kult është edhe organizatore e Festivalit Ndërkombëtarë të Fotografisë
PUNCTUM, me fotografë nga e gjithë bota. Në fund të fundit, ky është misioni i artit, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe krijimi i urave lidhëse mes njerëzish dhe popujsh.
Nga rezymeja juaj shkëputëm vetëm disa fragmente: Drejtor i Fotografisë i shumë filmave, regjizor i disa filmave, kryetar i Shoqatës së Arteve Figurative në Maqedoni , koordinator dhe lektor i shkolles se Fotografisë në Universitetin e Tetovës, dhe Drejtor i
Galerisë private së Arteve “Kult” në Gostivar. Si janë shkrirë këto përvoja në karrierën tuaj?
Gjitha këto që përmendët kanë lidhje të ngushtë me fotografinë. Ato kanë përmbushur karrierën time si fotograf, duke filluar prej ligjëruesit të lëndës së Fotografisë, pastaj puna si regjisor dhe si drejtor fotografie dhe deri te Kryetar i Shoqatës së Artistëve
të Maqedonisë. Ato janë të lidhura si mishi për thoi dhe nuk i ndanë dot. Nga të gjitha këto mëson diçka të veçantë, që pastaj t’a aplikosh në një punë të përbashkët. Puna si Kryetar i Shoqatës më ka mundësuar që të zgjeroj marrëdhëniet me shoqata dhe asociacione të ndryshme kulturore dhe bashkëpunimi me to ka qenë shumë frytdhënës.
A mund të zgjedhim një foto tuajën si ilustrim të procesit krijues, dmth si tërhiqesh tek ajo që vendos ta përjetësosh me anë të fotografië?
Nuk do të veçoja asnjë foto, sepse punoj me cikle dhe të gjithave u përkushtohem njësoj. Ato nuk janë të përpunuara, sepse mundohem që cdo gjë ta lë ashtu si e gjej në natyrë. Dua që të jenë sa më autentike. Në shpirt gjithmonë kam qenë opozitar dhe besoj se ashtu do të jem edhe në të ardhmen. E thashë se nuk vrapoj pas atraksionit. Më intrigojnë gjërat e thjeshta dhe të margjinalizuara, njeriu i rëndomtë. Mundohem që secila foto e imja të pasqyrojë një fenomen, ose një dukuri shoqërore. Në ciklin
“Dritë & Hije” kam prezentuar njerëzit e rëndomtë. Shoqërinë dhe jetën nuk e kontrollojmë dot, njëlloj sikur dritën, mirëpo tek hija mund të ndikojmë. Ajo paraqet punën tonë, gjegjësisht veprimet tona, kështu që sadopak të ndikojmë në shoqëri. Ka njerëz
“të vegjël”, të cilët askush nuk i sheh dhe nuk i llogaritë, sepse kemi dalldisur pas gjërave të mëdha, pas VIP-ave. Cikli “Dialog dhe kompromis” fokuset në fenomenin e mosmarrveshjes dhe mosrespektit shoqëror. Vetë jeta është process natyror, ku asgjë nuk është e barabartë, andaj çdoherë duhet gjetur një kompromis. Dialogu është mënyra e të komunikuarit me të cilin dallojmë prej gjallesave tjera, kurse kompromisi është dëshmi e civilizimt. Në fotografitë e mia janë ngjyrat ato të cilat komunikojnë mes veti
dhe tolerojnë njëra tjetrën për të ardhur deri te kompromisi, pa dëmtuar njëra tjetrën. Pastaj vjen cikli
“Përtej kaosit” dhe “Nirvana”, të cilat janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Çdonjëri nga ne përjeton këtë kaos vlerash, andaj me mish e me shpirt, kërkon një kënd të vetin ku gjen rehatinë shpirtërore, një vend, ku sado që të jetë i vogël të ndjehet vetvetja. Cikli i fundit “Çka mundet detaji, nuk mund tërësia” shkon pak më tepër në psikologjinë e çdonjërit prej nesh. Truri jonë është arkivi më i madh i fotografive dhe ngjarjeve. Njeriu para se të nis të flasë “fotografon” dhe arkivon fotografi. Pastaj janë detajet e vogla me të cilat ai fillon çdo rrëfim, dhe e shtjellon atë.
Autor i mbi 30 ekspozitave personale në Maqedoni, Shqipëri, Sërbi, SHBA, Itali, Gjermani, Slloveni, Turqi, Austri, Belgjikë, mbi 60 ekspozita në grup në Maqedoni dhe jashtë. A jeni duke punuar ciklin e ardhshëm?
Si çdo artist i ri, kam filluar me ekspozita kolektive dhe pastaj edhe me ekspozita personale. Kam më shumë se tridhjetë ekspozita personale në vend dhe jashtë nëpër botë. Zakonisht kam ekspozuar cikle fotografish, të cilat i kam përgatitur me vite. Jam munduar të jem sa më dinjitoz në prezentime dhe kurrë nuk kam improvizuar. Fotografia është jeta ime dhe nuk luaj dot me te! Ekspozita ime e fundit ishte mars të këtij viti, në Itali, në qytetin e Orvietos, në një festival shumë prestigjioz. Atje u prezantova me ciklin “Nirvana”. U prit shumë mirë dhe mora fjalë shumë të mira. Tani jam duke punuar në një cikël të ri, të cilin nuk dua ta zbuloj para kohe. Kam disa oferta për të ekspozuar në Europë.
Idhujt tuaj dhe fotografia e Gjon Milit për ju
Pa modesti, mund të them se e njoh mirë Historinë e Fotografisë dhe fotografët që kanë bërë historinë, por gjithëmonë jam munduar t’i “mbaj” sa më larg punëve të mia. Artisti mëson dhe “vjedh” nga gjitha ato që e rrethon, dmth nga jeta e përditshme. Për mua aspak nuk ka rëndësi se çka fotografon, por mënyra si e fotografon, si i qasesh “problemit”, si e paketon dhe e fundit si e prezanton atë. Secili ka mënyrën e vet dhe qasjen personale, vetëm atëherë kur je vetvetja mund të thuash se ke bërë punë të mirë. Po, Gjon Mili është njëri ndër të preferuarit e mi, fotograf që ka hyrë në histori, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e fotografisë, dhe jo vetëm ai, por kemi edhe shumë të tjerë. Nëse shqiptarët kanë me çka të krenohen, kjo është fotografia, sepse kemi qenë në hap me botën qysh nga fillimet e saj.
A mund të ketë fotografia shqiptare Dua Lipën apo Rita Orën e vet?
Sapo përmenda Gjon Milin, ai qysh në shekullin e kaluar ishte shumë i famshëm. Ai punoi për revista prestigjioze të kohës, ekspozoi nëpër galeri prestigjioze, fotografoi figura historike dhe të artit e të kulturës botërore etj. Po, mund të kemi edhe Duan edhe Ritën e fotografisë, është çështje kohe kur do të shkëlqejnë. Ne kemi probleme të shumta si shoqëri. Sistemi i vlerave është përtokë. Nuk depërtojnë dot njerëzit meritorë, nuk çmohen njerëzit-artistët që meritojnë, nuk stimulohen dhe mbi të gjitha nuk ka kush t’a menaxhojë punën e tyre. Edhe Dua edhe Rita, sikur të kishin jetuar në Kosovë, nuk besoj se do kishin arritur aty ku jane sot. Që të dyja janë të shkëlqyera dhe janë aty ku janë me meritë të plotë, mirëpo po të jetonin këtu, të gjithë energjinë do
ua kishin harxhuar duke u marrur me punë të kota. E njëjta gjë ndodh edhe me sportistët, nuk depërtojnë dot deri sa jetojnë këtu. Kemi çuna dhe goca fotografë të shkëlqyer, por s’ka kush t’i menaxhojë dhe shtyjë përpara punën e tyre në skenën botërore. Sidoqoftë, besoj se shumë shpejt do shpërthejnë dhe do t’ua “dëgjojmë zërin”.
Përshendetja juaj pë gazetën Dielli
Nuk është thënë kot se për ne shqiptarët dielli çdo herë ka lindur në perëndim. Uroj që ky Diell të mos perëndojë kurrë. Ju falemnderit për bisedën!