• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË LETËRSINË BOTËRORE

August 27, 2024 by s p

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Arbëria, ishte e ndarë midis shumë familjeve fisnike apo principatave të pavarura, të cilat ndodheshin vazhdimisht në gjendje lufte mes tyre, me qëllim për të mbizotëruar Arbërinë. Gjatë kohës që u shfaq familja e Kastriotëve nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme, bëri që të ndryshojnë ngjarjet dhe situatat historike të kohës si në Arbëri dhe Europë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV. Ai është i vetmi në të gjithë historinë e popullit tonë, që mban titullin Hero Kombëtar, që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.Kryetrimi Gjergj, konsiderohet nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si një udhëheqës i përsosur betejash ushtarake, mjeshtër taktikash dhe ushtarak i lartë i shquar në beteja të vogla në terren të thyer malorë, sikurse është Shqipëria, në një pjesë të mirë të saj.Në këtë mënyrë Gjergji shfrytëzoi natyrën malore të vendit dhe njohu me hollësi terrenin fushor të betejës. Ai diti gjithnjë t’i impononte armikut planet e tij luftarake, të cilat i kryente me shpejtësi ose i ndryshonte sipas rrethanave që i krijoheshin, duke pasur kështu gjithnjë sukses në çdo betejë.

Gjergj Kastrioti i përkiste fesë së krishterë.U konvertua nga osmanët në mysliman, pasi e morën peng në ushtrinë turke dhe më pas u rikthye përsëri në fenë e të parëve të tij të krishterë.

Gjergji lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël, dhe fëmia i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Osmanët barbarë morën Krujën (1414-1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (Stanishin), u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsa të nënshtruar e vasalë (të cilët vareshin direkt nga Perandoria Osmane), për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane dhe islame, si komandantë të zotë, islamik të përkushtuar dhe pushtetarë apo feudalë të bindur.

Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem, mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël.

Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, për Gjergj Kastriotin, është vepra e Marin Barletit, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime të tjera osmane.

Më 1430, pas një deshtimi shkatërrimtar në luftë me otomanët pushtues, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet, dhe iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua me dhunë të konvertohej në islam.

Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt. Perandoria Osmane menjëherë ia hoqi të drejtën e trashëgimisë së të atit dhe si masë ndeshkuese osmanët e larguan më 1438 nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës, të cilën e gëzonte më parë. Kësaj situate jo të mirë Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjen me revolt, duke kërkuar mbështetje tek Venediku e Raguza dhe menjëherë fillojnë kontaktet e para të lidhjes me mbretërinë e Napolit.

Në tetor të vitit 1443 trupat e bashkuara polake e hungareze, të komanduara nga kryetrimi hungarez Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “…rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.” Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe heroi kombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti.

Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Gjergj Kastrioti e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Gjergji u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve. Aksioni i tij për tu rikthyer në vendlindje ishte paramenduar shumë mirë, qysh herët.

Në Dibër filloi grumbullimi i forcave antiosmane shqiptare e cila erdhi duke u zgjeruar dora dorës në gjithë vendin. Kjo ishte prova se shqiptarët ishin gati për një kryengritje të përgjithshme.

Në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1443, u ngrit krenar përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqipëtar. Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar.

Vetëm në Shqipëri dështoi politika osmane islame e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Gjergj Kastrioti kundërshtarin otoman të lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht.

Gjergji e kuptoi se për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte i shumë nevojshëm edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme europiane, të interesuara për t’iu kundërvënë vërshimit barbar islam osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456 Gjergj Kastrioti krijoi lidhje me udhëheqësin hungarez Janosh Huniadin, për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t’i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad.

Ai e zgjeroi bashkëpunimin me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri.

E rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet perëndimore më të afërta Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vetë interesi i këtyre shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit.

Titulli Atleti i Krishtërimit, që iu dha udhëheqësit shqiptar prej papa Nikollës V, u konfirmua më vonë nga pasardhësit e tij Kalisti III, Pius II dhe Pali II. Kështu papa Kalisti III, e vlerëson shumë figurën e heroit tonë, kur shkruan: “Gjergj Kastrioti ishte si një digë e patundur. Ai ndaloi vërshimet e furishme të baticës islame otomane dhe i vuri fre shpërthimit të saj mbi Europën kristiane.” Sot, në botë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Zyrihu, Paris, Romë, Chicago, Shkup, etj. Buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Detroit, New York, Milano, Kalabri, Kanada, Kosovë, Tiranë.

Varri i tij, që ndodhej në kishën e shën Nikollës në Lezhë, u dhunua nga pushtuesit dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq. Dy herë, papa Piu II, kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim kurorëzimin si mbret të Gjergj Kastriotit.

Figura e Skënderbeut bëhet një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare, qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi Spiro Xega, autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937) sipas një gravure evropiane.

Për figurën e Gjergj Kastriotit në Letërsinë botërore

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të M. Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin.

Këto u pasuan në shek. XVI nga një radhë krijimesh poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetat e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin -Tmerri i turqve – (1548) i italianit Antonio Posenti.

Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë në veprat letrare edhe të shek. XVII. E kësaj kohe është poema – Skënderbeida (botuar në Romë më 1623) e poeteshës së njohur ilaliane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik.

Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i pamposhtur i lartësuan në veprat e tyre edhe: gjermani Jakob Kokert (Kengë mburrëse, 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema – Skënderbeu – 1658). Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën – Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të shumtë nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj.

U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën Princi Skënderbeg, që i takon llojit të komedive të famshme. Për personazhin e tij janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit.

Të huajt për Gjergj Kastriotin

Shumë autorë e kanë parë figurën e Gjergj Kastriotit si një hero, strateg dhe vizionar të madh dhe të papërsëritshëm.

“Heroi ma i madh i të gjitha kohërave, për veprat faktike që ka bërë.” – Julius Pisko, 1894.

Napoleoni I, në kujtimet e tij të treguara në Sh. Helenë, heroin tonë e vë në radhën e katër gjeneralëve më të mëdhenj të botës (Memoiren Napoleons, herausgegeben von F.M. Kircheisen).

“Gjergj Kastrioti… ua kalon të gjithë strategëve të vjetër e modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse.“ – J. Wolfe.

“Gjergj Kastrioti ishte një ndër gjeneralët më të mëdhenj, që kishte jetuar ndonjëherë.“ – Ludwig Holberg, 1739.

“Gjergj Kastrioti kishte aftësi të rralla, i shpejtë dhe i qartë me intelekt të rrallë, i fuqishëm dhe me një guxim të pathyeshëm, prandaj ai me forcat e tij prej trimi ndali furinë e Perandorisë Osmane.” – Alberto Guglielmotti, 1871.

James Wolfe, heroi i Quebekut, në një letër të tij thotë midis tjerash se “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të vjetër dhe modernë, në prija ushtrishtë të vogla.

Ndërsa filosofi i madh freng, Voltaire, shpreh mendimin se sikur Perandorët bizantinë të kishin qenë si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes mund të kishte shpëtuar.

Filed Under: Histori

Mësimet e dashurisë 

August 27, 2024 by s p

Ndue Ukaj/

Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore. Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës. Si biografi më i shquar i saj  e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.” Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës:  botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.

Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon  se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”  dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.

Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese. 

Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i  sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”

Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale. Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.

Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos  në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë. 

Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.

Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?

Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse. 

Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.” 

Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.” 

Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.

(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)

(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)

Filed Under: Sociale

MURGESHA E SHENJTË DHE POETI I KËNGËS SKANDALOZE

August 27, 2024 by s p

– Nënë Tereza dhe Migjeni -/

26 gusht: në këtë ditë erdhi në jetë një vogëlushe që do ta quanin Gonxhe e do të bëhej Shenjtja Nënë Terezë dhe iku nga kjo jetë një poet shumë i ri, që kishte zgjedhur si emër letrar akronimin Migjeni.

Murgesha dhe poeti. I dua të dy. Gati moshatarë ishin, Nënë Tereza lindi në vitin 1910 në Shkup, Migjeni një vit më pas, në Shkodër, në 1911 (dhe im atë në atë vit lindi, në Jug), kur Shqipëri s’kishte se vendi ende vuante fundin e perandorisë otomane e priste të shpallej i pavarur.

Murgesha dhe poeti. Të dy u bënë të njohur, Migjeni si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në letrat shqipe, duke e modernizuar poezinë dhe tregimin, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, ndërsa Nënë Tereza u bë gruaja më e njohur e planetit, vetëm me dashurinë e saj dhe u shpall shenjtore e kohëve moderne.

Nuk janë takuar kurrë, as dhe parë, dhe nuk do të kenë ditur gjë për njëri-tjetrin, kur Migjeni ishte mësues në Pukë dhe shkruante me sarkazëm për varfërinë e rëndë të malësorëve dhe këmbët e zbathura të nxënësit të tij, Lulit të vocër, duke akuzuar shfrytëzuesit e pangopur sipër, Nënë Tereza kishte shkuar në Indi me mision, mësuese dhe ajo, por doli nga muret e kuvendit që t’u shërbente më të varfërve të të varfërve. Kur Migjeni blasfemonte dhe Zotin, duke mos e besuar, Nënë Tereza në shërbim të Zotit, me Krishtin në zemër si dritën dhe si udhërrëfyes në terr, shpëtonte jetë njerëzish, fëmijët e botës, nuk akuzonte, vetëm donte dhe shërbente. “Më mirë ndiz një qiri se sa të mallkosh errësirën.” – thoshte. Dhe lutej.

Ndërsa Migjeni ka dhe një poezi, ndër më të bukurat e tij, kushtuar murgeshave:

MIGJENI

KANGA SKANDALOZE

Një murgeshë e zbetë, që bashkë

me mkatet e botës

bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet

të molisun,

mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth

hyjnia

– kaloi rrugës së qytetit

si ejll i arratisun…

Një murgeshë e zbetë, e ftohtë

si rrasa e vorrit,

me sy boj hini si hini i epsheve

të djegna të gjallesës,

me buzë të holla të kuqe, dy gajtana

pshertimet që mbysin

ma la der’ vonë kujtimin,

kujtimin e ftohtë të kalesës.

Prej lutjesh (jo tallse!) duel

dhe në lutje prap po shkon…

Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy,

ndër buzë, ndër gishta.

Pa lutjet e saj bota, kushedi,

ç’fat do kishte?

Por dhe nga lutjet e saj

ende s’i zbardhi drita.

O murgeshë e zbetë, që çon dashni

me shënjt,

që n’ekstazë para tyne digjesh

si qiriu pranë lterit

dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam

shejtënvet:

Mos u lut për mue, se due

pash më pash t’i bij ferrit.

Unë dhe ti, murgesh, dy skaje

po të një litari;

të cilin dy tabore ia ngrehin

njeni-tjetrit –

lufta asht e ashpër dhe kushedi

ku do t’dali,

prandaj ngrehet litari edhe përplasen

njerzit.

E quan këngë skandaloze. Dhe ashtu ishte. Unë gjej adhurim për murgeshën, të fshehtë, të mermertë, me ironi komplekse dhe skandal janë mjerimi, mosdashuria, indiferenca shoqërore, vrasjet, mashtrimet, hipokrizitë, që nga shteti deri te alienimi i njeriut, mosleximi, të mosbesuarit, etj, etj.

Po edhe Nënë Tereza ka shkruar poezi, që në rininë e saj të parë, mbante ditar. Po edhe lutjet e saj poezi janë dhe të mrekullueshme, janë botuar nëpër botë në gjuhët e mëdha. Kam përgatitur dhe unë libra të saj në shqipe tonë. Ja, njëra:

NËNË TEREZA

“MËRMËRIMË SHENJTOREJE”

Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak.

E ç’rëndësi ka, duaje!

Nëse mirë bën, do të thotë

se plotësohet qëllimi i vetes.

E ç’rëndësi ka,

bëj mirë!

Nëse do të jeni i suksesshëm, miq të rremë do të gjeni

dhe armiq të vërtetë.

E ç’rëndësi ka, vazhdo!

E mira që bën, do të harrohet nesër.

E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!

Sinqeriteti dhe nderi do të bëjnë

të plagosesh kollaj.

E ç’rëndësi ka, krijo!

Le të shembet natën befas

ajo që ke ngritur me vite.

E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri!

Le të mos kënaqen njerëzit,

kur u gjendesh pranë.

E ç’rëndësi ka, ndihmoji!

​​Botës jepja pjesën më të mirë

të vetes.

​​S’do të jetë e mjaftë. Do ta flakin.

​​E ç’rëndësi ka.

​​Po ti dhuroje pjesën më të mirë

të vetes!

​​Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur.

​​Të kuptohemi mirë, e gjitha kjo

​​s’është kurrë midis jush dhe atyre, por midis nesh dhe Zotit.

_______________________

* Kjo poezi është gdhendur

mbi një mur në Kalkutë.

Dua shumë dhe lutje të tjera të Nënë Terezës, më duken si poezi moderne. Do të doja t’i shikoja të shkruara mureve të qyteteve, të gdhendura në gurë, në antologji e tekste shkollash, bashkë me Migjeni, me njëri-tjetrin t’i themi përmendësh:

DHËNIE

​Që të kalosh këtë ditë,

i do duart e mia?

​Ndihmo me to këdo

që do të dëshironte

​​​​ dhe i duhen duart e mia.

​O Zot,

​po t’i jap duart e mia tani.

​Që të kalosh këtë ditë,

i do këmbët e mia?

​Shko vizito atë që pret e pret

t’i vijë një mik.

​O Zot,

​po t’i jap këmbët e mia tani.

​Që të kalosh këtë ditë, e do zërin tim?

​Fol me ata që duan një fjalë dashurie.

​O Zot,

​po të jap zërin tim tani.

​Që të kalosh këtë ditë

e do zemrën time?

​Duaje çdo njeri nga shkaku

se është njeri.

​O Zot,

​po ta jap zemrën time.

​Dhe kështu u bëftë!

Desha t’i kujtoj sot me poezitë e tyre dhe poetin tonë dhe murgeshën tonë. Është 26 gusht, në këtë datë Migjeni vdiq larg atdheut për të mbetur i pavdekshëm në letrat shqipe dhe po në këtë datë lindi vajza Gonxhe Bojaxhiu, që u bë Shenjtja Nënë Tereza, edhe ajo larg atdheut, e përjetëshme me dashurinë e saj dhe po aq e përbotëshme.

Largësitë, edhe në kohë ashtu si mes vendeve dhe njerëzve, janë zvogëluar dhe s’kanë më aq kuptim ose jo si dikur.

Dikur shkoja gjithë adhurim në shtëpinë muze, ku kishte jetuar Migjeni, në Shkodrën e tij, kur isha student, kam shkruar dhe poezi për të, “të rrezikshme” – më thanë nja dy miq që ua lexova atëhere, njërën nga ato e kam dhe në akt-akuzë, kur më dënuan, ndërsa emrin e Nënë Terezës e dëgjova së pari në burg, ajo ishte e ndaluar të vinte në atdhe, edhe atdheun burg e kishin bërë, të shkuara të (pa)harruara… por sot dua të shkoj prapë në shtëpinë e Nënë Terezës në Chicago, të bisedojmë me motrat e saj, të prek relike të saj. E ngriti vetë atë shtëpi përmes veshtirësish, keqkuptimesh e krimeve në lagje. Por, ah, sa shtëpi dashurie hapi ajo nëpër botë!

Visar Zhiti

Chicago, 26 gusht 2024

Filed Under: ESSE

Vepra “Institucionet Islame dhe Imamët e Krajës” e studiuesit Hamid Halaj iu bë dhuratë Bibliotekës së Vatrës

August 27, 2024 by s p

Qëllimi kryesor i këtij punimi është që lexuesit t’ia ofrojë një hyrje të shkurtër dhe sa më të qartë të historikut të insti- tucioneve islame të Krajës. Pastaj lexuesi do të njihet edhe me biografitë e shkurtra të personaliteteve myslimane nga kjo trevë (që kanë shërbyer në këto institucione), të imamëve me origjinë nga Kraja, por të cilët kanë dhënë kontribut jash- të vendlindjes së tyre, si dhe do të njihet edhe me imamët të cilët punuan në trevën e Krajës, por që nuk ishin nga kjo tre- vë. Me një fjalë, ky libër nxjerr në pah kontributet që imamët krajanë dhe ata jashtë kësaj treve kanë dhënë në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, duke përfshirë edhe disi- plina të ndryshme shkencore. Ata, me punën e tyre, përbënin një themel të fortë për përhapjen dhe përparimin e dijes e të fesë islame brez pas brezi.

Ndonëse trajtimi ynë nuk është përkufizuar në vite, me- gjithatë jemi përpjekur që vitet të mos i lëmë anash, duke përfshirë periudhat kohore kur janë formuar institucionet is- lame në Krajë dhe kur imamët krajanë dhe ata jashtë trevës së Krajës kanë shërbyer aty, që në përgjithësi është një pe- riudhë të gjatë, madje duke nisur që nga viti 1602, kur edhe u themelua institucioni i parë islam në Krajë.

Mendoj se, me anë të kësaj vepre, do të dalë në pah një përpjekje e jona për hulumtimin dhe publikimin sa më origji- nal të saj, duke bërë fjalë për përhapjen dhe trashëgiminë e madhe historike të këtyre prijësve të dijes dhe të kohës së tyre, në mënyrë që komuniteti ynë krajan, mbase edhe ai gji- thëshqiptar, të mos i harrojë ata, por t’i pranojë në gjirin e vet dhe t’i nderojë kontributet e tyre si në shkencë, njohuri dhe qytetërim brenda kombit të vet. Nuk mund ta lëmë pa e thek- suar faktin se disa studiues dhe autorë të njohur kanë kontribuuar në këtë fushë, duke shkruar dhe duke analizuar aspekte të ndryshme të kontributeve të tyre në kulturën dhe trashëgi- minë tonë kombëtare.

Thënë ndryshe, ky punim paraqet përpjekjet e mia për një hulumtim sa më të gjithanshëm rreth institucioneve islame në trevën e Krajës. Kjo është një ide e kamotshme, dëshirë dhe kuriozitet i imi, i bazuar në vullnet e pasion, për ta stu- diuar e për ta hedhur në letër çështjen e institucioneve islame në trevën e Krajës. Fjala është për një trevë, siç është Kraja, vendlindja ime, e cila është sa e pasur po aq edhe e pahulum- tuar në disiplina të ndryshme shkencore. Jo vetëm kaq, nga- se, krahas kësaj, në këtë kontekst, hyn edhe veprimtaria e institucioneve arsimore e kulturore islame në këtë trevë, vep- rimtaria arsimore e mësimdhënësve (hoxhallarëve-imamëve, myderrizëve etj.). Dekadat e punës për arsimimin e të rinjve në këtë trevë etnikisht shqiptare janë objekt studimor për një studim të mirëfilltë, i cili përbën një pasuri të çmuar. Prandaj është shumë e rëndësishme që kërkimi shkencor të vazhdojë në këtë drejtim.

Kur vendosa që t’i hyja një përpjekjeje të tillë, nuk dy- shoja se duhet të më duhej t’ia kushtoja një pjesë të mirë të kohës sime. Po ta kisha llogaritur kohën që e kërkon një nis- më kësodore, me siguri se nuk do ta kisha filluar këtë pro- jekt. Fatmirësisht nuk mendova ashtu, ngase e nisa punën me vullnet dhe pasion, duke lexuar literaturë të shumtë gjatë hu- lumtimit, duke bërë intervista e biseda me njerëz të kësaj tre- ve, e kur takohesh me njerëz të dijes dhe hyn në biseda të tilla, aty inkurajohesh që të vazhdosh punën e nisur.

Burimet, rreth këtij punimi, të cilat do të mund të merre- shin në konsideratë për ndriçimin e gjendjes së këtyre insti- tucioneve në trevën e Krajës, janë të pakta dhe të paraprira me fragmente të vogla. Përveç pak shkrimeve, që kemi për- fshirë në këtë punim, kemi në dorë materiale të shkruara nga kronistë të huaj, apo studiues shqiptarë, të cilët kanë hulum- tuar në arkiva të ndryshëm shqiptarë apo turq dhe kanë hedhë dritë rreth këtyre institucioneve në këtë trevë. Deri tani ka ekzistuar një boshllëk i madh i njohurive dhe të dhënave shkencore mbi këto institucione. Me daljen në dritë të këtij libri, po bëjmë përpjekje që këtë boshllëk ta mbushim dhe të pajisemi me të dhëna bazike, me informata që janë burime faktografike dhe të cilat janë nxjerrë nga kujtesa e popullsisë së trevës në fjalë. Historia e gjithëpërfshirëse e këtyre institu- cioneve është e pamundur, sepse mungojnë edhe dokumentet dhe informacionet e shumta.

Për ta zbuluar historikun e zhvillimit të këtyre institucio- neve në trevën e Krajës është e domosdoshme që të gjurmo- het në të kaluarën e tyre, në zanafillën e tyre, gjë që shpie në përparim të mëtejshëm, nga e kaluara në të ardhmen dhe nga e mangëta drejt të plotës. Edhe dokumentet të cilat posedojnë në xhamitë e Krajës dhe ato të pakta që hedhin dritë mbi këto institucione, duhet ta pranojmë se nuk janë shkruar në gjuhën shqipe, gjë që e vështirëson edhe më shumë gjetjen e së vër- tetës lidhur me themelimin e këtyre institucioneve, sidomos të mejtepeve të para në këtë trevë. Këtu nevojitet gjithashtu hulumtimi i veprave të autorëve të huaj në drejtim të kësaj teme, sidomos në Sanxhakun e Shkodrës, ku bën pjesë edhe zona e Krajës, ashtu që do të sigurohen burime të mjaftuesh- me për zanafillën e hapjes së këtyre institucioneve.

Krahas literaturës së përdorur, kam bërë edhe intervista të ndryshme rreth imamëve krajanë dhe atyre jashtë Krajës, por me shërbim në Krajë, duke e ndërlidhur literaturën me dësh- mitë e gjalla. Nëpërmjet kësaj lexuesi mund të njoftohet për punën e atyre edukatorëve të popullit të trevës, të mësuesve (imamëve), të cilët arritën të përgatisin breza të tërë me for- mim kulturor dhe fetar islam, në këtë trevë, disa prej të cilë- ve ndoqën shkolla të larta në vendet islame, në kuadër të të cilave u dalluan për arritje të larta. Me punën e madhe që bë- në figura e tyre erdhi gjithnjë duke u lartësuar, duke u konsi- deruar edhe si punë fisnike. Ata, me përkushtimin e tyre, bë- në të pamundurën për edukimin dhe mësimin e fesë në dobi të popullit të kësaj treve. Në këtë rrugë nuk krijuan të mira materiale dhe as kapital, por jetuan si gjithë populli tjetër, me rrogat e tyre modeste. Për këtë populli i trevës i donte dhe i respektonte, duke i ruajtur në kujtesën e tyre si njerëz fisni- kë, si mësuesit e tyre në mejtepe, por edhe si përhapës të di- jes.

Ky punim është shpërfaqje e punës që e kemi bërë dhe njoftim i masës më të gjerë me të. S’ka dyshim se libri që ju e keni në duar i dedikohet komunitetit islam, por edhe opini- onit të gjerë mbarëkombëtar dhe jo vetëm atij.

Ne po e çelim një kapitull të ri, apo thënë krajançe, po e “hapim një shteg”, ndërsa të tjerët le ta vazhdojnë

Filed Under: LETERSI

ABAT PREND DOÇI, KLERIKU, ATDHETARI DHE INTELEKTUALI SHQIPTAR NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

August 27, 2024 by s p

Dr. Paulin Marku/

Prend Doçi është një personalitet i rëndësishëm i klerit katolik shqiptar dhe me kontribute të shumta në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte një atdhetar i madh dhe u aktivizua për mbrojtjen e territoreve shqiptare, për zhvillimin e gjuhës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Ai lindi më 7 shkurt 1846 dhe u nda nga jeta më 22 shkurt 1917. Prend Doçi e hasim në dorëshkrime e dokumente shqipe dhe të huaja të kohës, si Dom Prend Doçi, Abat Prend Doçi, si dhe emri i tij gjendet edhe në forma të tjera si: Preng Doçi, Prengë Doçi si dhe Prenk Doçi sipas shqiptimit dialektor e krahinor si dhe, sipas dorëshkrimeve të bashkëkohësve të tij. Prend Doçi në shkrimet e tij në gjuhën shqipe e ka shkruar Prend, ndërsa në gjuhën italiane e në latinisht e gjejmë, Primo Dochi, Primus Docci, Primo Docci, dhe prej vitit 1888 pasi u dekretua nga Vatikani, Papa Leoni XIII do të emëronte Dom Prend Doçin“Supra, montem Mirditarum” abatis nullius, i cili do të drejtonte Abacinë e Oroshit të Mirditës dhe do të kishte varësi të drejt për drejtë nga Selia e Shenjte në Vatikan.

Ai lindi në Bulger të Mirditës, më 7 shkurt 1846 dhe pati veprimtari të gjerë klerikale katolike me funksione të ndryshme në Shqipëri, Itali, Mali i Zi, Greqi, Indi, Kanada… Ai ishte diplomat e vizionar me ndjenja të thella atdhetarie, poet, publicist, themelues i shoqërisë “Bashkimi”, shoqëri kjo, e cila, bëri shumë punë të mëdha bashkë me Atë Gjergj Fishtën e Dom Ndoc Nikën e shumë intelektualë brenda e jashtë vendit. Shoqëria “Bashkimi” ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin shqiptar, nga aty u realizuan shumë botime të karakterit gjuhësor, letrar, historik e kulturor si dhe ishte një zë i fuqishëm për jetësimin dhe mbrojtjen e alfabetit shqip me germa latine dhe për zhvillimin e shkollës shqipe. Abat Doçi ishte kontribues i madh për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, si dhe drejtues i rëndësishëm i kishës katolike në krahinën e Mirditës, në Abacinë e Oroshit.

Fatkeqësisht, ashtu si për shumë klerikë e intelektualë të tjerë shqiptarë edhe figura e atdhetarit të madh, Prend Doçi u la në harresë gjatë regjimit diktatorial komunist në Shqipëri. Veprimtaria e atdhetarit të flaktë që luftoi me çdo mënyrë me penë e me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare, që e pagoi fort shtrenjtë, me arrestimin e pastaj me dëbimin e tij për të mos shkelur në tokën ëmë për disa vite, i cili është një prej rilindësve më të spikatur të kohës, promovues i vlerave atdhetare shqiptare, nuk u vlerësua dhe nuk u mor në konsideratë nga regjimi komunist.

Pas rënies së regjimit komunist, figura dhe veprimtaria e Prend Doçin filloi të trajtohej dhe të shihej me syrin pozitiv duke i dhënë vendin dhe vlerësimin e merituar. Për të është shkruar në revista shkencore, në gazeta të ndryshme, si dhe, i janë kushtuar dy monografi jetës dhe aktivitetit të tij. Në vitin 1997 autori Pal Doçi publikoi monografinë: “Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra”, dhe në vitin 2012 në Shkodër u publikua një tjetër monografi nga autori Luigj Martini: “Abati i Mirditës, Prend Doçi (1846-1917)”.Ndërsa në Rrëshen, Mirditë sheshi mban emrin Abat Prend Doçi në nder dhe respekt të veprës së tij. Mund të thuhet se është cekur dhe trajtuar kontributi i figurës kombëtare Prend Doçi, por mund ta them me bindje të plotë se aktiviteti i tij është më i gjerë sesa është shkruar deri në ditët e sotme, nëse do të hulumtohet nëpër arkivat e huaja të periudhës, kryesisht në ato të Vatikanit, Propaganda Fide, arkivat e Romës dhe të Vjenës do të njiheshim edhe më shumë për veprimtarinë e tij atdhetare e intelektuale.

Për Prend Doçin kanë lënë shënime të shumta edhe autor te huaj që e njihnin shumë mirë rolin dhe veprimtarinë e tij, si, Edith Durham, Franc Nopcia, Antonio Baldacci, Hyacinthe Hecquard, … si dhe diplomatë të ndryshëm që bashkëpunuan dhe u njohën me aktivitetin atdhetar e klerikal. Ata shprehnin vlerësime dhe konsideratë të lartë për klerikun katolik Prend Doçin, si një prej njerëzve me kontribute të mëdha kombëtare për zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare, e vlerësonin për ngritjen e marrëdhënieve të mira me mirditorët dhe për lidhjet e forta me shtëpinë e Gjon Marka Gjonit, si dhe angazhohej nëpërmjet njohjeve e kontakteve që kishte për të rikthyer nga internimi në vendlindje Princin e Mirditës, Preng Bib Doda.

Dom Prend Doçi pasi përfundoi studimet me rezultate të larta në Romë në vitin 1871 u kthye në atdhe. Ai kishte fituar dije dhe kulturë të përgjithshme, jo vetëm në fushën teologjike-klerikale por gjatë qëndrimit në Itali kishte patur mundësi të lexonte libra të ndryshëm filozofik, historik, gjuhësor e kulturor, pasi ishte edhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Prej njohësve të kohës, ai njihet si njeri i zgjuar e mendje mprehtë, vizionar e atdhetar i flakte me ndjenja të larta kombëtare shqiptare. Në periudhën që shërbente në Mirditë atij iu shtuan edhe më tepër ndjenjat atdhetarie, për shkak edhe të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve. Pak vite pasi u kthye në atdhe, Prend Doçi ishte një prej krerëve që organizoi mirditorët në kryengritjen e vitit 1876-1877. Ai vihet në krye të lëvizjes duke përdorur edhe armën për të luftuar me vendosmëri për mbrojtjen interesave kombëtare e territoriale shqiptare. Por kryengritja u shtyp nga forcat e shumta ushtarake të Perandorisë Osmane dhe autoritetet urdhëruan për të arrestuar shtatë organizatorët, një ndër ta edhe Imzot Prend Doçi. Ai ishte larguar së bashku me Kolë Mark Çunin përmes bjeshkëve të Malësisë së Mbishkodrës për të mos ra në duart e ushtrisë por në malet e Gucisë ata u rrethuan nga ushtria dhe iu kërkua të dorëzoheshin.

Gjatë qëndrimit në burgun e Stambollit, autoritetet osmane i morën në pyetje dhe i kërkuan nëse kryengritja ishte organizuar nga Preng Bib Doda, në mënyrë që mund të largoheshin nga përgjegjësia e organizimit të lëvizjes së armatosur, por ata e mohuan kategorikisht.

Nga burgu, me ndihmën edhe të Patrikut armen, Prend Doçi i dërgoi një letër patrikut katolik armen në Stamboll, i cili kishte marrëdhënie të mira me Sulltanin Abdyl Hamiti. Patriku armen, Stefan Azarian sapo u njoftua për këtë çështje i kërkoi Sulltanit t’ia falte atij dhe të lironte nga burgu dom Prend Doçin. Kështu pas ndërhyrjeve të Vatikanit, Austro-Hungarisë dhe të patrikut armen në Stamboll u bë e mundur lirimi i Prend Doçit, por me kusht se nuk duhet të kthehej në viset shqiptare. Prend Doçi i falënderoi për nderin e madh që i mundësuan lirimin e tij nga burgu, dhe shprehte mirënjohje ndaj patrikut armen, autoriteteve të Vjenës dhe të Vatikanit. Ai duhet që të vishte veladonin e priftit dhe të largohet sa më shpejt prej aty, para se Dervish Pasha të kthehej në Stamboll sepse mund të jepte urdhër për ta arrestuar sërish, pasi nuk ia falte organizimin e kryengritjes së mirditorëve. Ashtu ndodhi, sapo Dervish Pasha u kthye, ai u ankua për lirimin e tij, edhe pse ishte liruar me kusht dhe e kishte të ndaluar për mos kthimin e tij në viset shqiptare.

Në këto kushte dhe rrethana aspak të pëlqyeshme prej tij, por i detyruar që t’i zbatonte dhe dom Prend Doçi do të shërbente si prift jashtë trojeve shqiptare dhe nuk duhet të angazhohej më në lëvizje kryengritëse. Imzot Prend Doçi, do rifillonte jetën në emigrim edhe pse kishte dëshirë të madhe për t’u kthyer në vendlindje. Pas lirimit nga burgu i Stambollit, Prend Doçi shkon në Romë nga ku ngarkohet me detyrën e shenjtë të misionarit ekumenik dhe meshtar në Kanada. Atje shërbeu për disa vite por nuk ka shumë detaje rreth veprimtarisë së tij në Kanada edhe pse Dom Ndoc Nikaj dhe Atë Pashk Bardhi kanë shkruar për aktivitetet dhe formimin e tij, ndërsa rreth veprimtarisë në Kanada nuk gjenden shumë detaje rreth atyre viteve që jetoi dhe veproi në kontinentin e largët.

Pas 6 viteve në emigrim me mision apostolik, në pranverë të vitit 1883 Imzot Prend Doçi ftohet nga Propaganda Fide të rikthehet në Romë. Sapo kishte mbërritur në Vatikan ai kishte kërkuar të dinte për situatën në viset shqiptare dhe insistonte që t’i jepej e drejta për t’u kthyer në atdhe. Përpjekjet e Sekretarisë së Propagandës Fide pranë autoriteteve osmane në Romë për të lejuar që Imzot Prend Doçi të rikthehet në vendlindje rezultuan të pasuksesshme. Pra, edhe pse sulltani urdhëroi lirimin e tij nga burgu më 1877, Perandoria Osmane vijonte të linte në fuqi dekretin si i dëbuar nga territoret perandorake dhe moslejimin e tij në viset shqiptare. Por, në maj të vitit 1883 Propaganda Fide e dërgoi Imzot Doçin si misionar të saj provizorisht në Tivar të Malit të Zi. Mbërritja në Tivar i mundësonte atij që të ftonte nënën e të afërmit e tij që të shkonin ta vizitonin. Gjatë periudhës që ishte në Mal të Zi ai u prit në audiencë nga mbreti Nikolla i Malit të Zi. Sipas Atë Pashk Bardhit ky takim nuk përfundoi mirë pasi mbreti ishte shprehur “shpresoj së shpejti me shti në dorë Shqypnin, deri në lumin Drin” por përgjigja që i kishte dhënë Imzot Prend Doçi e kishte zëmëruar mbretin Nikolla: “Naltsi, ju ndoshta shtini në dorë krejt Shqypnin, por shqiptarët nuk do t’i keni kurrë miq”. Kjo përgjigje e hidhëroi mbretin Nikolla dhe nuk u prit aspak mirë nga autoritetet malazeze. Për pasojë u morën masa për largimin e tij nga territori i Malit të Zi. Ata kuptuan se ai nuk ishte në anën e tyre dhe qeveria malazeze urdhëroi që Prend Doçi të largohet sa më parë nga territori malazez. Ky veprim nuk u prit mirë sepse atij i interesonte të kishte mundësi të takonte familjarët dhe bashkëkombësit e tij gjatë misionit në Malin e Zi por qëllimi kryesor ishte rikthimi për në vendlindje. Ai përpiqej të shfrytëzonte çdo njohje politike e diplomatike, si në Vatikan, apo në qeverinë e Stambollit për t’u kthyer në vendlindje i lirë. Duke parë që mundësi për t’u kthyer në vendlindje nuk kishte, Imzot Doçi duhet të pranonte ose një mandat të dytë në Amerikë ose të shkonte në Athinë. Në nëntor të vitit 1883 ai pranoi detyrën e sekretarit të arqipeshkvit katolik të Athinës me shpresën se mund të ndryshonte diçka për rikthimin në atdhe. Por edhe nga Greqia nuk arriti të fitojë pafajësinë që e kërkonte me çdo kusht.

Kështu, në gusht të vitit 1884, Propaganda Fide e emëroi Sekretar të argjipeshkvit Antonin Agliardi delegat apostolik i Vatikanit në Indi, që ishte themeluar nga papa Leoni XIII. Por brenda pak muajsh, dom Prend Doçi mbajti postin në krye të misionit diplomatik deri në largimin e tij nga qyteti i Bombejt të Indisë për shkak se Imzot Agliardi duhej të kthehej në Romë për kurime shëndetësore. Pas dy vitesh, në shtator të vitit 1886 ai u kthye në Romë duke e mbyllur me sukses misionin në Indi. Gjatë qëndrimit në Romë i paraqiste Propagandës Fide me kritika të ashpra, pakënaqësitë për situatën në dioqeza dhe të klerit në viset shqiptare. Imzot Doçi synonte në krijimin e klerit shqiptar, organizimin dhe ripërtëritjen e Abacisë së Oroshit. Pas misionit klerikal në emigrim në shtete të ndryshme, që nga Italia, Kanadaja, Mali i Zi, Greqia e India, Prend Doçit në vitin 1888 atij iu realizua dëshira për t’u kthyer në vendlindje me detyrën e abatit të Mirditës -Nullius- (do të thotë se Abacia e Oroshit do të vepronte e pavarur nga dioqezat e tjera, ajo kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan). Për periudhën 1876-1888 në Orosh nuk pati Abat, veç një famullitar të thjeshtë. (Ky studim vijon në numrin e gazetës “Dielli” – Shtator 2024)

Bibliografia:

• Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: “Toena”, 2002,

• Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantran, Dituria 2004,

• Shqipëria në Dokumentet Austro-Hungareze, I-VII, Botime Albanologjike 2012

• Dokumente Diplomatike Italiane për historinë e Shqiptareve 1912, Botime Albanologjike 2019

• Pal Doçi, Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra. Tiranë, Naim Frashëri 1997,

• Luigj Martinit, Abati i Mirditës Prend Doçi 1846-1917, Shkodër, MIRGEERALALB 2012,

• Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, 2008,

• Peter Bartl, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, Drita 1999,

• Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë, Argeta-LMG, 2001,

• Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Përkth. Mihallaq Zallari, Tiranë, Eneas 2013,

• Revista “Hylli i Drites” Pashk Bardhi o. f. m. , Emzot Prend Doçi, në Hylli i Dritës, nr. 3-4, mars-prill 1942-XX, Vjeti XVIII, Shkodër,

• Revista “Studime Historike” Pal Doçi, Tri shkrime të Prend Doçit, në Studime Historike nr. 1-4, Tiranë, 1994,

• Kalendari “Afredita” per motin 1910,

• Flamuri i Arbërit, (La Bandiera dell’Albania, pubblicazione periodica mensile per cura d’un comitato di sinori d’Albania e delle sue Collone),

• Pontificia università urbaniana” është instituti i studimeve të larta të Kishës Katolike në (Gianicolo) në Romë, i specializuar në formimin e klerit nga vende të ndryshme në misionin e të rinjve të kishës. Nullius- do të thotë që abacia e Oroshit ishte e pavarur nga dioqezat e Lezhës apo të tjera, por kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT