• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

CAR PUTINI DHE BOSHTI (KRIMINAL) “I QËNDRESËS”

August 14, 2024 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 7 gusht 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika.

Boshti i së Keqes, version 2.0. Rusia furnizon me armë Iranin, për t’u siguruar se nuk do t’i mungojë fuqia e zjarrit në përshkallëzimin e konfliktit. Shprehja “Boshti I së keqes”na kujton ngjarje të shkuara shumë të këqija. Qe Georg W. Bush, mbas sulmeve të 11 shtatorit 200, të përmblidhte n’atë koalicion të armiqve të botës së lirë Iranin e ajatollahëve, Irakun e diktatorit Saddam Hysen, dhe mbretërinë komuniste të Koresë së Veriut. Nuk I solli fat askujt. Mbas pak kohe vendimi për të mësyer Irakun – të paditur pa të drejtë për bashkëpunim me Al Kaedën në atentatin kundrejt Kullave Binjake – qe fillimi i një kapitulli rrënimtar në politikën amerikane në Lindjen e Mesme.

Çfarë është ajo që sot teokracia shiite e Teheranit e quan Boshti i Qëndresës? Një bashkësi forcash të mbledhura nga fanatizmi fetar, urrejtja për Perëndimin e liritë tona; të vendosura për të kryer edhe ploja civilësh (përfshirë edhe civilët e tyre) mjaft që të imponojnë një synim mesianik. Një lidhje bashkon torturat e kryera mbi feministet në burgjet iraniane, përdhunimet e grave dhe masakrat e fëmijëve hebrej të bëra nga Hamasi, shkatërrimin e ish parajsës libaneze nga ana e Hesbollahut, mjerimin e llahtarshëm në të cilin mbahet populli jemenit nëpërmjet shtypjes së Hutëve.

Nëse bëhet fjalë për Boshtin e Qëndresës, sigurisht i ka qëndruar çdo mundësie të përparimit, përhapjeje së mirëqënies, të arsimit, të të drejtave. Mjafton të krahasohen kushtet e jetës së popullsive që bëjnë pjesë në këtë Bosht të Qëndresës me revolucionin e heshtur të zhvilluar në një pjesë të botës arabe: nga Maroku në Arabinë Saudite duke kaluar përmjet Emirateve e Katarit. Asnjë prej këtyre Shteteve nuk është një demokraci, kanë të gjithë regjime autoritare, por kanë përqafuar projekte laiçizimi, kanë kufizuar mujshinë e klerit, i kanë dhënë më shumë të drejta grave, kanë përmirësuar kushtet ekonomike të shumëve edhe se jo të të gjithëve. Boshti i Qëndresës nuk i qëndron vetëm imperializmit amerikan dhe sionizmit; në të vërtetë është një grumbullim forcash kriminale, që vrasin që në lindje çdo shpresë lirimi të popujve të tyre.

Rusia nuk ka qenë e rrjeshtuar me fuqitë e islamizmit prapanik, reaksionar e shtypës. Kur ishte ende Bashkim Sovjetik mbështeti krijimin e Shtetit të Izraelit dhe njohjen e tij në OKB. Përkrahu regjime laikë e kundërklerikalë si Naseri n’Egjypt dhe vetë Saddam Hysenin. I luftoi muhaxhidinët islamikë në Afganistan. Putini i a detyron ngjitjes së tij fillestare në pushtet egërsisë së pamposhtur me të cilën shtypi kryengritjen myslimane në Çeçeni.

Shndërrimi i tij i fundit në dobi të Boshtit të Qëndresës është i detyruar nga oportunizmi, leverdia taktike, shkëmbimi i favoreve. Ka një ngjasim me aleancën ndërmjet Iranit dhe palestinezëve. Në 1979, kur ajatollah Komejni imponoi teokracinë e tij në Teheran, asgjë nuk e detyronte të lidhej me udhëheqësin e OÇP, Jaser Arafatin , një kombëtarist laik që nuk i besonte fetarëve. Komejni e gjeti të leverdisëshëm përvetësimin e çështjes palestineze për synimin e tij: të rindërtonte një imperializëm persian në dëm të kombeve arabo-sunite, kryesisht kundër mbretërisë saudite. Të shpallej mbrojtës i palestinezëve e të premtonte vdekjen e Izraelit, qe një zgjedhje e cinike e Komejnit për qëllimet e tij të zotërimit gjeopolitik në Lindjen e Mesme; nuk i ka sjellë fat palestinezëve.

Në kapitullin e parafundit të kësaj ndodhie Irani i ka dërguar armë Rusisë – raketa e drone – për të vazhduar luftën e saj të agresionit në Ukrainë. Qe një mbështetje ushtarake e çmuar, po aq sa dhe ajo e Koresë së veriut (kush shihet: Boshti i së Keqes i Bushit të Ri?) dhe ajo e maskuar por e fuqishme e Kinës. Putini ka dërguar me mision në Teheran këshilltarin e etij strategjik, Sergej Shoigu, për të saksionuar shkëmbimin e favoreve: ashtu sikurse Irani e ka furnizuar me armë për të përndjekur popullsinë civile ukrainase, tani Rusia dërgon sisteme të mbrojtjes kundërajrore Rojeve të revolucionit islamik. Por shkëmbimi është më i gjërë, përtej shkëmbimeve ushtarake zgjerohet në një interes strategjik.

Për Putinin ploja e Hamasit e 7 tetorit 2023 ka qënë një dhuratë e mrekullueshme: ka zhvendosur para dhe kujdes të Shteteve të Bashkuar kundrejt një fronti të ri, duke pakësuar zotimin për Ukrainën. Putini ka interes që lufta në Lindjen e Mesme të zgjerohet e të përjetësohet, prej nga vjen mbështetja për Iranin, klasa drejtuese e të cilit mbetet gjithmonë besnike e tre misioneve të shenjta të trashëguar nga Komeini: shkatërrimi i Izraelit, përzënia e Amerikës nga Lindja e Mesme. pushtimi i Mekës e Medinës duke i hequr sauditëve vëndet e shënjta të Islamit. Xi jinping deri tani ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga Putini. Sigurisht Republika Popullore – që nuk nguron të internojë në “kampet e riedukimit” myslimanët e saj ujgurë për t’i hequr nga koka besimin e tyre fetar – mban marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin prej të cilit importon shumë naftë.

Por dy nisma të fundit të diplomacisë kineze janë pohenike: Pekini ka ndërmjetësuar për rivendosjen e lidhjeve diplomatike ndërmjet Iranit dhe Arabisë saudite; e këshillat e tij të mira kanë lejuar një afrim, në letër, ndërmjet tarafeve të ndryshme palestinezë, përfshirë Hamasin dhe Autoritetin e Cisjordanisë. Duhet shpresuar që takimi i nivelit të lartë të kombeve islamikë – me praninë e një dërgate iraniane në kryeqytetin saudit – të verë më së fundi në lëvizje një nismë diplomatike arabe, e cila deri tani nuk ka qënë në lartësinë e tragjedisë së Gazës. Jam përqëndruar në boshtin Rusi-Iran për të vendosur n’atë histori misionin e Shoigut. Nuk do të thotë se të tjerë aktorë nuk kanë përgjegjësi të llahtarëshme. Disa mjedise izraelianë duket se miklohen nga fakti se zhdukjet e zhurmëshme të drejtuesve të Hezbollahut e të Hamasit kanë rivendosur një “frikësim” që ishte shëmbur më 7 tetor. Është më mirë të kujtohet një rregull e organizatave të rrjetëzuara, siç janë shumë milici xhihadiste: “Të gjithë drejtuesit janë numëra dy”

“Corriere della Sera”, 7 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika.

Filed Under: ESSE

ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

August 14, 2024 by s p

Merita Isufi/

Seminari i XVII Mbarëkombëtar me temë “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë” u mbajt në ‘Hotel Sirius’ në Prishtinë me datën 18 – 21 korrik, 2024. Ky seminar u mundësua nga dy ministritë: Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës në bashkëpunim me ‘Qendren e Botimeve për Diasporën. Moderatorët ishin zyrtarë nga Kosova dhe Shqipëria. Me fjalet e tyre përshëndetëse na nderuan Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Znj. Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendëskryeministre dhe Ministre, MPJD, Arbërie Nagavci, Ministre, Ogerta Manastirliu, Ministre, MAS etj. Pjesëmarrës ishin mëse 160 mesues/e nga mbarë mërgata shqiptare.

Rreth 20 tema dhe ligjërata interesante u paraqitën nga studiues, mësues, dhe autorë, të shoqëruara me fakte dhe dëshmi mbi mësimin e gjuhës dhe kulturës në diasporë dhe në vend. Ndër to, unë pata nderin te paraqitem me temën “Pema ime familjare” – Krijojmë kujtime, ndërtojmë lidhje, shkëputur nga libri im i dytë i shkruar në dy gjuhë ‘Eja Dea’ Shqip & Anglisht. Qëllimi i krijimit të librave dygjuhësh është të krijojmë dhe të zhvillojmë lidhje të qëndrueshme për të gjithë fëmijët shqiptarë që të eksplorojnë traditat e tyre etnike, gjuhën, historinë dhe të shërbejnë si frymëzim edhe për komunitetet e tjera. Rezultatet e këtij projekti mare nga libri permendur me lart i kam paraqitur edhe në aktivitetin e 31 majit të po këtij viti, organizuar në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku ishin të përfshira 10 shkolla të ndryshme me nxënës me prejardhje nga të gjitha trevat shqiptare, me banim në Kosovë, Shqipëri dhe Angli. Në disa shkolla kam punuar drejtpërdrejt me fëmijët – mësues dhe prindër, dhe në disa të tjera kam paraqitur udhëzimet e aktivitetit tek mësues/e dhe organizator/e të dedikuar, të cilet kanë bërë një punë të shkëlqyer me fëmijët për realizimin me sukses të këtij projekti. Prezantimi i “Pema ime familjare” në seminarin e mësuesve të diasporës ishte thelbësor jo vetëm sepse përputhet me misionin tim si autore për të fuqizuar fëmijët përmes tregimit apo temave te trajtuara ne baze te tregimeve ne gjuhen shqipe, por edhe me misionin tonë të përbashkët mbarekombetar të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit. Gjuha e nënës edukon identitetin dhe dashurinë për atdheun dhe duhet trasheguar sepse Naim Frashëri, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, thekson “Se njerëzit të gjithë vdesin, por jeta s’mbetet e shkretë, gjuha, mëmëdheu mbesin, të patundur përjetë.”

Pema Familjare është e rrënjosur thellë në trashëgiminë kulturore dhe identitetin, e cila është vendimtare për fëmijët në diasporë. Paraqitja e kësaj teme në gjuhën e nënës, jo vetëm që pasuron përvojën e të nxënit të njohurive nga nxënësit, duke theksuar vlerën e gjuhës si një komponent kyç i identitetit, por gjithashtu ndërton lidhje më të forta midis familjeve, shkollave dhe komunitetit më të gjerë, duke i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë një ndjenjë të fortë identiteti për veten. Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një depo e kulturës, historisë dhe traditës, prandaj këto lloj librash dygjuhësh shërbejnë si një urë lidhëse që lidh lexuesit e rinj me origjinën e tyre stërgjyshore, duke i lejuar ata të krenohen me prejardhjen e tyre. Unë si mësuese dhe nënë që ka rritur fëmijët në një nga kryeqytetet më multikulturore dhe multilingual në botë, siç është Londra, dhe së fundmi si autore e librave dygjuhësh për fëmijë, e kuptoj rëndësinë e ruajtjes dhe kremtimit të rrënjëve kulturore, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e vendit pritës, prandaj trajtimi i këtyre temave është i domosdoshëm.

Pjesëmarrësit në këtë projekt në përgjithësi, dhe në ligjëratën time paraqitur në seminar në veçanti, theksuan se tema e pemës familjare inkurajon natyrshëm bisedat midis fëmijëve, prindërve dhe gjyshërve të tyre, duke nxitur një kuptim dhe vlerësim më të thellë të rrënjëve familjare dhe lidhjeve ndërmjet brezave, ndërkohë që së bashku i eksplorojnë ato. Fëmijët e diasporës shpesh ndeshen me çështjet e identitetit dhe përkatësisë, prandaj ky projekt me fokus në trashëgiminë familjare, u ofron atyre një mënyrë për të lundruar në këto ndjenja komplekse. Fëmijët përgjigjen pozitivisht kur mendojnë se vlerësohen, inkurajohen dhe respektohen, dhe kur u jepen gjëra interesante dhe të përshtatshme për të bërë. Biseda me fëmijët për kulturën e tyre dhe kulturat e tjera u jep atyre një ndjenjë përkatësie dhe një kuptim të dallimeve. Vlerësimi i diversitetit gjuhësor ju ofron mundësi fëmijëve që të zhvillojnë dhe përdorin gjuhën e tyre amtare në lojën dhe mësimin e tyre. Si profesioniste, ne duhet të tregojmë respekt për gjuhën e secilit fëmijë. Identiteti i tyre personal është besimi që ata krijojnë në botën përreth, besimi per veten, pavarësine dhe vetëvlerësimin. Të gjitha keto arrihen permes bashkëpunimit te hareshëm nga rolet model që kanë përreth.

Paraqitja e kësaj teme “Pema ime Familjare” në seminar lejoi jo vetëm që unë të ndaj njohuritë e mia, por edhe pjesëmarrësve I’u mundesua hapësirë për të dhënë mendimet e tyre, duke filluar tek vetë nxënësit që ishin pjesë e këtij projekti, bashkë me prindërit dhe mësuesit. Prindërit dhe fëmijët ishin të ftuar për të ndarë përvojën e tyre gjatë kohës që krijuan punën e tyre artistike me ndihmën e familjarëve. Ndarja e përvojave reale me te gjithe ne dhe stafin e Ministrisë së Arsimit ishte një qasje e re në seminar. Një theks i veçantë u dha në rolin që mund të luajë letërsia e shkruar në gjuhën e nënës dhe aktivitetet kreative për të ndihmuar fëmijët të gjejnë veten e tyre në vendin ku jetojnë. Paraqitja e kësaj teme nënvizoi potencialin e librave dygjuhësh për fëmijë si mjet edukativ që mund të pasurojë përvojën në klasë, të promovojë ndërgjegjësimin kulturor dhe të mbështesë zhvillimin social-emocional të nxënësve. Qëllimi im me librat dygjuhësh është të siguroj një burim që mbështet prindërit, edukatorët, emigrantët dhe drejtuesit e komunitetit në krijimin e mjediseve efektive me materiale te pershtatshme për mësimin të gjuhës duke patur ne qender te vemendjes familjen. Për ta bërë sa më të kuptueshme, tërheqëse dhe të lehtë aktivitetin, argetuesit kryesor jane prinderit dhe femijet nepermes kohes speciale që ata mund të kalojnë nepermes artit te te lexuarit, dhe te krijuarit. Ne fund, pjesmarresve ne temen e trajtuar u dhurova nga nje kopje te librave te mi: ‘Dea fillon shkollen’ i cili gjendet edhe ne Amazon dhe ‘Eja Dea’. Te dy librat po ashtu gjenden ne Biblotekat Dukagjini dhe Artini ne Prishtin dhe ‘Toena’ne Tirane. Salla ishte e mbushur me pjesëmarrës mësues që ushtronin profesionin e tyre në diasporë për të përcjellë gjuhën dhe kulturën tonë brezave të ardhshëm dhe dhane pershtypjet e tyre positive ndaj temes se trajtuar dhe Librave.

Një përmbledhje e detajuar e kësaj teme u prezantua nga mësuesja, e cila eshte edhe këshilltare pranë Këshillit Bashkiak Merano Itali, e nderuara Dhurata Tusha. Ndër të tjera ajo theksoi rëndësinë e kësaj teme dhe përfshirjen e prindërve si çelësin e suksesit akademik të fëmijës. Ky projekt u mundëson prindërve të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijës së tyre, duke përforcuar idenë se mësimi shtrihet përtej klasës. Ndarja e këtyre eksperiencave të tilla me familjar, edukatorë/mesues dhe zyrtarët e ministrisë ofron njohuri të vlefshme për prejardhjet/perkatesite e ndryshme kulturore të nxënesve. Trajtimi i temave te tilla, po ashtu ndihmon mësuesit të kuptojnë më mirë identitetin dhe prejardhjen e nxënësve të tyre, duke u mundësuar atyre të krijojnë kurrikula më të përgjegjshme nga ana kulturore. Kjo qasje, gjithashtu, lejon ndarjen e njohurive dhe historive ndërmjet brezave, ku fëmijët perforcojne dijet e tyre duke mësuar më shumë për paraardhësit nga prindërit dhe gjyshërit e tyre. Kjo jo vetëm që pasuron të kuptuarit e fëmijës për trashëgiminë e tyre, por gjithashtu ruan traditat dhe historitë kulturore që përndryshe mund të humbasin. Këto iniciativa shërbejnë si një shembull praktik sesi mësimi i bazuar në projekte te tilla mund të zbatohet në mënyrë efektive. Znj. Dhurata theksoi se si projektet praktike dhe reale të këtij lloji mund t’i angazhojnë nxënesit per te hulumtuar më thellë, duke e bërë mësimin më të rëndësishëm dhe më me ndikim.

Këto tema të trajtuara në seminar demonstruan vlerat e bashkëpunimit në arsim dhe treguan se si fokusi e dy vendeve tona në njohjen e sfidave dhe triumfeve ne mergate mund të lehtësojë pervojen e te mesuarit tek nxenësit dhe studentët. Kjo hap edhe dialogun mes familjeve dhe edukatorëve, për një mjedis shkollor më mbështetës dhe kuptues. Une shpresoj që vitin e ardhshëm, ne seminar të kemi edhe një grup prindërish nga vende të ndryshme të diasporës të ndajne mendimet e tyre, vështirësitë, pengesat që hasin për t’ua përcjellë gjuhën amtare fëmijëve të tyre. Vetëm atëherë seminari do të jete i kompletuar. Gjatë këtyre viteve që marrim pjesë në seminare, shpesh shtrohet pyetja rreth interesit që kanë prindërit për të përcjellur gjuhën amtare tek gjeneratat e reja dhe nuk mungojnë as akuzat ndaj tyre, për interesim të pakët ose aspak për t’ua përcjellë gjuhën amtare fëmijëve. Une mendoj se është e drejta e prindërve që të jenë të pranishëm për të dhënë mendimin e tyre, për t’u dëgjuar zëri i tyre dhe ata te kene hapsiren e duhur per t’u përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të mësuesve apo edhe autoriteteve të vendeve tona. Vetëm atëherë do të sfidojmë pikpamjet apo paragjykimet duke u njohur me përgjigjjet e sakta bazuar në përvojën e tyre origjinale. Kjo na ndihmon të ndjekim hapat e duhur për të përmirësuar pengesat që ata vetë hasin për trashëgiminë e gjuhës sonë të dashur, ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, si dhe rëndësinë e integrimit në vendin ku jetojnë. Vetëm atehere kur të kemi një pasqyrë të qartë nga këndvështrime të ndryshme, do të jemi në pozicionin më të favorshëm për të lehtësuar pengesat dhe për të lulëzuar në harmoni drejt së ardhmes. Ky ishte edhe një nder sugjerimet e mia apo një propozim për seminaret e ardhshme, në linkun e pyetësorit, në lidhje me çështjen e efektivitetit të seminarit.

Përfshirja e pranisë së Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës përforcon rëndësinë e aktiviteteve duke demonstruar se si projekte të tilla mund të rriten ose të integrohen në strategji më të gjera arsimore. Kjo tregon potencialin që nisma të ngjashme të miratohen më gjerësisht, duke promovuar qasje novatore ndaj arsimit që theksojnë trashëgiminë kulturore dhe përfshirjen e komunitetit në ruajtjen e gjuhës, cultures dhe vlerave te vendit te prejsrdhjes.

Vizitat në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” si dhe në ekspozitën “Reporting House” ne ish-objektin e Gërmisë, i dhane edhe me shume vlere seminarit. Pas një aktiviteti intensiv 4-ditor, u mirëprit tradita e dhënies së certifikatave të merituara për të gjithë pjesëmarrësit.

Merita Isufi, Londër, UK, gusht 2024.

Rreth autores

Merita Isufi BSc ka një diplomë Nderi në Kriminologji dhe Sociologji. Ajo gjithashtu eshte trajnuese e programit prinderor ‘Forcojme Familjet, Forcijme Komunitetin’. Përvoja shumëvjeçare si edukatore dhe mesuese e fëmijëve, e bëri Meriten të kuptojë rëndësinë e nxitjes së dashurisë për të lexuar që në moshë të re, ku dhe kultivoi një pasion për të shkruar tregime të këndshme për fëmijë. Ajo është autore e librave të dashur për fëmijë “Dea fillon shkollën” dhe ‘Eja Dea’ te cilet janë vlerësuar nga prindërit dhe edukatorët për personazhet simpatikë dhe rrëfimin tërheqës. Përmes stilit të të shkruarit dygjuhësh ajo përqafon identitetin kulturor, ndërton lidhje të forta me fëmijët dhe promovon ndjenjën e përkatësisë. Për të mësuar më shumë rreth Meritës dhe publikimeve të saj të ardhshme, ndiqeni atë në Facebook dhe Instagram @MeritaIsufi.

Filed Under: Ekonomi

Kosova, Çeçenia, Israeli dhe Ukraina

August 14, 2024 by s p

Siç edhe e dini këto vende nuk janë gjeografikisht afër por as kulturalisht gjithashtu askund afër.

Po përse ne po i vendosim së bashku e çfarë mendojmë se i bashkon. E kemi thënë edhe herë të tjera se i përmbahemi parimit kristian shprehur nga prifti në predikim “për fajin tim, për fajin tim për më të madhin fajin tim”. Kjo vlen edhe për kombe e popuj ku padyshim nuk bëjnë përjashtim edhe kombet e mësipërme përfshirë edhe Kosovën. Po e fillojmë me Israelin pasi në këtë rrafsh historik dhe atë çfarë duam të trajtojmë fillon me Israelin. I madhi Ben Gurion për kombin e Israelit shpalli krijimin e shtetit të Israelit me 14 Maj 1948 pa marrë dakordësinë e Presidentit Truman megjithëse ju ngarkua komunitetit hebrew në Amerikë për të siguruar njohjen e Amerikës sa më shpejt të jetë e mundur gjë që e arritën. Se cilat janë marrëdhëniet Amerikë – Israel dihen dhe nuk po ndalem. Po vazhdoj me Çeçeninë që me aq shumë gjak e mund e fituan pavarësinë dhe e humbën nga hajnia apo siç i themi sot ne mënyrë të kulturuar nga korrupsioni.

Ukrahina futet në këtë histori nisur nga traktati i garancisë përsa i përket sovranitetit të dhënë në 1994 nga fuqitë e mëdha ku për ironi të fatit të majtët ishin në pushtet në Amerikë në 1994 e 2022 kur u agresua nga Rusia, nënshkruese e këtij traktati. Po Kosova ku qendron përsa i përket historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare e organizimit shoqëror referuar sukseseve e dështimeve të kombeve të mësipërme përgjatë pothuaj një shekulli që po kalon.

Kosova si çdo komb tjetër përgjatë konsolidimit të shtetit e sovranitetit të sajë ka arritur sukseset e natyrisht dështimet e sajë. Problemi nuk është të qajmë për gabimet e së shkuarës por të mësojmë nga përvoja e të tjerëve të ngjashëm me ne e historinë tonë që kemi bindjen se kanë arritur tja dalin me sukses me qeverinë Kurti.

Padyshim Kosova nuk ka arritur të shpëtojë plotësisht nga kanceri i shoqërive moderne, korrupsioni përgjatë tridhjetë viteve të fundit por hapat e hedhura këto vitet e fundit në këtë fushë janë sinjifikative.

Ajo çfarë duhet thënë me të madhe është fakti se qeveria Kurti ka arritur ta ndalë theqafjen duke e kthyer vendin në normalitet e dy tre fishuar të ardhurat në buxhet që do të thotë më shumë subvencione respektivisht prodhim vendor e sigurisht punë e mirëqenie. Gjithashtu duhet thënë që toleranca ekstreme e qeverive të mëparshme në Kosovë në fushën e sigurisë e sovranitetit, herë nga padituria dhe herë nga shantazhi e kanë rrezikuar seriozisht integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës deri në agresion të hapur në vjeshtën e kaluar nga struktura kriminale të dërguara dhe sponsorizuara drejtpërsëdrejti nga Serbia. Qeveria Kurti mund të ketë gabime objektive e subjektive por i duhet njohur merita se ndali me vendosmëri e trimëri ogresionin ushtarak e disentigrimin e Republikës së Kosovës.

Për herë të parë pas luftës e krijimin e Shtetit të Kosovës, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kontrollojnë çdo centimetër të territorit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht e si askush tjetër e ka të stampuar hartën në flamurin e shtetit të Kosovës.

Për mua Kosova ja ka dalë të shmangë deri diku gabimet që kanë bërë të tjerët herë në kundërshti me aleatët perëndimorë por me së shumti me mbështetjen e partnerve strategjikë , mbeshtetje që siguron ekzistencën e vetë shtetit të Kosovës.

Forcimi i mbrojtjes së vendit dhe rritja e kapacitetit të strukturave të sigurisë së bashku me efikasitetin e dukshëm të luftës ndaj korrupsionit është rruga e duhur që po ndjek qeveria e Kosovës për konsolidimin e lirisë e pavarësisë së vendit në respekt të plotë të sovranitetit territorial e vendimarrës.

Nëse i shikojmë me vëmendje zhvillimet në Kosovë përgjatë mandatit të qeverisë Kurti ku të tëra perplasjet me Serbinë e faktorin ndërkombëtar apo edhe me miqtë Amerikane kanë ndodhur në kuadër të korigjimit të lëshimeve e gabimeve të mëparshme apo edhe të marrëveshjeve që nuk janë zbatuar kurrë por që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në sovranitetin territorial e shtetëror të Republikës së Kosovës.

Me këtë të fundit dua të them se qeveria Kurti ka pasur shumë situata kritike të imponuara që mendoj se i ka përballuar me sukses në funksion të konsolidimit të lirisë e pavarësisë që për mua ja ka dalë me sukses me gjithë koston që i është dashur ta paguajë.

Pavarësisht rezervave të natyrshme që mund të kemi ndaj qeverisë Kurti në shumë fusha gjë që është e drejtë në një sistem demokratik pasi mundësia për më mirë gjithnjë ekziston prapë se prapë përsa i përket veprimeve e parimeve për një qeverisje të pastër e në shërbim të interesave të popullit e atdheut, qeveria Kurti i ka arritur. Gjithsesi certefikimin e të gjitha ketyre që shkruajtëm më lart do ja bëjë populli i Kosovës së bashku me diasporën e tij në zgjedhjet e radhës që po vijnë së shpejti. Populli i Kosovës është aq fisnik dhe ka treguar edhe në të shkuarën se di t’ju japë hakun liderve të tyre dhe kemi bindjen e plotë se dhe këtë herë nuk do gabojë por do votojë në favor të forcimit të identitetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Sami Gashi / Ajet Delaj.

Filed Under: Analiza

110 – vjetori i heshtur i Sterjo Spasses

August 14, 2024 by s p

Behar GJOKA/

Dita e sotme, 14 gushti 2024, shënon ditëlindjen e shkrimtarit Sterjo Spasse. Pritej, që varësisht kontributit të gjerë, letrar dhe didaktik, sidomos nga dikasteret e kulturës dhe të arsimit, me gjasë ndonjë institucion i varësisë së tyre, edhe mundej që të gjente kohë për ta përkujtuar në këtë 110 vjetor, me gjasë për ta përmendur së paku. Mbase këto dikastere, kaq të zena me punët e “ndërtim-shkatërrimir”, të arsimit dhe kulturës, e kanë lënë për 32 gusht! Nuk u kujtuan, ashtu si paradhësit e tyre qeverisës, që nuk u ra ndërmend Migjeni, në vitin 2011, që përkonte me 100 vjetorin. Në kërkim të arsyes së mosarsyes, diç ma tepër për të kuptuar se institucionet tonë janë shumë të zëna, kanë shumë punëra, mbase në rastin e Spasses, lidhet edhe me faktin se muaj gusht për zyrtarët është për lejet e zakonshme, vetwm për tu shulër në brigjet e deteve, liqeneve apo edhe ndë anë të lumenjëve. Ose, ngaqë në pjesën dërrmuese të krijmtarisë letrare, po thuhet shpesh, se është shkrimtar i realizmit socialist, e prandaj ka një ngurrim institucional. Ka gjasa që të jetë kjo e dyta, ndonëse bart një paragjykim të pastër. Po Kadare, Agolli dhe Qose, që ulen dhe ngrihen, përflitet dhe kujtohen, çdo vit dhe muaj, a nuk kanë përlindur nga vatra e realizmit socialist? Me këtë nuk dua të them se janë njëlloj, por në rrethanat e ndryshimit, në mes veprës letrare, kanë vendin e tyre në panteonin e letrave shqipe. Heshtja absurde në 110 vjetroin e autorit, një rregull i pashpallur, nuk është flori, por një tregues i qartë mediokriteti, ku notojnë institucionet, kinse kulturore dhe arsimore, se shkenca ka hy në analet e analfabetizmit funksional. Përkujtesa, në Fier, Korçë dhe Prishtinë, në 100 vjetorin e lindjes, krejt rastësore dhe bazuar në sipërmarrje përtej inatitucioneve qëndrore, nuk e mbush zbraztirën e lënë nga heshtja e këtyre të fundit. Pa mëtuar aspak që autorin ta çlirojmë prej rrethanave shkrimore të realizmit socialsit, në këtë 110 vjetor të lindjes dhe në të tjerë që do të vijnë, vepra e gjerë letrare e S. Spasses, e sidomos e tipologjisë shkrimore romanore, do të jetë pjesë e hipotekës letrare, të letërsisë shqipe, së paku për dy arsye:

Së pari: Autori që me prozën “Pse? “, botuar në vitin 1935, solli në letrat shqipe romanin e parë modern, së paku në qasjen filizofike të fatit të qenies njerëzore, duke e përfshirë kështu shkrimin letrar të shqipes, në shtjellat e modernitetit, më herët nga sa mendohet dhe shkruhet nëpër rrëpirat e akademizmit shqiptar.

Së dyti: Me krijimtarinë letrare, si askush tjetër, ka gdhendur artistikisht fytyrën e Rilindjes Kombëtare, madje pavarësisht shtysave ideologjike të kohës shkrimore, të ciklit të romaneve për Rilindjen, të tillë si Zjarre (1972), Zgjimi (1973), Pishtarë (1975), Ja vdekje ja liri (1978), dhe Kryengritësit (1983) etj. , ku autori ndërton një situatë epike të mirëfilltë, e cila ka si epiqendër epokën e Rilindjes, duke realizuar në shumë aspekte një Sagë romanore të Rilindjes, një sagë përlindëse të kombit shqiptar. Këto romane, përplotësuan tiparet e realizmit në letërsinë shqipe, si dhe formësuan shenjat e romanit shqiptar të pasluftës dhe, janë një pasqyrë e një epoke historike dhe letrare jetike për mbijetesën e botës shqiptare. Ato kanë vlerën e një dëshmie dhe procesi letrar, që megjithatë pati prurjet dhe kufizimet e saj.

Pra, Sterjo Spasse me veprat e përfillshme letrare, tashmë e ka kryer misionin, por duket se instiutocionet kulturore dhe arsimore, humbën shansin e radhës, për të fituar diçka nga sharmi njerëzor, shpirtëror, kulturor dhe estetik, që përgjithësisht e bart qenia e tij, e ngurosur në shkronjat e shqipes. Aq më tepër, që 110 vjetori, si përkujtim, do ta vendoste si figurë dhe personalitet në kontekstin rajonal, me shumë gjasa si një ind dhe urë ndërlidhëse në mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, mbase edhe më gjerë, kudoqë ka lexuesit e vetë. Përvjetori i 110 i Sterjo Sapsses, është një shans leximi dhe reflektimi, po kaq është një shkas për ta vendosur veprën e gjerë letrare, pedagogjike dhe pulbicistike, e veçmas romanet e tij, aty ku i takon, si pjesë thelbësore e vetëdijes gjuhësore dhe letrare, si vatër e vetëdijes dhe lartimit të genit shqiptar.

Filed Under: Opinion

KUJTIME  PËR  PROFESORIN  EQREM ÇABEJ

August 14, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

(Plotësuar me rastin e 44-vjetorit të vdekjes së tij, 13 gusht 2024)

Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej u largua nga jeta në moshën 72-vjeçare kur ishte në kulmin e pjekurisë së tij si studiues. Ai dha ndihmesën e tij të çmuar në disa fusha të shkencës si historia e letërsisë shqiptare, dialektologjia, fonetika, leksikologjia, drejtshkrimi, etj, por sëmundja e pabesë nuk e la ta përfundonte veprën themelore të jetës së tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Pasi botoi një mori artikujsh mbi etimologjinë e mijëra fjalëve të shqipes ai përgatiti për botim dy vëllimet e para, kurse pesë të tjerat mbetën të papërfunduara dhe u botuan prej nxënësve të tij Seit Mancaku dhe Anila Omari. 

Si njeri Eqremi binte në sy për trupin e lartë, ecjen krenare, karakterin e fortë e të moralshëm, kurse si studiues I pati pushtuar studentët dhe bashkëpunëtorët shkencorë me rezultatet e veta cilësore. Ai fliste pak për veten dhe bëmat e tij dhe nuk la kujtime të shkruara për jetërn e tij. Njohja sa më mirë e jetës dhe e veprës së tij ndihmon në formimin shpirtëror dhe mendor të çdo shqiptari. Prandaj e ndjeva për detyrë t’i shkruaja këto kujtime, të cilat i kam botuar disa herër duke i plotërsuar me të dhëna rë reja që më dërgonin miqtë e tij e të mij, të cilët dinin gjëra që nuk i kisha përmendur. 

Me rastin e 44-vjetorit të largimit të tij nga jeta, po i ribotoj të plotërsuara kujtimet e mia kushtuar figurërs së Eqrem Çabejt me një fakt të ri, të rëndësishëm nga jeta e tij, arrestimi 20-orësh, fakt i papërmendur më parë. Këtë fakt ma dërgoi të shkruar poeti me origjinë gjinokastrite Zija Basha, të cilit ia kishte treguar dajua i tij, ish i burgosuri Serian Ahmeti në vitin 1971, pasi ishte liruar nga burgimi i tij i dytë. Këtë fakt të shkruar prej Z. Zija Basha do ta shtoj tek pjesa e titulluar “Marrëdhëniet e Eqrem Çabejt me Enver Hoxhën” mbasi e pranuan si të vërtetë edhe dy njohësit më të mirë të jetës së profesorit, vajza e tij, Zonja Brikena dhe nipi i tij Hysen Çabej.

Këtë pjesë kujtimesh unë e pranova që në fillim si të vërtetë, sepse ishte në harmoni me kujtimet që më kishte treguar më parë kolegu im, i ndjeri Palok Daka, një punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, i cili kishte punuar disa vjet së bashku me Prof. Çabejn në një nga dhomat e Institutit të Shkencave. Paloka më kishte thënë: “Qeveria Mitrovica, që u krijua gjatë pushtimit gjerman në shtator1943 e emëroi Eqremin Ministër të Arsimit, por ai nuk kishte pranuar e nuk kishte shkuar asnjë ditë në punë derisa e zëvendësuan. Mirëpo, ndonëse qëndrimi i Eqremit kishte qenë korrekt e në përputhje me bindjet e tij patriotike, qeveria komuniste për ta mbajtur nën terror, ia konsideronte për krim, pa qenë i tillë”. Kjo thënie e Palok Dakës dhe kujtimet e Serian Ahmetit më shtynë ta rilexoja me vëmendje fjalimin e Enver Hoxhës në takimin me intelektualët në vitin 1961, dhe nënkuptova se diktatori edhe aty i bëri presion Eqremit duke ia kujtuar të kaluarën: 

“Durim të madh ka pasur Partia me njerëzit. Pas 30 ose 35 vjetësh unë i dhashë dorën një mikut tim të vjetër, Eqrem Çabejit. Këtë nuk kam pasur rast ta bëja më përpara. Eqremi mori një kulturë gjermane kur ishte i ri dhe mori rrugën e tij në jetë ashtu si e gjykonte ai, rrugë e ndryshme nga ajo jona. Është fakt se ai nuk ka qenë në një radhë me ne, por krime ai nuk ka bërë dhe, kur u çlirua atdheu, nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve, sikurse bëri Ernest Koliqi; Eqremi nuk tradhtoi si ai. Ishte fare lehtë që ne të merrnim masa kundër tij, por Partia këtë nuk e bëri, përkundrazi, e ndihmoi Eqrem Çabejin të vazhdojë punën e tij shkencore, të ndihmojë shkollën e pregatitjen e kuadrove dhe t’u shërbejë kështu popullit e atdheut”. 

Për mua keto fjalë te diktatorit, se Partia nuk mori masa kundër Eqremit, nënkuptojnë një presion që folësi po i bënte Eqremit që të kujtonte arrestimin dhe lirimin e vitit 1951 dhe të kishte kujdes që ai të vijonte punën shkencore me përkushtim sepse partia kishte ende të drejtë të merrte masa kundër tij… 

* * * 

Ndjehem fatlumtur që kam pasur rastin të njihja nga afër profesorin Eqrem Çabej, i cili me jetën e veprën e tij i meritoi plotësisht shprehjet Shkencëtar i Madh dhe Njeri i Madh, të cilat në këto vite të tranzicionit janë shpërdoruar shumë duke ua veshur edhe shumë ish shërbëtorëve të diktaturës komuniste. Sa herë sillja në mendje kujtime të ndryshme për të, ndjeja kënaqësi. 

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por u stepa, sepse mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë, si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo në vitin 2011, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrova e i botova kujtimet e mia. Duke parë se këto kujtime u lexuan me interes dhe u vlerësuan prej shumë miqve të mij, në shkurt-mars të vitit 2016 i ripunove dhe i pasurova më tej. Po kështu bëra dhe në fund të majit 2018 me rastin e 110-vjetorit të lindjes, e tani me rastin e 44-vjetorit të vdekjes së tij.

* * * 

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve.

Në vitet 1962 – 1966, isha student në “Fakultetin Histori – Filologji” të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë” dhe “Instituti i Folklorit”. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Profesor Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. 

Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja fizike madhështore, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë, dëshmi e vlerave të tij.

Ishte i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Vishte kostume me ngjyra te çelura. Gjatë muajve të dimrit vishte një pardesy, ose pallto të hollë të leshtë. Dimër e verë mbante kapelë republikë. Kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe pasi perulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. (Nervoz e pashë vetëm një herë gjatë një mbledhjeje në Institutin e Gjuhësisë e të Letvrsisë, që do ta tregoj më poshtë.) Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na trajtonte sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë tek katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim të mendimeve të studjuesve të tjerë, i lexonte. Kur lexonte, vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve e bënte dhe më tërheqës. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se…, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te balli i tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Më 1920, pasi kishte mbaruar shkollën fillore, kur ishte 12 vjeç ishte dërguar në Grac të Austrisë, me bursë të shtetit austriak, ose me shpenzime të familjes së tij. Gjatë vitit të parë kishte jetuar në një familje katolike, burrë e grua, që nuk kishin fëmijë. Pra ai kishte marrë pjesë në lutjet që bënte i zoti i shtëpisë para ngrënies së çdo vahti. Si në sjelljen dhe në pamjen e tij binin në sy tipare te një europiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as te të krishterët e as te muhamedanët e përkorë.

Ora e fundit e mësimit me të, qe na mbajti nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë te re, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej… 

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi: 

-”Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e  pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.  

Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja.

Gjithçka shikojeni me sy kritik.

Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. 

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.

Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore…”

Profesor Çabej nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës  dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Ngjarjesh Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lasgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familjet e vendasve.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se Prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte. 

-”Unë me Lasgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

–Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor.” (Ing. Mitrushi, profesor Aleks Buda dhe Lasgush Poradeci, e përdornin formën e shquar të mbiemrit: Çabeu /  Çabeut /  Çabeun, njësoj si Skënderbeu / Skënderbeut / Skenderbeun dhe jo si e përdorim ne sot: Çabej / Çabejt / Çabejn).

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të Prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, si ata që ne i quanim “peshkop”, por kishte qenë dhe qejfli e modern, që dinte ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se Çabej kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar zotin Mirtushi, thashë:

-”Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

–Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…”, më sqaroi ing. Mitrushi.

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare, u kishte thënë nxënësve në fund të orës:

-”Eqremi ka le m’ u ba klerik, por i asht’ kushtue shkencës.” 

Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet unë shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze “Science et Vie” (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj.  Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, Ruzhdi Pulaha, që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat janë mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha…

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, Prof. Çabejn. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të “Historisë së Gjuhës Shqipe” prej gazetarit Skifter Këllici. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la apartamentin e tij, tek një pallat mbi Unazën e Tiranës, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë ditëve te djela në tetor-nëntorit ‘69, njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap, si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati “Misto Mame”, të cilat i gjeje në apartamentet tona.

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez “Petit Larousse”. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet. 

Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm në “Radio Tirana”.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, pra unë mund të transferohesha nga Radio Tirana tek Instituti i Historisë e i Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë të rilindasve tanë, të cilët i admiroja. 

-”Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…”

Kur punoja në Institut, Prof. Çabejn e admironim të gjithë.

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga “Radio Tirana” në “Institutin e Historisë e të Gjuhësisë”. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Vera Zheji, Kiço Fotiadhi, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë që ishin formuar jashtë shtetit e që punonin si përkthyes  si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado) me shef Koço Bihikun.

Profesor Çabej, për të më uruar fillimin e punës në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

-”Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…”

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.

-”Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim”.

Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog, se ai duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

-”Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë fytyrën e asaj femre te dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.”

“Ne shqiptarët gjejmë gjithnjë shkaqe jashtë vetes sonë për prapambetjen tonë. Në kohën e Mbretit Zog e dëgjoja shpesh thënien “fajin na e ka Turqia që na la shumë prapa”, pas Luftës (ai nuk e përdorte togfjalshin Luftës Nacional Çlirimtare), kemi shtuar dhe thënien “fajin na e ka Ahmet Zogu që na la prapa”. Ne duhet t’i shohim shkakqet e prapambetjes sonë së pari te vetja jonë, duhet të punojmë më shumë.

Pasanikët shqiptarë, në kohën e Turqisë dhe të Mbretërisë i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri.

Çdo gjë do kohën e vet…”

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Ia kujtova me respekt treshen shkodrane Pashko Gecin, Anton Krajën dhe Filip Fishtën.

-”Ata u nxorrën në pension për arsye moshe, por aftësitë e tyre nuk u shfrytëzuan si duhej, tha profesori. Njeriun e kualifikuar, vijoi ai, po ta vësh të bëjë punë të thjeshta, e shkualifikon. Kështu ndodhi dhe me ta. Pashko Geci dhe Filip Fishta mund të hartonin fjalorë të pasur gjermanisht – shqip dhe latinisht – shqip, ose mund të hartonin dhe artikuj shkencorë në fushën e leksikografisë. Kurse Anton Krajni ishte një enciklopedi e vërtetë, njohës i thellë i historisë së disa vendeve europiane. Ai na mahniste me kujtesën e tij për histori e ngjarje të ndryshme, që i tregonte bukur. Bisedat e mia me ta mund t’i quaj biseda pune. Shpesh diskutonim bashkë edhe për origjinën e fjalëve të shqipes…”

Me fjalë të tjera profesori desh të thoshte se shteti i diktaturës së proletariatit duke vënë politikën në plan të parë, zgjodhi bij e bija punëtorësh e fshatarësh të varfër për t’i kualifikuar si punonjës shkencorë, kurse bijtë e borgjezisë që ishin kuadro të gatshëm shkencorë të formuar në vendet e Europës Perëndimore, nuk i shfrytëzoi, por i shkualifikoi, ose më keq akoma i burgosi dhe i internoi.

Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

-”Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…”

Në vitin 1974 u hartua regullorja e kualifikimit shkencor, u dhanë orjentime se si do të kandidonim për të mbrojtur gradat shkencore “Kandidat i Shencave Filologjike” dhe “Doktor i Shkencave Filologjike”.  Ne që do kandidonim në fushën e letërsisë për gradën e parë na u caktuan katër provime dhe hartimi i një vepre studimore si disertacion. Për provimin e zgjeruar të historisë së letërsisë na u dha një listë shumë e gjatë veprash letrare, ku pëfshiheshin edhe veprat e disa autorëve të ndaluar si Ernest Koliqi, Pader Gjergj Fishta, Faik Konica, etj. Mirëpo midis veprave me studime nuk na u dha asnjëra prej veprave studimore të Prof. Çabejt ku trajtoheshin probleme të letërsisë si “Për gjenezën e literaturës shqipe”, “Studime italo-shqiptare” dhe “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Kur ia hapa bisedën rreth këtij problemi, profesori nuk shprehu asnjë shqetësim dhe nuk dha asnjë sqarim mbi arritjet e tij në studimet letrare. Ai nuk donte të më impononte mendimet e tij. Unë duhej t’i lexoja e gjykoja vetë ato. 

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabej në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurët. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte e i qepte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabejt. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë: 

-”Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.”

Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, që ishte studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore… 

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terrorit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me mbyllagojën si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin nga zemrat tona admirimin që ushqenim për profesorin.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabej nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale “Meshari” të Don Gjon Buzukut. Mirëpo kjo vepër datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua me vonesë në Bukuresht, ku u botua po atë vit. Kurse sjellja e saj në atdhe u vonua edhe disa vjet të tjerë, sepse amabasada jonë e Bukureshtit e niusi më 1967, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë ishin shprehur me superlativa, por në atdhe kjo vepër nuk u shit askund edhe pse ishte model për punën tektologjike. 

Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha “Çmimi i Republikës” i klasit të parë. Kopjet e kësaj vepre u mbajtën në depo të institutit me pretekstin se ajo mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…

Vepra, së cilës ky studjues i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist, pasionin dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve në revistën shkencore “Studime Filologjike” dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore “Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes” në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me pretekstin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij më 1982, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990. Kjo punë vijoi deri vonë…

Kuptohet se përpjekjet për ta përulur Himalajën e shkencave albanologjike, duke mos ia botuar veprat, duke ia vonuar botimin e tyre, ose duke ia nxjerrë me shume vonese në qarkullim, bëheshin me dijeni dhe urdhër të diktatorit. 

Marrëdhëniet e Eqrem Çabejt me Enver Hoxhën.

Pas këtyre shënimeve, ku u sqarua se partia shtet, madje drejtperdrejt diktatori, ndoqi edhe ndaj këtij studiuesi të shquar strategjinë e mbajtjes nën terror, mund të riprodhoj kujtimet e ish të përndjekurit politik Serian Ahmeti, që m’i dërgoi në fb nipi i tij, poeti Zija Basha:

“Kur u godit me bombë Ambasada sovjetike një mbrëmje të shkurtit 1951 u bënë shumë arrestime. Të nesërmen pasdite më sollën në qeli në burgun e Tiranës Eqrem Çabejin. E kishin arrestuar në rrugë kur kthehej nga puna për në shtëpi. U njohëm si gjirokastritë që ishim. Nuk dinte arsyen pse e kishin arrestuar. Nuk folëm shumë, dinte shumë pak për arrestimet e natës së shkuar. 

E lanë me pranga gjithë natën. Të nesërmen në orën 8 të mëngjezit policët e morën dhe u larguam me të. Pas 4 orëve e prunë prapë po në qelinë time dhe ia hoqën hekurat. E lanë disa orë aty para se ta lironin.

Gjatë asaj kohe Eqremi më tregoi: 

– “Më shpunë të lidhur në zyrë të Enverit. Me të jam rritur nga fëmijëria deri sa ika në Austri. 

  – “Hë, miku im i vjeter”! – më pyeti, dhe priti t’i lutesha. 

  Unë i thashë: – “M’i hiq hekurat që të fjalosemi si burrat”. Hekurat mi hoqën e unë vazhdova:

  –Vëllanë ma vratë, vritmëni dhe mua, po ju bëj dëm! 

  Enveri më pa në sy mendueshem dhe më tha: – “Jo ti do t’i shërbesh arsimit e shkencës e shkollarëve shqiptarë. Sillu mirë!” 

  Pa më thënë ai lamtumirë, dy policët me morën për krahu e më sollën këtu me makinë.

Pastaj Eqremi më këshilloi: – “Serian! Unë të njoh që je kokëfortë, por me këta duhet 7 hile e një trimëri e të shikosh punën tende! Lut zotin që s’ ke shkollë se me këtë kokë që  ke ti, sot do ishe në varr.”

* * *

Profesor Çabejn, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të “Institutit Albanologjik të Prishtinës” dhe të “Fakultetit Filozofik”. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë, pedagogët si dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabejt gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur. 

Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur  “armiq në ekonomi”. Kur e morëm vesh këtë fatkeqësi kuptuam se na priste internimi. E pyeta bashkëshorten: – “Ti si do veproje po të ishte arrestuar im atë”? Ajo ma preu: “Do të të ndaja. Dhe ti nuk ke c’ të bësh. Edhe për djalin është më mirë ta ketë njërin nga prindërit të lirë”. Bëra kërkesën për ndarje dhe gjyqi na ndau shpejt e shpejt. Por ky veprim i imi edhe pse nuk isha anëtar partie, nuk e kënaqi sa duhej organizatën e partisë së institutit, dhe mori vendim që të më qarkullonte. Dosja ime dërgohej sa në një rreth në tjetrin por që andej vinin përgjigje se nuk kishin vend bosh për mësues…

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabej dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

-”Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, se njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

– “Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse ua shkëput procesin e kualifikimit. Qarkullimi për rastin tënd është çkualifikim. 

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, Viktori, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesorit, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist / drejtor filmi. Bujari ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati.

Figura e profesor Çabejt ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek ne punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë jo vetëm me pamjen elegante dhe veshjen e kujdesëshme, por dhe me çdo lëvizje, me çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat e atij instituti. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…  

Vite më vonë, pasi kishte vdekur profesor Çabej, erdhi në Shqipëri z. Henrik Genscher, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë Federale dhe tha se Gjermania është gati t’i japë Shqipërisë vit për vit nga 4.000 (katërmijë) bursa studimi për shkolla të mesme profesionale, për shkolla të larta dhe studime pasuniversitare. Unë, si simpatizant i kuadrove me kulturë gjermane, e pyeta drejtorin e institutit, Prof. Androkli Kostallarin, kur u ndodhëm bashkë në një sesion shkencor jashtë Tiranës:

– “Pse nuk e pranoi udhëheqja e partisë sonë propozimin e z. Genscher? Të studjojnë katërmijë shqiptarë në Gjermani do të thotë të rigjenerohet inteligjenca shqiptare.

–Po në Shqipëri kishte vetëm disa kuadro me kulturë gjermane dhe ne nuk i mposhtëm dot, ma ktheu ai. Të formohen 4.000 kuadro në Gjermani vit për vit, do të thotë që fëmijët e udhëheqjes, që janë formuar e po formohen në Francë, të mos kenë më vlerë dhe drejtimin e Shqipërisë ta marrin njerëzit me kulturë gjermane. 

  Eqrem Çabej e jepte opinionin e vet për të tjerët me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabejt dhe studiuesve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, jepte dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat ndaleshin në shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me dy a tre fjali. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë, kurse artikullshkruesi ishte inferior, etj.

Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.

Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, na mbajti te “Lidhja e Shkrimtarëve” një bisedë. Na tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:

– “E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me dorëshkrimet dhe penën e poetit, të cilat i dorëzova në Arkivin e Shtetit…”

Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të De Radës. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me profesor Eqremin dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Dhimitër Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë “hajdut”, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij pa fjalë fyese:

– “Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tia dhe ç’është e shtetit.” 

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabej u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: “kamcer në mushkëri”, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time, Julian. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma. Kur i takuam duart ndjemë se i kishte akull të ftohta.

– “Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.”

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si “engjëj”.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari “engjëllin” që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…

Profesor Çabej u nda nga jeta më 13 gusht 1980 72 vjeçar pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që kur ishte krijuar “Instituti i Shkencave”, ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabejn duke e quajtur “kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze”. Si argument ai përmendi se Çabej në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maximilian Lambertz, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën “Lahuta e Malsisë” të poetit “reaksionar” Gjergj Fishta.

Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:

– “Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare. 

Kurse për studjuesin Maximilian Lambertz dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva”.

I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambertz-in me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika…

Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t’i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt duhej të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: “po, po ke të drejtë”, duke na lënë të kuptonim se e vlerësonte mendim dhe se një ditë do të ulej për të shkruar kujtimet e saj… 

Profesor Çabej më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor i Shencave Filologjike dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoja anglisht në nivelin që ta flisja dhe ta shfrytëzoja për studime. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova të lexoja e të grumbulloja materiale për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare, e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlato (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar me shumë argumente se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.

Duke ditur se në mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek. I dhe pastaj në shek. II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja në ilirisht. Në këtë proces predikimi, terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (prej së cilës u trashëguan te pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte filluar vetëm gjatë shek V e më pas. 

Mirëpo, hipoteza se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabej. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij: 

– “Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen”.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabejt dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, e disa fjalë të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.

Më 2007 e botova librin tim “Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re” dhe shkova në Tiranë ku u organizua promovimi i tij te Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, si Seit Mancaku, etj, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabejn në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar. Ai vetë kishte thënë në praninë time dhe të kolegëve të tjerë se edhe gjuhëtarë të tjerë mund dhe duhet të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, por puna e vazhdueshme e me pasion.

– “Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, na thoshte ai, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…”

Me të tilla këshilla dhe me punën e tij, profesor Çabej më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…

Studiues si Prof. Bardhyl Demiraj dhe Prof. Kolec Topalli kanë kontribuar me sukses në fushën e studimit të origjinës së fjalëve të gjuhës shqipe. I ndjeri Akademik Kolec Topalli që u nda nga jeta më 24 maj 2018, botoi para vdekjes veprën e tij më të madhe “Fjalor Etimologjik i Shqipes” përmbledhur tre vëllime në një, duke u treguar një nxënës i suksesshëm i Profesor Çabejt.

  Këto vitet e fundit po shfaq mendime të guximshme lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes studiuesi i ri Agron Dalipaj. Ai i bën shpjegimet e veta duke u mbështetur në pjesëzat morfema që e përbëjnë fjalën shqipe në gjendjen e sotme, pa marrë parasysh se si mund të ketë qenë forma e fjalës në fillimet e krijimit të saj.

Ai nuk i bind studiuesit, sepse ende nuk ka krijuar e botuar teorinë e vet shkencore të cilën duhet ta diskutojë me studiuesit që merren me etimologji të shqipes, studiues shqiptarë dhe të huaj. Ndërkohë ai hedh poshtë arritjet e Prof. Eqrem Çabejt dhe etimologëve të tjerë të shqipes, madje e quan punën e tyre “punë armiqësore”, sepse sipas tij ata kanë mohuar origjinën shqiptare të shumë fjalëve të gjuhës sonë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT