• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

KËRCËNIMET DJALLËZORE TË VUÇIÇIT NUK I TREMBIN SHQIPTARËT

September 19, 2024 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Nga mediat u njohëm me paralajmërimin hipokrit të Kryeminstrit serb Millosh Vuçeviç, për fjalimin programatik që do të mbante Presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç, ku sipas tij do të vihej theksi se “Duke mbrojtur serbët në Kosovë, ne po mbrojmë të gjithë Serbinë në aspektin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit”. Nga pala serbe u mor takim edhe me ambasadorin e BE në Serbi, zotin Emanuele Giaufret të cilit pa pikën e turpit i kërkuan që të mbajë qëndrim ndaj politikës arbitrare ndaj pakicave serbe, nga ana e qeverisë së zotit Kurti. Pastaj, doli në tribunën e Purgatorit, ku besohet se zakonisht bëhet pastrimi nga mëkatet, kokoshi Vuçiç, i cili duke përfituar nga taktika e ndërkombëtarëve “Na bubi, na!”, trashi zërin, duke fshehur pas një përgjërimi “pacifist”, një kërcënim ndaj shqiptarëve që nuk deshën ta kuptojnë vetëm ata që nuk kanë jo vetëm sy e veshë, por edhe mendjen në kokë. Parashtroi ato shtatë pikat, që mesa duket, në të ardhmen do vijojnë të shtohen, pasi nuk janë tjetër, veçse pretekste për ta shpënë deri në fund qëllimin e vërtetë, atë të rimarrjes së Kosovës, shpirtit të atij populli, (ose të paktën Veriun e saj), që sipas atij dhe interesave të tij elektorale, ia kanë hequr nga duart padrejtësisht e forcërisht Serbisë. Thënë më qartë, ai kërkon ato asociacionet e famshme që më tej t`i përdorin si placdarme për të aneksuar përsëri Kosovën. E pandarë kjo nga ato fjalimet e Milorad Dodikut se gjysmën e Bosnjes do t`ia aneksojnë Serbisë. Në gjithë këtë fushatë, ky Gebels i ri, pasi glorifikon “heroin” kriminel Sllobodan Millosheviç, se ai paska dashur Serbinë e Madhe, pavarësisht se ata perëndimorët e çuan për gjykim në Hagë, e mban vrapin edhe te shkolla ushtarake, ku deklaron: “Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askend e as do ta bëjmë, por duam t`i zbrapsim ata që na kërcënojnë çdo ditë”. E gjithë kjo nuk mbetet vetëm te fjalët, por materializohet me ligjin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Këto mendime ogurzeza i pamë edhe te blerja e 12 avionëve Rafale nga një vend i NATO – s si Franca, e të tjera veprime që diplomacia e atij vendi agresor ka ndërmarrë tash së fundi, me rusë e kinezë. Madje, qeveria me urgjencë përpiloi vendimin që kërkon masa për ta shpallur Kosovën “Zonë nën mbrojtje të posaçme sociale”. Edhe njeriu më apatik dhe më pak i interesuar për këto zhvillime, po të pyetet se për çfarë kërcënimesh e ka fjalën ky Vuçiçi, do të thotë “O për ndonjë sulm nga alienët, ose nga shqiptarët (hë për hë), e Kosovës”. Dikush e ka thënë më së miri se “Lufta nuk evitohet, në qoftë se nuk evitohen mendimet për luftën”. Ajo që është shqetësuese për ne, dhe që më duket sa e çuditshme aq dhe e papranueshme, është qëndrimi i qeverisë tonë që bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Patjetër që ajo ka plot probleme; rend ku krimi është gjallëruar, rrugë me kosto marramendëse, korrupsin që s`ka shejtan ta frenojë, pallate që nuk dihet me se ndërtohen, mjekësi që për pak do të ishte falas, pensione që do të rriten kur gjysma të kenë shkuar në botën tjetër, e deri dhënia përgjigje opozitës së përçarë, që lehka si qeni (e thotë edhe ai posteri i “Krishtit” në një lokal të Elbasanit), duke e stigmatizuar për anëtarë të ekipit qeverisës që hanë fruta pas krahëve të saj (të shpresojmë të mos jetë mes tyre “fruti i ndaluar” i Kopshtit të Edenit), shumë prej të cilëve janë prangosur, por që askush nuk mban përgjegjësi, qoftë dhe morale. Nuk e di se çfarë duhet pritur tjetër për të reaguar!? Justifikimi se jemi anëtar të NATO – qëndron pjesërisht. Po ne për veten tonë, për atdheun tonë, për Kombin tonë, duarkryq do të rrimë? Tani që kemi një ushtri fare të cunguar, duhet të jemi më shumë se kurrë të preokupuar. E bëmë gabimin trashanik dhe tragjik, duke e shkatërruar ushtrinë, duke harruar atë thënien e famshme të Napoleonit më duket, se “Ishte më shumë se një krim, ishte një gabim”, por ky gabim nuk duhet thelluar më tej. Qeverisë shqiptare, prej dekadash ia kanë mbyllur gojën ndërkombëtarët, sikur të mos ekzistojë as Kosova e as Çamëria, por tani që jemi para një rreziku real, para zgjerimit të sulmit provë në Banjskë, ç`duhet të bëjmë? Detyrat dalin dhe vendimet merren në raport me ngjarjet e reja, dhe ato nuk janë aspak në favor të paqes e mirëkuptimit. Bisedimet mes Vuçiçit dhe Kurtit, janë të rrahësh ujë në havan. Stërzgjatja e tyre i shërben më shumë amplifikimit të mosmarrëveshjeve dhe sherreve. Si mund të besohet se do të merren vesh viktima me kriminelët që jo nuk ndiejnë pendesë, por mburren me masakrat që bënë ndaj popullsisë kosovare? Para stepjes së qeverisë tonë, ne popullit të thjeshtë, nuk na mbetet tjetër, veçse t`i kujtojmë Vuçiçërve sot dhe atyre që do të vinë pas tyre: “Provojeni një herë dhe do të shihni sesa u vlen lëkura”. Ne kurrë nuk kemi provokuar apo sulmuar të tjerët, por referojuni historisë dhe nxirrni mësime prej saj. Sido që të paraqiten situatat politike, ne do të dimë t`i japim kujtdo përgjigjen e duhur, pa u turpëruar para brezave dhe para historisë. Ne shqiptarët durojmë shumë, por vjen një çast, kur ashtu sikurse thosh Burke “…ekziston kufiri, kur durimi pushon së qënuri virtyt”. Kurse Virgjili tek “Eneida” ka një shprehje shumë domethënëse “Jam proximus ardet Ucalegon” që do të thotë “Tashmë po digjen shtëpitë e afërta të Ukalegonit” dhe që kishte parasysh se rreziku që na kërcënohet është shumë afër. Vëllezërit tanë në Kosovë, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për përkrahjen tonë. Si mund t`i lëmë ata në fatin e tyre, duke u bashkuar me ata që u kanë kthyer krahët dhe ndërmarrin sanksione ndaj saj, vetëm e vetëm pse mbrojnë Pavarësinë, sovranitetin dhe dinjitetin e Atdheut?        

Foto: Politiko.al  

Filed Under: Rajon

Glauk Konjufca: Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar

September 19, 2024 by s p

Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet” dhe me prezencën e një numri të madh të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile e organizatave partnere, qytetarëve, nxënësve e të ftuarve të tjerë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Hapjen e kësaj dite e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili para ta pranishmëve potencoi rëndësinë e shënimit të saj, si dëshmi e partneritetit që Kuvendi ka konsoliduar me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Kryetari Konjufca tha se kremtimi i Ditës së Demokracisë është i rëndësishëm për ta theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse. Ai shtoi se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik që e ka shënuar Kosova, duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike në ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia, sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale.

“Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar, sepse pasqyron vlerat e aspiratat tona të përbashkëta. Është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh që të jemi pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje dhe të avokojmë pa u ndalur për ndryshime pozitive”, tha kryetari Konjufca.

Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë qenësore për demokracinë.

Kreu i Kuvendit tha pa transparencë nuk ka demokraci dhe rritje të llogaridhënies institucionale.

“Asnjë sukses i Kuvendit nuk mund të jetë i plotë pa kontributin dhe partneritetin me qytetarët, pa organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë e po ashtu edhe mediat, të cilat i falënderoj për përcjelljen e punës së Kuvendit”, tha kryetari Konjufca, duke ftuar qytetarët që të vijnë në Kuvend.

Ndërsa Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e Institutit Demokratik Ndërkombëtar (NDI) në Kosovë, tha se Kosova ka mundësi të ngris standarde më të larta, që do të shfrytëzoheshin për të mirën e shoqërisë në përgjithësi dhe për të punuar për transparencën.

Ajo tha se NDI është e zotuar të mbështes qeverisjen, përfshirë këtu edhe transparencën e llogaridhënien.

“Të bashkohemi në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe të punojmë së bashku për të dëshmuar vlerat demokratike dhe mjetet moderne digjitale, për të ndërtuar një Kosovë që është e hapur për të gjithë”, tha Soderberg.

Në adresimin e saj para të pranishmëve, kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se falë bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare, është rritur demokracia, llogaridhënia dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës.

“Si kryetare e Forumit për Transparencë Parlamentare jam shumë e lumtur që sot flas nga njëra nga institucionet më transparente, më demokratike që ka Republika e Kosovës dhe në një nga institucionet më demokratike që ka Ballkani Perëndimor. Kjo ka ardhur sepse ne gjithmonë kemi ecur përpara në synimin tonë të përbashkët për të rritur nivelin e demokracisë në Kosovë”, tha Kryeziu-Hyseni.

Sipas saj, sot Kuvendi është më i hapur edhe më i qasshëm se asnjëherë më parë, ka më shumë llogaridhënie dhe transparencë.

Anëtarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, deputetja Blerta Deliu-Kodra në fjalën e saj tha se sot është një ditë e veçantë për t’i kujtuar përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës për ta konsoliduar demokracinë dhe vlerat e rëndësishme që janë vendosur ndër vite, që kjo demokraci të jetë edhe më e fortë dhe që llogaridhënia dhe gjithëpërfshirja të jenë baza të rëndësishme të një shteti demokratik.

“Gjatë këtyre viteve është bërë punë e madhe dhe padyshim duhet vlerësuar angazhimin të cilin e ka pasur Forumi për Transparencë Parlamentare me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile”, tha deputetja Deliu Kodra, duke folur edhe me tone kritike përkitazi me, siç tha ajo, cenimin që u është bërë jo rrallë vlerave demokratike të Kosovës.

Në hapje të ceremonisë u shfaqën dy video të realizuara nga NDI dhe OSBE në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Pas mbylljes së ceremonisë kryetari Konjufca, deputetë dhe të pranishëm të tjerë vizituan Panairin e organizatave të shoqërisë civile, duke u njohur me publikimet e tyre, të cilat trajtojnë problematika të ndryshme që organizatat adresojnë në veprimtarinë e tyre.

Shënimi i kësaj dite vijoi me tryezën “Zgjedhjet dhe teknologjia”, mbështetur nga D4D dhe NDI. Nën udhëheqjen e Rezarta Krasniqit nga D4D dhe me prezencë të deputetëve, përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, atyre të KQZ-së dhe institucioneve të tjera vendore, u trajtua tema e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor, me theks të veçantë teknologjia në diplomacinë moderne dhe fushatën zgjedhore online.

Lidhur me këto diskutuan Carlo Binda (NDI), deputetët Adnan Rrustemi, Abelard Tahiri e Blerta Deliu, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi si dhe të pranishëm të tjerë.

Gjatë diskutimev u adresuan çështje si: lehtësimi i votimit, polarizimi i skenës politike, gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë, votimi elektronik, përhapja e dezinformatave, sulmet kibernetike etj.

Tryeza “Sporti dhe Demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen” mblodhi po ashtu deputetë, përfaqësues të klubeve e federatave sportive, sportistë të fushave të ndryshme si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e të organizatave partnere.

Ish-drejtori i NDI-së në Kosovë, Alex Chavarria, deputetët Agon Batusha dhe Eliza Hoxha, përfaqësuesi i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, si dhe të pranishëm të tjerë të shumtë, nën moderimin e znj. Bardha Uka nga DemSport, paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me raportin midis sportit dhe demokracisë, sfidat me të cilat përballet sporti vendor, si dhe vizionin e ri për të ardhmen.

Në kuadër të kremtimit të Ditës së Demokracisë, e cila në Kuvend shënohet nga viti 2010, u mbajt gjithashtu “Punëtori për Demokraci” me nxënës filloristë të Shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë dhe Kuizi i Demokracisë.

Filed Under: Ekonomi

Institucionet autonome në mbrojtje të identitetit kombëtar

September 19, 2024 by s p

Në vendet më përbërje multinacionale me qeverisje demokratike për ruajtjën dhe mbrojtjën e pjesëtarëve të popujve të ndarë përkatësisht të pakicave kombëtare janë formuar institucione të pakicave të cilët janë në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar, duke dëshmuar në mënyrë praktike përkushtimin për barazi qytetare e nacionale, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi janë dëshmi e shpërfilljës së identitetit kulturor e arsimor si në kohën e monizmit dhe tash në pluralizëm sepse pushteti vazhdon me qasje unitariste që është në kundërshtim me standardët ndërkombëtare.

Nail Draga

Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi në rrethana të reja shoqërore në kohën e pluralizmit, paraqet çështje te mbijetesës në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Ndonëse me rënien e sistemit monist është pritur që të ndodhin ndryshime cilësore, por jemi dëshmitarë se nuk ka ekzistuar gadishmëria e pushtetit për ndryshime sepse këtu ende është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit, por tash me sintagmen e “shtetit qytetarë”. Nëse përjashtojmë themelimin e komunës së Tuzit për territorin e Malësisë nga 1 shtatori i vitit 2018, që është e arritura e vetme, që është dëshmuar në praktikë si shumë pozitive, ne rrethanat e reja shoqërore në kohën pluralizmit, për shqiptarët çdo gjë tjetër i ngjason kohës së monizmit që nuk është në favor te avancimit te të drejtave sipas standardëve ndërkombëtare.

Shqiptarët me status të dyfishtë

Duke marrë parasysh se Mali i Zi me strukturën heterogjene të popullsisë,paraqet rast specifik në Evropën Juglindore,por në këtë mozaik të popujve shqiptarët dallohen nga popujt e tjerë me histori, gjuhë, kulturë e traditë, sepse janë të vetmit që nuk iu takojnë popujve sllavë.
Pikërishtë në saje të tyre elementeve në këtë vend ata veçohen me status të dyfishtë, sepse nga njëra anë janë shtetas të Malit të Zi, ndërsa nga ana tjetër janë pjesë e pandarë e popullit shqiptarë. Andaj, kemi të bëjmë me një binom i cili meriton qasje të veçantë, nga strukturat qeveritare në Mal të Zi.
Por, një dimension i tillë deri më tash nuk është trajtuar asnjëherë nga strukturat qeveritare, çështje e cila duhet të jetë preokupim i të gjithëve e në veçanti të partive politike të shqiptarëve, si përfaqësues autentik të tyre. Pikërisht në këtë drejtim ata nuk duhet të heshtin, por duhet shtruar kërkesa të vazhdueshme sipas standardëve ndërkombëtare për avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Çështje parësore janë institucionët autonome, sepse të tillët janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të çdo populli, duke filluar nga qeverisja lokale e pakicës(komunat) deri të institucionet e ndryshme qe janë enkas në mbrojtje të identitetit kombëtar(informimi, arsimi dhe kultura). Formimi i institucioneve te tilla, janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mjediset multinacionale dhe multikulturore, sipas standardëve ndërkombëtare.

Sfidat e mbijetesës

Të ndodhur në kuadër të Malit të Zi, si me herët dhe me pas në ish republikën socialiste, ndaj shqiptarëve pushteti kishte strategji të veçantë kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ne këtë aspekt ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, sepse ndiqej politikë e asimilimit dhe ajo e shpërnguljes. Ishte ky një veprim perfid i pushtetit për spastrim të heshtur etnik, të viseve shqiptare në këtë mjedis.
Brezi i ri nuk mund ta kuptojë se deri në vitin 1968, mësuesi në shkollat më mësim në shqip, orën në ditarin e klasës e ka shkruar në gjuhën serbe. Po ashtu të tilla kanë qenë edhe dëftesat shkollore, qe janë dëshmi e diskriminimit praktik. Nga ana tjetër përveç abetarës dhe librit të leximit që ishte në shqip, të tjerat kanë qenë sipas konceptit unitar arsimor, duke mos respektuar veçantitë e shqiptarëve në këtë mjedis, që ka të bëjë me lëndët mësimore te identitetit kombëtar.
Por, pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, u bënë ndryshime pozitive edhe te shqiptarët në Malt të Zi, sepse, u hapën shkollat më mësim në gjuhën shqipe ne vendbanime të ndryshme nga jugu në Ulqin dhe Rozhaja në veri. Ishte kjo koha e rilindjes arsimore e kulturore të shqiptarëve në këtë mjedis. Për të parën herë deftesat dhe librezat shkollore ishin në gjuhën shqipe, ndërsa tekstet shkollore arrinin nga Kosova.
Në lidhje me shkollimin e nxënësve shqiptarë në shkollën fillore duhet cekur se disa shqiptarë vazhduan si më parë për ti dërguar fëmijet e tyre në shkollat në gjuhën serbe. Kemi të bëjmë me një veprim perfid të pushtetit, qe ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Por, në sajë të demonstratave në Kosovë në vitin 1981, filloj fushata shtetëtore kundër shqiptarëve, gjoja se janë duke luftuar nacionalizmin shqiptar, që pati pasoja të mëdha deri në ditët tona. Në këtë aspekt u rrudhosën edhe ata të drejta të pakta të realizuara me herët ku më së shumti e pësoi arsimi, sepse u ndryshuan programet mësimore si dhe u ndaluan të përdorën tekstet shkollore të botuara në Prishtinë, duke përdorur tekstet nga autorët sllavë të përkthyera në shqip, që ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve dukuri qe fatkeqësisht vazhdon edhe sot!

Institucionet identitare në favor të barazisë

Në rrethana të reja shoqërore e politike në pluralizëm në mjediset multinacionale nuk mund të mendohet me filozofinë e kohës së monizmit, sepse në pluralizëm në skenën skenën politike janë të pranishme partitë politike të popujve të ndryshëm qe janë përfaqësues autentik të tyre. Në këtë drejtim përvoja pozitive e vendëve të ndryshme demokratike evropiane, duhet të jetë model në Mal të Zi, sepse në pluralizëm përveç institucioneve qeveritare shtetërore çdo kush duhet të ketë institucionet e tyre të mbrojtjës së identitetit, që janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mejdisin përkatës.
Pikërisht angazhimi për institucione autonome sidomos nga fusha e arsimit dhe e kulturës me financim nga buxheti i shtetit, duhet të jetë preokupim i vazhdueshëm i subjektëve politike të shqiptarëve si përfaqësues i tyre autentik.
Çdo përpjekje e angazhim ne këtë drejtim, nuk cenon të drejtën e të tjerëve, andaj duhet të mbeshteten edhe nga subjektët tjera politike në Mal të Zi sepse është në favor të avancimit të barazisë qytetare e nacionale dhe eliminon hegjemonizmin shtetëror. Andaj në favor të kësaj çështjeje për shqiptarët është e nevojshme të themelohen:

Qendra e arsimit shqip, ku si ingerencë do të kishte planprogramet shkollore, tekstet mësimore dhe administratën shkollore dhe
Qendra Kulturore Shqiptare, si subjekt autonom për mbrojtje, zhvillimin dhe hulumtimin e vlerave kulturore shqiptare në Mal të Zi, që do të ishin të financuara nga buxheti shtetëror.

Guximi i munguar

Ndonëse partitë politike të shqiptarëve duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar nga viti 1998 e më pas, nuk kemi informacion se këtë çështje e kanë trajtuar në tryezën e takimëve. Dhe nga një qasje e tillë dëshmon se ata nuk kanë pasur guxim me u marrë me kërkesat legale dhe të ligjshme në mbrojtjën e identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis. Një qendrim i tillë opurtunist iu konvenonte strukturave qeveritare sepse deri sa nuk ka kërkesa nga ata si përfaqësues , atëherë çdo gjë qenka në rregull(!). Dhe nga një qendrim i tillë indiferent nga partitë politike të shqiptarëve pjesëmarrëse në qeverisje qendrore, nuk ka pasur mundësi të paraqiten kërkesa konkrete për themelimin e institucionëve të pakicës nga fusha e arsimit dhe e kulturës.

Duhen veprime konkrete

Pjesëmarrja në Qeverinë aktuale me tre ministra ku njëri është në rolin e ndihmës kryeministrit si përfaqësues autentik i shqiptarëve qe është hera e parë në Mal të Zi, duhet shfrytëzuar maksimalisht, në favor të avancimit të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis. Sepse çdo kërkesë e shqiptarëve që është në favor të avancimit të pozitës së tyre e cila nuk është kundër të tjerëve duhet të miratohet nga çdo qeveri demokratike. Ne këtë aspekt tash janë mundësitë reale qe të punohet në këtë drejtim, e jo duke hezituar, sepse vendnumrimi nuk është në favorin e shqiptarëve. Një qasje e tillë duhet të jetë mësim për të tashmën e të ardhmen andaj duhet angazhim konkret, me profesionist të dëshmuar dhe individë të guximshëm. Opinioni shqiptarë në Mal të Zi pret veprime konkrete e jo premtime sikurse në fushatat zgjedhore, sepse është koha e transparencës dhe çdo kush do të vlerësohet për angazhimin dhe veprat e realizuara.

Filed Under: Analiza

FJALËSHPEJTA NË GJUHËN SHQIPE

September 19, 2024 by s p

Prof.Dr. Begzad Baliu/

Docendo discitur

(Duke i mësuar të tjerët mëson edhe vetë)

Profesor Gjovalin Shkurtajt, vepra e të cilit e ka nxitur hulumtimin për këtë studim! Me nderim!

Hulumtimi, përgatitja dhe botimi i kësaj vepreje, sikur nuk ka një të ngjashme në punën time shkencore. Pas kalimit nga Instituti Albanologjik në Fakultetin e Edukimit, si ligjërues i lëndëve “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe” (Fonetika dhe Morfologjia), “Morfologjia historike”, dhe “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, kërkoja tekste alternative për studentë a grupe të caktuara programesh. Nuk i kuptoja kolegët, të cilët përdornin kryesisht një tekst për ligjërata dhe një tjetër për hulumtime më të avancuara. Për mua, të nxënit e lëndës nga studentët fillonte me tekste didaktike shkollore, pastaj me ato normative, si dhe përmbyllej me tekstet akademike më të avancuara. Në këtë kërkim e sipër një ditë më ra në dorë teksti universitar i Profesorit tim të nderuar Gjovalin Shkurtaj, Shqipja e sotme, Tiranë, 2010, që mbante dy nëntituj: Kulturë e të shkruarit dhe e të foluri, si dhe Bazat e gramatikës së shqipes standarde. Prej njohjes së biografisë së tij kisha mësuar se ai kishte mbajtur lëndën e gjuhës në disa fakultete e programe, por prej tekstit të tij mund të shihej se si e kishte përshtatur atë për disa nga temat e studentëve të Fakultetit të Arteve, në Universitetin e Tiranës. Më bëri përshtypje mënyra se si i ka trajtuar temat, pothuajse krejtësisht me diskursin e komunikimit letrar. Temat, të cilat duhej të diskutoheshin me studentët hapeshin si çështje përditshmërie, vazhdonin me shembujt konkretë, kulmonin me sinteza akademike dhe përmbylleshin me pyetje, detyra e ushtrime gjerësisht motivuese.

Në ciklin e parë të ligjëratave “Kulturë e të shkruarit dhe e të folurit”, veç tjerash ishte përfshirë një temë, e cila mungonte në të gjitha botimet e kësaj natyre në fonetikat dhe gramatikat e shqipes, përkatësisht në tekstet normative të kësaj lënde, që i njihja unë.

Pas rregullave të përgjithshme të drejtshkrimit, si dhe fenomeneve e dukurive fonetike, në libër ishte përfshirë edhe një tekst për Fjalëshpejtat(60-61), i cili natyrshëm përcillej edhe me temat për Frymëmarrjen, Cilësitë e zërit, Theksin e fjalës dhe Theksin logjik. Deri sa për dy temat e fundit kishim informacion të teksteve normative, për Fjalëshpejtat dhe Cilësitë e zërit dija jonë ishte elementare.

Jam befasua ndërkaq kur në hapje të ligjëratës sime, kam kuptuar se studentëve nuk ju mungonte dija elementare për fjalëshpejtat dhe kjo njohje nuk kishte të bënte me leximin e tekstit të ligjëratave, po me një përvojë të marrë nga kultura e përgjithshme e të nxënit të gjuhës angleze.

Këtu filloi edhe interesimi im për të hulumtuar këtë pasuri gjuhësore, përtej atyre dy faqeve përgjithësuese të Profesor Gjovalin Shkurtajt në një vëllim më të madh, nderimi për të cilin madje më është shtuar deri në atë masë sa këtë vepër ta botoj në shenjë respekti për kontributin e tij në fushë të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe hulumtimeve gjuhësore përgjithsisht.

Besoj se ndihmesa e Profesorit Gjovalin Shkurtaj do parë në tri rrafshe a në tre përbërës përkushtues për temën që më është shfaqur edhe në tri drejtime:

për fjalëshpejtat, dija e përgjithshme dhe studimet ishin modeste jo vetëm në studimet shqiptare po edhe në kërkimet shkencore të popujve fqinj;

prania e fjalëshpejtave në dijen universale ishte mjaft simbolike; dhe më e papritura, fjalëshpejtat ishin mjaft të pranishme jo vetëm një kohën tonë po edhe në traditën kombëtare.

A nuk ishin këto tri prej arsyeve pse unë ndërmora një projekt të kësaj natyre, i cili fillimisht kishte përmasën e një kërkimi për një studim modest, pastaj edhe të një materiali të hapur për tu botuar në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe së fundi, për ta kurorëzuar edhe me një vepër të veçantë.

Filed Under: LETERSI

Vilajeti i Kosovës në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX

September 19, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Vilajeti i Kosovës, pjesë e të cilit ishte dhe sanxhaku i Shkupit, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtrihej në pjesën perëndimore të territoreve europiane të Perandorisë Osmane, me një sipërfaqe prej 32.000 km2. Në lindje ai kufizohej me Bullgarinë, në perëndim me vilajetin e Shkodrës, Bosnjën dhe Malin e Zi, në jug me Selanikun, ndërsa në veri me Serbinë. Për shkak të pozitës gjeopolitike që zinte ky vilajet, e në këtë kuadër edhe sanxhaku i Shkupit, e kishin kthyer atë në vilajetin më të rëndësishëm e njëkohësisht një nga më problematikët e Perandorisë(Bello,2017). Në vitin 1888, qeveria osmane, me të drejtë vendosi që qendra e Vilajetit të Kosovës të vendosej në sanxhakun e Shkupit(Bello, 2017), duke I dhënë rëndësi të dorës së parë këtij sanxhaku në zhvillimet që priteshin.  

Për të penguar shkëputjen e popujve ballkanikë nga shteti, në periudhën pas kryengritjeve të grekëve, bullgarëve, serbëve, dhe vllehëve, atyre iu njohën disa veçori kulturore, njëra prej të cilave ishte dhe shkollimi në gjuhën amtare. Në realitet, popujt jomyslimanë edhe më përpara e kishin shkollimin në gjuhët e tyre, por në këtë periudhë ata filluan ta shfrytëzonin këtë të drejtë për formësim kulturor dhe identitar.(Yücedağ, Koç, 2020:35). Sipas planeve imperialiste të institucioneve fetare dhe arsimore greke, bullgare dhe serbe, pati përpjekje që në trojet shqiptare të rrënjosnin kombësitë greke, bullgare dhe serbe, në mes të kaosit të një mjedisi të përkeqësuar ekonomik, social dhe politik brenda shtetit osman(Anastasovski,2005:106). 

Si një Perandori e bazuar në fe, osmanët njohën grupet fetare(të njohura si milet), por politikisht secili grup u perceptua si i lidhur etnikisht me kishën kombëtare në të cilën ai aderonte. Prandaj, përderisa ishin nën juridiksionin e Patriarkanës së Kostandinopojës, të krishterët ortodoksë perceptoheshin si “grekë”, ndërsa nën juridiksionin e ekzarkatit bullgar perceptoheshin si “bullgarë”(Anastasovski, 2005: 43-44). E perceptuar politikisht si nënkuptim i kombësisë, përkatësia kishtare nënkuptonte gabimisht një lidhje me shtetin përkatës kombëtar(Anastasovski, 2005: 92). 

Krijimi i një kishe bullgare mbi parimin etniko-gjuhësor jo vetëm që përfaqësonte një njohje zyrtare të kombit bullgar, por në praktikë përcaktoi territoret nën juridiksionin e kishës për t’u pretenduar nga një shtet i ardhshëm bullgar. Politika “përça dhe sundo” e qeverisë osmane gjeti shprehje në nenin famëkeq 10 të firmanit të vitit 1870, i cili parashikonte mundësinë që eparkitë t’i bashkoheshin Ekzarkatit pas një referendumi të fituar me dy – të tretat e votave të popullsisë vendase(Daskalov,2013:200). Pra kisha bullgare u bë instrumenti kryesor për promovimin e pretendimeve kombëtare bullgare në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë(Kitromilides, 1989: 182).   

Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, serbët, grekët dhe bullgarët përdorën institucionet arsimore dhe fetare me qëllim që të “bindnin” popullsinë vendase se i përkisnin kombit serb, grek apo bullgar(Roudometof,2002:91). Në Kosovë, ku popullësie ishte e përzier dhe mbizotërues ishin shqiptarët, pastaj serbët etj., përpjekjet e bullgarëve për të formuar një identitet të ri dhe konfliktet me identitetin mbizotërues osman arritën kulmin në fund të shek. shekulli XIX(Nurdogan,1496). Rivaliteti midis Serbisë dhe Bullgarisë filloi në vitin 1895, kur qeveria e Sofjes i kërkoi Stambollit të emëronte pesë peshkopë bullgarë në tokat shqiptare dhe maqedonase(Hoti – Dani, 2014:70).  

Përpjekjet për të bullgarizuar rajonin me anë të “komiteteve bullgare” dhe përpjekjet për bashkimin e rajonit me Bullgarinë e madhe që ata imagjinonin shkaktuan një shqetësim të rëndësishëm si midis shqiptarëve që përbënin shumica e popullsisë dhe të tjerët(Nurdogan: 1496). Pushtimi i lehtë i Rumelisë Lindore në vitin 1885, i ndihmoi bullgarët të organizonin një lëvizje kombëtare të integruar në rajon. Me shfaqjen e një rreziku sllav si rezultat i aktiviteteve separatiste të bullgarëve, Perandoria Osmane u përpoq të siguronte që rajoni të qëndronte në kufijtë e tij administrativë dhe të parandalonte përpjekjet për krijimin e një identiteti kombëtar, veçanërisht me ndihmën e mësuesve bullgarë(Nurdogan,1496). 

Sulltan Abdulhamidi II ishte nën presionin ushtarak, politik dhe ekonomik të shteteve perëndimore për të njohur shkollat ​​jomuslimane, të përfshira në aktivitete kundër sistemit, prandaj ai u përpoq të merrte masa për të parandaluar hapjen e shkollave të tilla, por nuk ishte në gjendje të arrinte një sukses të plotë. Komiteti bullgar Qendror Edirne-Maqedoni, i cili u themelua në Sofje në vitin 1890  dhe Ekzarkati bullgar kontribuan në hapjen e shkollave të tilla në vilajetin e Kosovës. Kryesia bullgare ndonëse kishte probleme të rënda financiare, dërgonte çdo vit 1 milion franga në shkollat ​​e rajonit me mbështetjen e Ekzarkisë dhe caktoi 1500 mësues në shkollat ​​bullgare të rajonit, një fakt që tregon masën e mbështetjes së dhënë(Nurdogan,1496).  Në vitin shkollor 1899-1900, në vilajetin e Kosovës u hapën 174 shkolla fillore bullgare me 5780 nxënës dhe 15 shkolla sekondare me 813 nxënës, që bëjnë gjithsejt 6593 nxënës(Bozeva-Abazi,2033:244). Vetëm në sanxhakun e Shkupit, në vitin shkollor 1911-1912 kishte 60 shkolla bullgare me 114 mësues; ndërkohë që kishte 27 shkolla serbe me 37 mësues; 4 shkolla turke me 37 mësues dhe 1 shkollë greke me 4 mësues(Bozeva-Abazi,2033:247). Shumica e mësuesve bullgarë ishin diplomuar në shkollat ​​e larta të Ekzarkatit dhe ata nuk u përmbajtën kurrë nga mbjellja e farës së urrejtjes ndaj të tjerëve. Për më tepër, një pjesë e tyre nuk zotëronin as diplomën e mësuesit. Porta e Lartë iu drejtua Ekzarkatit bullgar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj këtyre personave për kualifikimet e të cilëve dyshohej dhe, nga ana tjetër u dërgoi udhëzime të shumta drejtorëve të Arsimit rajonal për të parandaluar caktimin e personave të tillë si mësues(Nurdogan,1496). Disa prej këtyre mësuesve u bënë udhëheqës të bandave bullgare dhe u përpoqën të nxisnin një revoltë masive(Nurdogan,1496-1497). Hetimet e kryera në lidhje me krimet politike të kryera në rajon zbuluan se aktivitetet e lartpërmendura në Kosovë u intensifikuan, veçanërisht nga fundi i viteve 1890. Në këtë pikë, thelbi i problemit ishin aktivitetet ilegale të mësuesve nëpër shkolla, të cilat pothuajse u shndërruan në një vatra lufte në lëvizjen arsimore bullgare(Nurdogan,1496-1497).    

Në politikën e tyre shoviniste, shtetet ballkanike u përpoqën të përdornin në mënyrë strategjike numrin dhe vendndodhjen e shkollave “të tyre”, si dëshmi për t’i treguar Europës se popullsia e tyre banonte dhe në vilajetin e Kosovës, në përputhje me aspiratat e tyre territorial (Anastasovski,2005:374). Bullgarët e përqëndruan veprimtarinë e tyre në sanxhakun e Shkupit, si qendër e vilajetit, por edhe për faktin se atje kishte popullsi bullgare, por edhe sllavo-maqedonase dhe shqiptaro-ortodokse, të cilët duhet të bullgarizoheshin perms shkollimit në gjuhën bullgare.

.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT