Dr. Nikollë Loka/
Vilajeti i Kosovës, pjesë e të cilit ishte dhe sanxhaku i Shkupit, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtrihej në pjesën perëndimore të territoreve europiane të Perandorisë Osmane, me një sipërfaqe prej 32.000 km2. Në lindje ai kufizohej me Bullgarinë, në perëndim me vilajetin e Shkodrës, Bosnjën dhe Malin e Zi, në jug me Selanikun, ndërsa në veri me Serbinë. Për shkak të pozitës gjeopolitike që zinte ky vilajet, e në këtë kuadër edhe sanxhaku i Shkupit, e kishin kthyer atë në vilajetin më të rëndësishëm e njëkohësisht një nga më problematikët e Perandorisë(Bello,2017). Në vitin 1888, qeveria osmane, me të drejtë vendosi që qendra e Vilajetit të Kosovës të vendosej në sanxhakun e Shkupit(Bello, 2017), duke I dhënë rëndësi të dorës së parë këtij sanxhaku në zhvillimet që priteshin.
Për të penguar shkëputjen e popujve ballkanikë nga shteti, në periudhën pas kryengritjeve të grekëve, bullgarëve, serbëve, dhe vllehëve, atyre iu njohën disa veçori kulturore, njëra prej të cilave ishte dhe shkollimi në gjuhën amtare. Në realitet, popujt jomyslimanë edhe më përpara e kishin shkollimin në gjuhët e tyre, por në këtë periudhë ata filluan ta shfrytëzonin këtë të drejtë për formësim kulturor dhe identitar.(Yücedağ, Koç, 2020:35). Sipas planeve imperialiste të institucioneve fetare dhe arsimore greke, bullgare dhe serbe, pati përpjekje që në trojet shqiptare të rrënjosnin kombësitë greke, bullgare dhe serbe, në mes të kaosit të një mjedisi të përkeqësuar ekonomik, social dhe politik brenda shtetit osman(Anastasovski,2005:106).
Si një Perandori e bazuar në fe, osmanët njohën grupet fetare(të njohura si milet), por politikisht secili grup u perceptua si i lidhur etnikisht me kishën kombëtare në të cilën ai aderonte. Prandaj, përderisa ishin nën juridiksionin e Patriarkanës së Kostandinopojës, të krishterët ortodoksë perceptoheshin si “grekë”, ndërsa nën juridiksionin e ekzarkatit bullgar perceptoheshin si “bullgarë”(Anastasovski, 2005: 43-44). E perceptuar politikisht si nënkuptim i kombësisë, përkatësia kishtare nënkuptonte gabimisht një lidhje me shtetin përkatës kombëtar(Anastasovski, 2005: 92).
Krijimi i një kishe bullgare mbi parimin etniko-gjuhësor jo vetëm që përfaqësonte një njohje zyrtare të kombit bullgar, por në praktikë përcaktoi territoret nën juridiksionin e kishës për t’u pretenduar nga një shtet i ardhshëm bullgar. Politika “përça dhe sundo” e qeverisë osmane gjeti shprehje në nenin famëkeq 10 të firmanit të vitit 1870, i cili parashikonte mundësinë që eparkitë t’i bashkoheshin Ekzarkatit pas një referendumi të fituar me dy – të tretat e votave të popullsisë vendase(Daskalov,2013:200). Pra kisha bullgare u bë instrumenti kryesor për promovimin e pretendimeve kombëtare bullgare në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë(Kitromilides, 1989: 182).
Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, serbët, grekët dhe bullgarët përdorën institucionet arsimore dhe fetare me qëllim që të “bindnin” popullsinë vendase se i përkisnin kombit serb, grek apo bullgar(Roudometof,2002:91). Në Kosovë, ku popullësie ishte e përzier dhe mbizotërues ishin shqiptarët, pastaj serbët etj., përpjekjet e bullgarëve për të formuar një identitet të ri dhe konfliktet me identitetin mbizotërues osman arritën kulmin në fund të shek. shekulli XIX(Nurdogan,1496). Rivaliteti midis Serbisë dhe Bullgarisë filloi në vitin 1895, kur qeveria e Sofjes i kërkoi Stambollit të emëronte pesë peshkopë bullgarë në tokat shqiptare dhe maqedonase(Hoti – Dani, 2014:70).
Përpjekjet për të bullgarizuar rajonin me anë të “komiteteve bullgare” dhe përpjekjet për bashkimin e rajonit me Bullgarinë e madhe që ata imagjinonin shkaktuan një shqetësim të rëndësishëm si midis shqiptarëve që përbënin shumica e popullsisë dhe të tjerët(Nurdogan: 1496). Pushtimi i lehtë i Rumelisë Lindore në vitin 1885, i ndihmoi bullgarët të organizonin një lëvizje kombëtare të integruar në rajon. Me shfaqjen e një rreziku sllav si rezultat i aktiviteteve separatiste të bullgarëve, Perandoria Osmane u përpoq të siguronte që rajoni të qëndronte në kufijtë e tij administrativë dhe të parandalonte përpjekjet për krijimin e një identiteti kombëtar, veçanërisht me ndihmën e mësuesve bullgarë(Nurdogan,1496).
Sulltan Abdulhamidi II ishte nën presionin ushtarak, politik dhe ekonomik të shteteve perëndimore për të njohur shkollat jomuslimane, të përfshira në aktivitete kundër sistemit, prandaj ai u përpoq të merrte masa për të parandaluar hapjen e shkollave të tilla, por nuk ishte në gjendje të arrinte një sukses të plotë. Komiteti bullgar Qendror Edirne-Maqedoni, i cili u themelua në Sofje në vitin 1890 dhe Ekzarkati bullgar kontribuan në hapjen e shkollave të tilla në vilajetin e Kosovës. Kryesia bullgare ndonëse kishte probleme të rënda financiare, dërgonte çdo vit 1 milion franga në shkollat e rajonit me mbështetjen e Ekzarkisë dhe caktoi 1500 mësues në shkollat bullgare të rajonit, një fakt që tregon masën e mbështetjes së dhënë(Nurdogan,1496). Në vitin shkollor 1899-1900, në vilajetin e Kosovës u hapën 174 shkolla fillore bullgare me 5780 nxënës dhe 15 shkolla sekondare me 813 nxënës, që bëjnë gjithsejt 6593 nxënës(Bozeva-Abazi,2033:244). Vetëm në sanxhakun e Shkupit, në vitin shkollor 1911-1912 kishte 60 shkolla bullgare me 114 mësues; ndërkohë që kishte 27 shkolla serbe me 37 mësues; 4 shkolla turke me 37 mësues dhe 1 shkollë greke me 4 mësues(Bozeva-Abazi,2033:247). Shumica e mësuesve bullgarë ishin diplomuar në shkollat e larta të Ekzarkatit dhe ata nuk u përmbajtën kurrë nga mbjellja e farës së urrejtjes ndaj të tjerëve. Për më tepër, një pjesë e tyre nuk zotëronin as diplomën e mësuesit. Porta e Lartë iu drejtua Ekzarkatit bullgar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj këtyre personave për kualifikimet e të cilëve dyshohej dhe, nga ana tjetër u dërgoi udhëzime të shumta drejtorëve të Arsimit rajonal për të parandaluar caktimin e personave të tillë si mësues(Nurdogan,1496). Disa prej këtyre mësuesve u bënë udhëheqës të bandave bullgare dhe u përpoqën të nxisnin një revoltë masive(Nurdogan,1496-1497). Hetimet e kryera në lidhje me krimet politike të kryera në rajon zbuluan se aktivitetet e lartpërmendura në Kosovë u intensifikuan, veçanërisht nga fundi i viteve 1890. Në këtë pikë, thelbi i problemit ishin aktivitetet ilegale të mësuesve nëpër shkolla, të cilat pothuajse u shndërruan në një vatra lufte në lëvizjen arsimore bullgare(Nurdogan,1496-1497).
Në politikën e tyre shoviniste, shtetet ballkanike u përpoqën të përdornin në mënyrë strategjike numrin dhe vendndodhjen e shkollave “të tyre”, si dëshmi për t’i treguar Europës se popullsia e tyre banonte dhe në vilajetin e Kosovës, në përputhje me aspiratat e tyre territorial (Anastasovski,2005:374). Bullgarët e përqëndruan veprimtarinë e tyre në sanxhakun e Shkupit, si qendër e vilajetit, por edhe për faktin se atje kishte popullsi bullgare, por edhe sllavo-maqedonase dhe shqiptaro-ortodokse, të cilët duhet të bullgarizoheshin perms shkollimit në gjuhën bullgare.
.