• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

Lake Gjermani…

September 18, 2024 by s p

Gezim Zilja

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Arian Sotir Naqellari alias Lake Gjermani

Lake Gjermani

  1. Jeta e një djali plot dëshira në diktaturë 

Duke shfletuar fb-në në statusin e ish të burgosuri politik Arian Sotir Naqellari (Lake Gjermani), gjeta këtë shkrim: “ Si sot më kujtohet deri sa të vdes, shoku ynë Xhevit Bilali, i pushkatuar në njëmbëdhjetë shtator, tetëdhjetëekatër. Të kujtoj unë i paharruari Xhevit!”

Rrallë kam parë një dedikim të tillë ku në të vendoset zemra dhe shpirti i një njeriu që është përndjekur, arrestuar e burgosur (1979-1989), katër herë në harkun kohor të dhjetë viteve. As 17 vjeç  nuk kishte mbushur kur u arrestua për herë të parë me arsyet nga më absurdet. Rregjimi i gjuante këta djem simpatikë, që kryesisht vinin nga familje të varfëra plot halle, rebelë të lindur,  që visheshin ndryshe nga moshatarët e tyre, mbanin flokë të gjatë, një formë proteste kundër ideologjisë komuniste dhe kishin ndikim te rinia e kohës. Në fushat sportive vetëm për një thirrje apo tifozllëk të tepruar (sharje arbitrit) i fusnin në biruca me orë të tëra, duke i rrahur barbarisht e qethur kokën zero. Këta djem qyteti që me mënyrat e tyre të sjelljeve shprehnin përbuzjen e kundërshtimin ndaj rregjimit komunist, sigurimi i shtetit i vinte në shënjestër dhe për shkaqe shpesh të sajuara, ua nxinte jetën derisa i shkatërronte fizikisht e mendërisht, duke i bërë shembull për  të rinjtë shqiptarë me moton: Nëse dilni sadopak nga vija e partisë ky do të jetë fati i juaj!

  1. Shkruaj ndonjë ditë edhe për mua.
  • Ç’kemi o Lake gjermani?- e përshëndeta aty në Baret e shumtë të Skelës, ku gjelbërimin e përhershëm e ka pushtuar betoni dhe disa pisha azmatike që kanë dhjetë vjet të mbajtura nga skelete çeliku.  
  • Po ti ulu të pish një kafe me ne fukarenjtë!
  • Një herë tjetër,- u përgjigja si zakonisht gjithë dashamirësi.
  • Mbase kam diçka për të të thënë….

Më kapi butësisht nga krahu dhe më uli me “zor” në karrige. 

  • Po ti shkruaj ndonjëherë diçka për mua dhe Xhevit Bilalin. Kemi vuajtur shumë dhe kot. Njëzetepesë vjeç ishte Bilali kur e pushkatuan. Ditën e gjyqit i lindi e shoqja vajzë….

 E pashë si i zënë në faj dhe fillova ta vështroj me vëmendje, këtë burrë që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nga sa e mbaja mend në rini ishte futur jo pak në ujë. Ishte plakur e mpakur por sytë e tij të vegjël e të thellë, kur filloi të fliste  u veshën me një dritë jo të zakontë. Megjithëse tashmë i thinjur, nga mëngët e shkurtëra të bluzës verore, spikatnin ende dy krahë të fuqishëm me ato format e bukura të një sportisti. Gjithë kohën kur më tregoi tmerret e kaluara, drita e syve herë errej e herë ndriçonte por lotë në sytë e tij nuk pashë deri në fund. Fliste por merakun më të madh e kishte të shkruaja emrat e persekutorëve, tmerrin e burgjeve të diktaturës dhe atë shpërblimin që nuk iu dha për nëntë muaj që bëri burg politik. 

  • Të jap fjalën!- i thashë!

 Kaluan kohë dhe nuk po bëhesha mukajet për të shkruar megjithëse shënimet i kisha përherë para syve në ditarin tim. Dhe ja tani ky status plot gabime ortografike, më erdhi si një ulërimë, si një akuzë plot dhimbje, si një thirrje, për të kujtuar e respektuar njerëzit e dënuar padrejtësisht, që diktatura u preu rininë në mes, i gjymtoi dhe i vrau. U pendova shumë, më erdhi turp nga vetja që e kisha lënë pas dore atë premtim. Ndoshta Lakja e kuptoi gjendjen time, kaloi gishtat mbi flokët ku ngjyra e dëborës  dëbora zotëronte mbi atë gri,  buzëqeshi  dhe më ngushëlloi:

  • Ti nuk e dije të tërë historinë time, se po ta dije do të kishe shkruar ndonjë gjë edhe për mua. 
  1. Viti 1979, ende pa mbushur 17 vjeç

Akuza: Shoqërohesh me rrugeçër, ke braktisur shkollën, vjen vërdallë gjithë ditën në lagje, bredh natën, nuk e ke qejf punën dhe kemi të dhëna që je pleksur me hajdutë të pronës private. Tre muaj në hetuesi rrahje sistematike që të pohonte se ishte vjedhës i pronës shtetërore. U la i lirë deri sa të gjykohej. Apeloi dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësinë pas tetë muajsh. Hetues ka qenë Preng Prenga, një polic nga veriu, që kur merrte kërbaçin në dorë nuk dinte të pushonte. Djali pa mbushur ende shtatëmbëdhjetë vjeç, pëson një tronditje të madhe fizike dhe shpirtërore, shtrohet një muaj në spital për tu kuruar dhe pas daljes nga spitali gjykata vendos të rrijë një vit nën kujdesin e familjes. 

  1. Viti 1981 akuzohet si vjedhës ordiner

Vazhdon i papunë. Spiunohet nga vlonjati H. N. dhe shoferi i kamionit Mitat Ashiku (Arshiu,) një nga informatorët e shumtë të sigurimit të shtetit,  se kishte vjedhur fenerët e kamionit të Rezervave të Shtetit. Këtë rradhë hetuesia zgjati plot gjashtë muaj. Me gjithë torturat Ariani, nuk pranoi se ka qenë autor i vjedhjes së fenerëve, edhe pse e njihte shumë mirë hajdutin e vërtetë. Gjashtë muaj fjalët e tij ishin: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! Asnjë fjalë tjetër dhe asnjë letër e firmosur. Hetues sërish ishte Preng Prenga, që banonte te pallati trekatësh në lagjen e Tre Racave. E rrahu deri në shpërfytyrim fizik por  nuk e detyroi dot të firmoste se kishte vjedhur fenerët. Pas gjashtë muajve hetuesi lirohet për mungesë provash.

  1. 1983-1984, akuzohet për grup kriminal

Shkon ushtar dhe aty pas provokimeve, që i bënin njerëz të porositur dhe disa zënkave me eprorët e arrestojnë.  Mbahet disa kohë në hetuesi, e lirojnë nga ushtria për arsye shëndetësore.  Internohet në fshatin Mërtiraj. Në janar 1984 arrestohet aty, nga Veli Thana, por këtë rradhë akuzat ishin tepër të rënda si pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal vjedhës të pasurisë socialiste. U organizua një gjyq “shembullor” në Pallatin e Kulturës Perlat Rexhepi, në një sallë mbushur (sot Hotel Partner) plot e përplot me spiunë, sigurimsa, anëtarë partie e oficerë. Jashtë ishin me dhjetëra njerëz, që ndiqnin gjyqin me anë të autoparlantëve të montuar në dy shtylla elektrike. Numri i të akuzuarve ishte dymbëdhjetë dhe shumë prej tyre nuk njiheshin me njëri-tjetrin,. – Unë,- thotë Lakja – njihja vetën dy vetë Xhevitin dhe Agron Karajin. Nëntë të tjerët nuk i njihja. 

Akuza u katandis në vjedhjen e disa thasëve me fasule, e miell, në Magazinat e Ushqimores,  kompostove e kutive të konservave të peshkut në kombinatin Ernest Telman, veshje punëtorësh si kominoshe, sqeparë, çizme, ( Sa sende mund të marrë një njeri në një thes nga një magazinë e çdo lloji qoftë!?) kapele, xhupa punëtorësh etj. Akuzoheshin dhe për hapjen e dy kasafortave njëra në fabrikën e çimentos, ku kishin marrë 20.000 lekë (të vjetra) dhe tjetra në zyrat e ndërrmarrjes P. Rexhepi, disa blloqe me tollona nafte që vështirë të përdoreshin. Laken e bashkuan me këtë grup dhe ca të tjerë, që ishin vjedhës të rëndomtë por jo të organizuar si ishte akuza. Grupi kriminal i sajuar nga policia, ishin të gjithë të papunë, disa ishin familjarë, që vidhnin për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Pas torturave muaj me rradhë, firmosën çfarë u kërkuan. Përsëri hetuesi i Lakes ishte Preng Prenga. 

  • Këtë herë nuk ke për të dalë gjallë nga duart e mia po nuk firmose!- iu gërmush Arianit. Sërish përgjigja e tij ishte: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! 

Skelarët dhe vlonjatët e mbajnë mend atë gjyq farsë, ku të arrestuarit, që u akuzuan për grup kriminal, deklaruan se kishin firmosur gjithçka nga torturat, që u ishin bërë në hetuesi. Deklaratat e tyre në gjyq pohonin se kishin vjedhur për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Mjaft nga të arrestuarit thanë se nuk njiheshin më parë. N. B. deklaroi se kishte vjedhur ( u dënua shtatë vjet) se fëmijët kishin dy ditë pa bukë. Kishte vjedhur në magazinat e ndërrmarjeve vetëm dy thasë me miell, dhe më vonë një xhup, një palë çizme, një palë kominoshe, një sqepar dhe një sëpatë për të bërë dru për ngrohjen e fëmijëve. Ndërsa i akuzuari trim, çami Xhevit Bilali, deklaroi midis të tjerash: Kam firmosur për grup kriminal se nuk duroja dot torturat.  As në kampin e Mat’hauzenit nuk bëheshin torturat që na janë bërë neve në hetuesi. 

– Ta tregojmë ne Mat’hauzenin ty!- ulëriti prokurori, Brahim Aliko. 

Gjatë kohës së hetuesisë Arjanin e shtrojnë në spital në Vlorë dhe më vonë në Tiranë për diagnostikim, nga e kthyen sërish në Vlorë, me diagnozën: I aftë dhe i përgjegjshëm para ligjit. Dënimet ishin mjaft të rënda për dëmin që gjoja i ishte bërë pasurisë socialiste.

Xhevit Bilali u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 10 shtator 1984. La pas vajzën një muajshe ( Vajza lindi me 10 korrik 1984 ditën që filloi gjyqi) dhe djalin tre vjeç. Edhe sot nuk dihet varri i tij. Aristir Dimo, (Ristua) shoku im i fëmijërisë, ishte nga një familja e ardhur nga Myzeqeja, ku varfëria ishte ulur këmbëkryq qysh se kishte lindur dhe uria e shoqëronte edhe në gjumë. Pak kohë kishte që ishte liruar. Vuajti tetë muaj burg për dy kilogram portokalle, një trastë ullinjë, dhe ca qepë të njoma, të vjedhura në Ndërmarrjen Frutore.  Me akuza absurde u dënua me 25 vjet. E cilësuan si profesor të grupit. Ristua qeshi kur e dëgjoi dhe deklaroi: -Unë dhe klasën e shtatë me “shqelma’ e kam mbaruar e ju më quani profesor. Faleminderit për titullin.- Harrilla Dimo 25 vjet, Ismail Refati 8 vjet, Arjan Kasaj 8 vjet, Arjan Naqellari (Lake) 7 vjet, Skënder Aliaj 3 vjet e me rradhë. Pothuaj të gjithë përfshirë dhe Laken, u dënuan me pesë vjet internim, heqje e të drejtës së votës, dhe po aq vjet punë korrektonjëse, pasi të  mbaronin dënimin. Të gjithë u çuan në burgun e Spaçit.  Prokuror i çështjes ishte Brahim Aliko. Në trupin gjykues bënin pjesë Arqile Nini, Hasan Luçi  dhe Aranit Çela. 

  1. Arrestimi i fundit 1989

Arian Naqellari ( Lake Gjermani) tregon:

Më ishte qepur këmba-këmbës policia. Jetim hesapi, qysh shtatë vjeç, ters më shkoi jeta, nuk më qeshi buza kurrë. Ishim pesë fëmijë me nënën pa punë e jetonim vetëm me pensionin e babait, që nuk jetonte. Pak muaj pasi kisha dalë nga burgu, më arrestojnë sërish. Këtë herë arrestohem për politikë prill1990 dhe nëse nuk do të kishte ardhur demokracia, sot nuk do të figuroja më me të gjallët. Një shok  qe kisha pasur në burgun e Spaçit nga Tirana (emri nuk më kujtohet) më dërgoi disa fletushka (trakte) ku shkruhej, Liri Demokraci, kishte një foto me një njeri me dy gishtat lart dhe një lajmërim ku njerëzve u bëhej thirrje të mblidheshin në stadium (muaji prill) pasdite në orë 17.00 për miting. I shpërndava fletushkat me dy shokë të mi Klement Fejzaj dhe Selman Ruço, si na kishin udhëzuar, në kryqëzime rrugësh dhe njerëzve të besuar. Disa ditë më vonë na kapin dhe mua më çojnë në Dhomën e Shurrës. Aty më lanë. Na morën në pyetje veç e veç. Më rrahën sa më kanë vdekur Ilirjan Mustafaraj, Sefer Rama, Agron Meta, Florion Kolaneci për të treguar se kush mi kishte dërguar fletushkat.

 -Po nuk tregove do të varim këtu para degës më thanë.- Nuk tregova. U thashë atë që kisha thënë dhjetë vjet me rradhë: Nuk di gjë, nuk kam bër gjë, mos më pyesni më. Kërcënuan gruan që ishte shtatzënë, i thanë të kërkonte divorcin se unë isha armik i popullit dhe burgaxhi. Pas çdo rrahje dhjetë minuta pushim dhe përsëri dru, ditë me rradhë. Pas nëntë muajve, hetuesi dhe burg (prill-dhjetor) u lirova në dhjetor 1990, kur burgjet u hapën për të gjithë. Nëntë muaj që bëra burg politik nuk më kanë dhënë asnjë dëmshpërblim. Më gënjejnë. S’ka dosje më thonë… Po shumë nga ata janë ende gjallë… Ç’të bësh?  Kam shumë për të thënë por jo të gjitha i mbaj mend. Ndoshta një herë tjetër do të them dhe të tjerat që nuk mu kujtuan sot… 

Filed Under: ESSE

GJENERALI AMERIKAN CHRISTOPHER CAVOLI “DOCTOR HONORIS CAUSA”

September 17, 2024 by s p

(Gjeneral Christopher Cavolit Komandant Suprem i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Europë u nderua sot me titullin e lartë të nderit “Doctor Honoris Causa”, në një ceremoni sinjifikative në UET, për kontributin e dukshëm të mikut të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë në Europë, veçanërisht për angazhimin serioz ndaj Europës Juglindore brenda Aleancës Euroatlantike, NATO)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Këtë mes shtatori një ngjarje e veçantë ka sjellë në Shqipëri një ndër mendjet më të mençura të gjeneralëve amerikanë, Gjeneral Cavolon komandant suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë. Do të ishte nder për çdo Universitet të kishte në auditoret e veta një figurë kaq të shquar amerikane, por fati i buzëqeshi UET, që e nderoi Gjenerali Christopher G. Cavoli me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”. Në fakt nuk ishte vetëm UET por ishte Prof. Dr. Kristaq Xharo dhe ish Rektori/Komandanti i AFA Dr Albert Mullai që mundësuan udhëtimin e një udhëheqësi amerikan drejt Shqipërisë. Në fakt është Shqipëria e nderuar të presë dhe nderojë një ushtarak të klasit më të lartë, me një pushtet ushtarako-politik shumë të fuqishëm euroatlantik.

Gjeneralit Christopher Cavoli, komandant suprem i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Europë vjen në vendin tonë jo vetëm si mik, por si personalitet botëror që vlerësohet nga EUT, sikurse ka nderuar e vlerësuar figura të shquara shqiptare e botërore, të fushave nga më të ndryshmet: ekonomike, filozofike, juridike, të letërsisë, artit, kulturës, arsimit, sportit. Nderimi i një figure të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, është edhe vlerësim për situatën kaq komplekse europiane dhe botërore. Motivacioni është i spikatur: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja”. Një motivacion i gjetur plot sqimë dhe krejt real, pasi gjenerali amerikan erdhi në Europë dy vite më parë kur një luftë plot sfida është jo larg kufijve të NATO-s, një luftë që përmbysi dekada të tëra të ruajtjes së sigurisë në kontinentin e vjetër Europian dhe riktheu frikën e një lufte të tretë botërore, ku kërcënimet vijojnë të jenë të hapura.

Nismëtarët e këtij vlerësimi janë padyshim Profesor Xharo dhe Profesor Mullai. Fakt është se një cerek shekulli më parë, K. Xharo ka ndjekur bashkë me Gjeneral Cavoli një master në Kansas të SHBA, ndërkohë që askush nuk ja dinte rrugëtimin e njëri-tjetrit. Prof. Dr. Kristaq Xharo u kthye në Shqipëri dhe përtej anagzhimit të tij si përfaqësues ushtarak kombëtar në Shtabin e NATO-s në vitet 2007-2010, iu dedikuar karrierës akademike, e fokusuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qernë i sukseshëm në studimet akademike në fushën e sigurisë e mbrojtjes.

Përtej Atlantikut Gjenerali Christopher G. Cavoli vijoi përkushtimin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke shënuar një karrierë të gjatë ushtarake përafërsisht në katër dekada. Prej dy vitesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë, ai ka marrë detyrën e komandantit suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, një detyrë tejet e lartë dhe shumë e përgjegjshme që është gjithmonë syzgjuar në përkushtim të funksionit dhe mbi të gjitha të misionit që ka mbi supe. Nisma e profesor K. Xharos për t’i rekomanduar Universitetit Europian të Tiranës, që të nderonte me titullin “Doctor Honoris Causa” ish-shokun e tij të klasës u mbështet nga drejtuesit më të lartë të UET-së, por edhe e profesor Mullait, i kudondodhur me mendim të pjekur profesionist në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Titulli i lartë Gjeneral Cavolit iu dorëzua në ambientet UET, nën nderimin e figurave politike, ushtarake, diplomatike, nga kryeministri, Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes si dhe profesorë të shquar të Universiteteve shqiptare. Strategjist ushtarak dhe frymëzues i gjeneratave të reja gjenerali amerikan do të suprizohej nga fjalët e profesor Xharos: “Edhe atëherë ishit mentor për mua, u tregut një lider i mirë dhe më dhatë shumë mbështetje. Sot jam shumë krenar të them që kam qenë shokë klase me një gjeneral me katër yje, komandant Superm i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë”.

Po kush është Gjeneralit Christopher Cavoli? Christopher Gerard Cavoli është një gjeneral me katër yje në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shërben si komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara që nga 1 korriku 2022 dhe Komandant Suprem i Aleatëve për Evropë që nga 4 korriku 2022. Më parë ai shërbeu si gjeneral komandues i Shteteve të Bashkuara Ushtria e Evropës dhe Afrikës nga tetori 2020 deri në qershor 2022, dhe para kësaj si gjeneral komandues i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë nga janari 2018 deri në shtator 2020. Cavoli ka shërbyer në Korpusin e Trajnimit të Oficerëve Rezervë, në Luftën në Afganistan, ka drejtuar një brigadë të Divizionit të 1-të të Blinduar, në Komandën e Përbashkët Shumëkombëshe dhe Divizionin e 25-të të Këmbësorisë.

Cavoli ishte lindur nga një oficer i ushtrisë italo-amerikane gjatë Luftës së Ftohtë në Ëürzburg, Gjermania Perëndimore, Cavoli u rrit në Romë, Verona, Vicenza dhe Giessen. Ai u diplomua në Universitetin Princeton. Më tek karriera ushtarake vijoi në këmbësori në Korpusin e Trajnimit të Oficerëve Rezervë në Princeton. Nga viti 1988 deri më 1991 ka qenë i sukseshëm në nivelet e gradave të ulëta, ndërkohë që gradohet kapiten dhe shërbeu si instruktor në “Ranger School” nga 1992 deri 1994. Më 1995 u diplomua në Universitetin “Yale” një Master të Arteve në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore në 1997. Në vitin 1999, ai u bë shef i operacioneve të ardhshme për Divizionin e 10-të Malor si major dhe u vendos në Bosnje me Forcën e Stabilizimit, përpara se të shërbente si oficer i operacioneve të batalionit të këmbësorisë midis 2000 dhe 2001. Në gradën nënkolonel Cavoli shërbeu radhazi si Drejtor për Rusinë në Drejtorinë e Planeve Strategjike dhe Politikave të Shtabit të Përbashkët nga viti 2001, si zëvendës asistent ekzekutiv për Kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit nga viti 2003 dhe u bë anëtar i lartë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare. në vitin 2004. Cavoli u bë komandant i Batalionit të I-rë, Regjimentit të 32-të të Këmbësorisë të ekipit luftarak të Brigadës së 3-të, Divizioni i 10-të Malor në vitin 2005. Batalioni u dislokua në provincën Kunar gjatë Luftës në Afganistan. Më pas ai komandoi Ekipin Luftarak të Brigadës së 3-të, Divizionin e Parë të Blinduar, shërbeu si zëvendës komandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Herat gjatë Luftës në Afganistan. Cavoli shërbeu edhe si drejtor i Grupit Koordinues të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Stacioni i radhës ka qenë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Qendrën George C. Marshall për Studimet e Sigurisë Evropiane në Garmisch-Partenkirchen si dhe në Grupin e Studimeve Strategjike të Shefit të Shtabit të Ushtrisë. Si udhëheqës i Komandës Evropiane të SHBA-së, Cavoli është përgjegjës për operacionet dhe aktivitetet ushtarake të SHBA brenda 50 shteteve të pavarura në Evropë dhe rajonin e Kaukazit, si dhe për mirëqenien e 103.000 anëtarëve të shërbimit amerikan dhe familjeve të tyre në atë rajon. Si Komandant Suprem i Aleatëve, gjenerali me katër yje mbikëqyr të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s, planifikimin dhe angazhimin strategjik. Shërbimi mjaft i gjerë në pozicione e funksione në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi,përfshirë atë si zëvendëskomandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Herat, Afganistan, si dhe ka qenë drejtor për Rusinë në Shtabin e Përbashkët. Mban diploma nga Universiteti Princeton, Universiteti Yale dhe ka marrë çmime e vlerësime të ndryshme për kontributin e tij.

Titulli i akorduar në UET është titulli i 19-të “Doctor Honoris Causa” që ju dha Gjeneral Cavoli, që më parë e kanë marrë edhe znj. Deborah L. Wince-Smith, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Konkurueshmërisë, nobelisti i ekonomisë Muhammad Yonus, Lordi Anthony Giddens, filozofi anglez Roger Scruton, diplomati Christofer Hill, filozofi francez Luc Ferry, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, ish-trajneri Gianni De Biasi dhe shumë të tjerë. UET nuk i bëri nder gjeneralit amerikan Cavolit, përkundrazi ishte nder dhe vlerësim për universitetin dhe mbarë vendin që komandanti suprem i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, pranoi të vlerësohej në Shqipëri me titullin honorifik “Doctor Honoris Causa”.

Filed Under: Rajon

Ju ose vdisni një hero ose jetoni aq gjatë sa të bëheni antihero

September 17, 2024 by s p

Artan Nati/

Lëvizjet e mëdha popullore që kanë përcaktuar fatin dhe prosperitetin e kombit tonë janë përcaktuar më shumë nga shfaqja e një rreziku të madh nga jashtë ose të një force të errët djallëzore, se sa nga besimi në zot dhe përparim. Duket shumë ogurzezë por mendoj se është e vërtetë. Po të kthehemi në histori vërejmë se në 1912, kur fituam pavarësinë, ishte frika ose besimi i humbjes së territoreve nga (Djalli) fqinjët tanë shovinistë, Greqia dhe Serbia. Po kështu në 1991 frika se komunistët mund të rimerrnin pushtetin dhe besimi se ata mund të sillnin përsëri ferrin në tokë, na mblodhi të gjijthë bashkë e të rrëzonim komunizmin e ndërtonim demokracinë ose më saktë u përpoqëm. Po kështu në luftën e Kosovës na bashkoi frika e humbjes së lirisë e territoreve nga (djalli) Serbia. Dhe vijmë në ditët e tanishme në Shqipëri ku duket sikur ferri ka mbetur bosh dhe gjjithë djajtë janë në tokë, ose më saktë janë në krye të politikës shqiptare dhe përcaktojnë fatet e politikës, prosperitetit dhe të ardhmes së vendit e mbarë kombit tonë. Përse ne nuk bëhemi sot bashkë ndaj kësaj të keqe të madhe, biles e keqja më e madhe se të tjerat? Një nga arritjet më të mëdha të djallit është aftësia e tij për të bindur njeriun se djalli kurrë nuk egziston tek ne, përkundrazi ne jemi heronjtë e realitetit egzistues dhe se djalli egziston te kundështarët tanë. Mendoj se politikanët, liderat apo heronjtë e disave prej nesh, janë njerëz të zakonshëm si ne dhe në shumicën e rasteve janë shumë më të prirur për të marrë rrugën e të keqes, për vetë faktin se kanë një dëshire të pakontrolluar ose më saktë të kontrolluar nga ana djallëzore e njeriut, për pushtet, supremaci si dhe korrupsion. Po përse vallë shpresa e madhe për demokraci e inicuar nga heronjtë e demokracisë sonë përfundoi në një kaos dhe heronjtë tanë u shndërruan në antiheronj apo nga ëngjëj në djaj? Mendoj se pyetja më e madhe është se përse shumë nga politikanët intelektualë, por edhe njerëz të thjeshtë fanatikë, prostituojnë shpirtin e tyre të mendimit të lirë si dhe aftësinë e zgjedhjes së lirë, në funksion të heronjve të tyre, të shndërruar tashmë në antiheronj “Ju ose vdisni një hero ose jetoni aq gjatë sa të shihni veten duke u bërë antihero.” Harvey Dent u referohej superheronjve kur tha këtë, por ai nuk e kuptoi se sa i zbatueshëm mund të ishte në jetën e përditshme. Kjo është një frazë e fuqishme që përdoret shpesh në kontekstin e politikës, duke nënkuptuar potencialin tragjik që edhe liderët me qëllime të mira të perceptohen përfundimisht si antagonistë për shkak të ndërlikimeve dhe presioneve të pushtetit të zgjatur, si edhe ndryshimeve të peizazhit politik dhe subjektivitetiti të natyrshëm të opinionit publik. Çdo ditë ne bëjmë zgjedhje të vogla që na bëjnë në një farë mase të neveritshëm ose heronj. Brenda të gjithëve prej nesh është një horr që na tundon në një rrugë imorale, mashtruese, dhe gjithashtu një hero që na thërret të përmbushim detyrimet tona morale. Një nga strategjitë më të suksesshme dhe joshëse të së keqes apo të anës negative të natyrës njerëzore është të na bindë se zgjedhja jonë e vetme është e keqja, se ne duhet të zgjedhim midis dy të këqijave më të voglën prej tyre. Ne përpiqemi ta pranojmë, sepse e dimë se sa reale mund të jetë dilema e zgjedhjes së të këqijave, por të zgjedhësh më të voglën nga dy të këqijat është ende të zgjedhësh të keqen. Lideri historik i PD-së tregoi vlera heroike në rrëzimin e komunizmit dhe përpjekjeve për ndërtimin e demokracisë në vend ,por erdhi një moment kur vendi kërkonte hapësira më të mëdha demokratike si edhe mendësi të reja në drejtimin e vendit. Ai u largua nga partia, por kur u deklarua “non grata” nga SHBA, ai premtoi se nuk do të përfshinte PD në këtë proçes si edhe do të zbatonte primaret në zgjedhjen e kandidatëve. I tunduar nga pushteti(djalli) si edhe nga frika e përballjes me drejtësinë ai tregoi se dëshira e madhe për pushtet dhe koha e gjatë e konsumoi atë të shndërrohej nga hero në antihero.Ai jetoi një kohë të gjatë në pushtet dhe si i tillë ndodhi ajo që parashikohet në profeci. Nqs në fillim të viteve 90 PD me në krye Berishën arriti të mobilizojë popullin si rezultat i urrejtjes ndaj komunizmit, sot është e vështirë të identifikosh PS me komunizmin dhe aq më tepër të identifikosh Amerikën dhe Anglin ose segmente të tyre me të keqen e vendit. Kjo strategji jo vetëm po gropos PD, por edhe po dëmton ghithë Shqipërinë. Kryeministri i vendit Edi Rama erdhi në pushtet me meritë dhe duke ngjallur shpresën për një të ardhme perëndimore në PS si edhe në drejtimin e vendit. Por me kalimin e viteve PS u bë partia e një njeriu si edhe kryeministri u bë i vetmi njeri që drejtonte jetën e vendit dhe të PS. Ai sakrifikoi ministrat dhe zv kryeministrin në emër të pushtetit të tij absolut ashtu si Abrahami ishte gati të sakrifikonte djalin e tij për të treguar devotshmërinë e tij ndaj zotit. Rama ka qëndruar aq gjatë në pushtet dhe u tundua ndaj pushtetit, duke preferuar të kthehej në një figurë të pushtetit të korruptuar dhe autokrat, duke na dhënë të gjithë neve një mësim se nuk ka heronj të përjetshëm dhe se është detyra jonë si popull të bëjmë zgjedhjet e duhura. Dhe ja ku ndodhemi sot me dy kryetarët e partive të mëdha dhe disa kryetarë të partive të vogla që përsëri duan pushtetin, mgjs kanë qëndruar në pushtet po aq kohë sa edhe diktatori Hoxha. Këta kryetarë janë djaj të vërtetë dhe nuk kanë as brirë e as bisht, por duken si engjëj të rënë nga qielli, ashtu si edhe djalli që dikur ishte ëgjëll dhe nuk janë më të preferuarit e popullit.Ka ardhur koha që mos t’u japim më çelësat e drejtimit të vendit këyre, por të ndërrojmë bravat.

Pra, një nga pyetjet kryesore të epokës sonë është bërë: A ka nevojë politika dhe ekonomia shqiptare për zuzar të tillë? A kemi ne nevojë për populizëm antikombëtar?

Në vend të kësaj, ndoshta ajo që i duhet vërtetë politikës shqiptare është një lloj i tretë i populizmit. Në vend të populizmit të së majtës dhe të djathtës, ne duhet të shikojmë traditën e populizmit për interesat tona, një traditë në të cilën qytetarët punojnë së bashku, nga nivelet lokale në ato kombëtare, për të përcaktuar dhe zgjidhur problemet. Një politikë në të cilën qytetarët nuk janë të angazhuar vetëm si protestues të zemëruar që i bëjnë thirrje sistemit të ndryshojë, por si pjesë e vetë sistemit.

Demokracia jonë do të përfitonte nga një investim në këtë lloj populizmi, veçanërisht idetë e tij për rafinimin e institucioneve ekzistuese për të forcuar zërat e qytetarëve dhe besimin e publikut, dhe krijimin e mekanizmave të rinj për angazhimin dhe diskutimin publik. Ai duhet të ngrihet nga përvoja e jetuar e miliona individëve. Por ne kemi mjete, duke përfshirë teknologjitë e reja dhe teknikat e reja të organizimit, që mund të ndihmojnë. Ka shenja të një demokracie më kuptimplote dhe pjesëmarrëse që po shfaqet në shumë qytetet tona. Ndoshta deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ky populizëm për interesat tona mund të konkurrojë me populizmin e pakënaqësisë që dominon sot

Të mos harrojmë se mos pjesëmarrja jonë në jetën politike të vendit dhe reformimin e sistemit na bën që heronjtë tanë të kthehen në antiheronj dhe ne të drejtohemi nga inferiorët tanë.

May be an image of 1 person

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Interviste

PËRVJETORI I KONFERENCËS SË PEZËS DHE RISHKRIMI I HISTORISE SE LUFTES SE DYTE BOTERORE

September 17, 2024 by s p

Lufta e Dytë Botërore është një përiudhë komplekse, posaçërisht e vështirë për t’u studiuar në Shqipëri, për shkak të rezistencës së faktorëve politikë diktatorialë, hendekut të madh në mes një historiografie vendase së ngurtësuar mbi shabllone njëdimensionale, me arritjet bashkëkohore në Perëndim, lidhur kjo me tipin e Shkollës që rezistoi me kokëfortësi antishkencore në tranzicion ndër ne, bazuar mbi gjysëm të vërteta, me fiksime njëdimensionale dhe me pamundësitë praktike për një kohë të gjatë në aksesimin e arkivave dhe bibliotekave të huaja.

Në artikullin e sotëm do paraqes 1.një përkufizim mbi Kohën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipni; 2. të shpjegoj pse kjo kohë ka pasur një rendësi vendimtare dhe afatgjatë në jetën shtetnore, në aspektin nacional, të lirisë për të gjithë, vlerave demokratike të promovuara nga Aleatët Perëndimorë gjatë dhe pas luftës, ndërprerjes së zhvillimit normal të shtetit, shoqërisë, arsimit, kulturës, shkencës dhe konsijancës brendshme të nacionit, të përjetuar në këtë kohë shndërrimesh të pangjashme për Shqipërinë e pazhvilluar; 3. të tregoj pyetjet kërkimore mbi të cilat ndahen studiuesit sot dhe arsyet pse përgjigjet e këtyre pyetjeve normale në studimet bashkëkohore në Perëndim, shmangen nga historiografia deskriptive e vëtë-zyrtarizuar ndër anët tona; 4. Çfarë duhet të bëjmë ne për ta pasur një Hartë të Pranueshme nga pikëpamja shkencore të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore?

Sfida e shpjegimit të LDB

Shqipëria në LDB ishte viktimë e dy agresioneve të shteteve fashiste dhe uzurpimi ushtarak të pushtetit, përkundër linjës shtetformuese të ndërtimit të autoritetit shtetëror. Në këtë kohë, Shqipëria humbi subjektivitetin në të drejtën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë edhe përgjegjësinë. Përndryshe, rikthimi i kësaj njohjeje, pas luftës prej anës së uzurpuesve komunistë të pushtetit, ka qenë një sipërmarrje që është ripërtërirë me vështirësi dhe asnjëherë nuk ia ka dalë të përftojë legjitimitet nga dy Aleatët Perëndimorë Antifashistë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Koha e LDB në Shqipni është koha e Thyerjes së Zhvillimit dhe e evolucionit Normal të Shoqërisë Shqiptare, kryer nga dy pushtime të njëpasnjëshme të huaja dhe nga uzurpimi komunist i pushtetit në Tiranë dhe kryeqendrat e trevave shqiptare periferike, pas nëntorit 1944 dhe në vijim. Është koha e Luftës Antifashiste, por edhe një ballafaqimi civil ardhur për shkak të qasjeve të ndryshme politike mbi përballimin e sfidës; është koha e një prapësimi regresist, ndërrimit kualitativ të brezit ndërtimor të institucioneve.

Thyerja historike ka qenë shumëdimensionale dhe është përjetuar ndër komunitetet përbërëse të kombit shqiptar, në elitën e tij qendrore dhe rajonale, me pozicionime politike jo të qëndrueshme, shpesh herë të përkundërta, brenda të njejtëve grupe sociale dhe të njejtëve personalitete, për shkak se bëhej fjalë për një përiudhë shndërrimesh të dhunshme të rendit politiko-institucional, që godisnin marrëveshjen e parë historike të formësimit të Shtetit dhe Kombit në epokën moderne, qendrimin tradicional të shtetit ndaj çështjes kombëtare.

Këto pozicionime u orientuan në mënyrë të vetvetishme drejt njërit ose më shumë, prej elementeve pesë-valentë qëndrimesh të këtyre individëve ose grupeve shoqërore: Akomodim, Bashkëpunim, Rezistencë Nacional-Çlirimtare, Luftë Civile dhe Uzurpim Bolshevik të Pushtetit.

Kjo do të thotë se për të mbijetuar në atë kohë, një individ, një grup shoqëror, një fis, një familje, një krahinë e Shqipërisë së prapambetur, të paformësuar dhe të pa konsoliduar ende shtetërisht, do të duhej të përqafonte dhe të rreshtohej në njërin nga qëndrimet e mësipërme, dhe më së shumti, në dy nga ato: me Akomodimin me kushtet e reja, ose me Rezistencën ndaj okupatorit.

Nga pikëpamja përmbajtësore :

1.LDB përban për Shqipninë dhe kombin shqiptar nji kohë kulmore në aspektin e jetës shtetnore, lexue kjo nga pikëpamja e nderpremjes të trefishtë institucionale të linjave të paracaktueme nga kombformuesit; Në harkun kohor të viteve 1939-1946, Shqipërisë i është dashur të ndryshojë disa kontekste politike dhe korniza kushtetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal dhe të pangjashëm sistemi, të kundërt me marrëveshjen ndërkomunitare mbi Shtetin.

2. LDB asht koha e nji lëvizje nacional-çlirimtare me spektër të gjërë antifashist, si aspiratë e rinisë shqiptare të asaj kohe, formimit të disa lëvizjeve me këtë qëllim, duke filluar nga LANÇ, e nisur në start, me 16 shtator 1942, si organizatë gjithpërfshirëse, pjesë e vetëofruar e koalicionit antifashist botnor, e zhveshur në rrugën e vet gradualisht, me kujdes dhe programim, nga ky objektiv për të sjellë lirinë për të gjithë, drejt një organizate sektare, e drejtuar kundër çdo arritjeje pozitive që me mundim dhe largëpamësi elita pararëndëse kishte krijuar, si edhe gradualisht kundër Aleatëve Perëndimorë Antifashistë. (është fjala për përdorimin e pushtetit komunist në Shqipëri nga sovjetikët përmes jugosllavëve, në Incidentin e Kanalit të Korfuzit ishte përplasja e parë e përgjakshme mes Lindjes dhe Perëndimit, realizuar me dorën e Enver Hoxhës). LDB, është koha e formësimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që mbajti barrën kryesore të luftës për liri, por edhe e lëvizjeve të tjera nacionaliste, një pjesë e të cilave vijuan rrugën e nisur gjatë pushtimit fashist italian edhe në kohën e okupacionit gjerman, deri kur armët e vllazënve u drejtuan kundër tyre. Në rrjedhën e fundit të luftës, PKSH, duke punuar nepërmjet LNÇ/ FNÇ, ia doli ta shndërronte forcën e vet politike, në të vetmen lëvizje efektive të qëndresës në Shqipëri, për shkak të ngurrimeve të nacionalistëve dhe bashkëpunimit të disa prej tyre me gjermanët. Aleatët, të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë, ndihmuan lëvizjen aktive të rezistencës, partizanët e LNÇ të kontrolluar nga PKJ.

3. Dështimi i nacionalistëve për t’u bashkuar aktivisht në luftë në kohën e pushtimit gjerman, me Aleatët, i hapi rrugën PKSH për të ardhur në pushtet përmes FNÇ-së, organizatës së pastruar në vitin 1944 nga nacionalistët, dhe për të rizvogëluar shtetin në kufijtë e vitit 1921 (duke lejuar rishkëputjen e “Tokave të Lirueme” nga shteti), dhe duke rindërtuar shtetin e vogël por me parime të kundërta, me ata që vendosën etërit e vërtetë të Shqipërisë 1912-1921.

4. Kjo përiudhë ësht e rëndësishme nga pikëpamja studimit të fenomenit të rrënimit të strukturës së një shteti të ekuilibruar kulturalisht e krahinarisht, mbi një konsensus të faktorëve përbërës të nacionit, shuarjes të vlerave perëndimore të kushtetutës dhe kartës së lirive civile, laicizmit përfekt, ideologjisë rilindase mbi të cilën ishte vendosur sistemi i edukimit;

5. Siç çdo thyerje e rëndë ndërkombëtare, zhvillimet e luftës me pasoja mbi Shqipërinë, çelën spontanisht nji përpjekjeje shprese për ribamjen e shtetit në kufijtë nacionale. Kishte brenda saj një tingëllim të “Orës së Shqipnisë”, si aspiratë e nji kombi të penguem historikisht nga faktorë të jashtëm dhe jo vetëm, në rrugën për të jetue në nji shtet nacional si të gjithë vendet e tjera ballkanike; Fatkeqësisht ndertimi i shtetit nacional më 1941, qe veç një endërr e shkurtër 4 vjeçarë. Përpjekja e organizuar të Klasës Intelektuale shqiptare, e përfaqësuar nga Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte, për mbrojtjen e Shqipërisë së Vërtetë, të themeluar atë kohë, në Konferencën e Paqes, për shkak të pilotimit të udhëheqësisë vendase ushtarakisht dhe diplomatikisht nga jugosllavët dhe sovjetikë, u rrënua menjëherë: Kosova, Dibra, Malësia dhe Ulqini u lëshua nga klika e Enver Hoxhës.

6. Fundi i LDB është koha e ardhjes së një lirie të çuditshme me 29 nëntor 1944, e shoqëruar me ndëshkim fizik dhe moral të padallimtë, ndaj Shqipërisë që Priste në Heshtje Ristabilizimin, Ruajtjen e shtetit nacional si një e drejtë e përcaktuar, Vijimësinë e Elitës Shtëtformuese, Ruajtjen e balancave dhe strukturës së burimeve njërëzore administrative dhe politiko-përfaqësuese; Brenda pak javëve në fundin e vitit 1944, ndodhi rrënimi i udhëheqësisë shtetërore të paraluftës, si dhe përforcimi në krye të së majtës shqiptare në luftë, i një lidershipi të ndërvarur robërisht nga Netowork-u Moskvit dhe agjenda sovjetiko- jugosllave, e cila determinoi plotësisht kahun, rrugën që ndoqi ky vend në fundin e vitit 1944 dhe gjatë vitit 1945, në planin nacional, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

7. Është Koha e Rishkëputjes së Kosovës nga Shteti dhe e Ribashkimit të tretë me Serbinë, me kontribut të pafshehur dhe të dokumentuar edhe nga rekordet e sotme të AQSH, të Divizioneve të UNÇSH; Shqipëria nentorit të vitit 1944, do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943, nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi dhe Rexhep Mitrovica, njërëzit më atdhetarë të Shqipërisë: ajo do të jetë tanimë një Shqipëri pa Kosovën, pa Dibren, pa Ulqinin, Hotin dhe Grudën, që bash në këtë kohë i kaluan tiznisht Jugosllavisë si detyrim përulës i ekipit që erdhi në fuqi në Tiranë, ndaj Beogradit, një Shqipëri me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas deri në shtator 1946. Koncepti i Kombit në përfundim të kësaj lufte, me zhdukjen nga referenca ndërtimore e konventave themeluese shtetërore dhe lënien e pambrojtur të trevave të banuara nga shqiptarët në Ballkan prej anës së “fitimtarëve”, pëson hapa prapa në aspektin e emancipimit dhe unitetit.

8. Lufta civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturën e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe nën një pozicion krejtësisht të nënvendosur politik, përfaqësues dhe vendimarrës. Epiqendra e pushtetit pas 29 nëntorit të vitit 1944 u vendos nën kontrollin e grupimit politik krahinor të Enver Hoxhës

9. Në mënyrë të veçantë goditja e ngadhnjyesve ka qenë më e mprehtë dhe rrënimtare mbi komunitetin katolik dhe udhëheqësit kishtarë e laikë, ndaj të cilëve, shteti i drejtuar nga Enver Hoxha ndërmori një plan të posaçëm goditjeje të diferencuar rrënuese, të ngjashëm me një plan të ‘goditjes e zgjidhjes finale’ asgjësuese, në tejkalim të nevojave për ruajtjen e pushtetit dhe sigurimit të mbijetesës së rendit legal, që vendosën me forcë në fuqi. Bëhet fjalë për një krim të kulluar, të paprovokuar, të kryer me objektiv të qartë dhe të planifikuar paraprakisht, ndaj pjesës më të emancipuar të shoqërisë, lidershipit të Rilindjes, Shtetformimit, Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Vetëdijës Nacionale;

10. Nga rrjedha e luftës në Shqipëri dhe brenda kohës së LDB, me pahir, jo si zgjedhje demokratike, afërmendsh si zgjedhje e anës së duhur të historisë, filloi aderimi i shtetit tonë tanima të cunguar sërish, në një aks shtetesh që komandoheshin në Moskë: ndodhi e pabesueshmja: Rusia doli tanimë në Kanalin e Otrantos me satelitin e saj të ri, Shqipërinë e Çliruar nga Fashizimi, por e kapërthyer nga një grup rishtarësh që nuk ndaleshin para asgjëje. Bëhej fjalë për një dalje ushtarake, por edhe për formësimin e një modeli shteti sovjetik mu përballë frontit ndarës që po kristalizohej, në mes Lindjes dhe Perëndimit; Dhe kjo jo si programim ndërkombëtar siç mund të pretendohet nga disa studiues përhere zyrtarë, por si vetofrim i diktatorit të pilotuar në kushtet ndërkombëtare që e lejonin. Shqipëria ishte një vend i parëndësishëm deri atëherë për Aleatët Perendimore, që u la spontanisht të shkonte në Lindje.

Të gjitha këto rezultate që ju ofrova, që janë produkt i punës kërkimore të studiuesve perëndimorë, i gjeni në çdo studim bashkëkohor, po qe së aksesoni në një Bibliotekë Perëndimore për disa muaj, nuk ia kanë dalë të pranohen zyrtarisht nga historiografia shqiptare, me debat shkencor të munguar, me Këshilla Shkëncore jo funksionale dhe të përdoruara me meskinitet, mediokritet dhe përdorim privat, përkundër arsyes publike. Sa më sipër tregon se, në vendin tonë nuk ka ekzistuar vullneti për korigjim shkencor të themeltë.

Temat e Luftës së Dytë Botërore dhe e fillimeve të kohës së Luftës së Ftohtë janë ende sot në Shqipërinë bashkëkohore, një debat kryesisht politik i radhës së parë dhe krejt më pak një debat studimor, për shkak të regjimentimit të shoqërisë sonë, por edhe nivelit të prapësuar të studimeve historike në përgjithësi, në krahasim edhe me vendet rreth e qark nesh, që ia kanë dalë të hyjnë prej së vërteti dhe gjerësisht ndër burimet arkivore dhe studiojnë literaturën bashkëkohore, që të hap sytë me kuptu gjendjen ku ndodhemi, kapërthimin formalist të shkencës, prapambetjen uluritëse të shkollës që përgatit studiuesit.

Sot jemi me 16 shtator 2024, në 82 vjetorin e Konferencës Antifashiste të Pezës, në vigjilje të 80 vjetorit të largimit të ushtrive gjermane nga Shqipëria, çlirimit të vendit dhe vendosjes së diktaturës njëkohësisht, dhe mund të themi, se Kornizat e vjetra të njohjes së përiudhës së LDB, përcaktuar symbylltazi nga historiografia komuniste shqiptare, duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim. Ka ardhur momenti për të kuptuar se Struktura e Brendshme e Shkrimit të Historisë në Shqipërinë Shkencore të Izoluar nga Perëndimi, rezultoi të jetë vetëm e përkohshme: e gjithë struktura e ndërtuar asokohe, pasi hyri fillimisht në krizë, ka rënë gradualisht dhe sot ne po kërkojmë riformatim, riorganizim, rizbulim dhe rishpjegim mbasi kërkohet një reference bashkëkohore për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë

Gjithsesi, hapësira publike shqiptare ende nuk është e lirë, por është edhe e pa sponsorizuar për kërkim indipendent shkencor. Ajo hapësirë karakterizohet nga llogorizimi politik i debatuesve, mbetja nën paradigmat e komunizmit, ose të revizionizmit sipërfaqësor të një pjesë të “historianëve të përjetshëm zyrtarë”. Kjo ka krijuar konfuzion dhe vështirësi për publikun që priret nga e vërteta dhe posaçërisht për nxënësit shqiptarë në mësimin e historisë.

Pyetja që bëjnë njërëzit sot është se, a ekziston një histori e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore dhe e vendosjes së diktaturës për Shqipërinë?

Publiku kërkon shkrimin e një historie të drejtë, që priret të shpjegojë realitetin shqiptar në tërësi, Luftën Nacional Çlirimtare, Luftën Civile, Kolaboracionizmin në përmasën reale, në tipologjitë, në thelbet e veta dhe variacionet; Procesin çlirimtar partizan, por edhe tejkalimin e pajustifikueshëm të objektivave të rezistencës, që në kohën e luftës nga ana e LNÇ; Përdorimin e të drejtës së rezistencës kundër fashizmit dhe aspiratës për liri, kryesisht për objektiva të pushtetit, për eliminimin e elitës së vjetër dhe shkatërrimin e plotë të shoqërisë drejtuese të Shqipërisë, të kryeqendrave të saj tradicionale.

Si është studiuar Historia e Shqipërisë deri më tash?

Shqipëria dhe bota shqiptare gjatë dhe pas LDB është studiuar nga historiografia e vendit të izoluar, si histori e një kombi të ndarë në pjesë territoresh, qëndrimesh dhe rrjedhash dhe fatkeqësisht kjo vazhdon edhe sot. Një vend dhe komb i ndarë në fragmente, i privuar nga një ndërlidhje efektive dhe me padijeni për strukturat institucionale, që krijuan shtetin dhe unitetin nacional në harkun kohor të viteve 1913-1939, prodhoi zyrtarisht edhe një dije historike me dy vektorë të ndryshëm për qënien nacionale: një në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë, pavarësisht ndërvarësisë së sotme të krijuara nga nevojat e diplomimit në Tiranë. Të dyja të pasakta dhe të shtrëmbëruara në raport me dijen zyrtare të para vitit 1939, për shkak të varësive të epërme.

E kam thënë dhe dua të përsëris se historia duhet të shkruhet si një sistem i tërë, dhe jo më si një histori e përbërë vetëm nga një copëz me interes politik dhe propagandistik, ose një copëz territor shqiptar. Historia nuk mund të ndërtohet më vetëm si një histori e shkëputur e një vendi nga bota mesdhetare dhe e paprekur nga faktorët imponues të fuqive të mëdha të kohës, por si Histori e Shqipërisë që përfshin “Shqipërinë e Vjetër” dhe territoret shqiptare të riintegruara në shtetin shqiptar të ndërtuar nga italianët dhe gjermanët okupatorë (1941); Si një histori e të gjithë komponentëve politikë, sociale, krahinorë, kulturorë dhe jo vetëm si histori e lëvizjes komuniste; Si histori e një vendi të vogël, të paprambetur me rritje të ndërprerë nga imponimi i faktorëve të Fuqive të Mëdha të kohës dhe qarqeve shoviniste të vendeve fqinjë ballkanike. Një fragment kohor i një historie nacionale, përfshirë në një kornizë të përgjithshme të historisë europiane të përiudhës së LDB dhe fazës menjëherë pas saj, i kuadrit të rindërtimit të balancës fillestare të LF.

Për rrjedhojë, studimi jonë nacional, nuk mund të shkëputet nga paradigmat gjeneraliste mbizotëruese të historiografisë botërore mbi të njëjtën periudhë dhe shkollat studimore.

Dhe në qoftë se kjo logjikë qendron, qasjet njëdimensionale të përdorura deri më tani, mendoj se janë të pamjaftueshme dhe të çojnë në rezulate, së paku të përcipta, për të mos thënë larg të vërtetës.

Shkollat historiografike dallohen nga mënyra se si u japin pergjigje pyetjeve të tilla si

Kush është përgjegjës për pushtimin italian të Shqipërisë?

Cilat janë disa nga veçoritë e pushtimit italian të Shqipërisë?

Si shpjegohet thyerja e plotë e njerëzve me pushtet para agresionit të 7 prillit dhe kolapsi i plotë i shtetit?

Cili ka qenë vendi i Shqipërisë në Komunitetin Perandorak Romak?

A ishte ai pushtim një zaptim dhe nënshtrim klasik, apo një sistem i protektoratit?

Cila ka qenë shkalla e autonomisë së autoriteteve shqiptare të qeverisë kukull në Perandorinë Fashiste?

Cilat janë tiparet e kolaboracionizmit në LDB?

A ishte kolaboracionizmi shqiptar tipik, apo mbart dallime në raport me atë të vendeve perëndimore dhe atë të vendeve ballkanike? Si shpjegohet, që kuislingët shqiptarë, jo vetëm që nuk ndërmorën fushata antisemite, por kryen edhe mbrojtje ndaj popullsisë me origjinë hebreje brenda territorit të tyre sovran?

A ka pasur në Shqipëri Luftë Civile?

Cili është raporti në mes Luftës për Çlirim dhe Luftës Civile?

A ka pasur në Shqipëri një ndarje të brendshme klasike mes forcave politike rreth qëndrimit ndaj Aleatëve Antifashiste?

Pse forcat tradicionaliste, elita e vendit mbajti një qëndrim përgjithësisht akomodues dhe herë-herë bashkëpunues e negocues me ‘arkitektët’ italianë të pushtimit?

Si mund të klasifikohet qëndrimi i ekipit drejtues vendas në kohën e pushtimit gjerman?

Si shpjegohet që në Shqipërinë e okupuar nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste qeveritë vendase nuk kanë ndjekur politika antisemite, madje zyrtarisht kanë marrë në mbrojtje hebrejtë?

A është Shqipëria e LDB vendi ku skemat ndarëse ndër kampe politiko-ushtarake mund të aplikohen rigorozisht, apo kemi të bëjmë me një rast të posaçëm?

Si duhet kuptuar qëndrimi në bllok jo armiqësor i popullsisë shqiptare të ‘Tokave të Lirueme’, ndaj italianëve dhe gjermanëve?

A u çlirua mirëfilli populli shqiptar me 29 nëntor 1944, duke u përfshirë si shtet i trojeve etnike, në botën e lirë, demokratike, të ekonomisë së tregut të lirë dhe i pavarur nga fuqia moskovite?

Cilat kanë qenë forcat kryesore motivuese që ndikuan në shkatërrimin e shtetit shqiptar në rrjedhën e vitit 1944, që krijuan vakumin institucional, kaosin social, rrënimin e elitës themeluese dhe kapjen e mbajtjen e pushtetit prej komunistëve?

A ishin interesat komuniste jugosllave për rimarrjen e ‘Tokave të Lirueme’ në vitin 1941, në shtetin e tyre të viteve 1945- 1946, një faktor vendimtar në fuqizimin e komunistëve brenda antifashizimit në Shqipëri dhe fshirjen e plotë të linjave kombëtare pararëndëse? Pse Shqipëria, kuptuar si Shteti i Vjetër, përfshihet nga historiografia perëndimore ndër Kombet e Robëruara të varuna nga Kremlini që në fillimet e Luftës së Ftohtë?

Pa i dhënë përgjigje bazuar mbi studim këtyre pyetjeve që janë themelore për historiografinë botërore, ne nuk mund të ndërtojmë një Hartë të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore, nuk mund t’i japim një kuptim botës shqiptare të viteve 1939-1945, nuk mund të themelojmë një të Kaluare të Re mbi Luftën e Dytë Botërore dhe post-luftën në trevat shqiptare, nuk mund të arrijmë në produkte shkencore konkurenciale dhe të pranueshme në debatin bashkëkohor.

Po ashtu ne nuk mund të shkruajmë një historisë të besueshme, pa shpjeguar kontekstet historike nepër të cilat kaloi vendi ynë aq intensivisht në 6 vite rrënimtare, pa kuptuar formacionet kulturore përbërëse, mjediset sociale të ndërtuara në kontekste të diferencuara historike dhe civilizuese, të krahinave etnografike të Shqipërisë, të veçantive religjioze të kompozitave të shoqërisë sonë.

Në qoftë se ne sot sërish nisemi nga parimi se konkluzionet e arritura 40 vite më parë, ende përbëjnë referencë; në qoftë se përdorim të njëjtën dhe të vetmen metodë, dhe të njëjtat burime të ofruara për përdorim të detyrueshëm; ose nisemi nga udhëzimi për kryer lëmime revizioniste por në asnjë rast rishkrim post -revizionist dhe tradicionalist, ne me siguri do të vijojmë të vonojmë me dritëshkurtësi mbërritjen e të vertëtës, por kurrë nuk do ia dalim të jemi të besueshëm dhe të pengojmë mbërritjen e bashkëkohësisë studimore në vendin tonë.

A mundemi ne të vazhdojmë të shpjegojmë si një bllok unik jetën shqiptare në çdo segment të territorit, të qyteteve pole kulturore, të fiseve dhe të krahinave me tradita të veçanta etnografike dhe përkatësi të ndryshme religjioze, që në shumë raste kanë pasur dhe kanë, konceptime të ndryshme për identitetin shqiptar dhe ardhmeninë, pa përdorur një metodë gjenetike, duke iu shmangur arsyetimit të zbatuar me urdhnim nga historiografia vendase?

Unë mendoj që jo.

Nevoja për të kuptuar ngjarjet, personazhet, posaçërisht disa prej figurave të mëdha të shtetformimit, qëndrimet e tyre respektive, të pashpjegueshme deri më tash me metodat hulumtuese të historiografisë leniniste, dikton përdorimin starteve të tjera, hermeneutike dhe kritike në studim. Pa përdorimin e tyre ne nuk mund shpjegojmë mënyrën e mendimit, të arsyetimit dhe vlerësimit të ngjarjeve nga ana e përsonazheve më të spikatura fondatore të shtetit, që janë etiketuar deri më tash si mirëfilli kolaboracionistë, ironikisht në anën e gabuar të historisë, dhe njëkohësisht për t’i vendosur ata përballë kundërshtarëve politikë, që i kanë denigruar deri vonë.

Po ashtu, duke qenë se në harkun kohor të viteve 1939-1945, Shqipërisë i është dashur të ndryshojë disa kontekste politike dhe korniza kushtetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal sistemesh, për të shqyrtuar fillin e ndërlidhjes dhe vazhdimësisë mes dy epokave përmes tre fazave thyerjeje që kaloi ky vend, është e nevojshme të kryhet vlerësimi i kornizave institucionale të krijuara në vitet 1939, 1943 dhe 1945/46, të kryhet krahasimi i pasojave politike, shoqërore dhe humane që rezultuan pas gjithë këtij destabiliteti shtetërorë. Dhe studimi nuk mund të realizohet pa ndjekur një metodë vlerësimi historiko-juridik, që është gjegjësisht një metodë krahasuese.

Kjo sepse kemi të bëjmë me vendosjen e tre sistemeve juridiko-institucionale, që janë të ndryshme për secilën fazë të kohës së LDB.

Kemi të bëjmë me tre qasje të dallueshme ndaj të ardhmes së vendit dhe orientimit ndërkombëtar të elitave që dolën në krye. Dhe në fund fare, kemi edhe tre grupe udhëheqësie, që ndërrohen në Shqipëri, në prill 1939, në shtator 1943 dhe në nëntor 1944. Grupi i fundit ishte pa asnjë lidhje me të gjithë elitat pararëndëse dhe me program tërësisht të kundërt me strukturën ideologjike dhe politike kombëtare mbi të cilën u ndërtua Shteti Shqiptar.

Dhe Shkolla Jonë Zyrtare ende nuk e ka realizuar një kërkim mbi një bazë të tillë.

E Kaluara Tradicionale e prodhuar nga Etërit e Ndaluar të Kombit, nuk duhet të konsiderohet më si diçka e huaj dhe armiqësore në vitin 2024, por më tepër si një pjesë e horizontit jetues, në të cilin ne gjendemi dhe si nevojë e ecjes bashkërisht si komb unitar, i bashkuar në shtyllat më themelore të së shkuarës së miratuar bashkarisht.

Kornizat e vjetra të njohjes së përiudhës së LDB, përcaktuar mbylltazi nga historiografia komuniste shqiptare duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim.

Përvoja shqiptare historiografike e përiudhës së djeshme, që jetoi padrejtësisht edhe në tranzicionin e Shqipërisë drejt demokracisë, që pësoi edhe rigjallërim në momente të caktuara, për një seri rrethanash politike, ekonomike dhe jetësore, besoj se nuk do të duhet të jetë më pikë reference për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë dhe nuk do të përbëjë më skemën ndërtimore të historisë zyrtare të Shqipërisë.

Në dekadën e tretë të shekullit XXI, ne duhet të jemi një vend, një komb, me histori, shkollëformim, histori tekstuale, komunikim letrar të standardizuar e të konsoliduar, bazuar mbi rezultate të verifikueshme të kërkimit shkencor, dhe të mos e përjetojmë gabimisht vetvetën, si një komb me një sistem dijeje, të vërtetash historike dhe shkollë, të lulëzuar në kornizat e vetëm 80 viteve të fundit, mbasi kjo mund të konsiderohet më si një dukuri progresiste dhe as të dobishme.

Romeo Gurakuqi

Instituti i Historisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Filed Under: Komente

Lidhja II e Prizrenit

September 17, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

16 shtator 1943 – U themelua Lidhja II e Prizrenit nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, me delegatë nga Prizreni, Prishtina, Dragashi, Suhareka, Rahoveci, Gjakova, Peja, Plava, Gucia, Rozhaja, Novi Pazari, Senica, Gjilani, Mitrovica, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Ohri dhe Ulqini. Kuvendin e drejtoi Komiteti Ekzekutiv, me kryetar Musa Shehu. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, më pas Bedri Pejani dhe Xhaferr Deva.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT