Gezim Zilja
Arian Sotir Naqellari alias Lake Gjermani
Lake Gjermani
- Jeta e një djali plot dëshira në diktaturë
Duke shfletuar fb-në në statusin e ish të burgosuri politik Arian Sotir Naqellari (Lake Gjermani), gjeta këtë shkrim: “ Si sot më kujtohet deri sa të vdes, shoku ynë Xhevit Bilali, i pushkatuar në njëmbëdhjetë shtator, tetëdhjetëekatër. Të kujtoj unë i paharruari Xhevit!”
Rrallë kam parë një dedikim të tillë ku në të vendoset zemra dhe shpirti i një njeriu që është përndjekur, arrestuar e burgosur (1979-1989), katër herë në harkun kohor të dhjetë viteve. As 17 vjeç nuk kishte mbushur kur u arrestua për herë të parë me arsyet nga më absurdet. Rregjimi i gjuante këta djem simpatikë, që kryesisht vinin nga familje të varfëra plot halle, rebelë të lindur, që visheshin ndryshe nga moshatarët e tyre, mbanin flokë të gjatë, një formë proteste kundër ideologjisë komuniste dhe kishin ndikim te rinia e kohës. Në fushat sportive vetëm për një thirrje apo tifozllëk të tepruar (sharje arbitrit) i fusnin në biruca me orë të tëra, duke i rrahur barbarisht e qethur kokën zero. Këta djem qyteti që me mënyrat e tyre të sjelljeve shprehnin përbuzjen e kundërshtimin ndaj rregjimit komunist, sigurimi i shtetit i vinte në shënjestër dhe për shkaqe shpesh të sajuara, ua nxinte jetën derisa i shkatërronte fizikisht e mendërisht, duke i bërë shembull për të rinjtë shqiptarë me moton: Nëse dilni sadopak nga vija e partisë ky do të jetë fati i juaj!
- Shkruaj ndonjë ditë edhe për mua.
- Ç’kemi o Lake gjermani?- e përshëndeta aty në Baret e shumtë të Skelës, ku gjelbërimin e përhershëm e ka pushtuar betoni dhe disa pisha azmatike që kanë dhjetë vjet të mbajtura nga skelete çeliku.
- Po ti ulu të pish një kafe me ne fukarenjtë!
- Një herë tjetër,- u përgjigja si zakonisht gjithë dashamirësi.
- Mbase kam diçka për të të thënë….
Më kapi butësisht nga krahu dhe më uli me “zor” në karrige.
- Po ti shkruaj ndonjëherë diçka për mua dhe Xhevit Bilalin. Kemi vuajtur shumë dhe kot. Njëzetepesë vjeç ishte Bilali kur e pushkatuan. Ditën e gjyqit i lindi e shoqja vajzë….
E pashë si i zënë në faj dhe fillova ta vështroj me vëmendje, këtë burrë që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nga sa e mbaja mend në rini ishte futur jo pak në ujë. Ishte plakur e mpakur por sytë e tij të vegjël e të thellë, kur filloi të fliste u veshën me një dritë jo të zakontë. Megjithëse tashmë i thinjur, nga mëngët e shkurtëra të bluzës verore, spikatnin ende dy krahë të fuqishëm me ato format e bukura të një sportisti. Gjithë kohën kur më tregoi tmerret e kaluara, drita e syve herë errej e herë ndriçonte por lotë në sytë e tij nuk pashë deri në fund. Fliste por merakun më të madh e kishte të shkruaja emrat e persekutorëve, tmerrin e burgjeve të diktaturës dhe atë shpërblimin që nuk iu dha për nëntë muaj që bëri burg politik.
- Të jap fjalën!- i thashë!
Kaluan kohë dhe nuk po bëhesha mukajet për të shkruar megjithëse shënimet i kisha përherë para syve në ditarin tim. Dhe ja tani ky status plot gabime ortografike, më erdhi si një ulërimë, si një akuzë plot dhimbje, si një thirrje, për të kujtuar e respektuar njerëzit e dënuar padrejtësisht, që diktatura u preu rininë në mes, i gjymtoi dhe i vrau. U pendova shumë, më erdhi turp nga vetja që e kisha lënë pas dore atë premtim. Ndoshta Lakja e kuptoi gjendjen time, kaloi gishtat mbi flokët ku ngjyra e dëborës dëbora zotëronte mbi atë gri, buzëqeshi dhe më ngushëlloi:
- Ti nuk e dije të tërë historinë time, se po ta dije do të kishe shkruar ndonjë gjë edhe për mua.
- Viti 1979, ende pa mbushur 17 vjeç
Akuza: Shoqërohesh me rrugeçër, ke braktisur shkollën, vjen vërdallë gjithë ditën në lagje, bredh natën, nuk e ke qejf punën dhe kemi të dhëna që je pleksur me hajdutë të pronës private. Tre muaj në hetuesi rrahje sistematike që të pohonte se ishte vjedhës i pronës shtetërore. U la i lirë deri sa të gjykohej. Apeloi dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësinë pas tetë muajsh. Hetues ka qenë Preng Prenga, një polic nga veriu, që kur merrte kërbaçin në dorë nuk dinte të pushonte. Djali pa mbushur ende shtatëmbëdhjetë vjeç, pëson një tronditje të madhe fizike dhe shpirtërore, shtrohet një muaj në spital për tu kuruar dhe pas daljes nga spitali gjykata vendos të rrijë një vit nën kujdesin e familjes.
- Viti 1981 akuzohet si vjedhës ordiner
Vazhdon i papunë. Spiunohet nga vlonjati H. N. dhe shoferi i kamionit Mitat Ashiku (Arshiu,) një nga informatorët e shumtë të sigurimit të shtetit, se kishte vjedhur fenerët e kamionit të Rezervave të Shtetit. Këtë rradhë hetuesia zgjati plot gjashtë muaj. Me gjithë torturat Ariani, nuk pranoi se ka qenë autor i vjedhjes së fenerëve, edhe pse e njihte shumë mirë hajdutin e vërtetë. Gjashtë muaj fjalët e tij ishin: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! Asnjë fjalë tjetër dhe asnjë letër e firmosur. Hetues sërish ishte Preng Prenga, që banonte te pallati trekatësh në lagjen e Tre Racave. E rrahu deri në shpërfytyrim fizik por nuk e detyroi dot të firmoste se kishte vjedhur fenerët. Pas gjashtë muajve hetuesi lirohet për mungesë provash.
- 1983-1984, akuzohet për grup kriminal
Shkon ushtar dhe aty pas provokimeve, që i bënin njerëz të porositur dhe disa zënkave me eprorët e arrestojnë. Mbahet disa kohë në hetuesi, e lirojnë nga ushtria për arsye shëndetësore. Internohet në fshatin Mërtiraj. Në janar 1984 arrestohet aty, nga Veli Thana, por këtë rradhë akuzat ishin tepër të rënda si pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal vjedhës të pasurisë socialiste. U organizua një gjyq “shembullor” në Pallatin e Kulturës Perlat Rexhepi, në një sallë mbushur (sot Hotel Partner) plot e përplot me spiunë, sigurimsa, anëtarë partie e oficerë. Jashtë ishin me dhjetëra njerëz, që ndiqnin gjyqin me anë të autoparlantëve të montuar në dy shtylla elektrike. Numri i të akuzuarve ishte dymbëdhjetë dhe shumë prej tyre nuk njiheshin me njëri-tjetrin,. – Unë,- thotë Lakja – njihja vetën dy vetë Xhevitin dhe Agron Karajin. Nëntë të tjerët nuk i njihja.
Akuza u katandis në vjedhjen e disa thasëve me fasule, e miell, në Magazinat e Ushqimores, kompostove e kutive të konservave të peshkut në kombinatin Ernest Telman, veshje punëtorësh si kominoshe, sqeparë, çizme, ( Sa sende mund të marrë një njeri në një thes nga një magazinë e çdo lloji qoftë!?) kapele, xhupa punëtorësh etj. Akuzoheshin dhe për hapjen e dy kasafortave njëra në fabrikën e çimentos, ku kishin marrë 20.000 lekë (të vjetra) dhe tjetra në zyrat e ndërrmarrjes P. Rexhepi, disa blloqe me tollona nafte që vështirë të përdoreshin. Laken e bashkuan me këtë grup dhe ca të tjerë, që ishin vjedhës të rëndomtë por jo të organizuar si ishte akuza. Grupi kriminal i sajuar nga policia, ishin të gjithë të papunë, disa ishin familjarë, që vidhnin për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Pas torturave muaj me rradhë, firmosën çfarë u kërkuan. Përsëri hetuesi i Lakes ishte Preng Prenga.
- Këtë herë nuk ke për të dalë gjallë nga duart e mia po nuk firmose!- iu gërmush Arianit. Sërish përgjigja e tij ishte: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më!
Skelarët dhe vlonjatët e mbajnë mend atë gjyq farsë, ku të arrestuarit, që u akuzuan për grup kriminal, deklaruan se kishin firmosur gjithçka nga torturat, që u ishin bërë në hetuesi. Deklaratat e tyre në gjyq pohonin se kishin vjedhur për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Mjaft nga të arrestuarit thanë se nuk njiheshin më parë. N. B. deklaroi se kishte vjedhur ( u dënua shtatë vjet) se fëmijët kishin dy ditë pa bukë. Kishte vjedhur në magazinat e ndërrmarjeve vetëm dy thasë me miell, dhe më vonë një xhup, një palë çizme, një palë kominoshe, një sqepar dhe një sëpatë për të bërë dru për ngrohjen e fëmijëve. Ndërsa i akuzuari trim, çami Xhevit Bilali, deklaroi midis të tjerash: Kam firmosur për grup kriminal se nuk duroja dot torturat. As në kampin e Mat’hauzenit nuk bëheshin torturat që na janë bërë neve në hetuesi.
– Ta tregojmë ne Mat’hauzenin ty!- ulëriti prokurori, Brahim Aliko.
Gjatë kohës së hetuesisë Arjanin e shtrojnë në spital në Vlorë dhe më vonë në Tiranë për diagnostikim, nga e kthyen sërish në Vlorë, me diagnozën: I aftë dhe i përgjegjshëm para ligjit. Dënimet ishin mjaft të rënda për dëmin që gjoja i ishte bërë pasurisë socialiste.
Xhevit Bilali u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 10 shtator 1984. La pas vajzën një muajshe ( Vajza lindi me 10 korrik 1984 ditën që filloi gjyqi) dhe djalin tre vjeç. Edhe sot nuk dihet varri i tij. Aristir Dimo, (Ristua) shoku im i fëmijërisë, ishte nga një familja e ardhur nga Myzeqeja, ku varfëria ishte ulur këmbëkryq qysh se kishte lindur dhe uria e shoqëronte edhe në gjumë. Pak kohë kishte që ishte liruar. Vuajti tetë muaj burg për dy kilogram portokalle, një trastë ullinjë, dhe ca qepë të njoma, të vjedhura në Ndërmarrjen Frutore. Me akuza absurde u dënua me 25 vjet. E cilësuan si profesor të grupit. Ristua qeshi kur e dëgjoi dhe deklaroi: -Unë dhe klasën e shtatë me “shqelma’ e kam mbaruar e ju më quani profesor. Faleminderit për titullin.- Harrilla Dimo 25 vjet, Ismail Refati 8 vjet, Arjan Kasaj 8 vjet, Arjan Naqellari (Lake) 7 vjet, Skënder Aliaj 3 vjet e me rradhë. Pothuaj të gjithë përfshirë dhe Laken, u dënuan me pesë vjet internim, heqje e të drejtës së votës, dhe po aq vjet punë korrektonjëse, pasi të mbaronin dënimin. Të gjithë u çuan në burgun e Spaçit. Prokuror i çështjes ishte Brahim Aliko. Në trupin gjykues bënin pjesë Arqile Nini, Hasan Luçi dhe Aranit Çela.
- Arrestimi i fundit 1989
Arian Naqellari ( Lake Gjermani) tregon:
Më ishte qepur këmba-këmbës policia. Jetim hesapi, qysh shtatë vjeç, ters më shkoi jeta, nuk më qeshi buza kurrë. Ishim pesë fëmijë me nënën pa punë e jetonim vetëm me pensionin e babait, që nuk jetonte. Pak muaj pasi kisha dalë nga burgu, më arrestojnë sërish. Këtë herë arrestohem për politikë prill1990 dhe nëse nuk do të kishte ardhur demokracia, sot nuk do të figuroja më me të gjallët. Një shok qe kisha pasur në burgun e Spaçit nga Tirana (emri nuk më kujtohet) më dërgoi disa fletushka (trakte) ku shkruhej, Liri Demokraci, kishte një foto me një njeri me dy gishtat lart dhe një lajmërim ku njerëzve u bëhej thirrje të mblidheshin në stadium (muaji prill) pasdite në orë 17.00 për miting. I shpërndava fletushkat me dy shokë të mi Klement Fejzaj dhe Selman Ruço, si na kishin udhëzuar, në kryqëzime rrugësh dhe njerëzve të besuar. Disa ditë më vonë na kapin dhe mua më çojnë në Dhomën e Shurrës. Aty më lanë. Na morën në pyetje veç e veç. Më rrahën sa më kanë vdekur Ilirjan Mustafaraj, Sefer Rama, Agron Meta, Florion Kolaneci për të treguar se kush mi kishte dërguar fletushkat.
-Po nuk tregove do të varim këtu para degës më thanë.- Nuk tregova. U thashë atë që kisha thënë dhjetë vjet me rradhë: Nuk di gjë, nuk kam bër gjë, mos më pyesni më. Kërcënuan gruan që ishte shtatzënë, i thanë të kërkonte divorcin se unë isha armik i popullit dhe burgaxhi. Pas çdo rrahje dhjetë minuta pushim dhe përsëri dru, ditë me rradhë. Pas nëntë muajve, hetuesi dhe burg (prill-dhjetor) u lirova në dhjetor 1990, kur burgjet u hapën për të gjithë. Nëntë muaj që bëra burg politik nuk më kanë dhënë asnjë dëmshpërblim. Më gënjejnë. S’ka dosje më thonë… Po shumë nga ata janë ende gjallë… Ç’të bësh? Kam shumë për të thënë por jo të gjitha i mbaj mend. Ndoshta një herë tjetër do të them dhe të tjerat që nuk mu kujtuan sot…