• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

Ambasadori Blerim Reka u takua me Phill Kaplan, ekspert amerikan i sigurisë nacionale dhe anti-terrorizmit

October 24, 2024 by s p

Ambasadori Blerim Reka, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York u takua me Phill Kaplan, ekspert amerikan i sigurisë nacionale dhe anti-terrorizmit. Në njoftim zyrtar, Ambasador Reka shkruan: “Nga takimi i djeshëm me Phill Kaplan, ekspert amerikan i sigurisë nacionale, anti-terrorizmit dhe sankcioneve.

Me ish ushtarakun dhe ligjeruesin e juridikut në Yale University, biseduam për projektet e “Blue Center for Global Strategy Assesment”, të cilën e drejton në Jakcson School of Global Affairs të këtij universiteti prestigjioz amerikan”.

Filed Under: Kronike

Shqiptarët në Texas takuan Kongresistin Keith Self

October 24, 2024 by s p

Sokol Paja/

Shqiptarët në Texas zhvilluan në një bisedë të ngrohtë me mikun e madh të Kosovës e kombit shqiptar Kongresistin Keith Self i cili aktualisht është duke shërbyer mandatin e tij të parë në Kongres si Përfaqësues i Distriktit të 3-të të Teksasit nga Partia Republikane. Organizata patriotike shqiptare në Texas “Albanian’s For America PAC” e kryesuar nga Doc Vranici bashkoi shqiptarët e Texasit në një moment të rëndësishëm zgjedhor në Amerikë pritet fitorja e padiskutueshme e Keith Self më 5 Nëntor. Shqiptarët në Texas por edhe në shumë shtete në Amerikë kanë rritur peshën elektorale dhe fuqinë votuese duke u kthyer në faktorë të rëndësishëm elektoral e politik. Temë kryesore e diskutimit ishte situata politike, ekonomike dhe e sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një zë të veçantë zunë dhe diskutimet për Kosovën dhe se çfarë munden Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kontribuojnë më shumë. Synimi i shqiptarëve në Texas dhe në të gjithë Amerikën është pasja e sa më shumë miqve në Kongres e Senat me qëllim që Amerika të ndërhyjë më shumë në çështjen e Kosovës deri në zgjidhjen përfundimtare të rrugëtimit të saj euro-atlantik. Në takimin patriotik që u quajt “Kafe shqiptare me Keith”, ligjvënësi nga Teksasit zhvilloi një bisedë frymëzuese me pyetje dhe përgjigje inspiruese për të gjithë të pranishmit. Falenderim i veçantë për anëtarin e AFA-s Agim Mixha për organizimin e eventit në Fairview Farmers Cafe. Shqiptarët në Texas janë gjithnjë frymëzues dhe dinjitozë që kontribuojnë për komunitet shqiptar dhe çështjen kombëtare.

Foto: AFA

Filed Under: Komunitet

AT GJERGJ FISHTA: SHQIPTAR JETOI GJITHË JETËN!

October 23, 2024 by s p

Në ditëlindjen e tij

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro ...

                                  23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940

Ja, erdhi edhe një përvjetor ditëlindjeje i At Gjergj Fishtës! Edhe kjo si të gjitha më parë – përvjetorët e lindjes dhe kalimit të tij në amshim — vjen e shkon, pa u kujtuar, pa u përmendur, zyrtarisht — dhe i harruar nga shumica, pothuaj ashtu si dikur nën regjimin komunist të Enver Hoxhës kur ishte shpallur, armik, fashist, i shitur e tradhëtar. Si rrjedhim dhe me qëllim që të mos i përmendej emri as vepra e tij. Të konsiderohej i paqenë, sikur të mos ketë ekzistuar fare! 

 Këto rreshta modest sot, le të shërbejnë vetëm si një kujtim kalimtar për lexuesin e rendomtë se me 23 Tetor, 1871 ka lindur At Gjergj Fishta, një burrë i madh i Kombit –- por i harruar dhe i abuzuar nga një diktaturë fatzezë për veten dhe për Kombin. Që për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe për rreth 35-vjet regjimesh në “demokraci”, të përbëra nga post-shërbetorë dhe nostalgjikë të atij regjimi, deri në ditët e sotëme.  

Kjo, megjithse sot, emri i Gjergj Fishtës mund të përmendet, aty këtu, ndërsa veprat e tija botohen nga individë dhe ente private, por për autoritarët politikë të “post-komunizmit” aktual dhe për akademikët e varur prej tyre, ideologjikisht dhe financiarisht– përfshir Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, po edhe atë të Kosovës — zyrtarisht, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e shumë të tjerë si këta, të njohur dhe më pak të njohur — vazhdojnë të konsiderohen ashtu si në diktaturën komuniste – tradhëtar, të shitur e armiq të Shqipërisë — të harruar dhe të abuzuar për pothuaj një shekull tanai! Apologjetët e sotëm të diktaturës komuniste në Shqipëri nuk kanë turp në fytyrë. Jo vetëm që kujtohen rregullisht në raste të nevojshme, por me fonde të shtetit shqiptar, shkrimtarëve të realizmit socialist-komunist po u rinovohen shtëpitë e tyre dhe po u dedikohen muze me vendime zyrtare dhe me pëlqimin dhe miratimin  nga shërbëtorët dhe nostalgjikët e ish-regjimit enverist – gjithnjë në pushtet dhe poste për të marrë  vendime të tilla.

Fatkeqësia e përjashtimit dhe e harresës — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë At Gjergj Fishta në Atdheun e vet — për të cilin luftoi aq shumë për të ndërtuar një Shqipëri të vërtetë dhe për bashkimin kombëtar në periudhat më të mjerueshme për të— është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. I hedhur në harresë nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat, vlerat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, ndoshta edhe për faktin se – ndryshe nga ish-regjimi komunist dhe nostalgjikët e tij,  Fishta me veprat e tija të pavdekshme, ka përjetësuar vlerat dhe traditat kombëtare të fisit të shqiptarit, për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.  

Për fat të keq të Kombit, mashtrimet dhe tradhëtia, për pothuaj një shekull komunizëm e post-komunizëm ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, vazhdojnë. Nuk ka ndryshuar asgjë as nga “përdhunimi historik”, ndaj tij, kujtesës dhe veprës së tij: harresa e qëllimtë zyrtare dhe denigrimi historik kundër At Gjergj Fishtës, vazhdojnë. E nga kush?! 

Nga një klasë politike post-diktatoriale por me influencë në vendimarrje të tilla — nga një grup i brezit të historianëve politikë të idoktrinuar, që edhe sot kryesojnë dhe drejtojnë, ndër të tjera, Akademinë e Shkencave dhe entet e tjera kryesore akademike e kulturore, në vend.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve politike dhe akademike shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian –ndërsa nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave afatgjata kombëtare – të kësaj familje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, historikisht, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.

Nuk mund të durohem, por më duhet të shtroj pyetjen për ata që kanë pushtetin në dorë e që mund të marrin kollaj vendime në favor të figurës së Gjergj Fishtës dhe rolit të tij në historinë kombëtare. Se si mund të gënjeni duke u deklaruar si pro-perendimorë, se po, deshironi t’i bashkoheni Evropës dhe aleancave perëndimore, por njëkohësisht, vazhdoni të përjashtoni dhe të mos kujtoni At Gjergj Fishtën, shqiptarin, ndoshta më pro-perëndimor të fisit shqiptar ndër shekuj – që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Na është thenë se Shqipëria ka “shënuar një moment historik në procesin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur grup-kapitullin e të negociatave në kuadër të Konferencës Ndër-qeveritare të mbajtur në Luksemburg, një javë më parë. Megjithse shpresat janë të paka dhe procesi shumë i gjatë, por nuk besoj se Shqipëria hynë në Bashkimin Evropian pa vlerat pro-perëndimore të At Gjergj Fishtës.

Për mua është e vështirë të marr me mend se pse gjithë ky inat e mllef ndaj At Gjergj Fishtës, madje edhe sot kur Shqipëria aktuale politike pretendon se jeton në një “demokraci”, ndonëse e brishtë! Përveç faktit se komunistët shqiptarë të periudhës së Enver Hoxhës dhe nostalgjikët e sotëm të komunizmit, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat kombëtare dhe dashurinë At Gjergj Fishtës për Atdheun, për Shqipërinë. Sepse, siç ka shkruar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Fishtës Karl Gurakuqi Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit | Gazeta Telegraf – “…Gjëndemi përpara dy mendësive, (sa i përket trajtimit ose keq-trajtimit të Fishtës nga autoritetet shqiptare në të kaluarën dhe tani, shënimi im) e që janë shumë larg njëra nga tjetra, sa nata me ditë: simbas edukatës së Poetit (Fishtës), të marrur në rini e simbas ambientit në të cilin është rritur: Shqipëria duhej të dilte në dritë me bashkim zemrash, me vëllazëri, me arsim e kulturë, me nderim të cilësive karakteristike shqiptare: besë, burrni, nder e fe. Kurse, Shqipëria e anës kundërshtare (e komunizmit dhe shërbëtorëve të diktaturës sot, shënim i imi), është mbështetur në mëni, në ndasi, në errësirë, në vrasje e në përçmim të gjërave më të shënjta, si histori, letërsi, gjuhë e flamur. Me fjalë tjera, kanë qitë cekën me e shburrëruar Shqipërinë, me e shfisnuar e me e bastardhuar. Është program i atyre që nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, janë ata të shkollës së Tartufit…”, ka shkruar i ndjeri Karl Gurakuqi. 

Këta, vërtetë janë të shkollës së tartufit — hipokritë! Mirë e ka thënë Karl Gurakuqi. Kemi të bëjmë me dy pikpamje të ndryshme – si nata me ditë — sa i përket vlerave kombëtare dhe dashurisë për Atdheun. Kemi të bëjmë me doktrinën internacionaliste të komunistëve shqiptarë të cilët ishin gati të ndryshonin dhe e ndryshuan flamurin e Gjergj Kastriotit Skenderbe për qëllime ideologjike duke e hedhur në baltë, e duke i shtuar drapër e çekiq, simbolet e komunizmit ndërkombëtar. E nga ana tjetër kemi Gjergj Fishtën — siç na kujton edhe Karl Gurakuqi në shkrimin e tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Poetit — i cili sipas tij, me guxim të pashoq, kur Shkodra ishte e pushtuar nga fuqitë ndërkombëtare të kohës që nuk lejonin valvitjen e flamurit shqiptar, vetëm nji vit pas pavarësisë,  në kundërshtim me ta, Gjergj Fishta ka ngritur flamurin e Kombit mbi kambanën e Kishës së Franeskanëve, ndërsa nepër rrugët e Shkodrës nxorri fëmijtë e shkollës për të kënduar himnin e flamurit të përpiluar nga vet Fishta: Gjergj Fishta – Hymni I Flamurit Kombetar –  Gurakuqi kujton fjalët e Fishtës kur u predikonte fëmijve duke u thëne se, “Nuk preket toka shqiptare, se trolli ynë është i shejtë, i huaji nuk ka çka bën ndër ne kur vjen me qëllime të këqia…”, duke shprehur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në tokën e të parëve të vet dhe për ta mbrojtur nga të gjithë të huajt me të gjitha fuqitë dhe me ndihmën e Zotit, sipas Fishtës:

Jo, po na sot këtu sundojmë;

Këtu s’ecë fjala e tjetërkuj;

Gjallë lirinë na nuk e lshojmë

S’njohim mbret e as krajl të huej!

Zoti në qiell e na mbi tokë;

Me gjithkend vëllazen e shokë,

Por secili n’cak të vet!  

Dhe më në fund në këtë përvjetor të lindjes së Gjergj Fishtës u kujtojmë të gjithë atyre që ende mund ta konsiderojnë atë “tradhëtar”, “i shitur”,  dhe epitete të tjera fyese, sidomos atyre që, “nuk po u kuqet fytyra t’a bajnë Atdheun plaçkë shkëmbimi”, sipas fjalëve të Karl Gurakuqit.  U kujtojmë atyre dhe gjithë të tjerëve se Gjergj Fishta – në këtë përvjetor të lindjes dhe gjithmonë — jetoi dhe mbeti shqiptar. Ndryshe nga ata që e kanë përjashtuar dhe këta që vazhdojnë ta përjashtojnë, ta harrojnë dhe të mos e kutojnë as në ditëlindjen e tij, për vlerat, kontributet dhe dashurinë e tij për Atdheun – Fishta, “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfër leu dhe më i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuri, por i la kombit pasurinë më të madhe: veprat që nuk dijnë kurrë mort!” (Karl Gurakuqi)

Gëzuar ditëlindjen, At Gjergj Fishta, Apostull i Madh i bashkimit dhe vëllazërimit shqiptar!

Filed Under: Mergata

Teuta, mbretëresha ilire e piratëve të detit 

October 23, 2024 by s p

Studim nga Rafael Floqi

 Pjesa e parë

teuta piratessa

Thuhet se Teuta, mbretëresha e Ilirisë, vrau veten, duke besuar se kushtet e imponuara nga romakët ishin shumë poshtëruese për të dhe popullin e saj. Jemi në shekullin e tretë para. K., në një kohë kur Illyria mbizotëronte Detin Adriatik me një kulturë të gjerë të shprehur, përmes një gjuhës indo-evropiane të lashtë por dhe të ndryshme nga ajo greke dhe latine.

Teuta ishte një mbretëreshë që e kishte pranuar piraterinë, në atë rrip të detit që kombinonte vizionin e rolit të Adriatikut dhe të qytetërimeve të lashta me një model thjesht mesdhetar. Ajo e donte vendin e saj dhe njerëzit e saj që kishin rrënjë në modelin ilirik, që ishin përfaqësues të një gjeografie brenda një dimensioni, në të cilin ndjenja e përkatësisë në detari, do të thoshte se i atribuonte një arsye, për një udhëtim në kohë, në të cilin trashëgimia dhe identiteti shtrihet përtej konceptit filozofik të amshimit.

Ilirët praktikonin piraterinë dhe kjo përfaqëson një nga pikat kyçe për ta kuptuar vizionin e Teutës, bashkëshortes së mbretit Agron mbi kohën dhe mbretërinë e saj, që të dy i përkisnin fisit Ardianëve dhe kryeqyteti i territorit të tyre ishte Skodra, Shkodra e tanishme në Shqipëri.

Nëse shohim gjeografinë e Shqipërisë, Shkodra gjendet në brendësi, në atë pjesë të Ilirisë që, së bashku me territorin e Apolonisë, u kthyen nga koloni greke, në ilire dhe më vonë romake. Adriatiku qe një rajon që edhe sot vazhdon të jetojë me të njëjtin dimension në të cilin, ndjenja e realitetit gjeopolitik, shndërrohet vetë një realitet gjeo-ekzistencial për popullsinë përkatëse.

Gadishulli i Ballkanit ka një gjeografi specifike në të cilin si parcelat e tokës, ashtu edhe ato të detit ruajnë një kontakt të rëndësishëm në mes dy anëve të Detit Adriatik, sepse është në fakt, vetë Adriatiku që lidh tokat e Shqipërisë me tokat latine përballë. 

Pirateria, një e keqe e lashtë e domosdoshme

Në histori, pirateria ka qenë e pranishme në mënyrë të vazhdueshme në pjesë të caktuara të botës. Megjithëse nuk diskutohet shpesh, por mund të thuhet, se në kohët e lashta, kjo ishte kaq e zakonshme saqë shpesh ajo u pranua si një “profesion” dhe si një modus vivendi në liqenin e madh mesdhetar. 

Ndoshta, episodet e para të piraterisë filluan në Epokën e Bronzit, me hapjen e rrugëve të detit për tregtinë e parë. Kontrasti me këtë fenomen ishte gjithnjë e komplikuar edhe nga mungesa e një dizajni të përbashkët. Kundërshtimi i një kërcënimi të tillë kompleks, i cili nuk kishte një strukturë të përcaktuar mirë dhe që mund të ndërmerrej nga të gjithë, por kërkonte një strukturë të organizuar ushtarake, që nuk ishte e lehtë për ta menaxhuar. Për më tepër, nuk ishte edhe e pazakontë që edhe tregtarët, gjatë periudhave të veçanta e ndërmerrnin këtë veprimtari lehtësisht të pa ndëshkuar. 

Pirateria filloi të binte në Adriatik, vetëm kur qytet-shtetet e rëndësishme si Athina dhe Rodosi, e pajisën veten me flotën e parë patrulluese të rrugëve tregtare. Gjithashtu kaq i përhapur ishte ky fenomen, sa që edhe Aleksandri i Madh qe detyruar të përballej me piratët, përgjatë brigjeve të Turqisë jugore dhe Mesdheut lindor. Por për fat të keq, siç na mëson historia, pas humbjes së kontrollit të rrugëve detare nga fuqitë e kohës, rishfaqej edhe dukuria e piraterisë. 

Adriatiku një det i pabesë

Adriatiku është një det sa tradhtar aq edhe i stuhishëm, ku vargmalet mbështjellin e përcjellin erërat e forta veriore, si “bora”, gjë që detyronte anijet t’i afroheshin bregut, aty në ujërat ku u zhvilluan luftime përgjatë shekujve midis popujve të brigjeve lindore dhe atyre të gadishullit italian, aty edhe sulmet e piratëve ka qenë të shumta, dhe madje edhe sot nën ujë, gjenden dëshmi arkeologjike të anijeve të mbytura.

Teuta, qe mbretëresha luftarake e Ilirisë e cila e bëri detin, burim të pasurisë dhe prosperitetit të popullit të saj. Flota ilire e ushtronte piraterinë në të gjithë Adriatikun, duke plaçkitur e duke vënë anije dhe fshatra në zjarr si në det edhe në tokë.  Por, në realitet, ta quash Teutën thjesht një piratem është mendim mjaft përçmues; siç do ta shohim, ajo ishte një mbretëreshë, që e aftë që ishte në gjendje të mblidhte formacione të mëdha luftarake dhe e përdori piraterinë për qëllimet e saj politike, duke përdorur flotat me shumë anije të shpejta lembe të fshehura nëpër arkipelagun ilirik.

Por kush ishin fiset detare ilire?

Ilirët detarë ishin fiset e vendosura në jug të Ballkanit, i cili përfshinte shumë fise si Istrianët, Iapodët, Liburnët, Dalmatët, një pjesë e Trakëve dhe Panonëve. Ata e kishin praktikuar gjithmonë piraterinë “ligjërisht” me pëlqimin e sundimtarëve të tyre. Madje ata nuk ishin të kufizuar në plaçkitjen e anijeve të transitit, por shkuan deri në sulmimin e qyteteve fshatrave bregdetare të kolonive greke përgjatë bregut të Adriatikut lindor. Sundimtarët e tyre e pranuan këtë formë jete dhe morën thesare dhe besnikëri në kthim nga Ilirët. Por ne nuk duhet të skandalizohemi, sepse kjo metodë është adoptuar në histori nga shumë sundimtarë. Është si thoshte latini pecunia non olet (paratë nuk mbajnë erë ), nëse është përshtatshme të thuhet kjo. Ky duhej të ishte një profesion shumë fitimprurës i kohës, pasi mbretëria ilire, qe shumë e varfër, për shkak të mungesës së burimeve natyrore, dhe u rrit në mënyrë të konsiderueshme në shekullin e tretë para Krishtit, duke zënë kështu të gjithë bregun lindor të Adriatikut, që nga Kroacia e sotme deri në Shqipëri. Ky nuk është një justifikim, por kjo duhet të shihet në realitetin e atyre kohërave të largëta, kur grabitja ishte e lidhur me ligjin më të fortit, sidomos në det.

Si e kujton historia, Teutën

Mbretëresha, Teuta, ishte një grua e re me një karakter të vendosur, ajo kishte pasuar bashkëshortin e saj Agronin pas vdekjes se parakohshme për shkak te sëmundjes të plevitit në një banket në fronin e Mbretërisë Ilire të Ardianëve.  

Mbreti Agron (greqishtja e vjetër: Ἄγρων) ishte një mbret ilir i Mbretërisë së Ardianëve në shekullin III para Krishtit, që sundoi nga 250–231 para Krishtit. Ai qe I biri i Pleuratit II. Agroni arriti të ripushtonte Ilirinë e Jugut, e cila kishte qenë nën kontrollin e Epirit qysh nga koha e Pirros dhe të zgjeronte sundimin ilir mbi shumë qytete në rajonin e Adriatikut, duke përfshirë Korkyrën, Epidamin dhe Faros-in. Ai qe bërë i famshëm pas fitores së tij vendimtare ndaj Lidhjes Etoliane, një shtet në Greqinë perëndimore, rreth vitit 231 para Krishtit, Agroni vdiq papritur pas triumfit të tij mbi etolët. Pinnesi, djali i tij me gruan e tij të parë Triteuta, zyrtarisht e pasoi të atin si mbret në vitin 231 pes, por mbretëria drejtohej si regjente nga gruaja e dytë e Agronit, Mbretëresha Teuta.

Në vend që ajo të mbante zi, ajo i përdori aftësitë e saj, për ta mbajtur të bashkuar mbretërinë e bashkëshortit të saj. Ajo mbahet mend si simpatike, inteligjente, diplomatike, energjike dhe, mbi të gjitha, e vendosur për të vazhduar politikën ekspansioniste të Agronit. Me vdekjen e tij, Teuta shpejt armatosi një flotë shumë më agresive dhe anijet e saj (lembet) dhe filluan të kërkonin haraç ndaj të gjitha kolonive greke të Adriatikut. 

Lembet përshkruen si anije të vogla dhe të mesme tipike të këtyre deteve, të përdorura si anije luftarake të lehta, të cilat ishin të përshtatura veçanërisht për pirateri. Mendohet se ato kishin një ekuipazh prej 50 marinarësh, të vendosur në një urë të mbyllur (navis të hapur), pa tribunë, por me bash të hollë. Lëvizja sigurohej nga rremat e  vendosura në një ose dy radhë. Edhe pse shpikja e tyre datonte qysh nga Cyrenees, ato u përsosën dhe më vonë u bënë standard i piratëve ilirë.

cartagine

 Mbretëresha Teuta jo vetëm që e menaxhoi piraterinë, por sillej vazhdimisht me rolin e saj si një mbretëreshë luftëtare. Burimi kryesor historik është historiani grek Polybius (Polibi) i cili tregon jetën e saj tragjike tek vepra Tregimet. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, duke e kuptuar gjendjen e vështirë ekonomike të popullit të vet, mbretëresha: ” Mblodhi një flotë dhe një ushtri jo më të pakët se ato të mëparshmet, dhe i dërgoi ilirët në një ekspeditë, pasi u kishte treguar kapitenëve se i gjithë bregu i Adriatikut (kolonitë greke) ishin territor armik”. Kjo politikë agresive do të siguronte jo vetëm kontrollin e të gjithë rajonit, por edhe të trafikut detar që ndodhte aty. 

Pirateria ilire, e paragjykuar nga historianët

“Që nga kohët më të hershme pirateria ishte zhvilluar lirshëm në këto ujëra, dhe kjo karrierë fitimprurëse kishte qenë ndjekur me këmbëngulje nga banorët e brigjeve lindore “. Kjo deklaratë, ishte bërë nga historiani francez me ndikim, Maurice Holleaux, dhe ishte pjesë e teorisë, se pirateria ilire ishte një problem shekullor në Adriatikun e lashtë. Ai e mbajti kështu qëndrimin se madje kjo ishte arsyeja primare, pse romakët, për të cilët ai e argumenton se në fillim dukeshin indiferentë ndaj punëve të grekëve, tani që ishin të detyruar të kalonin nga Italia në Greqi, pengoheshin nga ilirët dhe kjo, sipas tij, mund të merrej si shkaku, që rezultoi me dy luftërat e para iliro-romake të 298 dhe 219 para K. Më vonë disa aspekte të tezave të Holleaux-së do të viheshin në pyetje, në veçanti, nga fakti se ai besonte në mënyrë të tepruar tek Polibi që ishte i një-anshëm dhe pro Romës. Në fund të fundit, luftërat ishin sa motivuara nga problemet brenda Romës, aq edhe qenë një kombinim i faktorëve: ushtarakë, politikë dhe ekonomikë, gjë që binte në kontrast me tezat e Holleaux.

Iliriologu më i madh Wilkes thotë se perceptimet e këqija ndaj Ilirëve ndeshen në të gjitha shkrimet e lashta mbi ta, dhe  vijnë nga burime të jashtme ”, të cilat shpesh i përshkruajnë ata, në një mënyrë përbuzëse, si për shembull, historiani Appiani tregon si Apollo u hodhi ilirëve një sëmundje ngjitëse fatale, një murtajë, për shkak se në një nga sulmet e tyre disa fise në Cimbria dhe kryen një sulm në tempullin e Delfit. Kështu historiani i Aleksandrisë i përshkruante ata, si kur kishin kryer sakrilegje apo luftë të ndotur. Parë kjo del dhe perceptimi i përgjithshëm i lashtë mbi Ilirët, ndaj edhe burojnë edhe portretizimet e ulëta për Teutën dhe Dhimitrin e Farit, përkatësisht udhëheqësit Ilirë të luftërave të para dhe të dyta iliro-romake; por vetëm një analizë më e thellë e këtyre burimeve, do të tregonte thellësinë e paragjykimeve anti-Ilire të burimeve të lashta. 

Mbretëresha Teuta shihet nga Polybi si nxitësja kryesore e luftës së parë iliro-romake. Ai e percepton atë si arrogante dhe të çartur, si e joshur nga fitoret e ushtrinë e saj ndaj qyteteve bregdetare greke, duke thënë si “me që ishte grua, ajo ishte dritëshkurtër nga natyra. Ajo nuk shikonte asgjë para, por vetëm suksesin e fundit dhe s‘ kishte parashikuar se për çfarë duhej të shkonte në vende të tjera”. Ndërsa më vonë, kur të dërguarit romakë, Coruncanii, shkojnë tek Teuta për t’u ankuar rreth bastisjeve ilire, Polibi përmend se si “Teuta gjatë gjithë audiencës, i dëgjoi ata me një arrogancë mbizotëruese “. Më në fund , Polibi pretendon se ajo “sfidoi ligjin, pasi ajo dërgoi emisarët e saj për ta vrarë Coruncanius. 

Historiani Eckstein e sheh këtë portretizim, si pjesë të trajtimit të përgjithshëm të Polibit për gratë. Ai thekson se Polibi pat ndjekur pikëpamjen e elitës mashkullore greke, se gratë ishin një “forcë çrregulluese brenda shoqërisë “, dhe një kërcënim me demonstrimet  e tyre” hiperemocionale ” të natyrshme.

Polibi dhe koncepti anti-ilir i studuesit francez, Maurice Holleaux

Në atë kohë, shqetësim tragjik serioz, ishte se Greqia ishte trazuar dhe frikësuar nga “pirateria ilire”.  Ky karakterizim i deklaratave të Maurice Holleaux që ishte një historian, arkeolog dhe epigraf francez i shekujve 19-20, specialist i Greqisë së Lashtë, zuri fill brenda studimit të tij, mbi marrëdhëniet romako-helene, në mënyrë që të theksohej se qe pirateria ilire si shkaku i përfshirjes së Romës në punët e Greqisë. Holleaux theksoi disa burime për ta mbështetur pohimin e tij e për të fajësuar ilirët. Për shembull, ai e fillonte teorinë e tij në një seksion në Kembrixhit me një leksion me titull “Pirateria ilire” me ketë përgjithësim. “Midis të lashtëve të Adriatikut kishte disa thënie më të hershme me një reputacion të keq për ilirët, madje qysh nga Athina e shekullit të V-të, përdorej shprehja “të lundroje Adriatikun” që ishte një frazë proverbiale, sipas tij që do të thoshte të rrezikoje, të ndërmerrje një aventurë të rrezikshme.

Kjo i referohej një numër fjalimesh të Lisias që komentonte shqetësimin e tregtarëve athinas kur dërgonin anijet e tyre në Adriatik. Ai e ndërtoi këtë teori, duke cituar Livian në një pasazh për një ekspeditë detare spartane të vitit 302 pes, e cila përshkruante rreziqet e Adriatikut, duke përfshirë “… Ilirët, Liburnët dhe Istrianët që sipas tij, ishin fiset më të egra dhe më të famshmet të piratëve. Për aktet e piraterisë “Holleaux gjithashtu pretendonte se në fillim shekullit të IV-t, tirani i Sirakuzës “Dionis Plaku ishte përpjekur për të frenuar aktivitetet e tyre  “, por me rënien e tij nga pushteti në Adriatik, u shfaq përsëri “, pirateria mes ilirëve si një sëmundje endemike, që vazhdoi të ishte murtaja e tyre për vite”. Ky imazh e Ilirëve tek ai ishte aq i ngulitur sa Holleaux e theksoi gjer më  1928. 

Ky pohim është i bazuar tek Diodorus, cili thoshte se si tirani i Sirakuzës, ngriti koloni në Lissus (Lezhë) dhe në Apuglia, kundër piratëve dhe qysh në 384 pes dhe se  guvernatori pat dërguari një forcë detare triremëshe kundër lembeve, (anijeve të shpejta drejtuar nga ilirët ), të cilët kishin qenë punësuar për të sulmuar kolonistët grekë në Pharos. (Far)

Holleaux thotë se Ilirët gjatë shekullit të tretë e bënë zakon të përhapeshin “deri në detin Jon dhe ai argumentonte, që kjo praktikë u rinovua përmes udhëheqjes e Agronit pasardhëses së tij Teutës, si dhe Dhimitër Farit, dhe se “ pirateria ilire ” nën ta u bë një institucion publik dhe një industri kombëtare “. Dhe kjo, sipas tij, ishte si rezultat i faktit, që Roma u ngatërrua në punët e Greqisë, së pari në 230-229 pes, kur  anijet ilire, sulmuan tregtarët italikë dhe vranë një nga të dërguarit romakë të çuar për të hetuar, dhe së dyti në vitin 219 pes, kur Dhimitër i Farit dërgoi skuadrone të tëra me lembe në detin Jon, duke thyer traktatin iliro-romak të vitit 228 pes. 

Kjo teori u ndesh me kritikat konstruktive të historianit Harry Dell-it në vitin 1967 që bëri pohim të fortë të pranuar gjerësisht, se fenomeni i piraterisë ilire ishte një fenomen afatgjatë, dhe cilësonte disa nga të metat serioze të Holleaux’s. Dell besonte se ishte e nevojshme për lundrimin e anijeve të lashta që t’i afroheshin bregdetit për siguri, dhe që kjo për shkakun se lundrimi me vela, përgjatë anës lindore të Adriatikut për të përfituar nga rrymat dhe portet e shumtë, ndryshe nga ai i bregut perëndimor, qe më i ashpër dhe i vështirë në anën lindore, që qe njëkohësisht i rrahur nga era quajtur ‘bora’, e të dyja bashkë godisnin si në verë dhe dimër dhe mund ta kapte një barkë papritur në befasi. Prandaj për të parandaluar mbytjet e anijeve marinarët përpiqeshin t’i shmangnin rreziqet nga bregu në anën perëndimore, dhe kalonin në anën lindore. Më tej historianët, Horden dhe Purcell p.sh  argumentuan për një teori më komplekse të anijeve që lëviznin me korsi, duke theksuar se opsionet e shumta për lundrim në det vareshin nga tregtarët. Megjithatë, ata nuk e kundërshtojnë argumentin e Dell-it në lidhje me rreziqet fizike të lundrimit në Adriatik.

Fundi i pjesës së parë, vijon

===

Karakteri i Fortë i Mbretëreshës Teuta 

Pjesa e dytë 

queen-teuta-illyria

Mbretëresha ilire, Teuta, ishte një grua e re me një karakter të vendosur; ajo kishte pasuar bashkëshortin e saj Agronin pas vdekjes se parakohshme, dhe ajo përdori aftësitë e saj për ta mbajtur së bashku mbretërinë e bashkëshortit të saj, në emër të djalit të mitur Pinnes të Agronit me shemrën e saj gruan e parë të Agronit, Triteutën. Ajo mbahet mend si simpatike, inteligjente, diplomatike, energjike dhe, mbi të gjitha, e vendosur për të vazhduar politikën ekspansioniste të Agronit në Adriatik. 

Teuta qe ambicioze, ajo e mori pushtetin në emër të trashëgimtarit të ri në fron Pinnesit. Qëndrimi i saj agresiv kundër Romës ishte një vazhdimësi e qëndrimit të burrit të saj dhe ajo e përdori flotën e tij pirate, të pajisur dhe të mirëmbajtur mirë, për të sulmuar qytetet greke, të cilat për Romën kishin një rëndësi kardinale edhe në funksion të konfliktit ushtarak me Kartagjenën. Ndaj lundrimi dhe tregtia e sigurt në Adriatik shiheshin nga Roma të ishin një rrugë shpëtimi gjatë kësaj periudhe.  

Mbretëresha Teuta jo vetëm që e menaxhoi piraterinë, por sillet e tregohet vazhdimisht me rolin e saj si një mbretëreshë luftëtare. Burimi kryesor historik është greku  Polibi (Polybius)i cili tregoi jetën e saj tragjike në Tregimet e tij. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj Agronit, duke e kuptuar gjendjen e vështirë ekonomike të popullit të vet, mbretëresha: “mblodhi një flotë dhe një ushtri jo më inferiore se ato të mëparshmet, dhe e dërgoi në një ekspeditë ndaj kolonive greke, pasi u tregoi drejtuesve të flotës ilire se i gjithë bregu duhej konsideruar si territor armik”. Një politikë agresive kjo, që do të kishte siguruar jo vetëm kontrollin e të gjithë rajonit, por edhe të trafikut detar që zhvillohej aty. 

Në të njëjtën kohë, në Luftën e Parë Puniko-Romake (264 p.e.s. – 241 p.e.s.), romakët kishin pushtuar Kartagjenën, duke asgjësuar për momentin fuqinë e detare punike në rajonin jugor dhe ishin të interesuar të zgjeroheshin edhe në Tirren dhe Mesdheun Perëndimor. Forcimi ushtarak ilir, me aleancat gjithnjë e më strategjike, bastisjet tokësore dhe detare të vetëfinancuara dhe bllokimi i tregtisë në Adriatikun e poshtëm, synonte kontrollin e brigjeve greke të Epirit dhe Maqedonisë dhe pengonte tregtinë e lidhur me Italinë, prandaj Roma vendosi se nuk mund të anashkalohej kërcënimi shqetësues i këtij populli luftëtar. 

Polybi thotë se, për të arritur një zgjidhje Roma dërgoi dy ambasadorët, Gaius dhe Lucius Coruncanius, me shpresën për të gjetur një marrëveshje paqësore me mbretëreshën.  Po sërish, sipas Polibit, Teuta i priti ambasadorët romakë me një mënyrë “arrogante dhe krenare”. Kërkesave të ambasadorëve ajo iu përgjigj, se për sa i përket shtetit të saj, ajo do të kujdesej që të mos dëmtoheshin interesat e Romës, por dhe qytetarët privatë ilirë duke mos i ndaluar veprimet e tyre në det (në thelb duke legjitimuar veprimtarinë e tyre). Më i riu nga ambasadorët romakë u përgjigj me ngut: «…ne do të përpiqemi, me ndihmën hyjnore, t’ju detyrojmë me forcë dhe shpejt ju do të korrigjoni zakonet e mbretërve ndaj ilirëve».

Teuta: Power-Hungry Notorious Female Villain Who Underestimated The Romans' Dominance

Kjo përgjigje nuk i pëlqeu mbretëreshës, e cila si kundërpërgjigje, e vrau ambasadorin e ri. Natyrisht, kur lajmi arriti në Romë, Senati Romak vendosi ta niste luftën në pranverën e vitit 229 para Krishtit, duke marrë ca kohë sa për të regjistruar legjionet dhe për të organizuar flotën. 

Në atë periudhë romakët zotëronin një flotë të fuqishme dhe të stërvitur, me veteranë të betejave punike. Ky vendim nuk kaloi pa u vënë re (në atë kohë ekzistonin edhe spiunë) dhe flota dhe ushtria ilire plaçkitën ishujt grekë pranë Korkyrës, duke pushtuar Feniksin dhe duke vrarë disa tregtarë italianë. Marrja e qytetit dhe plaçka e madhe që u mor prej tij, i bindi ilirët që ta kufizonin veprimtarinë e tyre dhe të ktheheshin në tokat e veta e të lidhnin aleancë me epirotët dhe akarnaanët, të tmerruar me vendosmërinë dhe nga ky demonstrim i forcës ilire. Teuta ngriti shpejt një flotë edhe më të madhe se ajo e mëparshmja dhe e dërgoi sërish drejt Korkyrës, dhe ishujve aty pranë dhe brigjeve të Epirit, strategjikisht të rëndësishme në afrimin e përplasjes me Romën. Natyrisht, kjo ndërhyrje çoi në një përplasje me grekët. Betejë detare që pasoi u zhvillua pranë ishujve Paxos.

Historiani frëng Holleaux  riprodhon me skllavëri besnikërisht paragjykimet anti- ilire të Polibit ; ai nuk e  përdor Polibin dhe faktet e tij për një rindërtim edhe të anës ilire të historisë. Kjo është demonstruar padyshim nga pranimi i përshkrimit të Polibit ‘ i mbretëreshës Teuta gjatë intervistës me ambasadorët romakë, ku ai e quan sjelljen saj “si të paarsyeshme dhe kryeneçe “. Pa ndonjë koment në lidhje natyrën armiqësore të burimit,  Holleaux tek fjalimi Mbi luftërat ilire, na siguron me fusnota se komentet mbi Polibin, ai thekson se, padyshim, se qe i paplotë ose i pasaktë në disa pika, por në tërësi qe i besueshëm, komente që përgjithësisht që mbahen të bazuara tek Fabius Pictor. Vetë Polibi kishte dyshime në lidhje me besueshmërinë e burimeve të veta për ngjarjet para viteve 220 para Krishtit, sepse ato ishin jashtë periudhës së tij dhe se ngjarjet ishin të një date të mëparshme, dhe se ai po përsëriste thjesht dëshmi gojore, dhe se nuk qe i sigurt as vetë për vlerësimet dhe pohimet e tij. 

Taktikat e Teutës 

Ilirët, të përforcuar nga shtatë anije të dërguara nga Acarnanianët, u përplasën me flotën akease pranë ishullit Paxos. Disa anije ilire lundruan drejt Korkyrës, ndërsa një pjesë tjetër u ankoruan në portin e Epidamit, (Durrësit) ku zbarkuan disa trupa me justifikimin e furnizimit me ujë për ta kapur qytetin në befasi nga pas. Pas një përpjekjeje të dështuar për ta marrë qytetin, komandantët ilirë iu bashkuan pjesës tjetër të flotës që po i afrohej Korkyrës.

Teuta zbatoi një taktikë revolucionare. Ai vendosi të sakrifikonte disa anije, duke i paraqitur ato përkrah kundërshtarëve të saj dhe duke inkurajuar kështu përplasjen e tyre me akejtë; kur anijet e armikut goditnin anash me sqepa, ato mbetën të bllokuara në lëvizjet e tyre, dhe ilirët kështu mundën t’u hipnin lembeve të tjera me një numër më të madh ushtarësh dhe të largoheshin.

Prandaj, sukseset ilire u përhapën në të dy anët e Adriatikut. Përveç kësaj, burimet tregojnë, besoj, një admirim për mjetet lundruese dhe detarinë e ilirëve. Për shembull, në betejë detare në Coryca, Polibi thotë se si “ilirët i lidhën lembet e tyre së bashku në tufa prej katërsh” në mënyrë që të përqendronin numrin e tyre kundër katëremësheve dhe pesëremësheve të mëdha akeane. Ky reputacion i përhapur gjerësisht për detarinë dhe anijet e shpejta, krahas gatishmërisë për të organizuar bastisje detare dhe për të siguruar përfitime territoriale, ishte ajo që i vuri në sy Romës, ilirët; reputacion që ishte kritik në gjenerimin e motiveve zyrtare të publikuara nga romakët për justifikimin e tyre të dy fushatave. Ilirët kështu në fakt u bënë viktima të suksesit të vet.

Në këtë mënyrë, ilirët mundën të kapnin katër katërremwshe dhe të fundosnin një pesëremëshe. Polibi vazhdon se : “Në të njëjtën periudhë, nga ata që mbanin vulën dikonsulare, Gnaeus Fulvius u nis nga Roma me dyqind anije, ndërsa Aulus Postumius u largua në drejtim të Ilirisë me forcat tokësore …” Mbretëresha Teuta pasi mori Phoinike,(Finiqin) i ktheu sytë nga kolonitë greke të Epidamnit, Apolonisë dhe ishujve Issa (Visi modern) dhe Korcyra (Korfuzit). Pasi pushtoi Korkyrën, Teuta ia la të afërmin e saj Dhimitër të Farit ta sundonte ishullin, që ishte veçanërisht i rëndësishëm, për kalimin e kontrolluar nga porti në detin Adriatik. Romakët dërguan aty të dërguarit Gaius dhe Lucius Coruncanius dhe një përfaqësues nga Issa, Cleemporius për t’u drejtuar mbretëreshës ilire për të negociuar përfundimin e sulmeve. Nuk është e qartë çfarë ndodhi më pas, sipas (Pająkowski 1981: 185–189), por supozohet se Teuta kishte kryer një akt të tillë që kishte vrarë të dërguarit e Romës dhe kishte plaçkitur anijet romake.

Tradhtia e Dhimitër Farit 

Beteja ishte e pabarabartë, por  mbretëresha, u mund edhe për shkak të tradhtisë së komandantit Dhimitër të Farit, i cili aspironte për fronin e ilirëve. Ndërsa flota romake iu afrua Korkyrës, Dhimitri,  «duke qenë në qendër të shpifjeve, dhe duke u frikësuar nga Teuta, u dërgoi mesazhe romakëve, duke u premtuar se do t’ua dorëzonte qytetin në duart e tyre dhe do t’u dorëzonte atyre të gjitha gjërat mbi të cilat ai kishte kontroll. Kështu Korkurasit […] e dorëzuan garnizonin e ilirëve romakëve, në përputhje me vullnetin e Dhimitrit dhe, të ftuar për ta bërë këtë, ata arritën një marrëveshje reciproke u vunë nën mbrojtjen e romakëve.”

Dhimitri, duke kuptuar se çdo rezistencë ishte e kotë, ua kishte dorëzuar ishullin konsujve romakë Postumius Albinus dhe Fulvius Centumalus kështu në vitin 228, Korkyra u bë baza romake për operacionet në bregun lindor të Adriatikut; prej nga ku flota romake u nis drejt Apolonisë, ndërsa ushtria e udhëhequr nga Postumius, e përbërë nga 20.000 këmbësorë dhe 2.000 kalorës, u transportua aty nga Brindizi. 

Nëse e mendoni mirë, ne jemi përballë një zbarkimi me përmasa kolosale për kohën (shek. III p.e.s.), i planifikuar në mënyrë perfekte nga romakët.  Ilirët, natën në fillim të mbërritjes ata u tërhoqën me nxitim dhe romakët arritën në Skodra (Shkodër), në kryeqytetin e ilirëve, duke e vënë atë në zjarr dhe në shpatë.

Dyshimet që rënduan mbi Dhimitrin dhe e bënë atë të frikësohej nga mbretëresha Teuta, siç tregon Polibi, janë ndoshta dyshime për tradhti dhe komplote për trashëgiminë. Kjo kuptohet se pas vdekjes së Teutës, e cila ishte kujdestare e trashëgimtarit legjitim të fronit, Pinnes, Dhimitri u martua me nënën e tij, gruan tjetër të Agronit, Triteuta, duke u bërë kështu kujdestar dhe regjent në vend të Teutës.

Ndaj supozohet se marrëdhënia e besimit midis Teutës dhe Dhimitrit ishte tashmë e ndryshuar dhe se në Korkyra ai e kishte tërhequr tashmë popullsinë lokale greke në interesin e tij personal, kundër synimeve të zgjerimit të mbretërisë ilire të Agronit dhe më pas të vetë Teutës.

Ilirët që rrethonin Epidamin, me të dëgjuar lajmin për ardhjen e romakëve, u larguan. Romakët përparuan drejt kryeqytetit të Teutës, duke u mirëpritur gradualisht në Epidam duke vënë, Ardianët, Parthianët, Atintanët dhe Issejt nën mbrojtjen e tyre.

Rhizoni qëndresa e fundit e Teutës 

Teutës iu desh të ikte, duke u strehuar me disa besnikë në Rhizon në Grykën e Kotorrit, i cili ishte larg detit dhe i fortifikuar mirë nga ku e kishte origjinën. Romakët e lanë Dhimitrin në krye të një domeni të gjerë të përbërë nga protektorate të kontrolluara nga garnizonet romake. Shumica e flotës dhe ushtrisë u kthyen në Itali me Gnaeus Fulvius ndërsa Postumius, me pjesën tjetër të njerëzve dhe anijeve, mbeti si “këshilltar ushtarak” për të organizuar forcat e armatosura të popullatave që kërkuan mbrojtje nga romakët.

Në pranverë, Teuta dërgoi ambasadorë në Romë dhe përfundoi paktin e dorëzimit, i cili e detyroi mbretëreshën të tërhiqej nga pjesa më e madhe e trojeve ilire, t’i paguante haraç Romës dhe, mbi të gjitha, të merrte përsipër të hiqte dorë nga Iliria e poshtme dhe të ndalonte  çdo veprim piraterie ose ushtarak në jug të Lissit.

mappa balcanica periodo romano

Zona e Ballkanit në luftën e parë Iliro-Romake .Professor G. Droysens Allgemeiner Historischer Handatlas by R. Andree

Për më tepër, asaj iu desh të paguante edhe një haraç vjetor, e të pranonte supremacinë e Romës dhe të dorëzonte të burgosurit e saj. Ajo kurrë nuk kërkoi falje për aktet e saj. Ajo kërkoi vetëm falje për aktet e piraterisë për të cilat kishte qenë përgjegjës burri i saj, Agroni.

Rhizoni ishte kryeqyteti i mbretërisë ilire të Ardianëve. Gjatë sundimit romak ai njihej si Rhizinium. Rhizoni është vendbanimi më i vjetër në Gjirin e Kotorrit dhe sot qyteti modern i Risanit (në Malin i Zi modern) që qëndron pranë qytetit të vjetër.

Fillimisht ai qe një vendbanim ilir që u zhvillua gradualisht dhe u bë kryeqyteti i Mbretërisë Ilire Ardiane nën Agronin dhe Teutën. Ai ishte kalaja e fundit e mbretëreshës Teuta në luftën e parë ilire kundër romakëve. Ai e ruajti statusin e tij si një vendbanim i rëndësishëm rajonal edhe në epokën romake.

Fillimisht në territorin e ilir, qyteti dëshmohet në greqishten e vjetër si Ῥίζων dhe në latinisht si Risinium. Toponimi është krahasuar me shqipen: rrjedh, që do të thotë ‘rrjedhë’, ‘përrua’, që rrjedh nga proto-indoevropianishtja *(H)reǵ- ‘rrjedhje’, prej nga do të thotë ‘lum’, ‘përrua’ etj. Rhizoni ishte një nga tre kështjellat ilire në kodrat me pamje nga Gjiri i Kotorrit.

Herodiani (shek. II pas Krishtit) përmend se Rhizoni e kishte marrë emrin nga Rizoni, djali i Kadmit dhe vëllai i Ilirit. Përmendja më e hershme e Rhizonit daton në shekullin e IV pes në Periplus të Pseudo-Scylax i cili e përmend atë si një vendbanim të Enkelejve. Më vonë u zhvillua si vendbanim i një fisi tjetër ilir, të Ardianëve. Rhizoni kishte qenë kështjella kryesore në shtetin ilir nën Agronin ku mbretëresha Teuta u strehua gjatë Luftërave Ilire. Gjatë mbretërimit të shkurtër të mbretëreshës ilire Teuta, Rhizon u bë kryeqyteti i shtetit të saj. 

Në kohën romake, Rhizinium është dokumentuar si një oppidum civium Romanorum. Ku thuhet se dy rrugë romake kalonin përmes Gjirit të Kotorrit. Koha më e begatë për Rhizinium Romak erdhi gjatë shekujve 1 dhe 2, kur u ndërtuan vila të mëdha në zonë dhe qyteti kishte 10,000 banorë. Pesë mozaikë janë mbetjet më të vlefshme të asaj periudhe – jo vetëm për Risanin por edhe për Malin e Zi. Njëra e ruajtura më mirë tregon Hypnos, hyjninë greke të gjumit. Është i vetmi imazh i njohur i këtij lloji në Ballkan. Arkeologu i famshëm Sir Arthur Evans udhëhoqi ato gërmime fillestare aty qysh në 1885.

Zoti mbrojtës i Rhizon/Risinium ishte hyjnia ilire e luftës, Medaurus. Medaurus përmendet në një kushtim të gdhendur në Lambaesis (Afrika e Veriut) nga një legatus romak me origjinë nga Risinium dhe në dy mbishkrime të tjera të gjetura në Risinium dhe Santa Maria di Leuca (Lecce). Dedikimi i Lambaesis tregon gjithashtu se aty ishte ngritur një statujë kuajsh të Medaurus, me gjasë kopja e një statuje monumentale e vendosur në Risinium. Kërkimet arkeologjike në Risinium në shekullin e 21-të sugjerojnë se statuja e Medaurus ishte vendosur në një bazë prej të paktën 15×20 m, dhe e vendosur në akropolin ku dominonte qytetin. Pushtimet e mëvonshme të avarëve dhe sllavëve e lanë qytetin të shkretë. Referenca e fundit e një peshkopi në Risan daton në vitin 595 pes.

Kohët e fundit arkeologët e Varshavës zbuluan pallatin e parë të njohur të mbretërve ilirë në Mal të Zi. “Ky është një zbulim i madh dhe kardinal, i cili zgjeron befas njohuritë për funksionimin e pushtetit mbretëror në Iliri” – tha arkeologu Prof. Piotr Dyczek.

Rhizoni ilir qe një pjesë e përhershme e historisë së Romës së lashtë. Studiuesit nga Qendra Kërkimore e Antikitetit të Evropës Juglindore të Universitetit të Varshavës filluan gërmimet në vitin 2000. Deri më tani, puna e tyre ka lejuar, ndër të tjera, të rishikojnë pikëpamjet e historianëve për rendin e mbretërimit të sundimtarëve ilirë. Sundimi i mbretit Ballaios është zhvendosur një shekull pas – sundimtari nuk ishte pasardhësi i Mbretëreshës Teuta, por paraardhësi i saj. 

“Të gjitha të dhënat që kemi marrë tregojnë se kemi zbuluar kompleksin helenistik të pallateve të sundimtarëve të Rhizonit. Këto janë strukturat e para të këtij lloji të zbuluara në zonën e Ilirisë, të cilat mund t’i përkasin mbretit Ballaios dhe Teutës. Deri më tani nuk kishim dijeni edhe nëse struktura të tilla kanë ekzistuar” – theksoi Prof. Dyczek.

“Vendndodhja e ndërtesave, shkalla e tyre, plani dhe teknikat e përdorura të ndërtimit janë krejtësisht të pazakonta dhe unike, kur krahasohen me shembujt e njohur më parë të arkitekturës ilire, duke përfshirë strukturat e zbuluara tashmë në Rhizonit. Duket se ne kemi zbuluar një vend të njohur nga burime nga lashtësia.

Enigma e vetëvrasjes së Teutës

Pasi Teuta u tërhoq në Rhizon, baza kryesore e flotës ilire, ku strehohej gjatë Luftërave me Romën. Në vitin 227 para Krishtit, ajo më në fund u rrethua. Pas dy fushatave të tjera, Republika Romake arriti t’i nënshtronte ilirët gjatë shekullit II para Krishtit. Më vonë kur Teuta protestoi për pozicionin e saj të ri, ajo e humbi pushtetin përgjithmonë.

Teuta kërkoi strehë për një kohë  “shumë të vogël” në Rhizon, nga ku ajo komandonte aksionin. Humbja e luftës në pranverën e 228 para Krishtit, bëri që ajo të pranonte të paguante haraç, të tërhiqej pothuajse nga e gjithë Iliria –dhe kufiri i jugut i mbretërisë së saj ishte vendosur në lumin Ardaxan (Mati i sotëm) – dhe jo të lëvizte me më shumë se dy anije të armatosura nga Issa në çdo kohë. Ajo gjithashtu u detyrua t’ia dorëzonte fronin Pinnes-it, djalit të mitur të Argonit nga martesa e tij e parë me Triteutën, si garanci se marrëveshja do të mbahej. (sipas Pająkowski 1981: 191–192). 

Duke shfrytëzuar këtë mundësi, Roma u vendosur në Adriatik, pasi kishte aneksuar disa poste të rëndësishme, duke ia besuar qeverisjen e ishujve dhe brigjeve dalmatike “tradhtarit” Dhimitrit. Ajo kishte bërë degë të saj një mbretëri në brigjet lindore të detit Adriatik, dhe kishte pushtuar me shumë simpati kolonitë e popullsive greke, të cilat, të vetëdijshme për fuqinë e saj gjithnjë në rritje, filluan ta konsiderojnë Romën si mbrojtësen e tyre. Në fakt, vetëm në vitin 228 romakët u pranuan nga grekët në lojërat isthmiane, të dytat pas atyre olimpike.

Përkundrazi, pavarësia e popullit ilir po zhdukej. Emri i mbretëreshës Teuta, e cila kishte drejtuar  piraterinë e popullit të saj me gjithë agresionin dhe pamëshirshmërinë e një sundimtari mashkull, i kishte dhënë zë për një kohë të shkurtër asaj dhe ilirëve.

Nga ana tjetër, Dhimitri, i nxitur nga Filipi V i Maqedonisë, ishte kthyer kundër Romës, duke iu përkushtuar piraterisë. Më tej i rrethuar nga konsulli Lucius Emilius Paulus në kështjellën e Dimalit, ku ishte barrikaduar, ai u mund, dhe u tërhoq nën mbrojtjen e Filipit në Maqedoni. 

Shumë pak dihet, për pjesën tjetër të jetës së Teutës. Sipas gojëdhënave të banorëve modernë të Risanit, Teuta i dha fund jetës, duke u hedhur nga Maja e Orjenit. Thjeshtri i saj Pinnes më në fund u bë mbret, por ai vdiq papritur në vitin 217 para Krishtit në moshën 15-vjeçare dhe në fakt, ai nuk arriti të sundojë kurrë.

Mbretëresha ilire do të mbetet gjithmonë një figurë mitike dhe legjendare në lidhjen mes Lindjes dhe Perëndimit. Popullsia ilire fliste një gjuhë indoevropiane. Kjo lë vend një krahasim midis botës së Adriatikut, asaj Jonio-Mesdhetare dhe asaj Mesdhetare që shkon përtej detit Tirren. Teuta, qe një figurë legjendare e historisë dhe realitetit mitiko-gjeografik të një toke të quajtur Shqipëri.

Greku Polibus nuk e përmend më fatin e Teutës: pasi e përshkruan atë si një personazh krejtësisht negativ, ai nuk merret fare, as me fundin e saj. Gjithçka që dimë është se në kohën e luftës së dytë ilire, në vitin 219 p.e.s., mbretëresha e madhe Teuta tashmë kishte vdekur. 

Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me Teutën pas këtyre ngjarjeve. Historia që romakët e dënuan me ekzekutim me sëpatë, nuk duket të jetë e besueshme. Por një legjendë tregon se Teuta kreu vetëvrasje sepse i konsideronte shumë poshtëruese kushtet e dorëzimit të vendosura nga romakët. Ky na duket një fund më dinjitoz se ai i pasuesit të saj Dhimitër dhe ne na pëlqen ta kujtojmë ashtu.

Kështu vdiq kjo mbretëreshë e madhe, zonja e detit, duke lënë emrin e saj me dafinat e lavdisë në pafundësi.

Bibliografia

  • Shaban Demiraj, La lingua albanese in Emanuele Banfi (a cura di), La formazione dell’Europa linguistica, Firenze, La Nuova Italia, 1993. ISBN 88-221-1261-X.
  • Francisco Villar, Gli Indoeuropei e le origini dell’Europa, Bologna, Il Mulino, 1997. ISBN 88-15-05708-0.
  • Badian, E. 1952 “Notes on Roman policy in Illyria” PBSR 20, 72-93. Braund, D.C. 1993 
  • “Piracy under the principate and the ideology of imperial eradication” in, War and Society in the Roman World, J.Rich & G.Shipley (eds.) London, 195-212. Crawford, M.H. 1978 
  • The Roman Republic London. Dell, H.J. 1967 
  • “The origin and nature of Illyrian piracy” Historia 16, 344-58. Dell, H.J. 1970 
  • “Demetrius of Pharus and the Istrian War” Historia 19, 30-8. Derow, P.S. 1973 
  • “Polybius, Demetrius of Pharus, and the origins of the Second Illyrian War” Classical Philology 89, 46-59. 
  • Eckstein, A.M. 1995 Moral Vision in The Histories of Polybius University of California. Errington, R.M. 1971 
  • Epirus Oxford. Hammond, N.G.L. 1968 “Illyria, Rome and Macedon in 229-205 BC” JRS 58,1-21. Harris, W.V. 1979 War and Imperialism in Republican Rome 327-70 BC Oxford. Hartog, F. 1988
  • “The Romans in Illyria” in The Cambridge Ancient History VII, 822-57. 
  • Holleaux, M. 1952 Études d’épigraphie et d’histoire grecques Volume IV Paris. Wilkes, J.J. 1992 The Illyrian, Oxford: Blackwells 
  • Calvert Watkins, Il proto-indoeuropeo in Anna Giacalone Ramat, Paolo Ramat (a cura di), Le lingue indoeuropee, Bologna, Il Mulino, 1993. ISBN 88-15-03354-8.
  • Polibio, Storie, II, 4.
  • Piero Treves, Teuta, Enciclopedia Italiana (1937) – Istituto dell’Enciclopedia Italiana Treccani
  • Storia navale: Teuta, regina guerriera del mare di Andrea Mucedola
  • Teuta La regina “pirata” del mondo Illirico, di Pierfranco Bruni
  • Dedaliuls Illyrian piracy – ancient endemic or historical construct?
  • Dyczek, Piotr (2020). “Rhizon – capital of the Illyrian kingdom – some remarks”. In Krzysztof Jakubiak; Adam Lajtar (eds.). 
  • Ex Oriente Lux. Studies in Honour of Jolanta Młynarczyk. Wydawnictwa Uniwersytetu Warszawskiego. pp. 423–433.
  • Šašel Kos, Marjeta (1993). “Cadmus and Harmonia in Illyria”. Arheološki vestnik. 44.
  • Piotr Dyczek*From the history of ancient Rhizon/Risinium: Why Illyrian king Agron and queen Teuta came to a bad end and who was Ballaios?

…..

Filed Under: Ekonomi

Rexhep Boja, klerik i modelit rilindës

October 23, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

I nderuar që kisha mundësinë të paraqitem me kumtesëm tim:”Rexhep Boja, klerik i modelit rilindës,” në Konferencën Shkencore për Dr. Rexhep Bojën, të organizuar nga Bashkësia Islame.

Myftiu, intelektuali dhe ambasadori Rexhep Boja ishte një klerik që ndoqi një model të rilindësve. Njëkohësisht edhe ai vetë përfaqëson një model për brezat e rinj. Emri i tij lidhet me pavarësinë e BIK-ut si dhe lëvizjen kokbëtare për shtetin e Kosovës. Ai ishte ambasadori i parë në Lindjen e Mesme, rajon ky me peshë te veçantë dhe një shesh betejë për njohje të reja të shtetit të Kosovës.

Me profilin e tij Boja na kujtonte modelin e klerikut Vehbi Dibra, një intelektual dhe kryemyfti i parë i Shqipërisë dhe delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, na kujton Fan Nolin, letrar, prift dhe politikan, i cili Kishës Ortodokse i dha autoqefalinë, i dha vulën dhe zërin shqiptar, na kujton Imzot Mark Sopi, i cili ndoqi gjurmët e traditës së Kishës katolike ndër shqiptarë, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen shpirtërore nga ajo atdhetare.

“Fe dhe Atdhe” qe kurdoherë deviza e myftiu Rexhep Boja, liderit që me karizmën dhe vizionin e tij mishëronte prijësin fetar të modelit rilindës, theksova, në mes tjerash, në kumtesën time në konferencën shkencore: “Dr. Rexhep Boja- prijës, vizionar dhe burrështetas i shquar”.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT