• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

“Trump – Harris, zgjedhje midis reformave ose statuskuosë në ShBA” !

October 2, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Kanë mbetur rreth 30 ditë, ndërsa establishmenti politik, mediatiat dhe opinioni publik, në Washington si dhe kryeqytetet e BE, NATO-s, etj janë të fokusuara në zgjedhjen e Presidentit të 47 të ShBA-ve.

Në garë është rikthyer fuqishëm biznesmeni-Republikan Donald Trump, të cilin ndoshta “Zoti-vetë e shpëtoi nga 2 atentate”, ndërsa Demokratët me zv/Presidenten Kamala Harris, e cila po përpiqet “dhëmbë për dhëmbë” të mbajë Shtëpinë e Bardhë duke u përballur me (pa) mundësinë shëndetësore, arritjet dhe dështimet e Presidencës Biden.

Ndërsa kjo përballje ka sigurisht të përbashkët ardhmërinë e ShBA, mbart gjithashtu edhe një kontrast të thellë mes dy rivaleve ndaj nevojës për reforma si dhe statuskuosë së rolit të Shtepisë së Bardhe dhe qeverisjes federale, ndaj krizës së besimit te demokracia, ekonominë, immigracionin, çështjet sociale, aborti, ambjentit, politika e jashtme: “marrëdheniet me NATO-n, BE, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Ballkanin, Rusinë, Kinën, etj”.

Platforma Trump: “dominohet nga një pakete politikash konservarore (të djathta) për të çliruar shtetin Amerikan nga “Deep State”, pra nga interesat e aktorëve të nënëdheshëm (të pa votuar), burokracia me kollare demokratike, korrupsioni, philanthropistët, orientimi majtist, etj”. Me fjalë të tjera për ta ç’burokratizuar, reformuar, modernizuar dhe forcuar pushtetin ekzekutiv të Sh.BA duke e “ri-bërë Amerikën edhe më të madhe/fortë, ose një superfuqi të pakonkurueshme edhe për shekujt që vijnë”!

Plaforma Harris: “një bashkim i projekteve Obama dhe Biden, pra një përpjekje për të ruajur statuskuonë si dhe modernizuar Shtepinë e Bardhe; tejkaluar krizën ekonomike, krizën e besimit te demokracia funksionale si dhe forcuar rolin dhe imazhin e USA në botë”.

Në këtë opinion, do të gjeni një përmbledhje krahasuese rreth “10 çështjeve thelbësore (ngjashmëritë & dallimet), në programet e Trump dhe Harris”, duke u përpjekur po ashtu për të ofruar një panoramë me mesazhe euroatlantike për votuesit shqiptarë jo vetëm në ShBA:

EKONOMIA:

Shumica e amerikanëve e konsiderojnë ekonominë si një nga faktorët me peshe thelbësore në zgjedhje. Sipas Byrosë së Statistikave, inflacioni 8% në 2023, ka shkaktuar shqetësim për standardet e jetesës.

Trump-2: rikthimin te reformat radikale ekonomike (2017-21): “kalimin nga taksat mbi të ardhurat në një taksë konsumi”; thjeshtimin e taksave mbi të ardhurat individuale nga: “15% mbi të ardhurat në pagën bazë dhe 30% të ardhurat mbi të si dhe uljen e normë se taksës së korporatave nga 21% në 18, ndërsa me krenari kujton që Trump-1 (2017-2021), e uli nga 35% në 21%”.

Harris: vijim i projektit Biden-2, pra një rritje të taksave për të pasurit dhe investime në programe sociale, pasi sipas Harris “qeveria duhet të luajë një rol aktiv në adresimin e pabarazive ekonomike”. Nga kjo qasje parashikon të mbledhen mbi 2 trilion $ për ti përdorur ato si investime në edukim dhe shëndetësi.

EMIGRACIONI:

Trump-2: bazohet në një politikë edhe më të rreptë (përveç murit-diçital) të kontrollit të kufijve nga emigracioni paligjshëm në SHBA. Sipas një sondazhi të Gallup, 65% e amerikanëve mbështesin rreziqet e emigracionit të paligjshëm, ndërsa programi Trump-2, parashikon arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve që jetojnë pa dokumente (ilegalë) në SHBA, duke përdorur edhe ushtrinë për zbatimin e ligjit.

Harris: premton një reformë të gjithanshme të emigracionit dhe thekson rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Ajo ka propozuar politika që lehtësojnë procesin e naturalizimit për ata që kanë kontribuar në shoqëri. Një raport nga Pew Research Center tregon se 78% e amerikanëve besojnë se emigrantët kontribuojnë pozitivisht në ekonominë amerikane.

ABORTI:

Trump-2: mbetet kritik ndaj politikave që mbështesin të drejtat e abortit. Edhe pse sipas 1 sondazht te Gallup 55% e amerikanëve mbështesin të drejtat e abortit, por Trump ka arritur të mobilizojë mbështetje nga konservatorët që janë kundër tij. Ndërsa kujton se Gjykata e Lartë vendosi që Kushtetuta nuk i jep të drejtën abortit, duke j’ua lënë shteteve në kopetencë. Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS): “do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”, si dhe ” do të miratojë mbrojtje ligjore më të fuqishme për lindjet e reja, vecanerisht per parandalimin e shtatzënisë në adoleshencë”.

Harris: mbështetëse e të drejtave të abortit dhe për të garantuar aksesin në shërbimet shëndetësore për gratë. Ajo beson se çdo grua duhet të ketë të drejtë të vendosë për trupin e saj, duke ju referaur raportit të Guttmacher Institute, ku 69% e amerikanëve mbështesin këtë qasje.

POLITIKA E JASHTME

Trump-2: një politikë të fortë konservatore, që nga kundërshtarët interpretohet si “izolim”, ndërsa Trump insiston se ShBA duhet të fokusohet më shumë në çështjet e brendshme (Amerika e para). Ai mbetet kritik ndaj disa marrëveshjeve ndërkombëtare si ajo e Parisit për Klimën, tregëtare, etj. Një sondazh i Gallup tregon se 56% e amerikanëve e mbështesin këtë qasje në politikën e jashtme.

Harris: SHBA duhet të luajnë një rol edhe me aktiv në skenën ndërkombëtare. Mbështet diplomacinë si mjet privalues/bazë për të zgjidhur konfliktet dhe për të promovuar paqen. Një raport nga Center for American Progress tregon se 70% e amerikanëve besojnë se diplomacia është e nevojshme (por jo e vetme) për të zgjidhur problemet globale dhe mbrojtur interesat dhe imazhin e USA në botë.

SHËNDETËSIA si dhe programet e mbrojtjes nga ndryshimet KLIMATERIKE

Trump-2: Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore: “do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”, duke promovuar opsione të tilla si “Medicare Advantage” që përfshin sigurimet private. Trump gjithashtu ka propozuar kuponë për të lejuar përfituesit të zgjedhin plane private, një përpjekje për të rritur konkurrencën në tregun e kujdesit shëndetësor.

Trump-2 parashikon të anullojë urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden për sa projektet për mbrojtjen nga ndryshimet klimaterike. Ai premton braktisjen e strategjive dhe programeve përfshirë ligjet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), të cilat i konsideron: “nxitësit kryesorë të industrisë së alarmit të ndryshimeve klimatike.”

Harris: edhe pse ka pasur disa ndryshime në qëndrimet e saj, vazhdon të mbrojë një sistem më të zgjeruar dhe më gjithëpërfshirës për Medicare. Ajo premton “Medicare për të gjithë”, që do të zëvëndësonte sigurimin privat me një program të menaxhuar nga qeveria, që synon të ofrojë mbulim të plotë shëndetsor për të gjithë qytetarët amerikanë.

SISTEMI ARSIMOR:

Trump-2: mbështet zgjerimin e përzgjedhjes dhe kuponëve shkollorë, të cilët do t’i lejonin prindërit të përdornin fondet publike për të dërguar fëmijët në shkolla private. Arsimi do t’u lihet kompetencë e 50 shteteve të SHBA për të përzgjedhur programet, duke argumentuar se kjo qase decentralizuar e “tregut Arsimor”, rrit konkurrencën dhe përmirëson cilësinë e arsimit. Trump mbetet kritik ndaj sindikatave të mësuesve dhe një rol më të kufizuar të Washingtonit në systemin arsimor, duke shkrirë Departamentin e Arsimit (DoE), programet e të cilit ose do transferohen në agjenci të tjera ose do ndërpriten.

Harris: fokusohet në investimin në shkollat publike dhe përmirësimin e infrastrukturës së tyre, pasi mendon se shteti e ka detyrim parësor arsimimin e amerikanëve. Ajo mbështet shtimin e pagave të mësuesve dhe prigrame për të zvogëluar pabarazitë arsimore. Harris mbështet qasje më gjithëpërfshirëse në edukimin parashkollor. Ndryshe nga Trump, ajo është kundër përdorimit të kuponëve për shkolla private, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të sistemit publik.

ÇËSHTJET SOCIALE

Trump-2: ka premtuar një axhendë konservatore për përmirësimin e sigurisë publike si dhe mbështetje për policinë. Ai angazhohet se do të ndihmojnë në uljen e kriminalitetit dhe do të krijojë një ambient më të sigurt për qytetarët. Një sondazh i Pew Research Center tregon se 62% e amerikanëve besojnë se duhet të ketë më shumë mbështetje për policinë. Pornografia të quhet krim si dhe premton heqjen e mbrojtjeve ligjore kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual, ngjyres, etj.

Harris: mbështetet reformën në sistemin e drejtësisë penale, pasi beson se është e nevojshme të adresohen pabarazitë racore dhe programe që mbështesin komunitetet e margjinalizuara. Një sondazh i Gallup tregon se 70% e amerikanëve mbështesin këtë reformë.

LUFTA NË UKRAINË:

Trump-2: mbeten ende keq-interpretime dhe dilemma të forta, rreth vendosmërisë së Trump për ta gjunjëzuar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht Rusinë – Putiniste. Edhe nga takimi para pak ditësh me presidentin Zelensky në Washington, Trump përsëriti se: “nëse do ishte President, Putini ma njeh mirë vendosmërinë, prandaj as nuk do kishte ndërmarrë këtë marrëzi në shkurt 2022”, ndërsa garantoi se: “Trump-2 do ta mbyllë luftën” pa dhënë detaje?! Mbas takimit edhe Zelensky konfirmoi se: “Trump/ShBA do të vazhdojë të mbështesë Ukrainen nëse ai zgjidhet nëntor”, ndërsa mohoi raportet që Ai/Zelensky mbështet rivalen demokrate Harris. Gjithësesi një sondazh i Pew Research Center tregon se edhe 54% e amerikanëve besojnë se USA duhet të jetë më e ashpër ndaj Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.

Harris: mbështje e fortë dhe pa kompromis deri në fitoren e Ukrainës, duke ri-konfirmuar vijimin e paketes se ndihmës ushtarake dhe financiare (disa qindar milliard $) për të mposhtur agresorët rus. Një raport nga Atlantic Council konfirmon se 78% e amerikanëve mbështesin ndihmën për Ukrainën.

LINDJA E MESME dhe BALLKANI PERËNDIMOR:

Trump-2: ka promovuar një axhendë të fortë për mbrojtjen e interesave Amerikane në Lindjen e Mesme si dhe Ballkanin Perëndimor. Kështu “zgjidhje të forta” ka edhe për ndalimin e përshallëzimit të konfliktit në lindjen e mesme, përballjen e Izraelit me Shtetet dhe Organizatat Terroriste (Hamasin, Hezbullah). Ndërsa për paqen në Ballkan, do të “imponohet” zbatimi i marrëveshjes së nënëshkruar në dhomën ovale, midis Serbisë dhe Kosovës në mandatin e Trump-1 (09/2020).

Harris: mbështet fort Izraelin. Ka përseritur shqetësimin dhe thirrjet për vetëpërmbejtje si dhe një qasje më të balancuar ndaj të drejtave të palestinezëve. Ajo premton se gjatë mandatit të Saj (nëse fiton) do të arrihet një zgjidhje e drejtë/pranueshme për të dy palët. Një raport nga Pew Research Center tregon se 52% e amerikanëve mbështesin paqen, bazuar në një marrevshje mirebesimi dhe të bashkëjetesës paqësore mes shteteve dhe popujve në rajon.

NATO-s, BE dhe KINA:

Trump-2: “një SHBA e pakonkurueshme, një NATO dhe BE më e fortë, pra për një botë edhe më e sigurt, mbeten qasja e fortë e projektit Trump-2”. Ndërkohë kujtojmë që falë edhe kërcënimit të Tij të shumëpërfolur: “vendet që nuk respektojnë këto kuota (2%) nuk do të mbrohen nga NATO”, nga më pak se 5 (2017) sot 25 vende anëtare kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP (2024), ndërsa BE arriti në 500 milard € shpenzimet për mbrojtjen.

Kinën e konsideron një kërcënim serioz për USA dhe ka premtuar një qasje edhe më agresive se në mandatin e tij të parë, duke përfshirë tarifa të larta ndaj importeve kineze dhe mundësinë e një marrëveshjeje të re me Xi Jinping, duke kritikuar ashpër Presidencën Biden – Kamela. Projekti shpreh gjithashtu shqetësim për vjedhjen kineze të pronësisë intelektuale dhe akuzon “Big-Tech” se veprojnë në emër të PKK për të minuar SHBA-në. Prandaj inkurajon evidentimin e “rrept” te kompanive të SHBA që kërkojnë të investojnë në Kinë, të cilat do të përballen me kufizime deri te revokimi lejes.

Harris: mbron vazhdimësinë e përkushtimit të SHBA-së ndaj NATO-s si gur themeli për sigurinë globale. Sa i përket Kinës, ka një qëndrim të vendosur kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe angazhimeve të Kinës në Detin e Kinës Jugore, duke e parë këtë si sfidë për rendin ndërkombëtar. Politikat do të jenë më të balancuara, duke promovuar bashkëpunimin ku është e mundur, por duke qëndruar të fortë kundër ndikimit ekonomik të Kinës edhe në Ballkan.

Reflektim Personal: për të mbetur i ndershëm me lexuesin dhe mijëra ndjekësit (përfshi respektin ndaj kritikëve), ri-konfirmoj se megjithë përpjekjen e sforcuar për ta parë si i paanshem përballjen Trump – Harris, nuk mund të mohoj konsideratën e lartë për qasjen e fortë konservatore, kurajon shtetare, vendosmërinë shembullore të ish-Presidentit Trump, si dhe shpresën se Trump-2 do t’ja dalë jo vetëm për USA, në këtë përballje. Kjo pasi, këto zgjedhje mbartin shpresë jo vetëm për ardhmerinë e ShBA, por edhe për paqen, rendin e sigurisë dhe vlerat demokratike në botë. Gjithësesi sondazhet e NBC News, tregojnë se Trump kryeson me 47%, ndaj Harris 45%, pra gara mbetet disi e hapur.

NË SHTESË, përveç analizës në tërësi, po paraqes edhe “tre mesazhe strategjike” që mund të nxjerrim nga kjo perballje në raport me interesat kombëtare si dhe ardhmërinë Euroatlantike të RSh dhe Kosovës:

Së pari, duke përsëritur mirënjohjen për mbështetjen vendimtare që ShBA i ka dhënë kombit për: “njohjen e pavarësisë 112 vjet më parë; çlirimin e Kosovës; anëtarësimin në NATO, etj”, shpresoj po ashtu se mbetet e skalitur në memorjen kombëtare edhe “Marrevëshja e Paqes” nënshkruar para 4 vjetesh nga dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi) në dhomën ovale, nën përkujdesjen e Trump-1: “paketë me investime strategjike si autostrada e paqes Beograd-Prishtinë, Port rajonal në ujërat e thella të Adriatikut, njohja nga Izraeli e Kosovës, etj”. Besimplotë që kjo marrëveshje do të “imponohen nga Trump-2 apo Harris”, përkundër riciklimit të oshilacioneve të Millosheviçit, etj mëndjendryshkur jo vetëm në Beograd.

Së dyti, si në 33 vitet që po lemë, edhe gjatë Trump-2 ose Harris, do të dështojnë me turp bollshevikët e moderuar në Tiranë apo Prishtinë, që nga fuqia e mbipushtetit, fotot me Presidentët, Senatorët, vizitat e personaliteteve, stërvitjet e USA/NATO-s, projektet ekonomike, distancimin nga lufta turpëruese për vulën e opozitës zyrtare, etj; “t’jua shesin shqiptarëve si mbështetje partiake apo personale nga Washingtoni zyrtar”, ndërsa presidëntet dhe Ambasadoret e USA në 112 vjet apo shekujt që vijnë: “kanë qenë dhe mbeten vetëm me Shqiptarët si dhe me interesat gjeopolitike të USA në rajon, mesdhe etj”!

Së treti, konsideruar kontekstin e kësaj përballje, besoj edhe më fort se edhe Shqipëria ka domosdosmëri jetike që pas 33 vjetesh, të tejkallojë krizën e pluralizmit fasadë, pasojat e shtetit të dështuar dhe të kapur, duke j’u ri-kthuer modelit të djathtës moderne, ku privalojnë: “Familja, Atdheu, Zoti, Vota, Tregu, Interesat Kombëtare, balancat demokratike të pushteteve dhe orientimi Euroatlantik i Kombit”.

Kështu, mbetem shpresëplotë se përball dalldisjes së makinerisë elektorale të pushtetit si dhe përtej “luftës së pisët” për në listën e të ndenjurave të opozitës në kuvend (përfshi Krye-Euroatlantikasin qesharak, trimërimin pas betejave turpëruese të Gasërve për të mbajtur karriken e skuth-Kryetarit kundër “babait të Zenit në 8 Janar 2022”; intelektualin e shquar dhe bejtexhiun e spikatur Gjekmarkaj, etj), shqiptarët do t’i ri-bashkohen misionit fisnik të 1991: “për Shqipërinë Demokratike si USA dhe gjithë Europa”!

Ndërsa për sa angazhimin tim politik në vijim (sigurisht pa lejen e kërrkujt), ri-konfirmoj se mbetem USHTAR i misionit të së djathtës Euroatlantike, që Shqipëria të bëhet demokratike si gjithë Europa, edhe për inat të këtij sekti politikanësh zullumqarë, shtetarësh kusarë, philanthopistë globalë, sovranistësh bollshevik dhe sekserëve të gjithë-pushteteve që 33 vitet e fundit kanë pushtuar vlerat konservatore dhe sundojnë me “kollare demokratike” kombin tonë të bekuar.

Dëshiroj gjithashtu ta përmbyll me një mesazh të Papa Françeskut, i cili duke vlerësuar politikën e ashpër të Trump ndaj emigracionit dhe të Harris për abortin, thotë që ʺ amerikanët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël…ʺ. Shpresoj që ky mesazh të vlejë edhe për mbarëshqiptarët jo vetëm në zgjedhjet e 2025.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Ekonomi

“I arratisuri”…

October 2, 2024 by s p

Miho Gjini/

“Të bëjmë të dëgjohen zërat e padëgjuar”, Papa Françesku.

Letërsia, edhe në të kaluarën, është përpjekur të jetë PASQYRË E KOHËS e atyre autorëve të talentuar e plot guxim që kanë rrokur e interpretuar “të veçantën” e njeriut e të shoqërisë, përbrenda fletëve të saj, herë tronditëse e herë gazmore. E destinuar t’i përballoj edhe kohërave të mëvonshme, teksa letërsia e një kohe i flet edhe një kohe tjetër që përsërit, befas, po ato gjëma e tipare të së kaluarës, që nuk duhen harruar asnjëherë nga brezat e së ardhmes!

Dhe, të mos habitemi, që kemi pasur e kemi ende, autorë “të padëgjuar”, që e meritojnë emrin e shkrimtarit e që duhen lexuar e vlerësuar. Duke e pasuruar letërsinë, por edhe duke “thyer mite” dhe paragjykime! Edhe kur ata janë “jashtë trungut mëmë”. “Se ti je aq jashtë, sa jam edhe unë brenda”,-thoshte Shekspiri… Para do kohe shkrimtari “i padëgjuar” Thanas Medi që ndodhet në Greqi (në hallet e kohës së vet), më fton për një kafe në Athinë dhe më jep për të lexuar librin e tij, që i kishte “përvëluar” shpirtin: “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” që dikush tjetër ia kishte mbajtur në sirtar me vite, të mbuluar nga heshtja, teksa romani i tij qe “shpërthyes” i një kohe dhe i një fisi nomad, që lëvizte ngarkuar me tragjeditë e “kasollet” e tyre mbi samarët e mushkave. Ndërsa s’ka pak kohe që më vjen nga Kanadaja një zarf i trashë që përmbante vetëm një libër, që po ashtu, përmbante “zjarre” përbrenda saj. Po për ato kohëra të së kaluarës që na shfytyruan si komb e si njerëz. Për të mos u habitur, si me Thanas Medin (kur befas e vlerësuan në Shqipëri si “shkrimtari më i mirë i vitit” e skeptikët kishin thirrur: “E nga na doli ky autor i padëgjuar kurrë”?! E tani çfarë duhet të themi për këtë kanadezin shqiptar, -për Taip Sulkon, që më dërgoi nga përtej oqeanit romanin e tij “I arratisuri”, për atë gjendje kaotike që na varfëroi si njerëz, që na rraskapiti e na ndëshkoi për 50 vite?! Po rumunëve, italianëve e grekëve që u “ngutën” ta botojnë sërish romanin e Medit, bile edhe ta xhirojnë kineastët e huaj si film artistik?

Nuk bëhet fjalë për të arratisurit nga kufiri, po për “të arratisurit nga vetja e tyre”, për largimet nga shtëpia e qyteti i tyre, nga stresi e mungesa e lirisë dhe e punës krijuese, kur s’dinë ç’të bëjnë, kur errësira, varfëria e dhuna “pushtojnë” vendin e ligështojnë frymëmarrjen. Është gati e njëllojtë me ato ikjet individuale a masive, më përtej kufirit shtetëror, për të shpëtuar e gjetur veten diku tjetër, ku ka ajër e liri vetiake… Në afërsi të absurdit! Kur s’ka liri të vërtetë, por dhunë, si në atë tablonë piktorike të Delakruasë, teksa gruaja Parisiane shqyen gjoksin e saj para bajonetave! Si një simbol evident. Kur jeta e njeriut barabitet si me qentë e rrugës. “Jetë qenësh” edhe për njerëzit. (Sabaçnij Zhizn!),-shprehej edhe Çehovi). Shkruhet për “kuisje qeni të egërsuar, që sapo e ka parë se i është drejtuar një tytë pushke” dhe që më pas do t’u drejtohet edhe njerëzve që kanë humbur lirinë e endeshin rrugëve. Ky është edhe subjekti e objekti i këtij libri rrëqethës që të krijon mornica trupit. Një ngjarje e madhe, si i vetmi fenomen kohor, dramatik e i ngjeshur, i cili “rrjedh në mënyrë kaotike”, si vetë sistemi i dikurshëm. E rrëfyer në trajtën vetiake, thuajse me një frymë, si monolog brejtës i një personi e i një shoqërie të tërë. Parashtruar në ngjarje, veprime e konflikte, si në dramë e tragjedi.

Dhe autori do të rrëfejë se si “arratisej (të parën herë), antiheroi i tij (alteregua), në një pyll, ku “do të ishte më mirë aty,-me kafshët e drurët, sesa me njerëzit”,-thotë ai. Ku do ta magjepste jeta e ciganëve që jetonin të lirë a “gjysmë të lirë”, buzë një lumi, në afërsi të pyllit. “Unë jam cigane, unë jam e lirë. Unë dua një mendje dhe krah që i thyen shtigjet”,-shprehet Anja, cigania bukuroshe që trulloste edhe burrat e fjetur… Se, “edhe mes ankthit dhe skamjes lindte vetveten”,- shpreh shkrimtari idenë e tij, në faqet e mëtejshme të këtij romani që “rrjedh e shkon” si ai lumi i rrëmbyer që merr me vete trungje, po edhe trupa të vrarësh të pabindur”!

Po e keqia mbetet (megjithatë) dhe hyn në jetën e njerëzve. Se vjen edhe “Qoftëlargu”, më i tmerrshëm akoma, i cili prish ëndërrimet e frikshme. E fletët e romanit mbushen me ankthe e me elemente reale, ireale, fantastike, me kobe, imazhe të frikshme dhe me të gjallët e të vdekurit bashkë. Ka aty imazhe surreale “me dreqër e shpirtëra të këqij”. Personazhet e romanit janë të tejmbushur me tipare e imazhe të qena e të paqena, të rrethuar nga e keqja dhe që pyesin: “jam, a s’jam në ëndërr”?! Dhe personazheve u duket se janë gjithmonë pas një dere që do të mbyllet një herë e përgjithmonë. Ndërkohë që shtrëngesa e sistemit rritej e presioni gjithashtu… Të gjithë këta personazhe,-shkruan autori. “futen në një qerthull të pakuptimtë dhe qesharak”. Duke mos ditur se ku ndahet kufiri midis së mirës dhe së keqes. Dhe “arratisja” e parë e personazhit kryesor, Ermirit, do të ndërpritet sa herë që i fanitet Jezu Krishti i mbërthyer në kryq!

Po në këtë “qerthull” do të zhvillohet edhe “arratisja dytë”. Po këtë herë do të jetë i ati i këtij djali që do të gjunjëzohet para Krishtit të mbërthyer me gozhda, gjersa t’i dalë edhe atij ëndërrimi i tmerrshëm. Ndërsa në “ëndërrimin e tretë”, kaplluar përbrenda arratisjes, do të kemi aventurën me të dashurën Sindrita, e cila tashmë është e bashkuar me grupin e “Teatrit Shëtitës” të Ëngjëllit, ku do të marrë pjesë edhe Ermiri i dashuruar… Po edhe ky përkushtim do të shuhet sa vjen aty Enver Hoxha dhe shfaqja e këtyre aktorëve amatorë vihet në shënjestrën e pamëshirshme të konkluzionit absurd se “dora e armikut punon”.

Karakteri rrëfimtar i romanit, që i largohet strukturës klasike të kompozicionit, shpalos pa ndëprerje jetën e këtyre njerëzve me shpresa të vagëlluara që nuk u dalin asnjëherë ëndrrat që shohin natën… Në një triptik real, që plotësojnë njëra-tjetrën si libra. Personazhet e qytezës së Anadellit: Ermiri, Agimi dhe Luani,-si shokë të pandarë, Lalë Rrapi e Mentari që kanë rënë në dashuri me të njëjtën femër lozonjare. Artisti i talentuar i teatrit që do përfundoj tragjikisht, me emrin ËngjëII. I Plotfuqishmi i pushtetit vendor e prifti Hal Kryevidhi i degraduar si klerik. Dhe sidomos Anja, cigania e bukur që nuk pyet për askënd, veçse ta gëzojë jetën që i jepet. Janë që të gjithë karaktere të individualizuar mirë nga autori. Dhe midis tyre Ermiri, që përfaqëson zërin e autorit, në linjën erotike të romanit, me Sindritën e dashuruar. Edhe ajo, me një bukuri perëndeshe, që e ka dehur personazhin tonë, bashkë me aventurën e tij të “arratisë”!

Gjithçka e shprehur me një gjuhe shqipe të epërme, me kolor, ajër, emocione, simbole e metafora që rrjedhin e depërtojnë tek lexuesi. Ndonëse nuk mungon veprimi i çastit në ngjarjet e faktet e njëpasnjëshme, ndodh që rrëfimi i shtrirë në të gjithë librin, bëhet nganjëherë i lodhshëm. Por vijnë befas kapituj romantikë e erotikë, të shkruara me frymëzim që e rrëmbejnë lexuesin, si me episodin e ciganëve, që qëndron mrekullisht edhe si një novelë më vete… Me ato përshkrime poetike, kur “ndriçimi i hënës bënte që drurët (e pyllit) të dukeshin më të lartë dhe si në jetë ëndrre”. Po sa mirë autori “derdh” emocione të ndjera me grupimin teatral të Ëngjëllit, si ta kishte jetuar vetë jetën e aktorëve endacakë, që mbetën të tillë në jetë të jetëve, për shpirtin e tyre të pasur e me jetën e varfër, si të ishin të papërfillur nga të gjitha sistemet shoqërore, teksa ua nxinë jetën edhe politika-kurvë! Ashtu sikundër ka në faqet e fundme të romanit episode tronditëse, me arrestime, dëbim-internime dhe vrasje pa gjyq, sipas modeleve mesjetare…

Po a ka ndonjë të metë ky roman interesant e shqiptarit kanadez Taip Sulko? As që ia vlen të thuhen ato, karshi vlerave artistiko-letrare. E megjithatë, ky autor fare i panjohur për mua, do t’i sugjeroja atij një “krehje” dhe aq, bashkë me evitimin e ndonjë episodi të pamotivuar, të asaj murgeshës që nuk është murgeshë, po e veshur si e tillë e që do t’i rrëfehet Ermirit, pa e njohur fare, rrethanat e tradhëtisë së burrit të saj!. Po njëlloj, sikundër do t’i kisha sugjeruar edhe evitimin e episodit të makrabitetit të prerjes së veshëve, si shënja primitiviteti e aspekte të natyralizmit. Sido që, gjithsesi, ka të ngjarë, që edhe për kritikët, është i pranishëm, jo pak herë edhe subjektizmi… Sepse, nuk mund të ketë sot edhe “receta” të gatshme a të “prera me thikë”

Dhe mbetet vetëm kënaqësia e epërme, për ta gjykuar veprën letrare të shkruar bukur, ndaj nivelit artistik të së cilës përulem si për një autor “TË DËGJUAR”. Përtej varfërisë në ato botime origjinale e “panaire libri”,-ku jo pak herë mbizotërojnë përkthimet nga letërsia e huaj, ndonse jo që të gjitha me përkthime dinjitoze… Për të mos u ankuar gjithë-heri se: “nuk kemi lexues”! Duke pasur parasysh edhe thënien e Gëtes se, vepra e mirë letrare e gjen vetë lexuesin e saj…

Piqeras, shtator 2024.

Filed Under: ESSE

EDHE NJЁ VEPЁR E RЁNDЁSISHME QЁ RREZATON SHUMЁSI PROBLEMESH GJUHЁSORE

October 2, 2024 by s p

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu/

(Begzad Baliu: “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, “ERA”, Prishtinë, 2020)

Pak ditë para botimit të kësaj vepre, kolegu im i punës dhe i profesionit, prof. dr. Begzad Baliu, më dërgoi dorëshkrimin e librit të tij më të ri “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, që në cilësinë e recensuesit të shkruaj 2-3 fjali për këtë vepër. I vetëdijshëm se fjala dhe mendimet e prof. Baliut janë të matura e të peshuara në peshore filigrani, me thellësi mendimi e analize, me kënaqësi të madhe edhe i hyra kësaj pune. Dhe, ndoshta, jo në përmasat çfarë i kërkon ky libër sapo i botuar, e jo as edhe në atë shkallë që do ta dëshironin autori dhe lexuesit i këtij libri.

Librit “Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, siç shihet edhe nga titulli që ka, është një për­mble­dhje studimesh e kumtesash të këtij veprimtari tashmë të mirënjohur në fushën e arsimit të lartë filologjik dhe të kërkimit shkencor.

Libri ngërthen më vetë një lëndë të pasur e të rëndësishme, të studiuar e analizuar edhe më parë nga studiuesit tanë e ndonjë nga ato tema edhe nga studiues të huaj, por jo në përmasat e analizës, të vlerësimit e të metodologjisë së shtruarjes së problemeve, siç i ka trajtuar profesor Baliu.

Lënda e kësaj vepre, që kap hiq më pak se 599 faqe libri, është lëndë e përzgjedhur ku janë pikasur periudha, autorë e studime të rëndësishme, përkitazi me reformacionin dhe rolin e tij në fushë të albanologjisë; për Thimi Mitkon; për 3 studiuesit hungarezë (V. Vidish, L. v. Talloci, F. B. Nopça), të cilët kanë dhënë ndihmesë të madhe, bash kur shqipja e shqiptarët edhe kanë pasur më së shumti nevojë; për Komisinë Letrare të Shkodrës; Maksimilian Lambercin; Kolë Ashtën; Nelson Çabejn, Asallan Hamitin, si dhe për disa studime të tjera për gjuhën shqipe; fjalë përkujtimi për akademik Idriz Ajetin (1917-2019), Robert Elsien (1950-2017) dhe disa të dhëna e dokumente për aktivitetet e disa përfaqësuesve tanë politikë e shkencorë të zhvilluara në Institutin Albanologjik e më gjerë.

Në këtë studim, autori ju ka qasur edhe këtyre temave, jo të parëndësishme: “Fjalorët, leksiku i shqipes dhe etimologjia”; “Leksiku i teksteve të shkrimtarëve të vjetër”; “Leksiku i teksteve letrare të bejtexhinjve”; “Leksiku i neologjizmave të shkrimtarëve Rilindjes Kombëtare Shqiptare”; “Prirjet leksikore të shekullit XX”.

Në veprën e zënë në gojë këtu, vetëm dokumentet e paraqitura nga autori zënë afro 100 faqe, që kanë të bëjnë me letërkëmbime titullarësh e politikanë të kohës, vizita ndërinstitucionale Kosovë – Shqipëri, vizita studiuesish në vend e jashtë vendi, ekspedita shkencore në terren nga studiuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, projektstatutesh të IAP, rregullore, procesverbale, kryesisht të kohës derisa Baliu ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik etj.

Kjo vepër, marrë në tërësi, zgjeron horizontin shkencor të lexuesit, e ndihmon atë, jo vetëm të bëhet vëzhgues i pavarur i dukuri­ve dhe i risive të periudhave historike, të autorëve ndër të parët në fushën e historisë, kulturës e shkencave albanologjike, por edhe të di të gjykojë e vlerësoj zgjidhjen e çështjeve të ndryshme të paraqitura në këtë vepër, duke u mbështetur, natyrisht, edhe në njohjet më të thelluara të fushave përkatëse.

Pasqyra e literaturës së shfrytëzuar nga autori për këtë vepër është një dëshmi e punës së tij serioze studimore për trajtimin e temave nga më të ndryshmet nga fusha e albanologjisë dhe të studiuesve e të periudhave më të hershme e deri më sot.

Nga ajo që shihet në vepër, del se prof. dr. Begzad Baliu, me një ngulmim sfilitës dhe njëherësh sakrifi­kues ka shpërfaqur edhe një mënyrë vetjake, si të thuash, të paraqitjes së problemeve (siç është rasti i bibliografive dhe i referencave për çdo autorë), të trajtimit dhe zbërthimit të problemeve gjuhësore, si në planin sinkronik, ashtu edhe në atë diakronik-historik.

Si studiues tashmë me emër, prof. Baliu, ka mbajtur parasysh prore se studiuesi duhet vënë mendjen se si duhen trajtuar të dhënat e ofruara për të arritur në përfundime të suksesshme në punën e vet. Këtë parim drejtimdhënës, që e kishte ngritur prej kohësh patriarku i albanologjisë, prof. Çabej, e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme në këtë vepër edhe prof. dr. Begzad Baliu.

Në fund të kësaj paraqitje (këtu të shkurtër), nuk na mbetet gjë tjetër pos autorit të kësaj vepre t’i urojmë me gjithë zemër botime edhe të veprave të tjera si dhe shëndet e vullnet për punë kësodore.

Filed Under: LETERSI

Albanians Fighting Cancer AFC USA Gala Concert including Impromptu Singalongs Elevates Pride Craving More Encores

October 2, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

“The first time I heard the name Albanians Fighting Cancer AFC, it was through a GoFundMe page that someone launched for a relative with a cancer diagnosis,” said Fotini Kokeri of the Kosloski Family Foundation at the Gala Concert Saturday night featuring two remarkable Albanian performers, tenor Rame Lahaj and pianist Genc Tukiçi. On the stage, with the signature backdrop of the deep red wood panels in one the finest concert halls in the world, Kokeri, the event’s General Sponsor and AFC Administrative Executive, greeted the guests and patrons sitting in the globe-shaped room. Joining with other sponsors and supporters, Kokeri embraced the vision of AFC USA. An awareness and prevention advocacy organization now in its fifth year, AFC provides services that span from therapy options to insurance programs and financial relief for the patients undergoing treatment, as well as equipment donations to hospitals back home.

From the impeccable acustics of the venue to the poster bills prominently placed by the entrance of the historic national landmark weeks in advance, to the pamphlet, the playbill, the presentation and the night’s program, to displaying the Albanian, Kosova and US flags, each detail was given thoughtful consideration by Roberta Panariti Nashi, Founder and President of AFC in tandem with the AFC Board.

The Gala Concert hosted by AFC delighted the audience who came to enjoy a classy evening with Albanian music celebrities while also showcasing Albanian heritage. Considering that many patrons had attended last year’s AFC Gala presented at Jordan Hall, there was much anticipation to musically sound off the Albanian American pride once again. Expectedly, during the live concert, the audience interacted and engaged in an amusing sing along with Lahaj in his performance of widely popular songs like: Lule Bore, Bishtalecat Palë Palë, Më ka Shku Mendja me u Feju.

From their seats, the audience seemed eager to “get in” the performance as soon as the first piano notes of Tukiçi’s rendition of “Dua më Shumë Shqipërinë” vibrated through the air. The concert served as a reminder of one of life’s most striking dichotomies of darkness and light, of losing the battle to cancer and being joyful in the fight for life. Personally, I was both overwhlemed and overjoyed to join in the-audience-and-performer-exchange of Lule Bore, a long time favorite of my late father, we all enjoyed singing together with him till the very end.

Coming to a benefit concert made the community feel united around a humanitarian cause of standing up to cancer while elevating our cultural heritage through classical music and also the Albanian popular repertoire including the folk genre. One of Tukici’s original arrangements is a charming whimsical piece that interchanges the famous Rondo Alla Turca (Turkish March) by Mozart, the Albanian and US national anthems. Tukiçi says that the inspiration might be a child – the playful Mozart tune – who longs for his homeland far away, as the wind seems to bring through the window hints of familiar notes sat in the verse of Rreth Flamurit të Përbashkuar by Albanian poet Asdreni (1872-1947) playing softly in a distance persistently interplaying with another endearing melody of the Star-Spangled Banner written by the great American poet Francis Scott Key (1779-1843). The intense crescendos allude that the little child has grown into a giant. Although musical visualisation might be limited only by our imagination and personal, the piece could very well be a metaphor for the Albanians Fighting Cancer AFC USA.

At the concert afterparty hosted by Leo Keka at his Alba Restaurant in Quincy, amidst the celebration of AFC fifth anniversary, the frequently asked question by the guests was: “When is the next concert?”

Photos Courtesy Artan Malaj

Author is a member of AFC USA support team

Filed Under: Reportazh

“SHKOLLA ABC”, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË AMERIKË

October 1, 2024 by s p

Marjeta Caridha, mësuese në shkollën shqipe “Shkolla ABC” në Peabody, Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Peabody, Boston, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen Marjeta Caridha bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ÇUNAT E BOSTONIT”

Në Shtator të vitit 2023, Albanian Boston Community Center “Çunat e Bostonit” hapi shkollën shqipe “Shkolla ABC” (Albanian Boston Community) me drejtuesit e përkushtuar: Ardi Bocova, Zenel Lala, Aleko Pasha, Artur Bocova, Klevis Qyeasi, të cilët meritojnë vlerësime e respekt për kontributin patriotit për fëmijët shqiptarë. “Shkolla ABC” synon për të ndihmuar fëmijët e bashkatdhetarve në mesimin e gjuhës shqipe. Synimi i shkollës shqipe është ruajtja e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare edhe pse ndodhemi kilometra larg vendlindjes, duke folur, recituar, kënduar në gjuhën e bukur, gjuhë të cilën do mundohemi ta ruajmë e ta trashëgojmë tek brezat e ardhshëm edhe këtu në tokë të huaj. Kemi interes të fëmijeve, prindërve dhe fal bashkëpunimit prind-nxenës-mësues jemi përpjekur të vendosim për atë ç’ka është më e mirë për fëmijët dhe kjo është një garanci, për të ardhmen e gjuhës shqipe.

KURRIKULA MËSIMORE

Duke u mbeshtetur në Kurrikulen në Arsim, në Republikën e Shqipërisë, jam përqendruar tek mësimdhenia me baze kompetënce dhe mësimdhenia me në qendër nxënësin. Ndërlidhja e tyre ka në fokus nxënësin dhe procesin e të nxënit. Për ta bërë mësimin sa më tërheqës, përdor teknika dhe metoda që ngjallin interes dhe që janë më të asimilueshme nga fëmijët. Metoda ‘Hap Pas Hapi’, e cila në bazë ka integrimin dhe të mësuarit përmes lojës është tepër efektive dhe ndikon në zhvillimin e aftësive folëse, aftësive lexuese, shkruese, që në mesimin e gjuhës shqipe janë të domosdoshme. Duke qenë se lojërat janë një pjesë aktive shumë e pëlqyer për fëmijët, përpiqem të futem thellë në botën e tyre, me anë të lojërave të ndryshme për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet 1 herë në jave, ditën e shtunë në 2 orë mësimore me një pushim në mes. Gjatë pushimit qëndra ofron për fëmijët lojëra, snacks si dhe këngë e valle shqiptare. Kemi krijuar 2 klasa sipas grup moshave të fëmijëve.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SE IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË AMERIKË

Duke patur parasysh ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptareve në USA, jam përpjekur të krijoj një ambjent sa me edukativ në klasë. Atë ambjent klase që krijoja në Shqipëri, e krijova edhe këtu në Amerike duke u munduar që të ketë sa me shumë ngjashmëri me shkollat tona. E ku ka me bukur që fëmijët të shohin në muret e klasës simbolet kombëtare të Shqipërisë, pasi dihet që simbolet kombëtare janë pasqyrë e kulturës, historisë dhe identitetit të kombit shqiptar. Gjithashtu kam prezantuar në muret e klasës thënie të mençura të mendimtareve në lidhje me gjuhën shqipe, të cilat pasi janë shpjeguar nga mësuesja, lexohen nga nxenësit, duke synuar që të edukohet tek fëmijët ndjenja e atdhedashurisë. Dhe ajo që përbën thelbin e gjuhës shqipe. Alfabeti i Gjuhës Shqipe është vendosur në mur, për t’u dalluar sa më qartë nga nxënësit. Ajo që është më e bukur dhe është për t’u veçuar, është se në klasat tona mësimi nis duke kënduar Himnin Kombetar, tekstin e së cilës ia kam bashkangjitur në librin e Abetares, për ta mësuar. Është e mrekulleshme, ndjenja që përjeton teksa sheh fëmijët, që janë lindur e rritur në Amerikë me atë theksin e gjuhës angleze të këndojnë me aq dëshirë e krenari Himnin Kombëtar. Me fëmijët kemi organizuar festa të ndryshme si 28-29 Nëntori, Krishtlindjet, Festa e Mesuesit e Nënës etj. Gjithashtu duke iu përshtatur vendit ku jetojmë, kemi festuar HalloWeen, ditën e Falenderimeve duke përcjellë mesazhe të paraqitura në forma dhe mënyra të ndryshme.

MËSIMI SHQIP FALAS

Nga organet shetërore nuk kemi pasur bashkëpunim. Kontributi më i madh ka qenë nga anëtarët e organizatës që mbështësin qendrën tonë çdo ditë. Në jemi aq të përkushtuar për gjuhën shqipe sa të gjitha shpenzimet në lidhje me shkollën mbulohen nga të ardhurat e organizatës. Të gjithë fëmijët e anëtareve të qendrës e kanë shkollen falas pa asnjë detyrim.

KUSH ËSHTË MËSUESE MARJETA CARIDHA?

Quhem Marjeta Caridha. Kam lindur në Elbasan dhe kam përfunduar studimet si mësuese ‘Cikli i Ulët’ në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan. E kam ushtruar këtë profesion për 30 vjet edhe kam punuar si mësuese në ciklin fillor në shkollën Qamil Guranjaku në Elbasan. Jam kualifikuar në katërgorinë e pare si ‘Mësues Mjeshtër’. Jam trajnuar në nivelin e parë sipas metodologjise ‘Hap Pa Hapi’. Kam kryer trajnime të ndryshme që lidhen me punën time si mësuese ku jam certifikuar. Aktivitetin tim si mësuese e kam vazhduar deri në Nëntor 2022, deri sa më pas u shpërngula për të ardhur në Amerikë. E them me krenari, se ndihem e privilegjuar që kam çelur rrugën e dijes për shumë fëmijë dhe akoma më me fat, t’u mësoj gjuhën shqipe fëmijëve të bashkatdhetarëve edhe përtej oqeanit. Falenderoj Federatën Pan- Shqiptare Vatra që nëpërmjet gazetës “Dielli” na dha mundësinë për të promovuar Shkollën Shqipe këtu në Peabody. Falenderoj drejtuesit e Albania Boston Community “Çunat e Bostonit” që na kanë krijuar komoditet dhe kushte të favorshme për zhvillimin e mësimit. Falënderoj përzemërsisht të gjithë prindërit, që kanë zgjedhur shkollën “Çunat e Bostonit” për t’u mësuar fëmijëve Gjuhën tonë të bukur Shqipe.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT