• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

“Rajonet shqiptare në kuadrin e zgjedhjeve në SHBA”

October 29, 2024 by s p

Dr. Ernest Nasto/

Siç ishte njoftuar, dje u zhvillua veprimtaria e degës së Vatra Çikago me temë “Rajonet shqiptare në kuadrin e zgjedhjeve në SHBA: programet e partive, konfliktet dhe rëndësia gjeopolitike” e cila doli me sukses të plotë.

Në prezantimin tim në pjesën e parë u ndala në disa aspekte të polarizimit politik, situatës së tensionuar parazgjedhore si edhe të rreziqeve që i kërcënohen demokracisë amerikane nga pririrjet e hapura autoritariste brenda dy partive kryesore.

Ndërsa në pjesën e dytë prezantimi i Dr. Jani Gjoni, n/kryetar i AANO Chicago, shtjelloi aspekte të ndryshme të situatës gjeopolitike në botë dhe disa rrjedhime të mundshme të rezultatit të zgjedhjeve për vatrat kryesore të konflikteve, e veçanërisht për rajonet shqiptare në Ballkan.

Më pas, nën moderimin profesional të Ing. Artan Nati u vazhdua me një bashkëbisedim të gjallë me pjesëmarrësit e shumtë të cilët shprehën mjaft interes për temat e prekura gjatë prezantimeve, duke theksuar gjithashtu nevojën për të zhvilluar më shumë takime e biseda të tilla.

Falenderojmë me këtë rast për diskutimet interesante të gjithë pjesëmarrësit, që mund të themi se përfaqësonin krejt trevat shqiptare. Një mirënjohje e posaçme i takon z. Naser Hoxha dhe Qendrës Kulturore Shqiptare në Berkeley IL, që na vunë në dispozicion ambientet e tyre duke na krijuar kushte të përsosura. Po ashtu edhe z. Jani Gjoni për bashkëprezantimin, si dhe AANO Chicago, duke uruar për bashkëpunime të mëtejshme ndërmjet dy organizatave tona. Ndërkaq edhe anëtarët e Kryesisë së Vatrës Chicago u shquan për kontributet e tyre të veçanta: Ardian Ruci për anën organizative, Shkelzen Cakeri e Anjeza Muca për teknikën dhe Artan Nati e Dhimo Jano për sponsorizimin e koktejlit në mbyllje të takimit.

Suksesi i kësaj veprimtarie na inkurajon që Vatra Chicago të ndërmarrë edhe në të ardhmen të tilla të ngjashme, duke bashkëpunuar me AANO e organizata të ndryshme shqiptare në Chicagoland.

Filed Under: Komente

GJITHKUSH KA NEVOJË TË RRËFEHET

October 29, 2024 by s p

Kosta Nake/

Pas një udhëtimi të gjatë nëpër gurrat e poezisë, Irma Kurti duket sikur ka vendosur të bëjë një ndryshim të përkohshëm të kursit të lëvizjes dhe si interval ka zgjedhur ngjitjen në malin e lartë të prozës romaneske. Tashmë hapësira kohore e emigrimit ka pushtuar një fashë të plotë në treshen e gjeneratave njerëzore, nuk ka mbetur kontinent, shtet dhe copëz e banuar e planetit ku nuk ka shkelur këmba e shqiptarit në kërkim të një jete më të mirë, shoqëruar me sukseset dhe dështimet e gjithëfarëllojshme. Kanë parë dritën e botimit disa romane të suksesshëm për jetën e emigrantëve tanë në Greqi dhe Amerikë dhe ja ku vjen edhe ky për mjedisin italian, fati i një familjeje të zakonshme me shumë fije të lidhura me atdheun.

Vepra ka një strukturë të veçantë, të pestë karakteret rrëfejnë jetën dhe fatin e tyre në vetë të parë, rrallë ka dhe një autor që duket sikur zgjedh radhën e alternimit të rrëfimeve. Përftohen dy linja subjekti, njëra e nënës dhe tri vajzave të saj në bashkëkohësi me retrospektiva të shumta dhe tjetra me një vijë lineare memoralistike që fillon nga lindja e babait Sotir deri në goditjen e tij nga iktusi. Janë dy linja me rrjedha të pavarura nga njëra-tjetra dhe ashtu si Drini i Bardhë dhe Drini i Zi që bashkohen në liqenin e Fierzës, edhe këto i bashkon lindja e një fëmije. Tani që kemi një përvojë rreth 30-vjeçare me panelet televizive ku asnjë diskutant nuk e çon dot argumentin e vete deri në fund sepse do të kërcejë dikush tjetër ta ndërpresë dhe t’i kundërvihet, edhe në këtë roman ka një ndërlikim të ngjashëm rrëfimesh, sepse janë katër vetë që janë nën trysninë e bashkëkohësisë. Nga ana tjetër, mund të jetë ndikimi i mbretërisë poetike që autorja operon me ndarje që zënë zakonisht dy-tre faqe, gjë që i jep shtysë dhe ritëm skenave dhe ndodhive.

Gjithçka fillon me sëmundjen e rëndë e të papritur të Sotirit që ka mbetur i vetëm brenda banesës, vazhdon me shpërthimin e derës dhe dritares dhe dërgimin në spital. Kjo goditje zbulon pyetjen e debatueshme: “Pse u përkushtohemi njerëzve fizikisht dhe mendërisht vetëm kur sëmuren?” Kjo goditje i bën bashkëshorten dhe vajzat të futen në një gjendje reflektimi duke zbuluar çdo skutë të jetës familjare që kishte mbetur në hije ose ishte shpërfillur.

Tri vajzat Ema, Inesi dhe Keila janë motra, por janë tre fate të ndryshme, me pak pika takimi. Të trija përfundojnë në Itali. “Ishim një hap larg zënkave sepse në shpirtin tonë mbizotëronte ankthi, dëshpërimi, keqardhja për të kaluarën që e humbëm aq shpejt, frika për të ardhmen që ishte shndërruar në një udhëkryq plot të panjohura.”

Ema gazetare dhe shkrimtare që nuk gjen në Shqipëri hapësirën e mjaftueshme për të bërë karrierë sepse përballet me arrogancën e shefave ose me ngacmimet seksuale. “Kudo që shkoj, takoj burra të martuar që dashurohen pas meje dhe harrojnë se kanë një familje pas krahëve.” Është vajza më sfiduese ndër të trija sepse vendos të përballet e vetme me tallazet e jetës deri në fund, pa ngritur një çerdhe me burrë e fëmijë. Faqe pas faqeje të lind dyshimi se do të ketë diçka autobiografike te figura e Emës dhe ky konfirmim vjen pas faqes së fundit të romanit.

Inesi gjatë “arratisjes” detare gjen një burrë shqiptar, Arbenin, por nuk gjen një shok e bashkudhëtar të vërtetë aq të domosdoshëm në një realitet të huaj, të ashpër e plot sfida, prandaj dhe vajza e tyre Alda “u del jashtë kontrollit”, çdo pyetje ose këshillë bie mbi një nervozë refraktare. Në rrafshin familjar kjo ka një shpjegim: i kishte munguar i ati, mbi të gjitha modeli i familjes ku mbizotëron paqja dhe harmonia. Në rrafshin shoqëror Alda kthehet në mishërim të të rinjve që keqedukohen, prandaj bëhen egoistë dhe të pandjeshëm ndaj atyre që i rrethojnë. Më tepër se kaq ata i quajnë prindërit “banka që i furnizojnë me para” dhe “nëse një ditë paratë mbarojnë, i urrejnë prindërit.” Arbeni punon si shofer autobuzi në emigracion, mungon me ditë në familje, madje edhe në lindjen e së bijës, është koprac, tipar që nuk përputhet me moshën, prandaj Inesi arrin në përfundimin se “ai është bërë gabimisht prind.” Autorja vë përballë virtualisht Arbenin dhe Federikon dhe me këtë gjen shtegun për t’i vënë burrat shqiptarë në “bankën e të akuzuarve” për njohuritë e pakëta në artin e kuzhinës, për shëtitjet larg njëri-tjetrit sikur të ishin fqinj dhe jo burrë e grua, për burrat që e kanë të vështirë t’u thonë grave një fjalë të ëmbël në prani të prindërve, etj.

Keila gjen dashurinë e vërtetë tek italiani Federiko, njeriu që e demonstron kulturën dhe kujdesin, familja shpërblehet me lindjen e fëmijës që jo vetëm i lumturon të gjithë, por arrin të shërojë edhe Sotirin që kishte humbur aftësinë për të folur pas goditjes së pasuar. Ky fat i bardhë i Keilës e çon Inesin te mëdyshja: “A është normale që unë provoj zili për Keilën?” Shërben si indicje për një variant femëror të Abelit dhe Kainit, por që nuk shkon më tej.

Bashkëshortja Luiza, e pakënaqura e përhershme, pas shtrimit të Sotirit në spital, gjen ditarin e tij, mëdyshja ta hapë a të mos e hapë anon nga krahu kureshtar i peshores dhe zbulon atë që nuk kishte mundur ta vinte re në 45 vite që ishin martuar e kishin jetuar së bashku: një njeri me botë të madhe, por që fëmijëria e vështirë e kishte bërë të heshtur e të mbyllur, një prind të lidhur me të bijat, por një burrë të akullt me gruan. Jeta prej shërbëtori e kishte bërë të heshtur, dhuna e kishte bërë memec, duke kaluar i vetëm orët në shtëpinë e një padroni, bisedat mund t’i bënte vetëm me pemët dhe kjo metaforë ka përcaktuar edhe titullin e romanit. Gjithsesi, brenda linjës memoralistike ka dhe një justifikim të heshtur të Sotirit: “Pse harxhojmë kohë dhe energji duke u përpjekur t’i shmangemi vetes e t’u përshtatemi sa më shumë të tjerëve?” Luiza nuk e kishte kuptuar se prania e lumturisë ishte e pandjeshme, e paperceptueshme dhe priste që t’i shfaqej si një shpend gjigand që zbret nga qielli me zhurmën e një helikopteri. Leximi i ditarit bëri që dashuria e lënë në harrim të çelte sërish.

I rritur si jetim me shumë vëllezër e motra, çlirimi i Shqipërisë i krijoi Sotirit mundësinë e ndryshimit të madh – nga shërbëtor në mjek, një ndryshim që vjen edhe nga forca e brendshme e ngjitjes, pasi mundësitë e barabarta nuk çojnë gjithmonë në lartësi të barabarta. Kjo karrierë e kushtëzuar nga sistemi i diktaturës së proletariatit, bën që edhe kur shkon në emigrim pas të bijave, brenda familjes vazhdon t’i mbetet cilësimi “i kuq”. Kjo nuk është pa gjë sepse në bisedë me Emën thotë” “Nuk kishte vetëm anë të zeza sistemi i kaluar, moj bijë.” Ka dhe një pezm ngaqë nxituan ta nxirrnin në pension “sepse mbëriti koha e hajdutëve.”

Tashmë nuk mbahet sekret se emigracioni nuk është kapërcim ylberi, por fillimi i një lufte të re e të gjatë për integrim, duke filluar me përshtatjen me një sistem të konsoliduar rregullash e ligjesh, kur edhe për ngritjen e një antene mbi çati duhet leja e administratorit; të përshtatesh me një shoqëri ku zor se arrin të krijosh miqësi, me fqinjë që “në rrugë janë të dashur e të qeshur, por kur ndodhemi në oborrin e pallatit, bëhen të ftohtë e seriozë,” që të përshëndesin kur të shohin të veshur shik, me kostum e kravatë, por, po të kesh nevojë, “do ndërrojnë rrugë që të mos ua ngjitësh mërzinë tënde.” Edhe më i vështirë është emigrimi për prindërit e moshuar që s’arrijnë të mësohen me vetminë dhe izolimin nga mosnjohja e gjuhës së huaj.

Sotiri ka qenë mjek dhe kjo natyrshëm çon te krahasimet mes të dy vendeve që nuk i ndan vetëm Adriatiku, por edhe një mendësi e ndryshme për vendin e mjekut në botën e të sëmurëve, me ndryshimin e madh në qasjen e mjekëve në vitet e tranzicionit “të lënë të vdesësh nëse s’ke para t’ua paguash mjekëve nën dorë” edhe kur je në spitalet shtetërorë.

Në kujtimet e shkruara të Sotirit ka një çast të hidhur që jo vetëm e ka të pamundur ta harrojë, por i rivjen parasysh herë-herë. “Padashur kisha folur me pemët.” Pastaj kërcënimi i padronit “I çmendur, ta tregoj unë ty sesi flitet me pemët.” Biseda me pemët rimerret nga Luiza duke u ngritur në rrafshin filozofik, burri i saj i dashur, në pamundësi për t’ia hapur zemrën dikujt, ishte katandisur të fliste me pemët. “Po a mund të bisedohej me pemët? A mund ta interpretosh lëvizjen e tyre si tundje koke, si miratim apo mohim? Apo nëse s’ke kërrkënd për të këmbyer dy fjalë, kjo vërtet është e mundur?” Heshtja kishte qenë nyja që s’kishte mundur ta zgjidhte gjithë jetën. Përvoja vetjake njerëzore futet në hullinë e detajit artistik, kur në klinikën radiologjike të Sotirit paraqitet si pacient ish-padroni i egër Muço Gjata. Mjeku me betimin e Hipokratit triumfon mbi urrejtjen që kotej prej vitesh thellë në shpirt dhe kujtesë: “Rrugët tona s’mund të bashkoheshin, por kish arritur ta respektoja si qenie njerëzore.”

Romani mbyllet me nëntitullin domethënës “Kohë për t’u dashur.” Familjen e madhe e ka bërë bashkë ardhja në jetë e djalit të Keilës, gëzimi shpesh herë ka veti kuruese dhe e bën gjysh Sotirin të belbëzojë “Mirë se vjen, bir!”

(Romani “Njeriu që fliste me pemët” i Irma Kurtit, Dudaj 2015)

Filed Under: ESSE

Festivali i shkollave shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

October 29, 2024 by s p

Filed Under: Fejton

Sofokli Tole, “Jordan Misja në Lupckë”, kujtime!

October 29, 2024 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Sot më ra në dorë, “Orari i mësimeve të përjavshme”, për vitin shkollor 1936-1937, të shkollës fillore të fshatit Lupckë, fshat nga është origjina e familjes sime. Dokumenti është i shkruar me dorë, në bukurshkrim, nga Jordan Misja, mësuesi i shkollës së fshatit në ato vite, më pas dëshmor i atdheut! Im atë Sofokli Tole ishte një nga nxënësit e Jordanit, po ashtu xhaxhallarët e mi Minella dhe Leonard Tole.

Po e publikoj për të parën herë “Orarin e mësimeve të përjavshme”, së bashku me një foto te Jordanit dalë me nxënësit e tij, të shoqëruar me kujtimet e tij eti për të, të publikuara në librin “Një jete mes dy shekujve”, Tiranë, 2018!

Në klasën e tretë në Lupckë u largua mësuesi që na godiste me drurin e flamurit dhe na erdhi mësues Jordan Misja (13 janar 1911-gusht 1942) na Shkodra, bashkë me familjen e tij, babain, nënën dhe një motër Safka. Lajmi i ardhjes në fshatin tonë i një mësuesi nga Shkodra ishte i papritur, plot kureshtje, jo vetëm për ne që ishim fëmijë, por edhe për prindërit tanë dhe për më të rriturit e tjerë. Ishte vjeshtë. Nga Përmeti në Lupckë një e përpjetë prej tre orësh e kishte lodhur mësuesin tonë dhe ne që ruanim e përgjonim nga mbrapa mureve e dritareve të shtëpive e pamë Jordanin me atë ballin e gjerë e fisnik, mbuluar me djersë, sy që depërtonin që dashuronin, që ndillnin miqësi. Të nesërmen ra fort kambana e Kishës dhe nxënësit nga të tre lagjet u grumbulluan afër sheshit të shkollës për të filluar mësimin.

Jordani dolli nga dhoma e fjetjes, buzagaz dhe ne hymë në klasë më të qetë, por akoma më shumë na u ngrohën zemrat, kur na fliste për luftërat e popullit tonë për liri. Sa bukur vizatonte mësuesi ynë jo me penel e bojëra vaj, as me tempera a po akuarel, as me pastel, por me thëngjill prej thane. Aftësia e tij e rrallë për të vizatuar e skicuar shpejt ishte një dhunti e domosdoshme për një mësues të pasionuar siç ishte Jordani. Një koleg i tij Eftim Lako thoshte: -“Një mësues që nuk di vizatim e muzikë ishte me një krah”. Pra Jordani kishte dy krahë të fuqishëm e një mendje të hollë. Nuk diskutohet lënda e vizatimit që jepej n’ato vite, që e prisnim me padurim, por edhe muzika, kënga lidhej me vizatimin. Jordani e ndiente se ne e kishim të vështirë për të kuptuar të folurën e tij, por dhe për të mësuar më shpejt tekstin e këngës.

Ai për çdo strofë bënte skica. Kështu kur na mësoi këngën e “Maces e miut”, Jordani bëri disa skica aq të sakta dhe të bukura saqë ne ia përvetësuam tekstin dhe melodinë shumë shpejt dhe shumë mirë.

Miun, braman e kam shikumun

Mishjin vjen tuj ngran

Mbramia tjetër porsa mbrini

Maca ndenj mbi tra

E porsa u qas prap mini

Rob i saj ai ra

Jordani i urrente qarqet shoviniste e serbo madhe, e donte që nxënësit e tij ta donin me shpirt atdheun. Shumë herë na nxirrte shëtitje në pika nga ku kishte horizont të hapur, p.sh. në Kristofor ku dukej lugina e Vjosës me Përmetin e fshatrat në të dy anët e Vjosës e citonte Sami Frashërin (1850-1904) ose vjershat e Naim Frashërit (1846-1900). Jo më pakë punonte ai për të ngjallur frymën e miqësisë e të dashurisë midis nxënësve të moshave të ndryshme e aq më shumë midis nxënësve të disa shkollave. Kështu shëtitjet e përbashkëta me nxënësit e shkollave fqinje: Novoselë-Kosovë-Lupckë ishin një kënaqësi e veçantë për mua dhe një dëshirë e zjarrtë e Jordanit. Ai i shfrytëzonte këto takim për të zhvilluar ara, shfaqje, tregime e biseda shumë të ngrohta.

Mësuesit para tij ndoshta me thupra thane na vijosnin duart duke na rrahur, kurse Jordani me thëngjillin e thanës hidhte mbi letër, portretet e bariut, të nxënësve të tij, të bujkut që i donte aqë shumë e u qante hallet çdo ditë. Dikur e kam thënë herë tjetër, miqësisht këto lloj pikture, qoftë nga letra apo thëngjilli i thanës nuk i rezistoi kohës apo viteve u venitën, por tek ne mbetën të gjalla si drita e diellit skicat që na bënte në dërrasën e zezë me shkumës, si xhandarin mizor e mustaqemadh priftin dinak e hipokrit, kryeplakun batakçi që hiqnin të tre vallen së bashku, e më në fund Jordani si padashur i rrëzonte në një ….portretet e tij të karikaturizuar. Ne qeshnim e Jordani na thoshte: “Pranë tash fëmijë të dashtun e të mirë, se ma shumë do të qeshni nesër”.

Portretin e një nxënësi të quajtur Minella Tole duke qarë pse e kishte ngrënë një grerëzë, Jordani e vizatoi me mjeshtëri të madhe. Menella dhe qante duke fshirë sytë por dhe shikonte mësuesin që po e pikturonte. Si e mbaroi, Jordani varri në dërrasën e zezë. Ne ishim pushim. Kur u futëm brenda ne, Jordani u largua, por duke mbajtur vesh se ç’do të thoshim ne. Sa u futëm në klasë e pamë vizatimin e bërtitëm: Menua, Menua!

Jordani u kënaq, na përkëdheli e na tha:- Po, Menella i vogël që qau, por duke e pikturuar unë, ay pushoi, por lotët ende i ka në sy.

Fillojmë mësimin. Dy fjalë me shkronja të mëdha na shkroi një ditë Jordani: INDIVIDUALITET, KOLEKTIVITET. Mësojini përmëndësh na porositi Jordani e ne ç’të thoshte mësuesi ynë i respektuar të mos e bënim? Dolëm duke thirrur me sa fuqi që kishim: Individualitet, kolektivitet, individualitet, kolektivitet…..na i rrënjosi këto koncepte, na i futi në gjak!

Ai gjente kohë të bisedonte me të rinjtë si edhe me të moshuarit, t’u jepte libra, të cilat i lexonin me kujdes e me merak i ruanin në çantat e tyre prej lëkure. Kur erdhi Jordani ne nuk shkonim të dielave në kishë, por rregullonim urat, rrugët, zbukuronim shkollën a po bënim shëtitje në fshatrat fqinjë për t’u miqësuar me shokët tanë dhe luanim futboll me topa prej leckash të vjetra. Për festat kombëtare organizonim para fshatarëve çfaqje me recitime, këngë, lojëra popullore që ishin shumë të bukura e që tërhiqnin shkues nga të gjitha moshat. Këtu është me vend të theksoj se Jordani gjatë gjysmës së orës (22’) që punonte direkt me një klasë aktivizonte edhe nxënës të klasave të tretë e të katërt për të ndihmuar nxënësit e klasave më të ulëta.

Jordani u bë mik dhe djalë i shtëpisë për të gjithë bashkëfshatarët e mij. Dhe kjo ka arsyet e veta. Ay në luftë e ndeshje me kryepleqësinë na siguroi neve kushte më të mira për të mësuar, na lehtësonte plagët e hidhura të jetës e fukarallëkut. Ai gjente kohë të bisedonte më të rinjtë si edhe me të moshuarit, t’u jepte libra të cilat i lexonin me kujdes e me merak, i ruanin në çantat e tyre prej lëkure. Për festat kombëtare organizonim para fshatarëve çfaqje me recitime, kënë, lojra popullore që ishin shumë të bukura e që tërhiqnin shikues nga të gjitha moshat.

Për pjesëtarët e familjes së Jordan Misjes kemi shumë kujtime ne e prindërit tanë. Babë Vangjeli ishte i moshuar, pleqëria nuk ja largoi buzëqeshjen e bujarinë. Kishte dëshirë të të jepte duhan nga ai i Shkodrës që vetë e pinte me një cigarishte të punuar me mjeshtëri na artizanët tanë. Veshja e tij karakteristike shkodrane me tumane e xhamadane na mbeti gjithmonë në kujtesë. Bisedonte shtruar, të bënte mik me një pirje cigari. U qante hallin fshatarëve të varfër se nuk ishin vetëm ata që rropateshin dhe në Shkodër e malësi kështu jetohej, biles dhe më keq se juve, kurbeti u shkurtoi jetën. Por ja, Jordani djali i jem, po e porosit që t’jua mësojë mirë fëmijët që t’ju sjellin ditë të mira.

Nënë Jovja ishte më e re. Hynte dhe dilte më lirisht në familjet tona së bashku me Safkën që u miqësua shumë shpejt me vajzat e rritura të fshatit dhe me nënat shami zeza e buzë plasura por ojë ëmbla për nënën e motrën e mësuesit të tyre. Kush e kush më parë e me rastin e ndonjë ceremonie donte t’i merrte një vizitë e një gosti familjen e mësuesit. E arsyeshme, mësuesi e prindërit e tij nuk mbetën pa dhallë, qumësht, gjizë e pemë na fshatarët e Lupckës.

Motra e tij Safka u miqësua me vajzat e fshatit. Dhe kjo dashuri e mirënjohje e popullit dhe e nxënësve të tij ndaj Jordanit u shpreh kur ay u transferua nga fshati i ynë në një zonë më malore, në Frashër ku aty kishte dhe post komandë xhandarmarie për të qenë në vëzhgim më të rreptë të aktivitetit të tij. Me lotë në sy e përcollëm ne atë dhe familjen e tij të nderuar e të respektuar për në Frashër dhe kjo ishte lumturia e jonë e fundit e paharruar me Jordanin që aqë shumë na shkolloi na hapi sytë e na dha zëmër për të duruar e për të luftuar e fituar. Duhet pohuar, se skenat e pjesës “Borëbardha”, që shkolla plotore e Përmetit dha në Gjirokastër ishte e projektuar e punuar me mjeshtëri nga Jordan Misja.

Unë i kam dashur, i adhuroja dhe i çmoja shumë mësuesit dhe edukatorët e mij të mirë, të urtë, të zotë që nga klasa e parë e në vazhdim, por nuk i doja të pamoralshmit, dembelët, ata që e njollosnin figurën e tyre. Kam dashur Jordan Misjen si mësuesi më i përgatitur në gjithë ciklin e shkollës fillore megjithëse një ditë, në natyrë, kur po bënim prova për një shfaqje në fshat, pa dashur mua më goditi në hundë e më rrodhi gjak nga hunda. U zverdha i tëri, shkoi me vrap në dhomën e tij e më pastroi fytyrën me një peshqir të bardhë, të njomur me ujë e nuk dinte ç’të bënte për të më qetësuar, por unë e fala, as në shtëpi nuk u thashë. Kushedi ç’mendonte se mos unë ankohesha tek prindërit e duke qenë babai me pozitë e Jordani i internuar, mund ta internonin akoma më larg, ta burgosnin e kushedi çfarë.

Unë kam pasur një mësues në fillore, fare të paaftë e të egër, që anës tavolinës ku rrinte në fund të klasës, mbante drurin e gjatë ku ngrihej flamuri në raste festash dhe me që përtonte ose i dhimbte dora kur çokiste nxënësit në kokë, në raste kur prishnin qetësinë, rrëmbente drurin e gjatë dhe qëllonte fort nxënësit e pabindur. Por nxënësit sapo mësuesi merrte hurin dhe e ngrinte si shpatë mbi kokat e sherrxhinjve, vocrrakët që ia kishin mësuar hiletë, si shigjetë uleshin ndën bankat e tyre duke u kënaqur, shkopi i gjatë, me forcë, binte mbi bankat me një zhurmë që të shurdhonte. Një mikro-komedi e vërtetë.

Gjatë qëndrimit të dy vjetëve të Jordan Misjes në Lupckë, mësimet janë zhvilluar në dy lokale. Në vitin e parë në godinë që ishte ndërtuar qëllimisht për shkollë, ku kishte një klasë për zhvillimin e mësimit, një korridor të vogël dhe në të majtë një dhomë ku jetonin mësuesit, konkretisht dhe Jordani. Në vitin e dytë në një godinë tjetër, mbasi e para u rrëzua. Godina e dytë ishte post-komandë xhandarmërie ku ishin disa dhoma për mësim, fjetje për mësuesin e disa të tjera ku strehoheshin jabanxhinj.

Për Jordan Misjen kam bërë disa shkrime në formë kujtimesh, por më të rëndësishmin e ka lexuar Kujtim Buza në një përvjetor të vdekjes së Jordan Misjes para një auditori të respektuar. Të tjerat janë botuar në Almanakët e shtëpisë së Kulturës Përmet. Liceut artistik “Jordan Misja” i kam dërguar dhe një fotografi të nxënësve të shkollës fillore të Lupckës duke pasur në qendër të tyre mësuesin e dashur të tyre. Unë shumë vite më vonë u njoha me nipin e Jordanit, Vladimir Misjen (1928-2013), i bëra një vizitë në shtëpi, më priti shumë mirë. Aty pashë plot piktura të Jordanit si dhe ca portrete të nxënësve që kishte në shkollën e Lupckës. U ndamë si të ishim miq të vjetër. Djali im Georgi S. Tole ka bërë një kompozim për Jordan Misjen, mjaft emocional në shkollën e Lupckës.

www.vasiltole.com

Filed Under: Kulture

Mbi librin REBELI të Ilir Ikonomit

October 29, 2024 by s p

Marenglen Kasmi

Historian/

Kemi në duar e po promovojmë sot vëllimin e dytë të librit për Fan Nolin, botim i UET Press, të autorit Ilir Ikonomi. Libri është titulluar “Rebeli”. Një titull provokues, i cili padyshim nxit kërshërinë e lexuesit për brendinë e tij.

Së pari dua të uroj autorin, z. Ikonomi, për veprën e tij të radhës dhe i uroj njëherazi atij suksese për hartimin e vëllimit të tretë, për të risjellë pranë lexuesit edhe më të plotë jetën dhe veprën e ndoshta personazhit historik më interesant të kombit shqiptar, Fan Noli.

Në këtë vëllim autori ndalet në vitet 1920-1924 dhe e ka ndarë librin në tre kapituj, të titulluar përkatësisht “Në terren të vështirë 1920-1922”, “Pushtete të brishta 1922-1923” dhe “Gjashtë muaj kryeministër 1924”.

Ndonëse titujt e çështjeve të trajtuara në kapituj të japin përshtypjen e zgjedhjes së rastësishme sipas dokumentacionit që ai mund të ketë pasur në duar dhe që në vetvete ato mund të trajtohen edhe si tematika të pavarura, në tërësinë e tyre lexuesi arrin të bëjë një lexim kronologjik të ngjarjeve, zhvillimeve kryesore e veprimtarisë së Nolit, çka sigurisht që është meritë e shkrimit të zhdërvjellët dhe gjuhës sa zgjedhur e të përmbledhur, që autori e zotëron me mjeshtëri.

Libri është shkruar në një gjuhën të qëruar, çka është përsëri një tregues i artit të të shkruarit të autorit, që fatkeqësisht në botimet e sotme shpesh është përjashtimi e jo rregulli.

Ky botim trajton Nolin si politikan, drejtues shteti e reformator, ndonëse historia tregoi që mendimet dhe vizionet e tij demokratike liberale më së shumti mbetën në kuadër të një programi politik, i cili për shumë arsye nuk arriti të realizohej, madje vlerësuar sot në retrospektivë as që mund të ishte e mundur të arrihej në tërësinë e tij, në një Shqipëri sikurse ishte ajo e viteve 1920.

Noli qëndroi në Shqipëri realisht jo më shumë se dy vjet e gjysmë. Ndaj, me të drejtë Ikonomi shkruan se “gjatë kësaj kohe të shkurtër betejat e tij ishin komplekse, prandaj i tillë është edhe ky libër”.

Ky është një libër ndryshe, si nga përmbajtja, trajtimi por edhe stili i të shkruarit, ku gërshetohet gazetari me historianin. Sigurisht që një gazetar me përvojë e i sprovuar si Ikonomi arrin që duke i ndërthurur me zotësi të dyja gjinitë, të sjellë një botim të qëndrueshëm, i cili në trajtimin e tij dhe mënyrën e ndërtimit të librit sfidon, ndoshta fjala më e saktë do të ishte provokon, historianët që merren me këtë periudhë por edhe lexuesin, duke nënkuptuar se edhe Fan Noli, ashtu si çdo personazh historik e qenie humane, duhet parë me ngjyra, e jo bardh e zi.

Parë në këtë këndvështrim, ky botim edhe më interesant, kur autori përpiqet të na tregojë Nolin nëpërmjet detajeve, herë të njohura e herë të panjohura, duke sjellë ngjarje, takime, bisedime e qëndrime të mbajtura nga diplomatët e huaj ndaj tij apo hera-herës duke i vendosur përballë edhe personazhe të tjerë, si për shembull Ahmet Zogun, me qëllim që lexuesi të jetë në gjendje të krahasojë e nxjerrë përfundime. Këtu mund të themi se gazetari dominon ndaj historianit.

Trajtimin më të zgjeruar në libër e merr pikërisht kapitulli i tretë, Noli kryeministër.

Sa më sipër, unë po ndalem në fjalën time vetëm në disa çështje që autori rreket t’u japë përgjigje në libër, çka ai e nënvizon edhe në pasthënien e botimit, nëse për ngjarjen e qershorit bëhet fjalë për një revolucion, kryengritje a puç ushtarak.

Ikonomi shtron atë qe e quan pyetjen e provës: “A sollën ngjarjet e qershorit 1924 ndryshime të tilla që të linin gjurmë në shoqërinë shqiptare, apo ishin thjesht një rebelim ushtarak, i shoqëruar me një ndryshim të përkohshëm pushteti? A e zgjidhën ato pronësinë mbi tokë, problemin më të mprehtë shoqëror me të cilin po përballej Shqipëria e varfër e asaj kohe? A e reformuan ato sistemin gjyqësor dhe atë legjislativ”? Më tej, autori shton se “siç mund të kuptohet nga faktet e paraqitura në këtë libër, fjala revolucion do të ishte e ekzagjeruar për lëvizjen e qershorit, nëse marrim si pikë referimi përmbysjet që kishin bërë epokë, si ato në Francë, Amerikë, Rusi ose gjetkë”.

Në një mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se autori e trajton këtë ngjarje si një komplot të organizuar nga opozita ndaj qeverisë së kryeministrit Vrioni, i cili u vu në zbatim pas vrasjes së Avni Rustemit, çka autori thekson se “opozita ishte e përgatitur të mos e lëshonte nga dora deri sa të kishte nxjerrë të gjitha përfitimet e mundshme politike”.

Duke e njohur vështirësinë e trajtimeve biografike, e sidomos për figura historike komplekse, ajo çka autorin e ndihmon në arritjen e një objektivizmi historik të pëlqyeshëm është metodologjia e zgjedhur, e cila në shkencën e sotme moderne historike perëndimore konsiston në dallimin ndërmjet historisë përshkruese dhe shkrimit strukturor të historisë. Nëse në biografishkruarje ndiqet metodologjia e parë, atëherë rezultati shkon më tepër në drejtimin përshkrues dhe paraqiten më tepër detaje të brendshme të personazhit por që qëndrojnë gjithmonë në rrafshin një dimensional, pavarësisht shumëngjyrësisë së tij. Nëse ndiqet metoda e dytë, e cila është padyshim më e pëlqyeshmja, më e qëndrueshmja shkencërisht dhe më e përhapura ndër historianët biografë, atëherë personazhi historik trajtohet në pikëpamje strukturore, pra shumëdimensional dhe i pa shkëputur nga konteksti kohor ku ai vepron me të gjitha veçoritë e saj.

Pa dashur të keqkuptohem, pasi si historian jam duke folur për një libër historik të shkruar nga këndvështrimi i një gazetari dhe pa dashur po ashtu aspak të ul vlerat e këtij botimi, duhet pikësëpari të theksoj se të shkruash për një figurë të madhe si Noli, pa dyshim që është një sfidë e madhe dhe Ikonomi i ka dalë ballas me sukses kësaj sfide.

Por po ashtu nuk mund të rri pa thënë që ndoshta do kishte qenë e nevojshme që në libër të bëhej edhe një analizë e situatës politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë së këtyre viteve, çka në thelb është jo vetëm çelësi për të kuptuar të gjitha këto zhvillime, e sidomos rolin e Nolit në tallavanë politike të Shqipërisë asokohe. Po ashtu, ky është një kriter i pashmangshëm metodologjik në hartimin e një biografie politike.

Nga ana tjetër, autori ndalet gjatë në përshkrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë në vitet 1920-1922, ku theksohet fort roli i Nolit si politikan, diplomat e patriot në lidhje me problemet e Shqipërisë.

Në vitet 1920-1925 u ndërruan 12 qeveri, me nëntë kryeministra. Janë vitet e destabilitetit të madh politik e shoqëror, ende shumë larg një situate politike të konsoliduar. Më tej, ekonomia shqiptare ishte në gjendje të mjeruar. Si pasojë e sundimit të gjatë osman, hendeku ekonomik ndërmjet shtresave të shoqërisë ishte më tepër se i madh. Situata e keqe e të mbjellave, e sidomos në vitet 1922-1924 për shkak të kushteve të këqija natyrore e kishin rrënuar tërësisht ekonominë bujqësore. Sidomos fshatarësia ishte pa bukë dhe e mbytur në borxhe. Pa folur për gjendjen agrare, ku pjesa më e madhe e tokave të punueshme ishte e përqendruar në një numër të vogël njerëzish, një pasojë kjo e drejtpërdrejtë e politikave sunduese osmane.

Po ashtu, të pakënaqur ishin edhe shtresat e ndryshme qytetare, përfshirë edhe nëpunësit e shtetit, ushtrinë, xhandarmerinë etj., të cilët kishin muaj pa marrë pagën. Një përpjekje e qeverisë Vërlaci për të ulur tonet me opozitën, duke marrë dy përfaqësues të saj në qeveri, u trondit nga vrasja e Avni Rustemit, i cili ishte shndërruar në një simbol të atdhetarisë dhe të demokracisë në sytë e shumë shqiptarëve. Kjo ngjarje solli mbylljen përfundimtare të gjithë kanaleve të komunikimit politik ndërmjet forcave të ndryshme, çka i lëshoi vendin konfliktit të armatosur.

Sa më sipër, kryengritja e qershorit nuk mund të thjeshtohet në një puç ushtarak, pra thjesht në një çështje pushteti, duke i mohuar kësaj lëvizje përmbajtjen demokratike, e cila në fakt ishte një vazhdim i revolucionit kombëtar të 1920, por me një ndryshim thelbësor. Tashmë jo për të rifituar pavarësinë kundër pushtuesit të huaj por për të rrëzuar rendin feudal mesjetar, me qëllim demokratizimin e vendit.

Kjo lëvizje demokratike, ku pa dyshim spikaste roli i Nolit, ishte në fakt pjesë e të njëjtave lëvizje, me të njëjtën përmbajtje, që vendet e tjera perëndimore i kishin zhvilluar kohë më parë, sigurisht me veçoritë e tyre. Për arsye që dihen, kjo lëvizje erdhi në Shqipëri e vonuar në kohë. Synimi i saj ishte përdormi i pushtetit politik për zgjidhjen e problemeve ekonomike e shoqërore që qëndronin para vendit. Çështja kryesore ishte zgjidhja e situatës agrare, për të cilën ishte direkt e interesuar forca kryesore e kryengritjes, fshatarësia.

Pa dyshim që përmbysja e qeverisë së Nolit i dha një goditje të rëndë përpjekjeve të forcave demokratike për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e feudalizmit dhe për ta futur atë në rrugën e demokracive perëndimore, të përparimit ekonomik e shoqëror. Disfata e revolucionit të qershorit ndërpreu po ashtu përpjekjet për konsolidimin e një shteti demokratik dhe i hapi rrugë ndërtimit të një shteti autoritar nën drejtimin e Ahmet Zogut, fillimisht si republikë presidenciale e më pas si Monarki.

Së dyti, duke dashur përsëri të qëndroj në rrafshin metodologjik, një nga pikat e forta të autorit në këtë botim është përdorimi i burimeve historike.

Noli është ndoshta një nga figurat historike më të trajtuara. Përveç shkrimeve të shumta që ai vetë ka lënë, është trajtuar gjerë e gjatë e tërë veprimtaria e tij si, publicist demokrat, orator e njohës i mirë i fjalës shqipe, politikan me një potencial të fuqishëm, i cili ju kushtua jo vetëm mbrojtjes së interesave kombëtare por ashtu edhe luftës për ndërtimin e demokracisë së shtetit të ri shqiptar.

Ikonomi ka përdorur një bibliografi të pasur, çka padyshim përbën një vlerë të padiskutueshme të këtij botimi. Në këtë pikë, procesi i kritikës së burimeve historike është i pa shmangshëm, madje një element metodologjik thelbësor.

Autori i referohet shpesh qëndrimeve të ministrave të huaj në Shqipëri, e kryesisht atij britanik e amerikan. Referuar Ikonomit, por edhe botimeve të tjera, bie në sy që shpesh raportet e qëndrimet e ministrit britanik Aires ndaj situatës në Shqipëri e Nolit janë të diskutueshme, pasi dihen interesat që Anglia kishte në këtë kohë për nëntokën shqiptare dhe marrëveshjet që ishin arritur me Ahmet Zogun para se ai të largohej. Kësisoj, këto qëndrime nuk duhen marrë si të mirëqena e jo gjithmonë të besueshme.

Vetë Noli ka deklaruar më vonë se “zoti Aires arriti të bindë të gjithë ç’ishin rreth meje se reformat agrare ishin një inovacion i rrezikshëm bolshevik”. Sikurse edhe vetë autori arrin në përfundimin se “dihej që legata britanike me ministrin Eyres favorizonte Ahmet Zogun dhe kishte antipati për Nolin”. (f.275).

Së treti dhe së fundmi, Ikonomi trajton edhe çështjen e legjitimitetit të qeverisë dhe njohjes ndërkombëtare të saj.

Qëndrimi i distancuar i shteteve të huaja ndaj qeverisë së Nolit është i kuptueshëm. Madje edhe vetë Noli, sikurse z. Ikonomi shkruan, do t’i thoshte ministrit anglez në Tiranë se “… e kuptoj plotësisht se nuk mund të pritet që qeveria britanike të njohë një qeveri, e cila ka ardhur në pushtet me mjete jokushtetuese. Për këtë nuk shqetësohem, sepse e di që njohja do të vijë sapo ne ta meritojmë “. (f. 280)

Megjithatë bashkëpunimi nuk mungoi. Me të drejtë autori arrin në përfundimin se asokohe praktikat botërore të njohjes bazoheshin në përvoja tashmë të konsoliduara. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kishte pasur njohje të shpejta të qeverive të ardhura me revolucion popullor. Britania e Madhe e kishte njohur qeverinë e dalë nga revolucioni portugez i 1909 një vit më vonë. Po kaq vonë kishte njohur edhe qeverinë kineze të dalë nga revolucioni i vitit 1912. Pra, njohja e qeverive të kësaj kategorie pasonte vetëm kur stabilizohej jeta politike në vend dhe krijoheshin të gjitha institucionet kushtetuese. Parë në këtë këndvështrim, njohja apo mosnjohja e qeverisë së Nolit nuk mund të shikohet si një arsye kryesore për rënien e qeverisë së Nolit. Sigurisht që huaja e mohuar për Nolin nga Lidhja e Kombeve do të kishte pasur një ndikim pozitiv në qeverisjen e tij.

Z. Ikonomi shkruan që në sytë e qeverive europiane ekzistonte mendimi se “që nga rilindja e saj në vitin 1920, Shqipëria nuk kishte bërë ndonjë përpjekje serioze për të zgjidhur vështirësitë e veta të brendshme dhe kishte dhënë pak prova se ishte vërtet e interesuar për të luftuar korrupsionin e për të vënë rregull në financat e veta.” (f. 302).

Po e mbyll duke cituar z. Ikonomi, i cili në fund të librit shkruan se “Përsa i përket Nolit personalisht, koha e shkurtër, gjatë së cilës ai përfaqësoi vendin në Lidhjen e Kombeve ose punoi në Shqipëri, pati sa suksese aq edhe zhgënjime. Nga disa bashkatdhetarë, ai do të mbahej mend si luftëtar dhe orator i zjarrtë i nacionalizmit shqiptar, që frymëzonte shpresë me programin e tij për ta çuar vendin përpara. Të tjerë do ta kujtonin si njeriun me ide të mëdha e progresiste, por që nuk e njihte mirë Shqipërinë dhe nuk iu përshtat dot rrethanave, prandaj dështoi politikisht. Gjithsesi, historia e tij flet shumë për malet e vështirësive që duhej të kapërcenin ata udhëheqës, të cilët dëshironin të sillnin ndryshime në një vend të prapambetur dhe konservator si Shqipëria”.

E përgëzoj edhe njëherë autorin për punën e bërë. Ky libër do të shërbejë padyshim si një bazë e mirë për studimin dhe njohjen e mëtejshme të figurës më gjeniale të shqiptarisë, Fan Nolin.

Librit i uroj udhë të mbarë dhe presim me shumë interes vëllimin tjetër!

(Marrë nga Gazeta Liberale)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT