• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Të festosh festën e librit në hijen e kryefestës sonë kombëtare

November 25, 2024 by s p

Namik Selmani*/

Qyteti i Quincit ku e bëmë këtë veprimtari interesante të bukur e të dobishme ndryshe e quajnë “Qyteti i dy presidentëve”. Kushdo që ka ardhur këtu apo dhe ai që vjen për herë të pare, do i ketë rënë rasti që në qendër të Quincit, vetëm pak metra larg Librarisë Publike të këtij qyteti të kenë parë pranë njëri-tjetrit. Ish-Presidentin e dytë të SHBA Xhon Adams dhe zonjën e tij të dy me penda në dorë, që janë simbol i mençurisë shkronjore. Kodi libror që ka ndjekur në shekuj ose më saktë që nga fillimet e para të shtetit amerikan e ka shoqëruar brez pas brezi shoqërinë. Brenda kësaj bote të madhe dhe ne, shqiptarët, kemi pjesën tonë të kulturës shkronjore. Jo vetëm për të mësuar shkrim e këndim, por edhe për të shkruar më vonë historinë folklorin tonë. Më vjen mirë që këto promovim e bëmë në hijen e kryefestës sonë kombëtare të Festës së Flamurit. Kur nisëm projektin e këtij takimi me të palodhurin e çështjes kombëtare me Mentor Maksutaj, mikun e të gjithë vatranëve të Masacusesit, e ndieva se po bënim një punë të mirë, të dobishme. Po bënim pjesë të jetës kulturore të shqiptarëve në trojet tona amtare, po dhe në mërgim.

Takim për librin shqip në Diasporë bëhet në Bostonin e Vatrës të Nolit e Konicës nuk është një rastësi, po një domosdoshmëri që shkon në kufinjtë e misionit, ndaj falenderimi është më se i merituar për këtë degë aq aktive. E kjo bëhet në Nëntorin e Shqiptarëve që, si për rastësi të bukur, këtu, në Amerikë, bashkohet edhe me Thanksgiving një nga festat më popullore në Amerikë.

Bëhet në një përvjetor të vitit 1443 kur, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi. Është përvjetori i Festës së Flamurit që këtë vit ka 112 vite që ësntë ngritur e përbën festën më popullore të shqiptarëve në mbarë botën. Në këtë tryezë librash dhe falenderimesh ka pjesë zoti Mark Kozmo ish-kryetari i Shoqatës MASSBESA që prej më se tre vitesh nguli këmbë dhe i krijoi kushtet zonjës Patricia Nugge për të ardhur në Boston. Të vinte dhe për ekspozuar thesarin e veprave më të rralla për Skënderbeun të botuara në gjithë gjuhët e që datojnë që nga viti 1450. Të falenderoja nga zemra fotografin e librit zotin Bujar Veselaj që më traditën familjare e me punët e tij në Amerika është bërë një kronikan i vyer i kujtesës së aktiviteteve të shqiptarëve. Libra të këtoj lloji nuk e kanë vlerën e tyre pa fotografinë që duhet të jetë sa më profesioniste. Mirënjohje për ta palodhurit Flamur Vezaj dhe Albert Maksutaj që kanë ndihmuar për organizimin e aktivitetit. Dua dhe të falenderoj zotin Kladi Haruni për fjalët e mençura e dashamirëse që tha për librin. Edhe zonja Lindita Meçe kishte pjesën e vet të bukur në moderimin e aktivitetit

Po një buqetë falenderimi do ia jepja dhe Elvis Sokolit një djalë i qeshur friendly si do ta thoja anglisht.

Është një rastësi e bukur që Dega e VATRËS na bashkoi dy ish-mësues letërsie që jetën e kanë patur të lidhur me librin. Me këtë rast i uroj shëndet dhe suksese dhe shkrimtarit Arisotel Mici. Një jetë të tërë e kemi lidhur jetën me librin shqip. Që në hapat e parë të kuvendimit me ish-nxënësit tanë kuptuam dhe besuam se çdo libër i ri i ngjan një festë të re. Madje i një feste që nuk vazhdon vetëm një ditë, po për shumë kohë, për shumë breza. Nis kjo festë që në prekjen gati magjike të kopertinës vazhdon te përkëdhelja e mollëzave tona që shfletojnë çdo faqe. Medituam për të. U emocionuam për ta. U mençuruam nga ata. Dëshiruam që këtë emocion e dialog ta përcillnim në familjen tonë, te miqtë tanë.

Nëse do ta shfletonim librin “Një jetë me Skënderbeun” unë po dhe sëbashku kemi ngritur disa Ura njëherësh

Kureshtia për librin e ri, po dhe një lloj misioni që kemi e duhet të kemi për të mbajtur gjallë rrëzëllimin e shqipes. Libri ka në qendër një zonjë, ka librin. Një libër që bashkon Anglinë ku jeton personazhi ynë Patricia Nugge bashkon Shqipërinë me Kosovën, së cilës i përket drejpërdrejt Skënderbeu dhe që e kanë këtë hero simbolin e luftës për liri dhe të bashkimit, bashkon Amerikën ku unë e takova për herë të parë zonjën Patricia dhe u frymëzova për të bërë këtë libër.

… Ishte një ditë e thjeshtë. Një festë për aktivitet e organizuara nga Kisha e Shën Gjergjit ose si jemi mësuar ta quajmë Kisha e Fan Nolit. Edhe në moshën ime, kur shkoj te ai institucion jam një nxënës i vemendshëm kurajoz. Pa ngurruar që të jem pjesë e ato misioni që ka atje fjala. O, sa shenjtëri merr këtu falja dhe bekimi që çdo shqiptar.

…Zonja palltokuqe që pak minuta më vonë e kishte emrin Patricia Nugge vinte nga Londra. Salla ishte mbushur me vetrina të xhamta Brenda së cilëve kishte libra për Skënderbeun Më të rrallë. Më të veçantët. Në disa gjuhë të botës kryesisht të Evropës. Të paguara me paratë e saj në dhjetra vite në ankandet më të shtrenjta. Kujdesej vetë që çdo gjë atë ditë të ishte e përkryer. Me ndihmën e zonjës Neka Doko salla ishte bërë një lloj ekspozite. Atmosferë shqiptare deri në madhështi. E sërish në qendër Ledi Patricia që ishte korrekte gjer në përsosmëri që në fjalën e saj ishte kujdesur që ta shkruante e t’i përgjigjej më vonë çdo pyetjeje.

Atë ditë në Boston po bashkonim dy skënderbejanë të vendeve të ndryshëm Pak të ndarë dhe në kohë.

Po jetonim me frymën noliane që një jetë të tërë ia kushtoi dhe kujtimit për Skënderbeun dhe një zonje angleze që gjithashtu një jetë të tërë ia kishte kushtuar koleksionit të veprave për të, promovimit të tyre në mbarë Evropën dhe botë dhe përcjelljes së lavdisë së historisë.

Një zonjë që e kishte lidhur jetën me librat që në rininë e saj kur punonte në një Bibliotekë Publike të Londrës e që me librat e Skëndebeut do bënte mrekullinë e vërtetë. Ishte një ngjarje e thjeshtë që do të ndryshonte jetën e saj pasionin e saj apo dhe një pjesë të kulturës sonë kombëtare. Një qytetar anglez i i ishte paraqitur në sportelin e bibliotekës ku ajo punonte dhe i kërkoi një libër për Skënderbeun. Me sinqeritetin e një punonjseje më korrekte se korrekte, ajo shkoi te drejtori i saj Trifo Maks. Drejtori ia kishte thënë shkurt jetën dhe lavdinë e Skëndebeut e ajo që të nesërmen nisi që të mblidhte në ankandet më të shtrenjtë të Evropës libra që flisnin për Skëndebeun e që nga libri i parë i botuar më 1510 ajo ka grumbulluar 37 librat më të rrallë e më të vyer për Skëndebeun dhe 500 relike të vjetra për jëtën e tij. I lexoi ato në origjinal e pak kohë më vonë e deri sot ajo është kthyer jo vetëm një arkivuese më e rrallë në botë për këto libra, po është bërë dhe misionare që kudo ku e dërgon këtë koleksion flet dhe për të

Prej vitesh ajo me atë buzëqeshjen e një njeriu të kulturuar human ka një shprehje

-Ju më thirrni dhe unë jam gati që të vij kudo ku ka shqiptarë.

Në një nga intervistat e saj ajo në një farë mënyre ngrihet dhe mbi historianët duke bërë një portret mjaft të sintetizuar për Heroin tonë

“Mirëqënia kurrë nuk e joshi dhe as vështirësitë nuk e thyen. Ai nuk kishte as etje as përfitim e as tangërllëk për t’u kënaqur. Ai nuk kërkoi pushtet për liri Kur i kishte mundësi ai mbante një tryezë gostie për oficerët dhe miqtë e tij, por ai hante një herë në ditë dhe me kursim. Ai nuk flinte kurrë më shumë se 5 orë në ditë dhe në kohë me rreziqe mund të flinte dhe dy orë në ditë.

Shprehur me një fjalë si mbret, si ushtar dhe i krishter nëse ka pasur ndonjëherë një figurë tër përsosu ajo është e Skëndebeut.”

Miqësia që ka me shqiptarët e me këtë vend të bukur ka bërë që ajo të bëhet dhe një zëdhënse e kulturës sonë

| Ah, ato dyert e vjetra, shtëpitë shekullore O zot sa të bukura! Duhet t’i mbani siç janë. Nuk vjen kurrkush për të parë qiellgëvishësa nuk keni ç’të rrëfeni me ta. Ngrijeni këtë çështje në grupe informale, universitete, media…|

Ç’të bëje para saj? E para, të krenoheshe për Skënderbeun që e kishte motivuar këtë zonjë që t’i kushtonte gati një jetë kujtesës së tij

Të skuqeshe së brendshmi se nuk kishe bërë kaq shumë në jetën tënde sa kishte bërë ajo për historinë e vendit tim.

Ashtu si kishte bërë ajo që në ditën e parë të njohjes me ë edhe unë qëmtova shumë për këtë mision që ajo i ka vënë jetës. Çdo shkrim çdo intervistë më sillte një emocion të paparë. Një shtysë që të shkruaja sa më shumë për jehonën e këtij misioni. Tashmë ajo është një Heroinë e vërtetë. Një Heroinë e kombit tonë që prej vitesh i bën nder kulturës sonë. Ndaj për këtë arsye ajo është dekoruar nga Tirana, nga Prishtina. Janë bërë disa dokumentar, shkrime. Personalitete shkrime që tregonin për vizitat e saj në shtete të Evropës pa dyshim dhe në Shqipërie në Kosovë, emisione televizive, intervista të ndryshme, ishin një buqetë shkronjore që ishin të mjaftueshme për një libër për vetë atë. Edhe më i madh mund të ishte ai. Mbase suksesi i librit në mbarë trojet amatare na e shton obligimin që në një kohë të afërt libri të përkthehet në gjihën angleze.

Në këtë mënyrë ne njohim jo vetëm kontributin e nderuar të zonjës Patricia po dërgojmë te miqtë tanë ndërkombëtarë dhe jehonën e veprës së Skënderbeut

Edhe drejtori i dikurshëm i bibliotekës ku punonte Patricia aso kohe ende e re ia kishte thënë asaj se Skënderbeut nuk ishte vetëm Heroi i Shqipërisë, po i mbarë Evropës.

Rrugëtimi i librit

Pas botimit ëndrra dhe dëshira e çdo autori është rrugëtimi i tij. Më vjen mirë që rrugëtimi i librit “Një jetë me Skënderbeun” ose “Një zonjë londineze e “dashuruar me Skënderbeun” ka patur deri tani një rrugëtim të bukur. Mbase është bekimi i bëmave dhe bekimit të Skënderbeut. Mbase është bekimi që mori fjala e shkruar në ngjizjen e saj në Kishën e Shën Gjergjit në Boston në atë mars të vitit 2023. E nisa me Prishtinën. Atje e botova dhe që në ditët e para pata mundësi që bashkë me një libër të përbashkët me një poet që banon në Zvicër ta beja të parin njohje me lexuesin e Kosovës. Disa ditë isha i ftuari i nderit në Shkollën e mesme “Hidajet Lezha” në Lezhë

Me kërkesën këmbëngulëse të Bibliotekës “Gjergj Fishta” në Lezhë u bë një promovim mjaft profesional me autoret e krijuesit e qytetit të Lezhës. U ndoq nga një takim në Mat, i organizuar mjaft mirë nga bashkia e Qytetit të Burrelit Në libër ka dhe një shkrim mjaft të mirë të shkrimtarit dhe studiuesit Hamdi Hysuka.

Dy emisione televizive nga Televizioni Shqiptar për Diasporën dhe nga Televizioni “Rrënjët” i bënë një analizë mjaft të thellë librit dhe patën një ndjekje mjaft të madhe nga shikuesit. Bashkë me promovimin e librit “Vëllazërisht“ të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë u bë dhe njohja e lexuesve shqiptarë në Athinë e këtij libri që u ndoq me interes nga pjesëmarrësit. Aso kohe jetoja me kujtesën e Xhorxh Bajronit të Edit Durhanit, të Eduard Lear që kishin bërë një tjetrër vlerësim kulturës onë kombëtare

Para një muaji libri u promovua në radion “Fol dhe ti”. Besojmë se libri do të promovohet edhe në Uster në Njy Jork në Kanada ku ajo ka bërë një vizitë mjaft të suksesshme para disa vitesh. Është një nder i dyfishtë që i bëhet Skënderbeut po dhe kësaj zonje.

Me mjaft emocion e përjetova takimin me zotin Mehdi Hafizi drejtorin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujën heroike. Në Krujën Muze. Duke e vendosur librin mes qindra librave të të gjithë kohëve që janë botuar për Skënderbeut nga autorë të mbarë botës, mësova një fakt të bukur.

“Është plotësisht e vërtetë, -më tha ai, -se pas Napoleon Bonapartit, Skënderbeut zë vendin e dytë në botë për librat që i janë kushtuar atij.” Të mos harrojmë se Monumente të Skënderbeut sot ka Tirana, Shkupi Prishtinë, Gjakova, Kruja dhe në mjaft shtete të tjera në mbarë botën. Shpresojmë që libri të mund të përkthehet në anglisht. Miqtë amerikanë dhe anglezë duhet ta dinë këtë histori të re që i bën nder zonjës Patricia po dhe kombit tonë. Uroj që libri të lexohet nga breza të ndryshëm lexuesësh dhe të jetë një kurorë e freskët falenderimi për këtë zonjë fisnike që na bën nder si komb me përkushtimin e saj.

Filed Under: LETERSI

E mira dhe e keqja është konstrukt social dhe ekziston veç në brendësinë tonë

November 25, 2024 by s p

Artan Nati/

Nuk ka dyshim se çdo person, në përgjithësi, është më pak i mirë nga sa imagjinon se është ose dëshiron të jetë. Të gjithë kanë një anë të errët. Dhe sa më shumë të përpiqeni ta fshihni atë, aq më e zezë dhe më e dendur bëhet. E mira që shohim në botë përcaktohet nga e keqja që ne perceptojmë. Pa të keqen, nuk ka të mirë. Pa errësirë, nuk ka dritë. Pa një antihero të përcaktuar qartë, nuk ka hero. Dhe kjo shpjegon pse ne jemi kaq të shpejtë për të demonizuar ata që mendojnë ndryshe ose që na kundërshtojnë. Tribalizmi është në strukturën e qenies sonë. Kultura jonë aktuale kërkon dëshpërimisht për antiheroin sepse ne duhet të etiketojmë të keqen në mënyrë që të kemi një ndjenjë të mirë. Nëse mund të gjejmë një person negativ, kjo na lejon të ndihemi moralisht superiorë. Nëse nuk ka një antihero, ne do të krijojmë një të tillë. Dhe tani shoqëria jjonë është më e ndarë se kurrë. Me cilëndo palë që të shoqëroheni, pala tjetër duhet të demonizohet. Sa më shumë që i perceptojmë si djaj, aq më të polarizuar bëhemi. Por pyetja është, si mund të jeni i sigurt nëse jeni në anën e së mirës? Edhe personazhet më të këqij në histori mendonin se ishin në anën e së mirës. Shpesh gjërat djallëzore bëhen në emër të drejtësisë dhe të jeni të sigurt se kushdo, i çfarëdo kombësie, qëndrimi politik apo feje, shkon gjithmonë në luftë me një ndjenjë të drejtësisë së plotë. Ana tjetër është djalli. Sigurisht që të gjithë nuk mund të jenë në anën e mirë, përndryshe e keqja nuk do të ekzistonte. E vërteta e çështjes është se e mira dhe e keqja ekzistojnë vetëm në syrin e shikuesit. Nuk ka kufi midis së mirës dhe së keqes. Vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon midis Kosovës e Serbisë, as midis Shqipërisë e Greqisë, apo midis PS-së dhe PD-së dhe as midis Ramës e Berishës dhe as midis demokratëve dhe socialistëve, por kalon në zemrën e çdo njeriu, në mënyrën se si ne mendojmë e gjykojmë. Hitleri konsiderohet si njeriu më i keq që ka jetuar ndonjëherë, por në fillim të viteve 1930, Hitleri u shpall si një hero, jo vetëm në Gjermani, por në pjesën më të madhe të Evropës. Ai kishte lulëzuar ekonominë gjermane dhe po ndërtonte një shoqëri efikase, të pasur, inovative. Në vitin 1936, Hitleri dhe gjermanët organizuan Olimpiadën, e cila shfaqi prosperitetin gjerman për të gjithë botën. Në vitin 1938, ai ishte Njeriu i vitit i shpallur nga revista prestigjoze ”Time” . Regjimi nazist u mbështet dhe u vlerësua nga intelektualë, ekonomistë, fitues të çmimit Nobel dhe media. Si çoi ky prosperitet në kampe përqendrimi dhe dhoma gazi? Nuk ndodhi brenda natës. U desh një proces hap pas hapi që nazistët të mendonin se po bënin mirë, duke menduar se ishin në anën e fisnikërisë dhe virtytit, duke menduar se çdo veprim që bënin ishte për përmirësimin absolut të njerëzimit. Motoja e Hitlerit ishte, e mira e përbashkët përpara së mirës individuale, dhe përfundimisht ideologjia e tij për të arritur të mirën e përbashkët do të çonte në një holokaust. I njëjti proces ka ndodhur në çdo gjenocid në histori, nga Pol Poti në Kamboxhia te Mao në Kinë e deri te Stalini në Bashkimin Sovjetik. Nuk bën përjashtim as krimineli Enver Hoxha dhe rregjimi i tij komunist. Enver Hoxha u konsiderua si shpëtimtari i kombit, si personi që do të bënte shqiptarët të hanin me lugë të florinjtë, që do të bënte Shqipërinë fanar ndriçues. Dhe ishte pikërisht ky besim, se ideologjia komuniste ishte fitimtare dhe kundështarët ishin djaj dhe armiq, që do ta shndërronte vendin në kamp përqëndrimi dhe ferr në tokë. Ishin komunistët e verbuar nga egoizmi i tyre, se vetëm ata ishin engjëj dhe gjithë të tjerët ishin djaj, që shkatërruan jetën e shqiptarëve dhe pjesës më vitale të vendit. Të gjithë këta njerëz menduan se po rregullonin qytetërimin. Ata të gjithë kishin një vizion për të krijuar një utopi, por për të arritur në atë utopi, vuajtjet masive dhe vrasjet masive u bënë të nevojshme. Fatkeqësisht tragjeditë e vendit tonë nuk mbaruan me zhdukjen e komunizmit, por vazhduan edhe në demokraci, sepse mënyra e të menduarit nuk ndryshoi shumë, sepse komunizmi u zhduk, por mënyra komuniste e të menduarit ishte mes nesh. Pas viteve 90, demokratët erdhën në pushtet (një pjesë e mirë demokratë vetëm në emër) me besimin se ata ishin në anën e drejtë të historisë dhe të pagabueshëm. Ky mentalitet bardh e zi prodhoi tragjedinë më të madhe politike-ekonomike në vend, luftën civile të 97-tës. Kjo tragjedi ishte produkt i mentalitetit komunist, edhe në krye të PD-së, e cila u uzurpua nga ish komunistët në kurriz të klasës së persekutuar në vend . Por hallet e Shqipërisë duket se nuk mbarojnë këtu, biles edhe me ardhjen në pushtet të një brezi më të ri, të përfaqësuar nga Edi Rama e Erion Veliaj, me premtimin e madh se ata janë e ardhmja dhe kuptojnë përkatësinë europiane të vendit. Shumë shpejt u kuptua se ata kishin trashëguar egoizmin dhe besimin se ishin të pagabueshëm dhe armiqtë po i sabotonin kudo. Kjo ka sjellë në vend korrupsion galopant, degjenerim social si edhe krim të organizuar. Ky është kuptimi i fjalës së urtë të lashtë, rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira. Në mënyrë që të shpëtojmë botën nga e keqja, ne duhet të shkëputemi nga egoja dhe të njohim demonët tanë të brendshëm. Kuptimi nga kjo është se e mira dhe e keqja nuk janë gjë tjetër veçse konstruksione mendore. Të gjithë ne, por veçanërisht politikanët tanë, duhet të kuptojnë se ata si të gjithë ne, janë krijesa kapriçoze dhe me kujtesë të kufizuar dhe mbi të gjitha me një talent për vetëshkatërrim.

========================================================================

Në dramën e Shekspirit “Julius Cesar” në dialogun midis dy fisnikëve Casius dhe Brutus thuhet : “Faji, i dashur Brutus, nuk është tek yjet tanë, por tek ne”

Cassius vazhdon duke i kujtuar Brutit se Cezari është thjesht një njeri, jo një zot, dhe se ata janë njerëz të barabartë me Cezarin. Ata kanë lindur të gjithë njëlloj të lirë, dhe pse do t’u duhej papritur t’i përkuleshin një politikani tjetër? E aplikuar në politikën bashkëkohore shqiptare, fare mirë mund të themi se faji në Shqipërinë e sotme nuk është në fatin tonë, por në veten tonë, sepse kemi zgjedhur të jemi mediokër në të menduarit tonë, të paqartë në këndvështrimet tona dhe dritëshkurtër në pikëpamjet tona për gjërat që ndodhin rreth nesh.

Duket sikur Shqiperia është ndarë në dy popuj, atë demokratik dhe socialist,të cilët jetojnë në egoizmin e tyre dhe mendojmë se ata janë engjëj dhe kundeshtarët djaj . Pjesa tjetër mendojnë se ky vend është e thënë se nuk bëhet dhe se kjo është e shkruajtur,ndoshta mallkim, osé yjet apo astrologjia thonë se këtu nuk ka të ardhme gjë që na kujton Shekspirin se fati yne nuk varet nga yjet por nga ne. Ashtu si Brutus duhet të shkëputemi nga egoizmi ynë dhe të mendojmë se besnikëria jonë është ndaj demokracisë dhe përkatësisë europiane të vendit dhe jo ndaj monarkëve të rinj, që ashtu si Jul Çezari, duan ta kthejnë vendin në perandorinë e tyre.

Filed Under: Emigracion

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

November 25, 2024 by s p

Luljeta Xhediku/

E diela e fundit e nëntorit mblodhi së bashku, miq, dashamirës dhe anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për të festuar ditën më të shenjtë për shqiptarët 28 Nëntorin, ditën kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Tashmë është kthyer traditë që kjo shoqatë të mblidhet së bashku për të festuar festën më të madhe të shqiptarëve që këtë vit përkon edhe me festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programi u hap me këndimin me dorë në zemër të dy himneve atij amerikan edhe shqiptar. Më pas fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe u uroi të gjithë shqiptarëve kudo që janë Gëzuar festën e Flamurit dhe qofshin ngahera të bashkuar ashtu si sot. Z. Lacaj, gjithashtu mbajti fjalën e rastit dhe na njohu me pikat kyçe të historisë deri në shpalljen e pavarësisë. Më pas në skenë performoi grupi artistik “Skënderbej” këngën “Për ty atdhe”, ku si solist interpretoi balerini i talentuar, z. Klevis Tafaj. “Përtej oqeanit” ishte titulli i performancës së dytë nga grupi “Skënderbej”, i cili u duartrokit nga të pranishmit, jo vetëm për performancën, por për vetë titullin që mban kjo këngë që vetëm emigrantët e ndiejnë vërtet çdo të thotë të jesh përtej oqeanit. Nderoi me pjesëmarrjen e tij, sekretari i Federatës Pan shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, i cili u shpreh: Në emër të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” ju uroj këtë ditë të shenjtë që është Dita e Flamurit. Dy gjëra janë të rëndësishme për shoqatat siç është kjo e juaja dhe “Vatra”, misioni ynë për të mbajtur vlerat tona kombëtare dhe për t’ua lënë breznive që vijnë, duke afrimuar se kush jemi, historinë tonë, vlerat tona, që këta fëmijë që ne shohim sot ta dinë ku i kanë rrënjët e tyre që kur të rriten të jenë amerikanë të mirë, por edhe shqiptarë të mirë, duke i kultivuar dhe ruajtur këto vlera, duke i kaluar prej gjeneratave tona, në gjeneratat që vijnë”. Një përshëndetje dhe urim i përzemërt edhe nga ish-ushtari i UÇK-së, z. Blerim Gjocaj, i cili i uroi të gjithë Dardanisë gëzuar Festën e Pavarësisë. Programi vazhdoi me dy interpretime të tjera të grupit artistik “Skënderbej”, të cilat ishin këngët “Thuaja Rini”, dhe vallja “Moj Hatixhe Shamikuqe”. Bukuria e këtij grupi në këtë festë ishin ata fëmijë të vegjël nën 5 vjeç që jo vetëm i janë bashkuar grupit, por vallëzojnë plot pasion e dëshirë dhe duken por si ato fluturat e bukura që fluturojnë plot jetë e gjallëri. Kryetari Lacaj nderoi grupin artistik “Skënderbej” me drejtuese znj. Adelina Lacaj, znj. Gela Bulku, dhe balerinin Klevis Tafaj me një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: Për kontributin e çmuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare, si dhe interpretimeve të tyre në aktivitetet e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc dhe të diasporës në NY. Këngëtarja Elona Leka përshëndeti me disa këngë të krahinave të ndryshme shqiptare. Nxënësja Erla Lamce ftoi në skenë për të përshëndetur z. Agim Kotaj, kryetar i shoqatës “Xhamadani” si përfaqësues i rinisë së Diasporës. Nxënësi Kelvin Rustani recitoi poezinë “Anës Lumenjve” të poetit të madh rilindas, Fan Noli. Fjalën mbyllëse e mbajti përsëri kryetari shoqatës shqiptaro-amerikane, “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi të gjithë shqiptarët: Gëzuar festat e Nëntorit dhe kështu festofshim gjithmonë!

Filed Under: Sociale

Shkolla shqipe “Fol Shqip” në Queens, New York mikpriti gjyqtaren Edit Shkreli

November 25, 2024 by s p

Sejdin Xhaferaj

President

Besi Association Inc./

Kishim nderin të mirëpresim nderin e saj, gjykatësen Edit Shkreli, gjyqtaren e parë shqiptaro-amerikane, në shkollën tonë “Fol Shqip”. Ajo u mirëprit nga Kryetari i Shoqatës Besi, Z. Sejdin Xhaferaj, nënkryetari Nexhad Xhaferaj dhe Sekretari Halil Hoxha, si dhe nga ekipi i komitetit të shoqatës Besi, Medina Xhaferaj, Medina Hoxha dhe Servete Xhaferaj, së bashku me anëtarët e shoqatës dhe prindërit e nxënësve të shkollës shqipe “Fol Shqip”. Prania dhe angazhimi i Gjykatëses Shkreli me fëmijët tanë ishte vërtetë e veçantë dhe e paharrueshme. Ajo shoqërohej nga këshilltari z.Ramazan Lika. Edit Shkreli inkurajoi fëmijët që të besojnë në veten e tyre dhe të ndjekin pasionet e tyre, duke thënë: “Si gjykatëse, kam mësuar se çdo ëndërr është e mundur me punë të palodhur dhe përkushtim.”

Pas mbarimit të mësimit, kremtuam 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me mësuesit, nxënësit, prindërit, dhe anëtarët e Shoqatës “Besi”, përfshirë anëtarët e bordit dhe komitetit. Prindërit dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme, duke sjellë ushqime, ëmbëlsira dhe pije, dhe duke u angazhuar aktivisht në këtë festë. Ata kontribuuan me gëzim dhe entuziazëm për të bërë këtë ngjarje një sukses të madh. Kjo është një dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit të prindërve për fëmijët e tyre dhe për zhvillimin e kulturës sonë. Festuam së bashku, kërcyen dhe gëzuan, dhe nxënësit tanë treguan talentin e tyre dhe pasurinë e trashëgimisë kulturore që na bën krenarë.

Ishte një ditë e mbushur me gëzim, unitet dhe krenari, dhe jemi shumë mirënjohës ndaj prindërve të nxënësve tanë dhe gjithë komunitetit për mbështetje të vazhdueshme. Festivali i 28 Nëntorit është një kujtesë e rëndësishme e bashkimit tonë dhe e dashurisë për traditat dhe identitetin tonë.

Filed Under: ESSE

Prof. Shefqet Hoxha, studiuesi erudit me kontribute të shquara në kulturën tonë kombëtare

November 25, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Ndër trevat shqiptare, Luma duket se ka qenë më me fat, pasi është më e studiuara në fushën e shkencave albanologjike: histori, gjuhësi, etnologji, folklor etj. Janë disa studiues të njohur që e kanë studuar gjërësisht këtë krahinë si Shefqet Hoxha, Nazif Dokle, Isa Halilaj, Fejzullah Xhabri, Xhavit Lashi etj. Por, Luma ka pas fatin të ketë një përfaqësues të denjë të kulturës kombëtare, studiuesin e apasionuar Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit. Shefqet Hoxha është një studiues i shquar i disiplinave të Albanologjisë si: Dialektologji, Folklor, Etimologji, Leksikografi e Terminologji, Toponomi-Patronimi dhe Histori e arsimit shqip. Duke zënë fill me studimet për trevën e Lumës dhe Kukësin, studimet e tij përmbajnë kontribute të rëndësishme shkencore edhe për trevat fqinje: Dibër, Mirditë, Pukë, Tropojë e në plan më të gjërë për të gjitha studimet shqiptare.

Shefqeti është brezi i tretë i mësuesve të shqipes në Lumë, që dalin familja e tij. Të parët e Shefqetit, që nga viti 1740 kanë ushtruar profesionin e klerikut mysliman, pra ishin njerëz të dijes(shkolla në atë kohë ishte monopol i klerit). Stërgjyshi, Mulla Uka (Jakup Fejzë Hoxha) e pas tij, dy djemtë: Mulla Xhema (Xhemali Jakup Hoxha) dhe Mulla Jonuzi (Jonuz Jakup Hoxha) kishin kryer studimet e mesme fetare në një medrese të Prizrenit dhe të tre njihnin bazat e arabishtes dhe flisnin e shkruanin turqishten, ndërsa Xhema dhe Jonuzi patën mësuar të shkruanin edhe shqipen. Mulla Rrahmani (edhe ky djali i Mulla Ukës) qe klerik autodidakt. Dija në këtë familje intelektualësh në Bicaj të Lumës vinte si nevojë e vetë jetës dhe e angazhimit të tyre fetar.

I pari në Lumë, mësimin e shqipes e ka filluar Mulla Jonuz Hoxha, krahas lëndëve turqisht, jepte fshehtas gjuhën shqipe me alfabetin latin në shkollën turke të Bicajve, ku ishte mësues. Pas Mulla Jonuzit, veperimtarinë e tij e vijuan brezat pasardhës. Djemtë e kësaj shtëpie kanë një rol të rëndësishëm në shkollimin shqip në Lumë me Qamil Hoxhën, si përfaqësues shembullor i brezit të dytë të asaj familje arsimdashëse. Qamili mbaroi shkollën fillore në Bicaj, plotoren në Kolgecaj dhe Normalen në Elbasan. Qamili, veç shqipes njihte edhe frëngjishten e italishten, si dhe zotëronte bazat e arabishtes, turqishtes dhe sllavishtes. Në vitin 1927 ai hapi shkollën e parë shqipe në Zapod. Qamili pati punuar mësues në Zapod, Bicaj, Gjakovë (zëvendësdrejtor i Normales), Ploshtan dhe pak kohë në Gostil. Ai qe marrë me qëmtimin e visareve popullore; pat mbledhur një material të gjërë, të cilin pjesërisht bijtë e tij ia botuan. Disa nga punimet e tij ruhen në Arkivin e Universitetit të Harvardit në SHBA.

Pas Qamilit, traditën arsimore e vazhduan disa nga bijtë e tij, që përhapën dritën e diturisë anembanë Kukësit, deri në fshatrat më të largëta, duke nxjerrë breza të tërë nxënësish, që u bënë kuadro të devotshëm në shërbim të vendit. Por, nga fëmijët shumë arsimdashës të Qamil Hoxhës, Shefqeti vazhdoi në rrugën e tij të studimeve, duke u bërë personalitet shumë i njohur si mësues, metodist, drejtues në arsim, por edhe studiues shumë i aftë në shkencat albanologjike. Ai u rrit në mjedisin familjar, ku bashkëjetonin traditat më të mira të visit, pikëpamjet filozofiko-fetare të Islamit dhe dijet shkencore. Qamili, i apasionuar pas Fishtës dhe korifejëve të tjerë shkodranë, pa hyrë ende në shkollë i lexonte këngë nga “Lahuta e Malcis“ dhe e pati angazhuar djalin të mësonte përmendësh qindra vargje nga ajo kryevepër letrare. Në biliotekën e Qamilit ruheshin edhe veprat e Mjedës, Prenushit, Koliqit, Naimit, Çajupit, përkthime nga shumë autorë të huaj, si dhe libra të shumtë pedagogjikë e shkencorë. Mjedisi në mes të librave, e nxiti Shefqetin që në moshë fare të re të hynte në botën e dijes dhe nën ndikimin e të atit, shumë herët u angazhua në qëmtimin e trashëgimisë popullore.

Shkollën fillore djali i ri lumjan e mbaroi në vendlindje, shkollën unike e filloi në Kukës dhe e mbaroi në Bicaj me rezultate të shkëlqyera. Pastaj vazhdoi me bursë shteti shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi, me ato rezultate, por për arsye biografike nuk iu dha medalja e artë. Shefqeti filloi punë në shkollën 7-vjeçare Kukës dhe njëkohësisht vazhdoi studimet me korespondencë, fillimisht në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar në Tiranë dhe pastaj në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tiranës.

Shefqet Hoxha ka kaluar të gjitha shkallët e mësimdhënies, mësues dhe drejtor në shkolla shtatë dhe tetëvjeçare, mësues dhe drejtor në shkollën e mesme, metodist dhe drejtor në Kabinetin Pedagogjik; pak kohë Inspektor Arsimi në Rreth dhe pedagog në Filialin e Kukësit. Te Shefqet Hoxha bashkohen më së miri pedagogu, metodisti dhe shkencëtari, prandaj gjatë gjithë jetës së tij aktive ai nuk i ndau detyrat si mësimdhënës dhe detyrat si kërkues shkencor, megjithëse të dy angazhimet kërkonin shumë mund dhe sakrifica.

Shefqet Hoxha e nisi punën shkencore si hulumtues i visareve popullore. Pasionin për folklorin ai e dëshmoi përmes bashkëpunimit të hershëm, që nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XX me Institutin e Folklorit në Tiranë. Studiuesi i njohur kuksian i ka shkelur pëllëmbë për pëllëmbë fshatrat e Kukësit, duke hyrë në çdo familje, për të mbledhur visaret kombëtare: proverba, përralla, anekdoda, fjalë të rralla, doke e zakone të moçme, këngë të epikës historike dhe legjendare, ritual etj. Punimin i tij i parë shkencore ishte “Fejesa dhe martesa në Lumë“, pastaj botoi punimet “Lindja në Lumë“,“Toponimet e Fanit“ dhe “Në gjurmët e trojeve të Bogdanit“. Publikimi i këtyre punimeve, ndonëse me përmbajtje thellësisht shkencore dhe pa frymë ideologjike, do të bëheshin pas peripecishë të shumta. Në vitin 1980, Dhora Lloja, Drejtoresha e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës do t’i kërkonte leje Komitetit të Partisë së Rrethit Kukës për botimin e dy punimeve shkencore të studiuesit Shefqet Hoxha ne Buletinin Shkencor të Institutit: Terminologjia e mullirit në të folmen e Lumës; Grimca etimologjike, pasi sipas saj “materialet paraqesin interes shkencor”. Po në këtë vit, Drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Alfdred Uçi, njofton Komitetin e Partisë të rrethit Kukës se “kohët e fundit ishte paraqitur për botim një përmbledhje me këngë popullore lirike të rrethit të Kukësit, përgatitur nga Shefqet Hoxha. Vëllimi është me mjaft interes…”.

Vetëm një studiues me vullnet të madh do të besonte aq fort në misionin e tij, pavarësisht pengesave dhe peripecive. Vepra studimore e Shefqet Hoxhës e pa dritën e botimit edhe në ato kushte të luftës së klasave. Kjo u arrit sepse institutet shkencore kishin etje për punime të tilla dhe me punonjësit që kishin në organikë nuk mund t’i realizonin projektet e tyre. Nga ana tjetër, pengesat që i viheshin Prof. Shefqetit ndryshonin nga koha në kohë, në varësi të zhvillimit të luftës së klasave në vend. Kështu, në vitin 1969 kishte mundur të botonte një përmbledhje folklorike me këngë popullore. Por, në vitet 1975-1981 i heqin të drejtën e botimit, të cilën e fiton vetëm në vitin 1982. Që t’i jepej përsëri ajo e drejtë kishte ndërhyrë Drejtori i Institutit të Kulturës Popullore Prof. Alfred Uçi, i cili kishte kërkuar pranë instancave të larta partiake që të botohen librat e Shefqet Hoxhës: “Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit” dhe “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”.

Shefqeti shpejt u bë mjaft i njohur dhe u emërua si pjesë e ekipit të studiuesve që do të zbatonin projekte të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1968, studiuesi kuksian mori pjesë në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, ku referoi temën “E folmja e Lumës dhe disa çështje rreth shtrirjes së nëndialektit verilindor të gegërishtes“. Me angazhimin e tij, po në këtë vit qe organizuar në Kukës një sesion përkujtimor kushtuar 90-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në fillim të qershorit të vitit 1968. Në këtë sesion ai paraqiti kumtesën “Dy lëvizje popullore në Lumë, para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit“. Tregues i vlerësimit të lartë ndaj tij është dhe pjesëmarrja si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.

Deri në vitin 1991, veprimtaria e gjërë studimore e Prof. Shefqet Hoxhës i ngjante një ajsbergu, ku pjesa më e madhe ishte e panjohur dhe studiuesi erudit veç punonte, pa e pasur shumë të qartë nëse gjithë ajo punë kërkimore do ta gjente ndonjëherë dritën e botimit. Viti 1991 solli shpresa të mëdha në shoqërinë shqiptare dhe Shefqet Hoxha, krahas angazhimeve politike dhe shoqërore që i kërkonte koha, pati dhe angazhimeve studimore të ditës, pasi iu desh që të përgatiste për botim veprat e tij të deriatëhershme. Në librin “Shkrime e botime“, botuar në vitin 2014, ai sjell bibliografinë e plotë të veprimtarisë së tij studimore, e cila sot ëshjtë shtuar dhe përfshin 500 artikuj studimorë; autor i 70 libra studimorë dhe konkretisht: 5 nga fusha e Dialektologjisë; 11 nga fusha e Foklorit; 9 nga fusha e Etnologjisë; 3 nga fusha e Leksikografi-Treminologjisë; 3 nga fusha e Toponimisë; 5 nga Historia e shkollës dhe e arsimit; 20 nga fusha e historisë; 13 monografi dhe një libër me bibliografinë e veprave të tij.

Një kontribut aq i madh shkencor e ka lënë në hije kontributin e tij pedagogjik, por nuk duhet të harrojmë se Prof. Shefqeti ishte njëri nga mësuesit, metodistët dhe drejtuesit më të mirë të arsimit në sistemin parauniversitar në rang vendi;si një mësimdhënës që gjatë karrierës së tij i kaloi të gjitha shkallët e karrirerës profesionale, prej shkollës shtatë/tetëvjeçare deri në auditoret universitare.

Pas përfundimit të shkollës pedagogjike, Ministria e Arsimit e kishte emëruar Shefqet Hoxhën mësues në rrethin e KUkësit, ndërsa Seksioni i Arsimit, duke parë rezultatet e larta që kishte arritur në shkollë e emëroi mësues në ciklin e lartë të shkollës 7-vjeçare “Bajram Curri” të qytetit Kukës, që ishte dhe shkolla 7-vjeçare më e rëndësishme e rrethit, ku jepnin mësim arsimtarë mjaft të njohur e me përvojë: Vehbi Troshani, Zija Kukuqani, Persifoni Musa, Qemal Shehu etj. Dreejtori i shkollës Vehap Muja kishte përgatitje të lartë pedagogjike dhe ishte mjaft kërkues.

Pas atij viti punë, Shefqeti vazhdoi arsimin dyvjeçar në Tiranë me korespondencë dhe pastaj, pa u shkëputur nga puna, plotësoi arsimin pedagogjik katërvjeçar në degën Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës pa shkëputje nga puna(me korespondencë).

Pas shkollës së Kukësit, Shefqeti vazhdoi punën si mësues i ciklit të lartë në shkollën 7-vjeçare Bicaj. Meqenëse familja e tij nuk u fut në kooperativë njëkohësisht me të tjerët, në vitin shkollor 1958-1959 e kaluan mësues në shkollën 7 vjeçare Krumë, edhe ajo një shkollë e madhe. Qe kolegë me Kolec Topallin, që më vonë fitoi titullin Profesor Doktor dhe u bë Akademik; Maxhun Pekën që u bë ambassador në disa vende dhe më vonë Sekretar i Këshillit të Ministrave dhe përsëri Ambasador.

Vitin tjetër shkollor, pasi familja e Shefqetit më në fund hyri në kooperativë, ai u emërua mësues në shkollën 11-vjeçare Kukës, institucioni më i rëndësishëm arsimor në rreth, ku vazhdoi deri në vitin 1961, kur kreu shërbimin ushtarak në Korçë. Pas lirimit nga ushtria, do të rifillonte punën përsëri në gjimnaz, por pastaj ia ndryshuan emërimin në Inspektor në Seksionin e Arsimit, ku qëndroi një vit. Në vazhdim emërohet drejtor në shkollën 7-vjeçare Gostil. Nën drejtimin e tij shkolla e Gostilit qe renditur si njëra ndër më të dalluarat në rrethin e Kukësit. Në vlerësim të arritjeve, në janar të vitit 1968, Shefqeti emërohet drejtor i Gjimnazit të Kukësit, një funksion me mjaft peshë dhe shumë vlerësues, por e kishin larguar brenda atij viti për arsye politike dhe e kishin emëruar në Kabinetin Pedagogjik, ku kishte punuar deri në vitin 1975. Në Kabinetin Pedagogjik qëndroi për shtatë vjet rrjesht dhe gjatë kësaj periudhe mori pjesë në shumë seminare kualifikuese dhe veprimtari të ndryshme pedagogjike anembanë vendit. Në ato vite, Kabineti Pedagogjik i rrethit Kukës organizoi pesë konferenca pedagogjike. Shefqeti si specialist kishte shkruar disa artikuj dhe kishte përgatitur punime të ndryshme shkencore në lidhje me metodikën e mësimdhënies, zbatimin e programeve mësimore etj.

Në vitin 1968, u krijua në Kukës Qendra e Konsultimeve Universitare për mësuesit dhe punonjësit e tjerë që vazhdonin studimet e larta me korespondencë në degët e mësuesisë, e cila shpejt u shndërrua në filial të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku Shefqeti ishte njëri nga pedagogët e parë vendës, ligjërues në lëndët: Histori e Gjuhës shqipe; Gramatikë historike; Dialektologji, Sintaksë, Kulturë e gjuhës etj. Emërimi pedagog i Filialit e njohu dhe e miqësoi me pedagogë të shquar të atij Instituti: Vehbi Balën, Jup Kastratin, Tomorr Osmanin etj. Në vlerësim të aftësive të tij profesionale, Shefqeti qe zgjedhur delegat në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972.

Me gjithë arritjet e dukëshme në punë, në vitin 1975, si rezultat i forcimit të luftës së klasave, Shefqetin e largojnë nga Kabineti Pedagogjik dhe e emërojnë mësues në shkollën e mesme Bicaj, edhe kjo një shkollë e madhe, ku dha letërsi. Në atë shkollë jepnin mësim edhe disa arsimtarë të tjerë, të aftë profesionalisht si: Nazif Dokle, Zenel Bilali, Hamdi Gjana, Fatmira Domi etj. Në shtator të vitit 1977, me kërkesën e tij, Shefqeti emërohet në shkollën 8-vjeçare Përbreg, ku punoi pesë vjet.

Në vitin 1982, në kuadrin e punës që po bënin institucionet shkencore për të mbledhur pasuritë historike, etnologjike dhe folklorike të vendit, caktuan për çdo rreth nga një bashkëpunëtor të tyre, në mes të studiuesve më të afirmuar që e kishin dëshmuar veten. Kukësi qe me fat se në atë detyrë u emërua Shefqet Hoxha, të cilit iu krijua mundësia ta vazhdonte më me intensitet punën e tij shkencore që nuk e kishte ndërprerë për asnjë ditë të vetme.

Megjithë kontributin e madh që kishte dhënë, deri në vitin 1990, Shefqeti nuk ishte vlerësuar nga organet shtetërore dhe vetëm pas përmbysjes së sistemit komunist, kontributet e tij marrin vlerësimin e duhur. Mohimi padrejtësisht i vlerësimit të arritjeve të tij mori fund në vitin 1995, kur Presidenti I Republikës i akordoi titullin “Mësues i Popullit”, më të lartin që jepet në fushën e arsimit. Vite më vonë, Këshilli Bashkiak i Kukësit e ka shpallur “Qytetar nderi”. Në vitin 1996 Prof. Shefqeti mbrojti dizertacionin me tezën “E folmja e Rrafshit të Lumës” dhe mori gradën Doktor i Shkencave, ndërsa në vitin 2007, në vlerësim të kontributit të gjatë e mjaft të vlefshëm shkencor, Komisioni i Lartë i Kualifikimit Shkencor i jep Dr. Shefqet Hoxhës titullin Profesor i Asociuar. Prej atëherë kur e ka fituar atë titull e deri më sot, Prof. Shefqeti ka publikuar dhjetra studime e monografi, si dhe shumë e shumë artikuj shkencorë.

Edhe pse po hyn në vitin e 90-të të jetës, Prof. Shefqet Hoxha vazhdon të punojë me pasion e këmbëngulje mbi dorëshkrimet e tij, duke nxjerrë në vijimësi vepra të reja, të cilat i ka përgatitur ndër vite. Me dëshirën e madhe që ta kemi sa më gjatë në mesin nesh, i urojmë atij jetë të gjatë e të lumtur, edhe vepra të tjera me vlerë për shkencat tona albanologjike, ku ai e ka shënuar emrin e tij me germa të arta.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT