• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

NJË HISTORI E DHUNËS SHTETËRORE QË VRET DASHURINË

November 13, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

(Novela “Odin Mondvalsen, një histori dashurie” nga triptiku “Legjenda e asaj që iku” e Kasëm Trebeshinës, Tiranë 1992)

Novela është shkruar në vitet 1955-56. Ngjarjet vendosen në një spital psikiatrik. Në qendër të veprës është fati i Odin Mondvalsenit, një kundërshtari të regjimit të egër autokratik që ka zgjedhur të bëjë rolin e njeriut të çekuilibruar ose për shkak të dhunës në hetuesi, ose për të krijuar një shtresë mbrojtëse nga organet e diktaturës dhe nga spiunët që duan t’i shkulin forcërisht dëshmi të rreme, të kapen si i mbyturi pas fijes së kashtës për ta hiperbolizuar në tra, vetëm e vetëm për ta dënuar ose për ta ekzekutuar që të ndrydhin dhe frikësojnë të tjerët. Shtiret se është qytetar danez, se s’ka asnjë lidhje me realitetin shqiptar, prandaj edhe tentativat e njëpasnjëshme nga brenda dhe jashtë spitalit përfundojnë me zhgënjim. Arrestimi i tij është sureal, sepse vjen pas një historie haluçinante me pesë shokë që ishin vënë në kërkim të gomarit të Harizit të Dajlanit jashtë rruzullit tokësor. Katër prej tyre patën vdekur në Hënë, Odin i pati varrosur atje, për të vazhduar udhëtimin drejt Marsit ku dhe e arrestuan. Pandehma për të qenë një i burgosur politik vjen nga vetëdeklarimi se ai dhe katër shokët e tjerë ishin komisarë. 

Në spital i duhet të përballet me Hetuesin e Zabotinlandës pas së cilës nënkuptohet Shqipëria diktatoriale. Ka diçka edhe nga jeta e Trebeshinës që e futën forcërisht në spitalin psikiatrik të Vlorës. Në dhomën e Odinit fusin një burrë tjetër që shtiret sikur është memec, një tjetër maskë mbrojtëse për të mos u viktimizuar. Njeriu “memec” i kujton Odinit se ka më keq se burgu, që në këtë rast është spitali i të sëmurëve mendorë, më keq janë kampet e përqëndrimit dhe kampet e punës si ai i tharjes së kënetës dhe nënkuptohet Maliqi. Pas Hetuesit te dhoma e Odinit vjen Faraoni dhe Putifari që përfaqësojnë nivele të larta të nomeklaturës komuniste dhe kërkojnë prej tij të pranojë se quhet Josif nga Izraeli ose Isuf nga Arabia. 

Një mjek i gjatë, që më vonë merret vesh se quhet Xhemil, është i rekrutuar nga sigurimi i shtetit dhe është groteske pozita në të cilën gozhdohet pas këshillës që i jep Odini për të shkuar te faraoni i Egjiptit me një gomar, duke e hipur herë njëri e herë tjetri.

Një infermiere e bukur, në rrethana të pabesueshme, vjen dhe e puth në buzë Odinin, prandaj presim nga një çast në tjetrin të demaskohet si karremi ose spiunia e radhës. Një herë i thuhet se është gruaja e Putifarit, pastaj del se qenkej gruaja e një kushëriri, i cili i kërkon të heqë dorë nga infermierja pasi ajo është gruaja e tij. Odini i dashuruar por i futur në kurth, përplaset fizikisht për mbrojtjen lidhjen e re dhe përfundon me kthimin e dhunshëm në dhomë dhe lidhjen pas krevatit. Vajza me të bardha, e cila në fund merret vesh se quhet Xhevrije, me puthjen e saj solli fillimin e një dashurie me tolerancë të dyanëshme, për shkak të deformimeve që kanë pësuar të dy, duke hedhur pas krahëve goditjet e pamëshirshme të fatit.

Por edhe në këtë mjedis survejues e provokues për pacientin Odin ka  burime drite dhe ngrohtësie që përpiqen ta nxjerrin nga ky lloj burgu: doktori plak Elmaz dhe vajza me përparse të bardhë. Xhevrija divorcohet nga burri i saj impotent, që e pati dorëzuar si mantenutë te një ushtarak. Kapitulli i fundit i novelës quhet i katërt dhe përfundon me vrasjen e Xhevrijes që duket e përdhunuar dhe e sakatuar. Është jo vetëm vrasja e dashurisë, por edhe vrasja e shpresës për të jetuar në një shoqëri normale.

 “Çmenduria” e Odinit është pasqyruar artistikisht me strukturën e rrëfimit të tij që realizohet me ndarjen në kapituj me një renditje qëllimisht të çoroditur që nuk përputhet me numërimin rreshtor. Përveç kapitujve që ndjekin radhitjen normale dhe arrijnë deri te nëntëmbëdhjeta, ka emërtesa të tjera të tilla, si: Kapitulli i parë, i dytë dhe i tretë – Kapitujt nga i gjashti deri te i tetëmbëdhjeti – Kapitulli që vjen pas të dymbëdhjetit – Kapitulli që është para kapitujve të parë – Kapitulli i dytë pas kapitujve të parë – Kapitulli i tretë pas të dytit – Kapitulli i katërt dhe i pestë – Kapitulli që vjen pas atij që nuk u shkrua.

Në kapitullin që përcaktohet “nga i gjashti te i tetëmbëdhjeti” flitet për faraonë partie, drejtori të shkallëzuara për hedhjen e fallit dhe gjetjen e ëndrrave dhe pallatin ku janë vendosur. Duke u nisur nga viti i botimit, mund të mendosh se paska patur një skicim të hershëm të pallatit të ëndrrave para Kadaresë.

Rrëfimi alegorik kalon në surealizëm kur përmend mbretin, mbretërorët dhe kryetarët e kooperativave të hipur mbi pilivesa që janë sipas rangjeve në pushtet. Realiteti shqiptar fshihet pas historive të përziera me Venedik, Stamboll dhe Egjipt, por befas hiqet veli për të zbuluar Shqipërinë kur flet për krijimin e partisë, kur përmend Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, kur lufta për kreun e partisë fshihet pas emrave Skënderbe, Ali Tepelena dhe Aranit Komneni.

Spiunët identifikohen si faraonë dhe disa prej tyre i flasin Odinit për krijimin e kooperativave bujqësore dhe shpalljen e kulakëve, për kolektivizimin e bagëtive dhe mbetjen e fëmijëve pa përsheshin me qumësht e me dhallë. Diskutohet për ligjet dhe për heqjen e lëkurës së njerëzve kundërshtarë dhe Odini satirizon se kjo lëkurë mund të përdoret për të bërë çantat e zyrtarëve ose të shkrimtarëve zyrtarë. Aludimi për diktaturën vjen nëpërmjet skllavit dhe skllaves që u nisët nëpër shkretëtirë drejt lirisë, por, të ndjekur nga faraonët, vdiqën të dy larg njëri-tjetrit. 

Odini del nga spitali, duke pranuar që është shqiptar, kusht i shërimit mendor, por nuk shpëton nga spiunët dhe provokatorët që besojnë se po mbrojnë pushtetin e dalë nga gryka e pushkës. Dikush i kërkon të spiunojë shitësin ambulant të qumështit, ndërkohë që në treg ndjehej mungesa e tij. Një nga mysafirët e paftuar që vijnë në shtëpi gjatë kohës që Xhevrija është në punë dhe Halla ka dalë, është një burrë që ua ndan florinjtë njerëzve, por policët e torturojnë duke i kërkuar të tjera.

Novela “Odin Mondvalsen” është një rrëfim tronditës, sepse është një rrëfim nga brenda, vetë autori ka qenë për një kohë në organet e punëve të brendshme, madje është dërguar për studime edhe në Bashkimin Sovjetik, nëna e Fiqiret Shehut ishte tezja e tij, por pakënaqësia për trajtimin e atyre që bënë luftën, e rrëzoi nga shkallët e pushtetit. E veçanta kontraverse e Kasëm Trebeshinës është pranimi i tij që në vitet e diktaturës për t’u tërhequr përgjithmonë nga balli i skenës politike dhe letrare duke refuzuar kompromiset me udhëheqjen e lartë partiake.

Filed Under: Kronike

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë

November 13, 2024 by s p

-Presidentja Osmani në takim me drejtues të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës: Hulumtimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, torturës dhe krimeve të tjera, me rëndësi për dokumentimin e të vërtetës dhe për drejtësi/

– Kryeministri Kurti: Për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që kemi themeluar, ne mund ta marrim si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13 Nëntor 2024/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi.

Sipas Presidentes Osmani, hulumtimi i krimeve të kryera në kohë lufte, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, torturës dhe krimet e tjera, është tejet me rëndësi për t`u dokumentuar, arkivuar dhe për t’u siguruar që e vërteta të mbrohet me qëllim të vënies së drejtësisë, si dhe të ruhet e të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm.

“Puna e Institutit është angazhim i rëndësisë historike për ne si komb dhe si shtet”, theksoi Presidentja Osmani, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet IKKL-së dhe institucioneve lokale e atyre ndërkombëtare.

Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, i dorëzoi Presidentes Osmani Raportin Vjetor të Punës së Institutit, me ç’rast Presidentja ritheksoi përkrahjen e palëkundur të Presidencës për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë tha se për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që kemi themeluar, ne mund ta marrim si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

“Ky institut u themelua nga nevoja për të ruajtur dhe për të dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisnim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 tera bajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuar: qytetarëve, organizatave, institucioneve, komunave, ministrive, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Falënderoj secilën e secilin prej jush për dëshmitë që keni ndarë dhe për kujtimet që keni ruajtur. Ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni Institutin drejt realizimit të këtij misioni të drejtë e fisnik të tij. E dimë se ky proces nuk është i lehtë, por është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë. Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të mbrojtur kujtesën tonë kolektive.

Andaj, në raste si kjo, veçanërisht kujtojmë të gjithë ata, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Është detyra jonë morale dhe institucionale të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Është nderim e drejtësi ndaj atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrarëve dhe të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, theksoi Kryeministri Kurti.

Filed Under: Rajon

Bashkia e Tiranës paguan edhe 13 Milionë Euro inceneratorin fantazmë për Halloween

November 13, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi

Deputetja e PD: Inceneratori i Tiranës nuk ekziston fare. Ku kanë shkuar  miliona euro? – Abc News

Në Tiranë, historia e inceneratorit që nuk ekziston është si një legjendë urbane që kurrë nuk del në dritë – dhe tani po shkon për të marrë edhe 13 milion euro pagesa në 2025. Po, qytetarët tanë të mrekullueshëm do të vazhdojnë të paguajnë rreth 12.5 milion euro për një incenerator që, siç duket, është bërë specialist në pushime të gjata, ndoshta në një plazh ekzotik të imagjinatës së ndonjë zyrtari të qeverisë.

Përveçse paguajnë, qytetarët e Tiranës janë bërë pjesë e një eksperimenti të madh shoqëror, ku ata paguajnë 29 euro për ton plehra që në vend të djegies shkojnë për t’u groposur. Imagjinoni këtë: paguani për një shërbim që nuk ofrohet, dhe e gjithë kjo ndodh me një qetësi që do ta bënte edhe një komedian të njohur të ndjejë xhelozi. Duke parë situatën, ndonjëherë mendoj se ndoshta ndonjë “superhero” i ka hequr inceneratorët nga harta e Tiranës dhe tani ata janë duke jetuar të lumtur diku tjetër.

Deri në shtator, buxheti shtetëror kishte hedhur në këtë “incenerator” rreth 10 milion euro, duke e çuar totalin në gati 72 milion euro. Një shifër që do t’i bënte krenarë edhe artistët më të njohur të iluzionizmit. Si ndodhi që një skemë e tillë doli kaq mirë? Po, është një mister i madh, i ngjashëm me atë se si një kafe mund të kthehet në një ambalazh të mbeturinave.

Ndërsa qytetarët vuajnë nga faturat e kripura, Rama dhe Veliaj, si dy superheronjtë e kësaj historie, insistojnë që pagesat duhet të vazhdojnë, sepse, sipas tyre, “Tirana paguan shërbimin.” Sa romantike! Më duket si një marrëveshje romantike për çiftin, por në vend të dhuratave, ata po marrin vetëm borxhe dhe frustrim. “Nëse ndalojmë pagesat për tri ditë,” thotë Rama, “do të shihni se çfarë ndodh.” Sigurisht, do të shihnim një qytet që duket më i pastër se kurrë – sepse plehrat do të ishin në pritje për inceneratorin fantazmë që asnjëherë nuk erdhi. Një mënyrë e shkëlqyer për të provuar se ju nuk keni nevojë për energji të rinovueshme kur keni një qeveri që e menaxhon kaq mirë situatën!

Dhe kur Klodianët tanë të dashur u shpallën në kërkim, Veliaj me mençuri tha: “Cili është në kërkim, nuk është problemi im.” Kjo është si të thoni se ndiheni mirë për motin jashtë, por haroni të kontrolloni nëse ka rënë një shi i madh. Po ashtu, ai theksoi se ka një supervizor privat, që, me sa duket, është më i zënë me punët e tij personale sesa me mbajtjen e Tiranës të pastër. Epo, ndoshta ata po organizonin një festë plehrash, dhe tani askush nuk e di se ku përfunduan!

Në fund, SPAK-i po e ndjek këtë histori, por duket se Rama dhe Veliaj janë të paprekshëm, si shpirtra të mbrojtur nga ligji i korruptuar. Në të vërtetë, inceneratori i Tiranës është një nga ato legjenda urbane që ne do t’i tregojmë brezave të ardhshëm si një shembull i shkëlqyer i mënyrës sesi mund të bëhet një shpikje e pabesueshme dhe të shërbejë si një makth për qytetarët.

Dhe kështu, në këtë teatrin e absurditetit, qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë të paguajnë për një incenerator që është bërë simbol i një tradhtie të madhe – tradhtia e shpresave dhe e besimit në një të ardhme më të pastër dhe më të ndritshme. Se për sa kohë do të vazhdojmë kështu? Sigurisht, deri kur inceneratori të vendosë të kthehet nga pushimi i tij i gjatë. Por deri atëherë, le të vazhdojmë të paguajmë dhe të shijojmë spektaklin!  Duke pritur 100 kontejnerë helme nga deti që kanë bllokuar radën e Durrësit.

Filed Under: Analiza

Veprimtari përkujtimore te “Bijtë e Shqipes” për të kujtuar e nderuar jetën dhe veprën e Maliq Arifajt

November 13, 2024 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Në mjediset e saj shoqata “Bijtë e shqipes” dhe familja organizuan një veprimtari përkujtimore për të kujtuar e nderuar jetën dhe veprën e Maliq Arifajt, i cili u nda nga kjo botë më 24 shtator 2024. Për raste të tilla amerikanët e kanë një shprehje të bukur, të përshtatshme: “Celebrating the life” (“kremtojmë jetën”). Edhe ne ishim tubuar për ta kremtuar jetën e Maliqit, për t’i shprehur nderimet tona për veprimtarinë e tij shumëvjeçare në shërbim të komunitetit, në sherbim të çështjes kombëtare, sidomos asaj kosovare.Maliqi, si njeri i përzemërt e plot mirëkuptim,  tërë jetën është angazhuar për bashkimin e komunitetit tonë, për të qenë gjithmonë pranë njëri – tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira. Prandaj, edhe salla ku u zhvillua kjo veprimtari ishte mbushur plot me bashkatdhetarë, familjarë e farefis, si dhe bashkëveprimtarë të Maliqit ndër vite. Merrtte pjesë vajza e tij, Syzana me bashkëshortin, djali, Justin, me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij, si dhe partnerja e tij shumëvjeçare, zonja Valerie Daëson, së bashku me vajzën dhe dhëndrin. Merrnin pjesë edhe shumë miq të tij amerikanë. Ishte kjo fryma, porosia e jetës së Maliqit që na bëri bashkë në këtë veprimtari. Fëmijët e tij kishin sjellur disa albume të organizuar bukur e me fotografi të shumta nga të gjitha fazat e jetës së Maliqit, disi sikur e ndienim praninë e tij në mesin tonë.

Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili i përshëndeti të pranishmit duke ifalenderuar për pjesëmarrjen e tyre për të kremtuar jetën e Maliq Arifajt. Ai pastaj tha disa fjalë dashëmirësie për Maliqin si anëtar i nderuar i shoqatës sonë dhe si veprimtar shumëvjecar i komunitetit shqiptaro – amerikan, angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fjalën e rastit e mbajti z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve. Ai i bëri një pasqyrë të shkurtër jetës dhe veprimtarisë atdhetare të zotit Arifaj, takimet e bisedat me të, kryesisht për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova për t’u bërë një shtet modern e demokratik. Ai pastaj u përqëndrua te veprimtaria atdhetare e Maliqit dhe organizatës.Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. (RShKBL), ku ai ishte sekretar ekzekutiv, organizimin e demonstrative në mbështetje të shqiptarëve në ish Jugosllavi, shkrimin dhe shpërndarjen e pamfleteve dërguar personaliteteve e institucioneve me influencë në politikën amerikane si dhe atë ndërkombëtare. Duke folur për personalitetin dhe karakterin e Maliq Arifajt, z. Elshani u shpreh: “Maliqi ishte një person i përzemërt, kishte një shpirt fisnik e të pastër, një ndershmëri të tejskajshme, natyrë të qetë e një komunikim shumë të ngrohtë e njerëzor. Ishte një atdhetar i flaktë, veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, sidomos asaj kosovare.E donte Shqipërinë e donte Kosovën, Amerikën – atdheun e tij të dytë, i donte shqiptarët, i donte njerëzit e mirë, përparimtarë e democratë. Maliqi mishëronte, pasqyronte virtytet më të mira të popullit tonë: besnikërinë, mikpritjen, qëndresën, dashurinë e pakufijshme për kombin e atdheun, ndjenjën e sakrificës, respektin për njëri – tjetrin. Rrezatonte mirësinë njerëzore dhe frymën pozitive për bashkim. Dallgët e jetës, përvoja jetësore në kohëra të jashtëzakonshme e kishin kalitur karakterin e tij burrëror, njerëzor e atdhetar. E respektonte mendimin e tjetrit, por ishte konsekuent e i palëkundshëm në bindjet dhe qëndrimet e tij për çështje të ndryshme. Gjithmonë zemërgjërë e bujar”.

Pastaj z. Lumni Shurdhiqi tregoi për miqësinë e tij me Maliqin apo siç e quante ai, baci Maliq. Lumniu si refugjatë i dëbuar nga Kosova nga forcat serbe, ishte takuar me Maliqin në bazën ushtarake Fort Dix, ku Maliqi shërbente si përkthyes. Miqësia e Lumniut dhe shokëve të tij kishte vazhduar deri në castet e fundit të jetës së Maliqit. Ata e respektonin Maliqin jo vetëm si shok, por edhe si vëlla të madh, si prind.

Me shumë emocione për babain e tyre folën edhe fëmijët e Maliqit, Syzana dhe Justini. Ata treguan se ai punonte shumë për ta mbajtur familjen, ndërsa të dielave e kalonte tërë kohën duke folur me familjen dhe të afërmit në Kosovë. Duhet theksuar se për shkak të angazhimeve të tij politike ai nuk ka mundur ta vizitojë familjen për 33 vite. Fëmijët treguan se pritja e Vitit të Ri gjithmonë ishte për të diçka shumë e gëzueshme me shpresë se Viti i Ri do të sjellë edhe diçka të re, shpresë të re.

Në fund të kësaj veprimtari u shfaqen tri video që kishin dicka të përbashkët me rrugëtimin e jetës së Maliqit: një video me pamje të fshatit të tij të lindjes, Peqan (komuna e Suharekës/Therandës), prej nga ishin rrënjët e tij; videoja tjetër ishte një fragment nga poema e Naim Frashërit, “Bagëti e bujqësi”, recituar me plot artistëri nga aktori, Prokop Mima. Edhe Maliqi, sikurse poeti, gati tërë jëtën e tij në mërgim – larg atdheut, i përmallshëm për natyrën dhe çdo gjë shqiptare. Maliqi e ka adhuruar këngëtaren tonë të madhe, Nexhmie Pagarusha, të cilëm e kishte patrë në një koncert në Nju Jork. Një herë gjatë një bisede më tha se kur të shkonte në Kosovë donte që gjithësesi dikush ta çonte te varri i Nexhmies për t’i shprehur nderimet e tij. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, vdekja e rrëmbeu edhe Maliqin. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që kjo veprimtari të përmbyllej me një këngë të Nexhmie Pagarushës, dhe pikërisht këngën e saj më të njohur, “Baresha”.

Për të gjithë të pranishmi fëmijët e Maliqit shtruan një darke-koktel me ushqime e pije të llojllojshme – një kafshatë bukë për Maliqin. Edhe gjatë koktelit të pranishmit ndanin me njëri –  tjetrin kujtime nga takimet e bisedat me Maliqin, shfletoni fotografitë nga albumet familjare, të përgatitur e të ruajtur bukur.

Është një gjest fisnik e njerëzor kur nderohen e kujtohen veprimtarët e devotshëm të komunitetit tonë, sidomos ata që me vite janë angazhuar për çështjet kombëtare. Në listën e gjatë të atyre që vepruan për lirinë e pavarësinë e Kosovës një vend të merituar zë edhe Maliq Arifaj dhe organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. Dy vite më parë me rastin e festimeve të pavarësisë së Kosovës, shoqata e ka nderuar atë me Certifikatë Mirënjohjeje. Gjithmonë qoftë i kujtuar – u prehtë në paqe!

Philadelphia, më 12 nëntor 2024.

Filed Under: Komunitet

ZGJEDHJET 2024 NË SHBA TRONDITËN GJEOPOLITIKËN BOTERORE

November 13, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Që pas mbarimit të Luftës Dytë Boterore (LDB) e deri më sot, siguria  e Europës perendimore dhe pas 1990-tës edhe Europa lindore, kanë qenë nën ombrellën mbrojtëse të SHBA-së. Pyetja shtrohet a mund të vazhdojë kjo përjetësisht? Përgjigja më fundore do të ishte –JO. Por kjo fundorja lypset të shihet në sensin kohor se sa afër dhe sa larg është që nga sot?

Në mandatin e tij të parë 2016- 2020, Presidenti Donald Trump, deklaroi se dy përqindëshin e GDP-së si kuotë detyruese e shpenzimeve ushtarake të antarve të NATO-s pothuaj nuk e bënte asnjë vend europian. Ai tha se kush nuk plotëson detyrimet nuk mund të marrë sigurinë e duhur. Kjo shkaktoi të dridhura politiko- ushtarake në gjitha vendet e aleancës. Më pas ndodhi sulmi ushtarak rus kundër Ukrahinës që vuri në rrezik jo vetëm ate si shtet, por dhe gjithë Europën. SHBA-ja edhe kësaj here mbajti peshën kryesore të ndihmës në kuadrin e NATO-s, e megjith ate, Rusia nuk u ndal sa pushtoi mbi 20 përqind të territorit të Ukrahinës.

Më 5 nëntor 2024, Presidenti Donald Trump fitoi zgjedhjet përsëri në SHBA, gjë e cila i tronditi pllakat tektonike të politikës botrore. Ky moment koencidon me disa fakte mbi të cilat mund të diskutohet e sotmja dhe e ardhmja jonë si psh: 

Rusia hodhi mbi Ukrahinë gjithë arsenalin e trashguar të armatimeve të kohës sovjetike. Tani për ate është krijuar një situatë që ajo e mban frontin e luftës duke prodhuar si Rusi vetëm 30 % të nevojave. Pjesa tjetër 60% vjen nga Koreja e Veriut dhe 10% nga Irani. Sipas specialistëve perendimor ajo ka humbur në Ukrahinë mbi 400 mijë ushtarakë, duke krijuar një boshllëk të madh në resurse njerezore për të cilën rezulton se ka marrë resurse me pagesë nga Kuba dhe Bangladeshi, por që edhe me ata rezulton se nuk i plotësohen nevojat e fushbetejës. Në këto kushte Rusia ka kërkuar nga Koreja e veriut (vec armatim municionit) edhe  trupa ushtarake të cilat aktualisht janë cfaqur në fushbetejën e Ukrahinës.

Sipas perendimorëve veç sa më lart, Rusia ka organizuar mbi 8 mijë subjekte që punojnë në rrjetet sociale për të fermentuar situatën në vendet perendimore me informacione të rreme e provokuese si: janë ngritur cmimet nga lufta në Ukrahinë, është bërë jeta më e pasigurtë, po humbasim vendet e punës, lypset të ngrihemi në demostrata kundër qeverive që mbështesin Ukrahinën, të ndalet lufta menjëherë etj. Kjo ka bërë që gati 80% e opinionit në perendim, jo rrallë kohët e fundit po shprehet kundër mbështetjes së mëtejshme  të Ukrahinës.

Këto e shumë të tjera tregojnë se Rusia është e lodhur, e konsumuar ushtarakisht e ekonomikisht dhe se ka nevojë për një paqe (të paktën të përkohëshme) për të marrë vehtën, por edhe për të mos dalë e humbur nga lufta në Ukrahinë. Parë nga ky këndshikimi ajo i priti me një farë entuziazmi zgjedhjet 2024 në SHBA dhe riardhjen në pushtet të Donald Trump, sepse ai në fushatën elektorale deklaroi se: ”unë me një telefonatë e ndaloj luftën në Ukrahinë”.

Në se kjo do të ndodh tekstualisht kështu, Ukrahina del e humbur nga lufta se Rusisë do ti njihen pushtimet e kryera e duke aprovuar banditizmin ushtarak rus. Ky do të ishte precedent më i madh boteror duke i dhënë të drejtë agresorit.

 Nga ana tjetër, në se i jepet ndihmë Ukrahinës dhe nuk i vihen kushte, ajo edhe mund ta fitojë luftën. Fitorja e Ukrahinës do të ishte fitore “në hije e NATO-s”, fitore e Europës 460 milionshe dhe  Amerikës veriore. Do të ishte edhe fitore  e të drejtit mbi të padrejtin.

E tronditur nga situata e krijuar, klasa politike në Europë (vecanërisht BE), po mendon se në rast se SHBA-ja zvoglon mbështetjen e sigurisë në hapsirën e saj, ajo duhet të përgatitet për një plan rezervë duke rritur shpenzimet ushtarake  dhe ndoshta duke krijuar një strukturë sigurie vetëm europiane. Hapa paraprak në këtë drejtim kanë marrë Polonia dhe vendet baltike që kanë projektuar shpenzime sigurie në masën 4% të GDP-së dhe stërvitje të përbashkëta me shtabet ushtarake të tyre. Edhe media italiane e ka lëvruar temën e planit “B” të sigurisë europiane që para dy vitesh.

Parë nga këndshikimi kohor, Rusia në heshtje ka planifikuar gati në dy dekadat e fundit zgjerimin e kufijve e zonave të influencës së saj. Kjo ka ndodhur në sytë e perendimorve, për neglizhencën e tyre dhe më shkoqur nën syleshsinë e tyre. Ajo ka nostalgji për hapsirën sovjetike ose ate ruse parasovjetike. 

Në kuadrin e breksit aktualisht Rusia po stimulon bashkimin e koordinimin  ekonomik e ushtarak me: Kinën, Korenë, Iranin, Pakistanin, Afganistanin, Vietnamin, vendet arabe e më gjërë, kundër perendimit e vecanërisht kundër SHBA-së. Konsumimi i Amerikës në këtë ballafaqim është synimi më madhor i këtyre lindorve. Ata po i ngrenë kurthe e prita me cdo formë e cdo mundësi për ta rrëzuar fuqinë e liderit të vetëm botror. Edhe stimulimi i insinuative  për ta larguar e vecuar ate nga Europa është pjesë e kësaj strategjie.

Si përfundim, mund të themi se pritshmëritë për administratën e re amerikane të Presidentit të zgjedhur Donald Trump janë të mëdha. Por sipas gjasave nuk do të jetë i lehtë përparimi i shpejtë në fushën e ekonomisë dhe të sigurisë përballë këtij blloku miliardësh lindor. Për këtë edhe Europa lypset të marrë përgjegjësitë e saj. Shpresojmë e dëshirojmë, madje dhe lutemi për një të ardhme më të mirë, në këtë horizont të mbushur me stuhi gjeopolitike.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT