• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

EKSKLUZIVE/ PAVARËSIA  DHE AUSTRO-HUNGARIA

November 12, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë iniciativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…”

  • Konti Leopold Bertold, ish-ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë

Shumë është folur dhe shumë është shkruar lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në realizimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të theksojmë që në fillim se mbështetja politike austro-hungareze dhe italiane ishte tepër e rëndësishme në themelimin e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, përtej mitizimeve dhe komplekseve ndaj të huajve, të cilat fshehin në rastin më të mirë injorancën dhe në më të keqin dashaligësinë, vlen që të analizojmë me objektivitet ngjarjet dhe faktet historike. Sepse sa më të qartë që të shikojmë të shkuarën tonë, aq më të kthjellët mund të dallojmë në mugëtirë të ardhmen tonë…

Përtej servilizmit klishe, duhet theksuar qysh në krye të herës, se Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera, të gjendura përballë presionit të pan-sllavizmit në rritje, ishin për ruajtjen e status kuo-së në Ballkan. Ato ishin kundër shkëputjes së popujve të tjerë joturq nga perandoria. Prandaj, patriotët shqiptarë kërkonin fillimisht autonominë nga Perandoria Osmane. Shkëputja e shqiptarëve nga shteti osman, qoftë edhe me rrugë revolucionare, do të ligjëronte ndërhyrjen e shteteve fqinje që në fakt e prisnin këtë moment, siç edhe ndodhi… 

Në këto kushte patriotët shqiptarë po punonin për ngritjen e shkallës së ndërgjegjes kombëtare duke intensifikuar punën për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare. Ismail Qemali, në periudhën që jetoi në Bruksel dhe po punonte për çështjen shqiptare, zhvilloi takime me diplomatë të ndryshëm. I tillë ishte edhe ai me kontin Metsch Khevenhuller, ambasadori austro-hungarez në Bruksel, i cili u përcoll në një raport të dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë kontit Goluhovski, nga Brukseli, më 6 qershor 1901. Në raport ai pasqyronte bisedën diplomatike të zhvilluar midis tij dhe Ismail Qemalit. 

Në këtë takim Ismail Qemali, i kërkonte drejtpërdrejt konsullit austro hungarez mbështetjen e Austro-Hungarisë, në çuarjen përpara të çështjes shqiptare, duke zgjuar vetëdijen kombëtare shqiptare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla. Njëkohësisht, ai kërkonte mbështetjen për të forcuar idenë e autonomisë dhe gradualisht Shqipëria të përgatitet që të qëndrojë vetë në këmbë si shtet i pavarur, në rastin e shkatërrimit eventual të Perandorisë Osmane. 

Në raportet diplomatike të kësaj periudhe pasqyrohet edhe shtimi i kontrolleve ndaj përdorimit të librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Kjo shfaqje e nervozitetit të autoriteteve osmane dhe shqetësimi i madh i tyre, vihet re menjëherë pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Stambolli. Autoritet turke e kishin rritur vigjilencën në Shqipëri, pasi Ismail Qemali bënte pjesë te shqiptarët më të shquar që shërbenin në shtetin osman. Gjithashtu, Ismail Qemali kishte shumë pasues në Shqipërinë e Jugut, të cilët e vlerësonin atë si një burrë shteti me kulturë të madhe. Këto fakte i shqetësonin autoritetet osmane. Por ata me reagimin e tyre agresiv ndaj arratisjes së Ismail Qemalit, i veshën atij një aureolë më të shndritshme. 

Në vazhdën e këtyre veprimeve, pallati ngarkoi Esad pashë Toptanin për të mbledhur nënshkrime në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut, për një deklaratë kundër Ismail Qemalit. Patriotët shqiptarë dhe e gjithë popullata që ishte e pakënaqur me gjendjen, filluan të ushqenin shpresa dhe ideale të mëdha te figura e Ismail Qemalit. Këto zhvillime e shndërruan atë në personalitetin më të rëndësishëm shqiptar. Për pasojë autoritet osmane u frikësuan dhe u bënë edhe më tepër nervoze. Ata filluan të kryenin kontrolle të shumta në shtëpitë e patriotëve shqiptarë. Ata kryen edhe arrestime të patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe Turqi.

Qysh në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, Ismail Qemali pranohej gjithësisht si udhëheqësi i shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, edhe pas fitores së Revolucionit Xhonturk (1908), ai shikohej si një prej figurave kryesore otomane. Dy ngjarje të rëndësishme për fatin e Ballkanit do të zhvilloheshin në vitin 1908: aneksimi i plotë i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe deklarimi i pavarësisë së Bullgarisë. 

Xhonturqit e kuptuan se, nëse do të ecej në këtë linjë, fundi i sundimit osman do të ishte i shpejtë, ndaj menjëherë ua filluan politikave centralizuese. Në këto momente ekzistonin dy rryma patriotike shqiptare: 1) Krahu kombëtarist i kryesuar nga Ismail Qemali ishte që ky moment të shfrytëzohej dhe shteti osman të njihte zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar. Njëkohësisht Shqipëria të vetëqeverisej si një entitet politik i mirëpërcaktuar; 2) Krahu i moderuar, i kryesuar nga Mid’hat Frashëri ishte për avancimin e kërkesave kulturore dhe për arsim në gjuhën shqipe. Ndërkohë ata nuk ishin për kërkesa politike. 

Kryengritja e vitit 1910, në Kosovë u mbështet fuqishëm nga deputetët shqiptarë në Parlamentin Osman, ku spikatën Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga dhe Myfit Libohova. Ismail Qemal Vlora gjatë aktivitetit në parlamentin turk, mbrojti me kurajë luftën e shqiptarëve të Kosovës në kryengritjen e vitit 1910, kundër qeverisë xhonturke, e cila po dhunonte të drejtat dhe liritë e tyre. Në fjalimin e tij, ai u kërkonte xhonturqve që të mbanin fjalën e paraardhësve të tyre, e të respektonin traditën shekullore në marrëdhëniet shqiptaro-turke, duke mos u përzier në punët e brendshme të Shqipërisë. Në përshkrimet e politikanëve dhe diplomatëve austriakë, kryengritja në Shqipërinë e Veriut shikohej si vepër personale e Ismail Qemalit. Sipas tyre ai ishte i bindur se herët a vonë Austro Hungaria do të detyrohet t’i ndihmojë shqiptarët në luftën e tyre për liri.

Por, deri në vitet 1910 – 1911, qëndrimi dhe politika zyrtare e Austro Hungarisë ndaj popullit shqiptar, nuk shkonte përtej simpatisë dhe interesit që ai të zhvillohej në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në pajtim me interesat shtetërorë turq. Austro-Hungaria i shikonte shqiptarët si një element shumë i rëndësishëm i Perandorisë Osmane. Austro-hungarezët ishin si me shqiptarët ashtu edhe me Turqinë dhe nuk dëshironin të ndërhynin në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. 

Ndërkohë Ismail Qemali, me vizionin e tij largpamës, vazhdonte të kërkonte me ngulm mbështetjen e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare, duke parë në horizont shkatërrimin e afërt të Perandorisë Osmane. Aftësitë politike dhe diplomatike të Ismail Qemal Vlorës do të dilnin përsëri në pah, në formulimin e Memorandumit të Greçës, në qershor 1911. Ky dokument ishte mishërim i kërkesave shqiptare për një autonomi të plotë. Ai ruante frymën e dokumenteve themelore politike të gjysmës së dytë të shek. XIX. 

Gjithsesi, ky zhvillim politik në tokat shqiptare i dëshmoi opinionit të gjerë ndërkombëtar se në Ballkan kishte ende një problem të pazgjidhur. Ky memorandum u bë dokumenti politik bazë për çfarëdo lloj hapi politik që do të hidhej më pas. Më në fund, në prag të rënies së Perandorisë Osmane, Austro Hungaria e pa Shqipërinë e pavarur si aleaten e vetme në Ballkan në përpjekjen e saj për t’i vendosur një barrierë pansllavizmit dhe ekspansionit italian. Por, me gjithë rolin e rëndësishëm të Austro Hungarisë, Pavarësia e Shqipërisë nuk u dhurua. Sepse askush nuk fal asgjë në arenën e politikës ndërkombëtare. Përveç mbështetjes politike, nga pikëpamja logjistike kërkesa që austro-hungarezët i plotësuan Ismail Qemalit ishte minimaliste, por e rëndësishme. Ata i vendosën në dispozicion një mjet lundrimi për të mbërritur në brigjet shqiptare. 

Sagës për pavarësinë shqiptare po i vinte fundi. Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen  austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që po shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën para zbritjes në Durrës. Nën yjet e netëve magjike të vjeshtës shqiptare, Providenca hyjnore kishte parashikuar që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet që të bënin një ndalesë të fundit, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Heroit tonë Kombëtar, në Rodon. Duket se heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte mbrojtjen dhe bekimin e tij Ismail Qemalit, në këtë vjeshtë të artë të shqiptarisë…

Ja si e kujton këtë çast një pjesëmarrës në këtë ngjarje, Dhimitër Zografi: “Në të njëjtën ditë me delegatët e Bukureshtit mbërritën në Trieste edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin (që ktheheshin nga vizita në Austro-Hungari; shënim i E.B.). Ata sollën lajmin se Vlora ishte bllokuar nga grekët, ndaj duhej të niseshin menjëherë drejt Durrësit pa u mbyllur ende kjo rrugë. Në dispozicion të delegatëve shqiptarë, Austria kishte vënë vaporin special “Graf Wurmbrandi”. Misioni i tyre do të kishte mbrojtjen e Austrisë dhe  Italisë. Në Trieste blenë armë dhe municione dhe u nisën drejt Shqipërisë. Një vapor tjetër i Austrisë ndiqte gjithçka që ishte duke  ndodhur në Shqipëri…

Në Durrës, Ismail Qemali nuk dëshironte të vonohej aspak. Ai shpjegoi gjendjen aktuale të Shqipërisë. “Turqia i lau duart nga Ballkani,” – u tha ai, – “por që Shqipëria të mos bjerë në një robëri tjetër duhet të ngrejmë flamurin dykrenor kuq e zi, dhe të shpallim vetëqeverimin e Shqipërisë të mirëpritur edhe nga Fuqit e Mëdha…”. Një çast gjithë mbledhja mbeti e hutuar, ajo që dëgjuan nga goja e Ismail Qemalit ishte mes së besueshmes dhe të pabesueshmes. 

Faktikisht, asnjëra nga Fuqitë e Mëdha nuk kishte ndërmend që të na falte Pavarësinë. Nëse ajo nuk do të bëhej në atë moment të fundit, nuk do të mund të realizohej më kurrë. Nëse Ismail Qemal Vlora nuk do të kishte mbledhur patriotët nga mbarë trojet shqiptare atë fund nëntori në Vlorë, me siguri që Shqipëria do të copëtohej njëherë e mirë midis fqinjëve grabitqar. 

Prandaj, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë duhej të bëhej me çdo kusht, gjallë a vdekur. Vetëm në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha do t’i njihnin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Sepse nëse ka diçka që historia e njerëzimit na mëson, është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Pavarësia e Shqipërisë i ka themelet tek lufta shekullore për liri, tek sakrificat dhe gjaku i derdhur ndër shekuj nga shqiptarët. Austro-hungarezët e mbështetën Ismail Qemalin, sepse ishin të vetëdijshëm që ai ishte i vetmi lider që mund t’i përbashkonte shqiptarët në këtë moment historik. Ata u pajtuan me krijimin e Shqipërisë së pavarur, pavarësisht përmasave të saj. Fuqia e perandorisë austro-hungareze ndikoi që çështja shqiptare të gjente një zgjidhje, qoftë kjo edhe e pjesshme. Megjithatë, trojet shqiptare u copëtuan brutalisht, duke lenë jashtë kufirit thuajse gjysmën e popullsisë etnike shqiptare…

Ismail Qemali, jo pa trishtim, do të shprehej: “Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të zmbrapsur sulmin e padrejtë [të fqinjëve], […] , atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat … do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. … Edhe nëse diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë.”. 

Në intervistën e dhënë për gazetën më të madhe austriake të kohës “Neue Freie Presse”, në Vjenë më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalosi idetë e tij për politikën që do të ndiqte shteti shqiptar në raport me fqinjët ballkanikë. Ai e krahason pretendimin e Serbisë për të pasur një port në Adriatik, njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male, të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.  

Ismail Qemali deklaron më tej se, Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milionë e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të Sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Duke marrë si model “fanarin e lirisë” në botë ShBA-të, Ismail Qemali tha se: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mundtë shkonte hekurudha. Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë.”. 

Për marrëdhëniet me dy Fuqitë, të cilat përkrahnin idenë e shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali shprehet se dëshironte të kishte marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë dhe me Italinë, në mënyrë që këto dy shtete të mbështesin nevojat tona kulturore dhe ekonomike. “Një vendi të vogël i nevojitet përkrahja e shteteve të mëdha dhe është e qartë se kjo mbështetje te dy vendet aleate të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia, do të vijë vetvetiu. Kështu, monarkia e madhe fqinje, mysafir i së cilës jam tani, mund të ketë vetëm përfitime nga një Shqipëri e pavarur,” – përfundon Ismail Qemali. 

Patrioti i shquar gjirokastrit Thoma Papapano na sjell një dëshmi autentike, kur përshkruan në kujtimet e tij një vizitë që zhvilloi një delegacion qeveritar shqiptar në Europë në vitin 1913, për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi. Në përbërje të delegacionit ishin disa personalitete shqiptare si Myfid Libohova, Petro Poga, Rauf Fico, Thoma Papapano, Eqrem Vlora, Lame Petri dhe Ajet Libohova. Interesant është përshkrimi që ai i bën takimit të zhvilluar në Vjenë, më datë 21 gusht 1913, me ministrin e Jashtëm austro-hungarez kontin Leopold Berchtold: “…E kur ishim duke dal nga zyra e tij duke e përshëndetur e duke e falënderuar na ndali e na tha: “Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë inisiativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…” (AQSH. F. 441, D, 846. Kujtime të Thoma Papapanos, f. 103-111). 

Ky rrëfim përputhet edhe me një tjetër dëshmi autentike, të shkruar te gazeta “Bashkimi i Kombit”, më 11 gusht 1944: “Myfit Libohova mbi disa ngjarje,” – shkruan Ali Asllani – “ish larguar i zemëruar nga Plaku, nuk vinte të merrte pjesë në mbledhje të Këshillit Ministror, por kur u kthye nga Vjena dhe nga Roma që kish vuajtur, ndryshojti sjelljet e tija dhe në mbledhjen e parë të Këshillit erdhi. Atë ditë para se të fillonin bisedimet, duke iu drejtuar Ismail Qemalit tha: “Bej Efendi, të më falni, unë kam pandehur se zotrote erdhe në Shqipëri i shtytur dhe i këshilluar nga dy mbretëritë mbrojtëse, kurse nashti që isha në Vjenë dhe në Romë nga goja kompetente dëgjova dhe mora vesh të vërtetën; pra më epni leje të Ju puth dorën.”. 

Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, konti Berchtold (Bertold), më 17 nëntor 1912, kërkoi bashkëpunimin e Italisë lidhur me rregullimin e problemit shqiptar. Në telegramin drejtuar homologut të tij italian, ai bënte me dije interesin e përbashkët që palët kishin në krijimin e një Shqipërie autonome, që duhej të përfshinte në kufijtë e saj të gjitha territoret që banohen ekskluzivisht prej shqiptarëve, ose të paktën, krahina të banuara në shumicë prej tyre. Austro Hungaria nuk e mbështeste daljen e Serbisë në Adriatik, ndërsa në lidhje me kufijtë e Jugut, pranonte t’i jepte Greqisë territorin në jug të lumit Kalamas. 

Rivaliteti midis Austro-Hungarisë dhe Italisë në çështjen shqiptare ndikoi në arritjen e një marrëveshje midis tyre që në vitin 1907. Sipas marrëveshjes të arritur nga ministrat e Jashtëm Erental dhe Titoni, formimi i shtetit shqiptar ishte e vetmja zgjidhje që ju përgjigjej interesave të tyre reciproke në rast pamundësie të ruajtjes së sundimit osman në këtë rajon. Qëndrimi i tyre për ruajten e statuskuosë mbeti i pandryshuar edhe pas fillimit të luftërave ballkanike. Dhe, në fund, Fuqitë e Mëdha do të pajtoheshin me krijimin e një Shqipërie të pavarur, paçka se cilat territore do të përfshiheshin në shtetin e ri… 

Diplomati austriak Alfred Rappaport, i cili ishte njohësi më i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë në ministrinë e jashtme austro-hungareze, shkruan se Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali “ka qenë një kusht kryesor për ndryshimin e planeve rrënuese kundrejt Shqipërisë. Ismail Qemali diti të zgjedhë në mënyrë gjeniale vendin dhe kohën për veprën e madhe diplomatike”. “E vetmja punë e mirë gjatë këtyre dy muajve (d.m.th prej shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike deri në hapjen e Konferencës së Londrës),” – thotë Alfred Rappaport – “qe ajo e Ismail Qemalit, d.m.th, shpallja e vetëqeverimit të Atdheut të tij në Vlorë më 28 nëntor. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme kishte një kuptim të thellë diplomatik, sepse diti të zgjidhte kohën më të volitshme për hapin që bëri; kështu që, me shfaqjen e vullnetit të popullit shqiptar u dha në dorë atyre që përpiqeshin për vetëqeverimin e Shqipërisë një argument të shëndoshë për konferencën që do të hapej. Përveç kësaj, ishte një punë me të vërtetë shumë e urtë shpallja e Pavarësisë në një vend të cilin aleatët ballkanikë nuk e kishin pushtuar akoma; sepse për këta nuk ishte gjë e lehtë t’ia mbyllnin gojën Qeverisë së Përkohshme.”.

Në prag të përvjetorit të parë të pavarësisë në tetor 1913, Ismail Qemali, në fjalimin para popullit në Vlorë, ndër të tjera thotë: “Mundet se q’atëhere e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’munt t’i mohohet qeverrisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bani qeverrija për të mos lanë të vobektin të vuajë.

Kur Europa ish duke vendosur fatin t’ënë, na rronim në këtë qytet të mbyllur, pa pasur asnjë marrëdhanije me botën e jashtme dhe pa ditur se qysh do t’i vente filli çështjes sonë. Kuptohet lehtas, pra, se interesi i math që për ne që të dilnim përjashta e të përpiqeshim për të drejtat t’ona që ishin në rrezik. Gjetëm mënyrën për të dalur, dualëm dhe pik së pari u përpoqëm për hapjen e bllokut, që qarkonte Vlonën e që aq shtërngime i kishte sjellur njerzis së këtyre viseve, sa që me gjith masat e qeverisë, njerëzia druante fort ditën e nesërme. Përjashta e kuptuam qysh edhe kush ishte përpjekur për të mirën e këtij vendi.

Mbasi ishte vendosur që të bahej një Shqipërie, gjendej ahere nën bisedim çashtja e kufijve të jugës sepse nga ana e veriut dhe verilindjes konferenca ua kishte dhanë dënimin e vdekjes së Kosovës edhe Dibrës. S’ka dyshim, ish detyrë e Qeverris, të përpiqej që të mos jes asnjë Shqiptar jashtë Shqipërisë. Por, fatkeqësisht, nuk ishim mjaft të përgatitur dhe megjithë që Austria i mbajti 1 milion ushtarë në këmbë, dhe Italia u përpoq me gjithë mënyrat dhe Anglia desh të na mbrojë por, që të mos kërcasë një luftë europiane, u shtërngua të na bëjë theror.”

Në mbyllje Ismail Qemal Vlora e parashikon se, do të vij dita kur do të ketë drejtësi për çështjen shqiptare dhe deklaron: “Ne kemi besim të patundëm te drejtësia e atyne q’e kanë në dorë fatin e kombit t’onë. Ata do të dinë t’i peshojnë arësyet q’e shtyjnë Malësorin t’onë të rëmbejë pushkën e t’a fitojë me ndihmën e ‘saj atë të drejtë të cilën s’mundi t’a fitojë me urtësi pasi u përpoq dhe e cila duheshe fituar me doemos. Na presim të shohim Europën duke vënë në peshën e ‘saj, drejtësiën, durimin, urtësiën dhe gjakun t’onë të derdhëm bujarisht me nj’anë; dhe m’anën tjetër padrejtësiën, poshtësiën, dhe gjakun e Serbëve të derdhun cubërisht.”

Mit’hat Frashëri, i cili shërbeu në Qeverinë e Vlorës, do të shprehej: “Pa dashur të bënj apologjinë e Ismail Qemal beut, i cili në të tjera pika munt të ketë do të meta, padyshim që ai pati meritën e iniciativës dhe te talentit diplomatik, dhe këto cilësi do t’i sigurojnë për kurdoherë nje vënt në kujtimet mirënjohëse të kompatriotëve të tij dhe të albanofilëve.”.

Ismail Qemal Vlora hodhi themelet e ndërtimit të shtetit modern shqiptarë. Ai konceptoi vijën politike mbi të cilën do të ecte ky shtet. Mbi trashëgiminë e tij u ngritën themelet e institucioneve shtetërore shqiptare. Vizioni i Ismail Qemalit vijon që t’a udhëheq diplomacinë shqiptare.

Doktrina politike e Ismail Qemalit e konceptoi Shqipërinë si një faktor ekuilibri, stabiliteti dhe paqeje në Gadishullin e Ballkanit; një rol të tillë Shqipëria e ka luajtur dhe vijon ta luajë me sukses edhe sot e gjithë ditën në Gadishullin Ilirik. Ismail Qemali theksoi rëndësinë e faktit që për ta realizuar përfundimisht këtë synim, duhet që të respektohen të drejtat kombëtare, pavarësia dhe tërësia territoriale e shtetit të ri shqiptar: “Jemi të bindur se qëndrimi me drejtësi ndaj nesh do të jetë jo vetëm në të mirën tonë, por edhe të atyre që synojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garantimi i tij do të jetë një nga faktorët më të frytshëm për paqen në Lindje dhe në botë. Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj.”.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

AQSH. F. 441, D, 846. Kujtime të Thoma Papapanos, f. 103-111.

Filed Under: Histori

BIOGRAFIA E SKËNDERBEUT E DHIMITËR FRANGU BOTOHET NGA SHTËPIA BOTUESE : “FAIK KONICA” NË PRISHTINË

November 12, 2024 by s p

Nga Hysen S.Dizdari

Studjues i Historisë e Filatelisë / Tiranë më, 12.11.2024

581- VJET – 28 NENTOR 1443 – 28 NENTOR 2024

Në vitin jubilarë të 581 Vjetorit të ngritjes, Flamurit Kombëtar në kalan e Krujës nga Heroi ynë Kombëtare Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shtëpia botuese: “Faik Konica” në Prishtinë, boton vepren Madhore të sekertarit personal të Skënderbeut, Dhimitër Frangu të përkthyer me shkrimtari atdhetar, Lek PERVIZI.

Dhimitër Frangu (Demetrio Franco,L. (1443 -1525), lindi në vitin 1443 në qytetin mesjetare të Drishtit afër Shkodres, dhe vdiq në vitin 1525 në Trevi, Itali.

Dhimitër Frangu përkrahu që në moshë të re luftën e lavdishme të popullit shqiptarë të udhëhequr nga Skënderbeu dhe shpejt fitojë besimin e tij duke i sherbeu Skënderbeut me besnikëri, si sekertarë, si arkëtarë, si përkthyes dhe si luftëtar. Ai e shoqëroi Skënderbeun në udhtimin e tij në Romë e Napoli ,Itali në vitet, 1466-1467. Pas vdekjes Skënderbeut me 17 Janar 1468, Dhimitër Frangu u zhvendos në qytetin e Tivarit, dhe pastaj në Venedik ku shkroi në latinisht dhe biografinë e Skënderbeut me titullë: “Gli illustri e gloriosi gesti e vittoriose imprese fatte contro i Turchi dal Signor Don Georgio Castriotto detto Scanderbeg, principe d’ Epyrro.”

Kjo vepër u shkruar nga Dhimitër Frangu u botua me 2 prill të vitit 1480 në gjuhën latine, dhe u shtyp në shtypshkronjën gjermane “Erhard Ratdolf ”. Nuk dihet se si i humbi gjurmët për 59 vjet, por në vitin 1539 ky libër u gjet, u përkthye në Venecia nga Paolo Giovio.

Në vitin 1584 ky libër u ribotua i rishikuar dhe i korrigjuar nga prifti italian, G.M. Bonardo, me titull: “Gli illvstri e gloriosi, gesti, e vittoriose imprese fatte contro Tvrchi dal Signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, principe d’Epirro”. Titulli në gjuhën shqipe: “Bëmat e shklqyera e të lavdishme dhe ndrmarrjet fitimtare të bëra kundër turqve nga z. Gjergj Kastrioti i quajtur Sknderbeu, princ i Epirit”. Në përkushtimin e tij ,Giovanni Maria Bonardo ku i drejtohet nipit të Skënderbeut, G.A. Flavios, thuhet se origjinali i vepres është shkruar në gjuhën latine prej Dhimitër Frangut. Vepra është e pajisur me një portret të Skënderbeut në ksilografi.

G.M.Bonardo thekson se teksti ishte shtypur në vitin 1545, duke u bazuar në dorshkrimin e origjinalit të autorit të shkruar në latinisht në vitit 1480.

Nga viti 1539 deri në vitin 1679 kjo vepër është përkthyer e botuar 18 herë në gjuhët: italiane, gjermane, angleze, franceze, spanjolle etj.

Në gjuhën shqipe vepra e Dhimitër Frangut u përkthye dhe u botua në botimin e parë nga shkrimtari atdhetarë, Lek Pervizi në vitin 2005.

Sot në nëntor të vitit 2024, pas shumë kërkesave të atdhetarve shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedonin e Veriut, në Malin e Zi dhe në gjithë botën po ribotohet kjo vepër e rëndësishme e sekertarit (arkëtarit) të Heroit tonë Kombëtarë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut i cili e shoqërojë dhe e njohu nga afër në betejat e tij fitimtare kundër pushtuesve osmanë. Kjo vepër do të ndihmojë shumë nxënsit e shkollave 9 vjeçare, të shkollave të mesme e studentve të shkollave të larta për të njohur historin e vërtete mbi jeten dhe veprat e lavdishme të Skënderbeut.

Me këtë rast i shprehim mirënjohjen dhe e falenderojë Shtëpin Botuese : “ Faik Konica”, Prishtinë, dhe veçanarisht pronarin e saj shkrimtarin e njohur , Nazmi RRAHMANI dhe përkthyesin, Lek PERVIZIN për përkthimin në shqip, e botimin e kësaj vepre të rëndësishme kushtuar, Skënderbeut, në vitin jubilarë të 581 vjetorit të ngritjes, Flamurit Kombëtar në kalanë e Krujës nga Heroi ynë Kombëtare Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Filed Under: Komente

Republikanët drejt një fitoreje të trefishtë: Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Kongresin

November 12, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Republikanët janë në prag të rifitimit të shumicës së Dhomës për Kongresin me 119-të vende dhe të sigurimit të kontrollit të plotë të Uashingtonit, disa ditë pasi partia fitoi presidencën dhe kontrollin e Senatit.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duket se kanë kthyer një vend të katërt të mbajtur nga demokratët në Kolorado, ku përfaqësuesja Yadira Caraveo (D) e pranoi humbjen e saj ndaj republikanit Gabe Evans të dielën në mbrëmje.

Bilanci aktual i pushtetit në Dhomën e Përfaqësuesve është 214 republikanë dhe 205 demokratë, me 16 gara të mbetura të pa të përfunduara nga AP. Republikanët duhet të fitojnë edhe katër prej tyre për të siguruar një shumicë; Demokratët duhet të fitojnë 13. (Një garë që nuk thirret nga AP është Distrikti 4 i Kongresit i shtetit të Uashingtonit, i cili ka dy republikanë si dy finalistët e tij.)

Trifecta republikane në Uashington do të siguronte që axhenda e patundur konservatore e Presidentit të zgjedhur Donald Trump të hyjë në fuqi. Një Kongres i GOP do të angazhohej për miratimin e politikave për të siguruar kufirin jugor dhe për të riautorizuar shpejt ligjin e taksave të Trumpit të vitit 2017, pjesë kryesore e të cilit skadon në fund të vitit 2025.

Megjithëse republikanët po i afrohen mbajtjes së shumicës së Dhomës së Përfaqësuesve për një mandat të dytë, ndoshta është me një diferencë më të ngushtë. Kjo mund të testojë se si hartohen politikat të caktuara, veçanërisht pasi konferenca ideologjikisht e ndashme e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve shpesh i ndaloi ata nga miratimi i projektligjeve konservatore gjatë dy viteve të fundit.

Por ligjvënësit e GOP presin që Trump të luajë një rol të jashtëzakonshëm për të ndikuar, ndonjëherë ndoshta duke u bërë presion, që të votojnë në favor të agjendës së tij. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson (R-Luiziana), i cili pritet të fitojë një mandat tjetër si kryetar në zgjedhjet e lidershipit këtë javë, do të ketë një aleat në Trump për të siguruar që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të bien në linjë me politikat që disa krahë të konferencës mund t’i konsiderojnë të diskutueshme.

Trump gjithashtu pritet të ketë një Senat më të favorshëm sesa gjatë mandatit të tij të parë. Disa senatorë janë zotuar për besnikëri ndaj lëvizjes së tij MAGA dhe tre republikanë po konkurrojnë për miratimin e tij duke u zotuar të bashkëpunojnë me dëshirat e tij përpara zgjedhjeve të lidershipit këtë javë për të zëvendësuar Senatorin Mitch McConnell (Kentucky) si udhëheqësin kryesor të GOP vitin e ardhshëm.

Lojëra nga garat e mbetura

Strategët e fushatës Demokratike të Dhomës së Përfaqësuesve shpresonin që Caraveo të mund të mbante vendin e saj për t’i dhënë partisë një mbwshtetje pasi disa gara në Kaliforni dhe një në Arizona mbeten ende për t’u deklaruar. Këta strategë, të cilët folën në kushte anonimiteti për të përshkruar strategjinë e brendshme, besojnë se ka të ngjarë që republikanët të fitojnë vendin e deputetes demokrate Mary Peltola në Alaskë, një shtet që Trump e fitoi me lehtësi.

Është ende e mundur që demokratët të ndryshojnë shumicën e Dhomës për t’u bërë një kontroll i madh i fuqisë republikane. Por rruga e tyre është tepër e ngushtë dhe mezi lë vend për gabime.

Nëse Peltola humbet, demokratët besojnë se ata mund të përballojnë të humbasin vetëm një distrikt më shumë dhe më pas duhet të kthejnë shtatë nga tetë qarqet e mbetura konkurruese midis Kalifornisë dhe Arizonës për të fituar shumicën.

Demokratët kanë marrër me sukses tre vende nga republikanët në Nju Jork dhe duket se janë të gatshëm të rifitojnë një në Oregon – të gjitha rrethet në shtetet liberale që ndihmuan republikanët të merrnin shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve afatmesme të vitit 2022.

Republikanët çuditërisht mbajtën vendet në Iowa dhe Nebraska, të cilat ishin vënë në lojë disa javë përpara ditës së zgjedhjeve dhe do të mbajnë një zonë në Uashington ku përfaqësuesi i GOP Dan Newhouse duket se po i shmanget një sfide republikane nga Jerrod Sessler. AP ende nuk e ka thirrur garën.

Ndërkohë, zotësia e pjesëmarrjes në votime të Trump i ndihmoi republikanët të rrëzonin dy demokratë në Pensilvani dhe të kthenin një vend të hapur në Michigan që demokratët kishin mbajtur që nga viti 2018.

Ai gjithashtu ndihmoi në forcimin e shpejtë të shumicës së Senatit. Në natën e zgjedhjeve, republikanët siguruan vende të mjaftueshme për të rifituar shumicën e Senatit. Të shtunën herët, senatori Jacky Rosen (D) parashikohej të fitonte garën për Senatin e Nevadës, sipas Associated Press, duke shënuar një fitore për demokratët në një nga vendet e fundit të Senatit që do të thirrej.

Rep. Ruben Gallego (D) fitoi garën e Senatit kundër Republikanit Kari Lake në Arizona, gjë që do të vendoste një kapak mbi shumicën republikane në dhomën e lartë me 53 vende.

Çfarë ka mbetur për t’u vendosur

Është e paqartë se kur do të vijë thirrja përfundimtare për të përcaktuar bilancin e Kongresit. Disa strategë të fushatës republikanë dhe demokratë besojnë se shumica e Dhomës së Përfaqësuesve mund të projektohet zyrtarisht më vonë këtë javë, pasi miliona fletë votimi duhet ende të numërohen në shtetet perëndimore.

Mund të duhen javë për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të garave vendimtare në shtetet ku rezultatet në disa rrethe të Shtëpisë ende nuk janë konsoliduar dhe numërimi ka qenë i ngadaltë. Që nga pasditja e së dielës, në Kaliforni kishte rreth 5 milionë fletë votimi të panumëruara, duke përfshirë më shumë se 950,000 vetëm në Los Angeles County. Zyrtarët e qarkut kanë 30 ditë kohë për të numëruar fletët e votimit dhe për t’ia raportuar ato sekretarit të shtetit, i cili më pas vërteton rezultatet.

Ne po ndjekim disa gara nga afër: ato të përfaqësuesve republikanë Michelle Steel, Ken Calvert, Mike Garcia, David G. Valadao dhe John Duarte në Kaliforni; gara për vendin e hapur që Rep. Katie Porter (D) hoqi dorë në Kaliforni; konkursi që përfshin republikanin Juan Ciscomani në Arizona; dhe Peltola si përfaqësues i Alaskës.

Filed Under: Interviste

𝐂𝐞𝐫𝐞𝐦𝐨𝐧𝐢𝐚 𝐞 𝐛𝐞𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐞 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭 𝐓𝐫𝐮𝐦𝐩…

November 12, 2024 by s p

𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/

Këtu, përpara Kongresit Amerikan, në Capitol Hill, Washington DC, më 20 janar 2025 me rastin e betimit të Presidentit të 47-të të SHBA, priten rreth 600-800 mijë persona.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i SHBA, betohet se ai do e kryejë detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë e tij dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.

E veçanta e këtij betimi është se për “mbroj” janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojnë tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj.

𝟏. “𝐓𝐞̈ 𝐫𝐮𝐚𝐣”

“Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli, zotohet Presidenti. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.

Për më shumë se dy shekuj asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amandamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.

Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e pa dhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka te Kushtetuta.

𝟐. “𝐓’𝐢 𝐪𝐞̈𝐧𝐝𝐫𝐨𝐣 𝐛𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤”

Kështu ai betohet se jo vetëm do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli por zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënē shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë.

Etërit amerikanē, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantues i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj!

𝟑. “𝐓𝐚 𝐦𝐛𝐫𝐨𝐣”

“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cenuar atë. Fjala që kanë zgjedhur etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim, sulm dhe kërcënim nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Më 20 janar Donald Trump betohet si Presidenti i 47-të i SHBA, por edhe Republikanët kanë shumë për të festuar pasi ata kontrollojnë Presidencën, Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve, e mbi të gjitha siguruan bindshëm shumicën e votës kombëtare. Kjo tregon se Amerika do nisë rrugëtimin e saj drejt një kapitulli të ri si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Filed Under: Ekonomi

A po rikthehen patronazhistët?!

November 12, 2024 by s p

Nga Orest Çipa

New York/

Në fund të korrikut që lamë pas, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime adekuate në kodin zgjedhor duke përfshirë edhe votën e emigrantëve. Ky hap i marrë nga ligjvënësit tanë është një vendim historik dhe shumë i rëndësishëm dhe i shumëkërkuar nga mërgata, brenda harkut kohor prej tre dekadash. Mirëpo, nga ana tjetër, përgjegjësia e organizimit të këtij procesit i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili duket se ka qenë i pa përgatitur dhe i zënë ngusht nga ky zhvillim sado pozitiv. Kjo praktikë e re vendimmarrje për një vend me histori problematike si Shqipëria do të provohet për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës së ardhshme. Si rrjedhojë, ky proces duhet parë me shumë skepticizëm pasi afati kohor i vënë në dispozicion dhe eksperienca e institucionit përkatës në një rast të tillë si ky i yni, janë të pamjaftueshme.

Gjithashtu, kjo kohë fizike që shteti i jep për tu ngritur gjithë kësaj infrastrukture duket qartë se ka për synim krijim e ngërçit të qëllimshëm me pretendimin se gabimet do të përmirësohet në herët e ardhshme, ndërkohë që ka pasur 11 vite për hesap të vetin.

Në vijimësi të këtij artikulimi për të qenë sa më objektiv, duhet shtruar llogjika apo argumenti i sa mësipërm me një pasqyrim të përgjithshme të të gjithë kësaj historie tragjike ndër vite për të mos ti hyrë në hak askujt. Megjithatë, po i shtoj pak më shumë dozat e “paragjykimit” pasi në horizont duket se format e blerjes së votës, presioni për vendin e punës apo për pronën private etj etj.., do të jenë sërisht prezent por me një manaual të ri në përformim (shantazhim dhe presion ndaj opozitës me metodat e sapo nisura).

Për të mos u zgjatur dhe thelluar në gropën e errët të së shkuarës duhet kuptuar se vota është ajo që ne kemi dhe ajo që ata kërkojnë, tanimë jashtë shtetit. Vota është forca e ndryshimit në një demokraci kur ajo funksionon normalisht. Mirëpo, vota është marrë “peng” për shkak të mos egzistencës së një opozite të konsoliduar për mos të thënë se opozita është thjeshte një fjalë pa peshë, parë kjo nga situate e krijuar qysh me z.Berisha e më pas me z.Meta.

Le ti rikthehemi gjenezës së këtij konstatimi …U bënë rreth 3-muaj që KQZ-ja po punon intensivisht për përgatitjen e të gjitha akteve dhe procedurave që lidhen me votimin nga jashtë vendit të emigrantëve shqiptar. Dhe sipas të dhënave të vënë në dispozicion deri më tani nga ky institucion, votimi do të bëhet përmes postës nga vendet ku ndodhen dhe veprojnë ata. Është një procedurë e ngjashme me atë në SHBA por shumë herë më e vështirë për ta realizuar qëllimin pa pasur probleme “teknike”, kur dihet se po veprohet për herë të parë…

Pse duhet parë me skepticizëm?

Sipas KQZ-së, ky proces do të realizohet përmes një platforme online, ku secili nga ata që jetojnë jashtë, dhe dëshiron të votojë, duhet të hapë një llogari, më shumë për të treguar adresën se ku do të duhet t’i shkojë më pas fleta e votimit. Fleta e votimit për emigrantët do të niset që në momentin kur KQZ-ja, do të ketë përmbyllur procesin e regjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit. Nga ky moment mbeten rreth 28-32 ditë për KQZ-në, për të prodhuar fletët e votimit e për ta dërguar. Që në momentin kur dërgohen fletët e votimit, procesi i votimit, konsiderohet i hapur. Pra, mund të kenë një hapësirë disa ditëshe për të votuar. Zarfi në të cilin ndodhet fleta e votimit është një zarf i bardhë. Ky futet në një zarf tjetër që përmban të dhënat e votuesit. Kur mbërrin, zarfi që përmban adresën, griset dhe mbahet zarfi i bardhë. Të gjithë grumbullohen në një shportë dhe aty bëhet procesi i numërimit.

Për të analizuar pak këto të dhëna të marra nga deklaratat për shtyp të KQZ-së, duhet që natyrshëm të bëjmë disa pyetje për të qartësuar atë hijen e dyshimit që ngritëm më lartë: 1- A po rikthehen patronazhistët? 2- Sa konfidenciale do jetë vota kur zarfi nga jashtë do të ketë emrin e qytetarit dhe adresën e vendit ku jeton ndërsa brenda zarfit do jetë vota individuale? 3- Si do të numërohen votat dhe ku do të numërohen votat e ardhura me postë? 4- A ka një marrveshje paraprake midis KQZ-së, Postës Shqiptare dhe vendeve përkatëse? 5- Kush e jep garanci për ruajtjen e të dhënave tona në database-in e KQZ-së? etj etj.

Përpos këtyre pikëpyetjeve të ngritura më sipër, kur bëhet fjalë për votën e lirë të qytetarit shqiptar gjatë këtyre viteve të pluralizmit politik është krijuar një hendek i madh në mosbesimin dhe ndërgjegjen e shoqërisë tonë. Sa, hera-herës edhe pse nuk duhet përmendur fakti i një të vërtete të hidhur edhe kësaj radhe ka “mirazhe” se shprehja e shumëlodhur mbi kurizin tonë :“nuk varet kush voton, varet kush numëron”, do ti rezistojë “erozionit” të kohës së krijuar nga pushtetarët tanë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT