• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Historiania Denisa Jashari, nga politikat urbane dhe strukturimi i shtetit në Kili tek urbanizimi i botës sonë dhe moshumbja e shpresës për të ardhmen

March 17, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Profesoreshë Denisa Jashari gjeti pasionin për historinë teksa bënte kërkime në fushën bioneurologjike me synimin për të vazhduar studimet për mjekësi, dhe prej atëhere nisi “transformimi” në studiuse dhe humultuese e shkencave humane. Në vjeshtën e vitit 2023 karriera e re akademike e solli në Universitetin Syracuse Nju Jork, mbi katër mijë e gjashtëqind milje larg nga vendlindja e saj Erseka e Kolonjës dhe rreth katër orë në veriperëndim nga Uster (Worcester) ku ajo, në moshën 12 vjeçare, dhe motra Jonada bashkë me prindërit e tyre erdhën në vitin 2000 me lotarinë e vizave. Sot, Denisa Jashari është Asistent pedagoge në Departamentin e Historisë, ndërkohë që shkruan librin e saj të parë si pjesë e doktoratës lidhur me temën e politikës urbanistike dhe funksionimit të shtetit në Kili. Ky vend i Amerikës së Jugut me rreth 19 milionë banorë dhe vijë bregdetare rreth 6,000 kilometra të gjatë, vendlindja e poetit të famshëm Pablo Neruda dhe novelistes Isabel Allende, dhe disa penave të tjera, ka bukuri natyrore të mahnitshme dhe histori e kulturë shumë të pasur. Ia vlen të kujtojmë se popullsia amerikano-latine me origjinë shqiptare gjendet kryesisht në Argjentinë, Kili, Uruguai dhe Brazil. Në pjesën më të madhe, ata janë Arbëresh të ardhur nga Italia e Jugut. “Shqiptarët e ardhur herët në Argjentinë janë pjesë e valës së emigrantëve të Epokës së Migrimit masiv, fundi i shekullit XIX dhe fillim i shekullit XX, që u vendosën në zona industriale, si Berisso, në provincën Buenos Aires dhe afër kryeqytetit të Argjentinës. Berisso njihet si “qyteti i emigrantëve”, për shkak të pranisë së madhe të emigrantëve italianë dhe atyre të Europës Lindore, të cilët punonin në fabrikat e paketimit të mishit dhe me punën e tyre e transformuan qytetin në qendër të prodhimit bujqësor. Diaspora shqiptare ka shoqatat e veta dhe një organizatë kulturore e njohur si “La colectividad albanesa Bashkimi”, e cila ndër të tjera merr pjesë në “festën provinciale të imigrantëve,” shpjegon Profesoreshë Jashari. Vajtja e saj në Santiago të Kilit ishte pjesë e hulumtimeve laboratorike, por atje ajo ndjeu të tërhiqej fort nga historia komplekse e vendit. Në këtë rast, mund të ketë qenë e ndihmuar nga fakti që studimet për diplomën universitare në Biokimi dhe Spanjisht, me bursë të plotë në Kolegjin Trinity, i dhanë mundësinë të njoh si shkencat humane, ashtu edhe ato natyroret.

“Gjatë një semestri në Santiago të Kilit rashë në dashuri me vendin dhe historinë komplekse të tij. Në Santiago pata mundësinë të mendoja seriozisht mbi regjimet autoritare dhe mënyrën se si ato funksionojnë, për historinë e Luftës se Ftohtë në vendet e Botës së Tretë dhe kjo më dha distancën e nevojshme për të vështruar historinë e familjes sime dhe të Shqipërisë nga një perspektivë e re.”

Profesoreshë Denisa Jashari tregon se fillimisht i bëri përshtypje sesi në Kili – ashtu si në gjithë Amerikën Latine – aktorët socialë në gjithë spektrin politik kapin hapësirën urbane për t’i mbrojtur të drejtat për shtetësi dhe për të kërkuar ndryshim. Nga shtjellimi i saj kuptohet se përqendrimi i popullsisë në qytete i zgjoi kureshtjen për rolin e qyteteve në politikën kombëtare. Dhe më tej, ristrukturimi i shtetit në raport me ndryshimin e politikave urbane si tipar i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturat komuniste dhe diktaturat ushtarake politikisht të djathta.

“Në Kili dhe në gjithë Amerikën Latine, shumica e popullsisë është urbane dhe banon veçanërisht në kryeqytet. Ky nuk ishte ndryshim i pashmangshëm, por filloi në mesin e shekullit XX pasi industrializimi ofronte mundësi më të mira jetese. Përqendrimi i popullsisë në kryeqytet dhe në zonat urbane ka pasoja në mënyrën si funksionon shteti dhe si zhvillohen e integrohen vendet në tregjet botërore. Kjo më intereson mua. Bota jonë po bëhet gjithnjë e më urbane – kjo vlen edhe për Shqipërinë – Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rritjen globale të lagjeve të varfëra, pasi qytetet mezi po ofrojnë strehim të përshtatshëm dhe shërbime urbane bazë. Integrimi ekonomik global ka transformuar mënyrën se si funksion shteti dhe ky proces më intereson, prandaj përpiqem ta kuptoj historikisht. Procesi i ristrukturimit të shtetit dhe i ndryshimit të politikës urbane është i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturën komuniste dhe ato që përjetuan diktatura ushtarake politikisht të djathta,” argumenton historiania.

Për sa i takon sfidave në fushën akademike në përgjithsësi dhe për femrat në veçanti, ajo thotë se “të jesh akademike është zgjedhje e stilit të jetesës sepse nuk është punë që përfundon në orën 17:00 të premten dhe rifillon në 9:00 të hënën. Kërkon ekuilibër delikat midis orëve mësimore, kryerjes së kërkimit në arkiv gjatë verës, hartimit të artikujve dhe punimeve për konferenca gjatë fundjavës dhe mbrëmjeve, aplikimit për financim dhe udhëtimit për t’i prezantuar kërkimet. Kjo për mua ka nënkuptuar kalimin e verës ndërmjet Kilit, familjes në Shqipëri dhe në Kosovë dhe prindërve në ShBA.”

“Akademikët në histori ose të tjera shkenca shoqërore po ashtu po përballen me realitetin e vështirësive për sigurinë e vendit të punës. Unë pata fatin që fitova një pozicion të tillë, por këto po bëhen gjithnjë e më të rralla. Doktorata merr shumë kohë për t’u përfunduar, sikurse përmbushja e kërkesave të mandatit për ‘tenure’, që do të thotë se akademikët, sidomos gratë, shpesh duhet të marrin vendime të vështira jetësore. Por ajo që e dua në jetën akademike – ai procesi tërëjetësor i kërkimeve dhe shkrimeve, është thjesht i mrekullueshëm!”

Gratë që e kanë influencuar atë janë mamaja dhe gjyshja. “Të dyja kanë bërë sakrifica që vetë nuk di a do të mund t’i bëja ndonjëherë. Këto gra “të zakonshme” me potencial të jashtëzakonshëm, rrallë hyjnë në librat e historisë por janë ato që me punën e tyre të përditshme jashtë dhe brenda shtëpisë, e mirëmbajnë shoqërinë tonë,” shprehet ajo. Kur e pyeta si e festoi 8 Marsin, Prof. Jashari më tha se “e para gjë ishte telefonata me mamin në Uster edhe me motrën në Kosovë, pastaj me shoqet në vende të ndryshme të botës dhe në kohën e drekëherës doli me disa kolege në Syracuse për të festuar një çmim për artikullin e fundit që shkrova.”

Për studentët shqiptarë, Profesoreshë Denisa Jashari dëshiron që përvoja dhe trajnimi i saj të jenë të vlefshme për të ndihmuar ta bëjë më pak sfidues rrugëtimin akademik për të rinjtë. “Shkolla Maxwell e Qytetarisë dhe Marrëdhënieve Publike, Departamenti i Historisë, Syracuse University është shkollë e renditur në nivel kombëtar dhe e njohur në fushën e kërkimeve dhe zbulimeve. Kam dëshirë të ndihmoj nxënësit e shkollave të mesme me aplikimet e tyre për kolegj dhe t’u ofroj këshilla atyre që kërkojnë të bëjnë Master ose PhD.”

Si për ata, ashtu edhe për veten në moshë rinore, këshilla e saj është: “Bota ndonjëherë duket e zymtë. Ky brez i ri është përballur me vite shumë të vështira për zhvillimin e tyre social gjatë pandemisë Covid. I kthehem shpesh një fraze që i atribuohet Antonio Gramsci-t, por është e një shkrimtari francez, “pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit”, për të përmbledhur rëndësinë e të lexuarit realist të një situate (dhe të mbeturit praktik) ndërkohë që nuk humbim shpresën për të ardhmen.

Filed Under: Histori

Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen

March 17, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në vend, dialogun me Serbinë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura.

Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.

Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar.

“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, theksoi ajo.

Gjatë takimit u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

May be an image of 2 people and text that says "台 野 1 N PUBLIKA E KOSOVES PUBLIKAEKOSOVES-P PR REPUBLICOF OF KOSOVO- THEI REPUBLIKA REFUBLIKAKONINA.FRIDY KONOI REPUI -PRED ENTJA ENT DARDANIA Coi"

See insights and ads

Boost post

All reactions:

55

Filed Under: Rajon

ZEMRA – KRYEFJALA E LEKSIKUT LASGUSHIAN

March 17, 2025 by s p

Kosta Nake/

Në se te vëllimi i parë “Vallja e yjve” udhëtimi poetik fillonte nga qielli, katër vite më vonë udhëtimi fillon nga toka, nga poeti, nga zemra prej së cilës del një yll, ylli i jetës, ylli i bukurisë dhe prej këtej mund t’i bashkohet qiellit. Trupi dhe shpirti janë dy boshtet kryesorë që formojnë tërësinë e qëndrueshme të njeriut, që bashkojnë dhe udhëheqin gjithë proceset fizike dhe mendore. Prej këtu fillojnë e marrin udhë konceptet mistike, fetare, filozofike dhe poetike. Kur flasim për procese fizike, kemi parasysh gjakun, limfën dhe sistemin nervor. Këto nuk janë pjesë arealit poetik të Lasgushit. Kur flasim për procese mendore kemi parasysh funksionin e trurit që i ka zyrat qendrore te logjika, pastaj zbresim më poshtë në një hapësirë ku lindin dhe lulëzojnë ndjenjat. Pikërisht kjo është fusha ku zbarkon sonda poetike e Lasgushit dhe në këtë mjedis përftohet një ndërveprim harmonik edhe me organet e shqisave dhe gjithçka sjell një prodhim shpirtëror që nuk ka shtysë eksplorimin por ndijimin. Zemra duket sikur fiton pavarësi nga truri dhe merr rolin e ekzekutorit mendor, e demonstruesit të emocioneve dhe pasionit, sikur është kthyer në një xhep ku grumbullohet dhe shpërndahet dashuri, bukuri, dhembshuri. Domethënës është largimi i Lasgushit nga bota dhe gjuha e urrejtjes që mund të jetë edhe një nga shpjegimet për atë adhurim të qëndrueshëm të lexuesve ndaj Veprës së tij.

Ka një leksik karakteristik në poezitë e Lasgushit që mund ta konsiderojmë si një tufëz fjalësh të hipotekuara në pasurinë e tij letrare, si “familjet e fjalëve” llaftari – llaftarohem – i llaftaruar – llaftarisht, zembër – zembërohem – i zembëruar, dhemshuri – dhemshurohet – i dhemshuruar – dhemshurisht, përvëlim – përvëlohet – i përvëluar, zhuritet – i zhuritur, etj. Por kryefjala e vëllimit të dytë është zemra, fillesa e hapjes dhe formimit të vetëdijes komunitare, fillesa e ngarkesës më hyjnore të shpirtit – dashurisë, gjeneratori i trupit dhe i shpirtit. Nga pikëpamja sasiore zemra “pushton” pothuaj të gjitha poezitë, por edhe larmia e togfjalëshave ku ajo përfshihet është mjaft e madhe: Del nga zemra, qan zemra, zemra ndjen, m’u bë zemra me besë, gjuha e zemrës, dashuri e zemrës, fundi i zemrës, thelbi i zemrës, shok prej zemre, zemërëz e vrarë, zemër e përvëluar, zemër e shkretë, zemër e thyer, zemër e plasur, zemër e qetë, zemër-lehtë, zemër e mbushur me farmaq, etj.

Me fillimin e këqyrjes së vëllimit të dytë nga zemra, kemi paralajmëruar edhe tematikën kryesore të tij trupëzuar e qëndisur në lirikat e dashurisë. Veçanësi përbën mungesa pothuajse e plotë e fjalës “e dashur” dhe zëvendësimi i pjesshëm me fjalët “vogëloshe”, “vashë”, “çupë”, “motër” që metaforizohen si flutur (f.179), lule që çel parëvera (f.180), pëllumbeshë (f.201).

Gjatë leximit mund të përjetojmë kristalizimin e dy karakteristikave të poezive lirike:

Së pari, largësia mes dy të dashuruarve që nganjëherë perceptohet si mërgim: “net-për-net më rri larguar” (f.191), përfytyrimi i së dashurës “me mall në mërgim.” (f.192)

Së dyti, portretizimi i vajzës së dashur, bukuria e së cilës i jep dashurisë përmasa të perëndishme me “leshërat – valle sumbullash e ruazash” (f.165), “floku – fije ar” (f.175), “buzë e shkruar” (f.173), “goja lëng qershi/ gjiri llaftari” (f.181), “trup kalliri” (f.202), “hunda si qiri” (f.209). Dy poezi marrin ngacmim nga një pjesë e trupit dhe ndalen gjerësisht. “Dora jote ledhatarja” (f.189) vjen nga një pikë vështrimi që s’e ka parë askush tjetër para tij “i dha hëna pah të ndezur, pluhur të artë i fali ylli” dhe finalizohet si urë komunikimi me zemrën dhe shpirtin. Poezia me pjesën tjetër është për buzën miturishte, buzën e zhuritur me shkallëzimin rritës: “u ndez e mori valë, ajo u poq, ajo u doq.” (f.187)

Në se të dy vëllimet strukturohen si dashuri e djalit për vajzën, përjashtim bën poezia “Po qan vasha në shtëpi” (f. 204), ku është vajza e dashuruar marrëzisht pas djalit duke marrë në sy pengesat dhe rreziqet në një shoqëri patriarkale.

Te lirikat e natyrës hapësira më e njohur është ajo e liqerit, pasqyra ujore më e bukur jo vetëm për Shqipërinë. Liqeni i Ohrit është syri i kaltër i Ballkanit. Galiçica nga lindja dhe Çervenaka nga perëndimi janë dy anët e djepit ku përkundet liqeri në një shkëmbin të ndërsjelltë ujërash dhe ngjyrash. Është simboli i jetës, i pastërtisë dhe shpresës, është simbol i nënvetëdijes dhe i thellësive të fshehta të shpirtit. Në një rrafsh më të gjerë, lirikat e natyrës kulmojnë me poezinë “Dritë fshehtësije” ku ka diçka naimiane në apostrofat shpërthyese të fillimit dhe në vargun 18-rrokësh lasgushian, më të gjatit varg të matur në letërsinë shqiptare:

“O greminë! O fusha pllajash! O shkëmbinj! O brigje t’artë!

O ju qiej shkretëtirash tej-për-tej aq të këqyrshmë!

Ti përflakje mëngjezore! Hark ylberi-i shtatëgjyrshmë!

Botë yjsh! Botë hënash! Botë djejsh me gji të zjarrtë!” (f.151)

Lirikat e dashurisë dhe të natyrës bëjnë një hap prapa për një çast, ashtu si vala e detit nga bregu, për të krijuar një hapësirë ku të shkruhet ngjarja e madhe e Pavarësisë dhe të lartohet figura e Plakut të Vlorës me ciklin “Rapsodi popullore.” Përmbajtja transformuese realizohet përmjet një ritmi që i ngjan një marshi triumfi, kurse katër vargje kanë një enumeracion onomatopeik dhe e kthejnë poetin në një trumpetar të atdhetarisë.

“Rroftë! – fusha oshëtiu,

Rroftë! – pylli uturiu,

Rroftë- e deti ja buçiti,

Rroftë-e pushka ja kërciti.” (f.153)

Bashkëngjitur me tri poezitë kushtuar 28 Nëntorit është një poezi kushtuar Asdrenit që ngrenë një urë atdhetarie bashkë me ciklin “Vallja e dherit” te vëllimi paraprijës “Vallja e yjve” me një fokusim te figura e madhe e rilindasit Naim Frashëri, te vepra e tij letrare dhe ndihmesa në çështjen kombëtare. Poezia “Naim Frashërit” (f. 37) ka peshën e një poeme që vjen me vargun 16-rrokësh të poetit:

“Gjuha: shpirt i shent’ i kombit, që kalon dyke kënduar!

Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!

Gjuha: afsh i gjall’ i jetës, shpat’ e ndritur e lirisë!

Gjuha: yll i vjershërisë! Gjuha: verb i Perëndisë!” (f. 42)

Poezia “Përjetësia” (f. 209) përbën një deklaratë që mund të lexohet si tekst dashurie dhe si nëntekst filozofik i marrëdhënies së poetit me lexuesin sjellë përmes enumeracionit, përsëritjes dhe aliteracionit:

“Kur jam në shpirtin tënd,

Jam domosdo

Dhe jashtë shpirtit tënd prej vetvetiu:

Në mal që mendjen ty ta shqetëson,

Në hon që mendjen ty ta turbullon,

Në det që mendjen ty ta llaftaron,

Në qjell që mendjen ty ta qjellëson,

Në djellë që mendjen ty ta djellëson,

Në botë mendjen që ta botëson.”

Me karakter filozofik është edhe poezia përmbyllëse e këtij vëllimi “Kush ma njohu dhemshurinë” (f. 221), një shpjegim i vetë poetit për magjinë e poezisë së tij, që në një Shqipëri të prapambetur, bukurinë e jetës e gjen te natyra, te dashuria dhe historia e vendit të vet, prandaj vendin e poezisë vajtimtare e zë poezia përshkruese dhe meditative.

“Po në qaj dhe zjej me vete,

S’dëshpërohem kurrsesi,

Ndaj i ndjej së mjerës jetë

Vetëm mall e dashuri.”

(Vëllimi poetik “Ylli i zemrës” (1937) i Lasgush Poradecit, Vepra 1, Poezia, Tiranë 2009)

Filed Under: Kulture

Shqipëria dhe Kosova të kërkojnë zhvendosjen e dialogut nga Brukseli në Uashington për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme

March 17, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Prej më shumë se një dekade, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë i përqendruar në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pavarësisht premtimeve për një marrëveshje përfundimtare, ky proces është shndërruar në një rrugë pa krye, ku Serbia vazhdon të sabotojë njohjen e Kosovës dhe të instrumentalizojë këtë dialog për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare. Ndërkohë, BE-ja ka dëshmuar një qasje të pasigurt, shpesh duke toleruar politikën destruktive të Serbisë dhe duke i bërë presion të njëjtë Kosovës, sikur të ishte një palë e barabartë në një konflikt të ngrirë.

Brukseli-Qasje e Dështuar.Bashkimi Evropian, në vend që të luajë rolin e një ndërmjetësi të drejtë dhe objektiv, ka vazhduar të mbajë një qëndrim të dyfishtë, shpesh duke u përkulur para interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj brenda BE-së, si Franca, Hungaria, Sllovakia dhe Greqia. Kjo ka çuar në disa probleme të mëdha:

1. Barazimi i Kosovës me Serbinë – Dialogu në Bruksel ka krijuar perceptimin se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me status të barabartë në negociata, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe: Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa Serbia është agresori që shkaktoi luftë dhe gjenocid.

2. Tolerimi i politikave destruktive të Serbisë – Për vite me radhë, BE-ja nuk ka vendosur asnjë sanksion të rëndësishëm ndaj Serbisë, pavarësisht se ajo vazhdon të destabilizojë rajonin, të forcojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, dhe të refuzojë të njohë Kosovën. Përkundrazi, BE-ja ka përdorur masa ndëshkuese kundër Kosovës, siç ndodhi me masat ekonomike të vitit 2023 pas tensioneve në veri të vendit.

3. Lobimi i pesë shteteve mosnjohëse të BE-së – Pesë vendet anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja) refuzojnë ende të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo ka bllokuar përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat evropiane dhe ka minuar procesin e normalizimit.

4. Mungesa e presionit përfundimtar ndaj Serbisë – Përkundër faktit që Serbia vazhdon të marrë fonde të mëdha nga BE-ja dhe ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ajo nuk është ndëshkuar për refuzimin e saj për të respektuar marrëveshjet e arritura në dialog.

Uashingtoni-Alternativë e Domosdoshme për Dialogun

Në të kundërt, SHBA ka treguar vazhdimisht një qasje më të vendosur dhe më efektive për zgjidhjen e çështjeve në Ballkan. Disa raste konkrete tregojnë se ndërhyrja amerikane ka sjellë ndryshime të menjëhershme dhe të qëndrueshme:

1999 – Ndërhyrja e NATO-s: Ndërsa BE-ja ishte e paaftë të ndalonte masakrat e Serbisë në Kosovë, SHBA, përmes NATO-s, ndërmori sulmet ajrore kundër forcave serbe, duke çliruar Kosovën nga regjimi i Millosheviqit.

2008 – Pavarësia e Kosovës: SHBA ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës dhe ndihmoi vendin të sigurojë mbështetje ndërkombëtare, përkundër hezitimit të disa vendeve evropiane.

2020 – Marrëveshja e Uashingtonit: Nën ndërmjetësimin e administratës Trump, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik, e cila përfshinte hapa konkretë për bashkëpunimin rajonal. Kjo tregoi se SHBA mund të sjellë rezultate konkrete përmes presionit diplomatik dhe strategjive të qarta.

Pse Duhet Zhvendosur Dialogu në Uashington?

1. SHBA ka qasje më të prerë dhe efektive – Ndryshe nga BE-ja, e cila shpesh ndikohet nga burokracia dhe interesat e brendshme të vendeve anëtare, SHBA vepron me vendosmëri kur bëhet fjalë për stabilitetin në rajon.

2. Serbia e respekton më shumë autoritetin e Uashingtonit – Pavarësisht lidhjeve të saj me Rusinë dhe Kinën, Serbia e di që SHBA ka ndikim të madh në zhvillimet ndërkombëtare dhe nuk mund ta injorojë plotësisht presionin amerikan.

3. Marrëveshjet e arritura nën SHBA janë më konkrete – Përvoja ka treguar se kur SHBA ndërmjetëson, marrëveshjet janë më të qarta, më të detyrueshme dhe kanë mekanizma zbatimi më efikas.

4. Evropa po tregon të njëjtat tendenca të vjetra – Siç dëshmohet nga afrimi i Francës dhe Gjermanisë me Serbinë për shkak të interesave të tyre energjetike dhe ekonomike, Evropa po e trajton Kosovën më shumë si një problem dytësor sesa si një partner të barabartë.

Çfarë Duhet të Bëjnë Shqipëria dhe Kosova?

Për të realizuar këtë zhvendosje strategjike, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërmarrin një sërë hapash konkretë:

Të bëjnë një kërkesë zyrtare për zhvendosjen e dialogut nga Brukseli në Uashington, duke argumentuar dështimet e BE-së dhe avantazhet e ndërmjetësimit amerikan.

Të intensifikojnë lobimin në Kongresin dhe administratën amerikane, duke kërkuar që SHBA të marrë një rol më aktiv në procesin e negociatave.

Të krijojnë një front të përbashkët diplomatik me shtetet mike, si Britania e Madhe, Kroacia dhe shtetet baltike, për të shtyrë përpara këtë iniciativë në forume ndërkombëtare.

Të refuzojnë çdo marrëveshje që nuk garanton njohjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së, duke shmangur çdo formë të presionit për kompromise të dëmshme.

Koha ka treguar se dialogu në Bruksel është shndërruar në një farsë diplomatike, ku Kosova humbet kohë ndërsa Serbia fiton terren politik. Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk ndërmarrin hapa konkretë për ta zhvendosur këtë proces në Uashington, atëherë do të vazhdojnë të jenë viktima të lojërave gjeopolitike evropiane. Vetëm SHBA ka fuqinë dhe vullnetin për të sjellë një marrëveshje të drejtë dhe përfundimtare, që garanton sovranitetin e plotë të Kosovës dhe integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

“Arti i romanit”

March 17, 2025 by s p

Agim Baçi/

“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shkruan Milan Kundera në librin e tij “Arti i romanit”. Vetë Kundera, përshkrues i absurdit që përfshin njeriun në regjimet diktatoriale në romanet e tij, ka mundur të sjellë rrugët që çuan në dehumanzimin e njerëzve të cilët humbën busullën për të kuptuar veten dhe tjetrin, duke iu dorëzuar vetëm urdhrave. Ashtu si Kundera, qindra shkrimtarë të tjerë në botë, por dhe në Shqipëri, kanë përshkruar njeriun nën diktaturë, duke na dhënë bindjen se letërsia është ajo që e ka ruajtur dhe e ruan Njeriun.

E megjithatë vlen të pyesim: Por, ai njeri që pranoi të bëhej pjesë e makinës çnjerëzore, që nuk u zhduk për një ditë, që vijoi jetën e tij edhe më pas, a u pendua, a kërkoi falje?

Shumë vende që kaluan diktatura mundën të shihnin veten në sy, edhe pse me vështirësi. Ndërsa në Shqipëri shumë krime e pasojat e tyre mbeten ende të panjohura për një pjesë të shoqërisë. Më e vështira për t’u kuptuar ka mbetur njohja e pasojave të “Njeriut të ri”, pasi ata që u edukuan dhe u përgatitën si të tillë, vijuan ntë ishin në këto 35 vite kudo, në institucionet kulturore, historike, arsimore, e sidomos në politikë. Mungesa e zbardhjes së të shkuarës në regjimin komunist dhe e pasqyrimit të saj në libra shkollorë, e la mes nesh pasojën e njeriut që “tund kokën për gjithçka e mendon shumë pak”. Pasojë e asaj kulture janë ata që mendojnë se “pushteti ka të drejtë”, e që dalëngadalë, me mësimin për t’u përshtatur, lëshojnë çdo ditë nga vetvetja, duke e shuar zërin, deri në kufijtë e murmurimës.

Duhet të pohojmë se, edhe letërsia shqipe prej disa vitesh, me disa autorë, ka tentuar ta ndërtojë grafikën e njeriut të përçunduar nga përbindëshi i asaj kohe, që përgatiti rezervatin me “Njeriun e ri”, i cili më pas ishte njeriu që ndërmerrte praktikimin e modeleve që shpikte diktatura – një model që bazohej te njeriu që kishte humbur moralin, që kishte humbur dinjitetin. “Njeriu i partisë” duhej të shkundej më parë nga çdo vlerë. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Ç’mund të prisnim nga njeriu që partia e gradonte “i ditur” pikërisht për të qenë veçse veshi dhe syri i partisë, duke synuar vetëm të frikësojë, spiunojë, e të mbjellë frikën.

E megjithatë, pavarësisht emrave që në këto 35 vite kanë sjellë rrëfime dhe dëshmi të forta letrare, ka pak pasyqrim në filma apo tekste shkollore, që mund të hapin një shine bashkëbisedimi lidhur me perceptimin që kanë sot shqiptarë mbi diktaturën, krimet e saj dhe çmimin e bashkëpunimit me të keqen.

“Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinës për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krej i mjerë me atë çka njeriu mund të jetë”, thotë në librin e tij “Mendja e robëruar” (f.16) nobelisti Çesllav Millosh teksa përshkruan gjithë mekanizmin kur, arti i pari, u kthye në pasqyrë të fytyrës së të keqes, duke fjetur mbi autoçensurë – një sëmundje që vijon të mbetet ende e pashëruar për shumë nga ata që e jetuan atë kohë. Dhe ai e thotë këtë duke pohuar se ka qenë nga ata që sistemi diktatorial e ka përdorur.

Letërsia e ka këtë “detyrim” për ta treguar gjithnjë njeriun, siç ka qenë e si mundet, sepse është rojtarja e fytyrës dhe zemrës njerëzore. Ndërsa studiuesit kanë detyrë që këtë roje të njerëzores, ta nxjerrin në pah dhe ta sugjerojnë sa më shumë. Jo më kot, pas librave të shenjtë, ajo që i ka mbijetuar më shumë se gjithçka kohërave është Letërsia. Për të përshkruar veçantinë e madhe të librit në historinë njerëzore, por edhe raportin e tij me atë që duhet të kujtojmë dhe mbrojmë, do të kujtoja për këdo thënien e Jose Luis Borges: “Ndër instrumentet e shumta të njeriut, pa dyshim, libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës” (Ligjërata, f. 141).

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT