• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

𝐌𝐞̈𝐬𝐢𝐦 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐥𝐥 𝐟𝐫𝐲𝐦𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢

March 13, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Në këtë ditë, më 12 mars 1933, nisi ajo që mund të njihet sot si podcast-i parë, titulluar “Biseda Pranë Zjarrit,” një seri komunikimesh radiofonike nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt.

I ulur pranë vatrës së zjarrit, duke simbolizuar kuvendimin e drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë, presidenti komunikonte me popullin e vet përmes radios, që ishte edhe i vetmi mjet mediatik që dispononte çdo familje amerikane në atë kohë.

Ky komunikim i një shtetari me popullin përmes radios zgjati nga viti 1933 deri në 1944, e çimentoi rëndësinë e komunikimit me publikun edhe në fushën politike, e cila sot, fatkeqësisht bazohet pothuajse e gjitha te imazhi dhe komunikimi.

“Biseda Rreth Zjarrit” nisi gjatë Depresionit të Madh, ku populli kërkonte siguri nga shteti mbi situatën e rëndë ekonomike e financiare që po kalonte vendi, si edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur njerëzit e thjeshtë kërkonin siguri nga lufta.

“Biseda Pranë Zjarrit” përveçse komunikim i drejtpërdrejtë u bë një burim shprese dhe sigurie për të gjithë amerikanët. Bisedat e thjeshta të Presidentit e ndryshuar tërësisht mendësinë dhe botëkuptimin amerikan, duke e ngritur moralin dhe sentimentin popullor nga ai i dëshpërimit në atë të shpresës.

Thënie të tilla të Presidentit Roosevelt, si: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetëm frika – Kur të arrish në fund të litarit, lidh një nyjë dhe mbahu fort aty – Ne nuk mund të ndërtojmë gjithmonë të ardhmen për të rinjtë tanë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen – Njerëzit nuk janë të burgosur të fatit, por vetëm të burgosur të mendjes së tyre,” e shumë thënie të tjera shpresëdhënëse, i dhanë kurajë popullit amerikan të përballonte me forcë e sukses sfidat e mëdha e të tmerrshme me të cilat po përballeshin.

Kjo quhet shtetari.

Ky është shembulli që duhet ndjekur edhe sot.

T’i japësh zemër popullit tënd tregon se vërtetë të rreh zemra për popullin tënd.

Filed Under: Emigracion

Në përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt

March 13, 2025 by s p

Më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare, u shua Martin Camaj, një nga figurat më të ndritura të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Një zë i veçantë poetik, një studiues i palodhur dhe një ruajtës i trashëgimisë gjuhësore e shpirtërore të kombit, Camaj mbeti për dekada një simbol i lidhjes së pandashme mes atdheut dhe mërgimit.

Pesë ditë para se të largohej nga kjo botë, ai i drejtoi shqiptarëve një mesazh prekës, një testament shpirtëror që përçon mallin dhe dashurinë e tij të pashuar për vendin e tij:

“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”

Në këto fjalë të fundit ndihet një përmallim i thellë, një dëshirë për të qenë pjesë e kombit të tij, ndonëse vitet dhe rrethanat e kishin mbajtur larg. Ai nuk ishte i huaj për Shqipërinë, as Shqipëria nuk ishte e huaj për të—ajo jetonte në poezinë e tij, në kërkimet e tij shkencore, në të folmen e pastër e të lashtë gegërishte, të cilën ai e ruajti me devotshmëri.

Martin Camaj nuk është më, por fjala e tij rron. Ai na fton të njohim e të vlerësojmë trashëgiminë e tij letrare dhe gjuhësore, të kuptojmë se një komb nuk e ndan dot gjuha, as historia, por vetëm harresa. Në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm poetin dhe dijetarin, por edhe njeriun që, edhe në çastet e fundit, e ndjeu veten pjesë të pandashme të trungut shqiptar.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Kel Marubi, trashëgimtari i një dinastie të zëshme, ai që e bëri fotografinë kujtesë të pavdekshme të shqiptarëve

March 13, 2025 by s p

Albert Vataj/

Fati, por jo vetëm ai. Edhe mundësia, përkushtimi dhe zelli për të dhënë më të mirën, me mish e me shpirt, i dhanë Mikel Kodhelit jo vetëm mbiemrin Marubi, gurthemelin e një arti të mirëfilltë dhe të një shprehjeje figurative që e bëri fotografinë dëshmi të përhershme të historisë, por edhe një prej trashëgimive më të çmuara të fotografisë në Ballkan. Nuk ishte thjesht një bekim i rastësisë, por një meritë e fituar me punë e përkushtim. Keli e mbajti këtë barrë si një mision, e pruri si detyrim dhe e ofroi si një blatim për shenjtërinë, në të cilën ai besoi me devocion.

Shkodra dhe Shqipëria, fotografia dhe arti, historia dhe identiteti shqiptar, morën prej tij po aq sa edhe i dhanë në shenjë shpërblimi. Ai nuk ishte thjesht një fotograf, por një memorizues i përhershëm i kohës, një dëshmitar i heshtur i ndryshimeve dhe një mjeshtër i pavdekësimit të së tashmes për brezat e ardhshëm.

Nga Mikel Kodheli në Kel Marubi – Rrugëtimi i një mjeshtri

Mikel Kodheli, i njohur më vonë si Kel Marubi, hyri në botën e fotografisë që fëmijë, duke punuar si ndihmës në studion e Pietro Marubit, së bashku me vëllanë e tij, Matinë. Rreth vitit 1885, mjeshtri i tij e dërgoi në Trieste për t’u perfeksionuar në fotografinë profesionale nën kujdesin e Guglielmo Sebastianutti-t. Aty ai njohu teknika të avancuara, të cilat më vonë do t’i sillte në Shqipëri, duke pasuruar më tej traditën e nisur nga Marubi i parë.

Pas vdekjes së Pietro Marubit në vitin 1903, Kel Marubi trashëgoi jo vetëm studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, por edhe mbiemrin e mjeshtrit të tij, në shenjë respekti dhe vazhdimësie të një tradite që tashmë kishte marrë një dimension të ri.

Përveçse një mjeshtër i fotografisë, Kel Marubi ishte edhe një patriot i përkushtuar. Ai u përfshi në lëvizjet për pavarësinë e Shqipërisë, duke e bërë studion e tij një qendër aktivitetesh patriotike. Në vitin 1908, në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”, ndërsa në vitin 1913, flamuri i pavarësisë që u ngrit në Bashkinë e Shkodrës ishte qëndisur nga vajza e tij, Bernardina.

Studioja e tij u kthye në një vendtakim për figurat kryesore politike të kohës, ndërsa në vitin 1926 ai u emërua fotograf zyrtar i Mbretit Zog I, duke e dokumentuar me mjeshtëri jetën e mbretit dhe ngjarjet kryesore të periudhës.

Kontributi në fotografinë shqiptare dhe evropiane

Puna e Kel Marubit nuk ishte thjesht një vazhdim i traditës, por një përparim i madh teknik dhe artistik. Ai e zhvilloi më tej fotografinë shqiptare duke eksperimentuar me pajisje më moderne, duke kaluar nga pllakat e qelqit te filmi celuloid dhe duke u fokusuar te portretet, peizazhet dhe dokumentimi i ngjarjeve historike.

Arkivi i tij, që sot përbën një pjesë të rëndësishme të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, është një pasuri e rrallë me mijëra negativë në xham, të cilët ofrojnë një pasqyrë unike të jetës shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

Fotografitë e Kel Marubit nuk ishin vetëm dokumentime të ngjarjeve, por edhe vepra arti. Aftësia e tij për të kapur emocionet dhe karakterin e subjekteve e ngriti fotografinë shqiptare në një nivel të ri. Ai krijoi portrete të fuqishme të figurave historike, skena të jetës së përditshme, panoramave të qyteteve dhe fshatrave shqiptare, duke ndihmuar në ruajtjen e një trashëgimie kulturore që përndryshe mund të ishte humbur.

Trashëgimia dhe ndikimi i tij

Pas Kel Marubit, traditën e vazhdoi i biri, Gegë Marubi, i cili e futi fotografinë shqiptare në epokën moderne. Kel Marubi e bëri fotografinë shqiptare të njohur edhe jashtë kufijve të vendit. Ai ishte i ftuar për të fotografuar Familjen Mbretërore të Malit të Zi, ndërsa puna e tij u vlerësua në rrethe artistike ndërkombëtare.

Në vitin 1970, arkivi i tij, që përmbante mbi 150,000 negativë, u ble nga shteti shqiptar për t’u ruajtur si pasuri kombëtare. Fotografitë e tij janë botuar në disa albume të rëndësishme, si “Gjurmë të Historisë Kombëtare në Shkodër” (1982) dhe “Nga Lumière” në Francë. Për nder të kontributit të tij dhe të familjes Marubi, shkolla e parë shqiptare e filmit dhe fotografisë u emërua “Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi”.

Një emër që mbetet i pavdekshëm

Kel Marubi nuk ishte thjesht një mjeshtër i fotografisë, por një ruajtës i kujtesës kombëtare. Ai e pa fotografinë jo si një mjet të thjeshtë dokumentimi, por si një formë arti që shpalos historinë, identitetin dhe shpirtin e një kombi.

Puna e tij është një testament i fuqisë së imazhit për të mbajtur gjallë historinë. Ashtu si ai vetë u bë pjesë e dinastisë Marubi, edhe trashëgimia e tij vazhdon të jetojë, duke na dhënë mundësinë të shohim të shkuarën me sytë e së tashmes.

Foto: https://commons.m.wikimedia.org/…/File:Kel_Marubi_(self…

Filed Under: Kulture

Kufijtë e tiranëve përcaktohen nga qëndresa e atyre që ata shtypin

March 13, 2025 by s p

Artan Nati/

Qëndrimi i një populli ndaj qeverisë së tij është ai që formon natyrën e asaj qeverie. Ne jemi përgjegjës për atë që ndodh me rojtarët tanë. Me dëshirë apo pa dëshirë, ne ia kemi shitur integritetin tonë si popull një qeverie që është gjithnjë e më totalitare. Ne u kemi dorëzuar pushtetarëve dhe kryetarëve të partive një pushtet të pakufizuar e të papërgjegjshëm, një pushtet që në thelb i përket vërtetë popullit. Dhe kush janë vërtet rojtarët tanë? Studimi i historisë sonë të qëndrimit të përkulur që në kohët e pushtimit otoman nxjerr në pah disa të vërteta të ashpra që mund të mos duken shumë të këndshme për veshët e pamësuar. Kur Otomanët erdhën para mbi 500 vitesh në vendin tonë, realizuan ndërrimin e fesë tonë, me gjithë luftërat heroike të Skënderbeut për mbrojtjen e kristianizmit. Ne krenohemi me Skënderbeun, por harrojmë të përmendim faktin se ne tradhëtuam idealet e tij. Biles shpesh kjo tradhëti interpretohet si zgjuarsi dhe taktikë për mbijetesë të kombit shqiptar ndaj rrezikut të gllabërimit nga fqinjët grek e sllavë. Më tej gjatë luftës së dytë botërore, kur elita shqiptare e kohës, vihet në shërbim të Italisë fashiste e më tej bashkëpunëtore e nazizmit, interpretohet si një taktikë e zgjuar për të krijuar Shqipërinë e madhe dhe shmangur gjakderdhjen në vend.

Të mos harrojmë se këto qëndrime i dhanë mundësi komunistëve të shfrytëzonin situatën dhe të mobilizonin popullin kundër pushtuesit, duke sjellë në vend diktaturën më të egër në vend. Kjo situatë nënshtrimi vazhdoi më tej pas përmbysjes së diktaturës komuniste, kur shpresat dhe sakrificat e studentëve dhe popullit shqiptar u tradhëtuan për interesa personale. Shumë shpejt në krye të partive të mëdha e të vogja erdhën ish-komunistët të emëruar nga ish liderët komunistë, ndërkohë që protestat dhe sakrificat e studentëve dhe të persekutuarëve të sistemit u tradhëtuan. Të gjitha këto ndodhën siç mund t’i imponohesh një tufe delesh, gjë e cila e bënte edhe më agresiv ujkun e huaj apo vendas. Në rastin konkret e bëri më agresiv regjimin komunist apo diktatorët e vegjël të partive të mëdha apo të vogla, si edhe gjithë ujqërit kudo që mund të shfaqen në sistemin tonë “demokratik.” Më tej për të siguruar tufën e deleve dalin dhe mbajnë leksione pseudo intelektualët si edhe pseudo patriotët tanë, duke na treguar se populli duhet të rri i qetë, se zgjedhjet që ne kemi bërë si popull dhe ujqërit e kësaj kopeje delesh, ka qenë më e mira dhe më racionalja.

Si shpërblim këta teoricien marrin shpesh honorare nga qeveritarët tanë, poste ambasadash etj, nën petkun e patriotit dhe intelektualit. Në vend që të përballin realitetin dhe paraqesin zgjidhje, ata mundohen të justifikojnë situatën dhe veprimet e tanishme. Ata shpesh justifikohen me faktin se ne duhet të fokusohemi në anën pozitive, që të inspirojmë njerëzit dhe tu ofrojmë atyre modele pozitive. Në fakt psikologjia na mëson krejt të kundërtën, ajo shpjegon se “Frika që ne nuk sfidojmë bëhet limiti ynë” duke theksouar se frika e pazgjidhur mund të bëhet barriera e vetë-imponuar, duke parandaluar rritjen e vendit dhe arritjet personale. Nqs ne nuk shikojmë mitet tona me sy kritik, nqs ne nuk kritikojmë dhe mbajme përgjegjës liderët tanë, ne jemi të destinuar të mbetemi një komb delesh.

Trashëgimia e nënshtrimit që turqit na lanë ende mbetet në sistemin tonë demokratik të modeluar perëndimor. Sot, ne me të vërtetë jemi bërë një komb delesh. Dhe qeveria jonë, një qeveri e ujqërve. Dhe kjo sepse ne i kemi lejuar.

Për një kohë të gjatë, ne i kemi lënë ata të bëjnë gjithçka pa vënë në dyshim përgjegjësinë e tyre. Ne i ndërruam pashallarët tanë turq me feudalët vendas, më tej me pashallarët e kuq e tashmë me pronarët e partive si dhe autokratët e shërbëtorët e tyre. Ne kurrë nuk e kuptuam vërtet konceptin apo fuqinë e demokracisë. Ideja e adhurimit praktik të individëve është ende e pranishme mes nesh, ndërkohë që secili prej nesh është individ i barabartë dhe themeli i demokracisë moderne perëndimore

Jemi mësuar aq shumë me servilizmin dhe tarafllëkun në shoqërinë tonë, sa diku përgjatë rrugës, harruam se ne kishim pushtetin e vërtetë. Se populli nuk duhet të ketë frikë nga qeveria e tij, por është qeveria që duhet të ketë frikë nga populli.

Si bëhet një qeveri totalitare? Gjithmonë fillon me pak. Vjedhje të vogla, korrupsione të vogla, një vrimë në sistem që kalon pa u vënë re, një nevojë elementare që mbetet e pambikëqyrur për të cilën askush nuk ankohet. Ata fillojnë të shohin se njerëzit nuk janë fare të interesuar për të respektuar veten dhe mbrojtjen e pushtetit nga sharlatanët, përkundrazi bëhen bashkëpunëtor. Njerëzit janë të kënaqur për sa kohë që kanë një shtrat për të fjetur dhe tre vakte për të ngrënë.

Dhe kështu fillon. Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht, siç tha dikur Lord Akton. Dhe kjo mungesë llogaridhënieje ndaj njerëzve është ajo që e bën një qeveri të bëhet e ashpër mbi njerëzit e saj. Ne harrojmë t’i mbajmë nën kontroll dhe ata përfitojnë. Dhe një shtet Orwellian lind nga hiri i njerëzve që kanë shitur kurrizin e tyre për bukë.

Pastaj përsëri, njerëzit me të vërtetë nuk duan ndryshim. Nuk ka shumë kohë që pensionistët dolën në rrugë për pensione dinjitoze dhe lëvizja e tyre mbeti e izoluar, sikur rrogat dhe kushtet e punës të ishin të mjaftueshme, ndërkohë që korrupsioni masiv përpinte pasurinë dhe taksat e vendit.

Ndërkohë që vendi i drejtohet kutive të votimit, gjysma e qeverisë është në burg, dhe gjysma tjetër në ethe i serviloset kryeministrit për një vend të sigurt në parlament, ashtu si delet e nënshtruara. Në kampin demokrat kundështarët e dikurshëm të kryetarit (në 80 vjetorin e lindjes) si viçat kërcejnë dhe hedhin hapin për të siguruar mandatin.

Duket sikur në zgjedhjet e 11 majit do të marrin pjesë dy ujq e një dele dhe delja duhet të vendosi se kujt ujku duhet t’i ofrohet për ushqim.

E gjithë historia e përparimit të lirisë njerëzore tregon se të gjitha lëshimet e bëra kanë lindur nga lufta e zjarrtë dhe revoltat. Nëse nuk ka protesta dhe kontroll të vazhdueshëm, nuk ka përparim. Pushteti nuk lëshon asgjë pa kërkesë. Nuk e ka bërë kurrë dhe nuk do ta bëjë kurrë. Kufijtë e tiranëve, pushtetarëve, kryetarëve të partive etj. përcaktohen nga qëndresa e atyre që ata shtypin, mashtrojnë dhe vjedhin

Dhe kështu, ne rrimë urtë teksa na frenojnë të drejtën e fjalës së lirë, jetojmë me frikën e reagimit, na thuhet t’i jemi mirënjohës qeverisë që thjesht ka bërë atë që duhet të bëjë një qeveri. Ne harrojmë se zhvillimi nuk është një dhuratë për ne nga qeveria, por ka qenë gjithmonë detyrë e qeverisë të ndjekë zhvillimin për kombin. Nëse nuk ka luftë, nuk ka përparim. Ata që pretendojnë se favorizojnë lirinë dhe megjithatë përçmojnë protestën, janë burra që duan të korrat pa lëruar tokën. Ata duan shi pa bubullima dhe rrufe. Ata duan oqeanin pa zhurmën e ujërave të tij të fuqishëm.

Filed Under: Opinion

Çfarë duhet të dimë rreth Ekplipsit të Përgjakur të Hënës

March 13, 2025 by s p

Përgatiti Rafel Floqi/

Hapësira është teatër. Ndoshta spektaklet më dramatike që qeniet njerëzore do të vëzhgojnë ndonjëherë janë rezultat i vallëzimit të përjetshëm midis hënave, planetëve, yjeve dhe më shumë objekteve të kozmosit. Një shfaqje qielli afër shtëpisë do të shfaqet vonë në mbrëmjen e së enjtes, 13 mars dhe deri në orët e hershme të mëngjesit të 14 marsit. Kjo është kur të shfaqet një eklips hënor i ashtuquajtur “hëna e përgjakshme”, e dukshme në Amerikën Veriore dhe Jugore, në disa pjesë të Afrikës, Paqësorit dhe Evropës. Pra, çfarë e shkakton një eklips hënor, kur është koha më e mirë për ta parë këtë – dhe si e mori kjo dukuri atë emërtim të mrekullueshëm të hënës së përgjakur?

Ndërsa hëna rrotullohet rreth Tokës dhe Toka rrotullohet rreth Diellit, të tre trupat janë përgjithmonë në rrugën e njëri-tjetrit, duke bllokuar periodikisht pamjen nga njëri te tjetri. Kur hëna kalon midis Diellit dhe Tokës, siç ndodhi më 8 prill të kaluar, ndodh një eklips diellor, me diskun e hënës që bllokon diskun e diellit, duke hedhur një hije në planetin tonë.

Hëna është 400 herë më e vogël se dielli, që do të thotë se nuk duhet të ketë shumë ndikim në sasinë e dritës së diellit që arrin tek ne. Por në një pjesë të mrekullueshme të qetësisë kozmike, hëna është gjithashtu 400 herë më afër nesh, gjë që rezulton në disqet diellore dhe hënore që duken të jenë saktësisht të njëjtat përmasa në qiellin tonë, duke krijuar një përshtatje të përsosur, me vetëm koronën e diellit – ose zjarret – që shpërthejnë nga pas hënës gjatë eklipsit total.

Ndryshe nga një eklips total diellor, kur disku i diellit është plotësisht i nxirë, një hënë e eklipsuar nuk zhduket plotësisht nga qielli. Përkundrazi, ajo është ende e larë nga një dritë dielli që kalon pranë Tokës dhe, në mënyrë të konsiderueshme, përmes atmosferës së saj. Kjo ka një efekt dramatik në ngjyrën e hënës. Drita diellore përmban të gjitha ngjyrat e spektrit të dukshëm, por ndërsa arrin në atmosferën tonë, gjatësitë e valëve blu me frekuencë më të lartë shpërndahen – kjo është ajo që i jep qiellit tonë ngjyrën karakteristike. Gjatësia valore e kuqe dhe portokalli kalojnë menjëherë. Në rastin e një eklipsi hënor, kjo do të thotë se hëna është e larë me një shkëlqim të kuqërremtë – prandaj emërtimi i hënës së përgjakur.

Ka emra të tjerë për një hënë të plotë në këtë periudhë të vitit kur nuk po ndodh një eklips hënor. Sipas Almanakut të Farmerit të Vjetër, hëna e plotë e marsit quhet edhe hëna e krimbit – një emër që i atribuohet krimbave të tokës që zakonisht dalin nga toka në fillim të pranverës, ose larvave të brumbullit që dalin gjithashtu nga degët e pemëve në shkrirjen pas dimrit. Fiset vendase të Amerikës e kanë quajtur gjithashtu hënën e plotë të marsit Hëna e Shqiponjës, Hëna e Patës ose Hëna e Korbit që kthehet, duke paralajmëruar rishfaqjen e këtyre kafshëve në pranverë.

Cilido qoftë emri i hënës, pamja e saj duke rënë në hije këtë javë do t’ju bëjë të humbni pak gjumë. Sipas NASA-s, hëna fillimisht do të fillojë të lëvizë në hije në orën 23:57. EDT (8:57 p.m. PDT) më 13 mars. Eklipsi total fillon në orën 2:26 të mëngjesit. më 14 mars në bregun lindor (23:26 më 13 mars në perëndim) dhe zgjat pak më shumë se një orë. Nëse e kaloni këtë në gjumë, do të keni shanse të tjera. Rreth dy eklipse hënore ndodhin mesatarisht çdo vit. I ardhshmi do të ndodhë në shtator. 7, 2025 – megjithëse do t’i japë Amerikës një kalim, ndërsa do të jetë i dukshëm në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të botës. Eklipsi tjetër hënor për të kaluar kontinentin tonë do të jetë më 26 qershor 2029. Qielli i natës, siç është zakon, do të vazhdojë të na shfaqë spektaklet e tij.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT