• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

KONTRIBUTI I BAJRAM CURRIT PËR HAPJEN E SHKOLLAVE DHE ZHVILLIMIN E ARSIMIN SHQIP

March 8, 2025 by s p

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes.

Dr. Nikollë Loka/

Sundimi pesëshekullor osman dhe padituria ishin dy të këqijat e mëdha, që e kishin gozhduar shoqërinë shqiptare dhe nuk po e linin të ecte përpara me ritme më të shpejta. Në prag të zgjimit kombëtar shqiptar, të njohur si Rilindja Kombëtare, shoqëria  shqiptare ishte e fragmentuar dhe e përçarë. Por në këtë periudhë, në shoqërinë shqiptare po ndodhnin ndryshime. Elita myslimane, e cila kishte përfituar privilegje nga regjimi i Abdyl Hamidit II, në këmbim të besnikërisë së saj, u zëvendësua nga një elitë e re intelektuale-nacionaliste shqiptare gjithpërfshirëse me myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, cila bëri thirrje për reforma në dobi të të gjithë shqiptarëve. 

Çështja shqiptare në fillim të shekullit XX po hynte në një fazë kritike dhe me pasoja të rënda për të ardhmen. Elitat shqiptare e dinin mirë faktin se emancipimi kulturor në shkallë të gjerë mund të arrihej vetëm pas zhvillimit të sferës publike dhe strukturave të shoqërisë civile, me themelimin e shoqatave atdhetare dhe kulturore. Gjatë viteve 1896-1905, përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare parashtruan si kërkesa të ngutshme “njohjen e kombësisë shqiptare dhe çështjen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje kërkuan edhe formimin e një Shqipërie autonome.  Ata themeluan shoqërinë e fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”, në të cilën bënte pjesë edhe Bajram Curri, i cili në zbatim të programit të kësaj shoqërie u angazhua për hapjen e degëve të saj në qytetet e Kosovës. Në një raport të Konsullatës austo-hungareze në Shkup shkruhet se “nismëtar për kërkesën e përdorimit të gjuhës shqipe në shkollë ishte shoqata “Për Lirinë e Shqipërisë” dhe sidomos degët e saj në Selanik e Manastir, të cilat me shumë energji dhe shumë zotësi kanë filluar përhapjen e idesë kombëtare. Sukses kishin arritur në Gjakovë, ku u formua një degë e shoqërisë dhe kishte shumë anëtarë, ndër të cilët edhe bejlerë me rëndësi”. Si më kryesori ndër ta përmendet Bajram Curri, i cili ndonëse vetë nuk kishte shkollë, u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Shqipe që ishte para së gjithash një lëvizje intelektuale. Rasti i tij është unik, sepse edhe pa qenë vetë i shkolluar, ai u bë njëri ndër mbrojtësit dhe kontribuesit më të mëdhenj për zhvillimin e arsimit shqip dhe hapjen e shkollave shqipe.  

Pas revolucionit xhonturk, në themel të politikës nacionale xhonturke u vu doktrina e osmanizmit që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë “osmanllinj” dhe “të barabartë para ligjit”. Me këtë rast u lejua ngritja e klubeve kulturore dhe hapja e shkollave në gjuhët e kombësive të ndryshme. Në Shqipëri u hapën shumë klube kulturore dhe lëvizja për shkollën shqipe u shtri në të gjithë vendin. Sidoqoftë,  themelimi i klubeve shqiptare në veri të vendit  ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Kishte ende persona që besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Por edhe në veri kishin depërtuar idetë kombëtare. Ndryshe nga qytetet e tjera veriore, në Shkup vepronte klubi i rëndësishëm “Bashkimi”, ku Bajram Curri ishte nënkryetar dhe u angazhua për hapjen e degëve të tij ose klubeve të reja në Kosovë. Me nismën e tij, në vitin 1909, u formua klubi “Bashkimi” në Gjakovë. Konsulli austro-hungarez në Prizren vinte në dukje se “Gjakova, një nga qytetet e zonës së tij konsullore, ishte më përpara në pikëpamje të nivelit të ndërgjegjësimit kombëtar, çka rezultoi me formimin e klubit shqiptar”. Sipas shtypit të kohës, “rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve atdhetare në atë qytet kishte Bajram Curri i cili, me gjithë zember për me pa amën Shqypëni një or ma shpejt të shëndritun e të qytetnuet”. Shembulli i Gjakovës u ndoq edhe nga qytete të tjera.  Në bashkëpunim me Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën, Bajram Curri u angazhua për hapjen e klubeve shqiptare në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjlan, si dhe degëve të tyre në Ferizaj, Kaçanik, Podujevë, Drenicë etj. 

Me hapjen e Normales së Elbasanit,në vitin 1909,  Bajram Curri pati një rol të rëndësishëm në arsimimin e të rinjve veriorë, duke i ndihmuar ata që të ndjekin shkollën e të bëheshin mësues e më pas të përhapnin dijen në zonat e tyre. Si atdhetar me ndikim, ai nxiti dhe ndihmoi dërgimin e të rinjve nga Kosova në Normalen e Elbasanit. Për shumë nxënës të zonave veriore, mungesa e mjeteve financiare ishte një pengesë e madhe për të ndjekur studimet, prandaj ai ndihmoi me mjete financiare dhe mbështetje politike për të lehtësuar udhëtimin dhe qëndrimin e tyre në Elbasan. Në  vitin 1910 me ndihmën e pakursyer të tij dhe të Bedri Pejanit në Normalen e Elbasanit vazhduan studimet 19 shkollarë nga Kosova. 

Një angazhim tjetër i Bajram Currit ishte hapja e shkollave shqipe në Gjakovë dhe në fshatrat përreth qysh në vitin 1911. Gazeta “Shkupi”, e vitit 1911, në artikullin “Bajram be Curri dhe shkollat shqipe”, ndër të tjera, shkruan:”Në saje të ndihmës morale të Bajram begut në Gjakovë, mendojmë se brenda nji kohe të shkurtë, me leje të shtetit  do të hapim shkollat shqipe si në Gjakovë, ashtu edhe në fshatra të Gjakovës”.

Pas kryengritjes shqiptare të vitit 1912 dhe marrëveshjes së arritur me autoritetet osmane, më në fund ishte bërë e mundur të hiqen kufizimet në lidhje me hapjen e shkollave shqipe. Por në atë kohë filluan Luftërat Ballkanike dhe territoret shqiptare u pushtuan nga ushtritë e aleatëve ballkanikë, që i mbyllën shkollat shqipe. 

Lufta e Parë Botërore krijoi kushte të favorshme për ngritjen e shkollave të reja shqipe në Gjakovë dhe në viset e të tjera të Kosovës. Pas depërtimit të ushtrisë austro-hungareze drejt jugut, ushtritë serbo-malazeze u detyruan ta Kosovën. Kësisoj, me nismën e Bajram Currit, u hap në Gjakovë shkolla shqipe. Sipas njërit nga mësuesit e parë të kësaj shkolle, Qazim Bakallit, “një grup mësuesish, kryesisht, gjakovarë, shumica bashkëpunëtorë të Bajram Currit, u mblodhën në shtëpinë e Niman Ferizit dhe vendosën ta shfrytëzojnë rastin e përshtatshëm për ta hapur shkollën shqipe në Gjakovë. Aty u miratua vendimi edhe për themelimin e Bashkisë së vendit me nëpunës shqiptarë dhe me administratë në gjuhën shqipe”. Shkolla menjëherë ia filloi punës në ndërtesën e mejtepit ruzhdije. Mësuesit punonin pa pagesë, pasi qëllim të vetëm kishin shkollimin sa më të shpejt të të rinjve në gjuhën shqipe, përgatitjën e tyre për të punuar në administratën e vendit dhe për t’u aftësuar në ndjekjen e shkollimit të mëtejshëm. Shkolla fillore e Gjakovës ishte gjashtëklasëshe dhe në mungesë të arsimit të mesëm shqip, do të siguronte kuadro për administratën e re në gjuhën shqipe.  

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, në  vitin1918, u mbyllën të gjitha shkollat shqipe në Kosovë. Gati të gjithë mësuesit atdhetarë gjakovarë kaluan në shtetin shqiptar, ku dhanë ndihmësë të madhe në zhvillimin e arsimit shqip. Një pjesë e tyre, me qëllim që t’u ndihmonin të rinjëve kosovarë, u ndalën në kufi me Kosovën, në Malësinë e Gjakovës dhe në Has. Me 17 tetor 1922, u themelua shkolla e parë shqipe në lagjen Dojan të fshatit Bujan,  nën përkujdesjen e Bajram Currit dhe shokëve të tij. Pas shkollës së Bujanit u hapën shkollat në Gash, Bytyç, Degë, Dragobi etj. Kontribut për shkollimin e të rinjve shqiptarë nga Kosova dha edhe shkolla fillore e Krumës, e cila për herë të parë u hap në vitin 1913 për t’u mbyllur përkohësisht në vitin 1918 deri më 1921, për t’u rihapur më 12 tetor 1922 me kërkesë të Bajram Currit. Në vitin shkollor 1922-1923, kjo shkollë numëronte 30 nxënës, prej të cilëve 18 ishin nga Kosova. Shkolla e Krumës në vitin 1923 shënoi dy hapa të rëndësishëm të zhvillimit arsimor: 1. Krijimin e Shoqërisë arsimore  “Shkëlzeni”  dhe 2. Hapja e shkollës së mbrëmjes për të rinj e të rritur, ku numri më i madh ishte i shqiptarëve nga Kosova të strehuar në Shqipëri. Përfshirja e të rriturve në shkollat e mbrëmjes, në radhë të pare, u mundësoi shqiptarëve të shpërngulur që të gjenin më lehtë punë në institucionet shtetërore dhe i ndihmoi angazhimin e tyre në jetën tregtare. Bashkë me Hasan Prishtinën dhe Azem Galicën, Bajram Curri ishte nismëtar për hapjen e shkollës shqipe në Golaj të Hasit, ku mësuan shumë luftëtarë të çetave antiserbe dhe fëmijët e tyre. Hapja e Internatit “Kosova” (shkollë me konvikt) për nxënësit kosovarë këndej kufirit ishte përpjekje për ta sfiduar realitetin dhe për të dëshmuar se shqiptarët nuk mund t’i ndajnë coptimet artificiale. Misionarët që do ta mbanin zgjuar ëndrrën ishin fëmijët, në stinën e tyre të djalërisë së hershme. Ishte vazhdimi i luftës me mjete të tjera me po ata udhëheqës, Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin, nismëtarë të arsimit shqip në këto treva.

Pas Kongresit të Lushnjës, kur shteti shqiptar filloi të funksiononte, Bajram Curri, krahas të tjerave, u angazhua në zhvillimin e arsimit laik dhe kombëtar. Ai ishte një nga përkrahësit kryesorë të qeverisë demokratike të Fan Nolit, e cila e vendosi arsimin si një nga prioritetet kryesore. Noli kishte premtuar se do të kishte në përbërje të kabinetit të tij dhe dikasterin e arsimit, por vendi i ministrit për pak kohë mbeti bosh. Megjithatë, me 12 gusht 1924, u mblodh në Tiranë Kongresi Arsimor, ku Ministria e Arsimit nuk dërgoi përfaqësues dhe as përshëndetje. 

Bajram Curri pati një ndikim të madh në atë kongres. Ai e shihte arsimin si një faktor kyç për përparimin e kombit dhe për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, prandaj kishte kërkuar që Kongresi të vendoste masa konkrete për hapjen e më shumë shkollave në veri të Shqipërisë, një zonë ku arsimi ishte ende i pazhvilluar për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së mbështetjes shtetërore.  Në Kongres u zhvillua një debat rreth arsimit laik dhe atij fetar, saqë prej anës së mësuesve katolikë të prefekturës së Shkodrës, me nxitje dhe mbështetje të fuksionarëve fetarë dhe të disa qeveritarëve pati përpjekje për shpërndarjen e Kongresit. Ndue Paluca dhe Kol Margjini prej katolikëve e Xhevat Korça dhe Ismail Anamali prej myslimanëve, u larguan nga salla. Në ato kushte,  Kongresi u vu në rrezik për shkak të indiferencës së Ministrisë së Arsimit dhe të Qeverisë së kohës, që nuk ndërhyri në këtë debat, por thirri në polici organizatorët: Ahmet Gashin, Aleksandër Xhuvanin, Salih Ҫekën, Jani Mingën etj. Për këtë ngjarje, një grup delegatësh me në krye Ibrahim Fehmiun, vunë në dijeni ushtarakun dhe senatorin Bajram Curri, që ndëryri energjikisht për mbylljen e këtij incidenti. “Ai erdhi vetë në Kongres,- thotë profesor Ahmet Gashi, – na përgëzoi për punën tonë dhe na dha zemër për të vazhduar më tej e bëri një fotografi bashkë me kongresistët”. 

Vendimet e Kongresit të Tretë Arsimor për unifikimin e shkollës shqipe në të gjithë vendin si shkollë shtetërore dhe laike u pritën me entusiazëm nga shtersat përparimtare të shoqërisë shqiptare. 

Bajram Curri ishte një patriot dhe vizionar, i cili e kuptoi se e ardhmja e Shqipërisë varej nga arsimimi i brezave të rinj. Për këtë arsye, ai i ndihmoi të rinjtë shqiptarë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij për të studiuar jashtë shtetit, në vende me arsim të zhvilluar. Përmes ndihmës së tij, shumë të rinj u shkolluan e pastaj u kthyen në Shqipëri e u bënë mësues, intelektualë dhe shtetarë, duke dhënë kontributin e tyre për vendin, siç ishte rasti me Rexhep Krasniqin, Xhevat Korçën etj.  Si një personalitet i shquar jo vetëm në fushën e luftës për pavarësi dhe çlirim kombëtar, por i edhe si bashkëpunëtor me atdhetarë idealistë e të shkolluar shqiptarë, Bajram Curri ndau me ta të njëjtin ideal, realizimin e aspiratave kombëtare dhe zhvillimin e modernizimin e shoqërisë shqiptare. 

Filed Under: LETERSI

DAGENS PRESS (1921) / MOISIU NËPËRMJET SYVE TË GRUAS SË TIJ, JOHANNA TERWIN : “DUHET TË KUJDESEM DHE TË ORGANIZOJ GJITHÇKA PËR TË…”

March 8, 2025 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2025

“Dagens Press” ka botuar, të mërkurën e 13 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Johanna Terwin, gruan e Aleksandër Moisiut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Moisiu nëpërmjet syve të gruas së tij

Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4
Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4

Aleksandër Moisiu shoqërohet në udhëtimin e tij në Skandinavi nga bashkëshortja e tij, aktorja Johanna Terwin. Një gazetë daneze i ka bërë zonjës Moisi pyetjen e mëposhtme intime :

— A bën gabime të shumta e të mëdha Moisiu ?

— Jo, seriozisht, jo, ishte përgjigja. Ai është një fëmijë i sjellshëm — por në të vërtetë një fëmijë i madh — plotësisht i pafuqishëm në gjithçka që ka të bëjë me jetën praktike — një ëndërrimtar në tokë. Prandaj, unë duhet të kujdesem për të dhe të organizoj gjithçka për të. Ai do të harronte të ndërronte rrobat e tij nëse nuk do të kujdesesha për të — ai nuk do të kishte fare rroba përndryshe. Moisiu është bohem i lindur, gjithmonë në lëvizje, i pa qetë. Aktualisht, ne kemi një apartament në Berlin, përndryshe ai ka jetuar gjithë jetën në hotele.

Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4
Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4

— A punon shumë ?

— Po, çmendurisht. Ka muaj që punon 28 netë me radhë. Në dhjetor, nata e Krishtlindjeve ishte dita e tij e parë e pushimit. Dhe pastaj ai zgjohet shumë vonë — dhe duhet të flejë në mes të ditës…

— Pse kështu ?

— Për shkak se i janë prekur mushkëritë — ai e mori këtë si kujtim nga lufta. Ai tani do të përfitojë nga vera e tij për të kaluar tre muaj në një sanatorium malor.

— Si i punon Moisiu rolet e tij ?

— Ai i lexon ato pa pushim dhe vetëm në një fazë të vonë fillon t’i mësojë përmendësh. Gjatë provës ai është si një libër i mbyllur. Askush nuk e ka idenë ende nga provat se si e ka perceptuar rolin. Ai nuk është në gjendje të flasë deri në provën e veshjes, ku është edhe i veshur me kostum dhe i maskuar dhe kështu “riformohet” nga jashtë në formën e tij të re.

Filed Under: Kulture

ISHIN TRE LISA TË QËNDRESËS SHQIPTARE QË U THYEN PREJ FURTUNËS

March 8, 2025 by s p

Enver Memisha

(Dedikuar dëshmorëve të Atdheut Dr. Skënder Muço, Dr. Yzier Alimerko dhe Zako Mezinit rënë nga plumbat e Gestapos Gjermane më 12 gusht 1944)

Nëpërmjet Avni Rustemit e dojshe Vlonën e Flamurit mâ shum se qytetin tem. Të dy i shifshe të lidhun e të mbështjellun po me ato gëzime, po me ato idhnime. Shpresën e Flamurit të ngritun, nuk e përkëdheli kush mâ tepër se, Vlona e lumnueme e Shkodra e dishrueme…

                                                                                        Zef Pali  

FLAKA” E LIRISË ZEF PALI 1910 – 1977: Në gjurmët e ...

Zef Pali (1910 -1977)

Mâ i fortë se guri

Vendin e Abdylit e zuni Lumoja, pushkën e Ali Pashës e kapi Hysniu, gojën e Abdulla Drenit e trashigoi Skënderi. Kúr qiellin tonë e mbulojnë rê të zeza, ndihet kushtrimi i papritun që del nga thellësit e dheut, ku flenë dhe zgjohen dëshmorët. Retë i shkyejn vetëtimat, botën e trondisin shkreptimat, rroposen, plane e stane t’armiqve shekullor! Në dritën e kësaj rropame na del Shqiptari i shtruem mâ i fortë se guri. Qindron në vend të vet dhe bâhet shkamb. Se lot kush nga vendi. 

“Ku do t’i marri prijsit e kapidanët vendi Ilir në ditët e pushtimit të tij, në ditët e shtrëngatës së kuqe?”. Shqiponja historinë pyeti. 

Por, Abdyl Frashëri i Lidhjes së Prizrenit nuk pat nevojë ta shkundi të Birin, ta ngjisi mbí fletë shqipje, t’i tregojë se ku âsht zi nuk âsht bardh për Shqipnínë. Dhe Mid’hat Frashëri ndezi llampën. Në kalánë e mpime u ndie nji zâ, në pyrgun mâ të naltë u pa një dritë. Nji altar kërkoi, e gjeti, e ngrehi brezi i rí: në vorr të Naimit. Aty besnikët u mblodhën krye ulët dhe zêmër lëshuem. Prej aty besnikët u shprazën ball-naltë e zêmër hekúr… 

Mbas flamurit pa sopata, pa shêje të huej. Prej këndej kushtrimi dhe vrulli arriti e kaploi Vlonën. Qyteti – djep i flamurit – shpërtheu ditën e parë të flamurit në robní. Si nisi, krisi! Atjé tê Ura e Gjormit, Hysni Lepenica i prini Kombit kryengritës. Skënderi, Skënder Muço u foli bukúr, ambël, ndigjuesve të heshtun që tashma flitshin veç me fshikullima plumbash. Me “Ta, mbas “Tyne, u shtuen radhët e trimave, që prej Kosove e deri në Çamëri. Me “Ta, sa qeleshe bardhë për vend u bânë flî! Rânë e na lânë, kúr lufta e vogël u bâ e madhe. U këput Hysniu nga plumbat që trupin ia bânë shoshë. Balli Kombëtar i fali Atdheut “Burrin përmbí Burrat”. Mâ vonë u nda Skënderi kah vorri që hapi frika e të huejit, mënija e mikut t’armikut. 

Nji varg i pa mbaruem dëshmorësh, kunorë, kunorë u bâ rreth flamurit, rreth vorrit të krye ushtarit… U duk se dritë mâ s’do të bâjnë plumbat, u duk se fjalë mâ s’e qesin gojët guximtare. Kështú ndodhi kúr na la Lumoja. Ai flamur, valë lirije, ajo fytyrë, mall Shqipnije. U ndalën fjalët në pendë, u mbyllën shpresat në zêmra katrane, u tha: “Si mund të qindrojë Balli pa krye?” 

Por, njimijë Balle u çuen nga Vorri i Frashërit, u prekën, u puthën nga fryma e shénjtë, u ngrohën me punën e pa ndërpreme, u fuqizuen me forcën e shokëve të gjâllë, me gjakun e shokëve të ramë nji mbas nji… 

E zymtoi, por nuk e këputi në mes Ballin Kombëtar kosa e pamëshirueshme e vdekjes. As drapni i kuq që u lëshue pa prâ mbí né, mbí trupin e cunguem të Kombit, s’e thau “Shtizën e Flamurit”. As mohimtarët ball ramë, që mohuen nji fjalë të dhânun, që patën frikë nji rrugë të vështirë, nuk e lodhën ushtrinë trime. 

Qindroi, qindron, ndërtesa e Lumos, pse Balli âsht bâmë shpírt. Luftoi, lufton çeta e Lepenicës, pse Ball do të thotë qindresë. Ushtoi, ushton, fjala e Skënderit pse pa lirí kombëtare, pa drejtësí shoqnore, nuk ka Shqipní – Shqipní Shqiptáre. Nuk pushon goja që nuk mund të mbyllet, nuk ndalet trimi edhe pse vritet… 

Idetë nuk vriten as nuk kositen. Nuk bâhen flî. Idealet ngrihen mbí Vorre Dëshmorësh, mbí supe punëtorësh dhe qindrojnë atjé n’Atdhé, këtu në mërgim si gurë të pa trandun… Balli âsht mâ i fortë se guri.(Gazeta Flamuri, Nr. 115, 31.10.1959. Flaka  f. 136. Lumoja – Mid’hat Frashëri; Hysniu – Hysni Lepenica; Skënderi – Dr. Skënder Muço.)

Në Mukje

Në Mukje, në nji strofull pemësh shkova për me njoftë s’afri Hysni Lepenicën. Ia kisha ndëgjue zánin në qendrën e shtypit të fshehtë, ku punojshe për Ballin. Ia kisha lakmi trimnínë që tregoj në Luftën e Gjormit. Më kishte pëlqye kanga që i thuri për këtê fitore të parë Dhimitër Bala…

Afër Hysniut ishte Skënder Muço, fytyrë simpatike, gojë ambël me bisedë të rrjedhshme. Paraqiste gjithnji probleme për t’ardhmen e Shqipnisë. Më tregoj: 

“Duke udhëtuar nga malet e Vlorës për në Mukje, jemi takuar disá herë me batalione fashiste, që iknin, porsa na shihnin duke bërtitur: “i banditi”. 

I ndoqëm në një rasë, këmba – këmbës, i mblodhëm milicët e shpërndarë dhe të friksuar, dhe unë u mbajta në gjuhën italisht këtê bisedë: “Nuk jemi kusarë, por çlirimtarë të vendit tonë. Ju keni pushtuar nji tokë që nuk është e juaja. E dimë se fajin e kanë këmishat e zeza të Romës, prandaj duhet të kuptoni se né, si popuj nuk e urrejmë njëri-tjetrin. Po afrohet koha që secili të gëzojë vendin e vet pa u rënë në qafë të tjerëve”… 

Skënder Muço ishte mjaft i tërhequn nga parimet e socializmit italian. Më tha: “Qe partija socialiste ajo që i dha dorë luftës së Vlorës, më 1920. Duhet mejtuar se sido që të zhvillohet çashtja e Ballit pas lufte, Organizata “me çlirimin e vendit” kryen punën e saj. Duhen shkarkuar disá elementë të grumbulluar në ditët e nevojës. Do të vijë menjëherë çashtja e formimit të partive, âshtu siç e kërkon një shtet demokratik. Shpallja e një partije social-demokrate do të na lidhte me Evropën e zhvilluar me drejtësí shoqërore. Në anën tjetër gjithë këta mijra antarë do ta vazhdonin punën e ndërtimit të Kombit, duke e kthyer Ballin në nji parti të madhe popullore, e cila do t’i prijë mbarë ndërtimit të Kombit”…

Në bashkëpunim me aleatët anglo – amerikan

Qershor 1944. Me misionin amerikan, me bazë në Tragjas të Vlonës, me vonesë ishte takue Skënderi. I kishte dhanë nji raport me hollësi për Ballin Kombëtar. Kishte përshkrue veprimet ushtarake kundër komunistëve. Kishte spjegue arsyet e pezullimit të sulmeve kundër nazistëve. Bisedën e bame ia shtroi Komitetit Qendror të Ballit. Përshtypja që kishte pasë ishte se Amerikanët e shikojshin me sy të mirë lëvizjen tonë; nuk dojshin që Shqipnija të përpihej nga vala e kuqe. Komanda gjermane i kishte marrë vesht nga spiunët këta takime.

Vlona, qendër e përpjekjes kombëtare, gjindej e turbullueme shum mbas vrasjes s’Azis Çamit, që komandonte me autoritet fuqitë e Ballit n’atë krahinë. Nji çthurje fuqishë dhe veprimesh kishte ardhë tue përparue. Grindja dhe smira kishin zânë vendin e ujdisë. Bejlerët e mbetun ishin vumë në shërbim të gjermanëve. Filluen të bâhen lista njerëzish të “dyshimtë”. Bashkë me shum të paditun si partizanë, u arrestuen edhe antarë të Ballit, të cilët u dërguen në kampet naziste të Prishtinës, të Beogradit e tjetërkund. Paditej për këta veprime prefekti Vlonës. 

Shkoi në qytetin e trazuem vetë Kryetari i Ballit. Gjendja u keqësue. Nisën të formohen toga qeveritare me uniforma, pshtjellimi u shtue. Vetëm komunistët përfituen nga kjo përmbysje për t’u paraqitë si të vendosun kundër pushtuesit. Tue pamë se malet e Vlonës ishin tue u pushtue nga fuqitë komuniste, ndërsa fuqitë e Ballit zmbrapseshin nëpër katunde besnike ose në qytet. 

U bâ në Tiranë nji mbledhje e madhe intelektualësh. Skënder Muçoja qe folësi mâ i spikatun. Paraqiti gjendjen e vështirë, e cila do të bâhej e dëshpërueme në qoftë se prijësit me shkollë do të vazhdojshin të braktisin malin e rrezikshëm, dhe çetat që bjerrin guximin dhe qëllimin, kúr humbin krenët e përgatitun!… Gjendja, pra, duhej rregullue pa vonesë. Besimi duhej vumë në vend. Shkaktarët e krizës morale duheshin zhdukë… 

Mirëpo përgjegjësit e këtij shkatrrimi qenë mâ të shkathët!… 

Nji ditë erdh lajmi nga rrethet e Vlonës, se nazistët, me nji pusi të përgatitun, kishin kapë, Skënderin, Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Gjermanët dojshin të zbulojshin qendrën dhe planet amerikane. Ndërmjetësit e kësaj poshtërsije, kërkojshin greminën e Ballit… 

                                         *        *       *

Fati i tre shokëve tonë t’arrestuem në Vlonë nga Gjermanët nuk po merrej vesht. Nuk mjaftonte urrejtja e opinionit kombëtar për të dënue dorasin.  

Më thânë të shkojshe dhe ta shtrojshe hallin tê Regjenti, At Anton Harapi. E gjeta me nji revolver ëalter mbí tryezë, te Kuvendi Françeskan i Tiranës. Si antar i Këshillit të Naltë, e kishte edhe Ai jetën në rrezik. I kujtova fjalimin e prekshëm që pat mbâjtë në Shkodër, kúr u bartën eshtnat e dëshmorëve, Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli: “Ndalni-u burra…”. 

I thashë: “A duhet të presim ditën e nji fjalimi, apo të ndalim gjaksorët e njohun?!”. 

Më premtoi se po ndërhynte me shpirt ku duhej, për të shpëtue Skënderin me shokë. 

Pritëm nji lajm mâ pak të keq, se sa atë që na derdhi lotët: “Skënder Muço, Yzeir Ismaili, Zako Mezini u gjetën të vrâmë afër Lushnjes, edhe të shtimë të tre së bashku në nji gropë të zezë. Vrasja e tyne ishte bâmë menjiherë mbas arrestimit” Armiqt e njohun dhe të panjohun nuk kishin humbë kohë… 

Më dërgoi Kryetari për të ngushëllue familjen e Zakos. Fjalët më dukeshin të kota, por të detyrshme. “Durimi” i uruem tingëllonte si pare kallpe (pa vlerë)… 

Dikush e ndërroi bisedën e mortshme, me atë të Luftës Civile. 

Vjershëtori Ali Asllani, që ndodhej aty, më dha nji mësim të mirë historije: “Kam qenë me Princ Ëied-in, kúr braktisëm Durrësin me 7 të Shtatorit 1914 më tha: 

Ishte hapë fjala se rebelët me mija, kishin rrethue kryeqytetin e bregdetin. Nga anija që na mori, numruem vetëm disá qindra rebelësh, me pushkë e pa pushkë, që zunë vendin tonë! Mos të daltë záni për të mirë ose për të keq!… Para se të pushtohet vendi, pushtohet opinioni…”

*

Skënder Muço, orator i radhës së parë, buzëqeshur e zemërluan një nga udhëheqësit e masës së re shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar u kap prej policisë gjermane dhe tradhëtarëve të vendit në gusht 1944 dhe u pushkatua bashkë me dy shokët e tij Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Ishin tre lisa të qëndresës shqiptare që u thyen prej furtunës.   

(Gazeta “Flamuri”, Romë, nr. 45 -46, dt. 31.10.1953, f. 3. Materialet janë nxjerrë nga Flaka  “Kuq e Zi”, Kallzim.  Botue për herë të parë në vëllimin e posaçëm të librit Albania, më 1970 dhe pjesët tjera në numrat e gazetës “Flamuri” (1976-1980). Âsht nji kallzim që ka të bâjë me ngjarjet e qindresës. Prof. Zef Pali pat ndër mend ta plotsojë kallzimin dhe ta botojë si libër, porse vdekja nuk e lâ ta kryej veprën e nisun.

“Kuq e Zi” është ribotuar në librin “Flamuri, Flaka e pa shueme”, në dorëshkrim të Franc Palit, i biri Zef Palit. 

*

1) Prof. Zef Pali, (1910-1977) 

lindi në Shkodër. Studimet e larta i kreu  në Firence. Në vitin 1941, shkon në Kosovë, përkrah 200 mësuesve dërguar atje bashkë me të shoqen Flora Pali (Lezhja), mësuese.

Ishte ndër të parët organizatorë të demostratave kundër fashizmit me organizatën “Balli kombëtar”, shtypin e së cilës e drejtoi për gati 30 vjet.

Në vitin 1944 largohet në Itali. Shkrimet e tij, që firmoheshin me pseudonimin “Flaka”, shënjojnë kualitet të veçantë në memorjen atdhetare të elitës së mërgatës sonë në botë. Prej vitit 1955 e deri në fund të jetës, punoi në Seksionin e Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Orator i shkëlqyer, mjeshtër i shkrimit dhe i artikulimit, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe një luftëtar i pa kompromis i lirisë. Vdiq aksidentalisht në Romë, në vitin 1977. U varros me nderime të mëdha prej Mërgatës Shqiptare, në Nju Jork (Sh.B.A) , në varrezën “Ferncliff”, pranë varrit të Mid’ had Frashërit.

Filed Under: Analiza

Patrioti At Luigj Palaj, martir i krishtërimit

March 8, 2025 by s p

Prend Ndoja/

Gjithmonë më kishte tërhequr vëmendjen ai kryq i madh i hekurt në Janosh të Gjakovës, nga na binte udha shpesh të kalonim. E quanin Kryqi i Fratit dhe ishte bërë një toponim i njohur e i përdorshëm nga fshatarët si një pikë takimi dhe referimi në bisedat e tyre. Por në fëmijëri kisha mundur të mësoja nga prindërit vetëm faktin që ai kryq i përkiste kujtimit e nderimit të një prifti françeskan, me emrin Atë Luigj Palaj, i cili ishte vrarë pikërisht në atë vend nga shkjetë. Kur u rrita dhe fillova të lexoj për jetën e tij, mësova edhe historinë e këtij prifti martir, që e masakruan dhe e vranë pse ishte besnik i palëkundshëm i fesë së tij dhe besimtarëve u thoshte gjithmonë: “Hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”.

Me siguri prindërit e tij, Toma e Paulina, dy njerëz të thjeshtë nga fshati Janjevë, që e lindën më 14 prill të vitit 1878 dhe e pagëzuan me emrin Matì, nuk e mendonin që ai fëmijë do të bëhej një shërbëtor i devotshëm i Krishtit, të cilit do t’i falte një ditë edhe gjakun e jetën e tij. Që në moshë të vogël atë e thirri Zoti në udhën rregulltare të fretërve të vegjël, për të cilën ai studioi në Shkodër, në Troshan të Lezhës e në Itali. Mbase ishte një kionçidencë që atje në Troshan ai gjeti edhe bashkëfshatarin e vet, Shtjefën Gjeçovin, i cili kishte lindur 4 vjet para tij në Janjevë. Më vonë koinçidencat do të kryqëzoheshin shpeshherë në jetën e tyre. Në Troshan, Matia e ndërroi emrin e tij të fëmijërisë dhe u pagëzua me emrin Luigj. I shquar për vullnetin e zellin e tij gjatë gjithë viteve shkollore, ai arriti që më 23 shtator të vitit 1896, në moshën 18-vjeçare, të veshë petkun fetar të Shën Françeskut. Meshën e tij të parë si françeskan ai e kremtoi më 20 prill të vitit 1903 dhe që aty nisi misioni i tij si bari i shpirtrave njerëzorë. E nisi në fshatin Baz, por mendjen e kishte për ngritjen e kishës së re në fshatin Gllogjan të Gjakovës. Për këtë qëllim filloi menjëherë të mbledhë lëndën e parë të nevojshme.

Nga fillimi i vitit 1913 serbo-malazezët kishin filuar një fushatë djallëzore në zbatim të doktrinës për shpopullimin e Kosovës, Iliridës e Sanxhakut dhe futjen e familjeve serbe e malazeze në tokat e shqiptarëve. Serbia nga ana e saj kishte bërë një marrëveshje me Turqinë për të shpërngulur banorët shqiptarë të besimit mysliman në Turqi, Irak, Iran e Siri. U shpërngulën rreth 200 mijë shqiptarë. Familje të tjera dëboheshin me forcë nga tokat e tyre. U sollën rreth 20 mijë familje serbe dhe ishte planifikuar të silleshin edhe 5 mijë familje malazeze në Rrafshin e Dukagjinit. Ndërsa shqiptarët e besimit mysliman degdiseshin drejt djerrinave të Anadollit, shqiptarët e besimit katolik pësonin një persekutim tjetër. Atyre u kërkohej të ndërronin besimin e tyre dhe të ktheheshin në ortodoksë. Kjo ishte një politikë e veçantë e kishës serbe dhe malazeze. Nga ana tjetër ua mohonin atyre të drejtat e shkollimit në gjuhën shqipe. Synimi i tyre ishte që nëpërmjet rrugës fetare ta bënin sa më lehtë asimilimin e popullsisë shqiptare, pra ta eliminonin kombin shqiptar.

Atë Luigj Palaj e kishte kuptuar me kohë e në thelb këtë fushatë dhe politikë djallëzore, armiqësore dhe antishqiptare. Ndaj iu kundërvu asaj hapur. Duke kryer misionin e tij si njeri i fesë, ai predikonte tek besimtarët mbrojtjen e fesë katolike dhe të krishtërimit. Pa u ngritur asnjëherë kundër besimeve të tjera fetare, të cilat ai i respektonte dhe me të cilët bashkëpunonte, ai ngulte këmbë që secili ka të drejtë të mbrojë besimin e vet dhe të ndjekë e kremtojë ceremonitë e festat fetare sipas besimit të tij. Ai shkonte shtëpi më shtëpi, takonte besimtarët dhe u shpjegonte të këqiat që sillte kërkesa e ndërrimit me forcë të besimit fetar. Pas asaj kërkese, ishte shkombëtarizimi i vendit. “Pranoni të hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”, këmbëngulte ai tek besimtarët, ndërsa u fliste për kalvarin e Krishtit dhe sakrificat e tij deri në kryqëzim. I porosiste të qëndronin të bashkuar dhe të mos pranonin të largoheshin nga tokat e tyre. Puna e tij u jepte kurajo besimtarëve dhe e forconte tek ata shpirtin e qëndresës. Ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, por përpara kauzës e misionit të tij nuk i trembej as vdekjes. Në shënimet që ka shkruar më vonë Shtjefën Gjeçovi për bashkëfshatarin e bashkëmisionarin e tij, Atë Luigj Palajn, sjell mes të tjerash edhe bisedën që ai kishte bërë me një besimtar, i cili kishte shkuar ta njoftonte Atë Luigjin për rrezikun që e priste nga shkjetë. Dhe prifti i ishte përgjigjur besimtarit, që ishte një bari: -Ti i del zot tufës sate me pushkë e unë do t’i dal zot tufës seme, që janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshillë. Ujku ka hy veç mbrenda vathit tem, e ka fillue me ma damtue tufën. Mue më duhet, pra, me i ra mbrapa tufës seme e me i turitë ujqit me kërcënime të rrepta me anë të Zotit. Unë nuk ja kam kujdesin këtij mishit tem, i cili, sot a nesër do të bahet gjellë krimbash.

Serbo-malazezët po e ndienin forcën shpirtërore të shqiptarëve, që rezistonin në mbrojtje të fesë së tyre dhe të tokave të tyre. E kuptuan që dikush punonte kundër tyre dhe arritën të bien në gjurmët e fratit katolik dhe të punës së tij të palodhur. I bënë kërcënime e presione që të hiqte dorë, por Atë Luigj Palaj nuk e ndalonte punën e tij dhe as thyhej e as frikësohej përpara tyre.

Nga fillimi i vitit 1913 serbomalazezët filluan kontrolle e raprezalje nëpër fshatrat kosovare, me pretekstin se po kontrollonin për armë. Por qëllimi i vërtetë ishte realizimi i doktrinës së tyre të shpopullimit. Në një nga fshatrat e gjetën edhe Atë Luigj Palajn dhe e arrestuan, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë që bënin rezistencë. E dërguan në burgun e Gjakovës, ku e vunë nën akuza të rrepta dhe nën tortura çnjerëzore. I kërkonin të hiqte dorë nga misioni i tij. Madje i kërkuan edhe që të ndërronte fe e të bëhej shkja. Por përgjigja e tij ishte e prerë dhe e vendosur: ”Unë kam Zotin tem Krishtin, e zëvendësin e tij në tokë, që sundon kishën katolike. Unë si meshtar katolik, urdhrit të tij i rri më këmbë e vetëm atij i bindem”.

Pas këtij qëndrimi të vendosur e pa kompromis, persekutuesit e tij vazhduan me tortura çnjerëzore fizike, të cilat ai i përballonte me një qëndresë të rrallë, burrërore e hyjnore. E lidhin bashkë me 54 shqiptarë të tjerë dhe i nisin më këmbë, duke i torturuar gjatë gjithë rrugës, për në burgun e Pejës. At Luigj Palajn e torturonin më shumë, duke e goditur me kondakun e drunjtë të pushkëve dhe duke ia çjerrë rrobat e mishin e trupit me bajonetë. Ai udhëtim ishte tamam udha e kalvarit të tij, si ajo e Krishtit drejt kryqëzimit. Në vendin e quajtur Janosh, forcat e tij fizike thuajse kishin mbaruar dhe po e tërhiqnin zvarrë. Njollat e gjakut të tij skuqnin tokën. Ishte i veshur hollë, vetëm me një këmishë e ishte akoma dimër i egër, fillimi i muajit mars. E zgjidhën nga rreshti ku ishte lidhur me të tjerë dhe e hoqën disi mënjanë. E larguan nga rruga dhe e vunë përpara pushkatimit.

Përpara se të dëgjoheshin krismat, të burgosurit e tjerë, që e donin dhe e kishin udhëheqësin e tyre shpirtëror, dëgjuan nga goja e misionarit të shenjtë thirrjen: “Qoftë për hatër të Krishtit”!. Pastaj krismat e armëve të persekutorëve. Ata hapën një gropë dhe e varrosën ashtu, pa asnjë lloj mbulese, sikur nuk varrosnin në qenie njerëzore. Ishte 7 mars i vitit 1913. Dhe Atë Luigj Palaj kishte pothuajse të njëjtën moshë që pati Krishti në momentin kur e kryqëzuan. I madhi Gjergj Fishta do të shkruante në poemthin e tij kushtuar këtij martiri:

U rrzue sherbtori i Zotit —Heu! Si nuk plasi djerri! E syt per t’gjatë të motit Ndermjet anmiqve i erri: Gjaku prej varrvet t’ngrata Gurglloi mbi buca t’thata.

Në shënimet e tij, Shtjefën Gjeçovi, sjell kujtime të bashkëkohësve, të cilët tregojnë se kur e kishin hapur varrin e Atë Luigjit, pas 9 javësh, trupi i tij ishte si atë ditë që e kishin vrarë, i paprishur, pa erë dhe me një ndriçim të bardhë si ai i murit të sapolyer. Vetë Gjeçovi kishte marrë si kujtim një eshtër të krahut të këtij martiri të krishterimit.

Atë Luigji u shërbeu besimtarëve dhe çështjes kombëtare jo vetëm me jetën, por edhe me vdekjen e tij. Kur Europa mori vesh këtë masakër, mbajti atë qëndrim shurdh që ka mbajtur gjithmonë sa herë që janë dëmtuar trojet dhe popullsia shqiptare, edhe pse gazetat evropiane të kohës shkruanin për këtë ngjarje: “Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX”. Por Austria dhe Selia e Shenjtë në Vatikan reaguan dhe ai reagim bëri që malazezët ta ndërprisnin fushatën e tyre në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo shpëtoi sa e sa jetë njerëzish e sa e sa familje nga persekutimi dhe dëbimi. Ndërprenë atë fushatë, por dihet që doktrina për shpopullimin e territoreve shqiptare ekziston edhe sot e kësaj dite, me synimet e përhershme grabitqare e antishqiptare.

Shtjefën Gjeçovi, që jetoi edhe 16 vjet pas Atë Luigjit, iu përkushtua mbledhjes së kujtimeve për bashkëmisionarin e tij dhe ka lënë mbi 80 faqe të shkruara. Edhe ai u vra në fshatin Zym nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929. Dhe sot varret e të dyve gjenden pranë e pranë.

Atë Luigj Palaj kishte mbledhur materiale për të realizuar ndërtimin e kishës së re në Gllogjan. Nuk e lanë ta realizonte këtë ëndërr. Por vetëm 7 muaj pas vdekjes së tij, më 7 tetor të vitit 1913, u hodh guri i parë kishës së re në këtë fshat, me praninë e një numri të madh besimtarësh, si dhe të kolonelit austro-hungarez Schueler, të përfaqësuesit malazez Spasojeviç dhe të imzot Lazër Mjedës. Ky i fundit çoi edhe një meshë për shpirtin e martirit.

Jeta plot sakrifica, përkushtimi prej misionari të devotshëm dhe martirizimi i Atë Luigj Palajt bënë jehonë deri në Vatikan. Shtjefën Gjeçovi kishte filluar procesin për lumninin e këtij martiri të krishtërimit, por ky proces u ndërpre për shkak se Gjeçovi u vra. E rifilloi këtë proces Arqipeshkvia e Shkodrës në vitin 2010 dhe e vazhdoi për disa vite, derisa më 20 qershor 2024, Kardinali Marcello Semeraro, i autorizuar nga Papa Françesku, shpalli Dekretin për lumnimin e Pater Luigjit, i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913. Dhe më 16 nëntor të po atij viti, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, u kremtua mesha për lumnimin e dy meshtarëve, njëri prej të cilëve ishte Atë Luigj Palaj. Meshën e kryesoi i dërguari i Papës, Kardinali Marcello Semeraro, i cili mbajti edhe fjalën e rastit, në praninë e popullit të Shkodrës, të ipeshkëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia dhe të kardinalit shqiptar Ernest Troshani.

Kanë kaluar 112 vjet që nga vrasja e këtij martiri të kishës së shenjtë. Sot, më 7 mars, u mblodhën përsëri plot njerëz në fshatin Janosh, tek Kryqi i Fratit. Aty u mbajt mesha e kushtimit të kishës kushtuar atë Luigj Palajt, martir. Meshën Shenjte e kremtoi Ipeshkvi i Kosovës, Monsinjor Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e Dioqezës Prizren-Prishtinë. Kështu, mbi njollat e gjakut të Atë Luigj Palajt, që nuk e thajnë shekujt, do të ngrihet monumenti i kujtesës kombëtare, për birin e shenjtë të Janjevës e të tërë Kosovës, i cili u martirizua për ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar, përballë hordhive serbo-malazeze që përpiqeshin ta zhbënin atë.

Filed Under: Politike

ZEKERIA CANA HISTORIANI, HUMANISTI DHE MBROJTËSI FANATIK I TË DREJTAVE KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE

March 8, 2025 by s p

Nga: Besim Muhadri

Të shkruash për Zekeria Canën, për këtë veteran të historiografisë shqiptare por njëherësh edhe një nga figurat e rëndësishme të kësaj historiografie, është e vështirë. Jo pse nuk ke çfarë të shkruash, por duhet tëhulumtim, informacion, dhe para së gjithash, korrektësi për të shpërfaqur brenda një shkrimi gjithë kontributin e tij të dhënë dekada me radhë. Ikja e tij fizikenga kjo botë vite më parë, përkatësisht më 10 janar të vitit 2009 ishte shumë e dhimbshme, ndonëse kishte 75 vjet të jetës, sepse profesor ZekeriaCana kishte për t’i dhënë akoma historiografisë shqiptare, ashtu siç i dha gjatë dekadave të tëra të jetës dhe të krijimtarisë së stij.

Kur lexojmë biografinë e tij, shohim se ai ishte njëpedagog i përkushtuar, një gazetar po ashtu i përkushtuar, por edhe një aktivist dhe entuziast i madh i aktiviteteve të cilat do të ishin në favor të njohjes se shqiptarëve në një kohë kur ata diskrimoheshin në të gjitha aspektet. Sa e shohim mësues, sa e shohim korrespodent të gazetës “Rilindja”, sa themelues i shoqatës së studentëve shqiptarë që studionin në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetëtë shekullit të kaluar në Universitetin e Beogradit, në kohën kur në Kosovë nuk kishte universitet, sa profesor historie, sa të pushuar nga puna e të përndjekur, sa punonjës arkivi, instituti, themelues Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtavedhe Lirive  të Njeriut, sa të rrebeluar ndaj padrejtësive që regjimi jugosllav e ai serb i bente popullit të tij.

Interesimet e tij për çështjen shqiptare dhe zbardhjen e të vërtetës për të i shohim që herët, por më theksueshëm do t’i hasim te punimet e tij shkencore. Herën e parë me rastin e përgatitjes dhe mbrojtjes se temës së magjistraturës dhe herën e dytë me rastin e punimit dhe mbrojtjes së disertacionit të doktaraturës. Që të dyja kishin të bënin me çështjen shqiptare, përkatësisht me përpjekjet dhe lëvizjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri dhe pavërësi, në kohë dhe periudha të ndryshme. E para ka të bëjë me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovëgjatë viteve 1909-1912 dhe qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj lëvizje, ndërsa e dyta me qëndrimet e socialdemokracisë serbe në krye me DimitrieTucoviqin ndaj çështjes shqiptare.

Pra siç shihet, rruga jetësore dhe shkencore e profesor Zekeria Canës ishte e përcaktuar që herët. Nuk kishte asnjë dilemë se ai do të punonte, gjurmonte vazhdimisht, jo vetëm në ndriçimin, por edhe në mbrotjen deri në fund të çështjes shqiptare, të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe në përgjithësi të atyre që jetonin mbrenda hapësirës së të ashtuquajturës Federatë Jugosllave, ku në vazhdimësi dhe egërsisht shkeleshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Puna dhe hulumtimet shkencore të profesor Zekeria Canës, ku trajtohen probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., kanë“Bottom of Form

mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike”. Si të tilla ato natyrisht se përbëjnë njëkontribut të rëndësishëm tëtij.

Gjatëleximit dhe studimit të veprave të Zekeria Canës, shohim se studimet e tij, reagimet dhe hulumtimet e tij janë të bazuara nëanaliza shkencore, ku asnjëherë nuk mungon qëndrimi kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit. Në shkrimet dhe studimet e veta profesor Zekeria Cana, përveç shpjegimit historik të dokumenteve, ai arrin që me njëmaturi, thellësi dhe guxim intelektual dhe me fakte të demaskojë dhe të hedhë poshtë pikëpamje dhe qëndrime pseudoshkencore dhe shoveniste tëhistografisë serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në studimet e profesor Canëspërveç pasqyrimit objektiv të ngjarjeve me rëndësi të madhe për popullin shqiptar dhe historiagrafisë së tij në tërësi, vërehet edhe një stil i veçantë, dhe i rrjedhshëm i të shkruarit, i të trajtuarit dhe i të argumentuarit. Profesor Cana ka një gjuhë tejet të pastër, e cila karakterizohet nga një sintaksë dhe leksik i rrallë, që do t’ia kishin lakmi edhe gjuhëtarët dhe letrarët më në zë të kohës.

Shikuar në tërësi, interesimet studimore të profesor Zekeria Canës, veçanërisht ato qëkanë të bëjnë me Lëvizjet Kombëtare Shqiptare, janë një kontribut shumë i çmuar që japin mundësi thellimi në këtë fushë dhe të njohjes së këtyre periudhave të cilat trajtohen nga ai. Po ashtu aty kemi edhe qartësime të shumë çështjeve historiagrafike, veçanërisht të periudhës së dhjetvjetëshit të parë të shekullit të kaluar.

Profesor ZekeriaCana fushën e interesimeve dhe kontributeve të tij e ka shtrirë edhe në periudha të tjera historike, ndërsa aktivitetet e tij gjatë viteve të okupimit serb të Kosovës, sidomos në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovës, janë një kontribut i jashtëzakonshëm që mbahet mend nga gjeneratate atyre viteve, për të cilat profesori ishte bërë një simbol i mbrojtjes të të drejtave kombëtare shqiptare, por edhe një shpresë e luftës për liri në Kosovë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT