• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

E vërteta dhe prapaskenat e udhëtimit jashtë shtetit

March 7, 2025 by s p

Naum Prifti*/

Pas një karantine të gjatë për vizë hyrje, vëllain tim, Peter Priftin, e lejuan të vinte në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1985, pak muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Lejimi i tij nënkuptonte se çështja e pastërtisë politike të vëllait ishte zgjidhur. Duke hequr nga supet hijen e dyshimit politik, Lidhja e Shkrimtarëve do lejonte që unë të hyja në listat e artistëve që udhëtonin jashtë shtetit. Pas pritjes disavjeçare, krijova bindjen se çështja e vëllait nuk kishte ndonjë lidhje organike me daljen time jashtë shtetit meqë edhe pas ardhjes së tij unë nuk isha aq “i besuar” nga dikasteret aq sa të merrja pjesë në takime rajonale e ndërkombëtare me shkrimtarë e artistëve shqiptarë. E dija se mënyra më efikase ishte të ankoheshe, të luteshe, të bëje zhurmë, të mallëngjeheshe, të çurriteshe, të qaje, duke shkuar nga instanca në instancë dhe sidomos të vije në lëvizje shokët, miqtë, të njohurit për të thyer opinionin dhe për të fituar përdëllimin e zotërve të plotfuqishëm. Në praktikë duhet t’u serviloseshe shefave, t’u rrije para e më shumë prapa, t’i qerasje, t’u premtoje dhe t’i siguroje se do të ktheheshe duarplot dhe përsëri t’i ftoje për dreka, darka, dhe madje të krijoje edhe një lloj miqësie familjare me ta.

Të gjitha këto unë i dija, por nuk isha aq i shkathët dhe as aq i zellshëm sa t’i praktikoja. Nuk më mungonin paratë, as koha, por më ngjanin të neveritshme veprimtari që s’përkonin me karakterin tim dhe ishin jashtë natyrës sime. Ndodhte edhe i premtoja vetes se javën e ardhshme do takohesha me filan zyrtar apo drejtues, se do ta ftoja për drekë a darkë, dhe gjithmonë e shtyja për më tej, mbasi kurdoherë kisha diçka “urgjente” për të shkruar, redaktuar, recensionuar. Nuk mund t’i braktisja dorëshkrimet për t’u vërdallosur zyrave, korridoreve, shkallëve, oborreve të institucioneve. Pas debateve të brendshme momentale, më në fund vendosa se nëse ajo qe rruga e vetme për të çarë shtegun, duhet të mos mbaja më shpresa.

Gjithmonë kam patur plot shokë të mirë e të ndershëm, të cilët më kanë dashur dhe më duan, ashtu sikurse i dua edhe unë. Kam ndihmuar të gjithë ata që më janë drejtuar për ndihmë ndërkohë kam një lloj pezmatimi për ata që i kishin mundësitë praktike të ndërhynin atje ku duhej për të lehtësuar “hijen e dyshimit” që më ndiqte pas dhe nuk i pashë të bënin për mua atë që do të kisha bërë unë për ta, po të isha në vendin e tyre.

Ndoshta u mungonte kurajua ose vullneti, ose të dyja bashkë. Një pjesë mendonin se gjendja ime ekonomike qe e shkëlqyer, se babai me kishte lënë një trashëgimi, se vëllezërit me sillnin dhurata sa herë vinin, se unë mund të blija çdo gjë te “valuta” ose nga firmat e mëdha jashtë shtetit.

Në Shqipëri vajtja jashtë shtetit u bë biznesi më me leverdi ose rruga më e shpejtë për të siguruar përfitime materiale. Veç “blerjeve” vizita turistike është e paguar nga shteti, çka sjell edhe rivalitet të fortë, prandaj luftohet me çdo mjet, me intriga dhe shpifje, me bërryle e stërkëmbësha për të nxjerrë jashtë liste kolegun dhe për t’i zënë vendin. Konkretisht një javë shërbim jashtë shtetit sjell vlera materiale sa për gjashtë muaj rroge mesatare në vend. Nuk e harroj kurrë thënien e një shokut tim se i ngjallnin zili edhe këpucët e jashtme. Duke krijuar krahasime të paqena e fallco, dalja jashtë shtetit “justifikohej” me ç’rast për veten e tyre dhe për nevojtarët e shumtë, që shpesh ishin ata që ishin mësuar të ankoheshin vazhdimisht.

Çdo familje shtronte darkë kur përcillte dikë jashtë shtetit. Përveç një lloj tradite për t’i uruar rrugë të mbarë udhëtarit, aty festohej një lloj rritje në statusin e mirëqenies materiale të rrethit familjar e miqësor. Deri në vitet ‘70 kur shërbimet kufizoheshin në vendet e botës socialiste përfitimet qenë modeste. Kur u hap rruga drejt perëndimit, u krijua mundësia të silleshin orendi shtëpiake si televizorë me ngjyra, magnetofonë, kasetofonë, frigoriferë, lavatriçe, etj. Madje thuhej se shoferët e parqeve paguanin ryshfete fantastike deri në një çerek milioni lekë, pra dy vjet e gjysmë rrogë të një nëpunësi të lartë, për të siguruar një patentë TIR, sepse e dinin që do të nxirrnin dyfishin e tyre nga afër katër rrugëtime.

Mua tema e udhëtimeve jashtë filloi të më acaronte nervat. Më parë i dëgjoja plot kureshtje bisedat e të shëtiturve e njëherit të besuarve të pushtetit, por tani mezi i duroja. Tema më e shpeshte vërtitej rreth gastrologjisë, pjatave dhe gotave. Çfarë intelektualësh qenë këta që flisnin vetëm për barkologji? Kur më pyesnin njerëz që më njihnin pak, e kaloja shpejt duke thënë se kisha udhëtuar disa herë. Më shumë sesa nga kujdesi për të mbrojtur dinjitetin e Lidhjes së Shkrimtarëve, më dukej se nuk doja t’ju ngjallja dyshime si njeri që ka “cene” në biografi veçanërisht kur disa prej tyre as që dyshonin se unë kisha vizituar kushedi sa shtete. Nuk e harroj një mikun tim, i cili gjatë bisedës rreth përshtypjeve të tij në Turqi, kërkoi ndihmën time për emrin e një ure, duke besuar se unë e kisha parë Stambollin. Unë buzëqesha duke ia kthyer “Starovën po, Stambollin jo akoma”.

Nentor 1989 – Java e Kulturës Shqiptare në Austri minus Letërsinë

Seksioni i Jashtëm i Lidhjes më njoftoi zyrtarisht se bëja pjesë në grupin e artistëve që do shkonin në Linz, Austri për javën e Kulturës Shqiptare nga 9 në 16 nëntor 1989. Agron Kaiku që mbulon sektorin e jashtëm të Lidhjes më kumtoi se isha ngarkuar të mbaja referatin me temë “Identiteti kombëtar i letërisë shqiptare” “jo më shumë se 5-6 faqe të daktilografuara’ sqaroi ai. Kjo ngjau pa iu lutur kujt, pa iu ankuar as Lidhjes, as ndonjë zyre tjetër. Kjo do të thotë se nuk isha më i mënjanuari që përcillte të tjerët deri në aeroport. Kësaj here do të shkoja unë i përcjellë nga dashamirët.

Praktika e shërbimeve jashtë shtetit i përngjan një enciklopedie me skandale, intriga e prapaskena. Duke e ditur këtë, të interesuarit e ndjekin procedurën hap pas hapi dhe në çdo hallkë sepse dokumentet e dikujt ngelen në ndonjë sirtar derisa afron ose kalon afati i takimit, pas të cilit vjen shprehja “Tani s’keni pse niseni, sepse nuk e arrini aktivitetin.” Askush nuk mban përgjegjësi pse u vonua nisja dhe kush e vonoi. Madje edhe në simpoziume e konferenca ndërkombëtare, dërgatat shqiptare shpesh herë kanë vajtur me vonesë për arsye nga më të ndryshmet duke filluar që nga kursimi fondeve e të tjera me rradhë. Edhe grupit për Austri ku isha unë mund t’i ngjante e njëjta gjë dhe nisur nga praktika nuk ua kumtova lajmin e gëzuar gruas e vajzave, motrës e kunetërve. E pohoj se isha ndjerë i anashkaluar dhe i mënjanuar prej kolegëve shumë më të rinj se unë, të caktuar në delegacione të ndyshme. Kur shkonin për herë të parë jashtë shtetit, disa prej tyre shprehnin një farë keqardhje sikur po kapërcenin mbi mua, sikur po merrnin para meje diçka që nuk u takonte, po pastaj shërbimet e tjera u dukeshin krejt të natyrshme. Kjo ishte edhe më e theksuar gjatë vizitave të shpeshta të anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ’70 – ’80 në Kosovë, kur mua nuk m’i dorëzonin as ftesat që më dërgonte Universiteti i Prishtinës, Teatri i Kombësive në Shkup apo Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

Edhe kur janë të planifikuar zyrtarisht, udhëtimet jashtë Shqipërisë nuk janë kurrë të sigurta por të shoqëruara me të papritura dhe pengesa hap pas hapi. Shërbimi mund të anullohet ose shtyhet për një kohë të pacaktuar. Emri i çdo pjesëtari të dërgatës mund të hiqet nga lista në instancat ku kalon për miratim dhe personit në fjalë mund të mos i jepet asnjë arsye dhe asnjë shpjegim. Në vend të transparencës ka opakësi të papërshkueshme dhe bunacë konspirative por edhe justifikime qesharake që personi i interesuar të vazhdojë të besojë se pushteti e nderon dhe nuk ka rezerva kundrejt tij. E gjitha kjo nuk është veçse hipokrizi shtetërore për të mbuluar veprimet e fshehta dhe të pamoralshme. As posedimi i pasaportës dhe as viza së bashku me biletën e udhëtimit, nuk japin siguri të plotë për kalimin e kufirit. Në disa raste ka pasur kthime nga banaku i kontrollit të dokumenteve në aeroport ose edhe pasi personi ka hyrë brenda në avion. Më mirë të isha i përmbajtur me pjesëtarët e familjes që të mos shqetësoheshin edhe ata nga ankthi i pritjes për vajtjen në Austri. Pas një jave, i thashë vetëm Elës, vajzës së vogël, duke iu lutur të mos ia rrëfente kujt edhe për disa javë. Edhe pas gati 25 vjetëve e kisha të freskët në kujtesë vitin 1961 kur m’u akordua bursë nga Ministria e Arsimit për studime në Institutin Gorki të Moskës dhe Ministria e Brendshme nuk më dha pasaportë.

Java e Kuturës Shqiptare në Austri parashihte një seminar me referate për artin, letërsinë dhe kulturën, hapjen e dy ekspozitave, njëra me objekte etnografike, tjetra me piktura. Në fillim të tetorit Agron Kaiku më pyeti nëse pasaporta ime ishte ende e vlefshme. “Apo i ka kaluar afati?” shtoi Agroni. Buzëqesha sepse përveç letërnjoftimit të zakonshëm të identitetit nuk kisha pajisur kurrë me pasaportë sepse pajisja nënkuptonte udhëtim jashtë dhe unë nuk kisha udhëtuar deri atëherë përtej hapësirës administrative shqiptare. Ai s’kishte asnjë dyshim se unë i kisha kaluar kufijtë disa herë. Po”, iu përgjigja në mënyrë afirmative “ka skaduar me kohë”. “Mirë, s’ka problem, mbushim një të re. Nxori një skedë ku shënoi gjeneralitetet e mia. Papritmas duke e parë me sytë e mi gjestin burokratik, nisa të mendoj seriozisht për kumtesën dhe se çfarë interesimi mund të zgjoja te auditori austriak për letërsinë shqipe të përmbledhur në 5-6 faqe. Duke shkuar ndërmend veprat dhe autorët kryesorë që nga De Rada, Naimi deri te Ismail Kadareja verehet se tharmin e saj e përbën patriotizmi. Në vitet “30 diapazoni u zgjerua paksa me tema sociale, filozofike, simbolike dhe lirike dhe u kthye pas çlirimit në shtratin patriotik. Pa dyshim, subjektet patriotike, po aq sa e kanë stimuluar letërsinë, aq edhe e kanë kufizuar. Mirëpo ende nuk më vinte t’i hidhja mendimet në letër dhe i mbaja me vete si një lloj sekreti.

Ditën e premte më 18 tetor, 1989 Agroni me kërkoi urgjentisht shtatë copë fotografi. U drejtova në Institutin e Monumenteve të takoja fotografin Pleurat Sulo, mikun tim. Ai sapo mësoi përse më duheshin, m’i dha në dorë brenda dy orësh dhe në përgjithësi shoqëria jonë ka një solidarizim shoqëror të hatashëm për të ndihmuar ata që udhëtojnë jashtë shtetit. Një hallkë tjetër u kalua me sukses duke e sjellë udhëtimin edhe më pranë.

E verteta dhe Prapaskenat

Të hënën në mëngjes, ndërsa po shkoja si zakonisht në Bilbiotekën Kombëtare, shoh veturën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve para pallatit ku banonte, vetëm pak metra nga Pallati i Kulturës, ku gjendej biblioteka. Mendova të pi një kafe me Dritëroin dhe të konsultohesha për kumtesën në Linz si delegat i Lidhjes së Shkimtarëve. Ai zbriti nga makina shpejt, m’u afrua shoqërisht, më hoqi disi mënjanë dhe me pamje fare të qetë më tha: “E more vesh, besoj. Udhëtimi për në Austri u prish”. Buzëqesha me ironi sikur t’i jepja të drejtë asaj pjese të brendshme që nuk më kishte lejuar të isha shumë optimist. Më shkoi në mendje se Agroni më kërkoi fotografitë për pasaportën ditën e premte dhe se të shtunë dhe të diel zyrat qenë mbyllur. Dritëroi vazhdoi: “Austriakët e kanë anulluar kumtesën tënde. Nuk të tha Agroni? Do të thërrasë në zyrë”.

Dritëroi më qerasi me kafe – kafeja e ngushëllimit në këtë rast- dhe ndërkohë patëm një bisedë shoqërore. Në bisedat intime Dritëroi shquhet për sinqeritet, ndjenja demokratike dhe humanitare. Aty më tha se nuk qe çështje pasaporte dhe se pengesa nuk kishte ardhur prej Ministrisë së Brendshme. “Me ata e kemi sqaruar çështjen tënde dy- tre vjet përpara. Për Fadil Krajën dhe për ty kishin rezerva, nuk donin t’u jepnin pasaportë për jashtë shtetit. Për Fadilin thoshin se qe i përjashtuar nga partia nja 15 a 20 vjet me parë” E pyeta: “Po me mua ç’kishin? Unë s’kam qenë as i përjashtuar, as i dënuar.” Nuk më dha sqarime, veç më kumtoi se ai vetë kishte marrë takim me zëvendësministrin përkatës, të cilit i tha se Kraja dhe Prifti qenë personalitete të kulturës dhe njerëz të nderuar, që kishin shkruar vepra të mira që studioheshin në shkollë dhe së fundi e kishte bindur. Ndoshta edhe vetë Kryetari kishte patur dyshime se premtimi i tij nuk vlente, derisa më vonë, po këtë temë e kishte ngritur te Foto Çami, i cili kishte zënë postin e Ramiz Alisë në parti. Mësova se Fotoja menjëherë e kishte marrë në telefon personin përkatës në Ministrinë e Brenshme duke i tërhequr vërejtën me fjalë të ashpra. Pas disa kohe Dritëroi e mori me vete Fadil Krajën në një udhëtim më duket në Algjeri – dhe atij praktikisht iu hoq karantina, kurse unë mbeta aty ku isha.

Dy ditë pas bisedës me Dritëroin, Agron Kaiku më tha lajmin te shkallët e Lidhjes, më këmbë. Ndoshta më mirë, sepse biseda dukej si diçka krejt e rastit, kurse në zyrë do të kishte hije më të rëndë. Ai më siguroi se s’kishte arsye politike, por çështja qe se “austriakët nuk e donin kumtesën për letërsinë”. Agroni e kishte parë me sytë e tij teleksin e ardhur në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme nga Ambasada jonë në Vjenë. Piktura mbetej, poçeria, arsimi, kultura po ashtu, vetëm letërsia dhe kinematografia u dogjën, se qytetarët e Linzit nuk donin të dëgjonin për to. Mësova se Abdurrahim Myftiu, punonjës i bërthamës Artistike të Akademisë, do të mbante kumtesën për kinematografinë shqiptare. Por kur e pyeta ai për habinë time më tha se nuk dinte asgjë rreth atij projekti. Shoqërisht më rrëfeu se qe planifikuar të shkonte me shërbim të gjatë dymujor në Gjermaninë Perëndimore dhe si pasojë nuk i interesonin pesë ditë në Linz. Vetëm pak personave u rezervohet favori të shkojnë dy-tre herë jashtë shtetit brenda një viti prandaj atij nuk i qe prishur asgjë. Më vonë mësova se kumtesa i qe ngarkuar regjisorit Dhimitër Anagnosti, por prej tij mora vesh se po shkonte në Itali të xhironte disa skena të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, prandaj Austria nuk i interesonte.

Atëhere nisa të besoj se intriga ndaj meje ishte kurdisur në zyrat e Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Me kryetarin, Jorgo Melicën kisha patur marrëdhënie korrekte kur ai ishte instruktor kulture në kryeministri. Ftohja midis nesh ngjau kur punoja në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Mbase kishte pasur pritshmëri për raporte dhe analiza për gjendjen e teatrove dhe të artit skenik sepse në një mbledhje kolegjiumi në Ministri, më qortoi duke thënë se priste më shumë prej meje. Çfarë t’i thosha shokut Jorgo, se teatri ynë për shkak të censurës së partisë nuk mund të dilte nga kriza e thellë, se letërsia jonë qe më skematike se kurrë, se arti nuk mund të lulëzonte në diktaturë. Ishte e rrezikshme edhe t’i mendoje e jo më t’i shkruaje, prandaj preferova heshtjen, kurse ai e mori si gjest jomiqësor, sikur nuk doja ta ndihmoja për propozime konkrete para shefave. Sigurisht për nëpunësat ka vlerë të veçantë mendimi që dëgjohet nëpër zyrat dhe kuluaret për secilin individ. Nëpunësit tanë janë mjeshtër për manovrime dhe intriga të holla, të cilat vështirë se mund të zbulohen as prej komisioneve të ekspertëve. Edhe po të supozoj për rastin konkret se hetimet mund të bëhen nga ndonjë instancë e caktuar, ato do përfundojnë te teksti i ardhur nga Vjena i ashtuquajtur “tekst zyrtar nga Ambasada jonë”. A është faktik, me firmë e vulë? Apo një marrëveshja e fshehtë me interes të ndërsjellë midis Ambasadës, Ministrisë së Jashtme dhe Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme për të hequr dy persona nga grupi dhe për të futur dy të tjerë? Këtu puqen interesat e palëve ndërkohë ridërtimi i prapaskenës është i thjeshtë nga ana logjike thurur sipas marifeteve apo djallëzive të cilat i kam inventarizuar nga goja e nëpunësve tanë: “Një porosi me telefon drejtuar ambasadës sonë në Vjenë: “Na bëni një teleks me këtë përmbajtje dhe çdo gjë rregullohet.”. Djallëzia e një intrige që s’mund të verifikohet kurrsesi. Çka mbetet i përhershëm është rregulli se gjithmonë sajohet një gënjeshtër për të mbuluar të parën e me radhë.

Nga burokracia shqiptare me trashëgimi të fortë të bizantinizmit, e shartuar me përvojën dhe dinakërinë e KGB-së, është e pamundur të zbulosh të vërtetën ose prapaskenat, të cilat, ashtu si në realitetin socialist, ekzistojnë me cinizëm pranë njëra tjetrës.

*Botohet me rastin e ditëlindjes së autorit.

Filed Under: Kronike

Që të mos t’na ‘vrasë’ turizmi !

March 7, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

O, turizëm! 

Ky shpëtimtar i çmimeve të larta dhe fundi i paqes për qytetarët! Duket se sektori turistik po na fton në një festë të paqëndrueshme, ku çdo vit sjell ‘lajme të mira’ për sipërmarrësit dhe ‘lajme të këqija’ për ata që mbushin plazhet dhe shtëpitë me turistikë të përkohshëm. Pse? 

Sepse ndërsa rreth 2.5 herë më shumë para shpenzohen në turizëm se sa vlera e produktivitetit të shërbimeve që ofrohen, kjo do të thotë që jemi të gjithë në punë me tarifa të larta dhe me asnjë kthim të dukshëm.

Dhe pse po ndodh kjo? 

Po, sepse infrastrukturën, që është sa një tufë kashte, e përdorim vetëm një muaj në vit. Po, e keni menduar se çfarë do të ndodhë kur të gjithë duan të qëndrojnë në hotele të vogla dhe shtëpi me dritare që kurrë nuk janë hapur? Po, presioni i çmimeve do të rritet, dhe jo, nuk do të shkojmë në një parajsë ekonomike, por do të kalojmë në një realitet të ngjeshur me duar të zgjatura, kërkesa të paqëndrueshme dhe presionin të na shtrëngojnë më shumë nga kostot. Dhe pas kësaj, kush do të paguajë?

Për më tepër, ndërsa turizmi rritet si një plantacion luksoz, sektori i bujqësisë është përpjekur të mbijetojë si një pemë e thatë në erën e “rilindjes ekonomike”. Shumë nga ato produkte që duhen për të ushqyer turistët i importojmë, duke krijuar një varësi ekonomike të tmerrshme që rrezikon të na çojë drejt krizës. 

Turizmi është një mall që të fal kënaqësi dhe të rrit çmimet, por kur të shikosh faturën, do të mrekullohesh!

E gjithë kjo krijon një rreth vicioz: më shumë turizëm, më shumë inflacion, më pak mundësi për qytetarët të konsumojnë, dhe shpenzime më të mëdha. Po, konsumi i qytetarëve është në nivelet më të ulëta që kemi parë pas pandemisë. Dhe jo, asnjë ofertë pushimesh luksoze nuk do të zgjidhë këtë. Pasi këto pushime, si dhe arka e turizmit, bëhen të thjeshta dhe të tjerë për të mbushur xhepat, ndërsa ne harrojmë që kemi nevojë për investime në arsim dhe për ndihmën që mund të na sjellin brezat e ardhshëm.

Po c’po ndodh në Spanjë. Ah, Spanja! Ata po përpiqen të bëjnë një akrobaci të vështirë: duan të mbajnë turistët që sjellin paratë, por pa shkatërruar gjithçka që ka mbetur nga autenticiteti dhe qetësia e saj. Le të hedhim një vështrim satirik mbi këtë problematikë që po e lodh vendin:

Mbipopullimi turistik: Barcelona dhe Palma de Mallorca janë thuajse kaq të mbushura me turistë, saqë po përgatiten të shpallin një “kuotë turistik” për qytetarët lokalë. “Edi, ti do të mund të dalësh në plazh këtë vit, por vetëm për 45 minuta dhe vetëm pas 10 të mëngjesit. Shtimi i turistëve, përveçse është një mundësi e shkëlqyer për t’u bërë milioner, është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar një atmosferë… të pashembullt të mbipopullimit!” Dhe ja ku arrin situata: shumë banorë vendosën të krijojnë një turizëm të ri: turizmi “anti-masiv,” ku të ftuarit janë ata që duan të jenë të vetmuar, por me një biletë të shtrenjtë.

Përfundimisht, Spanja është në një luftë të mundimshme: duhet të mbajë turizmin si burim të të ardhurave, por pa e shkatërruar çdo gjë që ka mbetur nga bukuria dhe qetësia e saj. Dhe, siç e dimë, që të mbash ekuilibrin midis flukseve të turistëve dhe jetës së qytetarëve, nuk është një detyrë e lehtë. Të jesh spanjoll, duket se është një sport ekstrem tani!

Epo, duket se Rama s’e ka këtë shqetësim ai ka një mënyrë të veçantë për të paraqitur çdo aktivitet, si një ngjarje që do të ndryshojë botën. Ndoshta është e vërtetë që Shqipëria është ftuar si vend nderi në panairin e turizmit, por është gjithashtu interesante se si Rama e shpalos këtë si një “ofertë të veçantë”. Ndoshta mund të jemi përgatitur të lëmë një “mbresë të veçantë”, por po ashtu, shumë prej nesh janë mësuar të shohin më shumë reklamë dhe më pak përmbajtje. 

1. Infrastruktura që do t’ju bëjë të ndiqni GPS-in deri në fund të botës

    Po, rrugët tona janë si labirinte, por kjo është pjesa më e bukur e aventurës! Pse të paguash një biletë për të bërë rafting kur mund të bësh “rafting” me makinën në rrugët e “shkëlqyera” të Shqipërisë? Rrugët që janë më shumë si “survival challenge” sesa udhëtime turistike. Në fund të ditës, ju ndihmon të humbni pak kohë dhe të zbuloni Shqipërinë si një zbulues i ri.

2. Shërbimi që të bën të vlerësosh hotelin tënd në shtëpi

    Pse të shkosh në një restorant me shërbim të pesë yjeve kur mund të kesh përvojën e një servirësi që duket sikur ka më shumë se një punë tjetër, dhe ka pasur vetëm një orë trajnimi në jetën e tij? Sigurisht, ndihmon në “autenticitetin” e përvojës, dhe të gjithë e dimë që sa më shumë të humbasësh, aq më shumë bëhesh pjesë e kulturës vendase!

3. Marketingu: “Shqipëria, ku çdo pamje është surprizë!”

    Turistët duhet të gjejnë Shqipërinë përmes thashethemeve dhe gojëdhënave. Ne nuk kemi nevojë për marketing – mund të shkojmë me metoda të lashta, si “fjala e gojës.” Dhe në fund, do të befasoheni kur të shihni se bukuritë e fshehura që ne nuk i promovojmë janë ato që tërheqin më shumë njerëz. Kjo është si një lojë ku gjithçka është e papritur – çfarë mund të kërkosh më shumë?

4. Diversifikimi: Po, na pëlqen plazhi, por çfarë është kjo ‘turizëm malor’ dhe ‘kulturor’?

    Shqiptarët thonë: “Kush ka plazh, ka gjithçka.” Pse të shqetësohemi për malet dhe kulturën kur kemi rërën dhe detin? Bëni pushim dhe kërkoni aventurën tuaj të brendshme, siç është të kaloni orë të tëra duke parë të njëjtën pamje bregdetare të fotografuar në çdo cep të internetit.

5. Mjedisi dhe turizmi masiv: Nëse nuk është shkatërruar, nuk është turistike!

    Kur të shkoni në plazhin shqiptar dhe të shihni plehra që fluturojnë kudo, mos u shqetësoni – kjo është vetëm një pjesë e natyrës shqiptare që ka nevojë për një “touch up” ekologjik. Turizmi masiv do të thotë shumë njerëz dhe pak hapësirë për t’u shqetësuar për ruajtjen e mjedisit. Po, ndihmon për të rritur “adrenalinen” e çdo vizitori!

6. Siguria dhe stabiliteti: Shqipëria, ku ndihesh si në një film aksion

    Po, ka pasur disa periudha të pasigurta, por sa interesante janë ato për t’u parë nga një perspektivë turistike? Pse të kaloni pushimet duke u ndjerë të sigurt kur mund të përjetoni një adrenalinë të pastër nga ngjarjet e papritura? Shqipëria është si një film aksion, ku gjithçka mund të ndodhë dhe do të shihni zhvillime emocionuese në çdo minutë!

7. Investimet: Vetëm për ata që duan të investojnë në “spektaklin”

    Nëse doni të bëni një investim në Shqipëri, jeni gati për një eksperiencë që asnjëherë nuk do ta harroni. Nëse nuk keni para për investime të mëdha, mund të kënaqeni me një hotel që ka gjithçka: shpërbërje graduale, mungesë të ujit të ngrohtë dhe një shërbim që do të bëjë çdo turist të ndjehet si në një eksperiment shoqëror. Por, hej, është Shqipëri!

Ky është “turizmi shqiptar”, një eksperiencë unike ku çdo minutë është një aventurë, çdo hap është një “selfie” dhe çdo problem është një mundësi për të bërë turizëm edhe më të pasur!

Shumë nga ne mund të na pyesim: A është Shqipëria vërtet e përgatitur për këtë ngjarje, apo do të jemi të ngopur me parulla dhe shfaqje të bukura? Do të mbetemi të presim dhe të shohim nëse kjo mbresë e veçantë është vetëm një tjetër fjalë boshe në një mori turistikësh, apo do të ketë diçka konkrete pas gjithë këtij bujë.

Po kështu, modeli i Airbnb, ndërsa mund të duket si një shans për disa, është një shembull i bukur i një ekonomie rentiere. Ah, Airbnb! Çdo familje që ndan një dhomë për turistët është një hap më afër rritjes së çmimeve të pasurive, dhe jo, nuk është si të shesësh ëmbëlsira që rrisin punësimin. Kjo është një festë për pasurimin e disa dhe një shpërndarje të pasurisë që nuk shkon në duar të tjera.

Dhe ndoshta përfundimi i gjithë kësaj mund të jetë si pasthirrma e Kryeministrit: “Po, turizmi është i rëndësishëm, por a mund të bëjmë diçka më shumë se sa vetëm të hedhim fjalë? Kjo është pyetja.” 

Pasi përqendrimi i gjithë vëmendjes në turizëm do të na marrë më shumë kohë për ta rregulluar, dhe dëm që po shkaktojmë sot, mund të jetë një ‘përmirësim’ që do të na marrë dekada për t’u shëruar. 

Dhe për këtë pyesni spanjollët, portorikanët apo dhe havaianët…jo hajvanët.

Filed Under: Ekonomi

Mësuesi – drita e dijes dhe shtylla e shoqërisë

March 7, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është një moment i veçantë reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë përkushtuar jetën e tyre në edukimin dhe ndriçimin e mendjeve të reja. Mësuesi nuk është vetëm një transmetues i dijes, por një mentor, një udhërrëfyes dhe një model frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Në historinë tonë kombëtare, roli i mësuesve ka qenë gjithmonë jetik. Që nga rilindësit tanë të mëdhenj si Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ndre Mjeda, të cilët e panë arsimin si forcën kryesore për çlirimin e kombit, deri te pedagogët modernë që formojnë të rinjtë në universitete dhe shkolla, mësuesit kanë qenë themeli i çdo ndryshimi shoqëror dhe politik.

1. Shkolla e parë shqipe dhe sakrifica për arsimin kombëtar

Në 7 mars 1887, në Korçë, u hap shkolla e parë shqipe, një ngjarje historike që tregoi se arsimi në gjuhën amtare ishte një akt heroik. Mësuesit e asaj kohe, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi dhe Aleksandër Xhuvani, përballuan persekutimin osman dhe sakrifikuan gjithçka për të mbajtur gjallë dritën e dijes.

2. Mësuesit në kohët e vështira të luftës dhe diktaturës

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas në periudhën e diktaturës komuniste, mësuesit shqiptarë shpesh u përballën me sfida të mëdha. Mësuesi Sali Nivica, një patriot dhe edukator i shquar, u ekzekutua për idetë e tij kombëtare. Në regjimin komunist, shumë mësues e gjetën veten mes dilemës për të edukuar të rinjtë me vlera të larta apo për t’iu nënshtruar ideologjisë së kohës.

3. Roli i Mësuesve në periudhën e Pavarësisë së Kosovës

Në Kosovë, gjatë viteve ‘90, kur Serbia mbylli shkollat dhe institucionet arsimore shqiptare, mësuesit u kthyen në heronj të heshtur. Ata krijuan Sistemin Paralel të Arsimit Shqiptar, duke dhënë mësim në shtëpi private, xhami apo objekte të improvizuara, në kushte të vështira, shpeshherë pa paga dhe nën kërcënimin e regjimit serb. Një shembull i jashtëzakonshëm është Ukshin Hoti, i cili, përveçse profesor i shkëlqyer, u bë simbol i rezistencës intelektuale kundër shtypjes serbe.

4. Mësuesit në ditët e sotme – sfidat dhe përgjegjësitë

Në epokën moderne, roli i mësuesve mbetet i pazëvendësueshëm, pavarësisht sfidave që sjell globalizimi, teknologjia dhe ndryshimet sociale. Në një kohë kur informacioni është i pakufizuar, por shpesh i pafiltruar, mësuesi është ai që ndihmon të rinjtë të mendojnë kritikisht dhe të bëjnë dallimin mes së vërtetës dhe manipulimit.

Mirënjohja dhe Përgjegjësia për Mësuesit

Një shoqëri e zhvilluar matet nga mënyra se si trajton mësuesit e saj. Të gjithë ne, si nxënës, studentë, prindër dhe qytetarë, kemi një detyrim moral dhe institucional për të vlerësuar dhe mbështetur mësuesit tanë. Ata nuk formojnë vetëm profesionistë, por krijojnë qytetarë të ndërgjegjshëm dhe të përgatitur për të ardhmen.

Sot, më shumë se kurrë, duhet të reflektojmë mbi vlerën e arsimit dhe të bëjmë gjithçka që mësuesit të kenë kushtet dhe respektin që meritojnë. Një mësues i mirë nuk është thjesht një edukator, por një ndërtues i së ardhmes!

GËZUAR DITËN E MËSUESIT! RESPEKT PËR TË GJITHË ATA QË NDAJNË DIJEN DHE INSPIRIMIN!

Filed Under: Komente

ERNEST KOLIQI PËR FAIK KONICËN NË 150-VJETORIN E LINDJES – NJERIU DHE ARTISTI – THIRRJE PËR BASHKIM

March 7, 2025 by s p

Nga Frank ShkreliA person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

A person in a suit sitting at a desk

AI-generated content may be incorrect.

                                                                        15 Mars, 1875-15 Dhjetor, 1942

“Sot kemi mbi krye ca anadollakë që nuk kanë tjetër mendim dhe tjetër punë përveç të varfërojnë vendin e të shuajnë kombësinë tonë.” (Faik Konica)

Marsi është muaji i Faik Konicës! 15 Marsi, 2025, shënon 150-vjetorin e lindjes së Faik Konicës. Ndërsa numri i parë i revistës së tij të famshme “Albania” ka filluar botimin me 25 Mars, 1897 në Bruksel – një revistë mujore me përmbajtje politike, letrare dhe kulturore — vërtetë një tribunë mendimesh politike dhe historike nga më të dalluarit e elitës kombëtare shqiptare të kohës. Për 12 vjet, që vazhdoi së botuari, “Albania” përfshinte, përveç gjuhës shqipe, artikuj edhe në frëngjisht e turqisht.

Në një shkrim përkujtimor në revistën e tij “Shejzat” (No 5-8, 1967), Ernest Koliqi, vlerson zotësitë e Faik Konicës dhe kontributet e tija në lëmi të ndryshme të veprimtarisë së tij, pore dhe disa të meta:

“Ndonëse nuk la nji vepër organike që të pasqyronte pregatitjen e rrallë ditunore dhe vêtitë e shqueme  artistike me të  cilat  e  pajisi  natyra, prap  se  prap,  në  letrat shqipe  emni  i  tij  mbetet  si ai  i  nji  stilisti  plot hijeshi, i  nji  magjistari  të  shkrimit.  Me gjuhën tonë ende në fazën e parë të lavrimit, ai dijti me i u afrue  në  shprehje  shkrimtarvet  mâ të  përmendun  frengë,  për  zgjedhësi  (élégance) e  ligjirim  fjolluer”.  Duke shtuar se Konica, “Fjalinë e lakon me mjeshtri të  pashoqe,  mendimin e ndryn në nji  gëlvozhë a lëvozhgë gastarje,  periudhën e gjallnon  me  nji  dèll  muzikuer  tërhjekës tue  u  dhurue  fjalëve  mâ  të  zakonshme  nji  theksim   të  ri  pa  dalë  kurrkund  nga  hullija  e  rythmit  të  natyrshëm  idiomatik  të  shqipes. I thjeshtë e i hollë, i  lëvizun e i  qartë, styli i tij  shtjellohet  herë plot andje e gaz,  herë  plot  sarkazëm   e  maraz,  këtu  i  urtë  e  i  këthiellët, aty papritmas idhnak e sulmues, gjithëkund  veç  i  mbajtun  në nji  rrafsh të lum artistik  pa  të  rrekun (sans effort),  por vijanoz burues  me  hir të  vetvetishëm. Për të kuptue e çmue si e sa duhet  këtë shkrimtar  të  pikatun  qi solli  në  përdorim   të  shqipes  struktura  trajtash   kejèt  të  kullueta e të zgjedhuna  edhe  la  mbas  vetes  në  gjuhën  t onë  letrare  gjurmë  që  për-ditë  mâ  tepër  bien  në  sÿ,  lypet  të  dallojmë  në  ‘tê  njeriun  nga  artisti”. 

Ernest Koliqi e cilëson Faik Konicën si një njeri “me të meta shumë të mëdha por  dhe artist  me  vërtyte të  jashtazakonshme. Por kadalë… Artisti me lumninë e  magjisterit  të vet  shpesh  herë  shtie  në  punë  edhe  të  mbetat  e  njeriut,  të  cilat   nepër spastrim  të flakës  së artit  shërbejnë me i dhanë  stylit  at  nâmë  të  vecantë e  at  fuqi  njimtuese (séduisante)  që  përbân cilsinë  kryesore  të  shkrimeve  konicjane.  E meta ma në shêj e njeriut ishte  nji  mburrje  diku  e  haptë, diku  e  mbulueme  për  zânafillën  aristokratike”, të tij, është shprehur Koliqi. 

 Asdrêni e Mihal Grameno  e  paditën  si  mprojtës  anakronik  i oxhakizmës  e  i parësisë, shkruan ai dhe përemend tjera të meta, si “buzëhollë,  e i  pakënaqun,  i nji natyrë grindavece  së  cilës i u shtonte  nji  paqindrueshmëni  e  çmeritëshme  në  mendime  dhe  nji prirje  idhnake  qi  shpërthente me  mujshi  (prépotence)  të  pafrêshm e, tue kapërcye çdo cak jo vetëm t’arsyes e t ’urtisë  por edhe  të  dêjsisë  e të  njerzisë.  Në polemika, Konica i  prénte  drût  shkurt”, ka theksuar Koliqi.

Por nga ana tjetër, Koliqi ka shkruar se Konica ishte i vetdijshëm i  cilësive të veçanta që posedonte ai vet.  Ai ishte i paisur, shton ai, me cilësi që kishte marrë e zhvilluar në shkollimet më heret në Kolegjin Saverjan  të  Shkodrës,  mâ  vonë  në  Stambollë e  në  fund  në  Francë. “Ky grumbullim i jashtazakonshëm  prirjesh e  studimesh e vênte Faikun  në  nji  numër Shqiptarësh  të  ndritun  e  të  dijshëm  që aso  kohe mund  të  numrohej  në  gishtat  e  nji  dore”.  Ai ishte i vetdijshëm, shkruan Koliqi për Konicën, se “Rrjedhimi aristokratik e naltonte atë mbi  turmën; vêtitë  gjeniale  natyrore  dhe  kultura  e naltojshin atë  mbi  aristokratë;  nji  shije  artistike,  mrekullisht  e  hollueme anames  përvojës  së  gjallë  e  banesës  së  giatë  në  qendrat  mâ  të  njoftuna të  qytetnisë  perendimore,  e  shqueishin  disi  edhe  ndër  ata  tre  o  katër shembra  që  mund  i  rrijshin  për  krah  në  botën  shqiptare.  E vërteta âsht  që  Faiku  në  polem ikat  e  ndezta  të  veta,  shfrente mëninë  e  vet  të  thellë  sidomos  kundra  vogëlsinave  shpirtnore  që  shembtojnë  jetën,  kundra  mendes  së  madhe  të ’injorantave,  ngushtësisë  mendore  të  gjysmakve,  verbënisë  së  fanatikvet, e  guximit  të  shpërdoruesavet të  patrjotizmit”, thekson Ernest Koliqi në shkrimin e tij mbi Konicën botuar në vitin 1967. Duke sjellur një citim zemrimi të Konicës: “Té mos kisha  nisur  flet’én  (vafté  n’è  djall!)  s do té humhja koh’én   t’ime t’u mésonj gomarëve ç’është liria. Dy muaj janë qé u nis kjo puné,dhe  qé  tani  jam  i lodhur  nga  shkaku  i  gomarëve.  Më mirë té  shesé pleh  njeriu  se té  nisje  puné  pér  Shqipétarét.  Jané  nj’a  50 Shqipétaré qé  kuptojnë  ç’është  liria”.   Por megjithkëse, për Konicën, “rrebet i vijnë e shkojnë”, ai vazhdon botimin e revistës “Albania” për gjithsejt 12 vjet (1897-1909).

Por megjithse, ndonjiherë  kalêmi  i  rrëshqiste  dhe  me  zêmër  të  frÿt vërvitej  kundra  ndoj  atdhetari  të  ndershëm  dhe cenonte  ndoj  vlerë të  njimendët  shqiptare, shprehet Ernest Koliqi për Konicën, ai e mbron atë duke theksuar se cilido të jetë gjikimi për Faik Konicën, si njeri me të meta, “kurrnji grimë ai gjikim nuk ia zvoglon vlerën e tij artistike”, as kontributet e tija të mëdha. 

Në artikullin e tij, Ernest Koliqi e lartëson Faik Konicën si një, “Mjeshtër të pashoq”, i cili qëndron veças  si  zêjtar i  shkrimit  që  i shëndrron  fjalët  në  djamanta,  e thurë me  ta shëndriza (joyaux)  vezullore.” Ndërsa Koliqi vlerson revistën “Albania” të Konicës si e para revistë, “e përkohëshme “shqiptare, ku Toskë e Gegë edhe  Arbreshë,  e Shqiptarë  të  kolonive  të  Kajros  e  të Bukureshtit  e  të  viseve  të tjera,  shfaqën  mendimet  e veta  pa  ndryshim  besimesh e krahinash.  Mbetet si palestër vërtè kombtare, pasqyrë e të gjitha  rrymbave  mendore  e  shoqnore”, ka vlersuar Ernest Koliqi revistën “Albania” të Konicës, Ndërsa ka shkruar se në numrin e parë të revistës, kuptohet  qellimi  i  dyfishtë  që  donte  të  ndjeki me  botimin e “Albania-s”: “t’ ua   tregoië  Shqiptarve  udhën  e shelbimit politik e qytetnuer  dhe  t ’i  a  bâjë  të  njoftun  të  huejvet  vêtitë  shpirtnore ma  te  zgjedhuna  të  gjakut  arbnuer.” 

Në kujtimin e tij për Faik Konicën dhe revistën “Albania”, Koliqika shkruar se në  “ numër,  herë  me shprehje  të  buta,  herë  me  zâ  qortues, plot  kumbime  zemrake,  porositen  Shqiptarët  me  i  lânë  m ‘anesh ndasinat m’u  bashkue. Sipas Koliqit, nxitja për bashkim midis shqiptarëve,  përsritet  “orë e ças si leit-motiv  gjatë  dymbëdhetë  vjetve  të  jetës  së  përkohëshmes, “Albania”.

 Thirrja e Faik Konicës: “Bashkim, bashkim!  M’e madhja nevojë për  né  Shqipétarét sot  për sot  është  bashkimi.  Pa bashkim nuk vetemi, kurr  s’kemi  për  té  vajtur  përpara,  por  as  do  të na  quajnë  komb  bota. Na duhen shkolla  që  të  mësojmë  djemt  tanè dhe t’u  zbukurohet  mendja,  që  të  bëhen  njerëz,  dhe  njerez  të  vërtetë; na  duhen  udhëra  që  të  lehtësohet  tregëria  dhe  vobësia  të  pakësohet, shkurt,  kemi  nevojë  të  qytetërohemi  dhe  né  si  té  tjerét  popuj.  Po me se kërkohen  shkollat,  si  bëhen  udhërat,  si  arrihet  qytetëria?  Kur të mblidhemi  gjithë Shqipétarét  dhe  t’i  kërkojmë  me  urtësi;  me  bashkim, vetëm  me  bashkim…“Bashkim ç’do me  thënë?” sipas Konicës.   “…Shqipétarë, rrojmé  té gjithé në  Shqipéri,  dhe  pérdorim  gjithé  njé  gjuhë.  Dhe Shqipëtarët e mençur  e  té  urté  qé  kuptojnë  két  gjé,  kanë  detyré  t’u  japin té  tjeré  Shqipétarvet  t’a  kuptojnë  dhe  ata… Le  té  nisim  pra  qé  sot,  gjithékujt  sa  i  mundet,  kété  bashkimin aqé  té  miré  pér  pérparimin  tonë.  Té duhemi  té  gjithé  si  véllezèr;  té mos  kursejmé  as  vojtje  as  té  holla  pér  té  mbjellë  dashurinë  midis bijve  té  Shqipérisé.”

Mesazh më të bukur nuk ka, sot për sot, për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe anë e mbanë trojeve autoktone në Ballkanin Përendimor, në këtë 150-vjetor të lindjes së të madhit Faik Konica.  Bashkim! Bashkim midis shqiptarëve për shpëtim, porosit sot Faik Konica.

Frank Shkreli

Image result for ernest koliqi faik konica images
Image result for ernest koliqi faik konica images

              Faik Konica                               Ernest Koliqi

Filed Under: Opinion

7 Marsi- Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe e Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës e vitit 1887

March 7, 2025 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror për liri dhe rezistencë kundër pushtuesve. Në fund të shekullit XIX kundër shkollës shqipe ishte pushtuesi osman, Rusia, Serbia dhe Greqia. Në të katër vilajetet shqiptare kishte shumë shkolla në gjuhën osmane, serbe dhe greke, por jo edhe shqiptare.

Në fund të shek.XIX, në të katër vilajetet (të Shkodrës, Kosovës, Manastirit e të Janinës), kishte 1187 shkolla osmane, dhe asnjë nuk ishte në gjuhën shqipe.

Në Kosovë në vitin 1878 kishte 87 shkolla serbe. Në vitin 1900, numri tyre shkoi në 200 shkolla serbe. Në fund të shkullit XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1000 shkolla greke.

Diplomatët austro-hungarezë ishin për përkrahje dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, në vendbanimet ku popullsia shqiptare ishte shumicë. Dritarja e diturisë për shkollën shqipe ishte në mendjen e shumë patriotëve shqiptarë, që më vonë e bënë realitet.

E para shkollë ku mësohej gjuha shqipe u hap në vitin 1887 në Korçë, ndërsa shkolla e parë shqipe për vajza, u hap në vitin 1891.

Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë, ishte hapur nga Dom Mikel Tarabuluzi në vitin 1905 në Stubëll të Vitisë. Kjo shënon një ditë historike të arsimit shqip në Kosovë.

Në vitin 1941, Ministri i Arsimit në Qeverinë Shqiptare të kohës, mbështetur nga italianët, Ernest Koliqi, mori vendimin e madh për dërgimin e mbi 200 mësuesve në Kosovë, për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit të përgjithshëm, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve të gjata brutale osmane dhe serbe.

Shumë tekste në gjuhën shqipe u nisën në drejtim të Kosovës.

Brenda një viti u hapën 173 shkolla fillore dhe 3 shkolla të mesme. Për herë të parë në histori, fëmijët shqiptarë të Kosovës, morën librin e abetares.

Sot kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT