• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Lideri i Kombit apo Lideri i Ofertës Europiane?

March 27, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Doktorante, James Madison University, SHBA/

Në skenën e tejngopur me retorikë të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish me një premtim të vjetër të ricikluar si ofertë e re: “Ma jepni mandatin e katërt, që t’ju fus në Europë deri në vitin 2027 ose 2030.” Edi Rama, mjeshtër i narrativës personale, kërkon të përkufizojë veten jo si thjesht një Kryeministër i përkohshëm, por si i vetmi çelës që hap portën e Europës për shqiptarët.

Por le të ndalemi. Jo për të debatuar afatet, ato janë si valët e propagandës që i heq dhe i sjell sipas erës së sondazheve, por për të shqyrtuar thelbin e kësaj motoje: a mund të jetë integrimi europian pronë e një njeriu? A mund të jetë objektiv elektoral ajo që duhet të jetë projekt i përbashkët kombëtar?

Në këtë çast, lind pyetja themelore:

Kush është lideri i vërtetë i një kombi?

Ai që ofron rrugën drejt qytetërimit, apo ai që e përvetëson atë rrugë për të zgjatur pushtetin e vet?

Që nga antikiteti, figura e Liderit-Shpëtimtar (Soter në greqisht) ka përndjekur popujt në kriza.

Populli i zhgënjyer, i lodhur nga rraskapitja e përditshme, kërkon një “Mesia politik” që premton të jetë ura drejt një bote më të mirë.

Por siç shkruante Max Weber, “karizma e liderit është gjithmonë një monedhë që inflacionohet shpejt kur bie në grackën e rutinës së pushtetit.”

Një lider që e përdor karizmën për të konsumuar një ideal të përbashkët në funksion të mbijetesës së vet politike, nuk është më prijës, por manipulator i ndërgjegjes kombëtare.

Edi Rama nuk premton thjesht reforma.

Ai premton shpëtimin.

Por shpëtimi që lidhet me emrin e një njeriu të vetëm, nuk është më shpëtim, është fushatë.

Ai shfaqet si mbret i padukshëm i qytetërimit europian, që vetëm po i dhamë “besën e mandatit të katërt”, do të na çojë në përqafimin e Brukselit.

Por në këtë rrëfim, ndodh një perversitet konceptual: Europianizimi kthehet në monedhë pushteti, jo në proces emancipimi kombëtar.

Kjo është blasfemi politike.

Integrimi europian është aspirata e çdo shqiptari, është projekti më i rëndësishëm i përbashkët i kombit tonë pas pluralizmit, dhe jo bileta e radhës në lotarinë e pushtetit personal të një lideri.

“Unë ose kaos!”, “Unë ose izolimi!”, “Unë ose dështimi!”, këto janë formulat e shekujve të errësirës, jo të një shoqërie që synon të jetë pjesë e familjes europiane të demokracive të zhvilluara.

Kur lidershipi reduktohet në imazh, kur programet bëhen spote, dhe kur votuesi trajtohet si konsumator, atëherë politika shndërrohet në teatër shitjeje, jo në akt shërbimi.

Guy Debord, në veprën “Shoqëria e Spektaklit”, shkruante se në botën moderne realiteti zëvendësohet nga imazhi dhe spektri i spektaklit e përthith substancën e të vërtetës.

Edi Rama është artist i këtij spektakli.

Ai e pikturon vetveten si misionar, ndërkohë që rrënon besimin në institucionalitet, në bashkëpunim politik dhe në shoqëri civile.

Në këtë logjikë, çdo kundërshtar i integrimit të pronësuar prej tij, cilësohet si anti-europian, pengues, sabotues.

Ai nuk sheh më kundërshtarë politikë, por heretikë apo pamundësues të Europës.

Jean Monnet, një nga etërit themelues të Bashkimit Europian, thoshte:

“Ne nuk bashkojmë shtete, por bashkojmë njerëz.”

Kjo do të thotë se integrimi nuk është një lojë me një fitues dhe shumë humbës. Është një rrugëtim kolektiv që kërkon ndërtimin e institucioneve, konsensusin e shoqërisë, reformimin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, mediat e lira dhe konkurrencën politike reale.

Asgjë nga këto nuk mund të arrihet përmes një lideri që përdor BE-në si dekori i skenës së vet personale.

Përkundrazi, kjo i largon shqiptarët nga Europa.

Kur lideri bëhet më i rëndësishëm se procesi, atëherë nuk kemi më udhëheqje, por kult personaliteti.

Kur lideri kërkon të bëhet historia, atëherë historia ndalon së ecuri.

Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të përjetshëm.

Ka nevojë për institucione që i mbijetojnë liderëve.

Ky është thelbi i republikës demokratike.

Këtë e shkroi Montesquieu, e shpërtheu John Locke, e jetësuan etërit themelues amerikanë.

Asnjë vend nuk u bë i qytetëruar duke besuar se shpëtimi vjen nga një lider që “i di të gjitha, bën të gjitha dhe vendos për të gjitha”.

Demokracia është ndërtim kolektiv, jo teatër me një protagonist absolut.

Nëse Edi Rama e do integrimin vërtet, ai duhet të punojë për të forcuar institucionet, jo për të zbehur opozitën.

Të krijojë garë reale, jo lojë me kukulla.

Të lejojë kundërshtimin, jo të blejë pëlqimin.

Lideri i Kombit nuk është ai që fiton më shumë mandate.

Është ai që mbjell kulturën e bashkëpunimit politik, që lë pas një shtet të fortë, dhe që është i zëvendësueshëm sepse ka krijuar një sistem që nuk varet nga ai.

Edi Rama e ka bërë të kundërtën.

Ai ka ndërthurur qeverisjen me arrogancën, reformat me propagandën, drejtësinë me kontrollin.

Dhe tani, kërkon edhe një mandat, që të përfundojë rrugën europiane që e ka kthyer në autostradë private.

Shqipëria nuk ka nevojë për një Lider të Ofertës Europiane.

Ka nevojë për një lidership që shërben dhe largohet.

Që ndërton dhe nuk kthehet më.

Që hap rrugën dhe s’e zë për vete.

Që shikon Europën si destinacion të një populli, jo si shenjë triumfi personale.

Prandaj, përballë këtij marketingu të lodhshëm elektoral, le t’i themi me zë të qartë:

Jo, zoti Kryeministër.

Integrimi europian nuk është monedhë për mandatin e katërt.

Është destinacion i një kombi që s’mund ta përfaqësojë vetëm një emër.

Është rrugëtim i një shoqërie që meriton të ecë edhe pa ju.

Në vitin 2025, Shqipëria ka nevojë për më shumë vetëdije, jo për më shumë retorikë.

Për më shumë institucione që ecin vetë, jo për liderë që s’i lënë vend askujt tjetër.

Ka ardhur koha ta ndajmë liderin e kombit nga lideri i ofertës së rradhës.

Europa nuk pret më.

Ajo kërkon dinjitet, seriozitet dhe bashkëpunim, jo anëtarësim me spektakël dhe selfie.

Filed Under: ESSE

Masakra e Selanit, vrasja makabre e krerëve të Çamërisë nga qeveria greke

March 27, 2025 by s p

Ahmet Mehmeti/

Muaji mars në shekullin XX ka regjistruar tragjedi për kombin shqiptar, veçanërisht për Çamërinë. Gjithçka nisi me masakrën në Prroin e Selanit në Paramithi ku u vranë 72 burra më 1913 dhe më pas me masakrën e Filatit më 1945, që u bë epilogu i masakrave genocidiste që nisën më 27 qershor 1944. Të flasësh me fakte për çka ka ndodhur në territorin shqiptar jashtë kufijve aktualë, është detyrim moral dhe historik që do u shërbejë brezave për të vërtetat mbarëkombëtare. Në Prroin e Selanit ku u martirizuan pabesisht 72 krerë të zgjedhur nga paria e Çamërisë në mars të vitit 1913 kur vendi ra nën robërinë greke pas vendimit fatal të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, një ngjarje kobzezë ndërkombëtare e ndërmarrë nga Fuqitë e Mëdha kundër kombit shqiptar ku më shumë se gjysma e trojeve etnike dhe e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të kësaj krijese shtetërore gjysmake, që u bë pre e humorit dhe presioneve të të mëdhenjve.

Pas rënies së Janinës me 21 shkurt 1913 popullata e Çamërisë përbëhej me afro 40.000 shqiptarë myslimanë çamë dhe 30.000 ortodoksë çamë, me një përqindje të papërfillshme ortodoksë grekë. Më 23 shkurt 1913 Çamëria u pushtua nga trupat greke. Në këtë kohë bandat greke bënin kërdinë në territorin e Çamërisë, duke vrarë e djegur njerëz të pafajshëm, duke grabitur shtëpi dhe produkte ushqimore. Më e madhja masakër në territorin e Çamërisë nga bandat greke është ajo e Përroit të Selanit, në verilindje të Paramithisë, më 27 mars 1913. Për këtë masakër shkruan dhe historiani grek, G. Fessopullos, bashkëkohës i asaj periudhe: “Pas pushtimit të Janinës dhe gjithë Çamërisë, andartët grekë lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë. Banda me ushtarë kretas, të drejtuar nga Manalos Montakis e Granicas, nuk kursyen asgjë të gjallë tek myslimanët”. Po kështu edhe K. Buehberg, në veprën “Vitet e mia në Shqipëri”, në fq.141 shkruan: “Pas pushtimit të Janinës, në rrethinat e saj kishte kufoma shqiptarësh të shpërfytyruar në mënyrën më të egër”. Masakra e Selanit vërtetohet dhe nga një letër që i vjen komandës italiane në Paramithi në vitin 1917, letër e cila gjendet në Komunën e Paramithisë,ku thuhet: “Në 19 mars 1913 Furarhio e Paramithisë, mblodhi kryetarët Petro Ringa, Vasil Ringa, Dhimosten Ringa, Apostol Zogani, Mitro Caci dhe Jorgji Pabro prej Gliqise etj. Këta, nën kryesinë e Dhespotit të Paramithisë, bënë një komision dhe sipas listës që hartuan vendosën të arrestojnë të gjithë ata që luftuan në mbrojtje të Çamërisë nga pushtimi i dytë, tani jo më nga forcat osmane por nga ushtarët grekë. Pikërisht në këtë kohë popullsia myslimane e fshatrave të Frarit pësoi reprezaljet më të mëdha nga bandat greke.

Më 19 mars 1913 në qytetin e Paramithisë, mitropoliti Athanagora Neofiti, kapiten Dhimitriadhi, Dhemosten Ringa etj., kurdisën planin djallëzor për masakrën e krerëve patriotë çamë. Këtë detyrë u caktua për ta bërë krimineli nga Gjiriti Marko Deljanaqi dhe Joti Spiro Popovo, Stefan Thoedhoraqi, Kozma Kaloi etj. U tha se ky urdhër “vjen nga lart”, ku u përmend emri i kolonel Ebitis. Marko Deljanaqi mblodhi andartët e fshatrave përreth, si kriminelë antishqiptarë të fshatrave Curril, Leftrohor etj. Rreth 200 kriminelë antiçamë, ca të veshur me uniformë ushtarake dhe ca civilë të armatosur, u grumbulluan në garnizonin e Paramithisë. Iu tha kriminelëve të kryenin shpejt e pa zhurmë masakrën, me një dinakëri greke, pa shkrehur asnjë plumb.Pas disa ditësh stërvitje, ditën e diel më 27 mars 1913, në orën 3 të mëngjesit, dolën nga Garnizoni dhe u drejtuan nga verilindja e Paramithisë, drejt fshatit Njihuar. E gjithë kjo ushtri, nga një mbledhje operative, u vendos të ndahej në grupe. Filloi operacioni i arrestimeve të befta dhe tinëzare. Në Njihuar u arrestuan 10 veta, në fshatin Shemrizë 4 veta, në Nikolicë 6 veta, në Grikë 2 veta, në Vrisi 4 veta, në Skupicë 6 veta, në Mininë 13 veta, në Vratilë 4 veta, në Koriqan 3 veta, në Dramës 9 veta, në Bedelen 5 veta, në Rrëzanj 5 veta, në Petrovicë 1 person, në Paramithi 3 veta. Vetëm nga prefektura e Paramithisë u arrestuan 38 veta. Kur trokisnin në dyert e shtëpive pjesëtarëve të familjes u thuhej se: “këta i kërkon qeveria për të caktuar kryetarët e fshatrave”. Sa dilnin matanë fshatit, i lidhnin me tela 2 e nga 2.

Pasi ecën disa kilometra arritën në fshatin Skupicë dhe pikërisht në shtëpinë e Kushejve, një shtëpi e madhe me një oborr me mure të larta. Familjarët i nxorën nga shtëpia dhe i strehuan tek komshinjtë. Në oborr i riu 21 vjeçar nga Vratila, Vejsel Rexhepi, pasi u zgjidh nga një shok aty pranë, kërcen nga muri dhe me vrap kalon matanë fushës. Pasi dolën nga shtëpia e Kushejve dhe ecën 4-5 kilometra, grupit i del përpara një njësi luftarake prej 5 vetash me një letër për Marko Deljanaqin. Kjo letër vinte nga një mbledhje urgjente e nënprefektit të Paramithisë, Panajot Zorba dhe me firmën e Dhespotit. Në letër thuhej se të arrestuarit nuk duhet të hynin në Paramithi se do të kishte probleme. Atëherë u vendos që të drejtoheshin në një grykë të fshatit dhe të ekzekutoheshin. Ata u futën në Përroin e Selanit, në një vend shumë të ngushtë, se mezi ecnin 2 veta. Me t’u futur në ngushticë, të lidhurit ecnin në mes të Përroit, të rrethuar nga të dy anët nga andartët. Dikush thirri: “Apanu” (përsipër). Të 200 andartët u hodhën sipër të lidhurve, duke i goditur me bajoneta e sëpata të vogla të 72 krerët çamë. Menjëherë, gjysma e të goditurve ra përtokë. U dëgjuan ulërima të llahtarshme, ca u shpuan me bajoneta, ca u goditën fort në kokë. Kush binte përmbys në përrua i vërvitej ndonjë gur zalli në kokë me tërë forcën që të mos ngrihej më. Uji I përroit u mbulua me gjak. Një masakër të tillë kanibaleske s’kish njohur më parë historia. Andartët s’i lanë as të jepnin shpirt; nisën t’i kontrollonin, duke u marrë teshat e trupit dhe u thyenin me gurë dhëmbët e florinjtë. Pas grabitjes u mbuluan me gurë zalli…

Thonë se edhe pas një jave dëgjoheshin akoma ulërima. Ai vend u ruajt me roje specialë dhe asnjeri nuk u lejua të merrte njeriun e vet. Masakra e Selanit ishte vrasja më makabre që ndërmori qeveria greke kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë. Pas masakrës së Dionis Filozofit, më 1611 në fshatrat çame të Granicës dhe Aorovucit, një tjetër masakër po përgatitej dhe që u bë pas 30 vjetësh (1944-1945), në fillim në Paramithi dhe pastaj në gjithë Çamërinë. Dhe për ironi të fatit, prapë në Paramithi dhe fshatrat e gjithë Çamërisë. Historiani grek Jorgo Margariti, në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” shkruan: “Të rrëqethin faktet tronditëse, jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913, vitet 1923-1926, vitet 1930-1940, por edhe ato të 27 qershorit 19944.”

Historia e Çamërisë (1913–1944) nën pushtimin grek ishte një mënxyrë që u karakterizua nga nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike e shtetit dhe kishës ortodokse greke në marrëveshje për të kryer genocid, bashkëfajësi për genocid dhe genocid etniko-fetar i mirëfilltë i kryer nga qeveritarë, funksionarë apo nga persona të veçantë ashtu siç përkufizohet në Konventën për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të genocidit të miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e OKB-s me rezolutën e saj të 9 dhjetorit 1948 dhe që hyri në fuqi më 12 janar 1951. Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj Konventave kundër genocidit.

Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e genocidit, aq sa kërkon ta heqë edhe emrin e Çamërisë nga librat shkollorë të historisë, gjeografisë, letërsisë etj. Shteti grek, megjithëse është prej kohësh pjesë e Bashkimit Europian, është shumë prapa në krahasim me disa shtete fqinje ballkanike si Shqipëria etj, nuk ka firmosur dhe as ka ratifikuar protokolle si ai Nr. 4 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore. Më e keqja që ka bërë shteti grek është zhdukja me genocid, zjarr e hekur, e minoriteteve kombëtare, duke grabitur pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme, në fund të Luftës së Dytë Botërore siç ishin hebrenjtë, shqiptarët çamë, maqedonasit sllavë (egejcit) etj. Për këtë deri sot ai nuk ka dhënë llogari, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është ndëshkuar rëndë siç e meriton në bazë të Konventave kundër Genocidit. Kjo ka sjellë që edhe në Kushtetutën e sotme greke mungojnë minoritetet kombëtare, pasi Greqia nuk njeh minoritete të tilla në territoret që i dha Europa Plakë (The Ethnopolitical Encyclopedia of Europe, f.422, London ,2004). Këto janë plagë të rënda që Greqia nuk duron sot as t’ia kujtojnë. Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk janë fajtorë, por po vazhdon genocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri (Thesproti).

Filed Under: Histori

VATRA URON KOSOVËN PAS NJOHJES NGA KENIA

March 26, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra uron përzëmërsisht Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ish Presidentin Behgjet Pacolli, klasën politike dhe mbarë popullin e Kosovës me rastin e njohjes së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Republika e Kenias. Kjo ditë e shënuar është një fitore dhe arritje e madhe për shtetin dhe republikën e Kosovës. Mirënjohje përjetë veçanërisht shqiptarit të madh Behgjet Pacolli. Kjo arritje është një afirmim për shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Vatra dhe shqiptaro-amerikanët do të jenë kurdoherë një zë i fortë në promovimin e interesit të përbashkët kombëtar dhe shtetit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diplomacia aktive e Kosovës, reformat dhe shteti ligjor e shteti i së drejtës e konfirmojnë rrugën demokratike dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Gëzuar Kosovë, krenare përgjithmonë.

Me respekt

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran

March 26, 2025 by s p

Vjosa Osmani/

Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë.

Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik.

Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë.

Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë.

Filed Under: Rajon

90 VJET NGA SHUARJA E ALEKSANDER MOISIUT, GJENIU I SHEKULLIT

March 26, 2025 by s p

Hazir Mehmeti

Vjenë/

“Aleksandër Moisiu i nevojitet rinisë, ngase rinia është ajo që e ka përkrahur Moisiun në atë kohë, rinia avangarde dhe intelektualët”. ( Isak Guta)

ALEKSANDËR MOISIU (1879-1935)

Artist i Popullit

U lind në Trieste. Rridhte nga familja shqiptare e Moisive me origjinë nga Kavaja. Është aktor i njohur botëror me prejardhje shqiptare. Shkollën e mesme e kreu në Grac të Austrisë më 1898. Pas vdekjes së të atit familja u vendos në Vjenë. Për një kohë të shkurtër Aleksandri ndoqi Konservatorin e Vjenës, por për arsye ekonomike u detyrua të punojë si duartrokitës në Opera dhe si figurant në Burgteatër.

Nga Enciklopedia: Alexander Moissi (italienisch Alessandro Moisi, albanisch Aleksandër Moisiu; ( 1879 in Triest; † 23. März 1935 in Wien) war ein österreichischer Schauspieler albanisch-italienischer Herkunft, der zwischen 1910 und 1930 der berühmteste Schauspieler im deutschsprachigen Raum und aufgrund seiner vielen Tourneen auch ein Weltstar war.Moissi war der Protagonist des modernen, zerrissenen, morbiden Menschen zu Beginn des 20. Jahrhunderts.

Veprimtarinë si aktor e nisi në 1899 në skenën e Burgteatrit. Më 1903 debutoi me sukses në Teatrin Gjerman të Pragës, më 1904 në Berlin në teatrin “Volksbühne” (“Skena Popullore”). Regjisori Max Reinhardt i dha rol te Osvaldit “Fantazma” nga Henrik Johan Ibsen. Ai luajti me sukses rolin e Hamletit tek drama e Shekspirit, pastaj tek “Kufoma e gjallë” të Tolstoit dhe shumë role tjera. Vdiq në kulmin e krijimtarisë së tij skenike, në Vjenë. U varros në Lugano të Zvicrës. Me art realist të nivelit të lartë mishëroi role kryesore në kryeveprat e teatrit klasik dhe të kohëve të reja. Në historinë e artit skenik botëror, Aleksnder Moisiu la gjurmë me artin e tij. Ai kishte herë pas herë kontakte me studentë shqiptarë në Austri dhe ishte admirues i progresit kombëtar. Ja një foto me studentë shqiptarë në Vjenë.

Ai la gjurmë në teatrot europiane.

Interpretimi i tij origjinal i bashkuar me temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve spikati fuqishëm. Tingëllima dhe ngjyra e zërit të tij ishin të veçantë. Ai interpretoi shumë role në filma artistik pa zë dhe folës. Moisiu shkroi dramën “Der Gefangene” (Robi) e cila i kushtohet Napoleon Banapartës dhe Revolucionit Francez e cila u shfaq në Gjermani, por me ardhjen e nazistëve në pushtet u ndërpre.

Në Austri Aleksandër Moisiu dhe Karl Gega me rrënjë shqiptare vlerësohen si ura lidhëse mes dy kombeve dhe kulturave. Sot shumë institucione, shoqata, shkolla mbajnë me krenari emrin e Aleksandër Mosisiut në Shqipëri Kosovë dhe diasporën shqiptare. Universiteti i Durrësit etj. Është themeluar edhe Çmimi “Aleksandër Moisiu”. Në shenjë nderimi shumë rrugë dhe sheshe mbajnë emrin e tij.

Aleksandër Moisiu është figurë e nderuar e kombit shqiptar. Emri i tij sot kujtohet si emër i shumë institucioneve të kulturës, shkolla, shoqata, rrugë në gjithë trevat shqiptare dhe në botë.

Mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut janë shkruar dhjetëra vepra në disa gjuhë duke përfshirë këtu edhe ato në gjuhën shqipe. Njëri nga studiuesit e pasionuar i cili ka shkruar shtatë vepra dhe ka përgatitur filma dokumentar kushtuar Moisiut, ekspozita fotografish në disa shtete është Isak Guta. Hamburg me 8 nëntor 2003.“Me Moisiun, kombi shqiptar i dha botës misionarin më të lartë të artit skenik botëror. Ai arriti këtë me fuqinë e botës shqiptare dhe më fuqishëm se kudo tjetër duhet të prijë e të veprojë brenda qenies kombëtare. Përmes ekspozitës në prag të 125 vjetorit të linjës së Moisiut, pas aktualizimit të kësaj figurë, kryesisht synohet për të hyrë në zemrat e shkollarëve , nxënësve dhe studentëve shqiptarë, që tu shërbejë si fanar shtigjeve të reja në krijimtari…Me hyrjen e Moisiut në zemër të rinisë ata veprojnë së bashku dhe mund ti japin artit shqiptar hove të ndritshme deri në lëvizje kulturore”.

Nga rrethanat katastrofike në Shqipërinë komuniste dhe post komuniste, te Kosovës së robëruar dhe dërmuar, pak u mësua për veprat e këtij studiuesi të cilat i botoj pa kurrfarë ndihme.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT