• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

HERMENEUTIKA E HESHTJES POETIKE NË PËRMBLEDHJEN “KUAJT QAJNË…” TË ARBEN ILIAZIT

April 24, 2025 by s p

Nga Lumnie Thaçi-Halili/

Poezitë e A. Iliazit më ranë në sy në një nga ato ditë të zakonshme kur rasti të dhuron diçka të pazakontë. Poezitë e tij i ndjeva ndryshe që në leximin e parë, ishin vargje që nuk kërkonin vëmendje, por të cilat e fitonin vetë, me një qetësi të thellë dhe një ndjenjë që zgjaste përtej fjalës. Kështu që, fillova ta ndjek pa bujë sa herë që postonte, ia dhuroja një pëlqej (like) të sinqertë, (jo thjesht si reagim në rrjete sociale), por si një shenjë vlerësimi për atë çfarë sillnin fjalët e tij, si një miratim të heshtur për një poezi që më fliste përmes autorit, i cili e jeton poezinë si mënyrë përshëndetjeje dhe si gjuhë për të krijuar miqësi. Nuk është vetëm fakti që poezia e tij është përkthyer në shumë gjuhë të botës, e cila dëshmon për rezonancën e saj universale, por mënyra se si ai komunikon me botën, me lexuesin, me mikun apo miken, është ajo që mbetet unike: përmes metaforës në vargje, me një buzëqeshje të përkthyer në ndjenjë; përmes një zëri të veçantë që nuk kërkon të dominojë, por të trokasë lehtë.

Kjo vëmendje e qetë solli një afrim të natyrshëm, për t’u bërë ftesë hyrëse e kësaj bote poetike përmes përshëndetjes e ndjesisë në mikpritje. Mikpritje, e cila merr formë me kurorëzimin e botimit të një përmbledhje me poezi të tij në Shtëpinë Botuese URA, në Prishtinë. E si rrjedhojë vjen botimi i librit me poezi “Kuajt qajnë” të Arben Iliazit, botoi URA, Prishtinë, 2025.

Ky vëllim poetik nuk ndjek ndarjen tradicionale në cikle, për të përcaktuar llojoren e secilit cikël, ashtu siç jemi mësuar rëndom. Poezitë që përbëjnë këtë libër ngjajnë si yje që s’janë mbledhur në konstelacion, por që qëndrojnë në një dritë të vetme, shpërndarë në thellësi të ndryshme të boshtit orientues krijimtar. Gjashtë poema përshkojnë librin si rrugë të gjera mes pasazheve të tjera poetike, që herë lidhen në motive, herë ikin larg njëra-tjetrës e ndahen rrënjësisht. Megjithatë, në tërësi, ato mbajnë një frymë të përbashkët: përpjekjen për të dëgjuar tingujt e brendshëm të kohës, të ndjesisë-dashurisë, të humbjes dhe të kërkimit. Pra, nuk është një rrugë lineare, nuk ndjek një fill, as një mozaik të qëllimshëm, por ndjek një ndjenjë, më shumë në formën e një peizazhi të brendshëm, ku lexuesi mund të humbasë e të gjejë veten që nga fillimi e deri në fund, nëpër nëntëdhjetë e tetë (98) titujt poetikë që përmban libri.

Figura e kalit në vështrimin mitologjik, urtinë popullore dhe poetike Kali ka galopuar nëpër faqe letrare që nga koha e Homerit, me hijen e Kalit të Trojës dhe krahët e Pegasit. Që i bie, prej agimit të mitologjisë, kali ka qenë frymëzim: herë si mashtrim hyjnor në Trojë, herë si Pegas qiellor. “Kali i Trojës, ideuar nga Uliksi dhe i ndërtuar nga Epeu, ishte prej druri dhe bosh nga brenda. Grekët ua ofruan trojanëve si dhuratë ndaj Athinës pse i kishin vjedhur Paladion. Dhe spiuni Sinon i bindi trojanët që ta pranonin…” (Barbara Colonna, Fjalor mitologjik, Botimet Toena, Tiranë, 2005, f. 178). “Pegasi, kalë me fletë, që luan rol të madh në shumë legjenda. Ai lindi nga gjaku i Gorgonës Meduzë, që vrau Perseu. Heroi e përdori atë në shumë ekspedita…Pegasi u bë për poetët e vjetër, si dhe të kohës së re simbol i frymëzimit poetik. Zeusi e vendosi Pegasin në qiell, në formën e yllësisë së Pegasit…” (Hartuar nga Todi Dhama, Fjalor i mitologjisë, Rilindja, Prishtinë, 1988, f. 192-93).

Në vijimësi, edhe nga letërsia popullore shohim shumë fjalë të urta të mrekullueshme, të cilat janë thesar i trashëgimisë sonë gjuhësore dhe kulturore, që pasurojnë në mënyrë të veçantë çdo reflektim letrar e filozofik mbi simbolin e kalit, sidomos në kontekstin e librit “Kuajt qajnë” që kemi për studim dhe poezive tjera si shembull nga letërsia, më gjerë. Pra, krahas librit, urtësia popullore shqiptare na ofron një imazh më të pasur dhe më kompleks të kalit, nxjerrë si analogji nga libri “Fjalë të urta shqipe” (ΛABIA TAN). Në thëniet, si:“Kali, ku bie, aty do ngrihet”; “Kali kur don me dek, hjek kah shpia”-atdheu, vendlindja (“Fjalë të urta shqipe, Botimi i dytë, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 40-41); apo “Kali i mirë të shpëton kryt”; “Kali i mirë s’blihet me pare.” (po aty, f. 33-34), kali nuk është vetëm simbol i nënshtrimit, por edhe shenjë e vlerës, besnikërisë, qëndrueshmërisë dhe virtytit. Populli e njeh kalin si mik të njeriut, si figurë që kërkon drejtim e jo shfrytëzim.

Si pasqyrim i pashmangshëm, sot, figura e kalit është një nga metaforat më të fuqishme dhe më të përhapura në letërsinë botërore dhe atë shqiptare. Kali nuk është vetëm një kafshë shërbyese, por një simbol universal i forcës, i lirisë, i nënshtrimit, i shpirtit të padukshëm njerëzor, dhe mbi të gjitha, një metaforë për dinjitetin e rrezikuar. Ndërsa ndër poetët shqiptarë që kanë shkruar poezi të paharrueshme për kuajt, veçanërisht spikat Dritëro Agolli, i cili në mënyrë të përsëritur, ka përdorur kalin si figurë qendrore në disa poezi të tij. Në një antologji poetike, përgatitur nga Roland Zisi, me titullin “Antologji poetike për kuajt”, botoi Naimi, 2014, janë përmbledhur shumë poezi që e trajtojnë këtë figurë në forma të ndryshme, si: mik, si martir, si kujtesë, si mjet rebelimi a bindje etj. Si hap pasues, është e famshme edhe poezia e Gj. Marinajt “Kuajt”, e kanonizuar në letërsinë shqipe, për bukurinë dhe thellësinë e saj, ku kali paraqitet si metaforë e njeriut të nënshtruar, që vrapon gjithë jetën, pa e ditur pse, nuk pyet, nuk kundërshton, nuk qan, nuk qesh, thjesht hesht, dëgjon e bindet. Ai-kali është figura e njeriut të përulur ndaj pushtetit, ndaj sistemit, ndaj rrjedhës që s’e kontrollon dot, një krijesë që ka humbur identitetin dhe mendimin e vet. Në këtë aspekt, poezia merr një ton satirik, kritik dhe reflektiv.

Në suazën e këtij vështrimi poetik, nga letërsia e përbotshme përzgjodha poezinë e Viktor Hygoit “Tre kuajt”, ku paraqitet figura e kalit si një simbol kompleks dhe shumëplanësh për njeriun në shoqëri. Përmes tre kuajve të ndryshëm, ai e përdor këtë figurë jo thjesht si kafshë, por si metaforë të jetës njerëzore, të shtresave, të ideologjive dhe të fateve të ndryshme. Kali si simbol i aristokracisë dhe krenarisë së rreme: kali i parë është fisnik, i stolisur, flet latinisht (sum qui sum-jam që jam) dhe është krenar për gjakun e tij. Ai është si një shtatore e gjallë e klasës së lartë, që mburret me origjinën por s’ka thellësi. Kali, që këtu pasqyron njeriun që jeton në lavdi të trashëguar, por është i zbrazët në vlerë reale, dhe tjetra, kalin si mishërim të dhunës dhe të fanatizmit ushtarak. Ndërsa kali i dytë është luftëtar, i fortë, i frikshëm, por i verbuar nga lavdia e betejave. Ai është si një njeri militant, që nuk reflekton, por vetëm zbraz fuqinë e tij në emër të pushtetit apo fesë, i cili humb njerëzoren në emër të misionit. Kali si figurë e njeriut të shtypur dhe të ndershëm, është kali i tretë, i cili është i lodhur, i varfër, i përdorur pa mëshirë, por i vetmi që mendon, që flet me dhimbje dhe shfaq ndjeshmëri e urtësi. Si figura më humane e njeriut të thjeshtë, që vuan por s’pushon së punuari, së shpresuari: “Punoj shumë dhe jam, shihnie nga brinja ime/Ku gjaku rrjedh, dhe nga shpina e lagur në mundime…” (Viktor Hygo, Ndëshkimet, përkthyer nga L. Poradeci e S. Caci, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 46-47-48).

Në kontrast të thellë nga shembujt e mësipërm, poezia “Kuajt qajnë…” e Arben Iliazit e risjell kalin si qenien e vetme që ka ruajtur ndjeshmërinë, që qan në vend të njerëzve, sepse ata s’qajnë më. Në këtë vizion poetik, kuajt janë bërë kujtesë e dhimbjes, mbartës të shpirtit të pastër, teksa njerëzit kanë ngrirë ndjenjën, kuajt vazhdojnë të ndjejnë, të vuajnë, të qajnë për ta. Ata janë pasqyra e humbjes sonë njerëzore ndër vite.

Në këtë tetradë poetike, krahasuar nga katër kënde të ndryshme poetike: poezia e kritikës (Gj. Marinajt), poezia e ndjeshmërisë (A. Iliazit) dhe urtia e popullit dhe ajo e (V. Hygoit), kali mbetet një pasqyrë ku njeriu mund ta shohë veten si i nënshtruar, si i harruar, si i ndjeshëm ose si qenie me vlerë të brendshme. Dallimet dhe ngjashmëritë ndërmjet këtyre vizioneve nuk janë vetëm letrare, por edhe kulturore, dhe do të shërbenin në të ardhmen si fushë e frytshme për një lexim krahasues mbi simbolikën e kafshës në shërbim të reflektimit njerëzor.

Poezia “Kuajt qajnë” që ngjiz titullin si kryefjalë të dhimbjes poetike

Arkitekturën poetike të këtij libri me poezi e mban si titull një poezi që është kaq e shkurtër dhe e thjeshtë, por që bart një univers të madh: “Kuajt qajnë…” të duket si një pikë loti që reflekton qiellin e gjithë përmbledhjes. Ajo është një poezi emblematike, që e koncentron prej këtuhit gjithë dhimbjen dhe ndjeshmërinë e poezive tjera pas. Prandaj, ajo nuk ka nevojë të jetë më e gjatë, mjafton për aq sa është, sepse thotë shumë. Si një mantra, ajo përmbledh me tetë vargje atë që shumë poezi të (stër)gjata nuk mund ta arrijnë dot. Titulli i librit është metaforë e tërësisë, “Kuajt qajnë” është shumë më tepër se një poezi. Është një gjendje, është një akuarel ndjenjash, është një pyetje filozofike mbi humanizmin e humbur. Kur lexuesi sapo ndeshet me këtë titull, ai do të ndalet e do të pyesë: “Kuajt… qajnë? Po njerëzit?” Dhe, që aty nis udhëtimi i leximit, nis hermeneutika personale e lexuesit (Hans-Georg Gadamer, Hermeneutika, në librin “Historia e filozofisë”, Plejad, Tiranë, 2008, f. 339). Poezia e titullit është çelës i përmbledhjes, i cili ndalet drejt një dere të madhe hyrëse, drejt një bote dhimbjesh, kumtesash… është si çelësi i heshtur që hap një dhomë të madhe, është simboli, lidhësi, emri i frymës që përshkon gjithë librin, ku shpesh një poezi e vetme bart identitetin e gjithë veprës. Dhe më e rëndësishmja është se lexuesi do ta mbajë në mend edhe pasi libri të përfundojë së lexuari.

Poezia e kësaj përmbledhjeje nuk kërkon të thërrasë me zë të lartë, as të detyrojë ndjenjën. Ajo ecën ngadalë, pa shkelur kujtime, dhe flet me gjuhën e heshtjes së pikëlluar, si lotët që rrëshqasin mbi bar, pa zhurmë, pa bujë, por me peshë të njëmendtë. Titulli “Kuajt qajnë” nuk është thjesht një poezi e shkurtër. Është shtylla që mban qiellin e dhimbjes, çelësi i brendshëm i kësaj përmbledhjeje, një metaforë që shndërrohet në gjendje poetike dhe thirrje e nënkuptuar për rizgjim njerëzor. Si përfundim i kësaj logjike, libri nis me fjalën që qan, një poezi që pëshpërit nga dhimbja e plagëve, me një përsëritje të zëshme që ngjan në një vajtim ritmik:

“ Qajnë kuajt, qajnë kuajt,

të gjithë kuajt qajnë…” (A. Iliazi, Kuajt qajnë, URA, Prishtinë, 2025, f. 15).

Kjo anaforë (përsëritje) e njëpasnjëshme, është më shumë se një strukturë formale. Është klithmë, është ritual, është përpjekje për të zgjuar një ndjesi që njerëzit e kanë harruar. Vetë përsëritja është pjesë e dhimbjes, sepse ajo nuk ecën përpara, ajo sillet e përpëlitet, ngrin në vend, ashtu si mallkimi i atyre që nuk u dëgjuan kurrë. Kryesisht, kali këtu është figurë e dhimbjes së pastër:

“Qajnë kuajt, të vetmit,

që dashuria u dhemb si plagë.”

Në këtë varg kemi një metaforë thellësisht të rrallë: dashuria nuk është më ndjenjë e bukur, por plagë e hapur. Dhe vetëm kuajt, si kafshë të heshtura, të duruara, besnike ndaj të zotërve, janë ata që e përjetojnë këtë lëndim emocional. Në këtë lexim, kuajt janë më njerëzorë se njerëzit. Ata ruajnë një pastërti ndjesore që njerëzimi tashmë e ka humbur. Më tutje vazhdon me heshtjen e barit, prej lotëve të pazëshëm:

“Qajnë kuajt, qajnë kuajt,

lot u shkasin mbi bar.”

Ky është një nga imazhet më vizuale dhe simbolike të poezisë: lotët nuk bien mbi gur, mbi beton, por mbi bar, mbi gjallëri, mbi tokë. Është një qarje që ushqen dhimbjen, që e lë pas gjurmën e vet në natyrë. Dhe po ashtu, është një qarje e heshtur, sepse lotët rrëshqasin pa britma.

Kthimi i shikimit kah njerëzit është shumë i drejtpërdrejtë:

“Qajnë kuajt për njerëzit,

që kanë harruar të qajnë.”

Ky varg përmbyllës duket si akuzë e butë, por është mjaft therës, sepse njeriu është ai që ka harruar të ndjejë, që ka ngrirë brenda vetes çdo dhimbje të vërtetë, ndërsa kuajt, krijesat e heshtjes, qajnë për ne. Sikurse shihet, ky është qarku hermeneutik i plotë: poezia fillon me kuajt që qajnë, dhe përfundon me njerëzimin që s’qan më. Ka ndodhur një përmbysje e rendit emocional, ku këtij rendi i duhet domosdoshmërisht një thirrje për rizgjim të shpirtit.

Kuajt me zërin e heshtjes poetike si formë e lartë rezistence, paraqiten në këtë poezi pa britma. Këtu nuk ka deklarata të fuqishme. Dhe pikërisht për këtë, kjo poezi godet thellë. Heshtja është përmbajtje, është etike, është refuzim për të imituar brutalitetin e harresës. Tejpërtej, në heshtjen e saj të përmbajtur, poezia ulërin më shumë se çdo klithmë.

Poezia pasqyron kuajt si dëshmitarë. Ata bëhen mbajtës të kujtesës ndjenjore që njerëzit e kanë fshirë (mbase nga theqafja e dinamizmit…), zë vend një tragjedi e heshtur, ajo e ndjeshmërisë së mpirë, e shpirtit të ngurosur nga dhuna, harresa dhe ikja. Nga vetë poezia, kuajt nuk janë vetëm kafshë të përvuajtura, por figura të ndjeshmërisë së pastër, që bartin mallin, kujtesën, dhimbjen, dëshmitë, atë që njerëzit shpesh e nëpërkëmbin për të mos u përballur me të. Në një kohë ku klithmat shndërrohen në zhurmë dhe dhimbja kthehet në statistikë, kjo poezi rikthen fjalën e heshtur si akt rezistence, si formë kujtese të përhershme. Dhe kështu, poezia bëhet një lloj epitafi i ndjeshmërisë së humbur, por jo për të vdekurit fizikisht, po për ndjeshmërinë që është shuar te të gjallët. Në fund, ajo nuk kërkon të shpjegojë, por të zgjojë përmes një heshtjeje që troket lehtë, një vajtimi që s’ka emër, lotëve që bien pa tingull, për peshën e një epoke të humbur. Kështu që, në kuptimin hermeneutik, kjo poezi nuk jep përgjigje, por veç lartëson dilemën e përkohësisë përballë lexuesit dhe pyet aktualisht: Ka më ndjenja njeriu i sotëm, apo kanë ndjenja sot vetëm kuajt për të qarë në emrin tonë?!

Vargu si mjet zbërthimi emocional mbi poetikën e shpërfaqjes

Vepra me poezi “Kuajt qajnë” e Arben Iliazit është një përmbledhje lirike moderne, me një gamë të gjerë nëndegësh, sipas klasifikimit të përgjithshëm llojor: lirike dashurie, lirike filozofike, lirike ekzistenciale, lirike elegjiake, dhe herë pas here lirike sociale me sfond historik e kombëtar. Kjo shumëllojshmëri e tipologjive brenda lirikës e bën përmbledhjen shumë të pasur estetikisht dhe thellësisht njerëzore të prekshme, sepse ka në epiqendër emocionin personal, dashurinë, mungesën, vetminë, trishtimin, mallin, kujtesën, apo thënë shkurt e shqip, dritën shpirtërore. Kjo shihet, madje, edhe kur flitet për ngjarje historike, si në poezitë “Kosovë” apo “Varrezat Çame”, se poeti nuk rrëfen objektivisht, por përjeton ndjeshmërisht, që do të thotë në mënyrë lirike. Mirëpo, përmbledhja dallohet edhe për llojin e poezive refleksive-filozofike, të cilat kahojnë drejt poezisë meditative, në ç’rast poeti vëren, shtjellon dhe mediton mbi kuptimin e jetës, kohës, ekzistencës e vdekjes: ”Tabula Rasa”, “Njeriu dhe historia”, “Asgjë nuk ka mbaruar”, “Epilog” etj. Njëkohësisht duhet të kemi parasysh që ka edhe poezi me tone elegjiake, të cilat mund të përfshihen lirisht në lirizmin e dhimbjes dhe të humbjes, që janë tipike për elegjitë moderne sot, si: “Asaj që shkoi”, “Dashuritë e shkuara”, “Ti ike”, “Te Varrezat Çame” etj. Duke mos lënë mënjanë pa përmendur edhe një klasifikim të rëndësishëm dhe mjaft të bukur, atë të poezive të dashurisë, të cilat edhe mund të klasifikohen si liriko-erotike, të përjetuara shpesh me një ndërthurje të ndjenjës dhe simbolit, të realitetit trupor dhe ndjesisë metafizike.

Në vijim të kësaj, vepra “Kuajt qajnë”, në bazë të poezive të shumta (98), ajo përmban tematika të ndryshme, prandaj, më poshtë do të paraqitet një ndarje tematike e poezive sipas temave dhe motiveve që ato përfaqësojnë, ku çdo motiv ngrihet mbi peripecitë e subjektit llojor.

Është klasifikimi, i cili nuk mund të mënjanohet, ngase ndihmon në ndërtimin e skeletit mendimor poetik të studimit në fjalë. Fillohet radhazi:

1. Motivi kombëtar dhe kujtesa historike pasqyrohen te poezitë që sjellin përkatësi identiteti dhe trauma historike, nëpërmjet imazheve simbolike të vendit, në këta tituj: “Kosovë”, “Varrezat Çame”, “Në sytë e perëndimit”, “Flamur”, “Njeriu dhe historia”;

2. Identitet, ekzistencë dhe vetëdije të thellë paraqesin poezitë që shqyrtojnë lindjen, vetëkuptimin, përvojën personale dhe qenien njerëzore përballë kohës dhe botës: “U linda në gjurmë rrufeje”, “Tabula Rasa”, “Është një dritë”, “Njeriu”, “Njeriu dhe historia”, “Nuk jam i dikurshmi”, “Fjalë…nyje…”, “Asgjë nuk ka mbaruar”, “Shpirt i terratisur”, “Zbazëti”, “Me hijen time”, “E pambaruar”, “Çast”, “Paralele”, “Të gjitha pluhur e helm”, “Këmba e Adamit”;

3. Kohën, kujtesën dhe reflektimin mbi të kaluarën e tregojnë poezitë që meditojnë mbi kalimin e kohës, mbi kujtimet, mbi ndërrimin e stinëve dhe pritjen: “Netëve ëndërrova lumin…”, “Një mijë e një vjeshta”, “Ku je dita ime?”, “Epilog”, “Kur do kthehemi ndonjëherë?”, “Leximi i historisë”, “Kthimi i madh”, “Fundi i ëndrrës”, “Fundi i botës”, “Dëshirë e plakur”, “Mospërshtatje”, “Mos ma kujto…”, “Dëshira e plakur”, “E shita”, “E piva mëngjesin”;

4. Dashuria, mungesa dhe ndjeshmëria intime, përçohet prej poezive që flasin për ndjenjën e dashurisë, për mungesën, kujtimin e saj dhe vetminë e mbetur pas: “E dashur”, “Dashuria”, “Letra…”, “Dashuria, tingulli…”, “Asaj që shkoi”, “Ti ike”, “Të pres”, “Kur ti…”, “Çast fatal”, “Përsiatje”, “E gjitha çfarë kam dashur”, “Dituritë e shkuara”, “Lirikë vjeshte”, “Ndarje”, “Etja”, “Kam etje”, “Mirësjellja”;

5. Shqetësimi social, historia dhe heronjtë përmbledhin në mënyrë domethënëse poezitë që rrëmojnë marrëdhënien e individit me shoqërinë, mitin e heroit dhe përplasjet kolektive: “Heronjtë”, “Heronjtë vranë veten”, “Turma”, “Flamur”, “Në sytë e perëndimit”, “Në varrimin e të gjallëve”, “Njerëz mbi ura”, “Po vijnë robotët”, “Zjarre të ftohtë”, “Rend e rend”, “Heroi i panjohur”;

6. Udhëtimi, arratisja dhe kërkimi i shpëtimit, marrin në shqyrtim poezitë që përshkruajnë lëvizje, kapërcime kufijsh fizikë ose shpirtërorë, si simbol të ndryshimit: “Dola”, “Shtegtim”, “Arratisje”, “Duke ecur…”, “Kurorë është fundi…”, “Hapuni dyer”, “Hapni dritaret…”, “Gjithnjë pas një ëndrre”, “Prapë e prapë”, “Më rrëfe”, “Fli dhe zgjohu”, “Pozoj para vdekjes”;

7. Vdekja, fundi dhe heshtja, zbardhin kuptimet e poezive që përballen me fundin, zhdukjen, heshtjen dhe pajtimin me të pashmangshmen: “Vdekja e qytetit”, “Bie mbrëmja…”, “Ulen netët”, “Epilog”, “Mos fol”, “Larg”, “Diçka mungon”, “O shpirti im i lartësive të ajrit…”, “Nata”, “Çast fatal”, “Te lumenjtë”;

8. Natyra dhe elementi lirik, prekin në thelb poezitë që përdorin natyrën si metaforë të brendshme, mbushur me ndjesi, estetikë dhe intuitë: “Lumi”, “Gjarpëron një lumë”, “Lumi ynë”, “Baladë”, “Akuarel”, “Plepi”, “Lirikë vjeshte”, “Gjithë natën nuhata jargavanë”.

Me ndjeshmëri të lartë dhe një vështrim estetik që shkon përtej fjalës së shkruar, lexuesi do të përjetojë dy nga poezitë më të fuqishme dhe përfaqësuese të kujtesës kolektive shqiptare nga motivi kombëtar e kujtesa historike, poezitë: “Kosovë” dhe “Te Varrezat Çame”. Ripërsëritim, se këto nuk janë vetëm poezi, janë klithma të mbyllura në vargje, janë dëshmi të pathëna të dhimbjeve që ende digjen në brendësi të popullit. Përmes një gjuhe poetike të ngarkuar me simbole dhe heshtje që flasin, autori A. Iliazi ngre jo vetëm vargje, por monumente shpirtërore të qëndresës historike, të cilat do të mbetën pashlyeshme nëpër secilën kohë që do të vijë. Andaj, “Kosovë” është elegji e një dheu të gjallë që qan në heshtje. Ajo është si një vizatim me dritëhije, ku realiteti i luftës së fundit, dhimbja, plagët, betimet, rrënojat e jetës dhe drita që vjen si dasmë e përvëluar, përshkojnë një hapësirë (Kosovën si tërësi e Reçakun si veçanti) të përvëluar nga kujtesa. Ajo hapet me një figurë rrëqethëse: “Plagë akoma e freskët”, një varg që nuk ka nevojë për zbukurime. Vetë fjala “plagë” është emër i historisë sonë të pashëruar. Imazhet janë të ngjeshura dhe të goditura:

“Aty-këtu kafshime tragjike

të luftës.

Fletë që hidhen tutje erës

Në dasmën e dritës.

Një zog i përzhitur

këndon në Reçak.” (po aty, f. 103).

Të gjitha vargjet krijojnë një univers të lodhur nga zjarri dhe vdekja, ku natyra vetë është bërë dëshmitare e krimit, siç është e njohur sot e njëzet e gjashtë vjet më parë “Masakra e Reçakut”, jo vetëm si vendngjarje reale, por si pikë përvëluese e ndërgjegjes kombëtare dhe ndërkombëtare me një ton dokumentues e rrëfimtar. Poezia përfundon me një metaforë të thjeshtë dhe të përkryer:

“Ti rri gjithmonë,

duke tundur djepin…”

Përfundimisht, Kosova në këto vargje është nënë e gjallë që tund djepin mbi varre, si një qenie mitike që e rrit jetën mbi gjakun e fëmijëve të saj apo si një akt poetik i ngjashëm me ikonat e Shën Mërisë me Krishtin në prehër. Në tërë poezinë, vendi është trup, është frymë, është heshtje që mban në prehër gjithë tragjedinë.

Poema “Te varrezat Çame” (po aty, f. 104) është një poemë tronditëse, një klithmë kolektive për kujtesën e plagosur, por edhe një rrëfim hermeneutik i atij lëndimi që nuk pushon së pikëlluari tash e tetëdhjetë vjet më parë, një marsh mortor që rrjedh përtej pa prajshëm. Prandaj, lexuesi ftohet të hyjë në një procesion të shenjtë, me një ecje të ngadaltë mbi historinë e gjakosur, të bëjë edhe një marshim mbi kujtimet që nuk ngjallin mëshira, por kërkojnë drejtësi. Vargjet e poemës nuk janë më fjalë, ato janë kërcitje eshtrash prej varreve, zëra nga nëndheu, britma të fëmijëve të humbur, hije që ecin bashkë me të gjallët e secilës kohë!

“Ecim ngadalë,

mos shkelim mbi kujtime…”

Vargu i parë ruan një ton solemn që ruan respektin e shenjtë për dhembjen e të shkuarës. Nga ky çast, lexuesi nuk është më vëzhgues, ai bëhet pjesë e një pelegrinazhi poetik, që zbret jo vetëm në varre, por në thellësitë më të dhimbshme të ndërgjegjes historike shqiptare. Poema është gjuha e një dhimbjeje që nuk pushon së rrjedhuri, si gjaku i freskët i viktimave “që ende pikon… e botën spërkat”.

Simbolika dhe heshtjet që fshihen mes vargjeve janë të shumta, ja disa: “Kujtimet si hije”, duke na përkujtuar se nuk janë ngjarje të largëta, por trupa të pranishëm, hije që qajnë, që “ende pikojnë”; “Retë që shkulen nga trishtimi”, ngaqë qielli, që zakonisht simbolizon shpresë, këtu është i mbushur me re që bëhen trumba trishtimi; “Kafka dhe kockat”, një përplasje e dhunshme simbolike e të gjallëve që ecin mbi eshtrat e vetvetes, një metaforë për mungesën e vetëdijes kolektive; “Sanije Bollati, Vëllezërit Bako, Qafëbota dhe Paramithia, Parga, Arpica, Sajadha” janë emra konkretë që i japin poemës trup historik, por edhe shenjtëri martirësh, duke u ndërthurur me natyrën, me hënën, me yjet që bien “të djegur nga drita e tyre”; “Shenjat dhe mitet”, se e kaluara nuk është e shuar, por ajo ristrukturohet si mit, si udhërrëfyes i të ardhmes. Këtu heshtja nuk është asgjëja, është bartëse e një peshe që fjala nuk mund ta mbajë e vetme. Në këtë poemë, nuk ndahen të gjallët nga të vdekurit:

”Me të gjallët e vdekur

të vdekurit e gjallë.”

Estetika e poezisë buron nga intensiteti i përmbajtur autorial i rrëfimit, nga simbolet që nuk bërtasin, por përgjakin ngadalë, nga narrativa e fragmentuar që rrjedh, jo veç si kujtesë kolektive, po edhe si përjetim personal. “Kali, që në fund dëgjohet të qajë”, mbart plagët e zotërve që s’janë më, ndërsa “Dhe zëri i gushëkuqit nga Çafëbota” është jehona e fundit e një bote që s’pranon të heshtë, edhe pse askush s’e dëgjon më me vëmendjen që meriton.

Poezia “Flamur” është një nga ato poezi që, pa përmendur drejtpërdrejtë historinë apo datat, vesh dhimbjen e një kombi me gjuhën e përjetësisë poetike. Ajo nuk është poezi dekorative për simbolin e flamurit, por një rrëfim i thyer i një refugjati, i një njeriu pa rrënjë, që përmes vargjeve rrëfen braktisjen, mallin dhe një dashuri që nuk pushon së djeguri.

Poezia fillon me një varg rebelues dhe të fuqishëm emocionalisht:

“Gjallë ke mbetur, gjallë.”

Kjo nuk është një thënie dekorative. Është një psherëtimë, një konstatim me lot dhe gjak. Është trup i frymëzuar, është tjetër qenie që qëndron në jetë përtej mallkimeve, përtej vdekjes, përtej tradhtive.

“Kush të mallkoi

e nuk rivdiq nga heshtja

llahtar?!”

Përmes kësaj pyetjeje retorike, poeti akuzon, njëherësh edhe mbron e shpërfaq një etikë të pashlyer, që kush mallkon flamurin, mallkon të pamallkueshmen, sepse flamuri është vetë historia, është martirizimi që nuk shfajësohet dot me heshtje.

Simbol i përvuajtjes sublime dhe shpresës së braktisur shprehet kështu:

“Liqen i kripur lotësh plot nur,

ku vuajnë vuajtjet sublime.”

Këto janë ndër vargjet më të veçanta dhe të goditura stilistikisht: një liqen i kripur lotësh që përkund vuajtjen më të pastër, vuajtjen që nuk bërtet, por digjet brenda. Kjo është vuajtja e një atdheu të braktisur, e një njeriu të shkulur nga rrënjët, që e shenjtëron dhimbjen nëpërmjet heshtjes. Ndërsa poeti si refugjat i përjetshëm me ndarjen ekzistenciale nga atdheu në pjesën përmbyllëse të poezisë është rrëqethëse dhe thellësisht njerëzore kur thotë:

“Mos më thuaj asnjë fjalë!

Asgjë mos më rrëfe

mua refugjatit të përjetshëm,

rrënjëdalë,

që kam mbetur pa atdhe.” (po aty, f. 30)

Kjo është një nga mënyrat më të bukura për të përshkruar ndjesinë e atyre që s’janë më në tokën e tyre, të cilët s’janë as kurrkund të qetë. Termi “refugjat i përjetshëm” nuk është vetëm politik, është gjendje e brendshme ekzistenciale, njeri pa tokë, pa identitet, pa flamur… Në fund, malli për të vdekur nën flamur, mbase më tepër është ëndërr e jona-shqiptarëve, kur je i shpërngulur:

“Të bie të vdes

në shesh të ballit tënd…”

Poezia këtu në fund arrin kulmin e ndjenjës së përjetshme, dëshirë për të vdekur pranë flamurit, jo si gjest heroik, por si akt kthimi, si akt shenjtërimi personal për çdo shqiptar.

Vetëm duke e lexuar librin, do të shohim që disa poezi duken si nyje të një tërësie shpirtërore, ku njeriu, fjala, koha dhe jeta nuk janë ndarë, por shihen të përthurura si në një rrjetë të padukshme që quhet vetëdije poetike me një mozaik shpirtrash e vello të ndryshme. Janë si një homazh për të pashpjegueshmen, për atë që fjalët vetëm e afrojnë, por s’e kapin kurrë. Ia vlen të përshkruajmë disa nga to. “Është një dritë”, poezi minimaliste dhe metafizike, ku drita nuk është ndriçim, por esencë, frymëmarrje e padukshme e gjithësisë, që lind gjithçka nga asgjëja dhe po aq shpejt vdes në ngricën e fatit. Kjo dritë është mirazhi i ekzistencës, një çast i shenjtë që ndizet e shuhet në brendinë tonë. Kurse “Tabula Rasa”, është një poezi afreskë, e tejmbushur me figura, zëra, pyetje dhe heshtje, që përpiqet të zbulojë çfarë ka mbetur nga bota pas stuhive, ku më pas përgjigjja është një fletë e bardhë, sikur disa herë të jetë shkruar dhe fshirë. Këtu të duket sikur poeti gërryen shtresat e realitetit si një arkeolog i absurdit dhe zbulon se gjithçka është imitim, peng, njollë, shpirt pa trup, buf që ha fytyrën e njeriut, një apokalips i heshtur që ndodh çdo ditë… E “Njeriu” është poezi e thjeshtë dhe me forcë të madhe ndjeshmërie, njeriu është lundërtar i fikur, qenie që qan jo nga dhimbja, por nga vetmia, që ka hënë të mbytura dhe yje të fikur, dhe i cili jeton pa kufi, pa lot, pa dashuri. Është një figurë parësore në universin e poezisë, njeriu i zbrazët në një botë të përgjakur nga mungesa e kuptimit. Tek “Njeriu dhe historia” , kuptohet si poezi-refleksioni, ku njeriu dhe historia shikojnë fytyrat e njëri-tjetrit në dritën që vetë kanë ndezur. Është një baraspeshë mes buzëqeshjes dhe dhimbjes, mes asaj që historia ka marrë shumë prej njeriut, si dhe anasjelltas, që njeriu ka marrë nga vetë historia. Një lirikë ekzistenciale e përthyer me ëndrra, mollë, shi dhe ringjallje është “Asgjë nuk ka mbaruar”. Poeti zvarritet në flakët e pritjes, u lakua në transfigurime, dhe befas qëndron përballë një mahnitjeje që nuk mbaron, sepse asgjë nuk mbaron në një botë që ushqehet me mall dhe ëndje. Kjo është një poezi e përjetimit të papërfunduar, si vetë dashuria apo si vetë jeta. Te “Fjalë…Nyje…”:

“Fjalë të lidhura nyje në gurmazin e qiellit,

shpirt i robëruar i çastit kur merr frymë

në ligjërimin e një zogu të vetmuar.

Kujtesë që hiqet zvarrë

nën hije ullinjsh,

që lozin në kitarë.” (po aty, f. 44).

Kjo poezi është shpirt i lidhur në nyje, nyje të cilat nuk zgjidhen kurrë, por vetëm thuren më thellë në muzikën e humbjes. Ironike dhe mitike njëkohësisht është edhe poezia “Këmba e Adamit”, që vë në dyshim krijuesin dhe të krijuarin. A është njeriu krijuesi i Zotit? A e ka bërë vetë formën e këmbës që e sundon? Kjo është një poezi e mendimit që kthehet në figurë, një trazim i shenjtërive me një stil të beftë e goditës.

Dashuria si zë lirik dhe dëshmi e ndjenjës

Poezitë e kësaj vepre kanë një bukuri të thellë dhe një mall poetik që digjet në çdo varg, e konkretisht këto janë poezitë e dashurisë, të cilat përbëjnë një njësi tematike liriko-metafizike, ku dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por udhë, kujtesë, trishtim, dritë e shuar, ëndërr e padukshme dhe shpërthim i brendshëm. Më poshtë po sjellim një analizë të shkurtër, estetike dhe të përzgjedhur për disa nga këto poezi, me theks të nënvizuar te më të veçantat për ndjesinë që përjetohet te lexuesi me origjinalitetin e tyre. Ja poezia “Asaj që shkoi”, e qartë, por thellësisht e hidhur, një përshëndetje e butë me të pathënat, me fjalët që nuk u thanë dhe ëndrrat që nuk ndodhën. Vargjet kulmojnë nga një frazë emocionale, e përbërë nga dy njësi paralele “më vjen të qesh, më vjen të qaj”, si një pikë dyshimi e pashërueshme apo gjendje shpirtërore të papërcaktuar?! Dallohet, si mjaft e bukur për nga sinqeriteti emocional dhe eleganca e rimës. Ndërsa tjetra poezi, “Paralele” është minimaliste, në formë strukturale, filozofike si një poezi cikël, e cila rrotullohet në vetvete si dritë e dritës së thyer, e vogël në trup, por e madhe në kuptim:

“Deti më fsheh enigma,

që i zbuloj në sytë e tu.

Sytë e tu fshehin enigma,

që i zbuloj te deti…” (po aty, f. 24).

“E dashur”, lirikë që mund të merret si poezi e nduarnduarshme, e larmishme si një mozaik ngjyrash e përjetimesh, ku koha, qielli, dielli dhe shpresa krijojnë një univers të tejdukshëm dashurie. Mjaft e pasur për nga shumëdimensionaliteti dhe thellësia imagjinative. Poezia eksploron bukurinë e përjetshme dhe të pashpjegueshme të qenies së dashur, duke e vendosur atë në një raport kozmik me universin dhe kohën. Ngrit pyetje mbi identitetin, ndjesinë e përbashkët dhe misterin e ekzistencës që s’e përkufizon vetëm individi, por edhe një “tjetër” i brendshëm që lë gjurmë e heshtje përmes vargjeve të lira, pa rimë, por që ka ritëm të brendshëm:

”Mos është dikush tjetër

Te vetja jote, imja

Që vjen e ikën e na lë pa gojë?” (po aty, f. 45).

Shumë interesante është edhe poezia ku dashuria është një letër e humbur diku mes flokëve dhe vdekjes “Dashuria, letra…” (f. 46). Drithëron për metaforën e varkës me rrema të thyer:

“Varkë me rrema të thyer

Që nuk të çon askund

Por të nxjerr në çdo breg.” (f. 46).

Një imazh i jashtëzakonshëm i një ndjenje që nuk çon askund, por gjithmonë të sjell në të njëjtën brengë. Fill pas kësaj poezie, vjen radhazi edhe tjetra poezi e përngjashme me reflektim nga i njëjti ndriçim “Dashuria tingulli…” (f. 47), por në sipërfaqe të ndryshme: njëra në letër që i shkruhet vdekjes, tjetra në zë, të cilën e humb era. Që të dy poezitë nuk e shkruajnë dashurinë si një ndjenjë të përcaktuar ose të përmbyllur, por vetëm si një energji shpërthyese dhe të pakontrollueshme, e cila ngjizet në kufirin ndërmjet pranisë dhe mungesës, ndërmjet trupores dhe ëndërrimtares, ndërmjet jetës dhe amshimit. Kurse “Dashuria, tingulli…”, është poezi e ndërlikuar dhe eterike, një dashuri që i ngjan zërit të erës në trup të ditës, si simetri që thyhet nga dëshira. Një mjegull poetike që në heshtje mbyll gjithë të thënat:

“Mjegullat ku mbyten hënat

Kur shihen në pasqyrën

e detit që merr era… (f. 47)

E hijshme dhe elegante si tingull i pakapshëm që tretet në erë, e cila nuk qëndron, po vetëm preket për një çast. Andaj, të dy poezitë, përmbajnë në njëfarë mënyre ndjeshmërinë fizike jo si shfaqje erotike, por si drithërimë shpirtërore, si një trup që është muzë, por jo një trup që zotërohet. Është një dashuri që të nxjerr në çdo breg, por nuk të çon askund, thjesht një endje poetike nëpër vetvete.

Vlen të ceket se poezia e A. Iliazit vjen edhe dufshëm si një shpërthim sensual i një momenti rebel kur trupi digjet, qielli pushon, hëna pozon me të dashurën, si tek poezia “Gjithë natën nuhata jargavanë” me një erotizëm të ndjeshëm dhe të ngjitur me frymën e natyrës, me ç’rast natyra nuk është sfond, por pjesë e përjetimit. Rebelimi i jargavanëve, gjiri i të dashurës, hëna që bëhet sfond dhe qerpikët që ngjajnë me lindjen, të gjitha krijojnë një atmosferë që shndërrohet në art sensual të përbrendshëm. Figura kryesore e kësaj poezie është “jargavani”, i cili nuk është thjesht një lule aromatike, por bëhet metaforë e ndjesisë trupore, e afërsisë intime. Jargavani është preteksti estetik për të shprehur aromën e trupit të dashurisë:

“Gjithë natës nuhata jargavanë,

që rebeluan në një degë marsi,” (f. 48).

Ndërkohë rebelimi i jargavanëve është rebelimi i ndjenjës kundër ndarjes, kundër ftohjes, kundër vdekjes së momentit. Kurse tek vargjet e mëposhtme:

“Pak para ndarjes,

ti pozoje me hënën në sfond,” (f. 48).

Dashuria bëhet skenë poetike, e dashura shndërrohet në imazh simbolik, si një ikonë e feminitetit dhe e largimit me një si përqafim që s’ka fund, por veç nisje të përhershme.

Në vijimësi të pandërprerë po i referohemi poezisë “O shpirti im i lartësive të ajrit…”, e cila shfaqet si një himn i gjatë për një dashuri qiellore, të pangjashme me tokën. Një përhumbje mbi dallëndyshe, det, erëra dhe pritje. Ndër më të bukurat për ëndërrimin dhe peizazhin e brendshëm liriko-epik. Figura kryesore e poezisë është “shpirti i lartësive të ajrit”, një metaforë e dashurisë që nuk zbret në tokë, por mbetet në qiej, vallëzon, shtrëngon erën, nuk mund të kapet, por vetëm të ndjehet.

Ky shpirt është një qenie qiellore, që ngjall ndjenjat më të pastra në botën më të errët, si dritë mbi natyrën e pangjyrshme. Hasim kompozita poetike (ngjyrargjendi, kristale-thyera), të përdorura mjeshtërisht për të ndërtuar një gjuhë të re ndijore, që ngre vargjet mbi nivelin e zakonshëm të shprehjes:

“Mbi muzikën tënde të syve,

ku dashuria këndellet në ëndrrat e natës

si një ujëvarë ngjyrargjendi,” (f. 49).

“Asgjë nuk ka mbaruar”, një poezi e ekzistencës së papërfunduar, me temën e dashurisë si udhëtim metafizik përmes përjetimeve të brendshme, që nuk përfundojnë kurrë sepse çdo gjë vazhdon e jeton në mallin që mbetet e bëhet materie (limfë mbi fytyrë). Figurat e ndryshme stilistike, si metafora, epiteti, aliteracioni dhe asonanca, personifikimi dhe simbolizmi, i japin ton estetik poezisë:

“U zvarrita drejt teje

në ëndrrat me aromë mollësh,

që më shtynë drejt fundit të botës etj.” (f. 50).

Shtjellojmë më tej poezinë “Mos ma kujto…” elegji e një dashurie që nuk ndodhi asnjëherë, si një stinë e paardhur kurrëherë:

“Atje, ku strehohen ëndrrat

me grimcat fosforeshente të kësaj bote,

që lulëzojnë në kraharorin tënd të zbuluar,

e sajojnë ylbere pritjesh të gjata

me drithërimën e ditës që mbaron.

Atje ku të kisha, por kurrë nuk të pata…” (f. 51).

Sikurse edhe shihet në fund, ka për temë dashurinë e jetuar vetëm në ndjenjë, por jo në realitet, apo, qe thjesht një mundësi e heshtur, duke mbetur e përjetshme në shpirt. E vargu i fundit: “Atje ku të kisha, por kurrë nuk të pata…”, është goditur bukur si një teoremë poetike e dashurisë së pamundshme, delikate dhe filozofike.

Përbashkësitë e këtyre dy poezive të fundit përgjasojnë me dy hemisfera të të njëjtit shpirt të plagosur nga mungesa, ku çdo gjë që nuk u realizua, bëhet më e fortë dhe më e thellë, e mbështjellë me fosforeshencë të mallit, pavarësisht këngës që s’u këndua kurrë.

Duke shfletuar rend në libër, lexuesi mbërrin tek një çast që nuk ndodh dot “Çast fatal”, një varkë e dashurisë që lundron në ajër të ngrirë. E jashtëzakonshme për tonin “Ah…jam me vonesë”.

Kjo poezi lëviz në një hapësirë ku dashuria ekziston vetëm si rikujtim poetik në një kohë që është ngrirë:

“Te çasti ku nuk jemi bashkë,

i ngrirë në të ftohtin zjarr,

qëndroj i mahnitur

si më parë.” (f. 53).

Ani pse “çasti” është fjalë kyçe në poezi, ai mbetet një çast i përhershëm i mospërmbushjes, ku uni autorial në lirikë rri pezull, në një univers të zbehur, pa vend dhe pa kohë, teksa e vetmja lëvizje është brenda kujtimit, që rikrijohet përmes imazheve të zbehta dhe vizatimeve të tretshme. Fundi i poezisë është një apoteozë e vonesës, jo në kuptimin fizik, por në përmasën metafizike të mungesës së mundësisë.

Ndodh dhe rrëfimi i përmbysjes së përjetimit të dhimbjes, atëherë kur humbja nuk përjetohet si shuarje, por si transformim i thellë shpirtëror, kur lirika e vargjeve gjen udhën e duhur në aftësinë për t’u shndërruar në tjetrin, për ta përthithur atë, për ta bërë pjesë të formës së vet të re te poezia“Kur ti…”:

“Tani më sheh hutueshëm,

vjen rrotull meje si flutur

e vdekjes, që ringjallet tek unë.” (f. 52).

Edhe kjo është një dashuri që vazhdon, e pakapshme si paraket, por gjithmonë e gjallë, e vendosur ndërmjet përjetimit dhe mosqenies, ndërmjet skajeve të vetëflijimit dhe ndriçimit të brendshëm. Vargjet janë të ndërthurura me ritëm të matur dhe me figura të zhdërvjellëta të kontrastit: fitore përmes humbjes, ringjallje përmes pranisë që shkatërron. Ndërsa “flutura e vdekjes” është një përfytyrim mbresëlënës, me ngarkesë të dyfishtë estetike dhe emocionale, që sjell përdorimin e simbolit të frikshëm si pasqyrë të dashurisë së pavdekshme.

Në mendime të bëra vargje, poeti nuk kërkon një dashuri të stuhishme, as një afrim dramatik, ai kërkon një gjest të thjeshtë, një pëllëmbë që mbart ngrohtësinë e botës, për të rizgjuar atë pjesë të vetes që është shuar nga dhimbja ose lodhja emocionale. Ai kërkon një lutje të përkundshme për afërsi, një gjendje e përkulur e shpirtit që kërkon zgjim përmes përkëdheljes dhe prekje përmes përulësisë:

“Merre në pëllëmbë,

e dashur

kokën time,

të zgjosh gjumin që fle!

Dhe luaj me të,

kur orët e brengës

ndrydhen me hare!

Kur unë nuk jam unë

dhe ne nuk jemi ne…” (E dashur, f. 54).

Ndërsa vargjet e fundit ngërthejnë një krizë të qetë identiteti, një shpërbërje që ndodh kur lidhja humb formën, kur shpirti kërkon të ringrihet përmes një ndjesie të pastër dhe

pa kërkesa; lirizëm të përmbajtur dhe të tejpërdredhur, ndërtuar me fjali të shkurtra…

Këtu në këtë libër i këndohet himn edhe shumësit të dashurisë, është fjala për dashuritë e shkuara, të cilat janë e nuk janë, një kor i fjetur që fërgëllojnë në ëndrra “Dashuritë e shkuara”. Dashuritë që nuk janë më fizike, por që mbijetojnë në një dimension të brendshëm, mistik. Janë dashuri të kthyera në fuqi drite, që i qasen subjektit poetik jo për të trokitur, por për ta udhëhequr nëpër kujtime që nuk harrohen, sepse nuk ndjehen asnjëherë të qeta, duke përforcuar idenë se gjurmët e ndjenjave nuk treten, por nguliten në ndjeshmëri dhe kthehen herë pas here si shkëlqime. Më konkretisht, poezia flet për dashurinë si memorie e pashlyeshme, e cila nuk gjen prehje në harresë, por as në praninë e plotë, pra, lëkundet në një hapësirë të tretë, të paemër, ku emocionet mbajnë aromën e dikurshme, por me plagë të reja:

“Djegur, përvëluar,

Frymëpamarrë,

notoni mes netëve të mia,

në lotët e pa tharë

që heshtur më kanë vrarë.” (f. 62).

Duke mos harruar se kjo poezi përbëhet nga tri tablo të njëjta në thelb, por të ndryshme në përmasë dhe intensitet, që shtresojnë një kujtesë emocionale të shumëfishtë me vargje të lira që përcaktohen në lexim vetvetiu nga një intonacion homogjen. Ndërtuar me epitete të rralla dhe të përzgjedhura sipas ngjyrës emocionale, jo përshkruese: hënëza, gushëvjollcë, dritëpurpura, pulëbardhat e harrimit, që përbëjnë një galeri emërimesh të përziera mes bukurisë dhe mungesës, që nuk lënë vend për ndjenjë të qetë. Në pjesën e fundit, vargjet bëhen më të thjeshta në fjalë, por më të rënda në ndjesi:

“Qindra herë kam vdekur

e prapë çdo ditë vdes

Tek ju… dashuri të hershme, të harruara” (f. 62).

Këtu, rituali i rikthimit në një dhembje të heshtur bëhet zakon, një tërheqje pa kthim, që sidoqoftë, është zgjedhje estetike: dashuria është më tepër një përvojë e brendshme e pavdekshme, sesa një marrëdhënie e përfunduar.

Gjenden dhe poezi të ndërtuara me një stil aforistik në hapje që nisin me një pohim të paduruar për t’u pranuar, si:“Të vrasësh mendjen është e kotë”, një sentencë e zbrazët, që përmban refuzimin e çdo logjike ekzistenciale, e cila bën pjesë te poezia “Përsiatje”. Poezia përshfaq një meditim të acartë mbi absurditetin e ekzistencës, ku vetë mendimi për të kuptuar botën rrëzohet si një lojë boshe. Kjo është një poezi filozofike e ngarkuar me ironi të heshtur, ku gjithçka nga qielli e deri tek yjet, është vënë në pikëpyetje jo për t’u kuptuar, por për t’u përjetuar si pjesë e një ndërgjegjeje që shkrin gjithçka në boshësi. Poeti përshkruan një realitet ku asgjëja është gjallë, ndërsa shpresa është një ngashërim i mpirë që digjet pa kuptim në një botë të ndriçuar nga flakë të zbrazëta. Kjo botë nuk është për poetin një vendbanimi, por një hije që kthehet te vetja, një qenie që rrotullohet mbi vetveten pa fund dhe pa qëllim. Veçori këtu është “asgjëja” si lojë e madhe që përbën një imazh të fortë nihilist, ku zbrazëtia jo vetëm që ekziston, por edhe argëtohet me njeriun, me vargje si:

“ku hijet e mbrëmjes, të pajeta

kthehen sërish te vetja.” (f. 64).

Në këtë mënyrë krijohet një qarkullim i vetmisë, një mbyllje brenda vetvetes pa dalje dhe pa ndriçim. Vetmia në këtë poezi është ngritur në një notë estetike gati muzikale, si: “një tingull pa tinguj” është një paradoks akustik, që shpall heshtjen si melodi të errët. Kurse figura e minjve dhe gjarpërinjve, të përfshirë në një lloj akti grotesk kënaqësie dhe mbijetese, është një kritikë e brendshme ndaj jetës së ulët dhe instinktive, që në mungesë të shpirtit kanë vetëm trupa që zhgërryhen. Fundi i poezisë është ndër më të fuqishmit emocionalisht:

“Kështu vjen një kohë

pa kohë,

që yjet

s’dinë ku bien

dhe digjen brenda syve të tyre

me cicërimën e erës në gojë.”

Tregohet përmbysja e kozmosit, ku as më të ndritshmit nuk kanë më një drejtim, dhe shkrumbohen nga vetë drita e tyre. Janë vargje që përmbajtësojnë zërin e vetëdijes së dëshpëruar; psherëtimën e heshtur të absurdit, vargje të cilat as nuk akuzojnë, as nuk shpresojnë, por thjesht dëshmojnë një zbrazëti që përmbushet vetëm me ndriçime të rreme dhe heshtje të thella.

Veçori poetike e librit “Kuajt qajnë” të Arben Iliazit është edhe përafrimi i poezive, ku në rastin konkret dallohen mprehtësish tri poezi, të cilat po i nënvendosim me përshkrim: “Braktisje”, “Vdekja e qytetit” dhe “Pritje”. Këto tri poezi përbëjnë një triptik poetik apo trekëndësh konceptual poetik të zbrazëtisë, ku vetmia, heshtja dhe rënia e një bote të dikurshme përhapen si mjegull përtej individit, duke krijuar një simbiozë të trishtë mes njeriut, qytetit dhe kohës. Këtu kemi një poetikë të fundit, ku çdo gjë që ka pasur jetë, është zhvendosur në një ekzistencë të heshtur, në një kohë që nuk ikën më, por as nuk ndalet fare.

E para “Braktisje” është një skicë e rrënimit të brendshëm, një tablo melankolike e moskthimit, ku gjithçka është përthithur nga heshtja e mureve të zbrazura. Vargjet:

“Bravat e dyerve si kujtime

po ndryshken,

ngaqë kyçin ka humbur koha” (f. 66).

Përfaqësojnë kujtime të mbyllura përgjithmonë, ndërsa imazhet që shpërbëhen në ajër janë rrënojat e jetës së dikurshme. Natyra është po ashtu në zhbërje: gjethnaja, netët që notojnë dhe djegia shurdhmemece, të gjitha tregojnë një heshtje që bërtet nga mungesa, plakjen e pandalshme të vetë kohës. Kurse zbehja progresive përshkruhet me foljet e vargëzuara njëra pas tjetrës: shpurriten, hollohen, ngjyhen, ndryshken, digjen, tirret. Gjithashtu edhe ndërprerja e frazave dhe ngrirja e pamjes në “sy mallkimi” thellojnë idenë e një përmbylljeje pa shpresë e pa kthim.

Nga ana tjetër “Vdekja e qytetit” është në përmasë e dhimbshme, se qyteti nuk shkatërrohet me dhunë, por zhbëhet me heshtje, si një larvë që dha shpirt, një qenie urbane që vdes pa zhurmë. Banorët nuk ikin, ata shtegtojnë me mjegullat, një figurë tronditëse sa vetë jeta që përmban brengën e përjetshme të emigrimit, të largimit të heshtur që nuk sjell as ndarje e as kthim. E dhimbshme, sepse poeti mbetet i vetëm me tokën si entitet që afrohet, një materie që rrëshqet drejt shpirtit të tij, ndërsa hija e vetes i mungon, ashtu siç i mungon edhe vetvetja e dikurshme. Ja vargjet për ilustrim:

“Jeta vazhdon!

Ditët murosen

në mendjen time.

Në ecjen e çdo hapi

Më shfaqen perëndime…

Sa më mungon hija ime.” (f. 67).

Të gjitha këto shpalosin një mbijetesë të pamend, një jetë pa lëvizje e pa frymëzime, teksa perëndimet që përndjekin ecjen krijojnë një ritual të përditshëm vdekjeje, ku çdo hap është një kthim në të shkuarën.

E treta poezi e këtij triptiku titullohet “Pritje”, e cila poezi është e përkulur mbi motivin e mbeturinës njerëzore në kohë, ku personazhet-ata, që presin nuk janë më plot jetë, por kthyer në hije, të ulur në ndenjëse që i thërret heshtja, lidhen me një kronotop të caktuar.

Në këtë tekst, gjithçka është zhvendosur nga një realitet i ngrohtë në një hapësirë të përhimtë, ku edhe vetë pyetjet janë pa adresë. Pritja nuk është më për dikë që do të vijë, por për një kuptim që nuk mbërrin asnjëherë nga askurri. Vargjet janë të mbushura me anafora pyetëse, që theksojnë zbrazëtinë dhe zhdukjen:

Ku shkuan yjet, hënat?

E ëmbla, e hidhur jeta?

Ku shkuan zogjtë, ëndrrat?

Ku shkuan vegimet e shkreta?

Ku shkoi uji, burimet,

brengat, mundimet që lamë?

Ku shkuan dëfrimet, tundimet

me sytë e tyre plot zjarrm?” (f. 68).

Një seri e dhimbshme që merr formën e një përvuajtjeje të heshtur. Fjalët në poezi si: “fantazma”, “jargët”, “rrëza të marrta”, “orgji e frikës” krijojnë një univers surreal, ku gjithçka ka marrë trajta të shpërfytyruara. Si paralelizëm vjen fundi i poezisë si më i fuqishmi:

“dhe lumi i vajit tim

dhimbjet i kthen në burim.”

Përmbyllet me një paradoks emocional, ku dhimbja nuk përthithet, por kthehet në substancë që vazhdon të rrjedhë.

Tre zërat që ndërtojnë një harmoni amalgamimi dhe simbiozë mes vete, përbëjnë një strukturë të përbashkët emocionale dhe semantike, ku secila poezi projekton të njëjtën atmosferë të fundosjes, por nga një kënd unik: njëra nga shtëpia që zhbëhet në “Braktisje”, tjetra nga qyteti që tretet në “Vdekja e qytetit”, dhe e treta nga prania njerëzore që mpaket në pritje në “Pritje”. Kështu, krijohet një shndërrim gradual i të jetuarës në hijeshi (nëse mund të thuhet) të ftohta, ku kujtimet nuk shuhen, por kthehen në forma të gjalla të mungesës. Brenda kësaj simbioze ndodhin përsëritje figurative që shërbejnë si lidhëse të brendshme: yjet dhe hija që zhduken njëkohësisht në të tria poezitë, netët që nuk sjellin më agim, era që shfaqet si zë i zbrazëtisë dhe mallkimi i heshtur që bëhet frymëmarrje e të papërfunduarës.

Poezia që bëhet epifani e përmbyllja “Epilog”

Pas gjithë këtij udhëtimi nëpër dritëhijet e shpirtit të librit “Kuajt qajnë” të Arben Iliazit, lexuesi e ndien se nuk ka hyrë thjesht në një përmbledhje poetike, por në një univers emocional ku koha, dashuria, humbja, shpresa dhe absurdi përplasen e përqafohen bashkërisht. E thënë ndryshe, në mënyrë të përmbledhur, këto poezi nuk kërkojnë të shpjegohen, por më shumë të ndihen edhe pasi të lexohen, ashtu siç ndihet mungesa e një përmallimi, apo ashtu siç ndjehet një heshtje që peshon më shumë se një britmë. Këto poezi, janë pasqyra të thyera të realitetit dhe të brendësisë sonë, ku çdo poezi a poemë përbën një tërësi librore që s’e shpjegon dot veten, por s’e mohon dot as ekzistencën. Përmes një gjuhe të ngjeshur me imazhe e figurshmëri stilistike të pasur, ky libër bëhet një udhëtim bukurendës me krahë fjalësh poetike për çdo lexues, që dashuron poezinë, përmes territ dhe dritës njëkohësisht. Dhe kur gjithçka mbaron, përmbyllet jo me një shpresë, as me një pikëllim të thellë, por me një murmurimë që përshkon jetën e të gjithëve, një vetëdije të hidhur e trishtueshëm të bukur, si një gjumë i përbashkët në mëkatin e të jetuarit.

Të gjitha poezitë e kësaj vepre nuk flasin me zë të lartë, por as nuk heshtin, ndërmjetshëm si një ylber ato shkëlqejnë si të ndaluara në ajër, në hapësira ku koha s’ka orë dhe fjalët nuk mbërrijnë në gojë, prandaj këtu, edhe mëkatet janë të bukura, edhe pritjet janë të ngadalshme si netët pa yje, edhe dhimbja ka elegancën e një gjëme të heshtur… E në fund, gjithçka përmbyllet, ashtu siç i shkon një udhëtimi poetik dhe autorit të saj A. Iliazit, i cili s’e lakmon shkëlqimin, por thellësinë e heshtjes. Dhe pikërisht për këtë, “Epilogu” është më shumë se fund: është pasqyra e fundit ku njeriu sheh botën dhe sheh veten, dhe nuk dallon më dot njërën nga tjetra, është kjo vetë poezia që vendos vulën e fundit në libër. Stilistikisht, poezia është lakonike, e shkurtër me strukturë katërvargësh (katrenë), lirike moderne, me rimë të përzier-të pjesshme dhe të plotë, me rend të lirë, jo klasik, e stil modern, simbolik, me tone reflektive, por e cila ka një peshë që i tejkalon fjalët:

EPILOG

O botë e mbushur dingas me zhuzhakë!

Me toka kimeriane me fat e pa fat.

Sa pak ta njoha dashurinë, sa pak!

Sa shumë fjetëm bashkë në mëkat… (f. 119).

(mars-prill 2025)

Filed Under: Interviste

“Përemrat e pacaktuar në gjuhën shqipe”

April 24, 2025 by s p

Akad. Gjovalin Shkurtaj/

Punimi që po i paraqitet lexuesit përbën një korpus të plotë të studimeve në lidhje me një kategori leksikore të larmishme, siç është përemri, përkatësisht përemri i pacaktuar. Në të koncepti i përemrit të pacaktuar diskutohet si në rrafsh diakronik ashtu edhe sinkronik. Një gjë ë tillë bëhet e mundur qoftë edhe duke dhënë karakterizimet këtij koncepti në një numër të madhe gramatikash që i para prijnë Gramatikës I të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2002), e cila vazhdon akoma të mbetet e fundit në këtë fushë studimesh.

Kështu autorja fillimisht jep një pasqyrë të përgjithshme në lidhje me vendin e përemrit të pacaktuar në studimet tona, duke vënë në dukje se për larmishmërinë dhe problematikat që ai shfaq, duke vënë në dukje edhe faktin se ai duhet studiuar nga ana “morfologjike, nga fjalëformimi, nga sintaksa e përdorimit të tyre dhe nga semantika”(Hasani, 2024:2).

Në këtë mënyrë, ajo mëton hulumtimin e kësaj njësie në të gjitha rrafshet kryesore të studimit gjuhësor në lidhje me të.

Duke pasur parasysh numrin e madhe të gramatikave pararendëse, duhet thënë se korpusi për t’u hulumtuar është relativisht i konsiderueshëm dhe në përgjithësi pa të dhëna të shumta teorike. Në këto kushte, puna vështirësohet dhe indukton edhe metodën e studimit. Kështu mund të themi se në shumicën e punimit kemi gërshetim të metodës përshkruese me atë kontrastive.

Në këtë kontekst në kreun I identifikohen përdorimet e përemrave të pacaktuar që nga tekstet e para të shqipes e deri te ato më bashkëkohoret, duke përfshirë edhe rrafshin diakronik , edhe atë sinkronik. Duhet thënë se korpusi referues që lidhet më ato që mund të quhen sinkroni janë pjesë tekstesh artistike, të cilat në fakt në studimet gjuhësore duhen marrë me rezervë, pasi shihen si pjesë e korpusit personal të autorit specifik, po në mungesë të korpuseve ligjërimore për shqipen, një gjë e tillë është e pashmangshme.

Në kapitullin II bëhet diskutimi në lidhje me emërtimet në lidhje me këtë kategori , duke specifikuar si më të zakonshmet “përemër i pacaktuar” dhe “përemër i pakufishëm”. Pasi jep referencat të shumta , duke filluar që nga gramatika e Paninit , Trakasit, Varronit e mjaft gramatika tona, ajo përkrah emërtimin përemër i pacaktuar. Një gjë të tillë e argumenton duke hyrë vetë në analizë fjalëformuese të dy temave jo të parme të mbiemrave përkatës (i pacaktuar dhe i pakufishëm ), duke argumentuar se “Në të gjitha gramatikat që kemi marrë në shqyrtim, përkufizimi i kësaj klase përemrash nuk lidhet me semantikën e mbiemrit i pakufishëm, por me paraqitjen e sendeve a të frymorëve në mënyrë të pacaktuar apo të papërcaktuar.”(Hasani, 2024: 7). Natyrisht nuk mungojnë referencave nga trajtimet pararendëse.

Kreu III përbën identifikimin e trajtimit të përemrit të pacaktuar në shumicën e gramatikave të vjetra . Ky identifikim jepet në mënyrë përshkruese, po pa lënë pas dore dhënien e ndikimeve të një autori te një tjetër (Për përemrin e pacaktuar shohim të përdorur një nga termat e krijuar nga Jani Vreto njëzet vjet më parë. Hasani, 2024: 12). Një gjë e tillë dëshmon thellimin e autores në këto trajtime dhe një formim të plotë në lidhje me këtë koncept.

Në kreun IV hulumtohen kategoritë leksiko-gramatikore dhe funksionet sintaksore të përemrit të pacaktuar. Në jo pak raste ajo del nga trajtimit i përemrit të pacaktuar thjesht në korpusin e standardit. Këndvështrimi zgjerohet me shembujt të dialekteve të marra edhe nga autorë të tjerë. Në këtë kontekst ajo nuk ngurron të japë sugjerimin e saj (Përemri tjetër shfaqet me disa veçori. Ai ka kategorinë gramatikore të numrit dhe të gjinisë. Në numrin shumës ky përemër del me nyjën të (të tjerë, të tjera) dhe lakohet sikurse mbiemrat e nyjshëm. Të tjerët heshtën pa fjalë. Por në traditën letrare të gegërishtes është përdorur si i panyjshëm: tjerë, tjera. Mendojmë se kjo formë, për shkak të mbështetjes së gjerë në gjuhën e folur dhe të traditës, mund të pranohet si dysor normativ. Hasani:2024, 25.).

Në kreun V autorja parashtron pasqyrimin e përemrit të pacaktuar në fjalorë të ndryshëm. E quajmë një punë mjaft të vlefshme këtë kapitull, duke pasur parasysh se në jo pak raste ndryshon trajtimit i mjaft koncepteve nga gramatikat në fjalorë. Këtu ajo fillon hulumtimin që nga fjalorët më të hershëm si ai i Kristoforidhit e deri te ato më të fundit, botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kapitulli shoqërohet me tabela klasifikuese sipas fjalorëve të ndryshëm, duke na dhënë edhe prirjet drejt diakronisë së një pjese prej tyre.

Kreu VI merret me çështje që kanë të bëjnë me probleme preskriptive, pra që kanë të bëjnë me normën. Nga korpusi i konsiderueshëm i mbledhur në kapitujt paraprirës merren në shqyrtim përemrat pjesë të standardit dhe ato përdorime që ngelen jashtë tij.

Kreu VII merret me anën semantike, përkatësisht me teorinë e fushave semantike, të përemrave të pacaktuar, që përbën edhe kriterin kryesor të klasifikimit në Gramatikën e Akademisë (2002). Ai nis me një pohim i cili ngelet aktual akoma edhe sot “Studimet gjuhësore bashkëkohore në rrugën e çelur nga gjuhësia strukturaliste nuk mund të çojnë në përfundime plotësisht të sakta, apo në ato të dëshiruarat nëse njësitë apo dukuritë që trajtohen nuk vështrohen në sistem, në lidhje e në marrëdhënie të ndërsjella, por edhe brenda sistemit. ” (Hasani, 2023:39).

Pas dhënies së referencave të studiuesve ne lidhje me konceptin e fushës semantike, në punim gjenden edhe skema klasifikuese në lidhje me të. Përveç kësaj autorja dallon edhe grupime në varësi të marrëdhënie sinonimike dhe antonimie të përemrave të pacaktuar.

Gjatë kësaj pune në jo pak raste bëhet edhe krahasimi i trajtimeve, duke vënë në dukje edhe prirjet tipologjike të ndryshme të tyre (Te FGjSSh (1980) jo vetëm është zgjeruar ndjeshëm i gjithë korpusi leksikor e frazeologjik e brenda këtij procesi edhe ai i përemrave të pacaktuar, jo vetëm zgjerimi i makrosistemeve dhe mikrosistemeve kuptimore, është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe cilësia e shpjegimeve të kuptimeve. Krahasuar me FGjSh (1954), këtu bie në sy prirja për shpjegime tipologjike. Dallojmë dy lloje kryesore shpjegimesh: me perifrazim dhe me sinonimi. Hasani, 2023: 46).

Kreu VIII i sheh përemrat e pacaktuar në rrafsh fjalëformues dhe jep edhe modelet fjalëformuese të përemrit të pacaktuar në formimin e fjalëve të tjera. Ai përbën një ndihmesë veçanërisht në hulumtimin specifik të përngjitjes.

Në kreun X jepen përemrat e pacaktuar siç gjenden në tekstet e para të shqipes, pra të autorët e vjetër. Mbase ky kre mund të ishte përfshirë në kreun e parë ku jepen raste ilustruese në lidhje me këta autorë. Gjithsesi duhet të shtojmë se në këtë kre hulumtimi është i detajuar dhe shterues dhe nuk përsërit atë që është dhënë në kreun I.

Në përfundim mendojmë se ky punim jep një pasqyrë të plotë të një koncepti mjaft të larmishëm, siç është ai i përemrit të pacaktuar. Ai dëshmon një njohje të plotë e të thelluar të autores në lidhje më diskutimet në shumicën e rrafsheve gjuhësore që lidhen me të.

Duhet shtuar se problematikat e trajtuara në këtë punim në përgjithësi diskutohen në kuadrin e gramatikës tradicionale, po ka raste (teoria e fushave semantike) ku ajo e vë re se kjo teori nuk i jep dot kriteret dhe argumentet e nevojshme për deduktime specifike.

Nga ky parashtrim, mendojmë se punimi i prof.asc. Monika Hasanit përbën një trajtim referues dhe një ndihmesë për studiuesit e fushës që identifikon, po edhe sugjeron trajtime të mëtejshme në kuadrin e teorive bashkëkohore.

Filed Under: Komente

POROSIA QË JETON: KULLA SI SIMBOL I ETNISË

April 24, 2025 by s p

Prof. Dr. Besim MUHADRI/

“Po ecën kulla ime e lashte

Me shtatë vëllezër rreth sofrës,

/Me frëngji të çala nga stera e lotit,

Me oxhak të tymosur nëpër kohë/

Nga duart të thata të nënës së mërdhirë

Me legjendat e harruara në muret e plasura

Vargjet poetike të Din Mehmetit, të shkëputura nga poezia “Kulla ime e lashtë”, e çojnë lexuesin në vështrimin përmes frëngjive, në meditimin e oxhakut, në ngrohtësinë e sofrës vëllazërore dhe në dashurinë e duarve të nënës së plakur nga koha dhe vuajtja. Në këto vargje pasqyrohet imazhi i Kullës shqiptare, ku plasaritjet e mureve të saj të lashta dëshmojnë për një qëndresë të gjatë në kohë, përballë një realiteti të pashmangshëm, siç është vetë kalimi i kohës — një instrument i gjithpranishëm në ekzistencën e individit.

Ky shkrim është frymëzuar nga libri “Porosia e kullës” i Pashko R. Camajt, i cili ndërthuret ngushtë me kujtimet e tij personale, krenarinë familjare dhe porositë e trashëguara nga kulla stërgjyshore, të ruajtura brez pas brezi.

Libri i sapobotuar, me një titull sa simbolik aq edhe shumëdimensional, është një vepër që trajton me thellësi dimensionet e porosisë që bart ky institucion i shenjtë i kulturës shqiptare – kulla. Ajo përfaqëson qëndresën, mikpritjen, mbijetesën dhe historinë, por mbi të gjitha, krenarinë tonë kombëtare.

Emigrimi i Pashko R. Camajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitet ’80, ishte i detyruar për shkak të rrethanave politike dhe sociale në ish-Jugosllavi. Shqiptarët, kudo që jetonin – në Kosovë, Mal të Zi e më gjerë – ishin të diskriminuar në çdo aspekt: kombëtar, social dhe arsimor. Ikja e tij, bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë nga Mali i Zi, përfaqësonte një hemorragji të dhimbshme kombëtare, që për fat të keq, nuk ka ndalur as sot e kësaj dite.

Në librin “Porosia e kullës”, botuar nga shtëpia prestigjioze “Onufri”, autori rrëfen jo vetëm jetën e tij dhe sfidat personale, por prek edhe shumë aspekte të tjera sociale dhe historike. Ai rrëfen me ndjeshmëri dhe besnikëri retrospektive përvoja të dhimbshme dhe të rëndësishme, duke i ndërthurur me elemente artistike të goditura.

Në faqe të librit pasqyrohen çështje ekzistenciale të mbijetesës, padrejtësive shoqërore dhe kombëtare që i janë bërë familjes së tij dhe shqiptarëve në përgjithësi. Pashko Camaj përcillet gjithmonë nga porosia e gjyshit të tij në çastet e fundit të jetës:

“Për kullën nuk vdiset, por për të jetohet. Kulla nuk guxon të shuhet, sepse ajo duhet të lindë burra që do t’i njohë kombi.”

Në libër hasim edhe përjetimet e autorit për babanë e tij, të torturuar, momente që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij. Ai ndien ankthin dhe pasigurinë që ka përjetuar atëherë, ndërsa përpiqej të mbronte familjen dhe dinjitetin njerëzor përballë një terrori të pandalshëm.

Duke përkujtuar këto momente, autori e justifikon vendimin për të lënë kullën, jo si një akt të ikjes, por si një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtesën, për të nderuar amanetin e gjyshit dhe për të ndjekur rrugën drejt realizimit të asaj që i ishte mohuar.

Ai shprehet:

“Jam i bindur, tani më shumë se kurrë, se vendimi që mora në atë verë të vitit 1985 nuk ishte vetëm i vetmi që mund të merrja, por edhe vendimi i duhur. Më ka çuar këtu ku jam sot, duke mbajtur ende gjallë trashëgiminë e brezave para meje. Në kujtim të tyre, gjithmonë jam përpjekur dhe përpiqem të bëj gjërat e duhura.”

Rrëfimet në librin e Pashko Camajt janë të ngrohta, të ndjera, dhe të gjalla. Ato të shpien në të kaluarën, e cila është edhe e afërt, edhe e largët njëkohësisht. Janë rrëfime që i kemi përjetuar edhe vetë, ne që jemi rritur dhe jetuar në të njëjtin realitet. Autori nuk ndalet vetëm në përshkrimin e ngjarjeve personale. Ai prek çështje universale për shqiptarët e asaj kohe – përplasjen me padrejtësinë, përballjen me ikjen, ndjenjën e humbjes, por edhe të ruajtjes së shpresës. Përmes rrëfimeve për babain e torturuar, për momentet e pasigurisë dhe ankthit, përpjekjet për të ruajtur familjen dhe dinjitetin – libri shndërrohet në një testament të një brezi të tërë.

Në mënyrë të natyrshme, elementi biografik tejkalon kufijtë e individit dhe shndërrohet në një dëshmi kolektive. Kulla, në këtë kontekst, nuk është më vetëm një ndërtesë fizike, por një simbol i vazhdimësisë, një përfaqësuese e shpirtit etnik që refuzon të shuhet, pavarësisht stuhive të kohës.

Përveç dimensionit autobiografik, që ngrihet nga personale në universale, libri përmban edhe elemente antropologjike, etnografike dhe historike. Ato dëshmojnë dijen e autorit për të treguar me ndjeshmëri krijuese, por edhe me njohje të thellë për historinë, traditat dhe zakonet shqiptare.

Një nga mesazhet kryesore të librit – ashtu siç e konceptoj unë – është lidhja e thellë e autorit me etninë dhe këmbëngulja për të arritur të pamundurën, për të realizuar ëndrrën e mohuar.

Prandaj, “Porosia e Kullës” është një vepër që duhet lexuar nga çdo shqiptar që ndjen brenda vetes barrën dhe bekimin e prejardhjes së vet. Është një rrëfim për të kaluarën, por edhe për të ardhmen; për humbjen, por edhe për mbijetesën; për dhimbjen, por edhe për krenarinë.

(Pashko R. Camaj, “Porosia e kullës”, Onufri, Tiranë, 2024)

Filed Under: ESSE

Tregime nga Luljeta Dano

April 24, 2025 by s p

VOTIMET E PARA PLURALISTE

Xha Bani një herë në javë shkon të vizitojë motrën në azilin e pleqve, djalin e madh që banon në lagjen industriale në periferi dhe vajzën e vogël në një fshat aty, po në rrethinë e që kot quhet fshat, sepse është shumë pranë qendrës së qytetit dhe Pazarit të Vjetër. Dyqanet e lagjes ku psonis gjithçka i duhet për familjen e djalit të mesëm me të cilin jeton i ka ngjitur me shtëpinë.

Pavarësisht moshës së shtyrë ka mbetur një gjigand i shëndetshëm, që ecën me të njëjtën hap të panxituar duke rënduar mbi bastun.

Kur xha Bani rrëfente histori të moçme, zëri i tij më nanuriste dhe nga ai efekt i pashlyer kuptova se të kesh një histori për të rrëfyer nuk është asgjë, sado tërheqëse të jetë historia, nëse nuk ke zërin magjik që pushton qenien, dridh ajrin përqark duke shumëfishuar në imagjinatë çdo fjalëz të dëgjuar. Nuk bënte gjeste me duar, vetëm zëri i tij e zbulonte historinë. Ndieja kujtime të pandodhura, shpirtëra të vjetër që tanimë pushonin kushedi ku, por jo larg nesh e që një ditë do të ktheheshin për ato ndodhira ende të pangjara.

Pas votimeve të para pluraliste dhe fillimin nga puna të qeverisë së re, xha Bani, njësoj, pa e ndryshuar ritmin e tij bën pazaret e ditës ngjitur me shtëpinë dhe viziton të tre familjarët e tij: motrën në azil, djalin e madh naftëtar dhe vajzën e martuar në fshat.

Bastunin e mban nën sqetull.

  • Ta kem ndonjëherë, kur më vishen sytë nga tensioni, – thotë.
  • Xha Bani, po rinohesh, – bëjnë shaka djemtë e mëhallës.
  • Jo, mor djema, por është qeveri e re dhe nuk dua të le gjurmën time nga shkoj e vete.

Mars, 1991

VIKTORI SHKON TË MARRË NUSE ELENËN E TIJ

Viktori ka lindur në Kostroma, pranë Kishës së Ringjalljes nga ku filloi jeta e carëve rusë, përbri lumit madhështor Vollga që çan përmes Rusinë. Është Krishtlindje dhe ai po troket në portën e pallatit të Elenës, po në breg të kanalit Moska – Vollga në kryeqytet.

– Tak! Tak!

– Kush është?

– Jam Viktori! Kam ardhur “të blej” Elenën për nuse.

– Çfarë keni sjellë?

– Portokaj, mollë dhe rubla!

– Mirë, pa të shohim!

– Është shumë ftohtë, më fusni brenda, ju lutem!

Dera e hyrjes së pallatit hapet dhe tri shoqet më të ngushta të nuses fillojnë lojën e gjëagjëzave, sipas traditës ruse “të blerjes” së nuses nga dhëndrri. Gjer në katin e shtatë ku ndodhet apartamenti i Lenës ka pengesa të tilla që Viktori i shoqëruar nga tre miqtë e tij më të mirë që mbajnë shportat me fruta duhet t’u përgjigjet pritave e grackave të lojës ku shoqet e nuses kanë maskuar historinë e dashurisë së çiftit. Nëse ka harruar kujtimet dashurore dhe jep përgjigje të gabuara Viktori duhet të shpaguajë shoqet o me një frut o me parà.

– Numri i këmbës së Lenës?

– 38.

– Gabim. 37.5.

Viktori jep një mollë të shportës.

– Ëmbëlsira më e preferuar e Lenës?

– Akullorja.

– Gabim. Çokollatat.

– Lulet e saj më të dashura?

– Krizantemat.

– Gabim! Trëndafilat!

Gjashtë tollombace të fryra janë vënë në sheshpushimin e shkallës. Viktori duhet të shpojë secilën dukë thënë një cilësi – kompliment për Lenën, por nuk duhet të përsëdytë asnjë veti se dënohet me gjobë.

– E dashur!

– E bukur!

– E bindur!

– E dashur!

– E ditur!

– E bindur!

Kjo i kushtoi pesëdhjetë rubla. Aq kërkuan shoqet.

– Pija alkoolike?

– Vodka.

– Gabim. Vera.

– Pija joalkoolike?

– Mix juice.

– Lëng portokalli. 

Viktori vazhdon të japë përgjigje së prapthi për të gjitha sekretet e tyre të dashurisë, udhëtimin në Egjypt, numrin e deveve që ia rriti tre herë arabi duke lutur Viktorin të pranonte t’ia shiste Lenën e bukur për grua atij, për racën terrier të qenit të Lenës, për kujtimet e Lenës me gjyshen, për puthjen e parë në rrugën Ostozhenka, për një çelës që Viktori duhej ta gjente në një përgjigje të saktë gjëagjëze për të çliruar ca kushurira, të cilat prisnin mbas kangjellave t’i çkyçte Viktori, etj.etj.

Shportat e frutave ngelen bosh.

Mbi një derë janë shkruar tetë vargje shifrorë ku Viktori ngatërrohet, nuk di më cili përfaqëson datëlindjen e vjerrës e cili telefonin e mëmës së vet. Lexon mëpas:

– Kamasutra!

Viktori ngutet. Hë. Kamasutra, manuali që nuk i ka të gjitha. Viktori mundet më tepër se aq.

– Gabim! Është emri i çajit të parë që keni pirë në takimin e parë!

– Titulli i librit më të dashur?

– Ne, romani në vargje nga Zamjatin!

– Jo. Kortik, nga Rijbakov.

Shokët janë për ta ndihmuar, por askush prej tyre, më keq se Viktori, nuk kanë ndonjë përgjigje për të qënë. Viktori vendos të mos çajë më kokë për gjëagjëzat që kanë sidoqoftë një hile, janë tepër të thjeshta dhe shfrytëzojnë purpurimin e dhëndrrit për të mos i gjetur, ndaj do ta lerë veten të gabohet lirisht gjer në fund.

Mbi një karton të bardhë dymbëdhjetë femra kanë lënë formën e gojës së tyre me të kuq buzësh. Viktori duhet të tregojë cila është goja e Lenës.

Nuk e gjeti as këtë.

I japin një letër të vizatojë Lenën me sy të lidhur:

– Lena e bukur të më falë! Lenën unë s’jam i zoti ta vizatoj dot syhapur, jo më symbyllazi!

Me një lulez në dorë Viktori përpiqet të vizatojë në mënyrë lineare, por prapëseprapë ata që i quan dy sytë e Lenës i vendos skajeve larg në një hapësirë bosh. I zgjidhin sytë dhe ia lidhin duart prapa. Vjen një legen plot ujë ku notojnë shumë fruta. Viktori me gojë duhet të marrë frutin që Lena ha më shumë. Kap një manderinë.

  • Mooos! Është portokalli!

Para derës së mbyllur ku pret në këmbë Elena nuse, është vënë një tepsi me mbishkrimin:

  • Vendos këtu gjënë më të çmuar që ke sjellë për nusen!  

Më në fund!

Viktori fut dorën në xhep dhe vendos ku i thonë rrethin e martesës. Çarqet mbaruan. Ndonëse qe brenda tij përgjigjia e drejtë, prirja kah e gabuara i vinte e pashmangshme, porse tani do të hapej një portë, ai e dinte Lenën përmendësh nga jashtë e nga brenda, fustanin e nusërisë e kishin zgjedhur bashkë dhe modelin e buqetës së luleve, peliçen e vizonit ia kishte blerë Viktori, por të tëra këto në ditën e dasmës janë turbulluese.

Viktori e di, ai ka lindur për këtë lumturi rinore, asgjë më shumë se dashuria për Elenën e tij nuk do mundet të provojë më në jetë, çfarëdo që të ndodhë më vonë me ata të dy.

  • Gabim!

Viktori nxjerr nga kuleta kacidhet e mbetura për të dëmshpërblyer tri shoqet e ngushta të nuses. Vërtet, dinin dhe përjetonin emocionalisht gjithçka qe e botës së Lenës?

Jo, unaza! Duhet të hyjë ai vetë e të presë mbi sini, gjersa t’i çelet dera e nuses.

Gabim dhe e fundit:

Viktori vetë, qe gjëja më e çmuar për Elenën!

Nëntor, 2004

P.S.

Në traditën zakonore ruse kur dhëndrri shkon të marrë nusen, i shoqëruar nga shokët e tij më të afërt, e presin shoqet më të ngushta të nuses me ca pyetje me spec që flasin për të fshehtat e historisë së dashurisë së çiftit, detajet e vogla të shpirtit të dashurisë. Nëse dhëndrri, (i ndihmuar dhe nga shokët e tij më të mirë me të cilët ka ndarë historinë e zemrës, sikurse dhe nusja me shoqet e saj), nuk përgjigjet saktë, duhet të paguajë shoqet ose me para, ose me fruta, para se të hyjë në dhomën e nuses.

Në fakt, kjo është historia e një çifti gazetarësh rusë, miq tanët që na treguan historinë e tyre të martesës për Krishtlindjen e atij viti. E shkrova pothuaj, ashtu siç na e treguan në vitin 2004, si një skedë etnologjike, duke e lënë në pritje, për t’i shtuar qoftë edhe me një fjali të vetme efektin shkrimor që do e shndërronte në letërsi atë ngjarje jete.

Përmes kronikave makabre dhe të pashmagshme nga ekranet kudo që ndodhesh të luftës aktuale Rusi – Ukrainë, zgjodha këtë tregim, ndonëse nuk e gjeta dot fjalinë përmbyllëse të autorit.

Sepse vetë korniza e errët e luftës reale është iluzionisti më i tmerrshëm, që na kujton sa fate brezash përmbysen nga lufta, për popujt e të dy kampeve ndërluftuese dhe nuk ka më gëzime dasmash.

Por vdekje e genocid.

Qershor, 2022

TALENTI I MADH I ARAKNIT DHE RRJETA E MERIMANGËS

Kur Arakni ishte një vajzushkë e vogël, nëna trembej nga fuqia e fjalëve dhe vështrimi i vogëlushes. U lutej zotave që ta kthenin Araknin në një fëmijë me dhunti të zakonshme e të parashikueshme. Oratoria qe punë për burra, Arakni nuk do të kishte nevojë në jetë për aq shumë zotësi e pjekuri mendimi. Me ç’u duk, zotat ia pranuan blatat në tempuj duke ia plotësuar mëmës lutjet, Arakni duke u rritur po lulëzonte si një fëmijë normal, gjerkur mësoi punët e dorës. Po zbulohej se Arakni kishte një talent të veçantë e të lindur për to.

Nëna u tremb sërish nga shkëlqimi i talentit të së bijës që ishte më shumë nga ç’duhej, ndaj lëvdata e saj qe përherë përgjysëm:

– Të lumtë dora, Arakni! E ke endur shumë më bukur se unë, por jo dhe aq të bukur sa ç’e endtte gjyshja jote.

Dhe nëna tirrte një histori të sajuar aty për aty, sesi puna e gjyshes qe e paarritshme për nga bukuria nga asnjë moshatare e saj.

Arakni nuk gjente qetësi gjersa të realizonte një kompozim të ri në pëlhurë dhe priste me ankth vlerësimin e së ëmës. Duke dashur t’i mësonte vajzës përulësinë mbi gjithçka tjetër, përgëzimi amnor ishte njësoj i mangët:

– Ke duar të arta, Arakni, e ke bërë kaq shumë të bukur, sa as unë, as nëna ime nuk do mundnim ta bënim! Vetëm stërgjyshja jote mund ta bënte, të përkryer. 

Kur vinte dita që Arakni kishte shpikur një endje të re, me qëndisje të paparë në faqe të dheut, nëna ia ngrinte stekën më lart:

– Këtë, po! As stërgjyshja jote nuk do ta bënte kaq të mrekullueshme, Arakni! Talentin e ke në gjak! Por nëna e stërgjyshes që ishte Priftëreshë e lartë në tempull, me punëdoret e saj nuk guxonte të krahasohej asnjë grua e Sidonit të famshëm për avlëmëndet e arta. Thoshin se sekretet ia kishte mësuar vetë Perëndesha Athina, e kishte përzgjedhur nga gjithë gratë dhe vajzat e Sidonit. Kur u bë Priftëreshë e lartë në tempull Perëndesha Athina ia besoi gjithë diturinë sekrete të punëve të dorës.

Largohej Arakni pa folur, mendohej gjatë gjersa t’i shkrepëtinte një tjetër ide për ta hedhur në pëlhurat e endura një gjë që as emër nuk kishte ende, dhe që vetëm mbretëreshat guxonin ta vishnin ose të zbukuronin pallatet e tyre. Kurse nimfat dilnin nga ujërat e zbrisnin nga malet të sodisnin Araknin duke punuar. Vajza e kishte bërë tezgjahun, si një gjymtyrë të saj të pandarë.

Një ditë prej dite nëna u tremb më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër dhe i klithi:

– Ndalo këtu, Arakni! Ne jemi njerëz dhe duhet të sillemi, si njerëz të zakonshëm. Dija jonë, fuqia jonë për ta ushtruar atë dije është e kufizuar. Duhet të ruajmë përulësinë para zotave të Olimpit. Ti nuk je Perëndesha Athina! Dhe nuk ke pse të jesh. Talenti i madh që ke …

– Nënë, është çështje vetëvlerësimi. Nuk jam më e vogël dhe nuk më manipulon dot më. Gjithçka që unë mund të bëj, jam e bindur se edhe ti, edhe gjyshja, stërgjyshja e keni bërë po kaq të shkëlqyeshme.

– Përulësi, Arakni! Përulësi të thellë për dhuntitë që bujarisht na japin zotat! Ç’është kjo mendjeshkrepje e etur për lavdërime publike?! Nuk këmbehet gëzimi i thjeshtë kur sheh mrekullinë që del nga duart e tua me ekspozimin para syve të botës, gojët e liga do të të godasin duke tërhequr rrufe mbi fatin tend. Jo, më kot urimi i zemrave të nënave për bijtë e tyre është: U rritsh, u rritsh, por kurrë i pari në majë, mos mbërritsh!

– Do të sfidoj vetë Perëndeshën Athina në garë para gjithë qytetarëve lidianë, – i tha qetësisht Arakni.

Zemra e nënës u hidhërua, se ndjeu afrimin e vorbullës së fatit të shkruar, të cilës nuk i shpëton dot.

Nga të gjithë zotat e Olimpit, fisi i tyre i shpërndarë në Sidon e Lydia, qëkur nuk mbahej mend luste Perëndeshën e arsyes Athina. Dhe Hyjnesha qe mbrojtësja e grave. Burrat i çonte në luftë, por grave u bëri dhurata të vyera për të kompesuar mundimet e vetmisë dhe mbajtjes së shtëpisë, u dha mendjen e hollë, shkrimin e leximin, parandenjat profetike, sekretet për shëndet të mirë që fshiheshin edhe tek punët e dorës.

– Arakni, tërë duajt e punëve tona dhe thesareve mblidhen për të mbërritur në një destinacion qendror për hatër të zotave, jo për hatrin tonë.

Por edhe Athina Hyjnores iu ligështua zemra, kur dëgjoi fjalët e Araknit, vajzës së një fisi të lashtë që kishte të parë kultin e saj. U maskua si një plakë e drobitur, i zuri rrugën duke e lutur e kandisur të mos matej me Perëndeshën Athina, se e kishte të humbur davanë.

Arakni ia ktheu se nuk mundej, e konsideronte çështje nderi për vetëvlerësimin.

– Në punët e dorës, Perëndesha Athina nuk bën dot asgjë më shumë, që nuk e bëj dhe unë, moj gjyshe. Dhe për mua kjo nuk është aspak e vështirë. 

Ndjente kaq krenari të tepruar Arakni sa të matej me Perëndeshën Athina, sepse vajza pati shpikur e para kornizën e sixhades me lule e drethka që u kopjua shekujt e ardhshëm te kodikët e artë e të purpurt perandorakë, shpiku përdorimin e lirit në pëlhurat e veshjes, fortësia e të cilit bën që veshjet të jetojnë treqind vjet, shpiku rrjetën me dritare të vogla katrore për peshkatarët dhe endëset.

Por Arakni nuk e dinte, se një talent kaq i madh sa i saj, i jepet dhuratë një gruaje nga vetë Perëndesha Athina, njëherë në pesëqind vjet.

Erdhi dita e garës. Qytetarët u ndanë si zakonisht, në dy skuadra tifozësh.

Para se të fillonte endjen e sixhades në avlëmendin e saj para tërë lidianëve, Perëndesha Athina e luti për herë të fundit Araknin që të tërhiqej nga ajo garë pakuptim. I riu – si veriu, ndaj perëndesha dëshironte ta falte, i kishte dashur dhe mbrojtur brez pas brezi gratë e fisit të saj, madje shpikjet e reja të vajzës Perëndesha Athina ia kishte dhuruar për të shpërblyer të gjitha paraardhëset e Araknit, besimtare dhe priftëresha të saj në tempuj.

Budallallëkun që e kishte pushtuar, Arakni kryeneçe e çoi der në fund duke mos pranuar.

Në kryeqytetin ku bashkohen dy kontinentet para qytetarëve të përfshirë nxehtësisht në parashikime e baste, Perëndesha Athina endi një sixhade me ngjyrat më marramendëse, të cilat tregonin madhështinë e patëdytë të zotave të Olimpit.

Arakni me të njëjtën shpejtësi si të superfuqisë së perëndeshës endi një sixhade ku tregonte grykësinë e tradhëtisë, lehtësinë e metamorfozave të tyre, shkeljet e gjithë principeve të nderit e besës që zotat e Olimpit kryenin në dëm të njerëzve. Sixhadja e Araknit kishte aq nyja, sa në një sixhade mëndafshi asnjë grua toke nuk do mundej të endtte. Aq nyja mund t’i realizonte vetëm Perëndesha Athina. Me një shpejtësi të pabesueshme sa nuk i dalloheshin duart, Arakni përplaste boshtet me shpatoret e vegjës, thurte fijet në rrjetë dhe maste me nga një çepirok e katër gishta, gjethe pas gjetheje e lule pas luleje në kornizën e sixhades së saj.

Nuk kishte pse ta frenonte më zemërimin, ndaj Perëndesha Athina çngjyrosi në sixhaden e Araknit ngjyrat e figurat e bukura poaq marramendëse sa të sajat.

Talenti i madh i Araknit u shndërrua në një teksturë pëlikësht, përmbi të cilën u shfaqën ngjyrat pocaqi të mendjemadhësisë, turpit, mospërmbushjes nga nënçmimi, pangopësisë së ideve, fajit, mosmirënjohjes për dhuratat e jetës, frikës nga gjykimi, panikut, frustrimit seksual, mëdyshjes së përjetshme, shtatë mëkateve vdekjeprurëse, vetërefuzimit, mungesës së plotë të respektit, të besimit dhe të dashurisë. Moria e ngërçeve të errëta emocionale, që tërheqin sëmundje dhe vdekje për njerëzit, lexoheshin tanimë qartësisht në sixhaden e Araknit.

Vajza pranoi pafuqinë e saj prej njeriu. U largua për ta përfunduar me vetëvarje humbjen, por hyjnesha mbrojtëse e fisit nuk lejoi që Arakni të zhdukej përgjithmonë, e hoqi nga litari i vdekjes duke e shndërruar në një krijesë të panjohur më parë: Merimangën.

E shndërruar në insektin e merimangës, Arakni do të endtte e do të thurte pandalim në shekuj rrjetën e saj të përsosur dhe të kotë.

U bënë disa ditë që programuesja e re e ekipit të informaticienëve pas një dite të zgjatur pune tek serverat qendrorë, punon gjer pas mesnate për riparimin e hakerimit të huaj mbi bazën e të dhënave të strukturuara të shtetit. Ka përqark katër laptopë në ekranet e të cilëve shfleton njëkohësisht me pëllëmbë tabela me shpejtësinë e pabesueshme që endëset mjeshtre rrahin shpatoret e avlëmëndit sa u humbet dukshmëria e lëvizjes, por jo kontrolli i figurave të pëlhurës.

Pas disa mijëravjeçarësh, formula e pezhishkës grackë të merimangës Arakni ka kapur njëherësh tërë popullsinë e botës në rrjetë për ta bërë të kuptojë në finale, se talentet e zotave, dija e të pavdekshmëve nuk sfidohet dot me talente njerëzish të zakonshëm.

Diku është cënuar siguria e superfuqisë së kontrollit nëpërmjet rrjetës së merimangës, e cila buron nga një qendër e vetme. Dhe kjo nuk është gjë e re.

Jo, rastësisht kodimet e shumëfishta në sistemet kompjuterike janë emëruar nga mitet e lashta.

– Mááma, sa mirë që nuk e ke idenë, se çfarë jam duke bërë!

– E marr me mend, por mos harro çfarë mësuam nga miti i Araknit. Vetëvlerësimi mbetet i vetëmjaftueshëm kur është pa zë, edhe për aq sa na gëzon kur kryejmë një punë të dobishme.

– Mááma, ju nuk do mërziteni, nëse ju them se nuk më pëlqen më kjo punë. Dua të merrem me ndonjë gjë të re, të provoj një tjetër profesion.

Nëna për pak shpërtheu: Po gjithë ato shkolla, moj çupë, do i hedhësh në lumë?! Por frenoi në çast.

Befas u gëzua:

– Joo, aspak. Në familjen tonë e kemi traditë të provojmë vazhdimisht punë të reja duke nisur nga e para, mjaft që të na frymëzojnë.

Njerëzimi e përdor dijen e dhënë brendapërbrenda spektrit njerëzor të frekuencave, ndaj një mjeshtërì mbetet sidoqoftë e fragmentuar. Se kur hapet sadopak perdja për të parë ç’ka përtej botës së njohur, kur ndryshimet vibruese në strukturat e materies mund të na çojnë në anën tjetër pas velit, mbetet veç malli i pashlyer për të thjeshtat e natyrës së botës tonë.

E, më shumë se për dhuntitë e frutit të ndaluar të dijes, ndoshta duhet të jemi falenderues më shumë për dijen që nuk na është zbuluar.

Shtator, 2024

Filed Under: LETERSI

TAHIR KOLGJINI (1903-1988), INTELEKTUAL I KOHËS SË VET *

April 23, 2025 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Deri më 1990 në historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste s’kishin vend figura të shquara të kohës si: Mehdi Frashëri (1872-1963), Mustafa Kruja (1887 – 1958), Ernest Koliqi(1901 – 1975), Tahir Kolgjini(1903 – 1988) e të tjerë. Edhe nëse përmenden, citohen si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit.

Me gjithë kthesën që u bë me demokratizimin në Shqipëri e më vonë në Kosovë, që na solli një historiografi më ndryshe, është dashur të presim shumë kohë që të njohim më ndryshe figurat e kohës si: Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Tahir Kolgjini e të tjerë, me botimin e veprave të tyre. Për shembull: M. Frashëri në fund të viteve ‘90, M. Kruja më 2014, T. Kolgjini më 2022). E kështu, tani me kompletin e T. Kolgjinit mund të njohim mirë formimin dhe aktivitetin e tij si intelektual.
Në bazë të këtij kompleti me shtatë vëllime (plus një vëllim me raportet e organeve të sigurimit për të) mund të themi se Tahir Kolgjini ishte intelektual i kohës së vet pasi ai si poet, gjuhëtar e historian, dëshmohet në nivel të kohës duke sjellë risi në çdo fushë. Për ta vlerësuar një intelektual nuk mjafton vetëm t’i lexojmë veprat e tij, por edhe korrespondencën e tij me figurat e kohës si dhe raportet e organeve të sigurimit të regjimit komunist. Për mua, mbi të gjitha është korrespondenca e tij me figurat e kohës (M. Kruja, E. Bej Vlora, Xh.Deva, Lec Shllaku e të tjerë), e cila është pjesë intime dhe e pasur e intelektualit në raport me figurat e kohës. 

Vërtetë, vëllimi i 7-të, që përfshin nja 530 faqe, ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell shumë risi pasi atje kishte hapësirë të shprehej më ndryshe, më lirë e më me guxim ndaj temave, ngjarjeve e figurave të kohës. Gati dy të tretat e këtij vëllimi përfshijnë korrespondencën e tij me politikanin dhe intelektualin e kohës Mustafa Kruja (1887-1958), i cili veç me botimin e veprave të tij (Tiranë, 2014) u pa se çfarë intelektuali ishte. Në këtë korrespondencë shihej niveli i tyre, ngase secili fliste disa gjuhë dhe merrej me disa disiplina shkencore, duke diskutuar tema të ndryshme. Gati një e treta e këtij vëllimi përmban korrespondencën e tyre në gjuhën osmane, që del tani për herë të parë në gjuhën shqipe me përshtatje profesionale. Në këtë vëllim shihet interesimi i vazhdueshëm i Tahir Kolgjinit për Kosovën e për gjendjen e shqiptarëve pas vitit 1945.

Sa për formimin intelektual të T. Kolgjinit (i lindur më 1903 në Lusën e Lumës) vlen të përmendet se ai (pasi e kreu shkollën fillore në vendlindje) kaloi me familje më 1913 në Stamboll, ku mbeti për ta vazhduar shkollimin dhe për të kaluar në Medresenë e Lartë (Dar al-Hilafa al-Alija) gjatë 1915-1924. Kjo medrese dallohej me program të pasur gjuhësor (turqisht, arabisht e persisht), disiplina të ndryshme fetare, historike e juridike. Kështu me diplomë të kësaj medreseje u punësua gjatë viteve 1924-1928 dhe kaloi më vonë në shërbimin civil të shtetit në gjykata të ndryshme.

Vitet ‘30 ishin për politikë pasi më 1933 mori pjesë në zgjedhjet për një vend në parlament, por u pengua nga pushteti. Si pasojë, ai mori pjesë në formimin e një partie opozitare në një vend që nuk e njeh pluralizmin politik, ndaj u arrestua dhe u internua. Me formimin e “Shqipërisë etnike” më 1941, Kolgjini paraqitet fuqimisht prefekt i Prizrenit dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943, kurse më 1944 bëhet prefekt i Shkodrës, ku mbeti atje deri në nëntor të vitit 1944, kur u largua me kapedanin e Mirditës, Gjon Mark Gjoni, për në Vjenë e më pas në Itali si refugjat politik deri më 1948.

Nga Italia kaloi në Turqi më 1948 e mbeti atje deri në vdekje më 1988. Ndonëse atëherë kushtet ishin shumë të vështira për jetë e për punë në Turqi, T. Kolgjini u angazhua maksimalisht në 40 vjet të fundit (1948-1988) për kauzën kombëtare me aktivitete të ndryshme dhe angazhimin e tij të madh me revistën “Shejzat” që e nxirrte në Romë Ernest Koliqi, si dhe me botimin e veprave kryesore në poezi, gjuhësi dhe histori.

Në bazë të këtij kompleti me shtatë vëllime (plus një vëllim me raportet e organeve të sigurimit për të) mund të themi se Tahir Kolgjini ishte intelektual i kohës së vet pasi ai si poet, gjuhëtar e historian, dëshmohet në nivel të kohës duke sjellë risi në çdo fushë
 

Në jetën e tij si intelektual mund t’i veçojmë disa segmente kryesore.

Në vitet ‘20 të shekullit XX ai u kthye në Shqipëri më një kulturë të gjerë fetare-juridike pasi u formua komuniteti mysliman shqiptar në Tiranë më 1923, duke kontribuuar me atë kulturë në konceptim kombëtar të fesë në shtetin laik. Në këtë drejtim, do të veçohet me kontributin e organizimit të Kongresit Mysliman Shqiptar në Prizren më 1941 në bashkëpunim me Hafiz Ali Telakun, pasi që shqiptarët u bënë bashkë në një shtet. Në lidhje me këtë kongres ai shpreh Mustafa Krujës në një letër, motivin dhe konceptin e dëshiruar për shtetin kombëtar, duke shprehur besimin në laicizmin që e shpreh kështu: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë”. Kjo kishte rëndësi për klerikët myslimanë në Kosovë, të cilët ishin të mbyllur prej zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve 1920 – 1941.

Në vitet ‘40 u zhvilluan në mërgim (Itali, Egjipt, Turqi etj.) shumë aktivitete për krijimin e partive të reja si dhe për një komitet të përbashkët që përfaqëson partitë politike shqiptare. Në këtë kontekst, përveç Ballit Kombëtar dhe Legalitetit u paraqitën dy forca të reja me 1946: Blloku Kombëtar Independent në krye me Shefqet Vërlacin dhe Grupi Kosovar në krye me Xhafer Devën. Në saje të lidhjes me Kosovën, T. Kolgjini ishte pjesë e procesit të formimit të partisë Blloku Kombëtar Independet dhe u emërua përfaqësues i kësaj partie në kampin e refugjatëve në Itali (1946 – 1948), pasi kjo parti dallohej me Ballin Kombëtar, i cili u përqendrua më shumë në Shqipërinë e 1913-s.
Në vitet ’50, T. Kolgjini ndërmori një iniciativë më 1952 për themelimin e Shoqatës për Miqësi Shqiptare-Turke, kurse filloi më 1955 me botimin e shumë shkrimeve në turqisht për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. Në atë kohë, siç dëshmon korrespodenca e tij e pasur me figurat e kohës, se ai e përcillte aq mirë gjendjen në Kosovë para e pas 1955. Shkrimet e tij në turqishte kishin vlerën e vet për prezantimin e gjendjes së shqiptarëve në një kohë delikate. Nga ana tjetër, më 1957, T. Kolgjini – kur nisi të paraqitet vazhdimisht në revistën “Shejzat” që e botonte në Romë E. Koliqi – sillte tema origjinale në gjuhësi e histori.

Vitet ‘60 shënuan një ngritje në aktivitetin intelektual të T. Kolgjinit duke botuar libra me vlerë në gjuhën shqipe në Turqi, në gjuhësi e në histori. Në lidhje me gjuhësinë vlen të përmendet libri i tij “Shpalime rreth Lahutës” më 1969. Vërtetë, ajo që befason në kompletin e tij, është vëllimi i 7-të që përmban korrespondencën e tij me M. Krujën, ku diskutonin çështje gjuhësore që tregojnë njohjen e thellë dhe disa herë mospajtime rreth disa çështjeve. Në bazë të kësaj kulture të thellë gjuhësore ai shprehu rezervat e tij me rastin e Kongresit të Tiranës më 1972 për njësimin e gjuhës shqipe, për çka ai botoi më 1974 në revistën “Shejzat” punimin: “Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unisuar, dy dialektet kryesore dhe pikëpamja jonë”. Në këtë studim ai u shpreh kundër ngutjes në këtë proces me sakrifikimin e gegnishtes së pasur. Me fjalë të tjera, T. Kolgjini ishte i mendimit që shkrimtarët kosovarë të vazhdojnë të krijojnë poezi e prozë në gegnishte derisa të piqen kushtet e të harmonizohen dy dialektet.

Në vitet ‘70 do të shquhet si historian me botimin e librit “Esad pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” botuar më 1977. Ai kishte botuar më parë më 1968 librin e parë për rajonin që e njihte më se miri, “Një pjesë nga historia kombëtare: Luma dhe historia e saj” , kurse me këtë libër për Esat pashë Toptanin ai shtron një imazh tjetër fare në krahasim me historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste. Me fjalë të tjera, ky libër paraqiste një provokim të atij versioni të imponuar për figurat shqiptare, kurse më vonë (pas vitit 1990 e gjerë më tani) u paraqitën pikëpamje të ndryshme rreth kësaj figure, gjë që e hapi rrugën për ribotimin e këtij libri në Tiranë më 2003.

Në Kosovë, T. Kolgjini u njoh më ndryshe pas vitit 1945, pra gjatë regjimit komunist, ku imponohej vetëm një version edhe në enciklopedi e jo vetëm në kujtime e monografi. Për Kosovë ka mbetur për një kohë të gjatë figura e T. Kolgjinit siç u prezantua në ditarin e Fadil Hoxhës “Kur pranvera vonohet”, ku ai tregon më datën 13.4.1943 për dy mësues shqiptarë simpatizues për LNÇ-në që “treguan se si prefekti, Tahir Kolgjini, me atë demagogjinë e vet djallëzore, me dua e sure dhe me Kuran në dorë, i ka shtie burrat e Kosovës që të betohen se do të luftojnë kundër partizanëve”, ndaj ai e ka ngarkuar një mësues prej tyre me dy partizanë që ta vrasin T. Kolgjinin (fq.122-123). Por tani, me rastin e promovimit të kompletit të veprave të Tahir Kolgjinit me 12.04.2025, del Sanije Kolgjini, vajza e madhe e Tahirit, me një dëshmi të prekshme për vuajtjet e tyre duke treguar se si Fadil Hoxha e Xhavit Nimani erdhën te shtëpia e tyre në Prizren në nëntor 1944, duke e nxjerrë familjen prej shtëpisë e duke i marrë plaçkat e shtëpisë në një kamion, kurse ajo me familje u dërgua në Shqipëri ku hoqën të zinjtë e ullirit deri më 1990.

*Fragmente të lexuara në diskutimin për kompletin e veprave të Tahir Kolgjinit, të mbajtur më 12 prill në Qendrën Islame Shqiptare-Amerikane në qytetin Garfield të shtetit New Jersey, SHBA. 
 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT