
June 19-22 in Boston ![]()
![]()
6 features, 7 shorts, 4 documentaries and 5 animations from Albania, Kosova , North Macedonia ![]()
![]()
![]()
Stay tuned!
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

June 19-22 in Boston ![]()
![]()
6 features, 7 shorts, 4 documentaries and 5 animations from Albania, Kosova , North Macedonia ![]()
![]()
![]()
Stay tuned!
by s p
Besim NDREGJONI/
Lajmi i ndarjes nga jeta i shenjtërisë së tij Papa Françeskut ne të mbijetuarit e diktaturës komuniste ishte një lajm i kombëshëm dhe shum tronditës, se humbi Papa që deshi paqen dhe vlazërimin në mes popujve dhe Avokatin e padiskutushëm të mbrotjes së lirisë dhe dashurisë njerëzor.
Patëm fatin dhe privilegjin, që të ftoheshim në Vatikan direkt nga shenjtëria e tije Papa Francesku me rastin e 50 vjetorit të revoltës antikomuniste të Spaçit një përfaqësi e Unionit Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë të kryesuar nga pnjoll i një familje që kishte përballuar tre diktatura fashiste, naziste dhe diktaturën komuniste.
Kjo vizitë historike e përfaqësisë tonë konsakron rëndësinë e të kaluemes tonë tragjike, dhe synojn njëkohësisht , përkrahjen e Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarve antikomunistë, që përballuan terrorin psikologjik, fizik të diktaturës enveriste e cila gjatë gjithë sundimit të saj përdori në mënyrë ekstreme ideologjinë staliniste me reprezalje në shkatrimin e jetëve njerzore. të shoqërisë shqiptare me ringjall një Shqipëri me Zotin e për njeriun! Përfaqësia në Vatikan ishin dëshmitarët okular të epokës komuniste që jetuan, ata ishin shqiponjat e lirisë që në mes plumbave, torturave dhe terrorizmit sadist enverist, ngritën flamurin pa yll në revoltën
antikomuniste të Spaçit duke mbrojtur itenditentin kombëtar. Këta ishin dëshmitar okular të epokës komuniste në takimin historik me Papa Franceskun. Ne i treguam shenjtërisë së tij vuajtjen e pamerituar dhe forcën e karakterit me i qëndrue besnik vetes, tu përfshi edhe atë të jetës. Ne i përsëritëm Papa Franceskut , se në katastrofën komuniste, ka pasë një element që ka mbajtur nji qëndrim frymëzues për ne e për breznitë e ardhshme. Ky element ka qënë popullsia me besimin katolik dhe udhëheqësit e saj shpirtnor kleri katolik. Dhe emocionet e veçanta ishte kur i dorzova letrën e At Patër Mëshkallës këtij gjikandi fetar e atdhetar, në kohën që diktatura po shembte kisha e xhamia, ai kishte guximin me i shkruar Kryeministrit sadist kriminelit Mehmet Shehu sepse ju po e ktheni Shqipërinë, me tre besime fetare shekullore, në një vend atesit në rang botëror. Binomi “Fe e Atdhe”gjatë viteve të diktaturës së kuqe , u tregua fortesë e pathyeshme , dhe e papërkulshme! Kjo ishte e vërteta që ja përsëritëm shenjtërisë së tij që Shqipëria ishte një shtet burg ku akuzoheshin pa faj, arrestoheshin pa faj, torturoheshin pa faj, por ata i qëndruan besnik fesë që besonin dhe nuk e harruan asnjëherë Nanën Shqipëri. Para skuadrave të pushkatimit thirrshin Rroftë Shqipnia, Rroftë Krishti Mbret. Rroftë Papa
Vizita historike, bekimi dhe mbështetja e Shenjtërisë së juaj Papa Francesku për ne të mbijetuarit e diktaturës është këmbanë alearmi për ju politikan shqiptar që kërkoni përjetsimin e figurës së diktatorit.
Bekimi i Papa Franceskut me 25 tetor 2023 për kombin shqiptar është lumturia shpirtnore për demokracinë dhe paqen. Nuk ka paqe pa drejtsi, nuk mund të ketë drejtsi pa kërkuar t”falun, nuk mund të ketë falje pa të vërtetën.U PREHSHË NË PAQE O ATI I SHEJTË !
by s p



FTESË PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR
VATRA – 113 VJET NË SHËRBIM TË KOMBIT
Simpozium & Ndarja e Bursave për Studentët Shqiptarë
E shtunë, 26 Prill 2025 | Ora 11:30 AM – 3:00 PM
Katedralja Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji” – Boston
Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë,
Me rastin e 113-vjetorit të Federatës Panshqiptare VATRA, ju ftojmë të merrni pjesë në një aktivitet të veçantë, që i kushtohet historisë, trashëgimisë dhe të ardhmes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Programi i Ditës në foto ku përfshin:
• Simpozium nga 16 personalitete të shquara shqiptare në SHBA, nga fusha të ndryshme
• Diskutim mbi:
• Trashëgiminë dhe rolin historik të VATRËS
• Kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë
• Mbështetjen e brezit të ri përmes edukimit
• Sfidat dhe vizionin për të ardhmen
Gjatë aktivitetit do të ndahen 10 bursa prej $500 për studentë shqiptarë që studiojnë në Massachusetts — një hap konkret për të fuqizuar brezin e ri.
Afati I aplikimit deri më 23 Prill:
Studentë shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në SHBA, me origjinë nga:
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanoci.
(Kriteret e aplikimit i gjeni në foto)
Ejani të festojmë së bashku, të dëgjojmë rrëfime frymëzuese dhe të mbështesim të ardhmen e komunitetit tonë me krenari dhe përkushtim.
Hyrja është e lirë
Parkimi në rrugë është falas
Ju mirëpresim me respekt dhe dashuri shqiptare!
Për më shumë informacion dhe aplikim për bursat:
Email: vatraboston@gmail.com
by s p
Analizë gjeopolitike nga Rafael Floqi
I. Një kthesë e re strategjike: SHBA si forcë e vetme mbi botën
Në vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndjekin një rrugë të re gjeopolitike, që dallon qartë nga idealet e rendit liberal ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore. SHBA nuk po shkon thjesht drejt një izolacionizmi apo tërheqjeje, por drejt një forme të re të unipolarizmit – një rend botëror ku ajo do të vazhdojë të jetë fuqia dominuese, por jo më si prijëse e konsensusit global, por si aktore e vetme, që vepron sipas interesave të saj dhe jashtë kornizave të institucioneve të mëparshme ndërkombëtare.
Kjo qasje e re nuk nisi me Donald Trump-in, por u përshpejtua nën presidencën e tij. Megjithëse ai shpesh përshkruhej si devijim, politikat e tij – si tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare, tarifat ndaj aleatëve dhe përçmimi i institucioneve multilaterale – ishin simptoma të një kthese më të thellë. Kjo kthesë lidhet me forcimin e pozicionit strukturor të SHBA-së në ekonomi, ushtri dhe teknologji.
Në aspektin ekonomik, SHBA-ja ka përparësinë e një tregu të brendshëm të fuqishëm dhe relativisht të pavarur nga tregtia ndërkombëtare. Përdorimi global i dollarit amerikan i jep Uashingtonit një fuqi të jashtëzakonshme për të vendosur sanksione dhe për të ndikuar në rrjedhat financiare ndërkombëtare. Ndërkohë, SHBA është bërë eksportuesja më e madhe e energjisë dhe furnizuesi më i rëndësishëm i ushqimeve në botë – një aset strategjik në një botë që po përballet me paqëndrueshmëri të zinxhirëve të furnizimit dhe kriza mjedisore.
Në aspektin ushtarak, Shtetet e Bashkuara janë ende të vetmet që mund të zhvillojnë operacione të mëdha globale. Aleanca e NATO-s dhe prania e përhershme ushtarake në të gjithë botën, që përfshin më shumë se 70 shtete, e bëjnë Uashingtonin shtyllën e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare. Asnjë fuqi tjetër – as Kina dhe as Rusia – nuk mund të rivalizojnë në këtë aspekt.
II. Rendi liberal në krizë dhe rritja e forcave autokratike
Rendi liberal ndërkombëtar, i ndërtuar fillimisht për të shmangur një tjetër Luftë Botërore dhe më pas për të përballuar kërcënimin komunist gjatë Luftës së Ftohtë, doli triumfues në fund të shekullit XX. Por sot, ai është në krizë të thellë. Ai ishte një rend i bazuar në vlera të përbashkëta – demokraci, tregje të hapura, institucione multilaterale – të mbështetura nga forca ekonomike dhe ushtarake amerikane.
Problemi i këtij rendi nuk qëndron thjesht te braktisja nga SHBA, por edhe te mënyra si ai i integron rivalët. Përpjekja për ta përfshirë Kinën dhe Rusinë si “aktorë përgjegjës” brenda këtij rendi, çoi në fuqizimin e tyre ekonomik e teknologjik, gjë që më pas u përdor për të sfiduar vetë rendin që i mundësoi ngritjen. Rusia ka përdorur pasuritë e saj natyrore dhe mjetet hibride – nga sulmet kibernetike deri te ndërhyrjet zgjedhore – për të minuar demokracitë perëndimore. Kina ka ndërtuar një sistem autoritar dixhital dhe ka filluar të eksportojë këtë model përmes teknologjisë 5G, inteligjencës artificiale dhe platformave të propagandës.
Ndërkohë, aleatët tradicionalë të SHBA-së kanë dobësuar fuqinë e tyre relative. Evropa Perëndimore dhe Japonia kanë ulur shpenzimet për mbrojtje, ndërsa janë bërë gjithnjë e më të varura nga Kina për eksportet dhe energjinë. Mospërputhja mes varësisë së tyre ndaj sigurisë amerikane dhe politikave të tyre të buta ndaj autokracive i ka bërë këta aleatë më pak të besueshëm.
Institucionet ndërkombëtare gjithashtu kanë humbur efektivitetin. Organizata Botërore e Tregtisë, Kombet e Bashkuara, madje edhe aleanca si G7, shpesh janë penguar nga vendimmarrja e ngadaltë ose nga influenca e shteteve autokratike që i përdorin këto platforma për të bllokuar reformat.
III. E ardhmja teknologjike dhe një rend i ri amerikan
Në horizont shfaqen dy forca transformuese që do ta përcaktojnë rendin e ardhshëm global: teknologjia dhe demografia. SHBA është më e përgatitur për të përfituar nga këto zhvillime sesa rivalët e saj. Me një popullsi më të re dhe rritje të qëndrueshme, Shtetet e Bashkuara do të kenë avantazh demografik kundrejt Evropës, Kinës dhe Rusisë, që po plaken me shpejtësi. Ndërkohë, automatizimi, prodhimi i decentralizuar dhe teknologjitë e energjisë do ta bëjnë SHBA-në më pak të varur nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe më të aftë për të vepruar në mënyrë të pavarur.
Kjo vetëmjaftueshmëri strukturore do t’i japë SHBA-së mundësinë të ndërtojë një sistem të ri, ku ajo nuk e ndan barrën me aleatët dhe nuk kërkon më konsensus ndërkombëtar. Ky rend i ri mund të jetë më i ngushtë, më selektiv, më transaksional – ku SHBA zgjedh partnerët sipas interesit strategjik dhe jo sipas përkatësisë ideologjike apo përkushtimit institucional.
Kjo strategji mund të jetë më efikase në ndalimin e kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe të tjerët, por mbetet e rrezikshme: e vetme, SHBA rrezikon të tejzgjatet dhe të humbasë legjitimitetin moral që e ka ndihmuar të udhëheqë botën për dekada. Nëse e braktis rendin liberal pa ndërtuar një alternativë të qëndrueshme, ajo mund të përballët me një botë më të fragmentuar, më të dhunshme dhe më pak të qëndrueshme.
Si përfundim, SHBA ka hyrë në një fazë të re të historisë së saj ndërkombëtare, ku nuk ka më një rival të barabartë, por as nuk ka më një rend të qëndrueshëm që ta mbështesë. Pyetja thelbësore nuk është nëse SHBA do të udhëheqë, por si do të udhëheqë: si kampione e rendit liberal apo si superfuqi e vetme që vepron sipas interesit të saj?
“Një superfuqi që vepron vetëm, mund të fitojë luftëra – por pa ide që bashkojnë, nuk ndërton dot paqe.”
Zgjedhja do të përcaktojë fatin e rendit global për dekadat që vijnë.
by s p

Kusht i domosdoshëm për një krijues që të përballet denjësisht me lexuesin, është qasja filozofike ndaj botës, dukurive dhe problemeve të saj. Naimi kishte një kulturë të gjerë si njohës dhe përdorues i disa gjuhëve të rajonit dhe të lindjes dhe brenda hapësirave dhe kornizave të kohës ka njohur nga studimet dhe ka pranuar disa prej filozofëve nga antikiteti e deri në epokën e vet.
Përmbledhja “Ëndërrimet” u botua në persisht “Tejahylat” dhe ndikimi i klasikëve persianë Saadiu dhe Hafizi është i natyrshëm. “Lulet e verës” ishte një rritje ideoartistike që me gjuhën e vet prej bilbili dhe me përkushtimin atdhetar meritoi të quhet apostull i shqiptarizmës.
Kulti i të kaluarës
Formimi i vetëdijes kombëtare dhe i ndjenjës liridashëse, i krenarisë për të kaluarën e lavdishme, njohja e virtytit dhe qenies kombëtare, është synimi i madh i Naimit si apostull i shqiptarizmës. Kur futet në këtë lëmë, në poezi ndjehen sakaq shprehjet patetike që madhërojnë ndjenjën liridashëse. Më shumë se kudo kjo është mishëruar në poezinë “Gjuha jonë” dhe poemthin “Varfërija” ku referenca për të kaluarën historike që ka qenë e ndritur dhe na bën krenarë:
“Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipërija,
…Ajo ish koh’ e zjarrtë.” (f.110-111)
“Trima shumë të ndjerë,
…Kombi yn’ i ka nxjerrë.” (f.142)
Trimëria e burrave shqiptarë, nga qëndresa jonë para një armiku shumë herë më të madh, kthehet në apoteozë të nderit e krenarisë, apoteozë e lirisë dhe pavarësisë. Revokimi i së kaluarës bëhet në funksion të së tashmes duke formuluar qartë programin politik të rilindjes:
“Sa jemi shqipëtarë
Kemi gjithë një besë.”
Interesante është që Naimi para himnit të Asdrenit guxon e sulmon tradhëtarët:
“Buk’ e Mëmëdheut i zëntë
Tradhëtorët e pabesë.” (f.125)
Komponent i programit të Rilindjes ishte arsimi dhe lëvrimi i gjuhës shqipe si element themelor i identitetit kombëtar:
“Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombin ta ndritojmë…
Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!…
Ç’e bukur edh’ e lirë,
Si gjuhë Perëndije!” (f.111)
Panteizmi
Që te poezia e parë e vëllimit “Jeta” poeti bën deklarimin e parë religjioz dhe do ta rimarrë atë jo vetëm brenda këtij vëllimi, por edhe në veprat e tjera me konseguencë.
“…ngado që këthenj sytë
Shoh atje Zotn’ e vërtetë
Q’është një e s’ka të dytë.” (f.76)
Ky njësim teologjik do të shërbejë si pikëmbështetje e fortë për të hedhur më pas idenë e bashkimit mes shqiptarëve. Siç shkruan Prof. Rexhep Qosja në parathënien e këtij vëllimi: “Zoti i duhet poetit vetëm e vetëm që të predikojë unitetin e bashkëvendasve të tij.”
Duke qëndruar në rrafshin teologjik, Naimi priret nga metempsikoza, herë duke e shtruar si pyetje, herë duke e marrë si të vërtetë të gjithëpranuar.
“Të shumët u ndanë,
Po vallë, ku vanë?
Për jet’ u mërguan
Apo u ndyshuan?” (f.101)
Apo konceptimi në trajtën e riciklimit që ndodh në natyrë:
“Të linç për të vdekur prapë.
E të vdeç që prapë të linç.” (f.109)
Apo një mospranim të vdekjes:
“Gjë s’vdes, sepse gjithësija
Është gjithnjë e gjallë.” (f.118)
“Nuk humbet edhe nuk zhduket asnjë send.” (f.164)
Perceptimi i kohës
Fillon me një poezi që e cek kohën që në titull dhe vjen si psherëtimë:
“Moj kohëz’ e djalërisë
Sa me vrap ike e shkove.”(f.79)
“Na arriti pleqërija” (f.88)
Naimi atëherë ishte 44 vjeç, vështruar me syrin e sotëm, në kulmin e moshës, por sëmundja e hershme kishte sjellë pasojat e ndjeshme që do t’i ndeshim edhe në poezi të tjera. Po këtu kohën e quan gënjeshtare “që ndrohetë kurdoherë/ dhe s’ngjan me të parët fare.” Kjo ndjesi e pakëndshme, sipas poetit mund të përballet me lirshmërinë e jetës së bektashinjve:
“Jakëni, shokë, të rrimë
Rreth tryezës e të pimë.” (f.88)
Koncepti i bukurisë
Kategorinë estetike të së bukurës Naimi e sheh si prodhim të gatshëm natyror dhe jo si raport mes perceptimit me sy dhe njohjes njerëzore:
“Bukuri e Perëndisë ka dal e duket në jetë” (f.80)
Prej natyrës bukuria derdhet veçmas te femra. Sërish citimi i Prof. Qoses: “Femra e Naimit është fanitje e imagjinatës së stuhishme.”
Meqë portretizimi te poezia “Vasha nazemadhe dhe me të ecur të këndshëm” (f.203-204) ka shtrirje të gjerë, mund të listojmë vetëm pjesët e trupit që përfytyron poeti: sytë – yje, balli – hënë, goja, faqet, flokët – dritë qiejsh, fytyrë, cullufet, buzët – lule shege, shtati, nuri i ecjes, nazet.
Poeti bektashi
Naimi ka edhe fytyrën e një besimtari duke iu qasur mjeshtërisht pozicionimit të vet si bektashi. Së pari shenjti Abaz Ali paraqitet te poezia “Dit, e re” duke e identifikuar si ripërtëritje të motit: “Lint vera, lint ngrohtësija, lint Aliu vetë Zoti” (f.80), pastaj do të pasohet nga një poezi dedikuar atij me një rrëfim të përmasave legjendare “me dy-tri foshnja nër duar”, që “si engjëll i Perëndisë/nd’erë fluturon” teksa e godasin “shigjetat si breshërimë” dhe pas vrasjes së imam Hysejnit përfundon në malin e Tomorit, atje ku poeti e kishte përcaktuar si fron të Perëndisë. (f.92-94).
Përballja me vdekjen
Naimi ka një ndalesë të veçantë për qasjen ndaj vdekjes me poezinë “Të vdekuritë” (f.100), pasi që në moshë të re pati një shëndet të paqëndrueshëm. Por nuk është një ndalesë për veten, por në një plan human, për shokët që “për jet’ u mërguan” dhe “na lanë të shkretë.” Është një ndarje e papranueshme, prandaj “më vjen shumë herë/ sikundër do të vinë.” Mbyllja është trishtuese:
“I kemi mbuluar,
Ah në dhet të shkretë,
Njeriu në jetë
Lintka për të vuar.”
Ky ton pesimist do të përsëritet te poezia “Zemra e pikëlluar dhe e brengosur” (f.201): “Fundi ynë në asgjë do të jetë.”
Te poezia “Një lul’ e vishkurë, a një vashëz e vdekurë” (f.107) ka një shpërthim të drejtpërdrejtë: “O vdekje! ç’je një mynxyrë!”, kurse te poezia “Toka dhe njeriu” (f.189) ka një rikthim te metempsikoza: “Për njeriun vdekje kurrë s’do ketë.”