• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Patrioti Gjeto Çoku dhe kontributi në çështjen kombëtare

April 10, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Gjeto Çoku ishte një nga udhëheqësit luftarak më popullor, organizator kryesor i kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane të vitit 1912, të malësorëve në krahinën e Bregut të Matës të Qarkut Lezhë. Gjeto Çoku, ishte i biri i Cok Prekës, që kishte pesë djemë të tjerë, si: Tomën, Nikollën, Prekun, Markun dhe Gjergjin. Kurse Gjeto Çoku kishte vëlla Mashin dhe Dedën. Dedë Mashi, ka lindur në Nikç të Kelmendit, ndërsa të tjerët në Shën Koll në Breg të Matës.

Cok Preku, baba i Gjetos, ka ardhur nga krahina malore e Kelmendit, e përmendur për besë, trimëri, burrëri, mipëpritje dhe kryengritje të njëpanjshme me armë në dorë, kundër pushtuesve të ndryshëm, që janë përpjekur të nënshtrojnë Malësinë e Kelmendit të panënshtruar ndër shekuj. Vajzat fisnike të Gjeto Çokut ishin: Dila, Maruka, Terezja, Filja. Maruka, ka qenë murgeshë e Kishës katolike në një kuvend motrash në Zagreb të Kroacisë. Për patriotin trim dhe bujar Dedë Cokun dhe Mashin e Çokut, shkruan edhe “Poeti Kombëtar” At Gjergj Fishta (1870 – 1940) në kryevepren “Lahuta e Malcis”. Për sundimtarin e Lezhës Gjeto Çoku, flet revista “Përparimi” e vitit 1914 (f. 5 – 7), ku i kushtohet një artikull i veçantë prej 3 faqesh. Aty ekskluzitivisht trajtohet atdhetari Gjeto Coku si sundimtar në bajrakun e Nikshit. Nga dokumentet arkivore dhe shtypi i kohës thuhet se ai e drejtoi vendin me drejtësi, paqe dhe tolerancë.
Gjeto, ishte një familje me tradita të hershme atdhetare dhe krishterë i devotshëm në udhën e Zotit. Patrioti i zjarrtë ruajti lidhje të ngushta me Kishën katolike dhe kishte shumë miq të shtëpisë priftërinj dhe ipeshkëvij të kohës, duke mbetur (deri sa ra dëshmor nga dora trathtare) një burrë trim, i nderuar dhe respektuar dhe i dashur për të gjithë.

Ndër të tjera shkruhet: “Nder Shqyptarë qi ma fort se t’tanë u perkujdesne per miradijet t’komit e s’ditne me kursye kurr farë mundimit, por u munduene sa ku mujtne me e pshtue Shqypnin prej thojve t’pangiishem t’ Mbretniis s’ Turkut, e nder sa e sa Shqyptarë tjerë, qi shkrine mallë e gja per Shqypni, i dejë m’u njoftun e m’u permendë asht Z. Çoku. Ah! Per t’ saktë burrnia e atdhedashtnia e ktij shquptarit nuk do t’qitet n’harresë, per se i cilli atdhetarë do t’rreket me e ndjekun e me ecë mas gjurmve t tia. Gjeto Çoku, ishte i Bajrakut t’Nikshit. T’ lemit e pat prej nji babet e nanet qi shkojshin jeten si i perket nji t’krishtenit t’mirë, e prej ktyne xuni hem me i sherbye Zotit, hem me punue e me e dashtë atdhen si duhet e si ka hije nji atdhetarit t’vertetë.” (f. 5)

Vargu i burrave, që kanë qenë garant të insitucioneve të Kanunit në Malësi të Veriut dhe zonat fushore, ku këto malësorë, për arsye të kushteve ekonomike u vendos në qendrat e reja të banimit, është i pafund. Në çdo vllazni e katund, ka pasur shumë burra të tillë, që ishin krenaria e trojeve shqiptare edhe për kryengritje të njëpanjshme, kundër ushtrive pushtuese turke e shovinistëve serbomalaziase. Besa e lidhur për nder e flamur, në këto troje trimash, kishte një rëndësi të dorës së parë. Atë e vinin në lëvizje malësorët sypatrembur si Gjeto Çoku me shokë, sepse në luftë ai ishte shumë i zoti, për t’i bashkuar të gjithë trimat në një qëllim të përbashkët atdhedashës.

Ai me armë në dorë, mori pjesë në mbledhjen e organizuar në Zejmen më 11 Maj të vitit 1912, me përfaqësues nga krahinat e tjera fqinje, si: Mirdita, Malësia e Lezhës, Kthella etj. Ai ishte ndër të parët, që këmbnguli të zbatohen deri në fund të gjithë vendimet historike, që do të merren nga të gjithë shqiptarët e tubuar atë ditë. Kësisoj që nga ajo ditë, Gjeto Çoku, u bë një nga patriotët më të vendosur të luftës për liri e pavarësi të popullit shqiptar, që prej 50 dekada qëndronte i robëruar nga kthetrat e ushtrisë mizore koloniale turke.

Historia e Gjeto Çokut, përmes dokumenteve historike të Arkivit të Austrisë

Duke shfletuar disa dokumenta, që janë marrë nga Arkivi i Vienës (Austri), që disponohen në Insitutin e Historisë në Tiranë, shohim se Dokumenti #10, Dosja #20, ka të shkruar detajet interesante, se: “Ambasadori Zambaur në Shkodër, njofton Vjenën, më 11 Maj 1910, se më tha Gjeto Coku, se “rebelët” po e mendojnë seriozisht punën me u shkëput nga Turqiq….” dhe më poshtë njoftonte ai “e porosita, që të përdor influencën e tij, që as shokët e fisnit, as malsorët e tjerë mos të hidhen kundër Qeverisë.”

Ndërsa Vjena, i shkruante ambasadorit të ri në Shkodër Zambaur-it, më 14 Shkurt 1911: “Një i fortë: Prek Gjeto Coku nga fisi i Kelmendit, i cili kishte marrë pjesë në emigracionin e malësorëve të vitit të kaluar për në Mal të Zi, ka disa kohë që ndodhet në Monarki dhe nëpërmjet të tjerëve ka pasur korelacione… me Dr. Fran Baron Nopçen… na është drejtuar dhe ka kërkuar, që të lejohet kthimi përsëri në atdhe, duke ndërmarrë pranë qeverisë turke hapa që do t’i duken të përshtatshme… mbasiinformatat e pakta që disponohen për lutësin nuk janë aq të favotshme edhe se dyshimi nuk mund të hiqet, se kthimi i tij për në Vilajetin e Shkodrës, ai mund t’a përdorë për qëllime të agjitacionit.”

Një këngë popullore, që këndohet me lahutë dhe çifteli brez mbas brexi, e ka përjetësuar kështu figurën e Gjeto Cokut, me trimat e tij besnikë në mbrotje të trojeve të vatanit:

Në çdo mbledhje kanë ngritur zanin
Me çdo kusht me mbrojt vatanin
Si në luftë kundra Turqisë
Në prag të Shpalljes së Pamvarësisë.

Qenë malësorët sokola malit
Në fshat Shenkollit në Breg të Zallit
Që ja vunë pushkën nizamit
Shumë ushtarë ja vranë Sulltanit.

Në krye të luftës së Pamvarsisë
Gjeto Cokun kishin prijës
Lëgjandar bashkë me malësorë
Ngreu flamurin vetë më dorë.

Disa trima lufta i mori
Me pushkë në dorë në mbrojtje këtij troi
Pjetër Bici, Gjergj Nikolla
Llesh Nik Dake, Pjetër Sokola,
Tuj luftua kundra Turqisë
Ranë si trima të Pamvarsisë.

Më 4 Shtator 1913, nga Durrësi njoftohej Viena, se “Katolikët e Bizës e të rethit të saj, nuk duan që të njohin qeverinë provizore të Durrësit. Ata duan që t’i nënshtrohen vetëm shefit të malësorëve katolik të Bregut të Matit Gjeto Çokut…”

Në Tetor të vitit 1912, Esat Pash Toptani, mblodhi Redifet e Krujës dhe Tiranës, gjithsej rreth 10.000 vetë. Ai u nis për të shtyp kryengritjen nga Mati deri në Malësinë e Madhe. Bregamatësit, i vunë pritën në Kodrat e Pllanës dhe nuk i lëshuan rrugën për 3 ditë. Vetëm pas luftimeve të ashpra, Esat Pash Toptani, mund të kalonte, duke kallur gjithë Bregun e Matës, ndër to edhe shtëpinë e Priftit (Çelën). Ai dogji gjithsej 100 shtëpi.

Të besëlidhurit e Bregut të Matës edhe mbas 12 tetorit 1912, kur Lufta Ballkanike kanoste copëtimin e Shqipërisë, luftëtarët shqiptarë u ngritën me armë në dorë, rrethuan garnizonin turk në Pllanë, ku ndodhej një batalion dhe e detyruan të dorëzohej dhe mbasi e çarmatosen e lanë të lirë të largohej.

Asnjëherë shqiptarët e për më tepër malësorët nuk e kanë patur traditë që të vrasin në nore (në besë) robët e luftës. Këtë përjashtim do ta bëj vetëm regjimi komunist në Shqipëri, që do të instalohet dhunshëm në periudhën e zezë të historisë së popullit martir shqiptar prej viteve (28 nëntor) 1990 deri më (13 dhjetor) 1990.

Më 14 Nëntor 1912, trupat e ushtrisë së kryemonarkut malazias, pushtuan Shën Gjinin dhe pak ditë më vonë, trupat serbe të Krajlit pushtuan Lezhën. Kryengritësit gregamtas, bashkë me krahinat e tjera të Lezhës, krijuan Qeverinë e Lezhës me kryetar udhëheqësin e kryengritjës së Bregut të Matës patriotin kreshnik Gjeto Çokun.

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Qeveria e Lezhës, me në krye Gjeto Çokun, u bashkuan menjëherë me Qeverinë e sapoformuar të drejtuar plaku i urtë i Vlorës historike, kryeministri i parë Ismail bej Qemali. Ai nuk pranoi propozimet e Esat Toptanit, për t’u shkëputur nga Qeveria e Ismail Bej Qemalit. Për këtë edhe e pagoi me jetën e vet më 7 Tetor 1913 në Lezhë.

Kryengritjet e drejtuar nga fatosi i lirisë nipi i Kelmendit Gjeto Çoku

Në dhjetëvjeçarin e parë të fillimit të shekullit XX, Lëvizja Kombëtare, lufta e gjithanshme e popullit shqiptar për liri e pavarësi mori një hov të madh. Kjo u pasua nga kryengritjet e njëpasnjëshme pararendëse të viteve 1909, 1910, 1911, që ishin preludi frymëzues për kryengritjet e reja, që do të vijnë në vitet në vijim.

Lëvizjet e fuqishme kundërturke, tronditën themelet e kalbura të Perandorisë Otomane, që kërkonte dorën e fundit për t’a rrëzuar përdhe, duke tronditur serizisht pushtetin e Xhonturqve të Rinj, që ndonëse me ambicie për pushtet, pretendime reformuese sipërfaqësore, ishin baza e Perandorisë së vjetës otomane.

Në këtë situatë të elektrizuar, me inisiativën e Gjeto Cokut, u organizuan kryengritje kundër garnizoneve turke. Beteja ishte e ashpër dhe e përgjakshme. Këto fitore të bujshme, ndezën flakën e kryengritjes dhe në krahina të tjera të trojeve etnike. Grupi i të besëlidhurve i udhëhequr nga Gjeto Coku, Zef Harapi etj., goditi forcat armike në Mirditë, në Bregun e Matit dhe garnizonin ushtarak në Lezhë, duke intensifikuar edhe më shumë veprimet ushtarake me armë në dorë. Madje shumë patriotë të mërguar, po ktheheshin nga vendet e huaja, për të marrë pjesë drejtpërdrejtë në luftrat kryengritëse, kundër pushtuesve kolonialë turq e çlirimin e Shqipërisë.

Megjithatë duhet thënë, se kryengritjet zinxhir, që plasën në disa shtet të Ballkanit dhe më sëshumti në trojet etnike shqiptare, ushtritë turke përdorën forcën më të madhe për shtypjen e tyre me një egërsi e tërbim të pashembullt. Kjo nuk e uli tempin e revoltave me armë në dorë, por bëri që shtetet dhe popujt nën robëri të jenë përherë në ballë të përleshjeve vendimtare për liri e pavarësi nga suaza e Perandorisë Otomane.
Kësisoj, qëndresa me tytën e pushkës dhe luftrat e njëpasnjëshme të popullit shqiptar, po merrte një fizionomi të plotë dhe frymarrje më të gjërë, falë angazhimit në rritje të forcave përparimtare, që aspironin prej shekujsh mëvetësinë kombëtare, sociale, kulturore, gjuhën amtare, shkrimin shqip, historinë, traditat, doket dhe ruajtjen e vlerave të paçmuara të identitetit kombëtar të trashëguar brez mbas brezi në tokat e veta ilire.

Atdheu ynë, përmes bijve të dashur të saj, kishte filluar një rilindje e fryumarrje. Koha kishte thirrë në skenën historike amtare, zgjimin për liri dhe të drejta shoqërore, kthimin tek historia e pararendësve ilirë arbërorë të epokës së Gjergj Kastriotit.
Të gjithë shqiptarët, e privilegjuar në parlamentin, qeverinë dhe dikasteret e tjera të Perandorisë Turke treguan një zell, duke justifikuar shprehjen popullore, se “qeni leh aty ku han bukë”, duke dërguar taborre të panumërta drejt tokave të të parëve të tyre, për t’i treguar pushtetit të perandorëve turq, se ne jemi besnik të dhuratave dhe xhevahireve verbuese, që ajo u ofroj një herë e një kohë princëve arbërorë, që nga koha e Gjergj Kastriotit.

Por kishte edhe nga ato filoturk, që pas një pendese të gjatë, u rikthyen në tokat shqiptare dhe jetën politike të vendit, për të larë mëkatin e shumë viteve më parë në shërbim të Perandorisë Turke. Nga ana e tjetër, në kampin e Perandorisë Otomane, lëvizjet kundër xhonturqve të rinj disa herë ishin bërë shumë shqetësuese për krerët drejtues, që e njihnin mentalitetin dhe dëshirën e zjarrtë e vendit të shqiponjave, për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Për më tepër, këtë gjë e dinin edhe 45 ish guvernatorë, që ishin me origjinë shqiptare qysh nga periudha e Gjergj Kastriotit. Ata herë mbas here kishin qenë në krye të Perandorisë Otomane, si governator e z/guvernator të saj. Ata gjithashtu e njihnin shumë mirë historinë e popullit të vet, por më shumë u pëlqente profesioni i mercenarit. Ato ndonëse i shërbenin verbërisht ose me ndërgjegje Perandorisë Otomane (në saj të privilegjeve, që u ofroi si dhuratë verbuese), nuk arritën të mposhtin gjakun e pastër ilir.
I tillë është rasti i Ismail Bej Qemalit, që mbasi kishte shërbyer për shumë vite në Parlamentin turk, kthehet në vendin e origjinës së të parëve të tij. Diplomati i karrierës, duke gjetur edhe zemërimin e madh të popullit e Rilindasve shqiptarë, fillon organizimin e kryengritjeve, duke e kurorëzuar me sukses rezistencën kundërturke, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe ngritjen madhështore të Flamurit në Vlorën historike…
Një rrezik tjetër asokohe i kanosej kombit tonë. Shetet monarkiste shoviniste fqinje, në aleanca të fshehta, me synimin për të larguar influencën e Perandorisë Otomane në Ballkan, pretendonin të ndanin trojet shqiptare mes vedit, a thua se Shqipëria ishte një plaçkë tregu apo copë torte që kapërdihej lehtë.

Lufta me armë në dorë, e drejtuar nga fatosat e lirisë në Veri dhe Jug të Shqipërisë, kudo ku flitet gjuha shqipe, e drejtuan tehun e lëvizjeve në dy drejtime: sëpari, kundër pushtuesve të Portës së Lartë Otomane, që kishte shkatërruar në mënyrë sistematike gjithçka shqiptare dhe kishte bërë që një pjesë e shqiptarëve të flisnin e shkruanin gjuhën e pushtuesit e t’i shërbenin atij, për të shtypur vëllezërit shqiptarë (për të marrë lavde dhe poste nga Perandoria Turke) dhe së dyti, kundër pretendimeve shoviniste të morkive fqinje, që mbroheshin në synimet e tyre nga vetë Fuqitë e Mëdha të Europës, që nxisnin dhe përkrahin në rrugë diplomatike synimet e fqinjëve grabiqarë.
Në situatën tepër të rrezikshme dhe të vështira për fatet e kombit, Grupi i Deputetëve Shqiptarë në Stamboll, i kërkoi Qeverisë së Xhonturqve të Rinj, që t’i njehte menjëherë popullit shqiptar të drejtën kombëtare për vetëvendosje. Xhonturqit, të tërbuar nga kërkesat e deputetëve shqiptarë, i hodhën poshtë pretendimet e tyre njëzëri, duke rritur masat e shtypjes dhe represionit ndaj elementëve të rrezikshëm për vijimin e sundit të tyre në Shqipëri.

Në kushtet pa udhëzgjidhje, popullit dhe trimave atdhetarë, që mbështeteshin në lëvizjet e tyre liridashëse nga shtresat e popullit, nuk i mbetej gjë tjetër, veçse t’i fitonin këto të drejta të njeriut dhe të një kombit që nuk kishte asgjë me kolonët turq, që t’i rifitonte me luftë dhe gjak të pastër arbëror. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, një grup të vonuar patriotësh shqiptarë, u mblodhën në Stamboll, në udhëheqjen e Ismail Bej Qemalit. E gjithë kjo tashmë kishte ndodhur kur Perandoria Otomane ihste buzë greminës, falë grindjeve për pushtet përmes vrasjeve që kishin plasur në klanet e dinnastisë së pushtetarëve të lartë. Megjithatë, ujku turk edhe pse i plagosur rëndë me vdekje ishte tepër i rrezikshëm.

Në mbledhje u vendos, që në vendin e shqiponjave të rifillonin kryengritjet e njëpasnjëshme, duke rikujtuar, ndonëse me vonë, peridhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit. Për organizmin e kryengritjeve me armë në dorë në Veri të Shqipërisë dhe pjesën e Mesme të saj, do të vepronte patrioti liberator Luigj Gurakuqi dhe në Kosovë Hasan Prishtina, ndërsa në Shqipërinë e Jugut, ishte caktuar ish – deputeti në Parlamentin Turk Ismail bej Qemali, i mbështetur nga Rilindasit e tjerë.
Ngjarjet historike, që paraprijnë shpërthimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, lidhen ngushtësisht me luftën e ndezur politike dhe përpjekjet e para më armë, që u zhvilluan gjatë fushatës së zgjedhjeve për deputetë.
Xhonturqit e kishin shpërndarë Parlamentin, me qëllim që të jepnin një goditje shkatërrimtare opozitës që kundërshtonte gjithnjë synimet e tyre. Në grupin e deputetëve në Parlamentin Turk, bënte pjesë edhe Grupi i Deputetëve Shqiptarë. Ata qysh në fillim i ishin bashkuar forcave reformatore në Turqi, që kërkon, përmes programit të tyre të detajuar politik “Liri dhe Marrëveshje”.

Duke parë aktivitetin e madh politik, që luante forca patriotike shqiptare, të drejtuar nga Ismail bej Qemali, Bajo Topulli, Hasan Prishtina etj., në Parlamentin e Përandorisë Turke, Xhonturqite Rinj të Stambollit, synonin që këto deputetë shqiptarë të mos fitonin një mandat tjetër në Parlamentin turk, sepse kishin dalë nga synimet e Xhonturqve si “bukëshkalë të Perandorisë”.

Për t’a ishte më e mirë të zgjidheshin deputetë kukull, që mund të vepronin sipas porosisë së Xhonturqve të Rinj, duke i përdorur si vegël qorre në synimet e tyre shtypëse dhe zgjatjen sa të jetë e mundur të pushtetit të tyre kolonial në Shqipëri. Por koha e tyre kishte perenduar, bashkë me tjetërsimin e ndërtesës prej rëre të Perandorisë, që ishte mbuluar nga korrupsioni, rryshfeti, nepotizmi, intriga, mashtrimi, kulti i madhështisë, degjenerimi moral dhe politik, brenda vetë Perandorisë, që me paterica kërkohej të mbahej gjallë nga “reformatorët” e rinj me emrin e çuditshëm Xhonturqit e Rinj.

Në ballë të kryengritjeve të njëpasnjëshme
Atdhetari i flaktë Gjeto Çoku, drejtoi shumë aksione luftarake të kryengritësve në krahinën e tij, duke qenë një shembull konkret i vetëmohimit të binomit jetë a vdekje. Kryeprijësi luftarak me mbështetësit e tij patriotë nga krahina e Bregut të Matës, organizuan me sukses sulmin luftarak kundër garnizoneve të taboreve turke të stacionuar asokohe në Lezhë, që në histori ka mbetur e gdhendur data 29 maj e vitit 1912.

E paharruar, mbetët edhe beteja e përgjakshme e organizuar në në vendin e quajtur Kodrat e Pllanës dhe Trapin e Gurëzit më 22 qershor 1912, prishja e vijës telefonike të komunikimit midis trupave pushtuese osmane më 5 korrik të vitit 1912.

Një muaj me vonë Gjeto Coku, do të gjendet shumë kilometra larg vendlindjes së tij. Ai ishte vendosur për disa ditë në qytetin e Durrësit, nga ku po përgatitej të realizonte planin e detajuar të sulmit kundër ushtarave turq, të stacionuar në disa qendra të qytetit. Falë aftësisë dhe përvojës, në luftën kundër ushtrisë turke, Gjeto Coku, sulmon në mënyrë të rrufeshme depot e armëve në Durrës, më 16 korrik të vitit 1912, mbasi kishte elemeinuar fizikisht rojet mbrojtëse të ushtrisë turke.

Këtu varrohet (plagoset) vëllai i Gjeto Çokut, Deda dhe Llesh Nikë Daka prej Kelmendit. Ata qëndruan si burrat në fronin e luftimit, duke mos u dorëzuar. Edhe të plagosur , ku plagët i pikonin gjak, ata shtinin me armë në dorë mbi armikun, deri sa shokët e tyre luftërarë vijnë dhe i marrin në krah dhe i dergojnë për mjekime në shtëpitë e tyre…

Ishte merita e patriotit të zjarrtë Gjeto Çoku, që në kështjellën legjendare dhe historike të Lezhës historike ngriti me plot nder dhe lavdi Flamurin e Lirisë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, atë Flamur Kuq e Zi, të larë ndër shekuj me gjak trimash shqiptarë. Kjo ngjarje e rëndësishme për qytetin e vogël të Lezhës vinte menjëherë disa ditë pas aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit shqiptar në Vlorën e Ismail Bej Qemalit më 28 nëntor 1912.

Ka qenë Ismail Qemali, admiruesi dhe miku i tij i afërt që e nxiti të lartësojë simbolin e shqiptarëve në Lezhë, duke i dhënë një shembull të mirë të gjithë patriotëve shqiptarë që e kishin mbështetur në luftrat kryengritëse të organizuar nga vetë Gjeto Coku në krahinën e tij dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë.
Fatosi i lirisë Gjeto Coku, me pathosin e pashquar për pavarësinë dhe prosperitetin e vendit të tij pranë familjes së vjetër të Europës përparimtare, bëri që ai shpesh të jetë kundërshtarë pikëpamjesh me disa krerë lokalistë, që kërkonin lirinë e vendit me kushtet që kishin vendosur xhonturqit (Qeveria e Turqve Rinj në Shqipëri), që dëshironin të zvarritej pavarësia e vendit të shqiponjave.

Gjeto Coku, asnjeherë nuk u pajtua me procesin e osmanizimit të detyruar, që do të thoshte thellim i metejshëm në hendekun e shkombëtarizimit të popullit tonë, nështrimin në të gjithë rrafshet e jetës së banorëve autoktonë, duke humbur të drejtën për të qenë shqiptar të lashtë pasues të denjë të të parëve tanë ilirë.
Gjithsesi duhet pohuar, se vendi ynë asokohe gjendej para një katastrofe ekonomike, sociale, kulturore dhe asgjesimi të ndërgjegjes kombëtare në mënyrë graduale dhe të studiuar mirë nga ana e kolonizatorëve të vjetër turq, kur vetë Perandoria Otomane ishte përfshirë nga tërmeti i shkatërrimit të plotë. Patriotët e vertëtë shqiptarë, me në krye Rilindasit diturakë, kishin vite që përmes medias së shkruar përpiqeshin të zgjonin nga gjumi letargjik ato pjesë energjike të popullsisë, që do t’i sillte më vonë shumë telashe Perandorisë së kalbur turke, e cila më vonë do të t’kurrej në strofkën e vet në Bosfor…

Ai e priti me armë në dorë pushtimin e Lezhës nga ushtritë serbe në nëntor të vitit 1913. Pas largimit të tyre nga Lezha, në gjysmën e dytë të muajit prill të vitit 1914, Gjeto Çoku, u vu menjëherë në krye të lëvizjeve reformatore të kohës. Kështu, ai ishte ndër të parët që u vu në krye të administratës që u ngrit në Krahinën e Matës dhe pranoi njëzëri kërkesën e Qeverisë së Vlorës për të bashkëpunuar me të. Ai u vra trathtisht në Lezhë nga agjentët e qeverisë serbe, të cilët me kokë kërkonin elemnimin e tij fizik, si një pengesë serioze për arritjen e synimeve të tyre shovinste ndaj tokave shqiptare në Veri të Shqipërisë.

Në lidhje me këtë vrasje shtypi përparimtar i kohës reagoi menjëherë nëpërmjet një sërë shkrimesh, ku vlerëson rolin e madh patriotik, që kishte luajtur patrioti i vendosur Gjeto Çoku, ku, ndër të tjera, analizohet situata politike në Lezhë dhe Skuraj. Popullsia vendase dhe vetë administratorët e Qeverisë së Qarkut të Lezhës, ishin shumë të idinjuar për vrasjen e atdhetarit me vizione të pastra përparimtare.
Gjeto Coku qe i krishtenë imirë, atdhetar i njimendët e burrë i drejtë e trim. Pa qenë vetë nevoja e kujt e pa sopatë e drapën kurrë n’e huejën, qe buka e të gjithë shekullit (buka e të gjithë shekullit – kuptimi: qe mikpritës; në shtëpi të tij hanin bukë njerëz të shumtë, shënimi i redaksisë së revistës “Hylli i Dritës”); e as iu shit, as iu leçit kujt a për me u pri a për me u çelë shteg ushtrive; por, konden (i kënaqur) në atë okë e copë, në të cilat e pati vu Zoti, qe nderi i fesë, nami i Atdheut e miku i të gjithë të mirëve. – Arsyeja, për të cilën që vra, nuk dihet. – Në mort të tij u mblodh panagjyr i madh. Ndërsa të tjerë të huej, qe P. Severin Lushaj, P. Rrok Vataj, Baron D. Nopça e Miss Durham. Me 12 tetor u tha Mesha e dritës për shpirt të tij. në atë Meshë, qe delegati i arqipeshkvit të Shkodrës, D. Ndre Mjedja, si edhe D. G. Kukula, D. P. Ungrej. P. Engjëll Paliqi tha Meshën e P. Severin Lushaj bani predkun (fjala fetare që mban prifti në meshë)…”(f. 29)

Vlerësime për veprimtari patriotike të Gjeto Cokut
Patriotët e vërtetë shqiptarë gjatë kohës kur kanë ndodhur ngjarjet janë vlerësuar me respekt të madh nga bashkëkohësit dhe shtypi periodik brenda dhe ai i mërgimtarëve jashtë trojeve etnike shqiptare. Një vlerësim të tillë, ka marrë herë pas here edhe trimi i Bregut të Matës Gjeto Coku.

Shtypi, revistat e përditshme dhe të përkohshmet e kohës, si: “Hylli i Dritës”, “Perparimi”, “L.E.K.A.”, etj., kanë shkruar për kryengritjet e malësorëve të Bregut të Matës dhe udhëheqësin e tyre atdhetar Gjeto Cokun. Edhe në shekullin e kaluar studiuesit e historisë, pavarësisht se në kohën e reegjimit komunist historiografia ishte e politizuar, figura e Gjeto Cokut, është trajtuar sëbashku me patriotët e tjerë të lëvizjeve antiturke me armë në dorë.

Për merita të padiskutueshme, të dokumentuar në arkivat shqiptare dhe të huaja, ish – Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, i ka dhënë me dekret #6660, Tiranë 17.11.1982, Gjeto Prek Cokut medaljen, “Për veprimtari patriotike”, në motivacionin e së cilës është shkruar: “Për ndihmesën e dhënë në Luftën për Çlirimin Kombëtar dhe për Mbrojtjen e Tërëisë së Tokave Shqiptare”.

Tashmë në panteonin e burrave të shquar të kombit shqiptar, një vend të merituar nderi dhe krenarie ka marrë edhe patrioti i flaktë i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë Gjeto Coku, nderimi për te është vlerësim, për të gjithë familjen dhe krahinën e tij të dashur së cilës iu përkushtua deri sa mbyllit sytë.
Sot nipat e mbesat e tij në Lezhës (Shqipëri) dhe diasporë krenohen, për birin e madh të Kelmendit, që u bë përherë pushkë e grehur për armikun turk e malazias dhe bujar e i dashur për mikun, në sofrën e madhe të zemrës së tij, të shtruar përherë me bukë, krypë e zemër.

Filed Under: Histori

JUL (GIULIO) VARIBOBA –  POETI  I PARË I MIRËFILLTË NË LETËRSINË SHQIPE

April 10, 2025 by s p

HASAN  GREMI/

 (Me rastin e 300 – vjetorit të lindjes)

Shqiptarët e kishin nisur rrugën e mërgimit drejt Italisë në grupe të vogla para vdekjes së Skënderbeut po, pas pas vdekjes së tij (në vitet 1468-79)  valët e mërgimit të shqiptarëve u dendësuan. Këtij vërshimi mërgimtarësh nga Shqipëria iu bashkuan edhe shqiptarët e Gadishullit të Moresë në Greqi. Mbreti i Napolit i vendosi shqiptarët në krahinat e varfëra të Italisë së Jugut, në djerrinat e Basilikatës, Molizes, Puljes, Kapitanatës e sidomos në Kalabri. Komuniteti i mërgimtarëve shqiptarë u përballë me kushte tepër të vështira ekonomike, pa ndihmë e përkrahje, po ruajtën gjuhën,  pasurinë e lashtë të jetës zakonore të të parëve. E quajtën veten “si të huaj në dhe të huaj”, prandaj jetuan të shkëputur nga popullsia vendase, po jetuan me tiparet e kombësisë së vet, ruajtën të pashlyera luftrat e stërgjyshërve dhe luftën heroike te Gjergj Kastriotit…                                                                                                                                            U hapën dy kolegje njeri në Kalabri dhe tjrtri në Sicili për të përgatitur klerikë për shërbesat kishtare në komunitetit arbëresh, që ndihmuan në gjallërimin e jetës letrare në këto ngulime me përkthime dhe përshtatje kishtare didaskalike nga latinishtja, italishtja dhe rrallë ndonjë poezi e shkurtër mistike origjinale. Janë të njohura përkthimet nga italishtja  i Lekë Matrëngës “E mbsuame e krishterë!”,  Nikollë Brankati që përshtati  këngë fetare, Nikollë Filja përmbledhjen me këngë popullore, “Këngëza të pleqrisë”, Nikollë Keta hartoi fjalorin “shqip – italisht” dhe disa autorëanonimë etj. Nuk  munguan edhe përpjekjet për të shkruar në gjuhën e të parëve të tyre.          

                                                                                                                                                              Ky gjallërim  i kulturës krijoi terren të përshtatshëm që letërsia e vjetër arbëreshe të hynte në hullinë e zanafillës së vet.  Një nga të parët që i dha zë litaleral poezisë shqipe  qe Jul (Giulio) Variboba. Jul Variboba lindi në Mbusat të Kozencës. në vitin 1725, studioi në seminarin e SH. Benedikut Ulanos ku ishte ndonjë vit edhe rektor i tij.. Më vonë shërbeu prift në vendlindje po pati mosmarrëveshje të mëdha me bashkëkombasit, se donte t’i kthente në katolikë, gjë që nuk ishte në interes të tyre. Qe i detyruar të largohej nga Kalabria,  përfundoi në Romë ku punoi si sekretar i një urdhëri fetar. Në këtë kohë botoi edhe poemën poetike,  (disa kritikë arbëreshë e kanë quajtur “Përmbledhje poetike” po studiuesja  K. Kodra e argumenton në llojin e poemës),  “Gjella e Shën Mërisë Virgjër!” në vitin 1762,  që është një urë kalimi nga letërsia e llojeve të shkurtëra në llojet e letërsisë më të  gjata. Variboba u mbështet në  Biblën që shërben si paratekst, ungjijtë   apokrifë dhe ligjëratat e ndryshme fetare që u përpunuan të gjitha nga autori  në mënyrë krijuese. Edhe ndikimi i poezisë popullore ka qenë relativisht i dukshëm.     

Në poemë figura qendrore  e Shën Mërisë është dhënë sipas përfytërimit kishtar tradicional, po shpesh ai e shkëput nga hierkaria fetare  duke i veshur asaj tipare njerëzore, e paraqet si një nënë të zakonshme që qan djalin që ia kanë vrarë dhe po e varrosin, tipsr që spikat thekshëm dhembjen e saj në vargjet “… Bir, si të vranthit?/  Mua, ku më lanthit?/  Si s’ të pan lipisi?/ (mëshirë)/ si s’ të ndihu mosnjeri?/ Me tij bir dua të shihem./ Në këtë varr dua të mbëllihem!…”                                                                                                                 Për ta bërë poezinë sa më shpirtërisht për lexuesin, poeti në fjalë krijon mjedise të ngjajshme me ato të fshatrave arbëreshë. Në vargjet e poemës ai fut edhe elementë të lirizmit arbëresh, përshkrime të disa zakoneve të tyre, emra të bashkëfshatarëve, toponime arbëreshe, mjete të gjuhës arbëreshe, figura artistike që burojnë nga folklori arbëresh.  Të gjitha këto jo vetëm i japin ngyrën e kohës, po ruajnë edhe identitetin arbëror të krijimit.                                                                              Si lirik i lindur, poeti shfaq thjeshtë e ngrohtë ndjenjat dhe qëndrimin e vet.                                                         Jul Variboba ka meritën që nxori në dritë të parën vepër artistike të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare që shenjoi rrugën e kalimit nga letërsia didaktike-fetare me vlera më tepër gjuhësore dhe historike, në atë te letërsia artistike që është edhe një urë kalimi  në letërsinë e Rilindjes.                                                                                                                                              Variboba u përket atyre autorëve që herë janë himnizuar dhe, herë të tjera nënvleftësuar apo sulmuar nga studiuesit. Shkenca sociologjike e gjysëm shekullit të diktaturës nuk e ka mohuar, siç ka bërë me të tjerë, po e ka quajtur fetar karakterin e veprës së tij si kufizim të rëndësishëm të mesazhit dhe, ndonëse ia ka pranuar vlerat estetike, nuk është ndalur shumë tek ato. Me veprën e Varibobës janë marrë shumë studiues shqiptarë, të diasporës dhe të huaj që kanë dhënë mendime nga më të ndryshmet.                                                                                                                                     Është e vërtetë që ekziston një studim monografik i shkurtër mbi këtë poet nga studiuesi arbëresh Xhuzepe Ferrari, po në të trajtohen vetem pak nga problemet që lidhen me autorin në fjalë dhe me veprën e tij dhe mungon një analizë e detajuar e formës së kësaj vepre.                                                                                                                                                                Po, tani së fundi studiuesit arbëreshë Profesor Italo Costante Fortino dhe Vincenco (Vincenzo) Belmonte që kanë pasur meritën e botimeve kritike (Fortino 1984) në nivele bashkëkohore europiane të poemës së këtij autori, kanë shprehur vëzhgime origjinale për vlerën e kësaj vepre. Fortino e quan “poeti ripërtritës”).         

Mendojmë se një studim që u jep përgjigje shumë pyetjeve të shtruara nga kritikët e lartëpërmendur mbi veprën e Jul Varibobës është studioesja e mirënjohur shqiptare Profesore Klara Kodra e cila vlerëson punën e paraardhësve të vet, por përpiqet të shprehë qëndrimin e vet personal dhe origjinal, duke debatuar me palët kur është nevoja, me mendimin e studiuesve të mësipër dhe të tjerë duke i mbështetur apo shtjelluar mendimet e tyre.                                                                                                                                                           Në studimin e saj i ka vënë për detyrë vetes të zgjidhë disa nga problemet kyçe që lidhen me veprën e këtij autori  si: a është ai poet i vërtetë apo jo në bazë të kriteri të literalitetit, domethënë të vlerësimit estetik, a i takon letërsisë artistike apo është në nivelin e këngëtarit popullor si pretendon ndonjë studiues, a është vepra e tij “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, (Jeta e Shën Mërisë Virgjër) poemë a cikël këngësh? Cilat burime pati? Sa u ndikua ai? Në se qëndron vlera estetike e veprës së tij, ç’vend zë Variboba në letërsinë arbëreshe dhe shqipe? Cilat botime të veprës së tij, pas të parit të botuar në gjallje të poetit mund të quhen besnike ndaj origjinalit që mbështeten në kritere të mirëfillta shkencore?                                                                            

Pyetje jo të pakta dhe jo të lehta për t’u dhënë përgjigje, të cilave  megjithatë studiuesja u jep disa përgjigje të vetat që përpiqet t’i afrojë sa më tepër të jetë e mundur me objektivitetin shkencor.                                                                                                                                                     Kodra, në studimin e saj shtjellon idenë që, ndonëse tema e kësaj vepre është në thelb fetare, çka paraqiste një rrezik për didaktizëm e thatësi, po niveli i saj estetik është i lartë; poema spikat për lirizmin e vet të çiltër, ngohtësinë njerëzore dhe mjeshtërinë psikologjike në vizatimin e personazheve. Sipas studiueses vepra mund të konkurojë me disa krijime të tjera me këtë temë nga më të mirat e letërsisë italiane.                                                                                                                                          Kodra synon të zgjidhë edhe problemin e tipologjisë si vepër që e përkufizon si poemë dhe jo si cikël këngësh, duke sjellë për këtë pohim të sajin argumenta të reja në krahasim me studiuesit paraardhës.                                                                                                                                              Klara Kodra ndalet edhe mbi marrëdhëniet e Varibobës me poezinë popullore duke polemizuar me ndonjë studiues që e quan poetin folklorizant.                                                                                                 Është interesant edhe vëzhgimi për një frymë shqiptare të veprës së Varibobës, e cila ekziston, ndonëse autori qartësisht në dallim nga autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe, s’ kishte synime patriotike.  shtrohet problemi i një iluminizmi të mundshëm të Varibobës, po studiuesja e mohon këtë iluminizëm në bazë të disa argumentave bindëse, njeri prej të cilëve është fryma antifetare që e përshkon këtë lëvizje.                                                                                                        Autorja shtron edhe çështjen e një realizmi të Varibobës, të cilin e pranon brenda caqesh të caktuara.                                                                                                                                                        Nga kapitujt më të realizuar, përveç atij që i kushtohet burimeve, është i pesti ku zbërthehen në mënyrë të detajuar disa komponentë të formës si struktura, vizatimi i personazheve, lirizmi dhe raporti i tij me narracionin, patosi humoristik, figuracioni, metrika dhe gjuha e cila shihet kryesisht si gjuhë poetike, pavarësisht nga barbarizmat që e dëmtojnë.                                                                                                                                                 Studiuesja Kodra bën një hap përpara në studimin e saj shkencore në drejtim të analizës së formës; po gjithashtu pasuron studimet për Varibobën, pa i shteruar, dhe jep një shembull ekuilibri, duke iu ruajtur edhe sociologjizmit të skajshëm, edhe ekzagjerimeve formaliste, nga të cilat vuan shkenca e sotme letrare. Poeti mbylli sytë në vitin 1788 duke na lënë të parën vepër poetike në letërsinë shqipe.                                                                                                              

Tiranë më,  8 prill 2025            

Photo:               https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Giulio_Variboba_3.jpg                                                                                                                                                  

Filed Under: LETERSI

Ata ishin histori në lëvizje…Beteja e Koshares (9 Prill 1999 – 9 Prill 2025)

April 10, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Kanë kaluar 26 pranvera nga ajo ditë kur gjithçka mori tjetër kuptim për Kosovën dhe për kombin shqiptar.

Më 9 Prill 1999, në malet e grykat e Koshares, u shpalos një kapitull i ri i historisë sonë – një epikë e gjakut dhe lavdisë, ku kufiri mes jetës dhe vdekjes nuk u mat me frikë, por me vendosmëri, burrëri dhe betimin e shenjtë për liri.

Kosharja nuk ishte vetëm një betejë ushtarake – ajo ishte shembje mitesh, ndarje epokash dhe ringjallje e shpirtit kombëtar.

Kosharja – Porta e Lirisë së Kosovës që u çel me gjakun e heronjëve

Ishte aty ku me forcën e armës u hoq, për herë të parë, kufiri famëkeq që ndante shqiptarët, i vendosur nga padrejtësitë e historisë, por i ruajtur me armë nga okupatori shekullor serb.

Ishte aty ku luftëtarët e UÇK-së – nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, nga mërgata atdhedashëse dhe luftëtarë të popujve liridashës– ia hapën rrugën lirisë me gjak, me armë, me sakrificë, me përkrahjen e SHBA dhe aleatëve të NATO-s dhe me bekimin e gjithë kombit që i ndiqte me zemër në dorë.

Luftëtarët e Koshares nuk ishin thjesht ushtarë. Ata ishin histori në lëvizje. Ishin bij të Shqipërisë Etnike, të rritur me madhështinë e krenarinë e Skënderbeut dhe me plagët e kombit.

Ata komanduan nga fronti e jo nga zyra, udhëhoqën me shembull e jo me fjalë, dhe ranë me emrin e atdheut në gojë, duke u bërë të pavdekshëm.

Sot, 26 vjet më vonë, Kosharja nuk është vetëm kujtim. Është udhërrëfyes. Është flamur që nuk lejon harresë. Është amanet për bashkim kombëtar dhe për një Kosovë që duhet të qëndrojë gjithmonë në krah të miqve të saj të përjetshëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s – por gjithmonë me kokën lart dhe rrënjët thellë në gjakun e dheun e dëshmorëve.

Lavdi përjetë të rënëve të Betejës së Koshares dhe të gjithë Deshmorëve të UÇK!

Nderim dhe respekt për të mbijetuarit dhe familjet e tyre!

Rroftë Kosharja – porta e lirisë Kosovës!

Filed Under: Komente

KLERIKU ATDHETAR, MËSUES DHE VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE

April 10, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952) ka qenë hoxhë, intelektual dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Lindi në një familje tiranase në vitin 1878, djali i Mustafa Dalliut, i cili i përkiste një prej familjeve të njohura dhe të kulturuara të Tiranës. Vëllezërit e Ibrahimit, Hysniu dhe Aliu ishin përkatësisht hafiz dhe haxhi. Ibrahimi e përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm fetar në Tiranë, ku krahas dijeve të tjera, mësoi osmanisht dhe arabisht. Vazhdoi studimet e larta për teologji në Stamboll, ku u njoh me veprimtarë të shquar të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqipërisë. Gjatë viteve të shkollimit ai u përgatit si një ndër klerikët dhe atdhetarët më në zë shqiptarë të kohës së tij. Ibrahimi kishteqenë shok fëmijërie i Seremedin dhe Murat Toptani, me të cilët mbajti lidhje të ngushta gjatë jetës.

Kthehet në Tiranë dhe fillon punë si mësues në vitin 1901. Në bashkëpunim me Filip Ashikun ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe në Tiranë, duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën nga autoritetet osmane. Edhe pse u mbyllën shkollat legale, Hafizi vazhdoi të njëjtën veprimtari në mënyrë ilegale, duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas, si në familjen e Murat Toptanit etj., për ta rifilluar përsëri veprimtarinë arsimore legale në vitin 1908.

Fillimisht xhonturqit nuk i ndaluan veprimtaritë e klubeve shqiptare, por bënë përpjekje për t’i kontrolluar ato, duke deklaruar se të gjithë ishin osmanë. Që në fillimet e tyre, klubet e shqiptarëve u bënë qendra të veprimtarisë kulturore të elitës intelektuale dhe filluan përpjekjet për hapjen shkollave në gjuhën shqipe. Edhe vetë klubet u shndërruan në shkolla dhe në qendra për mësimin dhe përhapjen e shkrimit shqip. Si rezultat i kundërshtimit të pandërprerë të osmanëve ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe i përpjekjeve të nacionalistëve shqiptarë, klerikë atdhetarë myslimanë u përfshinë në punën e klubeve kulturore, duke u bërë thirrje atdhetarëve që të fillonin mësimin në gjuhën shqipe, të tjerë duke futur mësimin shqip në shkollat fetare. Në vitin 1908, Ibrahimi hapi shkollën e parë të vajzave në Tiranë, ku u përgatitën mësueset e para të njohura si: Servete Maçi etj.

Hafëz Ibrahim Dalliu ishte përfaqësues i Tiranës në Kongresin e Elbasanit, i cili trajtoi gjërësisht problemet që kishin të bënin me përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe; përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe dhe organizimin më të mirë të lëvizjes kulturore e asaj kombëtare. Siç është shkruar në shtypin e kohës, shpirti i Kongresit të Elbasanit përmblidhej në tri vendime: Çelja e një shkolle normale në Elbasan; krijimi i një shoqërie qendrore shkollore në Korçë; zgjedhja e Klubit të Manastirit si klub qendror për dy vjetët e ardhshëme. Në zbatim të atyre vendimeve, më 1 dhjetor 1909, u çel Shkolla Normale (pedagogjike) e Elbasanit, që ishte shkolla e parë e mesme kombëtare shqipe. Hafiz Ibrahim Dalliu ishte njëri nga mësuesit e parë të saj, krahas Aleksandër Xhuvanit, Sotir Pecit, Luigj Gurakuqit, Petër Dodbibës, Simon Shuteriqit dhe Hasan Mejzës.

Gjatë kësaj kohe, prej vitit 1909-1911, Hafiz Ibrahim Dalliu u arrestua disa herë nga regjimi osman, si veprimtar për arsimin shqip e çështjen kombëtare. Gjatë arrestimeve, atij iu sekuestruan materiale didaktike dhe material në gjuhën shqipe, ndër të cilat revista “Albania” dhe fletorja “Trumpeta e Krujës” e Faik Konicës, etj. Në vitin 1911, Ibrahimi ishte i mbyllur nga regjimi osman në burgun e Manastirit dhe më pas në kështjellën e Selanikut. Pas disa muajsh, u lirua nga burgu, për shkak të përpjekjeve të atdhetarëve Hasan Prishtina e Mihal Grameno.

Më 26 nëntor 1912, Hafiz Ibrahim Dalliu ishte pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë, si dhe shkroi një Letër-Protestë dërguar forcave ushtarake serbe, që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin ta mësynin Tiranën. Në formimin me ndjenja patriotike të Dalliut ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë shqiptare. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të shqiptarizmit.

Pas vitit 1912, Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë satirike. Më vonë drejtoi gazetën politike “Dajti”. Nga viti 1918 deri në vitin 1924, ai botoi një varg veprash satirike, duke u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë që çanë rrugën e humorit në letërsinë shqipe. Ndër veprat më të dalluara janë: “Grenxat e kuqe” (1918), “Dokrrat e hinit” (1920), “Kabineti i Xhafer Ypit” (1922) etj. Ai shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha atdhetare “Kreshniku i atdheut”, si dhe monografinë “Patriotizma në Tiranë”. Njohjen si poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar Avni Rustemit.

Në vitin 1920, Ibrahim Dalliu është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë u dallua si një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës. Pas rikthimit në pushtet të Ahmet Zogut, ai u largua nga politika dhe është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame, duke bërë komente, përkthyer, zbërthyer e interpretuar librin e shenjtë islam e vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e teologjisë islame, që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.

Në vitet e pushtimit fashist, Dalliu u angazhua në politikë, duke u bërë deputet i Asamblesë Kombëtare, të kontrolluar nga gjermanët, në vitin 1943.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, në vitin 1944, ai u arrestua dhe u burgos për shkak të angazhimit të tij në politikë në krah të gjermanëve, si dhe të disa poezive të mprehta antikomuniste që kishte shkruar, në fillim të shkurtit të vitit 1948 dhe më 24 shkurt të atij viti, me vendim nr. 67, Gjykata e Tiranës e dënoi “për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë”, me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për 3 vjet. Më 25 shtator 1948, Plenumi i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin nr. 67, sepse çështja ishte pushuar nga Gjykata e Lartë. Por Hafiz Ibrahim Dalliu ishte torturuar pa mëshirë, për shtatë muaj rresht, pa marrë parasysh as moshën e tij të thyer. Doli i gjymtuar nga qelitë e errëta të diktaturës komuniste, në shtator të vitit 1948 dhe me 25 maj të vitit 1952 ndërroi jetë.

Hafız Ibrahim Dalliu konsiderohet si një nga figurat e rëndësishme të inteligjencës shqiptare. Ai ka qenë aktiv në fushat e arsimit, fesë, politikës dhe kulturës. Përveçse punonte në shkolla, vazhdonte edhe me përkthimin dhe komentimin e Kuranit. Ishte një nga themeluesit e revistës Dajti, rreth së cilës përpiqej të bashkonte intelektualët e kohës. Ai luftoi për bashkimin e trojeve etnike shqiptare dhe për këtë shkak krijoi një rreth të gjerë shoqëror. Ndërkohë kishte marrëdhënie edhe me figura të njohura si Hasan Prishtina, apo me personalitete të kulturës si: Musâ Maçi, Hafız Ali Korça, Ismail Ndroçi, Hasan Vogli, Myslim Llagami etj. Ibrahimi zotëronte arabisht, turqisht, me shumë gjasë edhe persisht. Në veprat e tij ai synonte përparimin e shoqërisë në përputhje me vlerat kulturore të kohës së tij.

Hafiz Ibrahim Dalliu botoi disa libra me karakter fetar, politik dhe social. Libri i të Falmes tregon rregullat kryesore të të gjitha namazeve ditore e periodike, si dhe dispozitat kuranore në lidhje me këtë shtyllë të islamit. Libri “Dhanti e Ramazanit” përmban rregullat e agjërimit, si e kur lejohet që të mos agjërohet, kur ndërpritet agjërimi dhe kur konsiderohet i prishur. Po ashtu, përmend dobitë fiziologjike, rëndësinë e edukimit moral nëpërmjet agjërimit dhe vlerën shoqërore të tij. Autor i ilahisë “Një lutje shpirtit të madhnueshëm të Resulull-llahit”, botuar shumë herët. Është një himn fetar i frymëzuar nga dashuria që ka myslimani për Profetin e tij dhe për islamin.

Poema satirike “Dokrrat e Hinit” vë në lojë ata njerëz që nuk i sjellin asnjë dobi atdheut e shoqërisë dhe e kalojnë kohën nëpër kafene me biseda të kota e të padobishme. Ai i ironizon pseudointelektualët, që i përdorin fjalët e huaja vend e pa vend. Sidoqoftë kryevepra e Hafiz Dalliut është vepra “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, vepër origjinale në vargje (6143 vargje), por nuk bie më poshtë edhe Tefsiri i Kuranit, i titulluar “Ajka e kuptimeve të Kuran Qerimit”, përkthyer dhe përgatitur prej vetë atij. Vlen të përmendet gjithashtu kontributi i tij i paçmuar gjatë viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim të edukimit fetar.

Libra të tjerë me karakter fetar janë edhe: “Udha muhamedane” (vepër afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, “Mësime teorike dhe praktike të besimit islam”, Tiranë, 1935 etj.

Te libri “Patriotizma në Tiranë”, autori ka marrë në analizë zhvillimet e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e atdhetarëve të Tiranës në veprimtari patriotike, para e pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Hafiz Ibrahim Dalliu ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria, veprimtaria dhe kontributi i tij u la në harresë nga sistemi komunist. Figura e tij u vlerësua e u ngrit lart vetëm pas rënies së këtij regjimi. Në prill të vitit 2016, u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani me titullin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes). Një rrugë dhe një shkollë e mesme në Tiranë mbajnë emrin e tij.

Filed Under: Histori

Të jesh lider në kohët e tarifave!

April 10, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Doktorante në JMU, SHBA/

Në çdo epokë të historisë, ka ardhur një çast kur fati i popujve është varur jo më nga balanca e tregjeve, por nga cilësia e liderëve. Në epokën tonë, ky çast ka ardhur në formën e heshtur, por dramatike të rikthimit të tarifave. Me vendimin e Presidentit Trump për të rikthyer tarifat si mjet proteksionizmi ekonomik dhe presioni diplomatik, bota është futur në një fazë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ekonomia nuk është më hapësirë e lirë shkëmbimi, por front lufte gjeopolitike.

Dhe kjo nuk është thjesht një çështje amerikane.

Ky është një ndryshim paradigme globale, që kërkon një model të ri lideri, sidomos në vendet e vogla, periferike dhe të brishta si Shqipëria. Në botën e ideve klasike, tarifat ishin instrumente të përkohshme për mbrojtjen e prodhimit vendas.

Në kohët moderne, ato ishin shenjë e proteksionizmit të shteruar. Por tani, në këtë epokë që po formësohet përtej librit të tekstualizuar të globalizmit, tarifat janë kthyer në instrumente sovraniteti, prestigji dhe presioni. Presidenti Trump nuk po i përdor tarifat thjesht për të mbrojtur ekonominë amerikane. Ai po riformulon rendin botëror sipas parimit të interesit të zhveshur kombëtar.

Ai po shkruan një version të ri të Hobbesit për shekullin XXI, ku shteti është sërish “Leviathan”, dhe rendi global është një gjendje natyrore e konkurrencës pa moral, ku vetëm të fortët mbijetojnë. Në këtë botë të re, çdo vend që nuk ka fuqi ekonomike, ushtarake apo diplomatike, është i detyruar të gjejë në cilësinë e liderit të vet, atë që s’mund ta gjejë në peshën e vet në rendin global.

Lideri si arkitekt i gravitetit kombëtar.

Në këtë kuptim, lideri i një vendi të vogël si Shqipëria nuk mund të jetë më një menaxher i buxhetit, as një administrator i koncesioneve, e aq më pak një figurë dekori për shfaqje elektorale. Ai duhet të jetë një arkitekt i gravitetit kombëtar. Një krijues i peshës që një vend i vogël nuk e ka nga historia apo ekonomia, por që mund ta fitojë nga qartësia e pozicionit, serioziteti institucional dhe kapaciteti për të manovruar me mençuri në një botë të fragmentuar.

Carl Schmitt na mësonte se sovran është ai që vendos në gjendje jashtëzakonshme.

Sot, i gjithë lidershipi shqiptar ndodhet pikërisht në një gjendje e sfide të tillë: një botë që po zhvishet nga rregullat, ku fuqitë e mëdha po tërhiqen në proteksionizëm dhe ku BE-ja po humb koherencën e saj politike. Në këtë gjendje, sovran nuk është ai që premton rrugë, paga dhe parqe, por ai që mendon strukturën gjeopolitike të kombit të vet, që formulon pozicione të balancuara, që ndërton ura mes fuqive, që parashikon lëvizjet e mëdha dhe përgatit popullin për to.

Nga lidershipi transaksional tek lidershipi transformues?

Në literaturën moderne mbi lidershipin, James MacGregor Burns ndan dy tipe liderësh:

• Transaksionalët: ata që bëjnë pazare me njerëzit, japin për të marrë, qeverisin për të fituar vota.

• Transformuesit: ata që frymëzojnë, udhëheqin me vizion dhe ndërtojnë kulturë politike që i mbijeton edhe largimit të tyre.

Në kohët e tarifave, lideri transaksional është i rrezikshëm. Ai do të kërkojë të bëjë marrëveshje të shpejta, të fitojë përkrahje përmes subvencioneve, të blejë paqe përmes borxhit. Por kjo është rruga drejt varësisë dhe dekompozimit shtetëror.

Shqipëria ka nevojë për një lider transformues që:

• Ndërton pavarësinë ekonomike përmes vizionit industrial, jo përmes koncesioneve që varin të ardhmen,

• Vendos ekuilibra diplomatikë që nuk lëkunden nga një vizitë apo një fotografi,

• Mbron interesin kombëtar pa rënë në nacionalizëm bosh,

• Dhe që i jep popullit ndjenjën e pjesëmarrjes në një projekt të përbashkët historik, jo thjesht në një fushatë tjetër zgjedhore.

Shqipëria në epokën e pas-globalizmit: një vend i vogël me sfida të mëdha.

Kur Rousseau shkruante për paktin social, ai theksonte se në çdo republikë, sovraniteti i vërtetë qëndron në vullnetin e përgjithshëm, jo në emrin e një lideri.

Por në epokën e tarifave, kur fuqitë e mëdha përdorin ekonominë si shantazh, shtetet e vogla kanë nevojë për liderë që nuk e nënshtrojnë vullnetin e përgjithshëm ndaj frikës dhe presioneve.

Shqipëria është një vend që nuk ka luksin e neutralitetit absolut, por ka mundësinë e zgjuarsisë strategjike.

Kjo do të thotë:

• Të ndërtojmë një model ekonomik të qëndrueshëm,

• Të krijojmë marrëdhënie me vlera, jo me interesa afatshkurtra,

• Të përkufizojmë një identitet strategjik shqiptar në botën që po vjen, ku të jemi më shumë sesa një pikë në hartë, të jemi një qëndrim.

Lideri i së ardhmes: ndërtues i një kulture strategjike.

Michel Foucault thoshte se pushteti nuk qëndron vetëm në institucionet, por në mënyrën si njerëzit mendojnë dhe jetojnë realitetin.

Prandaj, një lider i vërtetë nuk ndërton vetëm rrugë.

Ai ndërton kulturë strategjike.

Ai mëson popullin të mendojë në terma të vetëdijes historike, të pozicionimit, të sovranitetit real dhe të qëllimit të përbashkët.

Në këtë botë ku tarifat e Trumpit mund të bëhen standardi i ri global, Shqipëria nuk ka përballë thjesht kriza financiare apo diplomaci të vështirë.

Ajo ka përballë nevojën për rilindje të vërtetë të lidershipit: një lider që nuk është pasojë e zgjedhjeve, por pararendës i epokës që po vjen.

Një lider që nuk përdor ndarjen për të mbretëruar, por unitetin për të udhëhequr.

Që nuk imiton të mëdhenjtë për të rënë në sy, por shpik veten për të qëndruar me dinjitet në një botë të ashpër.

Koha e Madhe kërkon Njerëz të Mëdhenj.

Epoka e tarifave është epoka e pasigurisë globale, por edhe shansi i vogël i kombeve të vegjël për të krijuar peshë përmes mençurisë.

Ajo kërkon liderë që kuptojnë filozofinë e rendit botëror, që lexojnë kohën, që mendojnë përtej mandatit dhe shikojnë përtej vetes.

Të jesh lider në këtë kohë, është të jesh strateg, filozof dhe arkitekt i fatit të kombit tënd, në një botë që nuk të fal më për naivitetin.

Sepse në kohët e tarifave,

ose bëhesh mendimtar i kombit tënd,

ose mbetesh noter i interesave të huaja.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT