• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON

May 22, 2025 by s p

Nën udhëheqjen e veprimtarëve legjendarë për çështje kombëtare në Washington, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mori pjesë në ngjarjen vjetore të FMC-Former Members of Congress ( Ish anëtarë të Kongresit) në Washington “Statesmanship Awards”, ku ish anëtarët takohen me anëtarët aktualë, ndajnë përvojat dhe u japin këshilla senatorëve dhe kongresmenëve të rinj.

Me këtë rast u nderuan senatorët Cory Booker (demokrat) dhe Todd Young (republikan), si dhe kongresmenët Young Kim (Republikan) dhe Ed Case (demokrat).

Ishte kënaqësi të dëgjojmë për qeverisjen dhe bashkëpunimin ndërpartiak nga liderët e të dyja partive politike.

Rëndësi të posaçme kishin takimet e veçanta me senatorë dhe kongresmenë amerikanë gjatë mbrëmjes dhe ditëve tjera në zyrat e tyre në Washington, si senatori Cory Booker dhe Todd Young, si dhe kongresmenët Mike Lawler dhe George Latimer.

Çështja e zhvillimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, bashkëpunimi më i thellë me Kongresin dhe shtetin Amerikan si dhe konfrontimi i agresionit serb ishte ndër temat kryesore në të gjitha takimet.

Puna e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikanr në Washington vazhdon me profesionalizëm dhe përkushtim.

Na nderoi pjesëmarrja dhe mbështetja e bashkatdhetarëve tanë nga Kanadaja dhe Gjermania.

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv i LQSHA

ACHIEVEMENTS OF THE ALBANIAN-AMERICAN CIVIC LEAGUE IN WASHINGTON DURING THIS WEEK

Under the leadership of legendary national activists Joe DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi, the League participated in the annual FMC-Former Members of Congress event in Washington “Statesmanship awards”, where former members meet with current members, share experiences, and provide advice to new senators and congressmen.

On this occasion, Senators Cory Booker (Democrat) and Todd Young (Republican), as well as Congressmen Young Kim (Republican) and Ed Case (Democrat), were honored.

It was a pleasure to hear about statesmanship and partisanship from the leaders of both political parties.

Of particular importance were the special meetings with American senators and congressmen during the evening and other days in their offices in Washington, like Senator Cory Booker and Todd Young, as well as Congressmen Mike Lawler and George Latimer.

The issue of developing and strengthening the state of Kosova, deeper cooperation with the American Congress and state, as well as confronting Serbian aggression, were among the main topics in all the meetings.

The work of the Albanian-American Civic League in Washington continues with professionalism and dedication.

We were honored by the participation and support of our compatriots from Canada and Germany.

Agim Aliçkaj

Executive Director of AACL

Filed Under: Emigracion

Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura

May 22, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka emra që përjetësohen jo vetëm në kujtesën e skenës, por edhe në historinë e shpirtit njerëzor që lëviz me artin. Angjelin Preljocaj, koreografi i njohur francez me origjinë shqiptare, është përfshirë zyrtarisht si anëtari më i ri i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura (Académie des Beaux-Arts), në seksionin e koreografisë. Ky nderim i rrallë i jepet një artisti që ka ndërtuar një univers të vetin në botën e kërcimit bashkëkohor, një mjeshtër i gjuhës së trupit, që nga Franca ka lëvruar një dialog global të artit, por që në rrënjë mban ende hijen e maleve të Vërmoshit, nga iku me prindërit shqiptarë në vitet e trazuara të shekullit XX. I lindur në vitin 1957 në Sucy-en-Brie, Francë, në një familje shqiptare me origjinë nga Veriu i Shqipërisë, Preljocaj u rrit në zemër të kulturës franceze, por me një trashëgimi të pashkëputshme identitare. Fillimisht i formuar në baletin klasik, ai u orientua më vonë drejt baletit bashkëkohor, ku e gjeti gjuhën e vet krijuese – një koreografi që tejkalon narracionin klasik për të shndërruar trupin në një vegël të introspeksionit dhe tensionit modern.

Në vitin 1984 themeloi kompaninë e vet, sot Ballet Preljocaj, një nga trupat më të njohura evropiane në skenën e kërcimit bashkëkohor. Preljocaj ka vënë në skenë dhjetëra vepra që përçajnë dhe shpërfaqin me guxim dimensione sociale, ekzistenciale dhe shpirtërore – ndër më të njohurat janë: “Roméo et Juliette” (1990), “Le Parc” (1994), “Paysage après la bataille” (1997), “N” (2004), “Empty moves”, dhe “La Fresque” (2016). Ai ka performuar në skena të mëdha botërore, nga Bolshoi i Moskës deri në Lincoln Center në Nju Jork, nga Festival d’Avignon në Francë, deri në Japoni, Australi e Lindjen e Mesme. Veprat e tij janë përkthyer në një estetikë të pazëvendësueshme, ku muzika klasike ndërthuret me tinguj elektronikë dhe ku çdo lëvizje sfidon konceptet tradicionale të trupit, hapësirës dhe identitetit.

Në vitin 1992, u nderua me Çmimin e Madh Kombëtar të Kërcimit nga Ministria e Kulturës Franceze, ndërsa më vonë mori edhe Urdhrin e Legjionit të Nderit, një ndër dekoratat më të larta në Francë. Ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës si Air, Karlheinz Stockhausen, Laurent Garnier, si dhe me institucione prestigjioze si Opera e Parisit dhe Bienalja e Venecias. Angjelin Preljocaj nuk e ka mohuar kurrë prejardhjen shqiptare, përkundrazi, ajo është pjesë e ADN-së së tij krijuese. Ka ardhur disa herë në Shqipëri, ku ka bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke sjellë vepra si “La Stravaganza” dhe “Dasma”, të frymëzuara nga folklori dhe simbolika shqiptare.

Përfshirja e tij në Akademinë Franceze të Arteve të Bukura, në një prej katër vendeve të seksionit të koreografisë, është një njohje që shkon përtej suksesit individual. Ajo përfaqëson një kurorëzim të një vizioni artistik që i përket botës, por që në thelb ruan frymën e atij udhëtimi që filloi dikur në heshtje, nga një fshat në skaj të Shqipërisë, drejt dritës së skenave më të ndritshme të globit. Preljocaj është tashmë jo vetëm një emër i artit francez, por një monument i gjallë i artit koreografik botëror, një artist që na kujton se lëvizja, si dhe jeta, është më kuptimplotë kur ruan kujtesën e rrënjëve dhe guximin për të fluturuar larg tyre.

Filed Under: Opinion

Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar

May 22, 2025 by s p

Patrioti Agim Pepaj, kryetar i shoqatës “Gjergj Kastrioti” në Zvicër, në një rrëfim për gazetën “Dielli” dhënë editorit Sokol Paja, pasqyron veprimtaritë historike, kulturore, atdhetare e komunitare në Zvicër në shërbim të lartësimit dhe promovimit të jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit.

Historiku i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” – Zvicër…

Shoqata “Gjergj Kastrioti” u themelua në vitin 2018, në një vit simbolik për kombin shqiptar – 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar. Ky përvjetor u shpall vit mbarëkombëtar i Skënderbeut, dhe ne e konsideruam të domosdoshme që edhe në Zvicër të ngrihej një organizatë që do të angazhohej me përkushtim për ruajtjen dhe promovimin e figurës madhore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një nga shtyllat identitare të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Aktivitetet kulturore të Shoqatës “Gjergj Kastrioti” në shërbim të historisë kombëtare dhe komunitetit…

Që nga fillimi, shoqata jonë ka qenë aktive në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve me karakter historik dhe kombëtar. Në vitin 2019, morëm pjesë në organizimin e përvjetorit të lindjes së Skënderbeut në Brekoc të Gjakovës. Edhe pse pandemia COVID-19 kufizoi aktivitetet tona fizike gjatë viteve 2020–2022, ne nuk u ndalëm. Vazhduam me pjesëmarrje në evente të ndryshme kulturore, duke e mbajtur të gjallë kujtesën për Heroin tonë.

Në vitin 2023, organizuam promovimin e librit “Bibliografia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” nga autori Gjon Keka. Në tetor 2022, morëm pjesë në inaugurimin e obeliskut të Skënderbeut në Trento, Itali. Viti 2024 ka qenë ndër më të pasurit me veprimtari: bashkëorganizim koncertesh për mbledhje fondesh për shtatoren në Hora e Arbëreshëve në Sicili, kontribut në vendosjen e shtatores në Gjakovë, dhe organizimi i një simpoziumi ndërkombëtar me temë “Gjergj Kastrioti – mbrojtës i civilizimit europian”, me pjesëmarrjen e studiuesve nga trojet dhe diaspora.

Në gusht 2024, shoqata jonë ishte thellësisht e angazhuar në organizimin dhe financimin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Hora e Arbëreshëve, një ngjarje me peshë të veçantë simbolike dhe historike. Krahas këtyre, kemi realizuar vizita simbolike në vende të rëndësishme si Kruja, Lezha, Prekazi, dhe bashkëpunojmë ngushtë me shoqata të tjera shqiptare në Zvicër për çështje me interes kombëtar.

Aktivitetet e dedikuara ekskluzivisht për Skënderbeun…

Gjithçka që ne bëjmë është e lidhur drejtpërdrejt me figurën e Gjergj Kastriotit. Çdo organizim, nga vendosja e shtatoreve e deri te promovimi i veprave shkencore për Heroin, është një përpjekje për ta bërë më të njohur figurën e tij dhe për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në diasporë. Ai është boshti rreth të cilit rrotullohet misioni ynë.

Kontributi në komunitetin shqiptar, mbështetja për shkollat shqipe dhe bashkëpunimi me shoqata të tjera…

Misioni ynë është i pandryshueshëm: ruajtja dhe promovimi i jetës e veprës së Skënderbeut te brezat e rinj shqiptarë dhe më gjerë. Ne jemi të përkushtuar që fëmijët tanë të rriten me vetëdije kombëtare, të njohin rrënjët e tyre dhe të ndihen krenarë për historinë tonë. Bashkëpunojmë ngushtë me shkollat shqipe në Zvicër dhe me organizata të tjera që ndajnë të njëjtin qëllim, duke i mbështetur me mundësitë tona modeste, por me vullnet të madh.

Nderimet dhe vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare…

Deri më tani, nuk kemi marrë ndonjë vlerësim zyrtar me shkrim, por kemi ndier përherë mbështetjen morale të komunitetit shqiptar dhe partnerëve tanë në veprimtari. Kjo mbështetje na motivon të vazhdojmë punën tonë me përkushtim edhe më të madh.

Projektet e shoqatës “Gjergj Kastrioti” në të ardhmen…

Ne do të vazhdojmë me vendosmëri misionin tonë – ruajtjen dhe promovimin e figurës së pamposhtur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Aktivitetet tona do të vazhdojnë në formën e simpoziumeve, bashkëpunimeve kulturore, vendosjes së shtatoreve, si dhe projekteve që synojnë afrimin e brezave të rinj me historinë dhe identitetin kombëtar.

Filed Under: Featured

Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës

May 22, 2025 by s p

“Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës”.

Sot kujtojmë me dhimbje Masakrën e burgut të Dubravës, njërën prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Në majin e vitit 1999, brenda mureve të burgut të Dubravës ndodhi krimi makabër: për pesë ditë rresht, regjimi gjenocidal i Serbisë, vrau mizorisht 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik si dhe plagosi 300 të tjerë.

Ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi.

Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Nderim i përjetshëm për të rënët e Dubravës!

Drejtësi për viktimat dhe kujtesë historike e përhershme!

Filed Under: Politike

Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut

May 22, 2025 by s p

Prishtinë, 22 maj – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda është shprehur i indinjuar lidhur me refuzimin e kërkesës për mbrojtje në liri për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gruda, në një konferencë për media, tha se ky vendim cenon të drejtat themelore të njeriut të të akuzuarve, që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Mbajtja e tyre, së bashku me ish-Presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme”, theksoi ai.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur që nga fillimi themelimin dhe funksionimin e papenguar të Gjykatës Speciale, me bindjen e plotë se aty do të garantoheshin e drejta për një gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm – si gurthemel i lirive dhe të drejtave të njeriut.

PDK vlerëson se një gjykatë e tillë në zemër të Evropës nuk do të duhej të shndërrohej në një mekanizëm të përndjekjes, aq më pak në emër të drejtësisë dhe viktimave të luftës.

“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi nuk janë aty thjesht si qytetarë të akuzuar, por si liderë të luftës për liri, arkitektë të pavarësisë dhe ndërtues të institucioneve demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë një gjykim të drejtë, të bazuar në standardet e vendeve demokratike, nga të cilat vijnë edhe gjyqtarët e kësaj gjykate. Prandaj, ne kërkojmë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kërkojmë që humanizmi të mos zhduket përballë paragjykimeve, dhe që ligji të mos shtypet në emër të drejtësisë. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Dhomave të Specializuara, faktorit ndërkombëtar dhe atyre që financojnë gjykatën të veprojnë me përgjegjësi dhe respekt për të drejtat themelore të njeriut”, shtoi Gruda.

Gruda u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin rol aktiv në ofrimin e garancive për të akuzuarit.

“Jemi të bindur se procesi në Hagë dhe epilogu i tij nuk janë çështje individuale, por çështje me rëndësi themelore për historinë dhe të ardhmen e shtetit tonë. Mosangazhimi i institucioneve tona nuk është thjesht një neglizhencë, por një heqje dorë nga përgjegjësia historike”, tha Gruda.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT