


Patrioti Agim Pepaj, kryetar i shoqatës “Gjergj Kastrioti” në Zvicër, në një rrëfim për gazetën “Dielli” dhënë editorit Sokol Paja, pasqyron veprimtaritë historike, kulturore, atdhetare e komunitare në Zvicër në shërbim të lartësimit dhe promovimit të jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit.
Historiku i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” – Zvicër…
Shoqata “Gjergj Kastrioti” u themelua në vitin 2018, në një vit simbolik për kombin shqiptar – 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar. Ky përvjetor u shpall vit mbarëkombëtar i Skënderbeut, dhe ne e konsideruam të domosdoshme që edhe në Zvicër të ngrihej një organizatë që do të angazhohej me përkushtim për ruajtjen dhe promovimin e figurës madhore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një nga shtyllat identitare të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Aktivitetet kulturore të Shoqatës “Gjergj Kastrioti” në shërbim të historisë kombëtare dhe komunitetit…
Që nga fillimi, shoqata jonë ka qenë aktive në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve me karakter historik dhe kombëtar. Në vitin 2019, morëm pjesë në organizimin e përvjetorit të lindjes së Skënderbeut në Brekoc të Gjakovës. Edhe pse pandemia COVID-19 kufizoi aktivitetet tona fizike gjatë viteve 2020–2022, ne nuk u ndalëm. Vazhduam me pjesëmarrje në evente të ndryshme kulturore, duke e mbajtur të gjallë kujtesën për Heroin tonë.
Në vitin 2023, organizuam promovimin e librit “Bibliografia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” nga autori Gjon Keka. Në tetor 2022, morëm pjesë në inaugurimin e obeliskut të Skënderbeut në Trento, Itali. Viti 2024 ka qenë ndër më të pasurit me veprimtari: bashkëorganizim koncertesh për mbledhje fondesh për shtatoren në Hora e Arbëreshëve në Sicili, kontribut në vendosjen e shtatores në Gjakovë, dhe organizimi i një simpoziumi ndërkombëtar me temë “Gjergj Kastrioti – mbrojtës i civilizimit europian”, me pjesëmarrjen e studiuesve nga trojet dhe diaspora.
Në gusht 2024, shoqata jonë ishte thellësisht e angazhuar në organizimin dhe financimin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Hora e Arbëreshëve, një ngjarje me peshë të veçantë simbolike dhe historike. Krahas këtyre, kemi realizuar vizita simbolike në vende të rëndësishme si Kruja, Lezha, Prekazi, dhe bashkëpunojmë ngushtë me shoqata të tjera shqiptare në Zvicër për çështje me interes kombëtar.
Aktivitetet e dedikuara ekskluzivisht për Skënderbeun…
Gjithçka që ne bëjmë është e lidhur drejtpërdrejt me figurën e Gjergj Kastriotit. Çdo organizim, nga vendosja e shtatoreve e deri te promovimi i veprave shkencore për Heroin, është një përpjekje për ta bërë më të njohur figurën e tij dhe për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në diasporë. Ai është boshti rreth të cilit rrotullohet misioni ynë.
Kontributi në komunitetin shqiptar, mbështetja për shkollat shqipe dhe bashkëpunimi me shoqata të tjera…
Misioni ynë është i pandryshueshëm: ruajtja dhe promovimi i jetës e veprës së Skënderbeut te brezat e rinj shqiptarë dhe më gjerë. Ne jemi të përkushtuar që fëmijët tanë të rriten me vetëdije kombëtare, të njohin rrënjët e tyre dhe të ndihen krenarë për historinë tonë. Bashkëpunojmë ngushtë me shkollat shqipe në Zvicër dhe me organizata të tjera që ndajnë të njëjtin qëllim, duke i mbështetur me mundësitë tona modeste, por me vullnet të madh.
Nderimet dhe vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare…
Deri më tani, nuk kemi marrë ndonjë vlerësim zyrtar me shkrim, por kemi ndier përherë mbështetjen morale të komunitetit shqiptar dhe partnerëve tanë në veprimtari. Kjo mbështetje na motivon të vazhdojmë punën tonë me përkushtim edhe më të madh.
Projektet e shoqatës “Gjergj Kastrioti” në të ardhmen…
Ne do të vazhdojmë me vendosmëri misionin tonë – ruajtjen dhe promovimin e figurës së pamposhtur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Aktivitetet tona do të vazhdojnë në formën e simpoziumeve, bashkëpunimeve kulturore, vendosjes së shtatoreve, si dhe projekteve që synojnë afrimin e brezave të rinj me historinë dhe identitetin kombëtar.