
Albert Vataj/
Ka emra që përjetësohen jo vetëm në kujtesën e skenës, por edhe në historinë e shpirtit njerëzor që lëviz me artin. Angjelin Preljocaj, koreografi i njohur francez me origjinë shqiptare, është përfshirë zyrtarisht si anëtari më i ri i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura (Académie des Beaux-Arts), në seksionin e koreografisë. Ky nderim i rrallë i jepet një artisti që ka ndërtuar një univers të vetin në botën e kërcimit bashkëkohor, një mjeshtër i gjuhës së trupit, që nga Franca ka lëvruar një dialog global të artit, por që në rrënjë mban ende hijen e maleve të Vërmoshit, nga iku me prindërit shqiptarë në vitet e trazuara të shekullit XX. I lindur në vitin 1957 në Sucy-en-Brie, Francë, në një familje shqiptare me origjinë nga Veriu i Shqipërisë, Preljocaj u rrit në zemër të kulturës franceze, por me një trashëgimi të pashkëputshme identitare. Fillimisht i formuar në baletin klasik, ai u orientua më vonë drejt baletit bashkëkohor, ku e gjeti gjuhën e vet krijuese – një koreografi që tejkalon narracionin klasik për të shndërruar trupin në një vegël të introspeksionit dhe tensionit modern.
Në vitin 1984 themeloi kompaninë e vet, sot Ballet Preljocaj, një nga trupat më të njohura evropiane në skenën e kërcimit bashkëkohor. Preljocaj ka vënë në skenë dhjetëra vepra që përçajnë dhe shpërfaqin me guxim dimensione sociale, ekzistenciale dhe shpirtërore – ndër më të njohurat janë: “Roméo et Juliette” (1990), “Le Parc” (1994), “Paysage après la bataille” (1997), “N” (2004), “Empty moves”, dhe “La Fresque” (2016). Ai ka performuar në skena të mëdha botërore, nga Bolshoi i Moskës deri në Lincoln Center në Nju Jork, nga Festival d’Avignon në Francë, deri në Japoni, Australi e Lindjen e Mesme. Veprat e tij janë përkthyer në një estetikë të pazëvendësueshme, ku muzika klasike ndërthuret me tinguj elektronikë dhe ku çdo lëvizje sfidon konceptet tradicionale të trupit, hapësirës dhe identitetit.
Në vitin 1992, u nderua me Çmimin e Madh Kombëtar të Kërcimit nga Ministria e Kulturës Franceze, ndërsa më vonë mori edhe Urdhrin e Legjionit të Nderit, një ndër dekoratat më të larta në Francë. Ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës si Air, Karlheinz Stockhausen, Laurent Garnier, si dhe me institucione prestigjioze si Opera e Parisit dhe Bienalja e Venecias. Angjelin Preljocaj nuk e ka mohuar kurrë prejardhjen shqiptare, përkundrazi, ajo është pjesë e ADN-së së tij krijuese. Ka ardhur disa herë në Shqipëri, ku ka bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke sjellë vepra si “La Stravaganza” dhe “Dasma”, të frymëzuara nga folklori dhe simbolika shqiptare.
Përfshirja e tij në Akademinë Franceze të Arteve të Bukura, në një prej katër vendeve të seksionit të koreografisë, është një njohje që shkon përtej suksesit individual. Ajo përfaqëson një kurorëzim të një vizioni artistik që i përket botës, por që në thelb ruan frymën e atij udhëtimi që filloi dikur në heshtje, nga një fshat në skaj të Shqipërisë, drejt dritës së skenave më të ndritshme të globit. Preljocaj është tashmë jo vetëm një emër i artit francez, por një monument i gjallë i artit koreografik botëror, një artist që na kujton se lëvizja, si dhe jeta, është më kuptimplotë kur ruan kujtesën e rrënjëve dhe guximin për të fluturuar larg tyre.