
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Gjatë shek. XIX kryengritjet e armatosura popullore për të drejta ekonomike, kundër shërbimit ushtarak, për autonomi e liri, shpërthyen gati si një varg i pashkëputur. Vetëm për 8 vjet nga 1832 deri më 1839 shpërthyen 34 kryengritje krahinore e ndërkrahinore. Me rëndësi të tillë vazhduan kryengritjet dhe në dekadat pasuese deri më 1900. Në kuadrin e luftës së armatosur të popullit tonë gjatë shek. XIX aspektet më të rëndësishme dhe më të qarta luftarake i përbëjnë kryengritjet e vitetve ‘30-‘40 dhe lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për autonomi.
Kryengritjet e viteve ’30 të shek. XIX e më pas deri në vitet 1910-1911 treguan qëndresën e armatosur të popullit shqiptar. Në këto kryengritje morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime në përmasat e në organizimin e saj. U krijua kështu një front i gjerë kundërosman, i cili përbënte tiparin kryesor. Në udhëheqje të lëvizjes kryengritëse, gjatë viteve ’30-’40, kraha krerëve çifligarë dolën përfaqësues të borgjezisë qytetare e të fshatarësisë. Ky ishte një tiparv i ri që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndoshura në zhvillimin e luftës së armatosur. Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën në fillim karakter lokal, por ato drejtoheshin kundër një armiku të përbashkët dhe kishin kërkesa të njëllojta. Gatishmëria e bashkë punimi ndërmjet vatrave të veçanta të kryengritjeve dhe soliodariteti ndërmjet popullsisë së treveve të ndryshme, tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.
Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ të këtyre kryengritjeve. Dolën në skenë forma organizative demokratike dhe më të kohës. U organizuan kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të kryengritëseve, disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë edhe më parë, morën përmbajtje të re. Këto lëvizje e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe në disa raste morën karakter ndërkrahinor e kombëtar. Kryengritjet e armatosura më të mëdha, më të organizuara dhe më të fuqishme të këtyre dhjetëvjeçarëve janë: kryengritja e vitit 1833 e Toskërisë, ajo e vitit 1834 që shpërthen në Berat dhe u zgjerua deri në Shqipërinë e Mesme, ajo e vitit 1835, që pati si epiqendër qytetin e Shkodrës, dhe gati u shtri në të gjitha viset e Shqipërisë, kryengritjet e vitit 1844 në Kosovë dhe Dibër dhe kryengritja e “vegjëlisë fshatare” e vitit 1847 që përfshin të gjithë Shqipërinë e Jugut prej Beratit deri në Çamëri.
Tipare dalluese të këtyre kryengritjeve ishin masiviteti dhe vullnetarizmi. Numri i luftëtarëve që morën pjesë në secilën kryengritje varion nga 20.000 deri 40.000. Kështu, më 1835, efektivi luftarak i kryengritësve në gjithë Shqipërinë arriti rreth 40.000 veta, 13.000 në Sanxhakun e Shkodrës, 7.000 në Vlorë, 6.000-8.000 në Berat, Tepelenë e Përmet, 4.000-5.000 në Dibër si dhe disa grupe të tjera të vogla në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Kështu në vitin 1847 vetëm në krahinat e Vlorës, Gjirokastrës e Beratit morën pjesë në luftë mbi 15.000 luftëtarë. Në krahasim me popullsinë përkatëse ky numër përbënte 9-10% të përgjithësh të saj. Në rastet kur veprimet luftarake arrinin pika kulmore numri i vullnetarëve që shkonin në luftë arrinte 16-18 % të popullsisë. Kështu në maj të vitit 1835 vetëm nga qyteti i Shkodrës që kishte rreth 25.000 banorë dolën 4.000 luftëtarë, më 1847 vetëm nga fshatrat e Kurveleshit më 15.000 banorë, morën pjesë në luftë afërsisht 3.000 luftëtarë. Duke pasur si forcë lëvizëse fshatarsinë, që përbënte 90 % të gjithë popullsisë së Shqipërisë, si dhe shtresat e ulëta qytetare, këto kryengritje nisën e përfunduan me përleshje të ashpra dhe të përgjakshme, duke u shkaktuar forcave turke mijëra të vrarë e të plagosur dhe me dëme në materiale të shumta.
Si rregull para shpërthimit të kryengritjes mblidhej një kuvend krahinor ose ndërkrahinor i cili shpallte beslidhjen dhe përcaktonte qëllimin e kryengritjes, masat organizative, detyrat, numrin e forcave dhe detyrimin për çdo krahinë, zgjidhte prijësat ushtarakë etj. Të tilla ishin beslidhja e 9 krahinave me qendër në Berat më 1834, beslidhja e krahinave të Kosovës më 1844, Beslidhja (Kuvendi) i Mesaplikut më 1847 etj. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë “sikur të kishte rënë murtaja”. Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re.
Parimi i pjesëmarrjes ose i mobilizimit për luftë ishte vullnetarizmi që mbështetej në zakonet dhe traditat popullore, sipas të cilëve “çdo derë” (shtëpi) nxirrte nga një luftëtar. Çdo njësi e banuar, fshat, lagje qyteti, krahinë etj., do të nxirrte çetën e grupit të vet me një numër përafërsisht të përcaktuar luftëtarësh. Zakoni merr formën e detyrimit të pakundërshtueshëm. Kush i shmangej pjesëmarrjes i nënshtrohej një dënimi moral ose material si: konfiskim pasurie, djegie shtëpie, largim nga vendbanimi e deri tek dënimi me vdekje. Por, në përgjithsi, e sidomos nga krahinat e zonave malore, “rregulli” një për shtëpi tejkalohej.
Shpejtësia me të cilën kryengritësit grumbulloheshin ose hidheshin në luftë ishte tepër e madhe. Pas lajmërimit ose thirrjes, kryengritësit brenda 1-2 ditësh grumbulloheshin me mijëra në vendet e caktuara. Kështu më 1834, pas thirrjes së udhëheqësit popullor Tafil Buzit, brenda 24 orëve u grumbulluan në Berat 10.000 vullnetarë. Nga pikpamja e organizimit, formacionet luftarake ishin bashkime rajonale me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formonte një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formonte një grup që sipas numrit të popullsisë përkatëse mund të kishte disa qindra deri në 2.000 luftëtarë etj.
Kryengritja e vitit 1847 shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri”. Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.
Gjatë kryengritjeve ndërkrahinore formoheshin grupime forcash akoma më të mëdha. Kështu gjatë kryengritjes në Shqipërinë e Jugut më 1847 u krijuan dy grupime: ai Verior me Rrapo Hakalin në krye dhe ai Jugor me Zenel Gjolekën. Secili grupim përbëhej nga 4 deri 5 grupe krahinore. Grupimi i Veriut përbëhej nga grupi i vullnetarëve të Vlorës, të Myzeqesë, të Mallakastrës dhe të Tepelenës. Po kështu grupimi i Jugut përbëhej nga grupi i Kurveleshit të Poshtëm dhe i Bregdetit, të Delvinës, të Kurveleshit të Sipërm e Kardhiqit, të Tepelenës dhe të Çamërisë. Secili grup kishte 500-600 luftëtarë ndërsa secili grupim deri më 2.000 luftëtarë që qëndruan në formacione gjatë kohës së kryengritjes. Me këto grupime në momente të caktuara bashkoheshin dhe vullnetarë të tjerë duke dyfishuar e trefishuar efektivin.
Dinamika e veprimeve luftarake të kryengritësve zakonisht zhvillohej nëpërmjet dy fazave kryesore: fazës së nismës dhe fazës së luftimeve me karakter mbrojtës. Në fazën e nismës, kryengritësit mësynin forcat ushtarake osmane në qendrat administrative, garnizonet e ruajtjes, në nyjet rrugore dhe nënrepartet e repartet shetitëse, forconin ruajtjen e kalave, ju bënin prita dhe kurthe karvaneve të furnizimit etj.
Mësymja në përgjithësi fillonte nga rajonet fshatare të zonave malore dhe drejtohej mbi qytetet e zonat e ulëta. Sipas vendimit të besëlidhjes (kuvendit) çetat dhe grupet e ndryshme, me t’u lajmëruar grumbulloheshin dhe niseshin në drejtimin e objektivit të mësymjes. Kryengritësit i afroheshin objektit me kolona marshimi, të cilat përhapeshin për luftim duke shfrytëzuar terrenin. Në afërsi të objektit ato organizoheshin për luftim dhe hidheshin në sulm. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme. Në këtë mënyrë në maj të vitit 1835 gjatë kryengritjes së Shkodrës, luftëtarët e qytetit dhe vullnetarët prej Malësisë së Madhe, Pukës, Mirditës, Zadrimës, Anamalit me rreth 15.000 vullnetarë sulmuan 6.000 forca turke në kalanë e Rozafës dhe në kodrat e Pashës. Brenda tre-katër ditëve të para arritën të mbyllnin plotësisht unazën e rrethimit. Kurse prej muajit maj deri në gusht i bllokuan plotësisht forcat turke dhe duke i sulmuar herë pas here u shkaktuan mijëra të vrarë. Po kështu më 1847 rreth 2.000 luftëtarë në grupimin Verior të Shqipërisë së Jugut sulmuan nga të gjitha anët një regjiment forcash qeveritare turke në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Pas tri ditë luftimesh, e detyruan atë të dorëzohej duke lënë qindra të vrarë në fushën e luftës. Kurse Grupimi Jugor vetëm me 1.500-2.000 luftëtarë mbajti të rrethuar në kalanë e Gjirokastrës 6-7 tabor turk.
Faza e mbrojtjes zakonisht fillonte pasi forcat e ekspeditave ushtarake turke të nisura nga qendrat e vilajeteve ose rajonet qendrore të Perandorisë, ballafaqoheshin me kryengritësit. Mbrojtja e kryengritësve kishte gjithmonë karakter manovrues. Pikënisja e luftimeve të kësaj faze ishte ndeshja në një vijë ose pozicion të caktuar terreni, ku kryengritësit organizonin mbrojtjen, pritat ose kurthet. Vendet më të përshtatshme për kryengritësit ishin, grykat, qafat e shpatet e maleve, nyjet rrugore të rëndësishme, “portet” e hyrjes në zonat malore, brigjet e lumenjve etj. Në përgjithësi qëndresa e kryengritësve në këto vija nuk vazhdonte gjatë. Pas thyerjes në këto vija, kryengritësit tërhiqeshin më në thellësi, ku prioritet merrnin pusitë, kurthet, goditjet e sulmet e befasishme ditën e natën me grupe të vogla e çeta. Gjërësisht gjenin përdorim forma të ndryshme si dredhit, mashtrimet, ndjellja e armikut, kapja rob, marrja e informatave etj.
Mjeshtëri të lartë në zbatimin e këtyre mënyrave luftimi u pasqyruan sidomos gjatë kryengritjes së vitit 1847. Në shumicën e rasteve, para fillimit të luftimeve, kryengritësit krijonin përshtypjen te komanda e forcave turke se do të ndesheshin me ta ballë për ballë, në vende të hapta ditën etj. Por në të vërtetë, kryengritësit tërhiqeshin, fshiheshin, zhdukeshin e humbisnin gjurmët për mjaft kohë. Në disa raste i “ndollën” forcat osmane në bazat e tyre, në disa herë edhe i vinin në “gjumë”. Mirëpo pas kësaj ato jepnin goditje ose sulme të befasishme duke u shkaktuar humbje të mëdha turqve. Në mesin e korrikut 1847 Grupimi Jugor provokon dhe i ndjell ditën me një repart të vogël 3.000 forca turke. Kurse gjatë natës, duke i futur në një grykë shkëmbore u jep goditje nga të gjitha anët, duke vrarë më shumë se 1.000 veta. Po kështu nga mesi i gushtit, 700-800 kryengritës u përballën në Doliana, rreth 50 km ne Veriperëndim të Janinës, me një forcë turke prej mëse 5.000 veta që vinte prej Maqedonisë. Pas kësaj qëndrese kryengritësit u tërhoqën me shpejtësi nga mesi i natës sulmuan forcat turke pa pritur, kur ata pushonin, duke u shkaktuar 500 të vrarë dhe duke e detyruar të largoheshin në drejtim të Janinës së shpartalluar. Në këtë mënyrë u veprua në Senicë, si dhe në grykën e Kuçit. Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane, këto konflikte ishin rrëke që çonin ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: “Heroi i ditës kudo është Gjoleka”.
Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t’i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses.
Përvoja historike, që përcillet të paktën që nga këto kryengritje popullore masive, është kushtëzimi më i fuqishëm për zhvillimin e besimit, se udhëheqësit nuk duhet të tolerojnë më shumë nga çfarë dikton memorja historike, që të ruajnë marrëdhëniet të mira me kombin. Vrulli revolucionar në rritje i masave popullore dhe përvoja historike i luftërave dhe kryengritjeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtarë Shqipëtare, shtronin si detyrë të ngutshme organizimin e një kryengritje të përgjithshmae, të përfshirjen në të mbarë trojet shqiptare, bashkërendimin e forcave luftarake të trevave të ndryshme për t’i dhënë fund sundimit të huaj në Shqipëri. Kjo kryengritje e përgjithshme ishte paraprirë nga kryengritjet e viteve ’30-‘70 të shek. XIX kundër të ashtuquajtura reforma të Tanzimatit e zbatimit të tyre në Shqipëri, e pastaj me radhë me luftërat gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), me kryengritjet në vitet 1896-1901 nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Pejës, me ato të viteve 1905-1908 nën drejtimin e Komitetit Kombëtar “Për Lirinë e Shqipërisë” të Manastirit dhe sidomos kryengritjet e dy viteve të mëparëshme, ato të viteve 1910-1911.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj.
Kryengritja e vitit 1911 i detyroi pushtuesit osmanë të hynin në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin atyre disa lëshime. Megjithëse këto lëshime ishin larg kërkesave kombëtare të shqiptarëve, përbënin ndërkaq një mbështetje për kërkesa më të përparuara në të ardhmen. Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.
Kryengritja e vitit 1911 mund të mbahet si prologu i Kryengritjes së Përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme në prag të shpalljes së pavarësisë, u punua, u mendua dhe u luftua gjatë muajve të fundit të vitit 1911 dhe në tre-katër muajt e parë të vitit 1912. Gjatë kësaj periudhe pregatitore u vendosën kontakte midis përfaqësuesve të krahinave të ndryshme për organizimin e veprimeve të përbashkëta, për krijimin e një qëndre të vetme udhëheqëse, për sigurimin e armëve, për qendrimin që duhej të mbanin shqiptarët ndaj premtimeve të të ashtuquajtura reforma të shpallura në vitin 1911 dhe mbi të gjitha u luftua me këmbëngulje për realizimin e kërkesave kombëtare të kryengritjes së vitit 1911, të cilat pasqyronin objektivat themelore kombëtare të mbarë shqiptarëve. Gjatë periudhës pregatitore u zhvilluan edhe veprime të armatosura por jo në masë të gjerë. Për organizimin e kryengritjeve dhe drejtimin e formacioneve popullore, kuvendet e beslidhjet zgjidheshin për prijësa ushtarake, ata luftëtarë që kishin treguar trimëri, kishin përvojë luftarake dhe aftësi ushtarake, organizuese e drejtuese, e gëzonin autoritet.
Në përgjithësi, në periudhën e Rilindjes këta prijësa dolën nga shtresat e mesme, madje dhe të varfëra. Të tillë ishin Tafil Buzi, Shahin Delvina, Çobo Golemi, Balil Nesho, Alush Frakulla, Hamza Kazazi, Binak Alia, Sokol Rama, Dervish Cara, Sheh Fejzo, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Nivica etj. Njësitë kryengritëse shqiptare në këto beteja e luftime drejtoheshin nga atdhetarë e luftëtarë popullor si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Abdi Toptani, Gjeto Coku, Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Sali Butka, Ismail Klosi, Muharrem Rushiti etj.
Analistë të vëmendshëm pohojnë se, këta prijësa popullor me format, veçoritë dhe metodat e tyre të luftimit bënë që të dëgjoheshin në hapësirat Ballkanike e më gjerë. Kryengritjet e armatosura shqiptare të kësaj periudhe, luftëtarët e shquar të saj, figurat e ndritura popullore, janë sot më shumë se kurrë pranë popullit të tyre, në mesin e popullit të tyre, në zemrën dhe shpirtin e ushtarakut shqiptar. Në të vërtetë mitet e prijsave popullor të kryengritjeve kundër osmanëve janë, përveç Kastriotit, miti i flakjes së pushtimit, miti i ruajtjes së ndërgjegjes kombëtare, i ruajtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, i harmonisë fetare e i harmonisë midis Veriut dhe Jugut, e kultit të gjuhës shqipe. Kryesorja ishte se në këto programe nuk kishte urrejtje e aq më pak tmerre, si ato të pastrimit etnik që ishin formuluar në disa nga programet e fqinjëve tanë. Kombi nuk është një propagandë, por themeli historik e kulturor i shtetit. Çështja kombëtare nuk mund të shmangë elitën drejtuese shqiptare kudo që ndodhet. Bëhet më e domosdoshme kjo detyrë e përcjellë që nga vitet e këtyre kryengritjeve popullore masive, kur jo rrallë, propogandohet se …të flasësh për interesa kombëtare do të thotë ta vendosësh veten mbi një fushë të minuar…




